2 Pjetri

Kapitulli: 1 2 3

Kapitulli 1

1 Simon Pjetri, shërbëtor dhe apostull i Jezus Krishtit, atyre që nëpërmjet drejtësisë së Perëndisë sonë dhe Shpëtimtarit Jezus Krisht kanë marrë një besim po aq të çmuar sa besimi ynë:

2 Ju qoftë dhënë me begati hiri dhe paqja nëpërmjet njohjes së Perëndisë dhe të Jezusit Zotit tonë.

3 Fuqia e Tij hyjnore na ka dhuruar gjithçka që ka të bëjë me jetën dhe përshpirtshmërinë, nëpërmjet njohjes së Atij që na ka thirrur me lavdinë dhe virtytin e Vet.

4 Me këto Ai na ka dhënë premtime të çmuara dhe të madhërishme, që nëpërmjet këtyre të bëheni pjesëtarë të një natyre hyjnore, dhe t’i shpëtoni prishjes që i vjen botës prej epshit.

5 Po për këtë arsye, bëni çdo përpjekje që t’i shtoni besimit tuaj virtytin dhe virtytit njohjen,

6 njohjes vetëkontrollin, vetëkontrollit ngulmimin, ngulmimit përshpirtshmërinë,

7 përshpirtshmërisë mirëdashjen vëllazërore dhe mirëdashjes vëllazërore dashurinë.

8 Sepse nëse këto gjenden me begati në mes jush, ato nuk ju bëjnë as të padobishëm, as të pafryt në njohjen e Zotit tonë Jezus Krishtit.

9 Sepse ai që i mungojnë këto, është i verbër e dritëshkurtër, që ka harruar pastrimin nga mëkatet e tij të vjetra.

10 Prandaj, vëllezër, përpiquni edhe më shumë të siguroheni për thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse për sa kohë i zbatoni këto, kurrë nuk do të rrëzoheni

11 dhe kështu do t’ju hapet gjerësisht hyrja në mbretërinë e përjetshme të Zotit tonë dhe Shpëtimtarit Jezus Krisht.

12 Prandaj, do t’jua kujtoj gjithmonë këto gjëra, edhe pse i dini dhe e ndieni veten të fortë në të vërtetën që keni tani.

13 Por e quaj me vend, për sa kohë që jam në këtë tendë tokësore, t’jua freskoj kujtesën,

14 sepse e di se së shpejti do të largohem nga kjo tendë, siç ma ka bërë të qartë edhe Zoti ynë Jezus Krisht.

15 Do të bëj çdo përpjekje që edhe pas largimit tim të mund t’i kujtoni këto gjëra.

16 Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezus Krisht, duke shkuar pas përrallave të sajuara bukur, por u bëmë dëshmitarë duke e parë me sytë tanë madhështinë e Tij.

17 Sepse kur mori nder dhe lavdi prej Perëndisë Atë, një zë i këtillë i erdhi nga Lavdia e Madhërishme: "Ky është Biri Im i dashur, tek i cili gjej kënaqësi."

18 Ne vetë e dëgjuam këtë zë që erdhi nga qielli, kur ishim bashkë me Të në malin e shenjtë.

19 Edhe më të sigurt e kemi bërë fjalën e profetëve dhe ju do të bëni mirë t’i kushtoni vëmendje si një pishtar që ndriçon në një vend të errët, derisa të gdhijë dita dhe ylli i mëngjesit të lindë në zemrën tuaj.

20 Por më parë duhet ta kuptoni se asnjë profeci e Shkrimit nuk vjen nga interpretimi i profetit,

21 sepse asnjë profeci nuk ka ardhur ndonjëherë nga vullneti i njeriut, por njerëzit kanë folur prej Perëndisë, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë.



Kapitulli 2

1 Por në popull dolën profetë të rremë, siç do të ketë edhe midis jush mësues të rremë, të cilët do të fusin fshehurazi herezi shkatërruese, madje edhe duke mohuar Zotin që i ka blerë, duke sjellë kështu mbi vete shkatërrim të shpejtë.

