Nevoja e legjislacionit ortodoks, tej së drejtës kanunore të shkruar në shekujt e parë të krishtërimit, ka dalë nga përvoja e dhimbjes së një institucioni sa hyjnor aq dhe njerëzor. Pasojat, pra, që ka sjellë vullneti i sëmurë i disa anëtarëve të Kishës, të vegjël a të mëdhenj, të dobët a të fuqishëm, na trashëguan statutet e sotme kishtare.

Edhe pse ligjvënia ortodokse nuk është pjellë e parashikimeve, statutet e kishave autoqefale janë të dypërdorshëm; aq sa ligjërojnë mbarëvajtjen e kishës, njësoj sanksionojnë dhe parandalimin e së keqes. Pohimi e mohimi e përshkojnë njësoj çdo legjislacion ortodoks. Atje ku zbatohen statutet, shmangen spekullimet dhe abuzimet me pushtetin kishtar. Për fat të keq, kur iu jepet pushteti disa anëtarëve të kishës, sidomos atyre me ambicje të parealizuara gjetkë, ata harrojnë dhe veprojnë sikur pushteti të ishte i tyre. Çdo pushtet i krishterë, veç, është marrë hua dhe pritet të kthehet një ditë tek Fuqidhënësi, sidomos për ata kishtarë që nuk e shesin besimin e tyre për tokësoret.

Kisha ortodokse ruan për kryepriftërinjtë e saj përhershmërinë në pushtet, përderisa nuk bëjnë gabime të rënda dhe përsa përmbushin detyrat e tyre. Kur hierarkët nuk mund të funksionojnë plotësisht, për shkak të pleqërisë a të sëmundjeve, kisha dhe shteti i atij vendi presin e sugjerojnë tërheqje nga pushtetarët ortodoksë.

Çfarë ndodh kur një kryepeshkop i pamundur nuk heq dorë nga pushteti? Ky shkrim përshkruan pikërisht këtë dukuri, përmes legjislacionit kishtar të Shqipërisë dhe Greqisë, përderisa me këto dy vende është lidhur sot për sot rasti ynë, i shqiptarëve ortodoksë. Për një fqinjësi më të sinqertë.

Neni 36 i Rregullores së KOASh-it, 1955

“Kryepiskopi dhe antarët e Sinodhit, për shkak sëmundjeje kronike ose pleqërije, të cilat nuk u përmetojnë të përmbushin detyrat e tyre, kanë të drejtë t’i paraqesin kanonikisht dhe me të shkrojtur dorëheqjen e tyre Sinodhit të Shënjtë. Sinodi i Shënjtë ka të drejtë të shkarkojë nga detyra Kryepiskopin, sinodhikët, ose çdo klerik tjetër, kur konstaton se për shkak sëmundjeje kronike ose pleqërije, këta nuk janë në gjëndje të përmbushin detyrat e tyre. Paaftësija në punë provohet kurdoherë me raport mjekësor”.[1] Kjo rregullore, dalë pesë vjet mbas statutit të fundit (1950), është pranuar nga hierarkia kishtare e pasdiktaturës, përderisa tek shtojcat që iu bënë statutit të fundit (1993/1996) nuk u ndryshua asgjë në lidhje me shkarkimin e kryepeshkopit në rast pamundshmërie.

Legjislacioni në fuqi i sugjeron një kryepeshkopi të sëmurë a të plakur, a që të dyja bashkë, të japë dorëheqjen dhe t’i lejojë Kishës të vijojë veprën e saj me anëtarët e shëndoshë. Në rast se ai nuk e bën këtë, sepse ndoshta vetë sëmundja mund të mos e lejojë ta pranojë paaftësinë për të qeverisur kishën fizikisht e drejtpërdrejt, ekziston Sinodi i Shenjtë, këshilli i peshkopëve, i cili është mbi kryepeshkopin. Në Shqipëri procedurat përkatëse janë zhbërë, duke e vënë Janullatosin mbi Sinodin e mbi Kishën, dhe presin të ardhmen të zbatohen, ndoshta me peshkopë vendorë, të cilët mund të kenë më pak dhunti se të dërguarit politikë, por ndoshta do të kenë më tepër drojë Perëndie për t’iu dorëzuar së drejtës kanunore të Ortodoksisë.

