Filipianëve

Kapitulli: 1 2 3 4

Kapitulli 1

1 Pali dhe Timoteu, shërbëtorë të Krishtit Jezus, të gjithë shenjtërve në Krishtin Jezus që janë në Filipi, bashkë me mbikqyrësit dhe dhjakët:

2 Hir dhe paqe paçi nga Perëndia Ati ynë dhe Zoti Jezus Krisht.

3 Falënderoj Perëndinë tim sa herë që ju kujtoj,

4 duke u lutur gjithmonë me gëzim në çdo lutje timen për të gjithë ju,

5 për pjesëmarrjen tuaj në ungjillin nga dita e parë deri tani.

6 Pikërisht për këtë jam i bindur se Ai që filloi një vepër të mirë te ju, do ta përfundojë deri në ditën e Krishtit Jezus.

7 E quaj të drejtë ta ndiej këtë për të gjithë ju, meqë ju kam në zemër, sepse qoftë kur jam në vargonj ashtu edhe kur mbroj apo vërtetoj ungjillin, të gjithë ju jeni pjesëmarrës në hir bashkë me mua.

8 Sepse Perëndia është dëshmitari im, se si përmallohem për të gjithë ju me dashurinë e zjarrtë të Krishtit Jezus.

9 Për këtë lutem, që dashuria juaj të mbushullojë gjithnjë e më shumë në njohje dhe gjykim të plotë,

10 që të miratoni më të mirën, në mënyrë që të jeni të pastër dhe të panjollë për ditën e Krishtit,

11 të mbushur me frytin e drejtësisë që vjen nëpërmjet Jezus Krishtit, për lavdinë dhe lëvdimin e Perëndisë.

12 Dua që ta dini, vëllezër, se ato që më kanë ndodhur mua kanë shërbyer për përparimin e mëtejshëm të ungjillit,

13 kështu që vargonjtë e mi për Krishtin janë bërë të njohur në mbarë garnizonin e pallatit si dhe te çdo njeri tjetër.

14 Shumica e vëllezërve, duke besuar në Zotin për shkak të vargonjve të mi, kanë marrë zemër më shumë për ta folur fjalën pa frikë.

15 Ka, vërtet, disa që e predikojnë Krishtin nga smira dhe për grindje, por disa të tjerë të nisur nga vullneti i mirë.

16 Këta e bëjnë vërtet nga dashuria, duke e ditur që jam vënë këtu për të mbrojtur ungjillin.

17 Kurse ata të tjerët e shpallin Krishtin për ambicie vetjake, jo me pastërti, duke menduar se mund të më shkaktojnë mundime ndërsa jam në vargonj.

18 Por, a ka rëndësi kjo? Pavarësisht në cilën mënyrë, qoftë duke u shtirur qoftë me të vërtetë, Krishti predikohet. Për këtë gëzohem dhe do të vazhdoj të gëzohem,

19 sepse e di që kjo do të më vlejë për shpëtimim tim nëpërmjet lutjes suaj dhe ndihmës së Frymës së Jezus Krishtit.

20 Pres me padurim dhe me shpresë që në asgjë të mos turpërohem, por me guxim të madh, si gjithmonë edhe tani, të lartësohet Krishti në trupin tim, qoftë nëpërmjet jetës, qoftë nëpërmjet vdekjes.

21 Sepse për mua të jetosh është Krishti dhe të vdesësh është fitim.

22 Por nëse kam për të jetuar me trup, kjo më jep mundësi të bëj punë të frytshme; nuk e di ç’të zgjedh.

23 Pra, jam i shtrënguar nga të dyja anët; dëshiroj të largohem nga jeta dhe të jem bashkë me Krishtin, çka do të ishte më mirë;

24 megjithatë është më e nevojshme për ju që unë të qëndroj me trup.

25 Duke qenë i bindur për këtë, e di se do të qëndroj dhe do të vazhdoj të jem me ju të gjithë, që ju të përparoni dhe të gëzoni në besim,

26 që mburrja juaj për mua të rritet përherë e më shumë në Krishtin Jezus nëpërmjet ardhjes sime përsëri te ju.

