Kapitulli:  1  2  3  4  5  6

Kapitulli 1

1 Pali, apostull i Krishtit Jezus sipas vullnetit të Perëndisë, shenjtërve që janë në Efes, besnikë në Krishtin Jezus:

2 Hir dhe paqe paçi prej Perëndisë Atit tonë dhe Zotit Jezus Krisht.

3 I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezus Krisht, i cili na ka bekuar në vendet qiellore me çdo bekim shpirtëror në Krishtin,

4 siç na zgjodhi në Atë përpara themelimit të botës, që të jemi të shenjtë dhe të panjollosur përpara Tij. Me dashuri

5 na paracaktoi për të na birësuar për Veten e Tij, nëpërmjet Jezus Krishtit, me pëlqimin dhe vullnetin e Tij

6 për lavdërimin e hirit të Tij të lavdishëm, të cilin na e dha falas me anë të Birit të Tij të dashur.

7 Në Atë kemi shpengim nëpërmjet gjakut të Tij, faljen e shkeljeve tona, sipas pasurisë së hirit të Tij,

8 të cilin Ai e derdhi me begati mbi ne me të gjithë mençurinë dhe zgjuarësinë.

9 Na bëri të njohur misterin e vullnetit të Tij, sipas mirësisë së Tij që e kishte caktuar në Krishtin,

10 për të realizuar kur të përmbushet koha planin që është: të përmbledhë në Krishtin të gjitha gjërat në qiej dhe në tokë.

11 Në Atë ne u zgjodhëm gjithashtu si trashëgimtarë, duke u paracaktuar sipas planit të Tij që i kryen të gjitha në përputhje me qëllimin e vullnetit të Tij,

12 që ne, që shpresuam që në fillim në Krishtin, të ishim për lëvdimin e lavdisë së Tij.

13 Edhe ju, pasi dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit, dhe pasi besuat në Atë, morët vulën e Tij, Frymën e Shenjtë të premtuar,

14 që është kapari i trashëgimit tonë, deri në shpengimin e atyre që i përkasin Perëndisë, për lëvdimin e lavdisë së Tij.

15 Prandaj edhe unë, duke dëgjuar për besimin mes jush në Zotin Jezus dhe dashurinë për të gjithë shenjtërit,

16 nuk pushoj së falënderuari për ju, duke ju kujtuar në lutjet e mia;

17 që Perëndia i Zotit tonë Jezus Krisht, Ati i lavdisë, t’ju japë frymë mençurie dhe zbulimi që ta njihni Atë më mirë,

18 dhe t’ju ndriçojë sytë e zemrës, që ta merrni vesh se cila është shpresa me të cilën ju ka thirrur, cila është pasuria e lavdisë së trashëgimisë së Tij ndër shenjtërit,

19 cila është madhështia tepër e madhe e fuqisë së Tij për ne që besojmë, sipas veprimit të fuqisë së Tij të pushtetshme,

20 të cilën Ai e vuri në veprim te Krishti, kur e ngjalli Atë prej të vdekurve dhe e uli në të djathtën e Vet në vendet qiellore,

21 mbi çdo sundim e pushtet, fuqi e zotërim dhe mbi çdo emër që është vënë jo vetëm në këtë jetë, por edhe në atë që po vjen.

22 Vuri gjithçka nën këmbët e Tij, dhe e caktoi Atë si kreun mbi çdo gjë për kishën,

23 e cila është trupi i Tij, plotësia e Atij që i përmbush të gjitha në gjithçka.

Kapitulli 2

1 Ju ishit të vdekur në shkeljet dhe në mëkatet tuaja,

2 në të cilat ecnit më parë sipas jetës së kësaj bote, duke ndjekur prijësin që sundon mbi ajrin, frymën që tani po vepron në bijtë e mosbindjes.

3 Dikur edhe ne të gjithë jetonim midis tyre duke ndjekur epshet e mishit tonë, duke kënaqur dëshirat e mishit dhe të mendjes dhe ishim prej natyre bij të zemërimit, ashtu si edhe të tjerët.

4 Por Perëndia, duke qenë i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së Vet të madhe me të cilën na deshi,

5 edhe kur ne ishim të vdekur në shkeljet tona, na dha jetë bashkë me Krishtin – nëpërmjet hirit jeni shpëtuar –

6 dhe na ngriti bashkë me Krishtin dhe na uli me Të në vendet qiellore në Krishtin Jezus,

7 për të na treguar në kohët që do të vijnë pasuritë tepër të mëdha të hirit të Tij me anë të mirësisë ndaj nesh në Krishtin Jezus.

