Përkthimet në anglishte: 1949-1964[1]

Kur Noli u kthye nga Evropa dhe u “riatdhesua” në SHBA, në fillim të viteve 30, konstatoi se shqipja nuk ishte më gjuha e parë e komunitetit shqiptaro-amerikan. Nuk dimë se deri në çfarë mase ishte parashikuar kjo nga Noli i paraluftës. Bijtë e bijat e mërgimtarëve, të cilët ishin rritur e po martoheshin më shumë me amerikanë e më pak me shqiptarë, nuk e kuptonin më gjuhën e adhurimit, shqipen e lëruar në kishë njëherë e një kohë nga vetë Noli. Asokohe, në vitet 40, gjithë gjuhët kishtare të ortodoksëve në SHBA ishin të huaja, sepse përçonin traditat e komuniteteve etnike ortodokse, të zhytur kush më shumë e kush më pak në moçalin e nacionalizmave gjuhësorë.

I prirë për vegime, mitropoliti i shfronëzuar ëndërroi “kishën ortodokse amerikane të ardhmërisë, e cila do të bashkojë gjithë grupet ortodokse, dhe do t’i aftësojë ata të përmbushin misionin e tyre ugjillëzues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”[2] Kjo kishë e së ardhmes kishte nevojë për libra, ashtu si dikur në Shqipëri. Ndërsa peshkopët e tjerë ortodoksë ishin të varur nga sinode të ndryshme (kanonike, gjysmëkanonike e jo kanonike), Noli ishte i pavarur dhe e kishte të lehtë të ëndërronte, të vendoste e të vepronte.

Qortimet e mallkimet ndaj gjuhës shqipe në të kaluarën dhe asimilimi i pritshëm i shqiptarëve në Amerikë në të tashmen, kishin të njëjtin çmim në vizionin e ri politik, përsëri nëpërmjet përkthimit. Noli botoi dymbëdhjetë libra kishtarë në anglishte (1949-1964), më shumë sesa në shqipe, dhe u bë kësisoj një nga nismësit e ortodoksisë amerikane. Por vepra e tij nuk mund të analizohet si puna e një teologu ortodoks, sesa si ajo e klerikut të krishterë erudit, e politikanit ideolog, udhëheqësit mendjehapur të Kishës. Për më tepër, mbas një jete të trazuar në politikë e në mërgim për Shqipërinë, Fan Noli pa atdhe lufton për të bërë paqe me veten dhe grigjën e tij; në Amerikë.

Kështu, ndërsa përkthimet kishtare shqip ishin “një kthesë në historinë e Rilindjes shqiptare” (Faik Konica), përkthimet kishtare në anglishte u bënë kthesa e madhe në jetën e Fan S. Nolit! Është e pazakontë që njerëz si ai të kanalizojnë ideologjinë e tyre, nga ngushtësisht kombëtare, në një mënyrë të menduari tjetër, duke marrë vendime krejt të ndryshme nga ato të gjithë jetës dhe veprës së mëparshme.

Tjetërsia e Nolit nuk gjendet në të qenit amerikan, sesa tek amerikanizuesi i Peshkopatës Shqiptare. Le të kujtojmë këtu se kleri grek në SHBA po përpiqej të ruante gjuhën greke në adhurim dhe në arsim, duke i kthyer kishat në vatra kombëtare, e disa herë kombëtariste, ndërsa ideologu i shqiptarizmit, përkthyesi i parë i librave kishtarë në shqipe, u “shpërfytyrua” e vendosi të përdorë anglishten në meshë. “Në qoftë se duam të mbajmë brezin e ri në kishë, tha ai në anglishte, duhet të marrim vendime të dhimbshme dhe të përdorim vetëm anglisht në shërbesat tona.”[3] Gjithsesi, shqiptarët kanë të drejtë të shtrojnë një ditë pyetjen, se deri ku u sakrifikua shqiptarësia e Peshkopatës, nëpërmjet një amerikanizimi të tillë. A e teproi Plaku?

Amerikanizim për shqiptarinë? 

Si i diplomuar në Harvard në vitin 1912, Noli ishte shumë i shpenguar në përdorimin e anglishtes, pavarësisht se e mësoi atë në një moshë të pjekur. Anglishtja ishte gjuha që ai përdori më shumë gjatë gjithë jetës. Por gjatë studimeve në universitet, si dhe para e mbas tyre, Noli nuk pati rast t’i përkushtohej plotësisht kësaj gjuhe, përderisa në të njëjtën kohë shkruante, fliste, predikonte dhe mendonte shqip dhe jo vetëm.

Nga ana tjetër, të gjithë dimë se sa shumëgjuhësh e sa i talentuar ishte Fan Noli. Por kjo nuk do të thonë se gjuhëdhuntia e Nolit nuk kishte caqe dhe se ai kishte arritur në anglishte suksesin e greqishtes. Bashkëpunëtorë të Nolit kanë përshkruar se sa kompakte ishte anglishtja e tij.[4] Për shtrirje të kësaj, mund të përmendim dhe theksin e Nolit në anglishte. Referencat e shtypit të hershëm shqiptaro-amerikan, ato që thonë se Fan Noli e fliste anglishten “me akcent amerikan”, vijnë nga emigrantë me njohuri të pjesshme në anglishte. Sepse kasetat me zërin e Nolit sjellin një anglishte me një theks të huaj, më të huaj se mesatarja e emigrantëve të sotëm shqiptarë, një tingëllimë si midis shqipes dhe greqishtes, gjë që është e pritshme për brezat e arsimuar për së vogli në shkollat greke. Por zëri është i kthjellët, muzikor, një anglishte e rrjedhshme, e thjeshtë në fjalorin e përzgjedhur, një e folme jo kishtare, ndryshe nga shqipja kulturore e Nolit.

Me këtë këndvështrim, le ta përfytyrojmë tani Nolin si mësues të brezit të ri shqiptaro-amerikan, nëpërmjet anglishtes, gjuhës së parë të tyre. Përvoja e përkthimeve anglisht ishte një shtrirje e dhuntisë së përkthyesit të madh, i cili ishte dhe mësues i lindur.

Krahas amerikanizimit të kishës, si lëvizje kishtare e politike, peshkopi i gjithëmësuar vinte në kontakt të ngushtë me brezat e rinj, amerikanët shqipfolës, me të cilët ndihej më lirshëm, me çiltërsinë dhe shpengimin e tyre në sjellje e në gjuhë, me mënyrat amerikane, larg brezave të vjetër të ardhur nga atdheu, të cilët mbartnin të ngurtësuara mendësitë e tekat e vjetra. Të rinjtë nguliteshin dhe mbeteshin në hiret e Nolit, tek mirësia e dituria e tij. Ata nuk vërenin ngjyrën e lëkurës së vrarë, ecjen duke u lëkundur e mënyrat e pandryshuara të të ngrënit. Përkundrazi, këto detaje bëheshin pjesë e asaj që ishte tmerrësisht interesante, gjë që për brezin moshatar, në të kundërt, ishte pika e rrekjes për ta përgojuar. Përkthimet anglisht kushtëzonin përgatitjen e koreve me të rinj anglishtfolës, shtrirjen e gjuhës angleze nga amvoni në katekizëm e në grupime të tjera; po krijohej, pra, për peshkopin dijetar, një auditor i qëndrueshëm anglisht.

