Kapitulli:  1  2  3  4  5  6  7  8  9  10  11  12  13  14  15  16

Kapitulli 1

1 Pali, i thirrur për të qenë apostull i Krishtit Jezus me vullnetin e Perëndisë, dhe vëllai ynë Sosten,

2 kishës së Perëndisë që është në Korint, të shenjtëruarve në Krishtin Jezus, të thirrur për të qenë shenjtër, bashkë me të gjithë ata që thërresin në çdo vend emrin e Zotit tonë Jezus Krisht, Zot i tyre dhe yni.

3 Paçi hir dhe paqe nga Perëndia Ati ynë dhe Zoti Jezus Krisht.

4 Falënderoj Perëndinë tim gjithmonë për ju, për hirin e Perëndisë që ju është dhënë në Krishtin Jezus.

5 Sepse në Krishtin u pasuruat me të gjitha dhuntitë, ato të fjalës dhe të dijes,

6 sikurse u vërtetua te ju dëshmia jonë për Krishtin,

7 që të mos ju mungonte asnjë dhunti, ndërsa prisni zbulesën e Zotit tonë Jezus Krisht.

8 Ai do t’ju përforcojë deri në fund, që të jeni të paqortueshëm në ditën e Zotit tonë Jezus [Krisht].

9 Perëndia është besnik; nëpërmjet Tij jeni thirrur në shoqërimin e Birit të Tij, Jezus Krishtit, Zotit tonë.

10 Tani, o vëllezër, ju bëj thirrje në emër të Zotit tonë Jezus Krisht, që të jeni të gjithë në një fjalë, që midis jush të mos ketë përçarje dhe të jeni plotësisht të bashkuar duke qenë në një mendje dhe duke pasur të njëjtat qëllime.

11 Sepse njerëzit e Kloes, më kanë vënë në dijeni, o vëllezërit e mi, për grindjet që keni me njëri-tjetrin.

12 Dua të them këtë, që secili prej jush po thotë: “Unë jam i Palit”, “Unë i Apolonit”, “Unë i Kefës” dhe “Unë i Krishtit.”

13 A është i ndarë Krishti? Mos u kryqëzua për ju Pali, apo mos u pagëzuat në emër të Palit?

14 Falënderoj Perëndinë që nuk pagëzova asnjë prej jush, veç Krispit dhe Gait,

15 që asnjë të mos thotë se u pagëzua në emrin tim.

16 Unë pagëzova edhe ata të shtëpisë së Stefanait; veç tyre nuk di të kem pagëzuar ndonjë tjetër.

17 Sepse Krishti nuk më ka dërguar për të pagëzuar, por për të predikuar ungjillin, por jo me fjalë të diturisë së njerëzve, që të mos shkojë kot kryqi i Krishtit.

18 Sepse fjala e kryqit për ata që humbasin është marrëzi, por për ne që shpëtohemi është fuqi e Perëndisë.

19 Sepse është shkruar: “Do ta shkatërroj mençurinë e të mençurve dhe do ta hedh poshtë zgjuarsinë e të zgjuarve.”

20 Ku është i mençuri? Ku është skribi? Ku është mendimtari i kësaj epoke? A nuk e ktheu në marrëzi Perëndia mençurinë e kësaj bote?

21 Sepse meqë, bota në mençurinë e Perëndisë nuk e njohu Perëndinë me anë të mençurinë së saj, Perëndisë i pëlqeu që nëpërmjet marrëzisë së asaj që u predikua të shpëtonte ata që besojnë.

22 Sepse judenjtë kërkojnë shenja dhe grekët kërkojnë mençuri,

23 por ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, që është shkandull për judenjtë dhe marrëzi për kombet,

24 por atyre që janë thirrur, si judenjve ashtu edhe grekëve, u predikojmë Krishtin, si fuqi e Perëndisë dhe mençuri e Perëndisë.

25 Sepse ajo që është marrëzi e Perëndisë, është më e mençur se njerëzit dhe ajo që është dobësi e Perëndisë, është më e fortë se njerëzit.

26 Sepse, mendoni, o vëllezër, si ishit kur u thirrët; nuk kishte ndër ju shumë të mençur sipas mishit, nuk kishte shumë të fuqishëm, nuk kishte shumë fisnikë,

27 por Perëndia ka zgjedhur marrëzitë e botës për të turpëruar të mençurit; Perëndia ka zgjedhur çka është e dobët në botë për të turpëruar të fortët.

28 Perëndia ka zgjedhur gjërat e ulëta të botës dhe të përbuzurat – gjërat që nuk janë – që të zhdukë ato që janë,

29 që asnjë njeri të mos mburret përpara Perëndisë.

30 Por prej Tij ju jeni në Krishtin Jezus, të cilin Perëndia na e bëri mençuri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim,

31 sepse, siç është shkruar: “Ai që krenohet, le të krenohet në Zotin.”

Kapitulli 2

1 Edhe unë o vëllezër, kur erdha te ju për t’ju shpallur dëshminë për Perëndinë, nuk erdha me epërsi në shprehje ose në mençuri.

2 Sepse vendosa që të mos di gjë tjetër ndër ju veç Jezus Krishtit, dhe Ky i kryqëzuar.

3 Erdha te ju me dobësi, me frikë dhe duke m’u dredhur zemra.

4 Fjala ime dhe predikimi im nuk u bënë me fjalë bindëse mençurie, por duke shfaqur fuqinë e Frymës,

5 që besimi juaj të mos mbështetet në mençurinë e njerëzve, por në fuqinë e Perëndisë.

6 Megjithatë, ne flasim për mençuri në mes njerëzve të pjekur, por jo për mençurinë e kësaj epoke, as të sunduesve të kësaj bote, që po përfundojnë në hiçgjë.

7 Ne flasim për mençurinë e Perëndisë, që është mister, atë që është fshehur, të cilën Perëndia e kishte paracaktuar për lavdinë tonë përpara se të fillonte koha.

8 Atë nuk e kuptuan asnjë nga sunduesit e kësaj bote, sepse, po ta kishin kuptuar, nuk do ta kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë.

9 Por, siç është shkruar: “Ato që syri nuk ka parë, veshi nuk ka dëgjuar, ato që nuk kanë hyrë në zemrën e njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan.”

10 Por neve Perëndia na i zbuloi nëpërmjet Frymës. Sepse Fryma heton gjithçka, madje edhe thellësitë e Perëndisë.

11 Sepse cili prej njerëzve i di mendimet e njeriut përveç frymës së njeriut, që është në të? Kështu edhe mendimet e Perëndisë askush nuk i di përveç Frymës së Perëndisë.

12 Ne nuk kemi marrë frymën e botës, por frymën që vjen nga Perëndia, që të dimë gjërat që na janë dhënë falas nga Perëndia.

13 Ato i themi jo me fjalët që na ka mësuar mençuria njerëzore, por me ato që na ka mësuar Fryma, duke shtjelluar punët e Frymës me fjalët e Frymës.

14 Por njeriu natyror nuk i pranon punët e Frymës së Perëndisë, sepse ato janë marrëzira për të. Ai nuk mund t’i kuptojë, sepse ato vlerësohen shpirtërisht.

15 Por ai që është sipas Frymës, gjykon gjithçka dhe ai vetë nuk gjykohet prej askujt.

16 Sepse kush e ka njohur mendjen Zotit, që ta udhëzojë? Por ne kemi mendjen e Krishtit.

Kapitulli 3

1 Dhe unë, vëllezër, nuk munda t’ju flas siç do t’u flisja njerëzve shpirtërorë, por njerëzve të mishit, foshnjave në Krishtin.

2 Qumësht ju dhashë për të pirë, dhe jo gjellë, sepse ende nuk ishit gati. Por as tani nuk jeni ende gati.

3 Ende i përkisni mishit. Sepse, përderisa midis jush ka smirë dhe grindje, a nuk i përkisni mishit dhe a nuk veproni siç bëjnë njerëzit?

4 Sepse kur dikush thotë: “Unë jam i Palit” dhe një tjetër: “Unë jam i Apolonit”, a nuk jeni vetëm njerëz?

5 Kush është pra, Apoloni? Kush është Pali? Shërbëtorë, nëpërmjet të cilëve ju besuat, secilit sipas mundësisë që i dha Zoti.

