Osea

Kapitulli: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14



Osea - Kapitulli 1

1 Fjala e Zotit që iu drejtua Oseas, birit të Beerit, në ditët e Uziahut, të Jothamit, të Ashazit dhe të Ezekias, mbretit të Judës, në ditët e Jeroboamit, birit të Joasit, mbret i Izraelit.

2 Kur Zoti filloi t'i flasë Oseas, Zoti i tha atij: "Shko, merr për grua një prostitutë dhe ki fëmijë të kurvërisë, sepse vendi po kurvërohet duke u larguar nga Zoti".

3 Kështu ai shkoi dhe mori për grua Gomeren, bijën e Diblaimit, e cila u mbars dhe i lindi një djalë.

4 Atëherë Zoti i tha: "Vëri emrin Jezreel, sepse brenda një kohe të shkurtër unë do të marr hak për gjakun e derdhur në Jezreel mbi shtëpinë e Jehut dhe do t'i jap fund mbretërimit të shtëpisë së Izraelit.

5 Po atë ditë do të ndodhë që unë do të thyej harkun e Izraelit në luginën e Jezreelit".

6 Ajo u mbars përsëri dhe lindi një vajzë. Atëherë Zoti i tha Oseas: "Vëri emrin Lo-ruhamah, sepse nuk do të kem më mëshirë për shtëpinë e Izraelit, por do t'i heq të gjithë.

7 Përkundrazi do të kem dhembshuri për shtëpinë e Judës dhe do t'i shpëtoj me anë të Zotit, Perëndisë së tyre; nuk do t'i shpëtoj me harkun as me shpatën apo me betejën, as me kuajt ose me kalorësit".

8 Kur zvordhi Lo-ruhamahen, ajo u mbars dhe lindi një djalë.

9 Atëherë Zoti i tha Oseas: "Vëri emrin Lo-ami, sepse ju nuk jeni populli im dhe unë nuk jam Perëndia juaj.

10 Megjithatë numri i bijve të Izraelit do të jetë si rëra e detit, që nuk mund të matet as të llogaritet. Dhe do të ndodhë që në vend që t'u thuhet atyre: "Ju nuk jeni populli im", do t'u thuhet atyre: "Jeni bijtë e Perëndisë së gjallë".

11 Pastaj bijtë e Judës dhe bijtë e Izraelit do të bashkohen tok, do të zgjedhin për veten e tyre një prijës të vetëm dhe do të dalin jashtë vendit të tyre, sepse e madhe do të jetë dita e Jezreelit".



Osea - Kapitulli 2

1 "U thoni vëllezërve tuaj: "Ami", dhe motrave tuaja "Ruhamah".

2 Protestoni kundër nënës suaj, protestoni, sepse ajo nuk është gruaja ime dhe unë nuk jam burri i saj. Le të heqë nga fytyra e saj shenjat e prostitucioneve të saj dhe shenjat e shkeljeve të kurorës nga sisët e saj;

3 përndryshe do ta zhvesh lakuriq dhe do ta bëj si në ditën e lindjes së saj; do ta katandis në një shkreti, do ta bëj si një tokë të zhuritur dhe do ta bëj të vdesë nga etja.

4 Nuk do të kem mëshirë për bijtë e saj, sepse janë bij prostitucioni.

5 Nëna e tyre u kurvërua në fakt, ajo që është ngjizur është sjellë në mënyrë të turpshme, sepse ka thënë: "Do t'u shkoj pas dashnorëve të mi, që më japin bukën time dhe ujin tim, leshin tim dhe lirin tim, vajin tim dhe pijen time".

6 Prandaj ja, do të të zë rrugën me ferra, do ta mbyll me një mur dhe kështu nuk do të gjejë më shtigjet e saj.

7 Do të rendë pas dashnorëve të saj, por nuk do t'i arrijë; do t'i kërkojë, por nuk do t'i gjejë. Atëherë do të thotë: "Do të kthehem te burri im i parë, sepse për mua ishte më mirë atëherë se tani".

8 Ajo nuk kuptoi që unë i jepja grurë, musht dhe vaj dhe shtoja argjendin dhe arin e saj, që ata i ofronin Baalit.

9 Prandaj unë do të marr përsëri grurin tim në kohën e vet dhe mushtin tim në stinën e vet; do t'i heq leshin tim dhe lirin tim, që shërbenin për të mbuluar lakuriqësinë e saj.

10 Atëherë do të zbuloj turpet e saj në sytë e dashnorëve të saj dhe askush nuk do ta shpëtojë nga dora ime.

11 Gjithashtu do t'u jap fund gëzimeve të saj, festave të saj, hënave të reja të saj, të shtunave të saj dhe gjithë solemniteteve të saj.

