Titit

Kapitulli: 1 2 3

Kapitulli 1

1 Pali, shërbëtor i Perëndisë dhe apostull i Jezus Krishtit, për besimin e të zgjedhurve të Perëndisë dhe për njohjen e së vërtetës që shpie në përshpirtshmëri,

2 besim dhe njohje, që mbështeten në shpresën e jetës së amshuar, të cilën Perëndia, që nuk gënjen, e premtoi përpara fillimit të kohëve,

3 dhe në kohën e duhur e shfaqi fjalën e Vet nëpërmjet predikimit që m’u besua mua sipas urdhrit të Perëndisë Shpëtimtarit tonë,

4 Titit, birit tim të vërtetë sipas besimit të përbashkët: Hir dhe paqe nga Perëndia Atë dhe Krishti Jezus Shpëtimtari ynë.

5 Për këtë arsye të lashë në Kretë, që t’i vije në rregull punët që kishin mbetur pambaruar dhe të caktoje pleq në çdo qytet, sipas udhëzimeve që të kam dhënë,

6 domethënë, të caktoje si plak dikë që është i paqortueshëm, burrë vetëm i një gruaje, me fëmijë besimtarë që nuk mund të akuzohen për jetë të shthurur ose për mosbindje.

7 Sepse mbikëqyrësi, si kujdestar i shtëpisë së Perëndisë, duhet të jetë i paqortueshëm, jo kokëfortë, jo zemërak, jo i dhënë pas pijes, jo i dhunës, jo i dhënë pas fitimeve të pandershme.

8 Përkundrazi ai duhet të jetë mikpritës, që do të mirën, i urtë, i drejtë, i përshpirtshëm, i vetëpërmbajtur,

9 duke qenë i lidhur fort me mesazhin e besës sipas mësimit që mori, që të mund t’u japë zemër të tjerëve me doktrinën e shëndoshë dhe t’i përgënjeshtrojë ata që flasin kundër.

10 Sepse ka shumë të pabindur, llafazanë dhe mashtrues, sidomos nga ata të rrethprerjes.

11 Këtyre duhet t’u mbyllet goja, sepse po ngatërrojnë familje të tëra, duke u mësuar gjëra që nuk duhet, dhe kjo, për fitime të pandershme.

12 Një nga ata, një profet i tyre, tha: "Kretasit janë gjithmonë gënjeshtarë, bisha të këqija, grykës e përtacë."

13 Kjo dëshmi është e vërtetë. Për këtë arsye qortoji ashpër, që ata të qëndrojnë të shëndoshë në besim

14 dhe të mos ua vënë veshin përrallave të judenjve dhe rregullave të njerëzve që i janë larguar së vërtetës.

15 Gjithçka është e pastër për ata që janë të pastër, ndërsa për ata që janë të ndotur dhe pa besim, asgjë nuk është e pastër. Në të vërtetë atyre u është ndotur si mendja ashtu edhe ndërgjegjja.

16 Ata pohojnë se e njohin Perëndinë, por me veprat e veta e mohojnë Atë. Ata janë të neveritshëm, të pabindur dhe të papërshtatshëm për të bërë ndonjë punë të mirë.



Kapitulli 2

1 Por ti, fol ato që përkojnë me mësimin e shëndoshë.

2 Të moshuarit të jenë të vetëpërmbajtur, me dinjitet, të urtë, të shëndoshë në besim, në dashuri e në durim.

3 Po ashtu, gratë e moshuara të sillen siç u ka hije shenjtërve, jo shpifarake, jo skllave pas verës së tepërt, dhe t’u mësojnë njerëzve të mirën.

4 Kështu, ato mund t’i mësojnë të rejat t’i duan burrat e tyre, t’i duan fëmijët e tyre,

5 të jenë të urta, të dëlira, të dhëna pas punëve të shtëpisë, të mira, të bindura ndaj burrave të tyre, që fjala e Perëndisë të mos shahet.

