Esdra

Kapitulli: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10



Esdra - Kapitulli 1

1 Në vitin e parë të Kirit, mbretit të Persisë, me qëllim që të realizohej fjala e Zotit që u shqiptua nga goja e Jeremias, Zoti nxiti frymën e Kirit, mbretit të Persisë, të nxirrte një dekret për të

2 "Kështu thotë Kiri, mbret i Persisë: Zoti, Perëndia i qiejve, më ka dhënë tërë mbretëritë e dheut. Ai më ka urdhëruar t'i ndërtoj një shtëpi në Jeruzalem, që është në Judë.

3 Kush nga ju i përket popullit të tij? Zoti, Perëndia i tij, qoftë me të; le të shkojë në Jeruzalem, që ndodhet në Judë, dhe të rindërtojë shtëpinë e Zotit, Perëndisë të Izraelit, Perëndia që është në Jeruzalem.

4 Njerëzia e çdo vendi, ku ndonjë jude që ka shpëtuar banon ende, ta furnizojë atë me argjend, me ar, me të mira dhe me bagëti përveç ofertave vullnetare për shtëpinë e Perëndisë që është në Jeruzalem".

5 Atëherë kryetarët e familjeve të Judës dhe të Beniaminit, priftërinjtë dhe Levitët, bashkë me ata të cilëve Perëndia u kishte zgjuar frymën, u ngritën për të shkuar të rindërtojnë shtëpinë e Zotit që është në Jeruzalem.

6 Tërë fqinjët e tyre i ndihmuan me sende argjendi, ari, me të mira, me bagëti dhe me gjëra të çmuara përveç gjithë ofertave vullnetare.

7 Edhe mbreti Kir nxorri jashtë veglat e shtëpisë të Zotit që Nebukadnetsari kishte marrë me vete nga Jeruzalemi dhe i kishte vënë në tempullin e perëndisë të tij.

8 Kiri, mbret i Persisë, i nxorri jashtë me anë të Mithredathit, përgjegjësit të thesarit, dhe i numëroi përpara Sheshbatsarit, princit të Judës.

9 Ja numri i tyre: tridhjetë legena prej ari, një mijë legena prej argjendi, njëzet e nëntë thika,

10 tridhjetë kupa ari, katërqind e dhjetë kupa argjendi të dorës së dytë dhe një mijë veglat të tjera.

11 Tërë sendet prej ari dhe argjendi ishin pesë mijë e katërqind. Sheshbatsari i solli të gjitha, bashkë me të mërguarit që u kthyen nga Babilonia në Jeruzalem.



Esdra - Kapitulli 2

1 Këta janë njerëzit e provincës që u kthyen nga robëria, midis atyre që Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, kishte çuar në robëri në Babiloni, dhe që u kthyen në Jeruzalem dhe në Judë, secili në qytetin e tij.

2 Ata që erdhën me Zorobabelin ishin Jeshua, Nehemia, Serajahu, Relajahu, Mardokeo, Bilshani, Mispari, Bigvai, Rehumi dhe Baanahu.

3 Bijtë e Paroshit, dy mijë e njëqind e shtatëdhjetë e dy.

4 Bijtë e Shefatiahut, treqind e shtatëdhjetë e dy.

5 Bijtë e Arahut, shtatëqind e shtatëdhjetë e pesë.

6 Bijtë e Pahath-Moabit, pasardhës të Jeshuas dhe të Joabit, dy mijë e tetëqind e dymbëdhjetë.

7 Bijtë e Elamit, një mijë e dyqind e pesëdhjetë e katër.

8 Bijtë e Zatuit, nëntëqind e dyzet e pesë.

9 Bijtë e Zakait, shtatëqind e gjashtëdhjetë.

10 Bijtë e Banit, gjashtëqind e dyzet e dy.

11 Bijtë e Bebait, gjashtëqind e njëzet e tre.

12 Bijtë e Azgadit, një mijë e dyqind e njëzet e dy.

13 Bijtë e Adonikamit, gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë.

14 Bijtë e Bigvait, dy mijë e pesëdhjetë e gjashtë.

15 Bijtë e Adinit, katërqind e pesëdhjetë e katër.

16 Bijtë e Aterit, domethënë të Ezekias, nëntëdhjetë e tetë.

17 Bijtë e Betsait, treqind e njëzet e tre.

18 Bijtë e Jorahut, njëqind e dymbëdhjetë.

19 Bijtë e Hashumit, dyqind e njëzet e tre.

20 Bijtë e Gibarit, nëntëdhjetë e pesë.

21 Bijtë e Betlemit, njëqind e njëzet e tre.

22 Burrat e Netofahut, pesëdhjetë e gjashtë.

23 Burrat e Anathothit, njëqind e njëzet e tetë.

24 Burrat e Azmavethit, dyzet e dy.

25 Burrat e Kirjath-Arimit, të Kefirahut dhe të Beerothit, shtatëqind e dyzet e tre.

26 Burrat e Ramahut dhe të Gebës, gjashtëqind e njëzet e një.

27 Burrat e Mikmasit, njëqind e njëzet e dy.

28 Burrat e Bethelit dhe të Ait, dyqind e njëzet e tre.

29 Bijtë e Nebos, pesëdhjetë e dy.

30 Bijtë e Magbishit, njëqind e pesëdhjetë e gjashtë.

31 Bijtë e një Elami tjetër, një mijë e dyqind e pesëdhjetë e katër.

32 Bijtë e Harimit, treqind e njëzet.

33 Bijtë e Lodit, të Hadidit dhe të Onos, shtatëqind e njëzet e pesë.

34 Bijtë e Jerikos, treqind e dyzet e pesë.

35 Bijtë e Senaahut, tre mijë e gjashtëqind e tridhjetë.

36 Priftërinjtë: bijtë e Jedajahut, nga shtëpia e Jeshuas, nëntëqind e shtatëdhjetë e tre.

37 Bijtë e Imerit, një mijë e pesëdhjetë e dy.

38 Bijtë e Pashurit, një mijë e dyqind e dyzet e shtatë.

39 Bijtë e Harimit, një mijë e shtatëmbëdhjetë.

40 Levitët: bijtë e Jeshuas dhe të Kadmielit, pasardhës të Hodaviahut, shtatëdhjetë e katër.

41 Këngëtarët: bijtë e Asafit, njëqind e njëzet e tetë.

42 Bijtë e derëtarëve: bijtë e Shalumit, bijtë e Aterit, bijtë e Talmonit, bijtë e Akubit, bijtë e Hatitas, bijtë e Shobait, gjithsej njëqind e tridhjetë e nëntë.

