Kapitulli:  1  2  3  4  5  6  7  8  9  10  11  12  13  14  15  16

Kapitulli 1

1 Pali, shërbëtor i Krishtit Jezus, i thirrur për të qenë apostull, i veçuar për ungjillin e Perëndisë,

2 të cilin Ai e kishte premtuar që më parë nëpërmjet profetëve të vet në Shkrimet e Shenjta,

3 për Birin e vet, që kishte lindur nga farë e Davidit sipas mishit,

4 i cili u shpall Bir i Perëndisë me fuqi sipas Frymës së shenjtërisë nga ngjallja e të vdekurve: Jezus Krishti Zoti ynë.

5 Nëpërmjet Tij kemi marrë hir dhe apostullim për të arritur bindjen në besim ndër të gjitha kombet, për hir të emrit të Tij.

6 Edhe ju jeni ndër ata që janë thirrur nga Jezus Krishti.

7 Të gjithë atyre që janë në Romë, të dashurit e Perëndisë, të thirrur për të qenë shenjtër: Hir mbi ju dhe paqe nga Perëndia Ati ynë dhe Zoti Jezus Krisht.

8 Së pari falënderoj Perëndinë tim nëpërmjet Jezus Krishtit për të gjithë ju, sepse besimi juaj po shpallet në tërë botën.

9 Sepse Perëndia, të cilit i shërbej me gjithë zemër në predikimin e ungjillit të Birit të Tij, është dëshmitari im se si ju kujtoj vazhdimisht,

10 duke kërkuar gjithmonë në lutjet e mia, që tani në njëfarë mënyre me vullnetin e Perëndisë të arrij më në fund të vij tek ju.

11 Sepse kam shumë dëshirë t’ju shoh që t’ju jap juve ndonjë dhunti Fryme që ju të bëheni të fortë,

12 domethënë, t’i japim zemër njëri-tjetrit nëpërmjet besimit të përbashkët, tuajit dhe timit.

13 Nuk dua që ju të mos e dini, vëllezër, se shpeshherë kam pasur ndër mend të vij tek ju (por deri tani jam penguar), që të kisha edhe midis jush ndonjë fryt, siç kam pasur në pjesën tjetër të kombeve.

14 U jam borxhli si grekëve edhe të huajve, si atyre me mend ashtu edhe atyre pa mend.

15 Kështu, sa për mua, jam gati t’ju predikoj ungjillin edhe juve që jeni në Romë.

16 Sepse nuk më vjen turp për ungjillin, sepse ai është fuqi e Perëndisë për shpëtimin për këdo që beson, më parë për judeun e pastaj për grekun.

17 Sepse në të zbulohet drejtësia e Perëndisë që është fund e krye nga besimi, siç është shkruar: ‘I drejti do të jetojë prej besimit’.

18 Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet prej qiellit kundër çdo papërshpirtërie dhe çdo paudhësie të njerëzve që e mbysin të vërtetën me paudhësi,

19 sepse ajo që mund të njihet për Perëndinë shfaqet ndër ta; sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre.

20 Sepse cilësitë e Tij të padukshme, fuqia e Tij e përjetshme dhe hyjnia e Tij janë parë qartë që nga krijimi i botës, duke u kuptuar nëpërmjet atyre që janë bërë, kështu që ata të mos kenë shfajësim.

21 Sepse megjithëse e njohën Perëndinë, nuk i dhanë lavdi, as nuk e falënderuan si Perëndi, por u bënë të marrë në arsyetimet e tyre, dhe zemra e tyre e pamend u errësua.

22 Duke pohuar se janë të mençur, ata u bënë të marrë,

23 dhe e këmbyen lavdinë e Perëndisë së pavdekshëm me një shëmbëlltyrë në formën e njeriut të vdekshëm, të zogjve, të kafshëve katërkëmbëshe dhe të zvaranikëve.

24 Prandaj Perëndia i braktisi ata në papastërtinë e epsheve të zemrave të tyre, që trupat e tyre të çnderohen me njëri-tjetrin.

25 Sepse e shkëmbyen të vërtetën e Perëndisë me një gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë. Amen.

26 Prandaj Perëndia i braktisi ata në pasionet çnderuese, sepse edhe femrat e tyre i shkëmbyen marrëdhëniet e natyrshme me ato kundër natyrës.

27 Po ashtu edhe meshkujt, duke lënë marrëdhënien e natyrshme me femrën, u dogjën në epshe ndaj njëri-tjetrit, mashkull me mashkull duke kryer akte të turpshme dhe duke marrë në vetvete shpagimin e merituar për fajin e tyre.

28 Meqë menduan se nuk ia vlen ta njohin Perëndinë, Perëndia i la me mendje të çoroditur, për të bërë ato që nuk janë të hijshme,

29 të mbushur me çdo paudhësi, ligësi, lakmi, keqdashje; plot smirë, vrasje, grindje, mashtrim, poshtërsi; ata janë thashethemexhinj,

30 shpifësa, urryes të Perëndisë, fyes, arrogantë, mburravecë, trillues ligësish, të pabindur ndaj prindërve,

31 të pamend, të pabesë, pa zemër, të pamëshirshëm.

32 Megjithëse e njohin gjykimin e drejtë të Perëndisë, që kush bën të këtilla gjëra meriton vdekjen, ata jo vetëm që vazhdojnë t’i bëjnë ato, por edhe miratojnë ata që i kryejnë.

Kapitulli 2

1 Prandaj, ti o njeri, kushdo qofsh që gjykon një tjetër, nuk mund të jesh i shfajësuar, sepse duke gjykuar tjetrin, ti dënon veten tënde; sepse ti që gjykon i bën vetë po ato gjëra.

2 Tani, ne e dimë se gjykimi i Perëndisë mbi ata që bëjnë të këtilla punë bazohet në të vërtetën.

3 A e mendon, ti o njeri, që gjykon ata që bëjnë të këtilla gjëra në një kohë që edhe ti vetë bën po ato, se ti do t’i shpëtosh gjykimit të Perëndisë?

4 Apo nuk përfill pasurinë e mirësisë së Tij, të durimit e të mundimit të madh, pa e ditur se mirësia e Perëndisë të çon drejt pendimit?

5 Por për shkak të kryeneçësisë tënde dhe të zemrës së papenduar, mbledh për vete zemëratë për ditën e zemërimit të Perëndisë, kur do të zbulohet gjykimi i drejtë i Tij.

6 Perëndia do t’ia kthejë secilit sipas veprave të tij.

7 Atyre, që kërkojnë lavdi, nder dhe pavdekësi duke ngulmuar për të bërë mirë, do t’u japë jetë të amshuar,

8 por atyre, që janë egoistë dhe nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, do t’u japë zemëratë dhe indinjatë.

9 Mundim dhe ankth do të ketë për çdo shpirt njeriu që bën të keqen, më parë për judeun e pastaj për grekun,

10 por lavdi, nder dhe paqe për këdo që bën mirë, judeut më parë e pastaj grekut.

11 Sepse Perëndia nuk i mban anën askujt.

12 Sepse të gjithë ata që kanë mëkatuar pa Ligj, po ashtu pa Ligj do të zhduken dhe të gjithë ata që kanë mëkatuar nën Ligjin, prej Ligjit do të gjykohen.

13 Sepse të drejtë para Perëndisë nuk janë ata që e dëgjojnë Ligjin, por janë pikërisht ata që e zbatojnë Ligjin që do të shfajësohen.

14 Sepse kur kombet, që nuk kanë Ligj, bëjnë prej natyre gjërat e Ligjit, këta janë ligj për veten e tyre, edhe pse nuk kanë ligj.

15 Ata tregojnë se vepra e Ligjit është shkruar në zemrat e tyre, ku ndërgjegjja e tyre dëshmon dhe mendimet midis njëri-tjetrit i padisin ose edhe i mbrojnë.

16 Kjo do të ndodhë në ditën kur Perëndia, siç e shpall ungjilli im, do të gjykojë të fshehtat e njerëzve nëpërmjet Krishtit Jezus.

17 Por nëse ti mban emrin “jude”, nëse mbështetesh në Ligjin dhe mburresh me Perëndinë,

18 nëse e di vullnetin e Tij dhe miraton ato që janë thelbësore, duke u udhëzuar nga Ligji,

19 nëse je i bindur se ti vetë u prin të verbërve, se je dritë për ata që janë në errësirë,

20 edukues i të marrëve, mësues i të miturve, duke pasur në Ligjin mishërimin e dijes dhe të së vërtetës –

21 ti, pra, që mëson të tjerët, a nuk mëson veten tënde? Ti që predikon të mos vjedhin, a vjedh?