2 Shumë do t’i ndjekin shthurjet e tyre dhe për shkak të tyre do të shahet rruga e së vërtetës.

3 Me pangopësinë e tyre do t’ju shfrytëzojnë duke përdorur fjalë të sajuara. Dënimi i tyre ka kohë që është gati dhe shkatërrimi i tyre nuk ka qenë në gjumë.

4 Sepse nëse Perëndia nuk i kurseu engjëjt kur ata mëkatuan, por i hodhi në ferr dhe i futi në biruca terri për t’u mbajtur për gjykim;

5 nëse nuk kurseu botën e lashtë, por e ruajti Noen, vetë i tetë, këtë predikues të drejtësisë, kur i solli përmbytjen botës së të pafeve;

6 nëse i dënoi qytetet e Sodomës dhe të Gomorrës duke i shkatërruar e duke i kthyer në hi dhe i bëri shembull për ata që kanë ndër mend të bëjnë një jetë të papërshpirtshme;

7 nëse shpëtoi Lotin e drejtë, të sfilitur nga sjellja e shthurur e njerëzve të paudhë,

8 (sepse këtij njeriu të drejtë, me çka pa e dëgjoi, duke banuar midis tyre, nga dita në ditë i torturohej shpirti i tij i drejtë për veprat e tyre të paudha)

9 nëse është kështu, atëherë Zoti e di si t’i shpëtojë të përshpirtshmit nga tundimi dhe t’i mbajë të padrejtët për t’i dënuar në ditën e gjykimit,

10 sidomos ata që shkojnë pas epsheve të fëlliqura të mishit dhe nuk e përfillin pushtetin. Ata janë kokëkrisur, arrogantë e nuk druhen të shajnë fuqitë qiellore,

11 ndërsa engjëjt, megjithëse janë më të fortë e më të fuqishëm, nuk hedhin kundër tyre akuza sharëse përpara Zotit.

12 Por këta, si shtazë të egra, të lindura prej natyre për gjah dhe shfarosje, shajnë gjëra që nuk i marrin vesh. Ashtu si shtazët, edhe këta do shfarosen.

13 Me vuajtje do ta marrin shpërblimin për paudhësitë që kanë bërë. Ata mendojnë se është kënaqësi ta kalosh ditën në qejfe të tepruara. Ata janë njolla e vurrata, që dëfrehen me mashtrimet e tyre, duke ngrënë e duke pirë bashkë me ju.

14 Sytë i kanë të ndezur me tradhti bashkëshortore, nuk pushojnë së mëkatuari, joshin shpirtra të paqëndrueshëm, zemrën e kanë të stërvitur në pangopësi - janë bij mallkimi.

15 Kanë braktisur rrugën e drejtë dhe gabuan, duke ndjekur rrugën e Balaamit, birit të Beorit, i cili deshi pagën e paudhësisë,

16 por u qortua për shkeljen e vet; një gomare pa gojë, që foli me zë njeriu, e ndaloi marrëzinë e profetit.

17 Këta janë burime pa ujë, mjegulla që i shtyn stuhia, për të cilët është ruajtur terri i errësirës.

18 Sepse duke folur me fjalë të fryra e të zbrazëta, ata joshin me anë të epsheve të mishit, me anë të shthurjes, ata që sapo kanë shpëtuar prej atyre që jetojnë në rrugë të gabuar.

19 U premtojnë atyre liri, kur vetë ata janë skllevër të shthurjes, sepse njeriu bëhet skllav i asaj që e ka mposhtur.

20 Sepse, nëse u kanë shpëtuar fëlliqësive të botës me anë të njohjes së Zotit [tonë] dhe Shpëtimtarit Jezus Krisht dhe përsëri janë ngatërruar në to dhe janë mposhtur prej tyre, atëherë kjo gjendje e tyre e fundit është bërë më e keqe se e para.

