Vetëvrasjet e fëmijve kanë shkënditur të blertën për një debat publik. Ndoshta duhej të vetëflijoheshin të miturit, që ne të rriturit të rezistonim një përsiatje mbi format e skajshme reaguese, një dukuri mjaft e ngjarë këto vite kalimtarie për shqiptarët prej Shqipërie; vetëmohimi si mohimi ynë.

Shkrimet në shtyp trajtojnë më tepër rrethanat e vetëvrasësve, përzgjedhjet e tyre, dhe shigjetojnë tek mjediset ku ishin joshur e mëkuar vajzat, duke bërë të mendohet se atje qenka dhe përgjegjësia kryesore. Tejpjekuria fëminore, veçse, e cila dhe ajo është njësoj e lashtë sa vetëvrasja, theksohet e merret si cilësi virtyti, për ta bërë edhe më rituale në media, gjë që pështjellon analizën e vetëvrasjeve. Vetëgjyqësimi për shqiptarët e pasdiktaturës duket se është një nga tiparet këmbëngulëse për t’u ngritur befasisht, jashtë kohe e sa më lart, prandaj dhe shpërthen si reagim për të mbuluar boshllëqet verbale të durimit, ky filtër i keq i mundimit të shqiptarëve.

Spiritualiti ynë e ka trajtuar vetëflijimin në bazë doktrinash e vlerash universale, domethënë me synime dënuese. Formulimet e besimeve tradicionale, ashtu siç u paraqitën në shtyp këto ditë, mjerisht shprehin të njëjtat motive ekskluzive; në këtë rast është ajo që thotë populli, “rroftë sebepi”.[1] Ndoshta i përket shoqërisë shqiptare për të bërë thelbin e debatit, për ta trajtuar vetëvrasjen si veçori vendore, për të rrëmuar e formuluar përmbajtjen tonë socio-kulturore, intensitetin emocional të këtij brezi, me ato pasoja që, nëse pranoheshin, nuk do të çonin në vetëshkatërrim mjaft bashkëkohës. Psikologjia, për parantezë, ushtron ende hije në kulturën tonë, siç duket e ngurtësuar në shprehje shqipe që janë gjerësisht të përdorshme në vrundujt e së folmes.

Manipulimi i mendjes

Edhe pse vetëvrasja si veçori kulturore na pret ta rrokim si pikë risuese, tematika e këtyre ditëve në shtyp shtyn të pranojmë një pjesë të krimit: manipulimin e mendjes, gjë që shërben si predispozitë për vetëmohim, sidomos në rrethana aktivizuese. Mendjemanipulimi mund të ndodhë në familje, ku dikush ka dhunti për t’u imponuar psikologjikisht, në një lidhje intime, ku njëra palë është emocionalisht më e fortë, në një proces shkëmbimi, ku dhuntia e shitësit shton nevojën e blerësit, por mund të fytyrohet më qartë në grupime ku lideri përdor modele teknikash, të përdorura më parë me sukses në histori, për të manipuluar mendjet e pjesëmarrësve. Prandaj dhe kontrolli mendor mund të zbulohet më lehtë në fe dhe në politikë.

Pavarësisht nga vlerësimet mbi disa sekte, të cilat janë të njohura për doktrinat e tyre shtrënguese, rreziku për manipulim të mendjes e zelltari skajore ndodhet në çdo institucion fetar. Qeverisësit e hirshëm kanë të njëjtin potencial rrëshqitjeje në çdo religjion, janë pjesëtarë në të njëjtat dhunti e vese. Njësoj mund të themi dhe për lëmin e politikës. Pa shkulluar vetëvrasjet e politikanëve në historinë shqiptare, të cilat nuk mund të përjashtohen nga kjo problematikë, ekzistojnë rrethana kurthi për çdo brez, për çdo formacion politik, ku nuk fshihen raste personale e grupore vetëgjyqësimesh. Le të përkujtojmë pastaj vdekjet e ngadalta përreth, viktimat më të spikatura të manipulimit të njeriut, të cilat nuk janë spektakolare, prandaj dhe vijojnë në botën shqiptare gojëkyçura; në fe, në politikë dhe në lidhjet bashkëshortore e ndërpersonale.

