1 Selanikasve

Kapitulli: 1 2 3 4 5

Kapitulli 1

1 Pali, Silvani dhe Timoteu kishës së selanikasve në Perëndinë Atë dhe në Zotin Jezus Krisht: Paçi hir dhe paqe.

2 Falënderojmë gjithmonë Perëndinë për të gjithë ju, duke ju përmendur në lutjet tona,

3 duke kujtuar vazhdimisht përpara Perëndisë dhe Atit tonë veprën tuaj të krijuar nga besimi, mundimin e nxitur nga dashuria dhe qëndresën tuaj të frymëzuar nga shpresa në Zotin tonë Jezus Krisht.

4 E dimë, vëllezër, të dashur prej Perëndisë, që ju jeni të zgjedhurit e Tij,

5 sepse ungjilli ynë nuk erdhi te ju vetëm me fjalë, por edhe me fuqi, me Frymë të Shenjtë dhe me bindje të thellë. Ju e dini ç’lloj jete bëmë ne midis jush nga dashuria për ju.

6 Edhe ju u bëtë imituesit tanë dhe të Zotit, duke e pranuar fjalën në mes të mundimeve të mëdha me gëzimin e Frymës së Shenjtë.

7 Dhe kështu u bëtë shembull për të gjithë ata që besojnë, në Maqedoni dhe në Akai.

8 Sepse fjala e Zotit ushtoi prej jush jo vetëm në Maqedoni dhe në Akai, por fama e besimi juaj në Perëndinë është përhapur kudo, kështu që ne nuk kemi nevojë të flasim më për këtë.

9 Sepse vetë ata tregojnë për ne, se si na pritët dhe si ju u kthyet nga idhujt te Perëndia për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë dhe të vërtetë

10 dhe për të pritur Birin e Tij nga qiejt, të cilin Ai e ngjalli prej të vdekurve, Jezusin, që na shpëton nga zemërimi që po vjen.



Kapitulli 2

1 Sepse ju vetë, vëllezër, e dini se ardhja jonë te ju nuk ishte e kotë,

2 por edhe pse kishim vuajtur më parë dhe ishim keqtrajtuar, siç e dini, në Filipi, megjithatë patëm guximin në Perëndinë tonë për t’ju folur juve ungjillin e Perëndisë në mes të kundërshtimeve të mëdha.

3 Sepse thirrja jonë nuk vjen nga gabimi, as nga motive të papastra, as me mashtrim.

4 Përkundrazi, ne flasim si njerëz të miratuar nga Perëndia për t’iu besuar ungjilli. Nuk përpiqemi t’u pëlqejmë njerëzve, por Perëndisë, që heton zemrat tona.

5 Sepse, siç e dini, ne kurrë nuk përdorëm fjalë lajkatare, as nuk u shtirëm për qëllime lakmitare; Perëndia është dëshmitar.

6 Nuk kërkuam lavdi as prej njerëzve, as prej jush e as prej të tjerëve,

7 megjithëse si apostuj të Krishtit mund t’ju bëheshim barrë, por u treguam të butë në mes jush, si mëndesha që rrit me ngrohtësi fëmijët e vet.

8 Kështu, me këtë dashuri të madhe në zemër për ju, ishim gati të ndanim me ju jo vetëm ungjillin e Perëndisë, por edhe jetën tonë, sepse ju jeni bërë kaq të dashur për ne.

9 Sepse ju e mbani mend, vëllezër, lodhjen dhe mundin tonë, se si punonim natë e ditë për të mos iu bërë barrë asnjërit prej jush, ndërsa shpallnim mes jush ungjillin e Perëndisë.

10 Ju jeni dëshmitarë, po kështu edhe Perëndia, si u sollëm me shenjtëri, drejtësi dhe pa të meta me ju besimtarët;

11 ashtu siç edhe e dini se si e trajtuam secilin prej jush, siç vepron ati me bijtë e vet,

12 duke ju dhënë zemër, duke ju ngushëlluar dhe duke dëshmuar, që ju të ecni në mënyrë të denjë për Perëndinë që ju thërret në mbretërinë dhe në lavdinë e Vet.

13 Për këtë arsye edhe ne vazhdimisht falënderojmë Perëndinë, se kur morët prej nesh mesazhin e Perëndisë, e pranuat jo si fjalë njerëzish por, siç është në të vërtetë, fjalë Perëndie, që vepron gjithashtu midis jush që besoni.

14 Sepse ju, vëllezër, u bëtë imitues të kishave të Perëndisë në Jude, që janë në Jezus Krishtin, sepse edhe ju vetë vuajtët prej bashkëvendasve tuaj, ashtu si edhe ata prej judenjve,

15 të cilët vranë edhe Zotin Jezus, edhe profetët dhe ne na përndoqën. Ata nuk i pëlqejnë Perëndisë dhe janë në armiqësi me të gjithë njerëzit,

16 duke na penguar ne që t’u flasim kombeve që këta të shpëtohen; dhe kështu ata gjithmonë e mbushin masën e mëkateve të tyre. Por zemërimi mbi ta ka arritur deri në pikën e fundit.

