Nuk dihet se çfarë kishin parashikuar etërit e kombit tonë për situatën e sotme të Shqipërisë, sepse para një qindvjeçari doktrinat kulturore nuk ushqenin përshkrime të sinqerta, sesa luftë të sinqertë, pavarësisht nga mjetet e përdorura. Sidoqoftë, tej lumërimeve e vajeve të rilindasve tanë, dimë mirë se duke filluar në vitet 1900 e këtej, në palimpsestin shqiptar janë fshirë e rishkruar shumë, me të djathtën e me të majtën. Ndërsa lëvrimi për të konceptuar imagjinaren shqiptare vazhdon ende sot përmes ideologjisë kombëtariste dhe estetikës, aftësimi ynë për të lexuar të shkuarën është çështje ndriçimi e ndërdisiplinimi, duke mëtuar pastaj fuqi për të rezistuar dhimbjen që shkakton ndërgjegjësimi si lëngatë: Gjyqi me vetveten dhe mërgimi pa nostalgji nga mbizotërimet shqiptare.

Mbas një provimi të tillë, i vështirë dhe i gjatë ky, vjen të pajtuarit me një botë krejt fisnike, por e çuditshme për të shumtët, në mos harbute për të tjerët. Këtej, nga ky realitet që nxjerr jashtë frikën, burojnë guximi për të folur, a për të heshtur, vetëveçimi i imponuar, a i zgjedhur, dhe rrezikimi për të fituar, a për të humbur. Këtej del dhe vetëflijimi i pabujshëm, i cili për herë të parë shfaqet në kulturën tonë jashtë dialektikës dhe shoqërisë së heronjve. Një qytetar i tillë lufton për integritet, por jo për pacënueshmëri, krijon miqësi të sinqerta, por jo të përjetshme, pranon vlera, por jo idhuj, dhe punon për shqiptarin si njeri, e jo si qenie jashtëtokësore. Një intelektual i tillë e lexon më mirë të kaluarën e kombit të tij, sepse nuk i nënshtrohet opinionit kolektivist të shumicës.

Trysnia shqiptare e tejet që ushtrohet sot ndaj intelektualëve tanë në këto shtrëngesa ideologjike – “Kështu duhet lexuar e kaluara!” – shkakton përshkrime të shtirura në mendimtarinë tonë, duke i lënë brezit tjetër, si trashëgimi, mugëtirën. Kur përpiqemi të lexojmë sfondin e përbashkët shqiptar, nuk mund të fshehim drojën se kjo histori, nëse ekzistonte kaq e thjeshtëzuar e kaq romantike, siç na a paraqesin të parët e letrave shqipe sot, do të ishte e paqenë.

Ndërdisiplinimi i dijes

Mendimtaria jonë zyrtare është mëkuar jashtë ndërdisiplinimit të dijes bashkëkohore, prandaj dhe kaq e zhytur në vetvete. Përderisa është pranuar nga politikanët sot, sa djathtas e majtas, se “nuk dinim nga punët e fesë, prandaj dhe gabuam”, nuk është e dobishme të përflasim padijen e tyre ndërkulturore, atje ku përfshihet dhe feja. Nga ana tjetër, nuk mund të mos shquajmë neveritjen e shumicës së intelektualëve tanë ndaj përqasjes ndërdisiplinore në kulturën shqiptare; pamundësinë, pra, për të lexuar palimpsestin vendor.

Duke përjashtuar përmasat kulturore të realiteteve trifetare në letrat shqipe, janë bërë shumë të këqija: Së pari, jofetarët mbeten vetë në padije, sado të zgjuar e të shquar qofshin, aq sa kur fuqitë e fetarëve punojnë për ndrydhjen e ndërgjegjësimit të shoqërisë së sotme shqiptare, për mbytjen e risimit, për shkelmimin e atyre që mendojnë e jetojnë ndryshe, për shkeljen e integritetit, pra, kjo thjesht iu rrëshqet; së dyti, komunitetet fetare çohen në një vetëveçim që ushqen mungesën e vetëkontrollit të tyre, siç ndodh me Janullatosin dhe Liolinët, ku lulëzojnë bizantinizmi e nepotizmi, përkatësisht, me bekimet e Lindjes e të Perëndimit; e të tjera plot të këqija.

