1 Jakobi, shërbëtor i Perëndisë dhe i Zotit Jezus Krisht, dymbëdhjetë fiseve të shpërndara nëpër botë, përshëndetje.
2 Gëzim të madh ta quani, o vëllezërit e mi, kur ndesheni në sprova të ndryshme,
3 sepse e dini se vënia në provë e besimit tuaj sjell durim.
4 Le ta përfundojë durimi punën e vet, që të jeni të përsosur dhe të plotë, pa ju munguar asgjë.
5 Por nëse ndonjërit prej jush i mungon mençuria, le t’ia kërkojë Perëndisë që u jep të gjithëve pa kursim e pa i qortuar dhe do t’i jepet.
6 Le të kërkojë me besim, pa vënë asgjë në dyshim, sepse ai që vë në dyshim, është si vala e detit të cilën era e lëviz dhe e hedh sa andej këtej.
7 Dhe ai të mos shpresojë se do të marrë ndonjë gjë prej Zotit;
8 ai është njeri me dy mendje, i paqëndrueshëm në gjithçka që bën.
9 Por vëllai në gjendje të përvuajtur le të jetë krenar me lartësinë e vet,
10 dhe i pasuri të jetë krenar me përvujtërinë e vet, sepse do të kalojë si lulja e barit.
11 Sepse ngrihet dielli me erën përvëluese dhe e than barin. Lulja i bie dhe humbet bukurinë e vet. Po kështu do të fishket edhe i pasuri në punët që bën.
12 Lum ai njeri që këmbëngul në sprova, sepse sapo t’i kapërcejë ato, do të marrë kurorën e jetës, të cilën Ai ua ka premtuar atyre që e duan.
13 Askush të mos thotë kur tundohet: “Prej Perëndisë tundohem”, sepse Perëndia nuk mund të tundohet nga e keqja dhe Ai Vetë nuk tundon askënd.
14 Gjithkush tundohet kur tërhiqet pas epsheve të veta dhe joshet prej tyre.
15 Pastaj pasi epshi mbarset, ai lind mëkatin dhe mëkati, kur kryhet, sjell vdekjen.
16 Mos u mashtroni, vëllezërit e mi të dashur.
17 Çdo dhuratë e mirë dhe përkryer zbret nga lart, nga Ati i dritave, i cili nuk ndryshon si hijet që lëvizin.
18 Ai, sipas vullnetit të Vet, na lindi me anë të fjalës të së vërtetës, që ne të jemi si fryti i parë i krijesave të Tij.
19 Merreni vesh, vëllezërit e mi të dashur. Çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadaltë në të folur dhe i vonuar në zemërim,
20 sepse zemërimi i njeriut nuk sjell drejtësinë e Perëndisë.
21 Prandaj, duke flakur mënjanë çdo fëlliqësi dhe ligësinë që është gjithkund me tepri, pranoni me përvujtëri fjalën e mbjellë, që mund t’ju shpëtojë shpirtrat.
22 Bëhuni zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që mashtrojnë vetveten.
23 Sepse, kur dikush e dëgjon, por nuk e zbaton fjalën, ai i ngjan një njeriu që vështron fytyrën e vet në pasqyrë,
24 dhe, pasi e vështron veten, largohet dhe menjëherë e harron se si ishte.
25 Por ai që e shikon me kujdes ligjin e përsosur, ligjin e lirisë dhe i përmbahet atij, jo duke harruar ato që dëgjon, por duke i zbatuar, ai do të jetë i bekuar në atë që bën.
26 Nëse dikush mendon se është fetar dhe nuk i vë fre gjuhës, ai mashtron zemrën e vet dhe feja e këtij njeriu është e kotë.
27 Feja e pastër dhe e pandotur përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: të kujdesesh për jetimët dhe vejushat me hallet e tyre dhe ta ruash veten të panjollosur nga kjo botë.
