Kapitulli:  1  2  3  4  5  6  7  8  9  10  11  12  13  14  15  16  17  18  19  20  21  22  23  24

Kapitulli 1

1 Meqenëse shumë veta kanë marrë përsipër të renditin rrëfimin e atyre gjërave që kanë ndodhur midis nesh,

2 ashtu siç na i kanë lënë ata, të cilët që prej fillimit ishin dëshmitarë të fjalës dhe u bënë shërbyes të saj,

3 m’u duk me vend edhe mua, që i kam ndjekur këto gjëra me saktësi që prej fillimit, që t’i shkruaj me radhë, fort i nderuar Teofil,

4 që ta marrësh vesh vërtetësinë e atyre gjërave që të kanë mësuar.

5 Në ditët e Herodit, mbretit të Judesë, ishte një prift me emrin Zakaria, nga grupi i Abijas, dhe e shoqja e tij, që ishte nga të bijat e Aaronit dhe quhej Elizabetë.

6 Dhe të dy ishin të drejtë përpara Perëndisë, duke ndjekur pikë për pikë të gjitha porositë dhe urdhërimet e Zotit.

7 Ata nuk kishin fëmijë, sepse Elizabeta ishte beronjë, dhe të dy ishin mjaft të shtyrë në moshë.

8 Dhe ndodhi që, ndërsa Zakaria po shërbente si prift përpara Perëndisë, sipas radhës në grupin e vet,

9 sipas zakonit të priftërisë, i ra shorti të hynte në tempullin e Zotit për të djegur temjanin.

10 E gjithë gjindja po lutej përjashta në orën e temjanit.

11 Atij iu shfaq një engjëll i Zotit duke qëndruar në të djathtë të altarit të temjanit.

12 Zakaria, kur e pa, u shqetësua, dhe e pushtoi frika.

13 Por engjëlli i tha: “Mos ki frikë, Zakari, sepse lutja jote u dëgjua; jot shoqe Elizabeta do të të lindë një djalë, të cilit do t’ia vësh emrin Gjon.

14 Ai do t’ju sjellë gëzim e hare, dhe shumë do të gëzojnë për lindjen e tij.

15 Sepse ai do të jetë i madh para Zotit; nuk do të pijë as verë e as pije të forta, dhe do të mbushet me Frymën e Shenjtë që në bark të nënës.

16 Dhe do t’i kthejë te Zoti, Perëndia i tyre, shumë nga bijtë e Izraelit.

17 Ai do të shkojë para Tij me frymë dhe me fuqi të Elias, për t’i kthyer zemrat e etërve te fëmijët, dhe të pabindurit te mençuria e të drejtëve – për të bërë gati një popull të përgatitur për Zotin.”

18 Zakaria i tha engjëllit: “Si do ta marr vesh këtë punë? Sepse unë jam i moshuar dhe ime shoqe është e shtyrë në moshë.”

19 Engjëlli u përgjigj dhe i tha: “Unë jam Gabrieli, ai që qëndron përpara Perëndisë, dhe jam dërguar të flas me ty e të të sjell këtë lajm të mirë.

20 Dhe, ja, ti do të mbetesh i pagojë, e nuk do të mund të flasësh deri në ditën kur të ndodhin këto gjëra, sepse nuk besove në fjalët e mia, të cilat do të përmbushen kur t’u vijë koha.”

21 Populli po e priste Zakarinë, dhe habitej që ai po vonohej në tempull.

22 Kur doli, nuk ishte në gjendje t’u fliste atyre; ata e morën vesh që ai kishte parë një vegim në tempull; ua bënte me shenja dhe mbeti i pagojë.

23 Dhe ndodhi që, kur u mbushën ditët e shërbesës së tij, ai u largua për në shtëpinë e vet.

24 Pas këtyre ditëve, gruaja e tij, Elizabeta, mbeti shtatzënë dhe u fsheh për pesë muaj, duke thënë:

25 “Kështu ka vepruar Zoti me mua në ditët kur i ktheu sytë nga unë për të ma hequr turpin midis njerëzve.”

26 Dhe në muajin e gjashtë Perëndia dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, të quajtur Nazaret,

27 te një virgjëreshë e fejuar me një njeri me emrin Jozef, nga shtëpia e Davidit; emri i virgjëreshës ishte Mari.

28 Engjëlli iu afrua asaj dhe i tha: “Të falem, o grua hirplote, Zoti është me ty.”

29 Ajo u shqetësua nga ajo fjalë dhe po vriste mendjen ç’lloj përshëndetjeje të ishte kjo vallë.

30 Dhe engjëlli i tha: “Mos ki frikë Mari; sepse ti ke gjetur hir përpara Perëndisë.

31 Dhe ja, do të mbetesh shtatzënë, e do të lindësh një djalë, dhe emrin do t’ia vësh Jezus.

32 Ai do të jetë i madhërishëm dhe do të quhet Bir i Më të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë Atij fronin e Davidit, atit të Tij.

33 Ai do të mbretërojë përjetë mbi shtëpinë e Jakobit e mbretëria e Tij nuk do të ketë mbarim.”

34 Maria i tha engjëllit: “Si do të ndodhë kjo, kur unë nuk njoh asnjë burrë?”

35 Engjëlli iu përgjigj dhe i tha: “Fryma e Shenjtë do të zbresë mbi ty dhe hija e fuqisë së Më të Lartit do të të mbulojë; prandaj edhe i shenjti që do të lindë, do të quhet Bir i Perëndisë.

36 Dhe ja, kushërira jote, Elizabeta, edhe ajo është shtatzënë me një djalë në pleqëri të saj, dhe tani, ajo që e quanin beronjë, është në muajin e gjashtë.

37 Sepse asgjë nuk është e pamundur për Perëndinë.”

38 Atëherë Maria tha: “Jam shërbëtore e Zotit; u bëftë me mua siç thua ti.” Dhe engjëlli u largua prej saj.

39 Në ato ditë, Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim në malësi, në një qytet të Judës.

40 Hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe përshëndeti Elizabetën.

41 Dhe ndodhi që, kur Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Marisë, foshnja lëvizi në bark të saj. Elizabeta u mbush me Frymën e Shenjtë dhe

42 thirri me zë të lartë e tha: “E bekuar je midis grave, dhe i bekuar është fryti i barkut tënd.

43 E nga më vjen kjo mirësi, që nëna e Zotit tim po vjen tek unë?

44 Sepse, ja, sapo erdhi në veshët e mi zëri i përshëndetjes sate, foshnja më kërceu me gëzim në bark.

45 Lum ajo që ka besuar, sepse ato që Zoti i ka folur asaj, do të përmbushen.”

46 Maria i tha: “Shpirti im madhëron Zotin,

47 dhe fryma ime ngazëllehet në Perëndinë, Shpëtimtarin tim,

48 sepse Ai i ktheu sytë te përvujtëria e shërbëtores së Vet. Tani e tutje të gjithë brezat do të më quajnë të bekuar,

49 sepse i Fuqishmi bëri gjëra të mëdha për mua, dhe i shenjtë është emri i Tij.

50 Mëshira e Tij kalon nga njëra brezni në tjetrën tek ata që ia kanë frikën.

51 Ai bëri vepra të fuqishme me krahun e Vet; i ka përndarë ata që mbahen krenarë thellë në zemrat e tyre.

52 Ai zbriti të fuqishmit nga fronet e tyre dhe ngriti të përvuajturit.

53 Të uriturit i mbushi me gjëra të mira; dhe të pasurit i dëboi duarbosh.

54 E ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e Vet, duke kujtuar mëshirën që,

55 siç u foli etërve tanë, i dha Abrahamit dhe pasardhësve të tij për jetë.”

56 Maria qëndroi me Elizabetën rreth tre muaj e pastaj u kthye në shtëpinë e vet.

57 Kur i erdhi koha Elizabetës për të lindur, ajo nxori në dritë një djalë.

58 Fqinjët dhe të afërmit e saj e dëgjuan që Zoti po ia shfaqte asaj madhërisht mëshirën e Vet, dhe ata gëzoheshin bashkë me të.

59 Dhe ndodhi që ditën e tetë, shkuan për ta rrethprerë fëmijën, dhe ia vunë emrin Zakari, sipas emrit të të atit.

60 Por e ëma u përgjigj dhe tha: “Jo, jo! Do të quhet Gjon.”

61 Ata i thanë: “Nuk ka njeri nga farefisi yt që të quhet me këtë emër.”

62 I bënë me shenjë të atit të tij, për të marrë vesh se si donte ta quante ai.

63 Ai kërkoi t’i jepnin një dërrasëz dhe shkroi këtë: “Emri i tij është Gjon.” Ata të gjithë mbetën të habitur.

64 Goja iu hap menjëherë, gjuha iu lirua, dhe filloi të fliste duke lëvduar Perëndinë.

65 Të gjithë ata që banonin rreth tyre, i zuri frika, dhe në mbarë malësinë e Judesë flitej për të gjitha këto punë.

66 Të gjithë që i dëgjonin këto gjëra, i ngulitën në zemrat e veta, duke thënë: “Ç’fëmijë do të jetë ky vallë? Sepse dora e Zotit ishte me të.”

67 I ati, Zakaria, u mbush me Frymën e Shenjtë dhe profetizoi, duke thënë:

68 “I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit; sepse erdhi të shohë popullin e Vet dhe i dha shpengimin.

69 Ai ngriti për ne një Shpëtimtar të fuqishëm në shtëpi të Davidit, shërbëtorit të Vet,

70 siç foli qëmoti me gojën e profetëve të Vet të shenjtë,

71 se do të na shpëtojë prej armiqve tanë dhe nga dora e të gjithë atyre që na urrejnë,

72 për të shfaqur mëshirë ndaj etërve tanë e për të kujtuar besëlidhjen e Tij të shenjtë,

73 betimin që Ai bëri para Abrahamit, atit tonë, se do të na lejojë,

74 pasi të çlirohemi nga dora e armikut, t’i shërbejmë Atij pa frikë,

75 shenjtërisht dhe me drejtësi në prani të Tij, gjatë gjithë ditëve tona.

76 Edhe ti, o fëmija im, do të quhesh profet i Më të Lartit, sepse ti do t’i paraprish Zotit për të përgatitur udhët e Tij,

77 për t’i bërë të ditur popullit të Tij shpëtimin nëpërmjet faljes së mëkateve të tyre;

78 falë mëshirës së thellë të Perëndisë sonë, nëpërmjet së cilës do të na vijë nga lart lindja e diellit,

79 për t’u dhënë dritë atyre që qëndrojnë në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për t’i drejtuar këmbët tona kah rruga e paqes.”

80 Dhe fëmija rritej e forcohej në frymë, dhe qëndroi në shkretëtirë deri në ditën kur iu shfaq hapur Izraelit.

Kapitulli 2

1 Dhe ndodhi që në ato ditë doli një urdhëresë nga Cezar Augusti, që të bëhej regjistrimi i popullsisë së gjithë botës.

2 Ky ishte regjistrimi i parë që u bë kur Kirini ishte guvernator i Sirisë.

3 Të gjithë shkonin për t’u regjistruar, secili në qytetin e vet.

4 Edhe Jozefi, meqë ishte nga shtëpia dhe familja e Davidit, u nis nga qyteti i Nazaretit në Galile e u ngjit në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Betlehem,

5 për t’u regjistruar me Marinë, të fejuarën e vet, që ishte shtatzënë.

6 Dhe ndodhi që, kur ishin atje, asaj i erdhi koha për të lindur.

7 Ajo lindi djalin e saj të parë, e mbështolli në shpërgënj, dhe e shtriu në grazhd, sepse në bujtinë nuk kishte vend për ta.

8 Po në atë vend, ishin disa barinj që e kalonin jetën në fusha dhe ruanin tufat e tyre natën.

9 Një engjëll i Zotit ia behu tek ata dhe lavdia e Zotit shndriti përreth tyre; ata i zuri një frikë e madhe.

10 Engjëlli u tha: “Mos kini frikë, sepse, ja, po ju sjell lajmin e mirë gëzimplotë që do të jetë për të gjithë popullin,

11 që sot, në qytetin e Davidit, juve ju ka lindur një Shpëtimtar, që është Krishti Zot.

12 Kjo do të jetë shenjë për ju; do ta gjeni foshnjën të mbështjellë në shpërgënj, të shtrirë në grazhd.”

13 Papritur, bashkë me engjëllin u shfaq një ushtri e madhe qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë,

14 “Lavdi Perëndisë lart e më lart, paqe mbi tokë për njerëzit që gëzojnë dashurinë e Tij.”

15 Dhe ndodhi që, ndërsa engjëjt u larguan prej tyre dhe shkuan në qiell, barinjtë flisnin me njëri-tjetrin: “Të shkojmë atëherë drejt e në Betlehem e të shohim atë që ka ndodhur, të cilën Zoti na e bëri të njohur.”

16 Shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë dhe Jozefin, si edhe fëmijën të shtrirë në grazhd.

17 Kur e panë, ata u treguan të gjithëve çka u ishte thënë atyre për këtë foshnjë.

18 Të gjithë ata që i dëgjuan, mbetën të mrekulluar nga fjalët që u thanë barinjtë.

19 Por Maria i ruante të gjitha këto fjalë, duke i bluar në zemrën e vet.

20 Barinjtë u kthyen duke e ngritur lart e duke lëvduar Perëndinë për gjithçka që dëgjuan e panë, të cilat ishin tamam siç u ishin folur atyre.

21 Kur u mbushën tetë ditë dhe erdhi koha që fëmija duhej të rrethpritej, atij iu vu emri Jezus, siç ishte quajtur nga engjëlli përpara se të ngjizej në bark.

22 Me t’u plotësuar ditët e tyre të pastrimit, sipas ligjit të Moisiut, e çuan foshnjën në Jeruzalem për t’ia paraqitur Zotit,

23 siç është shkruar në Ligjin e Zotit: ‘Çdo mashkull i parëlindur do të quhet i shenjtë nga Zoti’,

24 dhe për të ofruar flijimin, siç thuhet në Ligjin e Zotit: ‘një çift turtujsh ose dy zogj pëllumbash’.

25 Dhe ja, në Jeruzalem ishte një njeri, që quhej Simeon; ishte njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm dhe priste ngushëllimin e Izraelit, e Fryma e Shenjtë ishte me të.

26 Atij i ishte zbuluar prej Frymës së Shenjtë se nuk do të vdiste para se të shihte Krishtin e Zotit.

27 I shtyrë nga Fryma, ai shkoi në tempull; kur prindërit sollën fëmijën Jezus, për t’i bërë Atij çka kërkonte zakoni i Ligjit,

28 ai e mori ndër krahë, lëvdoi Perëndinë dhe tha,

29 “Tani, Imzot, lëre shërbëtorin Tënd të shkojë në paqe, sipas fjalës Sate,

30 sepse sytë e mi e panë shpëtimin Tënd,

31 që Ti ke përgatitur para syve të të gjithë popujve,

32 dritën që u jep zbulesën kombeve dhe lavdinë popullit Tënd, Izraelit.”

33 I ati dhe e ëma mahniteshin me çka po thuhej për Të.

34 Simeoni i bekoi ata dhe i tha Marisë, nënës së Tij: “Ja, ky është caktuar për rënien dhe ngritjen e shumë vetave në Izrael, si shenjë që do të kundërshtohet,

35 që të zbulohen mendimet e shumë zemrave. Edhe ty një shpatë do ta përshkojë tejpërtej shpirtin tënd.”

36 Atje ishte një profete me emrin Ana, e bija e Fanuelit, nga fisi i Aserit; ajo ishte e shtyrë në moshë, dhe kishte jetuar me të shoqin shtatë vjet pas virgjërisë së saj.

37 Pastaj mbeti e ve deri në moshën rreth tetëdhjetekatër vjeçare dhe nuk largohej nga tempulli, duke shërbyer natë e ditë me agjërime e lutje.

38 Ajo erdhi po në atë orë, dhe filloi të falënderonte Perëndinë e t’u fliste për Të të gjithë atyre që prisnin shpengimin e Jeruzalemit.

39 Ata, me t’i kryer të gjitha gjërat sipas Ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre Nazaret.

40 Fëmija po rritej e po forcohej, duke u mbushur me mençuri, dhe hiri i Perëndisë ishte mbi Të.

41 Prindërit e tij çdo vit shkonin në Jeruzalem për festën e Pashkëve.

42 Dhe kur Ai u bë dymbëdhjetë vjeç, ata u ngjitën në Jeruzalem, sipas zakonit të festës.

43 Kur u mbushën ditët, ndërsa po ktheheshin, djali Jezus mbeti prapa në Jeruzalem dhe prindërit e Tij nuk dinin gjë.

44 Por ata, duke menduar që Ai ishte me grupin e udhëtarëve, bënë një ditë rrugë dhe filluan ta kërkonin midis farefisit dhe të njohurve.

45 Kur nuk e gjetën, u kthyen përsëri në Jeruzalem për ta kërkuar.

46 Dhe ndodhi që pas tri ditësh e gjetën në tempull, të ulur midis mësuesve, duke i dëgjuar e duke u bërë pyetje.

47 Të gjithë ata që e dëgjonin, mahniteshin nga aftësia e Tij për të kuptuar dhe nga përgjigjet e Tij.

48 Kur e panë, ata u çuditën; e ëma i tha: “Bir, përse na e bëre këtë? Shiko ç’po heqim Yt atë dhe unë duke të kërkuar Ty.”

49 Ai u tha: “Përse më kërkonit Mua? A nuk e dini që Unë duhet të merrem me punët e Atit Tim?”

50 Ata nuk i kuptuan fjalët që u tha Ai.

51 Pastaj Ai zbriti bashkë me ta në Nazaret dhe u bindej atyre. Por e ëma i ruante të gjitha këto fjalë në zemrën e vet.

52 Jezusi po rritej në mençuri, në shtat dhe në hir, të cilin e gëzonte prej Perëndisë dhe njerëzve.

Kapitulli 3

1 Në të pesëmbëdhjetin vit të sundimit të Tiber Cezarit, kur Ponc Pilati ishte guvernator i Judesë, Herodi ishte tetrark i Galilesë, vëllai i tij Filipi ishte tetrark i Ituresë dhe i krahinës së Trakonitidës dhe Lisania tetrark i Abilenës,

2 në ditët kur ishin kryepriftërinj Ana dhe Kaifa, fjala e Perëndisë i shkoi në shkretëtirë Gjonit, birit të Zakarisë.

3 Ai përshkoi gjithë zonën rreth Jordanit, duke predikuar pagëzimin e pendesës për faljen e mëkateve,

4 siç është shkruar në librin e thënieve të profetit Isaia: “Zëri i atij që thërret në shkretëtirë: ‘Përgatisni udhën e Zotit, të drejta bëjini shtigjet e Tij.

5 Çdo rrëpirë do të mbushet, e çdo mal e kodër do të sheshohet; udhët e shtrembra do të drejtohen dhe udhët me gropa do të bëhen të rrafshëta.

6 Çdo njeri do të shohë shpëtimin e Perëndisë’.”

7 Prandaj u thoshte turmave që kishin dalë për t’u pagëzuar prej tij: “O pjella nepërkash, kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen?

8 Tregojeni pra, me vepra, që jeni penduar, dhe mos filloni të thoni me veten tuaj: ‘Kemi atin tonë Abrahamin’; sepse po ju them që edhe prej këtyre gurëve Perëndia mund t’i nxjerrë fëmijë Abrahamit.

9 Sëpata është tashmë te rrënja e pemëve; çdo pemë që nuk bën fryt të mirë, do të pritet dhe do të flaket në zjarr.”

10 Turmat e pyesnin e thoshin: “Ç’të bëjmë ne atëherë?”

11 Ai, duke u përgjigjur, u thoshte: “Ai që ka dy tunika, t’ia japë njerën atij që nuk ka; dhe ai që ka për të ngrënë, të bëjë po ashtu.”

12 Edhe tagrambledhësit shkuan për t’u pagëzuar, dhe i thanë atij: “Mjeshtër, ç’të bëjmë?”

13 Ai u tha: “Asgjë më shumë mos kërkoni, veç atyre për të cilat ju kanë udhëzuar.”

14 Edhe ushtarët e pyesnin, duke thënë: “Po ne, çfarë të bëjmë?” Ai u tha: “Asnjeri mos zhvatni, për askënd mos shpifni; kënaquni me pagat tuaja.”

15 Ndërsa populli ishte në pritje me shpresë dhe të gjithë po mendonin në zemrat e veta për Gjonin, nëse ishte apo nuk ishte Krishti,

16 Gjoni u përgjigj duke u thënë të gjithëve: “Unë me të vërtetë po ju pagëzoj me ujë; por Një më i fuqishëm se unë po vjen, të cilit unë nuk jam i denjë as t’i zgjidh gjalmat e sandaleve; Ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr.

17 Në dorën e Tij është terplotja për të qëruar lëmin e Tij, dhe në grunar të Tij do ta mbledhë grurin; por kashtën do ta djegë me zjarrin që nuk shuhet.”

18 Kështu, ai predikonte ungjillin në popull, duke u dhënë zemër njerëzve me këto dhe me shumë mënyra të tjera.

19 Por kur Gjoni e qortoi tetrarkun Herod për Herodiadën, gruan e vëllait të tij, dhe për të gjitha të këqijat që ai kishte bërë,

20 atëherë Herodi shtoi edhe këtë mbi të gjitha të tjerat: e mbylli Gjonin në burg.

