Vitet e fundit mendimtaria shqiptare ka ecur e është pasuruar me vepra të denja. Dhe më vijnë tani ndërmend njëzetë numrat e revistës Përpjekja, botuar nga Fatos Lubonja, artikujt dhe esetë e këtij të fundit te Liria e Kërcënuar e gjetkë; esetë e Aurel Plasarit, Vija e Teodosit Rishfaqet, e të tjera provokime të tij; esetë kritike të Ardian Vehbiut, te Zhargonet e Kombit, e në vijim të botimeve të tij. E të tjera punë të ndershme, nga bashkëkohës të tjerë. Në shumicën e rasteve, risimet janë shprehur me emër, qartë e pa përdredhje, pa shpërfillur formulime të tërthorta në dukje, por të pafshehura dhe ato në frymë.
Një veçori e përbashkët për shumë mendimtarë të pasdiktaturës është cilësia gjuhësore në shqipe. Është meritë e tyre që këto vite lexuam përsiatje të mirëfillta ndërshqiptare e ndërkulturore, gjë që dëshmon se pjesa më e madhe e jetës së lëçitësve në fjalë tretet përmes jetës shqiptare, si shqetësim i përhershëm njerëzor e intelektual, pavarësisht nga profili i tyre profesional, pozita shoqërore, përkatësia politike a spirituale, njerishmëria, vendveprimi, etj.
Ashtu siç mund të ngazëllehet dikush për mbarështimin e kësaj mendimtarie bujtëse të bashkëkohësve, njësoj dhe lëndohet kur shikon se përsiatësit e viseve shqiptaro-greke nuk fjalësojnë. Për ata që njohin zonën e përmendur, jepet përshtypja ungjillore se atje pritet të zbresë një ëngjëll, se vetëm ai ka fuqinë të trazojë ujërat e fjetura. Ata që dergjen në buzë të moçalit, besojnë se ai që do të arrijë të futet i pari në ujë, mbas ardhjes së trazuesit, do të shërohet e do të ecë përsëri. Zhuritja është vetjake.
Nga ana tjetër, sa herë që flitet diçka e mbarë për temën tonë, kërpudhojnë cilësime zhvlerësuese, me mënyra faqepërzhitëse, të cilat në shumicën e rasteve rrjedhin nga një intuitë e prishur, pa anashkaluar motive komode për të tjerë. Pikat më të shpeshta të kësaj përndotjeje lidhen me gjithçka të re që shkruhet mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke, dhe sidomos kur shprehet diçka që është, prej mendimtarie të shkuar, “e paprekshme”. Intelektualët e traditës, veçse, na kanë lënë aq sa deshnin dhe aq sa mundnin. Por sa e mundshme është të bëhet fillesa e qëndresa edhe në lëmin shqiptaro-grek?
Nëse mendimtarët e këtyre viteve shquhen për pavarësi intelektuale, e në disa raste dallohen për vetëveçim të përditshëm, shpifësit e sotëm kërkojnë pjesëmarrje e grupime, duke gjithëpritur një a dy intelektualë për çdo klan, të cilët do të kenë dhuntinë, sidomos atë gjuhësore, për të sjellë në lektizim bindjet e bashkideorëve. Mbas kësaj, vijon disa herë dhe mohimi i kombësisë së risuesve, prandaj dhe u ula të lexoj sot Faik Konicën.
Shumë polemistë të skajeve, pra, nuk lexojnë dhe luftojnë me metoda sot për sot, jo sot për nesër. Pemët e mosleximit dëshmohen tek mosnjohja e figurave më të dashura për ta, si Fan Noli e, sidomos, Faik Konica. Në gjithë mendimtarinë tonë, a ka vëzhgues më të mprehtë, por dhe kritikues më të ashpër, të mendësisë shqiptare, siç është rrëfyer i rrëmbyer Faik Konica në shkrimet e tij? Duke cituar Konicën, nuk kam për qëllim të bëj përgjithësime në mendimtarinë e tij, as të shkulloj emocionin e sotëm, sesa të përshkruaj e të sugjeroj në një pikë të sigurt kulturore.
