shqiptarortodoks.com - albanianorthodox.com
Fan S. Noli Kisha shqiptare Bibla shqip Albanologji Foti Cici

EJANI TEK UNË...


At Nikodhimos Janakopulos





EJANI TEK UNË...

Përafrim në Misterin e Pendesës dhe të Rrëfimit







“Ejani tek unë të gjithë sa jeni të lodhur e të ngarkuar,
edhe unë do tju shplodh...
mësoni prej meje se jam i butë dhe i përulur në zemër,
dhe do të gjeni prehje në shpirtrat tuaj”
(Mattheu, 11: 28-30)




Përktheu nga greqishtja, At Foti Cici (1996)

Kalamata, 1991







Parathënie




Ky libër i vogël nuk përbën ndonjë studim teologjik. U shkrua për të ndihmuar një bashkësi misionare, konkretisht misionin ortodoks të Koresë së Jugut. Prandaj dhe është i shkurtër, i thjeshtë dhe përmbledhës, me elementë themelorë për pendimin dhe rrëfimin. E botojmë dhe ia japim popullit të Perëndisë me bindjen se mund të ndihmojë shumë vëllezër dhe motra për të afruar dhe për të njohur këtë mister njeridashës. Të bëhet shkas për ti çuar drejt rrëfimit që të marrin hirin shpëtimtar të Shpirtit të Tërëshenjtë. Sepse besojmë ato çka beson edhe kisha jonë e shenjtë: pendimi është rruga e vetme për të kaluar çdo njeri në portën e qiellit. Të takojë Zotin dhe Shpëtimtarin tonë njeridashës dhe të bëhet trashëgimtar i mbretërisë së Tij të përjetshme.




At Nikdhimos Janakpulos
17 nëntor 1991
E kremte e Atit tonë oshënar dhe hyjprurës
Andonit të Madh







HYRJE



Predikimi i Ungjillit filloi me një ftesë: “Pendohuni...”. “Pendohuni, sepse u afrua mbretëria e qiejve” (Mattheu, 3: 2). Me këtë ftesë shën Joani, Pararendësi dhe Pagëzori i Zotit tonë, fillon predikimin në Jordan. Me të njëjtat fjalë fillon predikimin e tij edhe Zoti ynë Jezu Krisht në Kapernaum (Mat. 4: 12-17). Krishti vetë është Mbreti i mbretërisë së re, i Mbretërisë së Qiejve. Ai u trupëzua/mishërua dhe u bë njeri i njëllojtë me ne sipas të gjithave, pëveç mëkatit, për të na afruar dhe për të na bashkuar me veten, dhe për të na udhëhequr drejt atit tonë qiellor. Të na falë atë që na mori mëkati: kungimin me Perëndinë tonë trinik.

Ky kungim me Trininë e Tërëshenjtë realizohet brenda kishës sonë të shenjtë, të cilën e krijoi Krishti ynë që të jetë trupi i tij mbi tokë dhe nëpërmjet saj të qëndrojë ai vetë dhe të shtrihet në të gjithë shekujt.

Integrimi ynë personal në trupin e Krishtit, në Kishë, realizohet me Pagëzimin e shenjtë. Dhe këtë e marrim atëherë kur afrohemi me besim tek Krishti, i cili është drita e vërtetë, e cila mohon errësirën e paditurisë dhe të gënjeshtrës.

Me pagëzimin tonë bëhemi pjesë të trupit të Krishtit dhe banesa të Shpirtit të Shenjtë. Ulemi dhe në tryezën shpirtërore, në Meshën Hyjnore, dhe ushqehemi me trupin hyjnor dhe gjakun e Zotit Krisht. Kështu përparojmë me dinamizëm në transformimin e ekzistencës sonë. Me ecurinë e vazhdueshme shpirtërore “duke u transformuar nga lavdia në lavdi” (II Korinthianët, 3:18), përparojmë në ngjitje drejt përsosmërisë dhe hyjëzimit/perëndizimit. Që të transformohemi dhe të njësohemi me arketipin tonë, Jezu Krishtin.

Por kjo ecuri nuk është gjithmonë e qëndrueshme dhe gjithmonë në ngjitje. Shumë herë ndodh edhe e kundërta. Largohemi nga Zoti. Humbasim komunikimin e vazhdueshëm me të. Ndjekim, shumë herë, atë që urren shpëtimin tonë dhe mëkatojmë. Mëkati, çdo mëkat që na ndan nga Zoti, ngre një mur midis nesh dhe Atij. “Sepse mëkatet tuaja hapën një humnerë midis jush e Zotit tuaj, mëkatet tuaja ia zunë fytyrën që Ai juve të mos ju shohë”, thotë profeti Isaia (Is. 59:2).

