Emri Eduard është jo i rrallë ndër shqiptarë, prandaj dhe i urojmë të gjithë Eduardët për emrin e bukur që kanë. Ta gëzojnë dhe ta trashëgojnë! Ndoshta mjaft prej tyre nuk e dinë se ky është edhe emër ortodoks, siç do të shënoj shkurtimisht.

Eduardi trashëgoi fronin mbretëror të Anglisë nga i ati, në vitin 975, ende adoleshent. Mbreti i ri u vra disa vite më vonë, si viktimë e intrigave të njerkës së tij. Mbas vdekjes varri i tij u kthye në pelegrinazh, për arsye të shërimeve dhe mrekullive të shumta. Eduardi u shpall shenjtor në vitin 1008.

Eshtrat e Shën Eduardit u zhvendosën më vonë dhe u fshehën. Në vitin 1931 reliket e tij u zbuluan dhe u identifikuan gjatë një gërmimi arkeologjik.

Drejtori i kërkimeve, John Wilson-Claridge (1905-1993), familja e të cilit ishte pronare e vendit ku u gjendën eshtrat, nisi bisedimet me kishat kryesore të Anglisë, se në çfarë kishe do të prehej Shën Eduardi përfundimisht, duke vendosur kushte që ai të kremtohej si shenjtor, dhe eshtrat e tij të nderoheshin si relike brenda një kishe. Kushtet i plotësoi Kisha Ortodokse Ruse në Mërgim.

Në vitin 1984 reliket e Shën Eduardit u vendosën në kishën ku ndodhen sot, në manastirin ortodoks anglishtfolës “Saint Edward Brotherhood”, në Brookwood, Surrey.

At Foti Cici, 18 mars 2019