6 Nxiti po ashtu të rinjtë që të jenë të urtë;

7 në gjithçka, bëje veten shembull për vepra të mira, duke i mësuar njerëzit me pastërti, me dinjitet,

8 me ligjërim të shëndoshë e të paqortueshëm, në mënyrë që kundërshtari, të bëhet me turp, dhe të mos ketë asgjë të keqe për të thënë për ne.

9 Këshilloji shërbëtorët t’u binden zotërinjve të tyre në çdo gjë, të përpiqen t’i kënaqin ata, të mos kthejnë fjalë,

10 të mos përvetësojnë gjënë e tjetrit, por të tregojnë besnikëri të plotë, që ta bëjnë tërheqës në çdo drejtim mësimin e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë.

11 Sepse hiri i Perëndisë është shfaqur, duke u sjellë shpëtimin të gjithë njerëzve,

12 duke na udhëzuar që të mohojmë çka është e papërshpirtshme si edhe dëshirat e botës e të jetojmë të vetëpërmbajtur, në mënyrë të drejtë dhe të përshpirtshme në epokën e tanishme,

13 ndërsa presim shpresën e bekuar dhe shfaqjen e lavdisë së të madhit Perëndi dhe Shpëtimtarit tonë Jezus Krishtit,

14 i cili dha Veten e Vet për ne, për të na çliruar me anë të shpengimit nga çdo paudhësi dhe për të pastruar një popull, që t’i përkiste Atij dhe të ishte i zellshëm për vepra të mira.

15 Këto pra janë ato që duhet t’u mësosh. Jepu zemër dhe qortoji me autoritet të plotë. Askush të mos të përbuzë.



Kapitulli 3

1 Kujtojua që t’u nënshtrohen krerëve dhe autoriteteve, të jenë të bindur, të jenë gati për të bërë çdo vepër të mirë,

2 të mos përgojojnë askënd, të mos grinden, të jenë zemërgjerë dhe të tregohen plotësisht zemërbutë me të gjithë njerëzit.

3 Sepse dikur edhe ne ishim të marrë, të pabindur, të mashtruar, robër të epsheve dhe të qejfeve të ndryshme, dhe e kalonim jetën në ligësi dhe smirë, duke u urryer dhe duke urryer njëri-tjetrin.

4 Por kur u shfaq mirësia e Perëndisë Shpëtimtarit tonë dhe dashuria e Tij për njerëzit,

5 Ai na shpëtoi jo në sajë të veprave të drejtësisë që kishim bërë, por në sajë të mëshirës së Vet, nëpërmjet larjes së rilindjes dhe ripërtëritjes që jep Fryma e Shenjtë,

6 të cilin Ai e derdhi mbi ne me begati nëpërmjet Jezus Krishtit Shpëtimtarit tonë,

7 që ne, duke u shfajësuar prej hirit të Tij, të bëheshim trashëgimtarë duke pasur shpresën e jetës së amshuar.

8 Kjo është një thënie që ia vlen të besohet. Dua që t’i theksosh këto, në mënyrë që ata që besojnë Perëndinë, t’i përkushtohen kryerjes së veprave të mira. Këto janë të mira dhe të dobishme për njerëzit.

9 Por shmang debatet e marra, gjenealogjitë, grindjet dhe mosmarrëveshjet për Ligjin, sepse këto janë të padobishme dhe të kota.

10 Mos e prano njeriun përçarës, pasi ta kesh paralajmëruar herën e parë e të dytë.

11 Ta dish se një njeri i këtillë ka dalë nga rruga e drejtë dhe po mëkaton, duke e dënuar veten.

12 Sapo të të dërgoj Arteman ose Tikikun, bëj çmos që të vish tek unë në Nikopoli, sepse atje kam vendosur ta kaloj dimrin.

13 Ndihmoji pa u kursyer për udhëtim Zenën, mjeshtrin e ligjit, dhe Apolonin, që asgjë të mos u mungojë.

14 Edhe njerëzit tanë të mësojnë t’u përkushtohen veprave të mira, për të plotësuar nevojat e ditës, që të mos jenë të padobishëm.

15 Të përshëndesin të gjithë ata që janë me mua. Përshëndeti ata që na duan në besim. Hiri qoftë me të gjithë ju.