Kapitulli:  1  2  3  4  5  6  7  8  9  10  11  12  13  14  15  16  17  18  19  20  21  22

Kapitulli 1

1 Zbulesa e Jezus Krishtit, të cilën Perëndia ia dha për t’ua treguar shërbëtorëve të Tij ato që duhet të ndodhin së shpejti, dhe Ai e bëri të ditur duke i dërguar engjëllin shërbëtorit të Tij Gjon,

2 i cili ka dëshmuar për të gjitha ato që ka parë, domethënë për fjalën e Perëndisë dhe për dëshminë e Jezus Krishtit.

3 I bekuar është ai që i lexon dhe ata që i dëgjojnë fjalët e kësaj profecie dhe që i ruajnë ato që janë shkruar në të, sepse koha është afër.

4 Gjoni, shtatë kishave që janë në Azi: Hir dhe paqe paçi prej Atij që është, që ishte dhe që do të vijë, nga të shtatë frymët që janë përpara fronit të Tij

5 dhe nga Jezus Krishti, dëshmitari besnik, i parëlinduri nga të vdekurit dhe sunduesi i mbretërve të dheut. Atij që na do, që na çliroi nga mëkatet tona me gjakun e Vet

6 dhe që na ka bërë mbretëri e priftërinj për t’i shërbyer Perëndisë dhe Atit, Atij i qoftë lavdia dhe pushteti në jetë të jetëve. Amen.

7 Ja, Ai po vjen me retë. Çdo sy do ta shohë, madje edhe ata që e shpuan. Të gjitha fiset e dheut do të vajtojnë mbi Të. Ashtu qoftë! Amen.

8 “Unë jam Alfa dhe Omega”, thotë Zoti Perëndi: “Ai që është, që ishte dhe që do të vijë, i Gjithëfuqishmi.”

9 Unë, Gjoni, vëllai juaj dhe pjesëmarrës bashkë me ju në mundimin, mbretërinë dhe durimin që janë në Jezusin, isha në ishullin që quhej Patmos, për shkak të fjalës së Perëndisë dhe të dëshmisë së Jezusit.

10 Në ditën e Zotit, Fryma më pushtoi dhe dëgjova prapa meje një zë të lartë si zë trumbete,

11 që thoshte: “Shkruaji në një libër ato që sheh dhe dërgojua shtatë kishave: në Efes, në Smirnë, në Pergam, në Tiatirë, në Sardë, në Filadelfi dhe në Laodiki.”

12 U ktheva të shoh zërin që po më fliste. Me t’u kthyer, pashë shtatë shandanë ari

13 dhe në mes të shandanëve një si bir njeriu, të veshur me një rrobë të gjatë deri te këmbët dhe me një brez të artë ngjeshur rreth kraharorit.

14 Flokët i kishte të bardhë, si lesh i bardhë si bora, sytë i flakëronin si zjarri;

15 këmbët i kishte si bronz i shndritshëm, si të ishin derdhur në furrën e përflakur, dhe zërin si gurgullimë që del prej ujërave vërshues.

16 Në dorën e djathtë mbante shtatë yje; nga goja i dilte një shpatë e mprehtë dytehëshe, dhe fytyra i ngjante diellit që ndriçon me gjithë shkëlqimin e vet.

17 Kur e pashë, rashë në këmbët e Tij si i vdekur. Ai vuri dorën e djathtë mbi mua, duke thënë: “Mos u frikëso. Unë jam i Pari dhe i Fundit.

18 Unë jam i Gjalli. Isha i vdekur dhe ja, jam i gjallë për jetë të jetëve. Unë i mbaj çelësat e vdekjes dhe të ferrit.

19 Shkruaji pra, ato që ke parë, ato që janë dhe ato që kanë për të ndodhur më pas.

20 Misteri i shtatë yjeve që pe në të djathtën Time dhe i shtatë shandanëve prej ari është ky: shtatë yjet janë engjëjt e shtatë kishave dhe shtatë shandanët janë shtatë kishat.”

Kapitulli 2

1 “Engjëllit të kishës në Efes shkruaji: Këto thotë Ai që mban shtatë yjet në dorën e Tij të djathtë, Ai që ecën në mes të shtatë shandanëve prej ari:

2 ‘I di veprat e tua, mundin dhe ngulmimin tënd. E di që nuk mund t’i durosh të këqinjtë, që i vure në provë ata që i thonë vetes apostuj, por që nuk janë të tillë, dhe i pe se janë gënjeshtarë.

3 Me durim të madh vuajte për hir të emrit Tim dhe nuk je lodhur.

4 Por kam këtë si qortim për ty: e ke braktisur dashurinë tënde të parë.

5 Kujtohu pra, nga ke rënë. Pendohu dhe bëj veprat që ke bërë më parë. Përndryshe, po të mos pendohesh, do të vij tek ti dhe do ta heq shandanin tënd nga vendi.

6 Por këtë të mirë e ke, që urren veprat e nikolaitëve, të cilat i urrej edhe unë.

7 Ai që ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë Fryma kishave. Atij që del fitimtar, do t’i japë të drejtën të hajë nga pema e jetës, që është në Parajsën e Perëndisë.’

8 Engjëllit të kishës në Smirnë shkruaji: Këto thotë i Pari dhe i Fundit, i cili ishte i vdekur dhe u kthye në jetë :

9 ‘E di mundimin dhe varfërinë tënde (megjithëse je i pasur); e di blasfeminë që të bënë ata që e quajnë veten judenj dhe nuk janë, por janë një sinagogë e Satanit.

10 Të mos kesh fare frikë për ato që do të vuash. Ja, djalli do t’i hedhë disa prej jush në burg për t’ju vënë në provë, dhe do të kaloni mundime për dhjetë ditë. Qëndro besnik deri në vdekje dhe do të të jap kurorën e jetës.

11 Ai që ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë Fryma kishave. Ai që del fitimtar, nuk do të dëmtohet nga vdekja e dytë.’

12 Engjëllit të kishës në Pergam shkruaji: Këto thotë Ai që ka shpatën e mprehtë dytehëshe:

13 ‘E di ku banon, atje ku është froni i Satanit. Megjithatë ti mban fort emrin Tim dhe nuk e mohove besimin Tim edhe në ditët kur Antipa, dëshmitari Im besnik, u vra mes jush, atje ku banon Satani.

14 Por duhet të të qortoj për disa gjëra: atje te ti ke disa që i përmbahen mësimit të Balaamit, i cili e mësonte Balakun të joshte bijtë e Izraelit të binin në mëkat, duke ngrënë mishin që flijohej për idhujt dhe duke kryer vepra të përdala.

15 Po ashtu edhe ti ke disa që ndjekin doktrinën e nikolaitëve.

16 Pendohu pra! Përndryshe do të vij shpejt tek ti dhe do të bëj luftë kundër tyre me shpatën e gojës Sime.

17 Ai që ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë Fryma kishave. Atij që del fitimtar, do t’i jap nga mana e fshehur. Do t’i jap një gur të bardhë me një emër të ri të shkruar mbi të, që askush nuk e di përveç atij që e merr.’

18 Engjëllit të kishës në Tiatirë shkruaji: Këto thotë Biri i Perëndisë, që sytë i ka si flakë zjarri dhe këmbët si bronz i praruar:

19 ‘I di veprat e tua, dashurinë, besimin, shërbimin dhe ngulmimin tënd. E di që veprat e tua të fundit janë më të shumta se të parat.

20 Por këtë vërejtje kam për ty: e lejon Jezabelën, gruan që e quan veten profete, t’i mësojë dhe t’i mashtrojë shërbëtorët e mi, që ata të kryejnë vepra të përdala e të hanë nga mishi i flijuar për idhujt.

21 I dhashë asaj kohë të pendohet për jetën e saj të shthurur, por ajo nuk do që të pendohet.

22 Ja, atë do ta flak të dergjet në shtrat vuajtjesh dhe ata që bëjnë tradhti bashkëshortore me të, do t’i bëj të vuajnë, po të mos pendohen për veprat e saj.

23 Fëmijët e saj do t’i godas për vdekje dhe të gjitha kishat do ta marrin vesh që unë jam Ai që heton mendjet dhe zemrat dhe secilit prej jush do t’i jap sipas veprave të tij.

24 Po ju them juve, pjesës tjetër që është në Tiatirë, juve që nuk e ndiqni mësimin e saj, që nuk i keni njohur të ashtuquajturat sekrete të thella të Satanit: nuk po ju vë barrë tjetër,

25 por atë që keni, mbajeni fort derisa të vij Unë.

26 Atij që del fitimtar dhe atij që bën deri në fund vullnetin Tim do t’i jap pushtet mbi kombet –

27 ai do t’i sundojë si bariu me shkop hekuri dhe do t’i copëtojë si enë balte – me të njëjtin pushtet që kam marrë edhe unë prej Atit Tim;

28 dhe do t’i jap atij yllin e mëngjesit.

29 Ai që ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë Fryma kishave.’

Kapitulli 3

1 Engjëllit të kishës në Sardë shkruaji: Këto thotë Ai që ka shtatë frymët e Perëndisë dhe shtatë yjet: ‘I di veprat e tua; të dinë të gjallë, por je i vdekur.

2 Zgjohu dhe forcoje atë që ka mbetur dhe që është gati për të vdekur, sepse nuk i gjeta të përsosura veprat e tua përpara Perëndisë.

3 Kujto pra, atë që ke marrë dhe ke dëgjuar. Ruaje dhe pendohu, sepse po nuk u zgjove, do të vij si vjedhës dhe nuk ke për ta marrë vesh se në ç’orë do të vij te ti.