Mungesa e kisharëve shqiptarë për të krijuar një zgjua të ortodoksisë shqipfolëse, të paktën në Amerikë, nuk gjen ngushëllim as tek e kaluara, përderisa para lëvizjes për autoqefali shqiptarët ortodoksë njimtoheshin, sesa realizoheshin, midis grekësisë dhe shqiptarësisë, gjë që e ka bërë shumë të vështirë t’i shquash ata në historinë e mëparshme të ortodoksisë; përveç atyre pak të ndriçuarve. Këtu nisin e nuk mbarojnë spekullimet. Në fakt, një nga punët më të ndëshkuara sot është të hulumtosh e të shkruash për shqiptarët ortodoksë para viteve 1900. Sido që të krihet një trajtesë e atillë, kredibiliteti i parashtrimit vështirë të kapërcejë receptimet folklorike nga opinioni i sotëm shqiptar, a rrëzimin, në mos krejt shpërnjohjen nga ai jo shqiptar.

Problemi ortodoks i shqiptarëve mund të dilte edhe kështu: Shqiptarizimi i ortodoksëve nuk pati rrethana e kohë të mjaftueshme të krijojë një pozitë të ngurtë kulturore në Ballkan. Në ditët më të mira u keqpërdor për të shuar ethet e kombëtarizmit, ndërsa në ditët më të këqija u përdor njësoj për të përdhunuar arritje të barasdenja në historinë e krishtërimit shqiptar. Mbas një vlerësimi të tillë, abuzimet ndaj nesh janë çështje kohe e mëshire…

Për të dalë nga padija fetare që na u imponua nga diktatura antifetare për breza me radhë, do të ishte kurth të mjaftohemi vetëm me dëshirat e misionarëve. Më çoroditëse do të ishte të nginjemi me gjysmëdijen e rrëmujës së sotme në shtypin shqiptar, atje ku mbizotëron në gjithë madhështinë e saj “feja” e enciklopedizmit. Në të kundërt të këtij imazhi zotërues të cektinës, bota shqiptare ka nevojë të ngutshme për njerëz me dije të mirëfillta edhe në fe, ashtu siç ekzistojnë edhe në shtetet fqinje, por ashtu siç i kemi edhe vetë ne në fusha të tjera.

Përvoja ortodokse e pasdiktaturës e provoi këtë mungesë më shumë se komunitetet e tjera. Nuk flasim për mungesa në drejtimin e kishës, gjë që ishte pasojë e kompleksitetit të fenomenit shqiptaro-grek, por mungesa në studiues e këshilltarë me dije të mirëfillta në ortodoksí, gjë që do të pengonte përjetësimin e së keqes. Për të parandaluar përsëritjen a përkeqësimin e këtyre dukurive në të ardhmen, por dhe për të mësuar nga përvoja akademike në Perëndim, studimi i religjioneve mund të bëhet dhe nga jashtë tyre, në një nivel shekullar/universitar, në lëmin e studimeve religjioze, jo me domosdo teologjike, pavarësisht nga përvoja e sotme arsimore në Shqipëri dhe në Greqi.

Le t’i studiojmë religjionet e vjetra e të reja në Shqipëri – historinë dhe doktrinat e tyre, tekstualitetin dhe përmasat kulturore – për synime ndërdisiplinimi, por dhe për të fytyruar një trajtë më bindëse për tolerancën ndërfetare të shqiptarëve; për një integrim më pak të dhimbshëm.

