Kapitulli:  1  2  3  4  5  6  7  8  9  10  11  12  13  14  15  16  17  18  19  20  21

Kapitulli 1

1 Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte me Perëndinë dhe Fjala ishte Perëndi.

2 Ky ishte në fillim me Perëndinë.

3 Të gjitha u bënë nëpërmjet Tij dhe pa Të nuk u bë asnjë gjë, që është bërë.

4 Në Të ishte jeta dhe jeta ishte drita e njerëzve.

5 Drita shndrit në errësirë dhe errësira nuk e mposhti.

6 Ishte një njeri i dërguar nga Perëndia, që e kishte emrin Gjon.

7 Ky erdhi për dëshmim, për të dëshmuar për dritën, që të gjithë të mund të besonin nëpërmjet tij.

8 Ai nuk ishte drita, por u dërgua që të dëshmonte për dritën.

9 Drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri, po vinte në botë.

10 Ishte në botë dhe bota u bë prej Tij, por bota nuk e njohu.

11 Erdhi tek të vetët dhe të vetët nuk e pranuan.

12 Por ata që e pranuan, atyre Ai u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e Tij,

13 të cilët nuk lindën prej gjaku, as prej vullnetit të mishit, as prej vullnetit të njeriut, por nga Perëndia.

14 Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne dhe ne e pamë lavdinë e Tij, lavdi si ajo e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e vërtetësi.

15 Gjoni dëshmoi për Të dhe bërtiti, duke thënë: “Ky ishte Ai për të cilin thashë: ‘Ai që vjen pas meje është mbi mua, sepse ishte përpara meje.’”

16 Sepse prej plotësisë së Tij morëm ne të gjithë hir mbi hir.

17 Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, ndërsa hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezus Krishtit.

18 Askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë; i vetëmlinduri Perëndi, që është në gjirin e Atit, Ai e ka bërë të njohur.

19 Kjo është dëshmia e Gjonit, kur judenjtë nga Jeruzalemi i dërguan priftërinj dhe levitë për ta pyetur: “Kush je ti?”

20 Ai rrëfeu e nuk mohoi; dhe pranoi: “Unë nuk jam Krishti.”

21 Ata e pyetën: “Çfarë je atëherë? A je ti Elia?” Ai tha: “Nuk jam.” “A je ti profeti?” Ai u përgjigj: “Jo.”

22 Atëherë ata i thanë: “Ti kush je? Që t’u japim përgjigje atyre që na dërguan. Ç’thua ti për veten tënde?”

23 Ai tha: “Unë jam zëri i atij që thërret në shkretëtirë: ‘Drejtoni rrugën e Zotit’, siç tha profeti Isaia.”

24 Ata ishin dërguar nga farizenjtë.

25 E pyetën dhe i thanë: “Atëherë përse pagëzon, nëse ti nuk je Krishti, as Elia, as Profeti?”

26 Gjoni iu përgjigj dhe tha: “Unë pagëzoj me ujë, por midis jush qëndron Ai që ju nuk e njihni.

27 Është Ai që vjen pas meje, gjalmet e sandaleve të të cilit unë nuk jam i denjë t’i zgjidh.”

28 Këto gjëra ndodhën në Betani përtej Jordanit, ku Gjoni ishte duke pagëzuar.

29 Të nesërmen ai pa Jezusin duke ardhur drejt tij dhe tha: “Ja, qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës.

30 Ky është Ai për të cilin thashë unë: ‘Pas meje vjen një njeri i cili është mbi mua, sepse ishte para meje.’

31 Unë nuk e njihja; prandaj erdha duke pagëzuar me ujë, që Ai t’i shfaqet Izraelit.”

32 Gjoni dëshmoi, duke thënë: “E pashë Frymën që zbriti si një pëllumb prej qiellit dhe qëndroi mbi Të.

33 Unë nuk e njihja, por Ai që më dërgoi për të pagëzuar me ujë, më tha: ‘Ai mbi të cilin do të shohësh Frymën të zbresë e të qëndrojë mbi Të, ky është Ai që pagëzon me Frymën e Shenjtë.’

34 Unë e pashë dhe dëshmova që ky është Biri i Perëndisë.”

35 Gjoni qëndroi edhe të nesërmen bashkë me dy prej dishepujve të tij.

36 Duke vështruar Jezusin tek po shkonte, ai tha: “Ja Qengji i Perëndisë!”

37 Të dy dishepujt e tij e dëgjuan kur po fliste dhe i shkuan Jezusit pas.

38 Jezusi u kthye dhe, kur i pa ata duke i vajtur pas, u tha: “Çfarë kërkoni?” Ata i thanë: “Rabbi (që e përkthyer do të thotë Mjeshtër), ku rri Ti?”

39 Ai u tha: “Ejani e shikoni.” Atëherë ata shkuan dhe panë se ku rrinte dhe atë ditë qëndruan me Të; ishte rreth orës së dhjetë.

40 Njëri prej të dyve që e kishin dëgjuar këtë prej Gjonit dhe që i shkuan Atij pas, ishte Andrea, vëllai i Simon Pjetrit.

41 Së pari, ky gjeti vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha: “Kemi gjetur Mesinë, (që, e përkthyer, do të thotë Krishti”).

42 Ai e çoi tek Jezusi. Jezusi, me ta parë, tha: “Ti je Simoni, biri i Gjonit; ti do të quhesh Kefa” (që përkthehet ‘Pjetër’).

43 Të nesërmen Jezusi deshi të shkonte në Galile. Gjeti Filipin dhe i tha: “Më ndiq.”

44 Filipi ishte nga Betsaida, nga qyteti i Andreas dhe i Pjetrit.

45 Filipi gjeti Natanailin dhe i tha: “Kemi gjetur Atë për të cilin shkroi Moisiu në Ligj si edhe profetët, Jezusin e Nazaretit, birin e Jozefit.”

46 Natanaili i tha: “A mund të dalë ndonjë e mirë nga Nazareti?” Filipi i tha: “Eja e shiko”.

47 Jezusi e pa Natanailin që po vinte tek Ai dhe tha për të: “Ja vërtet një izraelit, tek i cili nuk ka mashtrim!”

48 Natanaili i tha: “Nga më njeh Ti mua?” Jezusi u përgjigj e i tha: “Të pashë, kur ishe nën fik, përpara se të thërriste Filipi.”

49 Natanaili iu përgjigj: “Rabbi, Ti je Biri i Perëndisë. Ti je Mbreti i Izraelit.”

50 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Ti besove, ngaqë të thashë, se të pashë nën fik? Gjëra më të mëdha se këto do të shohësh”

51 dhe i tha: “Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, do të shihni qiellin të hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e Njeriut”.

Kapitulli 2

1 Ditën e tretë u bë një dasmë në Kanë të Galilesë; nëna e Jezusit ishte atje.

2 Edhe Jezusi me dishepujt e Tij u thirrën në dasmë.

3 Kur u mbarua vera, nëna e Jezusit i tha Atij: “Nuk kanë verë.”

4 Jezusi i tha: “Ç’punë kam Unë me ty, o grua? Ora Ime nuk ka ardhur ende.”

5 E ëma e Tij u tha shërbëtorëve: “Bëni çfarëdo që t’ju thotë.”

6 Aty ishin gjashtë shtamba uji prej guri, që ishin vënë për pastrimin, sipas zakonit të judenjve, secila merrte dy ose tri masa.

7 Jezusi u tha: “Mbushni shtambat me ujë.” Ata i mbushën deri në buzë.

8 Ai u tha: “Nxirrini tani dhe çojani të parit të gostisë.” Ata ia çuan.

9 Kur i pari i gostisë e provoi ujin të kthyer në verë, nuk e dinte nga vinte (kurse shërbëtorët, që nxorën ujin, e dinin). I pari i gostisë thirri dhëndrin

10 dhe i tha: “Kushdo më parë shtron verën e mirë dhe, kur të ftuarit të jenë të pirë, atë të keqen. Ndërsa ti e ke ruajtur verën e mirë deri tani.”

11 Kjo ishte shenja e parë që bëri Jezusi në Kanë të Galilesë. Ai shfaqi lavdinë e Vet dhe dishepujt e Tij besuan në Të.

12 Pas kësaj Ai, e ëma, vëllezërit dhe dishepujt e Tij zbritën në Kapernaum dhe qëndruan aty disa ditë.

13 Pashkët e judenjve ishin pranë dhe Jezusi u ngjit për në Jeruzalem.

14 Gjeti në tempull njerëz që shisnin qe, dhen dhe pëllumba, si dhe këmbyesit e parave duke ndenjur.

15 Pasi bëri një kamzhik prej thuprash, i përzuri të gjithë prej tempullit, edhe dhentë e qetë, ua derdhi paratë këmbyesve dhe ua përmbysi tryezat.

16 Atyre që shisnin pëllumba u tha: “Hiqini këto gjëra prej këtej. Mos e ktheni në pazar shtëpinë e Atit tim.”

17 Dishepujve të Tij iu kujtua që ishte shkruar: ‘Zelli i shtëpisë Tënde do të më përpijë’.

18 Atëherë judenjtë u përgjigjën dhe i thanë: “Ç’shenjë na tregon që i bën këto gjëra?”

19 Jezusi u përgjigj dhe u tha: “Shkatërrojeni këtë tempull dhe do ta ngre përsëri në tri ditë.”

20 Pastaj judenjtë thanë: “Ky tempull u ndërtua në dyzet e gjashtë vjet dhe Ti dashke ta ngresh në tri ditë?”

21 Por Ai po fliste për tempullin e trupit të Vet.

22 Kur u ngjall prej të vdekurve, dishepujve të Tij iu kujtua që Ai e kishte thënë këtë dhe i besuan Shkrimit dhe fjalës që kishte thënë Jezusi.

23 Tani që Ai ishte në Jeruzalem për Pashkët, në ditë feste, shumë veta, duke parë shenjat që bënte Ai, besuan në emrin e Tij.

24 Por vetë Jezusi nuk u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë

25 dhe sepse nuk kishte nevojë që t’i dëshmonte ndokush për njeri, sepse Ai e dinte çfarë kishte brenda njeriut.

Kapitulli 3

1 Midis farizejve ishte një njeri, që e kishte emrin Nikodem, një nga krerët e judenjve.

2 Ky i vajti Jezusit natën dhe i tha: “Rabbi, ne e dimë që ke ardhur nga Perëndia si mësues, sepse askush nuk mund t’i bëjë këto shenja që bën Ti, po të mos jetë Perëndia me të.”

3 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Me të vërtetë, me të vërtetë po të them, po të mos lindë njeriu përsëri, nuk mund të shohë mbretërinë e Perëndisë.”

4 Nikodemi i tha: “Si mund të lindë një njeri, duke qenë i moshuar? A është e mundur që njeriu të hyjë për së dyti në barkun e nënës së vet dhe të lindë?”

5 Jezusi u përgjigj: “Me të vërtetë, me të vërtetë po të them, po të mos lindë prej ujit dhe prej Frymës, askush nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.

6 Çka ka lindur prej mishit është mish, dhe çka ka lindur prej Frymës, është frymë.

7 Mos u çudit që të thashë: ‘Duhet të lindni përsëri’.

8 Era fryn ku të dojë dhe ti dëgjon zhurmën e saj, por nuk e di se nga vjen dhe ku shkon. Kështu ndodh me këdo që lind prej Frymës.”

9 Nikodemi u përgjigj dhe i tha: “Si mund të ndodhin këto gjëra?”

10 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Ti je mjeshtër i Izraelit dhe nuk i ditke këto gjëra?

11 Me të vërtetë, me të vërtetë po të them, ne flasim atë që dimë dhe dëshmojmë atë që kemi parë, por ju nuk e pranoni dëshminë tonë.

12 Nëse ju fola për gjëra të tokës dhe ju nuk besoni, si do të besoni, po t’ju them gjëra qiellore?

13 Askush nuk është ngjitur lart në qiell, përveç Atij që zbriti prej qiellit, që është Biri i Njeriut.

14 Ashtu si Moisiu ngriti gjarpërin në shkretëtirë, ashtu duhet të ngrihet edhe Biri i Njeriut,

15 që kushdo që beson në Të, të ketë jetën e amshuar.

16 Sepse kaq e deshi Perëndia botën, saqë i dha Birin e vetëmlindur, që kushdo që beson në Të, të mos humbë por të gëzojë jetën e amshuar.

17 Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin në botë që të gjykojë botën, por që bota të shpëtohet nëpërmjet Tij.

18 Ai që beson në Të nuk gjykohet, por ai që nuk beson është gjykuar tashmë, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.

19 Gjykimi është ky, që drita ka ardhur në botë dhe njerëzit më tepër deshën errësirën sesa dritën, sepse veprat e tyre ishin të liga.

20 Sepse çdo njeri që bën të liga e urren dritën dhe nuk i afrohet dritës, që të mos i dalin në shesh veprat e tij.

21 Por ai që bën të vërtetën vjen tek drita, që veprat e tij të dalin hapur, sepse janë bërë në Perëndinë.”

22 Pas kësaj, Jezusi dhe dishepujt e Tij erdhën në tokën e Judesë dhe qëndroi atje me ta dhe pagëzonte.

23 Edhe Gjoni pagëzonte në Enon afër Salimit, sepse atje kishte shumë ujëra. Ata vinin dhe pagëzoheshin,

24 sepse Gjonin nuk e kishin shtënë ende në burg.

25 Atëherë lindi një debat midis dishepujve të Gjonit dhe një judeu në lidhje me pastrimin.

26 Ata vajtën te Gjoni dhe i thanë: “Rabbi, Ai që ishte me ty përtej Jordanit, për të cilin dëshmove ti, ja, Ai po pagëzon dhe të gjithë shkojnë tek Ai.”

27 Gjoni u përgjigj dhe tha: “Njeriu nuk mund të marrë asgjë, nëse nuk i është dhënë nga qielli.

28 Vetë ju dëshmoni për mua që thashë: ‘Unë nuk jam Krishti, por jam dërguar përpara Tij.’

29 Ai që ka nusen është dhëndri, por miku i dhëndrit, që qëndron dhe e dëgjon atë, gëzohet shumë nga zëri i dhëndrit. Prandaj ky gëzim i imi tashti është i plotë.

30 Ai duhet të rritet, ndërsa unë të zvogëlohem.

31 Ai që vjen nga lart është mbi të gjithë, ai që është nga dheu i përket dheut dhe prej dheut flet. Ai që vjen nga qielli [është mbi të gjithë].

32 Çka ka parë e dëgjuar, për këtë dëshmon dhe askush nuk e pranon dëshminë e Tij.

33 Kush e pranon dëshminë e Tij, e ka vërtetuar që Perëndia është i vërtetë.

34 Sepse Ai që dërgoi Perëndia, flet fjalët e Perëndisë, sepse Ai e jep Frymën pa masë.

35 Ati e do Birin dhe gjithçka ia ka dhënë në dorë Atij.

36 Ai që beson në Birin ka jetën e amshuar dhe ai që nuk i bindet Birit nuk do ta shohë jetën, por zemërimi i Perëndisë mbetet mbi të.”

Kapitulli 4

1 Jezusi pra, kur e mori vesh që farizejtë kishin dëgjuar se Ai po pagëzonte dhe po bënte më shumë dishepuj se Gjoni,

2 (megjithëse vetë Jezusi nuk pagëzonte, por dishepujt e Tij)

3 e la Judenë dhe u largua përsëri për në Galile.

4 Atij i duhej të kalonte nëpër Samari.

5 Kështu, erdhi në një qytet të Samarisë me emrin Sikar, afër tokës që Jakobi i kishte dhënë birit të vet, Jozefit.

6 Aty ishte pusi i Jakobit. Jezusi pra, i sfilitur nga udhëtimi, po rrinte ashtu ulur tek pusi; ishte rreth orës së gjashtë.