4 Megjithatë ti ke disa njerëz në Sardë që nuk i kanë ndotur rrobat e tyre. Ata do të ecin me mua të veshur në të bardha, sepse janë të denjë për këtë.

5 Kështu, ai që del fitimtar, do të vishet me rroba të bardha. Nuk do t’ia fshij emrin nga libri i jetës dhe do t’ia pohoj emrin përpara Atit Tim dhe përpara engjëjve të Tij.

6 Ai që ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë Fryma kishave.’

7 Engjëllit të kishës në Filadelfi shkruaji: Këto thotë i Shenjti, i Vërteti, Ai që mban çelësin e Davidit, Ai që çfarëdo që të hapë askush nuk mund ta mbyllë, Ai që çfarëdo që të mbyllë askush nuk mund ta hapë:

8 ‘I di veprat e tua. Ja, kam vënë para teje një derë të hapur, të cilën askush nuk mund ta mbyllë. E di që nuk ke shumë fuqi, por megjithatë e ke mbajtur fjalën Time dhe nuk e ke mohuar emrin Tim.

9 Ja, po të jap disa nga sinagoga e Satanit, që e quajnë veten judenj, megjithëse nuk janë, por gënjejnë – ata do t’i bëj të vijnë e të ulen në gjunjë para këmbëve të tua, që ta marrin vesh se Unë të kam dashur.

10 Meqë e ke mbajtur urdhërimin Tim të durimit, edhe Unë do të të ruaj nga ora e sprovës, që do të vijë mbi tërë botën për të vënë në provë ata që banojnë mbi tokë.

11 Po vij shpejt. Mbaje fort atë që ke, që askush të mos ta heqë kurorën.

12 Fitimtarin do ta bëj shtyllë në tempullin e Perëndisë Tim dhe nuk do të dalë më kurrë jashtë tempullit. Mbi të do të shkruaj emrin e Perëndisë Tim, emrin e qytetit të Perëndisë Tim, Jeruzalemin e ri, që zbret prej qielli nga Perëndia Im së bashku me emrin Tim të ri.

13 Ai që ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë Fryma kishave.’

14 Engjëllit të kishës në Laodiki shkruaji: Këto thotë Ameni, Dëshmitari besnik dhe i vërtetë, Fillimi i krijimit të Perëndisë:

15 ‘I di veprat e tua; ti nuk je as i ftohtë as i ngrohtë. Do të desha të ishe i ngrohtë ose i ftohtë.

16 Kështu, meqë je i vakët, as i ngrohtë as i ftohtë, do të të vjell nga goja Ime.

17 Sepse thua: “Jam i pasur dhe kam vënë pasuri. Për asgjë nuk kam nevojë.” Nuk e kupton se je i mjerë, për të ardhur keq, i varfër, i verbër dhe i zhveshur,

18 Po të këshilloj të blesh prej meje ar të kulluar me zjarr, që të pasurohesh, rroba të bardha, që të vishesh e të mos zbulohet lakuriqësia jote e turpshme, balsam për të lyer sytë që të shohësh.

19 Ata që i dua, unë i qortoj dhe i ndëshkoj. Prandaj ji i zellshëm dhe pendohu.

20 Ja, po qëndroj te dera dhe po trokas. Po të ma dëgjojë dikush zërin dhe të hapë derën, do të hyj në shtëpinë e tij dhe do të ha darkë me të dhe ai me Mua.

21 Ai që del fitimtar, atë do ta ul me Mua në fronin Tim, siç dola edhe Unë fitimtar dhe u ula me Atin Tim në fronin e Tij.

22 Ai që ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë Fryma kishave’.”

Kapitulli 4

1 Pas këtyre vështrova, dhe ja, një derë ishte e hapur në qiell dhe zëri i parë që dëgjova, kur më foli si trumbetë, tha: “Ngjitu këtu dhe do të të tregoj ato që duhet të ndodhin pas këtyre.”

2 Menjëherë u pushtova nga Fryma. Dhe ja, një fron qëndronte në qiell dhe Një që ishte ulur në të.

3 Ai që ishte ulur, në të parë i ngjante gurëve të çmueshëm të diasprit dhe të sardit. Fronin e rrethonte një ylber, që i ngjante në pamje smeraldit.

4 Rreth fronit ishin njëzet e katër frone të tjerë dhe mbi ta ishin ulur njëzet e katër pleq të veshur me rroba të bardha dhe mbi kokë kishin kurora prej ari.

5 Nga froni dilnin vetëtima, zëra dhe gjëmime rrufesh. Shtatë fenerë zjarri digjeshin përpara fronit, që përfaqësojnë shtatë Frymët e Perëndisë.

6 Përpara fronit ishte një si det i qelqtë, i qartë si kristali. Në mes të fronit dhe përreth tij ishin katër krijesa të gjalla të mbuluara me sy përpara dhe nga pas.

7 Krijesa e parë ishte si një luan, krijesa e dytë ishte si një viç, krijesa e tretë kishte fytyrë si të njeriut, krijesa e katërt i ngjante një shqiponje që fluturon.

8 Secila nga të katër krijesat e gjalla kishte gjashtë krahë dhe ishte e mbuluar me sy përreth dhe brenda. Nuk pushonin ditë e natë duke thënë: “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti Perëndi, I gjithëfuqishmi, Ai që ishte, që është dhe që do të vijë.”

9 Sa herë që krijesat e gjalla i japin lavdi, nder dhe e falënderojnë Atë që është ulur në fron, Atë që jeton në jetë të jetëve,

10 të njëzet e katër pleqtë bien përpara Atij që është ulur në fron, e adhurojnë Atë që jeton në jetë të jetëve dhe i hedhin kurora para fronit, duke thënë,

11 “I denjë je, Zoti dhe Perëndia ynë, që të marrësh lavdinë, nderin dhe fuqinë, sepse Ti i ke krijuar të gjitha dhe nga vullneti Yt u krijuan dhe ekzistojnë ato.”

Kapitulli 5

1 Në krahun e djathtë të Atij që ishte ulur në fron pashë një libër në trajtë rrotulle të shkruar brenda dhe jashtë, të vulosur me shtatë vula.

2 Pashë një engjëll të fuqishëm duke shpallur me zë të lartë: “Kush është i denjë të hapë librin dhe t’i zgjidhë vulat?”

3 Askush në qiell, as në tokë, as nën tokë nuk mund të hapte librin, as të shihte në të.

4 Fillova të qaja me të madhe, sepse askush nuk u gjet i denjë që të hapte librin, as që të shihte brenda tij.

5 Një nga pleqtë më tha: “Mos qaj. Ja, luani nga fisi i Judës, Rrënja e Davidit, ia doli të hapë librin dhe të zgjidhë shtatë vulat e tij.”

6 Pashë një Qengj, si të ishte i therur, duke qëndruar në mes të fronit, rrethuar nga të katër krijesat e gjalla dhe nga pleqtë. Ai kishte shtatë brirë dhe shtatë sy, që përfaqësojnë shtatë Frymët e Perëndisë, të dërguar në gjithë tokën.

7 Ai erdhi dhe mori librin nga dora e djathtë e Atij që ishte ulur në fron.

8 Kur mori librin, të katër krijesat e gjalla dhe të njëzet e katër pleqtë ranë përmbys përpara Qengjit. Secili kishte nga një harpë dhe mbanin kupa ari të mbushura me temjan, që janë lutjet e shenjtërve.

9 Kënduan një këngë të re, duke thënë: “I denjë je që të marrësh librin dhe të zgjidhësh vulat e tij, sepse Ti u there dhe me gjakun Tënd bleve për Perëndinë njerëz nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb.

10 I bëre ata mbretëri e priftërinj për Perëndinë tonë, të cilët do të mbretërojnë mbi tokë.”

11 Pastaj pashë dhe dëgjova zërin e shumë engjëjve rreth fronit, rreth krijesave të gjalla dhe rreth pleqve. Numri i tyre ishte dhjetëra e dhjetëra mijëra dhe mijëra mijërash,

12 dhe thoshin me zë të lartë: “I denjë është Qengji i therrur që të marrë fuqinë, pasurinë, mençurinë, pushtetin, nderin, lavdinë dhe bekimin.”

13 Çdo krijesë që është në qiell, mbi tokë, nën tokë dhe në det, si edhe gjithçka brenda tyre, e dëgjova duke thënë: “Atij që rri ulur në fron dhe Qengjit, i qofshin bekimi, nderi, lavdia, pushteti në jetë të jetëve.”

14 Të katër krijesat e gjalla thoshin: “Amen.” Pleqtë ranë përmbys dhe e adhuruan.

Kapitulli 6

1 E pashë Qengjin kur hapi një nga të shtatë vulat. Pastaj dëgjova një nga të katër krijesat e gjalla që tha me një zë si bubullimë: “Eja!”

2 Dhe ja, pashë një kalë të bardhë. Ai që i kishte hipur mbante një hark. Atij iu dha një kurorë dhe doli jashtë ngadhnjimtar, që të fitonte.

3 Kur zgjidhi vulën e dytë, dëgjova krijesën e dytë të thoshte: “Eja!”

4 Një tjetër kalë doli jashtë, një kalë i kuq. Atij që i kishte hipur, iu dha pushtet që të prishte paqen mbi tokë dhe t’i bënte njerëzit të vrisnin njëri-tjetrin. Atij iu dha një shpatë e madhe.

5 Kur zgjidhi vulën e tretë, dëgjova krijesën e tretë, që thoshte: “Eja!” Dhe ja, pashë një kalë të zi. Ai që i kishte hipur, mbante një peshore në dorë.

6 Dëgjova një si zë në mes të katër krijesave të gjalla që thoshte: “Një okë grurë për një denar dhe tri okë elb për një denar. Mos e ço dëm as vajin, as verën.”

