DHJATA E RE Versioni CHC (2000) © Vladimir Dervishi MATEU Mateu Mateu - Kapitulli 1 1 Libri i gjenealogjisë së Jezus Krishtit, bir i Davidit, bir i Abrahamit. 2 Abrahamit i lindi Isaku; Isakut i lindi Jakobi; Jakobit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij. 3 Judës i lindi Faresi dhe Zara me nënë Tamarën; Faresit i lindi Ezroni dhe Ezronit i lindi Arami; 4 Aramit i lindi Amenadabi; Amenadabit i lindi Naasoni; Naasonit i lindi Salmoni; 5 Salmonit i lindi Boozi me nënë Rahabën; Boozit i lindi Obedi me nënë Rutin; Obedit i lindi Jeseu; 6 Jeseut i lindi mbreti David; Davidit i lindi Solomoni me gruan e Urias; 7 Solomonit i lindi Roboami; Roboamit i lindi Abija; Abijas i lindi Asai. 8 Asait i lindi Josafati; Josafatit i lindi Jorami dhe Joramit i lindi Ozia. 9 Ozias i lindi Joatami; Joatamit i lindi Ahazi dhe Ahazit i lindi Ezekia. 10 Ezekias i lindi Manaseu; Manaseut i lindi Amoni dhe Amonit i lindi Josia. 11 Josias i lindi Jekonia dhe vëllezërit e tij që ishin në kohën e syrgjynosjes në Babiloni. 12 Pas syrgjynosjes në Babiloni, Jekonias i lindi Salatieli dhe Salatielit i lindi Zorobabeli. 13 Zorobabelit i lindi Abiudi; Abiudit i lindi Eliakimi dhe Eliakimit i lindi Azori. 14 Azorit i lindi Sadoku; Sadokut i lindi Akimi dhe Akimit i lindi Eliudi. 15 Eliudit i lindi Eleazari; Eleazarit i lindi Matani dhe Matanit i lindi Jakobi; 16 Jakobit i lindi Jozefi, i shoqi i Marisë, nga e cila lindi Jezusi, që quhet Krisht. 17 Pra, nga Abrahami deri te Davidi ishin gjithsej katërmbëdhjetë breza, nga Davidi deri te syrgjynosja në Babiloni katërmbëdhjetë breza dhe nga syrgjynosja në Babiloni deri te Krishti katërmbëdhjetë breza. 18 Lindja e Jezus Krishtit ndodhi kështu: kur nëna e Tij Maria u fejua me Jozefin, përpara se të bashkoheshin, doli se ajo kishte mbetur shtatzënë prej Frymës së Shenjtë. 19 Atëherë Jozefi, i shoqi i saj, që ishte njeri i drejtë dhe duke mos dashur ta poshtëronte përpara botës, mendoi ta ndante të shoqen fshehurazi. 20 Dhe ja, ndërsa po mendonte këto gjëra, një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr dhe i tha: "Jozef, bir i Davidit, mos u druaj ta marrësh Marinë për grua, sepse çka është ngjizur në të, është prej Frymës së Shenjtë. 21 Ajo do të lindë një djalë dhe do t’ia vësh emrin Jezus, sepse Ai do ta shpëtojë popullin e Vet nga mëkatet e tyre." 22 Dhe gjithë kjo ndodhi që të përmbushej ajo çka ishte thënë nga Zoti nëpërmjet profetëve, në këto fjalë, 23 "Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë. Emrin do ta ketë Emanuel, që i përkthyer do të thotë: ‘Perëndia me ne’." 24 Jozefi, kur u zgjua prej gjumit, bëri siç e kishte porositur engjëlli i Zotit dhe e mori Marinë për grua. 25 Nuk fjeti me të derisa ajo lindi djalin e vet dhe ai ia vuri emrin Jezus. Mateu - Kapitulli 2 MATEU 1 Dhe ja, sapo lindi Jezusi në Betlehem të Judesë në ditët e mbretit Herod, arritën në Jeruzalem magët nga Lindja, 2 duke thënë: "Ku është Ai që ka lindur mbret i judenjve? Sepse ne pamë yllin e Tij në Lindje dhe erdhëm ta adhurojmë." 3 Me të dëgjuar këtë, mbreti Herod u turbullua dhe bashkë me të gjithë Jeruzalemi. 4 Si mblodhi të gjithë kryepriftërinjtë dhe skribët e popullit, ai kërkoi të dinte prej tyre vendin ku do të lindte Krishti. 5 Ata i thanë: "Në Betlehem të Judesë, sepse kështu është shkruar nga profetët, 6 ‘Dhe ti Betlehem, në tokën e Judës, nuk je aspak i parëndësishëm ndër zotërit e Judës, sepse prej teje do të dalë një prijës, i cili do të drejtojë popullin tim Izraelin’." 