Kapitulli:  1  2  3  4  5  6  7  8  9  10  11  12  13

Kapitulli 1

1 Perëndia, kohë më parë, u foli etërve me anë të profetëve shumë herë dhe në shumë mënyra,

2 por këto ditët e fundit na ka folur neve me anë të Birit të Vet, të cilin e vuri trashëgimtar mbi të gjitha gjërat, dhe nëpërmjet të cilit Ai bëri edhe gjithësinë.

3 Ai është rrezatimi i lavdisë së Tij, shëmbëllesa e qenies së Tij, duke mbajtur gjithçka me fjalën e Tij të fuqishme. Pasi bëri pastrimin nga mëkatet, Ai u ul në të djathtë të Madhërisë në lartësitë e qiejve.

4 Ai u bë aq më i lartë se engjëjt, saqë emri që ka trashëguar është edhe shumë më i lartë se emri i tyre.

5 Sepse cilit prej engjëjve i tha Perëndia ndonjëherë: “Ti je Biri Im, Unë sot të kam lindur” ose përsëri: “Unë do t’i bëhem Atij Atë dhe Ai do të jetë Bir për Mua”?

6 Dhe përsëri, kur Perëndia sjell të parëlindurin në botë, Ai thotë: “Le ta adhurojnë Atë të gjithë engjëjt e Perëndisë.”

7 Për engjëjt Ai thotë: “Ai i bën engjëjt e Vet erëra dhe shërbyesit e Vet flakë zjarri.”

8 Por për Birin thotë: “Froni Yt, o Perëndi, do të jetë për jetë të jetëve dhe drejtësa do të jetë skeptri i mbretërisë Sate.

9 E ke dashur drejtësinë dhe e ke urryer paudhësinë. Prandaj Perëndia, Perëndia Yt, të ka vënë mbi shokët e Tu, duke të lyer me vaj ngazëllimi.

10 Ti o Zot, në fillim hodhe themelin e dheut dhe qiejt janë vepra të duarve të Tua.

11 Ata do të zhduken, por Ti do të mbetesh dhe të gjithë si plaçkë trupi do të vjetrohen.

12 Si mantel do t’i mbështjellësh; si rrobë do të ndërrohen. Por Ti je po Ai dhe vitet e Tua nuk do të shterin kurrë.”

13 Por cilit prej engjëjve i tha Perëndia ndonjëherë: “Ulu në të djathtën Time, derisa t’i vë armiqtë e Tu si stol për këmbët e Tua.”?

14 A nuk janë të gjithë shpirtra të ngarkuar me një detyrë, që janë dërguar për t’u shërbyer atyre që do të trashëgojnë shpëtimin?

Kapitulli 2

1 Për këtë arsye ne duhet t’i kushtojmë edhe më shumë vëmendje atyre që kemi dëgjuar, se mos dalim nga rruga.

2 Sepse kur fjala e folur nëpërmjet engjëjve doli se është e patundur dhe çdo shkelje e mosbindje mori dënimin e merituar,

3 si do të shpëtohemi nëse lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh? Ky shpëtim, që u shpall në fillim nëpërmjet Zotit, na u vërtetua nga ata që e dëgjuan.

4 Edhe Perëndia dëshmoi bashkë me ta, si me shenja e me çudira ashtu edhe me mrekulli të ndryshme e dhurata të Frymës së Shenjtë të përndara sipas vullnetit të Tij.

5 Sepse Ai nuk ua nënshtroi engjëjve botën që po vinte, për të cilën flasim.

6 Por dikush ka dëshmuar diku, duke thënë: “Ç’është njeriu, që Ti të kujtohesh për të, ose biri i njeriut, që Ti të kujdesesh për të?

7 E bëre atë pak më të vogël se engjëjt; me lavdi dhe nder e kurorëzove;

8 gjithçka nën këmbët e tij e nënshtrove.” Sepse duke ia nënshtruar gjithçka atij, Perëndia nuk la gjë pa ia nënshtruar atij. Por tani ende nuk shohim që gjithçka t’i jetë nënshtruar atij.

9 Por shohim Jezusin, që u bë pak më i vogël se engjëjt, tani të kurorëzuar me lavdi e nder për shkak të vuajtjes së vdekjes, që nëpërmjet hirit të Perëndisë të shijonte vdekjen për të gjithë.

10 Duke sjellë shumë bij në lavdi, Atij, për të cilin dhe nëpërmjet të cilit ekziston gjithçka, i duhej të bënte të përsosur autorin e shpëtimit të tyre nëpërmjet vuajtjeve.

11 Sepse, si Ai që shenjtëron edhe ata që shenjtërohen, të gjithë kanë të njëjtën zanafillë. Prandaj Jezusi nuk e ka për turp t’i quajë ata vëllezër,

12 duke thënë: “Do t’ua shpall emrin Tënd vëllezërve të Mi, në mes të të mbledhurve në kishë do të thur lavde për Ty.”

13 Dhe përsëri: “Unë do ta vë besimin Tim në Të.” Dhe përsëri: “Ja, Unë dhe bijtë që më ka dhënë Perëndia.”

14 Meqenëse bijtë kanë të përbashkët gjakun dhe mishin, edhe Ai vetë po ashtu u bë pjesëmarrës në ta, që nëpërmjet vdekjes të shfuqizonte atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin,

15 dhe të çlironte të gjithë ata, që nga frika e vdekjes, ishin mbajtur në skllavëri gjatë gjithë jetës.

16 Sepse Ai, pa dyshim, nuk u jep ndihmë engjëjve, por pasardhësve të Abrahamit.

17 Prandaj, Atij iu desh të bëhej si vëllezërit e Tij në gjithçka, që të bëhej kryeprift i mëshirshëm dhe besnik në gjërat që i përkasin Perëndisë, për të shlyer mëkatet e popullit.

18 Meqenëse Ai vetë vuajti kur u tundua, Ai është në gjendje t’i ndihmojë ata që tundohen.

Kapitulli 3

1 Prandaj, o vëllezër të shenjtë, bashkëpjesëmarrës në thirrjen qiellore, mbajeni mendjen tek Jezusi, Apostulli dhe Kryeprifti i besimit tonë.

2 Ai i qëndroi besnik Atij që e ka vënë, siç veproi edhe Moisiu në [tërë] shtëpinë e Perëndisë.

3 Porse Ky u vlerësua të kishte më shumë lavdi se Moisiu, ashtu si ai që e ndërton shtëpinë ka më shumë nder se vetë shtëpia.

