Mihal Grameno dhe otomanët

Mihal Grameno, një nga veprimtarët për ndërgjegjësimin e kishës ortodokse shqiptare, por dhe për risimin e mendimit shqiptar njëherësh, na rrëfen një bisedë që pati në vitin 1913 me Ministrin e Drejtësisë të qeverisë së Vlorës, kur ky i fundit i ftoi ortodoksët në një takim mbi ardhjen e Fan Nolit në Shqipëri. Ministri mundi në atë bisedë të fitojë mbështetje dhe të silurojë vizitën e parë të Nolit në atdheun e të parëve të tij, me pretekstin se prifti i ri nuk kishte “gërshet e mjekër”. Dështimin e asaj vizite e përmendi hidhur Noli kur u largua i zhgënjyer nga Shqipëria, sepse e pa të largët ditën e autoqefalisë, e cila pikërisht kjo ishte shkaku i zemërimit të shqiptarëve kundër tij; jo flokët.

Hidhërimi rëndonte më shumë për faj të shqiptarëve, sesa të grekëve, siç duket në fjalët e ministrit shqiptar: “Qysh mos të zemërohem, jahu! Ky turp e rrezillëk që na erdhi nuk durohet dot! Ç’kanë për të thënë bota kur të dëgjojnë që shqiptartë ortodoksë i kanë priftërinjtë pa mjekër e me leshra të qethura? Po meazallah t’i vejë në vesh patrikut e të na mallëkojë e mos na tretë dheu!”[1]

Nuk ka rëndësi nëse Ministri i Vlorës përdor një gjuhë të tillë bizantine-otomane si shtrirje e bindjeve të tij personale, a si djallëzi për të shtirë frikë tek shqiptarët. Në fakt, ministri u kujton ortodoksëve të paditur mallkimin për mostretje në varr, sepse nuk kishte as dy vjet që ishte martirizuar Petro Luarasi, të cilit kisha greke i kishte përlëshuar të njëjtën nëmë. Jo vetëm dëshmori ishte mallkuar të mos ta trette dheu, vite para se ta hiqnin qafe, por dhe nëse ndonjë shqiptar do të guxonte ta pranonte Petron si mësues të shqipes, a të pranonte libra shqip prej tij, “qoftë i shkishëruar nga Zoti i Plotfuqishëm, pastë mallkimin e 318 etërve të Kishës dhe etërve të tjerë, pastë zgjebjen e Gjezeut, qoftë mbas vdekjes i patretur…”[2] Ua, çfarë poetike kanë këto shkishërimet e kishës greke!

Këta 15 vjet, kishat ortodokse shqiptare në Shqipëri dhe në Amerikë nuk kanë kryer asnjë përkujtimore, asnjë përshpirtje, për dëshmorin ortodoks, në një kohë kur etërit e Kishës shënojnë se të krishterët duhet të luten për të gjithë, jo vetëm për të drejtët, madje dhe për Djallin, për pendimin e këtij të fundit… E njëjta shpërnjohje e ortodoksisë së sotme shqiptare vlen dhe për Mihal Gramenon. Në fakt, të rinjtë e sotëm ortodoksë, të cilët u rritën e u mëkuan me ortodoksinë e rishestuar të pasdiktaturës, dinë për dëshmorët e kishës shqiptare aq sa dinim ne, në vitet 80, për Faik Konicën e Gjergj Fishtën…

Ky injorim e kjo armiqësi e pushtetarëve kishtarë ndaj reformatorëve të krishterë, mbulohet e fshihet duke tejkujtuar Nolin, si një nga metodat më magjike për të pështjelluar trurin e manipuluar të shqiptarit të sotëm. Për sa i përket Petro Ninit, shqiptarët kurrë nuk e morën seriozisht, edhe pse ai kishte bërë gjithë atë luftë për shkollat shqipe, pa harruar një libër-testament për bashkëkohësit. Luarasi do të priste vetëm regjimin komunist që ta ngjallte e ta vlerësonte tjetër për tjetër, gjer në mit, ashtu siç na e predikojnë sot qarqet kombëtariste. Në të kundërt, kisha greke u mor shumë seriozisht me lëçitësin shqiptar, siç shquhet në enciklikun e cituar më sipër.