7 Pastaj Herodi i thirri fshehtas magët dhe mësoi prej tyre kohën e saktë kur qe shfaqur ylli. 8 Ai i dërgoi ata në Betlehem dhe u tha: "Shkoni dhe kërkoni me kujdes për fëmijën dhe, sapo ta gjeni, më njoftoni që të shkoj edhe unë ta adhuroj." 9 Ata, pasi dëgjuan mbretin, u larguan; dhe ja, ylli që kishin parë në Lindje, u printe përpara, derisa erdhi e qëndroi aty ku ishte fëmija. 10 Kur panë yllin, ata u gëzuan pa masë. 11 Me të hyrë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, nënën e Tij, dhe u përkulën duke e adhuruar. Pastaj ata hapën thesaret e tyre dhe i dhanë si dhuratë ar, temjan e mirrë. 12 Pastaj, si u paralajmëruan nga Perëndia në një ëndërr që të mos ktheheshin te Herodi, u larguan për në vendin e tyre duke ndjekur një rrugë tjetër. 13 Dhe ja, sapo u larguan, një engjëll i Zotit iu shfaq Jozefit në ëndërr dhe i tha: "Ngrihu, merr foshnjën me nënën e Tij dhe ik në Egjipt. Atje të qëndrosh derisa të të lajmëroj unë, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën dhe ka ndër mend ta vrasë." 14 U ngrit, mori me vete qëmenatë fëmijën me nënën e Tij dhe u largua për në Egjipt. 15 Atje qëndroi derisa vdiq Herodi. Dhe kështu u përmbush ajo që ishte thënë nga Zoti nëpërmjet profetit: "Nga Egjipti e thirra Birin Tim." 16 Pastaj Herodi, duke parë që magët ia kishin hedhur, u tërbua nga zemërimi dhe dërgoi e zhduku të gjithë fëmijët djem që ishin në Betlehem e në rrethinat e tij, nga dy vjeç e poshtë, sipas kohës që kishte mësuar prej magëve. 17 Kështu u përmbush ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Jeremia, 18 "Një zë u dëgjua në Ramë; vajtim e kujë e madhe; Rakela që qante fëmijët e vet dhe nuk donte të ngushëllohej, sepse ata nuk rrojnë më." 19 Por, ja, pas vdekjes së Herodit, një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit në Egjipt 20 dhe i tha: "Ngrihu, merr fëmijën me nënën e Tij dhe shko në tokën e Izraelit, sepse ata që kërkonin të merrnin jetën e fëmijës, kanë vdekur." 21 Ai u ngrit, mori fëmijën me nënën e Tij dhe hyri në tokën e Izraelit. 22 Por me të dëgjuar që në Jude mbretëronte Arkelau në vend të Herodit, atit të tij, i hyri frika të shkonte atje dhe, si u paralajmërua në një ëndërr, u tërhoq për në krahinat e Galilesë. 23 Dhe erdhi e u vendos në qytetin me emrin Nazaret. Kështu u përmbush ajo që ishte thënë nga profetët, "Do të quhet nazaretas". Mateu - Kapitulli 3 1 Në ato ditë arriti Gjon Pagëzori që predikonte në shkretëtirën e Judesë, MATEU 2 duke thënë: "Pendohuni, sepse mbretëria e qiellit po afron. 3 Sepse ky është ai për të cilin u fol nëpërmjet profetit Isaia: "Ky është zëri i atij që thërret në shkretëtirë: ‘Përgatisni udhën e Zotit, të drejta bëjini shtigjet e Tij!’" 4 Vetë Gjoni ishte i veshur me lesh deveje dhe mbante një rrip lëkure rreth mesit; ushqimi i tij ishin karkalecat dhe mjaltë bletësh të egra. 5 Tek ai shkonte Jeruzalemi dhe gjithë Judeja, si dhe tërë krahina e Jordanit, 6 dhe pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan, duke rrëfyer mëkatet e veta. 7 Kur pa se shumë prej farizenjve dhe saducenjve po vinin për t’u pagëzuar prej tij, u tha: "O pjella nepërkash, kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen? 8 Jepni pra, fryt të denjë pendimi. 9 Të mos ju shkojë ndër mend të thoni me vete: ‘Kemi atin tonë Abrahamin’, sepse po ju them që edhe prej këtyre gurëve Perëndia mund të nxjerrë fëmijë për Abrahamin. 