21 Dhe ndodhi që, kur po pagëzohej i gjithë populli, u pagëzua edhe Jezusi, dhe, kur Ai po lutej, qielli u hap.

22 Fryma e Shenjtë i trupëzuar si një pëllumb zbriti mbi Të, dhe një zë erdhi prej qielli: “Ti je Biri Im i dashur, te Ti kam gjetur kënaqësi.”

23 Vetë Jezusi, kur nisi veprën e Vet, ishte rreth tridhjetë vjeç. Ai ishte, siç mendohej, i biri i Jozefit, bir i Elit,

24 bir i Matatit, bir i Levit, bir i Melkit, bir i Janait, bir i Jozefit,

25 bir i Matatisë, bir i Amosit, bir i Naumit, bir i Eslit, bir i Nagait,

26 bir i Maatit, bir i Matatisë, bir i Semenit, bir i Jozekut, bir i Jodës

27 bir i Joananit, bir i Resait, bir i Zorobabelit, bir i Salatielit, bir i Nerit,

28 bir i Melkit, bir i Adit, bir i Kosamit, bir i Elmadamit, bir i Erit,

29 bir i Joseut, bir i Eliezerit, bir i Jorimit, bir i Matatit, bir i Levit,

30 bir i Simeonit, bir i Judës, bir i Jozefit, bir i Jonamit, bir i Eliakimit,

31 bir i Meleas, bir i Menas, bir i Matatait, bir i Natanit, bir i Davidit,

32 bir i Jeseut, bir i Obedit, bir i Boozit, bir i Salait, bir i Naasonit,

33 bir i Amenadabit, bir i Adminit, bir i Arniut, bir i Esromit, bir i Perezit, bir i Judës,

34 bir i Jakobit, bir i Isakut, bir i Abrahamit, bir i Tarës, bir i Nakorit,

35 bir i Serugut, bir i Ragaut, bir i Pelegut, bir i Heberit, bir i Salait,

36 bir i Kainamit, bir i Arfaksadit, bir i Semit, bir i Noes, bir i Lamekut,

37 bir i Matuzalait, bir i Enokut, bir i Jaretit, bir i Maleleelit, bir i Kainamit,

38 bir i Enosit, bir i Setit, bir i Adamit, bir i Perëndisë.

Kapitulli 4

1 Jezusi, i mbushur me Frymën e Shenjtë, u kthye nga Jordani, dhe Fryma e çoi në shkretëtirë.

2 Atje u vu në ngasje nga djalli për dyzet ditë. Në ato ditë Ai nuk vuri gjë në gojë dhe, kur ato u plotësuan, e mori uria.

3 Djalli i tha: “Po të jesh Biri i Perëndisë, jepi urdhër këtij guri që të kthehet në bukë.”

4 Jezusi iu përgjigj: “Është shkruar që njeriu nuk do të jetojë vetëm me bukë.”

5 Dhe si e ngjiti lart, djalli i tregoi Atij për një çast të gjitha mbretëritë e botës.

6 Djalli i tha: “Ty do ta jap të gjithë këtë pushtet si edhe lavdinë e tyre, sepse më është lënë në dorë mua dhe unë ia jap kujt të dua.

7 Pra, nëse Ti më adhuron, të gjitha do të jenë të Tuat.”

8 Jezusi u përgjigj e i tha: “Është shkruar: ‘Do të adhurosh Zotin Perëndinë tënd, dhe Atij vetëm do t’i shërbesh’.”

9 Pastaj e çoi në Jeruzalem, e vuri majë tempullit dhe i tha: “Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu prej këtej poshtë;

10 sepse është shkruar që ‘Ai do t’i urdhërojë engjëjt e Vet për Ty që të të ruajnë’.

11 Dhe do të të ngrenë në duar që këmba Jote të mos ndeshë në ndonjë gur.”

12 Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: “Është thënë: ‘Nuk duhet ta vësh në provë Zotin Perëndinë tënd’.”

13 Kur djalli i përfundoi të gjitha këto tundime, u largua prej Tij për njëfarë kohe.

14 Jezusi u kthye, me fuqinë e Frymës, në Galile, dhe lajmi për Të u përhap në tërë rrethinën.

15 Ai jepte mësim në sinagogat e tyre, duke u përlëvduar prej të gjithëve.

16 Shkoi në Nazaret, ku ishte rritur, dhe sipas zakonit të Vet, ditën e shtunë hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar.

17 I dhanë librin e profetit Isaia dhe, si e hapi, gjeti vendin ku ishte shkruar:

18 “Fryma e Zotit është mbi Mua, sepse Ai më ka vajosur për t’u predikuar ungjillin të varfërve, më ka dërguar për t’u shpallur lirimin robërve, për t’u kthyer dritën e syve të verbërve, për të çliruar të shtypurit,

19 për të predikuar vitin e hirit të Zotit.”

20 Pasi e mbylli librin, ia ktheu shërbestarit dhe u ul. Të gjithë sa ishin në sinagogë ia ngulën sytë,

21 dhe Ai filloi t’u thoshte: “Sot u përmbush ky shkrim, siç po e dëgjoni.”

22 Të gjithë dëshmonin për Të e mrekulloheshin me fjalët plot hir që dilnin prej gojës së Tij, e thoshin: “A nuk është ky biri i Jozefit?”

23 Ai u tha: “Sigurisht, ju do të më përmendni këtë fjalë të urtë: ‘Mjek, shëro veten tënde! Çka kemi dëgjuar se është bërë në Kapernaum, bëje edhe këtu në qytetin tënd amtar’.”

24 Ai tha: “Me të vërtetë po ju them, asnjë profet nuk pranohet në atdheun e vet.

25 Të vërtetën po ju them, shumë vejusha ishin në Izrael në ditët e Elias, kur qielli u mbyll për tre vjet e gjashtë muaj dhe një zi buke e madhe mbuloi gjithë tokën.

26 Por tek asnjëra prej tyre nuk u dërgua Elia, veç te një grua vejushë, në Sareptë të Sidonit.

27 Në kohën e profetit Elize në Izrael kishte shumë të gërbulur, por asnjë prej tyre nuk u pastrua, veç Naamanit nga Siria.”

28 Të gjithë ata që ishin në sinagogë, me t’i dëgjuar këto, u mbushën me zemërim.

29 U ngritën, e dëbuan jashtë qytetit dhe e çuan majë një kodre, mbi të cilën ishte ndërtuar qyteti i tyre, për ta hedhur përposh.

30 Por Ai kaloi përmes tyre dhe u largua.

31 Pastaj zbriti në Kapernaum, qytet i Galilesë, dhe i mësonte ata të shtunave.

32 Ata mahniteshin me mësimet e Tij; sepse fjala e Tij ishte plot autoritet.

33 Në sinagogë ishte një njeri që kishte frymën e një demoni të papastër dhe bërtiti me zë të lartë,

34 “E po, ç’punë ke Ti me ne, o Jezus i Nazaretit? Ke ardhur të na shkatërrosh? Unë të njoh se kush je, i Shenjti i Perëndisë.”

35 Jezusi e qortoi, duke thënë: “Hesht dhe dil prej tij!” Demoni e hodhi përdhe në mes dhe doli prej tij pa e dëmtuar fare.

36 Të gjithë mbetën të mahnitur e po flisnin me njëri-tjetrin, duke thënë: “Ç’fjalë të jetë kjo? Sepse Ai i urdhëron me autoritet dhe plot fuqi frymët e papastra, dhe ato dalin jashtë.”

37 Dhe jehona e fjalës së Tij po përhapej anekënd vendit.

38 Si doli nga sinagoga, hyri në shtëpinë e Simonit. Të vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta dhe ata iu lutën ta ndihmonte.

39 Ai u përkul mbi të dhe i qortoi ethet; ato e lanë dhe ajo u ngrit menjëherë e filloi t’u shërbente atyre.

40 Ndërsa dielli po perëndonte, Atij i sollën të gjithë sa ishin të sëmurë me lëngata të ndryshme; Ai vinte duart mbi secilin prej tyre dhe i shëronte.

41 Edhe demonët dilnin prej shumë njerëzve, duke bërtitur e duke thënë: “Ti je Biri i Perëndisë.” Ai i qortonte dhe nuk i linte të flisnin, sepse ata e dinin që Ai ishte Krishti.

42 Kur zbardhi dita, doli e shkoi në një vend të vetmuar; turmat po e kërkonin, dhe si erdhën tek Ai, përpiqeshin ta mbanin që të mos largohej prej tyre.

43 Ai u tha: “Më duhet të predikoj ungjillin e mbretërisë së Perëndisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë jam dërguar.”

44 Dhe vazhdoi të predikonte në sinagogat e Judesë.

Kapitulli 5

1 Një ditë, kur ishte buzë liqenit të Gjenezaretit me turmën që shtyhej rreth Tij për të dëgjuar fjalën e Perëndisë,

2 Ai pa dy lundra që kishin ndalur aty; peshkatarët ishin larguar prej tyre e po lanin rrjetat.

3 Hyri në njërën prej lundrave, që ishte e Simonit, dhe iu lut që ta shtynte pak nga toka. Pasi u ul, filloi t’i mësonte turmat duke folur nga lundra.

4 Kur pushoi së foluri, i tha Simonit: “Shtyje lundrën më thellë e hidhni rrjetat për peshkim.”

5 Simoni, duke u përgjigjur, tha: “Mjeshtër, u munduam tërë natën e nuk kemi zënë asgjë; megjithatë, meqë po thua Ti, do t’i hedh rrjetat.”

6 Dhe si e bënë këtë, ata zunë një sasi shumë të madhe peshqish, aq sa rrjetat po u çaheshin.

7 Ua bënë me shenjë shokëve të vet që ishin në lundrën tjetër, që të vinin e t’i ndihmonin. Ata erdhën e i mbushën aq shumë të dyja lundrat, saqë filluan të fundoseshin.

8 Kur Simon Pjetri e pa këtë, ra para këmbëve të Jezusit, duke thënë: “Largohu prej meje, o Zot, sepse jam njeri mëkatar.”

9 Sepse ai, si edhe të gjithë ata që ishin me të, kishin mbetur të mahnitur me sasinë e madhe të peshqve që kishin zënë.

10 Po kështu i ndodhi edhe Jakobit e Gjonit, bijve të Zebedeut, që peshkonin bashkë me Simonin. Jezusi i tha Simonit: “Mos ki frikë, që tani e tutje do të jesh peshkatar njerëzish.”

11 Pasi i sollën lundrat në tokë, i lanë të gjitha dhe shkuan pas Tij.

12 Një ditë, kur Jezusi ishte në një qytet, ja tek erdhi një njeri plot me gërbulë; ai, me ta parë Jezusin, ra përmbys dhe iu lut, duke thënë: “Zot, po të duash, mund të më pastrosh.”

13 Jezusi zgjati dorën dhe e preku, duke thënë: “Po, dua, qofsh i pastruar!” E menjëherë gërbula u largua prej tij.

14 Ai e porositi: “Mos i thuaj askujt; por shko, paraqitu te prifti dhe ofroi dhuratën për pastrimin tënd, siç ka urdhëruar Moisiu, që ta kesh si dëshmi për ta.”

15 Por lajmi për Të po përhapej gjithnjë e më shumë dhe turma të mëdha mblidheshin për ta dëgjuar e për t’u shëruar prej lëngatave të tyre.

16 Por Jezusi tërhiqej në vende të vetmuara për t’u lutur.

17 Një ditë, ndërsa Ai po i mësonte njerëzit, ndodhi që aty ishin ulur farizenjtë dhe mësuesit e Ligjit, që kishin ardhur nga tërë fshatrat e Galilesë, të Judesë dhe Jeruzalemit. Dhe fuqia e Zotit ishte me Të për të shëruar të sëmurët.

18 Dhe, ja disa njerëz që bartnin mbi hasër një njeri, i cili kishte qenë i paralizuar; po përpiqeshin ta sillnin brenda dhe t’ia vinin Atij përpara.

19 Por, duke mos gjetur asnjë mënyrë për ta sjellë brenda për shkak të turmës, hipën mbi pullaz dhe e zbritën përmes tjegullave bashkë me hasrën, mu në mes, para Jezusit.

20 Ai, duke parë besimin e tyre, tha: “O njeri, mëkatet e tua të janë falur.”

21 Skribët dhe farizenjtë filluan të mendojnë me veten e tyre: “Kush është ky që thotë blasfemi? Kush mund të falë mëkatet, veç Perëndisë?”

22 Por Jezusi, me të marrë vesh mendimet e tyre, u përgjigj dhe u tha: “Përse po mendoni këto gjëra në zemrat tuaja?

23 Cila është më e lehtë, të thuash: ‘Mëkatet e tua të janë falur’, apo të thuash ‘Ngrihu dhe ec’?

24 Por që ta dini se Biri i Njeriut ka pushtet mbi tokë për të falur mëkatet”, i tha të paralizuarit: “Po të them, ngrihu, merr hasrën dhe shko në shtëpi.”

25 Dhe ai menjëherë u ngrit para tyre, mori hasrën ku ishte shtrirë, dhe u largua për në shtëpi të vet duke lëvduar Perëndinë.

26 Të gjithë mbetën të mahnitur e po lëvdonin Perëndinë, duke thënë plot frikë: “Sot kemi parë gjëra të jashtëzakonshme.”

27 Pas këtyre punëve, Ai doli e pa një tagrambledhës, me emrin Levi, të ulur në banakun e tagrambledhësit, dhe i tha: “Më ndiq.”

28 Ai, si la çdo gjë, u ngrit dhe i vajti pas.

29 Levi i shtroi Atij një gosti të madhe në shtëpinë e vet, ku ishin një mori tagrambledhësish si edhe të tjerë të shtruar në tryezë bashkë me ta.

30 Farizenjtë dhe skribët e tyre u pëshpëritnin dishepujve të Tij, duke thënë: “Përse po hani e po pini me tagrambledhësit dhe mëkatarët?”

31 Jezusi, duke u përgjigjur, u tha: “Nuk kanë nevojë për mjek ata që janë të shëndoshë, por ata që janë të sëmurë.

32 Nuk kam ardhur t’u bëj thirrje të pendohen të drejtëve, por mëkatarëve.”

33 Ata i thanë: “Dishepujt e Gjonit shpeshherë agjërojnë e bëjnë lutje, po ashtu edhe ata të farizenjve, kurse të Tutë hanë e pinë.”

34 Jezusi u tha: “A mund t’i bëni dasmorët të agjërojnë sa kohë që dhëndri është me ta?

35 Por do të vijnë ditët kur dhëndri do t’u merret e atëherë në ato ditë ata do të agjërojnë.”

36 Ai filloi t’u thoshte edhe një shëmbëlltyrë. “Askush nuk gris arnë prej një rrobe të re për ta vënë mbi një rrobë të vjetër; përndryshe jo vetëm që do të griset e reja, por edhe arna prej rrobës së re nuk shkon me të vjetrën.

37 Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër; përndryshe vera e re i prish kacekët e vjetër; vera do të derdhet dhe kacekët do të prishen.

38 Përkundrazi, vera e re duhet shtënë në kacekë të rinj.

39 Askush, pasi ka pirë verë të vjetër, nuk e do të renë, sepse thotë: ‘E vjetra është më e mirë’.”

Kapitulli 6

1 Dhe ndodhi që një të shtunë Ai po kalonte nëpër të mbjella; dishepujt e Tij këputnin kallinj dhe, pasi i fërkonin nëpër duar, i hanin.

2 Disa prej farizenjve thanë: “Përse bëni të shtunave diçka që nuk është e lejueshme?”

3 Jezusi, duke u përgjigjur, u tha: “A nuk e paskeni lexuar ç’bëri Davidi kur e mori uria atë dhe ata që ishin me të?

4 Se si hyri në shtëpinë e Perëndisë, i mori dhe i hëngri bukët e përkushtimit dhe u dha edhe atyre që ishin me të; megjithëse askujt veç priftërinjve nuk i lejohet të hajë nga ato bukë?”

5 Pastaj u tha: “Biri i Njeriut është Zot i së shtunës.”

6 Ndodhi që një të shtunë tjetër Ai hyri në sinagogë dhe dha mësim; aty ishte një njeri që e kishte krahun e djathtë të tharë.

7 Skribët dhe farizenjtë po e vështronin për të parë nëse do ta shëronte të shtunën, që të gjenin shkak për ta paditur.

8 Por Ai i dinte mendimet e tyre dhe i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: “Ngrihu e qëndro në mes.” Ai u ngrit dhe qëndroi.

9 Jezusi u tha: “Po ju pyes, a është e lejueshme të bësh mirë apo të bësh keq të shtunën, të shpëtosh apo të shkatërrosh jetë?”

10 Duke i shikuar të gjithë sa ishin përreth, i tha atij: “Shtrije dorën!” Ai e shtriu dhe dora iu shërua plotësisht.

11 Por ata u tërbuan nga zemërimi e po diskutonin me njëri-tjetrin çfarë t’i bënin Jezusit.

12 Dhe ndodhi që në ato ditë Ai doli në mal për t’u lutur dhe e kaloi gjithë natën duke iu lutur Perëndisë.

13 Kur u zbardh dita, thirri dishepujt e Vet dhe zgjodhi prej tyre dymbëdhjetë, të cilët i quajti apostuj:

14 Simonin, të cilin e quajti edhe Pjetër, Andrenë vëllanë e tij, Jakobin, Gjonin, Filipin, Bartolemeun,

15 Mateun, Thomanë, Jakobin të birin e Alfeut, Simonin që quhej i Zellshmi,

16 Judën, të birin e Jakobit, Judë Iskariotin, që u bë tradhtar.

17 Zbriti bashkë me ta dhe qëndroi në një vend të sheshtë; aty ishte një turmë e madhe e dishepujve të Tij dhe një mori njërëzish nga gjithë Judeja e Jeruzalemi si edhe nga bregu i Tirit e i Sidonit,

18 që kishin ardhur për ta dëgjuar e për t’u shëruar prej sëmundjeve të tyre. Ata që vuanin nga frymët e papastra, shëroheshin.

19 E gjithë turma përpiqej ta prekte, sepse prej Tij dilte një fuqi, që i shëronte të gjithë.

20 Si ngriti sytë nga dishepujt e Vet, u tha: “Lum ju të vobektit, sepse juaja është mbretëria e Perëndisë.

21 Lum ju që jeni të uritur tani, sepse do të jeni të nginjur. Lum ju që qani tani, sepse do të qeshni.

22 Lum ju, kur njerëzit t’ju urrejnë, kur t’ju veçojnë nga të tjerët e t’ju fyejnë, t’jua nxjerrin emrin për të keq për hir të Birit të Njeriut.

23 Ngazëlleni në atë ditë e kërceni nga gëzimi; sepse ja, shpërblimi juaj është i madh në qiell, sepse po ashtu kanë vepruar etërit tuaj me profetët.

24 Por mjerë ju, o të pasur, sepse e keni marrë tashmë ngushëllimin tuaj.

25 Mjerë ju që tani jeni të nginjur, sepse do të jeni të uritur. Mjerë ju që qeshni tani, sepse do të vajtoni e do të qani.

26 Mjerë ju, kur të gjithë njerëzit do të flasin mirë për ju, sepse po ashtu ua bënin etërit e tyre profetëve të rremë.

27 Por, po ju them juve që dëgjoni, duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë.

28 Bekoni ata që ju mallkojnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë.

29 Atij që të qëllon në njërën faqe, ktheji edhe tjetrën; atë që të merr pelerinën, mos e pengo të të marrë edhe këmishën.

30 Jepi gjithkujt që të kërkon, dhe atij që të merr gjënë tënde, mos i kërko të ta kthejë.

31 Ashtu siç doni të sillen njerëzit me ju, po ashtu silluni ju me ta.

32 Dhe nëse i doni ata që ju duan, ç’meritë do të keni? Sepse edhe mëkatarët bëjnë të njëjtën gjë.

33 Dhe nëse u bëni mirë atyre që ju bëjnë mirë, ç’meritë do të keni? Sepse po ashtu bëjnë edhe mëkatarët.

34 Dhe nëse u jepni hua atyre prej të cilëve shpresoni t’i merrni, ç’meritë do të keni? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që t’i marrin përsëri një për një.

35 Por duajini armiqtë tuaj, bëni mirë, jepni hua pa pasur më ndonjë shpresë se do t’jua kthejnë; shpërblimi juaj do të jetë i madh dhe ju do të jeni bijtë e Më të Lartit; sepse Ai është mirëdashës me mosmirënjohësit dhe me të ligjtë.

36 Bëhuni të mëshirshëm, ashtu siç është i mëshirshëm [edhe] Ati juaj.

37 Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni; mos dënoni dhe nuk do të dënoheni; falni dhe do të jeni të falur.

38 Jepni dhe do t’ju jepet; me masë të mirë, të ngjeshur e të tundur, gati sa të derdhet, do t’ju mbushin prehrin. Sepse me atë masë që matni, po me atë masë do t’jua matin edhe juve.”

