Kapitulli:  1  2  3  4

Kapitulli 1

1 Pali, apostull i Krishtit Jezus me vullnetin e Perëndisë, dhe Timoteu vëllai ynë,

2 shenjtërve dhe vëllezërve besnikë në Krishtin në Kolosë: Hir dhe paqe nga Perëndia Ati ynë.

3 Falënderojmë Perëndinë, Atin e Zotit tonë Jezus Krisht, duke u lutur gjithmonë për ju,

4 pasi dëgjuam për besimin tuaj në Krishtin Jezus dhe për dashurinë që ju keni për të gjithë shenjtërit,

5 për shkak të shpresës që është ruajtur për ju në qiej, për të cilën keni dëgjuar më parë në fjalën e së vërtetës, në ungjillin,

6 që ka ardhur te ju. Ashtu si në gjithë botën ky ungjill po jep fryt e po rritet edhe tek ju, që nga dita që ju e dëgjuat dhe e morët vesh hirin e Perëndisë në vërtetësi.

7 Ju e mësuat nga Epafra, bashkëshërbëtori ynë i dashur, i cili është shërbëtor besnik i Krishtit për ju,

8 i cili edhe na e bëri të qartë dashurinë tuaj në Frymë.

9 Prandaj edhe ne, që nga dita që e dëgjuam, nuk kemi pushuar së luturi për ju duke kërkuar që ju të mbusheni me njohjen e vullnetit të Tij me çdo mençuri dhe zgjuarsi shpirtërore,

10 që ju të mund të jetoni në mënyrë të denjë për Zotin, për ta kënaqur në gjithçka, duke dhënë fryt në çdo vepër të mirë dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë,

11 duke u forcuar me çdo fuqi, sipas pushtetit të lavdisë së Tij, që të ngulmoni e të keni durim të madh,

12 duke falënderuar me gëzim Atin, që ju ka bërë të mundur të merrni pjesë në trashëgimin e shenjtërve në mbretërinë e dritës.

13 Ai na ka shpëtuar nga pushteti i errësirës dhe na ka sjellë në mbretërinë e Birit të Vet të dashur,

14 në të cilin ne kemi shpengim, domethënë faljen e mëkateve.

15 Ai është shëmbëllesa e Perëndisë së padukshëm, i parëlinduri i gjithë krijimit.

16 Sepse prej Tij u krijuan të gjitha gjërat, si në qiej edhe mbi tokë, të dukshmet dhe të padukshmet, qofshin frone, zotërime, principata, a pushtete, të gjitha gjërat u krijuan prej Tij dhe për Të.

17 Ai është përpara gjithçkaje dhe gjithçka qëndron e bashkuar në Të.

18 Ai është gjithashtu koka e trupit, domethënë e kishës; Ai është fillimi, i parëlinduri i atyre që ngjallen nga të vdekurit, që Ai Vetë të zërë vendin e parë në gjithçka.

19 Sepse Atit i pëlqeu që në Të të banojë e gjithë plotësia e Tij

20 dhe nëpërmjet Tij të pajtojë me Veten e Vet të gjitha gjërat mbi tokë, dhe ato në qiej, duke bërë paqe me anë të gjakut që Ai derdhi në kryq, [nëpërmjet Tij].

21 Megjithëse edhe ju dikur ishit kthyer në të huaj dhe armiq me mendje duke bërë punë të liga,

22 por tani Ai ju ka pajtuar në trupin e Vet prej mishi nëpërmjet vdekjes, për t’ju paraqitur para Tij të shenjtë, pa të meta dhe pa të sharë,

23 nëse vërtet vazhdoni në besim të ngritur mbi themele dhe të patundur, duke mos luajtur nga shpresa e ungjillit që keni dëgjuar, ungjillit që i është shpallur të gjithë krijimit nën qiell dhe për të cilin unë, Pali, u bëra shërbyes.

24 Tani gëzohem me vuajtjet e mia për ju dhe i plotësoj në mishin tim ato që u mungojnë vuajtjeve të Krishtit, për hir të trupit të Tij, që është kisha.

25 Për këtë jam bërë shërbyes sipas misionit që më ka besuar Perëndia, që t’ju predikoj në mënyrë të plotë fjalën e Perëndisë,

26 misterin që ka qenë fshehur për shekuj dhe breza të tërë, por që tani u është shfaqur shenjtërve të Tij.

27 Këtyre Perëndia deshi t’u bënte të njohur ndër kombet sa e madhe është pasuria e lavdisë së këtij misteri, që është Krishti në ju, shpresa e lavdisë.

28 Atë po shpallim ne, duke paralajmëruar çdo njeri dhe duke mësuar gjithkënd me çdo mençuri, për ta bërë secilin të përkryer në Krishtin.

29 Për këtë edhe po mundohem, duke u përpjekur me gjithë energjinë e Tij, që vepron fuqishëm tek unë.

Kapitulli 2

1 Sepse dua që ta dini se ç’luftë të madhe po bëj për ju, për ata në Laodiki dhe për të gjithë ata që nuk më kanë parë mua vetë,

2 që të marrin zemër e të lidhen së bashku në dashuri, që të kenë gjithë pasurinë që i lejon ta kuptojnë plotësisht, për të njohur kështu misterin e Perëndisë, domethënë Krishtit,

3 në të cilin janë të fshehura të gjitha thesaret e mençurisë dhe të dijes.