6 Unë mbolla, Apoloni ujiti, por Perëndia e bëri të rritet.

7 Kështu pra, as ai që mbjell, as ai që ujiti nuk është gjë, por vetëm Perëndia që e bën të rritet.

8 Ai që mbjell dhe ai që ujit kanë një qëllim; por secili do ta marrë shpërblimin sipas mundit të vet.

9 Sepse ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë; ju jeni ara e Perëndisë, ndërtesa e Perëndisë.

10 Sipas hirit që Perëndia ma dha mua, si një arkitekt i mençur hodha themelin dhe një tjetër po ndërton mbi të. Por secili të ketë kujdes se si ndërton mbi të.

11 Sepse askush nuk mund të hedhë themel tjetër, veç atij që është hedhur, që është Jezus Krishti.

12 Nëse dikush ndërton mbi këtë themel duke përdorur ar, argjend, gurë të çmuar, dru, sanë, kashtë,

13 puna e secilit do të dalë në pah; sepse dita do ta tregojë. Ajo do të zbulohet me anë të zjarrit dhe vetë zjarri do ta provojë se ç’punë ka bërë secili.

14 Nëse vepra që ka ndërtuar dikush mbetet, ai do të marrë shpërblimin.

15 Nëse vepra e dikujt digjet, ai do të pësojë humbje; ai vetë do të shpëtojë, por si ai që shpëton prej zjarrit.

16 A nuk e dini se jeni tempull i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?

17 Nëse dikush prish tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta shkatërrojë atë, sepse tempulli i Perëndisë, që jeni ju, është i shenjtë.

18 Askush të mos gënjejë veten. Nëse dikush midis jush mendon se është i mençur në këtë jetë, le të bëhet i marrë, që të mund të bëhet i mençur.

19 Sepse mençuria e kësaj bote është marrëzi para Perëndisë. Sepse është shkruar: “Ai i zë të mençurit në dinakërinë e tyre”,

20 dhe përsëri: “Zoti i di mendimet e të mençurve, që janë të kota.”

21 Prandaj askush të mos mburret mes njerëzve. Sepse gjithçka është juaja:

22 qoftë Pali, qoftë Apoloni, qoftë Kefa, qoftë bota, qoftë jeta, qoftë vdekja, qoftë gjërat që janë, apo gjërat që do të vijnë – gjithçka është juaja

23 dhe ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë.

Kapitulli 4

1 Kështu pra, njerëzit duhet të na konsiderojnë si shërbëtorë të Krishtit dhe mbarështues të mistereve të Perëndisë.

2 Këtu, për më tepër, kërkohet që mbarështuesit të jenë të besës.

3 Për mua nuk ka shumë rëndësi nëse gjykohem nga ju apo nga ndonjë gjykatë njerëzish; ç’është e vërteta as veten time nuk e gjykoj.

4 Sepse nuk kam gjë për të cilën të më vrasë ndërgjegjja, megjithatë kjo nuk më shfajëson. Ai që më gjykon mua, është Zoti.

5 Prandaj mos gjykoni asgjë para kohe, derisa të vijë Zoti, i cili do t’i nxjerrë në dritë të fshehtat e errësirës dhe do të shfaqë synimet e zemrave; atëherë secilit do t’i vijë lëvdata nga Perëndia.

6 Këto, o vëllezër, i zbatova te vetja ime dhe tek Apoloni për të mirën tuaj, që të mësoni prej nesh se çdo të thotë të mos shkosh përtej asaj që është shkruar, që asnjë të mos krekoset duke i mbajtur anën njërit kundër tjetrit.

7 Sepse, kush të bën të jesh ndryshe nga të tjerët? Çfarë ke tënden që nuk e ke marrë? Por nëse e ke marrë, përse mburresh sikur nuk e ke marrë?

8 Tashmë jeni të ngopur. Tashmë jeni bërë të pasur. Pa ne u bëtë mbretër. Sa do të doja që vërtet të bëheshit mbretër, që të mbretëronim edhe ne bashkë me ju.

9 Sepse, mendoj që Perëndia na ka vënë ne apostujt në fund të të gjithëve, si të dënuar me vdekje; sepse jemi bërë shfaqje për botën, për engjëjt si dhe për njerëzit.

10 Ne jemi të marrë për Krishtin, por ju jeni të mençur në Krishtin; ne jemi të dobët, por ju jeni të fortë; ju jeni të nderuar, por ne jemi të përbuzur.

11 Deri në këtë çast vuajmë nga uria dhe etja, na godisin me pëllëmbë, jemi të zhveshur dhe pa strehë.

12 Robtohemi duke punuar me duart tona; kur na mallkojnë, ne bekojmë; kur na përndjekin, ne durojmë;

13 kur na shajnë, ne përgjërojmë. Deri tani jemi bërë si fundërritë e botës, mbeturinat e të gjithëve.

14 Nuk i shkruaj këto që t’ju turpëroj, por t’ju paralajmëroj si fëmijët e mi të dashur.

15 Sepse, edhe po të keni mijëra mësues në Krishtin, megjithatë nuk do të kishit shumë etër; sepse unë u bëra ati juaj në Krishtin Jezus nëpërmjet ungjillit.

16 Prandaj ju bëj thirrje të bëheni imituesit e mi.

17 Për këtë arsye ju kam dërguar Timoteun, birin tim të zemrës dhe besnik në Zotin. Ai do t’ju kujtojë udhët e mia në Krishtin Jezus, që përputhen me ato që mësoj kudo në çdo kishë.

18 Disa filluan të fryhen nga krenaria, sikur unë nuk do të vija më te ju.

19 Por do të vij shpejt te ju, në dashtë Zoti, dhe do të marr vesh jo vetëm si krekosen këta njerëz, por edhe ç’fuqi kanë.

20 Sepse mbretëria e Perëndisë nuk qëndron në fjalë, por në fuqi.

21 Si doni ju? A të vij te ju me shkop apo me dashuri dhe frymë zemërbutësie?

Kapitulli 5

1 Gjithandej flitet për imoralitet midis jush, një imoralitet të tillë që nuk është parë as ndër paganët, deri atje sa dikush mban gruan e babait të tij.

2 Dhe ju krekoseni! A nuk do të ishte më mirë të vajtonit, që të shporret prej jush ai që e ka kryer një gjë të tillë.

3 Sepse unë, që vërtet nuk jam aty me trup, por jam me frymë, e kam gjykuar atë që veproi në atë mënyrë, sikur të isha i pranishëm aty.

4 Kur të mblidheni në emrin e Zotit tonë Jezus, ju bashkë me mua me frymë dhe me fuqinë e Zotit tonë Jezus,

5 dorëzojani këtë njeri Satanit që t’i shkatërrohet mishi dhe t’i shpëtojë fryma në ditën e Zotit.

6 Mburrja juaj nuk është e mirë. A nuk e dini se pak maja e mbrun tërë brumin?

7 Pastrohuni nga majaja e vjetër, që të bëheni brumë i ri, siç jeni në të vërtetë. Sepse edhe Krishti, Pashka jonë, u flijua për ne.

8 Prandaj le të festojmë jo me majanë e vjetër, as me majanë e së keqes dhe të së ligës, por me bukën e ndorme të sinqeritetit dhe të së vërtetës.

9 Ju shkrova në letrën time që të mos përziheni me njerëzit e përdalë.

10 Nuk e kisha kurrsesi fjalën për të përdalët e kësaj bote, për të babëziturit dhe mashtruesit, apo për idhujtarët; sepse atëherë duhet të iknit nga bota.

11 Por tani, ju shkrova që të mos përziheni me këdo që e quan veten vëlla, por që është i përdalë, ose lakmitar, ose idhujtar, ose shpifës, ose pijanec, ose mashtrues. Madje as të mos hani me një të këtillë.

12 Sepse ç’punë kam unë të gjykoj ata që janë jashtë kishës? A nuk i gjykoni ju ata që janë brenda?

13 Por ata që janë jashtë, i gjykon Perëndia. Shporreni të ligun nga vetja juaj.

Kapitulli 6

1 A ka ndonjë prej jush që, kur ka një mosmarrëveshje kundër një tjetri, merr guximin ta çojë çështjen për t’u gjykuar para të padrejtëve dhe jo përpara shenjtërve?

2 A nuk e dini se shenjtërit do ta gjykojnë botën? Nëse bota do të gjykohet prej jush, si nuk qenkeni të zotë për të gjykuar gjërat më të vogla?