39 U tha edhe një shëmbëlltyrë: “A mundet i verbri t’i heqë udhën të verbrit? A nuk do të bien të dy në gropë?

40 Nxënësi nuk është mbi mjeshtrin; por kushdo që është i përgatitur mirë, do të jetë si mjeshtri i vet.

41 Përse shikon lëmishten në syrin e vëllait tënd, e nuk vë re traun që ke në syrin tënd?

42 Si mund t’i thuash vëllait tënd: “Vëlla, lërmë të nxjerr lëmishten që ke në sy, kur ti vetë nuk sheh traun në syrin tënd? Hipokrit, nxirr më parë traun nga syri yt dhe pastaj do të shohësh më mirë për të nxjerrë lëmishten që është në syrin e vëllait tënd.

43 Sepse nuk ka pemë të mirë që bën fryt të kalbur; as pema e kalbur nuk bën dot fryt të mirë.

44 Sepse çdo pemë njihet nga fryti i saj. Sepse nuk vilen fiq prej drizave dhe as rrush prej ferrave.

45 Njeriu i mirë e nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës; dhe i ligu e nxjerr të keqen prej së keqes që ka në zemër. Sepse goja e tij flet për çka ka me tepri në zemër.

46 E përse më thërrisni, Zot, Zot, e nuk bëni atë çka them Unë?

47 Do t’jua tregoj se me kë ngjan cilido që vjen tek Unë, dëgjon fjalët e Mia dhe i zbaton ato.

48 Ai i ngjason atij njeriu që ndërtoi një shtëpi, gërmoi thellë dhe i vuri themelet mbi shkëmb; kur vërshuan ujërat, lumi u përplas mbi atë shtëpi dhe nuk mundi ta shembë, sepse ishte ndërtuar për së mbari.

49 Por ai që dëgjon fjalët e Mia dhe nuk e zbaton, i ngjason njeriut që e ndërtoi shtëpinë mbi tokë pa themel. Kur mbi të u përplas lumi, ajo u shemb menjëherë dhe rrënimi i asaj shtëpie ishte i madh.”

Kapitulli 7

1 Pasi u dha fund këtyre fjalëve para popullit që po dëgjonte, Ai hyri në Kapernaum.

2 Shërbëtori i një kryeqindësi, të cilin i zoti e donte shumë, ishte i sëmurë e po vdiste.

3 Kur dëgjoi për Jezusin, ai i dërgoi disa pleq të judenjve ta lutnin që të vinte e t’i shëronte shërbëtorin.

4 Me të ardhur tek Jezusi, ata iu lutën shumë, duke thënë: “Ai është i denjë për një nder të tillë,

5 sepse e do kombin tonë dhe na ka ndërtuar sinagogën.”

6 Jezusi shkoi bashkë me ta. Nuk ishte shumë larg shtëpisë, kur kryeqindësi dërgoi miqtë për t’i thënë Atij: “Zot, mos u mundo, sepse unë nuk jam i denjë që Ti të hysh nën pullazin tim.

7 Prandaj as veten time nuk e quajta të denjë të vij te Ti; por thuaj një fjalë, e shërbëtori im do të shërohet.

8 Sepse edhe unë jam njeri nën pushtetin e të tjerëve, dhe kam nën vete ushtarë; i them njërit: ‘Shko’, ai shkon, tjetrit: ‘Eja’ dhe ai vjen; i them shërbëtorit tim: ‘Bëje këtë’ dhe ai e bën.”

9 Jezusi, duke i dëgjuar këto gjëra, u mahnit me të dhe pasi iu kthye turmës që po i vente pas, i tha: “Po jua them, as në Izrael nuk kam gjetur besim kaq të madh.”

10 Ata që u dërguan, kur u kthyen në shtëpi, e gjetën shërbëtorin shëndoshë e mirë.

11 Të nesërmen, Ai shkoi në një qytet të quajtur Nain, dhe bashkë me Të shkuan edhe dishepujt e Tij si edhe një turmë e madhe.

12 Kur iu afrua portës së qytetit, ja ku po përcillnin për të varrosur një të vdekur, djalin e vetëm të një nëne të ve; një turmë e madhe prej qytetit ishte me të.

13 Kur Zoti e pa, i erdhi keq për të dhe i tha: “Mos qaj.”

14 Ai shkoi dhe preku arkivolin; ata që po e mbanin qëndruan në vend. Ai tha: “Djalosh, po të them, ngrihu!”

15 I vdekuri u ngrit ndenjur dhe filloi të flasë. Ai ia dha nënës së tij.

16 Të gjithë i zuri frika dhe lëvduan Perëndinë, duke thënë: “Një profet i madh ka dalë mes nesh; Perëndia ka ardhur për të takuar popullin e Vet.”

17 Dhe lajmi për Të u përhap në tërë Judenë e në gjithë krahinën përreth.

18 Dishepujt e Gjonit e njoftuan atë për të gjitha këto. Gjoni thirri dy prej dishepujve të vet,

19 dhe i dërgoi te Zoti për t’i thënë: “A je Ti Ai që duhej të vinte, apo të presim ndonjë tjetër?”

20 Njerëzit shkuan tek Ai dhe i thanë: “Gjon Pagëzori na ka dërguar te Ti, që të të themi: ‘A je ti Ai që duhej të vinte, apo të presim ndonjë tjetër?’”

21 Në atë orë Ai shëroi shumë veta prej lëngatave, vuajtjeve dhe prej frymëve të liga; dhe shumë të verbërve u fali dritën e syve.

22 Ai, duke u përgjigjur, u tha: “Shkoni dhe i thoni Gjonit çfarë patë e dëgjuat; të verbrit po shohin, të çalët po ecin, të gërbulurit po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen dhe të varfërve po u predikohet ungjilli.

23 Lum ai që nuk do të shkandullohet për shkakun Tim.”

24 Kur lajmëtarët e Gjonit u larguan, Ai filloi t’u fliste turmave për Gjonin: “Çfarë dolët të shikoni në shkretëtirë? Një kallam që tundet nga era?

25 Nëse jo, çfarë dolët të shihni? Një njeri të veshur me rroba të bukura? Jo, ata me petka të shndritshëm dhe që jetojnë në mes të të mirave, gjenden në pallatet e mbretërve.

26 Por çfarë dolët të shihni? Një profet? Po, po jua them, dhe më shumë se një profet.

27 Ky është ai për të cilin është shkruar. ‘Ja, po dërgoj lajmëtarin Tim para fytyrës Sate, i cili do të të përgatitë rrugën përpara Teje.’

28 Po ju them, nuk ka më të madh se Gjon Pagëzori midis atyre të lindur prej gruaje; por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai.”

29 I gjithë populli që po dëgjonte, si edhe tagrambledhësit, i dhanë të drejtë Perëndisë, duke marrë pagëzimin e Gjonit.

30 Por farizenjtë dhe mësuesit e ligjit e përbuzën qëllimin e Perëndisë për ta sepse nuk u pagëzuan prej Gjonit.

31 “Me kë pra, t’i krahasoj njerëzit e këtij brezi? Me kë ngjasojnë ata?

32 Ata u ngjajnë fëmijëve që ulen në pazar e thërresin njëri-tjetrin duke thënë: ‘Për ju i ramë fyellit dhe ju nuk vallëzuat; ne vajtuam dhe ju nuk derdhët lot.’

33 Sepse Gjon Pagëzori nuk erdhi duke ngrënë bukë, as duke pirë verë; dhe ju thoni: ‘Ai ka demon’.

34 Biri i Njeriut erdhi duke ngrënë e duke pirë, dhe ju thoni: ‘Ja, një njeri hamës e pijanec, mik i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve’.

35 Por urtësia përligjet nga të gjithë fëmijët e saj.”

36 Njëri prej farizenjve i kërkonte Jezusit që të hante me të. Ai hyri në shtëpinë e farizeut dhe u shtrua me të për të ngrënë.

37 Dhe ja, një grua mëkatare që ishte në qytet, me ta marrë vesh që Ai ishte shtruar për të ngrënë në shtëpinë e farizeut, solli një enë alabastri me vaj erëkëndshëm.

38 I qëndroi prapa, te këmbët e Tij, duke qarë, dhe filloi t’ia lagte me lot këmbët, ia fshinte me flokët e saj, i puthte këmbët dhe ia lyente me vaj erëmirë.

39 Farizeu, që e kishte ftuar Jezusin, me ta parë, foli me vete dhe tha: “Ky njeri, po të ishte profet, do ta dinte ç’grua është kjo që po e prek; ajo është mëkatare.”

40 Atëherë Jezusi, duke iu përgjigjur, i tha: “Simon, kam diçka për të të thënë.” Ai i tha: “Mjeshtër, thuaje.”

41 “Një huadhënës kishte dy borxhlinj; njëri i kishte borxh pesëqind denarë dhe tjetri i detyrohej pesëdhjetë.

42 Pasi nuk kishin për t’ia shlyer, ai ua fali borxhin të dyve. Cili, pra, prej tyre do ta dojë atë më shumë?”

43 Simoni, duke u përgjigjur, tha: “Ma merr mendja të jetë ai të cilit i fali më shumë.” Jezusi i tha: “Drejt gjykove.”

44 Dhe duke u kthyer nga gruaja, i tha Simonit: “E sheh këtë grua? Hyra në shtëpinë tënde dhe nuk më nxore ujë për këmbët e Mia, kurse ajo m’i lagu këmbët me lot dhe m’i fshiu me flokët e vet .

45 Ti nuk më puthe, kurse ajo, që kur hyra, s’ka pushuar së puthuri këmbët e Mia.

46 Nuk ma leve kokën me vaj, kurse ajo m’i leu këmbët me vaj erëmirë.

47 Prandaj po të them, mëkatet e saj të shumta i janë falur; sepse e madhe ishte dashuria e saj, por kujt i falet pak, e paktë është dashuria e tij.”

48 Dhe i tha asaj: “Mëkatet e tua të janë falur.”

49 Ata që ishin shtruar me të filluan të thoshin midis tyre: “Kush është ky që fal edhe mëkatet?”

50 Dhe i tha gruas: “Besimi yt të ka shpëtuar; shko në paqe.”

Kapitulli 8

1 Më pas Ai përshkoi qytete e fshatra, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë; me Të ishin të dymbëdhjetët,

2 si edhe disa gra që ishin shëruar prej frymëve të liga dhe sëmundjeve: Maria, e quajtur Magdalena, prej së cilës kishin dalë shtatë demonë,

3 Joana, e shoqja e Kuzës, administratorit të Herodit, Suzana, e shumë të tjera, të cilat i ndihmonin ata me të ardhurat e veta.

4 Njerëzit vinin tek Ai nga çdo qytet dhe, kur u mblodh një turmë e madhe, Ai u foli me anë të një shëmbëlltyre:

5 “Mbjellësi doli për të mbjellë; dhe ndërsa mbillte, disa fara ranë gjatë rrugës; fara që ra u shkel dhe e përlanë zogjtë e qiellit.

6 Tjetra ra mbi shkëmb, dhe me të mbirë, u tha, pasi nuk kishte vlagë.

7 Tjetra ra nëpër driza dhe drizat u rritën dhe e mbytën.

8 Një tjetër ra në tokë të mirë dhe pasi mbiu, dha fryt njëqind herë më shumë.” Pasi tha këto gjëra, Ai thirri: “Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.”

9 Dishepujt e Vet filluan ta pyesin: “Ç’kuptim ka kjo shëmbëlltyrë?”

10 Ai u tha: “Juve ju është dhënë mundësia të njihni të fshehtat e mbretërisë së Perëndisë; por të tjerëve u janë dhënë në shëmbëlltyra, që megjithëse shikojnë, të mos shohin, dhe megjithëse dëgjojnë, të mos kuptojnë.

11 Shëmbëlltyra është kjo: fara është fjala e Perëndisë.

12 Farat e rëna gjatë rrugës janë ata që dëgjojnë; pastaj vjen djalli, dhe e merr fjalën prej zemrës së tyre, që ata të mos besojnë dhe të mos shpëtohen.

13 Ato mbi shkëmb janë ata që, me ta dëgjuar, e pranojnë fjalën me gëzim; këta nuk kanë rrënjë, besojnë për njëfarë kohe, por në kohën e tundimit tërhiqen.

14 Fara që ra nëpër driza përfaqëson ata që, pasi e kanë dëgjuar fjalën, ecin përpara dhe u merret fryma prej shqetësimeve, pasurive e kënaqësive të jetës dhe nuk arrijnë të piqen.

15 Fara e rënë në tokë të mirë përfaqëson ata, të cilët me ta dëgjuar fjalën, e mbajnë fort në një zemër të ndershme e të mirë dhe japin fryt me këmbëngulje.

16 Askush, pasi e ndez kandilin, nuk e mbulon me enë, as nuk e vë nën shtrat, por e vendos në shandan, në mënyrë që ata që hyjnë, të shohin dritën.

17 Sepse nuk ka gjë të fshehur që nuk do të zbulohet dhe as të fshehtë që nuk do të merret vesh e nuk do të dalë në dritë.

18 Kini kujdes, pra, se si dëgjoni; sepse atij që ka, do t’i jepet, dhe atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që mendon se ka.”

19 Pastaj shkuan tek Ai nëna e vëllezërit e Tij dhe nuk mundën t’i afroheshin për shkak të turmës.

20 Atë e njoftuan: “Nëna dhe vëllezërit e Tu po rrinë jashtë e duan të Të shohin.”

21 Ai, duke u përgjigjur, u tha: “Nëna dhe vëllezërit e Mi janë ata që dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e vënë atë në jetë.”

22 Dhe ndodhi që një ditë Ai hipi në lundër bashkë me dishepujt e Vet dhe u tha: “Të kalojmë në anën tjetër të liqenit.” Dhe u nisën me lundër.

23 Ndërsa po lundronin, Atë e zuri gjumi. Një stuhi ere u ngrit mbi liqen; lundra e tyre po mbushej me ujë dhe ishin në rrezik.

24 Iu afruan dhe e zgjuan, duke thënë: “Mjeshtër, mjeshtër, po mbytemi.” Ai u ngrit dhe qortoi erën dhe shkulmin e ujit; ato pushuan dhe liqeni ra në bunacë.

25 Atëherë u tha: “Ku është besimi juaj?” Ata, të frikësuar dhe të mrekulluar, thoshin me njëri-tjetrin: “Ç’njeri është ky, që edhe erërat dhe ujin i urdhëron dhe ato i binden?”

26 Duke lundruar, arritën në vendin e gerasenasve, që është përballë Galilesë.

27 Kur zbriti në tokë, i doli përpara një burrë nga qyteti, i cili ishte pushtuar nga demonë dhe për një kohë të gjatë nuk kishte veshur rroba dhe nuk qëndronte në shtëpi, por kishte jetuar ndër varreza.

28 Me të parë Jezusin, ai, duke thirrur, ra përmbys para Tij dhe tha me zë të lartë: “Ç’punë ke Ti me mua, o Jezus, Biri i Më të Lartit Perëndi? Të lutem mos më mundo!”

29 Sepse Ai po e urdhëronte frymën e papastër të dilte prej atij njeriu. Atë e kishte mbërthyer shumë herë dhe, megjithëse e ruanin të lidhur me vargonj e me pranga, ai i këpuste hekurat dhe demoni e ngiste për në vende të shkreta.

30 Jezusi e pyeti: “Ç’emër ke?” Ai tha: “Legjion”, sepse tek ai kishin hyrë shumë demonë.

31 Ata e lutnin Jezusin që të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë.

32 Atje ishte një kope e madhe derrash që kullotnin në mal; ata iu lutën që t’u jepte mundësi të hynin te derrat. Dhe Ai i lejoi.

33 Demonët dolën prej njeriut dhe hynë te derrat; dhe kopeja u turr poshtë shkrepit të thepisur mbi liqen dhe u mbyt.

34 Kur barinjtë panë ç’ndodhi, ua mbathën këmbëve dhe ua treguan ngjarjen njerëzve në qytet e në ara.

35 Pastaj njerëzit dolën për të parë ç’kishte ndodhur; shkuan te Jezusi dhe e gjetën njeriun prej të cilit kishin dalë demonët, të ulur te këmbët e Jezusit, të veshur e me mendje të shëndoshë; dhe i zuri frika.

36 Ata që e kishin parë, u treguan njerëzve se si u shpëtua njeriu i mbërthyer nga demonët.

37 E gjithë gjindja e rrethinës së Gerasenës i kërkoi Atij të largohej prej tyre, sepse i kishte kapur një frikë e madhe. Ai hipi në lundër dhe u kthye prapa.

38 Njeriu prej të cilit kishin dalë demonët, iu lut Jezusit që ai të rrinte me Të, por Jezusi e largoi duke i thënë:

39 “Kthehu në shtëpi dhe trego gjithë sa bëri Perëndia për ty.” Ai u largua dhe shpalli në mbarë qytetin gjithë sa kishte bërë Jezusi për të.

40 Kur Jezusi u kthye, turma i doli përpara me gëzim, sepse të gjithë po e pritnin.

41 Dhe ja ku erdhi një njeri me emrin Jair, që ishte i pari i sinagogës; ai i ra Jezusit ndër këmbë, duke e lutur të hynte në shtëpinë e tij,

42 sepse kishte një vajzë të vetme rreth të dymbëdhjetave, që ishte duke vdekur. Duke shkuar rrugës, turmat shtypeshin pas Tij.

43 Dhe një grua, që kishte një rrjedhje gjaku prej dymbëdhjetë vjetësh [kishte shpenzuar gjithë ç’kishte me mjekët], por nuk kishte qenë e mundur të shërohej prej askujt.

44 I vajti pas dhe i preku kindin e rrobës së Tij dhe rrjedhja e gjakut pushoi menjëherë.

45 “Kush më preku?” pyeti Jezusi. Meqë të gjithë e mohonin, Pjetri tha: “Mjeshtër, turmat po të ngjishen e po të shtypin.”

46 Jezusi tha: “Dikush më preku, sepse e ndjeva që prej Meje doli fuqi.”

47 Dhe gruaja, kur e pa se nuk mund të fshihej, u afrua duke u dridhur, ra para Tij dhe tha hapur para gjithë popullit arsyen pse e preku Jezusin dhe se si u shërua menjëherë.

48 Ai i tha: “Bijë, besimi yt të ka shpëtuar; shko në paqe.”

49 Ndërsa Jezusi vazhdonte të fliste, erdhi dikush nga shtëpia e kreut të sinagogës dhe tha: “Jot bijë ka vdekur, mos e shqetëso më Mjeshtrin.”

50 Por kur Jezusi e dëgjoi, iu përgjigj: “Mos ki frikë, vetëm beso dhe ajo do të shërohet.”

51 Dhe kur shkoi te shtëpia, Ai nuk lejoi njeri të hynte me Të, veç Pjetrin, Gjonin, Jakobin si edhe të atin dhe të ëmën e vajzës.

52 Të gjithë po qanin dhe po e vajtonin, por Ai tha: “Mos qani, sepse ajo nuk ka vdekur, por po fle.”

53 Ata, duke e ditur që ajo kishte vdekur, filluan ta përqeshnin.

54 Por Ai, duke e kapur vajzën për dore, thirri, duke thënë: “Vajzë, ngrihu!”

55 Asaj iu kthye shpirti përsëri dhe u çua menjëherë; Ai urdhëroi që t’i jepnin për të ngrënë.

56 Prindërit e saj u shtangën, por Jezusi u jepte porosi që të mos i thoshin askujt çka kishte ndodhur.

Kapitulli 9

1 Pasi i mblodhi të dymbëdhjetë, u dha fuqi dhe pushtet për të dëbuar të gjithë demonët dhe për të shëruar sëmundjet.

2 Dhe i dërgoi të predikonin mbretërinë e Perëndisë e të shëronin të sëmurët.

3 U tha: “Mos merrni gjë për rrugë, as shkop, as torbë, as bukë, as para dhe asnjëri prej jush të mos mbajë dy tunika.

4 Dhe në çdo shtëpi që të hyni, qëndroni atje derisa të largoheni prej andej.

5 Po të mos ju mirëpresin, kur të dilni prej atij qyteti, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja, si dëshmi kundër tyre.”

6 Ata u nisën e shkuan nga fshati në fshat, duke predikuar ungjillin dhe duke shëruar njerëz kudo.

7 Tetrarku Herod kishte dëgjuar për gjithçka që kishte ndodhur dhe po shastisej, sepse disa thoshin që Gjoni ishte ngjallur prej të vdekurve.

8 Disa thoshin që ishte shfaqur Elia; disa të tjerë thoshin që ishte ngjallur përsëri njëri prej profetëve të moçëm.

9 Dhe Herodi tha: “Gjonit unë i preva kokën; por kush është ky për të cilin po dëgjoj të tilla gjëra?” Dhe kërkonte ta shihte.

10 Apostujt, kur u kthyen, e njoftuan për gjithçka që kishin bërë. Ai i mori me vete dhe u tërhoq veçmas në një qytet që quhej Betsaida.

11 Turmat, me ta marrë vesh, i vajtën pas; Ai i priti dhe u fliste për mbretërinë e Perëndisë, duke shëruar ata që kishin nevojë.

12 Dita filloi të thyhej; të dymbëdhjetë u afruan dhe i thanë: “Nise turmën, që të shkojë në fshatrat dhe në arat përreth për të bujtur e për të gjetur diçka për të ngrënë, sepse këtu jemi në një vend të shkretë.”

13 Por Ai u tha: “Jepuni të hanë.” Ata i thanë: “Nuk kemi më shumë se pesë bukë e dy peshq; veç po të shkojmë të blejmë ushqim për gjithë këtë popull.”

