Hear, o Israel! (Noli, 1964)

Pyetja e përfolur është se çfarë lidhje kishte Fan S. Noli me fenë, për të sendërgjuar në vijim ideologjema të njohura, ndonëse të panjohura. E nisim këtë debat me parakushtin se cilësia fetare e një njeriu nuk mund të çanësohet saktësisht e plotësisht nga askush, sado e mprehtë që të jetë mendja e tij. Edhe sikur të gjenden mënyra për të zbërthyer e shkodizuar imtësisht jetën private të dikujt, edhe sikur të vihet në veprim një mendje me metoda tejdepërtuese, prapëseprapë, përvoja fetare e qenies njerëzore lëviz më brenda se intimja e më thellë se nënndërgjegjja. As klerikët janë të aftë të përkufizojnë vetveten, raportet e përvojës së mirëfilltë fetare, e pa le më të orvaten ta bëjnë këtë tek të tjerët. Madje dhe lidhjet ndërpersonale brenda fesë, synojnë në përshkrime e përvijime të përvojës fetare, sesa në përkufizime të saj.

Mbas kësaj përligjjeje, kuptohet se përse nuk gjejmë në histori referenca të mirëfillta mbi fetarinënjë njeriu, sesa dëshmi të pjesshme, dytësore, nga kalime për qëllime të tjera, ku përkatësia a përvoja fetare përpjestojnë ngjyrime e jo përkufizime të jetës a veprës së tij. Në rastin e Nolit, përvoja njerëzore pështjellohet njësoj, nga njëra anë, ndërsa ndërlikimet e dhuntive dhe të përzgjedhjeve të tij e kanë bërë atë më të debatueshëm; nuk kam hasur ndonjë rast të ngjashëm në letrat tona kulturore, jo vetëm që të jetë fjaluar kaq shumë për statusin e tij fetar, por që kjo temë të jetë bërë nistore në një debat të mirëfilltë. Vetëm me këtë paradhënie, justifikohet dhe pjesëmarrja jonë në debate të tilla: Respekti ndaj naivitetit të pasdiktaturës, si realitet i trashëguar kulturor.

Midis qiellit dhe tokës

Vlerësimet e rëndomta publike që dëgjohen mbi Nolin dhe fenë e tij mund të renditen përmbledhtas: “Noli nuk besonte, por u bë prift për Shqipërinë”, “nuk besonte, por u bë prift për arsye ekonomike”, “e bëri për karrierë”, e të tjera si këto. Të gjitha kanë njëfarë shpjegimi, se një pjesë e tyre ka dalë nga leximet përzgjedhëse të shkrimeve të Nolit, i cili tek-tuk ka thënë diçka nga këto (Në fakt, disa prej tyre duheshin thënë). Por ato pjesë në veprën e Nolit që janë më përfaqësore, më përfshirëse për përvojën fetare të tij, nuk janë cituar nga mëtuesit e Nolit tjetër. Kjo dhe për faktin se ndërdisiplinimi i jetës kulturore të pasdiktaturës nuk përfshin lexime të mirëfillta nga përfolësit, prandaj dhe është vështirë për të shquar. Kur fetarët kërkojnë të trajtojnë aspekte jashtëfetare, jam i bindjes se kjo duhet të bëhet vetëm atje ku perceptimi është i drejtpërdrejtë. A mendojnë njësoj shekullarët?