43 Nethinejtë: bijtë e Tsihas, bijtë e Hasufas, bijtë e Tabaothit,

44 bijtë e Kerosit, bijtë e Siahas, bijtë e Padonit,

45 bijtë e Lebanahut, bijtë e Hagabahut, bijtë e Akubit,

46 bijtë e Hagabit, bijtë e Shamlait, bijtë e Hananit,

47 bijtë e Gidelit, bijtë e Gaharit, bijtë e Reajahut,

48 bijtë e Retsinit, bijtë e Nekodas, bijtë e Gazamit,

49 bijtë e Uzas, bijtë e Paseahut, bijtë e Besait,

50 bijtë e Asnahut, bijtë e Mehunimit, bijtë e Nefusimit,

51 bijtë e Bakbukut, bijtë e Hakufas, bijtë e Harhurit,

52 bijtë e Batsluthit, bijtë e Mehidas, bijtë e Harshas,

53 bijtë e Barkosit, bijtë e Siseras, bijtë e Thamahut,

54 bijtë e Netsiahut, bijtë e Hatifas,

55 bijtë e shërbëtorëve të Salomonit; bijtë e Sotait, bijtë e Soferethit, bijtë e Perudas,

56 bijtë e Jaalas, bijtë e Darkonit, bijtë e Gidelit,

57 bijtë e Shefatiahut, bijtë e Hatilit, bijtë e Pokereth-Hatsebaimit, bijtë e Amit.

58 Tërë Nethinejtë dhe bijtë e shërbëtorëve të Salomonit ishin treqind e nëntëdhjetë e dy.

59 Këta qenë ata që u kthyen nga Tel-Melahu, nga Tel-Harsha, nga Kerub-Adani dhe nga Imeri; por ata nuk qenë në gjendje të tregonin shtëpinë e tyre atërore dhe pasardhësit e tyre, për të provuar në se ishin nga Izraeli;

60 bijtë e Delajahut, bijtë e Tobiahut, bijtë e Nekodas, gjithsej gjashtëqind e pesëdhjetë e dy.

61 Midis bijve të priftërinjve: bijtë e Habajahut, bijtë e Hakotsit, bijtë e Barzilait, që kishte për grua një nga bijat e Barzilait, Galaaditit, dhe që u quajt me emrin e tyre.

62 Këta kërkuan listën e tyre midis atyre të regjistruar në gjenealogjitë, por nuk e gjetën; prandaj u përjashtuan nga priftëria si të papastër.

63 Qeveritari i urdhëroi ata të mos hanin asgjë nga gjërat shumë të shenjta deri sa të mos paraqitej një prift me Urim dhe Thumim.

64 Tërë asambleja përbëhej nga dyzet e dy mijë e treqind e gjashtëdhjetë veta.

65 Pa llogaritur shërbëtorët dhe shërbëtoret e tyre, që arrinin shtatë mijë e treqind e tridhjetë e shtatë; midis tyre kishte gjithashtu dyqind këngëtarë dhe këngëtare.

66 Ata kishin shtatëqind e tridhjetë e gjashtë kuaj, dyqind e dyzet e pesë mushka,

67 katërqind e tridhjetë e pesë deve dhe gjashtë mijë e shtatëqind e njëzet gomarë.

68 Disa të parë të shtëpive atërore, kur arritën në shtëpinë e Zotit që është në Jeruzalem, dhanë bujarisht dhurata për shtëpinë e Perëndisë, në mënyrë që ajo të ngrihej përsëri në vendin e mëparshëm.

69 I dhanë thesarit të veprës, sipas mjeteve të tyre, gjashtëdhjetë e një mijë darikë ari, pesë mijë mina argjendi dhe njëqind veshje prifti.

70 Kështu priftërinjtë, Levitët, njerëzit e popullit, këngëtarët, derëtarët dhe Nethinejtë, u vendosën në qytetet e tyre, dhe gjithë Izraelitët në qytetet e tyre.



Esdra - Kapitulli 3

1 Sa arriti muaji i shtatë dhe bijtë e Izraelit ishin në qytetet e tyre, populli u mblodh si një njeri i vetëm në Jeruzalem.

2 Atëherë Jeshua, bir i Jotsadakut, bashkë me vëllezërit e tij priftërinj dhe me Zorobabelin, birin e Shealtielit me gjithë vëllezërit e tij, u ngritën dhe ndërtuan altarin e Perëndisë të Izraelit, për t'i ofruar olokauste, siç është shkruar në ligjin e Moisiut, njeriut të Perëndisë.

3 E rivendosën altarin mbi themelet e tij, megjithëse kishin frikë nga popujt e tokave të afërta, dhe mbi të i ofruan olokauste Zotit, olokaustet e mëngjesit dhe të mbrëmjes.

4 Kremtuan gjithashtu festën e Kasolleve, ashtu siç është shkruar, dhe ofruan çdo ditë olokauste, në bazë të numrit që kërkohej për çdo ditë.

5 Pastaj ofruan olokaustin e përjetshëm, olokaustet e hënës së re dhe të gjitha festave të përcaktuara nga Zoti, dhe ato të cilitdo që i bënte një ofertë vullnetare Zotit.

6 Nga dita e parë e muajit të shtatë filluan t'i ofrojnë olokauste Zotit, por themelet e tempullit të Zotit nuk ishin hedhur ende.

7 Pastaj u dhanë para gurëgdhendësve dhe marangozëve, si dhe ushqime, pije dhe vaj atyre të Sidonit dhe të Tiros që të sillnin dru kedri nga Libani në bazë të koncesionit që kishte marrë Kiri, mbret i Persisë.

8 Në muajin e dytë të vitit të dytë të arritjes së tyre në shtëpinë e Perëndisë në Jeruzalem, Zorobabeli, bir i Shealtielit, Jeshua, bir i Jotsadakut, vëllezërit e tjerë të tyre priftërinj dhe Levitët

9 Atëherë Jeshua me bijtë e tij dhe vëllezërit e tij, Kadmieli me bijtë e tij dhe bijtë e Judës u ngritën si një njeri i vetëm për të drejtuar ata që punonin në shtëpinë e Perëndisë; po kështu vepruan bijtë e Henadadit me bijtë e tyre dhe vëllezërit e tyre, Levitët.

10 Kur ndërtuesit hodhën themelet e tempullit të Zotit, ishin të pranishëm priftërinjtë të veshur me rrobat e tyre dhe me bori dhe Levitët, bijtë e Asafit, me cembale për të lëvduar Zotin sipas udhëzimeve të Davidit, mbretit të Izraelit.

11 Ata këndonin, kremtonin dhe lëvdonin Zotin, "Sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij ndaj Izraelit është e përjetshme". Tërë populli lëshonte britma të forta gëzimi, duke lëvduar Zotin, sepse ishin hedhur themelet e shtëpisë së Zotit.