Përderisa kjo harresë e shtirë sot qëllimshëm mbi dëshmorët e kishës sonë kombëtare përcëllon shkaktarët kishtarë në Tiranë dhe në Boston, pyetja e mëposhtme është më pak provokuese: Përse ministri i qeverisë së parë shqiptare të kishte më tepër besim tek një institucion që i kishte abuzuar historikisht shqiptarët, siç ishte kisha greke, sesa tek një bashkëkohës që dha jetën për gjuhën shqipe, për integritet?

Mbas fjalëve helmëse të ministrit, disa të krishterë u përpoqën të ndërhynin në bisedë duke i thënë se jo vetëm që nuk iu interesonte mjekra dhe gërshteti i priftit të ri shqiptar nga Amerika, por përkundrazi, ishin të gëzuar që At Fan Noli më në fund kishte ardhur në Shqipëri. Nëse ministri e kishte hapur fjalën kundër Nolit thjesht për të matur pulsin e besimtarëve, domethënë për të respektuar ndjenjat e tyre përkushtuese ndaj Patrikanës, e cila atëherë konsiderohej si mëmë për shqiptarët ortodoksë, ai ishte i lirë tashmë ta kthente bisedën në favor të komunitetit ortodoks. Përkundrazi! Në vend që të arsyetonte, siç do të bënte çdo njeri i kultivuar, ministri vijoi të kumtojë për flokët e Nolit, e madje si në pije e sipër: “Më mirë të mos kishte ardhur se sa erdhi, se na turpëroi që s’ka mjekër! … Mjekra… Mjekra, vëllezër, është që u jep nur e bukuri priftërinjve tanë e jo dituria!… Sa para bën dituria e Fan Nolit kur nuk ka gërshet dhe mjekër?”[3]

Dogmatikoni i pleqërisë

A nuk është absurde që përfaqësuesi i një lëvizjeje të re, siç ishte qeveria e parë shqiptare, të gjykonte se dituria nuk pi ujë për shqiptarin? Është shumë befasuese kjo, sepse çdo lëvizje e re ka në zanafillën e saj prirjen për dije, për dritë, pavarësisht nga rrugëtimi që mund të marrë secila lëvizje në histori. Në mendësinë shqiptare, qysh në fillim, është ngulur një pykë që e pranon dijen vetëm kur është me masë, gjë që i hap dyert manipulimit të mendjes, i cili ky lulëzon pikërisht kur shqiptari nuk pranon të arsyetojë vetë, por ia beson këtë mister institucioneve dhe gjenive të kombit. Jo më kot në të folmen tonë të përditshme ekzistojnë shprehje se leximi të çmend, gjë që në kultura të tjera, madje dhe në atë greke, bindje të tilla nuk hahen kaq lehtë.

Nëse pranojmë se pengesat më të mëdha për risimin e mendimit të sotëm shqiptar kanë të bëjnë edhe me pushtetin që ushtron institucioni i pleqërisë në kulturën shqiptare, ja të dëgjojmë ç’na thotë për këtë ministri ynë i 1912-ës: “Ne si pleq që jemi duhet të marrim masat e duhura, se të rinjve u pëlqen dhe gëzohen, pa u menduar që sjellin ftohtësirë në populli fedak”.[4]

Ministri këmbëngulte se fajin e kishte mjekra dhe gërsheti, ose të paktën kështu hiqej në atë bisedë të turpshme kundër Fan Nolit, prandaj dhe Mihal Grameno në vijim ndërhyu dhe solli një argument, sipas arsyetimit të tij: “Rumania që është shtet ortodoks votoi një nom që të rrinë priftëria, si më të paqmë, me pak mjekër dhe leshrat qethur.”[5] Përse të mos t’i vlente ky fakt ministrit, qoftë dhe për të toleruar një opinion, duke ruajtur njëkohësisht bindjet e tij konservatore, aq më tepër kur Grameno ishte kaq i lexuar?