7 Kur zgjidhi vulën e katërt, dëgjova zërin e krijesës së katërt, që thoshte: “Eja!”

8 Dhe ja, pashë një kalë të përhimë. Ai që i kishte hipur, e kishte emrin Vdekje dhe Ferri po e ndiqte pas. Atyre iu dha pushtet mbi një të katërtën e dheut, për të vrarë me shpatë, me zi buke e me murtajë dhe me bishat e egra të tokës.

9 Kur zgjidhi vulën e pestë, pashë nën altar shpirtrat e atyre që ishin therur për shkak të fjalës së Perëndisë dhe për shkak të dëshmisë që kishin dhënë.

10 Thirrën me zë të lartë, duke thënë: “Kur, o Zot, i shenjtë dhe i vërtetë, do t’i gjykosh ata që banojnë në tokë dhe të marrësh hak për gjakun tonë?”

11 Secilit prej tyre iu dha një rrobë e bardhë dhe iu tha të pushonin edhe për pak kohë, derisa të plotësohej edhe numri i bashkëshërbëtorëve dhe i vëllezërve të tyre që pritej të vriteshin, ashtu si edhe ata.

12 E pashë kur zgjidhi vulën e gjashtë. Ra një tërmet i madh. Dielli u nxi e u bë pus i zi dhe e tërë hëna u bë e kuqe si gjaku.

13 Yjet e qiellit ranë në tokë, ashtu si fiqtë e vonë bien nga pema e fikut, kur e shkund një erë e fortë.

14 Qielli u tërhoq si pergamena kur mbështillet dhe çdo mal e ishull u tund nga vendi.

15 Mbretërit e dheut, të mëdhenjtë, komandantët, të pasurit, njerëzit e rëndësishëm, çdo skllav e i lirë u fshehën në shpella dhe nëpër shkëmbinjtë e maleve.

16 U thanë maleve dhe shkëmbinjve: “Bini mbi ne dhe na fshihni nga fytyra e Atij që është ulur në fron dhe nga zemërimi i Qengjit,

17 sepse dita e madhe e zemërimit të tyre ka ardhur dhe kush mund të qëndrojë?”

Kapitulli 7

1 Pas kësaj pashë katër engjëj që qëndronin në katër skajet e dheut, duke i mbajtur të katër erërat e dheut, që të mos frynte erë as mbi tokë, as në det, as në ndonjë pemë.

2 Pashë një tjetër engjëll duke u ngjitur nga lindja e diellit, që kishte vulën e Perëndisë së gjallë. U thirri me zë të lartë katër engjëjve, të cilëve u ishte dhënë pushtet të bënin dëm në tokë e në det,

3 duke thënë: “Mos e dëmtoni tokën dhe detin, as pemët, derisa t’i vulosim në ballë shërbëtorët e Perëndisë sonë.”

4 Dëgjova numrin e atyre që ishin vulosur, njëqind e dyzet e katër mijë, të vulosur prej çdo fisi të bijve të Izraelit:

5 nga fisi i Judës, dymbëdhjetë mijë të vulosur, nga fisi i Rubenit dymbëdhjetë mijë, nga fisi i Gadit dymbëdhjetë mijë,

6 nga fisi i Aserit dymbëdhjetë mijë, nga fisi i Neftalimit dymbëdhjetë mijë, nga fisi i Manaseut dymbëdhjetë mijë,

7 nga fisi i Simeonit dymbëdhjetë mijë, nga fisi i Levit dymbëdhjetë mijë, nga fisi i Isakarit dymbëdhjetë mijë,

8 nga fisi i Zebulunit dymbëdhjetë mijë, nga fisi i Jozefit dymbëdhjetë mijë, nga fisi i Beniaminit dymbëdhjetë mijë.

9 Pas kësaj vështrova, dhe ja, një turmë e madhe, që askush nuk mund ta numëronte, nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët, po qëndronte përpara fronit dhe përpara Qengjit, veshur me rroba të bardha dhe me degë palmash në duar.

10 Thërrisnin me zë të lartë, duke thënë: “Shpëtimi i përket Perëndisë tonë që është ulur në fron, dhe Qengjit.”

11 Të gjithë engjëjt qëndronin rreth fronit dhe rreth pleqve e katër krijesave të gjalla. Ata ranë me fytyrë përdhe përpara fronit dhe adhuruan Perëndinë,

12 duke thënë: “Amen, bekimi, lavdia, mençuria, falënderimi, nderi, fuqia dhe forca i qofshin Perëndisë sonë për jetë të jetëve. Amen.”

13 Një nga pleqtë m’u përgjigj, duke më thënë: “Këta që janë veshur me rroba të bardha, kush janë dhe nga kanë ardhur?”

14 I thashë: “Im zot, ti e di.” Ai më tha: “Këta janë ata që kanë dalë nga mundimi i madh, i lanë rrobat e veta dhe i bënë të bardha me gjakun e Qengjit.

15 Për këtë arsye ata janë përpara fronit të Perëndisë dhe i shërbejnë Atij ditë e natë në tempullin e Tij. Ai që është ulur në fron, do ta ngrejë tendën e Vet mbi ta.

16 Ata nuk do të kenë më uri, as etje. Dielli nuk do të godasë mbi ta, as ndonjë vapë përvëluese,

17 sepse Qengji në mes të fronit do të jetë bariu i tyre dhe do t’i çojë te burimet e ujërave të jetës. Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre.”

Kapitulli 8

1 Kur zgjidhi vulën e shtatë, në qiell pllakosi heshtje për rreth një gjysmë ore.

2 Pashë të shtatë engjëjt që qëndronin përpara Perëndisë, të cilëve u dhanë shtatë trumbeta.

3 Një engjëll tjetër, që mbante një temjanicë ari, shkoi e qëndroi tek altari. Atij i kishin dhënë shumë temjan, që do t’ua shtonte lutjeve të të gjithë shenjtërve mbi altarin prej ari që ishte përpara fronit.

4 Tymi i temjanit, me lutjet e shenjtërve, u ngrit nga dora e engjëllit përpara Perëndisë.

5 Engjëlli e mori temjanicën, e mbushi me zjarr nga altari dhe e flaku në tokë. Pas kësaj erdhën bubullima, potere, vetëtima dhe një tërmet.

6 Të shtatë engjëjt që kishin të shtatë trumbetat, u bënë gati t’u binin trumbetave.

7 Sapo i pari i ra trumbetës, filloi të bjerë breshër e zjarr i përzier me gjak, që u hodh mbi tokë. Një e treta e dheut u dogj fare, një e treta e pemëve u dogjën krejt dhe i gjithë bari i gjelbër u bë shkrumb.

8 Engjëlli i dytë i ra trumbetës dhe një si mal i madh, i gjithi në flakë zjarri, u hodh në det. Një e treta e detit u bë gjak;

9 një e treta e krijesave të gjalla në det ngordhën; një e treta e anijeve u shkatërruan.

10 Engjëlli i tretë i ra trumbetës dhe një yll i madh që digjej si pishtar ra nga qielli. Ra mbi një të tretën e lumenjve dhe në burimet e ujërave.

11 Emri i yllit është Pelin; një e treta e ujërave u bë e hidhur dhe shumë njerëz vdiqën nga ujërat, që u bënë të hidhura.

12 Engjëlli i katërt i ra trumbetës dhe u godit një e treta e diellit, një e treta e hënës dhe një e treta e yjeve, kështu që një e treta e tyre u errësua, një e treta e ditës nuk kishte dritë, po ashtu edhe një e treta e natës.

13 Pashë dhe dëgjova një shqiponjë që fluturonte në mes të qiellit, duke thirrur me zë të lartë: “Mjerë, mjerë, mjerë ata që banojnë mbi tokë, ku do të jehojnë buçimat e tjera të trumbetave që kanë për t’u rënë tre engjëjt.”

Kapitulli 9

1 Engjëlli i pestë i ra trumbetës dhe pashë një yll që kishte rënë nga qielli në tokë. Atij iu dha çelësi i pusit të humnerës.

2 E hapi pusin e humnerës dhe prej pusit doli tym, si tymi i një furre të madhe. Dielli dhe ajri u errësuan nga tymi i pusit.

3 Prej tymit dolën mbi tokë karkaleca dhe atyre iu dha pushtet, siç kanë pushtet akrepat e tokës.

4 U thanë që të mos e dëmtojnë barin e tokës, as ndonjë bimë të njomë, as pemët, por vetëm njerëzit që nuk kanë në ballë vulën e Perëndisë.

5 Atyre nuk iu dha pushtet që t’i vrisnin, por vetëm t’i torturonin për pesë muaj; agonia e tyre ishte si ajo e akrepit kur kafshon njeriun.

6 Në ato ditë njerëzit do ta kërkojnë vdekjen, por nuk do ta gjejnë; do të duan të vdesin, por vdekja do të largohet prej tyre.

7 Pamja e karkalecave u ngjasonte kuajve të përgatitur për betejë. Mbi krye kishin kurora si të ishin prej ari dhe fytyrat i kishin si fytyra njerëzish.

8 Flokët i kishin si të grave dhe dhëmbët si të luanëve.

9 Kishin parzmore si parzmore hekuri. Ushtima e krahëve të tyre i ngjante ushtimës së qerreve me shumë kuaj, që turren drejt betejës.

10 Kishin bisht si akrepat, si edhe thumba. Në bisht e kishin fuqinë për të dëmtuar njerëzit për pesë muaj.

11 Për mbret kishin engjëllin e humnerës, emri i të cilit në hebraishte është Abadon dhe në greqishte është Apolion.

12 Vajmedeti i parë kaloi. Ja, akoma edhe dy vajmedete po vijnë pas këtyre.

13 Engjëlli i gjashtë i ra trumbetës dhe dëgjova një zë që vinte nga katër brirët e altarit prej ari, që është përpara Perëndisë,

14 duke i thënë engjëllit të gjashtë që kishte trumbetën: “Zgjidhi të katër engjëjt që janë të lidhur në lumin e madh Eufrat.”

