Juda

Kapitulli: 1

Kapitulli 1

1 Juda, shërbëtor i Jezus Krishtit dhe vëlla i Jakobit, atyre që janë thirrur, që gëzojnë dashurinë e Perëndisë Atë dhe që ruhen në Jezus Krishtin:

2 Qoftë me begati mes jush mëshira, paqja dhe dashuria.

3 Të dashurit e mi, megjithëse kisha dëshirë të madhe t’ju shkruaja për shpëtimin tonë të përbashkët, e ndjeva të nevojshme t’ju shkruaj për t’ju nxitur që të luftoni për besimin që u është përcjellë një herë e përgjithmonë shenjtërve.

4 Sepse disa njerëz, dënimi i të cilëve është shkruar prej kohësh, janë futur fshehurazi. Këta janë njerëz të papërshpirtshëm, që e kthejnë në shthurje hirin e Perëndisë sonë dhe mohojnë Jezus Krishtin, Sovranin dhe Zotin tonë të vetëm.

5 Dua t’jua kujtoj, megjithëse i dini tashmë të gjitha, se Zoti, e shpëtoi popullin një herë e përgjithmonë nga toka e Egjiptit, por pastaj i shkatërroi ata që nuk besonin.

6 Engjëjt që nuk e ruajtën pozitën e tyre qiellore, por braktisën banesën e tyre, Ai i ka mbajtur në pranga të përjetshme nën errësirë për gjykimin në ditën e madhe.

7 Po ashtu, Sodoma e Gomorra bashkë me qytetet përreth tyre u dhanë pas imoralitetit dhe shkuan pas veseve të mbrapshta. Këta jepen si shembull të atyre që pësojnë ndëshkimin e zjarrit të përjetshëm.

8 Po kështu edhe këta, duke ëndërruar, ndotin trupin, përbuzin pushtetin, shajnë fuqitë qiellore.

9 Por Mikaeli, kryeengjëlli, kur hahej me djallin duke bërë debat për trupin e Moisiut, nuk guxoi të sillte ndonjë akuzë sharëse, por tha: "Të qortoftë Zoti."

10 Por këta njerëz shajnë ato që nuk i dinë; dhe gjërat që i kuptojnë me instinkt, si kafshë pylli, bëhen shkak për shkatërrimin e tyre.

11 Mjerë ata! Sepse kanë marrë udhën e Kainit; u turrën për përfitim duke rënë në gabimin e Balaamit dhe u zhdukën në rebelimin e Koreut.

12 Këta njerëz janë njolla në gostitë tuaja të dashurisë kur shtrohen bashkë me ju pa druajtje, barinj që kullosin vetëm veten e tyre, re pa shi që i davaritin erërat, pemë vjeshte pa fryte e me rrënjë të shkulura, që kanë vdekur dy herë.

13 Ata janë valë të egra deti që nxjerrin si shkumë turpin e tyre, yje të këputur për të cilët është ruajtur përjetë terri i errësirës.

14 Madje për këta ka profetizuar Enoku, nga brezi i shtatë i Adamit, duke thënë: "Ja, Zoti erdhi me mijëra shenjtër të Vet,

15 për t’u bërë gjyqin të gjithëve dhe për të ndëshkuar çdo shpirt për të gjitha veprat e papërshpirtshme që kanë bërë me paudhësi dhe për të gjitha fjalët e ashpra që kanë folur kundër Tij mëkatarët e papërshpirtshëm."

16 Këta janë murmuritës, ankues, njerëz që shkojnë pas epsheve; nga goja nxjerrin fjalë të fryra, duke u bërë lajka njerëzve për dobinë vetiake.

17 Por ju, të dashurit e mi, kujtoni fjalët që kanë thënë më parë apostujt e Zotit tonë Jezus Krisht,

18 kur ju thoshin: "Në kohët e fundit do të ketë përqeshës, që do të shkojnë pas dëshirave të tyre të papërshpirtshme."

19 Këta janë njerëz që çojnë në përçarje, njerëz epshorë, pa Frymë.

20 Por ju, o të dashur, ngrijeni veten në besimin tuaj më të shenjtë, lutuni me Frymën e Shenjtë,

21 qëndroni në dashurinë e Perëndisë, ndërsa prisni me padurim mëshirën e Zotit tonë Jezus Krishtit për jetën e amshuar.

22 Kini mëshirë për ata që dyshojnë;

23 shpëtojini të tjerët, duke ia rrëmbyer zjarrit; për disa kini mëshirë me druajtje, duke urryer madje edhe rrobën e ndotur prej mishit.

24 Atij që mund t’ju ruajë se mos rrëzoheni dhe mund t’ju nxjerrë para lavdisë së Tij pa të meta dhe me gëzim të madh,

25 të vetmit Perëndi, Shpëtimtarit tonë nëpërmjet Jezus Krishtit, Zotit tonë, i qofshin lavdia, madhështia, fuqia dhe pushteti para gjithë kohërave, tani dhe përgjithmonë. Amen.