Çdo kishë vendore, siç janë kishat autoqefale të besimit ortodoks, ka disa shenja historike, përveç gjuhës, që funksionojnë si pika kulturore. Këto ngjyresa rëndom lidhen me ngjarje e mite që janë ngurtësuar si të padiskutueshme në ndërgjegjjen kombëtare të anëtarëve të kishës. Këmbëngulja për ta bërë këtë realitet ndërfutës pjesë të predikimit ortodoks, trashëgohet bashkë me përjetësimin e veçorive teologjike të religjionit. Kjo ka bërë që përkatësit e kishave etnike, për shembull grekët, ta kenë të vështirë të kryejnë veprimtari misionare jashtë hapësirës gjeografike të kishës së tyre. Në shumicën e rasteve misionarët në fjalë nuk e kuptojnë se pengesat në predikim vijnë nga nostalgjia për përjetimet e tyre vendore, nga kontradiktat me tjetrin e me veten, domethënë nga pafuqishmëria për të ndarë fenë nga folklori, gjë që bën më të brishtë specifikën e subjekteve të reja, në këtë rast shqiptarët.

Ashtu siç është e vështirë për shqiptarët të çrrënjosin një mendësi ateiste, njësoj e vështirë është për grekët të shoshisin vlerat e tyre etnospirituale, të ndajnë, pra, Krishtin nga sheqeri. Si pasojë e këtij pretendimi, mëditësit e klanit grek që vepron në Shqipëri, e kanë bërë faqen elektronike të KOASH-it të tekstualizojë moralin e punëdhënies së tyre. Banalitet! Kjo dëshmon se imazhi publik i kishës autoqefale shqiptare është tjetërsuar dhe nuk shpreh më delikatesën e paimitueshme të kryepeshkopit Anastasios Janullatos, tërthorizmat e tij të famshme, duke i lënë vendin kësisoj fjalës agresive: Varfërisë së shpirtit. Çfarë ka ndodhur?

Epërsimi brenda simbolikës kulturore, jo vetëm që i trimëron përkatësit, por dhe i bën të ndihen përgjegjës për të gjithë bashkëpërkatësit e kulturës së tyre, të cilët renditen në gjithësinë helene tej kombësisë së mirëfilltë, përderisa edhe kjo përcaktohet me të njëjtat metoda mitbërëse. Jo rrallë këto pika etnokulturore bëhen e vetmja shtysë në përkatësinë spirituale për ortodoksët grekë. Kuptohet se nën këtë barrë frymore, besimtari vetëvendoset mbi gjeografinë e mbi gjuhën, të cilat konsiderohen si të përkohshme, kur vetë vlerat kalimtare janë përherësuar. Prandaj dhe kur shohim foto afrikanësh me fustanella arvanitase, a me flamuj bardheblu, konstatojmë dorëzimin e gjeografisë nën shtojcat njerëzore të ortodoksisë.

Në një perspektivë çiltërsie, ortodoksia respekton aspiratat dhe shenjat e çdo kishe vendore, pa ushtruar dhunë në imponimin e direktivave të njëtrajtshme. Kur ndesh një mozaik të sapongjizur dygjuhësh në Shqipërinë qendrore, fjala bie, të përjetësuar greqisht nga rituali, e shqip nga halli, shtrëngohesh të pranosh se, nga njëra anë besimi fetar i mishëruar depërton thellë në mendjen dhe në zemrën e të krishtëruarve, por, nga ana tjetër, kjo krijon një dialektikë midis aspektit transkulturor të kishës së përbotshme me kishën vendore, e cila e përjeton historinë në një hapësirë dhe kohë gjeografikisht të përcaktuar. Në thelbin e fesë, uniteti ortodoks më kot mund të kërkohet në larminë e gjuhës e të kulturës, sesa në lidhjet tejet tyre, siç janë misteret e pjesëmarrësve. Si rrjedhojë, as e kundërta, domethënë lëmimi, manovrimi a rrafshimi i gjuhës dhe i kulturës, na bën më pak a më shumë ortodoksë. Por si mund t’i shmangemi pyetjes: A na bën një dukuri e tillë më pak a më shumë shqiptarë?

Shumë kombe nderojnë e lëvdojnë mësuesin që iu lëçiti besimin ortodoks. Në historinë tonë kulturore një ndriçues i tillë nuk ekziston, për vetë faktin se trevat tona u krishtëruan qysh me ndriçuesit e kombeve të tjera. Kisha vendore ka krijuar ndjenja të thella për shën Kozmain, për shembull, por as ai është quajtur “ndriçues i shqiptarëve”, për më tepër kur ai predikoi me bekimin e lejën e patrikanës dhe të sulltanit; si i krishterë i ndërgjegjshëm, u përpoq të ruajë raportet përkatëse, të cilat shumica e shqiptarëve i ka mirëkuptuar (Sepse shenjtorët ishin dhe ata njerëz, me gjithë potencialin e gabueshmërisë njerëzore). Para shën Kozmait, ka pasur raste më të zbehta misioni, por ai ishte më i madhi dhe më i fundit ndriçues në historinë tonë kulturore, pavarësisht nga iluzionet e dërgatës greke sot, e cila fryn tullumbace për shenjtërimin e Janullatosit. Sidoqoftë, shqiptarët nuk e morën ortodoksinë nga grekët. Pretendimet e sotme janë pjellë e një mëkati grupor.

