2 e Thesalonikasve – Kapitulli 1
1 Pali, Silvani dhe Timoteu, kishës së Thesalonikasve, që është në Perëndinë, Atin tonë, dhe në Zotin Jezu Krisht:
2 paçi hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.
3 Ne e kemi për detyrë ta falënderojmë gjithnjë Perëndinë për ju, o vëllezër, sikurse është fort e drejtë, sepse besimi juaj po rritet shumë dhe dashuria e secilit prej jush për njëri-tjetrin po tepron,
4 aq sa ne vetë po krenohemi me ju në kishat e Perëndisë, për qëndresën tuaj dhe për besimin në të gjitha përndjekjet dhe vështirësitë që po hiqni.
5 Ky është një dëftim i gjyqit të drejtë të Përendisë, që ju të çmoheni të denjë për mbretërinë e Perëndisë për të cilën edhe vuani,
6 sepse është e drejtë, nga ana e Perëndisë, t’u jepet mundim atyre që po ju mundojnë,
7 kurse juve, të munduarve, të preheni bashkë me ne, kur Zoti Jezu Krisht të shfaqet nga qielli me engjëjt e pushtetit të vet,
8 në një zjarr flakërues, për t’u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi, dhe të atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht.
9 Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij,
10 kur ai të vijë, atë ditë, për të qenë i lavdëruar në shenjtorët e vet, për të qenë i admiruar në mes të atyre që kenë besuar, sepse dëshmia jonë tek ju u besua.
11 Edhe për këtë ne vazhdimisht po lutemi për ju, që Perëndia ynë t’ju bëjë të denjë për këtë thirrje dhe të përmbushë me fuqinë çdo qëllim të mirë dhe veprën e besimit,
12 që të lëvdohet emri i Zotit tonë Jezu Krisht në ju dhe ju në të, sipas hirit të Perëndisë sonë dhe të Zotit Jezu Krisht.
2 e Thesalonikasve – Kapitulli 2
1 Ju lutemi, o vëllezër, lidhur me ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht dhe me tubimin tonë me të,
2 të mos lejoni që menjëherë t’ju prishet mendja ose të trazoheni as prej fryme, as prej fjale, as prej ndonjë letre gjoja të shkruar prej nesh, thua se ja, erdhi dita e Krishtit.
3 Askush të mos ju gënjejë kursesi, sepse ajo ditë nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia dhe pa u shfaqur njeriu i mëkatit, i biri i humbjes,
4 kundërshtari, ai që lartëson veten mbi çdo gjë që quhet perëndi ose objekt adhurimi, aq sa të shkojë e të rrijë në tempullin e Perëndisë si Perëndi, duke e paraqitur veten se është Perëndi.
5 A nuk ju bie ndër mend se, kur isha akoma ndër ju, jua thoja këto gjëra?
6 Tani e dini atë që e ndalon atë që të shfaqet vetëm në kohën e vet.
7 Misteri i paudhësisë në fakt është tashmë në veprim, duke pritur vetëm që të hiqet nga mesi ai që e ndalon tashti.
8 Atëherë do të shfaqet ky i paudhë, të cilin Zoti do ta shkatërrojë me hukatjen e gojës së tij dhe do ta asgjësojë me të dukurit e ardhjes së tij.
9 Ardhja e atij të paudhi do të bëhet me anë të veprimit të Satanit, bashkë me çudira, shenja dhe mrrekullish të rreme,
10 dhe nga çdo mashtrim ligësie për ata që humbin, sepse nuk pranuan ta duan të vërtetën për të qenë të shpëtuar.
11 E prandaj Perëndia do t’u dërgojë atyre një gënjim që do t’i bëjë të gabojnë, që t’i besojnë gënjeshtrës,
12 që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës, por përqafuan ligësinë!
13 Por ne duhet ta falënderojmë vazhdimisht Perëndinë për ju, o vëllezër të dashur nga Zoti, sepse Perëndia ju zgjodhi që në fillim për t’ju shpëtuar, me anë të shenjtërimit të Frymës dhe të besimit në të vërtetën;
14 tek e cila ju thirri me anë të ungjillit tonë, që të arrini të merrni lavdinë e Zotit tonë Jezu Krisht.
15 Prandaj, vëllezër, qëndroni dhe mbani porositë që mësuat, me anë të fjalës ose me anë të letrës sonë.
16 Dhe vetë Zoti jonë Jezu Krisht dhe Perëndia Ati ynë, që na deshi dhe na dha me anë të hirit një ngushëllim të përjetshëm dhe një shpresë të mirë,
17 ngushëlloftë zemrat tuaja dhe ju forcoftë në çdo fjalë e punë të mirë.
2 e Thesalonikasve – Kapitulli 3
1 Më në fund, o vëllezër, lutuni për ne, që fjala e Zotit të përhapet me të shpejtë dhe të lëvdohet, porsi ndër ju,
2 dhe derisa të shpëtojmë nga njerëzit e çoroditur dhe të këqij, sepse jo të gjithë kanë besim.
3 Por Zoti është besnik, dhe ai do t’ju forcojë dhe do t’ju ruajë nga i ligu.
4 Dhe ne kemi besim për ju te Zoti, se gjërat që ju porositëm po i bëni dhe do t’i bëni.
5 Edhe Zoti i drejtoftë zemrat tuaja te dashuria e Perëndisë dhe te qëndrueshmëria e Krishtit.
6 Dhe ju porositim, o vëllezër, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, që të largoheni nga çdo vëlla që ecën i çrregullt dhe jo sipas porosisë që keni marrë prej nesh.
7 Sepse ju e dini vetë se si duhet të na shëmbëlleni, sepse ne nuk u sollëm në mënyrë të çrregullt midis jush,
8 dhe nuk kemi ngrënë falas bukën e ndonjërit, por punuam me mundim e cfilitje ditë e natë, që të mos i bëheshim barrë asnjërit prej jush.
9 Jo se ne nuk e kemi këtë të drejtë, po për t’ju dhënë ne vetë një shëmbull që ju të na imitonit.
10 Në fakt, edhe kur ishim në mes tuaj, ju porosisnim këtë: se po qe se ndonjë nuk do të punojë, as të mos hajë.
11 Në fakt dëgjojmë se disa prej jush që ecin në mënyrë të çrregullt, nuk bëjnë asgjë dhe merren me gjëra të kota.
12 Këta i porosisim dhe i bëjmë thirrje në Zotin tonë Jezu Krisht, që të hanë bukën e tyre duke punuar shtruar.
13 Dhe sa për ju, o vëllezër, mos u lodhni së bëri të mirën.
14 Dhe nëqoftëse dikush nuk i bindet fjalës sonë në këtë letër, shënojeni atë dhe mos u shoqëroni me të, që ai të turpërohet.
15 Por mos e mbani atë si një armik, po këshillojeni si vëlla.
16 Dhe vetë Zoti i paqes ju dhëntë vazhdimisht paqe në çdo mënyrë. Zoti qoftë me ju të gjithë.
17 Të falat me shëndet janë nga dora ime, nga mua, Pali; dhe kjo është një shenjë në çdo letër prej meje; unë shkruaj kështu.
18 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen.