Kapitulli: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16
1 Fillimi i ungjillit të Jezus Krishtit, Birit të Perëndisë.
2 Siç është shkruar te profeti Isaia: “Ja, po dërgoj lajmëtarin Tim para Teje, që do të përgatisë udhën Tënde.”
3 Zëri i atij që thërret në shkretëtirë: “Përgatisni udhën e Zotit, të drejta bëjini shtigjet e Tij.”
4 Gjon Pagëzori erdhi në shkretëtirë duke predikuar pagëzimin e pendesës për faljen e mëkateve.
5 Gjithë treva e Judesë dhe jeruzalemasit dolën dhe shkuan tek ai; të gjithë, duke rrëfyer mëkatet e veta, pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan.
6 Gjoni ishte veshur me lesh deveje dhe kishte një rrip lëkure rreth mesit; hante karkaleca dhe mjaltë bletësh të egra.
7 Predikonte duke thënë: “Një më i fuqishëm se unë po vjen pas meje, të cilit unë nuk jam i denjë të ulem e t’i zgjidh gjalmat e sandaleve.
8 Unë ju kam pagëzuar me ujë, por Ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë.”
9 Dhe ndodhi që në ato ditë erdhi Jezusi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua prej Gjonit në lumin Jordan.
10 Dhe menjëherë, me të dalë nga uji, Ai pa qiejt të hapen dhe Frymën duke zbritur mbi Të si një pëllumb.
11 Një zë erdhi nga qiejt: “Ti je Biri Im i dashur, te Ti kam gjetur kënaqësi.”
12 Menjëherë Fryma e nxori në shkretëtirë.
13 Ai qëndroi në shkretëtirë dyzet ditë, duke u tunduar nga Satani. Atje Ai ishte bashkë me bishat e egra, dhe engjëjt i shërbenin.
14 Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi erdhi në Galile dhe predikonte lajmin e mirë të Perëndisë.
15 “Koha u plotësua”, thoshte Ai. “Mbretëria e Perëndisë po afron. Pendohuni dhe besoni në lajmin e mirë”.
16 Duke kaluar pranë detit të Galilesë, Ai pa Simonin dhe Andrenë, vëllanë e Simonit, që po hidhnin rrjetën në det, sepse ata ishin peshkatarë.
17 Jezusi u tha: “Ejani pas Meje, e do t’ju bëj peshkatarë njerëzish”.
18 Ata lanë menjëherë rrjetat dhe i shkuan pas.
19 Duke shkuar pak më tutje, Ai pa Jakobin, të birin e Zebedeut, dhe Gjonin, vëllanë e tij, të cilët po ndreqnin rrjetat në lundër.
20 I thirri menjëherë dhe ata lanë në lundër atin e tyre Zebedeun me mëditësit dhe i shkuan pas.
21 Hynë në Kapernaum; pa u vonuar, të shtunën Ai hyri në sinagogë e filloi të mësonte njerëzit.
22 Ata mrekulloheshin me mësimin e Tij, sepse i mësonte ata si ai që ka autoritet dhe jo si skribët.
23 Po në atë kohë, në sinagogën e tyre ishte një njeri me frymë të papastër, i cili bërtiti,
24 dhe tha: “Ç’punë ke Ti me ne, o Jezus i Nazaretit? Ke ardhur të na shkatërrosh? Të njoh se kush je, i Shenjti i Perëndisë.”
25 Jezusi e qortoi, duke thënë: “Hesht e dil prej tij!”
26 Fryma e papastër, pasi e shkundi fort, lëshoi një britmë të madhe dhe doli prej tij.
27 Të gjithë u mahnitën aq shumë, sa filluan të pyesnin njëri-tjetrin, duke thënë: “Ç’të jetë kjo vallë? Një lloj i ri mësimi me autoritet! Ai u jep urdhër edhe frymëve të papastra e ato i binden.”
28 Lajmi për Të u përhap menjëherë kudo në mbarë krahinën e Galilesë.
29 Sapo dolën nga sinagoga, hynë bashkë me Jakobin dhe Gjonin në shtëpinë e Simonit e të Andreas.
30 E vjehrra e Simonit dergjej me ethe, dhe ata i folën Jezusit menjëherë për të.
31 Ai iu afrua dhe e ngriti duke e marrë për dore; ethet e lanë dhe ajo filloi t’u shërbente.
32 Në të ngrysur, kur perëndoi dielli, i sollën Jezusit të gjithë ata që ishin të sëmurë, si edhe ata që ishin të pushtuar nga demonët.
33 I tërë qyteti ishte mbledhur te dera.
34 Ai shëroi shumë veta që vuanin nga sëmundje të ndryshme, dëboi shumë demonë dhe nuk i linte të flisnin, sepse ata e dinin kush ishte Ai.
35 Herët në mëngjes, pa dalë drita e diellit, Jezusi u ngrit, doli nga shtëpia dhe u largua në një vend të shkretë, ku po lutej.
36 Simoni, si dhe ata që ishin me të, shkuan ta kërkojnë.
37 Kur e gjetën, i thanë: “Të gjithë po të kërkojnë”.
38 Ai u tha: “Shkojmë gjetkë në fshatrat fqinje, që të predikoj edhe atje, sepse për këtë kam dalë”.
39 Përshkoi gjithë Galilenë, duke predikuar në sinagogat e tyre dhe duke dëbuar demonët.
40 Tek Ai shkoi një i gërbulur, që iu lut [duke i rënë në gjunjë] dhe i tha: “Po të duash, Ti mund të më pastrosh.”
41 Duke ndier dhembshuri, Ai zgjati dorën, e preku dhe i tha: “Po, dua, qofsh i pastruar!”
42 Dhe menjëherë gërbula iu largua, dhe ai u pastrua.
43 Si e paralajmëroi rreptas, e nxori menjëherë jashtë,
44 duke i thënë: “Shiko, mos i thuaj gjë askujt; por shko e tregoja priftit dhe, si dëshmi për ata, sill për pastrimin tënd ato që ka porositur Moisiu.”
45 Por ai, me të dalë, filloi të fliste gjithandej, duke e përhapur kaq shumë lajmin, saqë Jezusi nuk mund të hynte më hapur në qytet, por rrinte jashtë në vende të shkreta; megjithatë tek Ai vinin njerëz nga të katër anët.
1 Pas disa ditësh, kur hyri përsëri në Kapernaum, u dëgjuan fjalë që Ai ishte në shtëpi.
2 Kaq shumë u mblodhën, saqë nuk kishte më vend, madje as para derës; Ai u predikonte fjalën.
3 Disa erdhën, duke i sjellë një të paralizuar, që e mbanin katër veta.
4 Por pasi nuk mundeshin t’ia sillnin për shkak të turmës, zbuluan pullazin në vendin ku ishte Ai, dhe si hapën një të çarë, e ulën poshtë hasrën ku dergjej i paralizuari.
5 Jezusi, duke parë besimin e tyre, i tha të paralizuarit: “Bir, mëkatet e tua të janë falur.”
6 Por aty ishin ulur edhe disa nga skribët, që mendonin në zemrat e tyre,
7 “Përse flet kështu ky? Ai po thotë blasfemi; kush, veç Perëndisë së vetëm, mund të falë mëkate?”
8 Jezusi, me ta marrë vesh prej frymës së Tij se ç’po mendonin ata në mes tyre, u tha: “Përse i mendoni këto gjëra në zemrat tuaja?
9 Cila është më e lehtë, t’i thuash të paralizuarit: ‘Mëkatet e tua të janë falur’, apo t’i thuash: ‘Ngrihu, merr hasrën tënde dhe ec’?
10 Por, që ta dini se Biri i Njeriut ka pushtet mbi tokë për të falur mëkate” i tha të paralizuarit,
11 “Po të them: Ngrihu, merr hasrën tënde dhe shko në shtëpi.”
12 Ai u ngrit, mori menjëherë hasrën e doli jashtë para të gjithëve, saqë të gjithë u mrekulluan dhe lëvduan Perëndinë, duke thënë: “Kështu nuk kemi parë kurrë ndonjëherë”.
13 Jezusi shkoi përsëri buzë detit. Të gjithë njerëzit shkonin tek Ai, dhe Ai i mësonte.
14 Duke kaluar, pa Levin, të birin e Alfeut, ulur në banakun e tagrambledhësit dhe i tha: “Më ndiq!” Ai u ngrit dhe i vajti pas.
15 Dhe ndodhi që kur ishte shtruar për të ngrënë në shtëpinë e Levit, shumë tagrambledhës dhe mëkatarë ishin ulur në tryezë me Jezusin dhe dishepujt e Tij, sepse ata që i shkonin pas, ishin shumë.
16 Kur skribët dhe farizenjtë e panë Atë duke ngrënë bashkë me tagrambledhësit dhe mëkatarët, filluan t’u thonë dishepujve të Tij: “Ç’është kjo? Ai po ha bashkë me tagrambledhësit dhe mëkatarët.”
17 Jezusi, kur e dëgjoi këtë, u tha: “Nuk kanë nevojë për mjek ata që janë të shëndoshë, por ata që janë të sëmurë. Nuk kam ardhur të thërras për pendim të drejtët, por mëkatarët”.
18 Dishepujt e Gjonit dhe farizenjtë ishin duke agjëruar; erdhën e i thanë Atij: “Përse po agjërojnë dishepujt e Gjonit dhe ata të farizenjve, ndërsa dishepujt e Tu nuk agjërojnë?”
19 Jezusi u tha: “A mund të agjërojnë dasmorët sa kohë që dhëndri është me ta? Ata nuk mund të agjërojnë sa kohë e kanë dhëndrin me vete.
20 Por do të vijnë ditët kur dhëndri do t’u merret atyre dhe atëherë ata do të agjërojnë në atë ditë.
21 Askush nuk qep arnë prej pëlhure të re në një rrobë të vjetër; përndryshe arna e re e tërheq rrobën e vjetër dhe e grisura çahet më keq.
22 Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër; përndryshe vera do t’i çajë kacekët, dhe vera bashkë me kacekët do të shkojnë dëm; vera e re hidhet në kacekë të rinj.”
23 Dhe ndodhi që një ditë të shtunë Ai po kalonte përmes të mbjellave dhe dishepujt e Tij, duke ecur, filluan të këpusnin kallëza gruri.
24 Farizenjtë i thoshin Atij: “Shiko, përse bëjnë ata të shtunën atë që nuk është e ligjshme?”
25 Ai u tha: “Asnjëherë nuk e paskeni lexuar çfarë bëri Davidi, kur ai dhe ata që ishin me të kishin nevojë dhe ishin të uritur;
26 se si hyri në shtëpinë e Perëndisë në ditët e Abiatarit, kryepriftit, dhe hëngri bukët e përkushtimit, të cilat nuk ka të drejtë t’i hajë njeri tjetër veç priftërinjve dhe ua dha edhe atyre që ishin me të?”
27 Dhe u tha: “E shtuna është bërë për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën.
28 Prandaj Biri i Njeriut është Zot edhe i të shtunës”.
1 Një herë tjetër Ai hyri në sinagogë, ku ishte një njeri që i qe tharë dora.
2 Ata po e vështronin nëse Ai do ta shëronte atë në ditë të shtunë, që ta padisnin.
3 Jezusi i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: “Ngrihu e qëndro në mes!”
4 Pastaj u tha atyre: “Çfarë pranon ligji të shtunave: të bësh mirë apo të bësh keq? Të shpëtosh jetë apo të vrasësh?” Por ata nuk bënë zë.
5 I vështroi përreth me zemërim, dhe duke ndier një trishtim të madh për zemrën e tyre të ngurtë, i tha atij njeriu: “Shtrije dorën!” Ai e shtriu, e dora iu ripërtëri plotësisht.
6 Farizenjtë dolën dhe menjëherë, bashkë me herodianët thurën planin kundër Tij, si ta vrisnin.
7 Por Jezusi, së bashku me dishepujt e Vet, u largua buzë detit. Një turmë e madhe nga Galileja i vajti pas; kishte edhe nga Judeja,
8 nga Jeruzalemi, nga Idumeja, si edhe përtej Jordanit e në rrethinat e Tirit dhe të Sidonit; një turmë e madhe njerëzish, kur dëgjuan të gjitha ato që bënte, erdhën tek Ai.
9 Ai u tha dishepujve të Vet që, për shkak të turmës, të bënin gati një lundër për Të, se mos e shtypnin,
10 sepse Ai kishte shëruar shumë njerëz, kështu që të gjithë sa ishin me sëmundje, shtyheshin përpara mbi Të për ta prekur.
