STATUTI I KISHËS ORTHODHOKSE AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË TË PËRGJITHSHME Neni 1 Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, që ka si themelues dhe Krye të saj Zotin dhe Perëndinë tonë Jisu Krisht, është institucion hyjnor si prania dhe shfaqja në vend e Një Kishe të Shenjtë, Katholike dhe Apostolike, e bashkuar në mënyrë të pandashme me PatriarkanënEkumenike, me të gjitha Kishat simotra Autoqefale dhe ruan të paluajtshme burimet e besimit, d.m.th. Shkrimin e Shenjtë dhe Traditën e Shenjtë si dhe Kanonet e Shenjta apostolike e sinodike Titulli i saj zyrtar është «Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë». Neni 2 Anëtarë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë janë të gjithë të pagëzuarit në Kishën Orthodhokse dhe janë banorë të Shqipërisë, pa dallim origjine. Neni 3 Kanonet e Shenjta të Kishës Orthodhokse, të cilat përbëjnë themelin e përbashkët të organizimit dhe administrimit të të gjitha Kishave Orthodhokse të botës, rregullojnë sistemin e organizimit, administrimit dhe zhvillimit të jetës së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në rast se lindin paqartësi në lidhje me interpretimin e saktë të neneve të këtij Statuti, kriter dhe tekst referimi përbëjnë Kanonet e Shenjta. Neni 4 Rëndësi themelore për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë kanë: Për sa i përket aspektit kishtar: Tomosi Patriarkal dhe Sinodik, me të cilin PatriarkanaEkumenike, sipas rendit kishtar, i dha asaj autoqefalinë (prill 1937) dhe në këtë mënyrë njohjen kanonike prej të gjitha Kishave Orthodhokse në mbarë botën si Kishë Autoqefale. Për sa i përket aspektit shtetëror: neni 10, paragrafi 6 dhe neni 24 paragrafi 1, 2 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë e vitit 1998, me të cilin në bazë të nenit 10, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, si njëra prej komuniteteve fetare tradicionale të vendit, njihet si person juridik dhe është e pavarur në administrimin e pasurisë së saj sipas parimeve, rregullave dhe kanoneve të veta. Me anë të nenit 24, paragrafi 1, 2 garantohet liria fetare dhe e drejta e shprehjes së besimit fetar individualisht ose në grup, në jetën private ose publike me anë të adhurimit, të arsimimit, të ruajtjes së zakoneve, dhe të manifestimeve publike. Neni 5 Marrëdhëniet ndërmjet Shtetit dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë rregullohen sipas neneve 10 dhe 24 të Kushtetutës së Shqipërisë, si dhe në bazë të marrëveshjes të parashikuar midis tyre. Neni 6 Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë si vazhduese kanonike e traditës shumëshekullore të Kishës Orthodhokse në territorin gjeografik të shtetit të sotëm shqiptar është e vetmja trashëgimtare e ligjshme e të gjithë titujve, pronave dhe pasurive, të trashëgimisë kulturore Orthodhokse, të të drejtave të famullive, manastireve dhe bashkësive brenda Shqipërisë. Neni 7 Gjuha zyrtare e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë është shqipja. Orthodhoksët e gjuhëve të tjera mund të përdorin gjatë adhurimit hyjnor gjuhën e tyre tradicionale adhuruese, me kusht që tekstet në përdorim të kenë miratimin e Sinodit të Shenjtë, siç edhe për tekstet e shërbesave fetare në shqip. Në korrespodencën me Kisha të tjera Autoqefale apo me subjekte të huaja në përgjithësi, përdoren edhe gjuhë të tjera. ORGANIZIMI Neni 8 Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë organizohet si më poshtë: 1) Kryepiskopata e Tiranës, Durrësit, që përfshin Zëvendësitë Kryepiskopale Lokale: të Tiranës, Durrësit, Shkodrës dhe Shqipërisë së Veriut. 2) Mitropolia e Beratit, që përfshin Zëvendësitë Mitropolitane Lokale: Berat, Lushnjë, Vlorë dhe Mallakastër. 