22 Ti që thua të mos shkelet kurora, a kryen tradhëti bashkëshortore? Ti që urren idhujt, a i grabit tempujt?

23 Ti që mburresh me Ligjin, a e çnderon Perëndinë duke shkelur Ligjin?

24 Sepse siç është shkruar: “Emri i Perëndisë shahet ndër kombet për shkakun tuaj.”

25 Sepse, vërtet, rrethprerja sjell dobi nëse zbaton Ligjin, por nëse je shkelës i Ligjit, rrethprerja jote është njësoj sikur të mos ishte bërë.

26 Pra, nëse ai që nuk është rrethprerë i ruan urdhëresat e Ligjit, a nuk do të konsiderohet si i rrethprerë, edhe pse nuk është i tillë?

27 Ai që nga natyra nuk është rrethprerë por që përmbush Ligjin, do të të gjykojë ty, që megjithëse e ke Ligjin e shkruar dhe rrethprerjen, je shkelës i Ligjit.

28 Sepse nuk është jude ai që duket në pamje të jashtme; as rrethprerje nuk është ajo që duket në mish.

29 Jude është ai që është përbrenda dhe rrethprerje është ajo e zemrës, sipas frymës, jo sipas ligjit të shkruar; lëvdata e një njeriu të tillë nuk vjen prej njerëzve por prej Perëndisë.

Kapitulli 3

1 Cila është pra, përparësia e judeut? Ose ç’vlerë ka rrethprerja?

2 E madhe, në çdo drejtim. Para së gjithash, sepse atyre iu besuan ato që ka thënë Perëndia.

3 E ç’rëndësi ka pastaj nëse disa nuk besojnë? A mos vallë mosbesimi i tyre do ta shfuqizojë besnikërinë e Perëndisë?

4 Kurrë mos qoftë! Përkundrazi, qoftë Perëndia i vërtetë dhe çdo njeri gënjeshtar, siç është shkruar: “Që të shfajësohesh në fjalët e Tua dhe të dalësh fitimtar kur të gjykohesh.”

5 Por nëse padrejtësia jonë nxjerr në pah drejtësinë e Perëndisë, ç’do të themi? Mos vallë Perëndia që shfren mbi ne zemërimin e Vet është i padrejtë? (Po flas si njeri.)

6 Kurrë mos qoftë! Përndryshe si do ta gjykojë Perëndia botën?

7 Por nëse me gënjeshtrën time ngrihet lart e vërteta e Perëndisë për lavdinë e Tij, përse gjykohem edhe unë ende si mëkatar?

8 Pse të mos themi, (siç na shajnë dhe siç shpifin disa sikur ne thokemi) “Të bëjmë të këqija, që të vijnë të mirat.”? Dënimi i tyre është i drejtë.

9 Qysh pra? A jemi ne më të mirë? Aspak! Sepse ne sapo i kemi akuzuar si judenjtë edhe grekët se të gjithë janë nën mëkat;

10 siç është shkruar: “Nuk ka njeri të drejtë, as edhe një;

11 nuk ka njeri që të kuptojë, nuk ka njeri që të kërkojë Perëndinë.

12 Të gjithë kanë dalë nga udha, së bashku u bënë të padobishëm. Nuk ka njeri që të bëjë mirësi, nuk ka as edhe një.

13 Gurmazin e kanë si varr të hapur; me gjuhën e tyre vazhdimisht mashtrojnë, helm nepërkash kanë nën buzë.

14 Gojën e kanë plot mallkim e hidhësi.

15 Këmbët i kanë të shpejta për të derdhur gjak,

16 Rrënim dhe mjerim ka në udhët e tyre

17 dhe udhën e paqes nuk e kanë njohur.

18 Nuk ekziston frikë Perëndie para syve të tyre.”

19 Por ne e dimë se Ligji, çfarëdo që të thotë, u flet atyre që janë nën Ligj, që çdo gojë të mbyllet dhe e gjithë bota të vihet nën gjykimin para Perëndisë;

20 sepse nga veprat e Ligjit asnjë mish nuk do të shfajësohet para Tij; përkundrazi, nëpërmjet Ligjit arrihet njohja e mëkatit.

21 Por tani drejtësia e Perëndisë është shfaqur pavarësisht nga Ligji dhe për të dëshmon Ligji dhe Profetët.

22 Drejtësia e Perëndisë vjen nëpërmjet besimit në Jezus Krishtin, për të gjithë ata që besojnë. Nuk ka dallim;

23 sepse të gjithë kanë mëkatuar dhe u mungon lavdia e Perëndisë

24 dhe po shfajësohen falas nga hiri i Tij nëpërmjet shpengimit që erdhi nëpërmjet Krishtit Jezus.

25 Perëndia e paraqiti Atë si shpërblesë nëpërmjet besimit në gjakun e Tij, për të treguar drejtësinë e Tij, sepse durimi i Perëndisë i kishte kaluar pa dënuar mëkatet e kryera më parë,

26 E bëri këtë për të shfaqur drejtësinë e vet në kohën e tanishme, që Ai të jetë i drejtë dhe të shfajësojë atë që ka besim në Jezusin.

27 Ku është pra mburrja? Përjashtohet. Me anë të cilit ligj? Të veprave? Jo, por nëpërmjet ligjit të besimit.

28 Ne mendojmë se njeriu shfajësohet me anë të besimit jashtë veprave të Ligjit.

29 Apo Perëndia është vetëm i judenjve? A nuk është Ai edhe i kombeve? Po, edhe i kombeve,

30 meqenëse është një Perëndi i vetëm, i cili do të shfajësojë atë që është rrethprerë prej besimit dhe atë që nuk është rrethprerë nëpërmjet po atij besimi.

31 Atëherë a ia heqim ne vlerën Ligjin nëpërmjet besimit? Kurrë mos qoftë! Përkundrazi, e përforcojmë Ligjin.

Kapitulli 4

1 Pra, çfarë do të themi ne, se ka arritur ati ynë Abrahami sipas mishit?

2 Sepse nëse Abrahami u shfajësua me anë të veprave, ai ka me se të mburret, por jo përpara Perëndisë.

3 Sepse çfarë thotë Shkrimi? “Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu llogarit si drejtësi.”

4 Atij që punon, paga nuk i llogaritet si dhuratë, por si borxh.

5 Por atij që nuk punon, por beson në Atë që shfajëson të paperëndishmit, besimi i llogaritet si drejtësi.

6 Ashtu si e përshkruan edhe Davidi lumturinë e njeriut, të cilit Perëndia ia llogarit drejtësinë jashtë veprave.

7 “Lum ata të cilëve u janë falur veprat e paligjshme dhe u janë mbuluar mëkatet.”

8 Lum ai njeri të cilit Zoti nuk do t’ia llogarisë fare mëkatin .”

9 Pra, ky bekim vlen vetëm për ata që janë rrethprerë, apo edhe për ata që nuk janë rrethprerë? Sepse ne themi: “Besimi iu llogarit Abrahamit si drejtësi.”

10 Si u llogarit kjo atëherë? Kur ai ishte i rrethprerë apo i parrethprerë? Jo kur ishte i rrethprerë, por kur ishte i parrethprerë.

11 Ai mori shenjën e rrethprerjes, si vulë të drejtësisë së besimit që e kishte kur ende nuk ishte i rrethprerë. Pra, ai është ati i të gjithë atyre që besojnë, megjithëse i parrethprerë, që edhe atyre t’u llogaritet si drejtësi.

12 Ai është gjithashtu ati i rrethprerjes, për ata që jo vetëm janë rrethprerë, por edhe për ata që ecin në gjurmët e besimit të atit tonë Abraham, kur ai nuk ishte rrethprerë.

13 Sepse premtimi që Abrahami do të ishte trashëgimtar i botës, nuk iu dha atij apo pasardhësve të tij nëpërmjet Ligjit, por nëpërmjet drejtësisë që vjen nga besimi.

14 Sepse po të bëheshin trashëgimtarë ata të Ligjit, besimi do të bëhej i kotë dhe premtimi do të zhvlerësohej;

15 sepse Ligji krijon zemërim, ndërsa aty ku nuk ka ligj nuk ka as shkelje.

16 Prandaj premtimi vjen prej besimit, që të vijë sipas hirit, me qëllim që ai t’i sigurohet çdo pasardhësi, jo vetëm atij të Ligjit, por edhe atij të besimit të Abrahamit. Ai është atë për ne të gjithë,

17 (siç është shkruar: “Të kam bërë atë të shumë kombeve.”) Ai është atë para Atij të cilin ai besoi, Perëndisë, që i kthen në jetë të vdekurit dhe që i thërret gjërat që nuk janë, sikur të ekzistojnë.

18 Abrahami pati besim kundër çdo shprese, se do të bëhej atë i shumë kombeve, sipas asaj që i ishte thënë: “Kështu do të jenë pasardhësit e tu.”