10 Sëpata është vënë tashmë te rrënja e pemëve; çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, pritet dhe flaket në zjarr. 11 Unë vërtet po ju pagëzoj me ujë për pendim, por Ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, sandalet e të cilit unë nuk jam i denjë t’i mbaj. Ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr. 12 Në dorë të Tij është terplotja; do ta qërojë lëmin dhe do ta mbledhë grurin e Tij në grunar, por kashtën do ta djegë me zjarr që nuk shuhet." 13 Pastaj Jezusi shkoi nga Galileja në Jordan te Gjoni, që të pagëzohej prej tij. 14 Por Gjoni u përpoq ta ndalonte, duke thënë: "Unë kam nevojë të pagëzohem prej Teje, kurse Ti vjen tek unë?" 15 Jezusi u përgjigj dhe i tha: "Lëre tani, sepse kështu na duhet të veprojmë që të përmbushet çdo drejtësi." Atëherë Gjoni e pranoi. 16 Jezusi, me t’u pagëzuar, u ngrit menjëherë nga uji dhe ja, qiejt u hapën dhe ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb, që erdhi e qëndroi mbi Të. 17 Dhe ja, erdhi një zë nga qielli që thoshte: "Ky është Biri Im i dashur, tek i cili gjej kënaqësi." Mateu - Kapitulli 4 1 Pastaj Fryma i priu Jezusit për në shkretëtirë për t’u tunduar nga djalli. 2 Pasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, Atë e mori uria. 3 Tunduesi iu afrua dhe i tha: "Nëse je Bir i Perëndisë, thuaj që këta gurë të bëhen bukë." 4 Por Ai u përgjigj dhe tha: "Është shkruar: ‘Jo vetëm me bukë do të rrojë njeriu, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë.’" 5 Pastaj djalli e çoi në qytetin e shenjtë dhe e vuri në cep të pullazit të tempullit 6 dhe i tha: "Nëse je Bir i Perëndisë, hidhu poshtë, se është shkruar, ‘Do t’i urdhërojë engjëjt e Tij për Ty’ dhe ‘Në krahë do të të mbajnë, që këmba Jote të mos godasë në gur.’" 7 Jezusi i tha: "Është shkruar gjithashtu: ‘Mos e vër në provë Zotin, Perëndinë tënd.’" 8 Përsëri, djalli e çoi në një mal shumë të lartë dhe i tregoi të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre, 9 dhe i tha: "Të gjitha këto gjëra do të t’i jap, po të ulesh para meje e të më adhurosh." 10 Pastaj Jezusi i tha: "M’u hiq sysh, Satan! Sepse MATEU është shkruar: ‘Do të adhurosh Zotin Perëndinë tënd dhe vetëm Atij do t’i shërbesh.’" 11 Atëherë djalli e la. Dhe ja tek erdhën engjëjt dhe filluan t’i shërbejnë. 12 Kur Jezusi dëgjoi që Gjonin e kishin hedhur në burg, u nis për në Galile. 13 Dhe, si la prapa Nazaretin, shkoi e u vendos në Kapernaum, qytet pranë detit, në krahinën e Zebulonit e të Neftalimit, 14 që të përmbushej ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia, 15 "Tokë e Zebulonit dhe tokë e Neftalimit, nga ana e detit, përtej Jordanit, Galile e kombeve! 16 Populli, i zhytur në errësirë, pa një dritë të madhe; mbi ata që rrinin në vendin e hijes së vdekjes, agoi një dritë." 17 Që nga ajo kohë Jezusi filloi të predikonte dhe të thoshte: "Pendohuni, sepse mbretëria e qiellit po afron." 18 Ndërsa po ecte buzë detit të Galilesë, Ai pa dy vëllezër, Simonin, që e quanin Pjetër, dhe Andrenë, të vëllanë e tij, që po hidhnin rrjetën në det, sepse ishin peshkatarë. 19 Jezusi u tha: "Ejani pas Meje dhe do t’ju bëj peshkatarë njerëzish." 20 Ata lanë menjëherë rrjetat dhe shkuan pas Tij. 21 Duke vazhduar udhën më tutje, Ai pa në një lundër dy vëllezër të tjerë, Jakobin, të birin e Zebedeut, dhe vëllanë e tij Gjonin, së bashku me Zebedeun, atin e tyre, që po përgatisnin rrjetat, dhe i thirri. 