Parë nga jashtë ortodoksisë, Noli nuk i plotëson kushtet e kandidimit për prift, prandaj dhe lexuesit përkatës me të drejtë mund të mendojnë tek po lexojnë: “Ky po orvatet të na mbushë mendjen se Noli ishte besimtar.” Trajtuar nga brenda besimit ortodoks, e veçanta me Nolin qëndron tek shpejtësia e vendimeve të tij, përderisa kapërceu shumë shkallë njëherësh: Nga anëtar i rëndomtë i religjionit ortodoks, u bë prift pa studime teologjike, dhe madje duke u ndjerë qysh në fillim si “prelat” i kishës ortodokse. Le të kujtojmë këtu aplikimin në Harvard, qysh në vitin e parë të priftërisë, kur në përgjigje të pyetjes “Puna që synoni pas diplomimit”, ai plotësoi: “Do të vazhdoj të jem prift, në qoftë se nuk do të bëhem peshkop”.[1] Prandaj dhe lexuesit besimtarë ortodoksë kanë të drejtë të mendojnë tani: “Ky kërkon të bëjë fetar një aventurier”. Por të dy reagimet nisen nga rrethanat e sotme, prandaj dhe janë të bashkëmenduara.

Parë nga rrethanat kishtare të atyre viteve, veçse, Noli nuk u bë prift nga e mosqena. Kishte arsim të mesëm kishtar, gjë që për atë kohë ishte diçka e madhe, njihte mirë muzikën kishtare bizantine dhe dinte mirë një gjuhë të mbretëruar liturgjike, siç ishte greqishtja. Meqë nuk ekzistonte libër shërbesash në shqipe, asnjë shqiptar nuk mund të bëhej prift vetëm me shqipen, pa ditur të meshojë në një gjuhë të huaj kishtare, prandaj dhe kisha ruse e pranoi kandidaturën e Theofanit falë greqishtes, përderisa ai nuk njihte as rusishten e as sllavishten kishtare. Por përderisa prifti i ri do t’iu shërbente shqiptarëve, kandidati dinte mirë gjuhën shqipe, të cilën atëherë po provonte ta shkruante, dinte disa gjuhë të tjera, ndërsa po mësonte anglishten, e cila po shtrihej si gjuhë zyrtare e misionit ortodoks rus në Amerikën e Veriut. Të mos harrojmë se asokohe në Amerikë qarkullonin priftërinj mërgimtarë që dinin pak të këndonin, më pak të lexonin e fare më pak të shkruanin.

Një klerik me një ngarkesë të tillë intelektuale e spirituale nuk mund të quhet as i papërshtatshëm në arsim, e as i padenjë në kishë. Por as mund të themi se Noli ishte një prift i mirëfilltë, siç mund të përfytyrohet dikush sot; një klerik i dedikuar në detyrat kishtare dhe asgjë më tepër. Shqetësimi intelektual i Nolit për situatën e kombit të tij kishte pasojat e veta edhe në përpjestimet me fenë e tij. Rrëshqitja e pjesës njerëzore të kishës ortodokse, specifika e saj në raport me shqiptarët, të gjitha këto dhe të tjera, ngatërrojnë edhe mendjen më të sistemuar. Pastaj leximet e filozofisë, mësimi i gjuhëve të huaja dhe tejkalimi i sasisë së bibliografisë për një nxënës greqishtfolës (siç ishte Noli para se të shkonte në Amerikë), shoqërimi dhe njehsimi me bashkëkohës intelektualë, të cilët mungonin në kishën greke, atje ku përkiste ato vite, këto të gjitha, pra, e patën bërë Nolin të reagojë kundër fesë së institucionalizuar. Por kjo nuk është jashtë caqeve të përvojës fetare.

Përvoja fetare e Nolit nisi qysh pa mësuar të shkruajë, atëherë kur po mësonte të këndonte në kishë me të atin psallt. Spiritualiteti i Nolit filloi me gjyshen që i mësonte të agjërojë, që nganjëherë, siç e shkruan ai në vitet 50, zgjatej me ditë të tëra. Një përvojë e tillë intuitive, sa më tepër ta përndjekësh, aq më shumë të përndan nga harresa. Vetënjohja e hulumtimi nuk është e thënë të të bëjnë me domosdo gjysmëhyjni. Kështu filloi Noli me Niçen.