12 Shumë priftërinj, Levitët dhe krerë të shtëpive atërore, pleq, që kishin parë tempullin e parë, qanin me zë të lartë kur hidheshin themelet e këtij tempulli para syve të tyre. Shumë të tjerë përkundrazi bërtisnin fort nga gëzimi,

13 kështu që njerëzit nuk mund të dallonin zhurmën e britmave të gëzimit nga ajo e vajit të popullit, sepse populli lëshonte britma të forta, dhe zhurma e tyre dëgjohej nga larg.



Esdra - Kapitulli 4

1 Kur armiqtë e Judës dhe të Beniaminit dëgjuan që ata që kishin qenë në robëri po rindërtonin tempullin e Zotit, Perëndisë të Izraelit,

2 iu afruan Zorobabelit dhe krerëve të shtëpive atërore dhe u thanë atyre: "Na lejoni të ndërtojmë bashkë me ju, sepse edhe ne kërkojmë Perëndinë tuaj, ashtu si ju; i kemi ofruar flijime atij nga koha e Esar-Hadonit, mbretit të Asirisë, që na solli këtu".

3 Por Zorobabeli, Jeshua dhe krerët e tjerë të shtëpive atërore të Izraelit iu përgjigjën atyre: "Nuk keni asnjë të drejtë të ndërtoni me ne një shtëpi, Perëndisë tonë, por ne vetë do ti ndërtojmë Zotit, Perëndisë së Izraelit, ashtu si na ka urdhëruar mbreti Kir, mbret i Persisë".

4 Atëherë njerëzit e vendit filluan ta shkurajojnë popullin e Judës dhe ta trëmbin, me qëllim që të mos ndërtonin.

5 Përveç kësaj rekrutuan disa këshilltarë kundër tyre për të hedhur poshtë qëllimin e tyre, dhe këtë e bënë gjatë gjithë kohës së Kirit, mbretit të Persisë, deri në mbretërimin e Darit, mbretit të Persisë.

6 Gjatë mbretërimit të Asueros, në fillim të mbretërimit të tij, ata shkruan një letër me akuza kundër banorëve të Judës dhe të Jeruzalemit.

7 Më vonë, në kohën e Artasersit, Bishlami, Mithredathi, Tabeeli dhe kolegët e tjerë të tyre i shkruan Artasersit, mbretit të Persisë. Letra ishte shkruar me shkronja aramaike dhe ishte përkthyer në gjuhën aramaike.

8 Rehumi, qeveritari, dhe Shimshai, sekretari, i shkruan mbretit Artasers një letër kundër Jeruzalemit me këtë përmbajtje:

9 "Rehumi, qeveritari, Shimshai, sekretari, dhe kolegët e tyre të tjerë, Dinaitët, Afarsathkitët, Tarpelitët, Afaresitët, Arkevitët, Babilonasit, Shushankitët, Dehavitët, Elamitët,

10 dhe popujt e tjerë që i madhi dhe i famshmi Osnapar ka internuar dhe ka vendosur në qytetin e Samarisë dhe në pjesën tjetër të krahinës matanë Lumit, e të tjera".

11 Ja kopja e letrës që ata i dërguan: "Mbretit Artasers, nga shërbëtorët e tu, njerëzit e krahinës matanë Lumit, e të tjera.

12 T'i njoftohet mbretit që Judejtë, që ikën nga ti dhe kanë ardhur pranë nesh në Jeruzalem, janë duke rindërtuar qytetin rebel të keq, po rindërtojnë muret dhe po ndreqin themelet.

13 Tani t'i bëhet e njohur mbretit që në rast se ky qytet rindërtohet dhe muret e tij përfundohen, ata nuk do të paguajnë asnjë haraç, tatim ose taksë për kalim, dhe thesari i mbretit do të ketë pasoja.

14 Tani, duke qenë se ne marrim ushqime nga pallati dhe nuk na duket e drejtë të shohim çnderimin e mbretit, prandaj i dërgojmë këtë njoftim mbretit,

15 me qëllim që të bëhen kërkime në librin e kujtimeve të etërve të tu; dhe në librin e kujtimeve do të gjesh dhe do të mësosh që ky qytet është një qytet rebel, shumë i rrezikshëm për mbretërit dhe për provincat, dhe se aty nxiten rebelime që nga kohët e lashta. Për këtë arësye qyteti u shkatërrua.

16 Ne i bëjmë të ditur mbretit, që në qoftë se ky qytet rindërtohet dhe muret e tij përfundohen, nuk do të mbetet asnjë zotërim në krahinën matanë Lumit".

17 Mbreti dërgoi këtë përgjigje: "Rehumit, qeveritarit, Shimshait, sekretarit, dhe pjesës tjetër të kolegëve të tyre që banonin në Samaria dhe pjesës tjetër të krahinës matanë Lumit: Përshëndetje, e të tjera.

18 Letra që na dërguat u lexua me kujdes përpara meje.

19 Unë dhashë urdhër të bëhen kërkime, dhe u gjet që ky qytet qysh prej kohësh të lashta është ngritur kundër mbretërve dhe që në të kanë ndodhur rebelime dhe kryengritje.

20 Në Jeruzalem ka pasur mbretër të fuqishëm që kanë sunduar mbi gjithë vendin matanë Lumit, dhe të cilëve u paguheshin haraçe, tatime dhe taksa kalimi.

21 Prandaj jepni urdhër që këta njerëz të pezullojnë punimet dhe ky qytet të mos rindërtohet deri sa të jetë dhënë nga unë urdhëri përkatës.

22 Tregohuni të kujdesshëm tani dhe mos e lini pas dore këtë punë. Pse, pra, dëmi duhet të shtohet në kurriz të mbretit?".

23 Sapo kopja e letrës së mbretit Artasers u lexua përpara Rehumit, Shimshait, sekretarit, dhe kolegëve të tyre, ata shkuan me nxitim në Jeruzalem tek Judejtë dhe i detyruan të pezullojnë punimet me forcën e armëve.

24 Kështu u pezullua puna e shtëpisë së Perëndisë që është në Jeruzalem, dhe mbeti pezull deri në vitin e dytë të mbretërimit të Darius, mbretit të Persisë.



Esdra - Kapitulli 5

1 Por profetët Axhe dhe Zakaria, bir i Idos, u profetizuan Judejve që ishin në Judë dhe në Jeruzalem në emër të Perëndisë të Izraelit që ishte mbi ta.

2 Atëherë Zorobabeli, bir i Shealtielit, dhe Jeshua, bir i Jotsadakut, u ngritën dhe nisën të ndërtojnë shtëpinë e Perëndisë në Jeruzalem; dhe me ta ishin profetët e Perëndisë, që i ndihmonin.

3 Në atë kohë erdhën tek ata Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët e tyre dhe u folën kështu: "Kush ju dha urdhër të ndërtoni këtë tempull dhe të rindërtoni këto mure?".