Por çfarë thotë statuti i mëparshëm, i vitit 1929, i cili u zëvendësua me atë të vitit 1950, për shkarkimin e një kryepeshkopi të pamundur?

Neni 22 i Statutit të vitit 1929

“Kryepeshkopi, Peshkopi, dhe Ikonomi i Math Mitrofor, për shkak sëmundjeje kronike ose pleqërie, të cilat nuk u përmetojn të përmbushin detyrat e tyre Peshkopale, kanë të drejtë t’i paraqisin kanonikrisht dhe me të shkruar dorëheqien e tyre Sinodhit, i cili vendos. Po Sinodhi mundet edhe motu proprio të çfaqi mejtimin mbi sëmundjen ose pleqërinë e tyre pas nji raporti prej pesë mjekësh të zgjedhun dy prej Sinodhit vetë dy prej të sëmurit, dhe një prej Drejtorisë së P. të Shëndetsisë. Në qoftë se Kryepeshkopi ose Peshkopi nuk apin dorëheqjen brënda dy javëve prej datës së komunikimit, Sinodhi me nji herë emëron nji ndihmës Peshkop i cili merr përsipër administrimin e Peshkopatës. Kryepeshkopi dhe Peshkopët të dekllaruar të pamundur mbajnë titullin e tyre dhe përmenden në Kishë e në ceremonit e Shenjta prej ndihmësit Peshkop dhe gjithë Klerit po nuk ushtrojnë asnjë veprim administratif dhe nuk marrin asnji pjesë aktive n’administrimin e Kishës. Në qoftë se Doktorët raportojnë pamundërin e tyre, ata japin dorëheqjen…”[2]

Siç duket nga përqasja e të dy statuteve, legjislacioni ortodoks hedh gjithë përgjegjësinë tek anëtarët e Sinodit të Shenjtë. Askush prej tyre do të pëlqente që kur të plaken a të sëmuren vetë, gjë që kështu apo ashtu askush nuk ka fuqinë t’i shmanget, të lihet të rrëshqasin e të zhvlerësojnë pjesën e mirë të veprës së tyre. Në fund të fundit çmimin e paguajnë ortodoksët, të çdo kombësie qofshin, të cilët janë bërë këto vite pre e politikave shqiptaro-greke.

Përderisa ndërhyrja e shtetit nuk përmendet në shkarkimin e kryepeshkopit, e lë të ardhmen e kishës në dorë të anëtarëve të sinodit, pa parashikuar rrethana specifike si sot. Çfarë ndodh në rast se ata nuk reagojnë për të zbatuar legjislacionin ortodoks në Shqipëri? Një përgjigje është gjendja e sotme në kishën ortodokse shqiptare, e cila është pasojë e një bashkëqeverisjeje interesash e ambicjesh. Statuti i vitit 1950 kërkon të modifikohet në këtë nen, si dhe në nene të tjera, për të qenë i barasdenjë me të sotmen dhe të ardhmen e kishës ortodokse në Shqipëri.

Neni 34 i Statutit të Kishës së Greqisë 

Statuti i kishës ortodokse greke, i vitit 1974, është më i përpiluar mbi shkarkimet e kryepriftërinjve të paaftë. Abuzimet e pushtetit nga disa dhespotlerë është diçka e pamohueshme në traditën greke. Kur janë gjallë e mirë s’ke ç’u bën, sepse gjithë strategjia e qeverisjes synon pikërisht sajimin e një mjedisi që ushqen e mbron despotizmin. Por kur ata sëmuren a plaken, veset e tyre bëhen më dëmprurëse për Kishën, prandaj dhe kjo e fundit përpiqet të mbrohet.

Paragrafi 3 i nenit 34 të Statutit të Kishës së Greqisë, siç quhet zyrtarisht kisha ortodokse autoqefale greke, parashikon se “në qoftë se një mitropolit është i paaftë për përmbushjen e detyrave të tij, dhe nëse nuk jep dorëheqjen me vullnetin e tij, ai hiqet nga detyra me vendim të një komisioni i përbërë nga kryetari i këshillit të shtetit, ose zëvëndësi i tij i ligjshëm, si kryetar i këtij komisioni, si dhe dy profesorëve të fakultetit të mjekësisë, të njërit prej universiteteve të Greqisë.”[3]