Është me të vërtetë shumë i mjerueshëm fakti, që njeriu i cili shijoi gjithë hirin e Pagëzimit dhe dashurinë e Zotit njeridashës, u bë gostar në Meshën Hyjnore, të ikij larg dhe të bëhet armik i Perëndisë (Jakovi, 4:4). Por do të ishte shumë më e mjerueshme nëse njeriu, i gënjyer nga armiku u shpëtimit tonë, mëkatonte dhe nuk kishte më shpresë shpëtimi. Zoti ynë njeridashës, duke ditur se mendja e njeriut “ndodhet brenda së keqes qysh në të ri të tij”, na ofron mundësinë e pajtimit dhe të kthimit të tij në shtëpinë tonë atërore me anë të Misterit të madh të Pendesës dhe të Rrëfimit. Me këtë shfuqizohet mëkati dhe marrëdhëniet e kungimit me Perëndinë rivendosen.

Me tre misteret/sakramentet kryesore, Pagëzimin, Mirosjen dhe Eukaristinë Hyjnore, ndjekim ecjen dinamike të ripërtëritjes, të transformimit dhe të hyjëzimit. Me misterin e Pendesës dhe të Rrëfimit korrigjojmë ecurinë tonë, mjekojmë plagët tona, kthehemi në familjen e Zotit (Kisha) dhe zhdukim vdekjen shpirtërore, e cila preku shpirtin tonë dhe kërcënoi shpëtimin tonë.

Prandaj Pendesa dhe Rrëfimi është Misteri më se njeridashës. Është shfaqja e dashurisë hyjnore tek fëmija i dërrmuar dhe i plagosur i Perëndisë, tek pjesa e sëmurë e trupit të Krishtit.

Në faqet që vijojnë do të shohim se çështë Misteri i Pendimit dhe Rrëfimit, si duhet të bëhet, cilat janë efektet dhe frutet e tij. Por para se të përparojmë tek këto, do të shohim se çështë mëkati dhe cilat janë rezultatet e tij.



MËKATI




Çështë mëkati?

Shenjtori dhe apostulli Joan shkruan në Letrën I të Përgjithshme të tij: “Kushdo që bën mëkatin bën dhe paligjësinë, sepse mëkati është paligjësia” (I Joani, 3:4). Domethënë mëkati cilësohet si paligjësi. Ligj është vullneti i Perëndisë. Na udhëheq drejt rrugës së shpëtimit, në bindjen ndaj Krishtit. Paligjësi është gjendja e rebelizmit kundër vullnetit të Zotit. Është ajo që vjen ndesh me vetë shpëtimin tonë, ashtu siç u shfaq ai nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht dhe siç na u dorëzua me Shkrimin e Shenjtë dhe traditshmërinë e Kishës sonë. Është akoma largim nga kisha dhe misteret e saj të shenjta. Është gjendje mëvetësie, ku njeriu jeton i vetëm, pa Perëndinë. Zoti është jeta. Ndarja nga Zoti është ndarje nga jeta. Mëkati, si rrjedhojë, është vdekje, dhe madje e përjetshme. Shën Jakovi, vëllai i Zotit, na thotë: “Dëshira kur mbarset lind mëkatin, dhe mëkati kur kryhet sjell vdekjen” (1:15).

Edhe Vasili i Madh thekson: “Tëhuajtja dhe largimi nga Zoti është më tepër e padurueshme dhe më e rëndë se të gjitha skëterrat që na presin. Ajo që është për syrin privimi i dritës dhe për trupin e gjallë privimi i jetës, kjo është tëhuajtja nga Perëndia” (Dispozitat në Gjerësi, II 9126). “Sepse “fruti i mëkatit është vdekja. Zoti është jeta, privimi i jetës vdekja.” (Fjalë asketike, MPG 31869). Prandaj dhe vetëdija e mëkatit i sjell shpirtit dhembje të madhe. Le të kujtojmë apostull Petron/Pjetrin. Kur ai u ndërgjegjësua për mëkatin e tij, mohimin tri herë të Krishtit, “doli jashtë dhe qau hidhur” (Mat. 26:75).


Mëkati i parë

Mëkati i parë u krye brenda në Parajsë, kur Adami dhe Eva, të nxitur nga djalli, shkelën porosinë e Zotit. I besuan mashtrimit të djallit, se do të bëhen të barabartë me Perëndinë, duke shkelur porosinë e Tij. “U gënjye qëmoti Adami dhe ndërsa deshte të bëhej Perëndi, nuk u bë”, psal kisha jonë ortodokse (Lavdimore e festës së Ungjëllizimit). Kjo paligjësi ishte përcaktuese në marrëdhëniet e njerëzve të parë me Zotin. Shkaktoi rënien, domethënë ndarjen e njeriut nga Zoti, ndërpreu ecurinë e njeriut drejt hyjnizimit.