Që të influencohesh nga Niçja e të bësh referenca të hapura kundër aspektit institucional të Kishës, dhe madje të dëshirosh ndonjëherë edhe përballjen me ngrehinën e saj, kjo është e pritshme për një adoleshent “të tejpjekur”, siç e ka parë veten Noli me të drejtë qysh në skicat e Athinës që botoi në greqishte.[2] Edhe pak më vonë, prapë kjo kuptohet si pjesë e dialogut dhe e luftës së tij me vetveten dhe me botën përreth. Sa spontane është kjo për një njeri që kërkon të arrijë në thelbin e përvojës njerëzore, siç ishte Noli i viteve 1910, aq dhe e pritshme është për një plak që e sheh jetën tashmë si “kotësi”, siç ishte Noli i viteve 50.

Në qoftë se nuk do të ekzistonte përvoja e sinqertë fetare, një plak si Noli mund të merrej me gjithçka, por jo me përkthime intensive biblike e liturgjike, të cilat madje jo vetëm që i përktheu disa herë, për disa dhjetëvjeçarë, herë në shqipe e herë në anglishte, e prapë anasjelltas, por dhe i përdorte ditë për ditë, dhe madje i bënte ato pjesë të mësimdhënies me brezin e ri, duke përgatitur kore kishtare, etj. Flasim për konsuminin e një jete të tërë në një fushë që, me gjithë shpërndarjet e përftuara, nuk ishte tjetër veçse fe. Ndoshta dhe vetë peshkop Theofani ia ka bërë vetes këto pyetje që i bëjnë atij sot, dhe ka thirrur.

Dëgjo, o Izrael!

Libri i fundit në anglishte, Psallmët, 1964, i cili është për Fan Nolin “kënga e mjellmës”, shenjohet: “Dëgjo o Izrael!” (Dëgjo, o Perëndi!), duke e cituar këtë “shenjë” nga një libër tjetër i Dhjatës së Vjetër. Kjo dëgjohet si thirrja e tij e fundme, detyrimi ndaj vetvetes, përgjigjja ndaj njerëzve dhe guximi fisnik ndaj qiellit: “Dëgjo, o Zot!” Duke lexuar Nolin kaq drejtpërdrejt, si mund të besojmë vlerësimin tjetër të bashkëkohësve, se Noli nuk ishte fetar, as ateist, por “agnostik”? Askush nuk ka afësi të shquajë tej kësaj thirrme të Plakut, tej teksteve të tij, për të gjetur një kuptim tjetër, më të thellë a më të cekët, sepse, sipas letrave të sotme kulturore, një procedurë e tillë nuk është fare e domosdoshme.

Nëse besojmë në vëzhgueshmërinë e Faik Konicës, kur ky u shpreh dikur emocionalisht kundër Nolit, jo vetëm që nuk e quajti agnostik, gjë që do të vinte në konflikt me gjithë jetën publike të peshkopit, por e cilësoi qëndrimin moral të Nolit si “puritanisma e njohur Nolit”.[3] Në çaste më paqësore, Konica ka vëzhguar se brenda caqeve të fesë ortodokse, Noli ishte i zoti të rezistonte hendekun midis Kishës dhe brezit të tij, madje “reformator i Kishës”; por kurrë si agnostik. Jo vetëm kaq, por kur e portretizon Nolin, Konica e krahason atë me kishtarët katolikë, të cilët nuk janë dëgjuar për agnostikë: ”Leshzi, me sy të mprehtë, një fizionomi të qeshur, gati të presë një shaka dhe ta kthejë me uzurë, mendjehapur, njohës i gjuhëve romane e skandinave, atë Noli nga kultura, nga mendësia dhe nga karakteri i tij më kujton shpesh kishtarët e Përlindjes italiane.”[4]

Vlerësimet e cekëta të disa shqiptaro-amerikanëve, se Noli ishte agnostik, mund të konsideroheshin vetëm nëse ata ishin gjallë e i përgjigjeshin pyetjes: Çfarë do të thotë “agnostik”? Mëkatet e një njeriu nuk dëshmojnë gjithmonë mosbesimin e tij në Zot, për të mos thënë se ato janë pjesë e betejës së jetës, a ndoshta përikja si orvajtje ndërshëruese, për shkak të mizantropisë së bashkëkohësve të tij gjykatarë. Mëkatëria e Nolit, brenda a jashtë thonjëzave, nuk duhet të pështjellojë e të merret si mungesë besimi, sepse besimtarët janë njësoj subjekte të mëkatit, ashtu si dhe jobesimtarët. Klerikët po ashtu. Cilësia e Nolit si klerik dhe të qenit e tij besimtar, janë dy tema krejt të ndryshme.