1 Vëllezërit e mi, si besimtarë në Zotin tonë të lavdishëm Jezus Krisht, mos i mbani anën njeriu.
2 Sepse po të hyjë dikush në mbledhjen tuaj me unazë ari dhe i veshur me petka të ndritshme dhe aty vjen edhe një i varfër me rroba tërë zhul,
3 dhe ju i kushtoni vëmendje atij që ka veshur petka të ndritshme, duke i thënë: “Ti ulu këtu në vendin e mirë” dhe të varfrit i thoni: “Ti qëndro atje”, ose “Ulu pranë stolit të këmbeve të mia,”
4 a nuk keni bërë dallim mes jush, duke u bërë gjykatës me mendime të liga?
5 Dëgjoni, vëllezërit e mi të dashur. A nuk i zgjodhi Perëndia të varfrit e kësaj bote që të jenë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që Ai ua premtoi atyre që e duan?
6 Por ju e keni fyer të varfrin. A nuk janë të pasurit ata që ju shtypin? A nuk janë ata vetë që ju tërheqin zvarrë nëpër gjyqe?
7 A nuk e shajnë ata emrin e mirë, të cilit ju i përkisni?
8 Nëse e zbatoni vërtet ligjin mbretëror sipas Shkrimit: “Do ta duash të afërmin si veten”, atëherë mirë veproni.
9 Por nëse i mbani anën njeriu, bëni mëkat dhe dënoheni nga ligji si shkelës të tij.
10 Sepse, kushdo që i përmbahet tërë ligjit, por gabon në një pikë, ai është bërë fajtor për të gjitha.
11 Sepse Ai që tha: “Mos shkel kurorën”, ka thënë edhe: “Mos vra”. Nëse nuk shkel kurorën, por vret, je bërë shkelës i ligjit.
12 Kështu flisni dhe kështu veproni, si ata që do të gjykohen nga ligji i lirisë.
13 Sepse gjykimi do të jetë i pamëshirshëm ndaj atij që nuk ka treguar mëshirë. Mëshira ngadhënjen mbi gjykimin.
14 Ç’dobi ka, o vëllëzërit e mi, nëse dikush e pohon besimin e vet, por nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi?
15 Nëse një vëlla ose motër nuk ka ç’të veshë e i mungon ushqimi i përditshëm,
16 dhe njëri nga ju u thotë: “Shkoni në paqe, ngrohuni dhe nginjuni”, por nuk u jepni ato që u duhen për trupin, ç’dobi ka?
17 Po kështu edhe besimi, po të mos ketë vepra, është i vdekur në vetvete.
18 Por dikush do të thotë: “Ti ke besim dhe unë kam vepra. Ma trego besimin tënd pa veprat dhe unë do të të tregoj besimin tim nëpërmjet veprave të mia.”
19 Ti beson se ka një Perëndi. Mirë bën. Edhe demonët besojnë dhe dridhen.
20 A do që ta dish, o njeri i marrë, se besimi pa veprat është i vdekur?
21 A nuk u shfajësua Abrahami, ati ynë, me anë të veprave, kur ofroi për flijim në altar Isakun, birin e vet?
22 Ti e sheh që besimi vepronte me veprat dhe besimi u bë i përsosur prej veprave.
23 U përmbush Shkrimi që thotë: “Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo atij iu llogarit si drejtësi” dhe u quajt mik i Perëndisë.
24 E shikoni se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi.
25 Po kështu, a nuk u shfajësua edhe Rahaba, gruaja e përdalë, me anë të veprave, kur i pranoi lajmëtarët dhe i nisi në një drejtim tjetër?
26 Sepse ashtu si trupi është i vdekur pa frymën, po ashtu edhe besimi pa vepra është i vdekur.
1 Mos u bëni shumë prej jush mësues, vëllezërit e mi, sepse e dini që ne, mësuesit, do të marrim gjykim më të ashpër.
2 Sepse ne të gjithë gabojmë në shumë gjëra. Nëse dikush nuk gabon kurrë në fjalë, ky është njeri i përkryer, në gjendje ta mbajë nën fre edhe tërë trupin.
3 Nëse u vëmë kuajve gojëz që të na binden, atëherë ne mund ta drejtojmë edhe tërë trupin e tyre.
4 Ose merrni si shembull anijet, megjithëse janë shumë të mëdha dhe shtyhen nga erëra të forta, përsëri drejtohen nga një timon shumë i vogël atje ku e do timonieri.