Në paragrafin 5 thuhet se mbas përpilimit të procedurave përkatëse, përafërisht mbas 15 ditësh, “Kryeprifti thirret me shkrim për një vizitë mjekësore, të paktën dhjetë ditë para vizitës që është paracaktuar t’i bëhet. Në qoftë se Kryeprifti nuk paraqitet për vizitën mjekësore të detyruar, komisioni shkon në banesën e tij për vizitën e kërkuar. Nëse Kryeprifti përsëri refuzon të vizitohet, kjo pranohet nga komisioni. Vetë ky fakt konsiderohet si “evidenca e pakundërshtueshme” e rrëfimit të paaftësisë së tij. Mbas kësaj, Sinodi i Shenjtë detyrohet, pa asnjë formulim tjetër, ta shkarkojë Kryepriftin nga të gjitha detyrat.”[4]

Në  paragrafin 6, tek i njëjti statut grek, parashikohet se “në qoftë se komisioni nuk është i njëzëshëm mbi këtë evidencë, kryetari fton në komision dhe anëtarët mjekësorë që janë plotësues/zëvendësues, dhe me këtë shtim në numër komisioni shkon përsëri për të vizituar mjekësisht Kryepriftin. Ky vendim, pastaj, është i detyrueshëm me çdo kusht për Sinodin.” Mbas vendimit të Sinodit dhe njoftimit të qeverisë brenda dhjetë ditësh, neni 6 konkludon se “del dekreti presidencial i cili njofton shkarkimin e mitropolitit.”

Këtu duhet bërë një qartësim me nuancat e fjalëve, “kryeprift” dhe “mitropolit” në greqishte, më tepër të pështjellimit që mund të shkaktojë kjo në shqipe. Në origjinalin grek përmendet më tepër fjala “kryeprift” (Αρχιερέας), por neni 52.2 i statutit grek qartëson se: “Kudo ku përdoret termi kryeprift nënkuptohet kryepeshkopi i Athinës dhe të gjithë mitropolitët aktivë. Kudo ku përdoret termi Mitropoli nënkuptohet edhe Kryepeshkopata e Athinës.” Kjo është njësoj e vërtetë për të gjitha kishat ortodokse, ashtu si dhe në rastin tonë, pikërisht se kryepeshkopi, para se të jetë i tillë, është mitropolit i Tiranës, pa të cilën nuk mund të titullohej kryepeshkop.

Përshkrimi në këtë zonë të statutit grek shpreh shqetësimin e kishës ortodokse për të ardhmen e saj. Çdo gjë duhet të parashikohet, për të mbrojtur institucionin e Kishës, por dhe prestigjin e pushtetarëve të saj.

Kultizimi i pasionit

Nga leximi i tre statuteve shqiptare e greke, del se kur një kryepeshkop a mitropolit nuk mund të përmbushë detyrat e tij, ai duhet të shkarkohet. Kjo bëhet për të mirën e kishës dhe për jetëgjatësinë e kujtimit të tij. Gjithsesi, shembulli grek është për të imituar. Në bazë të këtij legjislacioni, sinodi i kishës greke ka kryer e po vijon këto vite zëvendësimin e një numri mitropolitësh, të cilët u shkarkuan për arsye pamundshmërie në shërbesë, pavarësisht se përpiqeshin të mbuloheshin mbas disa bashkëpunëtorëve të blerë e të shitur, të cilët janë gati të “vërtetojnë”, në çdo regjim e në çdo vend, se administrimi i shërbesës shkon si vaji.

Sipas legjislacionit kishtar të miratuar nga shteti shqiptar, opinioni ortodoks dhe faktorët shtetërorë pritet që në raste të tilla të ushtrojnë presion ndaj anëtarëve të Sinodit. Sinodikët, sidomos ata të lindurit në Shqipëri, duhen të përgjigjen e t’i zbulojnë opinionit shqiptar gjykimin e tyre mbi procedurat kanunore të KOASH-it. Apo mos heshtja nënkupton ftesën për përfshirje të elementëve a formacioneve jo ortodokse, të ngatërrestarëve, të cilët duhet të ndërhyjnë sërish në çështjet tona, për të përligjur edhe një herë ndërhyrje të tjera të kishës greke në Shqipëri?

