Në vitin 1950 komuniteti shqiptaro-amerikan kulmoi një krizë përçarjeje, e cila u përqendrua tek personi i Fan Nolit. Konflikti, i cili ishte më tepër politik e më pak kishtar, u shkaktua nga vetë shqiptarët, të cilët kishin vite që kërkonin zëvendësimin e Nolit me një peshkop tjetër. Ata e akuzonin kryepriftin e tyre si “komunist”, duke u nisur edhe nga mëri personale, si dhe duke shfrytëzuar lëvizjen antikomuniste që përshkonte ato vite Amerikën. Në vijim, shqiptarët kërkuan ndihmën e grekëve, për të eleminuar prelatin plak.
Kjo fushatë vëllavrasëse u stimulua nga politikat që mbizotëruan në Shqipëri dhe Greqi. Në vitin 1948 qeveria komuniste kërkoi dorëheqjen e kryepeshkop Kristofor Kisit, i cili si i arsimuar e i shuguruar peshkop në Stamboll, konsiderohej si njeri i patrikanës. Në vend të tij u fronëzua kryepeshkop Paisi Pashko (Vodica), i cili nuk u njoh nga patrikana dhe admiruesit e saj. Nga kahu tjetër mbarimi i luftës civile në Greqi, kur komunistët humbën bashkë me mundësinë e pushtetit edhe shumë njerëz, mori trajtë politike të skajshme. Këto zhvillime u dhanë rast dy peshkopëve të dëbuar nga Shqipëria, Pandeleimon Kotoko dhe Evllogji Kurilla, për të propoganduar kundër komunistëve, të cilët i kishin shpallur dy filogrekët armiq, dhe të cilët mbanin “nën zgjedhë Vorio Epirin”. I shenjuar ishte edhe Noli “i kuq”, i cili mbante lidhje kishtare me sinodin e ri “antikanonik” të Tiranës.
Mbasi disa kisha shqiptare u shkëputën nga juridiksioni i peshkop Nolit, ato kërkuan vartësi me kishën greke. Duhet të kthjellojmë këtu se atëherë kishat shqiptare nuk ishin të bashkuara, e gjithmonë nën një peshkop, gjë që u arrit vetëm kur peshkopata doli nga pavarësia dhe u pranua në juridiksionin e Kishës Ortodokse në Amerikë. Në vitet 40 kishte kisha shqiptare të cilat herë e njihnin e herë nuk e njihnin Nolin, gjë që e bënte pozitën e tij kishtare edhe më të brishtë. Patrikana dërgoi atëherë në Amerikë një peshkop shqiptar, Marko Lipen. Konflikti i viteve 50 dëshmohet ende sot me dy kisha të shkëputura nga bashkësia shqiptaro-amerikane, që i përkasin sot juridiksionit të patrikanës së Stambollit. Prandaj dhe në këtë shkrim janë qartësuar dhe rrethanat e statusit kishtar të Nolit.
Përgjegjësia e shqiptarëve në këtë mes është heshtur nga e kaluara, ndërsa sot disa mbijetues në diasporë kanë vendosur të historizojnë, ndoshta edhe për t’u shfajësuar. Duke parë e përjetuar gjatë viteve të fundit fenomene të njëjta, të cilat mund të shkaktojnë situata të ngjashme sot, u përpoqa të përvijoj situatën e atyre viteve, duke kryqëzuar të dhënat e kohës me njerëz të kishës, të jashtëkishës e të kundërkishës. Kjo është arsyeja që ky shkrim do të ketë më shumë referenca nga ç’dëshiron shkruesi.