A e teproi Noli, apo a e mbajti fjalën, kur tha “vetëm anglisht”? E parë nga jashtë, një reformë e tillë kujton hebrenjtë e lashtësisë, të cilët përkthyen Biblën në greqishtje për nevojat e tyre të diasporës. Pavarësisht se si rrodhi gjuha e huaj dhe përqindjet e saj në kishat shqiptare, ky qëndrim mund të trajtohet si një nga hiperbolat noliane. Por kjo e ka justifikimin edhe tek ankthi i hierarkut përsa i përket statusit të tij peshkopal. Mitropoliti shqiptar nuk njihej nga kisha greke në SHBA, gjë që zyrtarisht pengonte edhe njohjen nga kishat e tjera ortodokse. Por përdorimi i anglishtes e afronte peshkopin tonë me kishën ruse, e cila asokohe po stimulonte themelimin e një kishe ortodokse amerikane që po ecte drejt vetëpërcaktimit.

Veç kultivimit dhe përdorimit të anglishtes në shërbesa, Noli kishte dhe zona të tjera përpuqjeje me rusët. Vizioni rus për kishën amerikane kushtëzonte anglishten, qysh para se të mërgonte Noli në SHBA, por me një sfond kulturor sllav, të shprehur dukshëm në tipikonin adhurimor dhe muzikën kishtare. Kjo përkonte dhe me shijen personale të Nolit, paçka se modelet sllave nuk kishin lidhje me sfondin kulturor të shqiptarëve, të cilët i përkisnin traditës bizantine. Me këto përzgjedhje të tij, Noli e dorëzoi dyfish traditën shqiptare të mërgimtarëve.

Dualizmi gjuhësor e muzikor 

Noli rrëfen në pleqëri dashurinë e hershme për muzikën kishtare ruse, tek e cila u mbështet për të reformuar muzikën kishtare të mërgatës së Amerikës: “Kompozitori i famshëm frëng, Hector Berlioz, i cili po ndiqte një shërbesë në kishëzën perandorake të Shën Petërburgut, u prek kaq shumë nga muzika kishtare, saqë u shkreh në lotime dhe nuk mundte të kompozonte për orë të tëra mbas kësaj ndodhie. Unë pata të njëjtin emocion në vitin 1907, kur për herë të parë dëgjova himnet e meshës në katedralen ruse të Nju Jorkut. Qysh atëherë kam ëndërruar ta transmetoj këtë muzikë të mrekulluar e të hirshme. E kam përqafuar e përhapur këtë art në kishat e mia këtu dhe në Shqipëri.”[5] Përkthimet e Nolit në anglishte, pra, u përshtatën në muzikën e kompozitorëve rusë, me tipare të tipikonit sllav, larg traditës shqiptare bizantine.

Nga puna e tij përkthimore, duket se peshkop Noli kishte vizionin e një përkthimi e përdorimi “perëndimor” të meshës ortodokse lindore, ndërsa një përshtatje në muzikë bizantine e teksteve të përkthyer në anglishte, do ta “orientalizonte” punën e tij. Ai u përpoq të krijojë një traditë të re për kishat e tij, afër sfondit sllav, i cili, mbas reformës së madhe të rusëve në artin kishtar, ishte dhe është më afër artit perëndimor. Sidoqoftë, kjo qe një mënyrë mitngjizjeje, sepse shqiptarët nuk kishin lidhje emocionale a kulturore me botën ruse, përveç asaj shpirtërore e politike, në fillimet e kishave shqiptare në Amerikë.

Por duhet të pranojmë se Noli ushqente emocione të forta admirimi për muzikën e traditën ruse dhe, veç përzgjedhjes ideologjike, kemi këtu dhe një vendosje të shijes së tij mbi traditën e grigjës, gjë që mund të kuptohet duke vërejtur të njëjtin fenomen në disa aspekte të jetës kishtare në Shqipërinë e sotme. Në rastin e Nolit mund të debatohet duke kujtuar rrymat dhe dyzimet ideore të asaj kohe, kur kishat ortodokse nuk dinin se çfarë të ardhme do të kishin në Amerikën e Veriut. Shumë kisha greke, për shembull, pranuan koret e përziera dhe përdorimin e organos, siç ekziston ende sot në shumë famulli greke në SHBA. Por në rastin e Nolit, dihet mirë se ai deshi të distancohej sa më shumë nga tradita bizantine, e cila në atë kohë shihej si paragog i Greqisë. Në fund të fundit, të rinjtë po mëkoheshin me një simbolikë tjetër, të cilën do ta ruanin e mbronin, siç bënin prindët e tyre, ndërsjelltas.

Duke u përsiatur përmes ideologjisë përkthimore të Nolit në anglishte, prisnim që me përkthimet e dyta shqip, peshkopi rusdashës ta ndryshonte qëndrimin përsa i përket përshtatjes muzikore. Sepse, nëse Noli vdiste para 41-it, atëherë kur botoi Uratoren, ne do të mendonim sot krejt të kundërtën e veprës së tij të mëvonshme. Përderisa ishte në dhjetëvjeçarin e gjashtë të jetës, me botimin e Hymnores më 1936, krijohet përshtypja se Noli do të vazhdonte harmonizimin e përkthimeve të para. Kjo do të bëhej qoftë për ta mbyllur bukur, por dhe për të reformuar rrënjësisht muzikën kishtare: Nga bizantinia tek perëndimorja, duke harmonizuar me motive ruse e lindore, siç i gjejmë këto tek Hymnorja, ky libër shqip që ndan periudhat përkthimore të Nolit. Me këtë botim muzikor, prelati kishte dhënë një alternativë për sa i përket meshës dielore, të cilën e kishte “oksidentalizuar”, ashtu siç u trashëgua gjer sot. Përse atëherë përkthimet e dyta shqip nuk u melodizuan në muzikën e Hymnores? Për më tej, përse nuk u melodizuan në muzikën e përkthimeve anglisht, me të cilat dhe u bashkëkrijuan në kohë?

Mund të ketë shumë arsye për këtë, por dimë se një projekt i tillë do të kërkonte një kohë shumë-shumë më të madhe, krahasimisht. Sepse përveç kohës për të përshtatur në një muzikë tjetër, ai duhet t’i përshoqëronte këto botime të reja me partitura muzikore. Për më tepër, kjo do të vështirësonte përdorimin, sepse psalltët duhet të stërviteshin edhe në notacion, jo vetëm në mësimin “praktik”[6] të melodive. Sepse, dhe këtu hyjmë në një kënd të errët të studios liturgjike të Nolit, ai nuk na la asnjë botim në simiografi bizantine, siç bënë bashkëkohësit e tij në botën ortodokse.[7] Dimë se ishte njohës i mirëfilltë i muzikës bizantine, por nuk dimë nëse dinte ta shkruante atë muzikë (Gjatë studimeve të mia në konservator, të rrallë ishin ata që arrinin të kompozonin në simiografi bizantine, apo qoftë dhe të shkruanin në atë “gjuhë”).