Kështu hyu në jetën tonë mëkati dhe fruti i tij, vdekja (Rom. 5:12-14). Tashmë të gjithë njerëzit lindemi mëkatarë, sepse u fut në jetën tonë si një sëmundje tjetër, në organizmin tonë, në natyrën tonë. “Mëkati e sëmuri natyrën tonë” (Vasili i Madh). Mëkati dhe vdekja u bënë trashëgimia e rëndë për gjininë njerëzore. U desh të bëhej njeri vetë Fjala Perëndi, të trupëzohej prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari (Besorja), që të shpëtohet njeriu, të shërohet natyra jonë, dhe të rikthehemi në kungimin me Perëndinë. Të shembet muri ndarës i mëkatit dhe i vdekjes. “Ai u trupëzua që ne të hyjëzohemi” (Athanasi i Madh, Fjala mbi mishërimin e Fjalës).

Pagëzimi, jo vetëm shlyen e zhduk mëkatin dhe e largon nga vdekja e përjetshme, por dhe na bashkon me Perëndinë, në trupin Njeri-Perëndi të Krishtit. Domethënë bashkohemi me trupin e tij dhe me gjakun e tij. Bëhemi pjesë të trupit të tij.



PENDESA



Pasi Zoti i njeh dobësitë tona njerëzore dhe sa lehtë mëkatojmë dhe ndahemi nga ai, na dha edhe pagëzim të dytë. Na dha misterin njeridashës të Pendesës dhe Rrëfimit. Çka është pagëzimi për atë që hyn në kishën ortodokse, i njëjtë është dhe misteri i Pendesës dhe Rrëfimit prë të krishterin ortodoks që mëkaton.

Me misterin e pendesës dhe të rrëfimit fitojmë përsëri mundësinë për tiu afruar Zotit tonë dhe për të jetuar afër tij. Sepse me anë të këtij misteri falen të gjitha mëkatet tona. Bëhemi përsëri të pastër nga çdo ndotësi, nga çdo molepsje. Prandaj dhe ky mister quhet edhe banjë. Profeti Isaia në Dhjatën e Vjetër thërret: “Lahuni dhe pastrohuni” (Is. 1:16) dhe “atëherë ejani të pleqërohemi, thotë Zoti. Edhe në qofshin mëkatet tuaja kuq i gjaku, do të bëhet të bardhë si bora” (Is. 1:18).

Pastrimi i shpirtit tonë nga çdo mëkat bëhet me hirin e Shpirtit të Shenjtë. Ashtu si në pagëzim shpirti i shenjtë vepron dhe transformon ujin e thjeshtë në ujë rilindjeje dhe shpëtimi, kështu edhe në misterin e pendesës dhe të rrëfimit hiri i Shpirtit të Shenjtë fal të gjitha mëkatet.

Mbas këtyre mund të themi se pendimi është mohimi i çdo mëkati me gjithë zemër dhe me gjithë fuqitë tona. Është ndryshimi i dëshirave, emocioneve dhe mendimeve të huaja ndaj vullnetit të Zotit. Njëkohësisht është një mohim i mëkatit në përgjithësi dhe veçanërisht i rënieve tona konkrete, i pasioneve dhe dobësive tona, dhe vendimi i palëkundur për të mos u rikthyer më në jetën e mëparshme.

Një përshkrim i mrekullueshëm i bëhet mëkatit dhe pendimit në parabolën e Birit Plangprishës (Lluka, 15:11-24). Djali më i vogël kërkon nga i ati atë që i përket. Ikën nga shtëpia atërore. Përfundimi? Në vendin e largët shpërndan gjithë sa ka, bëhet shërbëtor, bari derrash tek sundimtari i pamëshirshëm (djalli) dhe vdes urie. Largimi nga Zoti nuk të çon në liri. Të çon në robërim ndaj pasioneve dhe përfundimisht në tiraninë çnjerëzore të djallit. I ndodhur në këtë gjendje plangprishësi përmendet (vjen në vete) dhe sjell ndërmend shtëpinë atërore. Merr vendimin për tu kthyer pranë të atit (Zotit). Dhe vendimin e bën vepër. Kthehet pranë tij (Pendimi). Ati e sheh së largu. Vrapon, e përqafon, e puth (Mirëdashja dhe dashuria e Perëndisë). Biri plangprishës pohon se mëkatoi dhe se nuk është i denjë të quhet biri i tij (Rrëfimi). Por Ati, sikur të mos dëgjonte rrëfimin e tij, jep urdhër ta veshin me stolinë e parë, ti mbathin këpucë e ti vënë unazë në dorë (shenjë e cilësisë mbretërore), e fut në shtëpi (rivendosje), flijon viçin e majmë (Eukaristia hyjnore) dhe e bën pjesëtar të haresë qiellore.

