2 Timoteut

Kapitulli: 1 2 3 4

Kapitulli 1

1 Pali, apostull i Krishtit Jezus me anë të vullnetit të Perëndisë, sipas premtimit të jetës që është në Krishtin Jezus,

2 Timoteut, birit tim të dashur: Hir, mëshirë, paqe nga Perëndia Atë dhe Krishti Jezus Zoti ynë.

3 Falënderoj Perëndinë, të cilit i shërbej siç bënë të parët e mi, me ndërgjegje të pastër, që pa pushim të kujtoj në lutjet e mia natë e ditë,

4 duke sjellë ndër mend lotët e tu, kam mall të të shoh, që të mbushem me gëzim.

5 Sepse më kujtohet besimi i çiltër që ke, të cilin më parë e kishin gjyshja jote Loidë dhe nëna jote Eunike dhe jam i bindur që e ke edhe ti tani.

6 Për këtë arsye po të kujtoj që të gjallërosh dhuntinë e Perëndisë që është në ty duke vënë duart e mia.

7 Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë druajtje, por frymë force, dashurie dhe vetëdisipline.

8 Prandaj mos ki turp të dëshmosh për Zotin tonë, as për mua, të burgosurin e Tij. Por vuaj edhe ti bashkë me mua për ungjillin, sipas fuqisë së Perëndisë,

9 që na ka shpëtuar dhe na ka thirrur me një thirrje të shenjtë, jo sipas veprave tona, por sipas qëllimit të Vet dhe hirit që na është dhënë në Krishtin Jezus përpara fillimit të kohëve,

10 por që tani është zbuluar nëpërmjet shfaqjes së Shpëtimtarit tonë Krishtit Jezus, i cili nga njëra anë, e shkatërroi vdekjen dhe, nga ana tjetër, nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë nëpërmjet ungjillit.

11 Për këtë ungjill unë u caktova predikues, apostull dhe mësues.

12 Kjo është arsyeja përse po i vuaj këto gjëra, por nuk e kam për turp, sepse e di kujt i kam besuar dhe jam i bindur se Ai është në gjendje të ma ruajë atë që i kam besuar për atë ditë.

13 Mbaj parasysh fjalët e shëndosha që ke dëgjuar prej meje, me besim dhe dashuri në Krishtin Jezus.

14 Ruaje visarin e mirë nëpërmjet Frymës së Shenjtë që banon ndër ne.

15 Ti e di që të gjithë ata që janë në Azi, më braktisën, midis të cilëve janë Figeli dhe Hermogjeni.

16 Zoti pastë mëshirë për shtëpinë e Onesiforit, sepse shpeshherë ai më përtëriu dhe nuk pati turp prej prangave të mia.

17 Por kur ishte në Romë, më kërkoi me zell të madh derisa më gjeti.

18 E dhëntë Zoti që ai të gjejë mëshirë prej Zotit në atë ditë! Dhe sa shumë më ka shërbyer në Efes, ti e di fare mirë.



Kapitulli 2

1 Ti, pra, biri im, bëhu i fortë në hirin që është në Krishtin Jezus.

2 Ato që ke dëgjuar prej meje në prani të shumë dëshmitarëve, këto ua beso njerëzve besnikë, që do të jenë të aftë t’ua mësojnë edhe të tjerëve.

3 Vuaj bashkë me mua si ushtar i mirë i Krishtit Jezus.

4 Askush prej atyre që shërbejnë si ushtarë, nuk ngatërrohet me punët e jetës së përditshme, që të kënaqë atë që e mori ushtar.

5 Po të marrë pjesë dikush në ndeshje, atij nuk i jepet kurora, nëse nuk lufton sipas rregullave.

6 Bujku që mundohet, duhet të jetë i pari që të marrë pjesën e vet të fryteve.

7 Mendo atë që them, sepse Zoti do të të japë mend për gjithçka.

8 Kujto Jezus Krishtin, të ngjallur nga të vdekurit, pasardhës i Davidit. Ky është ungjilli im,

9 për të cilin po vuaj, madje i lidhur në pranga si keqbërës. Por fjala e Perëndisë nuk burgoset.