17 Por ne, vëllezër, pasi na ndanë prej jush për një kohë të shkurtër, me trup, por jo me zemër, u përpoqëm edhe më tepër që t’ju shohim nga malli i madh.

18 Prandaj deshëm të vijmë te ju - unë, Pali, më shumë se njëherë - por Satani na ndaloi.

19 Sepse, cila është shpresa jonë, gëzimi ynë apo kurora e lëvdimit tonë përpara Zotit tonë Jezus kur Ai do të vijë? A nuk jeni ju?

20 Sepse ju jeni lavdia dhe gëzimi ynë.



Kapitulli 3

1 Prandaj, duke mos duruar më, na u duk më mirë të qëndronim vetëm pa njerëz të tjerë në Athinë.

2 Kështu dërguam Timoteun, vëllanë tonë dhe bashkëpunëtorin e Perëndisë në ungjillin e Krishtit, që t’ju forcojë e t’ju japë zemër në besimin tuaj,

3 që askush të mos lëkundet nga këto mundime. Sepse ju vetë e dini se për këtë jemi caktuar.

4 Sepse, vërtet, kur ishim me ju, vazhdimisht ju thoshim se do të kalonim mundime dhe, siç e dini, ashtu ndodhi.

5 Prandaj, edhe unë, duke mos duruar më, dërgova një njeri që të marr vesh për besimin tuaj, sepse kisha frikë se ju kishte tunduar tunduesi dhe mundi ynë do të ishte i kotë.

6 Por tani Timoteu sapo u kthye te ne prej jush, duke na sjellë lajme të mira për besimin dhe dashurinë tuaj. Ai na tha që ju gjithmonë na keni kujtuar me dashuri, se keni dëshirë të madhe të na shihni, ashtu si edhe ne ju.

7 Prandaj, vëllezër, me gjithë nevojat dhe mundimet tona, e ndiejmë veten të ngushëlluar për ju nëpërmjet besimit tuaj.

8 Sepse ne tani jetojmë, po të qëndroni ju fort në Zotin.

9 Si mund ta falënderojmë Perëndinë për ju për të gjithë gëzimin që ndiejmë prej jush përpara Perëndisë sonë?

10 Natë e ditë lutemi pa fund që t’ju shohim dhe të plotësojmë mangësitë e besimit tuaj.

11 Vetë Perëndia, Ati ynë, dhe Zoti ynë Jezus na e drejtoftë rrugën tonë për te ju.

12 Jua shtoftë Zoti dhe jua bëftë të begatshme dashurinë për njëri-tjetrin dhe për të gjithë, ashtu siç bëjmë edhe ne për ju.

13 Jua bëftë zemrat të forta që të jeni pa të meta në shenjtëri përpara Perëndisë dhe Atit tonë kur të vijë Zoti ynë Jezus me të gjithë shenjtët e Vet. [Amen]



Kapitulli 4

1 Më në fund, vëllezër, ne po ju lutemi dhe ju bëjmë thirrje në Zotin Jezus, që, siç mësuat prej nesh se si duhet të ecni dhe t’i pëlqeni Perëndisë (sikundër edhe po ecni), të bëheni edhe më të përkryer.

2 Sepse ju e dini çfarë rregullash ju dhamë nëpërmjet Zotit Jezus.

3 Sepse ky është vullneti i Perëndisë, shenjtërimi juaj, që ju të qëndroni larg imoralitetit,

4 që secili prej jush të dijë si të sundojë trupin e vet në shenjtëri dhe me nder,

5 jo me pasione epshi, siç bëjnë kombet që nuk e njohin Perëndinë,

6 që askush të mos lëndojë e të mos mashtrojë vëllanë e vet në këtë punë, sepse Zoti është shpagimtari për të gjitha këto gjëra, siç ju kemi paralajmëruar tashmë dhe kemi dëshmuar.

7 Sepse Perëndia nuk na ka thirrur në papastërti, por në shenjtëri.

8 Prandaj ai që përbuz këtë, nuk përbuz njeriun, por Perëndinë që ju jep juve Frymën e Tij të Shenjtë.

9 Sa për dashurinë vëllazërore, ju nuk keni nevojë që t’ju shkruajnë, sepse ju vetë jeni të mësuar nga Perëndia që ta doni njëri-tjetrin.