12 Do të shkatërroj pastaj vreshtat e saj dhe fiqtë e saj për të cilët ajo thoshte: "Këto janë dhuratat që më kanë dhënë dashnorët e mi". Kështu do t'i katandis në një shkurrnajë dhe kafshët e fushave do t'i hanë.

13 Do ta dënoj pastaj për ditët e Baalit, kur u digjte atyre temjan, kur zbukurohej me vathë dhe me xhevahire dhe u shkonte pas dashnorëve të saj, por më harronte mua", thotë Zoti.

14 "Prandaj, ja, unë do ta tërheq pas meje, do ta çoj në shkretëtirë dhe do t'i flas zemrës së saj.

15 Atëherë do t'i jap vreshtat e saj dhe luginën e Akorit si portë e shpresës; atje ajo do të këndojë si në ditët e rinisë së saj, ashtu si veproi kur dolin nga vendi i Egjiptit.

16 Atë ditë do të ndodhë, thotë Zoti, që ti do të më quash: "Burri im", dhe nuk do të më quash më: "Baali im".

17 Do të heq nga goja e saj emrat e Baalëve dhe nuk do t'i kujtojnë më emrat e tyre.

18 Atë ditë do të bëj për ta një besëlidhje me kafshët e fushave, me shpendët e qiellit dhe me rrëshqanorët e tokës. Do të thyej harkun, shpatën dhe luftën duke i eliminuar nga toka dhe do të bëj të prehen të qetë.

19 Do të fejohesh me mua përjetë; do të fejohesh me mua në drejtësi, në paanshmëri, në mirësi dhe në dhembshuri.

20 Do të fejohesh me mua në besnikëri, dhe ti do të njohësh Zotin.

21 Atë ditë do të ndodhë që unë do të përgjigjem", thotë Zoti. "Do t'i përgjigjem qiellit dhe ky do t'i përgjigjet tokës;

22 dhe toka do të përgjigjet me grurin, mushtin dhe vajin, dhe këta do t'i përgjigjen Jezreelit.

23 Unë do të mbjell për vete mbi tokë dhe do të më vijë keq për Lo-ruhamahun; dhe do t'i them Lo-amit: "Ti je populli im", dhe ai do më përgjigjet: "Ti je Perëndia im"".



Osea - Kapitulli 3

1 Zoti më tha akoma: "Shko dhe dashuro një grua të dashuruar nga një dashnor dhe që është shkelëse e kurorës, ashtu si Zoti i do bijtë e Izraelit, megjithëse ata u drejtohen perëndive të tjera dhe pëlqejnë reçelin e rrushit".

2 Kështu unë e bleva për pesëmbëdhjetë sikla argjendi dhe për një homer e gjysmë elbi,

3 dhe i thashë: "Ti do të rrish shumë ditë me mua; nuk do të kurvërohesh dhe nuk do të jesh e asnjeriut; po kështu do të veproj unë me ty".

4 Sepse bijtë e Izraelit do të rrinë shumë ditë pa mbret, pa kryetar, pa flijim dhe pa shtyllë të shenjtë, pa efod dhe pa idhuj të shtëpisë.

5 Pastaj bijtë e Izraelit do të kthehen dhe do të kërkojnë Zotin, Perëndinë e tyre, dhe Davidin, mbretin e tyre, dhe do të kthehen duke u dridhur tek Zoti dhe te mirësia e tij në mbarim të ditëve.



Osea - Kapitulli 4

1 Dëgjoni fjalën e Zotit, o bij të Izraelit, sepse Zoti ka një konflikt me banorët e vendit: "Nuk ka në fakt as sinqeritet, as mëshirë dhe as njohje të Perëndisë në vend.

2 Nuk bëhet tjetër përveç shpërbetimeve, gënjeshtrave, vrasjeve, vjedhjeve, shkeljeve të kurorës, shkeljeve të çdo kufizimi dhe derdhet gjak mbi gjak.

3 Për këtë shkak vendi do të jetë në zi dhe tërë banorët e tij do të vuajnë, bashkë me kafshët e fushës dhe me shpendët e qiellit; madje edhe peshqit e detit do të eliminohen.

4 Megjithatë askush të mos kundërshtojë, askush të mos qortojë tjetrin, sepse populli yt është si ai që grindet me priftin.

5 Prandaj ti do të pengohesh ditën dhe profeti gjithashtu do të pengohet natën bashkë me ty; dhe unë do të shkatërroj nënën tënde.

6 Populli im vdes për mungesë njohurish. Duke qenë se ti ke refuzuar njohjen, edhe unë do të të refuzoj si prifti im; duke qenë se ti ke harruar ligjin e Perëndisë tënd, edhe unë do të harroj bijtë e tu.

