1 Pjetri, apostull i Jezus Krishtit, atyre që banojnë si të huaj, të shpërndarë nëpër Pont, Galaci, Kapadoki, Azi dhe Bitini, të zgjedhurve
2 sipas paranjohjes nga Perëndia Atë, nëpërmjet punës shenjtëruese të Frymës, për t’iu bindur Jezus Krishtit dhe për t’u spërkatur me gjakun e Tij: Hiri dhe paqja qoftë me begati për ju.
3 I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezus Krisht, i cili me mëshirën e Vet të madhe na ka bërë të lindim sërish me një shpresë të gjallë nëpërmjet ngjalljes së Jezus Krishtit nga të vdekurit,
4 për një trashëgimi që nuk mund të prishet, nuk mund të përlyhet dhe as të kalbet – të ruajtur në qiej për ju,
5 të cilët mbroheni nëpërmjet besimit nga fuqia e Perëndisë për shpëtimin që është gati për t’u zbuluar në mbarim të kohëve.
6 Për këtë gëzohuni, megjithëse tani, po të jetë nevoja, për pak kohë mund të trishtoheni nga sprova të ndryshme,
7 të cilat kanë ndodhur që besimi juaj, që është shumë më i çmuar se ari që prishet edhe pse ka kaluar provën e zjarrit, të dalë për lëvdatë, lavdi e nder kur të zbulohet Jezus Krishti,
8 të cilin, megjithëse nuk e keni parë, e doni. Edhe pse tani nuk e shihni, por besoni në Të, mbusheni me një gëzim të papërshkrueshëm dhe plot me lavdi,
9 sepse arrini qëllimin e besimit tuaj, shpëtimin e shpirtrave tuaj.
10 Për këtë shpëtim, profetët, që profetizuan për hirin që do t’ju vinte, bënë kërkime dhe hetime me imtësi
11 dhe u përpoqën të dinin kohën dhe rrethanat që po tregonte Fryma e Krishtit që ishte ndër ta, kur parashikonte vuajtjet e Krishtit dhe lavditë që do të vinin më pas.
12 Perëndia u zbuloi atyre se ata nuk po i shërbenin vetes së tyre, por juve, kur ju folën për ato gjëra që ju janë shpallur tani nëpërmjet atyre që predikuan ungjillin te ju me anë të Frymës së Shenjtë që u dërgua nga qielli, gjëra të cilat edhe engjëjt dëshirohen t’i sodisin.
13 Prandaj, mblidheni mendjen, qëndroni esëll, varini të gjitha shpresat në hirin që do t’ju jepet kur të zbulohet Jezus Krishti.
14 Si fëmijë të bindur, mos shkoni pas dëshirave që keni pasur më parë kur ishit të paditur,
15 por, ashtu si Ai që ju thirri është i shenjtë, edhe ju vetë të jeni të shenjtë në çdo sjellje tuajën.
16 Sepse është shkruar: “Të jeni të shenjtë, sepse Unë jam i shenjtë.”
17 Dhe po t’i drejtoheni si Atë Atij që gjykon në mënyrë të paanshme sipas veprës së secilit, kohën e shtegtimit tuaj mbi tokë ta kaloni me frikë,
18 duke e ditur se shpengimi që ju çliroi nga mënyra juaj e kotë e jetesës që keni trashëguar nga etërit tuaj nuk u bë me gjëra që prishen si argjendi ose ari,
19 por me gjakun e çmuar të Krishtit, si të një qengji pa cen e të panjollë.
20 Ai vërtet ka qenë njohur që përpara themelimit të botës, por u shfaq në kohët e fundit për hirin tuaj.
21 Nëpërmjet Tij ju besoni në Perëndinë, që e ngjalli Atë prej të vdekurve dhe i dha lavdi, që besimi juaj dhe shpresa të jenë te Perëndia.
22 Tani që keni pastruar shpritrat tuaj duke iu bindur të vërtetës për një dashuri vëllazërore të pashtirur, duajeni fort njëri-tjetrin me zemër [të pastër],
23 sepse jeni lindur përsëri jo prej farës që prishet, por prej asaj që nuk prishet, nëpërmjet fjalës së Perëndisë që është i gjallë dhe që mbetet për jetë.
24 Sepse “I gjithë mishi është si bari dhe e gjithë lavdia e tij është si lulja e barit. Bari fishket dhe lulja bie,
25 por fjala e Zotit mbetet përgjithmonë.” Kjo është fjala që ju është predikuar juve.
