Kapitulli:  1  2  3  4  5  6  7  8  9  10  11  12  13

Kapitulli 1

1 Pali, apostull i Krishtit Jezus me vullnetin e Perëndisë, dhe Timoteu vëllai ynë, kishës së Perëndisë që është në Korint, si dhe të gjithë shenjtërve në mbarë Akainë:

2 Paçi hir dhe paqe nga Perëndia Ati ynë dhe Zoti Jezus Krisht.

3 I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezus Krisht, Ati i dhembshurisë dhe Perëndia i çdo ngushëllimi,

4 i cili na ngushëllon në çdo mundim tonin, që edhe ne të mund të ngushëllojmë ata që ndodhen në çfarëdo lloj mundimi me anë të ngushëllimit që ne vetë kemi marrë nga Perëndia.

5 Sepse ashtu siç mbushullojnë te ne vuajtjet e Krishtit, po ashtu mbushullon edhe ngushëllimi ynë nëpërmjet Krishtit.

6 Por nëse mundohemi, kjo bëhet për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj; nëse ngushëllohemi, kjo bëhet për ngushëllimin tuaj që shfaqet në durimin e po atyre vuajtjeve që po heqim edhe ne.

7 Shpresa jonë te ju është e patundur, sepse e dimë se ashtu siç merrni pjesë në vuajtje, po ashtu do të merrni pjesë edhe në ngushëllim.

8 Sepse nuk duam që ju të mos dini, vëllezër, për mundimin që kaluam në Azi, ku vuajtëm jashtë mase, tej fuqive tona, saqë humbëm shpresën edhe për jetën.

9 Vërtet, vendimin e vdekjes e ndjemë në zemrën tonë. Por kjo ndodhi që të mos kishim besim në veten tonë, por në Perëndinë që ngjall të vdekurit.

10 Ai na ka shpëtuar dhe do të na shpëtojë nga një vdekje kaq e madhe. Tek Ai i kemi vënë shpresat se do të vazhdojë të na shpëtojë.

11 Edhe ju na ndihmoni duke u lutur për ne, që shumë veta të falënderojnë në emrin tonë për dhuratën që na u dha nëpërmjet lutjeve të shumë njerëzve.

12 Sepse mburrja jonë është kjo: ndërgjegjja jonë dëshmon se sjellja jonë në botë, dhe sidomos ndaj jush, ka qenë me thjeshtësi dhe çiltërsi të perëndishme, jo me mençurinë e mishit, por me hirin e Perëndisë.

13 Sepse nuk ju shkruajmë tjetër gjë veç atyre që lexoni e kuptoni dhe shpresoj se do t’i kuptoni deri në fund,

14 siç edhe na keni kuptuar deri diku, që ju të mund të mburreni me ne, siç do të mburremi edhe ne me ju në ditën e Zotit tonë Jezus.

15 Me këtë besim të sigurt desha më parë të vija te ju, që ju të merrnit një bekim të dytë,

16 dhe pastaj nga ju të kaloja nëpër Maqedoni e përsëri prej Maqedonisë të vija te ju dhe prej jush të përcillesha për në Jude.

17 Prandaj, kur mendova ta bëj këtë, mos vallë kam vepruar me mendjelehtësi? Apo ato që kam ndër mend t’i bëj, mos vallë mendoj t’i bëj sipas mishit, që të mund të them në të njëjtën kohë ‘Po, po’ dhe ‘Jo, jo’?

18 Por meqë Perëndia është besnik, fjala që ne ju dhamë, nuk është ‘Po’ dhe ‘Jo’.

19 Sepse Biri i Perëndisë, Jezus Krishti, që unë, Silvani dhe Timoteu predikuam midis jush, nuk ishte Po dhe Jo, por në Atë ka qenë gjithmonë Po.

20 Sepse të gjitha sa janë premtimet e Perëndisë, janë ‘Po’ në Krishtin; prandaj nëpërmjet Tij ne themi ‘Amen’ për lavdinë e Perëndisë.

21 Perëndia është Ai që na bën ne bashkë me ju të qëndrojmë fort në Krishtin. Ai na ka vajosur,

22 na ka vënë vulën e Vet dhe na ka dhënë kaparin e Frymës në zemrat tona.

23 Por unë po thërres Perëndinë si dëshmitar për shpirtin tim, se qëllimi im që nuk u ktheva në Korint, ishte t’ju kurseja ju.

24 Jo se ne jemi zotër mbi besimin tuaj, por jemi bashkëpunëtorë në gëzimin tuaj, sepse ju po qëndroni të fortë në besimin tuaj.

