Jakobi

Kapitulli: 1 2 3 4 5



Jakobi - Kapitulli 1

1 Jakobi, shërbëtor i Perëndisë dhe i Zotit Jezu Krisht, të dymbëdhjetë fiseve të shpërndarë nëpër botë: përshëndetje!

2 Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet,

3 duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri.

4 Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë.

5 Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t'i jepet.

6 Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar, sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era.

7 Dhe ky njeri të mos pandehë se do të marrë diçka nga Zoti,

8 sepse është një njeri me dy mendje, i paqëndrueshëm në gjithë rrugët e veta.

9 Dhe vëllai më i poshtmë le të madhështohet në lartësimin e tij,

10 dhe i pasuri në uljen e tij, sepse do të shkojë si lule bari.

11 Në fakt si lindi dielli me të nxehtit e tij dhe e thau barin, dhe lulja e tij ra dhe bukuria e pamjes së vet humbi: kështu do të fishket edhe i pasuri në udhët e tij.

12 Lum njeriu që ngulmon në provë, sepse kur del i aprovuar, do të marrë kurorën e jetës, të cilën Zoti ua premtoi atyre që e duan.

13 Askush kur tundohet të mos thotë: "Jam tunduar nga Perëndinë", sepse Perëndia nuk mund të tundohet nga e keqja, dhe ai vet nuk tundon asnjeri.

14 Por secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakminë e vet.

15 Pastaj lakmia, pasi mbarset, pjell mëkatin dhe mëkati, si të kryhet, ngjiz vdekjen.

16 Mos u mashtroni, vëllezërit e mi shumë të dashur;

17 çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave, pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi.

18 Ai na ngjizi me vullnetin e tij me anë të fjalës të së vërtetës, që ne të jemi në një farë menyrë fryti i parë i krijesave të tij.

19 Prandaj, vëllezërit e mi shumë të dashur, çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim,

20 sepse zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë.

21 Prandaj, hiqni çdo ndyrësi dhe mbeturinë ligësie, pranoni me butësi fjalën e mbjellë në ju, e cila mund të shpëtojë shpirtrat tuaj.

22 Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten.

23 Sepse nëse dikush është dëgjues i fjalës dhe jo bërës, ai i përngjan një njeriu që e shikon fytyrën e tij natyrale në një pasqyrë;

24 ai e shikon veten dhe pastaj ikën, duke harruar menjëherë si ishte.

25 Ndërsa ai që do të shikojë me vemendje ligjin e përsosur, i cili është ligji i lirisë, dhe ngulmon në të, duke mos qenë një dëgjues harraq, por një bërës i veprës, ai do të jetë i lumtur në veprimtarinë e vet.

26 Në qoftë se ndokush nga ju mendon se është fetar, edhe nuk i vë fre gjuhës së vet, sigurisht ai e mashtron zemrën e vet, feja e këtij është e kotë.

27 Feja e pastër dhe pa njollë përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: të vizitosh jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre dhe ta ruash veten të pastër nga bota.



Jakobi - Kapitulli 2

1 Vëllezër të mi, mos i lidhni preferencat personale me besimin e Zotit tonë Jezu Krisht, Zoti i lavdisë.

2 Sepse në qoftë se në asamblenë tuaj hyn një njeri me një unazë prej ari, me rroba të shkëlqyera, dhe hyn edhe një i varfër me një rrobë të fëlliqur,

3 dhe ju i drejtoni sytë nga ai që vesh rroben e shkëlqyer dhe i thoni: "Ti ulu këtu, në vendin e mirë", dhe të varfërit i thoni: "Ti rri atje, në këmbë", ose: "Ulu këtu, afër stolit të këmbëve të mia",

4 a nuk bëtë ju një dallim në mes tuaj, duke u bërë kështu gjykatës me mendime të këqija?

5 Dëgjoni, vëllezër të mi shumë të dashur, a nuk i zgjodhi Perëndia të varfërit e botës, që të jenë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që ua premtoi atyre që e duan?

6 Po ju i shnderuat të varfërit! A nuk janë vallë të pasurit ata që ju shtypin, dhe nuk janë këta ata që ju heqin nëpër gjykata?

7 A nuk janë ata që blasfemojnë emrin e lavdishëm që u thirr mbi ju?

8 Në qoftë se ju më të vërtetë e përmbushni ligjin mbretëror sipas Shkrimit: "Duaje të afërmin tënd si vetveten", bëni mirë;

9 por në qoftë se bëni preferenca personale, ju kryeni mëkat dhe dënoheni nga ligji si shkelës.

10 Sepse kushdo që e zbaton gjithë ligjin, por e shkel në një pikë, është fajtor në të gjitha pikat.

11 Sepse ai që ka thënë: "Mos shkel kurorën", ka thënë gjithashtu: "Mos vraj". Prandaj nëse ti nuk shkel kurorën, por vret, ti je shkelës i ligjit.