1 Prandaj, duke lënë mënjanë çdo ligësi, çdo mashtrim, hipokrizi, smirë e shpifje të çdo lloji,
2 dëshironi si foshnja të sapolindura qumështin e pastër të fjalës, që me anë të tij të rriteni për shpëtimin tuaj,
3 tani që keni shijuar mirësinë e Zotit.
4 Duke iu afruar Atij, gurit të gjallë, që u hodh poshtë nga njerëzit, por u zgjodh dhe u çmua prej Perëndisë,
5 edhe ju, si gurë të gjallë, po ndërtoheni si një shtëpi shpirtërore për një priftëri të shenjtë, për të bërë flijime shpirtërore të pranueshme për Perëndinë nëpërmjet Jezus Krishtit.
6 Prandaj thuhet në Shkrim: “Ja, po vë në Sion një gur të zgjedhur, një gur themeli të çmuar dhe ai që beson në Atë, nuk do të turpërohet kurrë.”
7 Ai është i çmueshëm pra, për ju, që besoni. Por për ata që nuk besojnë: “Guri, të cilin e hodhën poshtë ndërtuesit, u bë guri i këndit”
8 dhe “gur që i bën njerëzit të pengohen dhe shkëmb që i bën ata të rrëzohen.” Ata pengohen sepse janë të pabindur ndaj fjalës, për të cilën edhe ishin caktuar.
9 Por ju jeni një fis i zgjedhur, një priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull që i përket Perëndisë, që të shpallni virtytet e shkëlqyera të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e Vet të mrekullueshme.
10 Dikur nuk ishit popull, por tani ju jeni popull i Perëndisë; dikur ju nuk u mëshiruat, por tani gëzoni mëshirë.
11 Të dashurit e mi, ju këshilloj, si të huaj e si të ardhur, të hiqni dorë nga pasionet e mishit, të cilat bëjnë luftë kundër shpirtit.
12 Silluni mirë midis paganëve, që megjithëse ju përflasin si keqbërës, të shohin veprat tuaja të mira dhe t’i japin lavdi Perëndisë në ditën e ardhjes së Tij.
13 Nënshtrojuni për hir të Zotit çdo autoriteti njerëzor, qoftë mbretit, si më i larti,
14 apo qeveritarëve, që dërgohen prej tij për të ndëshkuar keqbërësit dhe për të lëvduar bamirësit.
15 Sepse i tillë është vullneti i Perëndisë, që, duke bërë mirë, të mund t’i mbyllni gojën padijes së njerëzve të marrë.
16 Jetoni si njerëz të lirë, por mos e përdorni lirinë si veshje për të keqen, por jetoni si shërbëtorë të Perëndisë.
17 Të gjithë t’i nderoni, vëllazërinë e besimtarëve ta doni, Perëndinë ta keni frikë, mbretin ta nderoni.
18 Shërbëtorë, nënshtrojuni me plot frikë zotërinjve tuaj, jo vetëm atyre që janë të mirë dhe të butë, por edhe atyre që janë të ashpër.
19 Sepse është e lëvdueshme kur dikush duron hidhërime duke vuajtur padrejtësisht dhe këtë e bën sepse është i ndërgjegjshëm ndaj Perëndisë.
20 Sepse ku është lavdia, nëse duroni kur ju rrahin për mëkatin që keni bërë? Por nëse vuani kur bëni mirë dhe duroni, kjo është për t’u lëvduar para Perëndisë.
21 Për këtë jeni thirrur, sepse edhe Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një shembull që të ecni pas gjurmëve të Tij.
22 Ai nuk bëri mëkat, as nuk u gjet mashtrim në gojën e Tij.
23 Kur e fyenin, nuk ua kthente me fyerje; kur vuante, nuk bënte kërcënime, por ia besonte veten Atij që gjykon në mënyrë të drejtë.
24 Ai Vetë i barti mëkatet tona në trupin e Vet në drurin e kryqit, që ne të vdisnim ndaj mëkateve, dhe të jetonim për drejtësinë; prej plagëve të Tij u shëruat ju.
25 Sepse ju ishit si dele që kanë humbur, por tani jeni kthyer te Bariu dhe Ruajtësi i shpirtrave tuaj.
1 Po ashtu edhe ju gra, nënshtrojuni burrave tuaj, që edhe sikur ndonjë prej tyre të mos i binden fjalës, të fitohen pa fjalë nëpërmjet sjelljes së grave të tyre,
2 kur të shohin se ju jetoni me pastërti dhe me frikë ndaj Perëndisë.
