Në ungjillin e sotëm, i cili është pjesë e Predikimit në Mal, ligjëruar nga Krishti mbas mësimit mbi lutjen, vlen të rendisim tri pika:

1. Ndjesë nuk do të thotë domosdoshmërisht të kërkosh falje ndaj dikujt që ke lënduar a dëmtuar, por të ndryshosh zemrën, si gjest në veprim. Për më tepër, ndjesa nuk është vetëm një veprim i jashtëm, siç ndodh shpesh në kishat tona të dielën e ndjesës, por një qëndrim i brendshëm shpirtëror, një stil jete për çdo ditë të vitit. Ndjesa është për të gjithë, për besimtarët dhe sidomos për klerikët, shumë prej të cilëve e kalojnë këtë ditë në mënyrë teatrale, me rituale e përkulje, ndërsa vazhdojnë të ushqejnë dhe përçojnë paragjykime dhe urrejtje ndaj atyre që i kritikojnë, apo që nuk iu nënshtrohen dëshirave të tyre.

2. Kreshma që po nisim, sidomos nesër dhe në vijim, nuk është virtyt, por një rrugë drejt virtytit. Kur kreshma kryhet me egoizëm, për t’u dukur e për t’u krekosur, ose nga frika e dikujt, apo sidomos nga tmerri i skëterrës, shkakton efekte anësore të rrezikshme; për veten, por sidomos për paqen në familje dhe të drejtat e të tjerëve në komunitet: Agjëruesi egoist pushtohet nga gjykimi, hipokrizia, ndrydhja, zemërimi dhe urrejtja! Shembulli më i madh i ligësisë së atij që agjëron pa hirin e Zotit, është vetë djalli, cili nuk ha e nuk pi fare!

3. Thesari i zemrës është përulësia, dashuria, mirëkuptimi dhe pranimi i tjetrit dhe sidomos i atyre që janë ndryshe, atyre që duken në sytë tanë të dobët, të mohuar dhe të rrëzuar. Sepse janë pikërisht këto virtyte që çojnë në shpëtimin e shpirtit tonë. Vetëm me këtë përqasje dhe vetëdije ia vlen të agjërosh, për të mposhtur dëshirat e trupit, për të pastruar zemrën; që të mbizotërojë në qenien tonë fryma!


* * *

Zoti tha: “Po t’ua falni njerëzve fajet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t’ju falë. Por, po të mos ua falni njerëzve fajet e tyre, as Ati juaj nuk do t’ju falë fajet tuaja. Kur të agjëroni, mos merrni një hije të brengosur, siç bëjnë hipokritët, sepse ata prishen në fytyrë për t’u dukur para njerëzve se po agjërojnë. Me të vërtetë po ju them, ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. Por ti, kur të agjërosh, lyeje kokën me vaj dhe laje fytyrën, që të mos dukesh para njerëzve që po agjëron, por para Atit tënd që nuk shihet, dhe Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë. Mos grumbulloni për vete thesare mbi dhe, ku i bren mola e ndryshku dhe ku vjedhësit hyjnë me dhunë e i vjedhin, por grumbulloni për vete thesare në qiell, ku as mola e as ndryshku nuk i brejnë, dhe ku as vjedhësit nuk hyjnë dot me dhunë për të vjedhur. Sepse aty ku ke thesarin, aty do do të jetë edhe zemra jote.” (Mateu 6: 14-21 – Versioni CHC, 2000)

* * *

E diela e sotme është një kujtesë e mërgimit të Adamit nga Parajsa, në prag të kreshmës 40-ditore që po nisim. Kisha na tregon se sa i dobishëm është agjërimi për njeriun dhe sa të dëmshme dhe shkatërrimtare janë shkeljet e urdhëresave hyjnore. Sepse porosia e parë që Perëndia i dha njeriut ishte agjërimi, të cilin njerëzit e parë nuk e ruajtën. Jo vetëm që ata nuk u hyjnuan, siç kishin ëndërruar, por humbën edhe atë jetë të bekuar që kishin, duke iu dorëzuar prishjes dhe vdekjes; e tok me ta, gjithë gjinia njerëzore.

Që të kthehemi në bukurinë dhe ngazëllimin e lashtë, le të nisim periudhën e kreshmëve me bindje ndaj urdhëresave hyjnore, duke pasur në mendje ungjillin e sotëm. Të patrembur nga armiqësia e djallit dhe e njerëzve të tij, brenda e jashtë Kishës, le të kërkojmë ndjesë këtë ditë së pari nga Zoti, dhe pastaj nga njëri-tjetri, si dhe nga gjithë krijesat.

Kreshmë të mbara!

At Foti Cici, 10 mars 2019