4 Sepse çdo shtëpi është ndërtuar prej dikujt, por ndërtuesi i të gjitha gjërave është Perëndia.

5 Moisiu ishte besnik si shërbyes në tërë shtëpinë e Perëndisë, duke dëshmuar për atë që do të thuhej më vonë.

6 Por Krishti ishte besnik si Bir i caktuar në shtëpinë e Perëndisë. Ne jemi shtëpia e Tij, po të mbahemi fort pas bindjes dhe shpresës me të cilën mburremi.

7 Prandaj, siç thotë Fryma e Shenjtë: “Sot, po ta dëgjoni zërin e Tij,

8 mos i ngurtësoni zemrat siç vepruat kur ngritët krye, gjatë kohës së tundimit në shkretëtirë,

9 ku etërit tuaj më tunduan e më vunë në provë, dhe për dyzet vjet i panë veprat e Mia.

10 Prandaj u zemërova me këtë brez dhe thashë: ‘Gjithmonë gabojnë në zemrën e vet; ata nuk i kanë njohur rrugët e Mia’

11 dhe u betova në zemërimin Tim: ‘Nuk do të hyjnë në prehjen Time’.”

12 Hapni sytë, vëllezër, që asnjë prej jush të mos ketë zemër të ligë mosbesuese, që largohet nga Perëndia i gjallë.

13 Por jepini zemër njëri-tjetrit nga dita në ditë, për aq kohë sa quhet “Sot”, që asnjë prej jush të mos bëhet i vrazhdë nga mashtrimi i mëkatit.

14 Sepse jemi bërë pjesëtarë të Krishtit, po të mbajmë fort deri në fund bindjen që kishim në fillim,

15 siç është thënë: “Sot, po të dëgjoni zërin e Tij, mos i ngurtësoni zemrat si atëherë kur ngritët krye.”

16 Sepse kush ishin ata që, pasi e dëgjuan, ngritën krye? A nuk ishin të gjithë ata që Moisiu i nxori nga Egjipti?

17 Me kë u zemërua Ai për dyzet vjet? A nuk i hipi zemërimi me ata që mëkatuan, trupat e të cilëve ranë në shkretëtirë?

18 Kujt iu betua Ai se nuk do të hynin në prehjen e Tij, veçse atyre që nuk iu bindën?

19 Në të vërtetë shohim se ata nuk mundën të hynin për shkak të mosbesimit të tyre.

Kapitulli 4

1 Prandaj, përderisa premtimi për të hyrë në prehjen e Tij ende qëndron, të kemi kujdes që asnjë prej jush të mos dalë që ka mbetur jashtë.

2 Sepse vërtet edhe neve, ashtu si atyre, na është predikuar ungjilli, por fjala që ata dëgjuan, nuk pati asnjë vlerë për ta, sepse kur e dëgjuan, nuk e morën bashkë me besimin.

3 Tani, ne që kemi besuar, hyjmë në atë prehje, siç ka thënë Ai: “Kështu u betova në zemërimin Tim, ‘Ata nuk do të hyjnë në prehjen Time’”, megjithëse veprat e Tij u përfunduan që nga themelimi i botës.

4 Sepse, në të vërtetë, diku Ai ka thënë për ditën e shtatë këto fjalë: “Ditën e shtatë Perëndia pushoi nga të gjitha punët e Veta.”

5 dhe përsëri po këtu thuhet: “Ata nuk do të hyjnë kurrë në prehjen Time.”

6 Akoma mbetet që disa do të hyjnë në të dhe ata të cilëve më parë iu shpall lajmi i mirë nuk hynë dot për shkak të mosbindjes.

7 Prandaj Perëndia përsëri cakton një ditë, që e quan “Sot”, kur shumë kohë më pas, Ai foli me anë të Davidit, siç është thënë më parë: “Sot, po të dëgjoni zërin e Tij, mos i ngurtësoni zemrat.”

8 Sepse po t’u kishte dhënë prehje Joshua, Perëndia nuk do të kishte folur më pas për një ditë tjetër.

9 Kështu pra, mbetet një ditë prehjeje për popullin e Perëndisë.

10 Sepse ai që hyn në prehjen e Tij, edhe ai vetë bën pushim pas veprës së vet, siç bëri Perëndia.

11 Pra, të bëjmë çdo përpjekje për të hyrë në atë prehje, që asnjë të mos bjerë në të njëjtin shembull mosbindjeje.

12 Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë, vepruese dhe më e mprehtë se çdo shpatë dytehëshe. Ajo futet thellë deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjave dhe të palcës, duke qenë në gjendje të gjykojë mendimet dhe qëllimet e zemrës.

13 Nuk ka asnjë krijesë që të mund të fshihet përpara Tij, por gjithçka është e hapur dhe e zbuluar para syve të Tij, para të cilit do të japim llogari.

14 Pra, meqenëse kemi një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin Birin e Perëndisë, le të mbahemi fort në besimin që pranojmë.

15 Sepse nuk kemi një kryeprift që nuk mund të ndiejë keqardhje për dobësitë tona, por një që u tundua në çdo drejtim, ashtu si edhe ne, e megjithatë është pa mëkat.

16 Le t’i afrohemi pra, me bindje, fronit të hirit, që të përftojmë mëshirë dhe të gjejmë hir për të na ardhur në ndihmë në kohët tona të vështira.

Kapitulli 5

1 Sepse çdo kryeprift, që përzgjidhet midis njerëzve, caktohet për t’i përfaqësuar njerëzit për gjërat që lidhen me Perëndinë, që të ofrojë dhurata dhe flijime për mëkatet.

2 Ai është në gjendje t’i trajtojë me butësi të paditurit dhe ata që janë në rrugë të gabuar, meqë edhe ai është i veshur me dobësi.

3 Për këtë arsye atij i duhet të ofrojë flijime për mëkatet, si për popullin ashtu edhe për veten e vet.

4 Askush nuk e merr vetë këtë nder, por e merr kur thirret nga Perëndia, ashtu siç ishte edhe Aaroni.

5 Kështu edhe Krishti nuk i dha lavdi Vetes që të bëhej kryeprift. Por Perëndia i tha Atij: “Ti je Biri Im. Sot të kam lindur,”

6 siç thotë edhe në një vend tjetër: “Ti je prift përjetë në rendin e Melkizedekut.”

7 Gjatë ditëve kur Jezusi ishte mbi tokë, Ai i ofroi lutje dhe kërkesa me britma të forta e me lot Atij që mund ta shpëtonte nga vdekja dhe Ai u dëgjua për shkak të përshpirtshmërisë së Vet.