21 Do të ishte më mirë për ta që të mos e kishin njohur rrugën e drejtësisë, sesa duke qenë në dijeni, të largohen nga urdhërimi i shenjtë që iu dha.

22 U ndodhi siç thotë fjala e urtë e vërtetë: "Qeni kthehet tek e vjella e vet" dhe "Dosa, pasi është larë, shkon e zhgërryhet në llucë."



Kapitulli 3

1 Kjo tani, të dashurit e mi, është e dyta letër që ju shkruaj dhe në të dyja dua t’ju nxit mendjen tuaj për t’ju kujtuar,

2 që të mos harroni fjalët që kanë thënë më parë profetët e shenjtë dhe urdhërimin e Zotit e të Shpëtimtarit, që kanë lënë apostujt tuaj.

3 Para së gjithash ta dini se në ditët e fundit do të vijnë përqeshësit që do t’ju tallin, duke shkuar pas epsheve të tyre.

4 Do të thonë: "Ku është premtimi i ardhjes së Tij? Sepse që kur etërit tanë mbyllën sytë, gjithçka vazhdon siç ka qenë që prej fillimit të krijimit."

5 Por këta harrojnë me vetëdije, se nëpërmjet fjalës së Perëndisë ekzistonin prej kohësh qiejt dhe toka u formua prej ujit dhe nëpërmjet ujit,

6 nëpërmjet të cilit bota e atëhershme u shkatërrua, duke u përmbytur me ujë.

7 Qiejt dhe toka që janë sot, janë ruajtur nëpërmjet fjalës së Tij për zjarr për ditën e gjykimit dhe të shkatërrimit të njerëzve të papërshpirtshëm.

8 Por mos e lini t’ju shpëtojë ky fakt, të dashurit e mi, se për Zotin një ditë është si një mijë vjet dhe një mijë vjet janë si një ditë.

9 Zoti nuk vonon në premtimin e Vet, siç e kuptojnë disa vonesën, por është i durueshëm me ju. Dëshira e Tij është që asnjë të mos humbasë, por të gjithë të vijnë te pendimi.

10 Por dita e Zotit do të vijë si një kusar. Në atë ditë qiejt do të zhduken me uturimë, elementet do të shkatërrohen nga zjarri dhe toka dhe çdo gjë në të do të dalin zbuluar.

11 Meqë të gjitha këto do të shpërbëhen në këtë mënyrë, ç’lloj njerëzish duhet të jeni? Ju duhet të bëni jetë të shenjtë dhe të përshpirtshme,

12 duke pritur dhe duke u dëshiruar për ardhjen e ditës së Perëndisë, për shkak të së cilës qiejt do të shkrihen nga zjarri dhe elementet do të digjen dhe do të bëhen shkrumb e hi!

13 Por ne, sipas premtimit të Tij, presim qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilat banon drejtësia.

14 Prandaj, të dashurit e mi, duke qenë në pritje të këtyre gjërave, bëni çdo përpjekje që Ai t’ju gjejë në paqe me Të, të panjollosur e të paqortueshëm.

15 Durimin e madh të Zotit tonë ta quani shpëtim, ashtu si ju shkroi vëllai ynë i dashur Pal, sipas mençurisë që iu dha,

16 si edhe në të gjitha letrat e tij, ku foli për këto gjëra. Në letrat e tij ka disa gjëra që janë të vështira për t’u kuptuar, të cilat i shtrembërojnë ata që janë të pamësuar dhe të paqëndrueshëm, siç bëjnë edhe me pjesën tjetër të Shkrimit, për shkatërrimin e vetes së tyre.

17 Prandaj, ju, të dashur, meqë tashmë e dini këtë, hapni sytë, se mos ju çojnë të paudhët në rrugë të gabuar dhe shkisni nga qëndrimi juaj i patundur.

18 Por rrituni në hirin dhe njohjen e Zotit tonë dhe Shpëtimtarit Jezus Krisht. Atij i qoftë lavdia si tani edhe në ditën e përjetësisë. [Amen.]