Mohimi i dyfishtë i kombësisë
Marrëdhëniet shqiptaro-greke, mjerisht, janë helmatisur nga të dy palët. Aq i vështirë sa ç’është çmitizimi i Vorio Epirit në botën greke, njësoj zhgënjyes është ripërvijimi i realitetit grek në botën shqiptare. Që ta trajtosh këtë realitet vetëm nga njëra anë, nuk shtie melhem në plagë. Nga ana tjetër, të mos rezistosh gjykime të paanshme, nuk do të thotë të bësh të njëjtin mëkat, t’iu mohosh kombësinë shqiptare bashkëkohësve të tu debatues, gjë që e bëjnë vetë subjektet e zemërimit tënd; ky fakt e bën ekstremin të dukshëm e të prekshëm ndër shqiptarë. Pa sinqeritet e zemërgjerësi në pranimin e kombësisë shqiptare, në specifikën, por dhe në plotërinë e saj, nuk mund të ketë prodhimtari në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Dhe kjo vlen për tej e përkëtej kufirit.
Mohimi i kombësisë së shqiptarëve ndaj shqiptarëve, të të verbërve ndaj dritarëve, është një pasion kulturor i trashëguar. Kur Konica kritikonte mendësinë shqiptare, në vend të përgjigjeve për gjykimet e tij të drejta a të gabuara, ai cilësohej nga bashkëkombasit e tij se nuk ishte shqiptar, përderisa rridhte nga një trevë gjuhësisht e përzier, pavarësisht se Faiku ishte mysliman dhe nuk mund të ishte diçka tjetër në atë trevë, përveçse shqiptar. Ajo që befason për frymën e atyre viteve është se Konica flet siç mund të flasë dikush sot: “T’isha Grek do ta kisha për nder, të parën se njeriu lëvdohet gjithënjë me kombin e tij, të dytën se Grekërt në janë të liq për Shqipërinë janë të mirë për veten e tyre, të tretën se Grekërt kanë ndritur botën.”[1] Në fakt, jo se janë vetëm grekët që kanë ndritur apo jo botën, por ndoshta prandaj dhe këto cilësime të Konicës më duken kaq interesante.
Një nga arsyet që ka shumë reagime të çartura mbas viteve 90, është nostalgjia e ëndërrimeve të pafajshme, dëshpërimi përvëlues për mungesën e një klase shqiptare aristokratësh të lindur, për mungesën e një shtrese të lartë imagjinare, e cila jo vetëm të ekzistojë a të ngjizet, por të ketë në të njëjtën kohë dhe potencialin për të thënë gjëra të reja, të cilat mund të toleroheshin edhe nga skajorët; të ishin, pra, gjithëshqiptare, përderisa zbresin së larti, nga të kulluarit e fisshëm, e jo nga vdekatarët. Zhgënjimi, në kahun tjetër, thellohet kur bashkëkohës “të rëndomtë” dalin mbi të tjerët dhe mëtojnë se kanë gjykime tjetër për tjetër mbi çështjet kombëtare, se kanë edhe ndriçim për t’i formuluar ato, e madje kanë ndjesinë se po influencojnë e po trashëgohen, teksa të tjerët vetëmjaftohen te zhurma e bëzanies së një opinioni të sotëm mbresëlënës, dhe asgjë më tepër.
Për këta bashkatdhetarë të smirës, Konica thoshte: “Janë disa shqiptarë që sillen si të vërtetë këndezë, e zëmërohen posa zë të këndojë kokorikooo nonjë tjatër si ata. Mjerisht, në Shqipëri ka pakë pula. Shqipëtarët duke nderuar fort mëndjen dhe shërbimtarët e atdheut e duke i vënë veshin me kujdes fjalës qi del prej çdo gojës më të përvujtur, s’duan as kanë dashur […] njeri që del e thret: ‘Unë jam!’ Historia e Shqipërisë s’është përveç vërtetimi i kësaj që thomi.”[2]
Mohimi i kombësisë së njëri-tjetrit siluron shpresën shqiptaro-greke, por dhe çnderon ndërgjegjësimin e njeriut shqiptar të sotëm, për të mos thënë se, ata që arrijnë gjer atje, e kanë fare afër të përtejmen e rrymave të tjera, të cilat askush nuk e ka për nder t’i përmendë se i beson. Sepse përndryshe, jemi ne që “shkojmë kohën duke thirrur se kërkimet e Shteteve të Ballkanit në Shqipëri janë pa arësye, se kombi ynë është më i math se sa duan ta bëjnë, etj, dhe nga tjatër anë j’a vëmë në dyshim shqiptarësinë njëri tjatërit!”[3] Mbas mohimit të kombësisë së bashkëgjakësve, ndërvijojnë të tjera mohime, derisa mohimtaria e të qenit shqiptar dëshmohet si një nga veçoritë e ekstremit, i cili është pikërisht mungesa e truallit midis dy skajeve; në këtë rast skajet shqiptaro-greke.