8 Edhe pse ishte Bir, Ai e mësoi bindjen nga ato që vuajti.

9 Si u bë i përkryer, Ai u bë burim i shpëtimit të përjetshëm, për të gjithë ata që i binden Atij,

10 i shpallur nga Perëndia si kryeprift në rendin e Melkizedekut.

11 Për këtë kemi shumë për të thënë, por është vështirë të shpjegohet, meqë juve ju është rënduar dëgjimi.

12 Sepse, megjithëse në këtë kohë duhet të ishit mësues, ju përsëri keni nevojë që dikush t’ju mësojë njohuritë fillestare të fjalës së Perëndisë. Ju tashmë keni nevojë për qumësht dhe jo për ushqime të ngurta.

13 Sepse, cilido që jeton vetëm me qumësht, duke qenë ende fëmijë, është pa përvojën e fjalës së drejtësisë.

14 Ushqimi i fortë është për të rriturit, të cilët, për shkak të përvojës, i kanë ndjenjat të stërvitura për të dalluar të mirën nga e keqja.

Kapitulli 6

1 Prandaj, t’i lëmë tani mësimet fillestare për Krishtin dhe të vazhdojmë me pjekurinë, pa hedhur përsëri nga e para themelin: pendimi nga veprat që sjellin vdekjen dhe besimi në Perëndinë,

2 mësimi i pagëzimeve, vënia e duarve, ngjallja e të vdekurve dhe gjykimi i përjetshëm.

3 Dhe këtë do ta bëjmë, po ta lejojë Perëndia.

4 Sepse është e pamundur për ata që u ndriçuan një herë, që e kanë shijuar dhuntinë qiellore, që janë bërë pjesëtarë të Frymës së Shenjtë

5 dhe kanë shijuar mirësinë e fjalës së Perëndisë si edhe fuqitë e epokës që po vjen, po të rrëzohen,

6 të kthehen përsëri në pendim, sepse për humbjen e tyre ata po e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë dhe po e turpërojnë botërisht.

7 Sepse toka që pi shiun që bie shpesh mbi të dhe që u jep fryte të dobishme atyre për të cilët kultivohet, merr bekimin e Perëndisë.

8 Por kur nxjerr gjemba e murriza, është e padobishme dhe është në rrezik për t’u mallkuar, dhe kështu përfundon në djegie.

9 Edhe pse flasim kështu, miq të dashur, jemi të bindur se ju presin gjëra më të mira, gjëra që i përkasin shpëtimit.

10 Perëndia nuk është i padrejtë. Ai nuk do të harrojë punën tuaj dhe dashurinë që ju keni treguar për emrin e Tij me shërbesën që u keni bërë dhe vazhdoni t’u bëni shenjtërve.

11 Ne kemi dëshirën e madhe që secili prej jush të tregojë po atë zell deri në fund për ta bërë shpresën tuaj të sigurt,

12 që të mos bëheni përtacë, por të imitoni ata që, nëpërmjet besimit dhe durimit, trashëgojnë premtimet.

13 Sepse kur Perëndia i dha Abrahamit premtimin, meqë nuk kishte njeri mbi Vete më të madh për të cilin të betohej, bëri be me veten e Vet,

14 duke thënë: “Sigurisht që do të të bekoj, patjetër që do të të shumoj.”

15 Dhe kështu, duke pritur me durim, Abrahami mori atë që iu premtua.

16 Sepse njerëzit bëjnë be për dikë më të madh se vetja e tyre dhe kështu beja vërteton ato që janë thënë dhe i jep fund çdo mosmarrëveshjeje.

17 Po kështu, Perëndia, duke dashur t’ua bënte akoma më të qartë trashëgimtarëve të premtimit natyrën e pandryshueshme të qëllimit të Vet, vuri benë si ndërmjetës,

18 që, me anë të dy gjërave të pandryshueshme, në të cilat është e pamundur që Perëndia të gënjejë, ne të merrnim guxim të madh, ne që ikëm për t’u kapur pas shpresës që na është vënë përpara.

19 Këtë shpresë e kemi si një spirancë të shpirtit, të sigurt dhe të patundur, që hyn në brendësi të shenjtërores pas velit,

20 ku hyri Jezusi si një pararendës për ne, duke u bërë kryeprift përjetë në rendin e Melkizedekut.

Kapitulli 7

1 Sepse ky Melkizedek, mbret i Salemit, prift i Më të Lartit Perëndi, e takoi Abrahamin kur ky po kthehej nga shpartallimi i mbretërve dhe e bekoi.

2 Atij Abrahami i dha të dhjetën e gjithçkaje. Së pari, emri i tij përkthehet ‘mbret i drejtësisë’, pastaj edhe ‘mbret i Salemit’, që do të thotë ‘mbret i paqes’.

3 Pa atë, pa nënë, pa gjenealogji, pa pasur as fillim ditësh as fund jete, por i bërë në ngjashmëri me Birin e Perëndisë, mbetet ngahera prift.

4 Mendoni sa i madh ishte ky njeri. Madje edhe patriarku Abraham i dha një të dhjetën e plaçkës së kapur.

5 Ata që vërtet janë nga bijtë e Levit, që pranojnë priftërinë, kanë të drejtë sipas Ligjit t’i marrin të dhjetën popullit, domethënë, vëllezërve të vet, edhe pse ata kanë dalë prej Abrahamit.

6 Por ai, prejardhja e të cilit nuk vjen prej tyre, mori të dhjetën nga Abrahami dhe bekoi atë që kishte premtimet.

7 S’ka dyshim që më i vogli bekohet nga më i madhi.

8 Këtu, të dhjetat i marrin njerëzit e vdekshëm, ndërsa atje i merr ai për të cilin jepet dëshmi se po jeton.

9 Madje mund të thuhet që edhe Levi, që sot i merr të dhjetën, e ka dhënë dikur të dhjetën nëpërmjet Abrahamit,

10 sepse kur Melkizedeku takoi Abrahamin, Levi ishte ende në ijët e paraardhësit të vet.

11 Pra, po të vinte përkryerja nëpërmjet priftërisë levitike (sepse populli në bazë të saj e mori Ligjin), atëherë ç’ishte nevoja të dilte një prift tjetër në rendin e Melkizedekut dhe jo në rendin e Aaronit?