8 Sepse me anë të hirit jeni shpëtuar nëpërmjet besimit dhe kjo jo prej vetes suaj, por është dhuratë e Perëndisë,

9 jo prej veprave, që askush të mos mburret.

10 Sepse ne jemi vepër e Tij, të krijuar në Krishtin Jezus për vepra të mira, të cilat Perëndia i ka përgatitur që më parë, që ne t’i vëmë në jetë.

11 Prandaj mos harroni se dikur ju, të lindur si kombe, që quheni “Parrethprerje” prej atyre që e quajnë veten “Rrethprerje” (ajo që kryhet në mish nga dora e njeriut),

12 mos harroni se në atë kohë ju ishit pa Krishtin, të përjashtuar nga qytetaria e Izraelit dhe të huaj për besëlidhjet e premtimit, pa shpresë dhe pa Perëndi në këtë botë.

13 Por tani në Krishtin Jezus ju, që dikur ishit larg, jeni afruar me anë të gjakut të Krishtit.

14 Sepse Ai Vetë është paqja jonë, që i ka bërë një të dy popujt dhe ka rrëzuar murin e mesëm ndarës, domethënë armiqësinë, duke shfuqizuar nëpërmjet mishit të Vet

15 Ligjin e përbërë nga urdhëresa dhe rregullore. Ai kishte si qëllim që nga dy të ndërtonte një njeri të ri në Veten e Tij, duke vendosur paqe,

16 dhe t’i pajtonte në një trup të dy me Perëndinë me anë të kryqit, nëpërmjet të cilit Ai vrau armiqësinë.

17 Ai erdhi dhe ju predikoi paqen juve që ishit larg dhe atyre që ishin afër,

18 sepse nëpërmjet Tij ne të dy mund të hyjmë tek Ati me anë të një Fryme.

19 Kështu pra, ju nuk jeni më të huaj, as të ardhur, por jeni bashkëqytetarë me shenjtërit dhe pjesëtarë të familjes së Perëndisë,

20 të ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, ku Vetë Krishti Jezus është guri i këndit,

21 në të cilin e gjithë ndërtesa, e lidhur bashkë, ngrihet për t’u bërë një tempull i shenjtë në Zotin;

22 në të cilin edhe ju po ndërtoheni së bashku për t’u bërë banesë e Perëndisë në Frymë.

Kapitulli 3

1 Për këtë arsye them unë, Pali, i burgosuri i Krishtit Jezus për ju kombet,

2 nëse vërtet keni dëgjuar për mbarështimin e hirit të Perëndisë që m’u dha për ju,

3 domethënë misterin, që m’u bë i njohur me anë të një zbulese, siç kam shkruar shkurtimisht më parë.

4 Duke e lexuar këtë, ju mund të kuptoni sa e njoh unë misterin e Krishtit,

5 i cili te brezat e tjerë nuk iu bë i njohur bijve të njerëzve, siç iu zbulua tani nëpërmjet Frymës apostujve dhe profetëve të Tij të shenjtë;

6 që kombet të jenë bashkëtrashëgimtare, gjymtyrë të një trupi dhe bashkëpjestare të premtimit në Krishtin Jezus nëpërmjet ungjillit,

7 shërbyes i të cilit u bëra nëpërmjet dhuratës së hirit të Perëndisë që m’u dha falë veprimit të fuqisë së Tij.

8 Mua, më të voglit nga të gjithë shenjtërit, m’u dha ky hir për t’u predikuar kombeve pasuritë e pasosura të Krishtit,

9 dhe për të nxjerrë në dritë [para të gjithëve] mbarështimin e atij misteri, që për epoka ka qenë fshehur në Perëndinë, që i ka krijuar të gjitha.

10 Synimi i Tij ishte që tani, nëpërmjet kishës, t’u bëhej e njohur mençuria e larmishme e Perëndisë sundimtarëve dhe autoriteteve në vendet qiellore,

11 sipas qëllimit të përjetshëm, të cilin Ai e përmbushi në Krishtin Jezus Zotin tonë.