Ndërsa laboratori shqip ishte më pak i ndërlikuar: Noli fillimisht e lexonte himnin greqisht, e fishkëllente ose e këndonte sipas melodisë së paradhënë në bizantine, të cilat i kishte mësuar qysh para se të mësonte simiografinë, pastaj e përkthente shqip këtë himn dhe, duke e kënduar disa herë në shqipe, i bënte ndryshimet e duhura tekstuale, deri sa të arrihej psallja e dëshiruar. Himni i përmbaruar shqip nuk kishte nevojë për partiturë, përveçse për t’i shënuar në kokë tingullin, ose “të përshëmbëlltën”, himnin origjinal që ka të njëjtën melodi valëzuese, për të orientuar psalltin. Kjo është natyra e të kënduarit në kishën bizantine.

Përkthimet e dyta shqip kishin një trung të gatshëm muzikor – kanoni i periudhës së parë – ndërsa këto anglisht, edhe nëse e kishin, nuk ishte bizantin dhe, sidomos, nuk ishte i Nolit. Për më tutje, edhe pse ai kishte konflikte politike me kishën greke, nuk duket se Noli ishte shkëputur emocionalisht nga gjuha greke dhe nga muzika bizantine, përndryshe nuk do të merrej kaq shumë me to. Apo një nga arsyet e durimit këmbëngulës nëpër dhjetëvjeçarë, ishte edhe kjo lidhje e mistershme, intime, prandaj dhe “mëkatare”, pozita, pra, e përjetshme midis shqiptarësisë dhe grekësisë? Nga ana tjetër, disa përzgjedhje ekscentrike, si përdorimi i epsilonit grek (ε) në shqipe, në vend të ë-së, për shembull në botimet e periudhës së dytë shqip, ishin të tepërta jo vetëm për vitet 1950, por dhe për vetë atë që na është imponuar nga mitologjia nacionalkomuniste si kult antigrek.[8]

Sidoqoftë, nëse Noli i përshtatte përkthimet e periudhës së dytë shqip në muzikë ruse, ai do të hapte luftë me brezin e vjetër ortodoks, në një kohë kur besimtarët e moshuar, ndryshe nga në Shqipëri, ishin burimi kryesor për të ardhurat e kishave shqiptare në SHBA. Mërgimtarët e pashkollë ishin lindur në Shqipëri e në treva të tjera lindore, nga ku kishin sjellë që andej një intuitë adhurimore bizantine. Ishin ata që ndiqnin shërbesat e mëngjesores, para meshës dielore, por dhe shërbesat e tjera, kaq të domosdoshme për mbarëvajtjen e një kishe. Pastaj kjo muzikë është shumë afër këngëve tona, dhe dihet se kisha shqiptare ka pasur një sfond solid të traditës bizantine, qysh kur s’mbahet mend. Eqrem Çabej, për shembull, ishte njëri nga ata që vuri re këtë lidhje kulturore të muzikës kishtare bizantine me atë tradicionale në Shqipëri.[9]

Midis shqipes dhe anglishtes 

Megjithëse librat e parë anglisht u botuan në të njëjtën kohë me ata të periudhës së dytë shqip, ideologjia, kanoni dhe receptimi i tyre janë kaq ndryshe, saqë të krijojnë përshtypjen e Nolit “tjetër”. Veç muzikës ruse që përmendëm më sipër, edhe tipare të tjera të bëjnë të ndihesh sikur ke të bësh me dy përkthyes. Kjo është pjesë e njohjes së Nolit, përderisa, siç thamë në trajtesën e kaluar, e njëjta vërejtje ekziston edhe në ribotime të veprës së tij historike e letrare.

Ndërsa përkthimet shqip janë më të fuqishme në gjuhën shprehëse, përkthimet anglisht janë më të sakta në përkthimin e termave liturgjikë. Shembulli më përfaqësor është ai i përkthimit të termit πνεύμα (shpirt, frymë), të cilin në shqipe Noli e përktheu mendje ndërsa në anglishte spirit.  Duke përkthyer termin πνεύμα me mendje, Fan Noli e ka vështirësuar debatin në këtë pikë të fondit terminologjik të shqipes. Në botimim dygjuhësh Mesha dhe Katekizma… shqip dhe anglisht, gjejmë dy termat të “puqen” fizikisht në një faqe, por jo në përkthim: Mendje shqip, spirit anglisht:

“Lum të varfërit nga mëndja, se e atyre është mbretëria e qjellit…”
“Blessed are the poor in spirit; for theirs is the kingdom of heaven…”[10]

Përse vallë? A nuk është i njëjti përkthyes, në dy faqe të tij, duke përqasur në të njëjtin libër dy përkthime nga e njëjta dorë? Apo mos kemi një dorë të padukshme në studion e Fan S. Nolit, e cila dorë bën shumë punë praktike, gjë që nga njëra anë e çliron intelektualin e madh, por nga ana tjetër e bën edhe të kapshëm? Po pikëpresja në vargun anglisht, përse të kundërpeshohet vetëm nga një presje në vargun shqip përbri? Përse?

Pret dikush të lexojë shpirt a frymë në shqipe, por jo mendje. Përderisa Noli e përjetonte shqipen si një ngjarje kulturore, por dhe tepër personale, a mos kishte në kujtesë shprehjen shqipe “i varfër nga mëndja”, e cila, ose e ka pështjelluar, ose e ka kapur? Sepse vargu i Mattheut (5:3) “lum të varfërit në shpirt”, me shqipen emocionale të Nolit, edhe mund të tolerohej si “lum të varfërit në mendje”. Gjithsesi, termi grek në këtë varg është πνεύμα e jo νους[11] dhe pika të tjera përkthimore të të njëjtit term, e nxjerrin Nolin të papërkthyeshëm. Çaste të tilla hulumtuese, qëllimisht kursehen në këto shkrime, nga frika se mos keqpërdoren e kultizojnë edhe më një figurë kaq njerëzore në letrat kishtare.

Përkthimet më të sakta në anglishte e kanë zanafillën e saktësisë në mesharin e përkthyeses së mirënjohur Isabel Hapgood. Libri i saj i shërbesave, përkthyer e ribotuar disa herë në anglishte, ishte trualli ku Noli themeloi përkthimet e tij kishtare, deri në atë masë, sa liturgjistë të mirëfilltë akademikë sot, e konsiderojnë atë si kopjues të përkthyeses anglikane.[12] Për ata që nuk njohin punën e Nolit në shqipe, jepet një përshtypje krejt tjetër për punën e tij përkthimore. Nga ana tjetër, për ata shqiptarë që nuk njohin historinë e ortodoksisë në Amerikën e Veriut, Noli është shumëfishuar me pahir, tej shtatit e ditëve të tij, duke rënë në kurthet e mafies ortodokse, e cila e ka për zemër të bëjë krushqi edhe me Realizmin Socialist.