3 A nuk e dini se do të gjykojmë engjëjt? Aq më tepër gjërat e jetës së përditshme!

4 Pra, kur keni gjyqe për çështje të jetës së përditshme, ju a vini gjykatës njerëz pa shumë autoritet në kishë?

5 E them për turpin tuaj. Si vallë nuk u gjendka asnjë i mençur midis jush që të mund të sheshojë mosmarrëveshjet midis vëllezërve?

6 Përkundrazi vëllai hedh në gjyq vëllanë, dhe këtë e bën përpara atyre që nuk besojnë!

7 Megjithatë, fakti që hidhni në gjyq njëri-tjetrin është tashmë humbje për ju. Përse nuk lejoni më mirë t’ju bëjnë padrejtësi? Përse nuk lejoni më mirë që t’ju mashtrojnë?

8 Përkundrazi, ju vetë bëni padrejtësi dhe mashtroni, dhe këtë ua bëni vëllezërve tuaj.

9 Apo nuk e dini që të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as të përdalët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as burrat si femra, as ata që shkojnë me burra,

10 as vjedhësit, as të babëziturit, as pijanecët, as përgojuesit, as grabitqarët nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.

11 Të tillë ishin disa prej jush. Por ju u latë, u shenjtëruat, u shfajësuat në emrin e Zotit Jezus Krisht dhe në Frymën e Perëndisë sonë.

12 Të gjitha më lejohen, por jo të gjitha janë të dobishme. Të gjitha më lejohen, por unë nuk do ta lë veten të sundohem nga hiçi.

13 Ushqimi është për barkun dhe barku është për ushqimin; por Perëndia do t’i shkatërrojë të dyja. Trupi nuk është për imoralitet, por për Zotin dhe Zoti për trupin.

14 Perëndia e ngjalli edhe Zotin prej të vdekurve dhe do të na ngjallë edhe ne nëpërmjet fuqisë së Vet.

15 A nuk e dini se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? A t’i marr pra, gjymtyrët e Krishtit dhe t’i bashkoj me ato të një femre të përdalë? Larg qoftë!

16 Apo nuk e dini se ai që bashkohet me femrën e përdalë është një trup me të? Sepse Ai thotë: “Të dy do të bëhen një mish.”

17 Por ai që bashkohet me Zotin, është një frymë me Të.

18 Largohuni nga imoraliteti. Çdo mëkat tjetër që bën njeriu, është jashtë trupit, por ai që kryen veprime të përdala, mëkaton kundër trupit të vet.

19 Apo nuk e dini se trupi juaj është tempull i Frymës së Shenjtë që është brenda jush, të cilin ju e keni prej Perëndisë dhe që nuk i përkisni vetvetes?

20 Sepse ju jeni blerë me një çmim; jepini pra, lavdi Perëndisë me trupin tuaj.

Kapitulli 7

1 Tani, për sa më keni shkruar, është mirë për burrin të mos prekë grua.

2 Por, meqë ka kaq shumë imoralitet, secili të ketë gruan e vet dhe secila grua të ketë burrin e vet.

3 Burri te kryejë detyrën e vet ndaj gruas e po ashtu edhe gruaja ndaj burrit.

4 Nuk e urdhëron gruaja trupin e vet, por burri; po ashtu nuk e urdhëron burri trupin e vet, por gruaja.

5 Mos iu shmangni njëri-tjetrit, veçse kur keni rënë në një mendje për njëfarë kohe, që t’i përkushtoheni lutjes. Pastaj bashkohuni përsëri, që të mos ju tundojë Satani për shkak të mospërmbajtjes suaj.

6 Por këtë e them si lëshim, jo si urdhër.

7 Do të doja që të gjithë njerëzit të ishin si vetja ime. Por secili ka dhuntinë e vet nga Perëndia, njëri ka këtë dhunti dhe tjetri ka një tjetër.

8 U them të pamartuarve dhe vejushave, që mirë është për ta të mbeten siç jam unë.

9 Por nëse nuk e përmbajnë dot veten, le të martohen, sepse më mirë është të martohesh sesa të digjesh përbrenda.

10 Por të martuarve u bëj thirrje, jo unë, por Zoti, që gruaja të mos ndahet nga burri;

11 (po u nda, le të mbetet e pamartuar, përndryshe të pajtohet me të shoqin) dhe burri të mos e lërë gruan e vet.

12 Por të tjerëve u them, unë dhe jo Zoti, që nëse ndonjë nga vëllezërit nuk e ka gruan besimtare dhe ajo pranon të jetojë me të, të mos e lërë.

13 Gruaja, që nuk e ka burrin besimtar, kur ky pranon të banojë me të, të mos e lërë burrin.

14 Sepse burri që nuk është besimtar, shenjtërohet nëpërmjet gruas së vet dhe gruaja që nuk është besimtare, shenjtërohet nëpërmjet burrit; përndryshe fëmijët tuaj nuk do të ishin të pastër, por tani janë të shenjtë.

15 Megjithatë, nëse jobesimtari kërkon të ndahet, le të ndahet. Vëllai ose motra nuk janë të lidhur në raste të këtilla; Perëndia ju ka thirrur të jetoni në paqe.

16 Sepse ku e di ti, o grua, a do ta shpëtosh burrin tënd? Ku e di ti, o burrë, a do ta shpëtosh gruan tënde?

17 Por secili, siç ia ka caktuar Zoti dhe siç e ka thirrur Perëndia, ashtu le të ecë në jetë. Dhe ky është urdhri që u jap të gjitha kishave.

18 A u thirr dikush kur ishte rrethprerë? Le të mbetet i rrethprerë. A u thirr dikush kur nuk ishte rrethprerë? Të mos bëhet i rrethprerë.

19 Rrethprerja nuk është asgjë dhe parrethprerja nuk është asgjë, por ajo që ka rëndësi, është të mbash urdhërimet e Perëndisë.

20 Secili të mbetet në atë gjendje në të cilën ishte kur e thirri Perëndia.

21 U thirre kur ishe skllav? Mos e prish gjakun për këtë; por po të kesh mundësi të fitosh lirinë, më mirë shfrytëzoje këtë.

22 Sepse ai që u thirr në Zotin kur ishte skllav, është i liruar i Zotit; po ashtu, ai që u thirr kur ishte i lirë, është skllav i Krishtit.

23 Ju jeni blerë me një çmim; mos u bëni skllevër të njerëzve.

24 Le të mbetet, o vëllezër, secili me Perëndinë në atë gjendje në të cilën është thirrur.

25 Dhe sa për ato që janë të virgjra, nuk kam urdhër nga Zoti, por një mendim e jap si një njeri që ka fituar mëshirën e Zotit për të qenë besnik.

26 Për shkak të kohës së vështirë tani, mendoj se më mirë është për njeriun të mbetet ashtu siç është.

27 Je i lidhur me ndonjë grua? Mos kërko të lirohesh. A je i pamartuar? Mos kërko grua.

28 Por, po të martohesh, nuk ke mëkatuar; po të martohet vajza e re, nuk ka mëkatuar. Por njerëz të këtillë do të përjetojnë mundim në mish dhe unë do të doja t’ju kursej.

29 Dua të them këtë, o vëllezër, që koha është e shkurtër. Që sot e tutje edhe ata që kanë gra, të jetojnë sikur të mos kishin;

30 ata që qajnë, sikur të mos qanin; ata që gëzojnë, sikur të mos gëzonin; ata që blejnë, sikur të mos e kishin pronë të vetën,

31 dhe ata që e gëzojnë këtë botë, sikur të mos e gëzonin; sepse kjo botë, në formën që ka tani, po kalon.

32 Dua që ju të mos shqetësoheni. I pamartuari përkujdeset për gjërat e Zotit, se si të kënaqë Zotin,

33 ndërsa i martuari përkujdeset për gjërat e botës, se si të kënaqë gruan

34 dhe i ka interesat të ndara. Gruaja e pamartuar ose virgjëresha përkujdeset për gjërat e Zotit, që të jetë e shenjtë si në trup edhe në frymë; por ajo që është e martuar, përkujdeset për gjërat e botës, se si të kënaqë burrin.

35 Këtë jua them për të mirën tuaj, jo që t’ju vë kufizime, por që të silleni në mënyrë të hijshme dhe ta përqendroni vëmendjen te Zoti.

36 Nëse dikush mendon se nuk po sillet hijshëm me vajzën e virgjër me të cilën ka të bëjë dhe po të jetë se asaj po i kalon lulja e rinisë dhe ai mendon të martohet, atëherë le të bëjë atë që dëshiron; ai nuk bën mëkat. Le të martohen.