3) Mitropolia e Gjirokastrës, që përfshin Zëvendësitë Mitropolitane Lokale: të Gjirokastrës, Pogonit, Përmetit, Sarandës, Delvinës dhe Himarës. 4) Mitropolia e Korçës, që përfshin Zëvendësitë Mitropolitane Lokale: të Korçës, Prespës, Pogradecit, Devollit dhe Kolonjës. 5) Mitropolia e Elbasanit, që përfshin Zëvendësitë Mitropolitane Lokale: Elbasan, Shpat, Librazhd. 6) Mitropolia e Apollonisë dhe e Fierit, që përfshin Zëvendësitë Mitropolitane Lokale: Fier, Patos, Libofshë. Neni 9 Kur për arsye baritore gjykohet e nevojshme, Sinodi i Shenjtë mund të formojë mitropoli apo episkopata, duke ndjekur procedurën e parashikuar prej rregullit Kanonik dhe Traditës së Kishës. Neni 10 Asnjë klerik orthodhoks nuk mund të ushtrojë detyrën e tij priftërore në Shqipëri, në qoftë se nuk është i lidhur kanonikisht me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe pa pasur paraprakisht një leje të veçantë prej autoritetit kishtar kompetent. SINODI I SHENJTË Neni 11 Sinodi i Shenjtë është Autoriteti më i Lartë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, sipas Tomosit Patriarkal dhe Sinodik të dhënies së Autoqefalisë prej PatriarkanësEkumenike. Ai përbëhet nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë si Kryetar i përhershëm dhe nga Mitropolitët e Episkopët aktivë. Sinodi i Shenjtë e ka qendrën në kryeqytetin e vendit dhe titulli i tij zyrtar është: «Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë». Neni 12 Kompetencat e Sinodit të Shenjtë janë: Ruan besimin, adhurimin, disiplinën kishtare dhe drejtimin e Kishës sipas dogmave dhe Kanoneve të Shenjta Zgjedh Kryepiskopin, Mitropolitët e Episkopët dhe lëshon Qarkoret përkatëse për njohjen e tyre. Emëron mëkëmbësit e Mitropolive të Shenjta vakante. Ushtron kontroll kanonik mbi aktet dhe veprimet e Mitropolitëve dhe Episkopëve, si dhe mbi të gjitha organet e Kishës. Kujdeset për marrjen e Miros së Shenjtë prej Kishës së Madhe të Krishtit. Kujdeset për formimin e duhur të Klerikëve dhe Murgjve dhe për zbatimin me korrektësi të detyrave të tyre. Kujdeset për formimin fetar të popullit orthodhoks nëpërmjet predikimeve, bisedave, katekizmit, vizitave baritore, botimit të literaturës fetare, medias etj. Miraton literaturën me përmbajtje fetare, e cila mund të qarkullojë brenda famullive, manastireve apo institucioneve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Vendos për dorëheqjen e anëtarëve të tij. Gjykon Kryetarin e Sinodit dhe anëtarët e tij për shkelje dogmatike dhe kanonike, në përputhje me Kanonet e Shenjta. Gjykon çështjet që kanë të bëjnë me zhveshjen e klerikëve. Interpreton në mënyrë autentike, për të gjitha organet kishtare, dispozitat e Statutit dhe të Rregullores së Përgjithshme të Administrimit. Thërret Asamble dhe Mbledhje Kishtare kur e lypin nevojat e Kishës. Ngre Komisione Sinodike për qëllime studimore e konsultative në lidhje me probleme të posaçme. Mbikëqyr administrimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme të Kryepiskopatës, të Mitropolive, të Famullive dhe Manastireve. Themelon fondacione dhe shoqata në shërbim të veprës shpirtërore, shoqërore, arsimore e kulturore të Kishës. Vendos për çështje të çdo natyre, të cilat nuk rregullohen nëpërmjet këtij Statuti apo të Rregullores. Neni 13 Sinodi i Shenjtë mblidhet nën kryesinë e Kryepiskopit rregullisht çdo tre muaj dhe në raste të jashtëzakonshme kur e lyp nevoja. Kompetent për mbledhjen e Sinodit të Shenjtë dhe për caktimin e rendit të ditës është sipas Kanoneve të Shenjta vetëm Kryetari i Sinodit të Shenjtë. Gjithashtu Sinodi i Shenjtë mblidhet nga Kryetari i tij nëse kjo gjë kërkohet me shkrim të paktën prej gjysmës së numrit të anëtarëve të tij. Në mungesë të Kryetarit të Sinodit të Shenjtë kryeson mbledhjen Mitropoliti më i vjetër sipas kohës së dorëzimit, duke pasur urdhrin