Nëse të kopjuarit ishte i kollajtë, edhe në shqipe ekzistonte një terminologji e trashëguar dhe e pasuruar nga Kostandin Kristoforidhi. Jo gjithmonë Noli e ruajti saktësinë e filologut pararendës. Në rastin e vargut nga Mattheu 5:3, siç është në lumërimet e Meshës Hyjnore, Kristoforidhi nuk e kishte përkthyer mendje po shpirt: “Lum të vobeqtë ndë shpirt; sepse e atyre është mbretëri’ e qiejvet.” Por jo vetëm kaq. Në Besore, shprehja το εκ του πατρός εκπορευόμενον, përkthehet nga Noli që dërgohet prej Atit, ndërsa tek përkthimi biblik i Kristoforidhit kjo ishte përkthyer në mënyrë më të saktë, që del prej Atit, siç është pranuar dhe nga KOASH-i në vitet 30.[13] Noli përpiqet të largohet nga Kristoforidhi, edhe kur nuk është aspak për t’u larguar. Por në anglishte, në këtë pikë të Besores, Noli ruan përkthimin e zonjushës Hapgood, who proceedeth from the Father, gjë që është e saktë.[14]

Siç duket në këta shembuj qëmtues, përkthimet anglisht do të na ndihmojnë për të studiuar Nolin meshar në shqipe, ose më mirë, për të mos nxjerrë përfundime të lehta. Por debati përkthimor mbi Nolin, nuk është e thënë se do të gjejë zgjidhje vetëm me këtë. Gjithsesi, përkthimi mendje, në vend të shpirt a frymë, nuk ka pse të na bëjë të mahnitemi në absurd e të shtojmë në madhështinë e Nolit. Nga ana tjetër, para se të zhgënjehemi, le të vëzhgojmë. Edhe pse fliste shqip më lirshëm sesa anglisht, Noli nuk e përftoi akribinë e kësaj të fundit në shqipe. Dhe megjithatë, dimë se ai konsultohej mbi anglishten e përkthimeve të tij, e cila gjuhë madje e rrethonte dhe e tejkalonte përditë, sidomos në librat që lexonte. Është pikërisht akribia e këtij autori në anglishte që, për absurd, justifikon gjithmonë shqipen e Nolit në kritikën shqiptare, përderisa ky autor ka shtënë një hije e cila i ruan pozitën e pathënë të bujtësit, ku edhe rrëshqitjet janë të hirshme. Sepse çfarë do të thoshte kritika jonë nëse Noli shkruante vetëm shqip? Po sikur ai të vazhdonte të shkruante greqisht, ashtu siç e nisi në letrat kulturore të rajonit?

Në të kundërt të anglishtes, Noli kishte tjetër lidhje me shqipen. Çastet e bisedave me bashkatdhetarët, sidomos gjatë viteve të para në SHBA, ishin çaste hulumtuese, por jo shkëmbime konsultimi. Ai regjistronte fjalë e shprehje, sepse po mësonte shqip, shtrëngohej të bënte ndryshime në përzgjedhjet e tij, sepse po mësonte të shkruante shqip, por këto ishin akte të lira, vendime personale, madje nga pozita epërsore e intelektualit, i cili u lind që të lindë mes tyre. Përmes shqipes, ai po kanalizonte atëherë shumë emocione e pasione djaloshare. Më vonë, kur ai u bë i famshëm në shqipe, nuk e shohim të interesohet më si më parë, dhe madje nuk ka dëshirë të ndryshojë gjuhësisht. Ai të jep përshtypjen se është i dhënë një herë e përgjithmonë në kulturën shqiptare dhe të jep ndjesinë se ndryshimi i tij në stilin gjuhësor, mund të sjellë dhe distancimin e Nolit nga e njëjta botë.

Ndërsa në gjuhën angleze Noli ndryshon vazhdimisht, gjë që e shohim dhe në botimet e tij kishtare. Për çudi, edhe pse tha “vetëm anglisht”, ai nuk e lëvdoi kurrë anglishten, për të mos përmendur komentet e tij, të papërmbajtura ndonjëherë, kundër kulturës “anglo-saksone”, në kundërshtim me atë evropiane, e cila kjo qenkësh “e buzëqeshur”. Noli ishte autodidakt në shqipe, gjë që i dhuroi çaste të skajshme. Nga njëra anë ndihej nxënës i përjetshëm, ndërsa nga ana tjetër këmbëngulte në emocionet e tij.

Duke e titulluar Konicën si mësues, e bënte për etiketë e drojë, sepse në thelb e në stil Noli nuk e përqafoi atë, por e përballi si trysni në krijimtari, për të rezistuar brenda sugjerimit të dykahshëm, të asaj që njohim të gjithë si gjuha e Nolit. Është një stil i mrekullueshëm, stili i Nolit, por kur e shohim atë shqipe të përdorur nga një autor bashkëkohës i tij, kjo shqipe e humbet sharmin. Një fenomen i tillë nuk mund të ndodhë sot, fjala bie, sepse kyçi nuk është më tek sharmi, por tek tharmi i gjuhës, tek idetë në të parashtruarit e tezave, prandaj dhe shqipja nuk është më qëllim në vete.[15] Mund të themi se Noli e përdori Konicën, por nuk kemi të dhëna për të pohuar të ndërsjelltën. Në vitet 30, kur Noli po plakej në moshë e në letra, jo më kot Konica e akuzoi disa herë hapur për mosnjohje dhe keqpërdorim të shqipes, duke i rënë madje këmbanës dhe për ata që e adhuronin Nolin për së gjalli. Një intelektual si Faik Konica, kur zemërohej mund të thoshte ndonjë fjalë të rëndë, por jo gjithmonë të tepërt. Lum të varfërit nga mendja…

Kanoni kishtar në anglishte 

 Ndërsa përkthimet shqip janë vetëm liturgjike, ato anglisht janë më të larmishme në gjini, prandaj dhe për më lehtë i përmendim këtu si botime kishtare. Peshkop Noli nuk botoi Kremtore, Triod a Pesëdhjetore në anglishte, siç bëri në shqipe, por ama ai përktheu Dhjatën e Re dhe Psallmët në anglishte, të cilat nuk i përktheu në shqipe, pavarësisht se ishte më e nevojshme për ta kryer. Siç duket, lidhja frymore e Nolit me Kristoforidhin ishte e çuditshme.

Duke u marrë me përkthimin e teksteve biblike, peshkop Noli u dha përkthimeve anglisht një përmasë të theksuar dielore, sepse, siç duket, ai vëzhgonte se shumica e besimtarëve në jetën amerikane, vetëm të dielën mundeshin të shkonin në kishë. Ky ishte një vlerësim i goditur mbi jetën e grigjës, sepse sot shumica dërrmuese e kishave ortodokse në SHBA nuk celebrojnë shërbesa mbrëmësoreje a mëngjesoreje, por vetëm meshën e së dielës. Ndoshta ky është shkaku që nuk kemi Kremtore e libra të tjerë hymnorë në anglishte nga Noli, të cilët, pavarësisht nga kjo, u përkthyen më vonë e më mirë nga të tjerë përkthyes.

