Kapitulli:  1  2  3  4  5  6

Kapitulli 1

1 Pali, apostull i dërguar jo prej njerëzve, as me anë të njeriut, por nëpërmjet Jezus Krishtit dhe Perëndisë Atë, që e ngjalli prej të vdekurve,

2 dhe të gjithë vëllezërit që janë me mua, kishave të Galacisë:

3 Paçi hir dhe paqe nga Perëndia Ati ynë dhe Zoti Jezus Krisht,

4 i cili dha Veten e Tij për mëkatet tona, që të na shpëtojë nga kjo kohë e ligë, sipas vullnetit të Perëndisë dhe të Atit tonë,

5 të cilit i qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amen.

6 Çuditem se sa shpejt e braktisët Atë që ju thirri me anë të hirit të Krishtit, për të ndjekur një ungjill tjetër.

7 Jo se është ungjill tjetër, por ka disa që duan t’ju ngatërrojnë dhe përpiqen ta shtrembërojnë ungjillin e Krishtit.

8 Por edhe sikur ne, ose një engjëll nga qielli, t’ju predikojë një ungjill të ndryshëm nga ai që ju kemi predikuar ne, qoftë i mallkuar.

9 Siç e kemi thënë më parë, dhe po e them përsëri tani, nëse dikush ju predikon një ungjill të ndryshëm nga ai që keni marrë, qoftë i mallkuar.

10 Sepse kujt po përpiqem t’i bëj nder, njerëzve apo Perëndisë? Apo po kërkoj të kënaq njerëzit? Sepse po të përpiqesha ende të kënaqja njerëzit, nuk do të isha shërbëtor i Krishtit.

11 Sepse dua t’ju vë në dijeni, vëllezër, se ungjilli që u predikua prej meje nuk është sipas njeriut.

12 Sepse unë as nuk e kam marrë nga njeriu, as nuk ma ka mësuar njeri, por e kam marrë nëpërmjet një zbulese të Jezus Krishtit.

13 Sepse ju keni dëgjuar për sjelljen time të mëparshme, kur isha në judaizëm, se sa shumë e përndiqja kishën e Perëndisë dhe përpiqesha ta shkatërroja atë.

14 Përparoja në judaizëm duke ua kaluar shumë bashkëkohësve të kombit tim, duke qenë jashtë mase i zellshëm për traditat e etërve të mi.

15 Por kur Perëndisë, që më kishte veçuar që në bark të nënës dhe më kishte thirrur nëpërmjet hirit të Tij, i pëlqeu

16 ta zbulonte Birin e Vet tek unë, që ta predikoja ndër kombet, unë nuk shkova menjëherë për t’u këshilluar me njeri,

17 as u ngjita në Jeruzalem tek ata që ishin apostuj para meje, por shkova në Arabi dhe u ktheva përsëri në Damask.

18 Pastaj, pas tre vjetësh u ngjita në Jeruzalem për t’u njohur me Kefën dhe qëndrova me të pesëmbëdhjetë ditë.

19 Por nuk pashë ndonjë apostull tjetër, veç Jakobit, vëllait të Zotit.

20 Ju siguroj përpara Perëndisë se nuk gënjej për këto që po ju shkruaj.

21 Pastaj shkova në Siri dhe në Cilici.

22 Isha fytyrë e panjohur për kishat e Judesë, që ishin në Krishtin.

23 Ata vetëm dëgjonin të thuhej se “Ai që dikur na ka përndjekur, po predikon tani besimin që më parë përpiqej ta shkatërronte.”

24 Dhe i jepnin lavdi Perëndisë për shkakun tim.

Kapitulli 2

1 Pastaj, pas katërmbëdhjetë vjetësh, u ngjita përsëri në Jeruzalem, këtë herë me Barnabën, duke marrë me vete edhe Titin.

2 U ngjita atje sipas një zbulese dhe ua shfaqa atyre ungjillin që predikoj ndër kombet, por vetëm për vetëm atyre që ishin me emër, që të mos rrezikoja të bridhja ose të kisha bredhur më kot.

3 Por as Titi që ishte me mua, megjithëse ishte grek, nuk u detyrua të rrethpritej.

4 Dhe kjo për shkak të disa vëllezërve të rremë, të cilët kishin futur tinëz në radhët tona për të spiunuar lirinë që kemi në Krishtin Jezus dhe për të na vënë në robëri.

5 Për asnjë çast nuk iu nënshtruam, që e vërteta e ungjillit të mbetet te ju.

6 Por ata që ishin me emër (kushdo që të ishin, për mua nuk ka rëndësi; Perëndia nuk i mban anën askujt) nuk më shtuan asgjë.