Ignati i Antiokisë, në fillimet e krishtërimit, i këshillon tralianët  që t’iu binden priftërinjve ashtu siç iu bindeshin apostujve. Kudo që shkonin apostujt e Krishtit, respektonin veçoritë vendore të subjekteve të tyre. Nuk i shkelnin të pandriçuarit, nuk i poshtëronin të shtrembërit, nuk i përbuznin të shëmtuarit, nuk kërkonin tituj e lavdi, nuk e përdornin predikimin për të sharë e për të shpifur, nuk përdornin teknika për të manipuluar grigjën, nuk kërcënonin, nuk ua kishnin me hile vendorëve; ishin dhe silleshin si kalimtarë. E megjithatë, shtrëngoheshin të flisnin e madje të shkruanin letra në gjuhën e grigjës, jo në të vetën, etj. Disa prej tyre, ata më të mëdhenjtë, krijuan literaturë vendore për të krishtëruarit, sepse tëhuajtja dhe asimilimi nuk është në frymën e Ungjillit. Prandaj dhe nuk ishte e thënë që të impononin përzgjedhjet e tyre kulturore, vetëm e vetëm se po iu ofronin pakëz dritë.

Shembulli më i spikatur është Rusia, e cila e mori besimin ortodoks nga grekët. Megjithatë, në dorëshkrimet ruse nuk gjenden shënime greqisht, as në ikonat a tekstet mbi jetën e shenjtorëve, e as gjenden greqishtfolës në historinë kulturore të rusëve, me përjashtim të ndonjë princi që mund të ndryshonte edhe emrin po të martohej me një princeshë bizantine, gjë që respektohej. Kombëtarizimi i kishës shqiptare ishte, ndoshta, akti i fundit për të mbyllur qarkun e shën Metodit në Ballkan, edhe pse i nisur në trevat shqiptare shekuj para sllavëve.

Kisha duhet të ruajë identitetin e saj spiritual dhe misionin e saj në veçanti, por dhe dinjitetin në formulime zyrtare, pavarësisht nga opinionet e kundërshtitë e veprimtarëve të saj. Ashtu siç nuk mund të përshkohet nga nacionalizmi eksesiv për një klan, a shpërthimi i çastit për një pasion, po ashtu nuk mund të bëhet shërbëtore apo instrument i politikës së një shteti tjetër, pavarësisht nga përpjestimet e fuqive tokësore. Nga ana tjetër, diferencimi i ortodoksisë në larmi gjuhësh e kulturash, nuk sjell pasoja në thelbin e saj, për të mos thënë që këto veçori, janë ato që e kanë provuar si të tillë përgjatë historisë. Sindromat kulturore, si gjuha dhe doket vendore, nuk kanë penguar në ruajtjen dhe madje përhapjen e një besimi të vërtetë ortodoks. Në qoftë se njësi të tjera kulturore janë thirrur historikisht për të tejkaluar identitetin kulturor të Bizantit, për shembull, akte të ngjashme shartimi janë nyjtuar të tejvonuara gjatë kësaj periudhe historike tek ne. Në fund të fundit, kjo është e drejta jonë.

Rreziku i thellimit në kësi debatesh – njësi e larmi – ka rrezikun e pjesëtimit, një tundim që në vend të përsiatjes dhe të kundrimit, ka hedhur disa sivëllezër larg thelbit të shërbesës ortodokse, e madje duke iu zhveshur dhe etiketën e domosdoshme për një shprehje publike, qoftë dhe nga pozitat laike të një nëpunësi grek. A janë dëshmi të tilla pjesë e asaj ngarkese kulturore që duhet t’iu imponohet me çdo kusht shqiptarëve ortodoksë? Për më tepër, teologët grekë e filogrekë, të cilët punojnë në KOASH, nuk duhet të harrojnë se përfaqësojnë në botën shqiptare vlerat helene, njësoj siç pasqyrojnë në qëndrimet e tyre cilësinë e përzgjedhjeve të tyre publike. Në qoftë se e kanë të vështirë të përçojnë diçka më të mirë në botën shqiptare, le të marrin shembull nga cilësia publike e shqiptarëve ortodoksë.

Ne ndjekim me shqetësim e dhimbje rrëshqitjet e pamerituara të hierarkisë së kishës motër në Greqi, edhe pse opinioni shqiptar ka ndjerë e kapërdirë këto vite tensioni, skandale të ngjashme misionarësh grekë në Shqipëri. Në kësi rastesh, nuk ka nevojë për të importuar e imponuar përgjigje, sesa për të ushtruar e shprehur një virtytësi publike, nga të gjitha palët.

At Foti Cici
Panorama, 10 shkurt 2005