22 Ata menjëherë e lanë lundrën dhe atin e tyre dhe shkuan pas Tij. 23 Jezusi i ra kryq e tërthor gjithë Galilesë, duke mësuar njerëzit ndër sinagogat e tyre, duke predikuar lajmin e mirë të mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje e lëngatë në popull. 24 Lajmi për Të u përhap në gjithë Sirinë; i sollën të gjithë të sëmurët që vuanin nga lëngata e dhembje të forta, ata që i kishin mbërthyer demonët, ata me sëmundjen e tokës e ata që ishin të paralizuar, dhe Ai i shëronte. 25 Turma të mëdha njerëzish e ndoqën nga Galileja, Dekapoli, Jeruzalemi, Judeja dhe nga viset përtej Jordanit. Mateu - Kapitulli 5 1 Kur pa turmat, Ai u ngjit në mal, dhe si u ul, iu afruan dishepujt e Vet. 2 Filloi t’i mësonte duke thënë: 3 "Lum ata që janë të varfër në shpirt, sepse e tyrja është mbretëria e qiejve. 4 Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen. 5 Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do të trashëgojnë tokën. 6 Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të nginjen. 7 Lum të mëshirshmit, sepse ndaj tyre do të tregohet mëshirë. 8 Lum ata me zemër të pastër, sepse ata do ta shohin Perëndinë. 9 Lum ata që punojnë për paqen, sepse ata do të thirren bij të Perëndisë. 10 Lum ata që janë përndjekur për shkak të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve. 11 Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, të thonë të gjitha të këqijat kundër jush për shkakun Tim. 12 Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse i madh është shpërblimi juaj në qiej, sepse kështu i MATEU përndoqën edhe profetët që kanë qenë përpara jush. 13 Ju jeni kripa e tokës, por nëse kripa amështohet, me çfarë do të njelmësohet? Nuk vlen më për asgjë veç për t’u hedhur jashtë e për t’u shkelur nga njerëzit. 14 Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti që është në majë të malit. 15 As kandilin nuk e ndezin dhe nuk e vënë nën karroqe, por e vendosin në shandan, që t’u bëjë dritë të gjithëve që janë në shtëpi. 16 Kështu, le të shndritë drita juaj përpara njerëzisë, që ata të mund të shohin veprat tuaja të mira dhe t’i thurin lavdi Atit tuaj që është në qiej. 17 Mos mendoni se kam ardhur që të shfuqizoj Ligjin ose Profetët; nuk kam ardhur për t’i shfuqizuar, por për t’i plotësuar. 18 Sepse me të vërtetë po ju them, sa të jetë qielli dhe toka, asnjë shkronjë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit, derisa të përmbushen të gjitha. 19 Pra, kushdo që të shkelë edhe më të voglën prej këtyre porosive dhe t’i mësojë njerëzit të veprojnë ashtu, do të quhet më i vogli në mbretërinë e qiejve; por kushdo që i zbaton ato porosi dhe ua mëson të tjerëve, ky do të quhet i madh në mbretërinë e qiejve. 20 Sepse po ju them që, nëse drejtësia juaj nuk ia kalon asaj të skribëve dhe të farizenjve, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve. 21 E keni dëgjuar ç’kanë thënë më të vjetrit: ‘Nuk do të vrasësh; kushdo që do të vrasë, do t’i nënshtrohet gjykimit.’ 22 Por po ju them që kushdo që zemërohet me vëllanë e vet, do të përgjigjet para gjyqit, dhe kushdo që i thotë vëllait të vet ‘raka’, do të jetë fajtor para këshillit të lartë, dhe kushdo që i thotë ‘i marrë’, do t’i nënshtrohet ferrit të zjarrtë. 23 Prandaj, nëse e sjell dhuratën tënde në altar dhe atje kujtohesh që yt vëlla ka diçka kundër teje, 24 lëre aty dhuratën para altarit. Shko më parë të pajtohesh me vëllanë tënd dhe pastaj eja të sjellësh dhuratën. 