7 Sa më tepër janë shumuar, aq më tepër kanë mëkatuar kundër meje; do ta kthej lavdinë e tyre në turp.

8 Ata ushqehen me mëkatin e popullit tim dhe e lidhin zemrën e tyre me paudhësinë e tij.

9 Si për popullin ashtu do të jetë edhe për priftin: unë do t'i dënoj ata për sjelljen e tyre dhe do t'i shpërblej për veprat e tyre.

10 Do të hanë, por nuk do të ngopen; do të kurvërohen, por nuk do të shtohen; sepse kanë hequr dorë nga dëgjimi i Zotit.

11 Prostitucioni, vera dhe mushti të lënë pa mend.

12 Populli im konsulton idhujt e tij prej druri dhe shkopi i tij i jep udhëzime, sepse fryma e prostitucionit i devijon, dhe ata kurvërohen, duke u shmangur nga Perëndia e tyre.

13 Ata bëjnë flijime mbi majat e maleve, djegin temjan ndër kodra, nën lisin, plepin dhe bafrën, sepse hija e tyre është e këndshme. Prandaj bijat tuaja kurvërohen dhe nuset e bijve tuaj shkelin kurorën.

14 Nuk do t'i dënoj bijat tuaja në se kurvërohen, as nuset e bijve tuaj në se shkelin kurorën, sepse ata vetë veçohen me prostitutat dhe ofrojnë flijime bashkë me prostitutat e tempujve; prandaj njerëzia që nuk ka mend do të vdesë.

15 Në qoftë se ti, Izrael, kurvërohesh, Juda nuk ka faj. Mos shkoni në Gilgal, mos u ngjitni në Beth-aven dhe mos u betoni duke thënë: "Ashtu si Zoti rron".

16 Sepse Izraeli është kokëfortë si një mëshqerrë kryeneçe, tani Zoti do ta kullotë si një qengj në një vend të hapur.

17 Efraimi u bashkua me idhujt, lëre të veprojë.

18 Edhe kur qejfet e tyre kanë mbaruar, kryejnë vazhdimisht kurvërime; krerët e tyre e duan shumë turpin.

19 Era i ka lidhur në krahët e vet dhe atyre do t'u vijë turp për flijimet e tyre".



Osea - Kapitulli 5

1 "Dëgjoni këtë, o priftërinj, kushtojini kujdes ju të shtëpisë së Izraelit, vini veshin, o shtëpi e mbretit; sepse ky gjykim është kundër jush. Në fakt ju keni qenë një lak në Mitspah dhe një rrjetë e shtrirë mbi Tabor.

2 Ata që devijojnë kanë rënë thellë në masakër, por unë do t'i dënoj të gjithë.

3 Unë e njoh Efraimin, dhe për mua Izraeli nuk është aspak i panjohur; tani, o Efraim, ti je kurvëruar; Izraeli është ndotur.

4 Veprimet e tyre nuk u lejojnë atyre të kthehen te Perëndia i tyre, sepse fryma e kurvërimit është në mes të tyre dhe nuk njohin Zotin.

5 Por kryelartësia e Izraelit dëshmon kundër tij; prandaj Izraeli dhe Efraimi do të bien për shkak të paudhësisë së tyre, dhe bashkë me ta do të bjerë edhe Juda.

6 Me kopetë e tyre dhe me tufat e tyre do të shkojnë në kërkim të Zotit, por nuk do ta gjejnë; ai është tërhequr prej tyre.

7 Kanë vepruar me mashtrim kundër Zotit, sepse kanë bërë fëmijë me shkelje të kurorës; tani një muaj i vetëm do t'i hajë ata dhe vendin e tyre.

8 I bini bririt në Gibeah, i bini borisë në Ramah, jepni alarmin në Beth-aven; armikun e ke prapa krahëve të tua, o Beniamin.

9 Efraimi do të shkretohet ditën e ndëshkimit; midis fiseve të Izraelit unë të bëj të ditur një gjë të sigurt.

10 Krerët e Judës janë si ata që zhvendosin kufijtë; unë do ta derdh zemërimin tim mbi ta si uji.

11 Efraimi është një shtypës dhe një shkelës i drejtësisë, sepse ka ndjekur me vendosmëri urdhrat njerëzore.

12 Prandaj unë do të jem për Efraimin si një tenjë dhe për shtëpinë e Judës si një karies.

13 Kur Efraimi pa sëmundjen e tij dhe Juda plagën e tij, Efraimi shkoi në Asiri dhe i dërgoi lajmëtarë mbretit Jareb; megjithatë ai nuk mund t'ju shërojë as t'ju mjekojë plagën.