Për të hapur një kllapë këtu, nuk ka pse të habitemi pse shtetarët e pasdiktaturës nuk kanë këshilltarë të përshtatshëm mbi çështjet ortodokse, të cilët këta mund t’iu mbulonin gafat; në këto vite me plot mundësi për të mësuar! Siç duket, është shkruar që në krye për shtetin shqiptar, prandaj dhe ja përgjigjja e ministrit ndaj Mihal Gramenos, si një urdhëresë me nuanca vendore, të leshta: “Hesht, hesht! Se hymë në fund të dheut. Qysh do të bëjmë ne po të zemërohet Patrikana?”[6]

Është shumë interesante kjo bisedë e vitit 1913, sepse nga njëra anë kemi përpjekjet e ndriçimtarëve për të reformuar kishën shqiptare – autoqefalia ishte reformë – përfaqësuar në këtë rast nga Fan Noli, Mihal Grameno, e të tjerë, qoftë dhe duke imituar kombet fqinje, e madje kur këta veprimtarë nuk njiheshin me njëri-tjetrin, dhe nga ana tjetër shohim të fuqishmit e vendit, të lidhur e të ndërlidhur mirë me shoshoq, të këmbëngulin kundër përparimit. Disa herë në atë bisedë kishte hapësirë që ministri të ndriçohej dhe të pajtohej me risimin, por ai qerthullohej në vetvete, duke psallur dogmatikonin e pleqërisë shqiptare.

Përderisa ministri kishte frikë se patrikana mund të zemërohej me autoritetet shqiptare, prandaj dhe nuk lëshonte pe në bisedë, Mihal Grameno u përpoq për herë të fundit: “Bëjmë sinodhin tonë autoqefal”. “Jo, jo – u hakërrua Ministri me një theks esëll tashmë, por duke ruajtur tiparet vendore në dialog – këtë nuk e bëjmë kurrë, po jazik për diturinë e Fan Nolit, se më përpara duhet të më shkruante mua, që të përkujdesesha ta dërgoja në ndonjë manastir, ku të qëndronte gjersa t’i rriteshin gërsheti dhe mjekra!”[7]

Brishtësia e ndriçimtarëve, padituria e popullit të shkretë, cektina e politikanëve dhe përkushtimi i tyre për të mbrojtur interesat klanore, bënë që shqiptarët ortodoksë të vijojnë nën përdëllimet e kishës greke deri në vitet 1920. Ministri shqiptar e arriti atë që deshi në takimin që thirri me ortodoksët: U vendos që ai të emëronte një komision, i cili t’i kërkonte Fan Nolit të futej në një manastir derisa t’i rritej mjekra dhe gërsheti! Jo vetëm që kjo u tha e u bë, por u konsiderua si mençuri e madhe, siç e dëshmon Mihal Grameno: “Ashkosun! … ashkosun … të qoftë, zoti Pogë – i thanë ca nga honxho-bonxhot, – se me mëndjen e lartë që ke, për Perëndi shkon dhe një kadi!”[8]

Presidenti ynë biblik

Kjo histori që sollëm nga trashëgimia jonë kulturore, ka raste kur na tingëllon e ditës edhe në përvojën e sotme shqiptare, pavarësisht se kumtuesit në fjalë përpiqen të na lënë mbresat e hijerëndit. Le të mos shkojmë larg por të kujtojmë fjalën e Presidentit në Oksford vitin e kaluar, pezmi i së cilës nuk është zbutur ende. Duke u përpjekur për diçka të mbarë, për të krijuar një imazh të lakmuar tonin tek jo shqiptarët – ose të paktën kështu duam të besojmë ne – zoti Moisiu, përkundrazi, e zgjoi “tolerancën fetare” të shqiptarëve, duke dëshmuar jo vetëm naivitetin e ligjërimit patriotik në përvojën e pasdiktaturës, por dhe cilësinë intelektuale të të parëve të shtetit, njësimin e tyre me ultësirat e mendimit shqiptar sot. Për më keq, për t’i dhënë kumtesës plotëri, Presidenti kumtoi se lashtësia e ungjillëzimit të shqiptarëve nuk ka se pse të dalë nga burime të mirëfillta/shkencore, por kjo u dëshmoka fare mirë tek përkthimi i Biblës anglisht [???], madje tek versioni King James [!!!].[9]

Ky vetëpërshkrim i zotit Moisiu, me të cilin nënqeshi Oksfordi, nuk u komentua nga asnjë gazetë, sepse në mendimtarinë e sotme shqiptare diçka e tillë nuk konsiderohet gafë. Në fakt, kjo është më e fortë se ajo që vuri Noli në gojën e Iljas Vrionit, për të shpotitur injorancën e politikanëve shqiptarë, por dhe kapadaillëkun tyre: “Kështu tha dhe Ksenofoni”,[10] për Napolon Bonopartin, në një kohë kur Ksefononi jetoi rreth 20 shekuj para Napolonit… Në çastin kur këshilltari i Presidentit kopjoi diçka të tillë, hedhur më parë në shtyp nga amatorët shqiptarë të studimeve biblike, çfarë e bëri arsyetimin vetë zoti Moisiu?