27 Çfarëdo që të ndodhë, silluni mirë në mënyrë të denjë për ungjillin e Krishtit; kështu që, si kur të vij e t’ju shoh apo kur të mos jem aty, të dëgjoj që ju po qëndroni të fortë në një frymë, duke luftuar bashkë si një i vetëm për besimin e ungjillit,

28 pa u trembur në asgjë nga kundërshtarët. Kjo për ta është shenjë që paralajmëron shkatërrimin e tyre, ndërsa për ju tregon shpëtimin tuaj - dhe kjo nga Perëndia.

29 Sepse juve ju është dhuruar për hir të Krishtit, që jo vetëm të besoni në Të, por edhe të vuani për Të,

30 meqë po përjetoni të njëjtën betejë që e patë të bëhet tek unë, dhe tani e dëgjoni që po vazhdoj ta bëj.



Kapitulli 2

1 Nëse ka pra, ndonjë inkurajim në Krishtin, nëse ka ndonjë ngushëllim nga dashuria, nëse ka ndonjë shoqërim me Frymën, nëse ka ndonjë përdëllim dhe dhembshuri,

2 bëjeni atëherë të plotë gëzimin tim, duke pasur të njëjtën mendje, duke pasur të njëjtën dashuri, të bashkuar në shpirt dhe në qëllim.

3 Asgjë mos bëni për ambicie vetjake as për mburrje të kotë, por secili ta shikojë me përvujtëri shokun, duke e çmuar më lartë se veten;

4 secili të mos shikojë vetëm punët e veta, por edhe punët e tjetrit.

5 Këtë qëndrim të mbani midis jush, që ishte edhe në Krishtin Jezus,

6 i cili, megjithëse kishte natyrën e Perëndisë, nuk e shikoi barazinë me Perëndinë si diçka për ta ruajtur me xhelozi,

7 por hoqi gjithçka prej Vetes, duke marrë formë shërbëtori dhe duke u bërë i ngjashëm me njerëzit.

8 Pasi doli me pamje si të njeriut, e përuli Vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, madje me vdekje në kryq.

9 Prandaj edhe Perëndia e lartësoi Atë dhe i fali emrin që është mbi çdo emër,

10 që në emrin e Jezusit çdo gju të përulet, në qiell, mbi tokë e nën tokë,

11 dhe çdo gjuhë të pohojë që Jezus Krishti është Zoti, për lavdi të Perëndisë Atë.

12 Kështu pra, vëllezërit e mi, siç jeni bindur gjithmonë, jo vetëm në praninë time, por për më tepër tani në mungesën time, vazhdoni të punoni për shpëtimin tuaj me frikë dhe të dridhura,

13 sepse Perëndia është Ai që punon ndër ju, duke bërë që ju të doni dhe të veproni sipas vullnetit të Tij të mirë.

14 Të gjitha bëjini pa u ankuar dhe pa shumë debate,

15 që të jeni pa të meta dhe të pastër, bij të Perëndisë, të panjollosur midis një brezi të mbrapshtë dhe të shtrembër, midis të cilit ju ndriçoni si drita në botë,

16 duke e mbajtur lart fjalën e jetës, që të mund të mburrem në ditën e Krishtit, se nuk vrapova më kot, as u mundova më kot.

17 Por edhe sikur gjaku im të derdhet mbi flijim dhe në shërbesë të besimit tuaj, gëzohem dhe e ndaj gëzimin tim me të gjithë ju.

18 Po ashtu, edhe ju gëzohuni dhe ndajeni gëzimin tuaj bashkë me mua.

19 Shpresoj në Zotin Jezus që t’ju dërgoj së shpejti Timoteun, që edhe unë të marr zemër, kur të njihem me rrethanat tuaja.

20 Sepse nuk kam askënd tjetër si atë, në një mendje me mua, që të shqetësohet sinqerisht për punët tuaja.

21 Sepse të gjithë përkujdesen për punët e veta, jo për punët e Jezus Krishtit.

22 Por ju e dini që Timoteu ka dhënë prova, që si biri ndaj të atit ka shërbyer bashkë me mua për ungjillin.

23 Prandaj, shpresoj ta dërgoj menjëherë, sapo të shoh si do të më venë punët

24 dhe jam i bindur në Zotin se edhe unë vetë do të vij së shpejti.