12 Prandaj të flisni e të veproni sikurse të duhej të gjykoheshit nga ligji i lirisë,

13 sepse gjyqi do të jetë pa mëshirë për atë që nuk ka treguar mëshirë; dhe mëshira triumfon mbi gjykimin.

14 Ç'dobi ka, vëllezër të mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi?

15 Dhe në qoftë se një vëlla ose një motër janë të zhveshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm,

16 dhe dikush nga ju u thothë atyre: "Shkoni në paqe! Ngrohuni dhe ngopuni", dhe nuk u jepni atyre gjërat për të cilat kanë nevojë për trupin, ç'dobi ka?

17 Po kështu është edhe besimi; në qoftë se s'ka vepra, është i vdekur në vetvete.

18 Po dikush do të thotë: "Ti ke besimin, dhe unë kam veprat"; më trego besimin tënd pa veprat e tua dhe unë do të të tregoj besimin tim me veprat e mia.

19 Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen.

20 Po, a dëshiron të kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa vepra është i vdekur?

21 Abrahami, ati ynë, a nuk u shfajësua me anë të veprave, kur e ofroi birin e vet, Isakun, mbi altar?

22 Ti e sheh se besimi vepronte bashkë me veprat e tij, dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u përsos.

23 Kështu u përmbush Shkrimi, që thotë: "Edhe Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi"; dhe u quajt miku i Perëndisë.

24 Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi.

25 Gjithashtu a nuk u shfajësua edhe Rahabi, lavirja, nga veprat, kur i priti të dërguarit dhe i përcolli nga një udhë tjetër?

26 Sepse, sikurse trupi pa frymën është i vdekur, ashtu edhe besimi, pa vepra, është i vdekur.



Jakobi - Kapitulli 3

1 Vëllezër të mi, mos u bëni shumë mësues, duke ditur se do të kemi një gjykim më të ashpër,

2 sepse të gjithë gabojmë në shumë gjëra. Në qoftë se dikush nuk gabon në të folur, është njeri i përsosur, dhe është gjithashtu i aftë t'i vërë fre gjithë trupit.

3 Ja, u vëmë fre në gojë kuajve, që të na binden, dhe ta drejtojmë kështu gjithë trupin e tyre.

4 Ja, edhe anijet, edhe pse janë shumë të mëdha dhe shtyhen nga erëra të forta, drejtohen nga një timon shumë i vogël, atje ku do timonieri.

5 Kështu edhe gjuha është një gjymtyrë e vogël, por mbahet me të madh. Ja, një zjarr i vogël ç'pyll të madh djeg!

6 Edhe gjuha është një zjarr, një botë paudhësie; ajo është vendosur midis gjymtyrëve tona, gjuha e fëlliq gjithë trupin, ndez ecjen e natyrës dhe ndizet nga Gehena.

7 Sepse çdo lloj bishash, shpendësh, zvaranikësh e kafshësh të detit mund të zbuten dhe janë zbutur nga natyra njerëzore,

8 kurse gjuhën asnjë nga njerëzit s'mund ta zbusë; është një e keqe e papërmbajtshme, plot me helm vdekjeprurës.

9 Me atë ne bekojmë Perëndinë dhe Atin, dhe me të ne mallkojmë njerëzit që janë bërë sipas shëmbëllimit të Perëndisë.

10 Nga e njejta gojë del bekimi dhe mallkimi. Vëllezër të mi, nuk duhet të ishte kështu.

11 Mos vallë burimi nxjerr nga e njejta vrimë ujë të ëmbël e të hidhur?

12 A mundet të prodhojë fiku ullinj, ose hardhia fiq? Kështu asnjë burim nuk mund të japë ujë të kripur dhe të ëmbël.

13 Kush është ndër ju i urtë dhe i ditur? Le të tregojë me sjellje të bukur veprat e tij me zemërbutësi të urtësisë.

14 Por në qoftë se ne zemrën tuaj keni smirë të hidhur dhe grindje, mos u mbani me të madh dhe mos gënjeni kundër së vërtetës.

15 Kjo nuk është dituri që zbret nga lart, por është tokësore, shtazore, djallëzore.

16 Sepse atje ku ka smirë dhe grindje, atje ka trazirë dhe gjithfarë veprash të këqija,

17 Kurse dituria që vjen nga lart, më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite.

18 Dhe fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që bëjnë paqen.



Jakobi - Kapitulli 4

1 Nga vijnë luftërat dhe grindjet te ju?. A nuk vijnë, nga pasionet që luftojnë ndër gjymtyrët tuaja?

2 Ju lakmoni dhe nuk keni, ju vrisni dhe keni smirë dhe nuk fitoni gjë; ju ziheni dhe luftoni, por nuk keni, sepse nuk kërkoni.