14 Sepse unë do të jem për Efraimin si një luan dhe për shtëpinë e Judës si një luan i vogël; unë, unë vetë do ta shqyej dhe do të largohem; do të marr me vete prenë dhe askush nuk do të ma heqë.

15 Do të kthehem në vendin tim deri sa të njohin që janë fajtorë dhe do të kërkojnë me siguri fytyrën time; në mjerimin e tyre do të më kërkojnë me zell".



Osea - Kapitulli 6

1 Ejani, të kthehemi tek Zoti, sepse ai na ka copëtuar, por do të na shërojë; na ka goditur, por do të na mbështjellë.

2 Mbas dy ditësh do të na japë përsëri jetë, ditën e tretë do të na ringjallë dhe ne do të jetojmë në prani të tij.

3 E njohim Zotin, të përpiqemi ta njohim më mirë; ardhja e tij është e sigurt si agimi. Ai do të na vijë si shiu, si shiu i fundit dhe i parë mbi tokë.

4 "Çfarë duhet të bëj me ty, o Efraim? Çfarë duhet të bëj me ty, o Judë? Dashuria juaj është si një re e mëngjesit, si vesa që në mëngjes zhduket shpejt.

5 Prandaj i kam prerë me anë të profetëve, i kam vrarë me fjalët e gojës sime dhe gjykimet e mia për ju janë si drita që lind.

6 Sepse unë dëshiroj mëshirë dhe jo flijimet, dhe njohjen e Perëndisë më shumë se olokaustet.

7 Por, si Adami, ata kanë shkelur besëlidhjen, kanë vepruar me mashtrim ndaj meje.

8 Galaadi është një qytet keqbërësish dhe i përlyer me gjak.

9 Ashtu si bandat e cubave rrinë në pritë për një njeri, kështu një turmë priftërinjsh masakron në rrugën e Sikemit, kryen gjëra të kobshme.

10 Në shtëpinë e Izraelit pashë diçka të neveritshme: atje kurvërohet Efraimi, atje ndotet Izraeli.

11 Edhe për ty, o Judë, është rezervuar një korrje, kur do ta kthej popullin tim nga robëria".



Osea - Kapitulli 7

1 "Kur dëshiroja të shëroja Izraelin, atëherë u zbulua paudhësia e Efraimit dhe ligësia e Samarisë, sepse veprojnë me falsitet: vjedhësi hyn, një bandë vjedhësish bën sulme jashtë.

2 Atyre nuk u shkon në mend që unë nuk e harroj gjithë ligësinë e tyre. Tani veprimet e tyre i rrethojnë nga çdo anë; ato qëndrojnë para fytyrës sime.

3 Me ligësitë e tyre gëzojnë mbretin dhe me gënjeshtrat e tyre krerët e tyre.

4 Janë të gjithë shkelës të kurorës, si një furrë e ngrohur nga furrtari, që nuk e nxit më zjarrin mbasi ka brumosur miellin deri sa të vijë brumi.

5 Në ditën e mbretit tonë, krerët e kanë bërë të sëmuret afshin e verës; mbreti u ka shtrirë dorën tallësve.

6 Ndërsa rrinë në pritë, ata e përgatitin zemrën e tyre si një furrë; furrtari i tyre fle tërë natën, dhe në mëngjes furra e tyre të djeg me një zjarr flakërues.

7 Të gjithë janë të zjarrtë si një furrë dhe i hanë gjykatësit e tyre; gjithë mbretërit e tyre kanë rënë, por asnjë prej tyre nuk më kërkon.

8 Efraimi përzihet me popujt, Efraimi është një kulaç i pakthyer.

9 Të huajt gllabërojnë forcën e tij, por ai nuk e vë re; po flokët e kokës kanë ngjyrë të përhime, por ai nuk i vë re.

10 Kryelartësia e Izraelit dëshmon kundër tij, sepse ata nuk kthehen tek Zoti, Perëndia i tyre, nuk e kërkojnë megjithëatë.

11 Efraimi është një pëllumbeshë budallaçkë, pa mend; ata thërresin Egjiptin, shkojnë në Asiri.

12 Ndërsa shkojnë, do të shtrij mbi ta rrjetën time dhe do t'i bëj që të rrëzohen si zogjtë e qiellit; do t'i ndëshkoj, siç u paralajmërua në asamblenë e tyre.

13 Mjerë ata, sepse janë larguar prej meje! Shkatërrim për ta, sepse janë rebeluar kundër meje! Unë do të doja t'i shpengoja, por ata thonë gënjeshtra kundër meje.

14 Ata nuk më thërresin me zemrën e tyre, por ankohen në shtratin e tyre. Mblidhen bashkë për grurin dhe verën dhe rebelohen kundër meje.