7 Erdhi për të mbushur ujë një grua nga Samaria. Jezusi i tha: “Më jep të pi,”

8 sepse dishepujt e Tij ishin larguar për në qytet, që të blinin ushqime.

9 Atëherë gruaja nga Samaria, i tha: “Qysh Ti, që je jude, kërkon të pish ujë prej meje, që jam një grua samaritane?” (sepse judenjtë nuk përzihen me samaritanët)

10 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Po ta njihje dhuratën e Perëndisë dhe kush është Ai që të thotë: ‘Jepmë të pi’, do të kërkoje ti prej Tij dhe Ai do të të jepte ujë të gjallë.”

11 [Gruaja] i tha: “Zotëri, Ti nuk ke me çfarë ta nxjerrësh ujin dhe pusi është i thellë. Pra, nga e merr Ti ujin e gjallë?

12 Mos vallë je Ti më i madh se Ati ynë Jakobi, që na dha pusin dhe piu prej tij ai vetë, bijtë e tij dhe bagëtia e tij?”

13 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Kushdo që pi prej këtij uji, do të ketë përsëri etje.

14 Por kushdo që pin prej ujit që i jap Unë, nuk do të ketë kurrë etje, por uji që do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon për jetë të jetëve.”

15 Gruaja i tha: “Zotëri, ma jep këtë ujë, që të mos kem më etje e të mos vijë këtu për të mbushur ujë.”

16 Ai i tha: “Shko, thirr burrin tënd dhe eja këtu.”

17 Gruaja u përgjigj dhe i tha: “Nuk kam burrë.” Jezusi i tha: “Mirë the: ‘Nuk kam burrë’.

18 Sepse pesë burra ke pasur dhe ai që ke tani nuk është burri yt. Kjo që the është e vërtetë.”

19 Gruaja i tha: “Zot, e shoh se Ti qenke profet.

20 Etërit tanë në këtë mal kanë adhuruar dhe ju thoni, që vendi ku duhet të adhurojmë është në Jeruzalem.”

21 Jezusi i tha: “Më beso, o grua, po vjen ora kur ju nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jeruzalem.

22 Ju adhuroni atë që nuk e njihni, ne adhurojmë atë që njohim, sepse shpëtimi vjen nga judenjtë.

23 Por po vjen ora dhe ka ardhur tashmë, kur adhuruesit e vërtetë do të adhurojnë Atin në frymë dhe në vërtetësi, sepse edhe Ati të këtillë i do ata që e adhurojnë Atë.

24 Perëndia është frymë dhe ata që e adhurojnë Atë duhet ta adhurojnë në frymë dhe në vërtetësi.”

25 Gruaja i tha: “E di që Mesia po vjen, Ai që quhet Krisht. Kur të vijë Ai, do të na i tregojë të gjitha.”

26 Jezusi i tha: “Unë, që po të flas, jam Ai.”

27 Në këtë kohë erdhën dishepujt e Tij dhe u çuditën që Ai po fliste me gruan; megjithatë asnjëri nuk i tha: ‘Çfarë kërkon?’ ose ‘Përse po flet me të?’

28 Atëherë gruaja e la shtambën e ujit dhe u largua për në qytet dhe u tha njerëzve,

29 “Ejani, shikoni një njeri që m’i tha të gjitha sa kam bërë. Mos vallë ky është Krishti?”

30 Ata dolën nga qyteti dhe shkuan tek Ai.

31 Ndërkaq, dishepujt e Tij e lutnin, duke thënë: “Rabbi, ha.”

32 Por Ai u tha: “Unë kam një ushqim për të ngrënë që ju nuk e njihni.”

33 Atëherë dishepujt thoshin me njëri-tjetrin: “Mos i solli njeri për të ngrënë?”

34 Jezusi u tha: “Ushqimi Im është që të bëjë vullnetin e Atij që më ka dërguar dhe të përfundoj veprën e Tij.

35 A nuk thoni ju: ‘Edhe katër muaj dhe vijnë të korrat?’ Ja, po ju them, ngrini sytë dhe vështroni arat, sepse ato tashmë janë zbardhur, gati për t’u korrur.

36 Ai që korr merr pagë dhe mbledh frytin për jetën e amshuar, që si ai që mbjell ashtu dhe ai që korr të gëzojnë së bashku.

37 Sepse me këtë vërtetohet fjala: ‘Tjetër është ai që mbjell dhe tjetër ai që korr.’

38 Unë ju dërgova për të korrur atë për të cilën ju nuk jeni sfilitur; të tjerë janë sfilitur dhe ju hytë në mundin e tyre.”

39 Shumë samaritanë prej atij qyteti besuan në Të, nga fjala e gruas që kishte dëshmuar: ‘M’i tha të gjitha ato që kam bërë’.

40 Pra, samaritanët, pasi shkuan tek Ai, iu lutën që të qëndronte me ta dhe Ai ndenji atje dy ditë.

41 Shumë më tepër besuan për shkak të fjalës së Tij

42 dhe i thoshin gruas: “Nuk po besojmë më nga fjalët e tua, sepse ne vetë e dëgjuam dhe e dimë që Ky është Shpëtimtari i botës”.

43 Pas dy ditëve Ai u nis prej andej për në Galile.

44 Sepse vetë Jezusi dëshmoi, që profeti nuk ka nder në vendin e vet.

45 Kur erdhi pra, në Galile, Atë e pritën galileasit, pasi i kishin parë të gjitha sa kishte bërë në Jeruzalem gjatë festës, sepse edhe ata kishin ardhur në festë.

46 Pra, Ai erdhi përsëri në Kanë të Galilesë, ku e ktheu ujin në verë. Aty ishte një zyrtar nga oborri i mbretit, që e kishte djalin të sëmurë në Kapernaum.

47 Kur ky dëgjoi që Jezusi kishte ardhur nga Judeja në Galile, shkoi tek Ai dhe e luti të zbriste dhe t’ia shëronte të birin, që ishte gati për të vdekur.

48 Atëherë Jezusi i tha: “Po të mos shihni shenja dhe mrekulli, ju nuk besoni fare.”

49 Oborrtari i tha: “Zotëri, eja përpara se fëmija im të vdesë.”

50 Jezusi i tha: “Shko, yt bir jeton.” Njeriu i besoi fjalës që i tha Jezusi dhe shkoi.

51 Ndërsa po zbriste, atë e takuan shërbëtorët e tij, dhe i thanë: “Fëmija yt jeton.”

52 Ai i pyeti ata për orën kur ishte përmirësuar fëmija. Ata i thanë: “Dje në orën e shtatë e lanë ethet.”

53 Atëherë i ati e mori vesh, që kjo kishte ndodhur pikërisht në atë orë kur Jezusi i kishte thënë: ‘Yt bir jeton’; ai dhe e tërë shtëpia e tij besuan.

54 Kjo është shenja e dytë që bëri Jezusi, duke u kthyer nga Judeja në Galile.

Kapitulli 5

1 Pas këtyre ishte festa e judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem.

2 Afër Portës së Dhenve në Jeruzalem është një pellg që në hebraisht quhet Betesda, që ka pesë portikë.

3 Në to dergjeshin një numër i madh njerëzish të sëmurë, të verbër, të çalë, ulokë, që prisnin trazimin e ujit.

4 Sepse një engjëll, kohë pas kohe, zbriste në pellg dhe trazonte ujin. Pastaj pas trazimit të ujit, i pari që hynte, shërohej nga çfarëdo lëngate që të kishte.

5 Aty ishte një njeri që lëngonte prej tridhjetë e tetë vjetësh.

6 Jezusi, kur e pa këtë të shtrirë dhe kur e mori vesh që ai tashmë kishte një kohë të gjatë, i tha: “A do që të shërohesh?”

7 I lënguari iu përgjigj: “Zotëri, unë nuk kam njeri që, kur të trazohet uji, të më fusë në pellg; sapo shkoj unë, një tjetër zbret para meje.”

8 Jezusi i tha: “Ngrihu, merr hasrën dhe ec.”

9 Ai njeri u shërua menjëherë, mori hasrën e vet dhe filloi të ecte. Ishte ditë e shtunë.

10 Prandaj, judenjtë i thoshin atij që u shërua: “Është e shtunë dhe nuk të lejohet që ta marrësh hasrën.”

11 Ai iu përgjigj: “Ai që më shëroi më tha: ‘Merr hasrën dhe ec’.”

12 Ata e pyetën: “Kush është Ai njeri që të tha: ‘Merr hasrën dhe ec’.”

13 I shëruari nuk e dinte kush ishte, sepse Jezusi ishte tërhequr, meqë aty ishte një turmë njerëzish.

14 Pas këtyre, Jezusi e gjeti atë në tempull dhe i tha: “Ja, ti u shërove, mos bëj më mëkat, që të mos të ndodhë ndonjë gjë më e keqe.”

15 Njeriu u largua dhe u tregoi judenjve se Ai që e shëroi, ishte Jezusi.

16 Prandaj judenjtë e përndiqnin Jezusin, sepse Ai i bënte këto të shtunën.

17 [Jezusi] iu përgjigj: “Ati Im vepron deri në këtë çast, edhe Unë veproj.”

18 Për këtë arsye pra, judenjtë e kërkonin edhe më shumë për ta vrarë, sepse Ai jo vetëm që kishte shkelur të shtunën, por edhe sepse Ai thoshte se Perëndia ishte Ati i Tij, duke e vënë Veten njëlloj me Perëndinë.

19 Pastaj Jezusi u përgjigj, duke u thënë: “Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, Biri nga ana e Vet nuk mund të bëjë asgjë, po të mos shohë Atin duke bërë, sepse çka bën Ati, këto i bën po ashtu edhe Biri.

20 Sepse Ati e do Birin dhe ia tregon Atij të gjitha që bën; dhe do t’i tregojë edhe punë më të mëdha se këto, që ju të mrekulloheni.

21 Sepse ashtu si Ati ngre të vdekurit dhe u jep jetë, po ashtu edhe Biri do t’u japë jetë atyre që Ai do.

22 Sepse Ati nuk gjykon askënd, por të gjithë pushtetin për të gjykuar ia ka dhënë Birit,

23 që të gjithë të nderojnë Birin siç nderojnë Atin. Ai që nuk nderon Birin nuk nderon Atin që e ka dërguar Atë.

24 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, Ai që dëgjon fjalën Time, dhe i beson Atij që më ka dërguar Mua, ka jetën e amshuar dhe nuk i nënshtrohet gjykimit, por ka kaluar nga vdekja në jetë.

25 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, po vjen ora, madje tanimë ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë dhe ata që e dëgjojnë do të jetojnë.

26 Sepse ashtu si Ati ka jetë brenda vetvetes, po ashtu i dha mundësi edhe Birit që të ketë jetë brenda vetvetes.

27 I dha Atij pushtet që të ushtrojë gjykim, sepse Ai është Biri i Njeriut.

28 Mos u mrekulloni nga kjo, sepse po vjen ora në të cilën të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e Tij

29 dhe do të dalin. Ata që kanë bërë të mira do të ringjallen për të jetuar, por ata që kanë bërë të këqija do të ringjallen për t’u gjykuar.

30 Unë nga vetja Ime nuk mund të bëj asgjë. Siç dëgjoj, ashtu gjykoj dhe gjykimi Im është i drejtë, sepse Unë nuk kërkoj vullnetin Tim, por vullnetin e Atij që më ka dërguar.

31 Po të dëshmoja për Vetveten, dëshmia Ime nuk do të ishte e vërtetë.

32 Është një tjetër që dëshmon për Mua; dhe e di që dëshmia që Ai bën për Mua është e vërtetë.

33 Ju keni dërguar për të pyetur te Gjoni, dhe ai ka dhënë dëshmi për të vërtetën.

34 Por Unë nuk marr dëshmi prej njeriu, por i them këto, që ju të shpëtoheni.

35 Ai ishte kandili që digjej e ndriçonte dhe ju deshët të gëzoheni për pak kohë në dritën e tij.

36 Por Unë kam dëshmi më të madhe se ajo e Gjonit, sepse punët që më ka dhënë Ati për t’i përfunduar, vetë punët që bëj Unë, dëshmojnë se Ati më ka dërguar Mua.

37 Ati, që më ka dërguar, ka dëshmuar për Mua. Ju as e keni dëgjuar ndonjëherë zërin e Tij, as e keni parë fytyrën e Tij.

38 Fjala e Tij nuk banon brenda jush, sepse ju nuk i besoni Atij që ka dërguar Ai.

39 Ju kërkoni në Shkrimet, sepse mendoni që në to keni jetën e amshuar dhe pikërisht ato dëshmojnë për Mua.

40 Nuk doni të vini tek Unë që të keni jetën.

41 Unë nuk marr lavdi prej njerëzve.

42 Por Unë ju njoh, që nuk keni në vetvete dashuri për Perëndinë.

43 Unë kam ardhur në emër të Atit Tim dhe ju nuk më pranoni; po të vijë një tjetër në emrin e vet, atë do ta pranoni.

44 Si mund të besoni ju, kur merrni lavdi prej njëri-tjetrit dhe nuk kërkoni lavdinë që vjen prej të vetmit Perëndi?

45 Mos mendoni se Unë do t’ju padis tek Ati; Moisiu është ai që ju padit, tek i cili ju keni shpresuar.

46 Sepse po t’i besonit Moisiut, do të më besonit edhe Mua, sepse ai ka shkruar për Mua.

47 Por nëse nuk u besoni shkrimeve të tij, si do t’u besoni fjalëve të Mia?”

Kapitulli 6

1 Pas këtyre Jezusi u largua përtej detit të Galilesë, domethënë të Tiberiadës.

2 Një turmë e madhe e ndiqte pas, sepse kishin parë shenjat që Ai bënte me të sëmurët.

3 Jezusi u ngjit në mal dhe po rrinte ulur atje me dishepujt e Vet.

4 Po afroheshin pashkët, festa e judenjve.

5 Kur Jezusi ngriti sytë dhe pa një turmë të madhe që po vinte drejt Tij, i tha Filipit: “Ku t’i blejmë bukët që të hanë këta?”

6 Ai e thoshte këtë për ta vënë në provë, sepse e dinte çfarë kishte për të bërë.

7 Filipi iu përgjigj: “Dyqind denarë bukë nuk u mjaftojnë që secili të marrë nga pak.”

8 Njëri prej dishepujve të Tij, Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, i tha,

9 “Është një djalë këtu që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël, por ç’janë këta për kaq shumë veta?”

10 Jezusi tha: “Ulini njerëzit shtruar.” Në atë vend kishte shumë bar. Pra njerëzit u ulën aty, rreth pesë mijë burra në numër.

11 Atëherë Jezusi mori bukët dhe, pasi falënderoi, ua shpërndau atyre që ishin shtruar për të ngrënë; po ashtu bëri edhe me peshqit, aq sa deshën.

12 Kur u nginjën, u tha dishepujve të Vet: “Mblidhini copat që kanë mbetur, që asgjë të mos shkojë dëm.”

13 Ata pra, i mblodhën dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copa nga të pesë bukët e elbit që u tepruan atyre që kishin ngrënë.

14 Atëherë njerëzit, si e panë shenjën që bëri, thoshin: “Ky është vërtet Profeti që do të vijë në botë.”

15 Jezusi pra, duke e ditur se ata po vinin për ta kapur që ta bënin mbret, u largua përsëri vetëm në mal.

16 Kur u ngrys, dishepujt e Tij zbritën anës detit.

17 Hypën në një lundër dhe kaluan në bregun tjetër të detit në Kapernaum. Tashmë ishte errësuar dhe Jezusi ende nuk kishte ardhur tek ata.

18 Deti po trazohej nga një erë e fortë që po frynte.

19 Pasi kishin vozitur rreth njëzet e pesë apo tridhjetë stade, ata panë Jezusin që po ecte mbi det, duke iu afruar lundrës; dhe i zuri frika.