15 Të katër engjëjt, që ishin të përgatitur për orën, ditën, muajin dhe vitin, u zgjidhën, që të vrisnin një të tretën e njerëzve.

16 Numri i trupave të kalorësisë ishte dyqind milionë; këtë numër dëgjova.

17 Kuajt dhe kalorësit që pashë në vegim, dukeshin kështu: kishin parzmore në ngjyrën e zjarrit, të hiacintit dhe të squfurit. Kokat e kuajve ishin si koka luanësh dhe nga goja u dilte zjarr, tym dhe squfur.

18 Prej këtyre tri murtajave, prej zjarrit, tymit dhe squfurit, u vranë një e treta e njerëzve.

19 Kuajt e kishin fuqinë në gojë dhe në bisht, sepse bishtat e tyre u ngjajnë gjarpërinjve, kanë koka, me të cilat e bëjnë dëmin.

20 Pjesa tjetër e njerëzve, që nuk u vranë nga këto murtaja, nuk u penduan për veprat e duarve të veta; ata nuk pushuan së adhuruari demonë dhe idhuj prej ari, prej argjendi, prej tunxhi dhe prej druri, idhuj që nuk mund të shohin, as të dëgjojnë, as të ecin.

21 Nuk u penduan për vrasjet, as për magjitë, as për imoralitetin e tyre, as për vjedhjet që kanë bërë.

Kapitulli 10

1 Pashë një tjetër engjëll të fuqishëm që zbriste nga qielli, të mbështjellë nga një re; mbi kokën e tij ishte një ylber, fytyrën e kishte si të diellit dhe këmbët si shtylla zjarri.

2 Në dorë kishte një libër të vogël të hapur. Këmbën e djathtë e vuri në det dhe të majtën në tokë

3 dhe thirri me zë të lartë, siç ulërin luani. Kur thirri, të shtatë bubullimat gjëmuan me ushtimat e tyre.

4 Kur të shtatë bubullimat gjëmuan, isha gati për të shkruar. Por dëgjova një zë që po fliste nga qielli: “Vulosi ato që të thanë të shtatë bubullimat dhe mos i shkruaj.”

5 Engjëlli që pashë duke qëndruar në det dhe në tokë, ngriti dorën e djathtë drejt qiellit

6 dhe u betua për Atë që jeton në jetë të jetëve, i cili krijoi qiellin dhe ato që janë në të, tokën dhe gjërat në të, detin e gjithçka brenda tij, dhe tha: “Nuk do të ketë më vonesë,

7 por në ditët kur engjëlli i shtatë do të jetë gati për t’i rënë trumbetës, atëherë përfundon misteri i Perëndisë, siç ua njoftoi shërbëtorëve të Tij, profetëve.

8 Zëri që dëgjova nga qielli, më foli përsëri dhe më tha: “Shko e merr librin e hapur në dorën e engjëllit, i cili po qëndron në det dhe në tokë.”

9 Shkova tek engjëlli dhe i thashë të më jepte librin. Ai m’u përgjigj: “Merre dhe haje. Do ta thartojë stomakun, por në gojë do të jetë mjaltë i ëmbël.”

10 Mora librin e vogël nga dora e engjëllit dhe e hëngra. Në gojë ishte mjaltë i ëmbël, por pasi e kisha ngrënë, stomaku m’u thartua.

11 Më thanë: “Duhet të profetizosh përsëri për shumë popuj, kombe, gjuhë dhe mbretër.”

Kapitulli 11

1 Pastaj m’u dha një kallam që i ngjante një shkopi matës, duke më thënë: “Ngrihu e mat tempullin e Perëndisë e altarin dhe numëroji ata që adhurojnë në të.

2 Por oborrin që është jashtë tempullit mos e mat, sepse është lënë në dorë të kombeve, të cilët do ta shkelin me këmbë qytetin e shenjtë për dyzet e dy muaj.

3 Do t’u jap pushtet dy dëshmitarëve të mi dhe ata do të profetizojnë për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë, të veshur me thasë.”

4 Këta janë dy ullinjtë dhe dy shandanët që qëndrojnë përpara Zotit të dheut.

5 Po të dojë njeri t’i dëmtojë, prej gojës së tyre del zjarr dhe i përpin armiqtë e tyre. Kështu duhet të vritet kushdo që kërkon t’i dëmtojë.

6 Këta kanë pushtet të mbyllin qiellin, që të mos bjerë shi në ditët e profecisë së tyre; ata kanë pushet t’i kthejnë ujërat në gjak dhe të godasin tokën me çdo lloj murtaje, sa herë që të duan.

7 Kur të kenë mbaruar dëshminë e tyre, bisha që ngrihet nga humnera do të përleshet me ta, do t’i mundë dhe do t’i vrasë.

8 Kufomat e tyre do të dergjen në rrugën e qytetit të madh, që në mënyrë të figurshme quhet Sodomë dhe Egjipt, ku u kryqëzua edhe Zoti i tyre.

9 Njerëz nga të gjithë popujt, fiset, gjuhët dhe kombet do t’i shohin kufomat e tyre për tri ditë e gjysmë dhe nuk do të lejojnë që kufomat e tyre të futen në varr.

10 Ata që banojnë në tokë, do të gëzohen për ta dhe do të bëjnë festë; do t’i dërgojnë dhurata njëri-tjetrit, sepse këta dy profetë torturuan ata që banojnë në tokë.

11 Pas tri ditësh e gjysmë tek ata hyri fryma e jetës nga Perëndia dhe ata qëndruan në këmbë. Një frikë e madhe i pushtoi ata që i shikonin.

12 Dëgjuan një zë të lartë nga qielli, që u thoshte: “Ngjituni këtu.” Ata u ngjitën në qiell në një re dhe armiqtë e tyre i panë.

13 Në atë orë ra një tërmet i madh dhe një e dhjeta e qytetit u shemb; shtatë mijë njerëz mbetën të vrarë nga tërmeti. Pjesa tjetër u tmerrua dhe i dha lavdi Perëndisë së qiellit.

14 Vajmediti i dytë shkoi. Ja, vajmedeti i tretë po vjen shpejt.

15 Engjëlli i shtatë i ra trumbetës; zëra të fortë u dëgjuan në qiell, që thoshin: “Mbretëria e botës është bërë mbretëri e Zotit tonë dhe e Krishtit të Tij dhe Ai do të mbretërojë në jetë të jetëve.”

16 Të njëzet e katër pleqtë, që ishin ulur në fronet e tyre përpara Perëndisë, ranë me fytyrë përdhe dhe adhuruan Perëndinë,

17 duke thënë: “Të falënderojmë Ty, o Zot Perëndi, i Gjithëfuqishmi, që je dhe që ishe, sepse Ti e more fuqinë Tënde të madhe dhe ke filluar të mbretërosh.

18 Kombet u zemëruan dhe zemërimi Yt erdhi. Ka ardhur koha për gjykimin e të vdekurve dhe për t’u dhënë shpërblimin shërbëtorëve të Tu, profetëve, shenjtërve dhe atyre që kanë frikë emrin Tënd, të vegjël e të mëdhenj, dhe për të shkatërruar ata që shkatërrojnë tokën.”

19 U hap tempulli i Perëndisë në qiell dhe brenda tempullit u shfaq arka e besëlidhjes së Tij. Dhe erdhën vetëtima, buçima, bubullima, tërmet dhe një stuhi e madhe breshri.

Kapitulli 12

1 Në qiell u shfaq një shenjë e madhe: një grua e veshur me diellin, me hënën nën këmbët e saj dhe me një kurorë prej dymbëdhjetë yjesh në kokë.

2 Ajo ishte shtatzënë dhe bërtiste nga dhimbjet dhe mundimet e lindjes.

3 Një shenjë tjetër u shfaq në qiell: një dragua i madh i kuq me shtatë koka dhe dhjetë brirë dhe mbi kokat kishte shtatë kurora mbretërore.

4 Bishti i tij fshiu një të tretën e yjeve nga qielli dhe i flaku në tokë. Dragoi qëndroi përballë gruas që ishte gati për të lindur, që, kur ajo të lindte, t’ia gllabëronte fëmijën.

5 Ajo lindi djalë, fëmijë mashkull, i cili do të sundojë mbi gjithë kombet me shkop të hekurt. Fëmija iu rrëmbye për te Perëndia dhe te froni i Tij.

6 Gruaja iku në shkretëtirë në një vend të përgatitur për të nga Perëndia, ku ajo mund të ushqehej për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.

7 Në qiell shpërtheu lufta. Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit. Edhe dragoi luftoi bashkë me engjëjt e vet,

8 por nuk ishte edhe aq i fortë, dhe për ta nuk u gjet asnjë vend në qiell.

9 Dragoi i madh, gjarpri i lashtë i quajtur djall dhe Satan, që mashtroi tërë botën, u hodh poshtë. Ai u flak përtokë dhe bashkë me të edhe engjëjt e tij.

10 Dëgjova një zë të lartë në qiell, që thoshte: “Tani ka ardhur shpëtimi, fuqia, mbretëria e Perëndisë sonë dhe pushteti i Krishtit të Tij, sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë, ai që i padit ata ditë e natë përpara Perëndisë sonë.