Shqiptarë e grekë kundër Fan Nolit
Përshtypja e brezit tonë është se shqiptarët kanë qenë gjithmonë të pafajshëm në konfliktet shqiptaro-greke, sidomos në diasporë, dhe prandaj në pafajësi duhet përvijuar dhe e ardhmja e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Kur bisedat bëhen midis nesh, është e natyrshme të dëgjohen vetëm zërat tanë. Të vdekurit nuk kanë gojë, ndërsa të përlyerit e gjallë nuk flasin tjetër gjuhë veç monologut. Në rastin e viteve 50, veçse, përçarja midis shqiptarëve të Amerikës ishte ajo që shkaktoi ndërhyrjen e qarqeve greke dhe këtë përvijojnë edhe dëshmitë dokumentare. Sulmet kundër Nolit nisën dhe u rezistuan brenda komunitetit shqiptar. Qerim Panariti (1892-1976), editor i Diellit dhe sekretar i Vatrës, si dhe një nga njerëzit e afërt të Nolit, do të citohet këtu begatshëm:
“Kryqin më të rëndë që mbajti Noli mi supet e lodhura, ka qënë kryqi i Dr. John Nasse-it, banor në Southbridge […] Më 1937 komuniteti Shqiptar i Southbridge-it u-shtua dhe u-shumëzua dhe kisha e vjetër, ngritur më 1912, ish tepër e vogël për të akomoduar një popull të math. Dr. Nasse-lojti një rol të math për ngritjen e kishës re në truallin e kishës vjetër. Mjerisht, gjithë këtë vit, Dr. Nasse-i u përfol me Nolin dhe filloj veprimtarin e tij për të gjetur një peshkop tjatër për Dioqezën Shqiptare t’Amerikës, dhe filloi punën duke i shkruar Pandelimon Kotokut të vinjë n’Amerikë të kryesonjë dioqezën në fjalë. Pandelimon Kotoku iu përgjiq se vjen n’Amerikë po ta ftonjë Noli.”[1]
Vetëm nga ky pasazh, nga një burim shqiptar-shqiptar, pra, del se konflikti është shumë më i përparshëm sesa viti 1950, dhe fakti se një shqiptaro-amerikan, me influencë në ato vite, i bën luftë të hapur peshkopit të tij, tregon se sa të zbehta janë vlerësimet tona për Nolin e gjallë dhe ditët e tij të trazuara.
Më vonë peshkop Kotoko ndryshoi mendje dhe shkoi në Amerikë. Fillimisht në vitin 1947, por me mision politik dhe jo kishtar. Bashkëmeshtari i tij, mitropolit Jerothé Jahopulli, ndoshta figura më dramatike e ortodoksisë shqiptare (ishte ai që së bashku me kryepeshkopin e mëvonshëm Kristofor Kisi, shuguroi Nolin peshkop, por më vonë u dëbua nga Shqipëria), i shkruan Kotokos nga Mali i Shenjtë (Athos-Greqi):
“Mësova me gëzim se ndodheni në Amerikë, pranë bashkëpatriotit tim, mitropolitit Athinagora, me të cilin dhe bashkëpunoni për çështjen kombëtare, për çlirimin e atdheut tonë nga zgjedha e rëndë […] I pata shkruar një letër Peshkop Theofanit (Fanolit), nëpërmjet protoprezviterit Dhim. Iliopulos, i cili m’u përgjigj dhe më dërgoi dhe njëzetë dollarë si ndihmë […] Νë qoftë se do i Larti dhe vëllai ynë në Krishtin, shenjti i Amerikës Athinagora, lartësohet drejt fronit ekumenik, atëherë jam më se i sigurt se edhe kisha në Shqipëri do të ecë në udhën e drejtë dhe ky që shkruan do të braktisë jetën e murgut në Malin e Shenjtë. Hyrja në fronin ekumenik kalon nga presidenti i Amerikës dhe ambasadori turk atje.”[2]
Tema jonë këtë herë nuk është patrikana dhe as çështja e zgjedhjes së hierarkëve të saj, duke përfshirë edhe peshkopët në shërbim të shqiptarëve në të kaluarën dhe sot. As kemi për qëllim të trajtojmë teologjinë e këtyre veprimeve, sendërgjitë e së kaluarës, sidomos kur i lutemi Shpirtit të Shenjtë që të kalojë më parë për ndikim e miratim nga presidenti amerikan dhe ambasadori turk. Ajo që ka lidhje me bisedën tonë është se edhe Jerotheu, i cili ishte shumë më kishtar e qëndronte politikisht larg nga Kotoko e Kurilla, e njihte mirë situatën; kryepeshkopi Athinagora, i cili ishte shqipfolës i nyjëtuar sa herë që nevojitej, u fronëzua Patrik Ekumenik në Stamboll. Kur Athinagora u ngrit në fronin e Kostandinopojës, bëri lëvizje që u interpretuan nga shqiptaro-amerikanët si tentativa përçarjeje, siç ishte dërgimi i peshkop Pandeli Kotokos.