5 Po kështu edhe gjuha është një pjesë e vogël e trupit dhe megjithatë mburret për gjëra të mëdha. Ja, një shkëndijë e vogël ndez një pyll të madh!
6 Gjuha është zjarr, botë ligësie. Gjuha është vendosur ndër gjymtyrët tona: ajo ndot tërë trupin, i vë zjarrin ecurisë së jetës dhe vetë merr flakë nga ferri.
7 Sepse të gjitha llojet e kafshëve e të shpendëve, zvarranikëve e kafshëve të detit, zbuten dhe janë zbutur nga raca njerëzore.
8 Por askush prej njerëzve nuk mund të zbutë gjuhën. Është një e keqe e papërmbajtshme, plot me helm vdekjeprurës.
9 Me të bekojmë Zotin dhe Atin; me të ne mallkojmë njerëzit që janë bërë sipas shëmbëllimit të Perëndisë.
10 Nga e njëjta gojë del lëvdimi dhe mallkimi. Këto gjëra, o vëllezërit e mi, nuk duhet të jenë kështu.
11 Mos vallë prej të njëjtët burim del edhe ujë i ëmbël edhe i hidhur?
12 Mos vallë pema e fikut, o vëllezërit e mi, mund të bëjë ullinj, ose hardhia të bëjë fiq? As burimi i kripur nuk mund të nxjerrë ujë të ëmbël.
13 Cili nga ju është i mençur dhe i ditur? Le t’i tregojë me sjelljen e mirë veprat e veta të kryera me zemërbutësi që vjen nga urtësia.
14 Por nëse keni xhelozi të hidhur dhe shpirtin e grindjes, mos u krekosni dhe mos gënjeni kundër së vërtetës.
15 Kjo nuk është mençuri që zbret nga lart, por është tokësore, jo prej frymës, por nga demoni.
16 Sepse ku ka xhelozi dhe shpirt grindjeje, atje ka trazirë dhe çdo gjë të ligë.
17 Por mençuria që vjen nga lart, së pari, është e pastër, pastaj paqësore, e butë, e arsyeshme, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme, pa hipokrizi.
18 Fryti i drejtësisë mbillet në paqe prej atyre që bëjnë paqe.
1 Nga vijnë luftërat dhe nga vijnë grindjet midis jush? A nuk vijnë prej dëshirave tuaja që bëjnë luftë në gjymtyrët tuaja?
2 E lakmoni diçka, por nuk e merrni; vrisni dhe keni smirë, por nuk mund ta arrini atë që kërkoni; ziheni dhe bëni luftë; nuk keni, sepse nuk kërkoni.
3 Kërkoni por nuk merrni, sepse kërkoni me motive të këqija, që t’i shpenzoni ndër qejfe.
4 Ju, o njerëz që shkelni kurorën, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Prandaj, kushdo që dëshiron të jetë mik me botën, do të kthehet në armik me Perëndinë.
5 Apo mendoni se Shkrimi thotë më kot: “Frymën që Ai futi të banojë ndër ne, e lakmon deri në smirë”?
6 Por Ai na jep një hir edhe më të madh. Prandaj thotë: “Perëndia është kundër atyre që krekosen, por u jep hir të përvuajturve.”
7 Prandaj nënshtrojuni Perëndisë. Kundërshtojeni djallin dhe ai do të ikë prej jush.
8 Afrojuni te Perëndia dhe Ai do t’ju afrohet juve. Pastrojini duart, o mëkatarë. Të kthjellëta bëjini zemrat tuaja, o njerëz me dy mendje.
9 Vajtoni, mbani zi dhe qani. Le t’ju kthehet e qeshura në vajtim dhe gëzimi në trishtim.
10 Përuluni përpara Zotit dhe Ai do t’ju lartësojë.
11 Vëllezër, mos përgojoni njëri-tjetrin. Ai që flet kundër vëllait apo gjykon vëllanë e vet, flet kundër ligjit dhe gjykon ligjin. Por nëse gjykoni ligjin, nuk jeni zbatues të ligjit, por gjykatës.
