1 Pali, Silvani dhe Timoteu kishës së selanikasve në Perëndinë Atin tonë dhe Zotin Jezus Krisht:
2 Paçi hir dhe paqe nga Perëndia Ati [ynë] dhe Zoti Jezus Krisht.
3 Duhet të falënderojmë gjithmonë Perëndinë për ju, vëllezër, ashtu siç duhet, sepse besimi juaj po rritet gjithnjë e më shumë dhe po shtohet shumë dashuria që secili prej jush ka për njëri-tjetrin.
4 Prandaj, vetë ne mburremi me ju ndër kishat e Perëndisë për këmbënguljen dhe besimin tuaj mes gjithë përndjekjeve dhe mundimeve që po duroni.
5 Kjo është një dëshmi që tregon gjykimin e drejtë të Perëndisë, që ju të vlerësoheni të denjë për mbretërinë e Perëndisë, për të cilën ju tani po vuani.
6 Sepse Perëndia është i drejtë: Ai do t’ua kthejë mundimin atyre që ju mundojnë
7 dhe bashkë me ne edhe juve që mundoheni do t’ju japë prehje. Kjo do të ndodhë kur të shfaqet Zoti Jezus Krisht nga qielli me engjëjt e Vet të fuqishëm në zjarrin flakërues,
8 dhe do të marrë shpagim kundër atyre që nuk e njohin Perëndinë dhe atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezus.
9 Ata do të marrin si dënim shkatërrimin e përjetshëm, nuk do të shijojnë praninë e Zotit dhe lavdinë e fuqisë së Tij,
10 kur të vijë në atë ditë për të marrë lavdi ndër shenjtërit e Tij dhe për t’i bërë të mrekullohen të gjithë ata që kanë besuar, sepse ju e besuat dëshminë tonë tek ju.
11 Për këtë edhe lutemi gjithmonë për ju, që Perëndia ynë t’ju bëjë të denjë për thirrjen e Tij dhe të përmbushë me fuqinë e Tij çdo synim të mirë tuajin dhe çdo vepër që nxitet nga besimi juaj,
12 kështu që emri i Zotit tonë Jezus të fitojë lavdi në ju dhe ju në Të, sipas hirit të Perëndisë sonë dhe Zotit Jezus Krisht.
1 Përsa i përket ardhjes së Zotit tonë Jezus Krisht dhe tubimit tonë rreth Tij, ju lutemi, vëllezër,
2 të mos ju lëkundet lehtë mendja, as të mos shqetësoheni nga ndonjë frymë, fjalë ose letër, sikur të jetë dërguar prej nesh, se gjoja paska ardhur dita e Zotit.
3 Askush të mos ju mashtrojë kurrsesi, sepse ajo ditë nuk do të vijë pa ardhur më parë apostazia e madhe dhe pa u zbuluar njeriu i paudhësisë, biri i shkatërrimit.
4 Ai do ta kundërshtojë dhe do ta lartësojë veten mbi çdo qenie të quajtur perëndi ose objekt adhurimi, që të arrijë të ulet në tempullin e Perëndisë, duke shpallur veten Perëndi.
5 A nuk ju kujtohet se kur isha ende me ju, jua thosha këto gjëra?
6 Dhe tani e dini çka e ndalon atë, që ai të shfaqet në kohën e duhur.
7 Sepse misteri i paudhësisë është tashmë në veprim dhe kështu do të vazhdojë derisa ai që e pengon tani, të mos jetë më i pranishëm.
8 Dhe atëherë do të shfaqet i paudhi, të cilin Zoti [Jezus] do ta zhdukë me frymën e gojës së Vet dhe do ta asgjësojë nëpërmjet shkëlqimit vezullues të ardhjes së Vet.
9 Ardhja e të paudhit do të jetë sipas veprimit të Satanit, plot fuqi, shenja dhe mrekulli të rreme
10 dhe me çdo lloj ligësie që mashtron ata që janë të humbur, sepse ata nuk pranuan të donin të vërtetën që të shpëtoheshin.