15 Megjithëse i kam dënuar dhe kam përforcuar krahët e tyre, ata thurin të keqen kundër meje.

16 Ata kthehen, por jo te Shumë i Larti; janë si një hark që gabon; krerët e tyre do të bien nga shpata për shkak të tërbimit të gjuhës së tyre; kjo do t'i bëjë qesharakë në vendin e Egjiptit".



Osea - Kapitulli 8

1 "Bjeri borisë! Armiku do të vërsulet mbi shtëpinë e Zotit si një shqiponjë, sepse kanë shkelur besëlidhjen time dhe kanë marrë nëpër këmbë ligjin tim.

2 Izraeli do të më bërtasë: "O Perëndia im, ne të njohim!".

3 Izraeli ka hedhur poshtë të mirën, armiku do ta ndjekë.

4 Kanë bërë mbretër disa, por jo sipas dëshirës sime; kanë caktuar krerë, por pa dijeninë time; me argjendin e tyre dhe me arin e tyre kanë bërë idhuj, me qëllim që të shkatërrohen.

5 Ai ka hedhur poshtë viçin tënd, o Samari. Zemërimi im u ndez kundër tyre. Deri kur do të jenë të paaftë për pastërti?

6 Edhe ky viç vjen nga Izraeli; e ka bërë një artizan dhe nuk është një perëndi; prandaj viçi i Samarisë do të bëhet copë-copë.

7 Meqenëse mbjellin erë, do të korrin furtunë. Kërcelli i grurit nuk do të bëjë kalli dhe nuk do të prodhojë grurë; edhe në se do të prodhojë, do ta hanë të huajt.

8 Izraelin po e gllabërojnë; ata janë bërë midis kombeve si një vazo e përçmuar.

9 Sepse janë ngjitur në Asiri, si një gomar i egër që jeton i vetmuar. Efraimi gjeti dashnorë me anë dhuratash.

10 Megjithëse ka gjetur dashnorë midis kombeve, tani unë do t'i mbledh dhe do të fillojnë të pakësohen nën barrën e mbretit të princave.

11 Sepse Efraimi ka shumuar altarët për të mëkatuar, ata janë bërë për të altare mëkati.

12 Kam shkruar për të gjërat e mëdha të ligjit tim, por ato u konsideruan si një gjë e çudishme.

13 Sa për flijimet që më ofrojnë, ata bëjnë fli mish dhe e hanë; por Zoti nuk i pëlqen. Tani ai do të kujtojë paudhësinë e tyre dhe do të ndëshkojë mëkatet e tyre: ata do të kthehen në Egjipt.

14 Izraeli ka harruar atë që e ka bërë dhe ka ndërtuar pallate; Juda ka shumuar qytetet e fortifikuara; por unë do të dërgoj zjarrin mbi qytetet e tij, i cili do t'i gllabërojë kështjellat e tij".



Osea - Kapitulli 9

1 Mos u gëzo, o Izrael, për të ngazëlluar si popujt e tjerë, sepse je kurvëruar duke u larguar nga Perëndia yt; ke dashur pagesën e prostitutës në të gjithë lëmenjtë e grurit.

2 Lëmi dhe trokulli nuk do t'i ushqejnë dhe mushti do t'i lërë të zhgënjyer.

3 Ata nuk do të banojnë në vendin e Zotit, por Efraimi do të kthehet në Egjipt dhe në Asiri do të hanë ushqime të papastra.

4 Nuk do t'i bëjnë më libacione vere Zotit dhe flijimet e tyre nuk do të pëlqehen prej tij. Do të jenë për ta si një ushqim zie; kushdo që do ta hajë do të ndotet, sepse buka e tyre do të vlejë për t'i mbajtur në jetë, nuk do të hyjë në shtëpinë e Zotit.

5 Çfarë do të bëni në ditët solemne dhe në ditët e kremtimit të Zotit?

6 Sepse ja, ndonëse i kanë shpëtuar shkatërrimit, Egjipti do t'i mbledhë bashkë, Mofi do t'i varrosë; gjërat e tyre të çmuara prej argjendi do t'i pushtojnë hithrat, dhe në çadrat e tyre do të rriten ferrat.

7 Kanë ardhur ditët e ndëshkimit, kanë ardhur ditët e shpagimit; Izraeli do ta mësojë. Profeti është një i pamend, njeriu i frymës flet përçart, për shkak të madhësisë së paudhësisë sate dhe të madhësisë së armiqësisë sate.

8 Roja e Efraimit është me Perëndinë tim, por profeti yt është një lak i gjuetarit të zogjve në të gjitha rrugët e tij; ka armiqësi në shtëpinë e Perëndisë së tij.

9 Ata u korruptuan thellë si në ditët e Gibeahut; por ai do ta mbajë mend paudhësinë e tyre, do të ndëshkojë mëkatet e tyre.

