Statuti i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, fuqizuar në vitin 1950, ligjëron se KOASH-i përbëhet “prej të gjithë Orthodhoksëve që banojnë brënda territorit të Republikës Popullore të Shqipërisë si edhe prej atyre Shqiptarëve Orthodhoksë që banojnë jashtë Atdheut”.[1] Gjithashtu, “me vendim të Këshillit Mikst, mund të krijohen episkopata për Shqiptarët Orthodhoksë jashtë shtetit, të varura nga kisha Shqiptare mëmë”.[2]

Ndërsa në statutin e vitit 1929 KOASH-i “përbahet prej tërë banorëve të Mbretërisë Shqipëtare”,[3] kurse gjithë diaspora shqiptare ortodokse shpërfillet dhe lihet pre e fatit dhe e përdëllimeve të kishave të huaja. Statuti i vitit 1950, edhe në çështjen e diasporës, është i plotë dhe parashikues, mbrojtës e përcjellës i mirë i traditës ortodokse dhe asaj kombëtare, pavarësisht nga kushtrimet e sotme të autoqefalistëve, të cilët në pjesën dërrmuese nuk i përkasin besimit ortodoks, dhe vijojnë të politizuar në formacionet e skajeve. Ata ngulmojnë se statuti mbretëror i vitit 1929 është i vetmi legjislacion kishtar e kanunor për shqiptarët ortodoksë, prandaj dhe na qenka i pacënueshëm.

Për brezin ortodoks të sotëm nuk ka peshë se çfarë thonë jashtëkishtarët. Ajo që ka rëndësi dhe mungon është ndërgjegjësimi i grigjës për të kuptuar situatën kishtare në Shqipëri. Vetë besimtarët ortodoksë duhet të ngrenë pyetje mbi mbarëvajtjen e ortodoksisë në vend, brenda caqeve të një jete shpirtërore. Dedikimi pa rivlerësim, bindja e verbër dhe shenjtërimet për së gjalli, nuk dalin gjithmonë nga një intuitë e shëndoshë kishtare, sidomos në qoftë se nuk ndajmë përgjegjësinë që na takon për të sotmen dhe të ardhmen e kishës ortodokse në Shqipëri. Si rrjedhojë, pikëpyetja më e madhe ortodokse e pasdiktaturës nuk është kombësia e kryepeshkopit, me të cilën është banalizuar me spekullime sipërore nga të gjitha palët ndërluftuese. Ajo që kërkon përgjigje jo të tërthortë është kjo: Përse kryesia e kishës ortodoke në Shqipëri po shpërnjeh gjysmën e anëtarëve të saj, të cilët janë larguar nga atdheu dhe me kalimin e viteve po humbasin identitetin e tyre ortodoks? Ky qëndrim vjen ndesh me doktrinën misionare të ortodoksisë dhe statutin aktual të KOASH-it, atë të vitit 1950.

Praktikisht, në Athinë janë bërë përpjekje për themelimin e një kishe shqiptare ortodokse, gjë që është bekuar nga kryepeshkopi i Athinës Kristodhulos (qysh në nëntor 1999), por ende jo nga kryepeshkopi i Tiranës, Anastasios. Dhe priste dikush që në këtë rast gjasat të ishin të ndërsjellta. Por është njësoj e vërtetë se në Athinë ekzistojnë kisha ortodokse të kombësive të tjera, të cilat adhurojnë në gjuhët përkatëse. Madje ekzistojnë kisha shqipfolëse jo ortodokse, të themeluara rishtazi. A nuk është ky fakt një nga paradokset e ortodoksisë zyrtare në rajon?!

Duke kërkuar diasporën ortodokse shqiptare shohim se asgjë nuk është bërë në kryeqytetet e Evropës perëndimore, ku janë vendosur shumë shqiptarë ortodoksë. Aty vetësugjerohet që shqiptarët të shkojnë në kishat greke, nën juridiksionin kishtar të patrikanës së Kostandinopojës, ose në kishat jo ortodokse, ose fare asgjëkundi. Në SHBA, siç dihet, ekzistojnë dy peshkopata shqiptare ortodokse. Njëra, peshkopata e themeluar nga Noli, përfshin shumicën dërrmuese të shqiptarëve ortodoksë dhe është pjesë e Kishës Ortodokse në Amerikë (Orthodox Church in America – OCA), ndërsa tjetra me pahir numëron vetëm dy kisha, e cila peshkopatë fantazmë vijon nën juridiksionin e patrikanës së Stambollit. Përshtypja e deritanishme është se protokolli dhe muzeu nuk kanë nevojë për mblesë.