12 Në Atë dhe nëpërmjet besimit në Të, kemi lirinë dhe mundësinë për t’iu afruar Perëndisë me bindje.

13 Prandaj po ju lutem që të mos ju lëshojë zemra për shkak të mundimeve të mia për ju, që janë lavdia juaj.

14 Për këtë arsye po bie në gjunjë përpara Atit,

15 prej të cilit merr emrin e gjithë familja në qiej dhe mbi tokë,

16 që Ai, me anë të pasurisë së lavdisë së Tij, t’ju bëjë të fortë e të fuqishëm nëpërmjet Frymës së Tij në qenien tuaj të brendshme,

17 që Krishti të banojë në zemrat tuaja nëpërmjet besimit. Dhe lutem, që të rrënjosur dhe me themele në dashuri,

18 të jeni në gjendje të kuptoni bashkë me të gjithë shenjtërit sa e gjerë, e gjatë, e lartë dhe e thellë është dashuria e Krishtit,

19 dhe ta njihni këtë dashuri që tejkalon çdo dije, që ju të mbusheni me të gjithë plotësinë e Perëndisë.

20 Atij që është në gjendje të bëjë shumë më tepër se ato që kërkojmë ose mendojmë ne, sipas fuqisë që vepron brenda nesh,

21 Atij i qoftë lavdia në kishën dhe në Krishtin Jezus në të gjithë brezat për jetë të jetëve. Amen.

Kapitulli 4

1 Unë pra, i burgosuri i Zotit, ju bëj thirrje të jetoni si njerëz të denjë për thirrjen që ju është bërë.

2 Të jeni tërë përvujtëri dhe butësi, të shtruar, të jeni të duruar me njëri-tjetrin me dashuri,

3 të kujdeseni që të ruani unitetin e Frymës me anë të lidhjes së paqes.

4 Ka një trup dhe një Frymë, ashtu siç është një e vetme shpresa në të cilën u thirrët,

5 ka një Zot, një besim, një pagëzim,

6 ka një Perëndi dhe Atë i të gjithëve, që është mbi të gjithë, nëpërmjet të gjithëve dhe në të gjithë.

7 Por secilit prej nesh i është dhënë hiri sipas masës së dhuratës së Krishtit.

8 Prandaj thuhet: “Duke u ngjitur në lartësi, Ai mori me vete shumë robër dhe u dha dhurata njerëzve.”

9 (Ç’kuptim mund të ketë shprehja “U ngjit”, veç asaj që Ai, gjithashtu, kishte zbritur në ultësirat e dheut?

10 Ai që zbriti është po Ai Vetë që u ngjit përmbi të gjithë qiejt, që të mbushë gjithësinë.)

11 Ai disa i caktoi si apostuj, disa të tjerë si profetë, disa të tjerë si ungjillorë dhe disa të tjerë si barinj dhe mësues,

12 për të përgatitur shenjtërit për punën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit,

13 derisa të gjithë ne të arrijmë në unitetin e besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, në njeriun e përkryer, në lartësinë e shtatit të plotë të Krishtit,

14 që të mos jemi më foshnja, që lëkunden sa andej këtej nga dallgët dhe që sillen rrotull nga çdo rrymë doktrinash, nga mashtrimi i njerëzve, nga dinakëria e intrigave mashtruese.

15 Përkundazi, duke thënë të vërtetën me dashuri, ne do të rritemi në çdo drejtim në Atë, i cili është koka, domethënë Krishti,

16 nga i cili i gjithë trupi, i lidhur mirë dhe i bashkuar nëpërmjet çdo nyje mbajtëse, ku secila pjesë vepron siç duhet, rritet për t’u ndërtuar me dashuri.

17 Këtë pra, po them dhe e dëshmoj në Zotin, që ju të mos ecni më siç ecin edhe kombet, në kotësinë e mendjes së tyre,

18 të errësuar në gjykim, të shkëputur nga jeta e Perëndisë për shkak të padijes që vepron ndër ta nga ngurtësia e zemrave të tyre.

19 Ata, të ngurtësuar në ndjenjat e tyre, janë dhënë pas shthurjes për t’u zdërhallur në çdo lloj fëlliqësie me lakmi të pangopur.

20 Por ju nuk u mësuat ta njihni kështu Krishtin,

21 nëse vërtet e keni dëgjuar Krishtin dhe ju kanë mësuar në Atë, sipas së vërtetës që është në Jezusin.

22 Përsa i përket mënyrës së jetës suaj të mëparshme, ju kanë mësuar të zhvishni njeriun e vjetër, të korruptuar nga epshet e mashtrimit,

23 të ripërtëriheni në frymën e mendjes suaj

24 dhe të vishni njeriun e ri, të krijuar për të qenë si Perëndia në drejtësi dhe shenjtëri të vërtetë.