19 Pa u lëkundur në besim, ai mendoi për trupin e vet, tashmë gati të vdekur, meqë ishte rreth njëqind vjeç, dhe për barkun e vdekur të Sarës.

20 Sa për premtimin e Perëndisë, ai nuk u lëkund me mosbesim, por u forcua në besim dhe i dha lavdi Perëndisë.

21 Ai ishte plotësisht i bindur se Perëndia do të bënte atë që kishte premtuar.

22 Prandaj edhe kjo iu llogarit atij si drejtësi.

23 Fjalët “kjo iu llogarit si drejtësi” nuk u shkruan vetëm për atë,

24 por edhe për ne, të cilëve do të na llogaritet, ne që besojmë tek Ai që ka ngjallur nga të vdekurit Jezusin, Zotin tonë,

25 i cili iu dorëzua vdekjes për shkak të fajeve tona dhe u ngjall për shfajësimin tonë.

Kapitulli 5

1 Prandaj, meqë jemi shfajësuar me anë të besimit, ne kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Zotit tonë Jezus Krishtit,

2 nëpërmjet të cilit siguruam hyrjen me anë të besimit në këtë hir në të cilin po qëndrojmë; dhe ngazëllohemi në shpresën e lavdisë së Perëndisë.

3 Dhe jo vetëm kaq, por ne gjithashtu ngazëllohemi në mundimet tona, duke ditur se mundimi sjell durim,

4 durimi sjell karakter të sprovuar dhe karakteri i sprovuar shpresë.

5 Dhe shpresa nuk të zhgënjen, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona nëpërmjet Frymës së Shenjtë që na u dha neve.

6 Sepse kur ne ishim ende të dobët, Krishti megjithatë vdiq në kohën e caktuar për ata që janë të papërshpirtshëm.

7 Sepse vështirë është që dikush të vdesë për një njeri të drejtë; por ndoshta për një njeri të mirë dikush edhe do të guxonte të vdiste.

8 Ja si e shfaq Perëndia dashurinë e Vet ndaj nesh: ndërsa ne ishim ende mëkatarë, Krishti vdiq për ne.

9 Meqenëse tani jemi shfajësuar me anë të gjakut të Tij, aq më tepër do të shpëtojmë nga zemërimi i Perëndisë nëpërmjet Tij.

10 Sepse, nëse u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të Tij, kur ne ishim armiq me Të, aq më shumë tani, duke qenë të pajtuar, do të shpëtohemi me anë të jetës së Tij.

11 Dhe jo vetëm kjo, por ne edhe ngazëllehemi në Perëndinë nëpërmjet Zotit tonë Jezus Krisht, nëpërmjet të cilit kemi marrë tani pajtimin.

12 Prandaj, ashtu si hyri në këtë botë mëkati nëpërmjet një njeriu, dhe nëpërmjet mëkatit vdekja, dhe kështu vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan –

13 sepse para se të vinte Ligji, mëkati ishte në botë; por mëkati nuk llogaritet kur nuk ka ligj.

14 Por vdekja ka mbretëruar që nga Adami deri tek Moisiu edhe mbi ata që nuk kishin mëkatuar duke bërë shkelje si ajo e Adamit, që është shëmbëllimi i Atij që do të vinte.

15 Por dhurata nuk është si shkelja. Sepse në qoftë se shumë vdiqën prej shkeljes së njërit, edhe më tepër mbushulloi në shumë veta hiri i Perëndisë dhe dhurata falë hirit të një njeriu, Jezus Krishtit.

16 Dhurata nuk është si ajo që erdhi nëpërmjet njërit që mëkatoi; sepse nga njëra anë gjykimi erdhi nga një shkelje që çoi në dënim, por nga ana tjetër dhurata falas erdhi për shkak të shumë shkeljeve që çuan në shfajësim.

17 Sepse, nëse nga shkelja e njërit, mbretëroi vdekja për shkak të një njeriu të vetëm, edhe më shumë do të mbretërojnë në jetë nëpërmjet njërit, Jezus Krishtit, ata që marrin bollëkun e hirit dhe të dhuratës së drejtësisë.

18 Kështu pra, ashtu si nëpërmjet një shkeljeje erdhi dënimi mbi të gjithë njerëzit, po ashtu edhe nëpërmjet një akti drejtësie erdhi shfajësimi që u sjell jetë të gjithë njerëzve.

19 Sepse, ashtu si nga mosbindja e një njeriu, shumë veta u kthyen në mëkatarë, po ashtu edhe nga bindja e njërit, shumë do të kthehen në të drejtë.

20 Ligji u vu që shkelja të ishte me tepri. Por aty ku u shtua mëkati, hiri u shtua edhe më me bollëk,

21 që, ashtu siç mbretëroi mëkati te vdekja, po ashtu të mbretërojë edhe hiri nëpërmjet drejtësisë për të sjellë jetën e amshuar nëpërmjet Jezus Krishtit, Zotit tonë.

Kapitulli 6

1 Çfarë do të themi pra? A të vazhdojmë në mëkat, që hiri të shtohet me bollëk?

2 Kurrë mos qoftë! Si do të jetojmë në mëkat ne që jemi të vdekur ndaj mëkatit?

3 Apo nuk e dini se të gjithë ne që u pagëzuam në Krishtin Jezus jemi pagëzuar në vdekjen e Tij?

4 Prandaj u varrosëm me Të nëpërmjet pagëzimit, në vdekje, që ashtu si u ngjall Krishti prej të vdekurve nëpërmjet lavdisë së Atit, po ashtu edhe ne të ecim në një jetë të re.

5 Sepse po të bashkohemi me Të në një vdekje të ngjashme me të Tijën, po ashtu do të jemi edhe në ngjalljen e Tij.

6 Sepse e dimë që njeriu ynë i vjetër u kryqëzua bashkë me Të, që të zhdukej trupi i mëkatit, që ne të mos ishim më skllevër të mëkatit,

7 sepse cilido që ka vdekur është çliruar nga mëkati.

8 Nëse kemi vdekur me Krishtin, ne besojmë se gjithashtu do të jetojmë bashkë me Të.

9 Sepse e dimë që Krishti, pasi u ngjall prej të vdekurve, nuk vdes më kurrë. Vdekja nuk sundon më mbi Të.

10 Sepse vdekja që Ai pësoi, ishte vdekje ndaj mëkatit, njëherë e përgjithmonë; por jetën që Ai jeton, e jeton për Perëndinë.

11 Kështu edhe ju llogariteni veten tuaj të vdekur ndaj mëkatit, por të gjallë për Perëndinë në Krishtin Jezus.

12 Prandaj mos e lini mëkatin të mbretërojë në trupin tuaj të vdekshëm, që t’i bindeni epsheve të tij,

13 as mos ia jepni mëkatit gjymtyrët tuaja si mjete paudhësie; por jepjani veten tuaj Perëndisë si të ngjallur nga të vdekurit dhe gjymtyrët tuaja si armë drejtësie për Perëndinë.

14 Sepse mëkati nuk do të sundojë tek ju, sepse ju nuk jeni nën ligj, por nën hir.

15 Çfarë atëherë? A të bëjmë mëkate, meqë nuk jemi nën ligj por nën hir? Kurrë mos qoftë!

16 A nuk e dini se kur ia paraqisni veten tuaj dikujt si skllevër për t’iu bindur, skllevër të atij që i bindeni do të jeni, qoftë të mëkatit, që çon në vdekje ose të bindjes që çon në drejtësi?

17 Por, qoftë falënderuar Perëndia që, megjithëse ishit skllevër të mëkatit, me zemër iu bindët atij lloj mësimi që ju ishte dhënë,

18 dhe duke u çliruar prej mëkatit, ju u bëtë skllevër të drejtësisë.

19 Po flas siç flasin njerëzit për shkak të dobësisë së mishit tuaj. Sepse ashtu si i vinit gjymtyrët tuaja në shërbim të papastërtisë dhe paudhësisë që çon në paudhësi gjithnjë në rritje, po ashtu vërini gjymtyrët tuaja në shërbim të drejtësisë, që çon në shenjtërim.

20 Sepse kur ishit skllevër të mëkatit, ishit të lirë ndaj drejtësisë.

21 Pra, ç’fitim kishit ju atëherë prej atyre gjërave për të cilat tani keni turp? Sepse fundi i këtyre është vdekja.

22 Por tani, pasi u liruat nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të Perëndisë, keni frytin tuaj që çon në shenjtërim dhe si rezultat jetën e amshuar.

23 Sepse paga e mëkatit është vdekja, ndërsa dhurata e Perëndisë është jeta e amshuar në Krishtin Jezus, Zotin tonë.

Kapitulli 7

1 Apo nuk e dini, o vëllezër, (po u flas atyre që e njohin ligjin), se ligji sundon mbi njeriun për aq kohë sa ai jeton?

2 Për shembull, gruaja e martuar është e lidhur me anë të ligjit me të shoqin përsa kohë ai jeton. Por nëse i shoqi vdes, ajo çlirohet nga ligji i martesës.