20 Por Ai u tha: “Jam unë, mos u frikësoni.”

21 Ata pra, donin ta merrnin në lundër dhe lundra menjëherë u gjend në bregun ku po shkonin.

22 Të nesërmen, turma që qëndronte në bregun tjetër të detit, pa se atje nuk kishte veçse një lundër të vetme dhe që Jezusi nuk kishte hipur në lundër me dishepujt e Vet, por këta ishin larguar vetëm.

23 Lundra të tjera erdhën nga Tiberiada, afër vendit ku kishin ngrënë bukë pasi kishte falënderuar Zoti.

24 Pastaj kur turma pa që as Jezusi, as dishepujt e Tij nuk ishin atje, hipën në lundra dhe shkuan në Kapernaum, duke kërkuar Jezusin.

25 Me ta gjetur në anën tjetër të detit, i thanë: “Rabbi, kur paske ardhur këtu?”

26 Jezusi iu përgjigj dhe tha: “Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, po më kërkoni jo sepse patë shenjat, por sepse hëngrët nga bukët dhe u nginjët.

27 Mos punoni për ushqimin që prishet, por për ushqimin që mbetet për jetë të jetëve, të cilin do t’jua japë Biri i Njeriut, sepse mbi Të ka vënë vulën e vet Ati, Perëndia.”

28 Pastaj ata i thanë: “Çfarë të bëjmë, që të kryejmë punët e Perëndisë?”

29 Jezusi u përgjigj dhe u tha: “Puna e Perëndisë është kjo, të besoni në Atë që Ai ka dërguar.”

30 Atëherë ata i thanë: “Çfarë shenje bën Ti pra, që ne të shohim dhe të të besojmë? Çfarë bën Ti?

31 Etërit tanë hëngrën mananë në shkretëtirë, siç është shkruar: ‘Ai u dha të hanë bukë prej qiellit’.”

32 Atëherë Jezusi u tha: “Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, Moisiu nuk ju ka dhënë bukë nga qielli, por Ati Im ju jep bukën e vërtetë prej qiellit.

33 Sepse buka e Perëndisë është Ai që zbret nga qielli dhe i jep jetë botës.”

34 Pastaj ata i thanë: “Zot, na e jep përherë këtë bukë.”

35 Jezusi u tha: “Unë jam buka e jetës; atë që vjen tek Unë nuk e merr kurrë uria dhe atë që beson në Mua nuk e merr kurrë etja.

36 Por ju thashë, që megjithëse më keni parë nuk besoni.

37 Gjithçka që më jep Ati, do të vijë tek Unë, dhe atë që vjen tek Unë, kurrë nuk do ta flak jashtë.

38 Sepse kam zbritur nga qielli, jo që të bëj vullnetin Tim por vullnetin e Atij që më ka dërguar.

39 Vullneti i Atij që më dërgoi është ky: të mos humbas asgjë nga ajo që më ka dhënë Ai, por ta ngjall në ditën e fundit.

40 Sepse vullneti i Atit Tim është ky: kushdo, që sheh Birin dhe beson tek Ai, të ketë jetën e amshuar dhe që Unë ta ngjall në ditën e fundit.”

41 Prandaj judenjtë pëshpërisnin për Të, sepse tha: ‘Unë jam buka që zbriti nga qielli.’

42 Ata thoshin: “A nuk është ky Jezusi, i biri i Jozefit, atin dhe nënën e të cilit ne i njohim? Pra, si thënka: ‘Kam zbritur prej qiellit’?”

43 Jezusi u përgjigj dhe u tha: “Mos pëshpërisni me njëri-tjetrin.

44 Askush nuk mund të vijë tek Unë, po të mos e tërheqë Ati që më ka dërguar dhe Unë do ta ngjall në ditën e fundit.

45 Është shkruar te profetët: ‘Të gjithë do të marrin mësim nga Perëndia.’ Kushdo që e ka dëgjuar Atin dhe ka mësuar prej Tij, ai vjen tek Unë.

46 Jo se e ka parë ndonjë njeri Atin, përveç Atij që është prej Perëndisë, Ai e ka parë Atin.

47 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, kush beson ka jetën e amshuar.

48 Unë jam buka e jetës.

49 Etërit tuaj hëngrën mananë në shkretëtirë dhe vdiqën.

50 Kjo është buka që zbret nga qielli, që kush të hajë prej saj të mos vdesë.

51 Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli. Po të hajë njeri prej kësaj buke do të jetojë përjetë dhe vërtet, buka që do të jap Unë është mishi Im, që do ta jap për jetën e botës.”

52 Atëherë judenjtë filluan të haheshin me njëri-tjetrin, duke thënë: “Si mund të na japë ky njeri mishin [e Vet] për ta ngrënë?”

53 Atëherë Jezusi u tha: “Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, po të mos hani mishin e Birit të Njeriut, dhe të mos pini gjakun e Tij, nuk do të keni jetë brenda vetes.

54 Kush ha mishin Tim dhe pi gjakun Tim ka jetën e amshuar dhe Unë do ta ngjall në ditën e fundit.

55 Sepse mishi Im është ushqim i vërtetë dhe gjaku Im është pije e vërtetë.

56 Kush ha mishin Tim dhe kush pi gjakun Tim mbetet në Mua dhe Unë në të.

57 Ashtu si më dërgoi Ati që jeton dhe Unë jetoj prej Atit, po ashtu ai që ushqehet në Mua, edhe ai vetë, do të jetojë prej Meje.

58 Kjo është buka që zbriti nga qielli; jo siç hëngrën etërit dhe vdiqën. Kush ha këtë bukë do të jetojë për jetë të jetëve.”

59 Këto tha Ai në sinagogë, kur mësonte njerëzit në Kapernaum.

60 Prandaj shumë prej dishepujve të Tij, kur e dëgjuan, thanë: “Kjo fjalë është e rëndë. Kush mund ta dëgjojë?”

61 Jezusi, duke e ditur në vetvete që dishepujt e Tij po pëshpërisnin për këtë, u tha: “Kjo po ju shkandullon?

62 Po sikur të shihni Birin e Njeriut duke u ngjitur aty ku ishte më parë?

63 Është Fryma ajo që jep jetë. Mishi nuk vlen asgjë. Fjalët që ju kam folur Unë janë frymë dhe janë jetë.

64 Por midis jush ka disa që nuk besojnë.” Sepse Jezusi e dinte që në fillim kush ishin ata që nuk besojnin dhe kush do ta dorëzonte.

65 Ai thoshte: “Prandaj ju kam thënë, që askush nuk mund të vijë tek Unë, po të mos i jetë dhënë prej Atit.”

66 Që prej asaj kohe, shumë nga dishepujt e Tij u tërhoqën dhe nuk shkuan më me Të.

67 Pastaj Jezusi u tha të dymbëdhjetëve: “Mos doni të shkoni edhe ju?”

68 Simon Pjetri iu përgjigj: “Zot! Te kush të shkojmë? Ti ke fjalë të jetës së amshuar.

69 Ne kemi besuar dhe e kemi kuptuar që Ti je i Shenjti i Perëndisë.”

70 Jezusi iu përgjigj: “A nuk ju zgjodha Unë ju të dymbëdhjetë, dhe megjithatë njëri prej jush është djall?”

71 E kishte fjalën për Judën e Simon Iskariotit, sepse ky, një nga të dymbëdhjetët, ishte ai që do ta dorëzonte.

Kapitulli 7

1 Pas këtyre Jezusi endej nëpër Galile, meqë Ai nuk donte të kalonte nëpër Jude, sepse judenjtë e kërkonin ta vrisnin.

2 Po afrohej festa e judenjve, ajo e tabernakujve.

3 Prandaj vëllezërit e Tij i thanë: “Largohu prej këtej dhe shko në Jude, që t’i shohin edhe dishepujt e Tu punët që bën,

4 sepse askush nuk bën gjë në fshehtësi nëse kërkon të dalë hapur. Nëse Ti i bën këto gjëra, dil hapur para botës.”

5 Sepse as vëllezërit e Tij nuk besonin në Të.

6 Atëherë Jezusi u tha: “Koha Ime nuk ka ardhur ende, por koha juaj është gjithmonë gati.

7 Bota nuk mund t’ju urrejë ju, por më urren Mua, sepse Unë dëshmoj kundër saj, që punët e saj janë të liga.

8 Ngjituni vetë në festë, Unë nuk po ngjitem në këtë festë, sepse koha Ime nuk është përmbushur ende.”

9 Si tha këto gjëra, qëndroi në Galile.

10 Por kur vëllezërit e Tij u ngjitën për në festë, atëherë u ngjit edhe Ai, jo hapur, por në fshehtësi.

11 Ndërkaq judenjtë e kërkonin në festë dhe thoshin: “Ku është Ai?”

12 Midis turmave kishte shumë pëshpëritje për Të. Disa thoshin se ishte njeri i mirë; të tjerë thoshin të kundërtën, që Ai mashtronte turmën.

13 Megjithatë askush nuk fliste hapur për Të nga frika e judenjve.

14 Por, tani në mes të festës, Jezusi u ngjit në tempull dhe i mësonte njerëzit.

15 Atëherë judenjtë habiteshin, dhe thoshin: “Si i di ky njeri shkronjat pa mësuar?”

16 Atëherë Jezusi iu përgjigj dhe tha: “Mësimet e Mia nuk janë të Miat, por të Atij që më ka dërguar.

17 Nëse dikush dëshiron të bëjë vullnetin e Tij, ai do ta marrë vesh nëse këto mësime janë nga Perëndia, apo Unë flas nga vetja Ime.

18 Ai që flet nga vetja kërkon lavdinë e vet, por kush kërkon lavdinë e Atij që e ka dërguar Atë, Ai është i vërtetë dhe tek Ai nuk ka padrejtësi.

19 A nuk jua dha Moisiu Ligjin? Askush prej jush nuk e zbaton Ligjin. Përse kërkoni të më vrisni?”

20 Turma u përgjigj: “Ti ke demon. Kush kërkon të të vrasë?”

21 Jezusi u përgjigj dhe u tha: “Një punë bëra dhe të gjithë jeni të mrekulluar.

22 Prandaj Moisiu ju ka dhënë rrethprerjen (jo se është nga Moisiu, por nga etërit) dhe ju e rrethprisni njeriun edhe të shtunën.

23 Nëse një njeri rrethpritet të shtunën, që të mos shkelet Ligji i Moisiut, ju zemëroheni me Mua sepse shëndosha një njeri të tërë të shtunën?

24 Mos gjykoni nga dukja, por gjykoni me drejtësi.”

25 Disa nga Jeruzalemi thoshin: “A nuk është ky ai që ata kërkojnë ta vrasin?

26 Ja, ai po flet hapur, dhe asgjë nuk i thonë. Mos vallë e dinë për të vërtetë krerët që ky është Krishti?

27 Por ne e dimë nga është ky. Kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë se nga është.”

28 Pastaj Jezusi, ndërsa mësonte njerëzit në tempull, thirri dhe tha: “Edhe Mua më njihni dhe e dini nga jam. Unë nuk kam ardhur nga vetja Ime, por Ai që më ka dërguar është i vërtetë, të cilin ju nuk e njihni.

29 Unë e njoh Atë, sepse prej Tij jam dhe Ai më ka dërguar.”

30 Prandaj ata kërkonin ta kapnin; por kurrkush nuk vuri dorë mbi Të, sepse nuk kishte ardhur ende ora e Tij.

31 Por shumë nga turma besuan tek Ai dhe thoshin: “Kur të vijë Krishti, a do të bëjë Ai më shumë mrekulli se ato që bëri Ky?”

32 Farizejtë dëgjuan turmën duke pëshpëritur këto gjëra për Të. Kryepriftërinjtë dhe farizejtë dërguan rojat që ta kapnin.

33 Atëherë Jezusi tha: “Edhe për pak kohë jam me ju dhe do të shkoj tek Ai që më ka dërguar.

34 Do të më kërkoni dhe nuk do të më gjeni, dhe aty ku do të jem Unë, ju nuk mund të vini.”

35 Judenjtë thanë me njëri-tjetrin: “Ku ka për të shkuar ky, që ne nuk do ta gjejmë? Mos do të shkojë në diasporën e grekëve dhe të mësojë grekët?

36 Ç’është kjo fjalë që tha: ‘Do të më kërkoni dhe nuk do të më gjeni dhe atje ku do të jem Unë, ju nuk mund të vini’?”

37 Në ditën e fundit, ditën e madhe të festës, Jezusi qëndroi dhe thirri, duke thënë: “Po të ketë etje njeri, le të vijë tek Unë dhe të pijë.

38 Ai që beson në Mua, siç e ka thënë Shkrimi: ‘lumenj me ujë të gjallë do të rrjedhin nga brenda tij’.”

39 Por këtë Ai e tha për Frymën, që kishin për ta marrë ata që besonin në Të. Sepse Fryma nuk ishte dhënë ende, meqë Jezusi ende nuk e kishte marrë lavdinë.

40 Prandaj disa prej turmës, duke dëgjuar këto fjalë, thoshin: “Ky është vërtet Profeti.”

41 Të tjerë thoshin: “Ky është Krishti.” Kurse disa të tjerë thoshin: “Mos vjen vallë Krishti nga Galileja?

42 A nuk është thënë në Shkrim, që Krishti vjen nga farë e Davidit dhe nga Betlehemi, fshati ku ishte Davidi?”

43 Prandaj, për shkak të Tij, pati përçarje midis turmës.

44 Disa prej tyre donin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi Të.

45 Pastaj tek kryepriftërinjtë dhe farizejtë erdhën rojat. Ata u thanë: “Përse nuk e sollët?”

46 Rojat u përgjigjën: “Kurrë nuk ka folur njeri kështu.”

47 Atëherë farizejtë iu përgjigjën: “Mos jeni mashtruar edhe ju?

48 A ka besuar tek Ai ndonjë nga krerët ose nga farizejtë?

49 Por kjo turmë që nuk e njeh Ligjin është e mallkuar.”

50 Nikodemi, që ishte një prej tyre dhe që kishte ardhur tek Ai më parë, u tha,

51 “A e dënon njeriun Ligji ynë, pa e dëgjuar më parë dhe pa ditur çfarë ka bërë?”

52 Ata u përgjigjën dhe i thanë: “Mos je edhe ti nga Galileja? Kërko dhe do të shikosh që nuk ka dalë profet nga Galileja.”

53 Dhe shkuan, secili në shtëpinë e vet.

Kapitulli 8

1 Jezusi shkoi në malin e Ullinjve.

2 Herët në mëngjes Ai erdhi përsëri në tempull dhe i gjithë populli erdhi tek Ai. Pasi u ul, filloi të mësonte njerëzit.

3 Skribët dhe farizejtë sollën një grua, që e kishin kapur duke tradhtuar burrin. Si e vunë gruan në mes,

4 i thanë Atij: “Mjeshtër, kjo grua u kap duke tradhtuar burrin.

5 Moisiu na ka porositur në Ligj që të tilla duhen të vriten me gurë. Po Ti, çfarë thua?”

6 Këtë e thoshin për ta vënë në provë, që të kishin për çfarë ta padisnin. Por Jezusi, si u përkul poshtë, filloi të shkruante me gisht në tokë.

7 Ndërsa vazhdonin me ngulm ta pyesnin, Ai u ngrit dhe u tha: “Kush prej jush është pa mëkate, le ta hedhë i pari gurin mbi të”,

8 dhe u përkul përsëri dhe po shkruante në tokë.

9 Ata që e dëgjuan, filluan të dalin një nga një, duke nisur nga më të moshuarit. Ai mbeti vetëm, si dhe gruaja që ishte aty në mes.

10 Kur u ngrit, Jezusi i tha asaj: “Grua, ç’u bënë ata? Askush nuk të paska dënuar?”

11 Ajo tha: “Askush, Zot.” Atëherë Jezusi tha: “As Unë nuk po të dënoj. Shko dhe tani e tutje mos mëkato më.”

12 Pastaj Jezusi u foli përsëri atyre, duke thënë: “Unë jam drita e botës; kush vjen pas Meje nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.”