Profeti i mbramë Gejxh

Orvajtja për të lexuar të kaluarën tonë ndërfetare bëhet edhe më dështake kur vetë gjeneza e shqiptarëve mbetet ende e paftilluar në letra – vështirësia për të shquar të lashtët tanë. Për sa i përket pastaj zanafillës së komunitetit ortodoks në Shqipëri, mohimet nuk ndërsillen nga albanologët tashmë, por nga shqiptarët jo ortodoksë. Integriteti i komunitetit ortodoks vazhdon të jetë në mëshirë të këtyre dy fuqive: Në njërin skaj është mendimtaria e atjembetur greke, e cila është e tillë sepse ngulmon e njëtrajtshme dhe e papenduar për sa i përket çështjes shqiptare ortodokse, ndërsa në skajin tjetër kemi prapaskenat e klaneve myslimane shqiptare, të cilat përfshihen herë në luftë e herë në aleanca me qarqet greke, por duke parakaluar në paraskenë gjithmonë me marshe trifetare.

Grekët ortodoksë e mohojnë shqiptarinë tonë duke spekulluar me doktrinat e sotme perëndimore mbi të drejtat e pakicave. I mëshojnë referencës së shquar të minoritarëve, gjë që gëzon interesa përfshirjeje e lojtarie nga fuqi të treta, tejkaluese: Mirë se vini, zoti Gejxh! Në botën shqiptare, ai që vjen i dërguar, e gjen gjithmonë shtruar! Është mu këtu ku palimpsesti shqiptar përmbyset “përkohësisht”, për hir të imagjinares helene. Depërtojnë e mundin rrjedhimisht grekët të hegjemonizojnë sot komunitetin ortodoks, të paktën, i cili komunitet nuk kishte zgjidhje më të mirë për vetëqeverisjen e tij në një epokë kalimtarie. Kështu lexohet kjo në sytë e përhumbur të shqiptarëve ortodoksë, në shumicën e tyre, pavarësisht nga kthjelltësia e opinioneve të kundërt të pakicës ortodokse, atje ku s’jam penduar të përkas.

Le të kujtojmë për besëpakët, se edhe lëvizja për kombëtarizimin e ortodoksëve shqipfolës nisi si një pakicë e papërfillshme, e keqkuptuar, e keqtrajtuar dhe madje e përndjekur nga të dy skajet, prandaj dhe me kaq viktima e dëshmorë, por këmbënguli me guxim e ndriçim për të ndërgjegjësuar turmat që manipuloheshin nga kisha bizantine greke dhe nga administratorët myslimanë shqiptarë. Sidoqoftë, ato gra e burra të asaj lëvizjeje reformuese ortodokse, prej të cilëve më të shumtëve nuk iu dimë as emrat – sepse periudha e Pavarësisë ishte epoka e gjëmëmëdhenjve – janë gjegjësit e kristaltë të integritetit.

Gjatë këtyre 15 vjetëve të fundit, nëse vëzhgojmë nga brenda e nga jashtë botës ortodokse, duket se fuqitë greke mundën të bashkëpunojnë, të bashkërendohen, të lënë për më vonë opinionet rrezikuese e përçarjen brendagreke, dhe të jenë të njëzëshëm për problemin tonë, prandaj dhe kaq të suksesshëm ndër shqiptarë. Kur vjen puna tek ne, pra, qarqet greke bashkohen e përdorin të njëjtin fjalës, të njëjtën terminologji, që nga e djathta e deri tek e majta fare. Madje dhe ekstremet e djathta greke e kanë rrokur thelbin dhe nuk flasin më kundër misionit grek në Tiranë, siç pështjelloheshin vitet e para.

Ndërsa disa klane myslimane shqiptare, në të kundërt, kanë qenë dhe janë të parët në luftën kundër atyre shqiptarëve ortodoksë që rrezikojnë mirëfilltas pozitën e dërgatës greke në Tiranë. Për të manipuluar opinionin shqiptar, këta të paftuar sjellin në të qenë personazhe nominalë ortodoksë, duke paraqitur me këto investime një alternativë kusarie në ortodoksinë shqiptare, ashtu siç e duan jo vetëm fuqitë jo ortodokse, për përkryerje bashkëveprimi, por edhe ato greke, për përmbushje të profecive jugore; “për të shpëtuar ortodoksët”.