14 Sepse atje ishin rreth pesë mijë veta. Ai u tha dishepujve të Vet: “I vini të ulen në grupe, nga pesëdhjetë.”

15 Ata ashtu bënë dhe i ulën të gjithë.

16 Pastaj Ai mori pesë bukët e dy peshqit dhe, duke vështruar lart në qiell, i bekoi, i ndau dhe ua dha dishepujve t’ia vinin turmës përpara.

17 Të gjithë hëngrën e u nginjën dhe me copat që u tepruan, u mbushën dymbëdhjetë shporta.

18 Dhe ndodhi që ndërsa Ai po lutej mënjanë dhe dishepujt ishin me Të, Ai i pyeti duke thënë: “Kush thonë turmat se jam Unë?”

19 Ata u përgjigjën dhe thanë: “Gjon Pagëzori, të tjerë thonë Elia dhe disa të tjerë thonë që është ngjallur një nga profetët e moçëm.”

20 Ai u tha: “Po ju, kush thoni se jam Unë?” Pjetri, u përgjigj dhe tha: “Krishti i Perëndisë.”

21 Atëherë Ai i paralajmëroi dhe i urdhëroi në mënyrë të prerë që këtë të mos ia thoshin askujt.

22 Pastaj tha: “Biri i Njeriut duhet të vuajë shumë gjëra, të hidhet poshtë prej pleqve, prej kryepriftërinjve e prej skribëve, të vritet dhe të tretën ditë të ngjallet përsëri.”

23 Pastaj Ai u tha të gjithëve: “Nëse ndokush dëshiron të vijë pas Meje, le të mohojë vetveten, të ngrejë përditë kryqin e vet dhe të Më ndjekë,

24 sepse kushdo që dëshiron të shpëtojë jetën e vet, do ta humbë atë; por kushdo që për hirin Tim do të humbë jetën e vet, do ta shpëtojë atë.

25 Sepse ç’dobi ka njeriu nëse fiton tërë botën dhe humbet vetveten ose dëmtohet?

26 Sepse kushdo që ka turp prej Meje dhe prej fjalëve të Mia, për të do të ketë turp edhe Biri i Njeriut, kur Ai do të vijë në lavdinë e Vet, lavdinë e Atit të Vet dhe të engjëjve të shenjtë.

27 Vërtet po ju them, këtu janë disa, të cilët nuk kanë për ta shijuar vdekjen derisa të shohin mbretërinë e Perëndisë.”

28 Dhe ndodhi që tetë ditë pas këtyre bisedave, Ai mori me vete Pjetrin, Gjonin dhe Jakobin dhe u ngjit në mal për t’u lutur.

29 Ndërsa po lutej, pamja e fytyrës i ndryshoi dhe rrobat iu bënë të bardha dhe vetëtinin.

30 Dhe ja, dy burra, që ishin Moisiu dhe Elia, po bisedonin me Të.

31 Ata u shfaqën plot lavdi e po flisnin për largimin e Tij, që do ta përmbushte në Jeruzalem.

32 Por Pjetrin dhe ata që ishin me të i kishte mundur gjumi. Kur u doli gjumi fare, panë lavdinë e Tij, si edhe të dy burrat që ishin bashkë me Të.

33 Ndërsa këta po largoheshin prej Tij, Pjetri i tha Jezusit: “Mjeshtër, është mirë që ne të qëndrojmë këtu dhe të bëjmë tri tenda, një për Ty, një për Moisiun e një për Elian.” Ai nuk dinte ç’po thoshte.

34 Ndërsa fliste kështu, erdhi një re dhe i mbështolli; ata i zuri frika, kur po hynin brenda resë.

35 Një zë doli nga reja, duke thënë: “Ky është Biri im i zgjedhur. Dëgjojeni!”

36 Sapo pushoi zëri, Jezusi u gjend i vetëm. Ata heshtën e në ato ditë nuk i thanë askujt çka kishin parë.

37 Dhe ndodhi që ditën tjetër, kur po zbrisnin nga mali, Atij i doli përpara një turmë e madhe.

38 Dhe ja, një burrë nga turma thirri, duke thënë: “Mjeshtër, po të lutem, ma shiko djalin tim, sepse e kam të vetëm.

39 Ja, e pushton një frymë dhe ai papritur bërtet, pastaj e shkund duke i nxjerrë shkumë dhe mezi e lëshon, pasi e ka dërrmuar fare.

40 Iu luta dishepujve të Tu që ta nxirrnin jashtë, por ata nuk mundën dot.”

41 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha: “O brez i pafe dhe i mbrapshtë, deri kur do të jem me ju e do t’ju duroj? Sillma djalin këtu.”

42 Ndërsa ky po afrohej, demoni e shkundi përtokë dhe e sfiliti. Jezusi e qortoi frymën e papastër, e shëroi fëmijën, dhe ia dorëzoi të atit.

43 Të gjithë u mahnitën me madhërinë e Perëndisë. Por ndërsa të gjithë mrekulloheshin me gjithçka që bënte, Ai u tha dishepujve të Vet,

44 “Ua vini veshin mirë këtyre fjalëve: Biri i Njeriut do të jepet në duar të njerëzve.”

45 Por ata nuk po e merrnin vesh çdo të thoshte me këto fjalë, kuptimi i të cilave mbetej i fshehtë për ta, që të mos i kuptonin, dhe ata druheshin ta pyesnin për ato që tha.

46 Pastaj midis tyre lindi një debat: cili prej tyre do të ishte më i madhi.

47 Jezusi, duke e ditur çfarë po i brente zemrat e tyre, mori një fëmijë, e afroi pranë vetes

48 dhe u tha: “Kushdo që e pranon këtë fëmijë në emrin Tim, më pranon mua dhe kushdo që më pranon Mua, pranon edhe Atë që më ka dërguar Mua; sepse ai që është më i vogli mes gjithë jush, pikërisht ai është më i madhi.”

49 Gjoni u përgjigj dhe tha: “Mjeshtër, pamë dikë që dëbonte demonë në emrin Tënd dhe u përpoqëm ta pengonim, sepse ai nuk të vjen pas bashkë me ne.”

50 Jezusi u tha: “Mos e pengoni, sepse kush nuk është kundër nesh, është me ne.”

51 Dhe ndodhi që ndërsa po plotësoheshin ditët e ngritjes së Tij lart, Ai mori rrugën i vendosur për në Jeruzalem.

52 Dërgoi më parë lajmëtarët; ata shkuan dhe hynë në një fshat të samaritanëve për të përgatitur ardhjen e Tij.

53 Por ata nuk e pritën, sepse Ai ishte drejtuar për në Jeruzalem.

54 Kur dishepujt, Jakobi dhe Gjoni, e panë këtë gjë, thanë: “Zot, a do Ti të themi të zbresë zjarr prej qiellit dhe t’i përvëlojë ata?”

55 Por Ai iu kthye dhe i qortoi.

56 Pastaj ata shkuan në një fshat tjetër.

57 Dhe ndërsa po ecnin rrugës, dikush i tha Atij: “Unë do të të ndjek kudo që të shkosh.”

58 Jezusi i tha: “Dhelprat kanë strofulla dhe zogjtë e qiellit kanë fole, por Biri i Njeriut nuk ka ku të mbështesë kokën.”

59 Dhe i tha një tjetri: “Më ndiq.” Por ai i tha: “Zot, më lër më parë të shkoj e të varros tim atë.”

60 Ai i tha: “Lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre; ndërsa ti shko dhe prediko mbretërinë e Perëndisë.”

61 Edhe një tjetër tha: “Zot, unë do të të ndjek; por më lejo më parë t’u lë lamtumirën atyre që kam në shtëpi.”

62 Dhe Jezusi i tha: “Askush që vë dorën në parmendë dhe shikon prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë.”

Kapitulli 10

1 Dhe pas këtyre Zoti caktoi edhe shtatëdhjetë [e dy] të tjerë, dhe i dërgoi dy e nga dy para Tij në çdo qytet e vend ku kishte ndër mend të shkonte Ai vetë.

2 Dhe u thoshte: “Të korrat janë të shumta, por argatët janë të paktë; lutjuni Zotit të të korrave, që Ai të nxjerrë argatë në të korrat e Veta.

3 Shkoni! Ja, po ju dërgoj si qengjat në mes të ujqve.

4 Mos merrni me vete as kuletë, as trastë e as opinga, dhe askënd mos përshëndetni rrugës.

5 Dhe në çdo shtëpi që të hyni, më parë thoni: ‘Paqja qoftë në këtë shtëpi’.

6 Dhe në qoftë atje ndonjë bir i paqes, mbi të do të qëndrojë paqja juaj, përndryshe, do të kthehet te ju.

7 Dhe qëndroni në atë shtëpi, duke ngrënë e duke pirë çfarë t’ju japin; sepse punëtori e ka me hak pagën e vet. Mos kaloni nga shtëpia në shtëpi.

8 Dhe në çdo qytet ku do të hyni dhe do t’ju presin, hani çfarë t’ju vënë përpara.

9 Shëroni të sëmurët që janë atje dhe u thoni: ‘Mbretëria e Perëndisë ju është afruar’.

10 Por në atë qytet ku do të hyni dhe nuk do t’ju presin, dilni nëpër rrugët e tij dhe thoni,

11 ‘Edhe pluhurin e qytetit tuaj që na është ngjitur ndër këmbë, po e shkundim kundër jush; veçse ta dini që mbretëria e Perëndisë po afrohet’.

12 Po ju them që në atë ditë më e lehtë do të jetë për Sodomën, sesa për atë qytet.

13 Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaida! Sepse po të ishin bërë në Tir e në Sidon mrekullitë që janë bërë te ju, ata do të ishin penduar prej kohësh, duke u veshur me thasë e duke ndenjur në hi.

14 Por po ju them se në ditën e gjykimit Tiri e Sidoni do ta kenë më të lehtë se ju për të duruar.

15 Dhe ti, Kapernaum, mos vallë do të lartësohesh deri në qiell? Poshtë në ferr do të gremisesh.

16 Ai që ju dëgjon ju, më dëgjon Mua, dhe ai që ju përbuz ju, më përbuz Mua dhe ai që më përbuz Mua, përbuz Atë që më ka dërguar Mua.”

17 Dhe ata të shtatëdhjetë [e dy] u kthyen të gëzuar, duke thënë: “Zot, edhe demonët po na nënshtrohen në emrin Tënd.”

18 Ai u tha: “E shihja se si binte Satani nga qielli si një vetëtimë.

19 Ja, ju kam dhënë fuqi që të shkelni mbi gjarpërinj e akrepa dhe të mposhtni çdo fuqi të armikut dhe asgjë nuk do t’ju dëmtojë.

20 Megjithatë mos u gëzoni që frymët ju nënshtrohen; por gëzohuni që emrat tuaj janë shkruar në qiej.”

21 Në po atë orë Ai u ngazëllua në Frymën e Shenjtë dhe tha: “Po të lëvdoj Ty, O Atë, Zot i qiellit dhe i dheut, që ua ke fshehur këto gjëra të mençurve dhe të zgjuarve dhe ua ke zbuluar të vegjëlve. Po, o Atë, sepse kështu të ka pëlqyer Ty.

22 Gjithçka më është dorëzuar nga Ati Im dhe askush veç Atit nuk e di se kush është Biri dhe askush nuk e di se kush është Ati përveç Birit dhe atij të cilit Biri dëshiron t’ia zbulojë.”

23 Dhe duke u kthyer nga dishepujt, u tha mënjanë: “Lum sytë që shohin ato që shihni ju.

24 Sepse, po ju them, që shumë profetë dhe mbretër kanë dashur t’i shohin ato që shihni ju dhe nuk i kanë parë, të dëgjojnë ato që dëgjoni ju dhe nuk i kanë dëgjuar.”

25 Dhe ja, një njeri i ligjit u ngrit për ta vënë në provë, duke thënë: “Mjeshtër, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?”

26 Ai i tha: “Çfarë është shkruar në Ligj? Si e lexon ti?”

27 Ai u përgjigj dhe tha: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd me tërë zemrën tënde, me tërë shpirtin tënd, me tërë forcën tënde e me tërë mendjen tënde, duaje edhe të afërmin tënd ashtu si veten tënde.”

28 Jezusi i tha: “Drejt u përgjigje; bëje këtë dhe do të jetosh.”

29 Por ai, duke dashur t’i jepte të drejtë vetes, i tha Jezusit: “E kush është i afërmi im?”

30 Dhe Jezusi iu përgjigj dhe tha: “Një njeri, që zbriste nga Jeruzalemi në Jeriko, ra në duar të kusarëve, të cilët, pasi e zhveshën dhe e rrahën, u larguan duke e lënë gjysmë të vdekur.

31 Rastësisht, një prift që po zbriste asaj rruge, e pa dhe kaloi në anën tjetër të rrugës.

32 Po ashtu edhe një levit, që erdhi në atë vend, e pa dhe kaloi në anën tjetër.

33 Ndërsa një samaritan, që po udhëtonte, i shkoi pranë dhe, kur e pa, i erdhi keq.

34 Iu afrua, ia lidhi plagët duke ia lyer me vaj e verë, e vuri mbi kafshën e vet, e solli në një bujtinë dhe u kujdes për të.

35 Të nesërmen, nxori dy denarë, ia dha bujtinarit dhe tha: ‘Kujdesu për të dhe çfarëdo shpenzimi të tepërt që të bësh, do të ta paguaj kur të kthehem’.

36 Cili prej atyre të treve, mendon ti se ishte i afërmi i atij që ra në duar të kusarëve?”

37 Ai tha: “Ai që tregoi mëshirë për të.” Jezusi i tha: “Shko e bëj edhe ti të njëjtën gjë.”

38 Kur ishin në rrugë e sipër, Ai hyri në një fshat, ku e priti në shtëpinë e saj një grua me emrin Marta.

39 Kjo kishte një motër që quhej Mari. Edhe kjo u ul tek këmbët e Zotit e po dëgjonte fjalën e Tij.

40 Por Marta, që ishte e zënë me punët e shumta të shërbimit, iu afrua dhe i tha: “Zot, a nuk të vjen keq që ime motër më la vetëm të shërbej? Thuaji pra asaj që të më ndihmojë.”

41 Dhe Zoti, duke u përgjigjur, i tha: “Marta, Marta, kujdesesh dhe shqetësohesh për shumë gjëra.

42 Por një gjë është e nevojshme. Maria zgjodhi pjesën e mirë, që nuk do t’i merret.”

Kapitulli 11

1 Një ditë ishte në një vend e po lutej. Si mbaroi, njëri prej dishepujve të Tij i tha: “Zot, na mëso të lutemi, ashtu si i ka mësuar Gjoni dishepujt e vet.”

2 Ai u tha: “Kur të luteni, thoni, O Atë, u shenjtëroftë emri Yt. Ardhtë mbretëria jote.

3 Na jep çdo ditë bukën tonë të përditshme.

4 Falna mëkatet tona; sepse edhe ne i falim të gjithë ata që na detyrohen neve. Dhe mos na shtjer në ngasje.”

5 Ai u tha: “Mendo sikur njëri prej jush që ka një mik, t’i shkojë atij në mes të natës e t’i thotë: ‘O mik, më jep hua tri bukë,

6 sepse më ka ardhur prej udhe një miku im dhe nuk kam çfarë t’i vë përpara’

7 dhe ai, nga brenda, duke u përgjigjur, t’i thotë: ‘Mos më shqetëso; dera është tashmë e mbyllur, dhe fëmijët e mi janë në shtrat bashkë me mua; nuk mund të ngrihem të të jap’.

8 Po ju them, edhe po të mos ngrihet për t’i dhënë gjë, për hir të miqësisë, megjithatë, i mërzitur nga këmbëngulja e tij, do të ngrihet e do t’i japë aq sa i nevojitet.

9 Edhe unë po ju them: ‘Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokisni dhe dera do t’ju hapet’.

10 Sepse kushdo që lyp, merr; ai që kërkon, gjen, dhe atij që troket, dera do t’i hapet.

11 Dhe cili prej jush është atë i tillë që, po t’i kërkojë djali peshk, në vend të peshkut do t’i japë një gjarpër?

12 Ose, po t’i kërkojë vezë, do t’i japë një akrep?

13 Nëse ju pra, që jeni të ligj, dini t’u jepni dhurata të mira fëmijëve tuaj, sa më tepër Ati në qiell do t’u japë Frymën e Shenjtë atyre që e kërkojnë Atë?”

14 Jezusi po nxirrte një demon [që ishte] i pagojë. Dhe ndodhi që, kur demoni doli jashtë, i pagoji foli; turmat u mrekulluan.

15 Por disa prej tyre thanë: “Ai i dëbon demonët me anë të Beelzebulit, të parit të demonëve.”

16 Të tjerët, duke u përpjekur ta vinin në provë, kërkonin prej Tij shenjë nga qielli.

17 Por Ai, duke i ditur mendimet e tyre, u tha: “Çdo mbretëri e përçarë në vetvete, shkatërrohet, dhe shtëpia e përçarë shembet.

18 Madje edhe Satani, po të jetë i përçarë në vetvete, si do të qëndrojë mbretëria e tij? Sepse ju thoni që i dëboj demonët me anë të Beelzebulit.

19 Nëse Unë i dëboj demonët me anë të Beelzebulit, po bijtë tuaj me anë të kujt i dëbojnë? Prandaj, vetë ata do të jenë gjykatësit tuaj.

20 Por nëse Unë i dëboj demonët me gishtin e Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur te ju.

21 Kur një njeri i fortë, i armatosur mirë, e ruan shtëpinë e vet, i gjithë malli i tij është i siguruar.

22 Por, kur një më i fortë se ai vjen dhe e mund atë, ia merr armët te të cilat ai kishte besim, dhe e ndan plaçkën e grabitur.

23 Kush nuk është me Mua, është kundër Meje, dhe kush nuk mbledh me Mua, shkapërdan.

24 Kur fryma e papastër del jashtë prej njeriut, shkon nëpër vende të thata e kërkon të prehet dhe, kur nuk gjen qetësi, thotë: ‘Do të kthehem në shtëpinë time prej nga kam dalë.’

25 Dhe kur vjen, e gjen të pastruar dhe të rregulluar.

26 Pastaj shkon e merr edhe shtatë frymë të tjera, më të liga se vetja; ato hyjnë e banojnë atje; gjendja e atij njeriu tani bëhet më e keqe se më parë.”

27 Dhe ndodhi që, kur po i thoshte këto gjëra, një grua nga turma i tha me zë të lartë: “Lum barku që të mbajti dhe gjiri që të mëndi.”

28 Por Ai i tha: “Për më tepër, lum ata që dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e mbajnë.”

29 Ndërsa turmat po dyndeshin, Ai filloi të thoshte: “Ky brez është një brez i lig; kërkon shenjë dhe shenjë nuk do t’i jepet, veç shenjës së Jonas.

30 Sepse ashtu sikurse Jona u bë shenjë për banorët e Ninivës, po ashtu do të jetë edhe Biri i Njeriut për këtë brez.

31 Mbretëresha e Jugut do të ngrihet ditën e gjykimit me njerëzit e këtij brezi dhe do t’i dënojë, sepse ajo kishte ardhur nga skajet e dheut për të dëgjuar mençurinë e Solomonit, dhe ja, këtu ka një më të madh se Solomoni.

32 Ditën e gjykimit burrat e Ninivës do të ngrihen me këtë brez dhe do ta dënojnë; sepse ata u penduan nga predikimi i Jonas, dhe ja, këtu ka një më të madh se Jona.

33 Askush, pasi të ketë ndezur kandilin, nuk e vë në një vend të fshehtë [as nën karroqe], por në shandan, në mënyrë që ata që hyjnë, të shohin dritën.

34 Kandili i trupit është syri yt; po të jetë syri yt i shëndoshë, i tërë trupi yt është i ndriçuar; por po të jetë i ligë, edhe trupi yt është në errësirë.

35 Prandaj, hap sytë se mos drita brenda teje është errësirë.

36 Pra, nëse i tërë trupi yt është i ndriçuar, pa pasur ndonjë pjesë të errët, do të jetë i ndriçuar i tëri, si në rastin kur kandili të ndriçon me shkëlqimin e vet.”

37 Dhe, ndërsa po fliste, një farize i kërkoi që të hante drekë me të; Ai hyri dhe u shtrua në tryezë.

38 Por kur farizeu e pa, u habit që Ai nuk bëri larjen para se të hante.

39 Atëherë Zoti i tha: “Vërtet, ju farizenjtë pastroni anën e jashtme të kupës e të pjatës, ndërsa përbrenda jeni të mbushur me grabitje dhe ligësi.

40 O të pamend! Ai që ka bërë anën e jashtme, vallë nuk ka bërë edhe të brendshmen?

41 Pra, jepni më mirë si lëmoshë ato që janë brenda, dhe ja, gjithçka do të jetë e pastër për ju.

42 Por mjerë ju, o farizenj! Sepse ju jepni të dhjetën e mendrës dhe të ryzës e të çdo lloj barishteje dhe lini pas dore drejtësinë dhe dashurinë e Perëndisë; këto gjëra duhej të ishin bërë, pa i lënë pas dore edhe ato të tjerat.