Konceptimi i veprave anglisht ka ardhur në mënyrë të shkallëshkallshme, sesa me një skelet të plotë fillestar. Tek libri i shërbesave (1949) peshkopi jep të kuptojë se vepra nuk adresohet për përdorim liturgjik, sesa “ka për qëllim të ndihmojë brezin e ri të kishës ortodokse lindore që të ndjekë shërbesat, të cilat rëndom celebrohen në gjuhë të huaja. Për këtë arsye shërbesat janë shkurtuar dhe lutjet priftërore nuk janë përfshirë.”[16] Pra, kur vetë përkthyesi e pranon këtë, a mund të pretendohet sot që ky libër të mëtohet me zyrtaritetin e një meshari anglisht, nga një prift që, për më keq, nuk ka studiuar teologji dhe që nuk njeh gjuhën e origjinalit, pavarësisht nga patriotizmi i tij i tërëshkrehur? Kjo tregon se çfarë magjie ushtron kulti i Nolit sot ndër shqiptarë, nëpërmjet të cilit mund të fshihen e të kryhen shumë…

Moslidhja e librit të shërbesave me pjesën tjetër të kanonit, duket dhe në këndimet biblike, të cilat zënë këtu më shumë se gjysmën e librit. Por më vonë peshkopi botoi librat me apostujt dhe ungjijtë si libra më vete, gjë që tregon se vendimi për t’i konceptuar ka ardhur mbas botimit dhe suksesit të librit të shërbesave, të librit të parë. Përndryshe, nuk kishte përse të zinte pjesën më të madhe të librit me pasazhet biblike, të cilat u botuan përsëri më të plota, në vëllimet përkatëse. Jo vetëm përmasat e këtyre këndimeve janë të ndryshme, por dhe gjuha e përkthimi. Si përfundim, krahas rishikimit të kanonit në anglishtee kemi një evoluim në gjuhën liturgjike. Kanoni mbetet i hapur.

Mbas botimit të dy librave me pasazhe nga Dhjata e Re për përdorim liturgjik, Noli botoi sërish, mbas disa vjetësh, krejt Dhjatën e Re. Do të ishte gabim të mendonim se ai e bëri këtë, mbasi pjesa më e madhe e tekstit ishte gati nga botimet e mëparshme (Sepse në tre libra ishte botuar pothuaj pjesa më e madhe e Dhjatës së Re). Peshkopi u kthye dhe përktheu Dhjatën e Re si vepër të re, fjalë për fjalë nga fillimi, duke e çliruar gjuhën nga trajtat puritane, duke dhënë një përkthim në anglishten standarde, gjë që nuk ekzistonte për ortodoksët. Flasim për një punë shumë të stërgjatur e tepër të imtë, punë intensive për vite të tëra, ditë e natë. Nga ky këndvështrim njerëzor, analizimi i jetës dhe veprës fetare të Fan Nolit mbetet një habi e madhe; jo si moskuptim, sesa si një mahnitje e imponuar.

Pamundësia për të kuptuar kanonin liturgjik të ideuar në anglishte, dhe problemet që dalin këtej, është faj i yni dhe jo i Nolit. Ai përkthente për grigjën e tij, e cila vetë nuk kishte tipare të trashëguara në Amerikë, dhe tek e cila përpiqej të gjente vetveten e dëshiruar. Kanoni liturgjik, pra, është pjesë e kësaj perspektive. Thellimi në përkthim, duke mësuar hebraishten dhe aramaishten, për të përkthyer psallmët e Davidit dhe ligjërimet e Jezuit, mbart gjithë sa thamë, por na jep dhe gjendjen mendore e shpirtërore të Nolit, përmes një vetëkuvendimi me Tjetërsinë… Do të ishte më çoroditëse nga naivja, nëse e përfytyronim Nolin e pasluftës vetëm si “plak, topall dhe ashik”.[17]

Me këtë përqasje “metafizike” të përkthyesit, duket se Noli nuk ishte thelluar në studimet biblike si disiplinë akademike, edhe pse ishte letrar i Harvardit, pavarësisht nga pasurimi i dijeve e i gjuhëve mbi këtë lëmë, por duket se ai ishte i përkushtuar tashmë në një lexim të thellë të Shkrimeve, të cilin mund ta arrinte më së miri me përkthimin e Biblës, si një këndim i ngadaltë, i mirëfilltë; libri që, sipas të thënave të tij publike, lexoi më shumë tërë jetën. Thënë ndryshe, pa përkthim nuk ka lexim të plotë… Por lidhja e Nolit me fenë nuk mund të lexohet me syzet tona, qofshin këto ortodokse a ateiste.

Tejet motiveve fillestare dhe dëshirave të Fan Nolit përmes disa dhjetëvjeçarëve, më e pjekur është të studiojmë atë çka trashëgoi si autor i shumëshkruar, sesa të spekullojmë me hamendësime. Praktikisht, puna fetare e peshkop Nolit në anglishte mund të ndahet në katër pjesë: Përkthime liturgjike, përkthime biblike, botime muzikore dhe katekizëm. Botimet muzikore i përkasin trungut të botimeve liturgjike, si melodizim i vetë përkthimeve shqip e anglisht, përderisa këndimi është pjesë e pandarë e adhurimit, duke interpretuar nocionet teologjike dhe emocionet njerëzore të himneve bizantine. Sepse nuk mund të kishte harmonizime pa tekste të gatshme. Përkthimet biblike, në shumicë dolën nga përkthimet liturgjike, atje ku përkasin edhe dy vëllimet me ungjijtë dhe apostujt. Botimet biblike të cilat nuk ishin liturgjike, ishin destinuar për përdorim pastoral, siç shenjohet në shënimet e këtyre tre librave. Botimi i katekizmës është i vetmi libër ndryshe, si gjini më vete, por ky ishte një përjashtim nga kanoni, sepse Noli nuk mendoi më për libra të tjerë pastoralë. Sipas të thënave të tij, projektet e parealizuara në fund përbënin përkthime biblike.

Duket se përkthimet e vona ishin dhe një përpjekje për t’i dhënë domethënie kotësisë, e cila kjo përmendej shpesh nga Noli në pleqëri, edhe pse me ironi, por që nuk ekzistonte aspak për Nolin e periudhës së parë shqip. Në vitet 1910 ai përjetoi tronditje psikologjike, të jashtme e të brendshme, duke besuar madje se do të vdiste mbas atyre përkthimeve. Dhe megjithatë, atëherë nuk e ndjeu kotësinë e jetës, gjë që pasqyrohet edhe në vetë përkthimet e tij të para. Mund të themi se kanoni anglisht është ndryshe nga ai shqip për shumë arsye. Përkthimet shqip dolën si një shtrëngesë nga jashtë, duke e mundur përkthyesin, mes joshjes dhe idealizmit, për t’u flijuar e lartësuar. Përkthimet anglisht, edhe pse pasojë e një vegimi, dolën si një shtrëngesë e brendshme, për t’u lartësuar përsëri, por këtë herë me mundësi më të pakta, në një gjendje mendore më paqësore, por me iluzione më të mëdha.

Noli për Nolin: To Thee, o Theophan! 