25 Por e pashë të nevojshme t’ju dërgoj Epafroditin, vëllanë, bashkëpunëtorin dhe bashkëluftëtarin tim, të cilin ju gjithashtu e dërguat për të më shërbyer në nevojat e mia.

26 Sepse ai ka mall për të gjithë ju dhe vuan, sepse ju keni dëgjuar për sëmundjen e tij.

27 Dhe vërtet ka qenë i sëmurë në prag të vdekjes, por Perëndia e mëshiroi, dhe jo vetëm atë, por edhe mua, që të mos më shtohej hidhërim mbi hidhërim.

28 Prandaj kam kaq dëshirë t’jua dërgoj atë, që kur ta shihni, të gëzoheni përsëri dhe unë të mos jem edhe aq në ankth.

29 Prandaj priteni në Zotin me gëzim të plotë dhe njerëz të këtillë t’i nderoni,

30 sepse për veprën e Krishtit ai iu afrua vdekjes, duke vënë në rrezik jetën, që të përmbushë atë që ju nuk mundët ta bënit në shërbimin tuaj për mua.



Kapitulli 3

1 Së fundi, vëllezërit e mi, gëzohuni në Zotin. Mua nuk më rëndon t’ju shkruaj të njëjtat gjëra, dhe kjo ju bën më të sigurt.

2 Ruhuni nga qentë, ruhuni nga ata që bëjnë keq, ruhuni nga ata që gjymtojnë mishin,

3 sepse ne jemi rrethprerja e vërtetë, ne që shërbejmë në Frymë Perëndie dhe lëvdohemi në Krishtin Jezus dhe që s’kemi besim në mishin,

4 megjithëse unë vetë kam arsye përse të besoj në mishin. Nëse ndonjë tjetër kujton se ka arsye përse të besojë në mishin, unë edhe më tepër:

5 i rrethprerë ditën e tetë, nga kombi i Izraelit, i fisit të Beniaminit, hebre prej hebrenjsh, sipas Ligjit, farize;

6 sa për zell, përndjekës i kishës, sa për drejtësi që është në Ligjin, pa të meta.

7 Por çfarëdo që për mua ishte fitim, tani e quaj si humbje për Krishtin.

8 E për më tepër, të gjitha gjërat i llogarita si humbje për atë që është shumë e madhe: njohjen e Krishtit Jezus, Zotit tim, për të cilin të gjitha i humba dhe i quaj hedhurina që të fitoj Krishtin

9 dhe të gjendem në Të, duke mos pretenduar ta kem drejtësinë time prej Ligjit, por atë që vjen nëpërmjet besimit në Krishtin, domethënë drejtësinë që buron nga Perëndia në bazë të besimit.

10 Dua ta njoh Krishtin, fuqinë e ngjalljes së Tij dhe pjesëmarrjen në vuajtjet e Tij, duke i ngjarë Atij në vdekje,

11 me shpresën se mund të arrij në ngjalljen nga të vdekurit.

12 Jo se tani e kam arritur këtë, apo kam arritur të jem i përkryer, por po rend se ndoshta e kap atë për të cilën edhe unë jam kapur nga Krishti Jezus.

13 Vëllezër, unë nuk e llogaris veten si një njeri që e ka arritur, por një gjë bëj: harroj ato që janë prapa dhe përpiqem të arrij ato që janë përpara,

14 rend me synimin për të marrë çmimin e thirrjes qiellore të Perëndisë në Krishtin Jezus.

15 Pra, të gjithë sa jemi të përsosur, këtë të kemi në mend. Nëse mendoni ndonjë gjë ndryshe, edhe për atë do t’ju ndriçojë Perëndia.

16 Megjithatë, prej aty ku kemi arritur, le të vazhdojmë të ecim në të njëjtën rrugë.

17 Më imitoni mua, o vëllezër, dhe vini re ata që ecin sipas shembullit që ju kemi dhënë ne.

18 Sepse, siç ju kam folur shpeshherë, por tani po jua them madje me lot ndër sy, shumë veta jetojnë si armiq të kryqit të Krishtit.