11 Ata e mposhtën atë me gjakun e Qengjit dhe me fjalën e dëshmisë së tyre dhe nuk e deshën jetën e tyre deri në vdekje.

12 Për këtë arsye, gëzohuni, o qiej dhe ju që banoni në ta. Mjerë toka dhe deti, sepse djalli ka zbritur te ju me zemërim të madh, sepse e di se koha që i ka mbetur, është e shkurtër.”

13 Kur dragoi e pa që ishte flakur përtokë, e përndoqi gruan që lindi fëmijën mashkull.

14 Gruas iu dhanë të dy krahët e shqiponjës së madhe, që të fluturonte në vendin e përgatitur për të në shkretëtirë, atje ku ushqehet për njëfarë kohë, disa kohë dhe gjysmë kohe, larg pranisë së gjarprit.

15 Gjarpri lëshoi nga goja ujë si lumë, që gruan ta rrëmbente vërshimi i lumit.

16 Toka i erdhi në ndihmë gruas duke hapur gojën dhe duke përpirë lumin që lëshoi dragoi nga goja e vet.

17 Dragoi u zemërua me gruan dhe u largua që të bënte luftë me pjesën tjetër të pjellës së saj, me ata që i mbanin urdhërimet e Perëndisë dhe që kanë dëshminë e Jezusit.

Kapitulli 13

1 Dhe dragoi qëndroi në ranishtën e detit. Pashë një bishë duke dalë nga deti, që kishte dhjetë brirë dhe shtatë koka; mbi brirët kishte dhjetë kurora mbretërore dhe mbi kokat kishte emra blasfemie.

2 Bisha që pashë, i ngjante leopardit; këmbët i kishte si të ariut dhe gojën si të luanit. Dragoi i dha bishës fuqinë e vet, fronin e vet dhe pushtet të madh.

3 Pashë një nga kokat e saj të plagosur për vdekje, por plaga e saj vdekjeprurëse u shërua. E tërë toka u mrekullua dhe shkoi pas bishës.

4 Njerëzit e adhuruan dragoin, sepse ia kishte dhënë pushtetin bishës, dhe adhuruan bishën, duke thënë: “Kush është si bisha? Kush mund të luftojë kundër saj?

5 Bishës iu dha gojë të fliste fjalë të mëdha e blasfemi dhe iu dha pushtet për të vepruar për dyzet e dy muaj.

6 Bisha e hapi gojën duke blasfemuar kundër Perëndisë, duke sharë emrin e Tij, tabernakullin e Tij, domethënë ata që banojnë në qiell.

7 Asaj iu dha fuqi që të bënte luftë me shenjtërit dhe t’i mundte ata; asaj iu dha pushtet mbi çdo fis, popull, gjuhë dhe komb.

8 Bishën do ta adhurojnë të gjithë ata që banojnë mbi tokë, emri i të cilëve nuk është shkruar që nga themelimi i botës në librin e jetës së Qengjit që është therur.

9 Nëse dikush ka veshë, le të dëgjojë.

10 Nëse dikush është caktuar për robëri, në robëri do të shkojë; nëse dikush vret me shpatë, me shpatë ka për t’u vrarë. Këtu qëndron durimi dhe besimi i shenjtërve.

11 Pastaj pashë një bishë tjetër duke dalë nga toka; ajo kishte dy brirë si të qengjit por fliste si dragua.

12 Ajo ushtronte të gjithë pushtetin e bishës së parë në prani të saj dhe e bënte tokën dhe ata që banojnë në të ta adhuronin bishën e parë, së cilës i ishte shëruar plaga vdekjeprurëse.

13 Bëri shenja të mëdha, madje bëri që edhe zjarr të zbresë nga qielli në tokë përpara njerëzve.

14 Për shkak të këtyre shenjave, që i lejohej t’i kryente përpara bishës, i mashtroi banorët e dheut, duke u thënë t’i ngrinin një statujë bishës që ishte plagosur nga shpata, por që tani ishte kthyer në jetë.

15 Asaj iu dha fuqi që t’i jepte jetë statujës së bishës së parë, që kjo të fliste dhe t’i bënte të vriteshin të gjithë ata që nuk pranonin ta adhuronin statujën e bishës.

16 Ajo i detyroi të gjithë, të vegjël e të mëdhenj, të pasur e të varfër, të lirë dhe skllevër, të merrnin një damkë në dorën e djathtë, ose në ballë,

17 që të mos kishte njeri në gjendje të blinte ose të shiste, veç atij që kishte damkën, emrin e bishës ose numrin e emrit të saj.

18 Këtu qëndron mençuria. Ai që ka mend, le ta llogarisë numrin e bishës, sepse është numër njeriu; ky numër është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë.

Kapitulli 14

1 Pastaj vështrova, dhe ja, Qengji po qëndronte në malin Sion dhe me Të ishin njëqind e dyzet e katër mijë, që kishin emrin e Tij dhe emrin e Atit të Tij të shkruar në ballë.

2 Dëgjova një zë nga qielli, si uturima e ujrave vërshues dhe si gjëmim i fortë bubullues. Zëri që dëgjova, i ngjante tingullit të harpistëve që u bien harpave.

3 Këndonin një këngë të re përpara fronit, përpara katër krijesave të gjalla dhe pleqve; askush nuk mund ta mësonte këngën veç njëqind e dyzet e katër mijëve që ishin blerë nga toka.

4 Këta janë ata që nuk kanë ndotur veten me gra, sepse janë të virgjër. Këta janë ata që i shkojnë pas Qengjit kudo që shkon. Këta janë blerë midis njerëzve si fryt i parë për Perëndinë dhe për Qengjin.

5 Në gojën e tyre nuk u gjet asnjë gënjeshtër; ata janë pa të meta.

6 Pashë një engjëll tjetër duke fluturuar në mes të qiellit, që kishte një ungjill të përjetshëm për t’ua predikuar atyre që jetojnë në tokë, çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli.

7 Ai tha me zë të lartë: “Kijeni frikë Perëndinë dhe jepini lavdi, sepse ora e gjykimit të Tij ka ardhur. Adhurojeni Atë që bëri qiellin, tokën, detin dhe burimet e ujërave.”

8 Një engjëll tjetër i dytë erdhi pas, duke thënë: “Ra, ra Babilonia e madhe, ajo që i bëri të gjitha kombet të pinë verën e tërbimit të imoralitetit të saj.”

9 Një engjëll tjetër i tretë erdhi pas tyre, duke thënë me zë të lartë: “Nëse dikush adhuron bishën dhe statujën e saj dhe merr një damkë në ballë ose në dorë,

10 edhe ai do të pijë nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është derdhur e papërzier në kupën e zemërimit të Tij dhe do të torturohet me zjarr dhe squfur përpara engjëjve të shenjtë dhe përpara Qengjit.

11 Tymi i torturimit të tyre ngjitet në jetë të jetëve. Ata, që adhurojnë bishën dhe statujën e saj dhe kushdo që merr damkën e emrit të saj, nuk do të kenë prehje as ditë as natë.”

12 Këtu qëndron durimi i shenjtërve që u binden urdhërimeve të Perëndisë dhe i qëndrojnë besnik Jezusit.

13 Dëgjova një zë nga qielli, që thoshte: “Shkruaj: ‘Lum të vdekurit që vdesin tani e tutje në Zotin!’” “Po”, thotë Fryma: “ata do të pushojnë nga mundimi i tyre, sepse veprat e tyre do t’u shkojnë pas.”

14 Vështrova, dhe ja, para meje ishte një re e bardhë dhe mbi të ishte ulur një si bir njeriu, që kishte në kokë një kurorë prej ari dhe në dorë një drapër të mprehtë.

15 Një tjetër engjëll doli nga tempulli, duke i bërtitur me zë të lartë Atij që ishte ulur mbi renë: “Merr draprin dhe korr, sepse erdhi ora për të korrur. Të korrat e tokës janë pjekur.”

16 Ai që ishte ulur mbi renë hodhi draprin e Vet mbi tokë dhe toka u korr.

17 Një tjetër engjëll doli nga tempulli që është në qiell. Edhe ai kishte një drapër të mprehtë.

18 Një engjëll tjetër, ai që ka pushtet mbi zjarrin, doli nga altari dhe i thirri me zë të lartë atij që kishte draprin e mprehtë: “Merr draprin tënd të mprehtë dhe vil bistakët e vreshtit të tokës, sepse rrushtë janë pjekur.”

19 Engjëlli hodhi draprin e vet në tokë, voli vreshtin e tokës dhe i hodhi rrushtë në vençën e madhe të zemërimit të Perëndisë.

20 Vença u shkel me këmbë jashtë qytetit dhe prej saj doli gjak që arrinte deri te frerët e kuajve, në një largësi prej një mijë e gjashtëqind stadesh.

Kapitulli 15

1 Pashë në qiell një shenjë tjetër, të madhe dhe të mrekullueshme: shtatë engjëj që kishin shtatë murtajat e fundit. Ishin të fundit, sepse me to u plotësua zemërimi i Perëndisë.

2 Dhe pashë një si det të qelqtë të përzier me zjarr dhe ata që dolën fitimtarë mbi bishën, mbi statujën e saj dhe mbi numrin e emrit të saj. Ata qëndronin mbi detin e qelqtë, duke mbajtur harpat e Perëndisë.

3 Këndonin këngën e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë, dhe këngën e Qengjit, duke thënë: “Të mëdha dhe të mrekullueshme janë veprat e Tua, o Zot, o Perëndi i Gjithëfuqishëm. Të drejta dhe të vërteta janë rrugët e Tua, o Mbret i kombeve.

4 Kush nuk do të të ketë frikë Ty, o Zot, dhe nuk do t’i japë lavdi emrit Tënd? Sepse vetëm Ti je i shenjtë. Sepse të gjitha kombet do të vijnë e do të adhurojnë përpara Teje, sepse veprat e Tua të drejta janë zbuluar.”