12 Sepse, kur ndërrohet priftëria, bëhet i domosdoshëm edhe ndryshimi i ligjit.

13 Sepse ai për të cilin thuhen këto gjëra, i përkiste një fisi tjetër, dhe askush nga ai fis nuk i ka shërbyer altarit.

14 Por dihet mirë që Zoti ynë ka dalë nga Juda, një fis për të cilin Moisiu nuk përmendi priftërinj.

15 Kjo bëhet edhe më e qartë, nëse del një prift tjetër i ngjashëm me Melkizedekun,

16 që të jetë bërë i tillë, jo sipas një rregulli që lidhet me prejardhjen, por nga fuqia e një jete të pashkatërrueshme.

17 Sepse është dëshmuar që: “Ti je prift përjetë në rendin e Melkizedekut.”

18 Sepse, nga njëra anë, rregulli i mëparshëm shfuqizohet për shkak të dobësisë dhe padobisë së tij,

19 (sepse Ligji nuk bëri asgjë të përsosur) dhe, nga ana tjetër, futet një shpresë më e mirë, nëpërmjet së cilës ne i afrohemi Perëndisë.

20 Dhe kjo nuk u bë pa betim. (Sepse ata bëheshin priftërinj pa betim,

21 ndërsa Ai u bë prift me betim nëpërmjet Atij që i tha: “Zoti u betua dhe nuk do të ndërrojë mendje: ‘Ti je prift përjetë’.”).

22 Aq më tepër Jezusi është bërë dorëzanësi i një besëlidhjeje [edhe] më të mirë.

23 Priftërit e mëparshëm, nga njëra anë, ishin të shumtë në numër, sepse vdekja i pengonte të vazhdonin detyrën,

24 por Ai, nga ana tjetër, meqenëse mbetet përjetë, zotëron një priftëri që nuk mbaron kurrë.

25 Prandaj edhe mund t’i shpëtojë plotësisht ata që vijnë tek Perëndia nëpërmjet Tij, meqë Ai gjithmonë jeton për të ndërmjetësuar për ta.

26 Sepse neve na duhej një kryeprift i tillë, i shenjtë, i pafaj, i panjollë, i shkëputur prej mëkatarëve dhe i lartësuar mbi qiej.

27 Ndryshe nga kryepriftërinjtë e tjerë, Ai nuk ka nevojë të ofrojë përditë flijime më parë për mëkatet e Veta e pastaj për ato të popullit, sepse këtë Ai e bëri një herë e përgjithmonë, kur dha për flijim Veten e Vet.

28 Sepse Ligji cakton si kryepriftërinj njerëz që kanë dobësi, por fjala e betimit, që erdhi pas Ligjit, cakton Birin, që është bërë i përkryer përjetë.

Kapitulli 8

1 Thelbi i atyre që po themi, është ky: ne kemi një kryeprift të tillë, i cili ka zënë vend në të djathtë të fronit të Madhërisë në qiej,

2 një që shërben në shenjtërore, në tabernakullin e vërtetë, të cilin e ka ngritur Zoti, jo njeriu.

3 Sepse çdo kryeprift caktohet për të ofruar dhurata dhe flijime. Prandaj është e nevojshme që edhe ky të ketë diçka që të ofrojë.

4 Po të ishte Ai mbi tokë, nuk do të ishte prift, meqë ka tashmë njerëz që ofrojnë dhurata sipas Ligjit.

5 Këta shërbejnë në një shenjtërore që është sipas modelit dhe hijes së asaj që është në qiell, siç u paralajmërua Moisiu kur kishte ndër mend të ngrinte tabernakullin. “Shiko”, i tha Ai: “që gjithçka ta bësh sipas modelit që t’u tregua në mal.”

6 Por shërbesa që ka marrë Jezusi është edhe më e shkëlqyer, meqë besëlidhja, në të cilën Ai është ndërmjetës, është shumë më e mirë, dhe mbështetet mbi premtime më të mira.

7 Sepse po të ishte pa të meta besëlidhja e parë, nuk kishte përse të kërkohej një e dytë.

8 Perëndia, duke i fajësuar njerëzit, tha: “Ja, ditët po vijnë, thotë Zoti, kur do të vendos një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës.

9 Jo sipas besëlidhjes që kam bërë me etërit e tyre në ditën kur i mora për dore për t’i nxjerrë nga toka e Egjiptit, sepse ata nuk i qëndruan besnik besëlidhjes Sime dhe Unë u largova prej tyre, thotë Zoti.

10 Sepse kjo është besëlidhja që do të bëjë me shtëpinë e Izraelit pas asaj kohe, thotë Zoti: do t’u shtie në mendje ligjet e Mia dhe në zemrat e tyre do t’i shkruaj ato. Do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli Im.

11 Askush të mos e mësojë bashkëvendësin e vet, askush vëllanë e vet, duke thënë: ‘Ta njohësh Zotin,’ sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli deri te më i madhi i tyre.

12 Sepse do të kem mëshirë për padrejtësitë e tyre dhe nuk do t’i kujtoj mëkatet e tyre.”

13 Kur thotë: “Besëlidhje e re”, Ai e ka vjetruar të parën, dhe ajo që vjetrohet dhe plaket, do të zhduket shpejt.

Kapitulli 9

1 Pra, edhe besëlidhja e parë kishte rregulla për adhurimin hyjnor si dhe një shenjtërore tokësore.

2 Sepse ishte ngritur një tabernakull, në pjesën e parë të të cilit ishte vendosur shandani, tryeza dhe bukët e përkushtimit, dhe quhej vendi i shenjtë.

3 Pas velit të dytë, vinte një tabernakull që quhej Shenjtërorja e Shenjtëroreve,

4 që kishte një temjanicë prej ari dhe arkën e besëlidhjes, veshur nga të gjitha anët me ar. Aty ishin vendosur një poçe e artë me maná, shkopi i Aaronit që kishte nxjerrë sytha, si edhe rrasat e besëlidhjes.

5 Mbi të ishin kerubinët e lavdisë që i bënin hije pajtimores. Për këto nuk mund të flasim tani me hollësi.

6 Pasi çdo gjë përgatitej në këtë mënyrë: priftërinjtë hynin gjithmonë në pjesën e parë të tabernakullit, për të kryer shërbesat hyjnore,

7 ndërsa në të dytën hynte vetëm kryeprifti, vetëm një herë në vit, kurrë pa gjak, të cilin ai e ofronte për veten e vet dhe për mëkatet që kishte bërë populli i tij nga padija.

8 Me këtë Fryma e Shenjtë tregonte se rruga për te Vendi më i Shenjtë nuk ishte shfaqur ende, përderisa qëndronte ende më këmbë pjesa e parë e tabernakullit.