Teoritë konspirative, përmes së cilave përligjen përluftimet ndaj mendimtarëve të sotëm, janë më se të konsoliduara ndër shqiptarë. Faik Konica, jo vetëm që i ndesh e i përball të tillët, por dhe i cilëson se “janë njerës të lindur shpirt-robër. Për ta, çdo gjë në botë bëhet pas një urdhëri e për një interest. Robër vetë, nukë besojnë të ketë njerës të lirë.”[4] Siç duket, në ditët e Konicës presioni ishte real, përshirës, gjë që të paktën sot është zvogëluar. Vëmendja si përqendrim e dhembshuri biologjike ndaj brendisë së tyre, si pjesë e subjektit të një ideali, bënte që mendje kaq të sistemuara të çmendeshin. Pasojë e kësaj çmendjeje hirlëshuese, shkaktuar nga ndërmohimi i kombësisë e i përndotjes së motivit, ishte dalja nga vetvetja, “vetëshkombësimi”, për të mjekuar marrëzinë klanore të bashkëkohësve:
“Kur shoh ca eskrokë të poshtër e pa nder, mace t’egëra me dy faqe, tradhëtorë, çpifarakë, vrasës vullgarë e prapa kurrizit […], ta marin e ta përdorin-e ta ndyjnë!-emërin shqipëtar: ta thom çiltas se më vjen turp që jam Shqipëtar edhe unë. Të qe se ndroja dot racën t’ime me fjalë, shpejt do të thohesha Grek, Kuco-Vllah, etj. Edhe Evgjit do ta kisha për nder.”[5]
Anëcakëria e viteve tona dhe mendjemadhësia pa shkak fare, lavdërimi i pasioneve të sëmura, ato që e mbajnë peng ecurinë e mendimtarisë shqipe, shpërnjohja e historisë, leximi kokëposhtë i klasikëve tanë, mosleximi i autorëve të sotëm (për arsye të përmbysjes së kanonit dhe të ngurrimit për të vendosur se cili autor i sotëm duhet lexuar), të gjitha këto, pra, janë pengesa për një rivlerësim të marrëdhënieve shqiptaro-greke. Pa një përmbysje në këtë lëmë, nuk mund të ketë formulime që japim hapësirë të dëgjohemi, të influencojmë e të përfitojmë, siç dëshironte dhe Faik Konica, dritari i kombit, kur përballte pjesën e sëmurë të kulturës shqiptare.
Së fundi, për sa i përket mohimit të kombësisë sonë, ndërsjelltas, në etnokulturën greke, gjykoj se asgjë nuk mund të arrihet nga jashtë saj, për të transformuar një mendësi të kultivuar për breza të tërë, me mjete shumë të fuqishme. Sidoqoftë, ne thirremi, këto vite ndërgjegjësimi, për të bërë hapa brendashqiptare, drejt një perspektive respekti e tolerimi për njëri-tjetrin, për të mos mohuar kombësinë e bashkëkombasve tanë, vetëm se nuk biem dakord me ta për arsye filozofie a kimie. Pa këta shqiptarë të mohuar, veçse, fjalët e rënda të skajorëve do të vazhdojnë të dëgjohen nga jashtë si tinguj të vrazhdë kalimtarie.