37 Por ai që qëndron pa u tundur në zemrën e vet, që nuk e detyron gjë, por ka forcë mbi vullnetin e vet, dhe e ka vendosur në zemrën e vet, që ta ruajë vajzën e vet të virgjër, mirë do të bëjë.

38 Kështu që, ai që e marton vajzën e vet të virgjër mirë bën, dhe ai që nuk e marton, do të bëjë edhe më mirë.

39 Gruaja është e lidhur për aq kohë sa i rron i shoqi, por po t’i vdesë burri, ajo është e lirë të martohet me atë që dëshiron, me kusht që të jetë në Zotin.

40 Por, sipas mendimit tim, ajo është më e lumtur po të mbetet ashtu siç është; mendoj se edhe unë kam Frymën e Perëndisë.

Kapitulli 8

1 Sa për ato që u flijohen idhujve, e dimë që të gjithë kemi njohuri. Njohuria të krekos, por dashuria ndërton.

2 Nëse dikush mendon se di diçka, ai ende nuk di ashtu siç duhet të dijë.

3 Por, nëse dikush e do Perëndinë, Perëndia e njeh atë.

4 Pra, sa për ngrënien e atyre që flijohen për idhujt, e dimë se në botë nuk ka asnjë idhull dhe se nuk ka asnjë Perëndi veç njërit.

5 Sepse, edhe sikur të ketë të ashtuquajtur perëndi, qoftë në qiell ose në tokë (siç ka vërtet shumë perëndi dhe shumë zota),

6 për ne ka një Perëndi, Ati, prej të cilit kanë ardhur të gjitha gjërat, dhe për të cilin ne jetojmë; ka një Zot, Jezus Krishti, nëpërmjet të cilit ekzistojnë të gjitha gjërat dhe nëpërmjet të cilit ne jetojmë.

7 Megjithatë, jo çdo njeri e ka këtë njohuri; disa, që deri tani janë mësuar me idhujt, e hanë ushqimin sikur të jetë diçka që është flijuar për idhull dhe kështu ndërgjegjja e tyre, duke qenë e dobët, mbetet e përlyer.

8 Nuk është ushqimi ai që do të na afrojë me Perëndinë; nuk është se, po të mos hamë, do të jemi më pak të këqinj dhe, po të hamë, do të jemi më të mirë.

9 Shikoni se mos kjo liri juaja bëhet pengesë për të dobëtit.

10 Sepse, po të të shohë dikush, që e ka ndërgjegjen të dobët, se ti, që ke njohuri, je shtruar për të ngrënë në një tempull idhujsh, a nuk do të marrë zemër edhe ai për të ngrënë gjërat që u flijohen idhujve?

11 Sepse vëllai, që është i dobët, për të cilin vdiq Krishti, do të shkojë dëm nga njohuria jote.

12 Pra, kur mëkatoni në këtë mënyrë kundër vëllezërve dhe u plagosni ndërgjegjen e tyre të dobët, ju mëkatoni kundër Krishtit.

13 Prandaj, nëse ushqimi im e bën të rrëzohet vëllanë tim, nuk do të ha kurrë më mish, që vëllai im të mos shkandullohet.

Kapitulli 9

1 A nuk jam i lirë? A nuk jam apostull? A nuk e kam parë Jezusin, Zotin tonë? A nuk jeni ju vepra ime në Zotin?

2 Edhe po të mos jem apostull për të tjerët, të paktën jam për ju! Sepse ju jeni vula e apostullimit tim në Zotin.

3 Mbrojtja ime ndaj atyre që ngrenë padi kundër meje është kjo:

4 Mos vallë nuk kemi të drejtë të hamë e të pimë?

5 Mos vallë nuk kemi të drejtë të marrim me vete një grua besimtare, siç bëjnë apostujt e tjerë, vëllezërit e Zotit dhe Kefa?

6 Apo vetëm unë dhe Barnaba nuk kemi të drejtë të mos punojmë?

7 Kush ka shkuar ndonjëherë ushtar me shpenzimet e veta? Kush e mbjell vreshtin dhe nuk e ha frytin e tij? Apo, kush kujdeset për grigjën dhe nuk pi nga qumështi i saj?

8 Mos i flas këto si njeri? A nuk i thotë këto gjëra edhe Ligji?

9 Sepse është shkruar në Ligjin e Moisiut: “Mos i vërë gojëz kaut kur shin.” Mos vallë Perëndia shqetësohet për qetë?

10 Apo e ka fjalën për të gjithë ne? Vërtet, për ne është shkruar, sepse ai që lëron, duhet të lërojë me shpresë dhe ai që shin, duhet të shijë me shpresë se do të marrë pjesën e vet.

11 Nëse ne mbollëm te ju gjërat shpirtërore, mos është e tepërt po të korrim të mirat tuaja materiale?

12 Nëse të tjerët marrin pjesë në këtë të drejtë mbi ju, a nuk e kemi edhe ne, madje më shumë? Por ne nuk e kemi përdorur këtë të drejtë; përkundrazi, i durojmë të gjitha, që të mos i krijojmë ndonjë pengesë ungjillit të Krishtit.

13 A nuk e dini se ata që kryejnë shërbime të shenjta, hanë gjëra nga tempulli dhe ata që kujdesen për altarin, kanë pjesën e tyre në altar?

14 Po kështu, edhe Zoti u dha porosi atyre që shpallin ungjillin që të rrojnë nga ungjilli.

15 Por unë nuk kam shfrytëzuar asnjë të drejtë nga këto. Dhe nuk po jua shkruaj këto me shpresën që të veprohet kështu me mua; sepse për mua është më mirë të vdes sesa të ma heqë njeri mburrjen time.

16 Sepse po të predikoj ungjillin, nuk kam përse të mburrem, sepse kjo është një detyrë e domosdoshme që më është ngarkuar; mjerë unë po të mos predikoj ungjillin.

17 Sepse kur e bëj këtë me dëshirë, kam shpërblim; por nëse e bëj kundër dëshirës, atëherë kam një detyrë që më është besuar.

18 Cili është pra shpërblimi im? Që, kur të predikoj ungjillin, ta paraqes atë falas, që të mos e shpërdoroj të drejtën time në predikimin e tij.

19 Sepse, edhe pse jam i lirë dhe nuk varem prej askujt, e kam bërë veten skllav ndaj të gjithëve, që të fitoj sa më shumë.

20 Për judenjtë u bëra si jude, që të fitoja judenjtë; për ata që janë nën Ligj, u bëra si të isha nën Ligjin, megjithëse vetë nuk jam nën Ligjin, që të fitoja ata që janë nën Ligjin.

21 Me ata që s’kanë ligj, u bëra sikur jam pa ligj, megjithëse nuk jam pa ligjin e Perëndisë, por nën ligjin e Krishtit, që të fitoja ata që janë pa ligj.

22 Me të dobëtit u bëra i dobët, që të fitoja të dobëtit; për të gjithë u bëra gjithçka, që të shpëtoja me çdo kusht disa.

23 Gjithçka e bëj për ungjillin, që të kem pjesë në bekimet e tij.

24 Nuk e dini se vërtet të gjithë vrapuesit në stadium vrapojnë, por vetëm një e merr çmimin? Kështu vraponi edhe ju, që të merrni çmimin.

25 Çdo njeri që merr pjesë në garë e përmban veten në gjithçka. Ata vërtet e bëjnë këtë që të marrin një kurorë që prishet, ndërsa ne një kurorë që nuk prishet kurrë.

26 Pra, unë vrapoj, jo si ai që nuk di ku shkon; qëlloj me grusht jo si ai që godet ajrin.

27 Por e mundoj trupin tim dhe e nënshtroj si skllav, që pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të mos bëhem i papërshtatshëm për çmimin.

Kapitulli 10

1 Sepse nuk dua që ju të mos e dini, vëllezër, se etërit tanë ishin të gjithë nën renë dhe të gjithë kaluan detin.

2 Të gjithë u pagëzuan në Moisiun, në re dhe në det,

3 dhe të gjithë hëngrën të njëjtin ushqim shpirtëror.

4 Të gjithë pinë të njëjtën pije shpirtërore, sepse pinin nga një shkëmb shpirtëror që i ndiqte pas; dhe ai shkëmb ishte Krishti.