7 Përkundrazi, ata e panë se mua më ishte besuar ungjilli për të parrethprerët, siç i ishte besuar Pjetrit ungjilli për të rrethprerët.

8 (Sepse Perëndia që kishte vepruar te Pjetri, që të shërbente si apostull për të rrethprerët, veproi edhe tek unë për kombet.)

9 Jakobi, Kefa dhe Gjoni, që mbaheshin si shtylla, kur e njohën hirin që më ishte dhënë, më dhanë mua dhe Barnabës dorën e djathtë si shenjë shoqërimi, që ne të shkonim te kombet dhe ata tek të rrethprerët.

10 Donin vetëm që ne të kujtonim të varfrit, pikërisht atë që unë mezi prisja ta bëja.

11 Por, kur erdhi Kefa në Antioki, iu kundërvura ballë për ballë, sepse ishte për t’u qortuar.

12 Sepse, para se të vinin disa veta nga Jakobi, ai hante bashkë me kombet. Por kur erdhën ata, ai filloi të tërhiqej e të veçohej, sepse i kishte frikë ata të rrethprerjes.

13 Pjesa tjetër e judenjve u shtir bashkë me të, aq sa edhe Barnaba u josh gabimisht nga hipokrizia e tyre.

14 Por kur e pashë që ata nuk ecnin drejt sipas së vërtetës së ungjillit, i thashë Kefës përpara të gjithëve: “Nëse ti, që je jude, jeton si ata të kombeve dhe jo si jude, si mund t’i detyrosh kombet të jetojnë si judenj?

15 Ne që jemi judenj prej natyre dhe jo mëkatarë siç janë ata midis kombeve,

16 duke ditur se njeriu nuk shfajësohet nga veprat e Ligjit, por nëpërmjet besimit në Jezus Krishtin, edhe ne kemi besuar në Krishtin Jezus, që të shfajësohemi me anë të besimit në Krishtin dhe jo me anë të veprave të Ligjit, meqenëse nga veprat e Ligjit askush nuk do të shfajësohet.

17 Por nëse del që edhe vetë ne, ndërsa kërkojmë të shfajësohemi në Krishtin, jemi mëkatarë, mos do të thotë kjo se Krishti i shërben mëkatit? Larg qoftë!

18 Sepse, po të ndërtoj përsëri ato që kam rrëzuar, kjo më bën shkelës.

19 Sepse nëpërmjet Ligjit unë u ktheva në njeri të vdekur për Ligjin, që të jetoj për Perëndinë. Bashkë me Krishtin u kryqëzova.

20 Nuk jam unë ai që jetoj ende, por është Krishti që jeton në mua; jetën, që jetoj tani në mish, e jetoj me anë të besimit në Birin e Perëndisë, që më deshi dhe dha Veten e Tij për mua.

21 Nuk e hedh poshtë hirin e Perëndisë, sepse po të arrihej drejtësia nëpërmjet Ligjit, atëherë Krishti vdiq më kot.”

Kapitulli 3

1 O galatas të marrë! Kush ju ka magjepsur? Mu përpara syve tuaj Jezus Krishti u paraqit i kryqëzuar.

2 Vetëm këtë dua të mësoj prej jush: prej veprave të Ligjit e morët Frymën, apo duke besuar mesazhin që dëgjuat?

3 Kaq të marrë jeni? E filluat me Frymën dhe tani po përpiqeni të përsoseni me anë të mishit?

4 Të gjitha këto vuajtje i paskeni pësuar më kot? Sikur të ishin vërtet kot.

5 Ai pra, që ju siguron Frymën dhe bën mrekullira midis jush, i bën sepse respektoni veprat e Ligjit apo sepse ju besoni në atë që dëgjuat?

6 Siç ndodhi me Abrahamin: ai i besoi Perëndisë dhe kjo iu llogarit si drejtësi.

7 Dijeni pra, se bij të Abrahamit janë ata që vijnë prej besimit.

8 Shkrimi, duke parashikuar se Perëndia i shfajëson kombet me anë të besimit, ia shpalli më parë lajmin e mirë Abrahamit, duke thënë: “Në ty do të bekohen të gjitha kombet.”

9 Kështu, ata që kanë besimin, bekohen bashkë me Abrahamin, njeriun e besimit.

10 Të gjithë ata që mbështeten në veprat e Ligjit, janë nën mallkim, sepse është shkruar: “I mallkuar është cilido që nuk u përmbahet të gjitha atyre që janë shkruar në librin e ligjit, për t’i vënë ato në jetë.”