43 Mjerë ju o farizenj! Sepse doni vendet e nderit në sinagoga, si edhe përshëndetje në treg.

44 Mjerë ju! Sepse u ngjani varreve që nuk shihen, mbi të cilat ecin njerëzit, pa e ditur.”

45 Pastaj, njëri prej njohësve të ligjit, duke u përgjigjur, tha: “Mjeshtër, duke thënë këto gjëra, po na fyen edhe ne.”

46 Ai tha: “Mjerë edhe ju, o interpretues të ligjit! Sepse u vini njerëzve barrë që nuk mund të mbahen, ndërsa ju vetë nuk ngrini as gishtin për t’i prekur.

47 Mjerë ju! Sepse ndërtoni varret e atyre profetëve, që etërit tuaj i vranë.

48 Pra, ju jeni dëshmitarë dhe miratoni ato çka kanë bërë etërit tuaj, sepse ata vërtet i vranë, kurse ju u ndërtoni varret.

49 Prandaj, edhe mençuria e Perëndisë tha: ‘Do t’u dërgoj profetë e apostuj, disa prej të cilëve ata do t’i vrasin dhe disa do t’i përndjekin,

50 prandaj, gjaku i të gjithë profetëve që u derdh, që prej themelimit të botës, t’i kërkohet këtij brezi,

51 nga gjaku i Abelit deri te gjaku i Zakarisë, që u vra midis altarit dhe tempullit.’ Po, po jua them, këtij brezi do t’i kërkohet llogari.

52 Mjerë ju, o mësues të ligjit! Sepse ju keni marrë çelësin e dijes; ju vetë nuk hytë, por penguat ata që donin të hynin.”

53 Dhe kur doli prej andej, skribët dhe farizenjtë filluan ta marrin mëri keqas e ta sulmojnë me pyetje për shumë gjëra,

54 duke i ngritur kurth për të kapur ndonjë gjë që mund t’i shpëtonte nga goja.

Kapitulli 12

1 Ndërkaq, si u mblodh një turmë prej mijëra vetash, aq sa njerëzit shkelnin njëri-tjetrin, Jezusi filloi t’u thoshte së pari dishepujve të Vet: “Ruhuni prej majasë së farizenjve, që është hipokrizia.

2 Nuk ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet dhe gjë të fshehtë që nuk do të merret vesh.

3 Prandaj, çfarëdo që të keni thënë në errësirë, do të dëgjohet në dritë, dhe ajo që keni folur vesh më vesh nëpër dhoma të mbyllura, do të shpallet majë pullazeve.

4 Dhe po ju them, o miqtë e mi, mos kini frikë prej atyre që vrasin trupin, dhe pas kësaj nuk kanë ç’të bëjnë më.

5 Por, do t’ju tregoj se prej kujt duhet të keni frikë: të keni frikë Atë që, pasi ka vrarë trupin, ka pushtet për ta hedhur njeriun në ferr; vërtet, po ju them, Atij t’i trembeni.

6 A nuk shiten vallë pesë trumcakë për dy aspra? Dhe asnjë prej tyre nuk harrohet përpara Perëndisë.

7 Por edhe flokët e kokës suaj janë të gjithë të numëruar. Mos kini frikë. Ju vleni më tepër se shumë trumcakë.

8 Dhe po ju them, kushdo që do të më pranojë Mua para njerëzve, edhe Biri i Njeriut do ta pranojë atë para engjëjve të Perëndisë.

9 Por, ai që më mohon para njerëzve, do të mohohet para engjëjve të Perëndisë.

10 Dhe kushdo që do të flasë një fjalë kundër Birit të Njeriut, do të falet, por atij që do të flasë kundër Frymës së Shenjtë, nuk do t’i falet.

11 Kur t’ju çojnë në sinagoga, para krerëve dhe autoriteteve, mos u shqetësoni se si ose çfarë do të përgjigjeni për t’u mbrojtur, ose çfarë do të thoni,

12 sepse Fryma e Shenjtë do t’ju mësojë në po atë orë çfarë duhet të thoni.”

13 Dhe dikush nga turma i tha: “Mjeshtër, i thuaj vëllait tim që ta ndajë trashëgiminë me mua.”

14 Por Ai i tha: “O njeri, kush më vuri Mua gjykatës ose ndarës pasurie përmbi ju?”

15 Dhe u tha: “Shikoni dhe ruhuni prej çdo lloj lakmie; sepse jeta e njeriut nuk qëndron në teprinë e pasurive të tij.”

16 Dhe u tregoi një shëmbëlltyrë, duke thënë: “Toka e një të pasuri dha shumë drithë.

17 Ai mendonte me vete e thoshte: ‘Çfarë të bëj, sepse nuk kam ku ta mbledh drithin tim?’

18 Dhe tha: ‘Do të bëj këtë: do të rrëzoj grunarët e mi e do t’i ndërtoj më të mëdhenj dhe aty do ta grumbulloj gjithë drithin dhe mallrat e mia.

19 Dhe do t’i them shpirtit tim: “O shpirt, ke shumë të mira dhe i ke siguruar për shumë vjet; qetësohu, ha, pi e gëzohu”.’

20 Por Perëndia i tha: ‘I marrë, këtë natë do të vijnë të kërkojnë shpirtin tënd; të kujt do të jenë ato që ke përgatitur?’

21 Kështu do të jetë për atë që mbledh thesare për veten e vet dhe që nuk është i pasur ndaj Perëndisë.”

22 Dhe u tha dishepujve [të Vet]: “Prandaj po ju them, mos u merakosni për jetën, se çfarë do të hani; as për trupin, se çfarë do të vishni.

23 Jeta vlen më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja.

24 Shikoni korbat; as nuk mbjellin e as nuk korrin; nuk kanë qilar, as grunar, dhe Perëndia i ushqen. Sa shumë më tepër se zogjtë vleni ju!

25 Cili prej jush, sado të shqetësohet, a mund t’i shtojë një orë jetës së vet?

26 Nëse ju pra, nuk mundeni të bëni as gjënë më të vogël, përse shqetësoheni për të tjerat?

27 Shihni se si rriten zambakët; ata nuk robtohen, as nuk endin; por po ju them, as Solomoni në gjithë lavdinë e vet, nuk ishte i veshur si njëri prej tyre.

28 Dhe nëse Perëndia e vesh kështu barin, që sot është në arë e nesër hidhet në furrë, sa shumë më tepër do t’ju veshë ju, o besëpakë!

29 Mos kërkoni çfarë të hani e çfarë të pini dhe as mos u bëni merak.

30 Sepse të gjitha këto gjëra i kërkon bota pagane; Ati juaj e di që ju keni nevojë për to.

31 Por kërkoni mbretërinë e Tij, dhe këto gjëra do t’ju jepen si shtesë.

32 Mos ki frikë, o tufë e vogël; sepse Atit tuaj i ka pëlqyer t’ju japë juve mbretërinë.

33 Shisni çka zotëroni dhe jepni lëmoshë; bëni për veten tuaj kuleta që nuk vjetrohen, një thesar të pashterueshëm në qiej, ku vjedhësi nuk afrohet dhe tenja nuk e bren.

34 Sepse, ku është thesari juaj, aty do ta keni edhe zemrën.

35 Ngjeshni një brez rreth mesit dhe mbani kandilat të ndezur.

36 Dhe ju t’u ngjani njerëzve që presin zotërinë e tyre kur kthehet nga dasma, që kur të vijë e të trokasë, ata t’i hapin derën menjëherë.

37 Lum ata shërbëtorë që, kur të vijë zotëria, do t’i gjejë zgjuar; me të vërtetë po ju them, se ai do të ngjeshë përparësen, do t’i shtrojë ata në tryeza dhe do të vijë e do t’u shërbejë.

38 Dhe, po të vijë në kohën e rojës së dytë ose të tretë dhe t’i gjejë ata kështu, lum ata.

39 Por ta dini, se po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç’orë vjen kusari, ai nuk do të lejonte t’i shpërthenin shtëpinë e vet.

40 Edhe ju të jeni gati, sepse Biri i Njeriut do të vijë në atë orë që ju nuk e mendoni.”

41 Pastaj Pjetri tha: “Zot, për ne po e thua këtë shëmbëlltyrë apo edhe për të gjithë?”

42 Dhe Zoti tha: “Cili pra, është ai kujdestar besnik dhe i mençur, të cilin zotëria e cakton mbi shërbëtorët e vet për t’u dhënë në kohën e duhur pjesën që u takon të ushqimit?

43 Lum ai shërbëtor, të cilin zotëria i tij, kur të vijë, do ta gjejë duke vepruar kështu.

44 Vërtet po ju them, që ai do ta caktojë atë mbi gjithë pasurinë e vet.

45 Por, nëse ai shërbëtor thotë me vete: ‘Im zot po vonon e nuk po vjen’ dhe fillon t’i rrahë shërbëtorët e shërbëtoret, të hajë, të pijë e të dehet,

46 zotëria i atij shërbëtori do të vijë në ditën që nuk e pret dhe në orën që nuk e di, do ta bëjë copë copë e do t’ia caktojë vendin me të pabesët.

47 Dhe ai shërbëtor, që e dinte vullnetin e zotërisë së vet dhe nuk ishte përgatitur ose nuk kishte zbatuar vullnetin e tij, do të rrihet keqas.

48 Por ai, që nuk e dinte dhe bëri gjëra që meritojnë ndëshkimin, do të rrihet më pak. Sepse kujtdo që i është dhënë shumë, do t’i kërkohet shumë, dhe atij që i është besuar shumë, do t’i kërkohet shumë më tepër.

49 Unë kam ardhur të hedh zjarr mbi tokë dhe sa do të doja të ishte tashmë i ndezur!

50 Por mua më duhet të pagëzohem me një pagëzim, dhe sa ankth të madh kam derisa të kryhet!

51 A mendoni se kam ardhur për të sjellë paqen mbi tokë? Aspak! Po ju them, përkundrazi, përçarjen.

52 Sepse që sot e tutje, pesë veta do të jenë të përçarë në një shtëpi, tre kundër dyve dhe dy kundër treve.

53 Njerëzit do të përçahen, ati kundër të birit dhe i biri kundër të atit, nëna kundër së bijës dhe e bija kundër nënës, vjehrra kundër nuses dhe nusja kundër vjehrrës.”

54 Gjithashtu u thoshte turmave: “Kur shihni renë që ngrihet nga perëndimi, menjëherë thoni: ‘Do të bjerë shi i madh,’ dhe ashtu ndodh.

55 Kur dëgjoni jugën që fryn, thoni: ‘Do të bëjë vapë,’ dhe ashtu ndodh.

56 Hipokritë, ju dini të dalloni pamjen e dheut dhe të qiellit, por si nuk dini ta dalloni këtë kohë?

57 Përse nuk gjykoni vetë ç’është e drejtë?

58 Sepse, kur shkon me kundërshtarin tënd para gjykatësit, gjatë rrugës bëj ç’është e mundur të pajtohesh me të, që të mos të shpjerë te gjykatësi, dhe gjykatësi të të dorëzojë te roja dhe roja të të flakë në burg.

59 Po të them që s’ke për të dalë prej andej derisa të mos kesh paguar edhe qindarkën e fundit.”

Kapitulli 13

1 Po në atë kohë erdhën disa dhe e njoftuan për galileasit, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me flijimet e tyre.

2 Jezusi, duke u përgjigjur, u tha: “A mendoni ju se këta galileas ishin më shumë mëkatarë se të gjithë galileasit e tjerë, meqë kanë vuajtur në këtë mënyrë?

3 Po ju them, aspak; por, po të mos pendoheni, të gjithë do të vdisni po ashtu.

4 Apo ata të tetëmbëdhjetë mbi të cilët ra kulla në Siloam dhe i vrau, mendoni vallë se ishin më shumë fajtorë se të gjithë njerëzit e tjerë që banonin në Jeruzalem?

5 Po ju them, aspak; por, po të mos pendoheni, të gjithë do të vdisni ashtu si ata.”

6 Dhe u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Dikush kishte një fik të mbjellë në vreshtin e vet dhe shkoi për të kërkuar fryte në të, por nuk gjeti.

7 Pastaj i tha vreshtarit: ‘Ja, kam tre vjet që vij për të kërkuar fryte në këtë fik dhe nuk gjej gjë; preje, përse të zërë kot edhe tokën?’

8 Ai u përgjigj dhe i tha: ‘Zot, lëre edhe këtë vit, sa ta gërmoj përreth e t’i hedh pleh.’

9 Dhe po të bëjë fryte mot, mirë, përndryshe do ta presësh’.”

10 Dhe një të shtunë Jezusi po mësonte njerëzit në një nga sinagogat.

11 Dhe ja, aty ishte një grua që kishte prej tetëmbëdhjetë vjetësh një frymë lëngate, ishte krejt e kërrusur dhe nuk mund ta drejtonte fare trupin.

12 Kur Jezusi e pa, e thirri dhe i tha: “Grua, je çliruar prej lëngatës sate.”

13 Vuri duart mbi të dhe asaj menjëherë iu drejtua trupi dhe filloi të përlëvdonte Perëndinë.

14 Por kreu i sinagogës, i zemëruar ngaqë Jezusi kishte shëruar ditën e shtunë, duke iu drejtuar turmës, i thoshte: “Gjashtë janë ditët në të cilat duhet të punojë njeriu; në ato ditë pra, ejani e shërohuni dhe jo ditën e shtunë.”

15 Atëherë Zoti iu përgjigj dhe tha: “Hipokritë, a nuk e liron secili prej jush ditën e shtunë kaun ose gomarin e vet nga grazhdi dhe e çon për të pirë?

16 Dhe kjo, që është bijë e Abrahamit, të cilën e kishte mbërthyer Satani plot tetëmbëdhjetë vjet, a nuk duhej çliruar prej kësaj zgjedhe ditën e shtunë?”

17 Ndërsa thoshte këto, të gjithë ata që e kishin kundërshtuar, mbetën të turpëruar dhe mbarë turma gëzohej për të gjitha gjërat e lavdishme që bënte Ai.

18 Prandaj thoshte: “Me kë ngjason mbretëria e Perëndisë? Me kë ta krahasoj atë?

19 Është si fara e sinapit, të cilën e mori dikush dhe e hodhi në kopshtin e vet; ajo u rrit e u bë pemë dhe zogjtë e qiellit bënë foletë në degët e saj.”

20 Dhe përsëri tha: “Më kë ta krahasoj mbretërinë e Perëndisë?

21 Ajo është e ngjashme me majanë, që një grua e mori dhe e fshehu në tri masa mielli, derisa erdhi i tërë brumi.”

22 Ai përshkonte qytete e fshatra, duke i mësuar njerëzit, ndërsa vazhdonte udhën drejt Jeruzalemit.

23 Dikush i tha: “Zot, a janë të paktë ata që do të shpëtohen?” Dhe Ai u tha,

24 “Mundohuni të hyni nëpër derën e ngushtë, sepse, po ju them, shumë do të kërkojnë të hyjnë dhe nuk do të mundin.

25 Pasi të ngrihet i zoti i shtëpisë dhe të mbyllë derën, ju, që keni mbetur jashtë, do të filloni të trokitni në derë, duke thënë: ‘Zot, na e hap’, dhe Ai, duke u përgjigjur, do t’ju thotë: ‘Nuk ju njoh, as nuk e di nga jeni’.

26 Pastaj do të filloni të thoni: ‘Ne me Ty kemi ngrënë e kemi pirë dhe në rrugët tona Ti i ke mësuar njerëzit’.

27 Dhe do t’ju thotë: ‘Nuk e di nga jeni. Largohuni prej meje, të gjithë ju, o njerëz që keni bërë paudhësi’.

28 Atje do të ketë kujë e kërcëllimë dhëmbësh, kur do të shihni Abrahamin, Isakun, Jakobin dhe të gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë, ndërsa ju vetë do të flakeni jashtë.

29 Dhe do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi, nga veriu e nga jugu, e do të shtrohen në tryezë në mbretërinë e Perëndisë.

30 Dhe ja, ka disa nga të fundit që do të jenë të parët dhe ka disa nga të parët që do të jenë të fundit.”

31 Pikërisht në atë kohë iu afruan disa farizenj dhe i thanë: “Nisu e shko prej këtej, sepse Herodi ka ndër mend të të vrasë.”

32 Ai u tha: “Shkoni dhe i thoni asaj dhelpre: ‘Ja, sot e nesër po dëboj demonë e po shëroj njerëz dhe të tretën ditë do të kem përfunduar.’

33 Megjithatë, më duhet të udhëtoj sot, nesër dhe ditën që vjen, sepse asnjë profet nuk mund të vdesë jashtë Jeruzalemit.

34 O Jeruzalem, Jeruzalem, që vret profetët dhe qëllon me gurë ata që dërgohen tek ti! Sa herë desha t’i mbledh fëmijët e tu së bashku, ashtu si klloçka të vegjlit e vet nën krahë, por nuk deshët.

35 Ja, shtëpia juaj do t’ju mbetet e shkretuar; dhe po ju them, që nuk do të më shihni derisa të vijë koha që të thoni: ‘Lum Ai që vjen në emër të Zotit!’”

Kapitulli 14

1 Dhe ndodhi që një ditë të shtunë Ai shkoi në shtëpinë e njërit prej krerëve të farizenjve për të ngrënë bukë dhe ata po e shikonin me vëmendje.

2 Dhe, ja, para Tij ishte një njeri i sëmurë me trupazi.

3 Jezusi iu drejtua mësuesve të ligjit e farizenjve dhe u tha: “A është e lejueshme apo jo të shërosh të shtunën?”

4 Ata heshtën. Ai e mori atë për dore, e shëroi dhe e la të shkonte.

5 Pastaj u tha atyre: “Cili prej jush, po t’i bjerë djali ose kau në gropë, nuk do ta nxjerrë menjëherë ditën e shtunë?”

6 Dhe ata nuk mund t’i kthenin përgjigje për këto gjëra.

7 Kur vuri re se si të ftuarit po zgjidhnin vendet e para, u tha një shëmbëlltyrë.

8 “Kur të ka thirrur dikush në dasmë, mos u shtro në krye të vendit, se mund të ketë ftuar një më të nderuar se ti.

9 Dhe ai që ju ka ftuar ju të dy, do të vijë e do të të thotë: ‘Liroja vendin këtij,’ dhe ti, pastaj, do të shkosh të zësh me turp vendin e fundit.

10 Por kur je ftuar, shko e ulu në vendin e fundit, në mënyrë që kur të vijë ai që të ka ftuar ty, të të thotë: ‘Mik, ngjitu më lart’; atëherë ti do të nderohesh përpara të gjithë atyre që janë shtruar me ty në tryezë.

11 Sepse kushdo që lartëson vetveten, do të përulet, dhe ai që përulet, do të lartësohet.”

12 Dhe vazhdoi t’i thoshte edhe atij që e kishte ftuar: “Kur të bësh drekë ose darkë, mos fto miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as të afërmit e tu, as fqinjë të kamur, që të mos të ftojnë edhe ata nga ana e tyre e të të kthehet shpërblimi.

13 Por kur të bësh gosti, thirr të vobektit, të gjymtët, të çalët, të verbrit.

14 Dhe do të jesh i bekuar, ngaqë ata nuk kanë mundësi të ta shpërblejnë; sepse ti do të shpërblehesh në ngjalljen e të drejtëve.”

15 Kur njëri prej atyre, që ishin shtruar bashkë në tryezë, i dëgjoi këto gjëra, i tha Atij: “Lum ai që do të hajë bukë në mbretërinë e Perëndisë.”

16 Jezusi i tha: “Një njeri shtroi një gosti të madhe dhe ftoi shumë veta.

17 Dërgoi shërbëtorin e vet në orën e gostisë që t’u thoshte të ftuarve: ‘Ejani, sepse tani gjithçka është gati’.

18 Të gjithë, me një mendje, filluan të kërkojnë të falur. I pari i tha: ‘Sapo kam blerë një arë dhe duhet të dal ta shoh; të lutem të më falësh’.

19 Një tjetër tha: ‘Sapo kam blerë pesë pendë qe dhe po shkoj t’i provoj; të lutem, të më falësh’.

20 Dhe një tjetër tha: ‘Sapo jam martuar, prandaj, s’mund të vij dot’.

21 Shërbëtori u kthye dhe ia tregoi këto të zotit. Pastaj i zoti i shtëpisë, i zemëruar, i tha shërbëtorit të vet: ‘Dil pa u vonuar nëpër sheshe e rrugë të qytetit dhe sill këtu të varfrit, të gjymtët, të verbrit dhe të çalët’.

22 Dhe shërbëtori tha: ‘Zotëri, çka urdhërove u bë, dhe prapë ka vend’.

23 Zotëria i tha shërbëtorit: ‘Dil përgjatë rrugëve dhe gjerdheve dhe bëji të futen brenda, që të më mbushet shtëpia’.

24 Sepse, po ju them, asnjë prej njerëzve që u ftuan, nuk do ta shijojë darkën time.”

25 Dhe turma të mëdha shkonin bashkë me Të. Ai u kthye dhe u tha:

26 “Nëse ndokush vjen tek Unë dhe nuk urren atin, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit dhe motrat e vet, madje edhe jetën e vet, ai nuk mund të jetë dishepulli Im.

27 Dhe, kushdo që nuk mban kryqin e vet e nuk vjen pas Meje, nuk mund të jetë dishepulli Im.

28 Sepse, cili prej jush, kur ka për të ndërtuar një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet, për të parë a i mjaftojnë për ta përfunduar?