4 E them këtë që askush të mos ju mashtrojë me fjalime joshëse.

5 Edhe pse me trup nuk jam aty, megjithatë jam bashkë me ju në frymë dhe gëzohem kur shoh sa të rregullt jeni dhe sa i qëndrueshëm është besimi juaj në Krishtin.

6 Prandaj, siç e pranuat Krishtin Jezus si Zot, ashtu të ecni në Atë,

7 të rrënjosur fort e të ndërtuar në Të, të forcuar në besim, ashtu siç ju kanë mësuar, duke qenë plot mirënjohje.

8 Hapni sytë se mos ju zë dikush rob me anë të filozofisë dhe mashtrimeve të kota, që mbështeten në traditën e njerëzve dhe në parimet themelore të botës dhe jo në Krishtin.

9 Sepse në Të banon trupërisht e gjithë plotësia e Hyjnisë,

10 dhe në Të juve ju është dhënë plotësia e Tij, e Atij që është kreu i çdo sundimi dhe pushteti.

11 Tek Ai morët rrethprerjen, jo me rrethprerje të kryer nga duar njerëzish, duke hequr mish nga trupi ynë, por me anë të rrethprerjes së bërë nga Krishti,

12 duke u varrosur bashkë me Të në pagëzim, në të cilin ju gjithashtu u ngjallët bashkë me Të nëpërmjet besimit në fuqinë e Perëndisë, që e ngjalli Atë nga të vdekurit.

13 Kur ishit të vdekur në shkeljet tuaja dhe në parrethprerjen e mishit tuaj, Perëndia ju bëri të gjallë bashkë me Krishtin. Ai na i fali të gjitha shkeljet,

14 duke e fshirë dokumentin që ishte kundër nesh bashkë me urdhërimet që ishin në dëmin tonë; Ai e zhduku fare, duke e gozhduar në kryq.

15 Pasi i zhveshi nga armët sunduesit dhe autoritetet, Ai i nxori hapur në shesh, duke ngadhënjyer mbi ta në Kryq.

16 Prandaj askush të mos ju gjykojë për ato që hani e pini, apo për festën, hënën e re ose të shtunat,

17 të cilat janë hije e atyre që do të vijnë, kurse realiteti është në Krishtin.

18 Askush të mos ju mashtrojë e t’ju marrë shpërblimin, duke u zbavitur me përvujtëri të rreme dhe me adhurim engjëjsh, duke u marrë me vegime vetjake, duke u krekosur më kot me mendjen e tij të mishit,

19 duke humbur lidhjen me kokën, prej nga i gjithë trupi, që qëndron dhe lidhet bashkë nga nyjat dhe lidhëset, rritet siç e bën të rritet Perëndia.

20 Përderisa vdiqët bashkë me Krishtin për të qenë të vdekur për parimet themelore të botës, përse atëherë veproni sikur të jetonit në botë, duke iu nënshtruar urdhërimeve si,

21 “Mos e merr këtë, mos e shijo atë, mos prek atë”?

22 Këto u përkasin gjërave që prishen nga përdorimi, sepse mbështeten në urdhëresa dhe mësime njerëzish.

23 Këto vërtet kanë një pamje mençurie, me një lloj fetarie të vetëdëshiruar, me përvujtëri të rreme dhe trajtim të ashpër të trupit, por në të vërtetë nuk vlejnë për të përmbajtur kënaqësitë e mishit.

Kapitulli 3

1 Pra, nëse jeni ngjallur bashkë me Krishtin, kërkoni gjërat lart, aty ku është Krishti, i ulur në të djathtën e Perëndisë.

2 Mendoni për gjërat lart, jo për gjërat mbi tokë.

3 Sepse ju keni vdekur dhe jeta juaj tani është fshehur bashkë me Krishtin te Perëndia.

4 Kur të shfaqet Krishti, që është jeta juaj, atëherë edhe ju do të shfaqeni bashkë me Të në lavdi.

5 Prandaj bëjini të vdekura gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: imoralitetin, ndyrësinë, pasionin, dëshirën e keqe dhe lakminë, që është idhujtari.

6 Të gjitha këto gjëra sjellin zemërimin e Perëndisë (mbi bijtë e mosbindjes).

7 Edhe ju dikur kështu jetonit, të zhytur në këto vese.

8 Por tani edhe ju lërini mënjanë të gjitha këto, zemërimin, mërinë, ligësinë, sharjen, fjalët e ndyra nga goja juaj.

9 Mos gënjeni njëri-tjetrin, sepse ju keni zhveshur njeriun e vjetër bashkë me veprimet e tij

10 dhe keni veshur të riun që ripërtërihet me një njohje të vërtetë sipas shëmbëllesës së Atij që e krijoi atë,

11 ku nuk ka as grek as jude, as të rrethprerë as të parrethprerë, barbar, skit, skllav ose të lirë, por Krishti është gjithçka e në të gjithë.

