Kur Profeti David thotë “Zemërohuni, por mos mëkatoni”, për mua do të thotë se, nëse dikush të provokon deri në pikën e zemërimit, mos rri i zemëruar. Ti nuk ke asgjë kundër atij që të ka provokuar. Mos u fundos poshtë provokimit. Duan të të provokojnë, që ti të mëkatosh. Në këtë rast Bibla thotë “Zemërohuni, por mos mëkatoni”, në kuptimin që reagimi ndaj dëmit që të kanë bërë është i arsyeshëm, por reagimi kundër atij që ta ka shkaktuar atë dëm, është mëkat.
Kur autori i psalmit thotë “Zemërohuni, por mos mëkatoni”, ai nuk bën zemërimin të lejueshëm, por do të thotë se, nëse lind zemërimi, mos e ço atë në pikën e urrejtjes, sepse ajo që kërkohet si urdhëresë është falja. Është sikur na thotë se Davidi është i vetëdijshëm se zemërimi do të ndodhë, por duhet kufizuar tek ai që është i zemëruar, sepse nuk duhet të përhapet gjetkë. Për ta thënë më qartë, mos u zemëro me të tjerët, sepse ka pasoja të dëmshme.
Provokimi është i mundshëm dhe i natyrshëm. Megjithatë, kur ai drejtohet ndaj dikujt tjetër, është mëkat. Në përvojën time, tek vëzhgoj veten dhe të tjerët, nuk di të ketë zemërim që të mos jetë i dëmshëm për atë që është i zemëruar, si dhe për të tjerët. Është një reagim i zhdrejtë për një plagë të hapur, përderisa Perëndia nuk pranon asnjë përgjigje tjetër përveç faljes.
Ai që zemërohet me ty, lëndon më parë veten e tij. Duhet të të vijë keq për atë që ka plagosur veten, dhe të kesh Perëndinë si ngushëllues. Nëse dikush të shkakton zemërim të madh, atëherë vajto për shpëtimin e shpirtit tënd, dhe shpirti yt do të çlirohet. Kur zemërohesh, vajto për shpirtin tënd, jo për atë që të shkaktoi zemërim, sepse ajo që Perëndia do, është shërimi i tij. Në shumë raste, realiteti i zemërimit është sikur dikush të ka lënduar vetëm ty dhe atë që ti e cilëson si dinjitet tëndin.
Kur reagon ndaj zemërimit që të kanë shkaktuar, ndoshta ti e zmadhon plagën që ke vuajtur. Në këtë mënyrë do të dobësohesh dhe nuk do ta shpëtosh njeriun e zemëratës. Nëse dikush të lëndon, kujto se në realitet ai ka lënduar më parë veten. Je i qëlluar nga goditja e tjetrit, vetëm nëse do që të bëhesh viktima e saj.
Nëse dikush është i zemëruar me ty, ki mëshirë për të. Kujtohu se ai ka nevojë për mirësinë tënde, në mënyrë që të shërohet. Duke të lënduar, ai që të lëndon i dorëzohet nevojës. Thirre Zotin tënd për hir të tij. Edhe kur të dëmton, ai mbetet vëllai yt, edhe pse ai nuk e di këtë. Ai që të dëmton, është njeriu që e di më së miri se ai ka nevojë për mirësinë e Perëndisë, nëpërmjet teje.
Ai që zemërohet, nuk e di se sa të këqijja do t’i sjellë dëmi që i bën vetes. Ai që është objekt i zemërimit ndjen se vetëm ai është plagosur, por në të vërtetë ka dy të plagosur. “Lum ata që iu janë falur mëkatet dhe paudhësitë iu janë mbuluar”.
Nëse dikush është i zemëruar me ty, para se gjithash ki mëshirë për të, sepse ai ka lënduar veten, para se të të lëndojë. Plaga e atij që është objekt i zemërimit, është dija e tij se ai është dëbuar nga ekzistenca, ose të paktën ti e ke përzënë atë nga zemra jote.
Ai që është privuar nga dashuria, mund të bjerë në trishtimin më të skajshëm. Mos mërgo askënd në shkretëtirë. Atje ai mund të vdesë nga asfiksia.
Mitropoliti i Malit të Libanit, George Khodr
(Përktheu At Foti Cici, 29 mars 2019)
Marrë nga blogu, “Shënime mbi Ortodoksinë Arabe”:
Foto: Mozaik i Profet-mbretit David, në kupolën e bazilikës së Shën Markut, Venice, Itali (Shek. XIII)