25 Ndaje sa më shpejt sherrin me kundërshtarin tënd që kur je rrugës me të, se mos kundërshtari të dorëzon te gjykatësi dhe gjykatësi te roja dhe të flakin në burg. 26 Me të vërtetë po ta them, se kurrë nuk ke për të dalë prej andej, pa paguar më parë edhe qindarkën e fundit. 27 Keni dëgjuar që është thënë: ‘Mos e shkel kurorën’, 28 por Unë po ju them, që kushdo që e shikon me lakmi gruan e tjetrit, ka shkelur tashmë kurorën me të në zemrën e vet. 29 Nëse syri yt i djathtë të shtyn në mëkat, nxirre dhe flake tej, sepse është më mirë që të humbasësh një pjesë të trupit tënd, sesa të të hidhet i gjithë trupi në skëterrë. 30 Nëse dora e djathtë të shtyn në mëkat, preje dhe flake tej, sepse është më mirë që të humbasësh një pjesë të trupit tënd, sesa të të përfundojë i tërë trupi në skëterrë. 31 Është thënë që kushdo që lë gruan e vet, duhet t’i japë shkresën e ndarjes. 32 Por po ju them, që çdo njeri që e ndan gruan e vet, me përjashtim të rastit të imoralitetit, e bën atë ta shkelë kurorën, dhe kushdo që martohet me grua të ndarë, shkel kurorën. 33 Veç kësaj, ju keni dëgjuar që është thënë nga më të vjetrit: ‘Mos bëj be të rreme, por mbaji betimet që bën përpara Zotit.’ 34 Por po ju them: mos bëni asnjë lloj beje, as për qiellin, sepse ai është froni i Perëndisë, 35 as për dheun, sepse është stoli për këmbët e Tij, as për Jeruzalemin, sepse është qyteti i Mbretit të madh, MATEU 36 as për kokën tënde mos bëj be, sepse nuk mund ta bësh të bardhë ose të zezë as edhe një fije floku të vetme. 37 Por fjala juaj duhet të jetë ‘Po, po’ ose ‘Jo, jo’, sepse çdo gjë më tepër se këto vjen nga i ligu. 38 Ju keni dëgjuar që është thënë, ‘Sy për sy e dhëmb për dhëmb’, 39 por Unë po ju them që të mos i kundërviheni njeriut të lig. Kur dikush të godet në faqen e djathtë, ktheja edhe tjetrën. 40 Nëse dikush të hedh në gjyq e të merr këmishën, lërja edhe setrën. 41 Kur dikush të detyron të ecësh një milje, ti bëj dy bashkë me të. 42 Atij që të lyp, jepi, dhe mos i kthe krahët atij që kërkon të marrë hua prej teje. 43 Keni dëgjuar që është thënë: ‘Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun tënd’, 44 por Unë po ju them, duajini armiqtë tuaj dhe lutuni për ata që ju përndjekin, 45 që të jeni bij të Atit tuaj që është në qiell, që bën diellin e Vet të lindë mbi të ligjtë e të mirët dhe e bën shiun të bjerë mbi të drejtët e të padrejtët. 46 Sepse nëse doni ata që ju duan, çfa rë shpërblimi do të keni? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe tagrambledhësit? 47 Nëse përshëndesni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë po bëni më tepër se të tjerët? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët? 48 Prandaj, të jeni të përsosur, ashtu siç është i përsosur Ati juaj qiellor. Mateu - Kapitulli 6 1 Shikoni se mos e zbatoni drejtësinë tuaj për sytë e njerëzve, që ata t’ju shohin; përndryshe nuk do të keni shpërblim prej Atit tuaj që është në qiej. 2 Pra, kur jep lëmoshë, mos e trumbeto para teje, siç bëjnë hipokritët në sinagoga dhe nëpër rrugë, që t’i nderojnë njerëzit. Me të vërtetë po ju them, ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. 3 Por kur jep lëmoshë, të mos e marrë vesh dora jote e majtë se ç’po bën e djathta, 4 në mënyrë që lëmosha që jep, të mbetet e fshehtë dhe Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë. 5 Kur luteni, mos bëni si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten duke qëndruar nëpër sinagoga e nëpër qoshet e rrugëve, që të shihen nga njerëzit. Me të vërtetë po ju them, ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. 