1 Atë që ishte që në fillim, atë që kemi dëgjuar, atë që kemi parë me sytë tanë, atë që e vështruam dhe duart tona e prekën, këtë shpallim për Fjalën e Jetës.
2 Jeta u shfaq; ne e kemi parë dhe dëshmojmë për të dhe jua shpallim juve jetën e amshuar, e cila ishte me Atin dhe na u shfaq neve.
3 Atë që kemi parë dhe kemi dëgjuar, po jua shpallim edhe juve, që edhe ju të keni shoqërim me ne. Dhe vërtet shoqërimi ynë është me Atin dhe me Birin e Tij Jezus Krishtin.
4 Ne i shkruajmë këto, që gëzimi ynë të jetë i plotë.
5 Ky është mesazhi që kemi dëgjuar prej Tij dhe po jua shpallim juve: Perëndia është dritë; në Të nuk ka fare errësirë.
6 Po të themi se kemi shoqërim me Të dhe ecim në errësirë, gënjejmë dhe nuk jetojmë në të vërtetën.
7 Por po të ecim në dritën, siç është Ai Vetë në dritën, kemi shoqërim me njëri-tjetrin dhe gjaku i Jezusit, Birit të Tij, na pastron nga çdo mëkat.
8 Po të themi se nuk kemi asnjë mëkat, gënjejmë veten tonë dhe e vërteta nuk është tek ne.
9 Po të pohojmë mëkatet tona, Ai është besnik dhe i drejtë dhe do të na i falë mëkatet dhe do të na pastrojë nga çdo faj.
10 Po të themi se nuk kemi mëkatuar, e bëjmë Atë gënjeshtar dhe fjala e Tij nuk ka vend në jetën tonë.
1 Bijtë e mi, këto po jua shkruaj që të mos mëkatoni. Dhe po të bëjë dikush mëkat, e kemi një që ndërhyn tek Ati për të na mbrojtur, të drejtin Jezus Krisht.
2 Ai Vetë është flijimi pajtues për shlyerjen e mëkateve tona dhe jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për mëkatet e tërë botës.
3 Po të zbatojmë urdhërimet e Tij, atëherë e dimë se kemi arritur ta njohim Atë.
4 Ai që thotë: “E kam njohur” dhe nuk i zbaton urdhërimet e Tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të,
5 por kushdo që i bindet fjalës së Tij, dashuria e Perëndisë vërtet është përsosur në të. Ja se si e marrim vesh që jemi në Të:
6 kush thotë se vazhdon të jetojë në Të, duhet që edhe ai të ecë ashtu siç ka ecur Ai.
7 Të dashurit e mi, nuk po ju shkruaj një urdhërim të ri, por një urdhërim të vjetër, të cilin ju e keni pasur që prej fillimit dhe ky urdhërim i vjetër është fjala që ju keni dëgjuar.
8 Megjithatë, një urdhërim të ri po ju shkruaj, vërtetësia e të cilit shihet tek Ai dhe te ju, sepse errësira po shkon dhe tashmë po ndriçon drita e vërtetë.
9 Ai që thotë se është në dritë dhe urren vëllanë e vet, ai është ende në errësirë.
10 Ai që e do vëllanë e vet, vazhdon të jetë në dritë dhe për të nuk ka shkandulli.
11 Por ai që urren vëllanë e vet, është në errësirë dhe ecën në errësirë. Ai nuk e di se ku shkon, sepse errësira ia ka verbuar sytë.
12 Po ju shkruaj juve, o bij, sepse mëkatet ju janë falur për hir të emrit të Tij.
13 Po ju shkruaj juve, o etër, sepse e keni njohur Atë që është që prej fillimit. Po ju shkruaj juve, o të rinj, sepse e keni mposhtur të ligun.
14 Ju kam shkruar juve, o bij, sepse e keni njohur Atin. Ju kam shkruar juve, o etër, sepse ju e keni njohur Atë që ka qenë që prej fillimit. Ju kam shkruar juve, o të rinj, sepse jeni të fortë dhe fjala e Perëndisë jeton në ju dhe ju e keni mposhtur të ligun.
15 Mos e doni botën, as ato që janë në botë. Po ta dojë dikush botën, dashuria e Atit nuk është në të.
16 Sepse gjithçka që është në botë, epshi i mishit, epshi i syve dhe mburrja për arritjet në jetë, nuk është prej Atit, por është prej botës.