A ishin përkthimet e Nolit të përdorshme tej komunitetit shqiptar ortodoks të Amerikës? Vetë veprat ortodokse të Nolit kanë një konflikt. Ndërsa kushtimet janë për komunitetin ortodoks në SHBA, emri i peshkopit që përkujtohet në këto tekste është vetëm emri i imzot Theofanit, gjë që nuk është plotësisht e njëjtë as në përkthimet e dyta shqip.

Përse e ndryshoi Noli praktikën e mbarë të Hapgood-it, libri i së cilës përdoret edhe sot nga disa juridiksione ortodokse në Amerikë? Sepse edhe atje mund të ndodhte emërvënia e kryepeshkopit rus të asaj kohe, me lejën dhe sugjerimet e të cilit u botua e u ribotua meshari i saj, apo edhe e Patrikut, siç është tradita liturgjike ruse për të gjitha peshkopatat e tyre. Në vend të “For our Archbishop N” (Për kryepeshkopin tonë aksh), që ekziston tek Hapgood, Noli vendosi “For our Most Reverend Archbishop Theophan”, domethënë veten e tij. Por edhe sikur kishat shqiptare të ishin të vetmet kisha ku do të përdoreshin këto libra, emri nuk duhej të shënohej, pikërisht sepse Noli atëherë ishte në dhjetëvjeçarin e shtatë të tij; në kishën ortodokse nuk mund të thirret në meshë një peshkop i vdekur si kryebari a celebrues. A thua të ishte kaq vetënjohës Noli, sa të parashikonte se përkthimet anglisht nuk do t’u rezistonin ditëve mbas baritorisë së tij? Këtë enigmë ai e mori me vete; tok më shumë të tjera.

Paradoksi i primatit për të gjithë shqiptarët, del përsëri në botimet anglisht, ashtu si në përkthimet e dyta shqip: “To Thee, O Theophan, Metropolitan Bishop of the sees of Boston and Durazzo, exarch of Holy Illyria, pilgrim of Saint George, evangelizer of Albania, our Father and our Prelate, God grant thee long life!”[18]

Megjithëse i njëjti fenomen ekziston në periudhën e dytë përkthimore në shqipe, këtu kemi një ndryshim: Fjala kryetarit (“primatit”, FC) në Uratoren shqip, nuk është futur në anglishte, gjë që tregon se Noli kujdeset për nuancat e titullit të tij në të dy gjuhët. Por pavarësisht nga kjo hile, vetë fakti tregon se Noli maste me mendjen e tij përherë gjithëmatëse, por jo gjithmonë teologjike. Është e vetëvendosur se në praktikën ortodokse nuk mundet që dy peshkopë të gjallë të kenë të njëjtin titull (Durrës). Dhe përseri, “Exarch of Holy Illyria” është titull i kryepeshkopit të Shqipërisë, të cilin Noli e injoronte. Për më keq, nuk mund të ketë peshkop me dy peshkopata, me dy seli (“the sees of Boston e Durazzo”).

Sidoqoftë, termi “ungjillëzues i Shqipërisë” nuk duket i pamenduar mirë prej Nolit, por ky shkodizon bash jetëshkrimin e pabotuar të prelatit poet, atje ku ftillohet sfilitja këmbëngulëse e kisharit në përkthim. Është koncepti i bujtjes së Nolit në botën shqiptare, sepse “ungjillëzuesi” nuk i përket vendit që ungjillëzon. Ai vjen nga gjetkë dhe bëhet njësh me popullin që ndriçon, aq sa jo vetëm që merr dhe titullin e merituar, por, si shpërblesë, mohon edhe të mëparshmet e tij. Kur ky titull shkruhet anglisht, në moshë të thyer, përkthyesi përpiqet të jetë i ndërgjegjshëm, të konceptojë si përkthyes, jo si prelat. Përkthyesi ngrihet për të shquar Nolin nga jashtë. Ugjillëzuesi i një treve, dhe këtu ngre krye koncepti i kalimtares, kur largohet fizikisht nga vendi, duhet të ruajë ato trajta gjysmëqiellore. Por jo Fan Noli, dhe pikërisht këtu nis konflikti i tij me kishën tokësore, përderisa ai iku i gjallë nga Shqipëria. Qysh kur u largua, froni i Durrësit mbeti në ajër, prandaj dhe ai nuk mund ta mohonte, edhe pse Kisha ia kishte dhënë dikujt tjetër, ashtu si vetë Theofanit në vitin 1923. Në këto përkthime anglisht, i duhen dhënë Cezarit, ato që i përkasin Cezarit; as më shumë e as më pak. Dhe kjo është e vërtetë jo vetëm për përkthyesin, por dhe për kritikun e tij.

Vetëkultizimi i Plakut është i pranishëm në përkthimet anglisht, dhe madje i pakontrolluar, sidomos kur e pagëzon veten “ungjillëzues të Shqipërisë”, gjë që mund të shkruhej vetëm për ata shenjtorë që janë kanonizuar me këtë titull nga Kisha. Për më keq, historia kishtare e Shqipërisë nuk na ka trashëguar një të tillë, siç kanë sllavët, armenët, etj. Thashethemet e shqiptaro-amerikanëve, se vitet e fundit Noli ishte bërë “paranoik”, mund të jenë dhe gjykime prej njerëzve pa gjykim, por mund të jenë parëdëgjuar edhe nga anëtarë të komunitetit me njohje të sendeve të atëhershme.

Hirësi Theofani pati shprehur qëndrimin mbi strukturën e patrikanës së ideuar ortodokse të Amerikës, të cilës duhet t’i printe mitropoliti rus, Leondi. Por përse atëherë përkthyesi ynë shënoi emrin e vet, si i vetmi peshkop meshtar në meshën anglisht? Apo duke i parë librat e tij kishtarë të përdorur nga kishat e tjera ortodokse kanonike, vetë kjo do ta bënte të ndihej i pranuar kanonikisht? Ose ndoshta ishte dhe një reagim i çiltër për situatën e tij të izoluar kishtare? Në qoftë se i lihemi hamendësimeve, gjë që për ata që merren me Nolin është një nga tundimet më të shpeshta, ajo që është më pak vlerësuese, do të ishte të besonim se librat kishtarë në anglishte, pavarësisht nga libërlidhja e fortë, do të ishin të përdorshëm në jetë të jetëve.

Për sa i përket izolimit të Nolit, gjithë vepra përkthimore mbas viteve 40 mund të lexohet edhe si pemë e këtij veçimi të shumëfishtë. Pa dyshim, kjo ndikon tek ne aq sa, pa dashje, përdorim sipëroret për kontributin e Nolit anglisht, në një kohë kur përkthimet liturgjike filluan të kryheshin në SHBA para Nolit, dhe madje shtoheshin e botoheshin krahas e mbas Nolit; dhe madje më cilësisht.