4 Pastaj ne u treguam atyre emrat e njerëzve që ndërtonin këtë godinë.

5 Por pleqtë e Judejve i ruante syri i Perëndisë të tyre; dhe ata nuk mundën t'i bëjnë të ndërprisnin punën deri sa t'i dërgohej një raport Darit dhe të vinte një përgjigje për këtë çështje.

6 Kjo është një kopje e letrës që iu dërgua mbretit Dari nga Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, nga Shethar-Boznai dhe nga kolegët e tij, Afarsekitët, që ishin matanë Lumit.

7 I dërguan një letër të shkruar në këtë mënyrë: "Mbretit Dari, shëndet të plotë!

8 I bëjmë të njohur mbretit që ne kemi vajtur në krahinën e Judës, në tempullin e Perëndisë të madh. Ai po ndërtohet me gurë të mëdhenj dhe po vihet lëndë druri për ndarëset e tij. Kjo punë po kryhet me kujdes dhe po ecën mirë në duart e tyre.

9 Ne kemi pyetur ata pleq dhe u kemi folur kështu: "Kush ju ka dhënë urdhër të ndërtoni këtë tempull dhe të ndërtoni këto mure?".

10 U kemi kërkuar edhe emrat e tyre, me qëllim që të vinim me shkrim emrat e njerëzve që janë në krye të tyre, dhe pastaj të t'i bënim të njohur.

11 Dhe ata na janë përgjigjur kështu, duke thënë: "Ne jemi shërbëtorët e Perëndisë të qiellit dhe të dheut dhe rindërtojmë tempullin që ishte ndërtuar shumë vjet më parë; një mbret i madh i Izraelit e kishte ndërtuar dhe mbaruar.

12 Duke qenë se etërit tanë kanë provokuar zemërimin e Perëndisë të qiellit, ai i dha në duart e Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, Kaldeasit, i cili e shkatërroi këtë tempull dhe e internoi popullin në Babiloni.

13 Por në vitin e parë të Kirit, mbretit të Babilonisë, mbreti Kir dha urdhër t'i ndërtohej kjo shtëpi Perëndisë.

14 Përveç kësaj mbreti Kir nxori jashtë nga tempulli i Babilonisë përdorëset prej ari dhe argjendi të shtëpisë së Perëndisë, që Nebukadnetsari kishte hequr nga tempulli i Jeruzalemit dhe i kishte çuar në tempullin e Babilonisë, dhe ia dorëzoi njërit që quhej Sheshbatsar, që ai e kishte bërë qeveritar,

15 duke i thënë: "Merri këto veglat dhe shko t'i vësh përsëri në tempullin që është në Jeruzalem; dhe shtëpia e Perëndisë të rindërtohet në vendin e saj.

16 Atëherë vetë Sheshbatsari erdhi dhe hodhi themelet e shtëpisë së Perëndisë që është në Jeruzalem; që nga kjo kohë e deri më sot ajo është në ndërtim, dhe nuk ka mbaruar akoma".

17 Prandaj tani, në rast se kjo i pëlqen mbretit, të bëhen kërkime në shtëpinë e thesareve të mbretit që është në Babiloni, për të parë nëse mbreti Kir ka dhënë me të vërtetë një urdhër për të ndërtuar këtë shtëpi të Perëndisë në Jeruzalem; dhe mbreti të na çojë vendimin e tij lidhur me këtë gjë".



Esdra - Kapitulli 6

1 Atëherë mbreti Dar urdhëroi që të bëheshin kërkime në shtëpinë e arkivave ku ruheshin thesaret në Babiloni;

2 dhe në Ahmetha, në kështjellën që është në provincën e Medisë, u gjet një rrotull, dhe në të një dokument të shkruar kështu:

3 "Në vitin e parë të mbretit Kir, mbreti Kir u shpall një urdhëresë lidhur me shtëpinë e Perëndisë në Jeruzalem: "Të rindërtohet tempulli, vendi ku ofrohen flijime. Të hidhen mirë themelet e tij. Të ketë një lartësi prej gjashtëdhjetë kubitësh dhe një gjerësi prej gjashtëdhjetë kubitësh,

4 me tri radhë gurësh të mëdhenj dhe një radhë lëndë të re druri; dhe shpenzimet të paguhen nga pallati mbretëror.

5 Përveç kësaj, veglat prej ari dhe prej argjendi të shtëpisë së Perëndisë, që Nebukadnetsari ka hequr nga tempulli që është në Jeruzalem dhe i ka çuar në Babiloni, të rikthehen dhe të çohen në tempullin që është në Jeruzalem; dhe secila të vihet në vendin e vet në shtëpinë e Perëndisë".

6 Tani, pra, Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët tuaj, Afarsekitët, që ndodhen matanë Lumit, rrini larg këtij vendi!

7 Lini që të vazhdojë puna për këtë shtëpi të Perëndisë; qeveritari i Judejve dhe pleqtë e Judejve ta rindërtojnë këtë shtëpi të Perëndisë në vendin e saj.

8 Përveç kësaj po lëshoj një urdhër për atë që duhet të bëni për pleqtë e Judejve në rindërtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë; këtyre njerëzve t'u paguhen tërë shpenzimet nga të ardhurat e mbretit që vijnë nga taksat e mbledhura matanë Lumit, me qëllim që punimet të mos ndërpriten.

9 Gjërat e nevojshme për olokaustet e Perëndisë së qiellit: demat, deshtë, qengjat, bashkë me grurin, kripën, verën, vajin, duhet të dorëzohen çdo ditë, pa mosplotësuar kurrë kërkesat e priftërinjve që janë në Jeruzalem,

10 me qëllim që t'i ofrojnë flijime me erë të këndshme Perëndisë së qiellit dhe të luten për jetën e mbretit dhe të bijve të tij.

11 Kam dhënë gjithashtu urdhër që në qoftë se dikush e shtrëmbëron këtë dekret, t'i hiqet një tra shtëpisë së tij, të ngrihet dhe ai të varet tek ai; dhe shtëpia e tij të katandiset në një plehërishte për shkak të veprimit të tij.

12 Perëndia që e ka bërë emrin e tij të banojë atje shkatërroftë çdo mbret dhe çdo popull që guxon të shtrijë dorën e tij për ta ndryshuar këtë ose për të shkatërruar shtëpinë e Perëndisë që është në Jeruzalem! Unë, Darius, e kam nxjerrë këtë dekret; të zbatohet me përpikmëri".

13 Atëherë Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët e tyre vepruan pikërisht ashtu siç i kishte porositur mbreti Dar.