Mërgimi i ndjesës
“Vetë Moisiu, i mundur prej Skënderbeut, i përbuzur prej Turqve, dhe i rahur prej vetëdijes, iku nga Stambolli, ardhi në Shqipëri, i ra Skënderbeut në këmbë me një bres të lidhur në qafë, dhe me lote në sy i lypi ndjesë për fajin e tmerruar që kishte bërë. Ay e ngriti, e puthi në ballë, si birin prodik i ati në Ungjill, i dha shkallën e vjetër në ushtërinë kombëtare, dhe nxori një urdhër që askush të mos i fliste për tradhësinë e shkuar”.[6]
Këtë fragment unë e ndiej si një referencë kulturo-spirituale në letërsinë e etërve të kombit. Për mua nuk ka pasojë tundimi se sa përqind janë të Skënderbeut, sa të historisë, sa të folklorit, e sa të Nolit. Rrëmimi i historisë, letrarizimi i saj, shenjtërimi i heroit, të gjitha këto kanë për qëllim tek kjo referencë mësimdhënien, doktrinën e vlerave që përpiqet të sugjerojë autori, në këtë rast Fan Noli, se pa ndjesë nuk mund të ketë marrëveshje e marrëdhënie të sinqerta midis shqiptarëve. Prandaj dhe ky pasazh nuk mund të shpërnjihet nga brezi ynë, se pastaj lindin pyetje të tjera: Kur ati i kombit fali tradhtarin e kombit, në çfarë lartësie ndodhen ata që nuk mund të falin qoftë dhe një tradhtar tjetër, aq më tepër kur cilësimet dalin nga vlerësime konspirative e si rrjedhojë krejt të sëmura?
Ajo që është interesante ndodhet mu në fund të citimit, kur etnarku, për t’iu mbyllur gojën shqiptarëve, që të mos merren me të kaluarën e tradhtarit, e shpalli këtë me urdhëresë. A nuk është aktual Gjergj Kastrioti dhe, sidomos, Fan Noli, në këtë pikë? Ndjesa, veçse, si institucion i një rajoni të konsumuar në rite, fillon brenda nesh, duke marrë si shembull Skënderbeun që fali bashkëgjakësin e tij, Moisiun, para se të shtrihet në tjetërsi, tek grekët për shembull. Jo si obligim a si akt diplomacie, sesa si ndjenjë detyrimi spiritual, mësimdhënieje, gjë që mund të ndjehet nga tjetërsia si thirrje ndërgjegjjeje; një mësim andej nga nuk e pandehin.
Mund të thonë disa se, “grekët janë të parët që duhet të na kërkojnë ndjesë, për krimet që na kanë bërë!” Por si mund t’i shpëtojmë pastaj kundërpyetjes: “Po shqiptarët, a nuk kanë bërë ata krime ndaj grekëve?” Dhe përgjigjja e tyre ka për të qenë një “Jo!” me shkumë… Në qoftë se ne kapemi e justifikohemi se “grekët janë komb ortodoks dhe duhet të japin shembullin të parët, sipas Biblës”, kjo nuk duhet të sugjerohet nga shqiptarët, sepse ne kemi një trashëgimi më të larmishme spirituale, me disa religjione e disa reforma historike, prandaj dhe duhet të gjejmë e të provojmë vetveten. Në qoftë se religjionet nuk kanë vlera tolerimi e ndjese, a nuk rrezikohen të bëhen pre e shtrëngesës dhe e hakmarrjes?
Çfarë thotë Faik Konica, të cilin kemi thirrur në këtë bisedë? Ai na zhgënjen, se na akuzon për krime kundër grekëve. Ato figura që të ashpërit i mbajnë si më të lavdishmet, sipas Konicës, nuk janë aspak kështu. Kryeministri dalë nga Kongresi i Lushnjës, Sulejman Delvina, për shembull, “anëtar i dorës zezë xhon-Turke ka marë një pjesë të njohur në vrasje të përgjithëshme t’Armenëve të mjerë më 1915-16”.[7] Por edhe nëse ekzistojnë sot historianë tej Konicës, të cilët mund ta sfidojnë atë, ky mendimtar na rrëfen në vijim gjëra që nuk kemi pse të mos besojmë. Bëhet fjalë për takimin e tij me Kolë Tromarën në Romë, prandaj dhe po sjell këtu vetë dëshminë:
“Më thotë Kapetan Kola se ronte në Worcester një Morait me të shoqen, Korçare, me të vjehërën, edhe me një vajëz të vogël që e kishin bërë të krishterë. “Vatra”, që të fitojë influencë nër muhamedanët, dëshëronte ta heqë vajëzën nga dor’ e Grekut edhe t’ua kthejë njerëzve të saj. Po “Vatra” s’mejtoj as të zërë avokat që ta marë vajëzën me gjygj, as të përdorë shtypin amerikan për shpëtimin e saj. Jo, “Vatra” e zuri të vetëmën udhë që dinë barbarët: vuri edhe e vranë Grekun!