Kapitulli 2

1 Kështu vendosa me veten time, që të mos vija te ju përsëri me hidhërim.

2 Sepse po t’ju hidhëroj, atëherë kush do të më gëzojë veç atij që u hidhërua prej meje?

3 Dhe pikërisht këtë shkrova, që, kur të vija, të mos trishtohesha prej atyre që duhet të më bënin të gëzuar. Kisha besim te të gjithë ju, se gëzimi im ishte gëzim për ju të gjithë.

4 Ju kam shkruar në një çast mundimi dhe ankthi të madh në zemër e me shumë lot, jo që të hidhëroheni, por që ta dini dashurinë që kam veçanërisht për ju.

5 Por nëse dikush më ka hidhëruar, nuk më ka hidhëruar vetëm mua, por deri diku, pa e tepruar, të gjithë ju.

6 Për një të këtillë mjafton dënimi që i ka ardhur nga shumica.

7 Përkundrazi, ju duhet ta falni dhe ta ngushëlloni, që ky të mos humbasë farë nga një hidhërim kaq i fortë.

8 Prandaj, ju bëj thirrje të tregoheni të dashur me të.

9 Sepse edhe për këtë shkrova, që t’ju vija në provë, për të parë nëse jeni të bindur për gjithçka.

10 Atë që e falni ju, e fal edhe unë. Sepse, vërtet, atë që kam falur unë, nëse kam falur diçka, e kam bërë për ju përpara Krishtit,

11 që të mos na e hedhë Satani, të cilit ia dimë mirë synimet.

12 Kur shkova në Troadë për ungjillin e Krishtit, megjithëse pashë që Zoti ma kishte hapur një derë,

13 nuk gjeta prehje për shpirtin tim, sepse nuk takova atje Titin, vëllanë tim; kështu, si u ndava me ta, u nisa për në Maqedoni.

14 Por falënderuar qoftë Perëndia, që na bën të ngadhënjejmë gjithnjë në Krishtin dhe që përhap nëpërmjet nesh aromën e njohjes së Tij në çdo vend.

15 Sepse ne jemi era e këndshme e Krishtit për Perëndinë ndër ata që shpëtohen dhe ndër ata që humbasin;

16 për një palë kundërmim vdekjeje për vdekjen, ndërsa për palën tjetër erë jete për jetën. Por kush është i zoti për këto?

17 Sepse nuk jemi si shumë veta, që bëjnë tregti me fjalën e Perëndisë, por flasim në Krishtin përpara Perëndisë me sinqeritet, dhe si të dërguar nga Perëndia.

Kapitulli 3

1 Po fillojmë përsëri të lavdërojmë veten tonë? Apo mos kemi nevojë, si disa, për letra rekomandimi për ju ose prej jush?

2 Letra jonë jeni vetë ju, e shkruar në zemrat tona, e njohur dhe e lexuar nga të gjithë njerëzit.

3 Del qartë se jeni letër e Krishtit, nëpërmjet shërbesës sonë, të shkruar jo me bojë, por me Frymën e Perëndisë së gjallë, jo në rrasa guri, por në rrasa prej mishi, pra ndër zemra.

4 I tillë është besimi që kemi nëpërmjet Krishtit për Perëndinë.

5 Jo se ne e ndiejmë veten të aftë ta mendojmë diçka sikur të jetë prej vetes sonë, por aftësia jonë vjen prej Perëndisë,

6 që na ka bërë të aftë për t’i shërbyer besëlidhjes së re, jo shkronjës, por Frymës; sepse shkronja vret, por Fryma jep jetë.

7 Nëse shërbesa e vdekjes, me shkronja të gdhendura mbi gurë, u rrethua me lavdi, aq sa bijtë e Izraelit nuk ishin në gjendje të vështronin fytyrën e Moisiut për shkak të shkëlqimit të fytyrës së tij, megjithëse po venitej,

8 a nuk do të jetë më e lavdishme shërbesa e Frymës?

9 Sepse, nëse shërbesa e dënimit përmban lavdi, aq më tepër mbushullon në lavdi shërbesa e drejtësisë.

10 Sepse vërtet, çka ka qenë e lavdishme, nuk e ka më atë lavdi në krahasim me lavdinë më të shkëlqyer.

11 Sepse, nëse ajo që ishte jetëshkurtër kishte lavdi, aq më shumë do të ketë lavdi ajo që vazhdon të jetojë .

12 Pra, duke pasur një shpresë të këtillë, flasim me guxim të madh

13 dhe nuk bëjmë si Moisiu, që vinte një vel mbi fytyrë, që bijtë e Izraelit të mos vështronin fundin e asaj që po venitej.