13 Atëherë farizejtë i thanë: “Ti po dëshmon për veten Tënde. Dëshmia Jote nuk është e vërtetë.”

14 Jezusi u përgjigj dhe u tha: “Edhe pse Unë dëshmoj për veten Time, dëshmia Ime është e vërtetë, sepse Unë e di nga kam ardhur dhe ku po shkoj, kurse ju nuk e dini as nga vij, as ku shkoj.

15 Ju gjykoni sipas mishit; Unë nuk gjykoj askënd.

16 Por edhe sikur Unë të gjykoj, gjykimi Im është i vërtetë, sepse Unë nuk jam vetëm, por jam Unë dhe Ati që më ka dërguar.

17 Edhe në ligjin tuaj është shkruar, që dëshmia e dy njerëzve është e vërtetë.

18 Unë jam ai që dëshmoj për vetveten dhe Ati që më ka dërguar dëshmon për Mua.”

19 Atëherë ata i thanë: “Ku është Ati yt?” Jezusi u përgjigj: “Ju nuk më njihni as Mua, as Atin Tim. Po të më njihnit Mua, do të njihnit edhe Atin Tim .”

20 Ai i foli këto fjalë në vendin e thesarit, duke i mësuar njerëzit në tempull. Askush nuk e kapi, sepse ende nuk kishte ardhur ora e Tij.

21 Atëherë ai u tha përsëri: “Unë po shkoj dhe ju do të më kërkoni dhe do të vdisni në mëkatin tuaj. Atje ku shkoj Unë, ju nuk mund të vini.”

22 Atëherë judenjtë thoshin: “Mos do të vrasë veten, sepse thotë: ‘Ku po shkoj Unë, ju nuk mund të vini’?”

23 Ai u thoshte: “Ju jeni nga poshtë, Unë jam nga lart; ju jeni nga kjo botë, Unë nuk jam nga kjo botë.

24 Prandaj ju thashë që ju do të vdisni në mëkatet tuaja; sepse po të mos besoni që Unë jam Ai, ju do të vdisni në mëkatet tuaja.”

25 Pastaj ata i thanë: “Kush je ti?” Jezusi u tha: “Çfarë ju thashë që në fillim?

26 Shumë gjëra kam për të folur e për të gjykuar për ju. Por Ai që më ka dërguar Mua, është i vërtetë dhe gjërat që kam dëgjuar prej Tij, ia them botës.”

27 Ata nuk e kuptuan që Ai po u thoshte për Atin.

28 Atëherë Jezusi [u] tha: “Kur të lartësoni Birin e Njeriut, atëherë ju do ta dini që Unë jam Ai dhe që nuk bëj asgjë prej vetes Sime. Por po jua them këto siç m’i ka mësuar Ati.

29 Ai që më ka dërguar është me Mua. Ai nuk më ka lënë vetëm, sepse Unë bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë Atij.”

30 Ndërsa po thoshte këto, shumë besuan tek Ai.

31 Pastaj Jezusi u thoshte atyre judenjve që i besuan Atij: “Po të qëndroni në fjalën Time, jeni vërtet dishepujt e Mi.

32 Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.”

33 Ata iu përgjigjën: “Ne jemi farë e Abrahamit dhe kurrë nuk kemi qenë skllevër të ndokujt. Si thua Ti: ‘Do të bëheni të lirë’?”

34 Jezusi iu përgjigj: “Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them se, kush bën mëkat, është skllav i mëkatit.

35 Skllavi nuk qëndron në shtëpi përjetë; Biri qëndron përjetë.

36 Pra, po t’ju çlirojë Biri, do të jeni me të vërtetë të lirë.

37 E di që jeni farë e Abrahamit. Ju kërkoni të më vrisni, sepse fjala Ime nuk zë vend te ju.

38 Unë flas ato që kam parë tek Ati dhe ju pra, bëni ato që keni dëgjuar prej atit tuaj.”

39 Ata u përgjigjën dhe i thanë: “Abrahami është ati ynë.” Jezusi u tha: “Po të ishit fëmijë të Abrahamit, do të bënit punët e Abrahamit.

40 Por tani ju kërkoni të më vrisni, njeriun që ju ka folur të vërtetën, të cilën e kam dëgjuar prej Perëndisë; këtë Abrahami nuk e ka bërë.

41 Ju bëni punët e atit tuaj.” [Pastaj] ata i thanë: “Ne nuk kemi lindur si fëmijë të paligjshëm. Ne kemi një Atë, Perëndinë.”

42 Jezusi u tha: “Po të ishte Perëndia Ati juaj, ju do të më donit Mua, sepse Unë kam dalë dhe kam ardhur nga Perëndia. Sepse nuk kam ardhur nga vetja Ime, por Ai më ka dërguar.

43 Përse nuk i merrni vesh ato që them Unë? Sepse nuk mund të dëgjoni fjalën Time.

44 Ju jeni prej atit tuaj, djallit, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj. Ai ishte vrasës që në fillim dhe nuk qëndronte në të vërtetën, sepse e vërteta nuk ishte në të. Kur dikush thotë një gënjeshtër, ai flet prej vetes së vet, sepse është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës.

45 Dhe mua, ngaqë them të vërtetën, nuk më besoni.

46 Kush prej jush më fajëson Mua për mëkat? Nëse them të vërtetën, përse nuk më besoni?

47 Kush është prej Perëndisë dëgjon fjalët e Perëndisë, por ju nuk i dëgjoni, sepse nuk jeni prej Perëndisë.”

48 Judenjtë u përgjigjën dhe i thanë: “Nuk e themi mirë ne që Ti je samaritan dhe ke demon?”

49 Jezusi u përgjigj: “Unë nuk kam demon, por nderoj Atin Tim dhe ju nuk më nderoni.

50 Unë nuk kërkoj lavdinë Time; atë ka kush e kërkon dhe e gjykon.

51 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, nëse dikush e mban fjalën Time, ai nuk do të shohë vdekje përjetë.”

52 [Atëherë] judenjtë i thanë: “Tani e morëm vesh që paske demon. Abrahami ka vdekur, po ashtu edhe profetët, dhe Ti thua: ‘Nëse dikush mban fjalën Time, ai nuk do të shijojë vdekje përjetë’.”

53 Mos je Ti më i madh se ati ynë Abrahami, që ka vdekur? Edhe profetët kanë vdekur. Çfarë e pandeh Ti veten?”

54 Jezusi u përgjigj: “Nëse Unë i jap lavdi vetes Sime, lavdia Ime nuk është asgjë. Ati Im është Ai që më jep lavdi, për të cilin ju thoni: ‘Është Perëndia jonë’.

55 Ju nuk e njihni, por Unë e njoh. Edhe sikur të them që nuk e njoh, do të jem ashtu si ju gënjeshtar. Por Unë e njoh dhe mbaj fjalën e Tij.

56 Ati juaj, Abrahami, ngazëllehej që të shihte ditën Time; ai e pa dhe u gëzua.”

57 Pastaj judenjtë i thanë: “Ti ende nuk i ke të pesëdhjetat dhe paske parë Abrahamin?”

58 Jezusi u tha: “Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, përpara se të lindte Abrahami, Unë jam.”

59 Atëherë ata morën gurë që ta qëllonin, por Jezusi u fsheh dhe doli nga tempulli.

Kapitulli 9

1 Duke kaluar, pa një njeri që kishte lindur i verbër.

2 Dishepujt e pyetën dhe i thanë: “Rabbi, kush ka mëkatuar, ky apo prindërit e tij, që ka lindur i verbër?”

3 Jezusi u përgjigj: “As ky nuk ka mëkatuar, as prindërit e tij. Por kjo ka ndodhur që tek ai të duken punët e Perëndisë.

4 Neve na duhet të kryejmë punët e Atij që më ka dërguar, sa është ditë; vjen nata, kur askush nuk mund të punojë.

5 Sa kohë që jam në botë, Unë jam drita e botës.”

6 Pasi tha këto, pështyu përdhe, bëri baltë prej pështymës, ia leu sytë me të

7 dhe i tha: “Shko e lahu në pellg të Siloamit,” (që përkthehet, I dërguari). Ai shkoi e u la dhe erdhi duke shikuar.

8 Atëherë fqinjët dhe ata që e kishin parë më përpara që ai ishte lypës, thoshin: “A nuk është ky ai që rrinte ulur dhe lypte?”

9 Të tjerë thoshin: “Ky është ai” e të tjerë thoshin: “Jo, por i ngjan atij.” Ai thoshte: “Unë jam ai.”

10 Ata pra, i thoshin: “Si [pra] t’u hapën sytë?

11 Ai u përgjigj: “Një njeriu që quhet Jezus bëri baltë, më leu sytë dhe më tha: ‘Shko në Siloam dhe lahu’. Shkova dhe me t’u larë, më erdhën sytë.”

12 Ata i thanë: “Ku është Ai?” Ai tha: “Nuk e di.”

13 Atë që më parë ishte i verbër e çuan te farizejtë.

14 Ishte e shtunë dita në të cilën Jezusi bëri baltën dhe ia hapi atij sytë.

15 Pastaj farizejtë po ashtu e pyesnin përsëri, se si i erdhi shikimi. Ai u tha: “Ai vuri baltë mbi sytë e mi, u lava dhe shoh.”

16 Atëherë disa prej farizejve thoshin: “Ky njeri nuk është prej Perëndisë, sepse Ai nuk e mban të shtunën.” Por të tjerë thoshin: “Si ka mundësi që një njeri mëkatar të bëjë të tilla shenja?” Midis tyre lindi një përçarje.

17 Pastaj ata i thanë përsëri të verbrit: “Çfarë thua ti për Të, meqë Ai t’i hapi sytë?” Ai tha: “Ai është profet.”

18 Por, judenjtë nuk besuan që ai kishte qenë i verbër dhe i erdhën sytë, derisa u bënë zë prindërve të atij që i kishte ardhur shikimi.

19 I pyetën dhe u thanë: “A është ky djali juaj, që thoni se ka lindur i verbër? E si sheh ai tani?”

20 Atëherë prindërit e tij u përgjigjën dhe thanë: “E dimë që ky është djali ynë dhe që ka lindur i verbër.

21 Por se si sheh ai tani, nuk e dimë, as kush ia hapi sytë nuk e dimë. Pyeteni, ai është në moshë dhe do të flasë vetë për veten e tij.”

22 Prindërit e tij i thanë këto gjëra sepse u druheshin judenjve, sepse judenjtë tashmë kishin rënë në ujdi që kushdo që do të pohonte se Ai ishte Krishti, do të përjashtohej prej sinagogës.

23 Prandaj prindërit e tij thanë: “Ai është në moshë, pyeteni atë.”

24 Pastaj thirrën edhe një herë njeriun që ishte i verbër dhe i thanë: “Jepi lavdi Perëndisë. Ne e dimë që ky njeri është mëkatar.”

25 Atëherë ai u përgjigj: “Nëse Ai është mëkatar apo jo, nuk e di; një gjë e di, isha i verbër, tani shikoj.”

26 Pastaj ata i thanë: “Çfarë të bëri Ai? Si t’i hapi sytë?

27 Ai iu përgjigj: “Jua thashë tashmë dhe ju nuk e dëgjuat. Përse doni ta dëgjoni përsëri? Mos doni të bëheni edhe ju dishepuj të Tij?”

28 Ata e shanë dhe i thanë: “Ti je dishepull i Atij, kurse ne jemi dishepujt e Moisiut.

29 Ne e dimë që Perëndia i foli Moisiut, por këtë nuk e dimë nga është.”

30 Njeriu u përgjigj dhe u tha: “E pra, kjo është çuditshme që ju nuk e ditkeni nga është dhe megjithatë Ai m’i hapi sytë.

31 E dimë që Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por nëse dikush ka frikë Perëndinë dhe bën vullnetin e Tij, këtë e dëgjon.

32 Që prej fillimit të jetës nuk është dëgjuar që ndokush t’i hapë sytë atij që ka lindur i verbër.

33 Po të mos ishte ky prej Perëndisë, nuk do të mund të bënte asgjë.”

34 Ata u përgjigjën dhe i thanë: “Ti i tëri ke lindur në mëkate dhe na mëson ne?” Dhe e flakën jashtë.

35 Jezusi dëgjoi që ata e kishin flakur jashtë dhe, kur e gjeti, tha: “A beson ti në Birin e Njeriut?”

36 Ai u përgjigj dhe tha: “E kush është Ai, Zotëri, që unë të besoj tek Ai?”

37 Jezusi i tha: “Ti e ke parë; është Ai që po flet me ty.”

38 Ai tha: “Besoj, Zot” dhe e adhuroi Atë.

39 Jezusi tha: “Për gjykim kam ardhur Unë në këtë botë, që ata të cilët nuk shikojnë të shohin dhe ata që shikojnë të bëhen të verbër.”

40 Disa prej fariesejve që ishin me ta i dëgjuan këto dhe i thanë: “Mos jemi edhe ne të verbër?”

41 Jezusi u tha: “Po të ishit të verbër, ju nuk do të kishit mëkat. Por tani thoni: ‘Shohim’, prandaj mëkati juaj mbetet.”

Kapitulli 10

1 “Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, ai që nuk hyn nga dera në vathën e dhenve por ngjitet nga ndonjë vend tjetër, ai është vjedhës dhe kusar.

2 Por ai që hyn nga dera është bari i dhenve.

3 Këtij ia hap derën rojtari dhe dhentë dëgjojnë zërin e tij. I thërret me emër dhentë e veta dhe i nxjerr jashtë.

4 Kur i nxjerr të gjitha dhentë e veta, shkon para tyre dhe dhentë i venë pas, sepse e njohin zërin e tij.

5 Ato nuk do t’i shkojnë kurrë pas një të huaji, por do të ikin prej tij, sepse nuk e njohin zërin e të huajve.”

6 Këtë shëmbëlltyrë u tha Jezusi, por ata nuk morën vesh për çfarë po u fliste Ai.

7 Atëherë Jezusi u tha përsëri: “Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, Unë jam dera e dhenve.

8 Të gjithë sa kanë ardhur para meje janë vjedhës dhe kusarë, por dhentë nuk i dëgjuan ata.

9 Unë jam dera; po të hyjë dikush përmes Meje do të shpëtohet; do të hyjë e do të dalë dhe do të gjejë kullota.

10 Vjedhësi nuk vjen, veçse që të vjedhë, të vrasë e të shkatërrojë. Unë kam ardhur që të kenë jetë dhe ta kenë me bollëk.

11 Unë jam bariu i mirë. Bariu i mirë jep jetën e vet për dhentë.

12 Rrogëtari që nuk është bari, i cili nuk i ka dhentë të vetat, e sheh ujkun duke ardhur, i braktis dhentë dhe ikën; ujku i rrëmben dhe i arrakat ato.

13 Sepse rrogëtar është dhe nuk shqetësohet për dhentë.

14 Unë jam bariu i mirë dhe i njoh dhentë e Mia dhe dhentë e Mia më njohin Mua –

15 Siç më njeh Ati Mua, edhe Unë e njoh Atin – dhe jap jetën Time për dhentë.

16 Kam edhe dhen të tjera, që nuk janë prej kësaj vathe. Më duhet t’i mbledh edhe ato, të cilat do ta dëgjojnë zërin Tim dhe do të jetë vetëm një grigjë, vetëm një bari.

17 Prandaj më do Ati Mua, sepse Unë jap jetën Time, që ta marr përsëri.

18 Askush nuk ma heq, por Unë e jap atë nga vetja Ime. Unë kam pushtet ta jap dhe kam pushtet ta marr atë përsëri. Këtë porosi e kam marrë prej Atit tim.”