Pa dyshim mëkati na ndan nga Zoti. Domethënë është, siç theksuam më sipër, një mospranim për të bashkëjetuar me Krishtin. Kur u pagëzuam pohuam para Kishës dhe para besimtarëve se “e mohojmë djallin... dhe bashkohemi me Krishtin (Shërbesa e Pagëzimit). Mohim do të thonë të largohesh nga një formacion ushtarak. Me anë të pagëzimit ikij nga pushteti i Djallit (“A e mohon Satanain, dhe gjithë ëngjëjt e tij, dhe gjithë mburrjen e tij?”) dhe rreshtohem në ushtrinë e Krishtit (“bashkohem me Krishtin”) (“u bashkova me Krishtin”).

Kjo do të thonë se mohoj pushtetin e djallit dhe futem në ushtrinë e Krishtit duke u bërë pjesëmarrës në jetën e Kishës. Në qoftë se mbas pagëzimit mëkatoj, ikij kështu nga pushteti i Krishtit dhe rikthehem në pushtetin e djallit. Me pendimin e mohoj përsëri pushtetin e djallit dhe rikthehem përsëri në pushtetin dhe ushtrinë e Zotit tonë Jezu Krisht.

Nga sa më sipër, duket qartë se pendimi është marrëveshje e dytë me Krishtin. Është kthim në formacionin e tij ushtarak të të shpëtuarve. Prandaj dhe pendimi është nevojë e domosdoshme dhe themelore për shpëtimin tonë. Pa pendimin shpëtimi është i pamundur.



RRËFIMI



Pendimi është pjesa e parë e Misterit. Do të thoshnim akoma më mirë se është parakushti i ndjesës së mëkateve tona. Pjesa e dytë dhe kryesore është rrëfimi. Domethënë rrëfimi para shpirtërorit (priftit ose peshkopit) me sinqeritet dhe qartësi i mëkateve që kemi kryer, i pasioneve të këqija që na luftojnë dhe i mangësive që kemi në jetën shpirtërore.

Shpirtërori, i cili ka hirin e atësisë shpirtërore, domethënë është at shpirtëror i besimtarëve, zotëron pozitën dhe vendin e Krishtit. Sepse vetëm Krishti mund të falë mëkate. “Kush mund të falë mëkate përveç vetëm Perëndisë?” (Lluka 5:21). Ai u dha nxënësve pushtetin për të falur mëkate duke u dhënë hirin e Shpirtit të Shenjtë. “Mbasi u tha këtë, fryjti dhe u thotë atyre: Merrni Frymë të Shenjtëruar. Atyre që do tua falni mëkatet u janë falur, atyre që do tua mbani u janë mbajtur (Joani, 20:22-23). Dhe nëpërmjet nxënësve tek pasardhësit e tyre gjer më sot.

Shën Joan Gojarti thotë: “Atyre që banojnë mbi dh dhe kalojnë jetën e tyre mbi të, u është lejuar që të qeverisin qielloret dhe morën pushtetin të cilin Perëndia nuk ua dha as ëngjëjve dhe as kryeëngjëjve. Prandaj dhe nuk u tha atyre (ëngjëjve) “sa do të zgjidhni në tokë do të jenë të zgjidhura dhe në qiell”. Edhe pushtetarët që synojnë dheun kanë sigurisht pushtet për të lidhur, por vetëm për trupat. Ndërsa kjo lidhje (shpirtërore) prek vetë shpirtin dhe arrin gjer në qiell; ato që kryjnë poshtë (në tokë) priftërinjtë, këto Zoti i miraton lart, dhe mendimin e shërbëtorëve e vërteton Zoti. Kush mund të jetë më i madh nga ky pushtet? Gjithë pushtetin Ati ia dha Birit, por shoh se gjithë ky pushtet është dhënë në duart e tyre nga Biri” (Joan Gojarti, Fjala III mbi Priftërinë, Migne P.G. 48, 643).