14 Por mendjet e tyre u verbuan; sepse deri në ditën e sotme kur lexohet besëlidhja e vjetër ai vel mbetet i pazbuluar, sepse ai hiqet vetëm në Krishtin.

15 Deri në ditën e sotme, sa herë që lexohet Moisiu, një vel mbulon zemrat e tyre.

16 Sa herë që njeriu kthehet te Zoti, veli hiqet.

17 Zoti është Fryma dhe ku është Fryma e Zotit aty është liria.

18 Tani ne të gjithë, që me fytyrë të pambuluar pasqyrojmë lavdinë e Zotit, shndërrohemi në të njëjtin shëmbëllim me një lavdi gjithnjë në rritje, që vjen prej Zotit, që është Frymë.

Kapitulli 4

1 Prandaj, të ngarkuar me këtë shërbesë, që na u dha prej mëshirës së Perëndisë, nuk ligështohemi.

2 Për më tepër, hoqëm dorë nga mënyrat e fshehta e të turpshme, nuk jetojmë me dinakëri, nuk shtrembërojmë fjalën e Perëndisë. Përkundrazi, duke shfaqur hapur të vërtetën, ne ia rekomandojmë veten çdo ndërgjegjeje njerëzore para Perëndisë.

3 Edhe sikur ungjilli ynë të mbetet i mbuluar, ai është i mbuluar për ata që po humbin.

4 Atyre që nuk besojnë perëndia i kësaj bote u ka verbuar mendjet, që ata të mos shohin dritën e ungjillit të lavdisë së Krishtit, i cili është shëmbëllimi i Perëndisë.

5 Sepse nuk predikojmë veten tonë, por Jezus Krishtin si Zot, ndërsa veten tonë si shërbyesit tuaj për hir të Jezusit.

6 Sepse Perëndia që tha: “Dritë do të ndriçojë nga errësira”, është Ai që shkëlqeu në zemrat tona për të ndriçuar dijen e lavdisë së Perëndisë në fytyrën e Jezus Krishtit.

7 Por ne e kemi këtë thesar në enë prej balte, që fuqia e madhërishme të jetë nga Perëndia dhe jo nga ne.

8 Në çdo gjë jemi të munduar, por jo të shtypur, jemi në hall, por jo të dëshpëruar,

9 të përndjekur, por jo të braktisur, të rrëzuar, por jo të humbur;

10 Gjithmonë mbajmë me vete në trup vdekjen e Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë.

11 Sepse ne që jemi të gjallë, i dorëzohemi vazhdimisht vdekjes për shkak të Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në mishin tonë të vdekshëm.

12 Kështu te ne vepron vdekja, ndërsa te ju jeta.

13 Është shkruar: “Besova, prandaj fola.” Kështu edhe ne, duke pasur të njëjtën frymë besimi, besojmë, prandaj edhe flasim,

14 sepse e dimë se Ai që ngjalli Zotin Jezus, do të na ngjallë edhe ne me Jezusin dhe do të na vërë pranë Tij bashkë me ju.

15 Sepse të gjitha janë për të mirën tuaj, që hiri që po arrin një numër të madh njerëzish, të bëjë që të shumëfishohen falënderimet për lavdinë e Perëndisë.

16 Prandaj ne nuk na lëshon zemra; edhe pse njeriu ynë i jashtëm po kalbet, megjithatë njeriu ynë i brendshëm po ripërtërihet nga dita në ditë.

17 Sepse mundimi ynë i lehtë dhe i përkohshëm po sjell për ne një lavdi të përjetshme, që peshon më shumë se çdo gjë tjetër,

18 për sa kohë ne vështrojmë jo gjërat që shihen, por ato që nuk shihen; sepse ato që shihen, janë të përkohshme, por ato që nuk shihen, janë të përjetshme.

Kapitulli 5

1 Tani ne e dimë, se po të kalbet kjo tendë që është banesa jonë mbi tokë, kemi një ndërtesë prej Perëndisë, një shtëpi të përjetshme në qiej, që nuk është bërë nga dora e njeriut.

2 Ndërkohë vërtet rënkojmë në këtë shtëpi, me dëshirën e madhe të vishemi me banesën tonë qiellore,

3 sepse, duke u veshur me të, nuk do ta shohim veten lakuriq.

4 Vërtet ne që jemi në tendë rënkojmë dhe jemi të rënduar, sepse nuk duam të jemi të zhveshur, por të veshur, që ajo që është e vdekshme, të përpihet nga jeta.