Mbreti anglez që na ngjalli së vdekurish kreu i shtetit shqiptar, ishte ai që botoi përkthimin e Biblës në anglishte, i quajtur sot King James Version, i cili përkthim është gjuhësisht i famshëm, por kjo nuk do të thotë se ne duhet të hutohemi e ta përdorim tjetër për tjetër. Nëse Presidenti ka dëshirë t’i referohet Biblës, për qëllime ndërdisiplinimi, sepse ishte në Oksford, a për rrëfimtari, sepse ishte në Perëndim, ai le të citojë duke shënuar emrin e aksh libri të Biblës, numrat e kapitullit dhe të vargut në fjalë, siç do të bënte edhe një fillestar në letrat perëndimore e lindore, gjë që do të mbronte dinjitetin e tij dhe tonin.

Edhe sikur Presidentit t’i lindë zelli të bëjë debat filologjik mbi përkthimet biblike në anglishte, tej e përtej asaj që deshte të thoshte këtë herë, ai nuk mund të mbështetet tek versioni King James dhe vetëm atje. Ai botim ka përdorim të kufizuar sot dhe vetëm pastoral, përderisa teologjikisht ajo vepër filologjike angleze është rrëzuar qyshkur e zëvendësuar me rreth 40 përkthime/versione të tjera të Biblës në anglishte. Përkthimet e shumta anglisht nuk kanë vetëm synim përshtatjen gjuhësore me brezat dhe larminë e klasave leximore; as kryhen vetëm për t’u çliruar nga puritanizmi i versionit King James. Përkthimet e Biblës në anglishte lindën fillimisht për të ndrequr pasaktësitë që dalin nga ai botim i vjetër i mbretit Xhejms, për të rivendosur ato vargje që nuk ekzistonin në tekstin greqisht që u përdor, a u keqpërdor, nga ai grup përkthyesish, në vitet 1600 (Gabimet ishin të pashmangshme për arsye të zbulimeve të dorëshkrimeve më autentike të Biblës, të cilat asokohe nuk ishin zbuluar ende).

Por edhe sikur versioni King James të ishte përkthimi më i hyjfrymëzuar i Biblës, ç’lidhje ka kjo referencë e paqenë përkthimore me historiografinë e Ilirisë, e aq më tepër me diskursin e tolerancës ndërfetare? Mjerisht, nuk ka kurrfarë lidhjeje! Fare asnjë! Si ka mundësi atëherë, që të dhëna kaq elementare të shtijnë në kurthe kaq të mëdha të parët e Shqipërisë? Ndoshta ngaqë ne, të mëdhenj e të vegjël, jemi mëkuar në një kulturë që mëton të bëjë stuhi në një gotë uji.

Presidenti ynë tingëllon sot biblik, jo se është i interesuar në studimet a mësimet biblike, por se ndërhyrjet e tij publike po sjellin pasoja të hidhura për këtë periudhë kalimtarie, pasoja si ato që përshkruhen në narrativën biblike mbi mosmarrëveshjet dhe përçarjen midis njerëzve. Dhe megjithatë, Presidenti nuk e përdori përkatësinë e tij të krishterë për t’iu kërkuar ndjesë myslimanëve, për injorimin që iu bëri bashkëgjakësve në kumtesën e tij të famshme. Përderisa aktualiteti shqiptar po dëshmon ende sot se reagimet e myslimanëve ishin më të besueshme se ligjërimi naiv i Presidentit, ku do të shfryjë një ditë zemërimi i atyre që janë lënduar, por që nuk janë shprehur ende? Komuniteti i krishterë është pakicë brenda shumicës myslimane në Shqipëri – e gjithnjë e më pakicë në vegimet e një gjeopolitike ballkanase – prandaj dhe ka shumë të ngjarë që Moisiu të shtrëngohet një ditë të mohojë pjesën e padobishme të shërbesës së Tij presidenciale.       