11 Kur frymët e papastra e shihnin, i binin ndër këmbë e bërtisnin duke thënë: “Ti je Biri i Perëndisë.”
12 Ai i qortonte ashpër që të mos e zbulonin kush ishte.
13 Pastaj u ngjit lart në mal dhe thirri ata që deshi; ata i erdhën.
14 Ai caktoi dymbëdhjetë, [të cilët i emërtoi apostuj,] që të rrinin me Të dhe që t’i dërgonte për të predikuar
15 dhe të kishin fuqi për të dëbuar demonët.
16 [Ai i emëroi të dymbëdhjetë,] Simonin, të cilit i vuri emrin Pjetër,
17 Jakobin, të birin e Zebedeut, dhe Gjonin, vëllanë e Jakobit, të cilëve u vuri emrin Boanerges, që do të thotë Bij të Bubullimës;
18 Andrenë, Filipin, Bartolomeun, Mateun, Thomanë, Jakobin të birin e Alfeut, Tadeun dhe Simonin të Zellshmin,
19 Judë Iskariotin, i cili e tradhtoi.
20 Pastaj Jezusi hyri në një shtëpi dhe turma u mblodh përsëri, aq sa ata nuk po mund të hanin as bukë.
21 Kur njerëzit e Tij e dëgjuan këtë, dolën për ta zënë, sepse thoshin që nuk është në vete.
22 Skribët që zbritën nga Jeruzalemi, thoshin: “Ai ka Beelzebulin dhe i dëbon demonët me anë të të parit të demonëve.”
23 Ai i thirri dhe u fliste me shëmbëlltyra: “Si ka mundësi që Satani të dëbojë Satanin?
24 Një mbretëri po të përçahet brenda vetes, nuk mund të qëndrojë.
25 Nëse një shtëpi përçahet brenda vetes, ajo shtëpi nuk mund të qëndrojë.
26 Edhe Satani, po të ngrihet kundër vetes dhe të përçahet, ai nuk mund të qëndrojë, por i vjen fundi.
27 Askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e një njeriu të fortë dhe t’i grabisë mallin, pa e lidhur atë më parë dhe pastaj do t’i plaçkisë shtëpinë.
28 Me të vërtetë po ju them që të gjitha do t’u falen bijve të njerëzve, mëkatet dhe blasfemitë, çfarëdo blasfemie që të thonë.
29 Por kushdo që blasfemon kundër Frymës së Shenjtë, nuk do të ketë kurrë falje, por do të jetë fajtor për mëkat të pasosur.”
30 E tha këtë sepse ata thoshin: “Ka frymë të papastër.”
31 Pastaj erdhën e ëma dhe vëllezërit e tij. Ata qëndruan jashtë dhe dërguan një njeri që ta thërriste.
32 Turma, që ishte ulur rreth Tij, i tha: “Ja, nëna dhe vëllezërit e Tu [dhe motrat e Tua] po të kërkojnë jashtë.”
33 Ai iu përgjigj dhe tha: “Kush është nëna Ime dhe vëllezërit e Mi?”
34 Dhe duke vështruar përreth ata që ishin ulur përqark Tij, tha: “Ja, nëna Ime dhe vëllezërit e Mi!
35 Sepse kushdo që bën vullnetin e Perëndisë, ai është vëllai, motra dhe nëna Ime.”
1 Filloi përsëri t’i mësonte njerëzit buzë detit; turma që u mblodh pranë Tij ishte kaq e madhe, saqë Atij iu desh të hipte e të rrinte ulur në lundër në det, ndërsa e gjithë turma qëndronte në tokë buzë detit.
2 Ai u mësonte shumë gjëra me shëmbëlltyra dhe në mësimin e Tij u thoshte:
3 “Dëgjoni! Ja, një bujk doli për të mbjellë.
4 Dhe kur hidhte farën, një pjesë ra anash rrugës dhe shkuan zogjtë dhe e përlanë.
5 Një pjesë tjetër ra në gurishtë, ku nuk kishte shumë dhe; ato mbinë menjëherë, sepse dheu nuk ishte shumë i thellë.
6 Por me të dalë dielli, u përcëlluan dhe, meqë nuk kishin rrënjë, u fishkën.
7 Disa të tjera ranë nëpër driza dhe drizat u rritën e u zunë frymën dhe ato nuk dhanë fryt.
8 Pjesa tjetër ra në tokë të mirë dhe dha fryte që mbinë, u rritën dhe u shumuan, njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë e një tjetër njëqindfish.”
9 Pastaj tha: “Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.”
10 Kur ishte vetëm, të dymbëdhjetë dishepujt bashkë me ata që ishin rreth Tij e pyesnin për shëmbëlltyrat.
11 Ai u thoshte: “Juve ju është dhënë e fshehta e mbetërisë së Perëndisë. Por për ata që janë jashtë, çdo gjë thuhet me shëmbëlltyra,
12 që me sytë hapur të shohin, por të mos shikojnë, që vërtet të dëgjojnë, por të mos kuptojnë; përndryshe mund të ktheheshin dhe t’u faleshin mëkatet.”
13 Dhe u tha: “Nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? E si do t’i merrni vesh gjithë shëmbëlltyrat?
14 Farëhedhësi është ai që mbjell fjalën.
15 Farat anash rrugës janë ata, tek të cilët është mbjellë fjala; kur e dëgjojnë, Satani vjen menjëherë dhe e merr fjalën që ishte mbjellë në ta.
16 Farat e mbjella në gurishtë janë ata, të cilët me të dëgjuar fjalën, e pranojnë atë menjëherë me gëzim.
17 Por këta nuk kanë rrënjë në vetvete, madje janë të përkohshëm. Pastaj, kur vjen mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, menjëherë shkandullohen.
18 Farat e tjera janë ato që u mbollën nëpër driza; këto janë ata që e dëgjojnë fjalën;
19 por shqetësimet e jetës, mashtrimi i pasurisë, lakmitë për gjëra të tjera hyjnë dhe e mbysin fjalën dhe ajo nuk jep më fryt.
20 Të tjerët, si farat e mbjella në tokën e mirë, e dëgjojnë fjalën, e pranojnë atë dhe japin fryt, njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë e një tjetër njëqindfish.”
21 Ai u thoshte: “Mos vallë e sjellin kandilin për ta vënë nën karroqe ose nën hasër? A nuk duhet vënë në shandan?
22 Sepse nuk ka asgjë të fshehtë, që të mos zbulohet; as që të mbahet e fshehur, e të mos dalë në dritë.
23 Në pastë kush veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.”
24 Dhe u thoshte: “Kini kujdes për ato që dëgjoni; me atë masë që matni, me atë do t’ju matin; madje juve do t’ju jepet më tepër.
25 Sepse atij që ka, do t’i jepet, dhe atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.”
26 Dhe thoshte: “Kështu është mbretëria e Perëndisë. I ngjan njeriut që hedh farën në tokë.
27 Fle me natë e ngrihet me ditë dhe fara çel e rritet, megjithëse ai nuk e merr vesh sesi.
28 Vetë toka nga ana e saj jep fryt; më parë kërcellin, pastaj kallirin dhe pastaj plot grurë në kalli.
29 Por kur bëhet fryti, ai menjëherë vë draprin, sepse të korrat kanë ardhur.”
30 Dhe thoshte: “Si mund ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë? Me çfarë shëmbëlltyre mund ta përshkruajmë?
31 Është si kokrra e sinapit që, kur mbillet në tokë, është më e vogla se të gjitha farat që janë në tokë.
32 Por pasi mbillet, rritet dhe bëhet më e madhe se të gjitha barërat dhe lëshon degë të mëdha, aq sa shpendët e qiellit ngrenë fole nën hijen e saj.”
33 Me shumë shëmbëlltyra si këto ua shpallte Jezusi fjalën, ashtu si mund ta kuptonin.
34 Por nuk u fliste pa shëmbëlltyra dhe çdo gjë ua shpjegonte veçmas dishepujve të Vet.
35 Po atë ditë, kur po ngrysej, u tha: “Të kalojmë në anën tjetër”.
36 Dishepujt, pasi lanë turmën, e morën Jezusin me vete, ashtu siç ishte, në lundër. Atje, me Të, kishte edhe lundra të tjera.
37 U ngrit një stuhi e madhe ere dhe dallgët përplaseshin brenda në lundër, aq sa lundra tashmë ishte mbushur plot.
38 Jezusi ishte te kiçi i lundrës, duke fjetur mbi jastëk; ata e zgjuan dhe i thanë: “Mjeshtër, nuk do t’ia dish që ne po mbytemi?”
39 U ngrit, qortoi erën dhe i tha detit: “Qetësohu, pusho!” Era u ndal, e ra një bunacë e madhe.
40 Pastaj u tha: “Përse jeni kaq frikacakë? Ende nuk paskeni besim?”
41 Ata u tmerruan nga frika dhe thoshin me njëri-tjetrin: “Kush të jetë ky vallë, që edhe era dhe deti i binden?”
1 Ata kaluan në bregun tjetër të detit, në vendin e gerasenëve.
2 Sapo zbriti nga lundra, i doli përpara nga varret një njeri me frymë të papastër,
3 i cili rrinte ndër varre; askush nuk ishte më në gjendje ta lidhte, as me vargonj.
4 Sepse shumë herë e kishin lidhur me pranga e vargonj, por ai i kishte këputur vargonjtë dhe i kishte thyer prangat; askush nuk kishte mundur ta zbuste.
5 Gjithmonë, natë e ditë, rrinte ndër varre e në male, duke bërtitur e duke sfilitur veten me gurë.
6 Me të parë Jezusin nga larg, vrapoi dhe i ra në gjunjë.
7 Pastaj bërtiti me zë të lartë dhe tha: “Ç’punë kam unë me Ty, Jezus, Biri i Perëndisë më të lartë? Në emër të Perëndisë të përbetohem, mos më mundo.”
8 Sepse Ai i thoshte: “Dil nga ky njeri, o frymë e papastër!”
9 Jezusi e pyeti: “Si të quajnë?” Ai i tha: “Legjion është emri im; sepse ne jemi shumë.”
10 Dhe i përgjërohej të mos i dëbonte ata jashtë asaj krahine.
11 Aty pranë malit po kulloste një kope e madhe derrash.
12 Demonët e lutën, duke i thënë: “Na dërgo te derrat, që të hyjmë tek ata.”
13 Ai i lejoi dhe frymët e papastra dolën e hynë te derrat; kopeja u turr poshtë shkrepit të thepisur në det; ishin rreth dy mijë dhe u mbytën në det.
14 Ata që po i kullosnin, ua mbathën këmbëve dhe njoftuan njerëzit në qytet e nëpër ara. Njerëzit dolën për të parë ç’ishte ajo që kishte ndodhur.
15 Erdhën te Jezusi dhe e panë atë që e kishte pushtuar legjioni i demonëve, të ulur, të veshur e me mendjen në vend, dhe u frikësuan.
16 Ata që e kishin parë këtë gjë, u treguan njerëzve çka i kishte ndodhur atij që kishte qenë i pushtuar nga demonët, si edhe për derrat.
17 Ata filluan t’i luteshin Jezusit të largohej nga krahina e tyre.
18 Kur Jezusi po hipte në lundër, ai që kishte qenë i pushtuar nga demonët, e luti Jezusin që të qëndronte me Të.
19 Ai nuk e lejoi, por i tha: “Shko në shtëpi te njerëzit e tu dhe tregoju atyre sa shumë ka bërë për ty Zoti yt e si pati mëshirë për ty.”
20 Ky u largua dhe filloi të fliste hapur në Dekapol për të gjitha ato që kishte bërë Jezusi për të; të gjithë mbetën të mrekulluar.
21 Jezusi kaloi përsëri me lundër në bregun tjetër dhe një turmë e madhe u mblodh rreth Tij, kur ishte buzë detit.
22 Dhe ja, erdhi një nga krerët e sinagogës, me emrin Jair, i cili me ta parë, i ra në gjunjë
23 dhe i lutej pa pushim, duke thënë: “Ime bijë është duke dhënë shpirt; eja e vër duart mbi të, që të shërohet e të jetojë.”
24 Ai shkoi me të. Një turmë e madhe i shkonte pas, dhe gati po e shtypnin.
25 Një grua kishte rrjedhje gjaku prej dymbëdhjetë vjetësh;
26 kishte vuajtur shumë prej mjaft mjekëve, duke shpenzuar gjithë ç’kishte dhe pa kurrfarë përmirësimi, përkundrazi ishte bërë më keq.