kanonik me shkrim ose lejen e Kryepiskopit. Pjesëmarrja e kryepriftërinjve në mbledhjet e zakonshme ose të jashtëzakonshme të Sinodit të Shenjtë është e detyrueshme. Ata që mungojnë pa ndonjë arsye serioze në këto mbledhje iu nënshtrohen sanksioneve të parashikuara prej Kanoneve të Shenjta. Neni 14 Sinodi i Shenjtë ka Kryesekretar klerik dhe Sekretar klerik të propozuar nga Kryepiskopi dhe të emëruar nga Sinodi i Shenjtë. Neni 15 Sinodi i Shenjtë konsiderohet i mbledhur rregullisht kur marrin pjesë Kryetari i tij dhe të paktën gjysma e numrit të të gjithë anëtarëve të tij. Merr vendime të vlefshme me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të pranishëm dhe në rast barazie votash mbizotëron vota e Kryetarit. Neni 16 Në intervalin kohor midis seancave të Sinodit të Shenjtë, për çështje urgjente ose të zakonshme, është Kryepiskopi ai që vepron dhe informon Sinodin e Shenjtë në mbledhjen e parë të tij ku dhe miraton edhe veprimet e Kryepiskopit gjatë këtij intervali. KRYEPRIFTËRINJTË Neni 17 Zgjedhja e kryepriftërinjve (Kryepiskopi, Mitropolitët, Episkopët) bëhet nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë sipas Kanoneve të Shenjta. Këshilli Kleriko-laik, propozon kandidatët për dorëzimin në gradën episkopale. Në fund Sinodi i Shenjtë zgjedh njërin prej tyre. Kandidatët për dorëzim në gradën episkopale, përveç cilësive që kërkojnë Kanonet e Kishës, duhet të jenë diplomuar në Akademinë Teologjike Orthodhokse «Ngjallja» ose në një fakultet teologjik orthodhoks të nivelit universitar dhe të kenë punuar dhe qëndruar të paktën për një periudhë trevjeçare në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Kryepriftërinjtë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë kanë shtetësi shqiptare. Në raste të veçanta mund të bëhet përjashtim me vendim të Këshillit Kishtar Kleriko-laik dhe të Sinodit të Shenjtë. Për dorëzimin e Kryepriftërinjve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë kërkohet të jenë të pranishëm të paktën tre Kryepriftërinj. Në rast se numri i Episkopëve është më i vogël se tre, atëherë mund të kërkohet ndihma e PatriarkanësEkumenike, e cila ka dhënë edhe autoqefalinë. Neni 18 Sipas nevojave që ka Kisha, është e mundur të zgjidhen nga Sinodi i Shenjtë, mitropolitë titullarë ose episkopë titullarë, me detyra të përcaktuara. Këta konsiderohen kryepriftërinj aktivë dhe janë anëtarë të Sinodit të Shenjtë. Neni 19 Gjatë marrjes së detyrës Kryepriftërinjtë japin këtë premtim përpara Sinodit: «Premtoj përpara Perëndisë Triadik se do të ruaj besimin ndaj dogmave kishtare dhe kanoneve të Kishës Orthodhokse dhe do të ruaj lidhjet me PatriarkanatOrthodhokse dhe Kishat Autoqefale në mbarë botën». KRYEPISKOPI Neni 20 Kryepiskopi është Kryetari i Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, kreu i të krishterëve orthodhoksë në Shqipëri, përfaqësuesi i tyre përpara autoriteteve shtetërore dhe organizmave ndërkombëtarë dhe përpara çdo lloj autoriteti dhe pushteti. Neni 21 Titulli i Tij është: «Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë». Kurse fama e tij në shërbesat kishtare thirret sipas traditës liturgjike të Kishës vendore. Kryepiskopi ka të gjitha detyrimet dhe të gjitha të drejtat e parashikuara nga Kanonet e Shenjta dhe nga ky Statut. Neni 22 Kryepiskopi ka këto detyra dhe të drejta: Ia bën të ditur Kishës së Madhe të Krishtit dhe të gjitha Kishave Orthodhokse Autoqefale motra në të gjithë botën, sipas rregullit të Kishës Orthodhokse, zgjedhjen dhe ngjitjen e tij në fronin Kryepiskopal nëpërmjet letrave fronëzuese. Bën pohimin e ligjshëm dhe siguron se do ruajë në mënyrë të palëkundur besimin orthodhoks dhe çdo gjë që urdhërojnë Kanonet e shenjta, Tradita e Shenjtë dhe rregulli i Kishës së Shenjtë Orthodhokse. Përkujton