[…] Atë vajëz, e mundonte Greku? -Përkundrë, tha Kol Tromara, e yshqente mirë, e vishte bukur, e ritte me kujdesë. Gjeta një shkak të ndahem nga brigandi; edhe si mbeta vetëm, rashë në shtrat, me ethet e dëshpërimit. Mejtohesha: Themelohet një shoqëri [shoqatë] për të stërvitur e për të qytetëruar popullin, – edhe mësimi që i jep popullit është të shkelë kanunet e vëndit e të njerëzisë, të zërë pusi edhe të derdhë gjak. O fat tragjik, që më ke bërë shok me assassinët e me brigandët, mua që më vjen keq të shtyp edhe një mizë kur ecij udhës! Edhe s’dija si të sillem: të heq maskat edhe të bërtas, apo të hesht nga frika e shkandullit?…Është për të besuar që vrasja e Worcester-it s’është i vetëmi delikt që ka bërë “Vatra”. Edhe të tjera vrasje n’Amerikë do ta kenë burimin në Tremont Street.”[8]
Fjalë të rënda, të cilat tundojnë: Kush ishte më kriminel, Enver Hoxha që pushkatoi Kolë Tromarën, apo Kolë Tromara që pagoi për të vrarë një bamirës? Ja, fare kështu mund t’i dorëzohemi ndjenjave që mëton ndjesa në realitetin shqiptaro-grek. Zgjedhja e ndjesës, si heshtje në dhimbje, për një kujtesë kulturore të çiltëruar, sepse kjo mund të jetë për shumë udha drejt vetënjohjes personale e kombëtare.
Mohimi i ndjesës
E duam, pra, ta përftojmë ndjesën si institucion. Vetë kjo pastaj, sfidon institucionet ekzistuese, të cilat janë larg këtyre vlerave që na lëçitën rilindasit tanë. Sepse me arsye e me parashikime njerëzore, pret dikush që ai institucion që duhet të bëjë i pari hapin e ndjesës është KOASH-i, konkretisht për përndjekjet dhe persekutimet që shumë ortodoksë shqiptarë kanë pësuar në të kaluarën, por që po pësojnë ende sot.[9] Përse të shkojmë gjetkë e të kërkojmë gjurmë e hesap, kur e mira dhe e keqja janë të mishëruara në botën shqiptare?
Shkaku kryesor për përgjumjen e ortodoksëve, lidhet me moskuptimin e specifikës vendore nga vetë faktorët ortodoksë, sepse ata janë parësisht përgjegjës dhe për më tutje; nuk mund të fshihen më mbas njëshit ortodoks, herë duke i thurur lavde, e herë duke e përfolur mbrapa krahëve, për përfitime të gjithandejshme. Në qoftë se procedura të tilla kanunore tej Njëshit janë dëlirur, atëherë me çfarë ndërgjegjjeje u shërbehet institucioneve të tilla kultbërëse? Për t’i trashëguar? Bie tashmë përgjegjësia tek klerikët, e sidomos tek ata më të lartët ndër shqiptarë ortodoksë.
Por, veç mosndijimit të specifikës shqiptare nga të huajt, apo nga vendorët e zgjedhur prej tyre, ekzistojnë pikënisje të tjera, emocionale, personale, njësoj të dëmshme, të cilat është shumë lehtë të lidhen atje ku nuk zgjidhen; ja tek shquhet një pjesë e krimeve bërë nga vetë shqiptarët ortodoksë, kur këta janë të padenjë për pozitën që iu falet, me apo pa meritë.
Në këtë perspektivë ndjese si rivlerësim, vërejmë të zhgënjyer se nuk tregohet urtësi intelektuale nga shtetarët shqiptarë, të cilët vazhdojnë të bashkëmëkatojnë duke abuzuar qoftë dhe me laicitetin e pozitës së tyre, për të mos folur pastaj për detyrimet e tyre historike ndaj ortodoksisë shqiptare. Sepse përndryshe, ata sot duhet të ishin më të informuar e më të ndjeshëm për çështjet tona, duhet të posedonin këshilltarë kompetentë, gjë që nuk ishte e mundur një dhjetëvjeçar më parë, kur u bënë gabime me pasoja tej brezit tonë.