12 Ka vetëm një Ligjvënës dhe Gjykatës, Ai që mund të shpëtojë dhe të shkatërrojë. Por kush je ti që gjykon të afërmin tënd?
13 Dëgjoni tani pra, ju që thoni: “Sot ose nesër, do të shkojmë në atë qytet, do të kalojmë atje një vit, do të merremi me tregti e do të bëjmë fitime.”
14 Ju nuk e dini ç’sjell e nesërmja e si do të jetë jeta juaj. Sepse jeni si avulli që shfaqet për pak kohë dhe pastaj zhduket.
15 Në vend të kësaj ju duhet të thoni: “Po të dojë Zoti, do të jetojmë dhe do të bëjmë këtë apo atë.”
16 Por tani ju mburreni e krekoseni. E gjithë kjo mburrje është punë e ligë.
17 Prandaj, kushdo që e di të mirën që duhet ta bëjë dhe nuk e bën, mëkaton.
1 Dëgjoni tani pra, ju o pasanikë, qani e vajtoni me kujë për mjerimet që po ju vijnë.
2 Pasuria juaj është kalbur dhe rrobat tuaja i ka ngrënë mola.
3 Arin dhe argjendin tuaj e ka zënë ndryshku dhe ky ndryshk do të jetë dëshmi kundër jush dhe do t’ju hajë mishin si zjarri. Keni mbledhur thesare në ditët e fundit.
4 Ja, paga që u keni mbajtur argatëve që ju korrën arat, po thërret dhe klithmat e atyre që korrën, kanë arritur në veshët e Zotit të Ushtrive.
5 Keni bërë një jetë mbi tokë plot luks dhe me qejfe të shfrenuara. Jeni majmur si kafshët për ditën e therjes.
6 Keni dënuar dhe vrarë njerëz të drejtë, që nuk ju kundërshtonin.
7 Kini durim pra, o vëllezër, deri në ardhjen e Zotit. Ja, bujku e pret me durim frytin e çmuar të tokës, derisa të vijnë shirat e vjeshtës dhe të pranverës.
8 Edhe ju kini durim. Mbahuni fort, sepse ardhja e Zotit është afër.
9 Mos u ankoni, vëllezër, kundër njëri-tjetrit, që të mos gjykoheni. Ja, Gjykatësi po qëndron te dera.
10 Si shembull të vuajtjes dhe të durimit, o vëllezër, merrni profetët, që folën në emër të Zotit.
11 Vërtet, të bekuar i quajmë ata që u treguan të durueshëm. E keni dëgjuar durimin e Jobit dhe e keni parë përfundimin që solli Zoti; Zoti është shumë i dhembshur dhe i mëshirshëm.
12 Por mbi të gjitha, vëllezërit e mi, mos bëni be, as për qiellin as për tokën, as për ndonjë gjë tjetër. Le të jetë Poja juaj Po, dhe Joja Jo, që të mos bini në gjykim.
13 A ka ndonjë midis jush që vuan? Le të lutet. A ka ndonjë që ndihet i lumtur? Le të këndojë lavde.
14 A ka ndonjë midis jush të sëmurë? Le t’i thërresë pleqtë e kishës që të luten mbi të, duke e lyer me vaj në emër të Zotit.
15 Lutja që bëhet në besim do ta shpëtojë atë që është i sëmurë dhe Zoti do ta ngrejë dhe, po të ketë bërë mëkate, ato do t’i falen.
16 Prandaj, rrëfejani mëkatet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni. Lutja e të drejtit vepron fuqishëm kur del nga zemra.
17 Elia ishte njeri me natyrë të ngjashme si tonën. Ai u lut shumë që të mos binte shi dhe ashtu ndodhi. Nuk ra shi për tre vjet e gjashtë muaj.
18 U lut përsëri; qielli dha shiun dhe toka prodhoi frytin e vet.
19 Vëllezërit e mi, po të largohet ndonjëri nga ju prej së vërtetës dhe dikush e kthen atë,
20 le ta dijë se ai që e kthen mëkatarin nga rruga e gabuar, do t’ia shpëtojë shpirtin nga vdekja dhe do t’i falen një mori mëkatesh.