Gjatë çasteve të rrëfimit rrëfehemi para Zotit, i cili është i pranishëm padukurisht dhe pranon pendimin tonë. Prandaj dhe rrëfimi duhet të bëhet me zemër të dërrmuar. Në ato çaste i tregojmë plagët mjekut të shpirtit tonë. Sado dhembje dhe turp që të ndjejmë, duhet ti tregojmë të gjitha me përulësi dhe sinqeritet. Në lidhje me këtë, Vasili i Madh shkruan: “Rrëfimi i mëkateve tona ka të njëjtën rëndësi që ka dhe dëftimi i plagëve trupore. Ashtu si plagët e trupit nuk ia tregojmë çdo njeriu, por vetëm mjekëve me përvojë që janë të aftë për të na shëruar, kështu dhe rrëfimi i mëkateve duhet të bëhet tek ata (etër shpirtërorë) që munden të na shërojnë...” (Dispozita përmbledhëse, 229, EPE, Veprat e Vasilit të Madh, Vëll. 9, f. 140). Nuk lejohet të mbajmë të fshehtë asgjë në ato çaste. Sepse çdo plagë që mbetet e patreguar, ajo mbetet e pashëruar.

Në lidhje me këtë një at tjetër thotë: Anjë mëkat nuk mbetet i pafalur përveç të papenduarit (Shën Isaku i Sirisë). Nuk gjykohemi, thotë shën Mark Heremiti, për numrin e e madh të mëkateve tona, por sepse nuk duam të pendohemi dhe të njohim mrekullitë e Krishtit. Shpirti ynë ka një thellësi të padukshme. Askush nuk e njeh veten tonë më mirë se vetë ne. Por thellësinë e shpirtit as ne nuk e njohim mirë. Ajo duhet ndriçuar me dritën e Shpirtit të Shenjtë. Duhet të dalin në dritë të gjitha. Të gjitha sa infektojnë shpirtin, të vogla ose të mëdha, duhet tia tregojmë atit shpirtëror. Vetëm një zemër e pastër mundet të ndriçohet nga drita e Shpirtit të Shenjtë. Dhe vetëm një zemër e tillë mund të marrë denjësisht, sipas mundësisë njerëzore, Trupin e Tërëshenjtë dhe Gjakun e Zotit tonë me Kungimin Hyjnor, dhe ta ketë Krishtin “banues dhe njenjës” brenda saj (Shën Simeoni, Teologu i Ri). Vetëm një zemër i pastër mund të shohë Perëndinë (Mat. 5:8).


Si bëhet rrëfimi?

Para rrëfimit dhe gjatë tij duhet lutje e nxehtë, që të na ndriçojë Zoti dhe të rrëfehemi ashtu siç do Ai. Para së gjithash është e nevojshme përgatitja. Kërkohet një kontroll i vetes sonë. “Së pari, thotë shën Joan Gojarti, të bësh gjygj me shpirtin tënd”. Të ulesh e të hetosh me kujdes: Veprimet, fjalët dhe mendimet e tua. Dëshirat që lindin në zemër. Shih me kujdes se çfarë do më tepër. Nëse dashuria dhe mirënjohja jote karshi Perëndisë, që bën për ty kaq shumë, është e madhe dhe e pakufi, apo mos le mënjanë që të vyshken dashuria, besimi dhe shpresa tek Zoti. Mos vallë, qoftë dhe për pak, e lë veten dhe jetën tënde, të varen nga sende dhe situata të kësaj bote.

Pastaj heto hollësisht veten tënde: Cilat porosi të Zotit nuk i ruajte. Cilat shkele. Ku mëkatove. Çfarë duhet të bëje dhe nuk bëre. Nëse mëkaton ndaj Zotit, vëllait dhe vetes tënde.

Çfarë situatash ekzistojnë në zemrën tënde. Cilat dëshira mbizotërojnë. Çfarë mendimesh të vijnë. Nëse ato janë mendime hyjnore a mos janë të kundërta dhe demoniake. Akoma se çfarë pasionesh vihen në lëvizje brenda teje dhe të robërojnë.

Mbasi hetove me kujdes dhe sinqeritet veten tënde, shkruaj në një copë letër ato që mblodhe nga ky kërkim. Shko tek ati shpirtëror dhe rrëfeji të gjitha, duke mos mbajtur asgjë të fshehtë. Shtroji të gjitha me saktësi dhe pa ekzagjerime.

Përpiqu të mos justifikosh aspak veten tënde. Mos mendo se dikush tjetër e ka fajin për mëkatin tënd. Merr përsipër përgjegjësinë për çdo mëkat tëndin, sepse ti e kryejte, me vullnetin tënd.