10 Për këtë arsye të gjitha po i duroj për hir të atyre që janë zgjedhur, që edhe ata të marrin shpëtimin që është në Krishtin Jezus dhe bashkë me të lavdi të përjetshme.

11 Ja një thënie që ia vlen të besohet: Nëse vdesim me Të, edhe do të jetojmë me Të,

12 nëse durojmë, edhe do të mbretërojmë me Të, nëse do ta mohojmë Atë, edhe Ai do të na mohojë,

13 nëse neve na mungon besimi, Ai mbetet besnik, sepse Ai nuk mund ta mohojë veten e Vet.

14 Vazhdo t’ua kujtosh këto gjëra dhe porositi përpara Perëndisë të mos grinden për fjalë; kjo nuk sjell asnjë dobi dhe është në dëmin e atyre që dëgjojnë.

15 Bëj çmos ta paraqitësh veten të miratuar përpara Perëndisë, si një punëtor që s’ka pse të ketë turp që e përdor drejt fjalën e së vërtetës.

16 Por shmangiu llomotitjeve të rëndomta e të zbrazëta, sepse më tepër do të të largojnë prej përshpirtshmërisë,

17 dhe fjala e tyre do të përhapet si gangrenë. Midis tyre janë Himeneu dhe Fileti,

18 të cilët i janë larguar së vërtetës, duke thënë se ngjallja ka ndodhur tashmë dhe kështu përmbysin besimin e disave.

19 Megjithatë, themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur, duke pasur këtë vulë: "Zoti i njeh ata që janë të Tijtë," dhe "Le të largohet prej paudhësisë çdo njeri që përmend emrin e Zotit."

20 Në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë prej ari e argjendi, por edhe enë druri e balte, pra, disa për raste të veçanta dhe disa të tjera për përdorim të rëndomtë.

21 Prandaj, ai që do ta pastrojë veten prej atyre gjërave, do të jetë enë nderi, i shenjtëruar, i dobishëm për Mjeshtrin, i përgatitur për çdo punë të mirë.

22 Largohu prej epsheve rinore dhe ndiq drejtësinë, besimin, dashurinë dhe paqen, bashkë me ata që i drejtojnë thirrje Zotit me zemër të pastër.

23 Shmangiu debateve të marra e pa mend, sepse ti e di që ato të çojnë në grindje.

24 Shërbëtori i Zotit nuk duhet të grindet, por të jetë i butë me të gjithë, i aftë t’i mësojë të tjerët, i durueshëm me të ligën,

25 t’u japë udhëzime me butësi atyre që janë kundër, me shpresën se Perëndia u jep atyre pendimin që çon në njohjen e së vërtetës,

26 dhe ata pastaj vijnë në vete duke shpëtuar nga laku i djallit, i cili i ka zënë robër që të bëjnë vullnetin e tij.



Kapitulli 3

1 Merre vesh këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira.

2 Sepse njerëzit do të duan veten e tyre, do të duan paranë, do të jenë mburravecë, arrogantë, fyes, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pashenjtë,

3 pa ndjenja dashurie, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që nuk e duan të mirën,

4 tradhtarë, të nxituar, të krekosur, që duan më shumë dëfrimet sesa Perëndinë,

5 duke qenë në dukje të përshpirtshëm, por që e kanë mohuar fuqinë e saj; këtyre shmangiu.

6 Sepse këta janë të tillë që futen në shtëpitë dhe shtien në lak femrat mendjelehta të rënduara nga mëkatet, të shtyra nga gjithfarë epshesh,

7 që rrinë gjithmonë duke mësuar, por kurrë nuk janë në gjendje të arrijnë te njohja e së vërtetës.

8 Ashtu si Janesi dhe Jambresi e kundërshtuan Moisiun, po ashtu edhe këta i kundërvihen së vërtetës, njerëz që i ka lënë mendja, të papranueshëm për sa i përket besimit.

9 Por ata nuk do të shkojnë shumë larg, sepse marrëzia e tyre do të bëhet e qartë për të gjithë, sikurse u ndodhi edhe atyre.

10 Por ti më ke ndjekur në mësimin tim, sjelljen, qëllimin, besimin, durimin, dashurinë, ngulmimin,

11 përndjekjet, vuajtjet, si ato që më ndodhën në Antioki, në Ikoni, në Listër. Ç’përndjekje kam duruar! Megjithatë Zoti më shpëtoi prej tyre.