Jetëshkruesi i Nolit, Qerim Panariti, pavarësisht se nuk ishte në dijeni të mendësisë e të hollësive kishtare, vazhdon: “Refuzimi i Kotokut të vinjë n’Amerikë s’e dëshpëroj shumë Dr. Nassen, dhe vazhdoj vendetën kundër Nolit. Më 1949 dy priftërinj të zemëruar informuan Dr. Nassen se në Stamboll ndodhej një burrë i ri me edukatë të gjerë që munt të zërë vëndin e Nolit. Njëriu në fjalë ish Mark Lipa, i cili u-bë dhjak, prift dhe dhespot brënda një kohe të shkurtër dhe më 1950 ardhi n’Amerikë. Çuditërisht në këtë intrigë bëri pjesë dhe Presidenti Harry S. Truman duke lehtësuar hyrjen e Lipës n’Amerikë jashtë ligjit të imigracionit. Lumtërisht patriotët e Southbridge-it, kundër dëshirës të Dr. Nasse-it, refuzuan të vënë kishën e tyre nënë juridikën e Lipës. Mjerisht Dr. Nasse-i vazhdoj vendetën kundër Nolit në mënyra të tjera. Për shëmbëll, refuzoj për një kohë të gjatë të pranonjë Nolin të mbanjë meshë Peshkopale në Shën Kollin e Southbridge-it.”[3]
Lufta kundër Nolit filloi brenda komunitetit, pra, nga vetë shqiptarët, për arsye politike e personale, kryesisht, dhe kështu i rendit rreziqet vetë peshkopi, kur vuri në dijeni përfaqësinë e qeverisë shqiptare në Nju Jork: “Po më luftojnë brenda kishës elementë ambiciozë e antikombëtarë, po më luftojnë edhe nga jashtë, nga Patrikana greke e Stambollit, e cila ka përgatitur edhe njëfarë Marko Lipa për ta bërë peshkop të shqiptarëve të Amerikës në vendin tim.”[4]
Kjo dëshmi shënon vitin 1949, një vit para shugurimit të Marko Lipes peshkop. Pra, përçarja dhe lufta kundër Nolit ishte e tillë saqë shqiptarët kërkonin me çdo kusht eleminimin e tij, qoftë dhe duke vënë në vend të tij një djalosh që sapo kishte përfunduar studimet teologjike. Duke analizuar situatën e atyre viteve e duke pasur parasysh politikat kishtare të patrikanës, pyesim: Në qoftë se patrikana kishte plane serioze për të eleminuar Nolin, përse të mos e shuguronte Lipen në fshehtësi, dhe po kështu ta dërgonte në Amerikë?! Dëshmitë gjakftohta vërtetojnë se Marko Lipe u ngjiz si pasojë e përçarjes brendashqiptare dhe kjo përçarje ishte kaq e fortë, saqë bisedohej për vite të tëra, haptazi. Përndryshe nuk dimë nëse patrikana do të aktivizohej me shqiptarët e Amerikës. Por peshkop Noli u tregua i fortë dhe e vetmja mënyrë për ta ulur ishte ajo që Hirësia e Tij nuk e priste kurrë nga shqiptarët: Bashkëpunimi i shqiptarëve me qarqe antishqiptare.
Përderisa Noli luftohej i kërcënuar nga shqiptarë e grekë, cilat ishin lidhjet e tij me priftërinjtë shqiptarë, vartësit e tij? A nuk duhet të ishin ata ngushëllimi i prelatit të tyre që po pleqërohej në përndjekje?
“S’i bëjmë nonjë padrejtësi as Nolit as klerit, po të shtrojmë faktet thjeshtë në lidhje me relacionet e klerit me Nolin, të cilat, me fjalë të peshuara mirë, kanë qenë miserabile. Të gjitha andrallat që pati Noli gjatë administratës si udhëheqës spiritual i kishës, i pësoj nga një pjesë e klerit të pabindur. Kisha e Shën Trinisë që gëzon Mark Lipa sot, u-çkëput prej Kryekishës Shën Gjergji prej një prifti të zëmëruar. Shën Joan Pagëzori u-nda nga Shën Gjergji prej një prifti të pabindur. Dy priftërinj të tjerë u-bënë shkak për prurjen e Mark Lipës n’Amerikë […] Noli si duket u-tmerrua, se iu duk sikur hunda e kamiles Greke po i qasej çadëres të kishës Orthodokse Shqiptare” […] Konflikti i kishës Greke me kishën Orthodokse Shqiptare s’është fetar, është politike. Shqiptarët janë tepër sensitiv kur flasin për bashkim me Grekët.”[5]
Përderisa na është imponuar, me anë të përsëritjes, se ishin grekët ata që luftonin Nolin dhe ata që sollën thyerjen e diasporës sonë, ndërsa ne kemi qenë gjithmonë viktima, habia e brezit tonë sjell pyetje që nuk kanë përgjigje: Përse shqiptarët iu drejtuan kishës greke, kur nga ana tjetër ankoheshin se qëllimet e saj ishin të dëmshme ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve? Personazhe të rrëmujave tona kishtare, të cilët konvencionalisht i quajmë autoqefalistë, janë vetëzbuluar dy vjetët e fundit të fshihen në rrethana të ngjashme, duke u orvatur të bashkëpunojnë nën rrogoz e jashtë ligjit me njerëz të kampeve që urrejnë, vetëm e vetëm për të sjellë përndotje tek ata që premtojnë ndriçimin e çështjeve të errësuara.