29 Që, pasi të ketë hedhur themelet dhe të mos jetë në gjendje ta përfundojë, të mos fillojnë ta vënë në lojë ata që e shohin,

30 duke thënë: ‘Ky njeri filloi të ndërtojë, por nuk qe në gjendje ta përfundonte’.

31 Ose cili mbret që shkon në luftë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të gjykojë nëse është në gjendje me dhjetë mijë veta të ndeshet me atë që vjen kundër tij me njëzet mijë veta?

32 Përndryshe, sa kohë ai tjetri është ende larg, i dërgon një përfaqësi dhe i kërkon kushtet e paqes.

33 Kështu pra, kushdo prej jush që nuk heq dorë nga të gjitha zotërimet e veta, nuk mund të jetë dishepulli Im.

34 Sepse, e mirë është kripa; por edhe vetë kripa, po të amështohet, me çfarë do të njelmësohet?

35 Nuk është e dobishme as për tokën as për plehërim; prandaj e hedhin poshtë. Ai që ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.”

Kapitulli 15

1 Jezusit iu afruan të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët për ta dëgjuar.

2 Si farizenjtë ashtu edhe skribët pëshpëritnin, duke thënë: “Ky po pranon mëkatarët e po ha me ta.”

3 Ai u tregoi këtë shëmbëlltyrë, duke thënë,

4 “Kush është ai njeri midis jush, që po të ketë njëqind dele dhe po t’i humbë njëra prej tyre, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntë delet e tjera në një vend të shkretë dhe nuk shkon pas asaj që ka humbur, derisa ta gjejë?

5 Me ta gjetur, e vë mbi supe i gëzuar.

6 Kur vjen në shtëpi, thërret miqtë dhe fqinjët dhe u thotë: ‘Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen që më kishte humbur’.

7 Po ju them, që më i madh do të jetë gëzimi në qiell për një mëkatar që pendohet, se për nëntëdhjetë e nëntë njerëz të drejtë që nuk kanë nevojë për pendim.

8 Ose, cila grua që ka dhjetë drahme, po të humbasë një drahme, nuk ndez kandilin, nuk fshin shtëpinë e nuk e kërkon me këmbëngulje derisa ta gjejë?

9 Dhe kur e gjen, thërret miqtë e fqinjët dhe u thotë: ‘Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta drahmen që më kishte humbur’.

10 Po ju them se, po ashtu gëzohen engjëjt e Perëndisë për një mëkatar që pendohet.”

11 Pastaj tha: “Një njeri kishte dy djem.

12 Më i riu i tha të atit: ‘O Atë, më jep pjesën e pasurisë që më takon. Dhe ai ua ndau pasurinë.

13 Nuk kaluan shumë ditë dhe djali më i ri mblodhi gjithë ç’kishte, mori udhën për në një vend të largët dhe atje e shkapërderdhi pasurinë e vet, duke bërë një jetë të shthurur.

14 Dhe pasi i kishte bërë të gjitha rrush e kumbulla, në atë vend ra një zi e madhe buke dhe ai filloi të ndihej ngushtë.

15 Atëherë, shkoi dhe u pajtua te një qytetar i atij vendi, i cili e dërgoi në arat e veta që të ushqente derrat.

16 Dhe donte ta kënaqte barkun edhe me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte.

17 Kur erdhi në vete, tha: ‘Sa e sa mëditësve të tim eti u tepron buka, kurse unë këtu po vdes nga uria.

18 Do të ngrihem e do të shkoj tek im atë dhe do t’i them: “O atë, kam mëkatuar kundër qiellit dhe përpara teje.

19 Nuk jam më i denjë të quhem biri yt; më bëj si një nga mëditësit e tu.”’

20 Dhe u ngrit e shkoi tek i ati. Ndërsa ishte ende larg, i ati e pa dhe iu dhimbs, vrapoi drejt tij, iu hodh në qafë dhe e puthi.

21 I biri i tha: ‘O atë, kam mëkatuar kundër qiellit dhe përpara teje, nuk jam më i denjë të quhem biri yt’.

22 Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Shpejt, nxirrni petkat më të mira dhe vishjani, vërini unazë në dorë dhe sandale në këmbë.

23 Dhe sillni viçin e majmur, thereni dhe të hamë e të gëzohemi.

24 Sepse ky biri im ishte i vdekur, dhe u kthye në jetë, ishte i humbur dhe u gjet’. Dhe nisën të festonin me hare .

25 Ndërkohë djali i tij i madh ishte në arë dhe, kur iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle.

26 Thirri një nga shërbyesit dhe filloi ta pyeste se ç’ishte gjithë kjo.

27 Ai i tha: ‘Ka ardhur yt vëlla, dhe yt atë ka therur viçin e majmur, sepse iu kthye shëndoshë e mirë’.

28 Ai u zemërua dhe nuk deshi të hynte; atëherë doli i ati dhe po e luste.

29 Ai iu drejtua të atit dhe i tha: ‘Ja, kaq shumë vjet që po të shërbej si skllav, kurrë nuk e kam shkelur urdhrin tënd dhe ti asnjëherë nuk më dhe një kec që të gëzohesha me miqtë e mi.

30 Por, kur erdhi yt bir, që e shkapërderdhi pasurinë tënde me gra të përdala, ti për të there viçin e majmur’.

31 I ati i tha: ‘O bir, ti je gjithmonë me mua dhe gjithçka imja është jotja.

32 Por duhet të gëzohemi e të lumturohemi, sepse yt vëlla ishte i vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet.’”

Kapitulli 16

1 Jezusi u thoshte edhe këto dishepujve: “Ishte një njeri i pasur, që kishte një kujdestar, të cilin e paditën tek ai se po ia shpërdoronte pasurinë.

2 Ai e thirri dhe i tha: ‘Ç’është kjo që po dëgjoj për ty? Më jep llogari për punën tënde si kujdestar, sepse mund të mos jesh më kujdestar shtëpie’.

3 Atëherë kujdestari tha me vete: ‘Ç’të bëj? Im zot po ma heq kujdestarinë; të mih tokën, nuk mundem; të lyp, më vjen turp.

4 Di unë çfarë të bëj, që, kur më heqin nga kujdestaria, njerëzit të më presin në shtëpitë e tyre’.

5 Dhe thirri një nga një huamarrësit e zotërisë së vet dhe i tha të parit: ‘Sa i detyrohesh tim zoti?’

6 Ai tha: ‘Njëqind bute me vaj’. I tha atij: ‘Merr dëftesën tënde, ulu shpejt e shkruaj pesëdhjetë’.

7 Pastaj i tha një tjetri: ‘Po ti sa i detyrohesh?’ Ai tha: ‘Njëqind thasë me grurë’. I tha atij: ‘Merr dëftesën tënde dhe shkruaj tetëdhjetë’.

8 Dhe zotëria e lëvdoi kujdestarin e paudhë, sepse kishte vepruar me shkathtësi; sepse, bijtë e kësaj bote, në brezin e tyre, janë më të shkathët se bijtë e dritës.

9 Unë po ju them, bëni për vete miq me pasuri të padrejta, që kur ato të mbarojnë, t’ju pranojnë në banesat e përjetshme.

10 Ai që është besnik në pak, është besnik edhe në shumë dhe i padrejti në pak, është i padrejtë edhe në shumë.

11 Pra, nëse nuk keni qenë besnikë në pasuritë e padrejta, kush do t’ju besojë pasurinë e vërtetë?

12 Dhe nëse nuk keni qenë besnikë në pasurinë e tjetrit, kush do t’jua japë atë që është tuaja?

13 Asnjë shërbyes nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse ai ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do t’i ngjitet pas njërit dhe do të përbuzë tjetrin. Nuk mund t’i shërbeni edhe Perëndisë edhe pasurisë.”

14 Dhe farizenjtë, që ishin të dhënë pas parasë, i dëgjonin të gjitha këto gjëra dhe e përqeshnin.

15 Ai u tha: “Ju jeni ata që e mbani veten të drejtë para njerëzve, por Perëndia i njeh zemrat tuaja, sepse çka çmohet nga njerëzit, është e neveritshme para Perëndisë.

16 Ligji dhe Profetët ishin deri te Gjoni; që atëherë predikohet lajmi i mirë i mbretërisë së Perëndisë dhe gjithkush lufton të hyjë me forcë në të.

17 Më e lehtë është të zhduket qielli dhe toka, sesa të bjerë një presje e vetme nga Ligji.

18 Kushdo që lë gruan e vet dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën dhe kushdo që martohet me një të lënë nga burri, shkel kurorën.

19 Ishte një njeri i pasur dhe vishej me rroba të purpurta e me të linjta të kushtueshme dhe i kalonte ditët me dëfrime plot shkëlqim.

20 Te porta e tij dergjej një lypës me emrin Llazar, mbushur me plagë të mahisura.

21 Ky ishte i dëshiruar të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e të pasurit; madje vinin edhe qentë dhe i lëpinin plagët.

22 Dhe ndodhi që lypësi vdiq dhe engjëjt e çuan pranë Abrahamit; vdiq edhe i pasuri dhe e varrosën.

23 Në ferr, në mes të vuajtjeve, ai ngriti sytë dhe pa Abrahamin nga larg, si edhe Llazarin pranë tij.

24 Ai thirri e tha: ‘O atë Abraham, ki mëshirë për mua, e dërgo Llazarin që të zhytë në ujë majën e gishtit të vet e të më freskojë gjuhën, sepse po sfilitem në këtë flakë’.

25 Por Abrahami i tha: ‘Bir, kujtohu që në jetën tënde i ke marrë të mirat e tua, kurse Llazari të këqijat; por tashmë ai këtu po ngushëllohet, ndërsa ti po sfilitesh.

26 Për më tepër, midis nesh dhe jush është hapur një humnerë e madhe; kështu që ata që duan të kalojnë prej këtej te ju, nuk munden; as ata që janë përtej, nuk mund të kalojnë te ne’.

27 Por ai i tha: ‘Atëherë po të lutem o atë, që ta dërgosh në shtëpinë e tim eti,

28 sepse kam pesë vëllezër, dhe le t’i paralajmërojë që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh’.

29 Abrahami tha: ‘Ata kanë Moisiun dhe Profetët; le t’i dëgjojnë’.

30 Ai tha: ‘Jo, o atë Abraham; por po t’u shkojë dikush prej të vdekurve, ata do të pendohen’.

31 Abrahami i tha: ‘Nëse nuk dëgjojnë Moisiun dhe Profetët, nuk do të binden, edhe sikur të ngjallet ndonjë prej të vdekurve’.”

Kapitulli 17

1 Ai u tha dishepujve të vet: “Shkandullimet nuk mund të shmangen, por mjerë ai që i sjell ato.

2 Më mirë është për të t’i varin në qafë një gur mulliri dhe ta hedhin në det, sesa të shtyjë në mëkat njërin prej këtyre të vegjëlve.

3 Kini kujdes për veten tuaj! Nëse yt vëlla mëkaton, qortoje dhe nëse ai pendohet, fale.

4 Edhe po të mëkatojë kundër teje shtatë herë në ditë dhe shtatë herë të kthehet, duke thënë: ‘Jam penduar’, fale.”

5 Dhe apostujt i thanë Zotit: “Na e shto besimin.”

6 Zoti tha: “Po të kishit besim sa kokrra e sinapit, do t’i thoshit [këtij] mani: ‘Shkulu me rrënjë e mbillu në det’; dhe ai do t’ju bindej.

7 Por cili prej jush, që ka një shërbëtor që i lëron tokën ose i kullot bagëtinë, do t’i thotë atij kur kthehet nga ara: ‘Shpejt, eja të hash’?

8 A nuk do t’i thotë: ‘Më bëj diçka gati për darkë, përvish mëngët e më shërbe derisa të ha e të pi dhe pastaj të hash e të pish edhe ti’?

9 Mos vallë do ta falënderojë shërbëtorin, sepse bëri ato që iu urdhëruan?

10 Kështu edhe ju, kur të bëni të gjitha ato që ju kanë urdhëruar, thoni: ‘Jemi shërbëtorë të padobishëm; kemi bërë vetëm detyrën tonë’.”

11 Dhe ndodhi që gjatë rrugës për në Jeruzalem, Ai kaloi përmes Samarisë dhe Galilesë.

12 Kur po hynte në një fshat, e takuan dhjetë të gërbulur, të cilët duke qëndruar larg,

13 e thirrën me zë të lartë: “Jezus, Mjeshtër, ki mëshirë për ne.”

14 Jezusi, kur i pa, u tha: “Shkoni e paraqituni te priftërinjtë.” Dhe ndodhi që gjatë rrugës për te priftërinjtë, ata u pastruan nga gërbula.

15 Njëri prej tyre, duke parë që u shërua, u kthye dhe lëvdoi Perëndinë me zë të lartë.

16 Ra me fytyrë përdhe para këmbëve të Jezusit, duke e falënderuar. Ai ishte samaritan.

17 Jezusi u përgjigj dhe tha: “A nuk u pastruan që të dhjetë? Po ku janë nëntë të tjerët?

18 Nuk u gjet njeri tjetër, veç këtij të huaji, që të kthehet për të lëvduar Perëndinë?”

19 Dhe i tha: “Ngrihu e shko; besimi yt të ka shpëtuar.”

20 Kur e pyetën farizenjtë se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, Ai iu përgjigj e tha: “Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në mënyrë të dukshme.

21 As nuk do të thuhet: ‘Ja këtu!’ ose ‘Ja atje!’ Sepse mbretëria e Perëndisë është midis jush.”

22 Dhe u tha dishepujve: “Do të vijë koha kur do të dëshironi të shihni një nga ditët e Birit të Njeriut, dhe nuk do ta shihni.

23 Do t’ju thonë: ‘Ja, këtu është’, ose ‘Ja, atje’. Mos u largoni, as mos i ndiqni,

24 sepse, ashtu si vetëtima që shkëlqen nga njëri skaj i qiellit tek tjetri, ashtu do të jetë Biri i Njeriut [në ditën e Vet].

25 Por më parë Atij i duhet të vuajë shumë dhe të hidhet poshtë nga ky brez.

26 Dhe ashtu siç ndodhi në ditët e Noes, po ashtu do të jetë edhe në ditët e Birit të Njeriut.

27 Hanin, pinin, martoheshin dhe jepeshin për martesa, deri në ditën që Noeja hyri në arkë dhe përmbytja erdhi e i zhduku të gjithë.

28 Po ashtu sikurse ndodhi në ditët e Lotit, kur njerëzit hanin, pinin, blinin, shitnin, mbillnin, ndërtonin.

29 Por ditën që Loti doli nga Sodoma, ra një shi zjarri e squfuri prej qiellit dhe i zhduku të gjithë.

30 Po kështu do të jetë në ditën kur do të shfaqet Biri i Njeriut.

31 Në atë ditë, ai që do të jetë mbi pullaz, me mallin e vet brenda në shtëpi, të mos zbresë për ta marrë, dhe ai që është në arë, po ashtu të mos kthehet prapa.

32 Kujtoni gruan e Lotit.

33 Kushdo që do të kërkojë ta ruajë jetën e vet, do ta humbë dhe kushdo që do ta humbë, do ta fitojë atë.

34 Po ju them, atë natë do të jenë dy veta në një shtrat; njëri do të merret dhe tjetri do të lihet.

35 Dy gra do të jenë duke bluar së bashku; njëra do të merret dhe tjetra do të lihet.

36 Dy veta do të jenë në arë; njëri do të merret dhe tjetri do të lihet.”

37 Atëherë ata e pyetën: “Ku o Zot?” Ai u tha: “Ku është kërma, atje do të mblidhen edhe shkabat.”

Kapitulli 18

1 Dhe u thoshte një shëmbëlltyrë për të treguar që gjithmonë duhej të luteshin dhe të mos e lëshonin veten,

2 duke thënë: “Në një qytet ishte një gjykatës, që nuk e kishte frikë Perëndinë dhe as nuk përfillte njeri.

3 Në atë qytet ishte një grua e ve; ajo shkonte vazhdimisht tek ai dhe i thoshte: ‘Më mbro me ligj prej kundërshtarit tim’.

4 Ai për njëfarë kohe nuk donte; por më vonë tha me vete: ‘Ndonëse nuk kam frikë Perëndinë e as nuk përfill njeri,

5 meqenëse kjo grua e ve po më shqetëson, do ta mbroj me ligj, që të mos më mërzitë më duke ardhur vazhdimisht’.”

6 Dhe Zoti tha: “Dëgjoni çfarë thotë gjykatësi i padrejtë!

7 Po Perëndia, a nuk do t’i mbrojë me drejtësi të zgjedhurit e Vet, që bërtasin para Tij ditë e natë? A do t’i lërë të presin gjatë?

8 Po ju them se Ai do t’ua japë drejtësinë shpejt. Megjithatë, kur të vijë Biri i Njeriut, a do të gjejë besim mbi tokë?”

9 Disave që kishin besim në veten e tyre se ishin të drejtë dhe i përbuznin të tjerët, Jezusi u tha këtë shëmbëlltyrë.

10 “Dy njerëz u ngjitën në tempull për t’u lutur, njëri farize e tjetri tagrambledhës.

11 Farizeu po qëndronte e po lutej kështu me veten e vet: ‘O Perëndi, po të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitqarë, të padrejtë, të përdalë, ose edhe si ky tagrambledhës.

12 Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën e gjithçkaje që zotëroj’.

13 Tagrambledhësi po rrinte larg e nuk donte as sytë t’i ngrinte lart në qiell. Por rrihte kraharorin duke thënë: ‘O Perëndi, ki mëshirë për mua mëkatarin’.

14 Po ju them, ky u kthye në shtëpi të vet i shfajësuar, por jo ai tjetri; sepse çdo njeri që lartëson vetveten, do të përulet, dhe ai që përul veten do të lartësohet.”

15 Atij i sillnin edhe foshnjat, që t’i prekte, por dishepujt, duke parë këtë, i qortonin ata.

16 Por Jezusi i thirri dhe tha: “Lërini fëmijët të vijnë tek Unë e mos i pengoni, sepse për të këtillë është mbretëria e Perëndisë.

17 Vërtet po ju them, kushdo që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk ka për të hyrë në të.”

18 Një prej krerëve e pyeti Jezusin, duke thënë: “O Mjeshtër i mirë, çfarë të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?”

19 Dhe Jezusi i tha: “Përse më thua i mirë? Askush nuk është i mirë, veçse Njëri, Perëndia.

20 Ti i di urdhërimet, mos shkel kurorën, mos vrit, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin e nënën tënde.”

21 Ai tha: “Të gjitha këto i kam mbajtur që në rini.”

22 Jezusi, si e dëgjoi, i tha: “Edhe një të mungon ende, shit gjithë sa ke dhe ndajua të varfërve dhe do të kesh thesar në qiej. Pastaj eja e më ndiq.”

23 Por, kur dëgjoi këto, ai u hidhërua shumë, sepse ishte shumë i pasur.

24 Dhe Jezusi, kur e pa [që ai u hidhërua shumë], tha: “Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri, të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!

25 Sepse më lehtë është për devenë të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa për një të pasur të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.”

26 Ata që po dëgjonin, thanë: “Atëherë kush mund të shpëtohet?”

27 Ai tha: “Çka është e pamundur për njeriun, është e mundur për Perëndinë.”

28 Pastaj Pjetri tha: “Ja, ne lamë çdo gjë tonën dhe të ndoqëm Ty.”

29 Ai u tha: “Vërtet po ju them, nuk ka njeri që të ketë lënë shtëpinë, ose prindërit, ose vëllezërit, ose gruan, ose fëmijët për shkak të mbretërisë së Perëndisë,

30 që të mos marrë shumë herë më tepër në këtë botë, dhe në botën që vjen, jetën e amshuar.”

31 Pastaj i mori të dymbëdhjetët mënjanë e u tha: “Ja, po ngjitemi për në Jeruzalem, dhe të gjitha ato që janë shkruar nga profetët për Birin e Njeriut, do të përmbushen.

32 Sepse Ai do t’u dorëzohet atyre të kombeve, do ta përqeshin, do ta fyejnë e do ta pështyjnë.

33 E pasi ta fshikullojnë, do ta vrasin, dhe të tretën ditë, do të ngjallet përsëri.”

34 Ata nuk morën vesh asgjë nga këto; ato fjalë ishin të errëta për ta dhe nuk e kapnin domethënien e atyre që u thanë.

35 Ndërsa Jezusi po i afrohej Jerikos, një i verbër ishte ulur në anë të rrugës duke lypur.

36 Kur dëgjoi turmën që po kalonte, ai pyeti ç’të ishte kjo?

37 I thanë që po kalonte Jezusi nga Nazareti.

38 Ai filloi të thërriste: “Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua.”

39 Ata që shkonin përpara, e qortuan që të heshtte, por ai thërriste edhe më shumë: “Bir i Davidit, ki mëshirë për mua.”

40 Jezusi qëndroi dhe urdhëroi që t’ia sillnin dhe, kur ai u afrua, e pyeti,

41 “Çfarë dëshiron të bëj për ty?” Ai tha: “Zot, dua që të më kthehet drita e syve.”

42 Dhe Jezusi i tha: “Merre dritën e syve; besimi yt të ka shpëtuar.”

43 Menjëherë atij i erdhi drita e syve, dhe i vajti pas Jezusit, duke lëvduar Perëndinë; i gjithë populli, kur e pa këtë, i dha lëvdatë Perëndisë.