Thyerja e kryqeve, edhe kur bëhet me motive thyese, nuk besoj se bëhet ndaj ortodoksisë, sesa ndaj pushtetarëve abuzues të saj, të cilët këmbëngulin se qenkan garancia e të drejtave fetare në Shqipëri, edhe pse shkelin në të njëjtën kohë të drejtën kanunore të Kishës Ortodokse, duke iu imponuar shqiptarëve. E të gjitha këto ndodhin në një kishë autoqefale me njerëz e tituj të rëndë, por pa mendim teologjik, e prandaj gjithmonë nën kujdestari të fqinjëve.

Tendenca e kryepeshkopit Anastasios për të sunduar me mënyra tejortodokse, është dënuar nga vetë Patrikana e Kostandinopojës në letra zyrtare drejtuar primatit tonë, pavarësisht nga loja e sotme publike që ndjek Patrikana në zonën shqiptaro-greke, e imponuar kjo lojë nga Ministria e Jashtme e Greqisë. Le të kujtojmë krizën ortodokse të mesviteve 90, kur Janullatosi përpiqej të çorientonte të gjitha kampet ndërluftuese, për t’u imponuar me çdo çmim në Shqipëri. Kërkonte madje të mbretërohej i vetëm, pa sinod, ose me njerëz nga Greqia, por që duhej të zgjidheshin prej tij, dhe jo prej patrikanës a palës shqiptare.

Në një përgjigje ndaj patrikut Vartholomeos, kryepeshkopi Anastasios pranon se Tërëshenjtëria e Tij e akuzoi për “dëm moral”,  sepse, sipas Patrikut, “në bazë të ekleziologjisë dhe së drejtës kanunore të Kishës Ortodokse, nuk është e mundur që Kisha e Shqipërisë të qeveriset vetëm nga Njëshi, a qoftë dhe nga Këshilli Kishtar i Përgjithshëm, duke përbërë kësisoj kopje të marra nga kisha jo ortodokse.”[5]

Aftësia zhdërvjellëse e kryepeshkopit Anastasios , në përgjigjjen ndaj patrikut Vartholomeos, është e pashoqe, sidomos kur ai mbrohet duke thënë diçka të rreme, se “të dy statutet e kishës shqiptare janë në fuqi”,[6] në një kohë që publikisht mbrohej në opinionin shqiptar dhe në atë tej Ballkanit, se “statuti i vitit 1929 është shfuqizuar në vitin 1950”, sepse pikërisht ai statut cënonte interesat e tij, përderisa kërkonte që kryepeshkopi të ishte me kombësi shqiptare.  Por siç pamë më sipër, statuti i vitit 1929, tashmë, është më këmbëngulës në shkarkimin e një kryepeshkopi të pamundur, përderisa ai kërkon që një nga anëtarët e komisionit mjekësor duhet të caktohet nga shteti.

Kishte paraardhës por s’paska pasardhës?

Sistemi qeverisës në ortodoksi është sinodik, kolegjial, pra, me çdo kuptim dhe jo monist.[7] Pamundësia psikologjike e kryepeshkopit për të bashkëpunuar me mënyra ortodokse në kishë, pasioni i tij për të personalizuar gjithçka, madje dhe potencialin e dhuntive të bashkëkohësve, shqiptarë e grekë, metodat sendërgjuese për të mos lejuar mëkëmbës, të gjitha këto, pra, e të tjera, janë formuluar nga opinioni i paanshëm i vetë ortodoksisë greke.

Në vitin 1996, kur kryepeshkopi u përfol për lojë të shumëfishtë në kurriz të shqiptarëve, por dhe të të drejtave ortodokse në Shqipëri, gazeta Ortodoksia e Athinës i drejtoi kryepeshkopit të Shqipërisë një pyetësor, ku shquhen sa më poshtë:

“A është e vërtetë se i propozuat Patrikanës për të zgjedhur një peshkop asistent për ju, një arqimandrit me shtetësi greke, bashkëpunëtori juaj i dikurshëm në punët misionare?…
A është e vërtetë se ju pëlqen të punoni vetëm dhe kërkoni bashkëpunëtorë që t’ju binden me besnikëri dhe të zbatojnë verbërisht urdhërat tuaja?…
A është e vërtetë se nuk u përkujdesët për të lejuar një  zëvendës në katedrën tuaj në Universitetin e Athinës?…
Na njihni dhe ju njohim mirë, Fortlumturi…”[8] 