3 Stolia juaj të mos jetë vetëm e jashtme, si flokët të thurur gërsheta, stolitë me ar apo veshjet të bukura,
4 por të jetë në brendësi të zemrës suaj, të jetë stoli e pavenitshme e një shpirti të butë e të qetë, që është shumë e vyer përpara Perëndisë.
5 Sepse kështu e stolisnin dikur veten e tyre edhe gratë e shenjta, që shpresonin në Perëndinë, duke iu nënshtruar burrave të tyre.
6 Po kështu iu bind edhe Sara Abrahamit, duke e quajtur atë zot. Ju bëheni bijat e saj, po të bëni atë që është e drejtë dhe po të mos i trembeni asnjë kërcënimi.
7 Edhe ju burra, po ashtu, jetoni së bashku me gratë tuaja me mirëkuptim dhe nderojini si një enë më e dobët, meqë është femër, dhe si bashkëtrashëgimtare e hirit të jetës, që lutjet tuaja të mos pengohen nga asgjë.
8 Dhe së fundi, të gjithë të jeni në një mendje, të dhembshur, vëlladashës, plot me keqardhje e të përvuajtur.
9 Mos e ktheni të keqen me të keqe, ose fyerjen me fyerje, por përkundrazi bekoni, sepse për këtë jeni thirrur, që të trashëgoni bekimin.
10 Sepse: “Cilido që e do jetën dhe dëshiron të shohë ditë të mira, duhet t’i vërë fre gjuhës për të mos folur keq dhe të mos i lërë buzët të flasin mashtrim.
11 Duhet të largohet nga e liga dhe të bëjë mirë; duhet të kërkojë paqe dhe ta ndjekë atë.
12 Sepse Zoti i mban sytë te të drejtët, veshët te lutja e tyre, por Zoti është kundër atyre që bëjnë të këqija.”
13 Kush është ai që ju bën keq, po të tregoheni të zellshëm për të mirën?
14 Por edhe sikur të vuani për hir të drejtësisë, të bekuar jeni. Mos iu trembni kërcënimeve të tyre dhe mos u tronditni.
15 Por të shenjtë ta mbani Krishtin si Zot në zemrat tuaja, duke qenë gjithmonë të gatshëm për t’i dhënë përgjigje kujdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju.
16 Por këtë ta bëni me butësi dhe respekt. Ndërgjegjen ta keni të pastër, që ata që ju fyejnë për sjelljen tuaj të mirë në Krishtin, të turpërohen që shpifin kundër jush.
17 Sepse është më mirë për ju të vuani duke bërë mirë, nëse ky është vullneti i Perëndisë, sesa duke bërë keq.
18 Sepse edhe Krishti vdiq një herë e përgjithmonë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, që Ai t’ju sillte te Perëndia; Ai vdiq në mish, por u ngjall në frymë,
19 me anë të të cilit Ai shkoi e u predikoi shpirtrave në burg,
20 që dikur kishin qenë të pabindur, kur Perëndia i priste me durim në ditët e Noes, gjatë ndërtimit të arkës. Vetëm pak njerëz, tetë veta gjithsej, shpëtuan nga uji.
21 Ky ujë simbolizon pagëzimin, që tani ju shpëton ju – dhe nuk është heqje e papastërtisë së trupit, por thirrje drejtuar Perëndisë për një ndërgjegje të pastër – nëpërmjet ngjalljes së Jezus Krishtit,
22 i cili është në të djathtë të Perëndisë, pasi u ngjit në qiell, ku Atij iu nënshtruan engjëjt, pushtetet dhe fuqitë.
1 Prandaj, meqë Krishti vuajti në mish, edhe ju armatosuni me të njëjtën mendje, sepse ai që ka vuajtur në mish, ka pushuar së mëkatuari,
2 që pjesën tjetër të jetës që i ka mbetur për ta jetuar në mish, të mos e jetojë për t’u shërbyer epsheve të njerëzve, por vullnetit të Perëndisë.
3 Sepse kohën që shkoi, ju e keni kaluar duke kënaqur dëshirat e paganëve, duke jetuar në shthurje, epshe, dehje, ahengje, të pira e idhujtari të neveritshme.
4 Ata çuditen se si ju nuk zhyteni bashkë me ta në të njëjtin vërshim shthurjeje dhe ju përgojojnë.
5 Ata do t’i japin llogari Atij që është gati të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit.
6 Sepse për këtë iu predikua ungjilli edhe atyre që tani kanë vdekur që, edhe pse janë gjykuar në mish si njerëz, të jetojnë në frymë sipas Perëndisë.
