Kisha përsërit temën e thirrjes së nxënësve nga Krishti disa të diela çdo vit. Kjo temë trajtohet nga të katër ungjilltarët, edhe pse ndryshe nga Joani, siç do të shtjellohet më poshtë (Leximi i ungjillit të sotëm nga Joani 1: 44-52 mund të lexohet në fund të postimit).
Ftesa për të ndjekur Krishtin në këto lexime përsëritëse liturgjike, nuk bëhet që ne t’ua përcjellim këtë mesazh të tjerëve, për t’i bërë ithtarë të fesë sonë, që të shkarkohemi nga përgjegjësia, që të dukemi e të mburremi pastaj si farisenjtë kur konvertonin dikë, të cilin madje e bënin “dy herë më të lig se veten”. Kisha na kujton edhe njëherë neve, besimtarëve ortodoksë, të ripërtërijmë lidhjen tonë me Zotin, që të ndjekim Krishtin!
Përsëritja është një shkundje nga plogështia e vetpëlqimit fetar, nga sjelljet e sëmura kultiste, nga hipokrizia rituale e klerikëve dhe laikëve. Ungjilli kërkon zgjimin e besimtarit.
Anëtarësia dhe pjesëmarrja në Kishë e anashkalon shpesh thelbin e Ungjillit. Mund të jetë përkatësi institucionale dhe komunitare, mund të bazohet në shprehitë rituale, mund të nxitet nga sentimente të ndryshme kulturore a emocionale, mund të imponohet nga droja ndaj të fortëve të kësaj bote, apo nga frika e skëterrës, apo dhe nga interesi politik ose ekonomik. Të gjitha këto nuk kanë kurrfarë lidhjeje me thirrjen e Ungjillit për të ndjekur Krishtin.
Për parantezë, pasojat e kësaj mendësie thërrasin e bëzajnë në botën shqiptare, ku komuniteti ynë dëshmohet shpesh jashtë frymës dhe urdhëresave të Ungjillit të Krishtit. Për sa iu përket vlerave të krishtera, Kisha jonë si institucion njerëzor është mbrapa komuniteve të tjera fetare në Shqipëri, ndërsa për sa i përket fjalës publike, transparencës dhe trajtimit të tjetrit, KOASh-i është shumë më poshtë se vetë shteti i korruptuar shqiptar.
Kur dikush flet shpesh për dashurinë, dhe iu kërkon edhe mëditësve shpirtrobër që ta përshkruajnë atë vazhdimisht si “burim të dashurisë”, kjo dëshmon pikërisht pushtimin dhe dorëzimin e një shpirti nga urrejtja, një tradhti dhe pengesë e pakapërcyeshme për të pranuar Ungjillin e Krishtit.
* * *
Në traditën sinoptike të tre ungjijve të parë, të Mateut, Markut dhe Lukës, thirrja “ejani më ndiqni dhe do t’ju bëj peshkatarë njerëzish”, na paraqet vetëm fundin e historisë së thirrjes, mbaresën si përmbushje e kohës, por jo zanafillën dhe sfondin përgatitor të thirrjes.
Ungjilli i sotëm nga Joani ndriçon pikërisht këtë fazë të parë njohjeje dhe takimi të nxënësve, duke zbuluar fillesat e historisë së thirrjes dhe nxënësisë së krishterë. Këtu vlen të rendisim tri pika.
1. Sfondi i thirrjes apostolike
Thirrja e krishterë nuk ka të bëjë me çastin e një rrëfenje – unë të them “eja” dhe ti më ndiq, – siç e dëgjojmë shpesh nga shumica e predikatorëve tanë të gjysmëditurisë. Kur himnet e Kishës flasin për padituri, e kanë fjalën për mosnjohjen e mëparshme të Krishtit, dhe jo për injorancë intelektuale.
Nxënësit e Krishtit kishin përgatitje dhe arsim teologjik, sepse kishin studiuar shkrimet dhe literaturën e kohës së tyre. Ishin, pra, mirëfilltas të lexuar. Vetë dialogu midis dy të rinjve në këtë ungjill, tregon se kishin njohje të thellë teologjike, sidomos mbi diskursin e preferuar atëbotë, mbi konceptin mesianik.
Nga ana shoqërore, apostujt ishin të një shtrese të lartë, me mirëqenie dhe pasuri. Zbulimet arkeologjike dëshmojnë se disa nga apostujt jetonin në vila madhështore.
Mjedisi i figurave spirituale të Dhjatës së Vjetër dhe i mësimdhënies së profetëve ishte vendimtar në kërshëritë dhe shpirtin e tyre, për të ndjerë e për të shquar, për të pranuar diçka më të madhe dhe përmbushëse.
Për më tepër, apostujt kishin aftësi gjuhësore, jo thjesht njohje të gjuhës, madje disa prej tyre flisnin dhe shkruanin gjuhë të huaja, të cilat i kishin mësuar para njohjes me Krishtin, gjë që do të ndihmonte historinë tonë më vonë.
Disa nga këta të rinj mendjehapur dhe me aftësi të jashtëzakonshme, u bënë jo vetëm bërthama e nxënësve të Krishtit, por dhe vazhduesit e denjë të ungjillëzimit të botës.
Me këtë përqasje, vetëm një prift injorant mund të dalë në Kishë e t’iu thotë besimtarëve se apostujt ishin “peshkatarë të varfër dhe të paditur”.