19 Përsëri pati një përçarje ndër judenjtë për shkak të këtyre fjalëve.

20 Shumë prej tyre thoshin: “Ai ka demon dhe është i çmendur. Përse e dëgjoni?”

21 Të tjerë thoshin: “Këto fjalë nuk janë të atij që ka demon. A mundet një demon t’u hapë sytë të verbërve?”

22 Pastaj u kremtua festa e Përkushtimit në Jeruzalem; ishte dimër.

23 Jezusi po ecte në tempull nën portikun e Solomonit.

24 Atë e rrethuan judenjtë dhe i thoshin: “Deri kur do të na e mbash shpirtin pezull? Nëse ti je Krishti, na e thuaj hapur.”

25 Jezusi iu përgjigj: “Jua kam thënë dhe nuk besoni; punët që bëj Unë në emër të Atit Tim, ato dëshmojnë për Mua.

26 Por ju nuk besoni, sepse ju nuk jeni prej dhenve të Mia.

27 Dhentë e Mia e dëgjojnë zërin Tim; Unë i njoh dhe ato më vijnë pas.

28 Unë u jap jetën e amshuar dhe ato nuk do të humbasin përjetë; askush nuk do të m’i rrëmbejë nga dora.

29 Ati im, që m’i ka dhënë, është më i madhi i të gjithëve dhe askush nuk mund t’ia rrëmbejë Atit nga dora.

30 Unë dhe Ati jemi një.”

31 Judenjtë morën përsëri gurë që ta vrisnin.

32 Jezusi iu përgjigj: “Shumë punë të mira ju kam treguar prej Atit. Për cilën prej tyre po më qëlloni me gurë?”

33 Judenjtë iu përgjigjën: “Nuk të qëllojmë me gurë për punë të mirë, por për blasfemi, sepse Ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi.”

34 Jezusi iu përgjigj: “A nuk është shkruar në Ligjin tuaj: ‘Unë kam thënë, jeni perëndi’?

35 Nëse i quajti perëndi ata, tek të cilët erdhi fjala e Perëndisë (dhe Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë),

36 a thoni ju për Atë që Ati e shenjtëroi dhe e dërgoi në botë: ‘Po blasfemon’, sepse thashë: ‘Jam Bir i Perëndisë’?

37 Nëse nuk bëj punët e Atit Tim, mos më besoni.

38 Por nëse i bëj, edhe sikur të mos më besoni Mua, u besoni punëve, që ta dini dhe ta merrni vesh që Ati është në Mua dhe Unë në Atin.”

39 Prandaj e kërkonin përsëri ta kapnin, por Ai u shpëtoi nga duart.

40 U largua përsëri përtej Jordanit në vendin ku ishte duke pagëzuar më parë Gjoni dhe qëndroi atje.

41 Shumë shkuan tek Ai dhe thoshin: “Gjoni vërtet nuk bëri asnjë shenjë, por të gjitha sa tha Gjoni për këtë njeri janë të vërteta.”

42 Shumë veta atje besuan tek Ai.

Kapitulli 11

1 Ishte një i sëmurë, me emrin Llazar nga Betania, fshati i Marisë dhe i Martës, motrës së saj.

2 Maria ishte ajo që e kishte lyer me vaj erëmirë dhe i kishte fshirë këmbët me flokët e vet; vëllai i saj, Llazari, ishte i sëmurë.

3 Prandaj motrat e dërguan tek Ai, që t’i thoshte: “Zot, ja, ai që Ti do është i sëmurë.”

4 Kur Jezusi e dëgjoi, tha: “Kjo sëmundje nuk është për vdekje, por për lavdinë e Perëndisë, që Biri i Perëndisë të marrë lavdi nëpërmjet saj.”

5 Jezusi e donte Martën, motrën e saj dhe Llazarin.

6 Pra, kur dëgjoi që ai ishte i sëmurë, qëndroi edhe dy ditë në vendin ku ishte.

7 Pastaj, pas kësaj, u tha dishepujve: “Të shkojmë përsëri në Jude.”

8 Dishepujt i thanë: “Rabbi, judenjtë sapo kërkonin të të vrisnin me gurë dhe Ti po shkon përsëri atje?”

9 Jezusi u përgjigj: “A nuk ka dita dymbëdhjetë orë? Po të ecë njeriu ditën, nuk pengohet, sepse shikon dritën e kësaj bote.

10 Por, po të ecë natën, pengohet, sepse drita nuk është në të.”

11 Këto gjëra tha Ai dhe pas kësaj u tha: “Miku ynë Llazari, ka rënë të flerë, por Unë po shkoj ta zgjoj.”

12 Pastaj dishepujt i thanë: “Zot, në qoftë se po fle, do ta marrë veten.”

13 Por Jezusi e kishte fjalën për vdekjen e tij. Ata menduan se thoshte për të fjeturit e gjumit.

14 Atëherë Jezusi u tha hapur: “Llazari ka vdekur.

15 Dhe gëzohem për ju, që nuk u ndodha atje, që të besoni. Por le të shkojmë tek ai.”

16 Pastaj Thomai, i quajtur Binjaku, u tha bashkëdishepujve: “Shkojmë edhe ne, që të vdesim bashkë me Të.”

17 Pra, kur erdhi Jezusi, pa se ai kishte bërë katër ditë në varr.

18 Betania ishte afër Jeruzalemit, rreth pesëmbëdhjetë stade larg.

19 Shumë prej judenjve kishin ardhur te Marta dhe Maria për t’i ngushëlluar për të vëllanë.

20 Prandaj Marta kur dëgjoi që po vinte Jezusi, erdhi për ta takuar. Ndërsa Maria qëndroi në shtëpi.

21 Pastaj Marta i tha Jezusit: “Zot, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur.

22 [Por] edhe tani e di që çfarëdo që t’i kërkosh Perëndisë, Perëndia do të ta japë.”

23 Jezusi i tha: “Yt vëlla do të ngrihet përsëri.”

24 Marta i tha: “E di që do të ngrihet përsëri gjatë ngjalljes në ditën e fundit.”

25 Jezusi i tha: “Unë jam ngjallja dhe jeta. Kush beson në Mua, edhe po të vdesë, do të jetojë.

26 Kush jeton dhe beson në Mua, nuk do të vdesë në jetë të jetëve. E beson këtë?”

27 Ajo i tha: “Po, Zot. Unë kam besuar që Ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që ka ardhur në botë.”

28 Si tha këtë, u largua dhe i bëri zë fshehtas Marisë motrës së vet, duke thënë: “Mjeshtri ka ardhur dhe po të thërret.”

29 Me ta dëgjuar, ajo u ngrit menjëherë dhe shkoi tek Ai.

30 Jezusi nuk kishte arritur ende në fshat, por ishte në vendin ku e kishte takuar Marta.

31 Atëherë judenjtë, që ishin me të në shtëpi dhe që po e ngushëllonin, kur panë që Maria u ngrit menjëherë dhe doli, i shkuan pas, duke menduar që po vente te varri për të qarë atje.

32 Pastaj, kur erdhi Maria aty ku ishte Jezusi dhe e pa Atë, i ra ndër këmbë, duke i thënë: “Zot, po të ishe Ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur.”

33 Atëherë Jezusi kur e pa që ajo po qante, si edhe judenjtë që erdhën me të duke qarë, rënkoi në shpirt dhe u trondit.

34 Ai tha: “Ku e keni vënë?” Ata i thanë: “Zot, eja e shiko.”

35 Jezusi qau me lot.

36 Pastaj judenjtë thoshin: “Pa shiko sa e donte.”

37 Disa prej tyre thanë: “Ky që i hapi sytë të verbrit, nuk mund të bënte që as ky të mos vdiste?”

38 Jezusi pra, ende i prekur thellë, shkoi te varri. Aty ishte një guvë dhe mbi të ishte vënë një gur.

39 Jezusi tha: “Hiqeni gurin!” Marta, e motra e atij që kishte vdekur, i tha: “Zot, ai tashmë bie erë, sepse ka katër ditë që ka vdekur.”

40 Jezusi i tha: “A nuk të thashë që po të besosh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë?”

41 Atëherë ata hoqën gurin. Jezusi ngriti sytë lart dhe tha: “O Atë, të falënderoj që më dëgjove.

42 Unë e dija që gjithmonë më dëgjon, por e thashë për turmën që është përreth, që të besojnë se Ti më ke dërguar.”

43 Si tha këto, thirri me zë të lartë: “Llazar, dil jashtë!”

44 Ai që kishte vdekur doli jashtë, me këmbët e duart të lidhura me rripa qefini dhe fytyrën të mbështjellë me një rizë. Jezusi u tha: “Zgjidheni dhe lëreni të shkojë!”

45 Pastaj shumë prej judenjve që kishin ardhur te Maria dhe kishin parë ato që bëri Ai, besuan në Të.

46 Por disa prej tyre u larguan për tek farizejtë dhe u thanë ato që bëri Jezusi.

47 Atëherë kryepriftërinjtë dhe farizejtë mblodhën këshillin dhe thoshin: “Ç’të bëjmë? Sepse ky njeri po bën shumë shenja.

48 Po ta lemë të vazhdojë kështu, të gjithë do të besojnë tek Ai dhe do të vijnë romakët e do të na rrëmbejnë edhe vendin, edhe kombin tonë.”

49 Njëri prej tyre, Kaifa, që ishte kryeprift atë vit, u tha: “Ju nuk dini asgjë.

50 As nuk e merrni me mend se është më me leverdi për ju që të vdesë një njeri për popullin dhe të mos shkatërrohet i tërë kombi.”

51 Këtë nuk e tha prej vetes së vet, por duke qenë kryeprift i atij viti, ai profetizoi që Jezusi do të vdiste për kombin.

52 Dhe jo vetëm për kombin, por për të mbledhur në një edhe fëmijët e shpërndarë të Perëndisë.

53 Që prej asaj dite, pra, ata ranë në ujdi që ta vrisnin.

54 Prandaj Jezusi nuk ecte më hapur midis judenjve, por u largua prej andej në një vend pranë shkretëtirës, në një qytet që quhej Efraim, dhe qëndroi atje me dishepujt.

55 Pashkët e judenjve ishin pranë dhe shumë prej asaj krahine u ngjitën në Jeruzalem para Pashkëve që të pastroheshin.

56 Ata pra, e kërkonin Jezusin dhe thoshin me njëri-tjetrin tek rrinin në tempull: “Si ju duket? Nuk do të vijë vallë në festë?”

57 Kryepriftërinjtë dhe farizejtë kishin dhënë urdhër që po ta merrte vesh njeri se ku ishte, të njoftonte, që ta kapnin.

Kapitulli 12

1 Pastaj Jezusi, gjashtë ditë para Pashkëve, erdhi në Betani, ku ishte Llazari, të cilin Jezusi e kishte ngjallur prej të vdekurve.

2 Ata ia bënë darkën atje; Marta shërbente dhe një nga ata që ishin shtruar për të ngrënë me Të ishte edhe Llazari.

3 Pastaj Maria mori një litër vaj erëmirë prej livande të papërzier, shumë të shtrenjtë, dhe i leu me vaj këmbët Jezusit dhe me flokët e vet i fshiu këmbët; shtëpia u mbush me aromën e vajit erëmirë.

4 Judë Iskarioti, njëri nga dishepujt e Tij, ai që do ta dorëzonte, tha,

5 “Përse nuk u shit ky vaj erëmirë për treqind denarë dhe t’u jepej të vobektëve?”

6 E tha këtë jo sepse shqetësohej për të vobektit, por sepse ishte vjedhës dhe duke pasur qesen mbante ato që shtiheshin në të.

7 Pastaj Jezusi tha: “Lëreni, që ta ruajë për ditën e varrimit Tim.

8 Sepse të varfrit i keni gjithmonë me vete, por Mua nuk do të më keni gjithmonë.”

9 Një turmë e madhe judenjsh e mori vesh që Ai është atje dhe erdhën jo vetëm për Jezusin, por që të shihnin edhe Llazarin, të cilin Ai e ngriti prej të vdekurve.

10 Por kryepriftërinjtë morën vendim që ta vrisnin edhe Llazarin,

11 sepse nga shkaku i tij po u iknin shumë judenj dhe po besonin te Jezusi.

12 Të nesërmen, turma e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjuan që po vinte Jezusi në Jeruzalem,

13 morën degë palmash dhe dolën për ta takuar dhe thërrisnin: “Hosana! I bekuar është ai që vjen në emër të Zotit! I bekuar është Mbreti i Izraelit!”

14 Jezusi gjeti një kërriç dhe u ul mbi të, siç është shkruar,

15 “Mos ki frikë, o bija e Sionit. Ja, mbreti yt po vjen, i ulur mbi një kërriç.”

16 Dishepujt pra, në fillim nuk i morën vesh këto, por kur Jezusi mori lavdi, atëherë ata u kujtuan që këto ishin shkruar për Të dhe këto gjëra ia kishin bërë Atij.

17 Kështu turma që ishte me Të kur Ai e thirri Llazarin të dilte nga varri dhe e ngriti prej të vdekurve, dëshmoi për Të.

18 Prandaj turma shkoi për ta takuar, sepse e kishte dëgjuar që Ai kishte bërë këtë shenjë.

19 Atëherë farizejtë thanë midis tyre: “E shihni, nuk po fitoni asgjë. Ja, bota po shkon pas Tij.”

20 Midis atyre që u ngjitën për të adhuruar gjatë festës, ishin disa grekë.

21 Këta pra, erdhën te Filipi, që ishte nga Betsaida e Galilesë dhe filluan ta pyesin e t’i thonë: “Zotëri, duam të shohim Jezusin.”

22 Filipi shkoi e ia tha Andreas; Andrea e Filipi erdhën dhe i thanë Jezusit.

23 Jezusi u përgjigj, duke thënë: “Ka ardhur ora që Biri i Njeriut të marrë lavdi.

24 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, po të mos bjerë përdhe kokrra e grurit e të mos vdesë, ajo mbetët e vetme, por po të vdesë, jep shumë fryt.

25 Ai që e do jetën e vet, e humbet atë dhe ai që e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë përjetë.

26 Nëse dikush më shërben, le të më ndjekë dhe atje ku jam Unë, aty do të jetë edhe shërbëtori Im. Nëse dikush më shërben, do të nderohet prej Atit.

27 Tani shpirti Im është i shqetësuar. Çfarë të them? O Atë, më shpëto nga nga kjo orë? Por për këtë kam ardhur në këtë orë.

28 O Atë, jepi lavdi emrit Tënd.” Pastaj një zë erdhi nga qielli: “Jo vetëm që i kam dhënë lavdi, por edhe do t’i jap përsëri lavdi.”

29 Atëherë turma që kishte qëndruar dhe dëgjuar, thoshte se ishte bubullimë; të tjerë thoshin: “I foli një engjëll.”

30 Jezusi u përgjigj dhe tha: “Ky zë nuk erdhi për Mua, por për ju.

31 Tani është gjykimi i kësaj bote. Tani i pari i kësaj bote do të flaket jashtë.

32 Dhe Unë, kur të ngrihem lart prej dheut, do t’i tërheq të gjithë pranë vetes.”

33 Këtë e thoshte për të treguar nga ç’lloj vdekjeje do të vdiste.

34 Pastaj turma iu përgjigj: “Ne kemi dëgjuar prej Ligjit që Krishti mbetet përjetë. Si thua Ti që Biri i Njeriut duhet të ngrihet lart? Kush është ky Biri i Njeriut?”

35 Atëherë Jezusi u tha: “Edhe për pak kohë është drita ndër ju. Ecni sa keni dritën, se mos ju zë errësira. Ai që ecën në errësirë nuk e di se ku shkon.

36 Sa keni dritën, besoni në dritën, që të bëheni bijtë e dritës.” Këto foli Jezusi dhe u largua e u fsheh prej tyre.

37 Megjithëse kishte bërë kaq shumë shenja para tyre, ata nuk besonin tek Ai,

38 që të përmbushej fjala e profetit Isaia, që kishe thënë: ‘Zot, kush i besoi asaj që thamë ne. Kujt iu zbulua krahu i Zotit?’