3 Kështu pra, nëse gjatë kohës që i jeton i shoqi, ajo bashkohet me një burrë tjetër, do të quhet shkelëse kurore. Por po t’i vdesë i shoqi, ajo është e çliruar nga ligji, kështu që ajo nuk bën tradhti bashkëshortore, megjithëse bashkohet me një burrë tjetër.

4 Prandaj, o vëllezërit e mi, edhe ju jeni të vdekur për Ligjin nëpërmjet trupit të Krishtit, që të bashkoheni me një tjetër, me Atë që u ngjall nga të vdekurit, që të japim fryte për Perëndinë.

5 Sepse kur ishim në mish, pasionet mëkatare, që lindnin nëpërmjet Ligjit, vepronin në gjymtyrët tona që të sillnin fryt për vdekjen.

6 Por tani, duke qenë të vdekur ndaj atij prej të cilit ishim të pushtuar, jemi çliruar nga Ligji, që të shërbejmë në Frymën e re, dhe jo sipas mënyrës së vjetër të ligjit të shkruar.

7 Çfarë do të themi atëherë? A është Ligji mëkat? Mos qoftë e thënë! Përkundrazi, nuk do ta kisha njohur mëkatin, veçse nëpërmjet Ligjit. Sepse nuk do ta kisha njohur lakminë po të mos thoshte Ligji: “Mos lakmo!”

8 Por mëkati, duke marrë shkas nga urdhërimi, krijoi tek unë çdo dëshirë lakmitare; sepse jashtë Ligjit mëkati është i vdekur.

9 Dikur unë jetoja pa Ligjin; por kur erdhi urdhërimi, mëkati u ngjall dhe unë vdiqa.

10 Pashë që urdhërimi, i cili do të sillte jetën, më solli vdekjen.

11 Sepse mëkati, duke marrë shkas nga urdhërimi, më mashtroi dhe me anë të tij më vrau.

12 Ligji pra, është i shenjtë dhe urdhërimi është i shenjtë, i drejtë dhe i mirë.

13 Pra, a u bë e mira vdekje për mua? Mos ndodhtë kurrë! Përkundrazi, mëkati, që të dukej mëkat, shkaktoi vdekje tek unë nëpërmjet së mirës, që mëkati nëpërmjet urdhërimit të bëhej tej mase mëkatues.

14 Sepse ne e dimë që Ligji ka të bëjë me frymën; por unë jam prej mishi, i shitur si skllav te mëkati.

15 Sepse atë që bëj, nuk e marr vesh; sepse nuk bëj atë që dua të bëj, por bëj pikërisht atë që urrej.

16 Por nëse bëj atë që nuk dua të bëj, pajtohem me Ligjin duke pohuar se është i mirë.

17 Dhe tani, nuk jam më unë që e bëj atë, por mëkati që banon tek unë.

18 Sepse e di që asgjë e mirë nuk banon në mua, domethënë në mishin tim; sepse tek unë ekziston dëshira për të bërë të mirën, por nuk mundem ta bëj dot.

19 Sepse të mirën që dëshiroj nuk e bëj; por bëj të keqen që nuk dëshiroj.

20 Por, nëse unë bëj atë që nuk dua, nuk jam më unë ai që e bëj atë, por është mëkati që banon tek unë.

21 Pra, duke dashur të bëj të mirën, gjej këtë ligj, që e keqja është e pranishme tek unë.

22 Sepse, në brendësinë time, gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë,

23 por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e trupit tim, duke luftuar kundër ligjit të mendjes sime dhe duke më bërë skllav të ligjit të mëkatit, që vepron në gjymtyrët e mia.

24 Ç’njeri i mjerë jam! Kush do të më shpëtojë nga ky trup i caktuar për këtë vdekje?

25 Qoftë falënderuar Perëndia nëpërmjet Jezus Krishtit, Zotit tonë! Kështu pra, nga njëra anë unë me mendje i shërbej ligjit të Perëndisë, por nga ana tjetër, me mish, ligjit të mëkatit.

Kapitulli 8

1 Tani pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus.

2 Sepse ligji i Frymës së jetës në Krishtin Jezus të ka çliruar nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes.

3 Sepse atë që ishte e pamundur për Ligjin, meqë mishi e bënte të pafuqishëm, e bëri të mundur Perëndia: duke dërguar Birin e Vet të ngjashëm me mishin mëkatar dhe si flijim për mëkatin, Ai dënoi mëkatin në mish,

4 që drejtësia e Ligjit të përmbushej tek ne që nuk ecim sipas mishit, por sipas Frymës.

5 Sepse ata që janë sipas mishit e kanë mendjen te punët e mishit, por ata që janë sipas Frymës, te punët e Frymës.

6 Sepse dëshirat e mishit sjellin vdekje, kurse dëshirat e Frymës sjellin jetë dhe paqe,

7 sepse dëshirat e mishit janë në armiqësi ndaj Perëndisë, meqë nuk i nënshtrohen ligjit të Perëndisë, dhe as që munden.

8 Ata që janë në mish nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë.

9 Megjithatë ju nuk jeni në mish por në Frymë, nëse Fryma e Perëndisë vërtet banon tek ju. Nëse dikush nuk e ka Frymën e Krishtit, ky nuk i përket Atij.

10 Nëse Krishti është në ju, nga njëra anë trupi është i vdekur për shkak të mëkatit, por nga ana tjetër fryma është e gjallë për hir të drejtësisë.

11 Nëse Fryma e Atij që ngjalli Jezusin prej të vdekurve banon në ju, Ai që ngriti Krishtin prej të vdekurve do t’u japë jetë edhe trupave tuaj të vdekshëm nëpërmjet Frymës së Tij, që banon në ju.

12 Kështu pra, o vëllezër, nuk i jemi borxhlinj mishit, që të rrojmë sipas mishit,

13 sepse nëse jetoni sipas mishit, keni për të vdekur; por nëse me anë të Frymës i bëni të vdesin veprat e trupit, do të jetoni.

14 Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë, janë bij të Perëndisë.

15 Sepse ju nuk keni marrë frymë robërimi që të keni përsëri frikë, por keni marrë frymë birësimi, me anë të së cilës ne thërrasim: “Aba, o Atë!”

16 Fryma Vetë dëshmon me frymën tonë që ne jemi fëmijë të Perëndisë

17 dhe, nëse jemi fëmijë, jemi gjithashtu trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, nëse vërtet vuajmë bashkë me Të që të marrim lavdi së bashku.

18 Mendoj se vuajtjet e kohës së tanishme nuk ia vlejnë të krahasohen me lavdinë që ka për t’u zbuluar tek ne.

19 Sepse krijimi pret me padurim të zbulohen bijtë e Perëndisë.

20 Sepse krijimi iu nënshtrua kotësisë, jo në mënyrë të vullnetshme, por për shkak të Atij që e nënshtroi, me shpresë

21 se edhe vetë krijimi do të çlirohet nga robëria e prishjes dhe do të gëzojë lirinë e lavdisë së fëmijëve të Perëndisë.

22 Sepse ne e dimë që deri tani i gjithë krijimi bashkë ka qenë duke rënkuar si në dhimbjet e lindjes.

23 Dhe jo vetëm krijimi, por edhe ne vetë, që kemi frytin e parë të Frymës, madje ne vetë rënkojmë me veten tonë, duke pritur me padurim birësimin, shpengimin e trupit tonë.

24 Sepse ne shpëtuam në shpresë, por ajo që shpresohet, po të shihet nuk është shpresë; sepse a shpreson njeri atë që sheh?

25 Por nëse shpresojmë për atë që nuk shohim, atëherë e presim atë me durim.

26 Po ashtu edhe Fryma na ndihmon në dobësinë tonë; sepse ne nuk dimë për çfarë të lutemi ashtu siç duhet, por Vetë Fryma ndërhyn për ne me rënkime që nuk shprehen dot.

27 Ai që heton zemrat tona e di cila është mendja e Frymës, sepse Ai ndërhyn për shenjtërit sipas vullnetit të Perëndisë.

28 E dimë se Perëndia vepron në gjithçka për të mirën e atyre që e duan Atë, për ata që janë thirrur sipas qëllimit të Tij.

29 Sepse ata që Ai ka njohur që më parë, i ka paracaktuar që të jenë në përputhje me shëmbëlltyrën e Birit të Vet, që Ai të jetë i parëlindur ndër shumë vëllezër.