9 Kjo simbolizonte kohën e tashme, që tregon se dhuratat dhe flijimet që ofrohen, nuk mund ta pastronin ndërgjegjen e atij që adhuronte,

10 sepse ato lidhen vetëm me të ngrëna, të pira, larje të ndryshme ceremoniale, rregulla njerëzore, për t’u zbatuar deri në kohën e një rendi të ri.

11 Por, kur erdhi Krishti si kryeprift i të mirave që do të vijnë, Ai hyri nëpërmjet tabernakullit më të madh dhe më të përsosur, të bërë jo nga duar njerëzish, domethënë, që nuk i përket këtij krijimi.

12 Ai nuk hyri me anë të gjakut të cjepve dhe viçave; Ai hyri një herë e përgjithmonë në Vendin më të Shenjtë nëpërmjet gjakut të Vet, duke siguruar shpengimin e përjetshëm.

13 Sepse kur gjaku i cjepve e i demave dhe hiri i mëshqerës, duke spërkatur ata që janë ndotur, i shenjtëron duke i pastruar nga jashtë,

14 sa më tepër gjaku i Krishtit, i cili nëpërmjet Frymës së përjetshme ia dha veten e Vet të panjollosur Perëndisë, do të pastrojë ndërgjegjen tonë nga veprat që çojnë në vdekje, që ne t’i shërbejmë Perëndisë së gjallë?

15 Për këtë arsye Ai është ndërmjetës i një besëlidhjeje të re, që, ata që janë thirrur, të marrin premtimin e trashëgimisë së përjetshme tani që Ai ka vdekur, si shpërblesë për të falur mëkatet e bëra në besëlidhjen e parë.

16 Sepse aty ku ka një testament, duhet të vërtetohet vdekja e atij që ka bërë testamentin.

17 Sepse një testament ka vlerë vetëm pas vdekjes, dhe kurrë nuk ka fuqi kur rron ai që ka bërë testamentin.

18 Prandaj as besëlidhja e parë nuk u vu në jetë pa gjak.

19 Sepse kur Moisiu ia shpalli gjithë popullit urdhërimet e Ligjit, ai mori gjakun e viçave (dhe të cjepve) bashkë me ujë e lesh të kuq dhe degë hisopi, dhe spërkati me këto librin dhe gjithë popullin,

20 duke thënë: “Ky është gjaku i besëlidhjes që Perëndia ju urdhëroi ta respektoni.”

21 Po ashtu ai spërkati me gjak tabernakullin dhe të gjitha enët e shërbesës hyjnore.

22 Sepse, sipas Ligjit, pothuaj gjithçka pastrohet me anë të gjakut dhe pa derdhje gjaku nuk ka falje.

23 Prandaj ishte e nevojshme që shëmbëllesat e gjërave qiellore të pastroheshin me këto flijime, por vetë gjërat qiellore duheshin pastruar me flijime më të mira se këto.

24 Sepse Krishti nuk hyri në një shenjtërore të bërë nga njerëzit, shëmbëllesë e shenjtërores së vërtetë, por hyri në vetë qiellin, që të dalë tani për ne përpara Perëndisë.

25 Ai nuk hyri në qiell që ta flijojë Veten herë pas here, siç hyn kryeprifti në Vendin më të Shenjtë çdo vit me gjakun që nuk është i tiji.

26 Përndryshe do t’i duhej të vuante shpesh që nga themelimi i botës. Por tani, Ai është shfaqur një herë e përgjithmonë në përfundim të jetëve për të asgjësuar mëkatin nëpërmjet flijimit të Vetes së Vet.

27 Ashtu siç është caktuar për njerëzit që të vdesin një herë dhe pas kësaj të vihen para gjykimit,

28 po ashtu edhe Krishti e flijoi Veten vetëm një herë për të mbajtur mëkatet e shumë njerëzve. Ai do t’u shfaqet për së dyti, jo për mëkatet, por për t’u sjellë shpëtimin atyre që e presin me padurim.

Kapitulli 10

1 Sepse Ligji është vetëm një hije e të mirave që po vijnë dhe jo vetë realiteti i tyre. Për këtë arsye, Ligji, nëpërmjet po atyre flijimeve të përsëritura nga viti në vit, nuk mund t’i bëjë kurrë të përsosur ata që afrohen për të adhuruar.

2 Përndryshe, a nuk do t’i jepnin fund dhënies së flijimeve? Sepse adhuruesit, duke qenë një herë e përgjithmonë të pastruar, nuk do ta ndienin më veten fajtorë për mëkatet e tyre.

3 Por këto flijime u kujtojnë mëkatet nga viti në vit,

4 sepse është e pamundur që gjaku i demave dhe i cjepve të heqë mëkatet.

5 Prandaj, kur erdhi në botë, Ai tha: “Flijim dhe dhuratë Ti nuk ke dashur, por një trup më ke përgatitur.

6 Me flijime të djegura dhe ofrime për mëkatet ti nuk u kënaqe.

7 Pastaj thashë: ‘Ja, kam ardhur – në rrotullën e librit është shkruar për mua – të bëhet vullneti Yt, o Perëndi’.”

8 Më parë tha: “Flijimet dhe ofrimet, flijimet e djegura dhe flijimet për mëkatet Ti nuk i ke dashur, as nuk u kënaqe” (të cilat ofrohen sipas Ligjit.)

9 Pastaj Ai tha: “Ja, kam ardhur të bëhet vullneti Yt.” Ai heq të parën, që të vendosë të dytën.

10 Me këtë vullnet jemi shenjtëruar nëpërmjet flijimit të trupit të Jezus Krishtit një herë e përgjithmonë.

11 Çdo prift qëndron përditë duke shërbyer dhe duke ofruar vazhdimisht po ato flijime, të cilat kurrë nuk mund të heqin mëkatet.

12 Kurse Ai, duke ofruar një flijim një herë e përgjithmonë për mëkatet, u ul në të djathtë të Perëndisë,

13 dhe që prej asaj kohe pret derisa armiqtë e Tij të bëhen stol për këmbët e Tij.

14 Sepse, me anë të një flijimi Ai i ka bërë të përsosur përgjithmonë ata që janë shenjtëruar.

15 Këtë na dëshmon edhe Fryma e Shenjtë. Më parë pati thënë,

16 “Kjo është besëlidhja që do të bëj me ta pas atyre ditëve, thotë Zoti: Do t’u shtie në zemër ligjet e Mia dhe në mendjet e tyre do t’i shkruaj ato.”