5 Pas këtyre vështrova, dhe në qiell u hap tempulli, domethënë tabernakulli i dëshmisë.

6 Shtatë engjëjt që kishin shtatë murtajat dolën nga tempulli, të veshur me të linjta të pastra e të ndritshme dhe me breza ari ngjeshur rreth kraharorit.

7 Një nga katër krijesat u dha të shtatë engjëjve shtatë kupa ari mbushur me zemërimin e Perëndisë, që jeton në jetë të jetëve.

8 Tempulli u mbush me tym nga lavdia e Perëndisë dhe nga fuqia e Tij. Askush nuk mund të hynte në tempull, derisa të plotësoheshin të shtatë murtajat e shtatë engjëjve.

Kapitulli 16

1 Dëgjova një zë të lartë nga tempulli, që u thoshte të shtatë engjëjve: “Shkoni dhe derdhini mbi tokë të shtatë kupat e zemërimit të Perëndisë.”

2 Engjëlli i parë u largua dhe e derdhi kupën e vet mbi tokë; një plagë e ligë dhe e dhimbshme iu bë njerëzve që kishin damkën e bishës dhe atyre që adhuronin statujën e saj.

3 I dyti e derdhi kupën e vet në det dhe u kthye në gjak si i gjaku i një të vdekuri. Çdo gjë e gjallë në det ngordhi.

4 I treti e zbrasi kupën e vet në lumenjtë dhe në burimet e ujërave, të cilët u kthyen në gjak.

5 Dëgjova engjëllin e ujërave të thotë: “I drejtë je Ti, që je dhe që ishe, o i Shenjtë, sepse kështu ke gjykuar.

6 Ata derdhën gjakun e shenjtërve dhe të profetëve dhe Ti u dhe të pinë gjak, siç e meritojnë.”

7 Dëgjova altarin që thoshte: “Po, o Zot Perëndi i Gjithëfuqishëm, të vërteta dhe të drejta janë gjykimet e Tua.”

8 I katërti e derdhi kupën e vet mbi diell, të cilit iu dha fuqi t’i përcëllonte njerëzit me zjarr.

9 Njerëzit u përcëlluan nga nxehtësia e madhe dhe blasfemuan emrin e Perëndisë, që ka pushtet mbi këto murtaja; ata nuk u penduan që t’i jepnin Atij lavdi.

10 I pesti e derdhi kupën e vet mbi fronin e bishës dhe mbretëria e saj u errësua. Njerëzit kafshonin gjuhën nga dhimbja.

11 Ata blasfemuan Perëndinë e qiellit për dhimbjet që kishin e për plagët dhe nuk u penduan për ato që kishin bërë.

12 I gjashti e derdhi kupën e vet në lumin e madh Eufrat, uji i të cilit u tha, që të përgatiste udhën e mbretërve nga lindja.

13 Pashë tri frymë të papastra si bretkosa, që dilnin nga goja e dragoit, nga goja e bishës dhe nga goja e profetit të rremë.

14 Ato janë frymë demonësh, që bëjnë shenja dhe shkojnë te mbretërit e tërë botës, që t’i mbledhin për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Gjithëfuqishëm.

15 “Ja, po vij si vjedhës. Lum ai që rri zgjuar dhe i mban rrobat veshur, që të mos ecë lakuriq dhe të shihet për turp.”

16 U mblodhën në vendin që në hebraishte quhet Armagedon.

17 I shtati e derdhi kupën e vet në ajër dhe një zë i lartë doli nga tempulli prej fronit, duke thënë: “U bë!”

18 Pasuan vetëtima, gjëmime dhe bubullima. Ra një tërmet kaq i madh, sa i atillë nuk kishte ndodhur që kur ka qenë njeriu mbi tokë.

19 Qyteti i madh u shqye në tri pjesë dhe qytetet e kombeve u shembën. Perëndisë iu kujtua Babilonia e madhe dhe i dha asaj kupën e mbushur me verën e zemërimit të Vet të zjarrtë.

20 Të gjithë ishujt u zhdukën dhe malet u bënë firë.

21 Kokrra të mëdha breshëri sa një një talent u ranë njerëzve mbi kokë nga qielli. Njerëzit blasfemuan Perëndinë prej plagëve, sepse kaq të tmerrshme ishin plagët që shkaktonte breshëri.

Kapitulli 17

1 Një nga të shtatë engjëjt që kishin të shtatë kupat erdhi dhe më tha: “Eja, do të të tregoj gjykimin e gruas së përdalë famëkeqe që është ulur mbi shumë ujra.

2 Me të kurvëruan mbretërit e dheut dhe ata që banojnë në tokë u dehën prej verës së imoralitetit të saj.”

3 Pastaj më çoi në Frymë në një vend të shkretë dhe aty pashë një grua të ulur mbi një bishë të kuqe të ndezur, plot me emra blasfemues, që kishte shtatë koka dhe dhjetë brirë.

4 Gruaja kishte veshje të purpurt e të kuqe të ndezur, të zbukuruar me ar, me gurë të çmuar dhe me margaritarë. Në dorë mbante një kupë ari plot me neveri dhe ndyrësi të imoralitetit të saj.

5 Në ballë kishte të shkruar një emër, një mister: “BABILONIA E MADHE, NËNA E TË PËRDALAVE DHE E NEVERIVE TË DHEUT.”

6 Pashë që gruaja ishte dehur me gjakun e shenjtërve dhe me gjakun e dëshmitarëve të Jezusit. Kur e pashë, u habita pa masë.

7 Engjëlli më tha: “Pse habitesh? Unë do të ta tregoj misterin e gruas dhe të bishës që e mban, që ka shtatë koka dhe dhjetë brirë.

8 Bisha që pe, ishte dikur dhe tani nuk është. Ajo do të ngrihet nga humnera dhe do të shkojë drejt shkatërrimit të saj. Ata që banojnë në tokë, emri i të cilëve nuk është shkruar në librin e jetës që nga themelimi i botës, do të habiten kur të shohin bishën, që dikur ishte, tani nuk është dhe megjithatë do të vijë.

9 Kjo kërkon mendje me mençuri. Të shtatë kokat janë shtatë male, mbi të cilat rri ulur gruaja.

10 Ata janë shtatë mbretër: pesë kanë rënë, njëri është dhe tjetri nuk ka ardhur ende. Kur të vijë, ai duhet të qëndrojë për njëfarë kohë.

11 Bisha që ishte dikur, por që tani nuk është, është i teti dhe është një nga të shtatët, që shkon drejt shkatërrimit.

12 Të dhjetë brirët që pe, janë dhjetë mbretër, të cilët ende nuk kanë marrë mbretëri, por do të marrin pushtet si mbretër vetëm për një orë bashkë me bishën.

13 Këta kanë një qëllim të vetëm: t’ia japin fuqinë dhe pushtetin e tyre bishës.

14 Këta do të bëjnë luftë kundër Qengjit dhe Qengji do t’i mundë, sepse është Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve dhe ata që janë me Të, janë të thirrurit, të zgjedhurit e besnikët.”

15 Pastaj engjëlli më tha: “Ujërat që pe, aty ku rri ulur gruaja e përdalë, janë popujt, turmat, kombet dhe gjuhët.

16 Bisha dhe ata të dhjetë brirët që pe, do ta urrejnë gruan e përdalë. Do ta shkretojnë e do ta lënë lakuriq. Do t’i hanë mishin dhe do ta bëjnë shkrumb e hi me zjarr.

17 Sepse Perëndia ua ka shtënë në zemër të përmbushin qëllimin e Tij, duke rënë në një mendje që t’i japin bishës mbretërinë e tyre, derisa të përmbushen fjalët e Perëndisë.

18 Gruaja që pe, është qyteti i madh që mbretëron mbi mbretërit e dheut.”

Kapitulli 18

1 Pas këtyre gjërave pashë një engjëll tjetër duke zbritur nga qielli. Ai kishte pushtet të madh, dhe toka u ndriçua nga lavdia e tij.

2 Ai thirri me zë të lartë, duke thënë: “Ra, ra Babilonia e madhe! Është bërë një banesë demonësh, strofkë për çdo frymë të papastër, strofkë për çdo shpend të ndotur, dhe strofkë për çdo bishë të fëlliqur dhe të neveritshme.

3 Sepse të gjitha kombet kanë pirë nga vera e dufit të kurvërisë së saj; mbretërit e dheut kanë kurvëruar bashkë me të; tregtarët e dheut janë pasuruar nga luksi i saj i tepërt.”

4 Dëgjova një zë tjetër nga qielli, që thoshte: “Dil prej saj, o populli im, që të mos bëhesh pjesëtar në mëkatet e saj dhe të mos marrësh ndonjë prej murtajave të saj,

5 sepse mëkatet e saj janë bërë pirg deri në qiell dhe Perëndia i kujton paudhësitë e saj.

6 Kthejani asaj ashtu siç ju shpërbleu ajo dhe paguajani dyfish për ato që ka bërë. Përgatisni dyfish për të nga kupa që ajo ka përzier për ju.

7 Gjithë sa ka shpenzuar për lavdinë dhe jetën e saj të shthurur, kthejani me po aq mundim dhe pikëllim, sepse në zemrën e vet thotë: ‘Ulem si mbretëreshë; nuk jam vejushë dhe nuk do të mbaj kurrë zi.’

8 Prandaj brenda një dite mbi të do të bien murtaja të tilla si: vdekje, vajtim dhe zi buke. Ajo do të bëhet shkrumb në zjarr, sepse i fuqishëm është Zoti Perëndi që e gjykon atë.