Receptimi i Nolit, dje dhe sot 

Librat e Nolit ishin një ngjarje për ortodoksët amerikanë. Për shqiptaro-amerikanët këto botime me të drejtë ishin mburrja dhe janë edhe sot krenaria e tyre. Në fakt, gjithë bashkësia shqiptaro-amerikane, në tërësinë e saj historike, nuk ka bërë ndonjë vepër që të krahasohet kulturorisht me një punë të tillë, kryer prej një anëtari të vetëm të mërgatës. Veprat e Nolit ndihmonin udhën e një kishe amerikane, prandaj dhe figurat e njohura të teologjisë ortodoke në SHBA u shprehën për Fan Nolin me fjalë lëvdimi, në të gjallë, në të fjetur e në të përkujtuar të tij. Por teologët ortodoksë nuk komentuan zyrtarisht cilësinë e këtyre përkthimeve. Për më keq, këto përkthime nuk përdoren sot nga kisha ortodokse e mëvetësuar amerikane (Orthodox Church in America), atje ku peshkopata e Nolit u kanonizua e u pranua mbas vdekjes së tij. Edhe në kishat shqiptare, shumica e priftërinjve, të cilët nuk janë më me origjinë shqiptare dhe rëndom kanë studiuar teologji, nuk i përdorin librat e Nolit në anglishte.

Përkthimet e Nolit ishin një kontribut i madh për atë kohë, sepse qysh nga botimi i librit të Isabel Hapgood, nuk ekzistonin botime kaq sistematike, edhe pse ekzistonin përkthime më cilësore.[19] Noli ishte nga ata peshkopë ortodoksë në SHBA të cilët u rrëmbyen nga një shpirt i tillë ungjillëzues, dhe këtë nuk e përvijuan vetëm me predikime, por edhe me punë të papushuar. Takova dikur në Oksford një profesor të muzikologjisë bizantine, i cili më tha se gjatë viteve që po mësonte të psallte, në një kishë greke në Kanada, libri i vetëm i Apostullit në kishën e tyre ishte ai i Fan Nolit. Gjithashtu, një prift kanadez na tregoi se kur u konvertua në kishën ortodokse, e ndiqte meshën nga libri i Nolit, por kur nisi të përdorë përkthime të tjera anglisht, e kishte të vështirë të harronte shprehjet e ngulitura liturgjike nga anglishjta e meshës noliane. Këto dëshmi flasin vetë për përkthyesin shqiptar, kaq të shpërfolur nga ortodoksia greke.

Noli u lëvdua nga specialistët e historisë dhe të muzikës kishtare në të gjallë të tij, gjë që e vendos atë në tokën e tij: Historia kishtare dhe muzika liturgjike janë dy fushat ku ai përkiste e kontriboi më shumë, sesa teologjia e filologjia. Por përkthimet liturgjike anojnë më shumë në këto dy disiplina të fundit, ndërsa vetëm ndihmohen nga të parat. Gjithashtu, Noli mori vlerësime të larta nga specialistë të studimeve biblike për përkthimin e Dhjatës së Re në anglishte. Atëherë, përse ai të mos figurojë sot në listën e përkthimeve të Dhjatës së Re anglisht, të cilat numërohen sot në dhjetëra, kur kanë kaluar rreth katër dhjetëvjeçarë që nga Dhjata noliane? Shumë nga këto përkthime janë ekspozuar në mënyrë paralele, në libra e në Internet, por jo përkthimi i Nolit.[20]

Në simpoziumin ndërkombëtar të përkthimeve liturgjike ortodokse në anglishte, që u zhvillua në vitin 1998 në SHBA, Noli nuk u trajtua fare, për të mos kujtuar disa nënshënime ligjëruesish, ku Noli përshkruhet krejt ndryshe nga ç’ishte, siç u cek më sipër. Sepse në anglishte nuk ishte vetëm “kopjac”, ndërsa në shqipe nuk  ishte fare i tillë. Sa keq që peshkopata që ai themeloi, e trashëguar në këtë shekull falë përkthimeve të Nolit anglisht, nuk kontriboi në atë simpozium, e as është e zonja të dërgojë diku një kumtues për përkthimet e Nolit anglisht, për t’i kthyer kryemesharit dinjitetin e mohuar. Vetëm se kur bëhet fjalë për misione politike, peshkopata e ka shumë të lehtë të investojë e të përfitojë. Përveç paditurisë së drejtuesve të peshkopatës, e cila kjo funksionon si pronë e fisit të Liolinëve, administrimi bizantin i arkivit të Nolit përbën një pikëpyetje më vete, duke mbajtur në errësirë një jetë plot dritë në letra.

Puna e Nolit, megjithë antitezat e shumta, është e vlerësuar kur studiohet në planin krahasimor me përkthimet shqip, pikërisht se ajo u konceptua e u destinua për shqiptaro-amerikanët, me një përkushtim e dashuri të madhe për ta, pavarësisht nga përkujdesja komerciale e përkthyesit për t’i bërë këta libra të shitshëm në gjithë Amerikën e Veriut. Aspekti fetar i Fan Nolit, nuk mund të vlerësohet jashtë paragogëve të faktorit shqiptar.

Përkthimet e dyta shqip dhe botimet anglisht, nuk e kanë tharmin e përkthimeve të para shqip, pikërisht se këto vepra u ngjizën në izolim, jashtë trysnisë që ushtruan intelektualët dhe kisha ortodokse në përkthimet e para. Kjo është arsyeja kryesore se përse këto vepra kaq të mëdha u botuan me kaq shkujdesje, të pamerituara këto për një intelektual të përmasave të Nolit. Nga ana tjetër, përkthimet anglisht, jo vetëm që e mbyllën bukur shtegun e Nolit në letrat shqipe, por e çuan përkthyesin në një mbretëri tjetër gjuhësore, aspak imagjinare dhe kurrë emocionale. Duke mos harruar interesimin spiritual të Plakut vitet e fundit të jetës, mund të themi se përkthimet anglisht ruajtën dhe i dhanë domethënie profilit enigmatik të Fan S. Nolit në botën shqiptare. Bujtës dhe kalimtar i madh!

At Foti Cici
Koha Jonë, 27 shtator 2003

———————————

 Botimet kishtare të Fan S. Nolit 

Periudha e parë përkthimore në shqipe

Shërbes’ e Javës së Madhe, kethyer nga grecishtja prej Priftit Orthodox Fan S. Noli, 1908
Librë e Shërbesave të Shënta të Kishës Orthodoxe, kthyer nga gërqishtja prej Priftit Orthodox Fan S. Noli, 1909
Libre e të  Kremteve të Mëdha të Kishës Orthodoxe, kthyer nga greqishtja prej Priftit Orthodox Fan S. Noli, 1911
Triodi i Vogël, kthyer nga greqishtja prej Priftit Orthodox Fan S. Noli, 1913
Lutjesorja, e kthyer nga greqishtja prej Priftit Orthodox Fan S. Noli, 1914
Pesëdhjetore e Vogël, e kthyer nga greqishtja prej Priftit Orthodox Fan S. Noli, 1914.

Periudha e dytë përthimore në shqipe 

Uratore e Kishεs Orthodokse, e Pεrktheu Imzot Fan S. Noli, 1941
Kremtore e Kishεs Orthodokse, e Pεrktheu Imzot Fan S. Noli, 1947
Triodi dhe Pesεdhjetorja, e Pεrktheu Imzot Fan S. Noli, 1952.