Rrëfimin duhet ta bësh me shumë përulësi. Me frikën e shenjtë të Perëndisë në zemër. Sepse me mëkatet e tua u tregove e padenjë për dashurinë dhe dhuratat e Tij hyjnore. Por edhe me bindje të plotë se të pranon dhe është i gatshëm të të fusë me dashuri të pafund në shtëpinë e tij atërore, në Mbretërinë e Tij dhe në gëzimin e Tij. Të të pranojë përsëri si fëmijë të dashur në komunikim të plotë dhe të përsosur me Të. Të lajë me hirin e Tij shpirtin dhe trupin, duke u pastruar që të dy nga çdo papastërti.

Në të njëjtën kohë duhet të marrësh vendimin për të mos përsëritur të njëjtat mëkate. Të vendosësh me gjithë zemër për të mos kryer asnjë mëkat, të luftosh për të kryer me gatishmëri porositë e Perëndisë dhe të kultivosh çdo virtyt.


Qortimet

Ati yt shpirtëror, i cili ndodhet siç thamë në pozitën e Zotit tonë Jezu Krisht, do të të këshillojë se si të luftosh, si të korrigjohesh. Dëgjoi këshillat e tij, si të jenë nga goja e Zotit.

Ka të ngjarë të të japë edhe ndonjë qortim. Domethënë si mjek i mirë do të të japë edhe ilaçin përkatës, për të ndihmuar një mjekimin e përsosur të shpirtit. Pranoji atao me mirënjohje dhe përpiqu ti ruash me përpikmëri. Do të të ndihmojnë shumë në luftën shpirtërore. Qortimet kurrë nuk janë dënim. Por as na shfajësojnë në sytë e Zotit. Janë, e përsërisim, barna dhe gara shpirtërore, të cilat do të na ndihmojnë në mënyrë të efektshme në jetën tonë shpirtërore.


Ndjesa e mëkateve

Në fund ati shpirtëror do të lexojë uratën e ndjesës, faljen. Si meshar i Kishës, do ti lutet Zotit dhe Shpëtimtarit tonë të falë çdo mëkat. Dhe Zoti padukurisht, por me të vërtetë i pranishëm, vetë ai fal mëkatet tona. “Çtë falni mbi dh, do të jenë falura dhe në qiell” (Mat. 18:18). E tmerrshme kjo fjalë e Zotit. “Çfarë vendos shpirtërori në atë çast këtu në tokë, i vë vulën Perëndia në qiell”, thotë shën Joan Gojarti.

Kështu realisht dhe me të vërtetë mëkatet falen, shpirti pastrohet dhe Zoti me fuqitë ëngjëllore të pafund, gëzohet. “Gëzim bëhet para ëngjëjve të Perëndisë për një mëkatar që pendohet” (Lluka 15:10). Dëshiron të banojë një një shpirt të tillë, të pastër. E rivendos në marrëdhëniet e fëmijës me atin. Njeriu hyn në hapësirën e birësisë. Shumë bukur theksohet kjo në parabolën e Birit Plangprishës (Lluka, 5:11-32). Kur djali i shthurur rikthehet tek i ati, ai që e pret me agoni, vrapon drejt tij, e përqafon dhe e puth. E fut së fundi në shtëpinë atërore dhe e pranon si bir të vërtetë, duke flijuar viçin e majmë. Domethënë e ul në tryezën qiellore, e vendos pranë tij dhe e bën pjesëtar të Trupit dhe të Gjakut të Birit të tij. E bën “trashëgimtar të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtar të Jezu Krishtit”.


Mbas rrëfimit

Misteri i Pendesës dhe Rrëfimit u krye. Shpirti u pastrua nga çdo mëkat. U bë i bardhë, ashtu siç ishte pas pagëzimit. Çduhet bërë këtej e tutje?

Që të ruajë besimtari i rrëfyer të pastër veten e tij nevojitet kujdes i madh. Sepse në qoftë se neglizhon, rrezikohet të bjerë në të njëjtat mëkate ose edhe në mëkate më të këqija. Prandaj mbas rrëfimit duhet të fillojë një luftë shpirtërore më intensive. Pikësëpari kërkohet kujdes i madh në veten tonë. Në mendimet toan dhe në zemrën tonë. Të sigurohemi me anë të përulësisë dhe njëkohësisht të duam më tepër Zotin tonë. “Të duash Zotin Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë fuqinë tënde” (Marku, 12:30). Kjo dashuri na afrom më tepër me atë që duam, me personin e Zotit tonë. Duhet ta duam me mirënjohje. Sepse na njohu me të vërtetën e Tij dhe na udhëhoqi në kishën e Tij të shenjtë ortodokse. Por edhe sepse, ndërsa ne mëkatuam, Ai nuk na braktisi, por na pranoi përsëri pranë tij dhe na fali mëkatet.