12 Vërtet, të gjithë ata që dëshirojnë të bëjnë një jetë të përshpirtshme në Krishtin Jezus, do të përndiqen,

13 ndërsa njerëzit e ligj dhe mashtruesit do të përfundojnë keq e më keq, duke mashtruar dhe njëkohësisht duke u mashtruar.

14 Por ti, qëndro në ato që ke mësuar dhe që je i bindur, duke e ditur prej kujt i mësove këto,

15 sepse që fëmijë i ke njohur Shkrimet e Shenjta, të cilat janë në gjendje të të japin mençurinë që sjell shpëtimin nëpërmjet besimit në Krishtin Jezus.

16 I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe është i dobishëm për mësim, qortim, ndreqje dhe për edukim me drejtësi,

17 në mënyrë që njeriu i Perëndisë të jetë i përsosur, plotësisht i përgatitur për çdo punë të mirë.



Kapitulli 4

1 Po ju jap këtë porosi para Perëndisë dhe Krishtit Jezus, që ka për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit, si me shfaqjen e Tij, ashtu edhe me mbretërinë e Tij:

2 prediko fjalën; të jesh gati me kohë e pa kohë; qorto, kritiko, nxit, dhe këto bëji me durim të madh e udhëzim të kujdesshëm.

3 Sepse do të vijë koha kur ata nuk do ta durojnë mësimin e shëndoshë, por, për të kënaqur dëshirat e veta, do të mbledhin rreth tyre një numër të madh mësuesish që t’u thonë ato gjëra që u kënaqin veshët.

4 Do t’i largojnë veshët nga e vërteta, duke u kthyer te mitet.

5 Por ti të jesh syhapët në gjithçka, duro të keqen, bëj punën e ungjillorit, kryej shërbesën tënde.

6 Për sa më takon mua, gjaku im po përgatitet të derdhet si flijim pijeje dhe është afruar koha të largohem.

7 Luftën e mirë kam bërë, garën e përfundova, besimin e kam mbajtur.

8 Pas kësaj më pret kurora e drejtësisë, të cilën do të ma japë Zoti, Gjykatësi i drejtë, në atë ditë; dhe jo vetëm mua por edhe të gjithë atyre që janë të dëshiruar për shfaqjen e Tij.

9 Bëj çmos që të vish sa më shpejt tek unë,

10 sepse Dema, duke rënë në dashuri me botën e tanishme, më ka braktisur dhe ka shkuar në Selanik, Krisku ka shkuar në Galaci dhe Titi në Dalmaci.

11 Vetëm Lluka është me mua. Merre Markun dhe sille me vete, sepse ai më bën punë në shërbesën time.

12 Ndërsa Tikikun e kam dërguar në Efes.

13 Kur të vish, sill mantelin që lashë në Troadë te Karpi, si edhe librat, sidomos pergamenat.

14 Aleksandër bakërpunuesi më ka bërë shumë dëm. Zoti do t’ia shpërblejë sipas veprave të tij.

15 Ruhu edhe ti prej tij, sepse ai i ka kundërshtuar me forcë fjalët tona.

16 Në mbrojtjen time të parë askush nuk më doli krah, por të gjithë më kthyen krahët. Mos u marrtë parasysh kjo gjë kundër tyre.

17 Por Zoti m’u bë krah dhe më dha fuqi, që nëpërmjet meje të shpallej plotësisht mesazhi, që të gjitha kombet të dëgjonin. Dhe shpëtova prej gojës së luanit.

18 Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e ligë dhe do të më çojë shëndoshë e mirë në mbretërinë e Vet qiellore. Atij i qoftë lavdia për jetë të jetëve. Amen.

19 Përshendet Priskën, Akuilën dhe shtëpinë e Onesiforit.

20 Erasti qëndroi në Korint, por Trofimin e lashë duke lënguar në Milet.

21 Bëj çmos të vish përpara dimrit. Të përshëndesin Eubuli, Pudeni, Lini, Klaudia dhe të gjithë vëllezërit.

22 Zoti qoftë me shpirtin tënd. Hiri qoftë me ju.