39 Prandaj nuk mund të besonin, sepse Isaia kishte thënë përsëri:

40 “U ka verbuar sytë dhe u ka ashpërsuar zemrën, se mos shohin me sy, kuptojnë me zemër, kthehen dhe t’i shëroj.”

41 Këto tha Isaia, kur pa lavdinë e Tij dhe foli për Të.

42 Megjithatë edhe prej krerëve, shumë besuan në Të, por nga shkaku i farizejve nuk e pohonin, se mos i përjashtonin nga sinagoga,

43 sepse ata deshën më shumë lavdinë e njerëzve sesa lavdinë e Perëndisë.

44 Atëherë Jezusi thirri dhe tha: “Ai që beson në Mua, nuk beson në Mua, por në Atë që më ka dërguar.

45 Ai që më sheh Mua, sheh Atë që më ka dërguar Mua.

46 Unë kam ardhur si drita për botën, që kushdo që beson në Mua të mos mbetet në errësirë.

47 Po t’i dëgjojë njeri fjalët e Mia, dhe të mos i mbajë, Unë nuk e gjykoj, sepse nuk kam ardhur që të gjykoj botën, por që ta shpëtoj botën.

48 Ka një që gjykon atë që më hedh Mua poshtë dhe nuk i pranon fjalët e Mia. Fjala që kam folur, ajo do ta gjykojë ditën e fundit,

49 sepse Unë nuk kam folur prej vetes Sime, por Ai që më dërgoi Mua, Ati, Ai më ka porositur çfarë të them dhe çfarë të flas.

50 Dhe e di që porosia e Tij është jeta e amshuar. Pra, ato që flas Unë, i flas ashtu siç m’i ka thënë Ati.”

Kapitulli 13

1 Jezusi e dinte se do të kalonte nga kjo botë për tek Ati dhe tani përpara festës së Pashkëve, pasi i deshi të vetët që ishin në botë, duke e ditur që ora e Tij kishte ardhur, e shfaqi dashurinë për ta deri në fund.

2 Ishte koha e darkës dhe djalli tashmë ia kishte shtënë në zemër Judë Iskariotit, birit të Simonit, mendimin që ta tradhtonte Atë.

3 Jezusi, duke e ditur se Ati ia kishte dhënë të gjitha në duart e Tij dhe që Ai kishte ardhur prej Perëndisë dhe tek Perëndia po shkonte,

4 u ngrit nga darka dhe largoi rrobat. Pastaj mori një peshqir dhe e ngjeshi rreth Vetes.

5 Pasi hodhi ujë në një enë, filloi të lante këmbët e dishepujve dhe t’i fshinte me peshqirin që e kishte ngjeshur rreth vetes.

6 Pastaj shkoi tek Simon Pjetri. Ky i tha: “Zot, Ti të më lash mua këmbët?”

7 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Atë që bëj Unë ti tani nuk e kupton, por do ta marrësh vesh më pas.”

8 Pjetri i tha: “Kurrën e kurrës nuk do të m’i lash këmbët.” Jezusi iu përgjigj: “Po nuk t’i lava, nuk ke pjesë me Mua.”

9 Simon Pjetri i tha: “Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart dhe kokën.”

10 Jezusi i tha: “Ai që është i larë nuk ka nevojë veçse të lajë këmbët, sepse është i tëri i pastër; ju jeni të pastër, por jo të gjithë.”

11 Sepse Ai e dinte atë që do ta tradhtonte. Prandaj tha: “Jo të gjithë jeni të pastër.”

12 Pra, pasi u lau këmbët, [dhe] mori rrobet e veta, u shtrua përsëri pranë tryezës dhe u tha: “A e dini çfarë ju kam bërë?

13 Ju më thërrisni Mjeshtër dhe Zot dhe mirë thoni, sepse ashtu jam.

14 Atëherë nëse Unë, Zot dhe Mjeshtër, lava këmbët tuaja, edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit.

15 Sepse ju dhashë një shembull, që, siç bëra me ju, ashtu të bëni edhe ju.

16 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, shërbëtori nuk është më i madh se i zoti i tij, as i dërguari më i madh se ai që e ka dërguar.

17 Nëse i dini këto, të jeni të lumtur po t’i bëni.

18 Nuk flas për të gjithë ju. Unë e di se kë kam zgjedhur, por që të përmbushet Shkrimi: ‘Ai që ha bukën Time, ka ngritur thembrën kundër Meje’.

19 Që tani po ju them para se të ndodhë, që, kur të ndodhë, të besoni që Unë jam Ai.

20 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, ai që pranon këdo që dërgoj Unë, më pranon Mua; dhe ai që më pranon Mua pranon Atë që më ka dërguar Mua.”

21 Pasi Jezusi tha këto, u trondit thellë në shpirt dhe dëshmoi e tha: “Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, që njëri prej jush do të më tradhtojë.”

22 Dishepujt shikonin njëri-tjetrin, duke mos ditur se për kë po fliste.

23 Njëri prej dishepujve të Tij, të cilin Jezusi e donte, ishte ulur i mbështetur në kraharorin e Jezusit.

24 Simon Pjetri ia bëri këtij me shenjë që ta pyeste për kë e kishte fjalën.

25 Atëherë ai, që ishte mbështetur ashtu në kraharorin e Jezusit, i tha: “Zot, kush është?”

26 Jezusi i përgjigjet: “Është ai të cilit do t’i jap kafshatën pasi ta kem ngjyer.” Pra, si ngjeu kafshatën, [e mori] dhe ia dha Judë Iskariotit, birit të Simonit.

27 Pastaj, pas kafshatës, tek ai hyri Satani. Atëherë Jezusi i thotë: “Ç’ke për të bërë, bëje shpejt.”

28 Askush prej atyre që ishin shtruar në tryezë nuk e mori vesh përse ia tha këtë.

29 Sepse disa mendonin, meqë Juda kishte qesen, Jezusi i thoshte: “Bli ato që na duhen për festë”, ose që t’u jepte diçka të varfërve.

30 Atëherë si mori kafshatën, Juda doli menjëherë jashtë. Ishte natë.

31 Pasi doli ai, Jezusi tha: “Tani Biri i Njeriut mori lavdi dhe Perëndia mori lavdi në Të.

32 [Nëse Perëndia mori lavdi në Të], edhe Perëndia do t’i japë Atij lavdi në veten e Vet dhe do t’i japë lavdi menjëherë.

33 Bijtë e Mi, edhe për pak kohë jam me ju. Do të më kërkoni dhe siç u kam thënë judenjve: ‘Ku shkoj Unë, ju nuk mund të vini’, tani po jua them edhe juve.

34 Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Siç ju desha Unë, ashtu ta doni edhe ju njëri-tjetrin.

35 Nga kjo do ta marrin vesh të gjithë që jeni dishepujt e Mi, po të keni dashuri për njëri-tjetrin.”

36 Simon Pjetri i tha: “Zot, ku po shkon?” Jezusi iu përgjigj [atij]: “Ku shkoj Unë, ti nuk mund të më vish pas tani. Por do të më ndjekësh më vonë.”

37 Pjetri i tha: “Zot! Përse nuk mund të të ndjek tani? Do të jap jetën time për Ty.”

38 Jezusi u përgjigj: “Ti do të japësh jetën tënde për Mua? Me të vërtetë, me të vërtetë po të them, këndesi nuk do të këndojë më parë se ti të më kesh mohuar tri herë.”

Kapitulli 14

1 “Le të mos tronditet zemra juaj. Besoni në Perëndinë, besoni edhe në Mua.

2 Në shtëpinë e Atit Tim ka shumë kthina. Po të mos ishte kështu, do t’jua kisha thënë. Sepse po shkoj të përgatis një vend për ju.

3 Dhe po të shkoj e të përgatis një vend për ju, përsëri do të vij e t’ju marr pranë vetes Sime, që ku jam Unë, të jeni edhe ju.

4 Ju e dini rrugën ku po shkoj [Unë].”

5 Thomai i tha: “Zot! Nuk e dimë ku po shkon. Si mund ta dimë ne rrugën?”

6 Jezusi i tha: “Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, veçse përmes Meje.

7 Po të më kishit njohur Mua, do të njihnit edhe Atin Tim dhe që tani e tutje ju e njihni Atë dhe e keni parë.”

8 Filipi i tha: “Zot, na e trego Atin dhe kjo na mjafton.”

9 Jezusi i tha: “Ka kaq kohë që jam me ju dhe ti nuk më paske njohur, o Filip? Ai që më ka parë Mua ka parë Atin. Si thua ti vallë, na trego Atin?

10 Nuk e beson që Unë jam në Atin dhe Ati është në Mua? Fjalët që them Unë nuk i flas nga vetja Ime, por Ati që rri në Mua, bën veprat e Veta.

11 Më besoni që Unë jam në Atin dhe Ati në Mua; përndryshe, besoni nga vetë veprat.

12 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, kush beson në Mua, edhe ai do të bëjë ato punë që bëj Unë. Madje më të mëdha se këto do të bëjë, sepse Unë shkoj tek Ati.

13 Çfarëdo që të kërkoni në emrin Tim, do ta bëj, që Ati të marrë lavdi në Birin.

14 Po të më kërkoni diçka në emrin Tim, Unë do ta bëj.

15 Po të më doni, do të mbani porositë e Mia.

16 Unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një tjetër Ngushëllues, që të jetë përjetë me ju,

17 Frymën e së vërtetës, të cilën bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh, as e njeh. Por ju e njihni, sepse me ju qëndron dhe në ju do të jetë.

18 Nuk do t’ju lë jetimë; do të vij te ju.

19 Edhe pak dhe bota nuk më sheh më. Por ju do të më shihni; sepse Unë jetoj, edhe ju do të jetoni.

20 Atë ditë ju do ta merrni vesh që Unë jam në Atin Tim, ju në Mua dhe Unë në ju.

21 Ai që ka porositë e Mia dhe i mban ato, ai më do Mua dhe ai që më do Mua do të ketë dashurinë e Atit Tim dhe Unë do ta dua dhe do t’i shfaq atij veten Time.”

22 Juda, jo ai Iskarioti, i tha: “Zot! E si ka për të ndodhur që Ti do të na shfaqesh neve dhe jo botës?”

23 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Po të më dojë njeri, ai do të mbajë fjalën Time. Ati Im do ta dojë dhe do të vijmë tek ai e do të bëjmë banesë me të.

24 Ai që nuk më do, nuk i mban fjalët e Mia. Fjala që dëgjoni nuk është Imja, por e Atit që më ka dërguar Mua.

25 Ju kam folur këto gjëra, duke qëndruar me ju.

26 Por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, të cilin Ati do ta dërgojë në emrin Tim, do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’jua kujtojë të gjitha ato që ju thashë [Unë].

27 Paqe po ju lë, paqen Time po ju jap. Unë jua jap, jo siç e jep bota. Të mos ju tronditet zemra, as të mos trembet.

28 Keni dëgjuar që ju kam thënë: ‘Po shkoj dhe do të vij te ju’. Po të më donit, do të gëzoheshit, sepse shkoj tek Ati, sepse Ati është më i madh se Unë.

29 Jua thashë tani përpara se të ndodhë, që kur të ndodhë, të besoni.

30 Nuk do të flas më shumë me ju, sepse po vjen i pari i botës. Nuk ka asnjë pushtet mbi Mua.

31 Por duhet ta dijë bota që Unë e dua Atin dhe bëj ashtu siç më ka porositur Ati. Ngrihuni. Le të largohemi prej këtej.”

Kapitulli 15

1 “Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati Im është vreshtari.

2 Çdo shermend në Mua që nuk jep fryt, Ai e heq dhe çdo degë që mban fryt e krasit, që të japë më shumë fryt.

3 Tani ju jeni të pastër për shkak të fjalës që ju kam folur.

4 Qëndroni në Mua dhe Unë në ju. Ashtu si shermendi nuk mund të japë fryt prej vetvetes, po të mos qëndrojë në hardhi, po ashtu as ju, po të mos qëndroni në Mua.

5 Unë jam hardhia, ju jeni shermendet. Ai që qëndron në Mua dhe Unë në të, ai mban shumë fryt; sepse pa Mua nuk mund të bëni asgjë.

6 Nëse dikush nuk qëndron në Mua, ai flaket jashtë si shermendi dhe fishket. I mbledhin dhe i hedhin në zjarr dhe ato digjen.

7 Po të qëndroni në Mua dhe fjalët e Mia të mbeten në ju, kërkoni çfarëdo që të doni dhe do t’ju bëhet.

8 Në këtë mori lavdi Ati Im, që ju të jepni shumë fryt dhe të bëheni dishepujt e Mi.

9 Siç më ka dashur Ati Mua, ju kam dashur edhe Unë ju. Qëndroni në dashurinë Time.

10 Po të mbani porositë e Mia, do të qëndroni në dashurinë Time, ashtu siç kam mbajtur Unë porositë e Atit Tim dhe qëndroj në dashurinë e Tij.

11 Jua kam thënë këto që gëzimi Im të jetë ndër ju dhe që gëzimi juaj të jetë i plotë.

12 Kjo është porosia Ime, që të doni njëri-tjetrin, ashtu si ju kam dashur Unë.

13 Askush nuk ka dashuri më të madhe se këtë, që të japë jetën për miqtë e vet.

14 Ju jeni miqtë e Mi, po të bëni ato që ju porosit Unë.

15 Nuk po ju them më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di çfarë bën i zoti i tij. Ndërsa ju, ju kam quajtur miq, sepse të gjitha ato që dëgjova për Atin Tim jua bëra të njohura juve.

16 Nuk më zgjodhët ju Mua, por Unë ju zgjodha ju dhe ju caktova, që të shkoni dhe të jepni fryt dhe që fryti juaj të mbetet, që çfarëdo që t’i kërkoni Atit në emrin Tim, t’jua japë.

17 Ky është urdhërimi Im për ju: të doni njëri-tjetrin.

18 Nëse bota ju urren, dijeni që përpara jush më ka urryer Mua.

19 Po të ishit nga bota, bota do ta donte çka është e vetja. Ju nuk jeni nga bota, por Unë ju kam zgjedhur nga bota dhe për këtë arsye bota ju urren.

20 Mbani mend fjalën që ju thashë Unë: ‘Shërbëtori nuk është më i madh se zotëria i tij.’ Derisa më përndoqën Mua, do t’ju përndjekin edhe ju. Po të kenë mbajtur fjalën Time, do të mbajnë edhe tuajën.

21 Por të gjitha këto do t’jua bëjnë për shkak të emrit Tim, sepse nuk e njohin Atë që më ka dërguar Mua.

22 Po të mos kisha ardhur e t’u flisja atyre, ata nuk do të kishin mëkat. Por tani nuk kanë përligjje për mëkatin e tyre.

23 Ai që më urren Mua, urren edhe Atin Tim.

24 Po të mos kisha bërë midis tyre punët që askush tjetër nuk i ka bërë, ata nuk do të kishin mëkat; por tani ata jo vetëm që e kanë parë, por më kanë urryer edhe Mua edhe Atin Tim.

25 Por kjo ka ndodhur që të përmbushej fjala e shkruar në ligjin e tyre: ‘Më urryen pa shkak’.

26 Kur të vijë Ngushëlluesi që do t’ju dërgoj Unë prej Atit, Fryma e së vërtetës, që del prej Atit, Ai do të dëshmojë për Mua.

27 Edhe ju do të dëshmoni, sepse keni qenë me Mua që në fillim.”

Kapitulli 16

1 “Jua thashë këto gjëra, që të mos shkandulloheni.

2 Ata do t’ju përjashtojnë nga sinagogat. Por po vjen ora, që kush ju vret ju do të kujtojë se po i bën shërbim Perëndisë.

