Shën Partheni i Kostandinopojës (24 mars)
Një nga shenjtorët e sotëm në kalendarin ortodoks është dëshmori i ri Partheni, Patrik i Kostandinopojës, i cili u martirizua në vitin 1657. Partheni u ngrit në fronin e Kostandinopojës më 31 korrik 1656, si klerik i devotshëm, dijetar dhe i zellshëm, mbasi kishte kryebarituar si mitropolit në ishullin Hios, që nga viti 1639.
Patriku e gjeti Patrikanën në një gjendje të mjeruar ekonomike, gjë që e shtrëngoi të kërkojë ndihmë nga rusët. Ai mori anën e rusëve në përplasjet për të kontrolluar kishën në Ukrainë dhe po atë vit rrëzoi Besoren e Mitropolitit të mëparshëm të Kievit (Petro Mogila), të cilën e konsideronte si jo plotësisht ortodokse, edhe pse kjo shpallje doktrinore ishte pranuar nga patrikët e kishave greqishtfolëse në vitin 1643.
Gjatë përpjekjeve për të siguruar fonde, letërkëmbimi i Parthenit me Mitropolitin e Nikesë, i cili jetonte në grigjën ortodokse të kosakëve (kazakët) në Rusi, ra në duart e Portës së Lartë, duke e shënjuar Parthenin si tradhtar, përderisa Rusia konsiderohej si armike politike e perandorisë osmane.
Letërkëmbimi përgjohej nga tartarët e Krimesë, të cilët njoftuan Vezirin e Madh të Sulltanit (Mehmet Koprulu). Ky pastaj, e paditi Parthenin, duke sajuar një gjygj kundër tij.
Mehmeti sendërgjoi disa pjesë të letrës së Parthenit, duke i interpetuar si apel të kosakëve për të pushtuar perandorinë osmane. Edhe pse akuzat u dëshmuan të rreme, Sulltan Mehmeti IV urdhëroi varjen e Patrikut “si shembull për ata që mund të përpiqen në të ardhmen”, por duke i dhënë të dënuarit me vdekje edhe një shpresë shpëtimi, nëse ky konvertohej.
Partheni u përgjigj: “Nuk jam tradhtar i Perandorisë dhe jam krejt i pafajshëm ndaj kësaj padie. Jam akuzuar pa të drejtë dhe ju vetë e dini këtë shumë mirë, nëse flisnit të vërtetën. Për sa i përket braktisjes së besimit tim, nuk do ta braktis kurrë […]. Për sa iu përket ndereve dhe privilegjeve që më ofroni, as nuk dua t’i dëgjoj”.
Përgjigjja e tij e zemëroi Sulltanin, i cili urdhëroi ta rrahin. Të shtunën e Llazarit, më 1 prill 1657, Parthenin e varën në një vend të Stambollit, në një portë të quajtur “Parmak Kapi”.
Me urdhër të Vezirit të Madh, trupi i tij mbeti i varur për tre ditë dhe pastaj u flak në det. Më vonë të krishterët e gjetën lipsanin e dëshmorit të besimit, të cilin e varrosën me nderime në manastirin Kamariotisa, të ishullit Halki.
At Foti Cici, 24 mars 2019