Në postimet e KOASh-it për festën e djeshme (26 mars) mbi Kryeëngjëllin Gabriel, vlen të bëjmë një sqarim gjuhësor. Drejtshkrimi zyrtar i administratës ortodokse për këtë emër, si Gavriil, është i gabuar për disa arsye.

1. Dy zanore të njëjta të njëpasnjëshme nuk pranohen në emrat shqip. Prandaj dhe emërdhënia e traditës ortodokse në Shqipëri, madje edhe kur Kisha nuk e lejonte përdorimin e gjuhës amtare, ky emër, pra, ekzistonte me një “i”, Gavril, edhe pse në greqishten kishtare ishte me dy “i”, si Gavriil.

Botimet biblike të Dhjatës së Re në toskërishte (1827 dhe 1879) vërtet përzgjedhin trajtën helenistike për këtë emër, si Gavriil (Luka 1:19), por kjo përkryhet në përkthimet e para liturgjike të viteve 1910, nga Imzot Fan S. Noli, siç e gjejmë në Librin e të Kremteve të Mëdha (1911), madje dy herë:

“Mbledhja e kryegeneralit Gabriel” (26 mars);
“Mbledhja e krye-ëngjëllit Gabriel (13 korrik).

Vërtet që përkthimet tona liturgjike ishin dialektore, por ishin shumë të peshuara për atë kohë, prandaj dhe në drejtshkrimin e këtij emri Imzot Noli pranon variantin gegërisht të Kristoforidhit, Gabriel (Luka 1:19, 1872).

Në këtë rast ky emër nuk kishte pse të merrte një trajtë të huaj dhe artificiale në shqipe, aq më tepër kur nuk ishte emër i shpeshtë dhe i rrënjosur në komunitetin ortodoks.

2. Edhe pse midis dy periudhave përkthimore të Imzot Nolit, onomastika ortodokse në shqipe ka përshtatje dhe ndryshime, madje ku disa emra që janë më të rrënjosur ndër shqiptarë ruajnë trajtën helenistike, ky emër që po shqyrtojmë sot nuk ndryshon as në përkthimet e dyta, siç e shohim në himnin më poshtë (1947):

“Zjarr nga fytyra je, i bukur i çudiçim, o Shën Mëhill o Ëngjëll, o Gabriel i shenjtë, që i këndoni Zotit, përherë hymnin Trishenjtor” (Kremtore, f. 291).

Për parantezë, as emri i Kryeëngjëllit Mëhill nuk helenizohet në Mihail, siç e përdor KOASh-it sot. Madje ky emër ishte më i shpeshtë atëbotë në shqipe, jo vetëm në emërdhënie, por dhe në shumë emra kishash e toponimesh: Shën Mëhilli!

Dihet se greqishtja nuk ka “ë”, gjë që dëshmon lashtësinë e emrit Mëhill në shqipe, prandaj dhe përkthyesi nuk guxon të ndryshojë gjuhën e trashëguar të një populli.

Përkthyesi i madh është vazhdues i traditës, por dhe e plotëson atë, sipas ecurisë gjuhësore dhe kushteve të reja historike.

Gjuha e njësuar në arsimin e përbashkët, brenda e jashtë Shqipërisë, është një realitet mbi çdo ndarje e ngjarje rajonale, prandaj dhe detyrim!

3. Gabrieli vazhdon të mbetet Gabriel edhe në përkthimet e sotme liturgjike të At Justin Anthimiadhit, edhe pse këto vëllime nuk pranohen nga KOASh-i.

Shërbesa e djeshme, për shembull, nuk ka pse të bëhet në një gjuhë që s’e kupton askush, kur është përkthyer tashmë për herë të parë në shqipe, madje me standarde të larta teologjike, gjuhësore dhe muzikore. Ja një himn nga shërbesa e djeshme, ku drejtshkrimi i emrit Gabriel nuk përçudnohet:

“Hijeshia e lavdishme e shtëpisë sate, shenjtëron shkëlqyeshëm shpirtra besimtarësh, o Gabriel, dhe nxit që të thërrasin me zë të madh: O i përmbihimnuar, Zoti i etërve dhe Perëndi, je i bekuar”. 
(Mujori IV, 2016, f. 104. Jepet gjithashtu citimi biblik nr. 25: Danieli, kap. 3, Lutja e Azarias 2).

Nën dritën e këtyre fakteve, është më se e qartë se drejtshkrimi “Garvriil” që KOASh-i ka imponuar nëpërmjet përsëritjes këta tre dhjetëvjeçarë, ka motive e dëshira jo vendore.

Kjo terminologji, siç e kam trajtuar qysh nga viti 2003 e në vijim, është e huaj në shqipen e sotme dhe përçarëse në komunitetin ortodoks.

At Foti Cici, 27 mars 2019

Foto: Kryeëngjëlli Gabriel në kryekishën e Urtësisë së Shenjtë (Ajia Sofia), Stamboll.