6 Por ti, kur të lutesh, hyr brenda në dhomën tënde, dhe pasi ta kesh mbyllur derën, lutju Atit tënd që nuk shihet, dhe Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë. 7 Kur luteni, mos llomotisni siç bëjnë paganët, sepse ata mendojnë se, duke folur shumë, do të dëgjohen. 8 Pra, mos u ngjasoni atyre, sepse Ati juaj i di ato që ju nevojiten, përpara se t’ia kërkoni. 9 Prandaj, lutuni kështu: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri Yt, 10 ardhtë mbretëria Jote, u bëftë vullneti Yt, mbi dhe siç është edhe në qiej. 11 Bukën tonë të përditshme jepna sot. 12 Falna borxhet tona, ashtu si ua kemi falur edhe ne borxhlinjve tanë. 13 Mos na shtjer në ngasje, por na çliro nga i ligu.’ 14 Sepse, po t’ua falni njerëzve fajet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t’ju falë. MATEU 15 Por, po të mos ua falni njerëzve fajet e tyre, as Ati juaj nuk do t’ju falë fajet tuaja. 16 Kur të agjëroni, mos merrni një hije të brengosur, siç bëjnë hipokritët, sepse ata prishen në fytyrë për t’u dukur para njerëzve se po agjërojnë. Me të vërtetë po ju them, ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. 17 Por ti, kur të agjërosh, lyeje kokën me vaj dhe laje fytyrën, 18 që të mos dukesh para njerëzve që po agjëron, por para Atit tënd që nuk shihet, dhe Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë. 19 Mos grumbulloni për vete thesare mbi dhe, ku i bren mola e ndryshku dhe ku vjedhësit hyjnë me dhunë e i vjedhin, 20 por grumbulloni për vete thesare në qiell, ku as mola e as ndryshku nuk i brejnë, dhe ku as vjedhësit nuk hyjnë dot me dhunë për të vjedhur. 21 Sepse aty ku ke thesarin, aty do do të jetë edhe zemra jote. 22 Kandili i trupit është syri; prandaj po të jetë i kthjellët syri yt, i gjithë trupi yt do të jetë plot dritë. 23 Por po të jetë i sëmurë syri yt, i gjithë trupi yt do të jetë në errësirë; prandaj po të jetë errësirë drita që është brenda teje, sa i madh do të jetë terri! 24 Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse o do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, o do t’i shkojë pas njërit e do të përbuzë tjetrin. Nuk mund t’i shërbeni edhe Perëndisë edhe Mamonit. 25 Prandaj po ju them, mos u shqetësoni për jetën tuaj, për çfarë do të hani dhe për çfarë do të pini, as për trupin tuaj se ç’do të vishni. A nuk vlen vallë jeta më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja? 26 Shikoni zogjtë e qiellit, që nuk mbjellin, as nuk korrin, as nuk grumbullojnë në grunar e megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju më shumë se ata? 27 Cili prej jush, sado të shqetësohet, mund t’i shtojë një orë jetës së vet? 28 Përse bëheni merak për veshjen? Shikoni si rriten zambakët e fushës, që as nuk punojnë e as nuk endin. 29 Por po ju them që as Solomoni, me gjithë lavdinë e vet, nuk ishte i veshur si një prej tyre. 30 Por nëse Perëndia e vesh kështu barin e fushës, që sot është e nesër do të hidhet në furrë, a nuk do të bëjë shumë më tepër për ju, o njerëz besëpakë? 31 Prandaj mos u merakosni, duke thënë: ‘Çfarë do të hamë?’ ‘Çfarë do të pimë?’ ‘Çfarë do të veshim?’ 