11 Për këtë arsye Perëndia u dërgon atyre një zhgënjim të fuqishëm, që ata t’i besojnë gënjeshtrës,
12 dhe që të gjykohen të gjithë ata që, në vend që t’i besonin të vërtetës, u zbavitën në paudhësi.
13 Por ne duhet të falënderojmë gjithmonë Perëndinë për ju, vëllezër, të dashurit e Zotit, sepse Perëndia që në fillim ju zgjodhi ju për shpëtim me anë të veprimit shenjtërues të Frymës dhe besimit në të vërtetën.
14 Për këtë ju thirri Ai nëpërmjet ungjillit tonë, për të marrë pjesë në lavdinë e Zotit tonë Jezus Krisht.
15 Kështu pra, vëllezër, qëndroni fort dhe mos u largoni nga traditat që ju kanë mësuar, si me anë të fjalës ashtu edhe nëpërmjet letrës sonë.
16 Vetë Zoti ynë Jezus Krishti dhe Perëndia Ati ynë, që na ka dashur dhe na ka dhënë ngushëllim të përjetshëm dhe shpresë të mirë me anë të hirit,
17 i ngushëlloftë dhe i forcoftë zemrat tuaja në çdo vepër dhe fjalë të mirë.
1 Më në fund, vëllezër, lutuni për ne, që fjala e Zotit të përhapet shpejt dhe të fitojë lavdi, siç ndodhi edhe me ju
2 dhe lutuni që të shpëtojmë nga njerëzit e mbrapshtë dhe të ligj, sepse jo të gjithë kanë besim.
3 Por Zoti është besnik dhe do t’ju forcojë dhe do t’ju ruajë nga i ligu.
4 Ne kemi bindje në Zotin, se ju po bëni dhe do të bëni ato që ju porositim.
5 Jua drejtoftë Zoti zemrat te dashuria e Perëndisë dhe te durimi i Krishtit.
6 Ju porositim, o vëllezër, në emër të Zotit [tonë] Jezus Krisht, që të qëndroni larg nga cilido prej vëllezërve që bën jetë të çrregullt dhe nuk jeton sipas mësimit që keni marrë prej nesh.
7 Sepse ju vetë e dini si duhet të ndiqni shembullin tonë. Ne nuk bënim jetë të çrregullt kur ishim midis jush,
8 as kemi ngrënë falas bukën e ndonjërit, por me mund dhe përpjekje punuam natë e ditë që të mos i bëheshim barrë asnjërit prej jush.
9 Jo se nuk kemi të drejtë për një ndihmë të tillë, por që ne vetë t’ju japim shembull të na imitoni.
10 Sepse edhe kur ishim me ju, jua jepnim këtë porosi: kush nuk do të punojë, të mos hajë.
11 Sepse dëgjojmë se disa midis jush po bëjnë një jetë të çrregullt dhe pa punuar fare, bëjnë sikur punojnë duke u sjellë vërdallë.
12 Njerëzve të këtillë u japim porosi dhe u bëjmë thirrje në Zotin Jezus Krisht që të shtrohen e të hanë bukën e tyre duke punuar të qetë.
13 Por ju, vëllezër, të mos ju lëshojë zemra duke bërë mirë.
14 Nëse dikush nuk i bindet fjalës që po ju themi nëpërmjet kësaj letre, dallojeni këtë njeri dhe mos u shoqëroni me të, që ai të bëhet me turp.
15 Veçse mos e vështroni si armik, por qortojeni si vëlla.
16 Vetë Zoti i paqes ju dhëntë vazhdimisht paqe në çdo rrethanë. Zoti qoftë me të gjithë ju!
17 Përshëndetja është nga vetë dora ime, e Palit, që është shenjë dalluese në çdo letër; kështu shkruaj unë.
18 Hiri i Zotit tonë Jezus Krisht qoftë me të gjithë ju.