Ortodoksia zyrtare dhe peshkop Theofani
I ndodhur nën një presion të gjithanshëm e në moshë të thyer, Noli kërkoi, në pranverën e vitit 1949, ndihmën e kishës mëmë, Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, nëpërmjet përfaqësuesve të Shqipërisë në SHBA: “Tani, jo vetëm që unë po plakem shumë, po ka filluar një luftë e vërtetë nga Patrikana e Stambollit kundër meje dhe kundër kishës sonë këtu. Kësaj së keqeje duhet t’i dalim përpara. Prandaj dua që Sinodhi i Kishës Autoqefale në Shqipëri të pranojë ta njohë kishën e këtushme si degë të saj për të gjitha efektet.”[6]
Ky ishte një hap rrezikues për vetë faktin se afiliimi i peshkopatës shqiptare në Amerikë me Shqipërinë, do t’i hapte peshkopit probleme më të vështira me qeverinë amerikane, ndërsa deri atëherë çështja ishte e zgjidhur jozyrtarisht: Noli ishte i pavarur administrativisht, ashtu si dhe njësi të tjera peshkopale ortodokse ato vite, gjë që e mbante peshkopatën larg telasheve me qeverinë amerikane, ndërsa në thelb Noli ishte në kungim me KOASH-in, gjë do ta dëshmojë dhe vetë kisha greke, siç do të përmendim më poshtë.
Kryepeshkop Paisi, i cili ishte zgjedhur në vitin 1948, thirri kongresin kishtar në vitin 1950. “Këto ditë në Shqipëri u mblodh Kongresi i Kishës Autoqefale të Shqipërisë dhe, me rezolutë të veçantë, vendosi që Kisha Shqiptare e Amerikës e drejtuar nga peshkop Noli të lidhet me atë të Shqipërisë. Rezolutën ia dërgova Peshkopit, besoj edhe ju do ta shihni në Buletinin e legatës sonë dhe në shtypin aty. Uroj që ky vendim të ndihmojë në forcimin e kishës rreth Peshkopatës dhe në bashkimin e të gjithë shqiptarëve.”[7]
Dëshmia e Behar Shtyllës kryqëzohet me nenin IX të statutit të fundit të KOASH-it, të sanksionuar në të njëjtën periudhë, ku parashikohet organizimi i diasporës në peshkopata më vete të varura nga Tirana. Në kushtet e Shqipërisë së atëhershme, nuk kishte si të parashikohej emigracioni i sotëm, por ishte fjala për shqiptarët e Amerikës. Përçarja e komunitetit shqiptar, fushata e dy peshkopëve Kurilla e Kotoko në Greqi, të cilët luteshn që mbas luftës të ktheheshin shëndoshë në Korçë e Gjirokastër, respektivisht, e të tjera, ishin të mjaftueshme për të arritur në marrëveshje të tilla midis qeverisë komuniste, kryesisë së KOASH-it, dhe peshkop Theofan Nolit. Brezi i sotëm e ka të vështirë të kuptojë lidhjen e Nolit me regjimin e diktaturës, por nëse e trajtojmë këtë çështje në planin krahasimor me kishat e tjera lindore, peshkopi shqiptar kishte dy zgjidhje: Ose të ndërpriste lidhjet me Shqipërinë, ose të braktiste priftërinë dhe Peshkopatën.
Po kisha greke? Cili ishte qëndrimi i saj ndaj Nolit? Profesori i historisë kishtare në Universitetin e Selanikut, Apóstolos Glavinas, të cilin cituam më sipër, ka shkruar një vepër unike mbi historinë tonë kishtare, më e plota që ekziston, por nga pikëpamja e njëanshme. Nuk ka nevojë për përsiatje se përse në botimin e katërt të përpunuar të kësaj historie kishtare, termat mbi Nolin nuk kanë ndryshuar. Duke mos etiketuar qëndrimin e tij anëcak, Glavinas e trajton fare kështu temën e përçarjes së shqiptarëve në Amerikë:
“Më 31 gusht 1950 Patrikana Ekumenike zgjodhi arqimandritin Marko Lipe si peshkop asistent të kryepeshkopit të Amerikës, me titullin Peshkop i Lefkës. Marko ishte shqiptar dhe kuptohet se ai do t’iu shërbente shqiptarëve të Amerikës, të cilët ishin kundërshtarë të regjimit komunist në Shqipëri. Por ky emërim shkaktoi zemëratën e peshkopit shqiptar Theofan (Fan) Noli, i cili banonte në Amerikë dhe ishte udhëheqës i shqiptarëve ortodoksë të atjeshëm. Theofan Noli nxitoi menjëherë të vërë në dijeni Sinodin e Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe primatin e saj, kryepeshkop Paisin, me të cilin ishte në kungim.”[8]
Vetëm nga ky vlerësim lakonik i profesorit, i cili në raste të tjera është tejshtjellues në çështjet shqiptare, edhe atëherë kur nuk është e domosdoshme, burojnë shumë të vërteta; ja disa prej tyre:
- Kisha e Madhe e Krishtit, Patrikana Ekumenike e Kostandinopojës, sipas Glavinës, i ndan anëtarët e kishës ortodokse në komunistë dhe antikomunistë, duke shfrytëzuar përçarjen e shqiptarëve.