2. Përvoja personale në besim
Ka mjaft të rinj shqiptarë që janë shkatërruar vetëm në një çast dobësie, duke iu përgjigjur një shoku a miku në mirëbesim, apo duke u gënjyer e mashtruar në një familje, a shoqëri të keqe. Ka prej tyre që vuajnë në burg, për zullumet e të tjerëve, ndërsa të tjerë janë zhdukur fizikisht.
Sot kemi shembullin e ndërsjelltë, se si një i ri, Filipi, e fton shokun e tij, Nathanaelin, në diçka të mbarë e të bukur, madje pa e manipuluar dhe pa e shtrënguar: “Eja dhe shiko”.
Pjesëmarrja në të mirën e përbashkët, në veprat e dashurisë, është një lidhje dhe shoqëri e dobishme për të rinjtë dhe për të gjithë njerëzit.
Një përqasje e tillë, një bashkësi ndërpersonale që themelohet në virtyt dhe tek e mira, krijon një shoqëri dhe kulturë të këndshme dhe të gëzuar, dy gjërat kryesore që i bëjnë të rinjtë shqiptarë të humbasin shpresën dhe të largohen pa kthim nga atdheu.
3. Rinia dhe Ortodoksia
Duke na sjellë lidhjen e Filipit me Nathanaelin, Kisha na jep sot modelin e thirrjes dhe të prirjes së krishterë. Në fakt, ky është përkufizimi i nxënësisë dhe i përkatësisë së krishterë, në familje dhe në shoqëri.
Pjesëmarrja tek e mira e përbashkët ndeshet me botën e veçuar dhe egocentrike të vetvetes, në mëkatërinë ku nuk duhet të përkasë askush.
Distancimi i rinisë ortodokse nga Kisha sot, duke u mjaftuar vetëm me dy-tre meshime në vit, nuk ka të bëjë me cilësinë apo ftohjen spirituale të tyre, por me bjerrjen dhe rëndimin e vazhdueshëm të atyre pak të rinjve që frekuentojnë shpesh kishat shqiptare.
Shumica e të të rinjve “Orthodhoksë” në Shqipëri e kanë humbur lidhjen me Ungjillin. Ata nuk sillen si ndjekës të Krishtit, por si skllevër të Njëshit: gjykimi ndaj të tjerëve, fanatizimi kundër atyre që mendojnë ndryshe, cektina spirituale, vjedhjet, urrejtja, shpifjet dhe pabesitë për të shkatërruar ata që guxojnë dhe kritikojnë, jo rrallë me pagesë e premtime punësimi, jo vetëm që nuk kanë fuqi të ftojnë dikë, por largojnë edhe ata që nuk e tradhtojnë Ungjillin.
Ç’lidhje ka një Kryepeshkop që kërkon t’i nënshtrohen të gjithë me forcën e parasë, me Zotin Krisht që iu lan këmbët nxënësve, si në mozaikun që bashkangjisim?
* * *
Dhe megjithatë, ka shpresë. Brenda frymës së lidhjes shpirtërore dhe të pjesëmarrjes së përbashkët në mirësi dhe virtyt, tok me frutet e spiritualitetit ortodoks, u kultivua tradita e etërve të Kishës, atë që na sheston sot e Diela e Ortodoksisë. Është historia e hirshme e vazhdimësisë së çuditshme dhe të pandërprerë, qysh nga vitet e lashta të Dhjatës së Vjetër e gjer në ditët tona.
Sot, kur do të dalim mbas meshës me ikona në duar, për të kujtuar triumfin e besimit tonë të hirshëm, le të distancohemi nga të gjithë ata klerikë që tregtojnë ikonat e Kishës, me në krye Mitropolitin e Korçës, të cilët ua japin ikonat besimtarëve të gënjyer me qira për 40 ditë, për tu pasuruar vetë me paratë e idhujtarisë!
Së fundi, dhe mbi të gjitha, Kisha na kërkon sot që ne besimtarët të bëhemi ikona, dhe ta trajtojmë njëri-tjetrin, si dhe të gjithë njerëzit e të gjitha besimeve, si ikona, si imazhe të Krijuesit!
At Foti Cici, 17 mars 2019
——————-
Joani 1: 41-52
Atë kohë, Jezui deshi të shkonte në Galile. Gjeti Filipin dhe i tha: “Më ndiq.”Filipi ishte nga Betsaida, nga qyteti i Andreas dhe i Pjetrit. Filipi gjeti Natanailin dhe i tha: “Kemi gjetur Atë për të cilin shkroi Moisiu në Ligj si edhe profetët, Jezuin e Nazaretit, birin e Jozefit.” Natanaili i tha: “A mund të dalë ndonjë e mirë nga Nazareti?” Filipi i tha: “Eja e shiko”. Jezusi e pa Natanailin që po vinte tek Ai dhe tha për të: “Ja vërtet një izraelit, tek i cili nuk ka mashtrim!” Natanaili i tha: “Nga më njeh Ti mua?” Jezui u përgjigj e i tha: “Të pashë, kur ishe nën fik, përpara se të thërriste Filipi.” Natanaili iu përgjigj: “Rabbi, Ti je Biri i Perëndisë. Ti je Mbreti i Izraelit.” Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Ti besove, ngaqë të thashë, se të pashë nën fik? Gjëra më të mëdha se këto do të shohësh” dhe i tha: “Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, do të shihni qiellin të hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e Njeriut”.