27 Me të dëgjuar për Jezusin, erdhi midis turmës nga prapa dhe i preku rrobën.
28 Sepse ajo thoshte me vete: “Sikur edhe rrobat t’i prek, do të shërohem.”
29 Menjëherë rrjedhja e gjakut pushoi, dhe e ndjeu në trup që u shërua prej sëmundjes që kishte.”
30 Jezusi, me ta kuptuar në vetvete që fuqia doli prej Tij, u kthye nga turma e tha: “Kush m’i preku rrobat?”
31 Dishepujt i thoshin: “Ti e sheh turmën që po të shtyp dhe thua: ‘Kush më preku?’”
32 Ai vështronte përreth për të parë kush e kishte bërë këtë.
33 Gruaja, duke e ditur ç’i kishte ndodhur, po dridhej nga frika; erdhi dhe i ra përpara këmbëve duke ia thënë të gjithë të vërtetën.
34 Ai i tha: “Bija Ime, besimi yt të ka shpëtuar. Shko në paqe dhe qofsh e shëruar prej sëmundjes sate.”
35 Ndërsa Ai ishte ende duke folur, erdhën disa njerëz nga shtëpia e të parit të sinagogës dhe i thanë: “Jot bijë vdiq. Përse e mërzit më shumë Mjeshtrin?”
36 Jezusi nuk ia vuri veshin këtyre fjalëve, por iu drejtua të parit të sinagogës: “Mos ki frikë, vetëm beso.”
37 Nuk lejoi ta shoqëronte njeri tjetër veç Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit, vëllait të Jakobit.
38 Kur arritën te shtëpia e të parit të sinagogës, Ai vuri re rrëmujën si edhe ata që qanin e vajtonin me të madhe.
39 Kur hyri brenda, u tha: “Përse po bëni gjithë këtë rrëmujë e po qani? Fëmija nuk ka vdekur, por po fle.”
40 Ata filluan ta përqeshnin. Pasi i nxori të gjithë jashtë, mori me vete atin dhe nënën e fëmijës, si edhe ata që ishin me Të, dhe hyri atje ku ishte fëmija.
41 E zuri fëmijën për dore dhe i tha: “Talitha kumi!”, që e përkthyer do të thotë: ‘Vajzë, ty po të them, çohu!’
42 Vajza u ngrit menjëherë dhe filloi të ecte, meqë ishte dymbëdhjetë vjeçe. Ata u shtangën të mrekulluar pa masë.
43 Ai i porositi rreptas që askush të mos e merrte vesh këtë dhe u tha t’i jepnin vajzës për të ngrënë.
1 Jezusi u largua prej andej dhe shkoi në vendin e Vet, i shoqëruar nga dishepujt e Vet.
2 Kur erdhi e shtuna, filloi të jepte mësim në sinagogë dhe shumë që e dëgjonin, mrekulloheshin dhe thoshin: “Nga i vijnë Këtij këto gjëra? Ç’mençuri është kjo që i është dhënë Këtij, që edhe mrekulli të tilla po bëhen prej duarve të Tij?
3 A nuk është Ky zdrukthëtari, i biri i Marisë dhe vëllai i Jakobit, i Jozefit, i Judës dhe i Simonit? A nuk janë motrat e Tij këtu me ne?” Ata po shkandulloheshin prej Tij.
4 Jezusi u thoshte: “Nuk ka profet pa nder, veçse në atdheun e tij, midis të afërmëve të tij dhe në shtëpinë e tij.”
5 Nuk mundi të bënte atje ndonjë mrekulli, veç rasteve kur vuri duart mbi disa të sëmurë dhe i shëroi.
6 Çuditej me mosbesimin e tyre. U binte rreth e rrotull fshatrave, duke mësuar njerëzit.
7 Thirri të dymbëdhjetët dhe filloi t’i dërgonte dy e nga dy, duke u dhënë atyre pushtet mbi frymët e papastra.
8 I porositi të mos merrnin gjë me vete për rrugë, veç një shkop, as bukë, as torbë, as të holla në brez,
9 por të mbathnin shollëza në këmbë e të mos vishnin dy tunika.
10 U thoshte: “Kudo që të hyni në ndonjë shtëpi, qëndroni aty derisa të largoheni prej andej.
11 Në çdo vend ku nuk ju pranojnë ose nuk ju dëgjojnë, kur të dilni prej andej, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja, si dëshmi kundër tyre.”
12 Ata dolën dhe filluan të predikojnë që njerëzit të pendoheshin.
13 Përzinin shumë demonë, lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.
14 Mbreti Herod e mori vesh, sepse emri i Jezusit ishte bërë i njohur dhe thoshin që Gjon Pagëzori është ngjallur prej të vdekurve, prandaj veprojnë këto mrekulli tek Ai.
15 Të tjerë thoshin që është Elia. Disa të tjerë thoshin që është profet siç ishin profetët e moçëm.
16 Por kur e mori vesh Herodi, tha: “Gjoni të cilit unë i preva kokën, është ngjallur prej të vdekurve.”
17 Sepse vetë Herodi kishte dërguar ta kapnin Gjonin, dhe e kishte futur në burg të lidhur me vargonj për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të tij, të cilën e kishte marrë për grua.
18 Sepse Gjoni i thoshte Herodit: “Nuk lejohet të marrësh gruan e vëllait tënd.”
19 Herodiada i mbante mëri dhe donte ta vriste, por nuk kishte mundësi,
20 sepse Herodi i trembej Gjonit dhe e mbronte, duke e ditur që ai ishte njeri i drejtë dhe i shenjtë; kur e dëgjonte, shastisej fare, megjithatë e dëgjonte me kënaqësi.
21 Porse erdhi dita e përshtatshme kur Herodi, për ditëlindjen e vet, u shtroi një gosti oborrtarëve të vet, kapitenëve dhe krerëve të Galilesë.
22 Kur hyri e bija e vetë Herodiadës dhe vallëzoi, e kënaqi Herodin si edhe ata që ishin shtruar në tryeza. Mbreti i tha vajzës: “Më kërko çfarë të duash dhe do të ta jap.”
23 Ai iu betua asaj: “Çfarëdo që të më kërkosh, do të ta jap, qoftë edhe gjysma e mbretërisë sime.”
24 Ajo doli dhe i tha nënës së vet: “Ç’të kërkoj?” Ajo i tha: “Kokën e Gjon Pagëzorit.”
25 Ajo u kthye me nxitim te mbreti dhe i bëri kërkesën, duke thënë: “Dua që të më japësh sa më parë, në një pjatë kokën e Gjon Pagëzorit.”
26 Mbreti u hidhërua pa masë, por për shkak të beve që kishte bërë dhe të atyre që ishin shtruar në tryeza, nuk deshi t’ia prishte.
27 Prandaj dërgoi menjëherë xhelatin dhe e urdhëroi t’i sillte kokën e Gjonit; ai shkoi dhe ia preu kokën në burg.
28 E solli kokën e Gjonit në pjatë dhe ia dorëzoi vajzës, e cila ia dha nënës së vet.
29 Kur e dëgjuan këtë dishepujt e tij, erdhën e morën trupin dhe e vunë në një varr.
30 Dishepujt u mblodhën së bashku te Jezusi dhe ia treguan Atij të gjitha ç’kishin bërë e ç’u kishin mësuar njerëzve.
31 Ai u tha: “Ejani vetëm në një vend të qetë dhe pushoni pak”; sepse njerëzit që vinin e shkonin, ishin të shumtë dhe nuk u linin kohë as për të ngrënë.
32 Shkuan vetëm për vetëm me lundër në një vend të qetë.
33 Shumë njerëz, që i panë ata duke u larguar, i njohën, dhe ngarendën së bashku më këmbë për atje nga të gjitha qytetet dhe arritën para tyre.
34 Kur doli nga lundra, Ai pa një turmë të madhe. I erdhi keq për ta, sepse ishin si delet pa bari, dhe filloi t’u mësonte shumë gjëra.
35 Dita ishte në të sosur, e dishepujt iu afruan dhe i thanë: “Ky është një vend i shkretë dhe është vonë.
36 Nisi ata të shkojnë në arat përreth e nëpër fshatra e të blejnë diçka për të ngrënë”.
37 Ai u përgjigj dhe u tha: “Jepuni ju të hanë.” Ata i thanë: “A të vemi të blejmë dyqind denarë bukë e t’u japim për të ngrënë?”
38 Ai u tha: “Sa bukë keni? Shkoni e shihni.” Kur e morën vesh sa kishin, i thanë: “Pesë, dhe dy peshq.”
39 Ai i urdhëroi të shtrohen të gjithë grupe-grupe mbi barin e njomë.
40 Ata u shtruan në grupe, me nga njëqind e me nga pesëdhjetë.
41 Mori pesë bukët dhe dy peshqit, dhe duke vështruar lart në qiell, i bekoi dhe i theu bukët. Pastaj ua dha dishepujve të Vet që t’ua vinin njerëzve përpara, dhe dy peshqit ua ndau të gjithëve.
42 Të gjithë hëngrën e u nginjën.
43 Dishepujt mblodhën copat e bukës, dymbëdhjetë shporta plot, si edhe ç’kishte mbetur nga peshqit.
44 Ata që hëngrën nga bukët, ishin pesë mijë burra.
45 Pa u vonuar Jezusi i urdhëroi dishepujt e Vet të hipnin në lundër e të kalonin para Tij matanë drejt Betsaidës, derisa Ai të përcillte turmën.
46 Sapo u nda me ta, u ngjit në mal për t’u lutur.
47 Në të ngrysur lundra ishte në mes të detit e Ai ishte i vetëm në tokë.
48 I pa ata duke vozitur me mundim të madh, sepse era frynte kundër tyre; në orët e para të mëngjesit Jezusi shkoi tek ata duke ecur mbi det, e donte t’i kalonte ata.
49 Kur e panë duke ecur mbi det, menduan se ishte një fantazmë, dhe filluan të bërtasin.
50 Sepse të gjithë e panë dhe e humbën fare. Ai u foli menjëherë dhe u tha: “Mbahuni! Jam Unë. Mos kini frikë.”
51 Hipi në lundër me ta; era pushoi dhe ata mbetën krejt të mahnitur,
52 sepse nuk kishin marrë vesh gjë nga ngjarja me bukët, meqë zemrën e kishin të ngurtësuar.
53 Si kaluan matanë, dolën në breg pranë Gjenezaretit dhe hodhën çengelin.
54 Kur dolën nga lundra, njerëzit e njohën Jezusin menjëherë.
55 Rendën përqark tërë atij vendi dhe filluan t’i sillnin të sëmurët mbi shtretër kudo ku dëgjonin se ishte Ai.
56 Kudo që hynte, nëpër fshatra, nëpër qytete ose nëpër fusha, i vinin të sëmurët në sheshet e tregut dhe i luteshin t’i preknin qoftë edhe kindin e rrobës së Tij; të gjithë ata që e preknin, shëroheshin.
1 Farizenjtë dhe disa prej skribëve, që kishin ardhur nga Jeruzalemi, u mblodhën rreth Jezusit
2 dhe panë disa prej dishepujve të Tij që po hanin bukë me duar të papastra, domethënë të palara.
3 (Sepse farizenjtë dhe të gjithë judenjtë nuk hanë, pa i larë më parë duart me kujdes, duke ruajtur kështu traditën e të parëve.)
4 E kur kthehen nga pazari, nuk hanë pa u larë. Ka edhe shumë gjëra të tjera që ata kanë pranuar t’i mbajnë, si larjen e kupave, të shtambave e të enëve prej bakri.
5 Farizenjtë dhe skribët e pyetën: “Përse nuk ecin sipas traditës së të parëve dishepujt e Tu, por hanë bukë me duar të papastra?”
6 Ai u tha: “Mirë ka profetizuar Isaia për ju, hipokritët, siç është shkruar: ‘Me gojë më nderon ky popull, por me zemër janë shumë larg Meje’.
7 Por më kot më nderojnë, duke dhënë mësime që janë urdhëresa njerëzish.
8 Keni lënë mënjanë urdhërimin e Perëndisë, dhe mbani traditën e njerëzve.”
9 Dhe u thoshte: “Sa mirë e hidhni poshtë urdhërimin e Perëndisë, që të mbani traditën tuaj.
10 Sepse Moisiu ka thënë: ‘Ndero atin tënd e nënën tënde’ dhe ‘Kush flet keq për atin ose nënën, le të përfundojë në vdekje’.