14 Kështu pleqtë e Judejve vazhduan të ndërtojnë dhe të bëjnë përparime, të nxitur nga fjalët e frymëzuara të profetit Axhe dhe të Zakarias, birit të Idos. Ata e mbaruan ndërtimin sipas urdhërit të Perëndisë të Izraelit dhe sipas rregullit të Kirit, të Darit dhe të Artasersit, mbretit të Persisë.

15 Tempulli u përfundua ditën e tretë të muajit të Adarit, që ishte viti i gjashtë i mbretërimit të Darit.

16 Atëherë bijtë e Izraelit, priftërinjtë, Levitët dhe të kthyerit e tjerë nga robëria e kremtuan me gëzim kushtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë.

17 Për kushtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë ata ofruan njëqind dema, dyqind desh, katërqind qengja dhe dymbëdhjetë cjep, sipas numrit të fiseve të Izraelit, si flijime për mëkatin për gjithë Izraelin.

18 Pastaj vendosën priftërinjtë sipas klasave të tyre dhe Levitët sipas ndarjeve të tyre, për shërbimin e Perëndisë në Jeruzalem, ashtu siç është shkruar në librin e Moisiut.

19 Të kthyerit nga robëria e kremtuan Pashkën ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë,

20 sepse priftërinjtë dhe Levitët ishin pastruar bashkarisht; të gjithë ishin të pastër. Atëherë e flijuan Pashkën për të gjithë të kthyerit nga robëria, për vëllezërit e tyre priftërinj dhe për veten e tyre.

21 Kështu bijtë e Izraelit që ishin kthyer nga robëria e hëngrën Pashkën bashkë me tërë ata që ishin ndarë nga papastërtia e popujve të vendit dhe që ishin bashkuar me ta për të kërkuar Zotin, Perëndinë e Izraelit.

22 Dhe kremtuan me gëzim shtatë ditë me radhë festën e të Ndormëve, sepse Zoti i kishte mbushur me gëzim, duke përkulur në favor të tyre zemrën e mbretit të Asirisë, kështu që t'i bënte më të fuqishme duart e tyre për ndërtimin e shtëpisë së Perëndisë, Perëndisë të Izraelit.



Esdra - Kapitulli 7

1 Mbas këtyre gjërave, nën mbretërimin e Artasersit, mbretit të Persisë, Ezdra, bir i Serajahut, bir i Azarias, bir i Hilkiahut,

2 bir i Shalumit, biri i Tsadokut, bir i Ahitubit,

3 bir i Amariahut, bir i Azarias, bir i Merajothit,

4 bir i Zerajahut, bir i Uzit, bir i Bukit,

5 bir i Abishuas, bir i Finehasit, bir i Eleazarit, bir i Aaronit, kryeprift;

6 ky Ezdra vinte nga Babilonia. Ishte një shkrues kompetent në ligjin e Moisiut të dhënë nga Zoti, Perëndia i Izraelit. Mbreti i dha të gjitha ato që ai kërkoi, sepse dora e Zotit, Perëndisë të tij, ishte mbi të.

7 Në vitin e shtatë të mbretit Artasersit, ngjitën gjithashtu në Jeruzalem disa nga bijtë e Izraelit dhe të priftërinjve, Levitë, këngëtarë, derëtarë dhe Nethinej.

8 Ezdra arriti në Jeruzalem në muajin e pestë, që ishte viti i shtatë i mbretit.

9 Ai e filloi udhëtimin e tij nga Babilonia ditën e parë të muajit të parë dhe arriti në Jeruzalem ditën e parë të muajit të pestë, sepse dora mirëbërëse e Perëndisë të tij ishte mbi të.

10 Në të vërtetë Ezdra i ishte kushtur me gjithë zemër të studjonte ligjin e Zotit, ta zbatonte në praktikë dhe të mësonte në Izrael statutet dhe dekretet.

11 Ja kopja e letrës që mbreti Artasers i dorëzoi priftit Ezdra, shkruesit, një shkrues kompetent në urdhërimet e Zotit dhe në statutet e tij e dhëna Izraelit.

12 "Artasersi, mbret i mbretërve, priftit Ezdra, shkruesit kompetent në ligjin e Perëndisë të qiellit. Përshëndetje, e të tjera.

13 Unë kam nxjerrë një dekret sipas të cilit kushdo nga populli i Izraelit dhe nga priftërinjtë e tij dhe nga Levitët e mbretërisë sime që ka vendosur lirisht të shkojë në Jeruzalem, mund të vijë me ty.

14 Në të vërtetë ti je dërguar nga ana e mbretit dhe nga shtatë këshilltarët e tij për të bërë hulumtime në Judë dhe në Jeruzalem mbi ligjin e Perëndisë tënd, që është në duart e tua,

15 dhe për t'i çuar argjendin dhe arin që mbreti dhe këshilltarët e tij ia kanë ofruar spontanisht Perëndisë të Izraelit, banesa e të cilit është në Jeruzalem,

16 dhe tërë argjendin dhe arin që mund të gjesh në tërë krahinën e Babilonisë, së bashku me ofertën vullnetare, që bëhen në mënyrë spontane nga populli dhe nga priftërinjtë për shtëpinë e Perëndisë të tyre në Jeruzalem.

17 Prandaj me këto para ti do të kujdesesh të blesh dema, desh dhe qengja me ofertat e tyre të ushqimit dhe të libacioneve, dhe do t'i ofrosh mbi altarin e shtëpisë së Perëndisë tuaj që është në Jeruzalem.

18 Sa për pjesën tjetër të argjendit dhe të arit, do të bëni atë që të duket e mirë ty dhe vëllezërve të tu, sipas vullnetit të Perëndisë tuaj.

19 Edhe veglat që të janë dhënë për shërbimin e shtëpisë së Perëndisë tënd, vendosi përsëri përpara Perëndisë të Jeruzalemit.

20 Për çfarëdo lloj nevoje tjetër të shtëpisë së Perëndisë tënd që të takon ty ta plotësosh, do ta plotësosh me shpenzimet e thesarit mbretëror.

21 Unë, mbreti Artasers, urdhëroj të gjithë arkëtarët e krahinës matanë Lumit: gjithçka që do të kërkojë prifti Ezdra, shkruesi i ligjit të Perëndisë të qiellit, t'i plotësohen menjëherë,

22 deri në njëqind talenta argjendi, njëqind kore gruri, njëqind bate vere dhe njëqind bate vaji dhe kripë në sasi të pakufizuar.

23 Tërë ato që janë urdhëruar nga Perëndia i qiellit të zbatohen me zell për shtëpinë e Perëndisë të qiellit. Pse zemërimi duhet të bjerë mbi mbretërinë e mbretit dhe të bijve të tij?

24 Përveç kësaj ju njoftojmë se nuk është e lejueshme të merren haraçe, tatime ose taksa kalimi nga asnjë prej priftërinjve, Levitëve, këngëtarëve, derëtarëve, Nethinejve dhe shërbëtorëve të kësaj shtëpie të Perëndisë.