10 Sepse në të vërtetë ju këtë e bëni ndaj të gjithë vëllezërve që janë në tërë Maqedoninë. Por ne, vëllezër, ju bëjmë thirrje që ta shtoni edhe më shumë

11 dhe të përpiqeni për një jetë të qetë, të shikoni punën tuaj dhe të punoni me duart tuaja, siç ju kemi udhëzuar,

12 që të silleni siç duhet ndaj atyre që janë jashtë dhe të mos keni nevojë për askënd.

13 Por nuk duam t’ju lëmë në padije, vëllezër, edhe për ata që janë në gjumë, që të mos trishtoheni, siç bëjnë ata që nuk kanë shpresë.

14 Sepse nëse besojmë se Jezusi vdiq dhe u ngjall përsëri, po ashtu Perëndia do të sjellë me Të ata që kanë rënë në gjumë në Jezusin.

15 Po jua themi sipas fjalës së Zotit, se ne që jemi gjallë, dhe do të mbetemi deri në ardhjen e Zotit, nuk do të dalim përpara atyre që kanë rënë në gjumë.

16 Sepse Vetë Zoti, me një urdhër, me zërin e kryeengjëllit dhe me trumbetën e Perëndisë, do të zbresë prej qielli dhe të vdekurit në Krishtin do të ngjallen të parët.

17 Pastaj, ne që jemi ende gjallë e që do kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ta në një re për të takuar Zotin në ajër dhe kështu do të jemi gjithmonë bashkë me Zotin.

18 Prandaj jepini zemër njëri-tjetrit me këto fjalë.



Kapitulli 5

1 Dhe sa për kohët dhe stinët, vëllezër, ju nuk keni nevojë t’ju shkruaj.

2 Sepse ju vetë e dini më së miri se dita e Zotit do të vijë si kusari natën.

3 Kur të thuhet: "Paqe dhe siguri!" atëherë mbi ta do të bjerë papritur shkatërrimi, si dhimbjet e lindjes për gruan shtatzënë, dhe ata nuk do të shpëtojnë.

4 Por ju, vëllezër, nuk jeni në errësirë, që kjo ditë t’ju zërë në befasi si kusarin,

5 sepse ju të gjithë jeni bij të dritës dhe bij të ditës. Ne nuk jemi të natës as të errësirës.

6 Kështu pra, le të mos flemë siç bëjnë të tjerët, por të jemi syhapur dhe esëll.

7 Sepse ata që flenë, e bëjnë gjumin natën, dhe ata që dehen, natën dehen.

8 Por, meqë ne jemi të ditës, le të qëndrojmë esëll, duke veshur parzmoren e besimit dhe të dashurisë dhe duke pasur si përkrenare shpresën e shpëtimit.

9 Sepse Perëndia nuk na ka caktuar të përjetojmë zemëratën e Vet, por për të marrë shpëtimin nëpërmjet Zotit tonë Jezus Krisht,

10 i cili vdiq për ne, që si kur jemi zgjuar ashtu edhe fjetur, të jetojmë bashkë me Të.

11 Prandaj jepini zemër njëri-tjetrit dhe ndërtoni njëri-tjetrin, siç edhe po bëni në të vërtetë.

12 Ne kërkojmë prej jush, vëllezër, që t’i vlerësoni ata që mundohen midis jush, që ju drejtojnë në Zotin dhe që ju udhëzojnë.

13 T’i vlerësoni shumë lart në dashuri për shkak të punës së tyre. Të jetoni në paqe me njëri-tjetrin.

14 Ju bëjmë thirrje, vëllezër, që të qortoni dembelët, të inkurajoni zemërlëshuarit, të përkrahni të dobëtit dhe të jeni të duruar me të gjithë.

15 Shikoni që askush të mos ia kthejë tjetrit të keqen me të keqe, por gjithmonë synoni të mirën për njëri-tjetrin dhe për të gjithë.

16 Gjithmonë gëzohuni.

17 Pa pushim lutuni.

18 Për çdo gjë falënderoni, sepse ky është vullneti i Perëndisë për ju në Krishtin Jezus.

19 Frymën mos e shuani.

20 Profecitë mos i përbuzni,

21 por çdo gjë shqyrtojeni me kujdes. Mbahuni fort pas së mirës.

22 Qëndroni larg çdo forme të së ligës.

23 Vetë Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ju tërësisht dhe tërë fryma, shpirti dhe trupi juaj të ruhet pa të meta në ardhjen e Zotit tonë Jezus Krisht.

24 Ai që ju thërret, është besnik, dhe do t’i bëjë të gjitha këto.

25 Vëllezër, lutuni [edhe] për ne.

26 Përshëndetini të gjithë vëllezërit me një puthje të shenjtë.

27 Ju përgjëroj me be në Zotin që letra t’u lexohet të gjithë vëllezërve.

28 Hiri i Zotit tonë Jezus Krisht qoftë me ju.