5 Por me shumicën e tyre Perëndia nuk ishte i kënaqur; prandaj ata u hallakatën nëpër shkretëtirë.

6 Këto u bënë shembull për ne, që të mos lakmojmë gjëra të këqija, siç bënë ata.

7 Mos u bëni idhujtarë, si disa prej tyre; siç është shkruar: “Populli u ul të hajë e të pijë dhe njërëzit u lëshuan në dëfrime.”

8 As të mos kryejmë veprime të përdala, siç bënë disa prej tyre dhe njëzet e tre mijë ranë të vdekur në një ditë.

9 As të mos e vëmë në provë Krishtin, siç bënë disa prej tyre dhe u zhdukën nga gjarpërinjtë.

10 As mos u ankoni, siç u ankuan disa dhe u zhdukën nga engjëlli shfarosës.

11 Këto u ndodhnin atyre që të bëheshin shembull dhe u shkruan për të na paralajmëruar ne, për të cilët ka arritur fundi i kohëve.

12 Prandaj ai që mendon se qëndron më këmbë, të ketë mendjen se mos bjerë.

13 Asnjë tundim tjetër nuk ju ka pushtuar veç atij njerëzor; Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju sigurojë edhe rrugëdaljen, që të mund ta duroni.

14 Prandaj, të dashurit e mi, largohuni nga idhujtaria.

15 Po flas me ju si me njerëz të mençur; gjykojeni ju vetë atë që them.

16 A nuk është kupa e bekimit, që ne bekojmë, pjesëmarrje në gjakun e Krishtit? Po buka që ne thyejmë, a nuk është pjesëmarrje në trupin e Krishtit?

17 Sepse, një bukë është dhe ne, që jemi shumë, jemi një trup; sepse të gjithë marrim pjesë në të vetmen bukë.

18 Shikoni kombin e Izraelit që jeton sipas mishit; a nuk janë pjesëmarrës në altar ata që hanë flijimet?

19 Mos vallë dua të them se flijimi për idhujt është diçka, apo që idhulli është diçka?

20 Jo, por po them se flijimet që bëjnë paganët, u ofrohen demonëve dhe jo Perëndisë; nuk dua që ju të bëni pjesë me demonët.

21 Nuk mund të pini edhe kupën e Zotit edhe kupën e demonëve; nuk mund të merrni pjesë edhe në tryezën e Zotit edhe në tryezën e demonëve.

22 Apo dashkemi të nxisim xhelozinë e Zotit? Mos jemi më të fortë se Ai?

23 Gjithçka është e ligjshme, por jo gjithçka është me dobi. Gjithçka është e ligjshme, por jo gjithçka shërben për të ndërtuar.

24 Askush të mos kërkojë të mirën e vet, por të mirën e tjetrit.

25 Hani çdo gjë që shitet në dyqanin e mishit, pa bërë pyetje për hir të ndërgjegjes.

26 Sepse toka dhe gjithçka që ajo ka, janë të Zotit.

27 Nëse ndonjë nga ata që nuk janë besimtarë ju thërret dhe ju doni të shkoni, hani çdo gjë që ju vënë përpara, pa bërë pyetje për hir të ndërgjegjes.

28 Por po t’ju thotë dikush: “Ky është flijuar për idhujt”, mos e hani, si për hir të atij që jua tregoi, ashtu edhe për hir të ndërgjegjes.

29 Nuk e kam fjalën për ndërgjegjen tënde, por për atë të tjetrit; sepse për ç’arsye kjo liria ime duhet t’i nënshtrohet gjykimit të ndërgjegjes së dikujt tjetër?

30 Nëse unë marr pjesë në tryezë duke falënderuar, përse shahem për çka i shpreh mirënjohje Perëndisë?

31 Pra, nëse hani, pini ose çfarëdo që të bëni, gjithçka bëjeni për lavdinë e Perëndisë.

32 Mos u bëni fyes ndaj judenjve, ndaj grekëve dhe ndaj kishës së Perëndisë,

33 ashtu si edhe unë që përpiqem t’u pëlqej të gjithëve në gjithçka, pa kërkuar përfitimin tim, por atë të shumë njerëzve, që të shpëtohen,

Kapitulli 11

1 Ndiqni shembullin tim, siç ndjek edhe unë shembullin e Krishtit.

2 Ju lëvdoj, sepse më kujtuat për çdo gjë dhe u përmbaheni udhëzimeve siç jua përcolla unë.

3 Dua që ju ta dini se koka e çdo burri është Krishti, koka e gruas është burri dhe koka e Krishtit është Perëndia.

4 Çdo burrë që, kur lutet ose profetizon, e mban kokën të mbuluar, turpëron kryet e vet.

5 Por, çdo grua që lutet ose profetizon me kokën të zbuluar, turpëron kryet e vet; sepse është njësoj si ta kishte kokën të rruar.

6 Sepse, në qoftë se gruaja nuk e mbulon kokën, le ta qethë; por, meqë për gruan është turp të qethet apo të rruhet, atëherë le ta mbulojë kokën.

7 Sepse burri nuk duhet ta mbulojë kokën, meqë ai është shëmbëlltyra dhe lavdia e Perëndisë; kurse gruaja është lavdia e burrit.

8 Sepse nuk vjen burri prej gruas, por gruaja prej burrit.

9 As nuk u krijua burri për gruan, por gruaja për burrin.

10 Prandaj gruaja, për shkak të engjëjve, duhet të mbajë mbi kokë një shenjë të vartësisë së saj.

11 Megjithatë, në Zotin, nuk ka as grua të pavarur nga burri, as burrë të pavarur nga gruaja.

12 Sepse, siç erdhi gruaja nga burri, po ashtu edhe burri lind nëpërmjet gruas; por të gjitha gjërat vijnë nga Perëndia.

13 Gjykoni vetë: a është e përshtatshme për një grua t’i lutet Perëndisë me kokën të zbuluar?

14 A nuk ju mëson natyra vetë se po të mbajë burri flokë të gjatë, çnderon veten e vet,

15 por po të mbajë gruaja flokë të gjatë, është lavdi për të? Sepse flokët e gjatë i janë dhënë si mbulojë.

16 Por, nëse ndokush mendon të grindet për këtë, ne nuk e kemi një zakon të tillë, as kishat e Perëndisë.

17 Ndërsa ju jap këtë porosi, nuk mund t’ju lëvdoj, sepse mbledhjet tuaja nuk bëhen për mirë, por për keq.

18 Sepse, së pari, dëgjoj se, kur mblidheni si kishë, midis jush ka përçarje dhe, deri diku, këtë e besoj.

19 Pa dyshim që midis jush duhet të ketë ndarje, që të dalin në pah besimtarët e vërtetë midis jush.

20 Pra, kur mblidheni së bashku, këtë nuk e bëni për të ngrënë darkën e Zotit,

21 sepse gjatë ngrënies secili nxiton të hajë darkën e vet pa pritur të tjerët; njëri ka uri dhe tjetri dehet.

22 A nuk keni shtëpitë tuaja që të hani e të pini? Apo përbuzni kishën e Perëndisë dhe i bëni me turp ata që nuk kanë? Çfarë t’ju them? T’ju lëvdoj? Për këtë nuk ju lëvdoj.

23 Sepse unë kam marrë nga Zoti atë që jua dhashë juve: Zoti Jezus, në natën që u tradhtua, mori bukën

24 dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: “Ky është trupi Im, i cili është për ju; bëjeni këtë për të më kujtuar Mua.”

25 Po ashtu, pas darkës, mori edhe kupën dhe tha: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun Tim; bëjeni këtë, sa herë që të pini prej saj, për të më kujtuar Mua.”

26 Sepse sa herë që të hani nga kjo bukë dhe të pini nga kjo kupë, shpallni vdekjen e Zotit derisa Ai të vijë.

27 Prandaj, kushdo që të hajë bukën ose të pijë kupën e Zotit në mënyrë të padenjë, do të jetë fajtor për mëkat kundër trupit dhe gjakut të Zotit.