- Burimet zyrtare greke ua fshehin bashkëkohësve të vërtetën se Marko Lipe ishte laik/civil dhe u shugurua dhjakon, prift dhe peshkop si rrufe, duke tejkaluar ligjet kanunore. Nëse kjo shkelje duhej pranuar, me praktikën e ekonomisë kishtare, atëherë përse sinodi i KOASH-it nuk shuguron sot dy klerikë ose laikë nga ata që posedojnë në Shqipëri, qoftë dhe me aftësi të kufizuara, për të plotësuar dy mungesat në peshkopë që ka kisha ortodokse në Shqipëri? Çfarë arsyeje pritet për një ripërdorim të ekonomisë kishtare tek shqiptarët, kur ajo është përdorur më parë për t’i përçarë ata? Një qëndrim i tillë sot, sidomos mbas ndonjë ndryshimi të beftë, mbart premisat për ta çuar KOASH-in sërish në vitet 30.
- Peshkop Theofani ishte në kungim me kryepeshkop Paisin, të cilin patrikana nuk e njihte për kanonik. Pra, Noli ishte njësoj “antikanonik” sa gjithë peshkopët e tjerë shqiptarë të atyre viteve, përveç hierarkëve të shuguruar nga patrikana.
A ishte ky fakt legjitim që kisha ortodokse ta hiqte qafe Nolin, mbas largimit të kryepeshkop Kristoforit? Por a nuk ishte Kristofori ai që bashkëshuguroi Nolin peshkop në vitin 1923, me mitropolit Jerotheun, që të dy të ardhur nga patrikana?
Le të ndjekim vijimin e ngjarjeve përmes dëshmive të qëmtuara. Kryepeshkop Paisi, i bindur nga të dhënat e mitropolit Theofanit, dhe i nxitur nga qeveria si dhe ngjarjet që pasuan mbërritjen e peshkop Markos në Boston, protestoi tek të gjithë primatët e kishave ortodokse, duke e nisur me patrikun e Rusisë:
“Këto aksione të Patrikanës Ekumenike kanë për qëllim të thyejnë unitetin kishtar e kombëtar të shqiptarëve ortodoksë në Amerikë, duke iu shërbyer në të njëjtën kohë interesave armiqësore të shovinizmit grek, të cilat i kundërvihen të drejtave kishtare e kombëtare dhe interesave të kishës ortodokse autoqefale shqiptare dhe të popullit shqiptar […] Në emër të Sinodit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të klerit dhe popullit të saj, protestoj me indinjatë dhe i lutem Patrikanës Ekumenike t’iu japë fund veprimeve të tilla, të cilat përdhosin parimet e Kishës Ortodokse Lindore dhe miqësinë e vëllazërimin midis popujve. Gjithashtu kërkoj nga Patrikana Ekumenike, të rishikojë dhe të anullojë vendimin e paligjshëm mbi caktimin e Marko Lipes si peshkop i kishës ortodokse shqiptare në Amerikë. Në të njëjtën kohë, iu lutem nxehtësisht gjithë patrikëve të hirshëm të Kishës Ortodokse për të ndërmjetësuar e kërkuar nga Patrikana Ekumenike ndaljen e veprimeve armiqësore dhe kthimin tek udha e fesë së vërtetë ortodokse.”[9]
Patriku Aleksej i Moskës i përgjigjet sivëllait të tij primat dhe kjo ngjyron një situatë të re ndërkishtare. Përderisa patrikana e Stambollit nuk e njihte kryepeshkopin e ri të Shqipërisë, kishës ruse i ishte dhënë rasti i amësisë honorale:
“Fortlumturi! Kisha ortodokse ruse bashkon zërin e saj me ankesën e Fortlumturisë Suaj, kundër ndërhyrjeve të fronit patriarkal të Kostandinopojës në të drejtat kanunore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. […] Një shkelje e tillë, nga ana e fronit të Kostandinopojës në të drejtat e kishës shqiptare, nxin unitetin dhuntishpirtëror të Ortodoksisë. […] Kisha ruse ngre zërin e saj për të mbrojtur të drejtat kanunore të kishës ortodokse shqiptare, për më tepër se vetë kisha ruse është bërë pre e veprimeve antikanonike të fronit të Kostandinopojës gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit.”[10]