Shprehje e kësaj dashurie dhe mirënjohjeje duhet të jetë lutja e vazhdueshme dhe e pandërprerë. Mendja, zemra dhe trupi i duhet të hyjnë brenda lutjes. Gjithë qenia jonë duhet të mbushet me lutje.

Bashkë me lutjen duhet të përpiqemi vazhdimisht për të ruajtur porositë e Zotit. Të punojmë për kultivimin e virtyteve. Veçanërisht, kur na lufton një pasion konkret, të luftojmë në virtytin përkatës. Të lufton zemërimi? Lufto për të fituar butësinë. Të lufton pasioni i cmirës dhe i urrejtjes kundër vëllait tënd? Lufto për të fituar dashurinë për të dhe përulësinë. Kështu pendimi vazhdon dhe mbas rrëfimit, si ecuri drejt Perëndisë. Në lidhje me këtë, shën Joan Gojarti thotë: “Ashtu si ari bëhet më i pastër në zjarr, kështu edhe me pendimin e vazhdueshëm, duhet ti bëjmë shpirtrat tanë më të nxehtë dhe më të pastër.” Edhe gjetkë shkruan: “Pendim është jo vetëm të largohemi nga të këqijat e mëparshme, por të paraqesim në vijim të mira më të mëdha. Sepse Shkrimet na thonë, “Bëni pemë që u kanë hije atyre që pendohen. Po si mund të bëjmë pemë të tilla? Në qoftë se bëjmë të mira të ndërsjellta, virtytet e ndërsjellta” (MPG 57, 183).

Edhe shën Mark Heremiti thekson: “Besoj se vepra e pendimit realizohet dhe tërësohet brenda këtyre tri porosive. Të shkatërrojmë mendimet e këqija, të lutemi pa pushim, dhe të durojmë vuajtjet që na vijnë me besim tek Zoti. Këto virtyte nuk kanë vetëm punë të jashtme, por dhe punë të brendshme mendore. Dhe kur i kultivojmë ato brenda nesh, na çojnë në pandjesi.

Meqënëse me arritjen e këtyre tre vyrtyteve përmbushet vepra e pendimit, prandaj besoj se pendimi iu lipset të gjithëve, edhe mëkatarëve, edhe të drejtëve. Të githë atyre që duan të arrijnë shpëtimin (Migne, PG 65, 976). Dhe një shenjtor tjetër thotë, “Pendimi i jep jetë atij që nekrotizohet nga mëkati. Ai (pendimi) është tipar i rilindjes dhe ngadhnjim i Ngjalljes” (Migne, PG 79, 184).

Por edhe në qoftë se djalli na mashtron dhe mëkatojmë përsëri, nuk duhet të dëshpërohemi. Menjëherë le të rendim tek Misteri njeridashës. Zoti e di qëllimin tonë, ndjek luftën tonë. Mëse mëkatojmë, kjo është diçka njerëzore, por në qoftë se dëshpërohemi dhe nuk pendohemi, kjo është e djallit. “Fëmijtë e mi, jua shkruaj këto që të mos mëkatoni. Edhe nëse ndonjëri mëkaton, kemi kush të lutet tek Ati; Jezu Krishtin e drejtë. Sepse ai u flijua për të na çliruar ne nga mëkatet, dhe bile jo vetëm për mëkatet tona por të së gjithë botës” (I Joani, 2:1-2).

“Të qash për mëkatet. Sepse ato janë sëmundja e shpirtit, janë vdekja e të pavdekshmit (e shpirtit). Prandaj ia vlen hidhërimi dhe vajtimi i pareshtur. Për mëkatet duhet të rrjedhë çdo lot dhe të lëshohen nga thellësitë e shpirtit rënkime pa pushim.” (Vasili i Madh, drejtuar martires Julita, EPE, vëll. 71, f. 234)


Qëllimi përfundimtar

Cili është qëllimi përfundimtar i Pendimit dhe i Rrëfimit? Sigurisht pastrimi nga çdo mëkat. Por vetëm kjo nuk e përmbush qëllimin e jetës sonë. Këmisha e pastër, rroba e martesës, është premisë për “darkën e dasmës së Qengjit” (Zbulesa, 19:9). Qëllimi është kungimi me Zotin tonë Jezu Krisht, hyrja jonë me të në mbretërinë e tij.