Myslimanët shfaqen e përfshihen në komunitetin ortodoks me petkun e ateizmit, me dorezat e shqiptarizmës, me epshet e kombëtarizmit, duke lundruar midis laicitetit, tymnajës së pasdiktaturës, por dhe nevojtarisë së patriotëve të sotëm, brenda e jashtë thonjëzave, të cilët ndërsehen sa herë që kërkohet. Vërtetohet kështu tërheqja e mendimtarëve të pasdiktaturës, në shumicën e tyre, për të lexuar palimpsestin vendor, pamundësinë për të vëzhguar ngjyrat që kthehen në vija të shumëfishta midis klasave spirituale shqiptare.

E mbas gjithë kësaj, na bren tash kërshëria: Çfarë tha profeti i mbramë Gejxh gjatë ardhjes së fundit në Tiranë? “Profet” do të thotë në shqipe “parathënës”, ai që i thotë ngjarjet para se të ndodhin. Profetëve nuk iu intereson zhurma e publiciteti, sepse të tillët rendin e flasin me mënyra anësore, duke i ushqyer shumicës ndjesinë e indiferencës ndaj profileve të thukëta… “Ata që kanë veshë për të dëgjuar, le të dëgjojnë”, tha.

Vonesa për t’u shpenguar

Kur themi “komuniteti ortodoks”, nuk është vetëm Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, edhe nëse i shtojmë a i heqim KOASH-it kishat emërshqiptare të Amerikës, por të gjithë këta dhe ata që kanë marrë dikur diçka nga ortodoksia. Kjo marrje, pavarësisht nga trazimi i jetës, dëshmohet jo vetëm në shenja që dallojnë skuta intime të trupit a të shpirtit shqiptar, por dhe në dëshmi më të zëshme, siç janë sytë, mimika, pasthirrmat, gulçimat dhe shpërthimet më të shpenguara emocionale; ato që përcaktojnë përshtypjet dhe jetëgjatësinë e ndjenjave në kontaktin e përditshëm brendashqiptar. Pjesëmarrja në ortodoksinë shqiptare dëshmohet edhe në përzgjedhjet sociale, si përafrimi e bashkëjetimi ndërpersonal, përzierja e përditshme afatshkurtër, vendimet civile afatgjata të qytetarëve, etj; ato që fytyrojnë shqiptarinë, sidomos kur kjo e fundit kundrohet nga jashtë.

Kategorizimi me këta terma në traditën shqiptare ortodokse, e cila, siç u ftillua gjer këtu, përbëhet jo vetëm nga religjioni e fetarët por dhe nga gjithë pjesëmarrësit e aspekteve kulturore të fesë në fjalë, paralajmëron se nuk ka vija ndarëse gjatë diskursit fetar në Shqipëri, sesa zbehje a ndezje të ngjyrave të trashëguara. Po gjetkë, çfarë ndodh?

Është më e lehtë të hasësh një ortodoks që publikisht shtrëngohet të thotë se “unë kam prindët ortodoksë, por vetë nuk jam ortodoks”, sesa një katolik, për shembull. Të paktën unë vetë nuk kam dëgjuar asnjë shqiptar të traditës katolike që të mohojë përkatësinë e tij fetare, pavarësisht nga cilësia dhe interesimi i tyre tempullor.

Shumica e shqiptarëve myslimanë [myslimanët e Shqipërisë], ndryshe nga katolikët, kanë drojë ta pohojnë traditën e tyre, madje druhen më tepër edhe nga ortodoksët, për shkak të dhunës psikologjike që, mjerisht, ushtrohet sot gjithandej ndaj besimit islamik. Sidoqoftë, në çaste shpërthyese ata shpengohen, siç ndodhi me incidentin e Nepravishtës, kur u nxituan e thanë se banorët e atij fshati “janë myslimanë, jo minoritarë”, për të bërë sa më të besueshme shqiptarinë e banorëve. Por kur u riciklua sendërgjia fqinje, të njëjtat klane dolën në të përditshmet e Tiranës, me gjakftohtësi tashmë, për të na zhbindur se “banorët e Nepravishtës gabimisht u quajtën myslimanë, sepse ata janë shqiptarë”, në një kohë që cilësimit të tyre fillestar nuk i mungonte asgjë. Në këtë rend moral që hijeshon jugun e Shqipërisë, a kishte më bindëse dëshmi se e para?