25 Prandaj, hiqni dorë nga gënjeshtra dhe secili të flasë të vërtetën me të afërmit, sepse jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit.

26 Zemërohuni, por mos mëkatoni. Mos t’ju gjejë perëndimi i diellit duke mbajtur mëri.

27 Mos i lini shteg djallit.

28 Ai që vjedh, të mos vjedhë më, por të mundohet më shumë, duke e bërë të mirën me duart e veta, që të ketë ç’t’i japë atij që ka nevojë.

29 Asnjë fjalë e pështirë të mos ju dalë nga goja, por vetëm çka është e mirë për të ndërtuar atje ku ka nevojë, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë.

30 Mos e hidhëroni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin jeni vulosur për ditën e shpengimit.

31 Le të spastrohet prej jush çdo pikëllim, zemërim, mëri, bërtitje dhe sharje, bashkë me çdo ligësi.

32 Me njëri-tjetrin të jeni të mirë, zemërbutë, duke e falur njëri-tjetrin, ashtu siç ju ka falur edhe Perëndia në Krishtin.

Kapitulli 5

1 Bëhuni pra, imitues të Perëndisë, si bij të dashur

2 dhe ecni në dashuri, ashtu siç ju deshi edhe Krishti dhe dha Veten e Tij për ne, një ofrim dhe flijim erëmirë Perëndisë.

3 Imoraliteti, çdo lloj fëlliqësie apo lakmie as të mos zihen në gojë midis jush, siç u ka hije shenjtërve.

4 Nuk duhet të ketë as paturpësi, as biseda të ndyra, ose përqeshje, të cilat nuk ju kanë hije, por më tepër falënderim.

5 Sepse ta dini mirë, se asnjë njeri i përdalë apo i ndyrë apo lakmitar – një njeri i tillë është idhujtar – nuk gëzon trashëgimi në mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë.

6 Askush të mos ju mashtrojë me fjalë boshe, sepse për shkak të këtyre gjërave bie zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes.

7 Prandaj mos bashkoni me ta.

8 Sepse dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotin. Ecni si fëmijë të dritës

9 (sepse fryti i dritës është në çdo mirësi, drejtësi dhe të vërtetë)

10 dhe përpiquni të gjeni ç’është e kënaqshme për Zotin.

11 Mos merrni pjesë në veprat e pafrytshme të errësirës, përkundrazi t’i qortoni haptas.

12 Sepse është turp madje edhe të thuhen gjërat që bëjnë ata në fshehtësi.

13 Por gjithçka, kur del në shesh prej dritës, bëhet e dukshme,

14 sepse drita është ajo që bën çdo gjë të dukshme. Prandaj thotë: “Zgjohu, ti që fle, ngjallu prej të vdekurve dhe mbi ty do të shndritë Krishti.”

15 Prandaj hapini mirë sytë se si ecni, jo si të marrë por, si të mençur,

16 duke shfrytëzuar sa më mirë kohën, sepse ditët janë të liga.

17 Prandaj mos u bëni mendjelehtë, por kuptoni ç’është vullneti i Zotit.

18 Mos u dehni me verë, e cila çon në shthurje, por mbushuni me Frymën,

19 duke u shprehur me njëri-tjetrin në psalme, himne dhe këngë shpirtërore, duke kënduar dhe duke i thurur lavde Zotit në zemrën tuaj,

20 duke falënderuar gjithmonë Perëndinë dhe Atin për të gjitha gjërat në emër të Zotit tonë Jezus Krisht,

21 duke iu nënshtruar njëri-tjetrit në frikën e Krishtit.

22 Ju gra, nënshtrojuni burrave tuaj, si Zotit.

23 Sepse burri është koka e gruas, ashtu siç është Krishti koka e kishës, që është trupi i Tij, Shpëtimtari i të cilit është Ai Vetë.

24 Ashtu si kisha i nënshtrohet Krishtit, po ashtu edhe gratë t’u nënshtrohen burrave në gjithçka.

25 Burra, duajini gratë, ashtu siç e deshi Krishti kishën dhe dha jetën e Vet për të,

26 që ta shenjtëronte. Ai e pastroi atë duke e larë me ujë nëpërmjet fjalës,

27 që t’i paraqiste Vetes një kishë të lavdishme, pa pasur asnjë njollë apo rrudhë, apo diçka të këtillë, por të shenjtë dhe të papërlyer.