sipas rregullit në Diptikët emrin e Patriarkut Ekumenik, të Patriarkëve të tjerë dhe të kryetarëve të Kishave të Shenjta Orthodhokse Autoqefale. Thërret Sinodin e Shenjtë dhe të gjitha strukturat apo organet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe kryeson mbledhjet e tyre. Përfaqëson Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë përpara autoriteteve shtetërore dhe kudo që e lyp nevoja, personalisht ose me anë të përfaqësuesve. Përfaqëson Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në çdo marrëveshje shitblerjeje të pasurisë së paluajtshme në Shqipëri dhe jashtë vendit, personalisht ose me përfaqësues të prokuruar prej Tij. Ruan kungimin dhe komunikimin kishtar me Kishat e tjera Orthodhokse. Nxjerr qarkore për të gjitha famullitë orthodhokse të Shqipërisë, viziton, kur e shikon të arsyeshme, Hierarkët e Kishës. Dorëzon Mitropolitët dhe Episkopët sipas Kanoneve të Shenjta së bashku me Hierarkë të tjerë, anëtarë të Sinodit të Shenjtë. Pranon ankesat e justifikuara kundër Kryepriftërinjve dhe i propozon Sinodit të Shenjtë kryerjen e hetimeve, duke caktuar për këtë qëllim një anëtar të tij. Viziton të paktën një herë në dy vjet famullitë e Kryepiskopatës dhe i parashtron Sinodit të Shenjtë çdo vit një raport në lidhje me ato. Kur bëhet fjalë për çështje apo paqartësi të një natyre të përgjithshme kishtare që i kapërcen kufijtë e juridiksionit përkatës të Kishave Autoqefale, Kryepiskopi i drejtohet sipas rregullit kanonik Fronit Ekumenik, nëpërmjet të cilit realizohet kungimi me çdo episkopatëorthodhokse që përcakton drejt fjalën e së vërtetës dhe kështu u kërkon Kishave motra mendimin dhe pikëpamjet e tyre të vlefshme. Ndërmerr iniciativa në shkallë të gjerë kur vendi ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të fatkeqësive natyrore apo për shkaqe të tjera, duke bashkëpunuar me autoritetet shtetërore, me kryesitë e bashkësive të tjera fetare dhe organizmat ndërkombëtarë për lehtësimin e të prekurve dhe zhdukjen e pasojave. Ushtron edhe çdo të drejtë tjetër që i jepet nga Kanonet e Shenjta. Neni 23 Kryepiskopi mund të ketë dy deri në tre Episkopë ndihmës, të cilët kryejnë detyra të posaçme të ngarkuara prej tij dhe kanë të gjitha privilegjet e Kryepriftërinjve aktivë. MITROPOLITI Neni 24 Të drejtat dhe detyrat e Mitropolitit janë si më poshtë: Merr pjesë në Sinodin e Shenjtë. Drejton dhe bariton Mitropolinë brenda kufijve të caktuar të dioqezës së tij. Është anëtar i Sinodit të Shenjtë dhe përfaqëson Mitropolinë e tij përpara autoriteteve shtetërore lokale dhe kudo që është e nevojshme, personalisht ose me anë të përfaqësuesve të tij. Dorëzon klerikët e dioqezës së tij. U jep klerikëve të Mitropolisë së tij dënimet e parashikuara nga Kanonet e Shenjta. Për shkelje më të rënda, të cilat përbëjnë skandal, i çon në Gjykatat Kishtare kompetente. Viziton të paktën një herë në dy vjet famullitë e Mitropolisë së tij, për të kontrolluar ecurinë e punëve kishtare, jep udhëzimet përkatëse dhe i parashtron Sinodit të Shenjtë raportin vjetor përkatës. Neni 25 Mitropoliti kujton gjatë celebrimit të Liturgjisë Hyjnore «Për Kryepiskopin tonë ...». Gëzon çdo të drejtë që i jepet nga Kanonet e Shenjta. Neni 26 Çdo Kryeprift duhet të qëndrojë vazhdimisht brenda kufijve të Mitropolisë së tij, me përjashtim të rasteve kur merr pjesë në mbledhjet e Sinodit të Shenjtë apo në mbledhje të tjera zyrtare ose kur është me leje të zakonshme. Për çdo rast tjetër kërkohet miratimi i Kryetarit të Sinodit të Shenjtë. Për çështje me karakter zyrtar Kryeprifti komunikon me autoritetet kishtare të Kishave të tjera Orthodhokse Autoqefale nëpërmjet Sinodit të Shenjtë. ASAMBLEJA KLERIKO – LAIKE Neni 27 Për trajtimin e problemeve të përgjithshme, të cilat