12 Vishuni pra, si të zgjedhur të Perëndisë, të shenjtë dhe të dashur, me zemërdhembshuri, me mirësi, përvujtëri, butësi, zemërgjerësi dhe durim,

13 duke e duruar dhe duke e falur njëri-tjetrin, në paçi ndonjë ankesë kundër njëri-tjetrit. Siç ju fali Zoti, ashtu të bëni edhe ju.

14 Pastaj mbi të gjitha këto, vishuni me dashurinë që i bashkon ato në një lidhje të përsosur.

15 Le të sundojë paqja e Krishtit në zemrat tuaja, për të cilën edhe u thirrët në një trup; të jeni mirënjohës.

16 Le të banojë begatshëm fjala e Krishtit midis jush, duke e mësuar dhe këshilluar me çdo mençuri njëri-tjetrin, duke i kënduar Perëndisë me psalme, himne dhe këngë të përshpirtshme me mirënjohje në zemrat tuaja.

17 Çfarëdo që të bëni, me fjalë ose me vepra, bëjeni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar nëpërmjet Tij Perëndinë Atë.

18 Gra, t’i nënshtroheni burrave tuaj, siç ka hije në Zotin.

19 Burra, duajini gratë tuaja dhe mos jini të vrazhdë ndaj tyre.

20 Fëmijë, bindjuni prindërve tuaj në gjithçka, sepse kjo i pëlqen Zotit.

21 Etër, mos i acaroni fëmijët tuaj, që të mos u ligështohet zemra.

22 Shërbëtorë, bindjuni në gjithçka zotërinjve tuaj sipas mishit, jo me shërbime sa për t’u dukur, si ata që kënaqin njerëzit, por me thjeshtësinë e zemrës, duke pasur frikë Zotin.

23 Çfarëdo që të bëni, ta kryeni me gjithë zemër, si për Zotin dhe jo për njerëzit,

24 duke e ditur se nga Zoti do të merrni shpërblimin e trashëgimisë. Është Zoti Krisht Ai të cilit po i shërbeni.

25 Sepse ai që bën paudhësira, do të vuajë pasojat e paudhësive që ka bërë pavarësisht se kush është.

Kapitulli 4

1 Ju zotërinj, u siguroni drejtësi dhe barazi shërbëtorëve tuaj, duke ditur që edhe ju keni një Zot në qiell.

2 T’i përkushtoheni lutjes, duke qenë syçelë në të dhe mirënjohës.

3 Në të njëjtën kohë lutuni edhe për ne, që Perëndia të na hapë një derë për fjalën, që të shpallim misterin e Krishtit, për të cilin gjendem i burgosur.

4 Lutuni që ta paraqes atë qartë ashtu siç duhet ta predikoj.

5 Silluni me mençuri ndaj atyre që janë jashtë, duke shfrytëzuar çdo rast.

6 Fjala juaj të jetë gjithmonë plot hir, e rregulluar me kripë, që të dini si duhet t’i përgjigjeni gjithësecilit.

7 Për sa më takon mua, të gjitha do t’jua bëjë të njohura Tikiku, vëllai i dashur, shërbyesi besnik dhe bashkëshërbëtori në Zotin,

8 të cilin jua kam dërguar pikërisht për këtë, që t’i dini rrethanat tona dhe që t’ju japë zemër.

9 Ai po vjen bashkë me Onesimin, vëllanë besnik dhe të dashur, i cili është nga tuajt. Ata do t’ju njoftojnë për të gjitha punët e këtushme.

10 Ju përshëndet Aristarku, i burgosur bashkë me mua, dhe Marku, kushëriri i Barnabës (për të cilin keni marrë porosi; po të vijë tek ju, mirëpriteni),

11 si edhe Jezusi, që quhet Just. Këta janë të vetmit nga rrethprerja që më ndihmuan për mbretërinë e Perëndisë, dhe që kanë qenë ngushëllim për mua.

12 Ju përshëndet Epafra, që është nga tuajt, shërbëtor i Krishtit [Jezus], që mundohet gjithmonë për ju në lutjet e veta, që ju të qëndroni të përkryer dhe plotësisht të bindur ndaj gjithë vullnetit të Perëndisë.

13 Po dëshmoj për të se ai po mundohet shumë për ju, për ata në Laodiki dhe për ata në Hierapolis.

14 Ju përshëndet Lluka, mjeku i dashur, si edhe Dema.

15 Përshëndetini vëllezërit që janë në Laodiki, Nimfën si edhe kishën që mblidhet në shtëpinë e saj.

16 Dhe kur të lexohet kjo letër midis jush, kujdesuni që të lexohet edhe në kishën e laodikianëve. Edhe ju po ashtu ta lexoni letrën nga Laodikia.

17 I thoni Arkipit: “Shiko që ta plotësosh shërbesën që ke marrë në Zotin.”

18 Përshëndetja u shkrua me dorën time, të Palit. Kujtoni burgimin tim. Hiri qoftë me ju.