Me gjithë respektin ndaj kryepeshkopit Anastasios, dhe me gjithë frikën për rrëshqitjen e tij të madhe sot, nuk mund të mos nxjerrim në pah vështirësinë e pandreqshme të tij për të mos lejuar pasardhës, për të përndjekur e izoluar ata që e kanë ndijuar personalitetin e tij të sëmurë, qoftë me intuitë, e qoftë me përvojë a depërtueshmëri. Këtë pasion vdekjeprurës, tmerrin se dikush do ta zëvendësojë një ditë, kryepeshkopi e ka kthyer në strategji qysh kur ishte pedagog në Athinë, dhe madje kur ishte në shëndet të mirë mendor.

Historia tregoi se ai e përmbushi pasionin dhe e la katedrën e tij pa pasardhës. Edhe kur kaloi moshën e pensionit, në vitin 1994, kryepeshkopi i Shqipërisë nuk pranonte të jepte dorëheqjen nga Universiteti i Athinës, duke vënë në pozitë të vështirë trupin pedagogjik të profesorëve të teologjisë, të cilët shpreheshin hapur gjatë viteve të studimeve tona atje: As mëkëmbës, e as dorëheqje. Ai pranoi të japë dorëheqjen vetëm në vitin 1997, mbasi Fakulteti i Teologjisë i ofroi një pritje honorale të bujshme, në mënyrë që ai të lironte katedrën dhe zyrën e tij, ku shkruhej me shkronja të verdha në greqishte: “Profesor Anastasios Janullatos, Kryepeshkop i Tiranës dhe Gjithë Shqipërisë”.

Rituali i ndërthurjes 

Është e pritshme që mbas përligjjes së këtij argumentimi kanunor, mbi shkarkimin e një kryepeshkopi të pamundur, të lindin përsiatje sentimentale. Nga njëra anë këto janë pjesë e virtytit shqiptar mbi respektin e moshës, sëmundjes, mikpritjes dhe të detyrimit ndaj bamirësve, sidomos kur ata bien. Gjithë ky arsyetim, i cili i bën folé abuzimit, është pjesë e tipareve të institucioneve tona etnokulturore. Nga ana tjetër, shkrehje të tilla janë evidenca e pakundërshtueshme e realitetit psikologjik të ortodoksisë shqiptare, si pasojë e manipulimit, e trushpëlarjes dhe e kultbërjes. Kush më shumë e kush më pak.

Mjaft kryepriftërinj ortodoksë, sidomos në rajonin tonë, shumë herë përgojojnë modelet qeverisëse të kishave të tjera, kur në praktikë e administrojnë pushtetin larg tipareve të shërbesës së tyre, e cila ka gjithçka, përveçse modesti e vetëmohim (Jeta e Janullatosit në Shqipëri është pikërisht e kundërta e Krishtit në Bibël). Kisha ortodokse, siç thamë më sipër, për të mbrojtur anëtarët e saj dhe për të mbrojtur veprën e të gjallëve, të plakur a të pamundësuar tani, por sundues e frikështënë dikur, është detyruar të mbërrijë në formulime ligjvënëse, të cilat ne nuk mund t’i injorojmë, sepse nuk na intereson dobësimi i institucionit ortodoks në Shqipëri.