Shqipja e nëmur

Gjer këtu ekziston kaq lëndë sa është e lehtë të krijohet një përshtypje tjetër për tjetër për Presidentin. Duke shfletuar faqen e Tij në Internet, veç, gjërat janë më ndryshe: Presidenti priti më 5 maj 2006 peshkop Nikon Liolinin e Bostonit, pasardhësin e peshkop Fan Nolit në atë fron. Ishte vizita e parë në Shqipëri në rang peshkopi për komunitetin shqiptaro-amerikan që nga viti 1965, atëherë kur Noli, tek po shuhej, dërgoi në Tiranë peshkopin e zgjedhur Stefan Lasko, i cili, mbasi u shugurua në Shqipëri, u kthye në Amerikë t’i kryente ritet e përmbivarrshme prelatit legjendar.

Vizitë e rëndë, pra, kjo e imzot Nikonit, por vetëm se u bë vjedhurazi dhe për të cilën, përveç faqes së Presidencës, nuk shkroi asnjë gazetë shekullare në Shqipëri (Të paktën, asnjëra nga ato që ekzistojnë në Internet).[11] Në vitin 1965, përkundrazi, shtypi i Shqipërisë nuk e injoroi kështu peshkop Stefanin, edhe pse në një periudhë antifetare. Shumë pyetje lindën nga kjo vizitë e sotme: Qysh e përse Nikoni shkoi vjedhurazi në Shqipëri? Cilët dhe përse nuk e pranuan për takim? Përse takimet e tjera u mbajtën sekret? Përse njoftimi u publikua vetëm kur ky po përfundonte vizitën në Shqipëri? Përse në njoftimin kishtar të kancelarit kjo vizitë u quajt “gjysmëzyrtare”? Nëse Peshkopi i Komunitetit Shqiptar në SHBA nuk mund të bëjë vizitë zyrtare në Shqipëri, kush dhe kur mund ta bëjë një të tillë?

Përderisa njoftimi kishtar përfundon me shtesën, sa të çuditshme aq dhe enigmatike, “vizita u sponsorizua nga Peshkopata Shqiptare”, kush tjetër mund ta sponsorizonte vizitën e peshkopit të saj? Apo kjo shkujdesje tekstuale dëshmon edhe ankthin për të formuluar lajme kaq të thjeshta, për të fshehur abuzimet me paratë e Kishës, me të cilat përmbarohen aktivitetet politike të fisit të Liolinëve? Përderisa vizita ishte gjysmëzyrtare, a nuk duhet që Peshkopata të paguante vetëm gjysmën e shpenzimeve? A nuk duhet që gjysmën tjetër ta paguante vetë imzot Liolini, i cili merr nga shqiptarët një rrogë disa herë më të madhe se mesatarja e rrogës amerikane? Të gjitha këto pyetje, pra, dhe disa të tjera, nuk janë shpërfillëse, prandaj dhe do të meritonin një shkrim më vete.

Në bisedën e Presidentit me Peshkopin, mundësuar vetëm me përkthyes, a nuk është absurde që peshkopi shqiptaro-amerikan të mos flasë fare shqip, ndryshe nga peshkopët greko-amerikanë, dhe ndryshe nga peshkopët e komuniteteve të tjera ortodokse në Amerikë? E për më keq, kur ky peshkop që s’di shqip, të mos ketë studiuar as teologji?!

Margaritari i bisedës ishte kërkesa e Presidentit që imzot Liolini të nxisë shqiptaro-amerikanët të investojnë në Shqipëri! Pema e atij takimi ishte premtimi i peshkop Nikonit se do t’ua bëjë këtë sugjerim shqiptaro-amerikanëve! Patjetër! Presidenti e falënderoi pastaj peshkopin për “ndihmën” që diaspora u jep emigrantëve, në një kohë kur peshkopi dhe fisi i tij e merr rrogën pikërisht nga besimtarët, shumica e të cilëve janë të ardhur këto vite nga Shqipëria. Kush ndihmon kë, atëherë?