shqetësojnë Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Asambleja Kleriko-laike mblidhet detyrimisht çdo dy vjet, por edhe në raste të jashtëzakonshme kur e lyp nevoja Asambleja Kleriko-laike studion problemet kishtare dhe shoqërore aktuale dhe i propozon Sinodit të Shenjtë dhe Këshillit Kishtar Kleriko-laik masa për kryerjen e veprës kishtare dhe në përgjithësi të «dëshmisë» orthodhokse në botën e sotme. Çështjet dogmatike dhe kanonike janë kompetencë ekskluzive e Sinodit të Shenjtë. Neni 28 Në të marrin pjesë anëtarët e Sinodit të Shenjtë, anëtarët e Këshillit Kleriko-laik, dy përfaqësues nga çdo manastir i shenjtë dhe njëzet klerikë dhe njëzet e katër laikë, me përfaqësim të përshtatshëm, burra, gra dhe të rinj, nga Kryepiskopata dhe Mitropolitë. Sipas kushteve konkrete ky numër mund të shtohet me 1/3 me vendim të Sinodit të Shenjtë. Për Asamblenë e caktuar klerikët zgjidhen prej plenumit të klerikëve të Kryepiskopatës dhe të Mitropolive, ndërsa laikët zgjidhen prej anëtarëve të Këshillave të Famullive dhe prej bordeve të Fondacioneve të Kishës të miratuara nga Sinodi i Shenjtë. Për të arritur një përfaqësim sa më të mirë të të gjitha dioqezave, Sinodi i Shenjtë lëshon në çdo rast qarkoren përkatëse. KËSHILLI KISHTAR KLERIKO – LAIK Neni 29 Për administrimin e pasurisë kishtare dhe kontrollin e pasurive të kishave të komuniteteve orthodhokse si dhe të manastireve, Sinodi i Shenjtë krijon në selinë qendrore të Kishës së Shqipërisë «Këshillin Kishtar Kleriko-laik», të përbërë nga të gjithë anëtarët e Sinodit dhe nga dymbëdhjetë klerikë e laikë. Këshilli Kishtar Kleriko-laik merr pjesë edhe në veprimtaritë kishtare të parashikuara në nenet 17, 27, 70 të këtij Statuti. Katër anëtarët klerikë dhe katër laikë të Këshillit Kishtar Kleriko-laik zgjidhen çdo katër vjet prej anëtarëve të këshillave të Kryepiskopatës dhe të Mitropolive. Katër të tjerët zgjidhen nga Sinodi i Shenjtë. Një Komision Ekzekutiv prej pesë anëtarësh, i zgjedhur nga Këshilli Kishtar Kleriko-laik, zbaton vendimet e tij. Të dyja këto struktura kryesohen nga Kryepiskopi. Neni 30 Përveç Këshillit Kishtar Kleriko-laik funksionon Komisioni i Kontrollit, i cili kontrollon administrimin financiar të Kryepiskopatës dhe të Mitropolive dhe raporton në lidhje me këto në Sinodin e Shenjtë. Neni 31 Këshilli Kishtar Kleriko-laik shqyrton buxhetin e shpenzimeve të vitit të kaluar dhe buxhetin preventiv të ardhshëm, që miratohen përfundimisht nga Sinodi i Shenjtë. Harton Rregulloren e Përgjithshme të Administrimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila miratohet përfundimisht nga Sinodi i Shenjtë. Neni 32 Këshilli Kishtar Kleriko-laik mblidhet rregullisht dy herë në vit dhe Komisioni Ekzekutiv në çdo tre muaj. Të dy organizmat mblidhen dhe në raste të jashtëzakonshme sa herë që është nevoja me ftesë të Kryepiskopit. Detyrën e Sekretarit të Këshillit Kishtar Kleriko-laik e kryen Kryesekretari i Sinodit të Shenjtë. KËSHILLI KRYEPISKOPAL DHE MITROPOLITAN Neni 33 Pranë Kryepiskopatës dhe çdo Mitropolie krijohet një Këshill Kishtar i Kryepiskopatës ose i Mitropolisë në mbështetje të veprës së Hierarkut përkatës. Këshilli Kishtar përbëhet nga Kryepiskopi ose Mitropoliti si Kryetar, nga pesë klerikë dhe pesë laikë me përfaqësim të përshtatshëm, burra, gra dhe të rinj. Anëtarët zgjidhen në çdo katër vjet sipas Rregullores së Përgjithshme të Administrimit. Këshilli Kishtar i Kryepiskopatës ose Mitropolive mblidhet me ftesë të Kryetarit rregullisht tri herë në vit dhe në raste të jashtëzakonshme sa herë që e lyp nevoja. Shqyrton kushtet e krijuara, të cilat ndikojnë në ecurinë e Kryepiskopatës apo të Mitropolive dhe kërkon mënyra më efikase për kryerjen e veprës shpirtërore, baritore dhe shoqërore të Kishës. ZËVENDËSIA LOKALE Neni 34 Next >