3 Ju kërkoni dhe nuk merrni, sepse kërkoni keqas që të shpenzoni për kënaqësitë tuaja.

4 O shkelës dhe shkelëse të kurorës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që don të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë.

5 Apo pandehni se Shkrimi thotë kot: "Fryma që rri në ne a lakmon deri në smirë"?

6 Por ai jep hir edhe më të madh; prandaj thotë: "Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve".

7 Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju!

8 Afrohuni te Perëndia dhe ai do t'ju afrohet juve; pastroni duart tuaja, o mëkatarë; dhe pastroni zemrat o njerëz me dy mendje!

9 Pikëllohuni, mbani zi dhe qani; të qeshurit tuaj le të kthehet në zi, dhe gëzimi në trishtim.

10 Përuluni përpara Zotit, dhe ai do t'ju lartësojë!

11 Mos flisni keq për njeri tjetrin, vë-llezër; ai që flet kundër vëllait dhe e gjykon vëllanë e vet, flet kundër ligjit dhe gjykon ligjin; dhe, po të gjykosh ligjin, ti nuk je zbatues i ligjit, por gjykatës.

12 Ka vetëm një Ligjdhënës, që mund të të shpëtojë ose të të çojë në humbje; por ti kush je që gjykon një tjetër?

13 Dhe tani, ju që thoni: "Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, dhe do të rrijmë atje një vit, do të tregtojmë dhe do të fitojmë",

14 ndërsa nuk dini për të nesërmen. Sepse ç'është jeta? Éshtë avull që duket për pak, dhe pastaj humbet.

15 Në vend që të thoni: "Në dashtë Zoti dhe në paçim jetë, ne do të bëjmë këtë ose atë gjë".

16 Ju, përkundrazi, mburreni në arrogancën tuaj; çdo mburrje e tillë është e keqe.

17 Ai, pra, që di të bëjë të mirë edhe nuk e bën, bën mëkat.



Jakobi - Kapitulli 5

1 Dhe tani ju, o pasanikë: qani dhe vajtoni për të këqijat që do t'ju zënë!

2 Pasuria juaj u kalb dhe rrobat tuaja i brejti tenja.

3 Ari dhe argjendi juaj u ndryshkën, dhe ndryshku i tyre do të jetë një dëshmi kundër jush dhe do t'ju përpijë mishërat si zjarr; keni mbledhur thesare në ditët e fundit.

4 Ja, paga që u keni ngrënë puntorëve që ju korrën arat, po këlthet; dhe klithmat e atyre që korrën, arritën në vesh të Zotit të ushtrive.

5 Jetuat mbi tokë ndër qejfe dhe shkapërderdhje; i ushqyet zemrat tuaja si për ditë të të therurit.

6 Dënuat dhe vratë të drejtin: ai nuk ju kundërshtoi.

7 Tani, pra, vëllezër, jini të durueshëm deri në ardhjen e Zotit; shikoni si e pret me durim bujku frytin e çmuar të tokës, deri sa të marrë shiun e parë dhe të fundit.

8 Jini të durueshëm edhe ju dhe forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit është afër.

9 Mos u ankoni nga njeri tjetri, vëllezër, që të mos dënoheni; ja, gjykatësi është te dera.

10 O vëllezër të mi, merrni si shembull vuajtjeje dhe durimi profetët, që folën në emër të Zotit.

11 Ja, ne shpallim të lum ata që duruan; ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti është plot mëshirë e dhembshuri.

12 Dhe, para së gjithash, vëllezër të mi, mos bëni be as për qiellin as për dheun, as mos bëni ndonjë be tjetër; por le të jetë "po" -ja juaj "po" dhe "jo" -ja "jo", që të mos bini nën dënim.

13 A vuan ndonjë nga ju? Le të lutet. A është i gëzuar ndokush? Le të këndojë psalme!

14 A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit,

15 dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë; dhe nëse ka bërë mëkate, ato do t'i falen.

16 Rrëfeni fajet njeri tjetrit dhe lutuni për njeri tjetrin, që të shëroheni; shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt.

17 Elia ishte një njeri me të njëtat pasionet tona, dhe u lut intensivisht që të mos binte shi, edhe nuk ra shi mbi dhe për tre vjet e gjashtë muaj.

18 Dhe u lut përsëri dhe qielli dha shi edhe dheu dha frytin e vet.

19 Vëllezër, në qoftë se ndonjë nga ju del nga rruga e së vërtetës dhe dikush e kthen,

20 le ta dijë se ai që e kthen mëkatarin nga të gabuarit e rrugës së tij, do të shpëtojë një shpirt nga vdekja dhe do të mbulojë një shumicë mëkatesh.