Filemonit

Kapitulli: 1

Kapitulli 1

1 Pali, i burgosur i Krishtit Jezus, dhe Timoteu vëllai ynë, Filemonit, vëllait dhe bashkëpunëtorit tonë të dashur,

2 motrës sonë Apfi dhe Arkipit, që ka luftuar bashkë me ne, dhe kishës që mblidhet në shtëpinë tënde:

3 Paçi hir dhe paqe nga Perëndia Ati ynë dhe Zoti Jezus Krisht.

4 Falënderoj gjithmonë Perëndinë tim, duke të përmendur në lutjet e mia,

5 sepse po dëgjoj për besimin që ke në Zotin Jezus dhe për dashurinë për të gjithë shenjtërit.

6 Lutem që besimi, që kemi me njeri-tjetrin, të veprojë fuqishëm tek ti në njohjen e çdo gjëje të mirë që ne kemi në Krishtin.

7 Më dha shumë gëzim dhe ngushëllim dashuria jote vëllazërore, sepse ti, o vëlla, bëre që të përtërihen zemrat e shenjtërve.

8 Prandaj, megjithëse kam liri të plotë në Krishtin të të urdhëroj të bësh atë që duhet,

9 megjithatë do të doja më tepër të të bëja thirrje për hir të dashurisë. Pra, kështu siç jam, Pali, i moshuar, tani edhe i burgosur për Krishtin Jezus,

10 po të lutem për tim bir Onesimin, që u bë biri im gjatë burgimit.

11 Dikur ai ishte i padobishëm për ty, por tani është i dobishëm si për ty ashtu edhe për mua.

12 Po ta dërgoj përsëri atë, domethënë zemrën time,

13 të cilin doja ta mbaja pranë vetes, që të më shërbente në vendin tënd gjatë burgimit tim për ungjillin.

14 Por nuk desha të bëja asgjë pa pëlqimin tënd, që mirësia jote të mos bëhet me detyrim, por me dëshirën tënde.

15 Sepse ndoshta për këtë arsye ai u nda prej teje për pak kohë, që ta kesh përgjithmonë,

16 jo më si skllav, por më shumë se skllav, si vëlla të dashur, sidomos për mua, por aq më tepër për ty, qoftë si njeri ashtu edhe si vëlla në Zotin.

17 Pra, nëse më quan mik, mirëprite atë siç do të bëje me mua.

18 Por, nëse të ka bërë diçka të keqe, apo të detyrohet ndonjë gjë, këtë ma ngarko mua.

19 Unë, Pali, po e shkruaj këtë me dorën time. Unë vetë do ta paguaj (për të mos thënë se madje dhe ti më detyrohesh për vetë veten tënde).

20 Po, o vëlla, e paça edhe unë këtë nder prej teje në Zotin. Ma ripërtëri zemrën time në Krishtin.

21 Duke pasur besim në bindjen tënde, po të shkruaj, meqë e di se do të bësh edhe më shumë se ato që po të kërkoj unë.

22 Edhe një gjë tjetër: më bëj gati një vend për të bujtur, sepse shpresoj që nëpërmjet lutjeve tuaja do t’ju bëhem përsëri dhuratë.

23 Të përshëndet Epafra, i burgosur bashkë me mua në Krishtin,

24 Marku, Aristarku, Dema dhe Lluka, bashkëpunëtorët e mi.

25 Hiri i Zotit Jezus Krisht qoftë me frymën tuaj.