9 Mbretërit e dheut, që kanë kurvëruar dhe kanë bërë jetë të shthurur me të, do ta qajnë dhe do ta vajtojnë kur të shohin tymin e zjarrit ku digjet ajo.

10 Të tmerruar nga mundimet e saj, ata do të qëndrojnë larg, duke thënë: ‘Mjerë, mjerë o qytet i madh i Babilonisë, o qytet i fuqishëm! Brenda një ore të erdhi gjykimi.’

11 Tregtarët e dheut qajnë dhe mbajnë zi për të, sepse askush nuk ua blen më mallin,

12 sende prej ari e argjendi, gurë të çmuar, margaritarë, pëlhura të linjta, purpur, mëndafsh i kuq flakë dhe çdo lloj druri i shtrenjtë, çdo lloj ene prej fildishi e druri të çmuar, bronz, hekur e mermer,

13 kanellë, parfum, temjan, mirrë, livando, verë, vaj ulliri, miell i imët, grurë, gjedh e dhen, kuaj e qerre, skllevër dhe shpirtra njerëzish.

14 Fryti që ta donte shpirti, të ka ikur, dhe të gjitha gjërat e kamura e të ndritshme të humbën, për të mos i gjetur më kurrë.

15 Tregtarët, që u pasuruan prej saj me këto, do të qëndrojnë larg të tmerruar prej mundimit të saj, duke qarë e duke mbajtur zi.

16 Do të thonë: ‘Mjerë, mjerë qyteti i madh, ai që u vesh me të linjta, të purpurta e të kuqe të ndezur, që u stolis me ar, me gurë të çmuar dhe me margaritarë.

17 Brenda një ore u shkretua gjithë kjo pasuri! Çdo kapiten anijeje, çdo udhëtar, çdo detar dhe të gjithë ata që sigurojnë jetesën prej detit, do të qëndrojnë larg

18 dhe, kur të shohin tymin e zjarrit të saj, do të thërrasin: ‘A ka qytet që t’i ngjajë qytetit të madh?’

19 Do të hedhin pluhur mbi kokë dhe do të thërrasin, duke qarë e duke vajtuar: ‘Mjerë, mjerë qyteti i madh, ku të gjithë ata që kishin anije në det, u pasuruan prej begatisë së tij. Brenda një ore u shkretua!’

20 Gëzohu për të, o qiell! Ngazëlleni dhe ju o shenjtër, apostuj dhe profetë, sepse Perëndia ia dha gjykimin për ato që ju ka bërë.”

21 Një engjëll i fortë mori një gur, sa një gur të madh mulliri, e hodhi në det dhe tha: “Kështu, me forcë të tillë, do të hidhet Babilonia, qyteti i madh për të mos u gjetur më.

22 Zëri i harpistëve, i muzikantëve, i fyelltarëve dhe i trumbetarëve nuk do të dëgjohet më tek ti; asnjë mjeshtër i çfarëdo zanati nuk do të gjendet më tek ti; zhurma e gurit të mullirit nuk do të dëgjohet më tek ti;

23 dritë llambe nuk do të ndriçojë më tek ti; zëri i dhëndrit dhe i nuses nuk do të dëgjohet më tek ti. Tregtarët e tu ishin të mëdhenjtë e dheut. Të gjitha kombet u mashtruan me magjinë tënde.

24 Në të u gjet gjaku i profetëve, i shenjtërve dhe i të gjithë atyre që janë therur mbi tokë.”

Kapitulli 19

1 Pas këtyre dëgjova një si zë të fortë prej një turme të madhe në qiell, që thoshte: “Aleluja! Shpëtimi, lavdia dhe fuqia janë të Perëndisë sonë,

2 sepse të vërteta dhe të drejta janë gjykimet e Tij. Ai ka gjykuar gruan e përdalë me nam që prishi botën me kurvërinë e saj dhe ka marrë hak për gjakun e shërbëtorëve të Tij të derdhur prej dorës së saj.”

3 Përsëri thirrën: “Aleluja! Tymi prej saj po ngrihet lart në jetë të jetëve.”

4 Të njëzet e katër pleqtë dhe katër krijesat e gjalla ranë përmbys dhe adhuruan Perëndinë që ishte ulur në fron, duke thënë: “Amen. Aleluja!”

5 Një zë doli nga froni, duke thënë: “Lëvdoni Perëndinë tonë, të gjithë ju shërbëtorët e Tij, [dhe] ju, të vegjël e të mëdhenj, që e keni frikë Atë.”

6 Dëgjova një si zë prej një turme të madhe, si gurgullimë ujërash që vërshojnë dhe si gjëmim bubullimash të forta, që thoshte: “Aleluja! Sepse Zoti Perëndia [ynë], i Gjithëfuqishmi, mbretëron.

7 “Le të gëzohemi e të ngazëllohemi dhe le t’ia japin lavdinë Atij, sepse dita e dasmës së Qengjit ka ardhur dhe nusja e Tij është bërë gati.”

8 I kanë dhënë të veshë një pëlhurë të hollë liri, të ndritshme dhe të pastër, sepse pëlhura e hollë e lirit përfaqëson veprat e drejta të shenjtërve.

9 Atëherë engjëlli më tha: “Shkruaj: ‘Lum ata që janë ftuar në darkën e dasmës së Qengjit.’” Pastaj më tha: “Këto janë fjalët e vërteta të Perëndisë.”

10 I rashë para këmbëve për ta adhuruar, por ai më tha: “Shiko se mos e bën këtë. Unë jam shërbëtor bashkë me ty dhe me vëllezërit e tu që japin dëshmi për Jezusin. Adhuro Perëndinë! Sepse dëshmia e Jezusit është fryma e profecisë.”

11 Pastaj pashë qiellin të hapur dhe ja, para meje ishte një kalë i bardhë. Ai që i kishte hipur, quhet Besniku dhe i Vërteti; me drejtësi gjykon dhe bën luftë ai.

12 Sytë i ka si flakë zjarri dhe mbi kokë ka shumë kurora mbretërore. Ka të shkruar një emër, të cilin askush veç Tij nuk e di.

13 Është i veshur me një rrobë të ngjyer në gjak dhe emri i Tij është Fjala e Perëndisë.

14 Ushtritë e qiellit, të veshura me rroba të linjta, të bardha e të pastra, e ndiqnin hipur mbi kuaj të bardhë.

15 Prej gojës së Tij del një shpatë e mprehtë, me të cilën godet kombet; Ai do t’i qeverisë ato si bariu me shkop hekuri; Ai e shkel vençën e zemërimit të furishëm të Perëndisë së Gjithëfuqishëm.

16 Mbi rrobë dhe në kofshë ka të shkruar një emër: “MBRET I MBRETËRVE DHE ZOT I ZOTËRVE.”

17 Pastaj pashë një engjëll duke qëndruar në diell, i cili u thirri me zë të lartë të gjithë shpendëve që fluturojnë në mes të qiellit: “Ejani, mblidhuni për darkën e madhe të Perëndisë,

18 që të hani mish mbretërish, mish komandantësh, mish njerëzish të fuqishëm, mish kuajsh dhe kalorësish, si edhe mish njerëzish të lirë e skllevër, të vegjël e të mëdhenj.”

19 Atëherë pashë bishën dhe mbretërit e dheut me ushtritë e tyre, të mbledhur për të bërë luftë kundër Atij që ishte hipur mbi kalë dhe kundër ushtrisë së Tij.

20 Bisha u kap bashkë me profetët e rremë që kishin bërë shenjat para syve të saj. Me këto shenja ajo mashtroi ata që kishin marrë damkën e bishës dhe ata që kishin adhuruar statujën e saj; të dy u flakën të gjallë në liqenin e zjarrtë që digjet me squfur.

21 Pjesa tjetër u vra me shpatën që doli prej gojës së Atij që ishte hipur mbi kalë dhe të gjithë shpendët u ngopën me mishin e tyre.

Kapitulli 20

1 Pashë një engjëll duke zbritur nga qielli, që kishte çelësin e humnerës dhe mbante një vargua të madh në dorë.

2 E mbërtheu dragoin, atë gjarpër të lashtë, që është djalli dhe Satani, dhe e lidhi për një mijë vjet.

3 E flaku në humnerë, e mbylli dhe vuri vulën mbi të, që të mos mashtronte më kombet, derisa të plotësoheshin një mijë vjetët. Pas kësaj ai duhet të lirohet për pak kohë.

4 Pashë frone, ku ishin ulur ata të cilëve iu dha pushtet të gjykojnë; pashë shpirtrat e atyre që u ishin prerë kokat për shkak të dëshmisë së tyre për Jezusin dhe për shkak të fjalës së Perëndisë; pashë edhe ata që nuk e kishin adhuruar bishën dhe statujën e saj dhe që nuk kishin marrë damkën në ballë e në dorë. Ata u ngjallën dhe mbretëruan me Krishtin për një mijë vjet.

5 Pjesa tjetër e të vdekurve nuk u kthyen në jetë, derisa të plotësoheshin të një mijë vjetët. Kjo është ngjallja e parë.

6 I bekuar dhe i shenjtë është ai që merr pjesë në ngjalljen e parë. Vdekja e dytë nuk ka pushtet mbi këta, por ata do të jenë priftër të Perëndisë dhe të Krishtit dhe do të mbretërojnë me Të për një mijë vjet.

7 Kur të plotësohen një mijë vjetët, Satani do të lirohet nga burgu i tij

8 dhe do të dalë për të mashtruar kombet që janë në të katër skajet e dheut, Gogun e Magogun, që t’i mbledhë për luftë, numri i të cilëve është si rëra e detit.