Unaza dhe parashija e kësaj hyrjeje është Mesha Hyjnore dhe Kungimi i Trupit dhe Gjakut të Zotit tonë. Brenda meshës hyjnore realizohet qysh tani bashkimi ynë me Prijësin e shpëtimit tonë. Bëhemi gostarë me apostujt e shenjtë, me dëshmorët e shenjtë, oshënarët dhe të drejtët. Bëhemi “bashkëtrupas” dhe “bashkëgjakës” me Krishtin. Cilido që kungon trupin dhe gjakun zotëror bashkohet realisht dhe me të vërtetë me Zotin. Bëhet fis i tij, me trup dhe me gjak. Ka Krishtin banues të zemrës së tij. Shën Simeoni, Teologu i Ri, thotë: “Çështë kjo çudi! Të shikoj tek banon brenda meje, më flet dhe më befason; më lë të shtangur me habinë që shkakton lavdia jote e papërshkrueshme” (Shën Simeoni, Teologu i Ri, Himne, S.C. 174, 112).

Shën Joan Gojarti nënvizon se besimtari që kungon denjësisht, me ndërgjegje të pastër dhe vetëdije të thellë, trupin dhe gjakun e Zotit, bëhet frikësues ndaj demonëve. Le ta dëgjojmë: “Çfarë armësh, pra, sajoi për ne, për të luftuar kundër armiqve? Jo vetëm armë, por edhe tryezë, e cila është më e fortë se çdo armë, në mënyrë që të mos lodhemi duke luftuar por ta luftosh armikun duke ngrënë me ngazëllim. Sepse në qoftë se të sheh armiku tek kthehesh nga darka zotërore frikësohet dhe ikën shpejt nga era, të shikon sikur sheh një luan që nxjerr flakë nga goja. Dhe nëse tregon gjuhën që është e gjakosur me gjakun e çmuar as të qëndrojë në këmbë nuk mundet. Dhe nëse i tregon gojën e lyer me gjak, sprapset shpejt si bishë e pafuqishme dhe e trembur” (Shën Joan Gojarti, Katekizma S.C. 50b, 158).

Kështu, me anën e pendimit përparon besimtari në bashkimin e tij me Krishtin. Qysh tani futet në Mbretërinë e Perëndisë dhe bëhet i tëri gjithë dritë dhe gëzim. Lavdëron pareshtur Zotin duke psalur bashkë me ëngjëjt “Aliluia”. Jeton brenda gëzimit të përjetshëm të Perëndisë dhe këndon bashkë me gjithë krijesën himne triumfale drejtuar Atij. Sepse i bashkuar me Zotin e Ngjallur mund vdekjen, jeton përjetësisht.

Citojmë si epilog himnin e tre djemve, që këndon kisha jonë në mbrëmësoren e Pashkës (Të Shtunën e Madhe në mëngjes):

Zoti bekoni dhe lartësoni në shekuj!
Bekoni të gjitha veprat e Zotit, Zotin lavdëroni dhe lartësoni në shekuj!
Zotin bekoni...
Bekoni Zotin ujëra që jeni përmbi qiell, të gjitha fuqitë e Zotit!
Zotin bekoni...
Bekoni Zotin diell e hënë, yje të qiellit!
Zotin bekoni...
Bekoni zotin shira dhe vesë, çdo frymë!
Zotin bekoni...
Bekoni Zotin dritë dhe errësirë, netë dhe ditë!
Zotin bekoni...
Bekoni Zotin zjarr e vapë, acar e zheg!
Zotin bekoni...
Bekoni Zotin vesë dhe brymë, akuj e ngrica!
Zotin bekoni...
Bekoni Zotin breshër e dëborë, rrufe dhe re!
Zotin bekoni...
Bekoni Zotin tokë, male e kodra, dhe të gjitha bimësitë e dheut!
Zotin bekoni...
Bekoni Zotin burime, dete e lumenj, përbindësha dhe gjithçka që lëviz në ujëra!
Zotin bekoni...
Bekoni Zotin gjithë shpezët e qiellit, bisha dhe të githa kafshët!
Zotin bekoni...
Bekoni Zotin bijtë e njeriut, bekoje Zotin, o Israel!
Zotin bekoni...
Bekoni Zotin priftërinj të Zotit dhe shërbëtorë të Zotit!
Zotin bekoni...
Bekoni Zotin shpirtra e frymë të të drejtëve, shenjtorë dhe të përulur në zemër!
Zotin bekoni...
Bekoni Zotin Anania, Azaria, dhe Misail!
Zotin bekoni...
Bekoni Zotin apostuj, profetë dhe martirë të Zotit!
Zotin bekoni...
Bekojmë Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë, Zotin!
Zotin bekojmë dhe lartësojmë në shekuj!
Lavdërojmë, bekojmë dhe i falemi Zotit!
Zotin himnojmë dhe e lavdërojmë në shekuj!