11 Është e qartë se askush nuk shfajësohet me anë të ligjit përpara Perëndisë, se “I drejti do të jetojë prej besimit.”

12 Ligji nuk mbështetet në besimin; përkundrazi, thotë që “Ai që i bën këto gjëra, do të jetojë nëpërmjet tyre.”

13 Krishti na çliroi me anë të shpengimit nga mallkimi i Ligjit, duke u bërë mallkim për ne, sepse është shkruar: “I mallkuar është cilido që varet në dru.”

14 Na çliroi që bekimi i Abrahamit të shkonte ndër kombet me anë të Krishtit Jezus, që ne të merrnim premtimin e Frymës nëpërmjet besimit.

15 Vëllezër, po flas me gjuhën e njerëzve. Edhe besëlidhjen, megjithëse del nga njeriu, me t’u miratuar, askush nuk e hedh poshtë apo i shton gjë.

16 Premtimet iu thanë Abrahamit dhe farës së tij. Nuk thotë: “Atyre të farës: “si të ishin shumë, por si të ishte një: “Farës sate”, që do të thotë Krishtit.

17 Këtë dua të them: Ligji, që ka ardhur pas katërqind e tridhjetë vjetësh, nuk e shfuqizon dot besëlidhjen e miratuar që më parë prej Perëndisë, dhe me këtë të zhvlerësojë premtimin.

18 Sepse po të varej trashëgimia nga ligji, atëherë nuk do të vinte më nga premtimi; por Perëndia ia dhuroi Abrahamit nëpërmjet premtimit.

19 Përse atëherë u dha Ligji? U shtua për shkak të shkeljeve, derisa të vinte fara së cilës i ishte bërë premtimi. Ligji hyri në fuqi nëpërmjet engjëjve me anë të një ndërmjetësi.

20 Megjithatë, ndërmjetësi nuk përfaqëson vetëm një palë; por Perëndia është një i vetëm.

21 Atëherë Ligji qenka kundër premtimeve të Perëndisë? Larg qoftë! Sepse po të jepej një ligj, që të mund të jepte jetë, atëherë drejtësia do të buronte vërtet prej ligjit.

22 Por Shkrimi i ka përmbledhur të gjithë nën mëkat, që premtimi, që u dha nëpërmjet besimit në Jezus Krishtin, t’u jepej atyre që besojnë.

23 Por përpara se të vinte besimi, ligji na mbante si të burgosur, të mbyllur brenda, derisa të zbulohej besimi që do të vinte më vonë.

24 Kështu Ligji ishte mësuesi ynë për te Krishti, që ne të shfajësoheshim me anë të besimit.

25 Por tani që besimi ka ardhur, nuk jemi më nën kujdesin e ndonjë mësuesi.

26 Sepse të gjithë jeni bij të Perëndisë nëpërmjet besimit në Krishtin Jezus.

27 Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, jeni të veshur me Krishtin.

28 Nuk ka më as jude as grek, nuk ka më as skllav as të lirë, nuk ka më as burrë as grua, sepse të gjithë ju jeni një në Krishtin Jezus.

29 Po t’i përkisni Krishtit, atëherë jeni pasardhës të Abrahamit, trashëgimtarë sipas premtimit.

Kapitulli 4

1 Dua të them se për sa kohë që trashëgimtari është fëmijë, nuk ka asnjë ndryshim nga skllavi, megjithëse është zot i gjithçkaje.

2 Ai është nën mbikëqyrjen e kujdestarëve dhe të administratorëve deri në ditën që ka caktuar i ati.

3 Po kështu edhe ne, sa ishim të mitur, ishim skllevër të elementëve të botës.

4 Por kur u plotësua koha, Perëndia dërgoi Birin e Vet, të lindur nga një grua, të lindur nën Ligj,

5 që t’i çlirojë me anë të shpengimit ata që ishin nën Ligj, që të merrnim birësimin.

6 Meqë ju jeni bij, Perëndia ka dërguar Frymën e Birit të Vet në zemrat tona, Frymën që thërret: “Abba! O Atë!”

7 Kështu nuk je më skllav, por bir; dhe, përderisa je bir, je gjithashtu trashëgimtar nëpërmjet Perëndisë.

8 Dikur, kur nuk e njihnit Perëndinë, ju ishit skllevër të atyre që prej natyre nuk janë perëndi.

9 Por tani, që e njihni Perëndinë dhe për më tepër që u njohët nga Perëndia, si po ktheheni përsëri tek elementët e dobët dhe mjeranë, të cilëve doni t’u bëheni skllevër edhe një herë nga e para?