Kapitulli 19

1 Ai hyri në Jeriko dhe po kalonte nëpër qytet.

2 Dhe, ja, atje ishte një njeri me emrin Zaké, që ishte i pari i tagrambledhësve dhe i pasur.

3 Po përpiqej të shihte kush ishte Jezusi dhe nuk po mundej prej turmës, sepse ishte trupvogël.

4 Atëherë vrapoi përpara dhe u ngjit në një fik që ta shihte Jezusin, sepse Ai do të kalonte nëpër atë rrugë.

5 Kur Jezusi erdhi në atë vend, ngriti sytë lart dhe i tha: “Zaké, zbrit shpejt poshtë, sepse sot duhet të qëndroj në shtëpinë tënde.”

6 Ai u ul shpejt dhe e priti Jezusin me gëzim.

7 Të gjithë e panë këtë dhe filluan të pëshpërisnin, duke thënë: “Ai hyri për të bujtur te një mëkatar.”

8 Por Zakeu, si u ngrit, i tha Zotit: “Ja, gjysmën e pasurive të mia, o Zot, po ua jap të varfërve dhe, po t’i kem marrë ndokujt ndonjë gjë me mashtrim, do t’ia kthej katërfish.”

9 Jezusi i tha: “Sot në këtë shtëpi ka hyrë shpëtimi, sepse edhe ky njeri është bir i Abrahamit.

10 Sepse Biri i Njeriut ka ardhur të kërkojë e të shpëtojë atë që kishte humbur.”

11 Ndërsa ata i dëgjonin këto, Ai vazhdoi t’u tregonte një shëmbëlltyrë, sepse ishte pranë Jeruzalemit dhe ata mendonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej menjëherë.

12 Prandaj, Ai tha: “Një njeri fisnik shkoi në një vend të largët për të marrë atje titullin mbret për vete e pastaj të kthehej.

13 Thirri dhjetë shërbëtorët e vet, u dha dhjetë mina dhe u tha: ‘I vini këto në përdorim derisa të kthehem’.

14 Por qytetarët e tij e urrenin dhe i dërguan një përfaqësi nga pas, që të thotë: ‘Nuk e duam këtë njeri të mbretërojë mbi ne’.

15 Dhe ndodhi që, kur u kthye, pasi kishte marrë titullin mbret, urdhëroi të thirreshin shërbëtorët të cilëve u kishte dhënë paratë, që të merrte vesh se sa kishte fituar secili duke i vënë ato në përdorim.

16 Erdhi i pari dhe i tha: ‘Zotëri, mina jote dha dhjetë mina më shumë’.

17 Ai i tha: ‘Të lumtë, o shërbëtor i mirë; meqë ke qenë besnik në një gjë të vogël, bëhu sundimtar mbi dhjetë qytete’.

18 Erdhi i dyti dhe tha: ‘Zotëri, mina jote dha pesë mina më shumë’.

19 Edhe këtij i tha: ‘Edhe ti do të sundosh mbi pesë qytete’.

20 Erdhi edhe tjetri dhe tha: ‘Zotëri, ja mina jote të cilën e kam ruajtur në një shami.

21 Sepse kisha frikë prej teje, ngaqë je njeri i rreptë; ti merr atë që nuk ke vënë dhe korr atë që nuk ke mbjellë.”

22 Ai i tha: “Me çka nxore prej goje do të të gjykoj, ty o shërbëtor i lig. E dije, apo jo, që unë jam njeri i rreptë, që marr atë që nuk kam vënë e korr atë që nuk kam mbjellë?

23 Përse pra, nuk e vure paranë time te këmbyesit e parave, që kur të vija, ta tërhiqja atë bashkë me kamatën?’

24 Dhe u tha atyre që po qëndronin aty pranë: ‘Merrjani këtij minën dhe jepjani atij që ka dhjetë mina’.

25 Ata i thanë: ‘Zot, ai ka dhjetë mina.’

26 Po ju them, gjithkujt që ka, do t’i jepet dhe atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.

27 Ndërsa këta armiqtë e mi, të cilët nuk donin që unë të mbretëroja mbi ta, sillini këtu dhe therini përpara meje.”

28 Dhe pasi tha këto, Jezusi vazhdoi rrugën, duke u ngjitur për në Jeruzalem.

29 Ndërsa i afrohej Betfagës dhe Betanisë, në malin e quajtur Mali i Ullinjve, Jezusi dërgoi dy prej dishepujve,

30 duke u thënë: “Shkoni në fshatin përballë dhe, sapo të hyni aty, do të gjeni një kërriç të lidhur, të cilit askush nuk i ka hipur; zgjidheni dhe silleni këtu.

31 E po t’ju pyesë ndokush: ‘Përse po e zgjidhni?’, do të thoni kështu: ‘Sepse i duhet Zotit’.”

32 Ata që u dërguan, shkuan dhe gjetën ashtu siç u kishte thënë Ai.

33 Ndërsa po e zgjidhnin, të zotët e kërriçit u thanë: ‘Përse po e zgjidhni kërriçin?’

34 Ata thanë: “I duhet Zotit.”

35 Ia sollën Jezusit dhe pasi hodhën mbi kërriç rrobat e veta, hipën Jezusin mbi të.

36 E ndërsa shkonte, ata shtronin rrobat e veta përgjatë rrugës.

37 Dhe tani, kur po i afrohej tatëpjetës së Malit të Ullinjve, e gjithë turma e dishepujve, e gëzuar dhe duke thirrur me zë të lartë, filloi të lëvdonte Perëndinë për të gjitha mrekullitë që ata kishin parë,

38 dhe thoshin: “I bekuar qoftë Mbreti që po vjen në emër të Zotit! Paqe në qiell dhe lavdi lart e më lart!”

39 Disa prej farizenjve nga turma i thanë: “Mjeshtër, qortoji dishepujt e tu.”

40 Ai u përgjigj dhe tha: “Po ju them, po të heshtin këta, do të bërtasin gurët.”

41 Ndërsa po afrohej, pa qytetin dhe qau për të,

42 duke thënë: “Sikur t’i kishe njohur edhe ti, në këtë ditë, ato që nevojiten për paqen! Por, tashmë, ato gjëra janë të fshehura për sytë e tu.

43 Sepse do të vijnë ditët për ty, kur armiqtë e tu do të të ngrenë llogore dhe do të të rrethojnë e do të të shtrëngojnë nga të katër anët.

44 Do të të rrëzojnë përdhe, bashkë me fëmijët e tu brenda teje, dhe nuk do të të lënë gur mbi gur, sepse ti nuk e more vesh kohën kur Perëndia erdhi tek ti.”

45 Ai hyri në tempull dhe filloi t’i dëbonte jashtë ata që shisnin,

46 duke u thënë: “Është e shkruar: ‘Shtëpia ime do të jetë shtëpi lutjesh’, por ju e keni bërë strofull kusarësh.”

47 Përditë Ai u jepte mësim njerëzve në tempull. Por kryepriftërinjtë dhe skribët, si edhe krerët e popullit, kërkonin ta zhduknin.

48 Por nuk po dinin si të bënin, sepse mbarë populli e dëgjonte me etje fjalën e Tij.

Kapitulli 20

1 Dhe ndodhi që një ditë, ndërsa Jezusi mësonte popullin në tempull e predikonte ungjillin, erdhën kryepriftërinjtë dhe skribët së bashku me pleqtë

2 dhe i thanë: “Na thuaj, me ç’autoritet i bën këto gjëra? Kush është Ai që ta ka dhënë këtë pushtet?”

3 Dhe Ai, duke u përgjigjur, u tha: “Edhe unë do t’ju bëj një pyetje, dhe m’u përgjigjni:

4 ‘Pagëzimi i Gjonit, ishte prej qielli apo prej njerëzve?”

5 Ata po vrisnin mendjen me njëri-tjetrin, duke thënë: “Po të themi: ‘Prej qielli’, do të thotë: ‘Përse nuk i besuat atij?’

6 Por po të themi: ‘Prej njerëzve’, i gjithë populli do të na qëllojë me gurë, sepse populli është i bindur se Gjoni ishte profet.”

7 Ata u përgjigjën që nuk e dinin se prej nga ishte.

8 Jezusi u tha: “As Unë nuk po jua them se me ç’autoritet i bëj këto gjëra.”

9 Pastaj filloi t’i thoshte popullit këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri mbolli një vresht, ua lëshoi me qira bujqve dhe mori udhë të largët për një kohë të gjatë.

10 Kur erdhi stina, dërgoi një shërbëtor te bujqit, që t’i jepnin të vjelat e vreshtit, por ata e rrahën dhe e nisën duarbosh.

11 Ai përsëri dërgoi një tjetër, por ata e rrahën edhe atë, e poshtëruan dhe e nisën duarbosh.

12 Ai prapë dërgoi një të tretë, por ata edhe këtë e plagosën dhe e përzunë.

13 Atëherë i zoti i vreshtit tha: ‘Çfarë të bëj? Do të dërgoj djalin tim, të cilin e dua, dhe, kur ta shohin këtë, ndoshta do ta respektojnë.’

14 Por kur bujqit e panë atë, menduan me vete, duke thënë: “Ky është trashëgimtari; ta vrasim, që trashëgimia të bëhet jona.”

15 Kështu, ata e përzunë prej vreshtit dhe e vranë. Çfarë pra, do t’u bëjë atyre i zoti i vreshtit?

16 Ai do të vijë, do t’i zhdukë ata bujq dhe do t’ua japë vreshtin të tjerëve.” Ata, pasi e dëgjuan, thanë: “Larg qoftë!”

17 Ai, duke i vështruar, tha: “Cili është atëherë kuptimi i asaj që është shkruar: ‘Guri që ndërtuesit flakën tej, pikërisht ai u bë këndi i themelit’?

18 Kushdo që do të bjerë mbi atë gur, do të copëtohet, por mbi këdo që të bjerë, do ta dërrmojë.”

19 Skribët dhe kryepriftërinjtë, në po atë orë, kërkuan të vënë dorë mbi Të, por kishin frikë nga populli, sepse e morën vesh që Ai këtë shëmbëlltyrë e kishte thënë për ata.

20 Filluan ta përgjonin dhe dërguan spiunë, që hiqeshin si njerëz të drejtë, që ta kapnin në fjalë e pastaj t’ua dorëzonin autoriteteve dhe pushtetit të guvernatorit.

21 Ata e pyetën, duke i thënë: “Mjeshtër, e dimë që flet dhe mëson drejt dhe as nuk i mban anën njeriu, por u mëson me vërtetësi njerëzve udhën e Perëndisë.

22 A është e drejtë që ne t’i japim tatim Cezarit, apo jo?”

23 Por Ai, duke e kuptuar djallëzinë e tyre, u tha,

24 “Ma tregoni denarin. E kujt është fytyra dhe mbishkrimi që ka?” Ata i thanë: “Janë të Cezarit.”

25 Dhe Ai ua ktheu: “Jepini pra, Cezarit ato që janë të Cezarit dhe Perëndisë ato që janë të Perëndisë.”

26 Ata nuk mundën ta kapnin në fjalë përpara popullit dhe, të mrekulluar nga përgjigjia e Tij, heshtën.

27 Pastaj Jezusit iu afruan disa saducenj, të cilët thoshin se nuk ka ngjallje, dhe e pyetën,

28 “Mjeshtër, Moisiu na ka shkruar se, po t’i vdesë dikujt vëllai, që është i martuar dhe nuk ka fëmijë, vëllai i tij do ta marrë gruan dhe do të rrisë pasardhës për vëllanë e vet.

29 Pra, ishin shtatë vëllezër; i pari mori gruan dhe vdiq pa fëmijë.

30 Edhe i dyti po ashtu.

31 Dhe atë e mori i treti; e kështu me radhë të shtatë; nuk lanë pas fëmijë dhe vdiqën.

32 Më në fund vdiq edhe gruaja.

33 Pra, në ngjallje, gruaja e cilit prej tyre do të jetë ajo? Sepse të shtatë e kishin për grua.”

34 Dhe Jezusi, u tha: “Bijtë e kësaj bote martohen dhe jepen për martesë.

35 Por ata që janë gjykuar të denjë për atë jetë, si dhe për ngjalljen prej të vdekurve, as nuk martohen dhe as nuk jepen për martesë.

36 Sepse nuk mund të vdesin më; meqë janë si engjëjt. Duke qenë bij të Perëndisë, ata janë bij të ngjalljes.

37 Por që të vdekurit ngjallen, këtë e ka treguar edhe Moisiu te driza, kur e thërret Zotin Perëndi i Abrahamit, Perëndi i Isakut dhe Perëndi i Jakobit.

38 Sepse Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë jetojnë për Të.”

39 Pastaj disa prej skribëve, duke u përgjigjur, thanë: “Mjeshtër, mirë fole.”

40 Ata nuk guxuan më ta pyesnin për ndonjë gjë.

41 Pastaj u tha: “Si ka mundësi të thonë që Krishti është bir i Davidit?

42 Sepse vetë Davidi në librin e Psalmeve thotë: ‘Zoti i tha Zotit tim: “Ulu nga e djathta Ime,

43 derisa t’i bëj armiqtë e Tu stol për këmbët e Tua.’”

44 Pra, Davidi e quan Atë Zot. Si mund të jetë Ai biri i tij?”

45 Ndërsa gjithë populli po dëgjonte, Ai u tha dishepujve [të Vet]:

46 “Ruhuni prej skribëve, që duan të shëtitin me petka të gjata, u pëlqejnë përshëndetjet nëpër sheshet e tregjeve, lakmojnë vendet e para në sinagoga dhe vendet e nderit nëpër gostira,

47 të cilët përpijnë shtëpitë e vejushave dhe, për t’u dukur, bëjnë lutje të gjata; këta do të marrin dënimin më të madh.”

Kapitulli 21

1 Duke ngritur sytë, Jezusi pa pasanikët që po hidhnin dhuratat e tyre në arkën e thesarit.

2 Pa edhe një vejushë të këputur që hodhi aty dy grosh.

3 Dhe tha: “Vërtet po ju them, që kjo vejushë e varfër ka hedhur më shumë se të gjithë.

4 Sepse të gjithë këta hodhën në arkën e dhuratave nga tepria e tyre, ndërsa ajo nga varfëria e saj hodhi gjithë ç’kishte për të jetuar.”

5 Disa po flisnin për tempullin, që ishte stolisur me gurë të bukur e me dhurata kushtuar Perëndisë. Por Ai tha,

6 “Sa për këto që po shihni, do të vijnë ditët kur nuk do të mbetet gur mbi gur pa u përmbysur.”

7 Ata e pyetën, duke thënë: “Mjeshtër, kur pra, do të ndodhin këto? Cila do të jetë shenja që këto gjëra do të ndodhin?”

8 Ai tha: “Shikoni se mos mashtroheni; sepse shumë do të vijnë në emrin Tim, duke thënë: ‘Unë jam Krishti’ dhe ‘Koha po afron’. Mos shkoni pas tyre.

9 Por kur të dëgjoni për luftëra e për trazira, mos u tmerroni; sepse këto duhet të ndodhin më parë, por fundi nuk do të vijë menjëherë.”

10 Pastaj u thoshte: “Do të ngrihet kombi kundër kombit dhe mbretëria kundër mbretërisë.

11 Do të bien tërmete të mëdha në vende të ndryshme, murtaja e zi buke; tmerre e shenja të mëdha do të vijnë nga qielli.

12 Por përpara të gjitha këtyre, do të vënë dorë mbi ju e do t’ju përndjekin, duke ju dorëzuar nëpër sinagoga e burgje, duke ju sjellë para mbretërve e guvernatorëve për shkak të emrit Tim.

13 Kjo do t’ju japë rast që t’u dëshmoni.

14 Nguleni në mend mirë dhe mos u shqetësoni se çfarë do të thoni për t’u mbrojtur,

15 sepse Unë do t’ju jap gojë e mençuri, para të cilave të gjithë kundërshtarët tuaj nuk do të mund të qëndrojnë ose t’ju kundërshtojnë.

16 Do të tradhtoheni edhe prej prindërve, vëllezërve, të afërmve dhe miqve; disa prej jush do t’i vrasin.

17 Do të urreheni prej të gjithëve për shkak të emrit Tim.

18 Por as një fije floku nuk do të bjerë prej kokës suaj.

19 Me durimin tuaj do të fitoni shpirtrat tuaj.

20 Dhe kur të shihni Jeruzalemin të rrethuar prej ushtrish, atëherë merreni vesh që shkretimi i tij është afër.

21 Pastaj, le të ikin ndër male ata që janë në Jude, le të dalin ata brenda qytetit, dhe ata që janë në fusha të mos hyjnë në qytet.

22 Sepse këto janë ditët e hakmarrjes, që të përmbushen të gjitha ato që janë shkruar.

23 Por mjerë ato që janë me fëmijë në bark dhe ato që kanë fëmijë në gji në ato ditë, sepse brengë të madhe do të ketë mbi këtë tokë dhe zemërim mbi këtë popull.

24 Do të bien nga tehu i shpatës dhe do të çohen robër nëpër të gjitha kombet; Jeruzalemi do të shkelet prej kombeve, derisa të përmbushet koha e kombeve.

25 Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje; mbi tokë kombet do të jenë në ankth e të shastisur nga uturima e detit dhe e dallgëve;

26 njerëzit do të meken nga frika dhe nga pritja e atyre që do të ndodhin mbi tokë, sepse fuqitë e qiejve do të shkunden.

27 E pastaj do të shohin Birin e Njeriut duke ardhur në një re, me fuqi dhe lavdi të madhe.

28 Kur të fillojnë të ndodhin këto, çohuni e ngrini kokat, sepse shpengimi juaj po afron.”

29 Dhe u tha një shëmbëlltyrë; “Shikoni fikun dhe të gjitha pemët.

30 Kur të shihni që po mugullojnë, merreni vesh që vera tashmë është afër.

31 Po ashtu edhe ju, kur të shihni që po ndodhin këto gjëra, merreni vesh që mbretëria e Perëndisë po afron.

32 Me të vërtetë po ju them, që ky brez nuk do të kalojë derisa gjithçka të përmbushet.

33 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e Mia nuk do të kalojnë.

34 Dhe ruajeni veten, që të mos rëndohen zemrat tuaja nga babëzia, dehja dhe shqetësimet e jetës dhe që ajo ditë të mos ju vijë papritur.

35 Sepse do të bjerë si një lak mbi të gjithë ata që banojnë mbi faqen e tërë dheut.

36 Pra, mbani sytë hapur e lutuni në çdo kohë, që të mund t’u shpëtoni të gjitha këtyre gjërave që kanë për të ndodhur dhe të qëndroni përballë Birit të Njeriut.”

37 Dhe gjatë ditës Ai i mësonte njerëzit në tempull; natën dilte dhe e kalonte jashtë, në malin e quajtur i Ullinjve.

38 I gjithë populli vinte herët në mëngjes në tempull për ta dëgjuar.

Kapitulli 22

1 Po afrohej festa e Bukës së Ndorme, që quhej Pashkë.

2 Kryepriftërinjtë dhe skribët po kërkonin mënyrën se si ta zhduknin Jezusin; sepse i druheshin popullit.

3 Pastaj Satani hyri te Juda i quajtur Iskariot, që ishte një nga të dymbëdhjetët.

4 Ai shkoi e bisedoi me kryepriftërinjtë dhe kryerojat, se si t’ua dorëzonte Jezusin atyre.

5 Ata u gëzuan dhe u morën vesh që t’i jepnin para.

6 Ai pranoi dhe kërkonte rastin për t’ua dorëzuar Jezusin, kur të ishte larg turmës.

7 Pastaj erdhi dita e Bukëve të Ndorme, në të cilën duhej flijuar qengji i Pashkëve.

8 Ai dërgoi Pjetrin dhe Gjonin, duke thënë: “Shkoni e na bëni gati Pashkët, që të hamë.”

9 Ata e pyetën: “Ku dëshiron ta përgatisim?”

10 Ai u tha: “Ja, kur të hyni në qytet, do t’ju takojë një njeri, që mban një shtambë uji; i shkoni pas deri te shtëpia ku do të hyjë.

11 Do t’i thoni të zotit të shtëpisë: ‘Mjeshtri të çon fjalë: “Ku është dhoma e miqve që të ha Pashkët bashkë me dishepujt e Mi?”’

12 Ai do t’ju tregojë një dhomë sipër, të madhe e të shtruar; atje përgatiteni.”

13 Ata shkuan dhe u doli siç u kishte thënë Ai; atje përgatitën Pashkët.

14 Kur erdhi ora, Ai u ul, e bashkë me Të edhe apostujt.

15 Jezusi u tha: “Kam dashur shumë të ha këtë Pashkë me ju, përpara se të fillojnë vuajtjet e Mia.

16 Sepse, po ju them, që nuk do ta ha më, derisa të përmbushet në mbretërinë e Perëndisë.”

17 Pasi mori një kupë dhe falënderoi, tha: “Merreni këtë dhe ndajeni midis jush,

18 sepse po ju them, [se] që sot e tutje nuk do të pi më prej frytit të hardhisë, derisa të vijë mbretëria e Perëndisë.”

19 Dhe pasi mori një bukë, falënderoi dhe e ndau. Pastaj ua dha atyre, duke thënë: “Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëjeni këtë për përkujtimin Tim.”

20 Po ashtu, pas darkës mori edhe kupën dhe tha: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që po derdhet për ju.