17 Bota po kalon bashkë me epshet e veta, por ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë.
18 Bijtë e mi, kjo është ora e fundit. Siç e keni dëgjuar, antikrishti po vjen, madje tashmë kanë ardhur shumë antikrishta. Nga kjo e marrim vesh se kjo është ora e fundit.
19 Ata dolën prej nesh, por në të vërtetë nuk ishin prej tanëve; sepse po të ishin prej tanëve, do të kishin mbetur me ne, por ata shkuan që të tregohej se asnjë prej tyre nuk ishte prej tanëve.
20 Por ju keni vajosjen nga I Shenjti dhe të gjithë e dini.
21 Nuk ju kam shkruar sepse nuk e dini të vërtetën, por sepse ju e dini atë dhe se asnjë gënjeshtër nuk vjen prej së vërtetës.
22 Kush është gënjeshtari përveç atij që mohon se Jezusi është Krishti? Ky është antikrishti, ai që mohon Atin dhe Birin.
23 Kushdo që mohon Birin, nuk ka as Atin. Ai që pohon Birin ka edhe Atin.
24 Ajo që ju vetë e keni dëgjuar që në fillim, le të mbetet te ju. Po të mbetet te ju ajo që keni dëgjuar që në fillim, edhe ju do të mbeteni te Biri dhe tek Ati.
25 Ky është premtimi që na ka bërë Ai: jeta e amshuar.
26 Këto jua kam shkruar për ata që përpiqen t’ju mashtrojnë.
27 Sa për ju, vajosja që morët prej Tij, vazhdon të mbetet te ju dhe nuk keni nevojë t’ju mësojë njeri. Por ashtu siç ju mëson gjithçka vajosja e Tij, e cila është e vërtetë dhe nuk është gënjeshtër – pra siç ju mëson, qëndroni në Të.
28 Dhe tani, o bijtë e mi, qëndroni tek Ai, që, po të shfaqet, të jemi të bindur dhe të mos kemi turp para Tij kur të vijë.
29 Po ta dini që Ai është i drejtë, atëherë e dini se kushdo që zbaton atë që është e drejtë, ka lindur prej Tij.
1 Shikoni ç’dashuri na ka dhënë Ati, saqë të quhemi bij të Perëndisë dhe të këtillë jemi vërtet. Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur Atë.
2 Të dashurit e mi, tani ne jemi bij të Perëndisë, por se çfarë do të jemi, kjo nuk është bërë ende e njohur. Veçse dimë që, kur të shfaqet Ai, do të jemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim Atë ashtu siç është.
3 Kushdo që e ka këtë shpresë tek Ai, pastron veten, ashtu siç është i pastër Ai.
4 Kushdo që bën mëkat, shkel edhe ligjin; në fakt, mëkati është shkelje e ligjit.
5 Por ju e dini se Ai u shfaq që të heqë mëkatet. Në Të nuk ka mëkat.
6 Kushdo që qëndron në Të, nuk jeton në mëkat; kushdo që mëkaton, nuk e ka parë Atë, as nuk e ka njohur.
7 Bijtë e mi, askush të mos ju mashtrojë. Kushdo që bën atë që është e drejtë, është i drejtë, ashtu siç është i drejtë Ai;
8 Kushdo që bën atë që është mëkat, është prej djallit, sepse djalli ka mëkatuar që në fillim. Për këtë u shfaq Biri i Perëndisë, që të shkatërronte punët e djallit.
9 Kushdo që ka lindur prej Perëndisë, nuk jeton në mëkat, sepse fara e Tij qëndron në të; ai nuk mund të mëkatojë, sepse ka lindur prej Perëndisë.
10 Me këtë del e qartë se kush janë bijtë e Perëndisë dhe kush janë bijtë e djallit: kushdo që nuk bën atë që është e drejtë, nuk është prej Perëndisë, po kështu edhe ai që nuk e do vëllanë e vet.
11 Sepse ky është mesazhi që keni dëgjuar që në fillim: të duam njëri-tjetrin,
12 jo si Kaini që ishte prej të ligut dhe vrau vëllanë e vet. Dhe pse e vrau? Sepse veprat e tij ishin të liga, ndërsa ato të vëllait të tij ishin të drejta.