10 Ju kremtoni ditë, muaj, stinë dhe vite të veçanta.

11 Kam frikë për ju, se mos jam munduar më kot me ju.

12 Ju lutem, vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë si ju u bëra. Asgjë të keqe nuk më keni bërë.

13 Ju e dini se u bë shkak një sëmundje e trupit që ju predikova ungjillin herën e parë.

14 Edhe pse sëmundja e trupit tim ishte sprovë për ju, nuk më përbuzët dhe as më përçmuat. Përkundrazi, më pranuat sikur të isha engjëll i Perëndisë, sikur të isha Krishti Jezus.

15 Ç’u bë gjithë ai gëzim që kishit? Mund të dëshmoj për ju, se po të kishte qenë e mundur, do t’i kishit nxjerrë sytë tuaj dhe do të m’i kishit dhënë mua.

16 Qenkam bërë pra, armiku juaj duke ju thënë të vërtetën?

17 Ata tregohen të zellshëm për ju, jo për të mirë, por duan t’ju largojnë prej nesh, që të jeni të zellshëm për ta.

18 Por është mirë të jesh gjithmonë i zellshëm për të mirë dhe jo vetëm kur jam i pranishëm me ju.

19 Bijtë e mi, për të cilët po heq përsëri dhimbje lindjeje derisa Krishti të formohet në ju,

20 sa do të doja të isha me ju tani dhe të ndryshoja tonin, sepse nuk di ç’të mendoj për ju.

21 Më thoni, ju që doni të jeni nën ligj, a nuk e dëgjoni ligjin?

22 Sepse është shkruar që Abrahami kishte dy djem, një prej skllaveje dhe një prej gruaje të lirë.

23 Biri i tij nga skllavja kishte lindur sipas mishit, ndërsa ai nga gruaja e lirë kishte lindur nëpërmjet premtimit.

24 Këto janë me kuptim të figurshëm, sepse gratë përfaqësojnë dy besëlidhje, njëra nga mali Sinai, që lind fëmijë që do të bëhen skllevër; kjo është Agari.

25 Agari përfaqëson malin Sinai në Arabi dhe i përgjigjet Jeruzalemit të sotëm, që në të vërtetë është në robëri me bijtë e vet.

26 Por Jeruzalemi, që është lart, është i lirë dhe është nëna jonë.

27 Sepse është shkruar: “Gëzohu, o grua shterpë, ti që nuk lind. Shpërthe dhe bërtit, ti që nuk ndien dhimbje lindjeje; sepse më të shumtë janë fëmijët e gruas së braktisur sesa të asaj që ka burrë.”

28 Dhe ju vëllezër, ashtu si Isaku, jeni fëmijë të premtimit.

29 Por ashtu si atëherë ai që kishte lindur sipas mishit e përndoqi atë që kishte lindur sipas Frymës, po ashtu ndodh edhe tani.

30 Por çfarë thotë Shkrimi? “Flake gruan skllave dhe birin e saj, sepse biri i skllaves kurrë nuk do të jetë trashëgimtar me birin e gruas së lirë.”

31 Kështu, vëllezër, nuk jemi fëmijë të gruas skllave, por të gruas së lirë.

Kapitulli 5

1 Për lirinë na çliroi Krishti. Qëndroni fort pra, dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e robërisë.

2 Ja unë, Pali, ju them se po të bëni rrethprerjen, Krishti nuk do të ketë asnjë vlerë për ju.

3 I dëshmoj përsëri çdo njeriu që rrethpritet, se ai është i detyruar të zbatojë të tërë Ligjin.

4 Ju, që përpiqeni të shfajësoheni me anë të ligjit, jeni larguar nga Krishti; ju jeni shkëputur nga hiri.

5 Sepse ne, me anë të besimit, po presim me padurim nëpërmjet Frymës drejtësinë për të cilën shpresojmë.

6 Sepse në Krishtin Jezus nuk ka asnjë vlerë as rrethprerja as parrethprerja, por besimi që vepron nëpërmjet dashurisë.

7 Ju po vraponit mirë; kush ju pengoi që të mos i bindeni së vërtetës?

8 Kjo bindje nuk vjen prej Atij që ju thërret.

9 Pak maja e zë të gjithë brumin.

10 Kam bindje në Zotin për ju, se ju nuk do të mendoni ndryshe; por ai që ju prish mendjen, kushdo qoftë, do të vuajë dënimin e tij.

11 Por mua, vëllezër, nëse ende predikoj rrethprerjen, përse vazhdojnë të më përndjekin? Atëherë shkandulli i kryqit paska rënë poshtë.