Më tutje, Presidenti falënderoi peshkopin për “unifikimin” shpirtëror të diasporës, në një kohë kur fisi i Liolinëve, jo vetëm që kundërshtoi kërkesën e komunitetit ortodoks të Kanadasë për t’u bashkuar (unifikuar) me peshkopatën shqiptare të Amerikës, por bëri luftë të hapur, derisa misionet e Torontos dhe të Montrealit u mbyllën. A ishte mbyllja e kishave tona kushti i kryepeshkopit Anastasios për të pranuar për takim e meshë në Tiranë peshkop Nikonin? Përderisa këta tre vjet imzot Janullatosi e kundërshtonte vizitën e Nikonit në Shqipëri, gjë që nuk është mbajtur kurrë e fshehtë, cili tjetër ishte shkaku mohimtar?[12]

E ardhmja do të tregojë se fisi i Liolinëve e shfisi Peshkopatën Shqiptare. Familja e Liolinëve e degradoi peshkopatën, duke e renditur në titull mbas peshkopatës ruso-amerikane të New England-it, duke pritur tashmë shkrirjen e saj. Kjo ndodhi sepse rroga e komunitetit shqiptar nuk është e mjaftueshme për dy vëllezërit, të cilët është e pamundur t’i përfytyrosh jashtë konfiguracionit të sotëm të shqiptarëve. Kush bashkon kë, atëherë?

Ku është parë peshkop me dy peshkopata? Ku është parë peshkopatë me gjysmë peshkopi, si ajo e shqiptarëve të Amerikës? Ku është parë peshkopatë ku peshkopi dhe kancelari të jenë vëllezër? (Është njësoj sikur një ministër dhe një zëvendësministër, i së njëjtës ministri, të jenë vëllezër). Ku është parë pastaj peshkop, sot në vitet 2000, pa diplomë teologjie? Ku ekziston sot peshkop që nuk flet gjuhën e grigjës? Ku është parë peshkop duhanpirës? Apo se Hirësia kërkon të na bindë për shqiptarinë e Tij me çibuk? Në të kundërt, peshkopi duhet të mësojë pak shqip, siç mësoi edhe imzot Janullatos, i cili madje ishte më i madh në moshë dhe më pak i ngeshëm se ai.

Presidenti, pra, përdori institucionin e epërm të Shqipërisë për të bekuar nepotizmin dhe korrupsionin në administrimin e kishave shqiptaro-amerikane. Më në fund të takimit me Peshkopin, zoti Moisiu vlerësoi “ndjenjat kombëtare” të shqiptaroidëve… Por si mund të ketë ndjenja kombëtare pa gjuhë shqipe në Kishë? Çfarë ironie, o Shkëlqesi! Çfarë fati!

Përderisa Presidentin e kemi kaq babaxhan e patriot, siç birbiloi në Oksford dhe ua këndoi këngën myslimanëve, a nuk pritej që një personalitet i tillë, i pandërlikuar, të interesohej tanimë për përdorimin e gjuhës shqipe në kishat shqiptaro-amerikane? Ç’u bë leshtësia e Tij? Shqipja ndalohet sot në Amerikën e Veriut jo nga grekët, por pikërisht nga fisi i Liolinëve, i cili ka zaptuar pronat shqiptare dhe i administron ato fare privatisht, me mbështetjen e shtetit shqiptar dhe të klaneve myslimane shqiptare. E madje për të cilën gjuhë të nëmur shqipe Presidenti ka të drejtë të flasë, pa tingëlluar aspak i politizuar. A nuk mbetet ruajtja e shqipes lidhja më e fortë e diasporës me Shqipërinë? Nëse krahasojmë kumtesën e Oksfordit, me këtë bisedë të Presidentit, duket sikur nuk është i njëjti folës.

Në mendësinë e pasdiktaturës, edhe kur ftillohen çështjet, prapëseprapë, ekziston tendenca për të bërë të pamundurën të mundur që gafa të mos besohet gafë dhe mashtrimi të mos besohet mashtrim. A është kjo një shtrëngesë solidarizimi për të shtirë harresë në vetë gafat, mashtrimet dhe vetëmashtrimet e tyre, apo se në lëmin e fesë është e natyrshme që shqiptarët të rrëshqasin vazhdimisht? Apo se patriotëve iu bëhen hallall të gjitha? Apo se tinëzia është pjesë e traditës sonë? A mund të vendoset sot një cak kohor, se deri kur një mendësi e tillë, e leshtë, do të konsiderohet pjesë e virtytësisë shqiptare? Nëse ka një ndryshim midis ministrit të 1912-ës, në takimin me Mihal Gramenon, dhe të presidentit të sotëm, në kumtesën e Oksfordit e në takimin me Liolinët, ky ndryshim nuk ka fuqi të kapërcejë zgripin e numrave.