Kurse në Kanada shqiptarët ortodoksë janë organizuar për herë të parë në dy kisha/misione, në Toronto e Montreal, 2002 e 2003, me qendër në Toronto, duke u përpjekur të jemi të pranishëm edhe në Vankuver. Shqiptarët e Kanadasë u ndihmuan të vijnë në rend kanonik nga peshkop Serafimi i Otavës (OCA) dhe jo nga KOASH-i, e as nga dy peshkopatat shqiptare të SHBA-së, pa shpërfillur situatat me të cilat përballemi sa herë që institucionet në fjalë ndërvijojnë përdrejt Kanadasë.[4]

Por përse nuk është folur e nuk është bërë asgjë për organizimin e shqiptarëve ortodoksë jashtë Shqipërisë, aq më tepër kur kjo kërkohet nga statuti në fuqi i KOASH-it? Ishte pikërisht çështja e primatit jo shqiptar që çoi në mosqenie problemet parësore të ortodoksisë në Shqipëri. Veç krizës së diasporës, ja disa prej problemeve kishtare ortodokse: Monogjuhësimi i komunitetit ortodoks dykombësh të Sarandës (në këtë rast, greqizimi i tij), mospërkthimet biblike e liturgjike e joplotëria e gjuhës shqipe në adhurim, injorimi i shqipes në emërshkrimin e ikonave, emërdhënia e të sapopagëzuarve herë-herë me pahir, e mosnegociimi me kushtet e reja onomastike të Shqipërisë së sotme, gjysmarsimimi dhe mostrajtimi dinjitoz i klerit, e të tjera.

Problemi i diasporës është më i mprehti për të ardhmen e shqiptarit ortodoks. Për çudi, ai nuk u përmend zyrtarisht nga asnjë faktor kishtar e politik, brenda a jashtë vendit. Vëmendja u përqendrua në imponimin në Shqipëri të eksarkut të patrikanës, nga njëri formacion politik, dhe në përzënien e tij, nga tjetri. Zbrazëtira në mendimin teologjik në Shqipëri u dha shkas e dorë skajorëve të marrin në dorë tapitë e “opozitës ortodokse”.

Me mësymjet e tyre jo fetare, në shumicën e rasteve të kompasuara nga grupime, qendra e interesa jo të krishtera e jo shqiptare, autoqefalistët janë përgjegjës për çka historia i diktoi KOASH-it. Në vend të reflektimit, veçse, ata zgjodhën të vazhdojnë fluturimet në qiellin e idealizmës, e cili zotëron gjithçka përveçse sinqeritet e ndershmëri. Ata ende nuk e kanë kuptuar se ortodoksët shqiptarë janë përsëri gati të bëjnë kompromise edhe më të rënda, në qoftë se këta do të vazhdojnë me kryeneçësi të tjetërsojnë thelbin e besimit ortodoks, të përdhosin të shenjtat ortodokse dhe t’i nënshtrojnë besimtarët në një muzg politik, dhe jo në një agim të shumëpritur shpirtëror. Vetëm bashkëpunimi në një nivel kishtar apo, për më mirë, tërheqja e plotë, do t’i ndihmojë ata të çmitizojnë disa çaste të fragmentuara të traditës shqiptare ortodokse, që gjithsesi nuk mund të kuptohen të veçuara nga tërësia e trashëgimisë sonë kulturo-fetare.

Kisha ortodokse e Shqipërisë është e vetmja kishë autoqefale që nuk ka hapur asnjë kishë jashtë kufijve shtetërorë. Krijimi i një peshkopate të re të KOASH-it, me disa famulli për diasporën, do të plotësojë imazhin e saj dhe do ta nxjerrë atë nga statusi nën kujdestari, siç konsiderohet rëndom në botën ortodokse sot. Një njësi e tillë peshkopale mund të kthehet në një dëshmi të ortodoksisë shqiptare në Evropë, atje ku ajo ndihet e shtëpisë. Ajo pa dyshim do të ndihmojë në ruajtjen e identitetit kombëtar të ortodoksëve shqiptarë jashtë Shqipërisë dhe në ditë të vështira mund të ketë një zë më të kthjellët sesa kisha mëmë në atdhe. Të gjitha këto arsye, krah dimensioneve kulturore, janë legjitime për një kishë autoqefale, prandaj dhe nuk duhet të ushqejnë fobira tek faktorët jo shqiptarë.

Zbatimi i statutit të KOASH-it, nën frymën mbarortodokse të të cilit shqiptarët po tolerojnë sot një kryepeshkop të huaj, duhet çuar gjer në fund të neneve të tij, me udhë kishtare e jo me mënyra të pashkruara përzgjedhëse, gjë që kjo e fundit jep shkas ta ndiejmë si përdhosje të trashëgimisë vendore ortodokse. Mos ndoshta Sinodi i Shenjtë duhet të pozicionohet dhe të shpallë se sa nene të atij statuti pranon e zbaton dhe sa shkel e mohon? Themi kryesia e sinodi, dhe jo kreu a kryepeshkopi, sepse nuk është në frymën e kishës ortodokse që një hierark i vetëm të shkrijë gjithë sistemin sinodik të një kishe autoqefale nën vullnetin e tij vetjak, sado hirplotë dhe i hyjdhuntishëm të jetë potenciali i natyrës së tij shekullare.

At Foti Cici
(Shekulli, 6 gusht 2003)

——————————————

[1] Statuti i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, 1950, Neni 1.
[2] Po aty, Neni 9.
[3] Statuti i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipris, 1929, Kaptina I, Art. 1.
[4] Dy vjet mbas këtij shkrimi, në shtator 2005, kryepeshkopi Anastasios mundi të mbyllë edhe misionin shqiptar ortodoks në Kanada, i vetmi në diasporën e re.