28 Kështu edhe burrat duhet t’i duan gratë e veta si trupin e tyre. Ai që do gruan e vet, do veten e vet.

29 Sepse askush nuk e ka urryer ndonjëherë mishin e vet, por e ushqen dhe përkujdeset për të, siç bën edhe Krishti për kishën,

30 sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të Tij.

31 Për këtë arsye njeriu do të lërë atin dhe nënën dhe do të bashkohet me gruan e vet dhe të dy do të bëhen një mish.

32 Ky mister është i madh; por unë po flas për Krishtin dhe me kishën.

33 Megjithatë secili prej jush ta dojë gruan e vet siç do veten e vet, por dhe gruaja ta nderojë burrin.

Kapitulli 6

1 Bij, bindjuni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë.

2 Ndero atin dhe nënën tënde, që është urdhërimi i parë i shoqëruar me premtim,

3 që të të shkojë mbarë dhe të kesh jetë të gjatë mbi tokë.

4 Etër, mos i acaroni fëmijët tuaj, por rritini me disiplinën dhe këshillimin e Zotit.

5 Shërbëtorë, bindjuni zotërinjve tuaj që janë të kësaj bote, me frikë dhe të dridhura, me sinqeritetin e zemrës suaj, ashtu siç do t’i bindeshit Krishtit;

6 jo sa për sy e faqe, sa për të kënaqur njerëzit, por si shërbëtorë të Krishtit, duke bërë vullnetin e Perëndisë me gjithë shpirt.

7 Shërbeni me gjithë zemër, siç do t’i shërbenit Zotit dhe jo njerëzve,

8 duke ditur se secili, çfarëdo gjë të mirë që të bëjë, këtë do të marrë prej Zotit, qoftë shërbëtor, qoftë i lirë.

9 Dhe ju zotërinj, të njëjtën gjë bëni ndaj tyre. Hiqni dorë nga kërcënimi, dhe ta merrni vesh se Ai, që është Zoti si i tyre ashtu edhe juaji, është në qiej dhe Ai nuk i mban anën askujt.

10 Së fundi, bëhuni të fortë në Zotin dhe në fuqinë e pushtetit të Tij.

11 Vishni mburojën e plotë të Perëndisë, që të jeni në gjendje t’u bëni ballë kurtheve të djallit.

12 Sepse lufta jonë nuk bëhet kundër krijesave prej gjaku dhe mishi, por kundër krerëve, kundër autoriteteve, kundër sunduesve të kësaj bote të errët, kundër forcave shpirtërore të ligësisë që banojnë në vendet qiellore.

13 Prandaj rrëmbeni mburojën e plotë të Perëndisë, që të jeni në gjendje të qëndroni në ditë të ligë dhe, si t’i keni kryer të gjitha, të jeni të patundur.

14 Qëndroni të fortë pra, me brezin e së vërtetës ngjeshur pas mesit, të veshur me parzmoren e drejtësisë,

15 dhe në këmbë mbathni gatishmërinë e ungjillit të paqes,

16 dhe përmbi të gjitha, rrëmbeni mburojën e besimit, me të cilën do të jeni në gjendje të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.

17 Merrni përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë.

18 Lutuni në Frymë, duke përdorur çdo lutje dhe përgjërim në çdo kohë dhe, me këtë në mendje, qëndroni syhapur duke u përgjëruar me ngulmim për të gjithë shenjtërit.

19 Lutuni për mua, që kur të hap gojën, të më vijnë fjalë të atilla që të bëj të njohur me guxim misterin e ungjillit,

20 për të cilin jam i dërguari në vargonj. Lutuni që të flas hapur për të, ashtu siç duhet folur.

21 Tikiku, vëllai i dashur dhe shërbyes besnik në Zotin, do t’ju vërë në dijeni për të gjitha, që edhe ju t’i dini rrethanat e mia dhe çfarë bëj unë.

22 E kam dërguar Tikikun te ju pikërisht për këtë qëllim, që të dini si jemi dhe që t’ju japë zemër.

23 Paqe vëllezërve dhe dashuri me besim nga Perëndia Atë dhe Zoti Jezus Krisht.

24 Hir paçin të gjithë ata që e duan Zotin tonë Jezus Krisht me dashuri të pashtershme.