Trysnia jashtëshqiptare ka shtuar komplekse në komplekset tona, sepse ka shtirë drojë në të rrëfyerit publik, sidomos te përkatësia fetare, duke ngjizur kategorizime që ushqejnë, më së paku ndër të këqija, diskriminimin e shumë shqiptarëve – Për myslimanët, së pari, dhe për ortodoksët, së dyti. Kjo ndodh në një kohë kur problemi më i madh i brezit tonë, domethënë beteja jonë për t’u integruar me realitete të lakmuara, ngec më së shumti në këtë pikë, te komplekset grupore, tek ngulmi e qerthullimi rreth vetvetes, tek pushteti i shprehive, tek apatia, tek mospajtimi me pasionet dhe tendencat që na tejkalojnë, tek vrenjtja e përdhunshme e shpirtit, tek pleqëria e parakohshme, tek dorëzimi ndaj vdekjes, tek pamundësia për të mohuar pjesën e sëmurë të kulturës shqiptare; tek ngadalësia, pra, për t’u shpenguar.

Sfida e dashurisë për shqiptarin

E vërteta se shumica shqiptare është myslimane nuk ka pse të fshihet, pavarësisht nga kompleksi ynë grupor. Droja për ta pranuar këtë fakt është vendore. I ngjan përkujdesjes shqiptare për t’i fshehur botës turpin e pragut të shtëpisë, edhe kur një trajtë e atillë nuk mund të fshihet sepse vetëshquhet që së largu. Përderisa është kështu, domethënë se myslimanët janë shumicë në Shqipëri, e shumë më tepër në plotërinë e botës shqiptare, ne të krishterët nuk kemi pse të biem në kurthe të tilla dhe të vëmë në dyshim përpjestimet e paradhëna ndërfetare. Kjo është kryefund lojë! E çuditshme është se të gjithë e dinë të vërtetën, madje e pasurojnë paq kur ulen kokë më kokë me njëri-tjetrin, por vetëm se botërisht e shkelin atë, për t’iu kënduar himne, për t’iu bërë blatime e për t’iu ofruar flijime hyjnive të Realizmit Socialist.

Le t’i themi gjërat ashtu siç janë: Nuk jemi vetëm pjesëtarë të një kulture kryesisht myslimane, gjë që na mbërthen dyfish, në mos shumëfish, midis Lindjes e Perëndimit, me gjithë ato pasoja pozitive e negative, por jemi qytetarë të një shteti anëtar në konferencën e përbotshme islamike, gjë që për ne të krishterët e ka vështirësuar debatin. Këto dy të vërteta – pozita e shumëfishtë midis, dhe anëtarësia mu në mëmë të atij qytetërimi Tjetër – nuk pësojnë tëhuajtje nga asnjë statistikë e sotme, e, për më pak, nga asnjë çapraz demagogjik. Nëse jemi mohorë në këto fakte, nga njëra anë shkelim integritetin e myslimanëve shqiptarë, madje duke i provokuar ata, ndërsa nga ana tjetër krijojmë përshtypjen se Shqipëria është toka e premtuar për të krishterët. Sidoqoftë, kur i mohon dikujt të qenit, qoftë dhe duke e ledhatuar, kjo mund të jetë gjithçka, përveçse dashuri ndaj myslimanëve shqiptarë.