11 Ndërsa ju thoni: ‘Nëse dikush i thotë atit ose nënës, gjithçka me sa mund të të ndihmoja, është Kurban’ (që do të thotë, dhuratë kushtuar Perëndisë),
12 atëherë ju nuk e lini më atë të bëjë gjë për atin ose nënën,
13 duke zhvlerësuar fjalën e Perëndisë nëpërmjet traditës suaj që ju e përcillni nga brezi në brez; dhe bëni shumë gjëra të ngjashme me këtë.”
14 Pasi e thirri përsëri turmën, filloi t’u thoshte: “Më dëgjoni të gjithë, dhe merrni vesh.
15 Nuk ka asgjë jashtë njeriut që, kur hyn tek ai, të mund ta përlyejë atë; por ato që dalin prej njeriut e përlyejnë njeriun.”
17 Kur e la turmën dhe hyri në shtëpi, dishepujt e pyetën për shëmbëlltyrën.
18 Ai u tha: “Po ju, kaq pa mend jeni? A nuk e kuptoni që çfarëdo që hyn te njeriu nga jashtë, nuk mund ta përlyejë atë?
19 Sepse nuk hyn në zemrën e tij, por në bark, dhe del jashtë me të pëgërët.” Me këtë Ai i shpallte të gjitha ushqimet të pastra.
20 Ai thoshte: “Çka del prej njeriut, ajo e përlyen njeriun.
21 Sepse nga brenda, nga zemra e njerëzve, dalin mendimet e këqija, imoraliteti, vjedhjet, vrasjet,
22 tradhtitë bashkëshortore, pangopësitë, ligësitë, mashtrimi, epshi, syri i lig, blasfemia, kryelartësia, mendjelehtësia.
23 Të gjitha këto gjëra të liga dalin nga brenda dhe e përlyejnë njeriun.”
24 Dhe prej andej u ngrit e u largua për në krahinën e Tirit. Kur hyri në një shtëpi, nuk donte ta merrte vesh njeri; megjithatë nuk mundi të mos vihej re.
25 Por një grua, vajza e së cilës kishte frymë të papastër, me të dëgjuar për Të, erdhi dhe i ra ndër këmbë.
26 Gruaja ishte greke, sirofenikase; ajo e luti të dëbonte demonin prej vajzës së saj.
27 Jezusi i tha: “Lëri më parë fëmijët të nginjen, sepse nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua hedhësh qenve.”
28 Ajo u përgjigj dhe i tha: “Po, o Zot, edhe qentë nën sofër hanë nga thërrimet e fëmijëve.”
29 Ai i tha: “Për këtë që the, shko; demoni ka dalë prej vajzës sate.”
30 Kur shkoi në shtëpi, ajo e gjeti fëmijën të shtrirë në shtrat dhe pa që demoni kishte dalë prej saj.
31 Përsëri, si u largua nga krahina e Tirit, shkoi nëpërmjet Sidonit në detin e Galilesë, duke kaluar përmes krahinës së Dekapolit.
32 I sollën një shurdhmemec dhe iu lutën që të vinte dorën mbi të.
33 Si e hoqi mënjanë, veçmas prej turmës, Jezusi i vuri gishtat në veshët dhe, pasi pështyu, i preku gjuhën.
34 Dhe duke vështruar lart në qiell, psherëtiu dhe i tha: “Effatha!”, që do të thotë: ‘Hapu’.
35 Menjëherë atij iu hapën veshët, iu zgjidh gjuha dhe filloi të fliste siç duhet.
36 Jezusi i porositi që të mos i thoshin askujt për këtë, por sa më shumë i porosiste, aq më tepër e përhapnin lajmin ata.
37 Njerëzit mbeteshin të mrekulluar pa masë dhe thoshin: “Mirë i ka bërë të gjitha gjërat. Madje të shurdhërit i bën të dëgjojnë e të pagojët të flasin.”
1 Në ato ditë, meqë turma ishte shumë e madhe e nuk kishin gjë për të ngrënë, Ai thirri dishepujt dhe u tha,
2 “Më dhimbset turma, sepse ka tri ditë që po rrinë me Mua e nuk kanë gjë për të ngrënë.
3 Po t’i përcjell për në shtëpitë e tyre të uritur, do t’u bjerë të fikët gjatë rrugës; disa prej tyre kanë ardhur nga larg.”
4 Dishepujt iu përgjigjën: “Si do të mund t’i nginjë njeriu me bukë këta njerëz këtu në shkretëtirë?”
5 Ai i pyeti: “Sa bukë keni?” Ata i thanë: “Shtatë.”
6 Pastaj e urdhëroi turmën të ulej në tokë. Mori të shtatë bukët, falënderoi Perëndinë dhe, si i ndau, filloi t’ua jepte dishepujve që t’ua vinin njerëzve përpara dhe ata ashtu bënë.
7 Ata kishin edhe pak peshq. Si i bekoi, u tha që t’ua vinin edhe këta përpara.
8 Ata hëngrën e u ngopën; pastaj dishepujt mblodhën copat që mbetën, shtatë shporta plot.
9 Aty ishin rreth katër mijë veta; pastaj Ai i nisi njerëzit.
10 Pastaj, pa u vonuar, hipi në lundër me dishepujt e Vet dhe shkoi në krahinën e Dalmanutës.
11 Farizenjtë dolën dhe filluan të diskutojnë me Të, duke i kërkuar ndonjë shenjë prej qielli, për ta vënë në provë.
12 Por Ai, pasi psherëtiu thellë, tha: “Përse kërkon shenjë ky brez? Me të vërtetë po ju them, asnjë shenjë nuk do t’i jepet këtij brezi.”
13 I la ata dhe hipi përsëri në lundër e u largua për në bregun tjetër.
14 Dishepujt kishin harruar të merrnin bukë, e nuk kishin më shumë se një bukë me vete në lundër.
15 Ai i porositi duke u thënë: “Shikoni, ruhuni nga majaja e farizenjve dhe nga majaja e Herodit.”
16 Ata diskutonin me njëri-tjetrin, duke thënë: “Kjo ndodh ngaqë nuk kemi bukë.”
17 Kur e mori vesh Jezusi, u tha: “Përse bëni fjalë, që nuk keni bukë? Ende nuk po kuptoni dhe s’po e merrni vesh? Kaq të ngurtësuara i paskeni zemrat?
18 Sytë i keni e nuk shihni? Veshët i keni e nuk dëgjoni? Dhe si nuk ju kujtohet?
19 Kur të pesë bukët i ndava midis pesë mijë vetave, sa shporta plot me copa mblodhët?” Ata i thanë: “Dymbëdhjetë.”
20 “Po kur i ndava të shtata midis katër mijë vetave, sa shporta plot me copa mblodhët?” Ata i thanë: “Shtatë.”
21 Ai u thoshte: “Ende nuk po e kuptoni?”
22 Erdhën në Betsaidë; atje i sollën një të verbër dhe iu lutën që ta prekte.
23 Si e mori të verbrin për dore, e nxori jashtë fshatit; i leu sytë me pështymë dhe, pasi vuri duart mbi të, e pyeti: “A sheh gjë?”
24 Ai vështroi lart dhe tha: “Shoh njerëz, që më duken si pemë duke ecur.”
25 Pastaj i vuri përsëri duart mbi sytë e tij; atëherë sytë iu hapën, shikimi i erdhi dhe gjithçka e shikonte qartë.
26 E nisi në shtëpi, duke i thënë: “Mos hyr në fshat.”
27 Jezusi dhe dishepujt e Vet dolën për në fshatrat e Cezaresë së Filipit; gjatë rrugës Ai i pyeste dishepujt, duke u thënë: “Kush thonë njerëzit se jam Unë?”
28 Ata iu përgjigjën, duke thënë: “Gjon Pagëzori; disa të tjerë thonë Elia, por të tjerë thonë, një nga profetët.”
29 Ai i pyeti: “Po ju, kush thoni se jam Unë?” Pjetri, u përgjigj dhe i tha: “Ti je Krishti.”
30 Ai i paralajmëroi që të mos flisnin me njeri për Të.
31 Dhe pastaj filloi t’i mësonte se Birit të Njeriut i duhej të vuante shumë gjëra, të hidhej poshtë prej pleqve, prej kryepriftërinjve, prej skribëve; i duhej të vritej dhe pas tri ditësh të ngjallej përsëri.
32 Dhe fliste hapur për këtë. Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortonte.
33 Por Ai u kthye, vështroi dishepujt e Vet dhe e qortoi Pjetrin duke i thënë: “M’u hiq sysh, Satan; sepse nuk mendon për punët e Perëndisë, por për ato të njerëzve.”
34 Pastaj e thirri turmën bashkë me dishepujt e Vet, dhe u tha: “Nëse ndokush dëshiron të më vijë pas, duhet të mohojë veten, të marrë kryqin dhe të më ndjekë.
35 Sepse kushdo që dëshiron të shpëtojë jetën e vet, do ta humbë atë; por kushdo që do ta humbë jetën e vet për hirin Tim e të Ungjillit, do ta shpëtojë atë.
36 Sepse ç’dobi ka njeriu nëse fiton tërë botën dhe humbet shpirtin e vet?
37 Sepse çfarë mund të japë njeriu si shkëmbim për shpirtin e vet?
38 Sepse kushdo që do të ketë turp për Mua dhe për fjalët e Mia në këtë brez të përdalë e mëkatar, edhe Biri i Njeriut do të ketë turp për të, kur Ai të vijë në lavdinë e Atit të Vet me engjëjt e shenjtë.”
1 Dhe u thoshte: “Me të vërtetë po ju them, që ka disa prej atyre që janë këtu, të cilët nuk do ta shijojnë vdekjen para se të shohin mbretërinë e Perëndisë të vijë me fuqi.”
2 Pas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe i çoi në një mal të lartë vetëm për vetëm; Ai u shndërrua para tyre.
3 Rrobat iu bënë vezulluese, shumë të bardha, të atilla sa asnjë zbardhës mbi faqe të dheut nuk mund t’i zbardhte në atë mënyrë.
4 Atyre iu shfaq Elia me Moisiun, të cilët po flisnin me Jezusin.
5 Pjetri iu drejtua Jezusit dhe i tha: “Rabbi, është mirë që ne të qëndrojmë këtu. Të bëjmë tri tenda, një për Ty, një për Moisiun e një për Elian.”
6 Sepse nuk dinte ç’të përgjigjej, kaq shumë ishin trembur.
7 Pastaj doli një re që i mbuloi, dhe një zë erdhi nga reja: “Ky është Biri Im i dashur. Dëgjojeni!”
8 Vështruan menjëherë përreth dhe nuk panë më njeri me ta, por vetëm Jezusin.
9 Ndërsa zbrisnin nga mali, Ai i porositi që të mos i tregonin askujt çka kishin parë, përveçse atëherë kur Biri i Njeriut të ngjallet nga të vdekurit.
10 Ata e mbajtën këtë gjë për vete, duke pyetur njëri-tjetrin se ç’do të thoshte ‘të ngjallet nga të vdekurit’.
11 Dhe e pyetën: “Përse skribët thonë që më parë duhet të vijë Elia?”
12 Ai u tha: “Elia vërtet do të vijë më parë e do t’i vërë të gjitha gjërat në vend. Pse atëherë është shkruar për Birin e Njeriut që Ai duhet të vuajë shumë e të përbuzet?
13 Por po ju them që Elia vërtet ka ardhur, dhe atij i bënë gjithë sa deshën, ashtu siç është shkruar për të.”
14 Pasi erdhën te dishepujt, panë një turmë të madhe rreth tyre dhe disa skribë duke diskutuar me ta.
15 E gjithë njerëzia, me ta parë, mbetën të mrekulluar dhe vrapuan drejt Tij për ta përshëndetur.
16 Ai i pyeti: “Përse po bëni fjalë me ta?”
17 Njëri nga turma iu përgjigj: “Mjeshtër, të kam sjellë tim bir, që ka një frymë që nuk e lë të flasë.
18 Kudo që e mbërthen, e përplas përdhe; i del shkumë nga goja, kërcet dhëmbët dhe ngrin i tëri; u thashë dishepujve të Tu që t’ia nxirrnin, por nuk mundën dot.