28 Por, le ta shqyrtojë më parë njeriu veten e vet dhe pastaj le të hajë nga kjo bukë dhe të pijë nga kjo kupë.

29 Sepse ai që ha dhe pi, pa e njohur trupin e Zotit, ha dhe pi dënimin për veten e vet.

30 Prandaj, ka shumë midis jush që janë të dobët dhe të sëmurë dhe një numër i mirë kanë rënë në gjumë.

31 Por, po ta gjykonim drejt veten tonë, nuk do të gjykoheshim.

32 Pastaj, kur gjykohemi, Zoti na qorton si të sillemi që të mos dënohemi bashkë me botën.

33 Kështu, o vëllezërit e mi, kur mblidheni për të ngrënë, prisni njëri-tjetrin.

34 Nëse dikush ka uri, le të hajë më parë në shtëpi, që të mos mblidheni për dënimin tuaj. Gjërat e tjera do t’i rregulloj kur të vij.

Kapitulli 12

1 Sa për dhuntitë shpirtërore, vëllezër, nuk dua që ju të mos i dini.

2 E dini se, kur ishit paganë, shkonit pas idhujve memecë, siç ju drejtonin.

3 Prandaj, po jua bëj të ditur se askush që flet nga Fryma e Perëndisë, nuk thotë: “Mallkuar qoftë Jezusi” dhe askush nuk mund të thotë: “Jezusi është Zot”, po të mos jetë nga Fryma e Shenjtë.

4 Ka larmi dhuntish, por Fryma është një e vetme.

5 Ka larmi shërbesash, por vetëm një është Zoti.

6 Ka larmi veprimtarish, por Perëndia, që i bën të gjitha gjërat në gjithkënd, është një i vetëm.

7 Secilit i jepet shfaqja e Frymës për dobinë e përbashkët.

8 Sepse njërit i jepet fjala e mençurisë nëpërmjet Frymës dhe tjetrit fjala e dijes sipas së njëjtës Frymë;

9 një tjetri, besimi me anë të të njëjtës Frymë dhe një tjetri dhuntitë e shërimit me anë të po asaj Fryme,

10 dikujt, fuqia për mrekulli, një tjetri dhuntia e profecisë, një tjetri aftësia për të dalluar frymët, tjetrit larmia e gjuhëve dhe një tjetri interpretimi i gjuhëve.

11 Por të gjitha këto i kryen e njëjta Frymë, duke ia shpërndarë secilit veçan, siç do vetë.

12 Sepse të gjitha gjymtyrët e trupit, megjithëse janë shumë, përbëjnë një trup të vetëm dhe ashtu si trupi, që ka shumë gjymtyrë, është një, po ashtu është edhe Krishti.

13 Sepse ne të gjithë u pagëzuam nga një Frymë në një trup, qoftë judenj apo grekë, skllevër apo të lirë dhe të gjithëve na është dhënë të pimë në një Frymë të vetme.

14 Sepse trupi nuk përbëhet nga një por nga shumë gjymtyrë.

15 Sikur këmba të thotë: “Meqenëse nuk jam dorë, nuk jam pjesë e trupit”, kjo nuk do të thotë se për këtë arsye ajo nuk është më pjesë e trupit.

16 Sikur veshi të thotë: “Meqenëse nuk jam sy, nuk jam pjesë e trupit”, kjo nuk do të thotë se për këtë arsye ai nuk është më pjesë e trupit.

17 Po të ishte i tërë trupi sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte i tëri vesh, ku do të ishte të nuhaturit?

18 Por në fakt Perëndia i ka vënë gjymtyrët, secilën prej tyre, në një trup, ashtu siç deshi Ai.

19 Po të ishin të gjitha një gjymtyrë, ku do të ishte trupi?

20 Përkundrazi, vërtet gjymtyrët janë shumë, por trupi është një i vetëm.

21 Syri nuk mund t’i thotë dorës: “Nuk ta kam nevojën”; as koka këmbëve: “Nuk jua kam nevojën.”

22 Përkundrazi, gjymtyrët e trupit që duken më të dobëta, janë të domosdoshme,

23 dhe atyre pjesëve të trupit që ne mendojmë se janë më pak të nderuara, atyre u bëjmë më shumë nderim. Gjymtyrët tona më pak të hijshme trajtohen me kujdes më të madh,

24 ndërsa gjymtyrët tona të hijshme nuk kanë nevojë për gjë. Por Perëndia e ka ndërtuar trupin në mënyrë të atillë që t’u jepet më shumë nderim pjesëve që ky u mungon,

25 që të mos kishte përçarje në trup, por që gjymtyrët të kishin të njëjtin kujdes për njëra-tjetrën.

26 Nëse një gjymtyrë vuan, të gjitha gjymtyrët vuajnë bashkë me të; nëse një gjymtyrë merr lavdi, të gjitha gjymtyrët gëzojnë bashkë me të.

27 Tani ju jeni trupi i Krishtit dhe secili prej jush është gjymtyrë e tij.

28 Perëndia ka caktuar në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues, pastaj ata që bëjnë mrekulli, pastaj ata që kanë dhunti për të shëruar, për të ndihmuar, për të qeverisur, ata që flasin lloje të ndryshme gjuhësh.

29 Mos janë të gjithë apostuj? Mos janë të gjithë profetë? Mos janë të gjithë mësues? Mos vallë të gjithë bëjnë mrekulli?

30 Mos kanë të gjithë dhunti shërimi? Mos flasin të gjithë gjuhë të ndryshme? Mos janë të gjithë interpretues?

31 Por kërkoni me zell dhuntitë më të mëdha. Dhe unë do t’ju tregoj një rrugë edhe më të përkryer.

Kapitulli 13

1 Edhe sikur të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, por të mos kisha dashuri, atëherë do të isha kthyer në një bronz që kumbon ose në një dajre që tingëllon.

2 Po të kisha dhunti për profeci dhe t’i dija të gjitha misteret dhe gjithë diturinë dhe po të kisha besim të madh sa të lëvizja malet, por të mos kisha dashuri, atëherë do të isha një hiç.

3 Edhe po t’ua ndaja të gjitha pasuritë e mia të varfërve dhe po ta jepja trupin tim që të digjej, por të mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë.

4 Dashuria është e durueshme, dashuria është plot mirësi. Ajo nuk njeh smirë; dashuria nuk mburret, nuk krekoset,

5 nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon dobinë e vet, nuk zemërohet, nuk e mendon të keqen që i kanë bërë,

6 nuk gëzohet me padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën;

7 ajo duron gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, këmbëngul në gjithçka.

8 Dashuria nuk bie kurrë; por nëse ka profeci, ato do të zhvlerësohen; nëse ka gjuhë, ato do të pushojnë; nëse ka dituri, do t’i humbë vlera.

9 Sepse ne njohim pjesërisht dhe profetizojmë pjesërisht;

10 por kur të vijë i përsosuri, i pjesshmi do të zhvlerësohet.

11 Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë, arsyetoja si fëmijë; kur u bëra burrë, i lashë mënjanë sjelljet prej fëmije.

12 Sepse tani shohim në pasqyrë si nëpër mjegull, por atëherë do të shohim ballë për ballë; tani njoh pjesërisht, por atëherë do të njoh plotësisht ashtu siç njihem edhe unë.

13 Tani për tani mbeten këto të tria: besimi, shpresa dhe dashuria; por më e madhja prej tyre është dashuria.

Kapitulli 14

1 Ndiqni rrugën e dashurisë dhe kërkoni me zell dhuntitë e Frymës, por mbi të gjitha atë të profetizimit.

2 Sepse ai që flet me dhuntinë e gjuhës, nuk u flet njerëzve, por Perëndisë; dhe vërtet askush nuk e kupton; ai flet gjëra të mistershme me frymën e vet.

3 Por ai që profetizon, u flet njerëzve si të ndërtohen, si të marrin zemër dhe si të ngushëllohen.

4 Ai që flet me dhuntinë e gjuhës, ndërton veten e vet, por ai që profetizon, ndërton kishën.

5 Dëshiroj që ju të gjithë të flisni me dhuntinë e gjuhës, por më tepër parapëlqej që të keni dhuntinë e profecisë; ai që profetizon, është më i madh se ai që flet në gjuhë, vetëm nëse ky është në gjendje të interpretojë, që të çojë në ndërtimin e kishës.

6 Por tani, vëllezër, po të vij te ju duke folur me dhuntinë e gjuhës, ç’dobi do t’ju sjell, nëse nuk ju flas me anë të zbulesës, të diturisë, të profecisë, a të mësimit?

7 Kështu ndodh edhe me gjërat pa jetë që lëshojnë tinguj, si fyelli ose harpa, po të mos bëjnë dallim në tone, si do të merret vesh ajo që po luhet në fyell, ose në harpë?

