1. “Nëse ndokush dëshiron të më vijë pas, duhet të mohojë veten, të marrë kryqin dhe të më ndjekë”. Ky varg nga leximi i thukët ungjillor këtë të diel (Marku 8: 34-38; 9: 1), i cili mund të lexohet në fund të këtij shkrimi, shpesh keqkuptohet dhe shtrembërohet.

Thirrja e Jezuit për ndjekje absolute ka domethënie shpirtërore dhe jo literale. As apostujt nuk e morën këtë thirrje fjalë për fjalë: ata e ndoqën Jezuin për një periudhë të caktuar kohe, por me shkëputje, duke u kthyer për të rifilluar jetën dhe detyrimet e përditshme, madje duke u kujdesur edhe për të afërmit e tyre. Megjithatë, marrëdhënia e tyre e brendshme me Jezuin, lidhja shpirtërore dhe mendore, ishte e përhershme, prandaj dhe nxënësia e dishepullimi i tyre ishte absolut. Dhe Ungjilli sot na thërret dhe kërkon prej nesh të bëjmë të njëjtën gjë.

2. “Kushdo që dëshiron të shpëtojë jetën e vet, do ta humbë atë; por kushdo që do ta humbë jetën e vet për hirin Tim e të Ungjillit, do ta shpëtojë atë.” Çfarë do të thotë kjo?

Të japësh jetën do të thotë të heqim dorë nga ajo pjesë e jetës sonë, e cila është e bashkangjitur me dëshirat dhe preokupimet tokësore. Do të thotë të heqim dorë nga vetja jonë mëkatare, për diçka shumë më të mirë, më të madhe dhe më të bukur!

Kjo përqasje, si vetëdije njerëzore, gjen ngushëllim dhe përforcim në leximin e sotëm apostullor, ku thuhet se vetë Krishti u tundua. Kjo do të thotë që Jezui u testua ashtu si ne, domethënë ai ka përvojë të drejtpërdrejtë nga gjendja jonë njerëzore; ai është i vetëdijshëm për dobësitë dhe vështirësinë për të mohuar veten, për të ngritur kryqin tonë dhe për të dhënë jetën tonë. Prandaj dhe Zoti ynë nuk është një Perëndi kërkues dhe i largët, por një mik i dashur dhe i mëshirshëm.

3. “Ç’dobi ka njeriu nëse fiton tërë botën dhe humbet shpirtin e vet? Sepse çfarë mund të japë njeriu si shkëmbim për shpirtin e vet?” Në vend që ta kërkojmë interpretimin e këtij vargu gjetkë, më mirë le të hapim sytë këtu dhe tani, brenda në kishë dhe në komunitet. Nuk mund të jesh nxënës dhe zbatues i Ungjillit të Krishtit, duke mohuar kryqin tënd, popullin tënd, vendin tënd, nga interesi dhe frika.

Shkëmbimi i shpirtit me vlera lëndore, ka pasoja të pashmangshme shpirtërore. Në qoftë se humbja e gëzimit dhe mërgimi i lumturisë në këtë jetë nuk zhdëmtohen me para dhe pasuri, shitblerja e shpirtit ka pasoja edhe më të hidhura. Ky varg është sfidues për shumicën dërrmuese të klerit dhe ushtruesve të besimit në komunitetin tonë.

Pasojat e rrezikshme të shitblerjes së shpirtit në Shqipëri duken qartë me politizimin dhe tkurrjen e vazhdueshme të Ortodoksisë, me largimin nga Kisha të shumicës dërrmuese të shqiptarëve ortodoksë. Prandaj dhe, nëse besimi është tek Zoti dhe jo tek interesi, barra e kryqit është çelësi i ndryshimit dhe shpëtimit: “Nëse ndokush dëshiron të më vijë pas, duhet të mohojë veten, të marrë kryqin dhe të më ndjekë”.

At Foti Cici , 31 mars 2019
————————–
Marku 8: 34-38; 9: 1

Pastaj e thirri turmën bashkë me dishepujt e Vet, dhe u tha: “Nëse ndokush dëshiron të më vijë pas, duhet të mohojë veten, të marrë kryqin dhe të më ndjekë. Sepse kushdo që dëshiron të shpëtojë jetën e vet, do ta humbë atë; por kushdo që do ta humbë jetën e vet për hirin Tim e të Ungjillit, do ta shpëtojë atë. Sepse ç’dobi ka njeriu nëse fiton tërë botën dhe humbet shpirtin e vet? Sepse çfarë mund të japë njeriu si shkëmbim për shpirtin e vet? Sepse kushdo që do të ketë turp për Mua dhe për fjalët e Mia në këtë brez të përdalë e mëkatar, edhe Biri i Njeriut do të ketë turp për të, kur Ai të vijë në lavdinë e Atit të Vet me engjëjt e shenjtë.” Dhe u thoshte: “Me të vërtetë po ju them, që ka disa prej atyre që janë këtu, të cilët nuk do ta shijojnë vdekjen para se të shohin mbretërinë e Perëndisë të vijë me fuqi.”

Foto: Mozaik në bazilikën e Shën Apollinarit n Ravenna, Itali (Shek. VI)