12 Do të doja që ata që ju shqetësojnë, të gjymtoheshin vetë.

13 Sepse ju, vëllezër, u thirrët për të qenë të lirë; vetëm mos e përdorni lirinë për të kënaqur mishin, por shërbejini njëri-tjetrit nëpërmjet dashurisë.

14 Sepse i gjithë Ligji është përmbledhur në një thënie, në atë që “Do ta duash të afërmin tënd si veten tënde.”

15 Por, nëse kafshoni dhe hani njëri-tjetrin, kini kujdes se mos gllabëroheni nga njëri-tjetri.

16 Dua të them, ecni sipas Frymës dhe nuk do të kënaqni aspak dëshirën e mishit.

17 Sepse mishi ka dëshira të kundërta me Frymën dhe Fryma të kundërta me mishin; sepse këta janë në kundërvënie me njëri-tjetrin, që ju të mos bëni ato që doni.

18 Por nëse udhëhiqeni prej Frymës, ju nuk jeni nën Ligj.

19 Veprat e mishit janë të dukshme; ato janë: imoraliteti, fëlliqësia, shthurja,

20 idhujtaria, magjistaria, armiqësitë, grindja, xhelozia, zemërimet, zënkat, përçarjet, ndarjet,

21 smirat, të dehurit, zdërhalljet dhe të tjerat si këto, për të cilat po ju paralajmëroj, siç edhe ju kam paralajmëruar, se ata që bëjnë gjëra të tilla, nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.

22 Por fryti i Frymës është dashuri, gëzim, paqe, durim, mirësi, zemërgjerësi, besim,

23 butësi, vetëpërmbajtje; kundër këtyre gjërave nuk ka ligj.

24 Ata që janë të Krishtit Jezus, kanë kryqëzuar mishin me epshet dhe dëshirat.

25 Nëse jetojmë sipas Frymës, sipas Frymës duhet edhe të ecim.

26 Të mos bëhemi mburracakë, duke ngacmuar njëri-tjetrin dhe duke pasur smirë për njëri-tjetrin.

Kapitulli 6

1 Vëllezër, edhe sikur dikush të kapet në ndonjë faj, ju që jeni të Frymës, kthejeni një njeri të këtillë në rrugë të drejtë me butësi; por ruaj veten tënde, se mos bie në tundim edhe ti.

2 Mbani barrën e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbushni ligjin e Krishtit.

3 Sepse, nëse dikush mendon se është dikushi, duke mos qenë asgjë, ai gënjen vetveten.

4 Por le ta vërë secili në provë punën e vet, dhe atëherë do të ketë përse të mburret vetëm për veten e vet dhe jo për tjetrin.

5 Sepse secili do të mbajë barrën e vet.

6 Ai, të cilit i mësohet fjala, le t’i ndajë të gjitha të mirat me atë që ia mëson.

7 Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet në lojë; sepse çfarëdo që të mbjellë njeriu, po atë do të korrë.

8 Sepse ai që mbjell për të kënaqur mishin e vet, prej mishit do të korrë prishjen, por ai që mbjell për Frymën, prej Frymës do të korrë jetën e amshuar.

9 Le të mos lodhemi duke bërë mirë, sepse po të mos heqim dorë, do të korrim në kohën e duhur.

10 Kështu pra, sa kemi rast, le t’u bëjmë mirë të gjithëve dhe në radhë të parë pjesëtarëve të familjes në besim.

11 Shikoni me ç’shkronja të mëdha po ju shkruaj tani me dorën time.

12 Të gjithë ata që duan të duken mirë në mish, përpiqen t’ju detyrojnë të rrethpriteni. Këtë e bëjnë vetëm që të mos përndiqen për shkak të kryqit të Krishtit.

13 Sepse as vetë ata që janë rrethprerë, nuk e mbajnë Ligjin, por duan që ju të rrethpriteni, që të mburren me mishin tuaj.

14 Sa për mua, mos paça mburrje tjetër, veçse në kryqin e Zotit tonë Jezus Krisht, nëpërmjet të cilit bota është kryqëzuar për mua dhe unë për botën.

15 Sepse ajo që vlen nuk është rrethprerja, as parrethprerja, por krijimi i ri.

16 Të gjithë ata që do të ecin sipas këtij rregulli, paqja dhe mëshira qofshin mbi ta dhe mbi Izraelin e Perëndisë.

17 Tashti e tutje askush të mos më mundojë, sepse unë mbaj shenjat e Jezusit në trupin tim.

18 Hiri i Zotit tonë Jezus Krisht qoftë me frymën tuaj, o vëllezër. Amen.