13 Mos u çuditni, o vëllëzër, nëse bota ju urren.
14 Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse ne i duam vëllezërit. Ai që nuk i do, mbetet te vdekja.
15 Kushdo që urren vëllanë e vet, është vrasës, dhe e dini se asnjë vrasës nuk gëzon jetë të amshuar në veten e vet.
16 Ja se si e njohim dashurinë: Ai ka dhënë jetën e Vet për ne dhe ne duhet të japim jetën për vëllezërit.
17 Por nëse dikush i ka të mirat e botës dhe sheh që vëllai i tij ka nevojë dhe nuk i vjen keq për të, si mund të qëndrojë dashuria e Perëndisë tek ai?
18 Bijtë e mi, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra dhe me vërtetësi.
19 Me këtë do ta marrim vesh se jemi prej së vërtetës dhe do ta qetësojmë zemrën tonë përpara Tij,
20 sa herë të na qortojë zemra jonë. Sepse Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe di gjithçka.
21 Të dashurit e mi, nëse zemra [jonë] nuk na qorton, atëherë jemi të bindur para Perëndisë
22 dhe marrim prej Tij çfarëdo që t’i kërkojmë, sepse ne i mbajmë urdhërimet e Tij dhe bëjmë ato që e kënaqin Atë.
23 Urdhërimi i Tij është ky: të besojmë në emrin e Birit të Tij Jezus Krisht dhe të duam njëri-tjetrin, siç na ka porositur Ai.
24 Cilido që i mban urdhërimet e Tij, mbetet tek Ai dhe Ai në të. Ja se si e dimë se Ai qëndron te ne: me anë të Frymës që Ai na ka dhënë.
1 Të dashurit e mi, mos i besoni çdo fryme, por i provoni më parë frymët nëse ato janë prej Perëndisë, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë.
2 Me këtë e njihni Frymën e Perëndisë: çdo frymë që pohon se Jezus Krishti ka ardhur në mish është prej Perëndisë,
3 dhe çdo frymë që nuk e pohon Jezusin, nuk është prej Perëndisë. Kjo është fryma e antikrishtit, të cilin e keni dëgjuar se po vjen dhe tashmë është në botë.
4 Ju jeni prej Perëndisë, bijtë e mi, dhe i keni mposhtur ata, sepse Ai që është në ju, është më i madh se ai që është në botë.
5 Ata janë të botës, prandaj flasin nga pozitat e botës dhe bota i dëgjon.
6 Ne jemi prej Perëndisë; kushdo që njeh Perëndinë, na dëgjon ne; kushdo që nuk është prej Perëndisë, nuk na dëgjon. Me këtë e dallojmë frymën e së vërtetës nga fryma e gabimit.
7 Të dashurit e mi, ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është prej Perëndisë dhe kushdo që ka dashuri, ka lindur prej Perëndisë dhe e njeh Perëndinë.
8 Ai që nuk ka dashuri, nuk e njeh Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.
9 Ja se si e shfaqi Perëndia dashurinë për ne: Perëndia dërgoi në botë Birin e Vet të vetëm që ne të jetojmë nëpërmjet Tij.
10 Këtu qëndron dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por Ai na deshi ne dhe dërgoi Birin e Vet si flijim pajtues për të shlyer mëkatet tona.
11 Të dashurit e mi, meqë Perëndia na deshi në këtë mënyrë, edhe ne duhet ta duam njëri-tjetrin.
12 Askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë. Po të duam njëri-tjetrin, Perëndia qëndron te ne dhe dashuria e Tij bëhet e përsosur në ne.
13 E dimë se ne qëndrojmë tek Ai dhe Ai tek ne, sepse Ai na ka dhuruar prej Frymës së Vet.
14 Ne vetë e kemi parë dhe dëshmojmë se Ati ka dërguar Birin si Shpëtimtar të botës.
15 Nëse dikush pohon se Jezusi është Biri i Perëndisë, Perëndia qëndron në të dhe ai në Perëndinë.
16 Ne e kemi njohur dhe e kemi besuar dashurinë që Perëndia ka për ne. Perëndia është dashuri dhe ai që rri në dashuri, rri në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të.