25 Dhe ti, o Ezdra, sipas diturisë së Perëndisë tënd që ti zotëron, cakto zyrtarë dhe gjyqtarë që t'i sigurojnë drejtësinë tërë popullit që ndodhet në krahinën matanë Lumit, gjithë atyre që njohin ligjet e Perëndisë tënd; dhe ua mëso atyre që nuk i njohin.

26 Dhe ai që nuk respekton ligjin e Perëndisë tënd dhe ligjin e mbretit t'i jepet menjëherë gjyqit, ose me vdekje, ose me dëbim ose me konfiskimin e pasurisë ose me burgim".

27 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i etërve tanë, që i ka shtënë një gjë të tillë zemrës së mbretit, që të zbukurojë shtëpinë e Zotit që është në Jeruzalem,

28 dhe më bëri të gëzoj favoret te mbreti, këshilltarët e tij dhe të tërë princat e fuqishëm mbretërorë. Kështu e ndjeva veten të trimëruar, sepse dora e Zotit, Perëndisë tim, ishte mbi mua, dhe mblodha krerët e Izraelit që të niseshin me mua.



Esdra - Kapitulli 8

1 Këta janë krerët e shtëpive atërore dhe lista gjenealogjike e atyre që u kthyen me mua nga Babilonia, nën mbretërimin e Artasersit.

2 Nga bijtë e Finehasit, Gershomi; nga bijtë e Ithamarit, Danieli; nga bijtë e Davidit, Hatushi.

3 Nga bijtë e Shekaniahut: nga bijtë e Paroshit, Zakaria, dhe bashkë me të u regjistruan njëqind e pesëdhjetë meshkuj.

4 Nga bijtë e Pahath-Moabit, Elihoenai, bir i Zerahiahut, dhe me të dyqind meshkuj.

5 Nga bijtë e Shekaniahut, i biri i Jahazielit dhe bashkë me të treqind meshkuj.

6 Nga bijtë e Adinit, Ebedi, bir i Jonathanit, dhe bashkë me të pesëdhjetë meshkuj.

7 Nga bijtë e Elamit, Isai, bir i Athaliahut, dhe bashkë me të shtatëdhjetë meshkuj.

8 Nga bijtë e Shefatiahut, Zebadiahu, bir i Mikaelit, dhe bashkë me të tetëdhjetë meshkuj.

9 Nga bijtë e Joabit, Obadiahu, bir i Jehielit, dhe bashkë me të dyqind e tetëmbëdhjetë meshkuj.

10 Nga bijtë e Shelomithit, bir i Josifiahut dhe bashkë me të njëqind e gjashtëdhjetë meshkuj.

11 Nga bijtë e Bebait, Zakaria, bir i Bebait, dhe bashkë me të njëzet e tetë meshkuj.

12 Nga bijtë e Azgadit, Johanani, bir i Hakatas, dhe bashkë me të njëqind e dhjetë meshkuj.

13 Nga bijtë e Adonikamit, të fundit, emrat e të cilëve ishin: Elifelet, Jehiel dhe Shemajah, dhe bashkë me ta gjashtëdhjetë meshkuj.

14 Nga bijtë e Bigvait, Uthai dhe Zabudi, dhe bashkë me ta shtatëdhjetë meshkuj.

15 Unë i mblodha pranë lumit që rrjedh në drejtim të Ahavës, dhe fushuam aty tri ditë. Kur kalova në revistë popullin dhe priftërinjtë, nuk gjeta asnjë bir Leviti.

16 Atëherë dërgova të thërrasë Eliezerin, Arielin, Shemajahun, Elnathanin, Jaribin, Elnathanin, Nathanin, Zakarian dhe Meshulamin, që ishin të parë, si edhe Jojaribin dhe Elnathanin që ishin njerëz të urtë,

17 dhe i urdhërova të shkonin tek Ido, kreu i lokalitetit të Kasifias, dhe u vura në gojë fjalët që duhet t'i thonin Idos dhe vëllezërve të tij, Nethinejve në lokalitetin e Kasifias, që të na dërgonin njerëz që të kryenin shërbimin në shtëpinë e Perëndisë tonë.

18 Me qenë se dora mirëbërëse e Perëndisë tonë ishte mbi ne, ata na dërguan Sherebiahun, një njeri me mend, nga bijtë e Mahlit, birit të Levit, bir i Izraelit, bashkë me bijtë e vëllezërit e tij, gjithsej tetëmbëdhjetë;

19 dhe Hashabiahun, dhe me të Isai nga bijtë e Merarit, vëllezërit dhe bijtë e tyre, gjithsej njëzet;

20 dhe nga Nethinej, që Davidi dhe krerët kishin caktuar në shërbim të Levitëve, dyqind e njëzet Nethinej, të gjithë të caktuar me emër.

21 Aty, pranë lumit Ahava, unë shpalla një agjerim për t'u përulur përpara Perëndisë tonë, për t'i kërkuar një udhëtim të sigurt për ne, për fëmijët tanë dhe për të gjitha pasuritë tona.

22 Në fakt unë kisha turp t'i kërkoja mbretit një roje ushtarësh dhe kalorësish që të na mbronte nga armiku gjatë udhëtimit, sepse i kishim thënë mbretit: "Dora e Perëndisë tonë është mbi të gjithë ata që kërkojnë për të mirën e tyre, por fuqia e tij dhe zemërimi i tij janë kundër të gjithë atyre që e braktisin".

23 Kështu ne agjeruam dhe iu lutëm Perëndisë tonë për këtë arësye, dhe ai e dëgjoi lutjen tonë.

24 Atëherë unë zgjodha dymbëdhjetë nga krerët e priftërinjve: Sherebiahun, Hashabiahun dhe bashkë me ta dhjetë nga vëllezërit e tyre,

25 dhe u peshova atyre argjendin, arin, veglat, që ishin oferta e bërë për shtëpinë e Perëndisë tonë nga mbreti, nga këshilltarët dhe nga paria e tij, dhe nga të gjithë Izraelitët që ndodheshin atje.

26 Në duart e tyre peshova gjithashtu gjashtëqind e pesëdhjetë talenta argjendi, vegla prej argjendi me një vlerë prej njëqind talentash, njëqind talenta ari,

27 njëzet kupa ari me një vlerë prej një mijë darikë, dy enë prej bronzi të hollë dhe të shndritshëm, i çmueshëm si ari.

28 Pastaj u thashë atyre: "Ju i jeni shenjtëruar Zotit; edhe përdorëset janë të shenjta, dhe argjendi dhe ari janë një ofertë vullnetare për Zotin, Perëndinë e etërve tuaj.