30 Prandaj, ata që Ai ka paracaktuar, këta edhe i ka thirrur; dhe ata që ka thirrur, këta edhe i ka shfajësuar; dhe ata që ka shfajësuar, këtyre u ka dhënë edhe lavdi.

31 Atëherë çfarë do të themi për këto gjëra? Nëse Perëndia është për ne, kush mund të jetë kundër nesh?

32 Ai që nuk kurseu Birin e Vet, por e dorëzoi për ne të gjithë, si nuk do të na japë, bashkë me Të, çdo gjë falas?

33 Kush do të ngrejë padi kundër të zgjedhurve të Perëndisë? Perëndia është Ai që shfajëson.

34 Kush është ai që do t’i dënojë? Krishti Jezus, Ai që vdiq dhe për më tepër që u ngjall, është në krahun e djathtë të Perëndisë, i cili edhe ndërhyn për ne.

35 Kush do të na shkëpusë ne nga dashuria e Krishtit? Vallë mundimi, apo ankthi, apo përndjekja, apo uria, apo të zhveshurit, apo rreziku, apo shpata?

36 Ashtu siç është shkruar: “Për hirin Tënd ndeshemi me vdekjen tërë ditën; u trajtuam si dele për t’u therur.”

37 Por në të gjitha këto gjëra ne dalim më shumë se fitimtarë nëpërmjet Atij që na deshi ne.

38 Sepse jam i bindur që as vdekja, as jeta, as engjëjt, as krerët, as gjërat e tanishme, as ato që do të vijnë, as fuqitë,

39 as lartësia, as thellësia, as ndonjë gjë tjetër e krijuar, nuk do të jetë në gjendje të na ndajë nga dashuria e Perëndisë, që është në Krishtin Jezus, Zotin tonë.

Kapitulli 9

1 Po them të vërtetën në Krishtin, nuk po gënjej, ndërgjegjja ime dëshmon për mua në Frymën e Shenjtë,

2 se kam trishtim të madh dhe ankth të vazhdueshëm në zemër.

3 Sepse do të doja që unë vetë të isha mallkuar, i ndarë nga Krishti për shkak të vëllezërve të mi, të farefisit tim sipas mishit,

4 të cilët janë izraelitë, të cilëve u përket birësimi, lavdia, besëlidhjet, dhënia e Ligjit, shërbesa në tempull dhe premtimet.

5 Të tyre janë etërit dhe prej tyre, sipas mishit, vjen Krishti, që është mbi të gjitha, Perëndi, i bekuar përjetë. Amen.

6 Por megjithatë fjala e Perëndisë nuk ka rënë poshtë. Sepse jo të gjithë ata që rrjedhin nga Izraeli janë izraelitë.

7 Edhe pse janë nga farë e Abrahamit nuk janë të gjithë fëmijë të tij. Përkundrazi, “Nëpërmjet Isakut do të quhen pasardhësit e tu.”

8 Domethënë, jo ata që janë fëmijët e mishit janë fëmijë të Perëndisë, por vetëm fëmijët e premtimit llogariten si pasardhës.

9 Sepse kjo është fjala e premtimit: “Në këtë kohë do të vij dhe Sara do të ketë një djalë.”

10 Dhe jo vetëm kjo, por ishte edhe Rebeka, që mbeti shtatëzënë nga një burrë, Isaku, ati ynë.

11 Sepse, vërtet fëmijët nuk kishin lindur ende, as nuk kishin bërë ndonjë gjë të mirë apo të ligë, që qëllimi i Perëndisë i bazuar në zgjedhjen të mbetej,

12 jo nga veprat por nga Ai që thërret – asaj iu tha: “Më i madhi do t’i shërbejë më të voglit.”

13 Ashtu siç është shkruar: “Jakobin e desha, por Ezaun e urreva.”

14 Çfarë do të themi atëherë? Mos ka padrejtësi te Perëndia? Larg qoftë!

15 Sepse Moisiut i thotë: “Do të kem mëshirë për këdo që mëshiroj dhe do të kem dhembshuri për këdo që më dhimbset.”

16 Kështu pra, nuk varet nga ai që dëshiron, as nga ai që vrapon, por prej Perëndisë që mëshiron.

17 Sepse Shkrimi i thotë Faraonit: “Pikërisht për këtë të ngrita, që të tregoj tek ti fuqinë Time dhe që emri Im të shpallet në gjithë tokën.”

18 Kështu pra, Ai mëshiron kë do vetë dhe i ngurtëson zemrën kujt do vetë.

19 Do të më thuash pra: “Përse atëherë Ai gjen ende gabime? Sepse, kush i bën dot ballë vullnetit të Tij?”

20 Por, kush je ti, o njeri që bën fjalë me Perëndinë? Mos do t’i thotë sendi i formuar atij që e formoi: “Përse më bëre kështu?”

21 A nuk ka vallë fuqi poçari mbi argjilën që nga po ai brumë të bëjë një enë për përdorim fisnik dhe një tjetër për përdorim të rëndomtë?

22 Po sikur Perëndia, duke dashur të tregojë zemërimin e Vet dhe të bëjë të njohur fuqinë e Vet, të ketë duruar me mundim të madh enë zemërimi të përgatitura për shkatërrim?

23 Po sikur ta ketë bërë këtë që t’ua bëjë të ditur pasurinë e lavdisë së Vet enëve të mëshirës, të cilat i ka parapërgatitur për lavdi,

24 dmth neve, të cilët edhe na thirri, jo vetëm nga judenjtë por edhe nga kombet?

25 Siç thotë Ai edhe tek Ozea: “Do ta quaj ‘populli im’ atë që nuk është populli im dhe ‘të dashur’ atë që nuk është i dashur”

26 dhe “Do të ndodhë që atje ku u është thënë atyre: ‘Ju nuk jeni populli im,’ atje ata do të quhen bij të Perëndisë së gjallë.”

27 Kurse Isaia thërret për Izraelin: “Edhe sikur numri i bijve të Izraelit të jetë si rëra e detit, pjesa që mbetet do të shpëtohet;

28 sepse Zoti, do ta përmbushë plotësisht dhe me shpejtësi fjalën e Vet mbi tokë.”

29 Ashtu si ka thënë më parë Isaia: “Po të mos na kishte lënë pasardhës Zoti i Ushtrive, ne do të ishim bërë si Sodoma dhe do t’i ngjanim Gomorrës.”

30 Çfarë do të themi atëherë? Që kombet, të cilat nuk ndiqnin drejtësinë, e kanë arritur drejtësinë, atë drejtësi që vjen prej besimit;

31 por Izraeli, që ndoqi një ligj drejtësie, nuk arriti te ligji.

32 Përse? Sepse nuk e ndoqën nëpërmjet besimit, por sikur të ishte prej veprave. Ata u penguan në gurin e pengesës,

33 siç është shkruar: “Ja, po vë në Sion gur pengese dhe shkëmb shkandulli dhe ai që beson në Të nuk do të turpërohet.”

Kapitulli 10

1 Vëllezër, dëshira e zemrës sime dhe lutja ime që i drejtoj Perëndisë është për shpëtimin e tyre.

2 Sepse bëj dëshmi për ta se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohjes.

3 Sepse, duke mos e njohur drejtësinë e Perëndisë dhe duke kërkuar të vendosin drejtësinë e vet, ata nuk i janë nështruar drejtësisë së Perëndisë.

4 Sepse Krishti është caku i ligjit në mënyrë që të ketë drejtësi për këdo që beson.

5 Ja si shkruan Moisiu për drejtësinë që vjen nga ligji: “Njeriu që i bën këto gjëra do të jetojë me anë të tyre.”

6 Por drejtësia që vjen nga besimi thotë kështu: “Mos thuaj në zemrën tënde: ‘Kush do të ngjitet në qiell?’ (domethënë, ta zbresë Krishtin),

7 ose ‘Kush do të zbresë në humnerë?’ (domethënë, ta ngjallë Krishtin prej të vdekurve).”

8 Por çfarë thotë? “Fjala është pranë teje, në gojën tënde dhe në zemrën tënde” domethënë, fjala e besimit që predikojmë,

9 se po ta pohosh me gojën tënde Zotin Jezus dhe të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngriti Atë prej të vdekurve, do të shpëtohesh.

10 Sepse me zemër besohet për të fituar drejtësi dhe me gojë pohohet për të marrë shpëtim.

11 Sepse Shkrimi thotë: “Kushdo që beson tek Ai nuk do të turpërohet.”

12 Sepse nuk ka dallim midis judeut dhe grekut; sepse i njëjtë është Zoti i të gjithëve, shumë i pasur për të gjithë ata që e thërrasin Atë për ndihmë.

13 Sepse “Kushdo që do të thërrasë emrin e Zotit, do të shpëtohet.”

14 Si do ta thërrasin për ndihmë Atë në të cilin nuk kanë besuar? Si do të besojnë në Atë të cilin nuk e kanë dëgjuar? Si do ta dëgjojnë pa ua predikuar dikush?