7 Fundi i të gjitha gjërave është afër. Prandaj të jeni të matur dhe të përkorë për t’iu kushtuar lutjeve.
8 Mbi të gjitha, të keni dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon një mori mëkatesh.
9 Të jeni mikpritës me njëri-tjetrin pa u ankuar.
10 Secili të përdorë dhuntinë që ka marrë, duke e vënë në shërbim të njëri-tjetrit, si mbarështues të mirë të hirit të larmishëm të Perëndisë.
11 Nëse dikush flet, le të flasë si të ishin fjalë Perëndie. Nëse dikush shërben, le ta bëjë si prej fuqisë që siguron Perëndia, që Perëndia të marrë lavdi në gjithçka nëpërmjet Jezus Krishtit. Atij i qoftë lavdia dhe pushteti për jetë të jetëve. Amen.
12 Të dashurit e mi, mos u çuditni për sprovën përvëluese që vuani, si t’ju kishte ndodhur diçka e habitshme,
13 por gëzohuni që merrni pjesë në vuajtjet e Krishtit; që të mbusheni me gëzim e të ngazëlloheni kur të zbulohet lavdia e Tij.
14 Nëse ju fyejnë për shkak të emrit të Krishtit, jeni të bekuar, sepse Fryma e lavdisë dhe e Perëndisë pushon mbi ju.
15 Sepse asnjë prej jush nuk duhet të vuajë si vrasës, vjedhës, keqbërës, apo si ngatërrestar.
16 Megjithatë, nëse dikush vuan si i krishterë, të mos turpërohet, por të përlëvdojë Perëndinë për këtë emër.
17 Sepse ka ardhur koha që gjykimi të fillojë nga shtëpia e Perëndisë dhe nëse fillon së pari nga ne, si do të jetë përfundimi i atyre që nuk i binden ungjillit të Perëndisë?
18 Nëse është e vështirë për të drejtin të shpëtojë, ç’do të bëhet me atë që është i papërshpirtshëm dhe mëkatar?
19 Prandaj, edhe ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, le t’ia besojnë shpirtrat e tyre një Krijuesi besnik dhe të vazhdojnë të bëjnë mirë.
1 Prandaj, pleqve që janë midis jush, u bëj thirrje unë, si plak bashkë me ta, si dëshmitar i vuajtjeve të Krishtit dhe si pjesëmarrës i lavdisë që do të zbulohet,
2 ruajeni grigjën e Perëndisë që është midis jush, duke e mbikëqyrur jo me pahir, por me dëshirë, sipas vullnetit të Perëndisë, jo me lakmi për para, por me zell për të shërbyer,
3 pa u bërë si zotër mbi ata që ju janë besuar, por duke u bërë shembull për grigjën.
4 Kur të shfaqet Kryebariu, ju do të merrni kurorën e lavdisë që nuk fishket kurrë.
5 Po ashtu, ju o të rinj, nënshtrojuni më të moshuarve tuaj dhe të gjithë vishuni me përvujtërinë kundrejt njëri-tjetrit, sepse Perëndia është kundër kryelartëve, kurse të përvuajturve u jep hir.
6 Përulni veten, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që Ai t’ju lartësojë në kohën e duhur.
7 Të gjithë ankthin tuaj hidheni mbi Të, sepse Ai merakoset për ju.
8 Të jeni të përkorë dhe syhapur. Kundërshtari juaj, djalli, sillet rrotull si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë ndonjë prej jush.
9 Qëndrojini atij të patundur në besimin tuaj, sepse e dini se po ato vuajtje po i kalojnë edhe vëllezërit tuaj në botë.
10 Pasi të keni vuajtur për pak kohë, Perëndia i gjithë hirit, që ju thirri në lavdinë e Vet të amshuar në Krishtin [Jezus], Ai Vetë do t’ju përsosë, do t’ju bëjë të fortë, të fuqishëm e të patundur.
11 Atij i qoftë pushteti për jetë. Amen.
12 Ju kam shkruar shkurt, nëpërmjet Silvanit, vëllait besnik, siç e quaj unë, duke ju dhënë zemër dhe duke dëshmuar se ky është hiri i vërtetë i Perëndisë. Të qëndroni të patundur në të!
13 Ju përshëndet ajo që është në Babiloni, e zgjedhur bashkë me ju, si edhe Marku, djali im.
14 Përshëndetni njëri-tjetrin me një puthje dashurie. Paqe të gjithë juve që jeni në Krishtin.