29 Kini kujdes dhe ruajini deri sa t'i peshoni përpara krerëve të priftërinjve, Levitëve dhe të parëve të shtëpive atërore të Izraelit në Jeruzalem, në dhomat e shtëpisë të Zotit".

30 Kështu priftërinjtë dhe Levitët morën argjendin, arin dhe veglat që u peshuan atëherë, për t'i çuar në Jeruzalem në shtëpinë e Perëndisë tonë.

31 Ditën e dymbëdhjetë të muajit të parë u nisëm nga lumi Ahava për të shkuar në Jeruzalem; dora e Perëndisë tonë ishte mbi ne dhe gjatë udhëtimit na liroi nga armiku dhe nga pritat e tij.

32 Arritëm kështu në Jeruzalem dhe qëndruam tri ditë atje.

33 Ditën e katërt në shtëpinë e Perëndisë tonë, u peshuan argjendi, ari dhe veglat në duart e Meremothit, birit të priftit Uriah, me të cilin ishte Eleazari, bir i Finehasit, dhe me ta Levitët Jozabad, bir i Jeshuas, dhe Noadiahu, bir i Binuit.

34 U njëhsua dhe u peshua çdo gjë; dhe pesha e të gjitha gjërave u vu me shkrim.

35 Të mërguarit që u kthyen nga robëria, i ofruan si olokauste Perëndisë të Izraelit dymbëdhjetë dema për tërë Izraelin, nëntëdhjetë e gjashtë desh, shtatëdhjetë e shtatë qengja dhe dymbëdhjetë cjep si flijim për mëkatin, e tërë kjo si olokaust për Zotin.

36 Pastaj ua dorëzuan dekretet e mbretit satrapëve të mbretit dhe qeveritarëve të krahinës matanë Lumit, dhe këta ndihmuan popullin dhe shtëpinë e Perëndisë.



Esdra - Kapitulli 9

1 Mbasi përfunduan këto gjëra, krerët erdhën tek unë, duke thënë: "Populli i Izraelit, priftërinjtë dhe Levitët nuk janë ndarë nga popujt e këtyre vendeve, për gjërat e neveritshme të Kananejve, të

2 Në fakt ata kanë marrë si bashkëshorte disa nga bijat e tyre për vete dhe për bijtë e tyre, duke përzier kështu fisin e shenjtë me popujt e këtyre vendeve. Mjerisht gjyqtarët kanë qenë të parët që e kryen këtë mëkat".

3 Kur dëgjova këtë gjë, grisa rrobat dhe mantelin, shkula flokët e kokës dhe mjekrën, dhe u ula i shtangur.

4 Atëherë tërë ata që dridheshin nga fjalët e Perëndisë të Izraelit u mblodhën rreth meje për shkak të mëkatit të atyre që ishin kthyer nga robëria; dhe unë mbeta i ulur dhe i shtangur deri në blatimin e mbrëmjes.

5 Në blatimin e mbrëmjes u ngrita nga agjerimi, me rrobat dhe mantelin të grisur; pastaj rashë në gjunjë dhe shtriva duart nga Zoti, Perëndia im,

6 dhe thashë: "O Perëndia im, unë jam i pështjelluar dhe më vjen turp të ngre fytyrën time ndaj teje, o Perëndia im, sepse paudhësitë tona janë shumëzuar deri mbi kokën tonë, dhe faji ynë ka arritur deri në qiell.

7 Nga ditët e etërve tanë deri në ditën e sotme kemi qenë shumë fajtorë, dhe për shkak të paudhësive tona ne, mbretërit tanë dhe priftërinjtë tanë u lamë në duart e mbretërve të kombeve të huaja, nën kanosjen e shpatës, të internimit, të plaçkitjes dhe të turpit, ashtu si po ndodh tani.

8 Por tani Zoti, Perëndia ynë, na ka dhënë hir për një çast të shkurtër, duke na lënë një mbetje dhe duke na dhënë një strehë në vendin e tij të shenjtë, dhe kështu Perëndia ynë i ka ndriçuar sytë tanë dhe na ka dhënë një rizgjim të vogël në skllavërinë tonë.

9 Në të vërtetë ne ishim skllevër, megjithatë Perëndia ynë nuk na braktisi në skllavërinë tonë, por na siguroi mirëdashjen e mbretërve të Persisë, duke na rizgjuar për të ngritur përsëri shtëpinë e Perëndisë tonë, duke restauruar rrënojat e saj dhe për të na dhënë një mur mbrojtjeje në Judë dhe Jeruzalem.

10 Por tani, o Perëndia ynë, çfarë do të themi pas kësaj? Sepse i kemi braktisur urdhërimet e tua,

11 që na kishe urdhëruar me anë të shërbëtorëve të tu, profetëve, duke thënë: "Vendi në të cilin po hyni për ta shtënë në dorë është një vend i papastër për shkak të papastërtisë së popujve të këtyre vendeve, për shkak të gjërave të neveritshme me të cilat e kanë mbushur fund e krye me ndotjet e tyre.

12 Prandaj tani mos u jepni bijat tuaja bijve të tyre dhe mos merrni bijat e tyre për bijtë tuaj; mos kërkoni kurrë begatinë e tyre, as mirëqënien e tyre, sepse kështu do të bëheni të fortë, do të hani prodhimet më të mira të vendit dhe do t'ua lini atë në trashëgimi bijve tuaj përjetë".

13 Por mbas gjithë asaj që na ra mbi krye për shkak të veprimeve tona të këqija dhe të fajeve tona të mëdha, duke qenë se ti, o Perëndia ynë, na dënove më pak nga sa e meritonin fajet tona dhe na le një pikë si kjo,

14 a do të kthehemi përsëri të shkelim urdhërimet e tua dhe të bashkohemi me martesë me popujt që kryejnë këto gjëra të neveritshme? A nuk do të zemëroheshe kundër nesh deri sa të shkatërroje pa lënë asnjë të mbetur ose të shpëtuar?

15 O Zot, Perëndia i Izraelit, ti je i drejtë, prandaj ne kemi mbetur sot, një mbetje njerëzish që kanë shpëtuar. Ja ku jemi para teje me fajin tonë, megjithëse për shkak të tij asnjë nuk mund të qëndrojë para teje!".



Esdra - Kapitulli 10

1 Ndërsa Ezdra lutej dhe bënte këtë rrëfim, duke qarë dhe duke rënë përmbys përpara shtëpisë së Perëndisë, rreth tij u mblodh një mori e madhe nga Izraeli: burra, gra, dhe fëmijë; dhe populli qante me të madhe.

2 Atëherë Shekaniahu, bir i Jehielit, një nga bijtë e Elamit, filloi t'i thotë Ezdras: "Ne kemi mëkatuar kundër Perëndisë tonë, duke u martuar me gra të huaja që i kemi marrë nga popujt e këtij vendi; megjithëkëtë mbetet ende një shpresë për Izraelin.