Në këtë perspektivë të menduari e të qëndruari drejt, nuk është fare ekzagjeruese të themi se çdo religjion shqiptar ka kulturorisht dhe një “nënreligjion”, atje ku hyjnë sa herë që kërkohet ateistët, përndryshe të vetëshpallur: Janë të fjeturit e gjallë të asaj tradite, të cilët zgjohen e bashkëveprojnë në rrethana emocionale, siç u shfaq bam vitin e fundit, mbas kumtesës së famshme të Presidentit në Angli. Kjo mund të pranohet më lehtë nëse e shohim si pikë përbashkësie me fqinjët jugorë. Sipas statistikave të sotme, shumica dërrmuese e grekëve nuk shkon fare në kishë, as i ruan ritet e traditës së tyre, por ama është përkatësia ortodokse ajo që i bashkon fqinjët jugorë, e jo doktrinat perëndimore me të cilat intelektualët e tyre shekullarizuan jetën greke. Edhe në ortodoksinë e Greqisë ekzistojnë të njëjtat trajta përkatësie, besimtarët dhe jo besimtarët, por përderisa sot nuk ka shkaqe ndërkombëtare ndaj doktrinës së krishtërimit ortodoks, grekët nuk e mohojnë përkatësinë e tyre tradicionale botërisht, ndryshe nga barasvlerësit e tyre të shumicës në Shqipëri.

Në një shoqëri shqiptare që heq me supe në krizë identitare, e jo në krizë fetare, institucionet shekullare nuk na ndihmojnë dot. Sa për institucionet fetare të traditës, e ardhmja do të jetë gjykatës i drejtë, sepse ne të gjallët shquam shpesh thellimin e humnerës morale ndër shqiptarë. Është pikërisht kjo e keqe që sjell edhe të tjera, sidomos kur tensionet martohen, duke e bërë të pamundur fshehjen e tyre për jo shqiptarët. Për një botë kaq të ndërlikuar, por dhe kaq të vogël si shqiptarja, ndërkombëtarët do t’i ofrojnë Perëndimit, më së pari, përshkrimin e incidenteve më të zëshme, ato që tingëllojnë më interesante për veshët e tyre, siç janë ngjarjet ndërfetare, dhe jo gërmimin e ndërgjegjjes arbërore, e cila mbetet goxha punë për ne shqipot, por jo për ata përtej.

Nëse çlirohemi nga trysnitë brenda e tejet nesh, nëse denjojmë të zbresim nga qiejt e imagjinatës së heterotopive, atje ku na ngjiti ëmbëlsisht Realizmi Socialist, dhe ulemi këtu, në truallin e vrazhdë të këtij realiteti ballkanas, për të lexuar palimpsestin shqiptar, do të tronditemi, por nuk do të turpërohemi. Ky brez ka nevojë për një lexim të paanshëm të sfondit shqiptar, për një lexim të mirëfilltë, tej vizatimeve të sotme evropianiste, mbi këtë libër paraevropian e kaq të dëmtuar, dhe tej zhgarravinave të djeshme nacionalkomuniste. Estetizimi i historisë kombëtare dhe ideologjia për të sunduar moralisht, duhet t’i lënë vendin sinqeritetit, ndriçimit dhe ndërdisiplinimit, për të shquar përhitjet e shkrimit nistor: Gjurmë në palimpsestin shqiptar.

Le ta përfillim specifikën e larmisë shqiptare – fetarë, dyfetarë, jofetarë dhe antifetarë – si një sfidë për të debatuar, për të plotëruar diskursin shqiptar, por dhe për të honepsur kundërthënësit. Sepse të tillë ndonjëherë janë dhe vetë ata, kundërthëniet e mëdha në të kaluarën, çastet e pashlyeshme, kontradiktat dhe antitezat e shquara në letrat shqipe. Përderisa për gjithë këto kundërthënie bëhen fajtorë gjithmonë të vdekurit, përse, për ithtarët e kombëtarizmit, është e pamundur të honepsen të gjallët?

Mbi të gjitha e për të gjitha, le ta pranojmë konfiguracionin e sotëm ndërfetar si një dhënie së larti për të provuar dashurinë për njëri-tjetrin dhe dashurinë për të ndryshmen; për Tjetrin brenda nesh. Për shqiptarin ashtu siç është; siç e deshi Zoti!

At Foti Cici
ShqiptarOrtodoks.com, 1 maj 2006