At Foti Cici
ShqiptarOrtodoks.com, 1 qershor 2006
———————————————- 

[1] Mihal Grameno, “Mjekraxhinjtë”, Koha, 1916. Cituar nga Mihal Grameno: Vepra 2, Prishtinë 1979, f. 318 (Lëmimet në gjuhë janë të ribotimit).
[2] “Shkishërimi i Petro Luarasit nga mitropoliti i Kosturit, Filáretos”, 20 shtator 1892 . Cituar nga versioni greqisht i Petro Luarasit, Qortimi i letrave shqipe dhe apologjia e shqiptarit (Πέτρος Ν. Λιουαράσης, Επιτίμιον των Αλβανικών Γραμμάτων και η απολογία του Αλβανού), Manastir, 1911, f. 79 (ShqiptarOrtodoks.com/KOASH).
[3] Mihal Grameno, “Mjekraxhinjtë”, Vepra 2, f. 319.
[4] Po aty.
[5] Po aty.
[6] Po aty.
[7] Po aty.
[8] Po aty, f. 320.
[9] Madje Presidenti e tha në një mënyrë më ekspozuese: “Sipas Veprave të Apostujve, duke përfshirë edhe tekstin “King James version” të Biblës, predikuesi i parë i krishtërimit në botën ilirike proto-shqiptare ka qenë Shën Pali, kurse në Dardani – Kosova e sotme – ka predikuar Shën Mateu. Ajo pjesë e shqiptarëve që nuk u islamizua ka në traditën e vet jo 15 shekuj krishtërim, por 2000 vjet krishtërim.” Alfred Moisiu, “Toleranca ndërfetare në traditën e popullit shqiptar”, 9 nëntor 2005 (Cituar nga www.president.al/fjalime).
[10] Fan S. Noli, “Kënga e Salep-Sulltanit”, Albumi, 1948, f. 47.
[11] Një muaj mbas vizitës së peshkop Nikonit në Shqipëri, shkroi gazeta e Kryepeshkopatës së Tiranës, ku peshkop Nikoni prezantohet atje si “vëlla i Episkop Liolinit” (???), në një kohë kur at Arthur Liolin nuk është peshkop, por prift, e madje i martuar. Kjo ishte arsyeja që nuk u bë ai peshkop, por vëllai i tij, pikërisht se Nikoni ishte vejan. Duke quajtur “peshkop” vëllain e peshkopit, nuk është vetëm cinizëm për bashkëshorten e at Liolinit, e cila rron dhe nuk dihet se kë do të thërrasë Zoti më parë, as vetëm tallje për profilin e pandërlikuar të peshkop Nikonit, i cili funksionon si instrument i të vëllait, por kjo tregon se deri ku ka rrëshqitur morali i dërgatës greke. Kryepeshkopi, duke ditur sëmundjen e at Liolinit për pushtet, i cili ky e mbajti peshkopatën për njëzet vjet pa peshkop, me shpresë se do të bëhej vetë, bën lojë mendore në të gjitha drejtimet… Shih Ngjallja, Qershor 2006, f. 9 (www.orthodoxalbania.org/Lajmet dhe botimet).
[12] Në mbledhjen e Sinodit të Kishës Ortodokse në Amerikë (Orthodox Church in America – OCA), peshkop Nikoni, në vend që të fliste për problemet kishtare të Peshkopatës, siç bënë peshkopët e tjerë, e nisi me “turtullin” e kaq a aq mrekullive të misionit grek në Shqipëri, madje duke çaprashitur: “Bishop Nikon reported on his recent visit to the Autocephalous Orthodox Church in Albania. He noted the progress made there since the fall of Communism. A seminary is built. Programs to aid the needy are established, and charitable work among all needy Albanians, not just to the Orthodox or Christian communities. Women’s monasteries are being developed. Cathedrals are being built and various parish and monastery buildings are being built while others, destroyed or damaged during the Communist era are being restored for use.” Minutes of the 2006 spring session of the Holy Synod of Bishops of The Orthodox Church in America, www.oca.org, 25 maj 2006.