17 Pastaj Ai shton: “Mëkatet dhe paudhësitë e tyre nuk do t’i kujtoj më.”

18 Dhe ku ka falje të këtyre gjërave, nuk ka më flijime për mëkat.

19 Prandaj, vëllezër, përderisa kemi besim për të hyrë në Vendin më të Shenjtë me anë të gjakut të Jezusit,

20 nëpërmjet një rruge të re dhe të gjallë, të cilën Ai e e hapi për ne nëpërmjet velit, domethënë mishit të Tij,

21 dhe meqë kemi një prift të madh mbi shtëpinë e Perëndisë,

22 le t’i afrohemi Perëndisë me zemër të dëlirë dhe siguri të plotë besimi, me zemrat të spërkatura për të na pastruar prej ndërgjegjes së ligë dhe me trupat të larë me ujë të pastër.

23 Le të mbahemi të patundur në shpresën që rrëfejmë, sepse Ai që premtoi, është besnik.

24 Le të mendojmë se si të nxisim te njëri-tjetri dashurinë dhe veprat e mira,

25 pa i lënë pas dore mbledhjet që bëjmë së bashku, siç po i bëjnë disa, por le t’i japim zemër njëri-tjetrit, dhe aq më tepër kur e shihni se dita po afron.

26 Sepse po të vazhdojmë të mëkatojmë me dashje, pasi kemi arritur të njohim të vërtetën, nuk mbetet më flijim për mëkatet,

27 por një lloj pritjeje e frikshme gjykimi dhe zjarr përvëlues që do të gllabërojë kundërshtarët e Perëndisë.

28 Cilido që hodhi poshtë Ligjin e Moisiut vdiq pa mëshirë me dëshminë e dy ose tre dëshmitarëve.

29 Si mendoni ju, sa më të rëndë do ta meritojë dënimin ai që ka shkelur me këmbë Birin e Perëndisë dhe e ka quajtur si të papastër gjakun e besëlidhjes me anë të të cilit ai u shenjtërua, dhe që ka fyer Frymën e hirit?

30 Sepse ne e njohim Atë që tha: “Hakmarrja është Imja. Unë do ta marr shpagimin.” Dhe përsëri: “Zoti do ta gjykojë popullin e Vet.”

31 Ç’gjë e tmerrshme është të biesh në duart e Perëndisë së gjallë.

32 Por kujtoni ditët e mëparshme pasi u ndriçuat, kur duruat një luftë të madhe me vuajtje,

33 herë duke u bërë para botës objekt i fyerjeve dhe përndjekjeve dhe, herë të tjera duke qëndruar përkrah atyre që u trajtuan në këtë mënyrë.

34 Sepse ju morët pjesë në dhimbjet e të burgosurve dhe me gëzim pranuat t’ju rrëmbejnë pasurinë, sepse e dinit se keni një pasuri më të mirë e më të qëndrueshme për veten tuaj.

35 Prandaj, mos e flakni tutje bindjen që keni, e cila ka një shpërblim të madh.

36 Sepse keni nevojë për durim, që pasi të bëni vullnetin e Perëndisë, të merrni premtimin.

37 Sepse edhe për pak kohë, “Ai që po vjen, do të vijë dhe nuk do të vonojë.

38 Por i drejti Im do të jetojë me anë të besimit. Po të tërhiqet prapa, kjo nuk do t’i pëlqejë shpirtit Tim.”

39 Por ne nuk jemi nga ata që tërhiqen prapa dhe humbasin, por nga ata që kanë besim dhe e ruajnë shpirtin.

Kapitulli 11

1 Besimi është siguria për ato që shpresojmë dhe bindja për gjërat që nuk i shohim.

2 Sepse me anë të besimit e morën të vjetrit miratimin e Perëndisë.

3 Me anë të besimit ne e marrim vesh se gjithësia është ndërtuar nga fjala e Perëndisë, kështu që çka shihet nuk është bërë nga ato që janë të dukshme.

4 Me anë të besimit Abeli i ofroi Perëndisë një flijim më të mirë se Kaini. Nëpërmjet besimit ai u miratua si njeri i drejtë, kur Perëndia dëshmoi për dhuratat e tij, dhe me anë të besimit ai ende flet, megjithëse është i vdekur.

5 Me anë të besimit e hoqi Perëndia Enokun, që të mos shihte vdekje; ai nuk u gjet, sepse e kishte marrë Perëndia. Para se të merrej, për të u dëshmua se e kishte kënaqur Perëndinë.

6 Pa besim është e pamundur ta kënaqësh Atë, sepse ai që vjen te Perëndia, duhet të besojë që Ai ekziston dhe që Ai i shpërblen ata që e kërkojnë.

7 Me anë të besimit Noeja, pasi u paralajmërua nga Perëndia për ato që ende nuk ishin parë, me një frikë të përshpirtshme përgatiti një arkë për shpëtimin e shtëpisë së vet. Nëpërmjet besimit të tij, ai dënoi botën dhe u bë trashëgimtar i drejtësisë që vjen nga besimi.

8 Me anë të besimit Abrahami, kur u thirr për të shkuar në vendin që do të merrte më vonë për trashëgim, u bind dhe vajti, megjithëse nuk e dinte se ku po shkonte.

9 Me anë të besimit ai jetoi në tokën e premtuar si në dhe të huaj, duke banuar në tenda, siç bëri Isaku dhe Jakobi, bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit premtim.

10 Sepse ai priste të shihte qytetin me themele të sigurta, arkitekti dhe ndërtuesi i të cilit është Perëndia.

11 Me anë të besimit u bë e mundur që edhe vetë Sara beronjë, ndonëse e kishte kaluar moshën, të mbetej shtatzënë, sepse ajo e quajti besnik Atë që i kishte bërë premtimin.

12 Prandaj, edhe prej një njeriu të vetëm, dhe ky pothuajse i vdekur për këtë punë, lindën kaq shumë pasardhës sa janë yjet e qiellit në numër dhe sa ka rërë të panumërt në breg të detit.

13 Të gjithë këta jetonin në besim derisa vdiqën, pa marrë ato që iu premtuan. Ata vetëm sa i panë dhe i përshëndetën nga larg, duke pohuar se janë të huaj dhe shtegtarë mbi dhe.

14 Sepse ata që thonë gjëra të këtilla, e tregojnë qartë se po kërkojnë atdhe.

15 Dhe vërtet, po ta kenë pasur mendjen tek ai vend prej nga dolën, do ta kishin gjetur rastin për t’u kthyer.

16 Por tani, ata dëshirojnë një më të mirë, domethënë një vend qiellor. Prandaj Perëndia nuk e ka për turp të quhet Perëndia i tyre, sepse Ai përgatiti një qytet për ta.