15 Si do të predikojnë po të mos jenë dërguar? Siç është shkruar: “Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin lajmin e mirë!”

16 Por jo të gjithë e pranuan lajmin e mirë; sepse Isaia thotë: “Zot, kush e besoi atë që thamë ne?”

17 Pra, besimi vjen duke dëgjuar dhe dëgjimi nëpërmjet fjalës së Krishtit.

18 Por pyes, mos vallë nuk dëgjuan? Përkundrazi; “Zëri i tyre u përhap në gjithë tokën dhe fjalët e tyre në skajet e botës.”

19 Por pyes, mos vallë Izraeli nuk e dinte? I pari thotë Moisiu: “Unë do t’ju bëj ziliqarë për atë që nuk është komb, me një komb të pamend do t’ju inatos.”

20 Isaia ka guxim dhe thotë: “Mua më gjetën ata që nuk më kërkonin, Unë iu shfaqa atyre që nuk pyesnin për Mua.”

21 Por për Izraelin thotë: “Tërë ditën ia kam shtrirë duart një populli të pabindur dhe kokëfortë.”

Kapitulli 11

1 Atëherë pyes, mos vallë Perëndia e hodhi poshtë popullin e Vet? Kurrë mos qoftë e thënë! Sepse edhe unë jam izraelit, nga farë e Abrahamit, i fisit të Beniaminit.

2 Perëndia nuk e hodhi poshtë popullin e Vet, të cilin e ka njohur që më parë. Apo nuk e dini çfarë thotë Shkrimi për Elian, se si i drejtohet Perëndisë kundër Izraelit?

3 “O Zot, kanë vrarë profetët e Tu, kanë rrëzuar altarët e Tu. Unë mbeta pas i vetëm dhe ata po kërkojnë të më vrasin.”

4 Por çfarë i thotë zëri hyjnor? “Kam lënë për Vete shtatë mijë burra, të cilët nuk i kanë rënë në gjunjë Baalit.”

5 Po kështu pra, edhe në kohën e tanishme është lënë një mbetje, që Perëndia ka zgjedhur me anë të hirit të Vet.

6 Por nëse është prej hirit, nuk është më prej veprave, përndryshe hiri nuk është më hir.

7 Çfarë atëherë? Atë që kërkonte Izraeli, këtë nuk e ka marrë, por e morën ata që u zgjodhën, dhe zemrat e të tjerëve u bënë të ngurta;

8 siç është shkruar: “Perëndia u dha atyre një frymë që i hutoi, sy që të mos shihnin dhe veshë që të mos dëgjonin, deri në ditën e sotme.”

9 Davidi thotë: “U bëftë sofra e tyre kurth e lak, shkandull dhe shpagim për ta.

10 U errësofshin sytë e tyre, që të mos shohin, dhe bëji të kërrusin kurrizin përgjithmonë.”

11 Atëherë pyes, mos vallë ata u penguan që të rrëzohen? Larg qoftë! Përkundrazi, nga rrëzimi i tyre u erdhi shpëtimi kombeve, që t’i bënte ata ziliqarë.

12 Nëse rrëzimi i tyre është pasuri për botën dhe dështimi i tyre është pasuri për kombet, sa më tepër pasuri do të sjellë pjesëmarrja e tyre e plotë!

13 Po ju them juve o kombe. Përderisa unë jam apostull i kombeve, e ngre lart shërbesën time,

14 me shpresën që t’i bëj disi ziliqarë ata të mishit tim dhe t’i shpëtoj disa prej tyre.

15 Sepse nëse hedhja poshtë e tyre është pajtim i botës, ç’gjë tjetër do të jetë pranimi i tyre, veçse jetë prej të vdekurve?

16 Nëse majaja është e shenjtë, po ashtu është edhe brumi; nëse rrënja është e shenjtë, po ashtu janë edhe degët.

17 Por nëse këputen disa prej degëve, dhe ti, duke qenë ullastër, u shartove tek ta dhe u bëre pjesë e rrënjës që shëndosh pemën e ullirit,

18 mos iu mburr degëve. Por nëse mburresh, nuk je ti që mban rrënjën, por rrënja të mban ty.

19 Do të thuash pra: “Degët u këputën që të shartohem unë.”

20 Mirë, ato u këputën nga mosbesimi i tyre, por ti qëndron nëpërmjet besimit tënd. Mos e mbaj veten lart, por ki frikë;

21 sepse nëse Perëndia nuk i kurseu degët e natyrshme, [ndoshta] as ty nuk do të të kursejë.

22 Të kesh parasysh pra, mirësinë dhe rreptësinë e Perëndisë; për ata që ranë është rreptësia, por për ty, është mirësia e Perëndisë, po të mbetesh në mirësinë e Tij; përndryshe, edhe ti do të pritesh.

23 Edhe ata, po të mos ngulin këmbë në mosbesim, do të shartohen; sepse Perëndia është në gjendje t’i shartojë ata përsëri.

24 Sepse, nëse ti u këpute nga ajo që është ullastër prej natyre dhe u shartove kundër natyrës në ulli të butë, aq më tepër ata që janë degë të natyrshme, do të shartohen në drurin e vet të ullirit.

25 Sepse nuk dua, o vëllezër, që ju të mos e dini këtë të fshehtë, që të mos jeni mendjemëdhenj: ngurtësimi ka rënë mbi një pjesë të Izraelit, derisa të kenë hyrë të gjitha kombet.

26 Atëherë i gjithë Izraeli do të shpëtohet; siç është shkruar: “Çlirimtari do të vijë nga Sioni dhe do të largojë çdo mosbesim te Perëndia nga pasardhësit e Jakobit.

27 Dhe kjo do të jetë besëlidhja Ime me ta, kur t’ua kem hequr mëkatet.”

28 Përsa i takon ungjillit ata janë armiq për shkakun tuaj, por përsa i takon zgjedhjes ata janë të dashur për shkak të etërve.

29 Sepse dhuntitë dhe thirrja e Perëndisë janë të pakthyeshme.

30 Sepse, siç ishit ju dikur të pabindur ndaj Perëndisë, por që tani u mëshiruat për shkak të mosbindjes së tyre,

31 po kështu edhe këta tani u treguan të pabindur, që me anë të mëshirës që fituat ju, të mëshirohen edhe ata.

32 Sepse Perëndia ia nënshtroi të gjithë njerëzit mosbindjes, që t’i mëshironte të gjithë.

33 O thellësi e pasurisë, e mençurisë dhe e dijes së Perëndisë! Sa të pazbulueshme janë gjykimet e Tij dhe sa të pakapshme janë udhët e Tij!

34 Sepse kush e ka njohur mendjen e Zotit? Kush u bë këshilltar i Tij?

35 Kush i ka dhënë Atij më parë, që Ai t’ia kthejë shpërblimin?

36 Sepse prej Tij, nëpërmjet Tij dhe për Të janë të gjitha gjërat. Atij i qoftë lavdia përjetë. Amen.

Kapitulli 12

1 Po ju bëj thirrje pra, o vëllezër, për dhembshurinë e Perëndisë, që t’i paraqitni trupat tuaj si një flijim të gjallë e të shenjtë, të pëlqyeshëm për Perëndinë; kjo është shërbesa juaj shpirtërore.

2 Mos u përshtatni me mendësinë e kësaj botë, por shndërrohuni, duke ripërtërirë mendjen tuaj, që të provoni cili është vullneti i Perëndisë – çka është e mirë, e pëlqyer dhe e përsosur për Të.

3 Sepse nëpërmjet hirit që më është dhënë mua, i them secilit prej jush që të mos e mbajë veten më lart sesa duhet, por ta vlerësojë veten me gjykim të kthjellët, siç ia ka dhënë Perëndia secilit masën e besimit.

4 Sepse ashtu siç kemi shumë gjymtyrë në një trup, ku të gjitha gjymtyrët nuk kryejnë të njëjtin veprim,

5 po ashtu ne, që jemi shumë, jemi një trup në Krishtin dhe secili nga ne është gjymtyrë e njëri-tjetrit.

6 Kemi dhunti të ndryshme sipas hirit që na është dhënë. Kush ka dhuntinë e profecisë, le ta ushtrojë sipas masës së besimit;

7 kush ka një shërbesë, të merret me shërbesën; kush ka mësimin, të merret me mësimin;

8 kush ka këshillimin, të merret me këshillimin. Ai që jep, të japë me bujari; ai që kryeson, të kryesojë me zell, ai që mëshiron, të mëshirojë buzagaz.