19 Jezusi u përgjigj dhe u tha: “O brez i pafe, deri kur do të jem me ju? Deri kur do t’ju duroj? Sillmani!”
20 Ata ia çuan, dhe, kur e pa, fryma e shkundi menjëherë djalin dhe, me të rënë për tokë, filloi të rrokullisej duke i dalë shkumë nga goja.
21 Ai e pyeti të atin: “Sa kohë ka që i ka ndodhur kjo?” Ai i tha: “Që kur ishte fëmijë.
22 Shpeshherë e ka hedhur në zjarr e në ujë për ta vrarë; por nëse Ti mundesh dhe të vjen keq për ne, ndihmona.”
23 Jezusi i tha: “Sa për atë ‘Nëse mundesh’, të gjitha gjërat janë të mundshme për atë që beson.”
24 I ati i fëmijës thirri menjëherë me zë të lartë, duke thënë: “Besoj; ndihmomë ta mposht mosbesimin tim.”
25 Jezusi, duke parë që turma po mblidhej duke vrapuar, e qortoi frymën e papastër, duke i thënë: “Ti o frymë e pagojë dhe e shurdhët, të urdhëroj, dil prej tij e mos hyr më në të.”
26 Fryma, duke ulëritur e pasi e shkundi fort, doli jashtë; djali u bë si i vdekur, aq sa shumë veta thanë: “ka vdekur.”
27 Por Jezusi e ngriti duke e kapur për dore dhe ai u çua më këmbë.
28 Kur hyri në shtëpi, dishepujt filluan ta pyesin veçmas: “Po ne, përse nuk mundëm ta dëbonin?”
29 Ai u tha: “Ky lloj nuk mund të dëbohet ndryshe veçse me anë të lutjes.”
30 Si u larguan prej andej, kaluan nëpër Galile; Ai nuk donte që ta merrte vesh njeri se ku ishin.
31 Sepse Ai i mësonte dishepujt e Vet e u thoshte: “Biri i Njeriut do të jepet në duart e njerëzve; ata do ta vrasin e, pasi të jetë vrarë, do të ngjallet pas tri ditësh.”
32 Por ata nuk po e merrnin vesh çfarë donte të thoshte me atë fjalë dhe kishin frikë ta pyesnin.
33 Ndërkaq arritën në Kapernaum; kur ishte në shtëpi, i pyeti ata: “Për çka po haheshit gjatë rrugës?”
34 Por ata nuk bënin zë; sepse gjatë rrugës kishin diskutuar me njëri-tjetrin se kush ishte më i madhi.
35 Atëherë Ai u ul, thirri të dymbëdhjetët dhe u tha: “Nëse ndonjëri dëshiron të jetë i pari, ai do të jetë i fundit i të gjithëve dhe shërbëtor i të gjithëve.”
36 Mori një fëmijë dhe e vuri në mes tyre; si e mori ndër krahë, u tha:
37 “Kushdo që pranon njërin prej këtyre fëmijëve në emrin Tim, më pranon Mua dhe kushdo që më pranon Mua, nuk më pranon Mua, por Atë që më ka dërguar Mua.”
38 Gjoni i thoshte: “Mjeshtër, kemi parë dikë që dëbonte demonë në emrin Tënd dhe u përpoqëm ta pengonim, sepse ai nuk ishte nga tanët.”
39 Por Jezusi tha: “Mos e pengoni, sepse nuk ka njeri që të bëjë mrekulli në emrin Tim, dhe fill pas kësaj të mund të më përgojojë Mua.
40 Sepse ai që nuk është kundër nesh, është me ne.
41 Se kushdo që ju jep një kupë me ujë, sepse i përkisni Krishtit, me të vërtetë po ju them, që ai nuk do ta humbë shpërblimin e vet.
42 Kushdo që shtyn në mëkat një nga këta të vegjël që besojnë [tek Unë], më mirë do të ishte për të t’i varej një gur mulliri rreth qafës e të hidhej në det.
43 Po të të shtyjë në mëkat dora jote, preje; do të ishte më mirë të hyje i gjymtë në jetë sesa të shkoje me dy duar në ferr, në zjarrin që nuk shuhet.
45 Po të të shtyjë në mëkat këmba jote, preje; është më mirë të hysh në jetë i gjymtë, sesa të flakesh me të dyja këmbët në ferr.
47 Po të të shtyjë në mëkat syri yt, nxirre, sepse është më mirë të hysh në mbretërinë e Perëndisë me një sy, sesa të flakesh në ferr duke i pasur të dy sytë,
48 ku krimbi i tyre nuk ngordh e zjarri nuk shuhet.
49 Sepse çdo njeri me zjarr do të kripet.
50 Kripa është gjë e mirë, por nëse kripa humb njelmësinë, me se do ta ndreqni? Kripë të kini në vetvete dhe të jetoni në paqe me njëri-tjetrin.”
1 Si u ngrit prej andej, shkoi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit; përsëri u mblodhën turmat rreth Tij dhe Ai, siç e kishte zakon, filloi t’i mësonte përsëri.
2 Farizenjtë iu afruan dhe, për ta vënë në provë, e pyetën: “A i lejohet një burri ta lërë gruan e vet?”
3 Ai u përgjigj dhe u tha: “Çfarë ju ka urdhëruar Moisiu?”
4 Ata thanë: “Moisiu na ka lejuar që të shkruajmë aktin e ndarjes dhe ta lëmë gruan.”
5 Jezusi u tha: “Ai jua ka shkruar këtë urdhërim nga vrazhdësia e zemrave tuaja.
6 Por që në fillim të krijimit, Perëndia i bëri njerëzit mashkull e femër.
7 Për këtë arsye njeriu do të lërë atin dhe nënën [e do të bashkohet me gruan e vet].
8 Të dy një mish do të bëhen; kështu nuk janë më dy, por një mish.
9 Pra, të mos e ndajë njeriu atë që Perëndia e ka bashkuar.”
10 Dishepujt e pyetën përsëri në shtëpi për këtë gjë,
11 dhe Ai u tha: “Kushdo që lë gruan e vet dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën ndaj saj.
12 Nëse ajo e lë burrin e vet e martohet me një tjetër, edhe ajo shkel kurorën ndaj tij.”
13 Njerëzit i sillnin fëmijë të vegjël që t’i prekte, por dishepujt i qortonin ata.
14 Kur pa këtë, Jezusit i mbeti hatëri dhe u tha: “Lërini fëmijët të vijnë tek Unë e mos i pengoni, sepse atyre u përket mbretëria e Perëndisë.
15 Me të vërtetë po ju them, kushdo që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë ashtu si fëmija, nuk do të hyjë kurrë në të.”
16 I mori ndër krahë dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta.
17 Kur u nis për rrugë, erdhi njëri duke vrapuar dhe ra në gjunjë para Tij duke e pyetur: “O Mjeshtër i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?”
18 Jezusi i tha: “Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, veç Njërit, Perëndisë.
19 Urdhërimet i di: ‘Mos vrit, mos shkel kurorë, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, mos mashtro, ndero atin tënd e nënën tënde’.”
20 Ai i tha: “Mjeshtër, këto të gjitha i kam mbajtur që në rininë time.”
21 Ndërsa Jezusi e vështronte, i hyri në zemër, dhe i tha: “Një gjë të mungon, shko, shit gjithë ç’ke e jepua të varfërve dhe do të kesh thesar në qiell; pastaj eja pas Meje e më ndiq.”
22 Ai u trishtua nga ato fjalë dhe u largua i hidhëruar, sepse kishte pasuri të madhe.
23 Jezusi vështroi përreth dhe u tha dishepujve të Vet: “Sa e vështirë do të jetë për ata që kanë pasuri, të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!”
24 Dishepujt mbetën gojëhapur nga fjalët e Tij. Por Jezusi, duke u përgjigjur sërish, u tha: “Bijtë e Mi, sa e vështirë është të hysh në mbretërinë e Perëndisë!
25 Më lehtë është për devenë të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa për një të pasur të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.”
26 Ata habiteshin edhe më shumë, e thoshin njëri me tjetrin: “Atëherë kush mund të shpëtohet?”
27 Jezusi, duke i vështruar, tha: “Për njerëzit kjo është e pamundur, por jo për Perëndinë, sepse gjithçka është e mundur për Perëndinë.”
28 Pjetri filloi t’i thoshte: “Ja, ne i kemi lënë të gjitha e po vijmë pas Teje.”
29 Jezusi tha: “Me të vërtetë po ju them, nuk ka njeri që të ketë lënë shtëpinë, vëllezërit, motrat, nënën, atin, fëmijët e arat për Mua e për hir të Ungjillit,
30 dhe të mos marrë tani në këtë botë njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nënë, fëmijë e ara, bashkë me përndjekjet, dhe në botën që vjen, jetën e amshuar.
31 Shumë nga ata që janë të parët, do të jenë të fundit dhe ata që janë të fundit, do të jenë të parët.”
32 Ndërsa ishin rrugës, duke u ngjitur për në Jeruzalem, Jezusi u printe; dishepujt mahniteshin dhe ata që u venin pas, ishin plot frikë. Ai i mori përsëri të dymbëdhjetët dhe filloi t’u thoshte se ç’do t’i ndodhte Atij,
33 duke thënë: “Ja, po ngjitemi për në Jeruzalem dhe Biri i Njeriut do të dorëzohet te kryepriftërinjtë dhe skribët; ata do ta dënojnë me vdekje dhe do t’ua dorëzojnë atyre të kombeve.
34 Do ta tallin, do ta fshikullojnë, do ta pështyjnë e do ta vrasin dhe pas tri ditësh Ai do të ngrihet përsëri.”
35 Jakobi dhe Gjoni, bijtë e Zebedeut, iu afruan dhe i thanë: “Mjeshtër, duam që të bësh për ne atë që po të kërkojmë.”
36 Ai u tha: “Çfarë doni të bëj për ju?”
37 Ata i thanë: “Na lër të ulemi në lavdinë Tënde, njëri nga e djathta e tjetri nga e majta Jote.”
38 Por Jezusi u tha: “Ju nuk dini ç’kërkoni. A mund ta pini ju kupën që pi Unë ose të pagëzoheni me pagëzimin që jam pagëzuar Unë?”
39 Ata i thanë: “Po, mundemi.” Jezusi u tha: “Vërtet do të pini kupën që pi Unë dhe do të pagëzoheni me pagëzimin që jam pagëzuar Unë,
40 por për t’u ulur në të djathtën ose në të majtën Time, nuk është diçka që e jap Unë, por është për ata për të cilët është përgatitur.”
41 Kur e dëgjuan këtë, të dhjetë të tjerët filluan të zemërohen me Jakobin dhe me Gjonin.
42 Jezusi i thirri dhe u tha: “Ju e dini që ata që e mbajnë veten si sundues të kombeve, bëhen zotër mbi këto dhe më të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë pushtet mbi to.
43 Por mes jush nuk është kështu; kushdo që dëshiron të bëhet i madh mes jush, do të jetë shërbyesi juaj,
44 dhe kushdo që dëshiron të jetë i parë mes jush, do të jetë shërbëtor i të gjithëve.
45 Sepse edhe Biri i Njeriut nuk erdhi që t’i shërbenin, por që të shërbejë dhe të japë jetën si shpërblesë për shumë.”
46 Pastaj arritën në Jeriko; kur Ai me dishepujt e Vet dhe me një turmë të madhe njerëzish ishin duke dalë nga Jerikoja, një lypës i verbër me emrin Bartimeo, i biri i Timeut, ishte ulur pranë rrugës.
47 Me të dëgjuar që Ai ishte Jezusi nga Nazareti, filloi të thërrasë e të thotë: “Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua.”
48 Shumë veta e qortonin që të heshtte, por ai thërriste edhe më shumë: “O Bir i Davidit, ki mëshirë për mua.”
49 Jezusi qëndroi e tha: “Thirreni.” Ata e thirrën të verbrin dhe i thanë: “Mos u druaj, çohu! Po të thërret.”
50 Ai, si hodhi tej rrobën e vet, brofi më këmbë dhe vajti te Jezusi.
51 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Çfarë do që të bëj për ty?” I verbri i tha: “Mjeshtër, të shoh përsëri.”
52 Jezusi i tha: “Shko, besimi yt të ka shëruar.” Dhe menjëherë i erdhi drita e syve, dhe filloi t’i shkonte pas Jezusit gjatë rrugës.