Botimet në anglishte 

Orthodox Prayer Book (Libri i shërbesave dhe pjesë nga ungjijtë e apostujt), 1949
Pocket Prayer Book (Uratore e vogël), 1954
Eastern Orthodox Catechism (Përmbledhje e mësimit ortodoks, përkthyer e përshtatur), 1954
Liturgy and Catechism of the Eastern Orthodox Church (Meshë dhe katekizëm, shqip e anglisht), 1955
Three Liturgies of the Eastern Orthodox Church (Tri meshët e kishës ortodokse lindore), 1955
Gospel Lectionary of the Eastern Orthodox Church (Këndimet e pjesëve nga ungjijtë), 1956
Epistle Lectionary of the Eastern Orthodox Church (Këndimet e pjesëve nga letrat e apostujve), 1957
The New Testament of our Lord and Savior Jesus Christ (Dhjata e Re), 1961
The Poet of Nazareth (Ungjilli i Mattheut në vargje), 1962
The Psalms (Libri i Psallmëve), 1964.

 Botimet muzikore 

Hymnore për Kor të Përzier, e Editoj Imzot Fan S. Noli, 1936 (Libër muzikor në shqipe)
Eastern Orthodox Hymnal (Libër muzikor në anglishte), 1951
Byzantine Hymnal (Libër muzikor në anglishte), 1959.

——————————–

[1] Botimet kishtare të Nolit në anglishte janë digjitalizuar dhe mund të lexohen në ShqiptarOrtodoks.com/Liturgjia.
[2] Kushtimi në Three Liturgies of the Eastern Orthodox Church, 1955.
[3] Metropolitan Theophan Noli on the American Orthodox Church, Bridgeport Conn, St. George Church, 1994 (Audio, 1956).
[4] “Anglishtja e F. Nolit nuk është shumë idiomatike dhe atij nuk i pëlqen ta korrigjojë” (Qerim Panariti), Fan S. Noli, Vepra 6, f. 264.
[5] Bishop Fan S. Noli, Eastern Orthodox Hymnal, 1951, Parathënie.
[6] “Praktikë” quhen ata psalltë që e kanë mësuar muzikën bizantine “me vesh”, pa notacion (simiografi). Nganjëherë, psalltët praktikë janë kaq virtuozë, saqë mbartin e trashëgojnë melodi origjinale bizantine. Psalltë të tillë ka ende sot në Shqipëri, si mbijetues të kishës së vjetër, ndërsa të tjerë do të ketë në të ardhmen, si pemë e kësaj periudhe muzikore në kishën shqiptare të pasdiktaturës. Në Greqi dhe në diasporën greke, disa prej këtyre muzikantëve “amatorë” u përdorën nga muzikologë grekë e të huaj për të regjistruar në audio jo vetëm meloditë kishtare, por dhe këngët pupullore greke.
[7] Tre botimet muzikore të Nolit janë: Hymnore (1936), Eastern Orthodox Hymnal (1951), dhe Byzantine Hymnal (1959). Këta libra janë digjitalizuar dhe mund të shfletohen në ShqiptarOrtodoks.com/.Liturgjia. Termi Byzantine në titullin e fundit, ka vetëm motivin të atillë, ose, “gjininë”, por jo simiografinë e bizantines. Në këtë rast, është një sinonim i librit të dytë, Eastern Orthodox, për t’i dhënë ndoshta edhe një përdorim më të gjerë. Në këto tre botime nuk ekziston asnjë melodi në simiografinë bizantine.
[8] Në botimet e periudhës së dytë shqip, epsiloni grek përdoret, në vend të ë-së, në vëllimet Uratore (1941) dhe Kremtore (1947). Gjithashtu është përdour edhe tek Albumi (1948), si dhe tek Historia e Skënderbeut (1950). Në botimet e mëvoshme, Triodi dhe Pesëdhjetorja (1952) dhe ai dygjuhësh Mesha dhe Katekizma (1955), nuk përdoret më epsiloni por ë-ja.
[9] Shih: Eqrem Çabej, “Për gjenezën e literaturës shqipe”, Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, 1994, f. 46.
[10] Peshkop Fan S. Noli, “Mesha e Shën Jan Gojartit” (Antifoni i tretë), Mesha dhe Katekizma e Kishës Orthodokse Lindore – Liturgy and Catechism of the Eastern Orthodox Church, 1955, f. 60 (Italikët janë tanët).
[11] Μακάριοι οι πτωχοί τω πνεύματι, ότι αυτών εστίν η βασιλεία των ουρανών…
[12] Shih: Paul Meyendorff, “Liturgical Translations of the Orthodox Church in America”, Logos – A Journal of Eastern Christian Studies, Vol. 41-42, 2001, f. 66.
[13] Shih: Dhimitër Beduli, Gjuha Shqipe në Kishë, f. 31.
[14] Edhe në Besore kemi të njëjtin fenomen, ashtu si tek termi mendje, ku përkthimet shqip e anglisht “puqen” në një faqe, por të përkthyer jo njësoj, në të njëjtin libër të Nolit: Mesha dhe Katekizma…, f. 109.
[15] Dhe megjithatë, tendenca të tilla ekzistojnë edhe në jetën kulturore të pasdiktaturës, për sa i përket përzgjedhjes së fjalorit publik. Po krijohet përshtypja se jo të gjithë shqiptarët kanë të drejtë të rendin në fondin e shqipes, brenda a tej fjalorëve ekzistues, për të gjetur e përdorur fjalë “ndryshe” në gjuhën e shkrimeve të tyre, sepse kjo qenka diçka rituale, që u ka hije vetëm etërve të shqipes.
[16] Bishop Fan S. Noli, The Orthodox Prayer Book, 1949, Parathënie.
[17] Fan S. Noli, Albumi, 1948, f. 78.
[18] Bishop Fan Stylian Noli, The Orthodox Prayer Book, f. 62. Një pikë tjetër ekscentrike është shkrimi i emrit të Durrësit, i cili në përkthimet anglisht u bë Durazzo. Siç duket, Noli është menduar se Durrësi ka dy pika të vështira për t’u nyjëtuar nga amerikanët: ë dhe rr. Por si mund të italizohej një toponim i tillë, helenistik, i fronit të Durrësit, i cili ekzistonte në literaturën kishtare si Dyrachium, Dyrrachium, apo dhe Dyrrhachium? Si mund të pajtojmë sot këtë hierark që druhet ta shkruajë Durrësin Dyrachium, aq më tepër kur bëhet fjalë për një fron të lashtë kishtar, me atë autor që nuk pranon të përdorë ë-në shqipe, por përdor në vend të saj shkronjën greke ε?
[19] Mbi përkthimet liturgjike lindore në anglishte, lëndë e larmishme ekziston në dy vëllimet e revistës katolike-bizantine Logos – A Journal of Eastern Christian Studies: Vëllimi 39 (1998) dhe Vëllimi 41-42 (2001). Në këto botime janë përfshirë kumtesat nga simpoziumi ndërkombëtar i përkthimeve liturgjike ortodokse në anglishte, që u zhvillua në vitin 1998.
[20] Fatmirësisht, kjo vepër u digjitalizua këtu në Toronto dhe mund të lexohet tashmë e plotë në ShqiptarOrtodoks.com/Liturgjia.