Një nga temat e rrahura në shtyp kohët e fundit ishte vetëvrasja e të miturve, me gjithë paragogët që e shoqërojnë, duke përfshirë dhe debatet mbi marrëdhëniet shtet-fe, gjë që ngjyroi gjykimet publike. Institucionet e traditës fetare, si dhe politikanë e publicistë, të paanashëm e të njëanshëm, u shprehën kundër disa institucioneve që, edhe pse veprojnë shtrënguese në predikim, nuk janë përgjegjëse për mungesën e një kulture psikologjike të profesionalizuar në Shqipëri. Sidoqoftë, vetëflijimi i të miturve dëshmon përmasat e depërtimin e manipulimit mendor në një shoqëri ku nuk ekzistojnë mundësi të strukturuara informimi. Për më tepër, vetëvrasja është një dukuri që shfaqet shpesh gjatë këtyre viteve, si një reagim me fillesa, përmasa e mbaresa tej gjestit të mbramë.

Përsa i përket veprimtarive spirituale tek ne, gjatë kësaj periudhe historike, nga “vresht i ndaluar” Shqipëria është kthyer në “han pa portë”. As sot që debatojmë, nuk ekziston planifikim a bashkërendim thelbësor për një perspektivë parashikuese në lëmin psikologjik. A ekziston informacion, në shkollë, në shtyp, në tempull, mbi manipulimin e mendjes, mbi atë teknologji modelesh që mund të mpijë edhe një tru të mprehtë, në qoftë se nuk jemi të ndërgjegjësuar se ç’është kontrolli mendor në historinë njerëzore?

Shqipëria konsiderohet si një nga shembujt më të spikatur ku mendjemanipulimi i diktaturës komuniste ka qenë më i suksesshëm se kudo gjetkë. Në qoftë se ai nuk do ishte i frutshëm, atëherë si do të justifikoheshim ne shqiptarët për mosreagim gjithëshqiptar ndaj një regjimi çnjerëzor? Ky pohim i dhimbshëm është pranuar në heshtje, gjë që ndoshta ka bërë mendimin e pasdiktaturës të mos përfshijë manipulimin në temat e mirëfillta. Jo vetëm kaq, por duke pranuar të vetëkuptuar faktin se ai regjim i stërgjatur ishte kryefund manipulim, vetë kjo nuk mjafton për të përsiatur një terapi grupore. Kjo specifikë sociale ka ftuar në botën shqiptare strategji të hapura kontrollimi mendor, ndërmarrë këto vite pa ngurrim nga njësi të përvojës manipuluese.

Jetëshkrime…

Përgjatë historisë njerëzore, prijës fetarë të tejdhuntishëm, politikanë e ushtarakë karizmatikë, si dhe tregtarë të talentuar, kanë përdorur me sukses teknika kontrolli mbi masën. Teknologjia e manipulimit, pra, rëndom është e gatshme. Një nga shembujt ku u mbështet më tepër Shqipëria komuniste ishte kontrolli mendor i përdorur me sukses në Rusinë sovjetike; teknikat mbi manipulimin e masës. Por nëse kontrolli mendor qenka kaq përfundimtar, përse bolshevikët e shoqëruan me terror fizik? Përdorimi i dhunës, i cili nuk mund të përdoret drejtpërdrejt në manipulimet fetare, u krye jo se sovjetikët nuk besonin tek plotëria e manipulimit, sesa nga nxitimi i pafre, gjë që dhe i rrëzoi përgjithmonë në histori.

Modelet që kultivoi komunizmi janë shumë të përafërta me ato që mund të zbatojë sot një kult fetar, përderisa ideologjia e “bashkimit” dhe ideologjema e “bashkësisë” ushqejnë përzgjedhje të ngjashme. Në Kinën komuniste, për shembull, përdoreshin gjashtë shkallë në formimin e anëtarëve të Partisë: Mjedisi i kultivimit nuk duhet të përfshinte familjen dhe miqtë; lodhje e vazhdueshme; tension; pasiguri; përdorim i egër i gjuhës; seriozitet në proces–ndalohet humori.