Nuk përbën pjesë të kësaj përsiatjeje manipulimi i vullnetshëm, domethënë dëshirat vetabuzuese që ëndet dikush të hijesojë, sesa manipulimi si mashtrim, ai mjedis që sheston një lojë mendore, ku një njeri a një grup njerëzish përfundojnë viktima të manipulimit. Këto subjekte përdoren pastaj për të përjetësuar interesat e grupit/klanit, dhe në të njëjtën kohë ndodhen shumë afër një reagimi të skajshëm, siç mund të jetë flijimi i dikujt, si nevojë për t’u realizuar individualisht, ose vetëflijimi, si pasojë e kultizimit të vetvetes, duke u perënduar brenda një hyjnaje të imagjinuar, por dhe i zhgënjimit që mund të shkaktojë vetënjohja si zbulim. Për pasojë, manipulimi i pavullnetshëm kërcënon ngjizjen e një shoqërie të lirë shqiptare.

Brishtësia e ndërsjelltë 

Në një studim mbi metodat manipuluese që përdorin kultet  bashkëkohore, për të shtuar e kultivuar ithtarët, vlerësohet se viktimat më të mundshme për manipulim të pavullnetshëm janë “të rinjtë, të dobëtit, naivët dhe neurotikët”.[2] A nuk është shqetësues ky hulumtim, nëse përqaset me përvojën shqiptare të këtij brezi? Ja sepse:

  1. a) Në shumicë shqiptarët janë “të rinj”, jo vetëm nga mosha por nga përvoja psiko-spirituale, përderisa feja është diçka e sapombjellur, por që pak më parë ishte çrrënjosur;
  2. b) Shumë shqiptarë janë “të dobët”, jo gjithmonë nga fiziku, sesa nga aspekti ekonomik, i cili përdoret shpesh nga kultet e sotme;
  3. c) Shqiptarët mund të jenë “naivë”, jo nga mprehtësia, sesa nga mungesa e përvojës për të shquar dhuntitë e dikujt që vepron në “shenjtëri”;
  4. d) Shumë janë “neurotikë”, jo nga klinika e termit, sesa nga shtypja e gjithanshme që jeta i ka imponuar shqiptarit të sotëm, kujt më shumë e kujt më pak.

Si rrjedhojë, të gjithë rrezikohemi nga manipulimi në fe e në politikë, por dhe nga abuzimi në marrëdhëniet ndërpersonale; jemi, pra, të brishtë për t’u përdorur nga kultet.

Sidoqoftë, kur ne jemi të informuar mbi teknikat manipuluese, pozita e kulteve bëhet më e brishtë se pozita jonë, aq sa vetë ne mund të transformojmë ndonjëherë dhe vetë prijësit e kultizuar, të cilët edhe ata janë viktima, pavarësisht se jetojnë vetëm për të vdekur e ngjallur viktimat e tyre. Duke shquar këtë brishtësi të ndërsjelltë, është e ngutshme të nxitemi drejt kësaj perspektive në familje, në fis, në shoqëri, në tempull e kudo: Informim e ndërgjegjësim për teknikat e manipulimit mendor. Në një vizion të tillë shoqëria shqiptare ka nevojë për një përfshirje e bashkëveprim organizmash (jo fetarë e jo politikë), për të fjalësuar përmes lëmit psikologjik. Përpjekje të tilla ndriçuese do të lehtësojnë jetën tonë në këtë periudhë të pështjelluar kulturore, do të jenë prehja që presin shumë jetë të humbura, si dhe jetëdhënia që aspirojnë shumë viktima gjysmë të gjalla; bashkëvuajtësit e vetëgjyqësuar për një reformë shëruese në përvojën shqiptare.

At Foti Cici
Shekulli, 23 shkurt 2005

———————————

[1] Sinodi i KOASH-it vendosi, në maj 2005, të mos ofrojë shërbesa për të vetëvrarët, pa lënë hapësirë për përjashtime. Por sinodi harroi të pozicionohet për ata ortodoksë që janë mendërisht të sëmurë, të cilët nuk janë të ndërgjegjshëm për vendimet e tyre, edhe kur vetëvriten. Ky vendim kishtar i misionit grek, në një vend ku mungon perspektiva e psikologjisë si pjesë e përditshmërisë, është një tjetër vetëvrasje në përvojën shqiptare.
[2] Isser & Schawartz, The history of conversion and contemporary cults, 1988 (Cituar nga Cultic Studies Journal, Vëllimi 8, Nr. 1, 1991, f. 39). Fjala “kult” përdoret këtu në kuptimin e një grupi fetar a politik, ku Njëshi krijon një mjedis manipulimi.