Tanimë vijmë tek kreu i cilësisë së tij si kryeprift, por ajo është një çështje që ka pasoja vetëm brenda religjionit të tij dhe nuk justifikon përfoljen e as përjashton argumentimin tonë. Prandaj dhe ata kishtarë që përpiqen të mbajnë peng të dhëna mbi jetën personale të Fan Nolit, në thelb janë më qesharakë se përfolësit e tij.

Duke vërejtur përzgjedhjet e Nolit në përkthimet kishtare, me shqipen e tij kulturore, e duke rezistuar gjithë jetën e tij kishtare, nuk mund të mos vëzhgojmë përpjekjet e tij për veçorizimin e klerikut vendor për shqiptarët. Një gjë e tillë, që kërkonte më shumë se një jetë, nuk mund të bëhej nga një ateist a agnostik. Po të ishte ashtu, meqë kjo qenka diçka e mundshme, e përderisa kemi një trashëgimi kaq të pasur këto vite, le të urdhërojnë përfolësit e të vazhdojnë udhën e lënë përgjysmë nga Noli, për të përmbushur kombëtarizimin e ortodoksisë shqiptare, qarkun e saj të plotë në historinë tonë kulturore.

Nga gjithë ky arsyetim, jo vetëm që Noli del i krishterë, por na duket dhe ortodoks. Edhe pse u arsimua në Harvard, Zoti i tij nuk ishte biblik, por liturgjik, ritual, kulturor. Kjo duket tek përkthimi i Dhjatës së Re në anglishte, i cili nuk u krye nga teksti kritik, siç do të bënte një filolog i Harvardit, por nga teksti zyrtar i kishës greke, duke e theksuar mu në titull, siç do të bënte një teolog ortodoks, ndonëse në vitet 60, kur botoi këtë libër, Noli i kishte dhënë asaj lamtumirën. Bibla e Nolit është kishtare, me shënimin dhe vulën e tij qysh në faqe të parë, “Për përdorim në kishat shqiptare dhe në shkollat e katekizmës”. A mund të jenë referenca të tilla shpërfillëse për jetën dhe veprën e Nolit? 

At Foti Cici
Bota Shqiptare (Itali), 13 janar 2005

——————————————

[1] Nga kërkesa për bursë në Kolegjin e Harvardit, botuar në: Efthim Dodona: Noli i panjohur, f. 30.
[2] “Dhe ti, dashuri e zemrës sime, eja dhe puthi faqet e ndezura të shpirtit tim, që të pikojë dhe të derdhet mjalti që është bërë helm nga tejpjekuria…”, Shpirti im i përgjumur si Nili, botuar në Νουμάς (Θεοφάνης Μαυρομάτης: Η ψυχή μου κοιμισμένη σαν το Νείλο), Athinë, 28 dhjetor 1903 [përkthyer nga Foti Cici], Fan S. Noli, Vepra I, 2003, botuar nga Nasho Jorgaqi. Këtë skicë, tok me atë Τα Χάλια μας (11 prill 1904),  pata fatin t’i gjej në bibliotekën e parlamentit grek, në vitin 1998.  Titullin e skicës së dytë atëherë e përktheva si “Ku u katandisëm”.
[3] Faik Konica, Dielli, 17 mars 1931 (Cituar nga Faik Konica, Vepra 3, 2001, f. 405).
[4] Faik Konica, “Fan Noli”, 1938 (Cituar nga Faik Konica, Vepra 1, f. 133).