3 Do t’i bëjnë këto gjëra, sepse nuk e kanë njohur Atin, as Mua.

4 Por këto jua kam thënë, që kur të vijë ora e tyre, t’i kujtoni ato që ju kam thënë Unë. Këto nuk jua thashë që në fillim, sepse isha me ju.

5 Por tani po shkoj tek Ai që më ka dërguar dhe askush prej jush nuk më pyet: ‘Ku shkon?’

6 Por, ngaqë jua kam thënë këto, hidhërimi ka mbushur zemrën tuaj.

7 Por Unë po ju them të vërtetën, më mirë është për ju që Unë të largohem, sepse po të mos largohem, Ngushëlluesi nuk do të vijë te ju. Por po të shkoj, do t’jua dërgoj.

8 Ai, kur të vijë, do ta fajësojë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim;

9 për mëkat, sepse nuk besojnë në Mua;

10 për drejtësi, sepse po shkoj tek Ati dhe ju nuk do të më shihni më;

11 për gjykim, sepse është gjykuar tashmë sunduesi i kësaj bote.

12 Shumë gjëra kam ende për t’ju thënë, por ju tani nuk mund t’i mbani.

13 Por kur të vijë Ai, Fryma e së vërtetës, do t’ju udhëzojë në çdo të vërtetë, sepse nuk do të flasë prej vetes së Vet, por do të flasë aq sa dëgjon dhe do t’ju lajmërojë ato që do të vijnë.

14 Ai do të më japë lavdi, sepse do të marrë prej Meje dhe do t’jua tregojë juve.

15 Gjithçka që ka Ati është Imja. Prandaj thashë, që e merr prej Meje dhe do t’jua tregojë juve.

16 Edhe pak kohë dhe nuk do të më shihni më dhe përsëri, pas pak, do të më shihni.”

17 Pastaj disa prej dishepujve të Tij thanë me njëri-tjetrin: “Çfarë është kjo që na thotë: ‘Edhe pak dhe nuk do të më shihni dhe përsëri, pas pak, do të më shihni?’ dhe ‘Sepse po shkoj tek Ati’?”

18 Ata pra, thoshin: “Çfarë është kjo [që thotë]: ‘edhe pak’? Nuk e marrim vesh çfarë thotë.”

19 Jezusi e dinte që ata donin ta pyesnin, dhe u tha: “Për këtë që thashë po vrisni mendjen me njeri-tjetrin: ‘Edhe pak kohë dhe nuk do të më shihni më’ dhe ‘përsëri, pas pak, do të më shihni.’?

20 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, që ju do të qani dhe do të mbani zi, por bota do të gëzojë; ju do të hidhëroheni, por hidhërimi juaj do të kthehet në gëzim.

21 Kur gruaja lind, ka dhimbje, sepse ora e saj ka ardhur. Por kur lind fëmijën, nuk e mban mend më ankthin nga gëzimi që lindi një njeri në botë.

22 Dhe ju pra, tani keni hidhërim. Por përsëri do t’ju shoh dhe zemra tuaj do të gëzohet dhe gëzimin tuaj askush nuk do t’jua heqë.

23 Në atë ditë nuk do të më pyesni për asgjë. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, çfarëdo që do t’i kërkoni Atit në emrin Tim, do t’jua japë.

24 Deri tani nuk keni kërkuar asgjë në emrin Tim. Kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të bëhet i plotë.

25 Këto jua kam thënë në shëmbëlltyra. Po vjen ora që nuk do t’ju flas më në shëmbëlltyra, por do t’ju tregoj hapur për Atin.

26 Në atë ditë do të kërkoni në emrin Tim dhe nuk po ju them që Unë do t’i lutem Atit për ju.

27 Sepse vetë Ati ju do, ngaqë ju më keni dashur Mua dhe keni besuar që Unë erdha prej Perëndisë.

28 Unë kam dalë nga Ati dhe kam ardhur në botë. Përsëri po e lë botën dhe po shkoj tek Ati.”

29 Dishepujt e Tij thanë: “Ja, tani po flet hapur dhe nuk po thua asnjë shëmbëlltyrë.

30 Tani e shohim që Ti i di të gjitha dhe nuk ke nevojë që të të pyesë njeri. Prandaj e besojmë që Ti ke ardhur nga Perëndia.

31 Jezusi iu përgjigj: “Tani po besoni ju?

32 Ja, po vjen ora, dhe ka ardhur, që ju të shpërndaheni, secili në punët e veta dhe Mua të më lini vetëm. Nuk jam vetëm, sepse Ati është me Mua.

33 Këto jua kam thënë, që të keni paqe në Mua. Në botë do të keni mundime, por mos e lëshoni veten; Unë e kam mposhtur botën.”

Kapitulli 17

1 Këto foli Jezusi dhe, pasi ngriti sytë në qiell, tha: “O Atë! Ka ardhur ora, jepi lavdi Birin Tënd, që Biri të japë lavdi Ty,

2 ashtu siç i dhe pushtet mbi çdo mish, që Ai t’u japë jetë të amshuar të gjithë atyre që Ti u ke dhënë.

3 Kjo është jeta e amshuar, që ata të njohin Ty, Perëndinë e vetëm të vërtetë dhe Jezus Krishtin, të cilin ke dërguar.

4 Unë të dhashë lavdi mbi tokë, duke kryer punën që më dhe për ta bërë.

5 Dhe tani, më jep lavdi o Atë, pranë vetes Tënde, me lavdinë, të cilën e kisha me Ty para se të ishte bota.

6 U tregova emrin Tënd njerëzve që më dhe nga bota; ishin të Tutë dhe m’i dhe Mua; fjalën Tënde e kanë mbajtur.

7 Tani e kanë marrë vesh se gjithë sa më ke dhënë janë prej Teje.

8 Sepse fjalët që më dhe ua kam dhënë atyre. Ata i pranuan dhe e morën vesh vërtet që kam dalë prej Teje dhe besuan që Ti më ke dërguar.

9 Unë lutem për ta. Nuk lutem për botën, por për ata që më ke dhënë, sepse janë të Tutë.

10 Të gjitha gjërat e Mia janë të Tuat dhe të Tuat janë të Miat dhe kam marrë lavdi në to.

11 Tani Unë nuk jam më në botë, por ata vetë janë në botë dhe Unë po vij te Ti. Atë i shenjtë, ruaji ata në emrin Tënd, që më ke dhënë, që të jenë një, siç jemi ne.

12 Kur isha me ta i ruaja në emrin Tënd, emrin që më ke dhënë. I ruajta, dhe asnjë prej tyre nuk humbi, përveç Birit të humbjes, që të përmbushej Shkrimi.

13 Tani po vij tek Ti. I flas këto në botë, që ata të kenë në vetvete gëzimin Tim të plotë.

14 Unë u kam dhënë fjalën Tënde. Bota i ka urryer, sepse ata nuk janë nga bota, ashtu si edhe Unë nuk jam nga bota.

15 Nuk po lutem që t’i heqësh nga bota, por që t’i ruash prej të ligut.

16 Ata nuk janë nga bota, ashtu si edhe Unë nuk jam nga bota.

17 Shenjtëroji ata me të vërtetën. Fjala Jote është e vërteta.

18 Siç më dërgove Mua në botë, edhe Unë i dërgova ata në botë.

19 Për ata po shenjtëroj [Unë] veten Time, që edhe ata të jenë të shenjtëruar në të vërtetën.

20 Nuk lutem vetëm për këta, por edhe për ata që besojnë në Mua përmes fjalës së tyre,

21 që të gjithë të jenë një, ashtu si je Ti, o Atë, tek Unë dhe Unë te Ti, që edhe ata të jenë te ne, që bota të besojë që Ti më ke dërguar.

22 Unë, lavdinë që më ke dhënë Mua, ua kam dhënë atyre, që të jenë një, siç jemi ne një,

23 Unë në ta dhe Ti në Mua, që të jenë të përkryer në një, që bota ta marrë vesh që Ti më ke dërguar dhe i ke dashur ata, siç më ke dashur Mua.

24 O Atë, dua që edhe ata, që më ke dhënë, të jenë me Mua ku jam Unë, që të shohin lavdinë Time që më ke dhënë, sepse më deshe përpara themelimit të botës.

25 O Atë i drejtë, bota nuk të ka njohur, por Unë të kam njohur dhe këta e kanë marrë vesh që Ti më ke dërguar.

26 Ua bëra të njohur emrin Tënd dhe do t’ua bëj të ditur, që dashuria me të cilën më ke dashur të jetë ndër ta dhe Unë në ta.”

Kapitulli 18

1 Si tha këto, Jezusi doli bashkë me dishepujt e Vet përtej përroit të Kedronit, ku ishte një kopsht, në të cilin hyri Ai dhe dishepujt e Tij.

2 Edhe Juda, ai që do ta tradhtonte, e dinte atë vend, sepse shpeshherë Jezusi mblidhej atje bashkë me dishepujt e Vet.

3 Atëherë Juda, pasi mori një kompani ushtarësh si dhe disa roja prej kryepriftërinjve e prej farizejve, shkoi atje me fenerë, pishtarë dhe armë.

4 Jezusi, duke i ditur të gjitha gjërat që do t’i ndodhnin, doli përpara dhe u tha: “Kë kërkoni?”

5 Ata iu përgjigjën: “Jezus nazaretasin.” Ai u tha: “Unë jam.” Juda, ai që po e tradhtonte, ishte bashkë me ta.

6 Por kur Ai u tha: ‘Unë jam Ai’, ata u sprapsën dhe ranë përdhe.

7 Atëherë Ai i pyeti përsëri: “Kë kërkoni?” Ata thanë: “Jezus nazaretasin.”

8 Jezusi u përgjigj: “Jua thashë që Unë jam Ai. Pra, nëse më kërkoni Mua, lërini këta të shkojnë”,

9 që të përmbushej fjala që tha: ‘Nuk humba asnjë prej atyre që më dhe.’

10 Atëherë Simon Pjetri që kishte një shpatë, e nxori dhe e goditi shërbëtorin e kryepriftit, duke i këputur veshin e djathtë; shërbëtorin e quanin Malk.

11 Por Jezusi i tha Pjetrit: “Fute shpatën në mill. Si të mos e pi kupën që më ka dhënë Ati?”

12 Atëherë ushtarët, kapiteni dhe rojat e judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën.

13 Më parë e çuan tek Ana, sepse ai ishte vjehrri i Kaifës, që ishte kryeprift i atij viti.

14 Kaifa ishte ai që kishte këshilluar judenjtë, se ishte më mirë të vdiste një njeri për popullin.

15 Simon Pjetri dhe një dishepull tjetër i shkonin pas Jezusit; ai dishepull ishte i njohur i kryepriftit dhe hyri bashkë me Jezusin në oborrin e kryepriftit.

16 Por Pjetri qëndroi jashtë te dera. Pastaj doli dishepulli tjetër, i njohuri i kryepriftit, foli me derëtaren dhe e futi Pjetrin brenda.

17 Pastaj shërbëtorja, derëtarja, i tha Pjetrit: “A nuk je edhe ti nga dishepujt e këtij njeriu?” Ai tha: “Nuk jam.”

18 Shërbëtorët dhe rojat kishin bërë një zjarr, po rrinin atje dhe po ngroheshin, sepse bënte ftohtë. Edhe Pjetri po rrinte me ta dhe po ngrohej.

19 Atëherë kryeprifti e pyeti Jezusin për dishepujt e Tij dhe për mësimin që jepte.

20 Jezusi iu përgjigj: “Unë i kam folur hapur botës. Unë gjithmonë i kam mësuar njerëzit në sinagogë dhe në tempull, ku mblidhen të gjithë judenjtë dhe nuk kam folur asgjë fshehtas.

21 Përse më pyet Mua? Pyet ata që dëgjuan çfarë u kam thënë. Ja, këta i dinë ato që thashë Unë.”

22 Kur tha këto, një nga rojat që po rrinte aty, i ra një shuplakë Jezusit dhe tha: “Kështu i përgjigjesh kryepriftit?”

23 Jezusi iu përgjigj: “Në qoftë se fola keq, dëshmo për të keqen, por nëse fola mirë, përse më qëllon?”

24 Atëherë Ana e dërgoi të lidhur te Kaifa, kryeprifti.

25 Simon Pjetri po rrinte aty dhe po ngrohej. Ata pra, i thanë: “Mos je edhe ti prej dishepujve të Tij?” Ai mohoi dhe tha: “Nuk jam.”

26 Një nga shërbëtorët e kryepriftit, farefis i atij të cilit Pjetri i këputi veshin, tha: “A nuk të pashë unë ty në kopsht me Të?”

27 Përsëri pra, Pjetri e mohoi dhe në atë çast këndoi këndezi.

28 Pastaj ata e çuan Jezusin nga Kaifa në godinën e guvernatorit. Ishte mëngjes herët dhe ata nuk kishin hyrë në godinën e guvernatorit, që të mos ndoteshin, por të hanin Pashkët.

29 Atëherë, Pilati doli jashtë tek ata dhe tha: “Çfarë padie sillni kundër këtij njeriu?”

30 Ata u përgjigjën dhe i thanë: “Po të mos kishte bërë të këqija Ky, nuk do të ta dorëzonim ty.”

31 Pastaj Pilati u tha: “Merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj.” Judenjtë iu përgjigjën: “Neve nuk na lejohet të vrasim askënd,”

32 që të përmbushej fjala që tha Jezusi, kur tregoi se nga ç’lloj vdekjeje do të vdiste.

33 Atëherë Pilati hyri përsëri në godinën e guvernatorit, thirri Jezusin dhe i tha: “A je Ti Mbreti i judenjve?”

34 Jezusi u përgjigj: “Prej vetes tënde po e thua këtë, apo ta kanë thënë të tjerët për Mua?”

35 Pilati u përgjigj: “Mos jam unë jude? Kombi yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan tek unë. Çfarë ke bërë?”

36 Jezusi u përgjigj: “Mbretëria Ime nuk është prej kësaj bote. Po të ishte mbretëria Ime prej kësaj bote, shërbëtorët e Mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha judenjve. Por tani mbretëria Ime nuk është prej këtej.”

37 Atëherë Pilati i tha: “Pra, Ti je mbret?” Jezusi u përgjigj: “Ti po thua që jam mbret. Unë për këtë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë, që të dëshmoj të vërtetën. Kushdo që është prej së vërtetës, dëgjon zërin Tim.”

38 Pilati i tha: “Ç’është e vërteta?” Si e tha këtë, doli përsëri tek judenjtë dhe u tha atyre: “Unë nuk gjej asnjë faj në Të.

39 Por midis jush është një zakon, që t’ju lëroj një për Pashkët. Pra, a doni ju t’ju liroj Mbretin e judenjve?”

40 Atëherë ata bërtitën përsëri, duke thënë: “Jo këtë por Barabanë.” Barabai ishte një kusar.

Kapitulli 19

1 Pastaj Pilati e çoi Jezusin që ta fshikullonin me kamxhik.

2 Ushtarët thurën një kurorë ferrash, ia vunë në kokë dhe i hodhën përsipër një rrobe të purpurt.

3 I afroheshin dhe thoshin: “Përshëndetje o Mbret i judenjve” dhe i binin me shuplaka.

4 Pilati doli përsëri jashtë dhe u tha: “Ja, po jua sjell jashtë, që ta dini që nuk gjej asnjë faj në Të.”

5 Pastaj Jezusi doli jashtë, duke mbajtur kurorën prej ferrash dhe rrobën e purpurt. Pilati u tha: “Ja njeriu!”

6 Kur e panë kryepriftërinjtë dhe shërbëtorët, bërtitën, duke thënë: “Kryqëzoje! Kryqëzoje!” Pilati u tha: “Merreni ju dhe kryqëzojeni, sepse unë nuk gjej faj në Të.