Pavarësisht nga referenca komuniste, një përshkrim i tillë ekzistonte para dhe mbas Kinës. Si rrjedhojë, mbas vetëflijimeve të shumta këtë vit në Shqipëri, ne ftohemi të jemi më të ndjeshëm publikisht. Në qoftë se unë kam një mik a të afërm – i mitur a i rritur – i cili shkon në një bashkësi fetare, kishë a xhami, dhe vë re se ai harxhon shumë kohë në tempull, përpiqet të shmangë të dashurit, duket përherë i lodhur e i tensionuar, ndërsa beson në jetën e përtejme, është shumë i pasigurt për të nesërmen e këtushme, ndërsa është i ëmbël kur flet për fenë e tij, shpërfytyrohet kur dikush ia kritikon atë, përpiqet të mos qeshë kur dëgjon një shaka, duke u kthyer deri në qesharak me seriozitetin e shtirur, të gjitha këto, pra, a qoftë dhe gjysmat, vërtetojnë se personi në fjalë është i manipuluar. Është viktimë kulti.

Nga vëzhgimi këto vite del se reagimi publik i viktimave të kulteve, në shumicën e rasteve, nuk përpiqet të fshehë simptomat thënë nëpër manualet që do të deshte dikush të përqaste. Pra, nuk është vështirë të zbulojë dikush kultin, sesa ta pranojë atë, për vetë faktin se një nga synimet e kulteve është depersonalizimi i anëtarit, domethënë thyerja e personit, e identitetit, për të krijuar në vijim një identitet të ri, një persona sipas imazhit të grupit dhe sipas synimit të prijësit. Kështu përjetësohen në historinë njerëzore jetëshkrimet e kultit.

Në hijen e kultit

Nëse dikush thotë se unë nuk përkas në aksh religjion, e për rrjedhojë nuk jam i manipuluar, kjo nuk jep me domosdo përgjigje të sakta, sepse kulti ndodhet edhe gjetkë; mund të jetë dhe në një kishë, e cila nuk supozohet të kthehet në kult, por që kleriku atje bën jo atë që ka për doktrinë, por pikërisht ato që përkufizojmë këtu. Hija e manipulimit sillet rreth të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që përjetojnë një periudhë pasigurie a stresi, personal a grupor. Mundësitë për t’u manipuluar atje janë më të mëdha, sidomos nëse mjedisi i ri ka “përgjigjet”. Në kësi rastesh, bujtësi negociohet, qoftë dhe kur i kërkohet një pranim për t’u kontrolluar e për t’u nënshtruar, duke pohuar atë që thanë të lashtët: “Nuk ka gjë më të përhershme sesa e përkohshmja”.

Përveç arsyeve të përditshme që mund të ketë dikush, ka dhe zona të tjera që përdoren nga kultet, siç janë emocionet kulturore; gjuha, fjala vjen. Përdorimi ekskluziv i një zhargoni me rrëshqitje nga standardi, bëhet tërheqës për dikë që i është neveritur cilësia publike e shqipes së përditshme, edhe pse zhgënjimi i të mjerëve është tejet gjuhës. Aksesi në një gjuhë të tillë, prekja e përdorimi i këtyre teksteve, inicizimi e shkëmbimi i këtij fjalësi të qashtër midis anëtarëve të tjerë të grupit, krijon një kod emocionesh, të pamundur jashtë kultit. Ndjesia se kjo gjuhë e kultit është ndryshe nga gjuha e botës, e madje e kulluar, prandaj dhe e përdorur vetëm nga grupi, jep përshtypjen e pashkruar se bukuria e standardit ekziston brenda banalitetit të tij. Synimet e tjera kulturore mbi gjuhën janë dytësore, edhe pse zhurmojnë parësisht kalesën e dikujt në rajon, apo shfaqen e renditen si të parat në rrëmujën e ideve, a nëse janë shkasi kryesor për dërgimin e një ekipi të tillë diku, me këto shije e me këtë përmbajtje spirituale; në kësi rastesh kemi kryqëzim interesash, sesa përpuqje pasionesh.