10 "Unë gjeta Izraelin si rrushi në shkretëtirë, pashë etërit tuaj si fiqtë e parë mbi një fik të ri. Por, mbasi arritën në Baal-peor, u dhanë pas poshtërsisë dhe u bënë të neveritshëm si ajo që ata donin.

11 Lavdia e Efraimit do të fluturojë si zog; nuk do të ketë më lindje, as barrë, as mbarsje.

12 Edhe sikur të rritin bijtë e tyre, unë do t'i lë pa ata, deri sa të mos mbetet më asnjë njeri; po, mjerë ata kur të largohem prej tyre!

13 Efraimi, duke shikuar nga Tiro, është vendosur në një vend të këndshëm; por Efraimi duhet t'ia çojë bijtë e tij atij që do t'i vrasë".

14 Jepu atyre, o Zot... Çfarë do t'u japësh atyre? Jepu atyre një bark që dështon dhe gji të shterura.

15 Gjithë ligësia e tyre është në Gilgal; atje fillova t'i urrej. Për shkak të ligësisë së veprimeve të tyre do t'i dëboj nga shtëpia ime, nuk do t'i dua më; tërë krerët e tyre janë rebelë.

16 Efraimi është goditur, rrënja e tij është tharë; ata nuk do të japin më fryt. Po, edhe sikur të kenë fëmijë, unë do të bëj që frytet e dashur të vdesin që në bark.

17 Perëndia im do t'i hedhë poshtë, sepse nuk e kanë dëgjuar. Dhe ata do të shkojnë duke u endur midis kombeve.



Osea - Kapitulli 10

1 Izraeli ishte një vresht i harlisur, që jepte fryt për veten e tij; sa më tepër rritej fryti i tij, aq më tepër i shumonte altarët e tij; sa më i pasur ishte vendi i tij, aq më të bukura i bënte shtyllat e tij të shenjta.

2 Zemra e tyre është gënjeshtare; tani do të marrin ndëshkimin për të. Ai do të rrëzojë altarët e tyre, do të shkatërrojë shtyllat e tyre të shenjta.

3 Po, tani do të thonë: "Nuk kemi më mbret, sepse nuk kemi pasur frikë nga Zoti; por edhe mbreti çfarë do të mund të bënte për ne?".

4 Thonë fjalë, betohen me të rreme kur lidhin besëlidhjen; prandaj ndëshkimi lulëzon si kukuta në brazdat e arave.

5 Banorët e Samarisë do të drithërohen për viçin e Beth-avenit, sepse populli i tij do të mbajë zi për të dhe priftërinjtë e tij që gëzoheshin me të do të dridhen, mbasi lavdia u largua prej tij.

6 Vetë idhullin do ta çojnë në Asiri si një dhuratë për mbretin mbrojtës. Efraimi do të turpërohet dhe Izraeli do të koritet për planet e tij.

7 Sa për Samarinë, mbreti i saj do të zhduket si shkuma mbi ujë.

8 Edhe vendet e larta të Avenit, mëkati i Izraelit, do të asgjësohen; ferra dhe gjemba do të rriten mbi altarët e tyre. Atëherë do t'u thonë maleve: "Na mbuloni!", dhe kodrave: "Na bini përsipër!".

9 "Që nga ditët e Gibeahut ti ke mëkatuar, o Izrael. Atje u ndalën; në Gibeah beteja kundër të bijve të paudhësisë nuk i arriti.

10 Kur të më pëlqejë, do t'i ndëshkoj; popujt do të mblidhen kundër tyre, kur t'i lidh për të dy paudhësitë e tyre.

11 Efraimi është si një mëshqerrë e stërvitur mirë, së cilës i pëlqen të shijë grurin, por unë do të vë zgjedhën mbi qafën e saj të bukur; do ta lidh Efraimin me parmendën, Juda do të lërojë, Jakobi do të thërmojë plisat".

12 Mbillni për vete sipas drejtësisë, korrni sipas dhemshurisë, lëroni arën tuaj të lënë djerrë, sepse është koha për të kërkuar Zotin, derisa ai të vijë dhe përhapë mbi ju drejtësinë.

13 Ju keni lëruar ligësinë, keni korrur paudhësinë, keni ngrënë frytin e gënjeshtrës. Duke qenë se ti u ke besuar rrugëve të tua, në turmën e trimave të tu,

14 një trazirë do të lindë në mes të popullit tënd dhe të gjitha fortesat e tua do të shkatërrohen ashtu si Shalmani shkatërroi Beth-arbelin, ditën e betejës, kur nëna u bë copë-copë mbi bijtë.

15 Kështu do të ndodhë me ty, o Bethel, për shkak të ligësisë suaj të pamasë. Në mëngjes mbreti i Izraelit do të shkatërrohet krejt.