17 Me anë të besimit Abrahami, kur u vu në provë, solli për flijim Isakun. Ai që kishte marrë premtimet, ishte gati të flijonte djalin e vetëm,

18 megjithëse Perëndia i tha: “Nga Isaku do të quhen pasardhësit e tu.”

19 Sepse Abrahami mendonte që Perëndia ishte në gjendje ta ngjallte njeriun edhe prej të vdekurve, prej nga, në kuptim të figurshëm, edhe e mori atë.

20 Me anë të besimit Isaku bekoi Jakobin dhe Ezaun edhe për ato që do të vinin.

21 Me anë të besimit Jakobi, kur po vdiste, bekoi secilin nga bijtë e Jozefit dhe adhuroi duke u mbështetur në majën e shkopit të vet.

22 Me anë të besimit Jozefi, kur ishte duke vdekur, përmendi ekzodin e bijve të Izraelit dhe dha porosi për eshtrat e veta.

23 Me anë të besimit prindërit e fshehën Moisiun për tre muaj, pasi u lind, sepse ata e panë që fëmija ishte i bukur dhe nuk patën frikë nga urdhëresa e mbretit.

24 Me anë të besimit Moisiu, kur u bë i madh, nuk pranoi të quhej bir i vajzës së Faraonit.

25 Ai zgjodhi më mirë të keqtrajtohej bashkë me popullin e Perëndisë, sesa të gëzonte për njëfarë kohe dëfrimet që i jepte mëkati.

26 Ai i quante sharjet për hir të Krishtit si pasuri më të madhe se thesaret e Egjiptit, sepse ai i kishte drejtuar sytë te shpërblimi.

27 Me anë të besimit ai e la Egjiptin, pa u trembur nga zemërimi i mbretit. Ai qëndroi i patundur, sepse e pa Atë që është i padukshëm.

28 Me anë të besimit ai bëri Pashkët dhe spërkatjen me gjak, që vrasësi i të parëlindurve të mos i prekte të parëlindurit e Izraelit.

29 Me anë të besimit ata kaluan nëpër Detin e Kuq, sikur të ishin në tokë të thatë, por kur e provuan egjiptianët, këta u mbytën.

30 Me anë të besimit ranë muret e Jerikos, pasi njerëzit kishin marshuar rreth tyre për shtatë ditë.

31 Me anë të besimit Rahaba, gruaja e përdalë, nuk u vra bashkë me ata që ishin të pabindur, sepse i priti me dashamirësi zbuluesit.

32 Ç’të them tjetër? Sepse nuk do të më dalë koha po të tregoj për Gideonin, Barakun, Samsonin, Jeftën, si edhe për Davidin, Samuelin dhe profetët,

33 të cilët me anë të besimit nënshtruan mbretëri, kryen vepra drejtësie, morën premtime, u mbyllën gojën luanëve,

34 shuan furinë e zjarrit, i shpëtuan tehut të shpatës, u bënë të fuqishëm nga dobësitë, u bënë të fortë në luftë, i bënë ushtritë e huaja t’ua mbathin këmbëve.

35 Gratë morën të vdekurit e vet, të ngjallur përsëri; të tjerë u torturuan, duke mos pranuar të lirohen, që të përftojnë një ngjallje më të mirë;

36 të tjerë provuan talljet dhe fshikullimet, madje edhe pranga e burgim.

37 I qëlluan me gurë, i prenë me sharrë, i vranë me shpatë, u endën të mbuluar me lëkurë dhensh e dhish, në skamje, me mundime, të keqtrajtuar;

38 bota nuk ishte e denjë për ta. U endën në shkretëtira, male, shpella e guva të dheut.

39 Të gjithë këta, edhe pse morën miratim nëpërmjet besimit, nuk gëzuan premtimin,

40 sepse Perëndia kishte siguruar për ne diçka më të mirë, që ata vetëm bashkë me ne të bëheshin të përkryer.

Kapitulli 12

1 Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmitarësh, të lëmë mënjanë çdo pengesë dhe mëkatin që kemi përherë përreth, dhe të rendim me durim në garën që kemi përpara nesh.

2 Le t’i mbajmë sytë të ngulur te Jezusi, autori dhe përsosësi i besimit tonë, i cili për gëzimin që e priste, duroi kryqin pa përfillur turpin dhe u ul në të djathtë të fronit të Perëndisë.

3 Mos e hiqni nga mendja Atë që duroi një armiqësi të këtillë nga mëkatarët kundër Tij, që të mos lodheni e t’ju lëshojë zemra.

4 Në luftën tuaj kundër mëkatit, ju ende nuk keni qëndruar deri në derdhjen e gjakut.

5 E keni harruar fjalën ngushëlluese që ju flet si bij: “Biri im, mos e merr lehtë disiplinën e Zotit, as të mos venitesh kur të të qortojë.

6 Sepse Zoti qorton atë që do dhe Ai fshikullon këdo që pranon si birin e Vet.”

7 Ajo që po duroni është disiplina; Perëndia ju trajton si bij. Sepse kush është ai bir që nuk qortohet nga i ati?

8 Po të mos disiplinoheni – çdo njeri i nënshtrohet disiplinës – atëherë nuk jeni bij të vërtetë, por fëmijë të paligjshëm.

9 Pastaj, etërit tanë sipas mishit i patëm për të na disiplinuar dhe i nderuam për këtë. A nuk do t’i nënshtrohemi pra, edhe më tepër Atit të shpirtrave që të jetojmë?

10 Sepse ata na disiplinuan për një kohë të shkurtër, siç e shikonin me vend, por Perëndia na disiplinon për të mirën tonë, që ne të bëhemi pjesëtarë të shenjtërisë së Tij.

11 Çdo masë disiplinore aty për aty nuk duket se sjell gëzim, por hidhërim. Por më vonë u sjell fryt drejtësie e paqeje atyre që janë mësuar me të.

12 Prandaj, forcojini duart e dobëta dhe gjunjët e këputur.

13 Bëjini të drejta shtigjet për këmbët tuaja, që këmba e çalë të mos ndrydhet, por të shërohet edhe më mirë.

14 Bëni çdo përpjekje për të jetuar në paqe me të gjithë dhe përpiquni të jeni të shenjtë; pa shenjtërim askush nuk do ta shohë Zotin.

15 Hapni sytë që askush të mos mbetet pa hirin e Perëndisë, dhe të mos rritet asnjë rrënjë hidhërimi që t’ju shqetësojë dhe nëpërmjet saj të ndoten shumë veta;

16 që asnjë të mos jetë i përdalë ose profan si Ezau, i cili për një gjellë shiti të drejtën e vet si i parëlindur.