19 Por fundi i tyre është shkatërrimi, perëndia i tyre është barku dhe lavdërohen për gjëra që duhej të turpëroheshin, dhe e kanë mendjen te gjërat tokësore.

20 Kurse atdheu ynë është në qiej, prej nga presim me padurim një Shpëtimtar, Zotin Jezus Krisht,

21 i cili do ta shndërrojë trupin tonë të përvuajtur që të ketë të njëjtën trajtë me trupin e Tij të lavdishëm, duke ushtruar fuqinë që Ai ka për t’ia nënshtruar gjithçka Vetes së Vet.



Kapitulli 4

1 Prandaj, vëllezërit e mi të dashur dhe fort të dëshiruar, gëzimi dhe kurora ime, kështu të qëndroni në Zotin, o miqtë e mi të dashur.

2 I lutem Evodisë dhe i lutem Sintikës që të puqen në mendime në Zotin.

3 Po, edhe ty, o bashkëpunëtor besnik, po të lutem t’i ndihmosh këto gra, të cilat luftuan bashkë me mua për ungjillin, bashkë me Klementin dhe me bashkëpunëtorët e mi të tjerë, emrat e të cilëve janë në librin e jetës.

4 Gëzohuni në Zotin gjithmonë. Përsëri do ta them, gëzohuni!

5 Le ta njohin të gjithë njerëzit zemërbutësinë tuaj. Zoti është pranë.

6 Mos u shqetësoni për asgjë, por në çdo gjë ia bëni të ditur Perëndisë kërkesat tuaja në lutje dhe përgjërim duke shprehur falënderim.

7 Dhe paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo zgjuarsi, do t’i ruajë zemrat dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.

8 Së fundi, vëllezër, çdo gjë që është e vërtetë, çdo gjë që është fisnike, çdo gjë që është e drejtë, çdo gjë që është e pastër, çdo gjë që është e dashur, çdo gjë që ka emër të mirë, në ka ndonjë gjë të virtytshme ose që meriton të lavdërohet, këto t’i keni në mendje.

9 Vini në jetë ato që keni mësuar, që keni marrë, që keni dëgjuar dhe që keni parë në mua, dhe Perëndia i paqes do të jetë me ju.

10 U gëzova shumë në Zotin, që tani më në fund kujdesi juaj për mua u gjallërua përsëri; vërtet ju e kishit në mend, por nuk ju ishte dhënë rasti.

11 Nuk po e them se kam nevojë, sepse unë jam mësuar të jem i kënaqur në çfarëdo gjendje që të jem.

12 Di edhe të jem i përvuajtur, edhe të jetoj në mes të mirash; në çdo vend dhe në gjithçka kam mësuar edhe të nginjem edhe të kem uri, edhe të kem me tepri edhe të jem ngushtë.

13 Gjithçka jam në gjendje ta përballoj nëpërmjet Atij që më jep fuqi.

14 Megjithatë, mirë keni bërë që morët pjesë me mua në mundimin tim.

15 Dhe siç e dini vetë, o filipianë, në fillim të predikimit të ungjillit, kur u largova nga Maqedonia, asnjë kishë përveç jush nuk mori pjesë në veprimet e dhënies dhe të marrjes.

16 Sepse edhe në Selanik ju më dërguat ndihma kur kisha nevojë, jo vetëm një herë, por disa herë.

17 Jo se po kërkoj dhuratë, por kërkoj frytin që do të kthehet në dobinë tuaj.

18 Tani kam gjithçka që më duhet dhe me tepri; jam mbushur plot duke marrë nga Epafroditi dhuratat që më dërguat ju, një aromë erëmirë, një flijim i pranueshëm, që e kënaq Perëndinë.

19 Dhe Perëndia im do t’ua përmbushë të gjitha nevojat sipas pasurisë së Tij plot lavdi në Krishtin Jezus.

20 Perëndisë dhe Atit tonë i qoftë lavdia për jetë të jetëve. Amen.

21 Përshëndetni të gjithë shenjtërit në Krishtin Jezus. Vëllezërit që janë me mua, ju përshëndesin.

22 Të gjithë shenjtërit ju përshëndesin, por sidomos ata nga shtëpia e Cezarit.

23 Hiri i Zotit Jezus Krisht qoftë me shpirtin tuaj.