Osea - Kapitulli 11

1 "Kur Izraeli ishte fëmijë, unë e desha dhe nga Egjipti thirra birin tim.

2 Sa më shumë i thërrisnin profetët, aq më tepër janë larguar prej tyre, u kanë bërë flijime Baalëve dhe u kanë djegur temjan figurave të gdhendura.

3 Unë vetë i mësova Efraimit të ecë, duke e mbajtur nga krahët; por ata nuk e kuptuan që unë po i shëroja.

4 Unë i tërhiqja me litarë të dashamirësisë njerëzore, me lidhje dashurie; isha për ta si ai që e ngre zgjedhën nga qafa e tyre, dhe përulesha për t'u dhënë të hanë.

5 Izraeli nuk do të kthehet në vendin e Egjipti; por Asiri do të jetë mbreti i tij, sepse nuk kanë pranuar të konvertohen.

6 Shpata do të bjerë mbi qytetet e tij, do të shkatërrojë shufrat e tyre dhe do t'i hajë për shkak të planeve të tyre të këqija.

7 Populli im synon të largohet nga unë; megjithatë e thërresin Shumë të Lartin, asnjë prej tyre nuk e përlëvdon.

8 Si mund të të braktis, o Efraim, ose të të lë në dorë të të tjerëve, o Izrael? Si mund të të bëj si Admahu, ose të të katandis si Tseboimi? Zemra ime ngashërohet brenda meje, dhemshuria ime ndizet e tëra.

9 Nuk do ta shfryj zemërimin tim të zjarrtë, nuk do të shkatërroj përsëri Efraimin, sepse jam një Perëndi dhe jo një njeri, i Shenjti midis teje dhe nuk do të vij me zemërim.

10 Ata do të ndjekin Zotin, që do të vrumbullojë si një luan; kur do të vrumbullojë, bijtë e tij do të rendin drejt tij nga perëndimi duke u dridhur.

11 Do të rendin duke u dridhur si zogjtë nga Egjipti dhe si pëllumbesha nga vendi i Asirisë; unë do t'i bëj të banojnë në shtëpitë e tyre", thotë Zoti.

12 Efraimi më qarkon me gënjeshtra dhe shtëpia e Izraelit me mashtrin. Edhe Juda është akoma i pabindur ndaj Perëndisë dhe të Shenjtit që është besnik.



Osea - Kapitulli 12

1 Efraimi ngopet me erë dhe shkon pas erës së jugut; çdo ditë shumon gënjeshtrat dhe dhunën; bën aleancë me Asirinë dhe çon vaj në Egjipt.

2 Zoti është gjithashtu në grindje me Judën dhe do ta ndëshkojë Jakobin për sjelljen e tij; do ta shpërblejë sipas veprave të tij.

3 Në gjirin e nënës mori vëllain e vet nga thembra dhe me forcën e tij luftoi me Perëndinë.

4 Po, luftoi me Engjëllin dhe fitoi; qau dhe iu lut shumë. E gjeti në Bethel, dhe atje ai foli me ne,

5 domethënë Zoti, Perëndia i ushtrive, emri i të cilit është Zoti.

6 Prandaj ti kthehu te Perëndia yt, vepro me dhembshuri dhe ndershmëri dhe ki gjithnjë shpresë te Perëndia yt.

7 Efraimi është një tregtar që mban në dorë kandarë jo të saktë dhe i pëlqen të mashtrojë.

8 Efraimi thotë: "Edhe jam begatuar, kam grumbulluar pasuri; në të gjitha mundimet e mia, nuk do të gjejnë tek unë asnjë paudhësi që të jetë mëkat".

9 "Por unë jam Zoti, Perëndia yt, qysh nga vendi i Egjiptit. Do të të bëj që të banosh akoma në çadra si në ditët solemne.

10 U fola profetëve, kam shtuar vegimet dhe me anë të profetëve kam përdorur krahasime".

11 Në qoftë se Galaadi jepet pas idhujtarisë, me siguri do të katandiset në asgjë. Sepse në Gilgal flijojnë dema, altarët e tyre do të jenë me siguri si grumbuj gurësh gjatë brazdave të arave.

12 Jakobi iku në fushën e Sirisë dhe Izraeli shërbeu për një grua, për një grua u bë rojtar dhensh.

13 Me anë të një profeti, Zoti e nxori Izraelin nga Egjipti, dhe Izraeli u ruajt nga një profet.

14 Efraimi provokoi hidhët zemërimin e tij, prandaj Zoti i tij do të bëjë që mbi të të bjerë gjaku i derdhur dhe do të bëjë që mbi të të kthehet turpi i tij.