1 Kur po i afroheshin Jeruzalemit, pranë Betfages e Betanisë, te Mali i Ullinjve, Ai dërgoi dy nga dishepujt e Vet
2 dhe u tha: “Shkoni në fshatin përballë jush dhe, sapo të hyni në fshat, do të gjeni një kërriç të lidhur, mbi të cilin ende nuk ka hipur njeri; zgjidheni dhe silleni.
3 Po t’ju thotë njeri: ‘Përse e bëni këtë?’ i thoni: ‘I duhet Zotit dhe do ta kthejë shumë shpejt.”
4 Ata u larguan, e gjetën kërriçin të lidhur te dera jashtë në rrugë dhe e zgjidhën.
5 Disa prej njerëzve që ishin atje, u thanë: “Ç’po bëni që e zgjidhni kërriçin?”
6 Ata u përgjigjën ashtu siç u tha Jezusi, dhe njerëzit i lanë.
7 E sollën kërriçin te Jezusi, i hodhën përsipër rrobat e tyre dhe Ai u ul mbi të.
8 Shumë njerëz i shtruan rrobat e veta në rrugë dhe të tjerë degëza që i kishin prerë nga arat.
9 Ata që shkonin përpara si edhe ata që vinin pas, thërrisnin, duke thënë: “Hosanna! I bekuar qoftë Ai që vjen në emër të Zotit.
10 E bekuar qoftë mbretëria e atit tonë Davidit, që po vjen; Hosanna lart e më lart!”
11 Hyri në Jeruzalem e shkoi në tempull; pasi pa çdo gjë rreth e rrotull, u largua për në Betani së bashku me të dymbëdhjetë, meqë tashmë ishte bërë vonë.
12 Të nesërmen, kur u larguan nga Betania, Atë e mori uria.
13 Me të parë nga larg një fik të mbushur me gjethe, shkoi me shpresë se do të gjente diçka në të; kur iu afrua, nuk gjeti gjë në të veç gjetheve, sepse nuk ishte koha e fiqve.
14 Iu kthye dhe i tha: “Mos ngrëntë njeri më kurrë kokërr prej teje.” Dishepujt e Tij e dëgjuan këtë.
15 Ndërkaq shkuan në Jeruzalem. Dhe kur hyri në tempull, Jezusi filloi t’i nxirrte jashtë ata që shisnin e blinin në tempull, duke i përmbysur tryezat e këmbyesve të parave, si dhe ndenjëset e atyre që shisnin pëllumba,
16 dhe nuk lejonte njeri të fuste ndonjë mall në tempull.
17 Ai i mësonte dhe u thoshte: “A nuk është shkruar që shtëpia Ime do të quhet shtëpi lutjesh për të gjitha kombet? Por ju e keni kthyer në një strofull kusarësh,”
18 Kryepriftërinjtë dhe skribët e dëgjuan dhe mendonin si e si ta zhduknin; sepse e kishin frikë, meqë e gjithë turma kishte mbetur e mahnitur me mësimet e Tij.
19 Kur u ngrys, ata dolën jashtë qytetit.
20 Herët në mëngjes, duke kaluar, panë fikun të tharë që në rrënjë.
21 Pjetri u kujtua dhe i tha: “Rabbi, shiko! Fiku që mallkove, qenka fishkur.”
22 Jezusi, duke u përgjigjur, u tha: “Kini besim në Perëndinë.
23 Me të vërtetë po ju them, që kushdo që do t’i thotë këtij mali: ‘Ngrihu e hidhu në det’ e në zemrën e vet të mos ketë dyshim, por të besojë që çka thotë, do të bëhet, ai do të ketë çfarëdo që të thotë.
24 Prandaj, po ju them, për gjithçka që kërkoni në lutje, të kini besim se e keni marrë dhe do të jetë juaja.
25 Kur jeni duke u lutur, nëse keni diçka kundër ndonjë njeriu, faleni, që edhe Ati juaj që është në qiej, t’ju falë fajet tuaja.”
27 Shkuan përsëri në Jeruzalem; ndërsa shëtiste në tempull, Jezusit iu afruan kryepriftërinjtë, skribët dhe pleqtë
28 dhe i thanë: “Me ç’fuqi i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë pushtet që të bësh këto gjëra?”
29 Jezusi u tha: “Do t’ju pyes për një gjë. M’u përgjigjni, dhe atëherë Unë do t’ju them se me ç’pushtet i bëj këto gjëra.
30 A ishte pagëzimi i Gjonit nga qielli apo nga njerëzit? M’u përgjigjni.”
31 Ata filluan të diskutojnë me njëri-tjetrin, duke thënë: “Po të themi: ‘Nga qielli’, do të thotë: ‘Përse atëherë nuk e besuat atë?’
32 Po sikur të themi: ‘Nga njerëzit’?” Megjithatë i druheshin turmës, sepse të gjithë e mbanin Gjonin si të ishte vërtet një profet.
33 Atëherë i dhanë këtë përgjigje Jezusit: “Nuk e dimë.” Jezusi u tha: “As Unë nuk po jua them se me ç’pushtet i bëj këto gjëra.”
1 Ai filloi t’u fliste me shëmbëlltyra. “Një njeri mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, gërmoi një vend për vençën, ngriti një kanike, ua dha me qira bujqve dhe mori një udhë të largët.
2 Në kohën e duhur dërgoi te bujqit një shërbëtor, për të marrë të vjelat e vreshtit.
3 Ata e kapën dhe, si e rrahën, e dërguan duarbosh.
4 Ai u dërgoi përsëri një shërbëtor tjetër; edhe atij i çanë kokën me gur dhe e poshtëruan.
5 Ai dërgoi një tjetër; edhe atë e vranë, si edhe shumë të tjerë; disa i rrahën e disa të tjerë i vranë.
6 Ai kishte edhe një tjetër, birin e vet të dashur, të cilin ua dërgoi të fundit, duke thënë: ‘Do të ma respektojnë tim bir.’
7 Por bujqit thanë me njëri-tjetrin: ‘Ky është trashëgimtari, ejani ta vrasim dhe trashëgimi do të jenë yni.’
8 E kapën, e vranë dhe e flakën jashtë vreshtit.
9 Çfarë do të bëjë pra, tani i zoti i vreshtit? Ai do të shkojë e do t’i zhdukë bujqit dhe do t’ua japë vreshtin të tjerëve.
10 As këtë Shkrim nuk e keni paskeni lexuar: ‘Gurin që ndërtuesit e flakën tej, pikërisht ai u bë këndi i themelit;
11 kjo gjë është bërë prej Zotit dhe është e mrekullueshme në sytë tanë’?”
12 Ata kërkonin ta kapnin, por kishin frikë prej turmës, sepse e dinin që Ai e kishte thënë atë shëmbëlltyrë kundër tyre; dhe si e lanë, u larguan.
13 I dërguan disa prej farizenjve dhe herodianëve, që ta zinin me fjalë.
14 Me të ardhur, ata i thanë: “Mjeshtër, e dimë që je i çiltër dhe nuk do t’ia dish se kush është, sepse nuk i mban anën njeriu, por u mëson njerëzve udhën e Perëndisë me vërtetësi. A është e drejtë t’i paguajmë tatimin Cezarit? Të japim apo të mos japim?”
15 Ai, duke ditur hipokrizinë e tyre, u tha: “Përse më vini në provë? Më sillni një denar që ta shoh.”
16 Ata ia sollën. Ai u tha: “E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?” Ata i thanë: “Janë të Cezarit.”
17 Jezusi u tha: “Jepini Cezarit çka është e Cezarit dhe Perëndisë çka është e Perëndisë.” Ata mbetën të mrekulluar prej Tij.
18 Tek Ai shkuan saducenjtë, të cilët thonë se nuk ka ngjallje, dhe e pyetën duke thënë,
19 “Mjeshtër, Moisiu na ka shkruar që po t’i vdesë vëllai dikujt dhe lë pas gruan, pa fëmijë, i vëllai duhet ta marrë gruan, për t’i dhënë pasardhës vëllait të vet.
20 Ishin shtatë vëllezër; i pari mori grua dhe pasi vdiq, nuk la fëmijë.
21 Atë e mori i dyti, por edhe ai vdiq pa lënë pas fëmijë; edhe i treti po ashtu.
22 Të shtatë nuk lanë fëmijë; e fundit nga të gjithë vdiq edhe gruaja.
23 Kur të ngjallen, cilit prej tyre do t’i përkasë gruaja? Sepse të shtatë e kishin atë për grua.”
24 Jezusi u tha: “A nuk është kjo arsyeja që gaboheni, ngaqë nuk i njihni Shkrimet dhe as fuqinë e Perëndisë?
25 Sepse kur të ngjallen prej të vdekurve, ata as nuk martohen, as nuk jepen për martesë, por do të jenë si engjëjt në qiej.
26 Sa për të vdekurit që ngjallen, a nuk e keni lexuar në librin e Moisiut, se si Perëndia i foli atij në drizë, duke i thënë: ‘Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit’?
27 Ai nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve; gaboheni rëndë.”
28 Një nga skribët erdhi dhe i dëgjoi ata që po haheshin me njëri-tjetrin dhe, duke parë sa mirë iu përgjigj Jezusi, e pyeti: “Cili nga të gjitha urdhërimet është i pari?”
29 Jezusi u përgjigj: “I pari i të gjithëve është: ‘Dëgjo o Izrael! Zoti, Perëndia ynë, është një Zot i vetëm.
30 Ta duash Zotin Perëndinë tënd më tërë zemrën tënde, me tërë shpirtin tënd, me tërë mendjen tënde e me tërë fuqinë tënde’.
31 I dyti është ky: ‘Ta duash si veten të afërmin tënd’. Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këto.”
32 Skribët i thanë: “Mirë, o Mjeshtër, të vërtetën the, sepse një është Perëndia dhe nuk ka tjetër veç Tij.
33 Ta duash me tërë zemrën, me tërë mendjen, me tërë fuqinë dhe ta duash të afërmin si veten, është më shumë se të gjitha flijimet me djegie dhe theroret.”
34 Jezusi, duke parë që ai u përgjigj me urtësi, i tha: “Nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë.” Dhe që nga ajo kohë askush nuk kishte më guxim t’i bënte pyetje.
35 Jezusi, duke vazhduar të mësonte në tempull, u përgjigj dhe tha: “Si ka mundësi që skribët të thonë se Krishti është biri i Davidit?
36 Vetë Davidi, me anë të Frymës së Shenjtë, ka thënë: ‘Zoti i tha Zotit tim: “Ulu në të djathtën Time, derisa t’i vë armiqtë e Tu nën këmbët e Tua”.’
37 Vetë Davidi e quan Atë Zot; atëherë, si mund të jetë Ai biri i tij?” E gjithë turma po e dëgjonte me ëndje.
38 Në mësimet e Veta Ai thoshte: “Ruhuni nga skribët që duan të shëtisin me petka të gjata e që u pëlqejnë përshëndetjet nëpër sheshet e tregjeve.
39 Lakmojnë fronet e para nëpër sinagoga dhe vendet e nderit nëpër gosti;
40 përpijnë shtëpitë e vejushave dhe, për t’u dukur, bëjnë lutje të gjata; këta do të marrin dënimin më të madh.”
41 Jezusi ishte ulur përballë arkës së thesarit dhe po vështronte se si turma hidhte para në arkën e thesarit; shumë të pasur hidhnin sasira të mëdha.
42 Atje erdhi një vejushë e varfër dhe hodhi dy qindarka, që bënin një grosh.
43 Ai i thirri dishepujt e Vet dhe u tha: “Me të vërtetë po ju them, që kjo vejushë e varfër hodhi më shumë nga të gjithë ata që hedhin në arkën e thesarit.
44 Sepse të gjithë hodhën nga tepria e tyre, ndërsa ajo, nga varfëria e saj, hodhi gjithë ç’kishte, tërë jetesën e saj.”
1 Kur Jezusi po dilte nga tempulli, një nga dishepujt i tha: “Mjeshtër, shih sa gurë të mëdhenj e ç’ndërtesa të mëdha.”
2 Jezusi i tha: “A i sheh këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbetet këtu gur mbi gur pa u shembur.”
3 Me t’u ulur në Malin e Ullinjve kundrejt tempullit, Atë e pyetën veçan Pjetri, Jakobi, Gjoni e Andrea.
4 “Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra? Cila do të jetë shenja që do të përmbushen të gjitha këto?”