17 Sepse ju e dini, se edhe më pas, kur donte të trashëgonte bekimin, ai nuk u pranua, sepse nuk gjeti vend për pendim, megjithëse e kërkoi me lot.

18 Sepse nuk keni ardhur te mali që preket me dorë dhe digjet me zjarr, te errësira, terri dhe stuhia,

19 as te buçima e trumbetës dhe as te zëri që nxjerr fjalë, të cilin ata që e dëgjuan, u lutën që të mos u flitej më asnjë fjalë tjetër.

20 Sepse ata nuk e duronin urdhrin: “Edhe sikur një kafshë ta prekë malin, ajo duhet të vritet me gurë.”

21 Kaq e frikshme ishte pamja, saqë Moisiu tha: “Po tmerrohem dhe po dridhem i tëri nga frika.”

22 Përkundrazi ju keni ardhur te mali Sion dhe te qyteti i Perëndisë së gjallë, Jeruzalemi qiellor. Ju keni ardhur në mbledhjen festive të qindra mijëra engjëjve,

23 në kishën e të parëlindurve të regjistruar në qiej, te Perëndia, Gjykatësi i të gjithëve, te shpirtrat e njerëzve të drejtë që janë bërë të përsosur,

24 te Jezusi, ndërmjetësi i një besëlidhjeje të re, dhe te gjaku i spërkatur, që flet më mirë se gjaku i Abelit.

25 Shikoni se mos e hidhni poshtë Atë që flet. Sepse, në qoftë se ata nuk shpëtuan kur e mohuan atë që i paralajmëroi mbi tokë, aq më pak do të shpëtohemi ne, po t’i kthejmë krahët Atij që na paralajmëron nga qiejt.

26 Në atë kohë zëri i Tij tundi tokën, por tani Ai ka premtuar duke thënë: “Edhe një herë Unë do të tund jo vetëm tokën, por edhe qiellin.”

27 Shprehja “Edhe një herë”, tregon zhvendosjen e atyre që mund të tunden – domethënë, gjërat që janë krijuar – që të mbeten ato që janë të patundshme.

28 Prandaj, përderisa po marrim një mbretëri që nuk mund të tundet, le të jemi mirënjohës, duke i shërbyer Perëndisë, siç i pëlqen Atij, me nderim dhe frikë,

29 sepse edhe Perëndia ynë është një zjarr tretës.

Kapitulli 13

1 Ngulmoni në dashurinë vëllazërore.

2 Mos harroni mikpritjen ndaj të huajve, sepse disa, duke vepruar kështu, pa e ditur janë treguar mikpritës ndaj engjëjve.

3 Kujtoni të burgosurit, sikur të ishit të burgosur me ta, ashtu edhe për ata që keqtrajtohen, sikur ju vetë të ishit duke vuajtur.

4 Le të mbahet martesa me nder nga të gjithë dhe shtrati martesor i papërlyer; sepse Perëndia do t’i gjykojë të përdalët dhe shkelësit e kurorës.

5 Mos t’ju hyjë lakmia për para në jetën tuaj dhe kënaquni me çka keni tani, sepse Vetë Ai ka thënë: “Kurrë nuk do të të lë, as nuk do të të braktis.”

6 Kështu mund të themi me bindje: “Zoti është ndihmësi im, [dhe] nuk do të kem frikë. Çfarë mund të më bëjë njeriu mua?”

7 Kujtoni ata që ju udhëhoqën, të cilët ju folën fjalën e Perëndisë. Shikoni me kujdes përfundimin e mënyrës së tyre të jetesës dhe imitoni besimin e tyre.

8 Jezus Krishti është i njëjti si dje edhe sot, e përjetë.

9 Mos u largoni duke rendur pas gjithfarë doktrinash të huaja, sepse është mirë që zemra të forcohet prej hirit, jo prej ushqimeve ceremoniale, të cilat nuk kanë asnjë vlerë për ata që i përdorën.

10 Ne kemi një altar, prej të cilit ata që shërbejnë në tabernakull, nuk kanë të drejtë të hanë.

11 Sepse trupat e këtyre kafshëve, gjakun e të cilave e çon një kryeprift në Vendin më të Shenjtë si flijim për mëkatet, digjen jashtë kampit.

12 Prandaj edhe Jezusi, që të shenjtëronte popullin nëpërmjet gjakut të Vet, vuajti jashtë portave të qytetit.

13 Le të shkojmë pra, tek Ai jashtë kampit, duke mbajtur poshtërimin që mbajti Ai.

14 Sepse këtu nuk kemi një qytet të përhershëm, por kërkojmë qytetin që do të vijë.

15 Nëpërmjet Tij, pra, le t’i ofrojmë vazhdimisht një flijim lëvdimi Perëndisë, domethënë, frytin e buzëve që pranojnë emrin e Tij.

16 Mos lini pas dore bamirësinë dhe bujarinë, sepse me të këtilla flijime kënaqet Perëndia.

17 Bindjuni atyre që ju prijnë dhe nënshtrojuni pushtetit të tyre, sepse ata vigjëlojnë mbi shpirtrat tuaj, si ata që do të japin llogari. Bindjuni atyre që puna e tyre të jetë gëzim e jo trishtim, sepse kjo nuk do ketë dobi për ju.

18 Lutuni për ne, sepse jemi të bindur që e kemi ndërgjegjen të mirë, dhe dëshirojmë të bëjmë jetë të ndershme në çdo drejtim.

19 Por më tepër ju bëj thirrje që të luteni të kthehem sa më shpejt te ju.

20 Perëndia i paqes, që ngjalli nga të vdekurit Bariun e madh të dhenve nëpërmjet gjakut të besëlidhjes së përjetshme, Zotin tonë Jezus,

21 ju bëftë të aftë në çdo gjë të mirë që të kryeni vullnetin e Tij, duke bërë te ne atë që është e pëlqyeshme përpara Tij, nëpërmjet Jezus Krishtit, të cilit i qoftë lavdia për jetë të jetëve. Amen.

22 Ju lutem, o vëllezër, ta duroni këtë fjalë që ju jep zemër, sepse ju kam shkruar vetëm një letër të shkurtër.

23 Dua ta dini se vëllai ynë, Timoteu, u lirua dhe po të vijë shpejt, do të vij t’ju shoh bashkë me të.

24 Përshëndetni të gjithë ata që ju prijnë dhe të gjithë shenjtërit. Ju përshëndesin ata nga Italia.

25 Hiri qoftë me ju të gjithë.