Duke u ndalur tek ndërhyrjet dhe përzgjedhjet e pavend të shtetit, le të ndërgjegjësohemi më në fund e të kuptojnë se nuk i ka hije një kleriku shqiptaro-amerikan të bëhet njësh me lloj-lloj cilësie, vetëm e vetëm për të përfituar. Nuk është në traditën kanunore ortodokse që një prift i rëndomtë të shkelë e të tejkalojë pozitën e tij, të sakrifikojë kaq shumë prestigjin e fituar me metoda tejkishtare, në një fazë të volitshme historike. Ndërhyrjet e tij në vitin 1991 e në vijim, shkaktuan plagë në kishën ortodokse shqiptare që askush nuk ka dhuntinë të shërojë sot. Me akte absurde, prifti i përdorur, jo vetëm që e përmbysi predikimin e tij të shtirur ndër shqiptarë, por e përdori priftërinë ortodokse për të përndjekur teologët e përndjekur nga KOASH-i, të cilët janë detyruar të përfundojnë në kisha të huaja. Shpërndarja e vëmendjes ndër ortodoksë dhe çorientimi e tyre, vijnë pjesërisht dhe nga qëndrimi sibilik i atij prifti të përdorur nga faktorë jo ortodoksë.
A nuk duhet që kleriku i përfolur, i cili ruaka dhe vlerat më me sqimë shqiptare e amerikane, të dalë e të sugjerojë ndjesën si alternativë për jetëdhënie në jetën shqiptare ortodokse, duke u nisur nga vetë gabimet e tij? Nuk flasim për akte sensacionale ndjese në hotelet e Nju Jorkut, të cilat i zbatoi me hollësi priftërore, edhe pse ishin tejembanë shekullare e të pamoralshme. Flasim për ndjesë pa thënë “më fal”, ndjesë si qëndrim, me Fan Nolin e Faik Konicën, si kthesë, si pajtim, si më e vërteta udhë negociimi edhe për një rivlerësim të marrëdhënieve shqiptaro-greke, për të bërë diçka nga historia e zhbërë këto vite. Si rrjedhojë, dera e ortodoksisë shqiptare është e kyçur nga brenda.
At Foti Cici
Panorama, 12-13 janar 2005
———————————
[1] Faik Konica, “Harbutët po ‘hazdisen’ – Shahin Bej Kolonjës”, 1902 (Cituar nga Faik Konica, Vepra 3, Dudaj, 2000, f. 84).
[2] “Vija e urtë”, 1900 (Po aty, f. 63).
[3] “Përgjigjje një Sërbi”, 1904 (Po aty, f. 134).
[4] Po aty, f. 125
[5] Po aty, f. 133
[6] Fan S. Noli, Historia e Skënderbeut, 1950, f. 80.
[7] Faik Konica, “Për stërvitjen morale e sociale të popullit – Një shoqëri [shoqatë] kriminale”, 1921 (Po aty, f. 170).
[8] Po aty, f. 168-173.
[9] Në qoftë se terrori shpirtëror nuk është pësim, pavarësisht se vijon apo jo në çmime fizike të dokumentuara, atëherë çfarë është? Por ekstremi shqiptar nuk lejon përqasje të tilla, të sinqerta, ndriçuese. Në tentativë për të thirrur në debat të kaluarën e marrëdhënieve shqiptaro-greke, ashtu siç iu është thënë atyre, ndërhyrësit e sotëm jo ortodoksë mohojnë a priori debatin e paanashëm me grekët. Në të kundërt, sa herë që ndiejnë se debati shqiptaro-grek rrezikon të mbarështohet, ata orvaten të krijojnë trazira në çështjet tona kishtare. Të gjorët besojnë se ndërgjegjësimi historik i shqiptarit të sotëm mund të dalë si bindje riciklimi e skenave historike, me të njëjtin skenar të paradhënë: Vrasje, helmime, bujë, rrëmujë, etj. Cilësia qytetare e këtyre klaneve është përftuar falë referencave të imponuara me atë të përsëritjes, si të vetmet pika që përligjin ndërhyrje në punët e kishës ortodokse shqiptare. Edhe pse kanë kaluar pesëmbëdhjetë vjet përndodhjeje, përfshirjeje e përdorjeje të tyre, autoqefalistat nuk mundën të shtojnë asnjë shkronjë në fjalësin e tyre ideologjik, duke mohuar kështu virtytësinë publike. Sidoqoftë, ata janë gati të aktivizohen sa herë që iu kërkohet.