8 Sepse po të mos japë tingull të qartë boria, kush do të bëhet gati për luftë?

9 Kështu edhe ju, po të mos nxirrni nëpërmjet gjuhës fjalë të qarta, si do të merret vesh ajo që flisni? Përndryshe do të flisni në erë.

10 Kushedi sa shumë lloje gjuhësh ka në botë, megjithatë asnjë nuk është pa kuptim.

11 Por, po të mos di kuptimin e gjuhës, do të jem i huaj për atë që flet, dhe ai që flet do të jetë i huaj për mua.

12 Kështu edhe ju, meqë keni zell për dhuntitë shpirtërore, përpiquni t’i keni me tepri dhuntitë për ndërtimin e kishës.

13 Prandaj kushdo, që flet me dhuntinë e gjuhës, të lutet që të jetë në gjendje t’i interpretojë ato që thotë.

14 Sepse po të lutem me dhuntinë e gjuhës, fryma ime lutet, por mendja ime mbetet pa fryt.

15 Ç’të bëj atëherë? Do të lutem me frymë, por do të lutem edhe me mendje; do të psal me frymë, por do të psal edhe me mendje.

16 Sepse po të bekosh me frymë, si do të thotë “Amen” për falënderimin tënd ai i pamësuari që rri e dëgjon, kur nuk merr vesh çfarë po i thua?

17 Sepse vërtet ti mund të bësh një falënderim të mirë, por tjetri nuk ndërtohet.

18 Falënderoj Perëndinë, që flas në gjuhë më shumë se të gjithë ju.

19 Por në kishë dua më mirë të flas pesë fjalë të mençura, që t’i mësoj edhe të tjerët, sesa dhjetë mijë fjalë në një gjuhë të panjohur.

20 Vëllezër, mos u bëni çiliminj në mendime; megjithatë për sa i takon së keqes, bëhuni foshnja, por në mendime bëhuni të pjekur.

21 Në Ligj është shkruar se: “Me njerëz që flasin gjuhë të huaja dhe nëpërmjet buzëve të të huajve, do t’i flas këtij populli, por as kështu nuk do të më dëgjojnë”, thotë Zoti.

22 Kështu gjuhët janë një shenjë jo për ata që besojnë, por për ata që nuk besojnë, ndërsa profecia jo për ata që nuk besojnë, por për ata që besojnë.

23 Nëse mblidhet kisha dhe të gjithë fillojnë të flasin në gjuhë të panjohura dhe aty hyjnë njerëz të pamësuar dhe jobesimtarë, a nuk do të thoshin vallë se jeni të çmendur?

24 Por kur të gjithë profetizojnë dhe aty hyn një jobesimtar ose i pamësuar, ai bindet për mëkatet e tij prej gjithçkaje që dëgjon dhe të gjitha këto e vënë para përgjegjësisë,

25 dhe të fshehtat e zemrës së tij zbulohen. Kështu ai do të bjerë me fytyrë përdhe dhe do të adhurojë Perëndinë, duke shpallur se Perëndia është vërtet midis jush.

26 Ç’të themi atëherë, o vëllezër? Kur mblidheni, secili mund të ketë një psalm, një mësim, një zbulesë, një gjuhë tjetër, dhunti për të interpretuar gjuhët. Le të bëhet gjithçka për të ndërtuar kishën.

27 Nëse flitet në gjuhë të tjera, le të flasin dy ose të shumtën tre veta, dhe njëri pas tjetrit, ku dikush të interpretojë;

28 por po të mos ketë interpretues, le të heshtë folësi dhe t’i flasë vetes së vet dhe Perëndisë.

29 Le të flasin dy ose tre profetë dhe të tjerët të gjykojnë.

30 Por, po t’i vijë një zbulesë atij tjetrit që rri ulur, i pari le të heshtë.

31 Sepse të gjithë mund të profetizoni një nga një, që të gjithë të mësojnë dhe të gjithë të marrin zemër.

32 Frymët e profetëve duhet t’u nënshtrohen profetëve;

33 sepse Perëndia nuk është Perëndi i ngatërresës, por i paqes. Si në të gjitha kishat e shenjtërve,

34 gratë duhet të heshtin në kisha, sepse atyre nuk u lejohet të flasin, por duhet të nënshtrohen ashtu siç e thotë edhe Ligji.

35 Kur ato duan të mësojnë ndonjë gjë, le të pyesin burrat e vet në shtëpi, sepse është e pahijshme për një grua të flasë në kishë.

36 A ka dalë fjala e Perëndisë prej jush? Apo ka arritur vetëm te ju?

37 Nëse ndokush mendon se është profet ose njeri i pajisur me dhuntitë shpirtërore, le ta marrë vesh se ato që po ju shkruaj janë porosi të Zotit.

38 Por nëse dikush nuk e përfill këtë, ai nuk do të përfillet.

39 Prandaj, vëllezërit e mi, të përpiqeni me zell për dhuntinë e profecisë dhe mos i ndaloni njerëzit të flasin në gjuhë të tjera.

40 Gjithçka të bëhet në mënyrë të hijshme dhe sipas rregullit.

Kapitulli 15

1 Tani, vëllezër, po ju njoh me ungjillin që ju kam predikuar, të cilin gjithashtu e keni marrë dhe në të cilin po qëndroni.

2 Nëpërmjet po këtij ungjilli ju shpëtoheni, nëse i përmbaheni fjalës që ju kam predikuar. Përndryshe keni besuar më kot.

3 Sepse së pari e kam përçuar te ju atë që mora: Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve,

4 Ai u varros, u ngjall ditën e tretë sipas Shkrimeve,

5 dhe iu shfaq Kefës, e pastaj të dymbëdhjetëve.

6 Pastaj Ai iu shfaq më shumë se pesëqind vëllezërve njëherësh, pjesa më e madhe e të cilëve janë edhe sot, por disa kanë vdekur.

7 Pas kësaj Ai iu shfaq Jakobit, dhe pastaj të gjithë apostujve;

8 dhe në fund nga të gjithë, m’u shfaq edhe mua, si një që ka lindur para kohe.

9 Sepse unë jam më i vogli i apostujve dhe nuk jam i denjë të quhem apostull, sepse kam përndjekur kishën e Perëndisë.

10 Por, me hirin e Perëndisë, jam ai që jam dhe hiri i Tij për mua nuk shkoi kot; madje jam munduar më shumë se ata të gjithë, megjithatë jo unë, por hiri i Perëndisë që ishte me mua.

11 Pra, si unë ashtu edhe ata kështu predikojmë dhe ju kështu besuat.

12 Tani, po të predikohet që Krishti u ngjall prej të vdekurve, atëherë si thonë disa midis jush se nuk ka ngjallje të të vdekurve?

13 Por, po të mos ketë ngjallje të të vdekurve, atëherë as Krishti nuk është ngjallur.

14 Dhe po të mos jetë ngjallur Krishti, atëherë predikimi ynë është i kotë dhe po ashtu i kotë është edhe besimi juaj.

15 Përveç kësaj, ne dalim edhe dëshmitarë të rremë të Perëndisë, sepse kemi dëshmuar për Perëndinë se Ai e ngjalli Jezusin. Por del që Ai nuk e ka ngjallur, nëse të vdekurit vërtet nuk ngjallen.

16 Sepse, nëse të vdekurit nuk ngjallen, as Krishti nuk është ngjallur

17 dhe po të mos jetë ngjallur Krishti, besimi juaj është i kotë; ju jeni ende në mëkatet tuaja.

18 Kështu, edhe ata që kanë vdekur në Krishtin, janë të humbur.

19 Pastaj në qoftë se kemi shpresuar në Krishtin vetëm në këtë jetë, jemi për t’u mëshiruar më shumë nga të gjithë njerëzit.

20 Por tani Krishti është ngjallur nga të vdekurit, fryti i parë i atyre që kanë vdekur.

21 Sepse, meqë vdekja erdhi për shkak të një njeriu, edhe ngjallja e të vdekurve vjen nëpërmjet një njeriu.

22 Sepse, ashtu si të gjithë vdesin në Adamin, po kështu të gjithë do të marrin jetë në Krishtin.

23 Por, secili sipas radhës së vet: Krishti, fryti i parë, pastaj, kur Ai të vijë, ata që i përkasin Krishtit.

24 Pastaj vjen fundi, kur Ai do t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit, pasi t’i ketë dhënë fund çdo sundimi, çdo pushteti dhe çdo fuqie.