Në qoftë se dikush ka të lulëzuar pasionin e hakmarrjes, por gjatë gjithë shërbesës së tij e ka fshehur a kontrolluar atë, kur humbet shëndetin, ai bëhet rob i këtij pasioni. Një kryepeshkop i tillë mbyllet në një dhomë gjithë ditën, duke besuar se mikrobet janë ato që i kërkojnë pushtetin, e jo Jetëdhënësi që ia ka hapur krahët pa hile. Duke qenë i skllavëruar nga fobia e humbjes së pushtetit dhe hakmarrja ndaj kritikuesve, i sëmuri bëhet pre e servilëve, të cilët i vërtiten rreth e rrotull si korbët… Sa herë që shprehet ndonjë gjykim kritikues, ashtu siç e ka për doktrinë feja ortodokse, kryepeshkopi shumë i sëmurë gjen fuqi e nis telefonatat me peshkopë ortodoksë nëpër vise të largëta, për të kërkuar zhveshjen e priftërinjve, të cilët, me shkrime të tilla “kërkojnë të zhdukin interesat greke në Shqipëri”. E vërteta është se formuluesit shqiptarë ortodoksë janë kaq të balancuar, saqë pranojnë të moskuptohen e të përbalten nga disa bashkëkombës dritëshkurtër, sesa të pranojnë cënimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Reagimet e sëmura nga një mjedis i manipuluar e i korruptuar, siç është kryepeshkopata e Tiranës sot, hyjnë në të njëjtën gjini me ato të regjimit politik mbas hapjes së ambasadave në vitin 1990. Ato ditë, edhe më naivët e provincës (naivë për shkak të distancës dhe të pafajshmërisë, e jo të kultivimit klasor) shquan për herë të parë improvizimin si mjet qeverisjeje e sundimi, në një kohë që ata më të thekurit kremtonin. Ndërsa ky debat, edhe pse mund të trajtohet nga rrogëtarët e kryepeshkopit si keqdashës, investon në nderimin e një primati, në ruajten e emrit të tij, i cili, pavarësisht se si, është i dashur për shumë shqiptarë. Mbi të gjitha, veçse, ne sakrifikojmë për të mbrojtur e fuqizuar një institucion me vlera unike në rajonin e Ballkanit, i cili ende ka shumë për të thënë e dhënë në Shqipëri.

Qoftë e kuptuar se kisha ortodokse shqiptare na tejkalon si ne, ashtu dhe primatët e saj, duke përfshirë dhe Fan Nolin e Anastasios Janullatosin! Për ne ortodoksët as Zoti nuk besohet si kult, e pa le më krijesat e Tij, sado të dhuntishme a të hirshme qofshin. Si rrjedhojë, ortodoksia shqiptare fton anëtarët e saj të zgjohen e të bashkëpunojnë për pacënueshmërinë e saj, për zbatimin e së drejtës kanunore të ortodoksisë së përbotshme, për një dialektikë me kishën vendore sa më pak të dhimbshme, duke e ndarë veten nga qëndrime që mund të ndërvijojnë jashtë saj, edhe pse me petka ortodokse. Kjo periudhë historike i fton shqiptarët ortodoksë të dëshmojnë pjekurinë e tyre qytetare, fisnikërinë e misionit shqiptar ortodoks, por dhe përmbajten spirituale që ata kanë përftuar këto vite misioni e pritjeje. Ndoshta ky proces ka për të qenë dhe sfida e tyre; dhëntë Zoti!

At Foti Cici
Koha Jonë, 26 janar 2005

——————————

[1] Rregullore mbi administrimin e përgjithshëm të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë, 1955, Neni 36 (Ky tekst, së bashku me tre statutet e KOASH-it, ndodhet në ShqiptarOrtodoks.com/Kisha Ortodokse Shqiptare).
[2] Statuti i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipris, Korçë,1929, Neni 22 (Gabimet, drejtshkrimi dhe luhatjet gjuhësore në citimin e mësipërm janë të origjinalit).
[3] Καταστατικός Χάρτης της Εκκλησίας της Ελλάδος, Ligji 590/1977, Neni 34.
[4] Po aty.
[5] Letërpërgjigje e kryepeshkopit Anastasios drejtuar patrikut Vartholomeos, 5 tetor 1996, cituar nga Apóstolos Glavinas, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë (Απόστολος Γλαβίνας: Η Ορθόδοξη Αυτοκέφαλη Εκκλησία της Αλβανίας), f. 270.
[6] Po aty, f. 271.
[7] Sa banale tingëllon tashmë fjala monist në shqipe! Por ja që shumë gjëra në jetën e KOASH-it nuk shpjegohen ndryshe, por vetëm me atë terminologji, pavarësisht se glosari i diktaturës anashkalohet edhe për faktin se shqipja e pasdiktaturës nuk lejon përshoqërime të tilla. Kjo është e vërtetë edhe në pika të tjera të përvojës mbas viteve 90, ku ndeshja me një dukuri tej e ndanë të thelbit të diktaturës, nuk cilësohet si e tillë, nuk emërtohet fare, nga frika se mos cilësohet banale, shmanget vetvetishëm nga përsiatja, pra, duke i siguruar kësisoj fenomenit mundësi përherësimi.
[8] Η Ορθοδοξία, Athinë, Shtator 1996/15.