5 Jezusi filloi t’u thoshte: “Shikoni se mos ju mashtron kush.
6 Sepse shumë do të vijnë në emrin Tim duke thënë: ‘Unë jam Ai’ e do të mashtrojnë shumë veta.
7 Kur të dëgjoni luftëra e jehona luftërash, mos u frikësoni; ato duhet të ndodhin, por ky nuk është ende fundi.
8 Sepse do të ngrihet kombi kundër kombit dhe mbretëria kundër mbretërisë; në vende të ndryshme do të bien tërmete, do të vijnë periudha zie buke; këto janë fillimi i dhimbjeve.
9 Por kini kujdes për veten tuaj; do t’ju dorëzojnë në kuvende e do t’ju rrahin në sinagoga; për shkakun Tim do të dilni para krerëve dhe mbretërve, si dëshmi për ta.
10 Ungjilli duhet të predikohet më parë nëpër gjithë kombet.
11 Kur t’ju arrestojnë e t’ju çojnë në gjyq, mos u shqetësoni që më parë se çfarë do të flisni; por çfarëdo që t’ju jepet në atë orë, atë flisni, sepse nuk jeni ju që flisni, por Fryma e Shenjtë.
12 Vëllai vëllanë do ta çojë në vdekje, dhe ati të birin; fëmijët do të ngrihen kundër prindërve e do t’i vrasin.
13 Do të jeni të urryer nga të gjithë për hir të emrit Tim, por ai që qëndron deri në fund, ai do të shpëtohet.
14 Por kur të shihni neverinë e shkretimit, duke qëndruar aty ku nuk i takon (le ta kuptojë ai që di të lexojë), atëherë ata që janë në Jude, le të marrin arratinë ndër male.
15 Kush është mbi pullaz, të mos zbresë, as të mos hyjë për të marrë ndonjë gjë prej shtëpisë së vet.
16 Kush është në arë, të mos kthehet prapa për të marrë rrobën e vet.
17 Por mjerë ato që janë shtatzëna dhe ato që japin gji në ato ditë!
18 Lutuni që kjo të mos ndodhë në kohë dimri,
19 sepse ato do të jenë ditë të një mundimi të atillë, që nuk ka ndodhur prej fillimit të krijimit, kur Perëndia krijoi botën deri tani, dhe as ka për të ndodhur kurrë.
20 Po të mos i shkurtonte Zoti ato ditë, askush nuk do të shpëtohej, por për hir të të zgjedhurve, që Ai i ka zgjedhur, i ka shkurtuar ato ditë.
21 Pastaj, nëse dikush ju thotë: ‘Ja ky këtu është Krishti’, ose ‘Ja, ai atje’, mos e besoni,
22 sepse do të dalin Krishta të rremë e profetë të rremë e do të bëjnë shenja e mrekulli për të mashtruar, po të jetë e mundur, edhe të zgjedhurit.
23 Ruhuni; të gjitha jua kam thënë që më parë.
24 Por në ato ditë, pas asaj brenge, dielli do të errësohet dhe hëna nuk do të japë dritën e vet.
25 Do të bien yjet prej qiellit dhe fuqitë që janë në qiej, do të pështjellohen.
26 Atëherë njerëzit do të shohin Birin e Njeriut duke ardhur mbi re me shumë fuqi e lavdi.
27 Dhe Ai do të dërgojë engjëjt e do të mbledhë të zgjedhurit [e Vet] nga të katër anët, nga skaji i dheut deri në skajet e qiellit.
28 Dhe tani mësojeni këtë shëmbëlltyrë nga fiku; kur dega e tij është tashmë e njomë dhe çel gjethe, ta dini që vera është pranë.
29 Po kështu edhe ju, kur të shihni që këto gjëra po ndodhin, dijeni që Ai është pranë, mu te dera.
30 Me të vërtetë po ju them, ky brez nuk do të kalojë derisa të ndodhin të gjitha këto gjëra.
31 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e Mia nuk do të shkojnë.
32 Askush nuk di gjë për atë ditë apo atë orë, madje as engjëjt në qiell, as Biri, veçse Ati.
33 Kini kujdes, mbajini sytë hapur, sepse nuk e dini kur do të vijë koha.
34 Ashtu si njeriu që mori një udhë të largët, la shtëpinë e vet, ua la shtëpinë në ngarkim shërbëtorëve, secilit i caktoi punën e tij dhe e porositi derëtarin t’i mbante sytë hapur.
35 Prandaj të keni kujdes, sepse nuk e dini kur do të kthehet i zoti i shtëpisë, në mbrëmje, në mesnatë, në të gdhirë apo në mëngjes.
36 Se mos vjen papritur e ju gjen duke fjetur.
37 Dhe atë që po ju them juve, ua them të gjithëve: Mbani sytë hapur!”
1 Pas dy ditësh ishte festa e Pashkëve dhe e Bukës së Ndorme; kryepriftërinjtë dhe skribët kërkonin mënyrën se si ta kapnin me dredhi për ta vrarë.
2 “Por jo në ditë feste”, thoshin: “se mos lind ndonjë trazirë në popull.”
3 Kur ishte në Betani, në shtëpinë e Simon të gërbulurit, dhe, kur u shtrua për të ngrënë, u afrua një grua që kishte një enë prej alabastri me vaj erëkëndshëm livandoje të papërzier, shumë të kushtueshëm. E theu enën dhe e derdhi mbi kokën e Tij.
4 Kishte disa që u zemëruan dhe thoshin midis tyre: “Përse të shkojë dëm ky vaj erëkëndshëm?
5 Sepse ky vaj mund të ishte shitur mbi treqind denarë e t’u jepej të vobektëve”, dhe turfullonin kundër saj.
6 Jezusi tha: “Lëreni, përse e shqetësoni? Ajo më ka bërë një vepër të mirë,
7 sepse të vobektët i keni gjithmonë me vete e mund t’u bëni mirë atyre kur të doni, por Mua nuk më keni gjithmonë.
8 Ajo bëri ç’mundi; ajo ka menduar që më parë për ta lyer trupin Tim për varrim.
9 Me të vërtetë po ju them, kudo që të predikohet ungjilli në mbarë botën, do të flitet edhe për atë që bëri kjo grua, për ta kujtuar.”
10 Juda Iskarioti, njëri prej të dymbëdhjetëve, shkoi tek kryepriftërinjtë për t’ua dorëzuar Jezusin.
11 Ata, si e dëgjuan, u gëzuan dhe i premtuan para. Ai përpiqej të gjente rastin që t’ua dorëzonte Atë në kohën e duhur.
12 Ditën e parë të Bukës së Ndorme, kur po bënin fli qengjin e Pashkëve, dishepujt e Tij i thanë: “Ku dëshiron të shkojmë ta bëjmë gati vendin që të hash Pashkët?”
13 Ai dërgoi dy nga dishepujt e Vet dhe u tha: “Shkoni në qytet e atje do t’ju takojë një njeri që mban një shtambë uji; shkoni pas tij.
14 Atje ku të hyjë ai, i thoni të zotit të shtëpisë: ‘Mjeshtri thotë, ku është dhoma e miqve, ku do të ha Pashkët me dishepujt e Mi?’
15 Ai do t’ju tregojë një dhomë të madhe sipër, të shtruar e të bërë gati; atje na e përgatisni.”
16 Dishepujt dolën e arritën në qytet dhe doli ashtu siç u kishte thënë Ai; dhe përgatitën Pashkët.
17 Në të ngrysur, Ai shkoi atje me të dymbëdhjetët.
18 Kur u shtruan e po hanin, Jezusi tha: “Me të vërtetë po ju them, njëri nga ju, që po ha me Mua, do të më tradhtojë.”
19 Ata filluan të trishtohen e t’i thonë njëri pas tjetrit: “Mos jam unë?”
20 Ai u tha : “Një nga të dymbëdhjetët, që po e ngjyen bukën në çanak bashkë me Mua.
21 Sepse Biri i Njeriut me të vërtetë po shkon, siç është shkruar për Të, por mjerë ai njeri që tradhton Birin e Njeriut! Mirë do të ishte për atë njeri të mos kishte lindur.”
22 Kur po hanin, Ai mori bukën, e bekoi dhe pasi e ndau, ua dha atyre dhe tha: “Merreni, ky është trupi Im.”
23 Pastaj, si mori kupën dhe tha lutjen e falënderimit, ua dha atyre dhe të gjithë pinë prej saj.
24 U tha: “Ky është gjaku Im i besëlidhjes së re, që është derdhur për shumë veta.
25 Me të vërtetë po ju them, Unë nuk do të pi më nga fryti i hardhisë, deri në atë ditë kur do ta pi të re në mbretërinë e Perëndisë.”
26 Pastaj si kënduan një himn, dolën për në Malin e Ullinjve.
27 Jezusi u tha: “Të gjithë do të shkandulloheni, sepse është shkruar: ‘Unë do ta godas bariun dhe delet do të shkapërdahen’.
28 Por, pasi të jem ngjallur, do të shkoj para jush në Galile.”
29 Pjetri i tha: “Edhe sikur të gjithë të shkandullohen, unë jo.”
30 Jezusi i tha: “Me të vërtetë po të them, se ti sot, në këtë natë, përpara se të këndojë këndesi dy herë, do të më mohosh tri herë.”
31 Por ai ngulmonte gjithnjë e më shumë: “Edhe po të duhet të vdes me Ty, në asnjë mënyrë nuk do të të mohoj.” Po ashtu thoshin edhe ata të gjithë.
32 Ndërkaq arritën në një vend me emrin Getsemani; Ai u tha dishepujve të Vet: “Uluni këtu ndërsa Unë po lutem.”
33 Mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe filloi të trishtohej plot ankth në zemër.
34 Dhe u tha: “Trishtim i madh e ka pushtuar shpirtin Tim deri në vdekje; qëndroni këtu e mbani sytë hapur.”
35 Si shkoi pak më tutje, ra përtokë e po lutej që, po të ishte e mundur, të largohej prej Tij ajo orë.
36 Dhe thoshte: “Abba, o Atë, për Ty gjithçka është e mundshme; largoje prej Meje këtë kupë; megjithatë jo siç dua Unë, por siç do Ti.”
37 Kur u kthye, i gjeti ata duke fjetur dhe i tha Pjetrit: “Simon, po fle? Nuk mund të rrije një orë zgjuar?
38 Hapni sytë e lutuni, që të mos bini në tundim; vërtet fryma është e gatshme, por mishi është i dobët.”
39 U largua përsëri e po lutej, duke thënë të njëjtat fjalë.
40 Kur u kthye për së dyti, i gjeti duke fjetur, pasi sytë u ishin rënduar. Ata nuk dinin ç’përgjigje t’i jepnin.
41 Pastaj u kthye për të tretën herë dhe u tha: “Ende po flini e po pushoni? Mjaft më, ka ardhur ora. Ja, Birin e Njeriut do ta japin në duart e mëkatarëve.
42 Ngrihuni, shkojmë! Ja, ai që po më tradhton, është këtu pranë.”
43 Dhe menjëherë, ndërsa po fliste, arriti Juda, një nga të dymbëdhjetët, dhe bashkë me të edhe një turmë njerëzish me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë, skribët dhe pleqtë.
44 Ai që e tradhtoi, u kishte dhënë atyre një shenjë, duke u thënë: “Atë që do ta puth, Ai është; kapeni dhe shpjereni të siguruar me roja.”
45 Me të ardhur, iu afrua menjëherë Jezusit dhe tha; “Rabbi!” dhe e puthi.
46 Ata iu hodhën përsipër dhe e mbërthyen.
47 Njëri prej atyre që ishin aty pranë, nxori shpatën dhe e goditi shërbëtorin e kryepriftit, duke i këputur veshin.
48 Jezusi, u përgjigj dhe u tha: “Paskeni dalë me shpata e shkopinj, si kundër një kusari, për të më kapur Mua?
49 Përditë me ju isha në tempull duke i mësuar njerëzit dhe ju nuk më kapët. Por kjo u bë që të përmbushen Shkrimet.”
50 Atëherë të gjithë e lanë dhe ikën.
51 Atij po i shkonte pas një djalosh, i mbështjellë rreth trupit të vet të zhveshur vetëm me një pëlhurë të linjtë; ata e kapën
52 dhe ai, duke lënë pas pëlhurën e linjtë, iku lakuriq.