7 Judenjtë iu përgjigjën: “Ne kemi një ligj dhe sipas ligjit Ai duhet të vdesë, sepse e ka bërë Veten Bir të Perëndisë.”

8 Kur Pilati e dëgjoi këtë fjalë, u frikësua edhe më shumë.

9 Hyri përsëri në godinën e guvernatorit dhe i tha Jezusit: “Nga je Ti?” Por Jezusi nuk i dha përgjigje.

10 Atëherë Pilati i tha: “Mua nuk më flet? Nuk e di që kam pushtet të të liroj dhe pushtet të të kryqëzoj?”

11 Jezusi iu përgjigj: “Nuk ke pushtet mbi Mua, veç po të jetë dhënë nga lart. Prandaj ai që më dorëzoi te ti ka mëkatin më të madh.”

12 Prej kësaj kohe Pilati po përpiqej ta lironte, por judenjtë bërtitën duke thënë: “Po ta lirosh këtë, nuk je mik i Cezarit. Kush e bën veten mbret, i kundërvihet Cezarit.”

13 Pilati, me të dëgjuar këto fjalë, e nxori Jezusin jashtë dhe u ul në fronin e gjyqit, në një vend që quhet Kalldrëm, por në hebraisht i thonë, Gabata.

14 Ishte përgatitja e Pashkëve, rreth orës së gjashtë. Pilati u tha judenjve: “Ja, mbreti juaj!”

15 Atëherë ata bërtitën: “Hiqe, hiqe! Kryqëzoje!” Pilati u tha: “Mbretin tuaj të kryqëzoj?” Kryepriftërinjtë u përgjigjën: “Nuk kemi mbret tjetër veç Cezarit.”

16 Atëherë ai ua dorëzoi atyre që të kryqëzohej. Ata e morën Jezusin dhe Ai,

17 duke mbajtur Vetë kryqin, doli në një vend që quhet i Kafkës, që në hebraisht i thonë Golgotë.

18 Aty e kryqëzuan me dy të tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anën tjetër dhe Jezusin në mes.

19 Pilati hartoi edhe një mbishkrim dhe e vuri mbi kryq. Ishte shkruar, JEZUS NAZARETASI, MBRETI I JUDENJVE.

20 Shumë nga judenjtë e lexuan këtë mbishkrim, sepse vendi ku u kryqëzua Jezusi ishte pranë qytetit. Ishte shkruar në hebraisht, latinisht dhe greqisht.

21 Atëherë kryepriftërinjtë e judenjve i thanë Pilatit: “Mos shkruaj ‘Mbreti i judenjve’, por që Ai ka thënë: ‘Jam Mbret i judenjve’.

22 Pilati u përgjigj: “Ç’kam shkruar, e kam shkruar.”

23 Pastaj ushtarët, kur e kryqëzuan Jezusin, ia morën rrobat dhe i ndanë në katër pjesë, secilit ushtar një pjesë, si edhe tunikën. Tunika ishte pa qepje, e tëra e endur që në krye një cope.

24 Atëherë ata thanë me njëri-tjetrin: “Mos e grisim, por ta hedhim në short e të shohim kush do ta marrë”, që të përmbushej Shkrimi [që thotë]: “I ndanë rrobet e Mia midis tyre dhe veshjen Time e hodhën në short.” Këto pra, bënë ushtarët.

25 Pranë kryqit të Jezusit qëndronte e ëma e Tij dhe motra e saj, Maria gruaja e Kleopas dhe Maria Magdalena.

26 Jezusi pra, duke parë nënën e Vet dhe dishepullin, të cilin e donte, duke qëndruar aty pranë, i tha nënës: “O grua, ja yt bir!”

27 Pastaj i tha dishepullit: “Ja nëna jote!” Dhe që nga ajo orë, dishepulli e mori atë në shtëpinë e vet.

28 Pas kësaj, Jezusi duke e ditur që tashmë të gjitha ishin kryer, që të përmbushej Shkrimi, tha: “Kam etje.”

29 Aty gjendej një enë plot me uthull. Kështu ata vunë në një degë hisopi një sfungjer plot me uthull dhe ia afruan te goja.

30 Kur mori uthullën, Jezusi tha: “Gjithçka u krye.” Përkuli kokën e dha shpirt.

31 Atëherë judenjtë, meqenëse ishte dita e Përgatitjes, që trupat të mos mbeteshin në kryq të shtunën, sepse ajo e shtunë ishte ditë e madhe, i kërkuan Pilatit që t’u thyeshin kërcinjtë e këmbëve dhe të hiqeshin prej aty.

32 Kështu erdhën ushtarët dhe thyen këmbët e të parit dhe të atij tjetrit që ishte kryqëzuar bashkë me Të.

33 Kur erdhën tek Jezusi dhe panë që Ai tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen këmbët.

34 Por një nga ushtarët ia shpoi brinjën me heshtën e vet dhe menjëherë doli gjak dhe ujë.

35 Ai që e ka parë ka dëshmuar, dhe dëshmia e tij është e vërtetë. Ai e di që thotë të vërtetën, që të besoni edhe ju.

36 Sepse këto ndodhën që të përmbushej Shkrimi: ‘Nuk do t’i thyhet asnjë kockë’.

37 Përsëri një tjetër Shkrim thotë: ‘Do t’i kthejnë sytë nga Ai që shpuan’.

38 Pas këtyre ngjarjeve Jozefi nga Arimateja, që ishte një dishepull i Jezusit, por fshehtas nga frika e judenjve, i kërkoi Pilatit që ta hiqte trupin e Jezusit dhe Pilati e lejoi. Atëherë ai shkoi dhe e hoqi trupin e Tij.

39 Shkoi edhe Nikodemi, ai që kishte shkuar tek Ai më parë natën dhe solli një përzierje mirre dhe aloeje, rreth njëqind libra.

40 Atëherë ata morën trupin e Jezusit dhe e mbështollën në pëlhura liri me erëzat e mira, siç është zakoni i varrimit tek judenjtë.

41 Në vendin ku e kryqëzuan ishte një kopsht dhe në kopsht një varr i ri në të cilin askush nuk ishte vënë ndonjëherë.

42 Atje pra, e vunë Jezusin meqë ishte dita e Përgatitjes për judenjtë dhe meqë ai varr ishte afër.

Kapitulli 20

1 Ditën e parë të javës Maria Magdalena shkoi herët te varri, kur ishte ende errësirë dhe pa që e kishin hequr gurin prej varrit.

2 Atëherë ajo vrapoi e shkoi te Simon Pjetri dhe te dishepulli tjetër të cilin e donte Jezusi dhe u tha: “E kanë hequr Zotin nga varri dhe nuk e dimë ku e kanë vënë.”

3 Atëherë Pjetri, si edhe dishepulli tjetër, dolën dhe shkuan te varri.

4 Të dy po vraponin së bashku. Por dishepulli tjetër vrapoi përpara më shpejt se Pjetri dhe arriti i pari te varri.

5 Si u përkul, pa pëlhurat që ndodheshin aty; megjithatë nuk hyri brenda.

6 Pastaj erdhi edhe Simon Pjetri, që vinte pas tij. Ai hyri në varr dhe pa pëlhurat që ndodheshin aty

7 dhe rizën, që kishte qenë në kokën e Tij, jo me pëlhurat që ndodheshin aty, por e palosur diku mënjanë.

8 Atëherë hyri edhe dishepulli tjetër, që kishte ardhur më parë te varri, i cili e pa dhe besoi.

9 Sepse nuk e kishin kuptuar ende Shkrimin, që Ai duhej të ngjallej prej të vdekurve.

10 Pastaj dishepujt u larguan përsëri për në shtëpitë e veta.

11 Por Maria kishte qëndruar jashtë varrit duke qarë. Ndërsa po qante, u përkul për të shikuar në varr.

12 Dhe pa dy engjëj me rroba të bardha, ulur njëri te koka dhe tjetri te këmbët, ku kishte qenë trupi i Jezusit.

13 Ata i thanë: “Grua, përse qan?” Ajo u tha: “Kanë hequr Zotin tim, dhe nuk e di ku e kanë vënë.”

14 Me të thënë këto, u kthye prapa dhe pa Jezusin që po qëndronte aty, por nuk e mori vesh që ishte Jezusi.

15 Jezusi i tha: “Grua, përse qan? Kë po kërkon?” Ajo, duke menduar që ai ishte kopshtari, i tha: “Zotëri, nëse e ke hequr ti, më thuaj, ku e ke vënë dhe unë do ta marr.”

16 Jezusi i tha: “Mari!” Ajo u kthye dhe i tha në hebraisht: “Rabboni!” (që do të thotë Mjeshtër)

17 Jezusi i tha: “Mos më prek, sepse ende nuk jam ngjitur tek Ati, por shko tek vëllezërit e Mi dhe thuaju: ‘Po ngjitem tek Ati Im dhe Ati juaj, Perëndia Im dhe Perëndia juaj’.”

18 Maria Magdalena shkoi dhe u tha dishepujve: “Kam parë Zotin” dhe u tregoi çka i kishte thënë Ai.

19 Pra, sapo u ngrys, atë ditë, të parën ditë të javës, kur dyert ku ishin dishepujt ishin të mbyllura nga frika e judenjve, erdhi Jezusi, qëndroi në mes tyre dhe u tha: “Paqja qoftë me ju!”

20 Si tha këtë, u tregoi duart dhe brinjën. Atëherë dishepujt, kur panë Zotin, u gëzuan.

21 Pastaj Jezusi u tha përsëri: “Paqja me ju! Ashtu si më ka dërguar Ati, po ju dërgoj edhe Unë.”

22 Pasi tha këtë, fryu mbi ta dhe u tha: “Merreni Frymën e Shenjtë.

23 Atyre që do t’u falni mëkatet, do t’u jenë falur; kujt t’ua mbani, atyre u janë mbajtur.”

24 Por Thomai, një nga të dymbëdhjetët, i quajtur Binjaku, nuk ishte me ta kur erdhi Jezusi.

25 Dishepujt e tjerë i thoshin: “Kemi parë Zotin.” Por ai u tha: “Po të mos shoh në duart e Tij gjurmën e gozhdëve, të vë gishtin në gjurmën e gozhdëve dhe të vë dorën në brinjën e Tij, nuk kam për të besuar.”

26 Pas tetë ditëve dishepujt e Tij ishin përsëri në shtëpi. Me ta ishte edhe Thomai. Kur dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, qëndroi në mes tyre dhe tha: “Paqja me ju!”

27 Pastaj i tha Thomait: “Vëre gishtin këtu dhe shikoji duart e Mia. Bjere dorën dhe vëre në brinjën Time dhe mos u bëj njeri që nuk beson, por ki besim.”

28 Thomai u përgjigj dhe i tha: “Zoti im dhe Perëndia im.”

29 Jezusi i tha: “Ti ke besuar, sepse më ke parë? Lum ata që megjithëse nuk më kanë parë, kanë besuar.”

30 Jezusi bëri edhe shumë shenja të tjera përpara dishepujve të cilat nuk janë shkruar në këtë libër.

31 Këto janë shkruar që të besoni që Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, të keni jetë në emrin e Tij.

Kapitulli 21

1 Pas këtyre ngjarjeve Jezusi iu shfaq përsëri dishepujve në detin e Tiberiadës dhe ja si u shfaq:

2 ishin bashkë Simon Pjetri, Thomai i quajtur Binjaku, Natanaili nga Kana e Galilesë, ata të Zebedeut, dhe dy të tjerë prej dishepujve të Tij.

3 Simon Pjetri u tha: “Po shkoj të zë peshq.” Ata i thanë: “Po vijmë edhe ne me ty.” Dolën dhe hipën në lundër. Atë natë, nuk zunë asgjë.

4 Por me të zbardhur dita, Jezusi u shfaq në breg; megjithatë dishepujt nuk e morën vesh që ishte Jezusi.

5 Jezusi atëherë u tha: “Djema, mos keni ndonjë peshk?” Ata iu përgjigjën: “Jo.”

6 Ai u tha: “Hidheni rrjetën në anën e djathtë të lundrës dhe do të gjeni.” Atëherë ata e hodhën rrjetën dhe nuk ishin më në gjendje ta tërhiqnin prej sasisë së madhe të peshqve.

7 Pastaj dishepulli, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Është Zoti.” Atëherë Simon Pjetri, kur dëgjoi se Ai ishte Zoti, hodhi përsipër rrobën, sepse ishte i zhveshur, dhe u hodh në det.

8 Dishepujt e tjerë erdhën me një lundër të vogël, sepse nuk ishin larg nga toka, rreth dyqind kute, duke tërhequr rrjetën me peshq.

9 Pastaj kur zbritën në tokë, panë një zjarr me thëngjij, që ndodhej aty, dhe një peshk të vënë mbi të dhe bukë.

10 Jezusi u tha: “Sillni nga peshqit që sapo zutë.”

11 Atëherë Simon Pjetri u ngjit dhe e nxori rrjetën në tokë plot me peshq të mëdhenj, njëqind e pesëdhjetë e tre; megjithëse ishin kaq shumë, rrjeta nuk u ça.

12 Jezusi u tha: “Ejani të hani mëngjes.” Asnjë prej dishepujve nuk guxonte ta pyeste: “Kush je Ti?”, duke e ditur që ishte Zoti.

13 Atëherë Jezusi u afrua, mori bukën dhe ua dha atyre, edhe peshkun po ashtu.

14 Kjo ishte tashmë e treta herë që Jezusi iu shfaq dishepujve pasi u ngjall prej të vdekurve.

15 Pastaj si hëngrën mëngjesin, Jezusi i tha Simon Pjetrit: “O Simon i Gjonit, a më do më shumë se këta?” Ai i tha: “Po, Zot; Ti e di që të dua.” Ai i tha: “Kulloti qengjat e Mi.”

16 I tha përsëri për herë të dytë: “O Simon i Gjonit, a më do Mua?” Ai i tha: “Po, Zot, Ti e di që të dua.” Ai i tha: “Ruaji dhentë e Mia.”

17 I tha për herë të tretë: “O Simon i Gjonit, a më do Mua?” Pjetri u trishtua sepse Ai i tha për të tretën herë: ‘A më do?’ dhe i tha: “Zot, Ti i di të gjitha. Ti e di që të dua.” Jezusi i tha: “Kulloti dhentë e Mia.

18 Me të vërtetë, me të vërtetë po të them që, kur ishe më i ri, ngjisheshe dhe shkoje ku të doje. Por kur të plakesh, do të shtrish duart dhe një tjetër do të të veshë e të ngjeshë dhe do të të shpjerë atje ku nuk do.”

19 E tha këtë, duke lënë të kuptohej me ç’lloj vdekjeje do t’i jepte lavdi Perëndisë. Pasi tha këtë, shtoi: “Më ndiq.”

20 Pjetri u kthye dhe pa dishepullin, që e donte Jezusi, duke i shkuar pas, ai i cili gjatë darkës ishte mbështetur në kraharorin e Tij dhe kishte thënë: “Zot, kush është ai që po të tradhton?”

21 Pjetri pra, kur e pa këtë, i tha Jezusit: “Zot, ç’do të bëhet me këtë?”

22 Jezusi iu përgjigj: “Po të dua që ai të qëndrojë derisa të vij Unë, ç’ke ti? Ti më ndiq Mua.”

23 Prandaj midis vëllezërve u përhap fjala që ai dishepull nuk do të vdiste. Por Jezusi nuk i kishte thënë që ai nuk do të vdiste, por “po të dua që ai të qëndrojë derisa të vij Unë [ç’ke ti]?”

24 Ky është dishepulli që dëshmon për këto dhe që i ka shkruar këto gjëra. Ne e dimë që dëshmia e tij është e vërtetë.

25 Ka edhe gjëra të tjera që bëri Jezusi, të cilat po të shkruheshin një nga një, mendoj që as bota vetë nuk do të mjaftonte për të mbajtur librat që duheshin shkruar.