17 Me këtë, dashuria është përsosur mes nesh, që të kemi besim ditën e gjykimit, sepse siç është Ai, ashtu jemi edhe ne në këtë botë.
18 Nuk ka frikë në dashuri. Përkundrazi, dashuria e përsosur e flak tej frikën, sepse frika përmban ndëshkimin dhe ai që ka frikë, nuk është përsosur në dashuri.
19 Ne e duam, sepse Ai na deshi ne më parë.
20 Po të thotë dikush: “E dua Perëndinë” dhe urren vëllanë e vet, është gënjeshtar, sepse ai që nuk do vëllanë e vet, të cilin e ka parë, nuk mund ta dojë Perëndinë, që nuk e ka parë.
21 Ai na ka dhënë këtë urdhërim: ai që do Perëndinë, do edhe vëllanë e vet.
1 Kushdo që beson se Jezusi është Krishti, ka lindur prej Perëndisë, dhe kushdo që do Atin, do edhe fëmijën që ka lindur prej Tij.
2 Ja se si e dimë që i duam bijtë e Perëndisë: duke dashur Perëndinë dhe duke zbatuar urdhërimet e Tij.
3 Sepse kjo është dashuria për Perëndinë: t’u bindemi urdhërimeve të Tij. Dhe urdhërimet e Tij nuk janë të rënda,
4 sepse kushdo që ka lindur prej Perëndisë, e mposht botën. Kjo është fitorja që ka ngadhënjyer mbi botën: besimi ynë.
5 Kush është ai që mposht botën? Vetëm ai që beson se Jezusi është Biri i Perëndisë.
6 Ky është ai që ka ardhur nëpërmjet ujit dhe gjakut, Jezus Krishti. Nuk erdhi vetëm me ujë, por me ujë dhe me gjak. Fryma është ai që dëshmon, sepse Fryma është e vërteta.
7 Sepse tre janë ata që dëshmojnë:
8 Fryma, uji dhe gjaku dhe të tre janë për të njëjtën gjë.
9 Ne pranojmë dëshminë e njerëzve, por dëshmia e Perëndisë është më e madhe, sepse dëshmia e Perëndisë është ajo që Ai ka bërë për Birin e Vet.
10 Ai që beson në Birin e Perëndisë, e ka këtë dëshmi në zemrën e vet. Ai që nuk i beson Perëndisë, e ka bërë Atë gënjeshtar, sepse nuk ka besuar në dëshminë që ka dhënë Perëndia për Birin e Vet.
11 Dëshmia është kjo: Perëndia na ka dhënë jetën e amshuar dhe kjo jetë është në Birin e Tij.
12 Ai që ka Birin, ka jetën; ai që nuk e ka Birin e Perëndisë, nuk e ka jetën.
13 Këto ju kam shkruar juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, që ta dini se keni jetën e amshuar.
14 Kjo është bindja që kemi për Të: po të kërkojmë diçka sipas vullnetit të Tij, Ai na dëgjon.
15 Po ta dimë se Ai na dëgjon për gjithçka që kërkojmë, atëherë e dimë se i kemi ato që i kemi kërkuar Atij.
16 Po ta shohë dikush vëllanë e vet duke bërë një mëkat që nuk çon në vdekje, duhet të lutet dhe Perëndia do t’i japë jetë. E kam fjalën për ata që bëjnë mëkat që nuk çon në vdekje. Ka një mëkat që çon në vdekje; nuk po them që ai të lutet për këtë.
17 Çdo paudhësi është mëkat, por ka një mëkat që nuk çon në vdekje.
18 E dimë që kushdo që ka lindur nga Perëndia, nuk jeton në mëkat, por Ai që lindi nga Perëndia, e ruan atë dhe i ligu nuk e prek.
19 E dimë se jemi prej Perëndisë dhe se e tërë bota ndodhet nën pushtetin e të ligut.
20 Dimë edhe se Biri i Perëndisë ka ardhur dhe na ka dhënë aftësinë për të kuptuar, që ta njohim Atë që është i vërtetë. Dhe ne jemi në Atë që është i vërtetë, në Birin e Tij Jezus Krishtin. Ky është Perëndia i vërtetë dhe jeta e amshuar.
21 Bijtë e mi, ruajeni veten prej idhujve.