21 Por ja, dora e atij që më tradhton, është me Mua në tryezë.

22 Sepse, vërtet Biri i Njeriut, siç është përcaktuar, po shkon, por mjerë ai njeri, i cili po e tradhtohet Atë!”

23 Ata filluan të pyesin njëri-tjetrin, se cili prej tyre mund të ishte ai që do ta bënte këtë gjë.

24 E midis tyre pati edhe një debat, se cili prej tyre do të quhej më i madhi.

25 Ai u tha: “Mbretërit e kombeve i sundojnë dhe ata që kanë pushtet mbi ta, quhen bamirës.

26 Ndërsa ju nuk do të jeni kështu; por ai që është më i madhi midis jush, le të jetë si më i riu, dhe ai që udhëheq, si ai që shërben.

27 Sepse kush është më i madh, ai që është shtruar në tryezë, apo ai që shërben? A nuk është ai që është shtruar në tryezë? Kurse Unë jam mes jush si ai që shërben.

28 Por ju jeni ata që qëndruat me Mua në sprovat e Mia.

29 Dhe Unë po ju jap mbretërinë, siç ma ka dhënë Mua Ati Im,

30 që të hani e të pini në tryezën Time në mbretërinë Time dhe të uleni mbi frone, duke gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.

31 Simon, Simon, ja, Satani kërkon t’ju kalojë në shoshë si grurin.

32 Por Unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos venitet dhe ti, kur të kthehesh, jepu forcë vëllezërve të tu.”

33 Pjetri i tha: “Zot, jam gati të shkoj me ty, si në burg ashtu edhe në vdekje.”

34 Dhe Ai tha: “Pjetër, po të them, këndesi nuk ka për të kënduar sot, derisa ti të kesh mohuar tri herë që më njeh.”

35 Jezusi u tha: “Kur ju dërgova pa kuleta, pa torba e pa sandale, a ju mungoi gjë?” Ata thanë: “Asgjë.”

36 Pastaj u tha: “Por tani, ai që ka kuletë, ta marrë me vete, si edhe torbën; ai që nuk ka shpatë, të shesë rrobën e vet e ta blejë.

37 Sepse, po ju them, që kjo që është e shkruar, duhet të përmbushet tek Unë: ‘Dhe me shkelësit e ligjit u radhit’; sepse, vërtet, çdo gjëje që është shkruar për Mua, po i vjen koha të përmbushet.”

38 Ata thanë: “Zot, ja, këtu janë dy shpata.” Ai u tha: “Mjaft.”

39 Dhe doli e shkoi, siç e kishte zakon, në Malin e Ullinjve; edhe dishepujt i shkuan pas.

40 Kur arriti në vend, Jezusi u tha: “Lutuni që të mos bini në tundim.”

41 Dhe u largua prej tyre sa një e hedhur guri; pastaj ra në gjunjë e po lutej,

42 duke thënë: “O Atë, po të duash, largoje këtë kupë prej Meje; megjithatë jo vullneti Im, por Yti u bëftë.”

43 Atij iu shfaq një engjëll prej qiellit për t’i dhënë forcë.

44 Në ankth e sipër, Ai po lutej më me forcë; djersa iu bë si pika gjaku që binin përdhe.

45 Pasi u ngrit prej lutjes, vajti te dishepujt dhe i gjeti duke fjetur, të këputur nga hidhërimi.

46 Dhe u tha: “Përse po flini? Çohuni e lutuni, që të mos bini në tundim.”

47 Ndërsa ishte ende duke folur, ja ku u erdhi një turmë; u printe ai që quhej Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve; ai iu afrua Jezusit për ta puthur.

48 Por Jezusi i tha: “Judë, me një puthje po e tradhton Birin e Njeriut?”

49 Ata që ishin rreth Tij, kur panë se çfarë do të ndodhte, thanë: “Zot, a t’u biem me shpatë?”

50 Njëri prej tyre i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe i këputi veshin e djathtë.

51 Jezusi, duke u përgjigjur, tha: “Lëreni, mjaft me kaq.” I preku veshin dhe e shëroi.

52 Pastaj Jezusi u tha atyre që ishin të pranishëm, kryepriftërinjve, kryerojave të tempullit dhe pleqve: “Paskeni dalë me shpata e me shkopinj, si kundër një kusari?

53 Kur isha çdo ditë me ju në tempull, ju nuk vutë dorë mbi Mua; por kjo është ora juaj, ku sundon errësira.”

54 Pasi e kapën, e çuan dhe e futën brenda në shtëpinë e kryepriftit. Pjetri po e ndiqte nga larg.

55 Kishin ndezur një zjarr në mes të oborrit dhe ishin ulur së bashku; edhe Pjetri u ul në mes tyre.

56 Një shërbyese, kur e pa që u ul pranë dritës së zjarrit, ia nguli sytë dhe tha: “Edhe ky ishte me Të.”

57 Por ai mohoi, duke thënë: “Moj grua, unë nuk e njoh Atë.”

58 Dhe pas pak, një tjetër, me ta parë, tha: “Edhe ti je një prej tyre.” Pjetri tha: “Jo, o njeri, nuk jam.”

59 Pasi kishte kaluar rreth një orë, një tjetër nguli këmbë, duke thënë: “Me të vërtetë, edhe ky bashkë me Të ishte, sepse është galileas.”

60 Por Pjetri tha: “O njeri, nuk e di ç’po thua.” Dhe menjëherë, ndërsa ai po fliste, këndoi këndesi.

61 Zoti u kthye dhe shikoi Pjetrin. Pjetrit iu kujtua fjala e Zotit, se si i kishte thënë: ‘Përpara se të këndojë këndesi sot, ti do të më mohosh tri herë’.

62 Pjetri, doli jashtë e qau me hidhërim.

63 Dhe burrat që e kishin kapur Jezusin, po e përqeshnin dhe po e rrihnin.

64 Pasi i mbuluan sytë, e pyesnin, duke thënë: “Gjeje me profeci, kush është ai që të goditi?”

65 E shanin dhe thoshin shumë gjëra të tjera për Të.

66 Dhe kur u bë ditë, u mblodhën pleqësia e popullit, kryepriftërinjtë e skribët dhe e çuan Jezusin në këshillin e tyre të lartë,

67 dhe i thanë: “Nëse je Krishti, na thuaj.” Dhe Ai u tha: “Po t’jua them, nuk do të besoni.

68 Dhe po t’ju pyes, nuk do të përgjigjeni.

69 Që tani e tutje, Biri i Njeriut do të ulet në të djathtë të fuqisë së Perëndisë.”

70 Pastaj të gjithë thirrën: “Ti, pra, je Biri i Perëndisë, apo jo?” Ai u tha: “Ju po e thoni që Unë jam.”

71 Ata thanë: “Përse na u dashkan ende dëshmi? Sepse ne vetë e dëgjuam prej gojës së Tij.”

Kapitulli 23

1 Pastaj e gjithë turma e madhe u ngrit dhe e çuan te Pilati.

2 Dhe filluan ta akuzojnë, duke thënë: “E gjetëm këtë njeri duke çoroditur kombin tonë; nuk i lë njerëzit t’i japin tatimin Cezarit dhe thotë që Ai vetë është Krishti mbret.”

3 Pilati e pyeti, duke thënë: “A je Ti mbreti i judenjve?” Ai iu përgjigj e tha: “Ti po e thua.”

4 Pastaj Pilati u tha kryepriftërinjve dhe turmave: “Nuk gjej asnjë faj te ky njeri.”

5 Por ata ngulnin këmbë, duke thënë: “Ai po ndërsen popullin, duke i mësuar njerëzit në mbarë Judenë, nga Galileja deri këtu.”

6 Kur Pilati e dëgjoi këtë, pyeti nëse ai njeri ishte galileas.

7 Dhe me ta marrë vesh që Ai ishte nën pushtetin e Herodit, ia dërgoi Herodit, i cili në ato ditë edhe ai ishte në Jeruzalem.

8 Kur Herodi e pa Jezusin, u gëzua shumë, sepse prej kohësh donte ta shihte, meqë kishte dëgjuar për Të dhe shpresonte të shihte ndonjë mrekulli prej Tij.

9 Pastaj Herodi i bëri shumë pyetje, por Ai nuk iu përgjigj fare.

10 Aty ishin edhe kryepriftërinjtë e skribët që e akuzonin egërsisht.

11 Atëherë Herodi, bashkë me ushtarët e vet, pasi e poshtëruan dhe e tallën, i hodhën përsipër një rrobë të shndritshme dhe ia kthyen Pilatit.

12 Po atë ditë Pilati dhe Herodi u bënë miq me njëri-tjetrin, sepse më parë kishin qenë në armiqësi.

13 Dhe Pilati, pasi thirri kryepriftërinjtë, krerët dhe popullin,

14 u tha: “Ma keni sjellë këtë njeri si nxitës të popullit për rebelim; dhe ja, e hetova para jush dhe nuk gjeta ndonjë faj në këtë njeri për gjërat që e akuzoni.

15 As Herodi nuk gjeti gjë; sepse ai na e ktheu përsëri neve; e shihni, Ai nuk ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen.

16 Pra, pasi ta fshikulloj, do ta liroj.

17 (Sepse ai duhej t’u lironte njërin me rastin e festës.)

18 Por ata thirrën të gjithë së bashku, duke thënë: “Vrite këtë dhe na liro Barabanë.”

19 Ky kishte rënë në burg për një kryengritje që kishte ndodhur në qytet dhe për vrasje.

20 Por Pilati, duke dashur ta lironte Jezusin, iu drejtua përsëri atyre.

21 Por ata bërtisnin, duke thënë: “Kryqëzoje, kryqëzoje!”

22 Ai u tha për të tretën herë: “Përse, ç’të keqe ka bërë ky njeri? Nuk i gjeta asgjë që të meritojë vdekjen; prandaj, pasi ta fshikulloj, do ta liroj.”

23 Por ata ngulnin këmbë me zë të lartë, duke kërkuar që Ai të kryqëzohej. E zërat e tyre mbizotëronin.

24 Atëherë Pilati mori vendim që të bëhej ashtu siç kërkonin ata.

25 Liroi atë që kishte rënë në burg për kryengritje dhe vrasje, siç kishin kërkuar ata, ndërsa Jezusin e la në vullnetin e tyre.

26 Dhe ndërsa po e çonin, kapën njëfarë Simoni, nga Kirena, që po vinte prej arës, dhe i vunë përsipër kryqin që ta mbante pas Jezusit.

27 Pas Tij vinte një turmë e madhe populli e grash, që u binin kraharorëve dhe vajtonin për Të.

28 Por Jezusi, duke iu kthyer atyre, tha: “Bija të Jeruzalemit, mos qani për Mua, por qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj.

29 Sepse ja, po vijnë ditët kur do të thonë: ‘Të bekuara qofshin beronjat dhe barqet që nuk kanë lindur dhe gjinjtë që nuk kanë mëndur.’

30 Pastaj do të fillojnë t’u thonë maleve: ‘Bini mbi ne’ dhe kodrave: ‘Na mbuloni’.

31 Sepse, kur i bëjnë këto gjëra me drurin e njomë, ç’do të bëhet me të thatin?”

32 Sollën edhe dy të tjerë, që ishin keqbërës, për t’i vrarë bashkë me Të.

33 Kur erdhën në vendin që quhet Kafka, aty e kryqëzuan Atë, si edhe keqbërësit, njërin nga e djathta, e tjetrin nga e majta.

34 Jezusi thoshte: “O Atë, fali, sepse nuk dinë se ç’po bëjnë.” Pastaj i ndanë rrobat e Tij, duke i hedhur në short.

35 Populli kishte qëndruar e po vështronte. Edhe krerët e përqeshnin, duke thënë: “Ai ka shpëtuar të tjerët le të shpëtojë Veten, nëse është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë.”

36 Edhe ushtarët e tallën; iu afruan për t’i sjellë uthull,

37 dhe i thanë: “Nëse Ti je mbreti i judenjve, shpëtoje Veten.”

38 Mbi Të ishte vënë edhe një mbishkrim, KY ËSHTË MBRETI I JUDENJVE.

39 Njëri nga keqbërësit që ishin varur në kryq, e shante, duke thënë: “A nuk je ti Krishti? Shpëto Veten dhe ne.”

40 Por tjetri, duke u përgjigjur, e qortoi dhe tha : “Nuk ke frikë nga Perëndia, sepse ti ke të njëjtin dënim?

41 Ne me të drejtë, sepse po marrim çka meritojmë për ato që kemi bërë, kurse Ky nuk ka bërë asgjë të keqe.”

42 Pastaj ai tha: “Jezus, kujtohu për mua kur të shkosh në mbretërinë Tënde.”

43 Ai i tha: “Me të vërtetë po ta them, sot do të jesh me Mua në parajsë.”

44 Ishte afërsisht ora e gjashtë dhe një errësirë e madhe ra mbi tërë dhenë deri në orën e nëntë,

45 sepse dielli u venit dhe perdja e tempullit u ça në mes.

46 Atëherë Jezusi, duke thirrur me zë të lartë, tha: “O Atë, në duart e Tua po e lë frymën Time.” Pasi tha këtë, dha shpirt.

47 Kur kryeqindësi pa se ç’ndodhi, lëvdoi Perëndinë dhe tha: “Vërtet ky njeri ishte i drejtë.”

48 Dhe të gjitha turmat që ishin mbledhur aty, kur panë ato që ndodhën, filluan të kthehen duke rrahur kraharorin.

49 Por të gjithë ata që e njihnin, si edhe gratë që e kishin shoqëruar që nga Galileja, qëndruan larg, duke parë këto gjëra.

50 Dhe ja, atje ndodhej një burrë me emrin Jozef, anëtar i këshillit, i cili ishte njeri i mirë e i drejtë,

51 i cili nuk ishte pajtuar me këshillin dhe me veprimet e tyre. Ai ishte nga Arimateja, qytet i judenjve; ky priste mbretërinë e Perëndisë.

52 Ky shkoi te Pilati dhe i kërkoi trupin e Jezusit.

53 Pasi e zbriti nga kryqi, e mbështolli me një pëlhurë liri dhe e vuri në një varr të gërmuar në shkëmb, ku nuk ishte vënë njeri më parë.

54 Ishte dita e Përgatitjes dhe po agonte e shtuna.

55 Gratë që e kishin shoqëruar që nga Galileja, shkuan pas tij, panë varrin dhe se si u vendos trupi i Tij.

56 E me t’u kthyer, përgatitën erëza e vajra me erë të këndshme. Dhe të shtunën pushuan, siç e thotë urdhërimi.

Kapitulli 24

1 Ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, ato shkuan te varri, duke sjellë erëzat që kishin përgatitur.

2 Dhe e gjetën gurin të rrokullisur larg prej varrit.

3 Por kur hynë brenda, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus.

4 Dhe ndodhi që, ndërsa ato ishin të hutuara nga kjo gjë, ja, dy burra të veshur me nga një rrobë të shndritshme papritur qëndruan para tyre.

5 Ato, të frikësuara, ulën fytyrat përtokë, por ata u thanë: “Përse po e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?

6 Ai nuk është këtu, por u ngjall. Kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile,

7 kur tha: ‘Biri i Njeriut duhet të jepet në duart e njerëzve mëkatarë, të kryqëzohet dhe të tretën ditë të ngjallet përsëri’.”

8 Atyre iu kujtuan fjalët e Tij

9 dhe, pasi u kthyen nga varri, ua dëftuan të gjitha këto të njëmbëdhjetëve dhe gjithë të tjerëve.

10 Ato ishin Maria Magdalena, Joana, Maria nëna e Jakobit; bashkë me to ishin edhe gra të tjera, që ua thoshin këto gjëra apostujve.

11 Por këto fjalë iu dukën atyre si gjepura dhe nuk i besuan gratë.

12 Megjithatë Pjetri u ngrit e vrapoi për te varri, u përkul dhe, kur pa vetëm pëlhurat, u largua i habitur për çka kishte ndodhur.

13 Dhe ja, dy prej tyre, po atë ditë, shkuan në një fshat me emrin Emaus, që ishte gjashtëdhjetë stade larg prej Jeruzalemit,

14 dhe bisedonin me njëri-tjetrin për të gjitha ato që kishin ndodhur.

15 Dhe ndodhi që ndërsa ata po bisedonin e diskutonin njëri me tjetrin, vetë Jezusi u afrua dhe filloi të ecte bashkë me ta.

16 Por megjithëse e shihnin, nuk ishin në gjendje ta njihnin.

17 Ai u tha: “Ç’janë këto fjalë që po shkëmbeni me njëri-tjetrin gjatë rrugës?” Ata ndalën hapin, të trishtuar.

18 Njëri prej tyre, me emrin Kleopa, iu përgjigj e i tha: “Mos vallë je i vetmi i huaj që po viziton Jeruzalemin dhe që nuk i ke marrë vesh ato që kanë ndodhur këtu këto ditë?”

19 Ai u tha: “Çfarë?” Ata i thanë: “Ato për Jezusin nga Nazareti, që ishte një profet i fuqishëm në vepra e në fjalë, përpara Perëndisë dhe gjithë popullit.

20 Se si kryepriftërinjtë dhe krerët tanë e dorëzuan për t’u dënuar me vdekje dhe e kryqëzuan.

21 Ne shpresonim se Ai ishte njeriu që do ta çlironte Izraelin me anë të shpengimit; por, veç të gjitha këtyre, kjo është dita e tretë që kur ndodhën këto gjëra.

22 Për më tepër, na kanë çuditur disa gra në mes nesh, të cilat kishin shkuar herët te varri.

23 Kur nuk e gjetën trupin e Tij, erdhën e thanë, se kanë parë një vegim engjëjsh, të cilët thoshin se Ai është gjallë.

24 Dhe disa, që ishin me ne, u larguan për te varri dhe e gjetën ashtu siç kishin thënë gratë, por Atë nuk e panë.”

25 Atëherë Ai u tha: “O të marrë dhe mendjeplogët që besoni të gjitha ato që kanë folur profetët.

26 A nuk duhej që Krishti t’i vuante këto, dhe pastaj të hynte në lavdinë e Vet?”

27 Dhe duke filluar që nga Moisiu e të gjithë profetët, Ai u shpjegoi atyre ato që kishin lidhje me Të në të gjitha Shkrimet.

28 Ata iu afruan fshatit ku po shkonin; Ai bëri sikur po largohej më tutje.

29 Por ata ngulën këmbë, duke thënë: “Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita tashmë ka kaluar.” Ai hyri për të qëndruar me ta.

30 Dhe kur u shtrua për të ngrënë me ta, mori bukën, e bekoi dhe pasi e ndau, ua dha atyre.

31 Atëherë sytë e tyre u hapën dhe ata e njohën Jezusin; por Ai u zhduk prej syve të tyre.

32 Ata thanë me njëri-tjetrin: “A nuk na digjej zemra përbrenda, kur na fliste udhës, dhe kur na shtjellonte Shkrimet?”

33 Dhe u ngritën në po atë orë, u kthyen në Jeruzalem dhe i gjetën të njëmbëdhjetë, si edhe të tjerët që ishin me ta, të mbledhur së bashku,

34 që thoshin: “Vërtet, Zoti u ngjall dhe iu shfaq Simonit.”

35 Ata treguan ato që u kishin ndodhur gjatë rrugës dhe se si e kishin njohur kur Ai ndau bukën.

36 Ndërsa po flisnin për këto gjëra, Jezusi u duk në mes tyre dhe u tha: “Paqja qoftë me ju.”

37 Por ata u tmerruan e u frikësuan dhe mendonin se kishin parë një frymë.

38 Ai u tha: “Përse jeni të shqetësuar? Përse lindin dyshime në zemrat tuaja?

39 Shikoni duart dhe këmbët e Mia, jam Unë vetë; më prekni dhe shikoni; sepse fryma nuk ka mish e kocka, por, sikurse e shihni, Unë i kam.”

40 Dhe si tha këtë, u tregoi duart e këmbët.

41 Ndërsa ata ende nuk po besonin nga gëzimi dhe po mrekulloheshin, Ai u tha: “A keni ndojë gjë për të ngrënë këtu?”

42 I dhanë një copë peshk të pjekur.

43 Ai e mori dhe e hëngri para tyre.

44 Pastaj u tha: “Këto janë fjalët e Mia që ju thosha kur isha ende me ju: Të gjitha ato që janë shkruar për Mua në Ligjin e Moisiut, te profetët dhe te psalmet, duhet të përmbushen.”

45 Pastaj ua kthjelloi mendjen që të kuptonin Shkrimet.

46 Dhe u tha: “Kështu është shkruar që Krishti të vuajë dhe të tretën ditë të ngjallet përsëri prej të vdekurve,

47 dhe që në emër të Tij të predikohet pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjitha kombet, duke filluar nga Jeruzalemi.

48 Ju jeni dëshmitarë të këtyre gjërave.

49 Dhe ja, Unë po ju dërgoj premtimin e Atit Tim, por ju qëndroni në qytet derisa të visheni me fuqi nga lart.”

50 Pastaj u priu jashtë deri në Betani dhe, si ngriti duart lart, i bekoi.

51 Dhe ndodhi që, ndërsa po i bekonte, Ai u shkëput prej tyre dhe u ngrit lart në qiell.

52 Ata, pasi e adhuruan, u kthyen në Jeruzalem me një gëzim të madh.

53 Dhe rrinin vazhdimisht në tempull duke bekuar Perëndinë.