9 Le të jetë dashuria pa hipokrizi. Urreni të ligën; mos iu ndani së mirës.

10 Të jeni të përzemërt me njëri-tjetrin në dashuri vëllazërore; ta vini njëri-tjetrin mbi veten me nderim.

11 Sa për zellin të jeni të papërtuar, sa për frymën të jeni të zjarrtë, duke i shërbyer Zotit.

12 Të jeni të gëzuar në shpresë, të duruar në mundime, këmbëngulës në lutje,

13 të gatshëm për të plotësuar nevojat e shenjtërve, zbatoni mikpritjen.

14 Bekoni ata që ju përndjekin; bekoni dhe mos mallkoni.

15 Gëzohuni me ata që gëzojnë dhe vajtoni me ata që vajtojnë.

16 Të jeni në një mendje me njëri-tjetrin; mos e mbani veten lart, por shoqërohuni me të përvuajturit. Mos e mbani veten për të mençur.

17 Askujt mos ia ktheni të keqen me të keqe. Më parë përpiquni të bëni të mira para të gjithë njerëzve.

18 Po të jetë e mundur, aq sa varet prej jush, bëni paqe me të gjithë njerëzit.

19 Mos merrni hak për veten tuaj, të dashurit e mi, por lini vend për zemërimin e Perëndisë, sepse është shkruar: “Hakmarrja është Imja, Unë do ta jap shpagimin”, thotë Zoti.

20 “Por po të ketë uri armiku yt, jepi të hajë dhe po të ketë etje, jepi të pijë; sepse duke bërë këtë, thëngjij të ndezur do të grumbullosh mbi kokën e tij.”

21 Mos u mposht prej së keqes, por mposhte të keqen me të mirën.

Kapitulli 13

1 Çdo shpirt duhet t’u nënshtrohet pushteteve më të larta. Sepse nuk ka pushtet që të mos jetë prej Perëndisë dhe ato që ekzistojnë, janë caktuar nga Perëndia.

2 Prandaj, ai që kundërshton pushtetin i kundërvihet urdhrit të Perëndisë dhe ata që kundërvihen, do të marrin dënimin mbi veten e tyre.

3 Sepse krerët nuk janë për t’ua pasur frikën për punën e mirë, por për të keqen. A do që të mos kesh frikë nga ai me pushtet? Bëj të mirën dhe lëvdatë do të kesh prej tij.

4 Sepse ai është shërbëtor i Perëndisë për të të bërë mirë ty. Por nëse bën të keqen, të kesh frikë, sepse nuk e mban kot shpatën. Ai është shërbëtor i Perëndisë, që merr shpagim duke shfryrë zemërimin ndaj atij që bën të keqen.

5 Prandaj është e nevojshme që të nënshtroheni, jo vetëm nga frika e zemërimit, por edhe për hir të ndërgjegjes.

6 Për këtë paguani edhe taksa, sepse ata janë shërbyes të Perëndisë, duke iu përkushtuar pikërisht kësaj pune.

7 Jepuni të gjithëve ato që u takojnë: tatimin atij që i takon tatimi, detyrimin atij që i takon detyrimi, frikën atij që takon frika, nderin atij që i takon nderi.

8 Askujt të mos i keni gjë borxh, veç asaj që të duani njëri-tjetrin; sepse, ai që do tjetrin, ka përmbushur ligjin.

9 Sepse: “Mos shkel kurorën, Mos vrit, Mos vidh, Mos lakmo”, dhe çdo urdhërim tjetër, përmblidhet në këtë thënie: “Duaje të afërmin tënd si veten tënde.”

10 Dashuria nuk i sjell ndonjë të keqe të afërmit; dashuria pra, është përmbushje e ligjit.

11 Bëni këtë, duke ditur kohën. Ka ardhur ora tashmë që të zgjoheni nga gjumi, sepse tani e kemi shpëtimin më afër sesa kur besuam.

12 Nata ka ecur dhe dita po afron. T’i lëmë mënjanë veprat e errësirës dhe të ngjeshim armët e dritës.

13 Le të ecim ndershmërisht, si në mes të ditës, jo në zdërhallje dhe në dehje, jo në imoralitete dhe në shfrenim, jo në grindje e në smirë.

14 Por vishuni me Zotin Jezus Krisht dhe mos e vrisni shumë mendjen për mishin që të kënaqni epshet e tij.

Kapitulli 14

1 Pranojeni atë që është i dobët në besim, pa vënë në diskutim mëdyshjet e tij.

2 Dikë, besimi i vet e lejon të hajë gjithçka, por dikush tjetër, që ka besim të dobët, ha vetëm perime.

3 Ai që ha, të mos e përbuzë atë që nuk ha dhe ai që nuk ha, të mos e gjykojë atë që ha, sepse Perëndia e ka pranuar atë.

4 Kush je ti që gjykon shërbyesin e tjetrit? Ngrihet ose bie, kjo është punë e të zotit, por do të qëndrojë më këmbë, sepse Zoti është në gjendje ta bëjë të qëndrojë.

5 Sepse dikush e dallon ditën nga dita dhe një tjetër i vlerëson të gjitha ditët njësoj. Por le të jetë secili plotësisht i bindur në mendjen e vet.

6 Ai që e vlerëson një ditë, e vlerëson për Zotin dhe ai që ha, ha për Zotin, sepse falënderon Perëndinë; ai që nuk ha, e përmban veten për Zotin dhe falënderon Perëndinë.

7 Sepse askush prej nesh nuk jeton për veten e vet dhe askush nuk vdes për veten e vet.

8 Nëse jetojmë, jetojmë për Zotin; edhe nëse vdesim, vdesim për Zotin; pra, edhe po të rrojmë ose edhe po të vdesim, ne jemi të Zotit.

9 Sepse për këtë vdiq Krishti dhe u kthye përsëri në jetë, që të ishte Zot i të vdekurve dhe i të gjallëve.

10 Po ti, përse e gjykon vëllanë tënd? Përse e përbuz edhe ti vëllanë tënd? Sepse ne të gjithë do të dalim përpara fronit të gjykimit të Perëndisë.

11 Sepse është shkruar: “Unë rroj, thotë Zoti; përpara Meje do të përulet çdo gju; dhe çdo gjuhë do t’i thurë lavdi Perëndisë.”

12 Kështu pra, secili prej nesh do t’i japë llogari Perëndisë për veten e vet.

13 Prandaj le të mos e gjykojmë më njëri-tjetrin. Përkundrazi mendoni të mos bëheni shkak pengese ose shkandulli ndaj vëllait.

14 E di dhe jam i bindur në Zotin Jezus se asgjë nuk është e papastër në vetvete; nëse dikush mendon se diçka është e papastër, për të është e papastër.

15 Sepse po të trishtohet vëllai yt për shkak të ushqimit tënd, ti nuk ecën më sipas dashurisë. Mos lejo që me ushqimin tënd të humbasë ai për të cilin vdiq Krishti.

16 Prandaj le të mos shahet ajo që për ju është e mirë.

17 Sepse mbretëria e Perëndisë nuk është çështje ngrënieje ose pirjeje, por është drejtësi, paqe dhe gëzim në Frymën e Shenjtë.

18 Ai që i shërben Krishtit në këtë mënyrë pëlqehet nga Perëndia dhe vlerësohet nga njerëzit.

19 Kështu pra, le të mos kursejmë asnjë përpjekje për të bërë ato punë që janë për paqen dhe për ndërtimin e ndërsjellë.

20 Mos e prish punën e Perëndisë për shkak të të ngrënit. Vërtet çdo gjë është e pastër, por është keq për një njeri të hajë duke vënë shkandull me ngrënien e tij.

21 Mirë është të mos hash mish, as të mos pish verë, as të bësh ndonjë gjë për të cilën mund të shkandullohet vëllai yt.

22 Besimin që ti ke, mbaje për veten tënde përpara Perëndisë. Lum ai që nuk e dënon veten për çka miraton.

23 Por ai që ka dyshime, po të hajë, është i dënuar, sepse nuk vepron nga besimi; sepse çdo gjë që nuk vjen prej besimit, është mëkat.

Kapitulli 15

1 Ne që jemi të fortë e kemi për detyrë të jemi të duruar me dobësitë e atyre që nuk janë të fortë dhe jo t’i bëjmë qejfin vetes.

2 Le ta kënaqë secili prej nesh të afërmin e vet për të mirën e tij, për ngritjen e tij.

3 Sepse edhe Krishti nuk u përpoq të kënaqë Vetveten, por siç është shkruar: “Fyerjet e atyre që të shajnë Ty, ranë mbi Mua.”

4 Sepse të gjitha sa janë shkruar më parë u shkruan për mësimin tonë, që nëpërmjet durimit dhe ngushëllimit të Shkrimeve të kemi shpresë.