9 Marshuan anekënd dheut dhe rrethuan kampin e shenjtërve dhe qytetin e dashur. Por nga qielli ra zjarr dhe i përpiu.

10 Djalli që i mashtroi, u flak në liqenin plot zjarr e squfur, ku ishin hedhur edhe bisha me profetët e rremë. Atje do të mundohen ditë e natë për jetë të jetëve.

11 Pastaj pashë një fron të madh të bardhë dhe Atë që ishte ulur në të. Toka dhe qielli u zhdukën prej syve të Tij dhe asnjë vend nuk u gjet për ta.

12 Pashë të vdekurit, të mëdhenj dhe të vegjël, duke qëndruar përpara fronit dhe librat u hapën; u hap edhe një libër tjetër, që është libri i jetës. Të vdekurit u gjykuan sipas veprave të tyre, siç ishin shkruar në librat.

13 Deti i ktheu të vdekurit që ishin në të. Edhe vdekja dhe ferri i kthyen të vdekurit që ishin në ta dhe ata u gjykuan, secili sipas veprave të tyre.

14 Vdekja dhe ferri u flakën në liqenin e zjarrtë. Kjo është vdekja e dytë, liqeni i zjarrtë.

15 Kush nuk u gjet i shkruar në librin e jetës, u flak në liqenin e zjarrtë.

Kapitulli 21

1 Pashë një qiell të ri dhe një tokë të re, sepse qielli i parë dhe toka e parë kishin kaluar dhe nuk kishte më det.

2 Pashë edhe qytetin e shenjtë, Jeruzalemin e ri, duke zbritur nga qielli prej Perëndisë, të përgatitur si një nuse e stolisur për burrin e vet.

3 Dëgjova një zë të lartë nga froni, që thoshte: “Ja, Perëndia e ka ngritur tendën mes njerëzve dhe do të banojë me ta. Ata do të jenë populli i Tij dhe Vetë Perëndia do të jetë me ta, e do të jetë Perëndia i tyre.

4 Ai do t’u fshijë çdo lot prej syve. Nuk do të ketë më vdekje, as zi, as britma, as dhimbje; sepse të parat kanë kaluar.”

5 Ai që rrinte ulur në fron, tha: “Ja, të gjitha gjërat po i bëj të reja.” Pastaj tha: “Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besës dhe të vërteta.”

6 Më tha: “U bë. Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe fundi. Atij që ka etje Unë do t’i jap falas nga burimi i ujit të jetës.

7 Ai që del fitimtar, do t’i trashëgojë këto. Unë do të jem Perëndia i tij dhe ai do të jetë biri Im.

8 Frikacakët, ata që nuk besojnë, për të neveritshmit, vrasësit, të përdalët, magjistarët, idhujtarët dhe të gjithë gënjeshtarët do ta kenë vendin në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur; kjo është vdekja e dytë.”

9 Një nga shtatë engjëjt, që kishte të shtatë kupat plot me shtatë murtajat e fundit, erdhi dhe më foli, duke thënë: “Eja, do të të tregoj nusen, gruan e Qengjit.”

10 Më çoi në Frymë mbi një mal të madh e të lartë dhe më tregoi qytetin e shenjtë, Jeruzalemin, që zbriste nga qielli prej Perëndisë.

11 Ai shkëlqente me lavdinë e Perëndisë dhe shkëlqimi i tij i ngjante një guri shumë të çmuar, si një gur diaspri i kristaltë.

12 Kishte një mur të madh e të lartë me dymbëdhjetë porta, ku qëndronin dymbëdhjetë engjëjt. Mbi portat ishin shkruar disa emra, që janë [emrat e] të dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit.

13 Nga lindja ishin tri porta, nga veriu tri porta, nga jugu tri porta dhe nga perëndimi tri porta.

14 Muri i qytetit kishte dymbëdhjetë themele dhe mbi to ishin dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit.

15 Engjëlli që foli me mua, kishte një purtekë matëse prej floriri për të matur qytetin, portat dhe murin e tij.

16 Qyteti shtrihej në formë katrori, sa i gjatë aq edhe i gjerë. Ai e mati qytetin me purtekën, dhe pa që ishte dymbëdhjetë mijë stade. Kishte të njëjtën gjatësi, gjerësi e lartësi.

17 Mati murin e tij, njëqind e dyzet e katër kute, sipas matjes së njeriut, që po përdorte engjëlli.

18 Muri ishte ndërtuar prej diaspri; qyteti ishte prej ari të kulluar, si një qelq i pastër.

19 Themelet e murit të qytetit ishin të zbukuruara me gjithfarë gurësh të çmuar. Themeli i parë ishte prej diaspri, i dyti, prej safiri, i treti prej kalcedoni, i katërti prej smeraldi,

20 i pesti prej sardoniku, i gjashti prej sardi, i shtati prej krizoliti, i teti prej berili, i nënti prej topazi, i dhjeti prej krizoprazi, i njëmbëdhjeti prej hiacinti, i dymbëdhjeti prej ametisti.

21 Të dymbëdhjetë portat ishin dymbëdhjetë margaritarë; secila prej portave ishte e ndërtuar prej një margaritari të vetëm. Rruga e qytetit ishte prej ari të pastër, si një qelq i tejdukshëm.

22 Nuk pashë ndonjë tempull në të, sepse Zoti Perëndi i Gjithëfuqishëm dhe Qengji janë tempulli i tij.

23 Qyteti nuk ka nevojë për shkëlqimin e diellit ose të hënës, sepse atij i jep dritë lavdia e Perëndisë dhe llamba e tij është Qengji.

24 Kombet do të ecin me dritën e tij dhe mbretërit e dheut do të sjellin në të lavdinë e tyre.

25 Dhe gjatë ditës (sepse atje nuk do të ketë natë) portat e tij nuk do të mbyllen kurrë.

26 Ata do të sjellin në të lavdinë dhe nderin e kombeve.

27 Asgjë e papastër dhe asnjë njeri që bën gjëra të neveritshme dhe gënjeshtra, nuk do të hyjë në të, por vetëm ata, emrat e të cilëve janë të shkruar në librin e jetës së Qengjit.

Kapitulli 22

1 Pastaj engjëlli më tregoi lumin e ujit të jetës, i kthjellët si kristal, që dilte nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit

2 teposhtë mesit të rrugës së qytetit; në të dy anët e lumit ishte pema e jetës që prodhon dymbëdhjetë lloje frytesh, duke dhënë frytin e saj çdo muaj. Gjethet e pemës shërbejnë për të shëruar kombet.

3 Nuk do të ketë më asnjë mallkim; froni i Perëndisë dhe i Qengjit do të jetë në të dhe shërbëtorët e Tij do t’i shërbejnë Atij.

4 Do t’i shohin fytyrën dhe emrin e Tij do ta kenë në ballë.

5 Nuk do të ketë më natë dhe nuk do të kenë nevojë për dritën e llambës ose për dritën e diellit, sepse Zoti Perëndi do t’i ndriçojë dhe ata do të mbretërojnë për jetë të jetëve.

6 Engjëlli më tha: “Këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta. Zoti, Perëndia i frymëve dhe i profetëve, dërgoi engjëllin e Vet t’u tregojë shërbëtorëve të Vet ato që duhet të ndodhin së shpejti.

7 “Ja, unë po vij shpejt! Lum ai që i mban fjalët e profecisë së këtij libri.”

8 Unë, Gjoni, jam ai që i kam dëgjuar dhe i kam parë këto gjëra. Kur i dëgjova dhe i pashë, rashë përdhe për të adhuruar para këmbëve të engjëllit që m’i tregoi këto.

9 Më tha: “Shiko se mos e bën këtë; jam shërbëtor bashkë me ty dhe me vëllezërit e tu profetë, si edhe me ata që u përmbahen fjalëve të këtij libri. Adhuro Perëndinë!”

10 Pastaj më tha: “Mos i vulos fjalët e profecisë së këtij libri, sepse koha është afër.

11 Kush bën keq, le të vazhdojë të bëjë keq; kush është i papastër, le të vazhdojë të jetë i papastër; kush është i drejtë, le të vazhdojë të zbatojë drejtësi dhe kush është i shenjtë, le të shenjtërohet edhe më shumë.”

12 “Ja, po vij shpejt dhe shpërblimin e kam me Vete, që t’ia jap secilit sipas asaj që ka bërë.

13 Unë jam Alfa dhe Omega, i Pari dhe i Fundit, fillimi dhe fundi.”

14 Lum ata që lajnë rrobat e veta, që të kenë të drejtë të marrin pjesë në pemën e jetës dhe të hyjnë në qytet nga portat.

15 Jashtë janë qentë, magjistarët, të përdalët, vrasësit dhe idhujtarët dhe kushdo që e do dhe bën gënjeshtrën.

16 “Unë, Jezusi, e kam dërguar engjëllin Tim që t’ju dëshmojë këto gjëra për kishat. Unë jam rrënja dhe fara e Davidit, ylli i ndritshëm i mëngjesit.”

17 Fryma dhe nusja thonë: “Eja.” Dhe kush dëgjon, le të thotë: “Eja.” Kush ka etje, le të vijë; kush dëshiron, le ta marrë falas ujin e jetës.

18 Unë e paralajmëroj këdo që dëgjon fjalët e profecisë së këtij libri: po t’u shtojë dikush ndonjë gjë tjetër, Perëndia do t’ia shtojë murtajat që janë përshkruar në këtë libër.

19 Po t’i heqë dikush ndonjë fjalë librit të kësaj profecie, Perëndia do t’ia heqë pjesën e tij nga pema e jetës dhe nga qyteti i shenjtë, që janë përshkruar në këtë libër.

20 Ai që dëshmon për këto gjëra, thotë: “Po, po vij shpejt.” Amen. Eja, o Zot Jezus.

21 Hiri i Zotit Jezus qoftë me ju të gjithë. Amen.