32 Sepse të gjitha këto i kërkojnë paganët, dhe Ati juaj qiellor e di që keni nevojë për të gjitha këto. 33 Por kërkoni më parë mbretërinë e Tij dhe drejtësinë e Tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen. 34 Prandaj mos u bëni merak për të nesërmen, sepse e nesërmja do të shqetësohet vetë për hallet e veta. Secilës ditë i mjafton e keqja e vet. Mateu - Kapitulli 7 1 Mos gjykoni që të mos gjykoheni. 2 Sepse me atë gjykim që gjykoni të tjerët, do të gjykoheni, dhe me atë masë që matni, me atë do t’ju matin. 3 Përse shikon lëmishtën në syrin e vëllait, por nuk vë re traun që ke në syrin tënd? 4 Ose si do t’i thuash vëllait tënd: ‘Më lër të nxjerr lëmishtën nga syri yt’, kur ke traun në syrin MATEU tënd? 5 Ti hipokrit, hiq më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh më qartë, që të nxjerrësh lëmishtën nga syri i vëllait tënd. 6 Mos ua jepni qenve atë që është e shenjtë, as mos ua hidhni derrave margaritarët tuaj, se mos i shkelin me këmbë dhe kthehen nga ju e ju shqyejnë. 7 Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokisni dhe do t’jua hapin, 8 sepse kushdo që lyp, merr, dhe ai që kërkon, gjen, dhe atij që troket, do t’ia hapin. 9 Ose, cili prej jush, po t’i kërkojë i biri bukë, do t’i japë gur? 10 Ose, po t’i kërkojë peshk, mos vallë do t’i japë gjarpër? 11 Kur ju pra, që jeni të ligj, dini t’u jepni fëmijëve tuaj dhurata të mira, sa më tepër Ati juaj që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që i kërkojnë Atij. 12 Pra, çfarëdo që do të donit t’ju bëjnë njerëzit juve, po kështu bëjuani edhe ju atyre, sepse ky është Ligji dhe Profetët. 13 Hyni nga porta e ngushtë; sepse e madhe është porta dhe e gjerë është rruga që çon në rrënim, dhe të shumtë janë ata që hyjnë nëpër të; 14 sepse e vogël është porta dhe e ngushtë është rruga që të shpie te jeta, dhe të paktë janë ata që e gjejnë atë. 15 Ruhuni nga profetët e rremë, që vijnë te ju veshur me lëkurë deleje, por që përbrenda janë ujq grabitqarë. 16 Ata do t’i njihni nga frytet e tyre. A mund të vilet rrush nga drizat ose fiq nga gjembaçët? 17 Kështu, çdo pemë e mirë jep fryte të mira, por çdo pemë e kalbur jep fryte të këqija. 18 Pema e mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as pema e kalbur nuk mund të japë fryte të mira. 19 Çdo pemë, që nuk jep fryt të mirë, pritet dhe flaket në zjarr. 20 Pra, nga frytet e tyre do t’i njihni ata. 21 Jo çdo njeri që më thotë: ‘Zot, Zot’, do të hyjë në mbretërinë e qiejve, por ai që bën vullnetin e Atit Tim që është në qiej. 22 Shumë do të më thonë në atë ditë: ‘Zot, Zot, a nuk kemi profetizuar në emrin Tënd? A nuk kemi dëbuar demonë në emrin tënd? A nuk bëmë shumë mrekulli në emrin Tënd? 23 E atëherë do t’u them hapur: ‘Unë s’ju kam njohur kurrë, largohuni prej Meje, ju që keni bërë paudhësi.’ 24 Prandaj, kushdo që i dëgjon këto fjalë të Mia, dhe i vë ato në jetë, do t’i ngjajë njeriut të mençur që e ndërtoi shtëpinë e vet mbi shkëmb. 25 Ra shiu, vërshuan lumenjtë e frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse i kishte themelet mbi shkëmb. 26 Kushdo që i dëgjon këto fjalë të Mia dhe nuk i vë ato në jetë, do t’i ngjajë njeriut pa mend që e ndërtoi shtëpinë e vet mbi rërë. 27 Ra shiu, vërshuan lumenjtë e frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u rrëzua e rrënimi i saj qe i madh." 28 Dhe kur Jezusi u kishte dhënë fund këtyre fjalëve, turmat mbetën të mrekulluara nga mësimi i Tij, 29 sepse Ai i mësonte ata si një njeri me autoritet të plotë dhe jo si skribët e tyre. Mateu - Kapitulli 8 Next >