3 Prandaj të bëjmë një besëlidhje me Perëndinë tonë, t'i kthejmë tërë këto gra dhe bijtë që kanë lindur prej tyre, sipas këshillës së Perëndisë dhe të atyre që dridhen përpara urdhërit të Perëndisë tonë. Dhe të veprohet sipas ligjit.

4 Çohu sepse kjo të përket ty; ne do të jemi me ty. Merr guxim dhe vepro!".

5 Atëherë Ezdra u ngrit dhe i vuri të betohen krerët e priftërinjve, Levitët dhe tërë Izraelin se do të vepronin ashtu siç ishte thënë. Dhe ata u betuan.

6 Pastaj Ezdra u ngrit përpara shtëpisë së Perëndisë dhe shkoi në dhomën e Jehohananit, birit të Eliashibit. Sa qëndroi aty, ai nuk hëngri bukë as piu ujë, sepse mbante zi për mëkatin e atyre që ishin kthyer nga robëria.

7 Edhe u bë një shpallje në Judë dhe në Jeruzalem për të gjithë të kthyerit nga robëria, me qëllim që të mblidheshin në Jeruzalem;

8 në rast se dikush nuk do të vinte brenda tri ditëve sipas këshillës së krerëve dhe të pleqve, tërë pasuritë e tij do të konfiskoheshin dhe ai vetë do të përjashtohej nga asambleja e të kthyerve nga robëria.

9 Kështu gjithë burrat e Judës dhe të Beniaminit u mblodhën në Jeruzalem brenda tri ditëve. Ishte dita e njëzet e muajit të nëntë. Tërë populli zuri vend në sheshin e shtëpisë së Perëndisë, duke u dridhur nga shkaku i kësaj gjëje dhe nga shiu i fortë.

10 Atëherë prifti Ezdra u ngrit dhe u tha atyre: "Ju keni mëkatuar duke u martuar me gra të huaja dhe kështu e keni shtuar fajin e Izraelit.

11 Por tani rrëfehuni te Zoti, Perëndia i etërve tuaj, dhe bëni vullnetin e tij, duke u ndarë nga popujt e këtij vendi dhe nga gratë e huaja!".

12 Atëherë tërë asambleja u përgjigj dhe tha me zë të lartë: "Po, duhet të bëjmë ashtu siç thua ti!

13 Por populli është i madh në numër dhe është stina e shirave të mëdha; nuk është, pra, i mundur qëndrimi jashtë. Nuk është me siguri puna e një dite ose dy ditëve, sepse jemi të shumtë që kemi mëkatuar në këtë çështje.

14 Të mbeten këtu, pra, krerët tanë në vend të tërë asamblesë dhe të gjithë ata që në qytetet tona janë martuar me gra të huaja të vijnë në kohë të caktuara bashkë me pleqtë dhe me gjyqtarët e çdo qyteti, deri sa të largohet prej nesh zemërimi i zjarrtë i Perëndisë tonë për shkak të kësaj gjëje.

15 Vetëm Jonathani, bir i Asahelit, dhe Jaziahu, bir i Tikvahut, e kundërshtuan këtë propozim, të përkrahur nga Meshulami dhe nga Leviti Shabethai.

16 Kështu të kthyerit nga robëria vepruan siç ishte thënë dhe u zgjodhën prifti Ezdra dhe disa kryefamiljarë sipas shtëpive të tyre patriarkale, të tërë të caktuar me emër; ata filluan mbledhjet ditën e parë të muajit të dhjetë për të shqyrtuar rastet e ndryshme.

17 Ditën e parë të muajit të parë përfunduan tërë rastet e burrave që ishin martuar me gra të huaja.

18 Midis bijve të priftërinjve që ishin martuar me gra të huaja figuronin: nga bijtë e Jeshuas, biri i Jotsadakut, dhe midis vëllezërve të tij: Maasejahu, Eliezeri, Jaribi dhe Gedaliahu.

19 Ata u zotuan t'i ndanin gratë e tyre; pastaj, për shkak të fajit të tyre, secili paraqiti një dash për të shlyer mëkatin e tij.

20 Nga bijtë e Imerit: Hanani dhe Zebadiahu.

21 Nga bijtë e Harimit: Maasejahu, Elia, Shemajahu, Jehieli dhe Uziahu.

22 Nga bijtë e Pashurit: Elioenai, Maasejahu, Ishmaeli, Nethaneeli, Jozabadi dhe Elasahu.

23 Nga Levitët: Jozabadi, Shimei, Kelajahu, domethënë Kelita, Pethajahu, Juda dhe Eliezeri.

24 Nga këngëtarët: Eliashibi. Nga derëtarët: Shallumi, Telemi dhe Uri.

25 Midis Izraelitëve: bijtë e Paroshit: Ramiahu, Iziahu, Malkiahu, Mijamini, Eleazari, Malkiahu dhe Benajahu.

26 Nga bijtë e Elamit: Mataniahu, Zakaria, Jehieli, Abdi, Jeremothi dhe Elia.

27 Nga bijtë e Zatuit: Elioenai, Eliashibi, Mataniahu, Jeremothi, Zabadi dhe Aziza.

28 Nga bijtë e Bebait: Jehohanani, Hananiahu, Zabai dhe Athlai.

29 Nga bijtë e Banit: Meshulami, Maluku, Adajahu, Jashubi, Sheali dhe Ramothi.

30 Nga bijtë e Pahath-Moabit: Adnai, Kelali, Benajahu, Maasejahu, Mataniahu, Betsaleeli, Binui dhe Manasi.

31 Nga bijtë e Harimit: Eliezeri, Ishshijahu, Malkiahu, Shemajahu, Simeoni,

32 Beniamini, Malluku dhe Shemariahu.

33 Nga bijtë e Hashumit: Matenai, Matatahu, Zabadi, Elifeleti, Jeremai, Manasi dhe Shimei.

34 Nga bijtë e Banit: Maadai, Amrami, Ueli,

35 Benajahu, Bedejahu, Keluhi,

36 Vaniahu, Meremothi, Eliashibi,

37 Mataniahu, Matenai, Jaasai,

38 Bani, Binui, Shimei,

39 Shelemiahu, Nathani, Adajahu,

40 Maknadbai, Shashai, Sharai,

41 Azareli, Shelemiahu, Shemariahu,

42 Shalumi, Amariahu dhe Jozefi.

43 Nga bijtë e Nebos: Jeijeli, Matithiahu, Zabadi, Zebina, Jadai, Joeli dhe Benajahu.

44 Tërë këta ishin martuar me gra të huaja; dhe disa nga këta kishin pasur fëmijë nga këto gra.