5 Ju dhëntë Perëndia i durimit dhe i ngushëllimit frymën e ndjenjave të përbashkëta me njëri-tjetrin sipas Krishtit Jezus,

6 që me një mendje dhe me një gojë t’i jepni lavdi Perëndisë dhe Atit të Zotit tonë Jezus Krishtit.

7 Prandaj pranojeni njëri-tjetrin, siç ju ka pranuar Krishti ju, për t’i sjellë lavdi Perëndisë.

8 Them se Krishti u bë shërbëtor i të rrethprerëve për të vërtetën e Perëndisë, për të vërtetuar premtimet që u janë dhënë etërve,

9 dhe që kombet t’i japin lavdi Perëndisë për mëshirën e Tij, siç është shkruar: “Prandaj Ty do të lëvdoj ndër kombet; emrit Tënd do t’i këndoj himne.”

10 Dhe thotë përsëri: “Gëzohuni, o kombe, me popullin e Tij.”

11 Dhe përsëri: “Lëvdoni Zotin, të gjitha ju o kombe; le t’i thurin Atij lëvdata të gjithë popujt.”

12 Dhe përsëri Isaia thotë: “Do të bulojë filizi i Jeseut, Ai që do të ngrihet për të sunduar mbi kombet; tek Ai do të shpresojnë kombet.”

13 Ju mbushtë Perëndia i shpresës gjithë gëzim dhe paqe në besim, që të mbushulloni në shpresë me anë të fuqisë së Frymës.

14 Dhe sa për ju, o vëllezërit e mi, unë vetë jam i bindur se ju jeni plot mirësi, të mbushur plot me dije dhe të aftë për të këshilluar edhe njëri-tjetrin.

15 Por ju kam shkruar me guxim për disa çështje, që t’ju rikujtoj, për shkak të hirit që m’u dha nga Perëndia,

16 për të qenë shërbyes i Krishtit Jezus ndër kombet, duke ushtruar shërbimin e shenjtë të ungjillit të Perëndisë, që kombet të bëhen një mblatim i pranueshëm, i shenjtëruar nga Fryma e Shenjtë.

17 Kam pra, me se të mburrem në Krishtin Jezus në punët që lidhen me Perëndinë.

18 Sepse nuk do të kisha guxim të flisja për ndonjë gjë që Krishti nuk ka bërë nëpërmjet meje, që kombet të binden me fjalë dhe me vepra,

19 me fuqinë e shenjave dhe të mrekullive, me fuqinë e Frymës [së Perëndisë]. Kështu, që nga Jeruzalemi e rrethinat deri në Iliri kam vënë në jetë predikimin e ungjillit të Krishtit.

20 Kështu kam pasur synim kryesor predikimin e ungjillit, jo aty ku njihet emri i Krishtit, për të mos ndërtuar mbi themelet e dikujt tjetër,

21 por siç është shkruar: “Ata, të cilëve Ai nuk u është shpallur, do të shohin dhe ata që nuk kanë dëgjuar, do të kuptojnë.”

22 Prandaj, shpeshherë kam qenë penguar që të vij tek ju.

23 Por, tani që nuk ka më vend në këto anë, dhe, meqë ka vitë që më ka marrë malli t’ju takoj,

24 kur të shkoj në Spanjë, shpresoj t’ju takoj gjatë rrugës dhe se do të më ndihmoni të shkoj në atë vend, pasi të jem çmallur paksa me ju.

25 Por tani po shkoj në Jeruzalem për t’u shërbyer shenjtërve.

26 Sepse Maqedonisë dhe Akaisë u pëlqeu të japin një ndihmesë për të varfrit ndër shenjtërit në Jeruzalem.

27 Kështu u pëlqeu të bëjnë dhe ata janë borxhlinj ndaj tyre. Sepse meqë kombet kanë marrë pjesë në të mirat e tyre shpirtërore, atëherë u janë borxhlinj që t’u shërbejnë atyre edhe në nevojat materiale.

28 Prandaj, pasi të kem mbaruar këtë detyrë dhe pasi t’ua kem dorëzuar këtë fryt, do të largohem për në Spanjë duke kaluar nga ju.

29 Dhe e di se kur të vij tek ju, do të vij me bekimin e plotë të Krishtit.

30 Po ju lutem, o vëllezër, nëpërmjet Zotit tonë Jezus Krishtit dhe dashurisë së Frymës, të luftoni bashkë me mua, duke iu lutur Perëndisë,

31 që të çlirohem prej atyre në Jude që nuk besojnë dhe që shërbesa ime në Jeruzalem të jetë e pranueshme për shenjtërit,

32 që të vij me gëzim te ju me vullnetin e Perëndisë dhe të pushoj bashkë me ju.

33 Perëndia i paqes qoftë me ju të gjithë. Amen.

Kapitulli 16

1 Po ju porosit Feben, motrën tonë, e cila është shërbyese e kishës në Kenkrea,

2 që ta prisni në Zotin siç u takon shenjtërve dhe ta ndihmoni në çfarëdo gjëje që mund të ketë nevojë për ju. Edhe ajo vetë ka ndihmuar shumë veta, madje edhe mua vetë.

3 Përshëndeteni Priskën dhe Akuilën, bashkëpunëtorët e mi në Krishtin Jezus,

4 të cilët rrezikuan kokën e tyre për jetën time. Jo vetëm unë u jam mirënjohës, por edhe të gjitha kishat e kombeve.

5 Përshëndetni edhe kishën që mblidhet në shtëpinë e tyre. Përshëndetni Epenetin tim të dashur, që është i pari fryt i Azisë që erdhi te Krishti.

6 Përshëndetni Marinë, e cila është munduar shumë për ju.

7 Përshëndetni Andronikun dhe Juninë, që i kam farefis dhe shokë burgu. Ata shquhen ndër apostujt dhe kanë qenë në Krishtin para meje.

8 Përshëndetni Ampliatin, të dashurin tim në Zotin.

9 Përshëndetni Urbanin, bashkëpunëtorin tonë në Krishtin dhe Stakun tim të dashur.

10 Përshëndetni Apelin, të sprovuarin në Krishtin. Përshëndetini ata të shtëpisë së Aristobulit.

11 Përshëndetni Herodionin, farefisin tim. Përshëndetini ata të shtëpisë së Narcisit që janë në Zotin.

12 Përshëndetni Trifenën dhe Trifozën, të cilat punojnë pa u lodhur në Zotin. Përshëndetni Persidën e dashur, e cila ka punuar shumë në Zotin.

13 Përshëndetni Rufin, të zgjedhurin në Zotin, si dhe nënën e tij, që ka qenë si nënë edhe për mua.

14 Përshëndetni Asinkritin, Flegontin, Hermesin, Patrobin, Ermasin, dhe vëllezërit që janë bashkë me ta.

15 Përshëndetni Filologun, Julinë, Nereun dhe motrën e tij, Olimpan dhe të gjithë shenjtërit që janë bashkë me ta.

16 Përshëndetni njëri-tjetrin me një puthje të shenjtë. Ju përshëndesin të gjitha kishat e Krishtit.

17 Tani po ju lutem ju, o vëllezër, që të ruheni nga ata që krijojnë përçarje dhe shkandullime në kundërshtim me mësimet që keni marrë. Largohuni prej tyre.

18 Sepse të këtillë njerëz nuk i shërbejnë Zotit tonë Krishtit, por barkut të vet. Me fjalë të bukura dhe të ëmbla ata mashtrojnë zemrat e atyre që s’dinë ç’është e keqja.

19 Fjala për bindjen tuaj ka arritur kudo; prandaj gëzohem për ju, por dua që të jeni të mençur për çka është e mirë dhe të padjallëzuar për çka është e keqe.

20 Perëndia i paqes do ta dërrmojë së shpejti Satanin nën këmbët tuaja. Hiri i Zotit tonë Jezus qoftë me ju.

21 Ju përshëndesin Timoteu, bashkëpunëtori im, Luci, Jasoni dhe Sosipatri, farefisi im.

22 Ju përshëndes në Zotin unë, Terci, që shkrova letrën.

23 Ju përshëndet Gai, bujtari im dhe i tërë kishës. Ju përshëndet Erasti, arkëtari i qytetit dhe Kuarti, vëllai.

24 [Hiri i Zotit tonë Jezus Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen.]

25 Atij që mund t’ju forcojë sipas ungjillit tim dhe predikimit të Jezus Krishtit, sipas zbulesës së misterit të mbajtur i fshehur për shekuj të pasosur,

26 por që tani u zbulua dhe u bë i njohur për të gjitha kombet nëpërmjet Shkrimeve profetike, sipas urdhërimit të Perëndisë së përjetshëm, që kombet të besojnë e t’i binden Atij;

27 Perëndisë së vetëm dhe të mençur i qoftë lavdia nëpërmjet Jezus Krishtit për jetë të jetëve. Amen.