Ngadhnjimi i prelatit
Megjithëse peshkop Marko Lipe u vendos në SHBA, ai nuk mundi të sendërtojë planet e shqiptarëve për zëvendësimin e Theofan Nolit. Shkëputja e dy kishave shqiptare dhe futja e tyre nën juridiksionin e kishës greke, megjithëse dëshmon një thyerje të bashkësisë shqiptare, u trajtua si “shpëtim” dhe madje peshkopi plak rrëfen i gjysmargëtuar tek Behar Shtylla:
“Edhe kishën shqiptare, edhe mua vetë nuk na kursyen. Sebep e dyfek me çark kundër kishës dhe kundër meje u bë çështja e Marko Lipes. Ky i mjerë u bë vegël qorre e Patrikut grek, duket iu rrit mendja si bretkocës së përrallës, por edhe këtu, për fat të keq, u gjendën ca shqiptarë të molepsur që e përkrahën. […] E gjithë kjo manovër për të sjellë Marko Lipen në krye të kishës shqiptare të Amerikës dështoi dhe u dërrmua. Shpëtoi kisha, shpëtoi dhe kollonia dhe e ardhmja e shqiptarizmës në Amerikë.”[11]
Kjo nuk do të thotë se fushata ndërluftuese kundër Nolit mori fund. Termat u ndërsollën. Mbasi dështoi eleminimi i mitropolitit, peshkop Marko kërkoi të pranohej dhe të futej në peshkopatën e Nolit:
“Në vitin 1963 një shoqatë shqiptare, “Albanian Veteranës, u-shtynë prej klikës së Mark Lipes që të mbajnë dy mbledhje për të prurë Lipën në Kishën Shqiptare autoqefale. Veteranët hoqnë dorë kur kuptuan intrigën e Grekëve.”[12] Po këtu, i njëjti dëshmues, Qerim Panariti, shkruan se kisha greke kërkoi bashkëpunimin e tij, nëpërmjet një avokati grek, për të ndërhyrë tek Noli mbi pranimin e Marko Lipes në gjirin e peshkopatës. Pra, problemi tashmë trajtohej se çfarë do të ndodhte me komunitetin shqiptar mbas Nolit. Por një pyetje ka mbetur pa përgjigje nga ana e kishës greke: Si do të bashkëmeshonte peshkop Marko me peshkop Theofanin, kur ky i fundit ishte “antikanonik”? Një akt i tillë, bashkëmeshim me klerikë jokanonikë, është standard i dyfishtë për praktikën e kishës ortodokse.
Nga njëra anë kërkohej të bashkonin Nolin me Lipen, ndërsa nga ana tjetër nuk e pranuan atë tek sinodi i peshkopëve ortodoksë kanonikë të Amerikës, i cili ishte krijuar në vitin 1960. Nuk e pranonin pikërisht sepse prania e Marko Lipes në kishën greke, e cila kryesonte këtë forum, vinte në konflikt me ekzistencën e Nolit në SHBA, pavarësisht se në realitet duhet të ishte e kundërta: Peshkop Theofani parabaritonte në Amerikë. Mospërfshirja në SCOBA, siç quhet sinodi i peshkopëve kanonikë, ishte ndoshta brenga më e madhe e Nolit. Ai punoi e ëndërroi kaq shumë për ortodoksinë amerikane, por më në fund mbeti jashtë nusërores.
Nuk dimë me saktësi se çfarë ndiente Noli në thelb dhe se ku fillonte e ku mbaronte emocioni. Në një letër drejtuar prelatit rus të Amerikës, ai shfaqte dikur vizionin e tij për strukturën e një kishe ortodokse amerikane autoqefale, e cila Kishë a Patrikanë duhet të përjashtonte nga kryesia kishën greke. Edhe kur kjo filloi të strukturohet nëpërmjet forumit SCOBA, kryetar i të cilit u caktua kryepeshkopi grek, Noli, nisur vetëm nga ky fakt, vazhdonte të përfliste bashkimin e ortodoksëve amerikanë. Parashikimet noliane se SCOBA është plani “grek” i amerikanizimit, nuk mbështeteshin asgjëkundi, përveçse në ndjenja emocionale. Veçse asnjë kishë tjetër etnike në SHBA – që të gjitha më të fuqishme se ajo shqiptare – nuk kishin arsye të ngjashme me Nolin tek kundronin kishën greko-amerikane.