Osea - Kapitulli 13

1 Kur Efraimi fliste me të dridhura, e lartonte vetveten në Izrael, por kur u bë fajtor me Baalin, ai vdiq.

2 Tani vazhdojnë të mëkatojnë, dhe me argjendin e tyre kanë bërë një mori figurash të derdhura, idhuj sipas kuptimit të tyre, të gjitha vepra artizanësh. Për ta thuhet: "Njerëzit që ofrojnë flijime le të puthin viçat".

3 Prandaj do të jenë si një re mëngjesore, si vesa që në mëngjes zhduket shpejt, si byku që e merr era nga lëmi, si tymi që del nga oxhaku.

4 "Megjithatë unë jam Zoti, Perëndia yt, që nga vendi i Egjiptit; ti nuk duhet të pranosh tjetër Perëndi veç meje dhe nuk ka tjetër Shpëtimtar jashtë meje.

5 Unë të njoha në shkretëtirë, në tokën e thatësirës së madhe.

6 Kur kishin kullotë, ngopeshin; kur ngopeshin, zemra e tyre krenohej; prandaj më kanë harruar.

7 Kështu unë do të jem për ta si një luan, do të rri në pritë mbi rrugë si leopard;

8 do t'i sulmoj si një arushë që ia kanë marrë këlyshët dhe t'u çaj kafazin e kraharorit; do t'i ha si një luaneshë, bishat e fushave do t'i shqyejnë.

9 Ti je shkatërruar, o Izrael, sepse je kundër meje, kundër ndihmës sate.

10 Ku është tani mbreti yt, që të mund të të shpëtojë në të gjitha qytetet e tua? Ku janë gjykatësit e tu për të cilët thoshje: "Nëm një mbret dhe disa krerë"?

11 Të kam dhënë një mbret në zemërimin tim dhe ta mora përsëri në tërbimin tim.

12 Paudhësia e Efraimit është mbyllur në vend të të sigurt, mëkati i tij mbahet i fshehur.

13 Dhembje grash që lindin do të vinë mbi të. Éshtë një bir pa mend, sepse nuk duhet të qëndrojë gjatë në vendin ku dalin fëmijët.

14 Unë do t'i shpengoj nga pushteti i Sheolit, do t'i shpëtoj nga vdekja. O vdekje, unë do të jem murtaja jote. O Sheol, unë do të jem shkatërrimi yt. Pendimi është fshehur nga sytë e mi.

15 Edhe në rast se është frytdhënës midis vëllezërve të tij, do të vijë nga shkretëtira era e lindjes, do të ngrihet nga shkretëtira era e Zotit, atëherë burimi i tij do të thahet, gurra e tij do të shterojë. Ai do të plaçkitë thesarin e çdo ene të çmuar.

16 Samaria do të shkretohet, sepse ka ngritur krye kundër Perëndisë të saj. Do të bien nga shpata; fëmijët e tyre do të bëhen copë-copë dhe grave të tyre me barrë do t'u çajnë barkun".



Osea - Kapitulli 14

1 O Izrael, kthehu tek Zoti, Perëndia yt, sepse ke rënë poshtë për shkak të paudhësisë sate.

2 Merrni me vete disa fjalë dhe kthehuni tek Zoti. I thoni: "Largo çfarëdo paudhësi dhe prano atë që është e mirë, dhe ne do të ofrojmë flijimet e buzëve tona.

3 Asiria nuk do të na shpëtojë, nuk do të hipim më mbi kuaj dhe nuk do t'i themi më veprës së duarve tona: "Ti je perëndia ynë", sepse pranë teje jetimi gjen dhemshuri".

4 "Unë do të shëroj shthurjen e tyre, do t'i dua shumë, sepse zemërimi im u tërhoq prej tyre.

5 Do të jem si vesa për Izraelin; dhe ai do të lulëzojë si zambaku dhe do t'i zgjatë rrënjët e tij në thellësi si kedrat e Libanit.

6 Degët e tij do të zgjaten, bukuria e tij do të jetë si ajo e ullirit, aroma e tij do të jetë si ajo e Libanit.

7 Ata që jetojnë në hijen e tij do të kthehen dhe do të rigjallërohen si gruri, do të lulëzojnë si hardhia dhe do të jenë të famshëm si vera e Libanit.

8 Efraimi do të thotë: "Çfarë më lidh më me idhujt?". Unë do ta kënaq dhe do të kujdesem për të. Unë jam si një selvi përherë e blertë; fryti yt vjen te unë".

9 Kush është i urtë, t'u kushtojë kujdes këtyre gjërave. Kush ka mend le t'i kuptoje ato. Sepse rrugët e Zotit janë të drejta; të drejtët do të ecin nëpër to, por shkelësit do të rrëzohen.