53 Jezusin e çuan te kryeprifti; të gjithë kryepriftërinjtë, pleqtë e skribët u mblodhën së bashku.
54 Pjetri e ndoqi nga larg deri brenda në oborr të kryepriftit; aty u ul me shërbyesit e po ngrohej pranë zjarrit.
55 Kryepriftërinjë dhe tërë këshilli i lartë kërkonin dëshmi kundër Jezusit që ta vrisnin, por nuk po gjenin dot.
56 Sepse shumë jepnin dëshmi të rreme kundër Tij, por dëshmitë e tyre nuk përputheshin.
57 Disa u ngritën dhe dhanë dëshmi të rreme kundër Tij, duke thënë:
58 “Ne e kemi dëgjuar kur thoshte: ‘Unë do ta shkatërroj këtë tempull, të bërë nga duar njerëzish, dhe brenda tri ditësh do të ndërtoj një tjetër, të bërë jo nga duar njerëzish’.”
59 Por as kështu, dëshmia e tyre nuk përputhej.
60 Kryeprifti, si u ngrit në mes, i bëri pyetje Jezusit duke i thënë: “Asnjë përgjigje nuk po jep? Ç’është kjo që dëshmojnë këta kundër Teje?”
61 Por Ai nuk fliste e nuk dha asnjë përgjigje. Kryeprifti e pyeti përsëri dhe i tha: “Ti je Krishti, Biri i të Bekuarit?”
62 Jezusi tha: “Unë jam dhe Birin e Njeriut do ta shihni të ulur në të djathtë të Fuqisë dhe duke ardhur në retë e qiellit .”
63 Atëherë kryeprifti, duke shqyer rrobat e veta, tha: “Përse na u dashkan ende dëshmitarë?
64 E dëgjuat blasfeminë; si ju duket?” Ata të gjithë e gjykuan fajtor për vdekje.
65 Disa filluan ta pështynin, t’i mbulonin fytyrën, ta godisnin me grushte dhe t’i thoshin: “Gjeje me profeci”; rojat e morën duke e goditur me shuplaka.
66 Kur Pjetri ishte poshtë në oborr, erdhi një nga shërbëtoret e kryepriftit.
67 Me ta parë Pjetrin duke u ngrohur, e vështroi dhe tha: “Edhe ti ishe me Jezusin e Nazaretit.”
68 Por ai e mohoi duke thënë: “Nuk di gjë, as nuk po marr vesh ç’po thua.” Dhe doli jashtë në hajat [dhe këndesi këndoi].
69 Shërbëtorja e pa dhe filloi t’u thoshte përsëri atyre që ishin aty pranë: “Ky është njëri prej atyre.”
70 Ai përsëri e mohoi. Pak më vonë, ata që ishin aty pranë i thanë Pjetrit: “Pa dyshim, ti je një prej tyre, sepse edhe ti je galileas.”
71 Ai filloi të mallkonte dhe të betohej: “Nuk e njoh këtë njeri që po thoni.”
72 Dhe menjëherë këndesi këndoi për të dytën herë. Pjetrit iu kujtua fjala që i kishte thënë Jezusi: “Para se të këndojë këndesi dy herë, do të më mohosh tri herë”. Dhe ia dha të qarit.
1 Me t’u gdhirë, kryepriftërinjë me pleqtë, skribët si edhe tërë këshilli morën menjëherë vendim; pasi e lidhën Jezusin, e morën dhe ia dorëzuan Pilatit.
2 Pilati e pyeti: “Ti je Mbreti i judenjve?” Ai u pëgjigj dhe i tha: “Ti po e thua.”
3 Kryepriftërinjtë e padisnin për shumë gjëra.
4 Pilati e pyeti përsëri dhe i tha: “Nuk paske ndër mend të përgjigjesh fare? Shiko për sa shumë gjëra po të padisin.”
5 Por Jezusi përsëri nuk i dha asnjë përgjigje, aq sa Pilati po çuditej.
6 Tani në kohë feste, ai u lironte atyre një të burgosur, atë që kërkonin njerëzit.
7 Aty ishte edhe njëri që quhej Baraba, i burgosur bashkë me kryengritësit, të cilët kishin bërë vrasje gjatë trazirave.
8 Turma erdhi dhe filloi t’i kërkonte Pilatit që të vepronte si zakonisht me ta.
9 Atëherë Pilati iu përgjigj, duke thënë: “A doni t’ju liroj Mbretin e judenjve?”
10 Sepse ai e dinte që kryepriftërinjtë ia kishin dorëzuar Atë nga smira.
11 Por kryepriftërinjtë e ndërsyen turmën që ta detyronte Pilatin t’u lironte më mirë Barabanë.
12 Pilati u përgjigj përsëri dhe u tha: “Atëherë çfarë doni t’i bëj Atij që ju e quani Mbreti i judenjve?”
13 Ata bërtitën përsëri: “Kryqëzoje!”
14 Pilati u thoshte: “Përse, ç’të keqe ka bërë?” Por ata bërtisnin edhe më shumë: “Kryqëzoje!”
15 Pilati, duke dashur t’i bëjë qejfin turmës, ua liroi Barabanë dhe, pasi e fshikulloi Jezusin, e dorëzoi për ta kryqëzuar.
16 Ushtarët e çuan në pallat, domethënë në godinën e guvernatorit, dhe mblodhën tërë trupën e ushtarëve.
17 E veshën me një rrobë të purpurt dhe, pasi thurën një kurorë me gjemba, ia vunë Atij mbi kokë
18 dhe filluan ta përshëndesin: “Të falemi, o Mbret i judenjve!”
19 E godisnin në kokë me kallam, e pështynin dhe filluan t’i përulen e të binin në gjunjë para Tij.
20 Pasi e përqeshën, i hoqën rrobën e purpurt dhe i veshën rrobën e Tij. Pastaj e nxorën për ta kryqëzuar.
21 Aty pranë po kalonte njëfarë Simoni nga Kirenea, i ati i Aleksandrit dhe i Rufit, që po kthehej nga ara. Ata e detyruan Simonin të mbante kryqin e Tij.
22 E çuan në një vend të quajtur Golgotë, që i përkthyer, do të thotë ‘Vendi i Kafkës’.
23 I dhanë verë të përzier me mirrë, por Ai nuk e mori.
24 E kryqëzuan dhe rrobat e Tij i ndanë, duke i hedhur në short, për të parë se ç’do të merrte secili.
25 Ishte ora e tretë kur e kryqëzuan.
26 Akuza e Tij ishte shënuar me mbishkrimin përsipër kryqit, MBRETI I JUDENJVE.
27 Bashkë me Të kryqëzuan edhe dy vjedhës, njërin nga e djathta dhe tjetrin nga e majta e Tij.
29 Ata që kalonin pranë, e shanin duke tundur kokat e duke thënë: “Hej, Ti që shkatërron tempullin dhe e ndërton në tri ditë,
30 shpëto veten dhe zbrit nga kryqi.”
31 Po ashtu edhe kryepriftërinjtë, duke e përqeshur midis tyre, thoshin bashkë me skribët: “Ka shpëtuar të tjerët; veten e Vet nuk mund ta shpëtojë dot.
32 Le të zbresë tani nga kryqi Krishti, Mbreti i Izraelit, që të shohim e të besojmë.” Edhe ata që ishin kryqëzuar me të, e shanin.
33 Kur erdhi ora e gjashtë, mbi tërë tokën u bë errësirë deri në orën e nëntë.
34 Dhe në orën e nëntë, Jezusi thirri me zë të lartë: “Eloi, Eloi, lama sabaktani?”, që po të përkthehet, do të thotë: ‘Perëndia Im, Perëndia Im, përse më braktise?’
35 Disa prej atyre që rrinin aty pranë, kur e dëgjuan, thanë: “Ja, po thërret Elian.”
36 Dikush vrapoi e mbushi një sfungjer me uthull, e vuri në një kallam dhe ia dha Atij ta pinte, duke thënë: “Lëreni; të shohim a do të vijë Elia ta zbresë poshtë.”
37 Jezusi, pasi nxori një zë të fortë, dha shpirt.
38 Perdja e tempullit u ça më dysh nga lart deri poshtë.
39 Kryeqindësi, që po rrinte mu përpara Tij, kur pa se si dha shpirt, tha: “Vërtet, ky njeri ishte Biri i Perëndisë.”
40 Aty ishin edhe disa gra që po vështronin nga larg, midis të cilave ishte edhe Maria Magdalena dhe Maria, e ëma e Jakobit, të voglit dhe e Jozeut, si edhe Saloma,
41 të cilat, kur Ai ishte në Galile, i kishin vajtur pas dhe i kishin shërbyer; kishte edhe shumë të tjera që ishin ngjitur në Jeruzalem bashkë me Të.
42 Dhe tani në të ngrysur, meqë ishte dita e Përgatitjes, domethënë, dita para së shtunës,
43 erdhi Jozefi nga Arimateja, këshilltar i nderuar, i cili edhe ai priste mbretërinë e Perëndisë; mori guximin të hynte te Pilati dhe i kërkoi trupin e Jezusit.
44 Pilati u çudit kur dëgjoi që Ai tashmë kishte vdekur. Thirri kryeqindësin dhe e pyeti nëse kishte vdekur.
45 Pasi e mori vesh këtë prej kryeqindësit, ia dha trupin Jozefit.
46 Jozefi bleu një pëlhurë të linjtë, e zbriti Atë poshtë dhe e mbështolli me atë pëlhurë. Pastaj e vuri në një varr, që kishte qenë hapur në një shkëmb, dhe rrokullisi një gur në hyrje të varrit.
47 Maria Magdalena dhe Maria e Jozeut panë se ku e vunë.
1 Me të kaluar e shtuna, Maria Magdalena, Maria, e ëma e Jakobit dhe Saloma, blenë vajëra aromatike, që të shkonin e ta lyenin me vaj.
2 Ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, kur kishte zbardhur, ato shkuan te varri,
3 dhe pyesnin njëra-tjetrën: “Kush do të na e rrokullisë gurin nga hyrja e varrit?”
4 Kur ngritën sytë lart, panë që gurin e kishin rrokullisur, megjithëse ishte tepër i madh.
5 Kur hynë në varr, panë një djalosh, ulur në të djathtë, që kishte veshur një petk të bardhë, dhe i zuri frika.
6 Por ai u tha: “Mos u frikësoni. Po kërkoni Jezus Nazaretasin, që është kryqëzuar. Ai është ngjallur, nuk është këtu. Ja vendi ku e vunë.”
7 Por shkoni dhe u thoni dishepujve të Tij dhe Pjetrit: ‘Ai po shkon para jush në Galile; atje do ta shihni, ashtu siç ju ka thënë’.”
8 Ato dolën dhe ikën prej varrit, sepse i kishin zënë të dridhurat dhe tmerri. Askujt nuk i thanë gjë, pasi kishin frikë.
9 Kur u ngjall, ditën e parë të javës herët në mëngjes, iu shfaq së pari Maria Magdalenës, nga e cila kishte dëbuar shtatë demonë.
10 Ajo shkoi dhe i lajmëroi ata që kishin qenë me Të, të cilët po mbanin zi e po qanin.
11 Ata, kur dëgjuan që Ai ishte gjallë dhe që ajo e kishte parë, nuk e besuan.
12 Pas kësaj, Ai iu shfaq në një formë tjetër dyve prej tyre, kur po shkonin në arë.
13 Ata u larguan dhe ua thanë lajmin edhe të tjerëve; as këta nuk i besuan.
14 Më vonë Ai iu shfaq të njëmbëdhjetëve, kur ishin shtruar për të ngrënë, dhe i qortoi për mosbesimin dhe ngurtësinë e zemrave të tyre, që nuk u besuan atyre që e kishin parë Atë të ngjallur.
15 Ai u tha: “Shkoni nëpër gjithë botën dhe predikojini lajmin e mirë çdo krijese.
16 Ai që beson dhe pagëzohet, do të shpëtohet, por ai që nuk beson, do të ndëshkohet.
17 Këto shenja do t’i shoqërojnë ata që besojnë: Në emrin Tim do të dëbojnë demonë; do të flasin në gjuhë të reja,
18 do të marrin gjarpërinj [në duart e tyre], dhe, po të pinë ndonjë gjë vdekjeprurëse, nuk do t’u bëjë keq, do të vënë duart mbi të sëmurët dhe këta do të shërohen.”
19 Zoti Jezus, pra, pasi foli me ta, u mor lart në qiell dhe u ul në të djathtën e Perëndisë.
20 Ata dolën dhe predikuan gjithkund, ndërsa Zoti i ndihmonte, duke vërtetuar fjalën nëpërmjet shenjave që i vinin pas. Amen.