Mosnjohja e peshkopit, nga kahu tjetër, lëvizte në një nivel legalistik, sesa legal, sidomos kur bëhet fjalë me termat e peshkopatit grek. Behar Shtylla shënon në ditarin e tij, se në vitin 1956 dëgjoi Zërin e Amerikës, një lajm, pra, ku Noli bashkëmeshonte me klerikë të disa juridiksioneve kishtare ortodokse: “Në qytetin Bridgport u mbajt një ceremoni fetare ku morën pjesë mbi 600 vetë, shqiptarë, rumunë, rusë, sirianë etj. Peshkop Noli […] udhëhoqi meshën i ndihmuar nga priftërinj rusë, karpato-rusë, rumunë, shqiptarë, sirianë.”[13] E pra, cili peshkop ortodoks i lejon priftërinjtë e tij të bashkëmeshojnë me një peshkop të paligjshëm?
Edhe pse në ditët e Nolit në Amerikë kishte mjaft hierarkë të pavarur, njiheshin peshkopët që posedonin në kryepriftërinë e tyre të pacënuara procedurat e trashëgimisë, aq më tepër për një peshkop si Theofani, i cili e kishte marrë hirin e kryepriftërisë nga vetë hierarkët e Patrikanës, në vitin 1923.
Mbasi sollëm këtu dëshmi të asaj kohe, duke ndriçuar aspekte të pashtjelluara të jetës kishtare të Fan Nolit, na mbetet tashmë të shohim çështjen e pavarësisë së tij kishtare. Kjo është një nga akuzat që përdoret shpesh kundër tij: Marko Lipe ishte i patrikanës, ndërsa Noli ishte i pavarur dhe si rrjedhojë “i paligjshëm”. Noli mund të ishte i izoluar si peshkop, për arsye më se të justifikuara atëherë, por kur ky nisi priftërinë, shumë priftërinj grekë silleshin ato dhjetëvjeçarë nëpër Amerikë si të pavarur, përderisa vetëm rusët kishin prani peshkopale në Amerikën e Veriut, ndërsa kisha greke vetëm në vitet 20 u organizua në kishë kanonike, me peshkop të caktuar nga patrikana (Ende sot ekzistojnë në SHBA e Kanada, mbetje të asaj periudhe kishtare, me peshkopë e priftërinj të pavarur).
Duke vijuar në shënimet e Behar Shtyllës, për çështjen e afiliimit të Nolit me Tiranën, si shpjegohet që KOASH-i vendosi ta fusë peshkopatën e Amerikës nën juridiksionin e saj në vitin 1950, siç përshkruam më sipër, por në realitet kjo nuk ndodhi? Sepse rezoluta u miratua me kërkesën e vetë peshkop Theofanit dhe iu përcoll këtij nga përfaqësia e qeverisë shqiptare. Përse jo atëherë?
“Disa herë kuvendi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë ka diskutuar çështjen e bashkimit me Kishën Autoqefale të Shqipërisë. Ai arriti në përfundimin se rrethana politike tej kontrollit të tij e bëjnë të pamundur këtë bashkim. Madje ai mendon se edhe sikur gjendja ndërkombëtare të ndryshojë, nuk do të ishte e këshillueshme që peshkopata e Amerikës të vendoset nën juridiksionin e një kishe mëmë jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas traditës ortodokse të Lindjes, duhet që çdo shtet i pavarur të ketë një kishë ortodokse të pavarur, prandaj duhet të formohet një patrikanë ortodokse amerikane, e cila të përmbledhë të gjitha grupimet ortodokse të këtij vendi. Kurdoherë që të organizohet një strukturë e tillë, kisha ortodokse shqiptare në Amerikë do të ishte e lumtur të bëhej pjesë e saj, së bashku me grupimet e tjera ortodokse.”[14]
Me këto fjalë të peshuara e të qarta, Noli na thotë gjithçka për motivimin e “pavarësisë” së tij kishtare. Marko Lipe nuk mundi ta pushtojë peshkopatën, veçse të thyejë një pjesë të vogël të saj. Rrjedhimisht, ngurrimi i Nolit për t’u afiliuar me Tiranën në fund të viteve 40, u shtua mbas ardhjes së Lipes dhe dështimit të tij në Amerikë, në fillim të viteve 50. Për më tepër, dhe kjo është arsyeja më e fortë, kjo ngjarje përkoi me shtimin e lëvizjes antikomuniste në SHBA, nga e cila rrezikohej peshkopi, siç u sulmua në shtyp më vonë, dhe madje u thirr në pyetje nga autoritetet amerikane. Por kishërisht, në një perspektivë thelbësisht ortodokse, ai ishte dhe mbeti në kungim me KOASH-in, kishën autoqefale që pati bashkëthemeluar në vitin 1923, pavarësisht nga trajta e pavarësisë administrative.