Mbas qëndresës e mbijetimit brenda një kulti të tillë (kult me të dy kuptimet: bashkësi fetare dhe mjedis manipulimi), pjesë e joshjes bëhet dhe ekskluziviteti spiritual, fjalësi i grupit: “Hiri i Perëndisë e ka treguar tek ne, jo tek ata”; “Vetëm ne do ta shpëtojmë shpirtin”; “Vetëm ne kemi zgjidhjet për problemet e Shqipërisë”; “Vetëm ne jemi të njohur në gjithë botën, dhe jo religjionet e tjera”; “Vetëm ne kemi grada shkencore”, e të tjera gjepura, të rrezikshme për ata që i besojnë. Por rëndom një marrëzi e tillë përkon me një trajtim social të anëtarëve. Kultet përkujdesen për vasalët. Ka raste kur anëtarët e vjetër përkujdesen për të rinjtë, dhe me kalimin e kohës ata që janë jashtë kultit e shohin veten në një pozitë më të dobët shoqërore, ashtu siç është e vërteta në komunitetin ortodoks në Shqipëri.

Sidoqoftë, anëtarët e kultit janë dhe mbeten viktima. Denigrimi i njeriut vijon njësoj për çdo kult. Për të ndjerë denigrimin e individualitetit, investimi mund të arrijë gjer atje, saqë në raste bashkëngrënieje të serviret ajo gjellë që denigron shijen individuale të pjesëmarrësve. Kjo pastaj duhet të shpaguhet gjetkë, tashmë e sendërtuar nga ngrënësit, kundër atyre që guxojnë të shkodizojnë nga jashtë misteret e kultit. Zëri i prijësit nuk ka pse të përdoret fare, sepse vetëm nënqeshja e tij rrënqethëse gjilpëron një mimikë grupore reagimesh. Adhurimi ndaj udhëheqësit, politik a fetar, shprehet me modelet e stërnjohura: Thirrma përlavduese e pasthirrma histerike, shkrime himnore anonime “nga një grup…” në gazetën e kultit, mbledhje firmash, fletërrufe prej listash eponime kundër “armiqve” deri në shtypin shekullar, mësymje me pseudonime në Internet, etj. Ata anëtarë që ngurrojnë të përfshihen në këto aksione, akuzohen si “bukëshkalë”, duke krijuar situata të reja ndërpersonale, kategorizuese, brenda kultit.

Përshkrimet e manipulimit të mendjes në botën shqiptare e tej saj na ndihmojnë t’i përqasemi realitetit psikologjik, për të ndihmuar ata që ndodhen nën presion, nën proselitizim, nën përdhunën kulturore të një fuqie, subjektet, pra, e teknikave të kontrollit. Mbi të gjitha, debate të tilla na ndihmojnë për të ruajtur të pacënuar veten tonë, atë zonë të mendjes që këndit kërshërinë e natyrës njerëzore. Sa për format e skajshme të mendjemanipulimit, ato nuk mund të përluftohen me debate sugjerimi; kanë ekzistuar e do të vijojnë në historinë njerëzore. Sipërmarrja jonë, përmes ftillimeve mbi teknologjinë e manipulimit, përpiqet të thotë se teknikat e përdorura në kultet fetare e politike në Shqipëri nuk janë as të reja e as ekskluzive.

Duke përfunduar mund të themi përmbledhtas se “kult është një grup a një lëvizje që shfaq përkushtim të ndërkryer [të tërbuar] ndaj një personi, ideje a diçkaje, dhe që përdor teknika manipuluese jashtë etikës [të pamoralshme] për të bindur e kontrolluar, duke synuar realizimin e qëllimeve të prijësve të grupit, e duke shkaktuar kësisoj dëmtimin e anëtarëve, të familjeve të tyre, ose të komunitetit”.[1]

At Foti Cici
Tema, 24 shkurt 2005
—————————–

[1] “Cultism: A conference for scholars and policy makers”, Cultic Studies Journal, 1986/3.