25 Sepse Ai duhet të mbretërojë, derisa t’i ketë vënë të gjithë armiqtë nën këmbët e Veta.

26 Armiku i fundit që do të asgjësohet, është vdekja.

27 Sepse, gjithçka e nënshtroi nën këmbët e Veta. Por kur thotë: “Gjithçka i nënshtrohet Atij”, është e qartë se këtu nuk hyn Perëndia, i cili bëri që gjithçka t’i nënshtrohet Krishtit.

28 Dhe kur gjithçka t’i jetë nënshtruar Atij, atëherë edhe Vetë Biri do t’i nënshtrohet Perëndisë, që bëri gjithçka t’i nënshtrohet Atij, që Perëndia të jetë gjithçka në gjithçka.

29 Përndryshe, çfarë do të bëjnë ata që pagëzohen për të vdekurit? Nëse të vdekurit nuk ngjallen dot, përse atëherë pagëzohen për ta?

30 Përse rrezikojmë veten edhe ne në çdo orë?

31 Unë vdes çdo ditë, dhe kjo është e vërtetë, o vëllezër, siç është edhe krenaria që kam për ju, të cilën e kam në Krishtin Jezus Zotin tonë.

32 Nëse u përlesha me bishat e egra në Efes thjesht si njeri, ku qëndron dobia? Nëse të vdekurit nuk ngjallen, le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim.

33 Mos u mashtroni: “Shoqëritë e këqija i prishin zakonet e mira.”

34 Ejani në vete e silluni siç duhet. Mos mëkatoni; sepse disa nuk e njohin Perëndinë, dhe këtë e them për turpin tuaj.

35 Por dikush do të thotë: “Si ngjallen të vdekurit? Me çfarë trupi vijnë ata?”

36 I marrë! Ajo që ti mbjell, nuk del në jetë po të mos vdesë më parë.

37 Kur mbjell, ti nuk mbjell trupin që do të bëhet, por një kokërr të zhveshur, qoftë kokërr gruri ose diçkaje tjetër.

38 Por Perëndia i jep trup siç do Ai, dhe secilës farë i jep trupin e vet.

39 Jo çdo mish është i të njëjtit lloj, por tjetër është mishi i njerëzve, tjetër mishi i kafshëve, tjetër mishi i zogjve dhe tjetër ai i peshqve.

40 Ka trupa qiellorë dhe trupa tokësorë, por tjetër është lavdia e qiellorëve dhe tjetër ajo e tokësorëve.

41 Tjetër është lavdia e diellit, tjetër lavdia e hënës dhe tjetër është lavdia e yjeve; sepse ndryshon ylli nga ylli në lavdi.

42 Kështu ndodh edhe me ngjalljen e të vdekurve. Trupi që mbillet i kalbshëm, ngrihet i pakalbshëm;

43 mbillet i çnderuar, ngrihet me lavdi; mbillet i dobët, ngrihet me fuqi;

44 mbillet trup lëndor, ngrihet trup shpirtëror. Nëse ka trup lëndor, ka edhe shpirtëror.

45 Kështu është shkruar: “Njeriu i parë, Adami, u bë një shpirt që jeton.” Adami i fundit u bë një frymë që jep jetë.

46 Megjithatë, e para nuk është ajo që është e frymës, por ajo e lëndës, pastaj vjen ajo e frymës.

47 Njeriu i parë është prej dheu, tokësor; njeriu i dytë vjen prej qiellit.

48 Siç ishte njeriu i dheut, po ashtu janë edhe ata të dheut dhe siç është njeriu i qiellit, po ashtu janë edhe ata të qiellit.

49 Ashtu siç kemi mbajtur shëmbëllimin e njeriut të dheut, po ashtu do të mbajmë edhe shëmbëllimin e atij të qiellit.

50 Këtë po them, vëllezër, se mishi dhe gjaku nuk mund të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë; as e kalbshmja nuk trashëgon të pakalbshmen.

51 Ja, po ju them një mister: nuk do të biem në gjumë të gjithë, por të gjithë do të shndërrohemi

52 në një çast, sa hap e mbyll sytë, në borinë e fundit. Sepse boria do të bjerë, të vdekurit do të ngjallen të pakalbshëm dhe ne do të shndërrohemi.

53 Sepse ky trup që është i kalbshëm, duhet të vishet me atë që është e pakalbshme dhe ky trup i vdekshëm, duhet të vishet me pavdekësinë.

54 Pastaj kur ky trup që është i kalbshëm, do të vishet me atë që është e pakalbshme dhe ky që është i vdekshëm, do të vishet me pavdekësinë, atëherë do të përmbushet thënia që është shkruar: “Vdekja u përpi në fitore.”

55 “Ku është, o vdekje, fitorja jote? Ku e ke, o vdekje, thumbin tënd?”

56 Thumbi i vdekjes është mëkati dhe fuqia e mëkatit është ligji.

57 I qofshim falë Perëndisë, që na jep fitoren nëpërmjet Zotit tonë Jezus Krishtit.

58 Prandaj, vëllezërit e mi të dashur, të jeni të fortë, të patundur, gjithmonë duke ia përkushtuar veten plotësisht veprës së Zotit, sepse e dini se mundi juaj në Zotin nuk është i kotë.

Kapitulli 16

1 Përsa i përket grumbullimit të ndihmave për shenjtërit, veproni edhe ju siç i kam porositur kishat e Galacisë.

2 Të parën ditë të çdo jave, secili prej jush të vërë diçka mënjanë dhe ta kursejë, sipas të ardhurave, që kur të vij unë, të mos bëhen mbledhje ndihmash.

3 Pastaj, kur të vij, atyre që do të miratoni ju, do t’u jap letra rekomandimi dhe do t’i dërgoj që të çojnë dhuratën tuaj në Jeruzalem,

4 dhe po ta shoh të arsyeshme që të shkoj edhe unë, ata do të nisen bashkë me mua.

5 Do të vij te ju kur të kaloj nga Maqedonia, sepse më bie rruga nëpër Maqedoni.

6 Ndoshta mund të qëndroj me ju, ose edhe mund të kaloj dimrin, që ju të më nxirrni njeri për të më përcjellë kudo që shkoj.

7 Sepse nuk dua t’ju shoh tani kalimthi; shpresoj të qëndroj me ju për njëfarë kohe, në dashtë Zoti.

8 Por do të qëndroj në Efes deri në Rrëshajët,

9 sepse më është hapur një derë e madhe për punë të frytshme, megjithëse kundërshtarë ka shumë.

10 Po të vijë Timoteu, kujdesuni që të qëndrojë me ju pa druajtje, sepse ai, ashtu si unë, bën punën e Zotit.

11 Prandaj, askush të mos e përçmojë. Por përcilleni në paqe, që të kthehet tek unë; po e pres bashkë me vëllezërit.

12 Sa për Apolonin, vëllanë tonë, iu luta shumë që të vinte te ju me vëllezërit. Nuk kishte fare dëshirë të vinte tani, por do të vijë kur t’i dalë rasti.

13 Hapni sytë, qëndroni të patundur në besim, silluni si burra, bëhuni të fortë.

14 Gjithçka që bëni, ta bëni me dashuri.

15 Ju e dini shtëpinë e Stefanait, që është fryti i parë i Akaisë dhe e dini që ata ia kanë kushtuar veten shërbesës së shenjtërve. Po ju lutem, o vëllezër

16 që edhe ju të viheni në shërbim të njerëzve të këtillë dhe të kujtdo që ndihmon dhe mundohet.

17 Gëzohem për ardhjen e Stefanait, të Fortunatit dhe të Akaikut, sepse ata plotësuan atë që ju mungonte juve.

18 Sepse ata na qetësuan shpirtin tim dhe tuajin. Prandaj t’ua dini për nder njerëzve të këtillë.

19 Ju përshëndesin kishat e Azisë. Akuila dhe Priska ju përshëndesin përzemërsisht në Zotin, bashkë me kishën që mblidhet në shtëpinë e tyre.

20 Të gjithë vëllezërit ju përshëndesin. Përshëndetni njëri-tjetrin me një puthje të shenjtë.

21 Këtë përshëndetje e shkrova me dorën time unë, Pali.

22 Nëse ndokush nuk e do Zotin, i mallkuar qoftë. Marana tha!

23 Hiri i Zotit Jezus qoftë me ju.

24 Dashuria ime në Krishtin Jezus qoftë me ju të gjithë.