Para se të mbyllte sytë, në vitin 1965, ai dërgoi në Tiranë At Stefan Laskon, i cili u shugurua peshkop dhe u kthye në Boston, në këmbë të parardhësit dhe atit të tij shpirtëror, Theofanit. Dhe ky fakt ortodoks është kryeshenja që mbron statusin peshkopal të Theofan Nolit, i cili mjerisht përgojohet sot nga klerikë të përvojës e rishtarë kishëzues.
Kur Vatra po hapte një fushatë për të blerë një shtëpi për peshkopin, një përikje pune për plakun e pashteruar në krijimtari, mjaft shqiptarë patriotë e luftuan. “Shumë prej atyre që derdhin lotë krokodili sot për Nolin, si për shëmbëll, udhëheqësit e Organizatës ‘Shqipëria e Lirë’, jo vetëm që refuzuan të ndihmojnë, po e lëftuan fushatën me çdo mënyrë. Fjalët Shqip: ‘Vdis pa të të dua’ aplikohen një qint për qint në këtë rast.”[15]
Fushata kundër Nolit, e cila filloi në nivele personale e politike brenda komunitetit shqiptar në SHBA, dhe që u zhvillua në mënyrë ndërluftuese, duke kryqëzuar pasione njerëzore, sidomos hakmarrje, e interesa politike, shqiptare e të huaja, mori gjatë udhës një trajtë kishtare, e cila, nëse shihet në mënyrë të paanshme, ngre lart një figurë të madhe, Fan Nolin, dhe ul shumë shitblerësit e virtytit të munguar: Mirëkuptimi dhe pranimi i diferencave brendashqiptare.
Noli është kaq zotërues saqë nuk ka nevojë për pasthirrmat banalizuese të të pathirrurve. Jeta dhe vepra e tij kërkon nga brezi i pasdiktaturës që të nxjerrë mësime të vlefshme për të zgjidhur situata të ngjashme, nga njëra anë, dhe për të këmbëngulur në risimin e mendimit shqiptar, nga ana tjetër. Noli është didaktik për të mos i mëshuar më përçarjes së shkaktuar nga mendësitë e tejkaluara. Fan Noli, Plaku i Amerikës, nuk përdori shpifje e denigrime për të mposhtur ata që nuk pajtoheshin me qëndrimet e tij, siç po ndodh sot në komunitetin shqiptaro-amerikan. Individë që e kaluan gjithë jetën në enigmë, që kishin harruar se ishin shqiptarë, që nuk shkuan as në varrimin e Nolit, që nuk dihet mirë se me se u morën gjithë jetën, sidomos kur rronte Noli, dolën këto vitet e pleqërisë e të shpresës, për të na bërë kanunin e shqiptarisë.
Fan Noli, me të njëjtën mënyrë që kishte altarizuar “lirinë e mejtimit”, po ashtu kishte kryelartësuar edhe debatin prodhimtar, i mohuar sot nga personazhet që mëtojnë të influencojnë në çështjet e ortodoksisë shqiptare.
At Foti Cici
Koha Jonë, 6 tetor 2003
—————————-
[1] Qerim Panariti, “Noli: Princ i pakurorëzuar i Rilindjes Shqiptare”, Fan S. Noli, Albumi II, f. 106-107.[2] Letër e mitropolitit të Militupojës Jerothé, 15 gusht 1947, cituar nga Apóstolos Glavinas, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë (Απόστολος Γλαβίνας: Η Ορθόδοξη Αυτοκέφαλη Εκκλησία της Αλβανίας), 1998, f. 122-123.
[3] Qerim Panariti, Albumi II, f. 107.
[4] Behar Shtylla, Fan Noli siç e kam njohur, 1997, f. 96.
[5] Qerim Panariti, Albumi II, f. 101-102.
[6] Behar Shtylla, Fan Noli siç e kam njohur, f. 94.
[7] Po aty, f. 94-95.
[8] Apóstolos Glavinas, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, f. 128-129.
[9] Po aty, f. 129-130.
[10] Po aty, f. 130-131. Patrikana greke e Stambollit përmendet tri herë në këtë fragment të shkurtër, por jo si Ekumenike, pikërisht se Patrikana e Moskës e thërret kishën në fjalë thjesht si Patrikana e Kostandinopojës, duke mohuar kështu tendencën e Fanarit për të hegjemonizuar, gjithmonë nëpërmjet shtesës-kurth Ekumenike.
[11] Behar Shtylla, Fan Noli siç e kam njohur, f. 98.
[12] Qerim Panariti, Albumi II, f. 103.
[13] Behar Shtylla, Fan Noli siç e kam njohur, f. 101.
[14] Metropolitan Fan S. Noli, Fiftieth Anniversary Book of the Albanian Orthodox Church in America, f. 22.
[15] Qerim Panariti, Albumi II, f. 105.