5 Ai që na përgatiti ne pikërisht për këtë, është Perëndia, që na dha Frymën si kapar.

6 Prandaj, jemi plot besim dhe e dimë se, kur banojmë në trup, jemi larg Zotit.

7 Sepse ecim me anë të besimit, jo me anë të atyre që shohim.

8 Jemi plot besim dhe na pëlqen më mirë të largohemi nga trupi dhe të banojmë me Zotin.

9 Prandaj edhe i kemi vënë vetes si detyrë që t’i pëlqejmë Atij qoftë duke banuar në trupin tonë, qoftë duke qenë larg tij.

10 Sepse ne të gjithë duhet të dalim para fronit të gjykimit të Krishtit, që secili të marrë hakën e vet sipas atyre që ka bërë me anë të trupit, për të mirë a për të keq.

11 Prandaj, duke e ditur çdo të thotë t’ia kesh frikën Zotit, përpiqemi të bindim njerëzit, megjithëse për Perëndinë është e qartë se çfarë jemi, dhe shpresoj që kjo të jetë e qartë edhe për ndërgjegjen tuaj.

12 Nuk ju rekomandojmë përsëri veten tonë, por e bëjmë këtë vetëm që t’ju japim shkas që të krenoheni për ne, që ju të keni diçka për t’iu përgjigjur atyre që mburren me pamjen e jashtme dhe jo me zemrën.

13 Sepse po të mos jemi në vete, kjo është për Perëndinë; po të jemi me mend në kokë, është për ju.

14 Dashuria e Krishtit na detyron, sepse jemi të bindur se një vdiq për të gjithë, prandaj të gjithë vdiqën.

15 Ai vdiq për të gjithë, që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për veten e tyre, por për Atë që ka vdekur dhe u ngjall përsëri për ta.

16 Kështu, që tani e tutje ne nuk njohim askënd sipas mishit; edhe pse e njohëm Krishtin sipas mishit, megjithatë tani nuk e njohim më kështu.

17 Prandaj, nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; e vjetra shkoi; ja, erdhi e reja!

18 Të gjitha këto janë prej Perëndisë, që na pajtoi me Veten e Vet nëpërmjet Krishtit dhe na dha shërbesën e pajtimit,

19 domethënë, Perëndia e pajtoi botën me Veten e Vet në Krishtin, duke mos ua llogaritur njerëzve shkeljet e tyre, por duke na besuar neve mesazhin e pajtimit.

20 Prandaj, shërbejmë si të dërguar të Krishtit; Perëndia ju drejtohet nëpërmjet nesh. Ne ju lusim në emër të Krishtit: pajtohuni me Perëndinë.

21 Atë që nuk e njihte mëkatin, Perëndia e bëri mëkat për ne, që ne të bëheshim drejtësia e Perëndisë në Krishtin.

Kapitulli 6

1 Ne, si bashkëpunëtorë të Tij, ju bëjmë thirrje që të mos e merrni më kot hirin e Perëndisë,

2 sepse Ai thotë: “Në çastin e volitshëm të dëgjova dhe në ditën e shpëtimit të ndihmova.” Ja, tani është ‘çasti i volitshëm’, ja, tani është ‘dita e shpëtimit’.

3 Nga ana jonë nuk i japim askujt shkandull për ndonjë gjë, që shërbesa jonë të mos shahet,

4 por në gjithçka e tregojmë veten tonë si shërbyes të Perëndisë, me qëndresë të madhe, në mundime, në vështirësi, në ankthe,

5 në të rrahura, në burgime, në trazira, në mund, në pagjumësi, në uri,

6 me pastërti, me dije, me durim, me mirësi, me Frymë të Shenjtë, me dashuri të sinqertë,

7 me fjalë të së vërtetës, me fuqi të Perëndisë, me armët e drejtësisë në të djathtë dhe në të majtë,

8 me lavdi e në çnderim, me emër të keq e me emër të mirë, si mashtrues e megjithatë të vërtetë,

9 të panjohur e megjithatë të mirë-njohur, sikur po vdesim e megjithatë, ja tek po jetojmë, si të dënuar e megjithatë ende nuk na kanë vrarë,

10 të trishtuar, por gjithmonë të gëzuar, të varfër e megjithatë shumë veta i bëjmë të pasur, si njerëz që nuk kanë asgjë e megjithatë zotërojnë gjithçka.

11 Kemi folur hapur me ju, o korintas, dhe zemrën jua kemi hapur krejt.

12 Nuk ju kemi bërë ne zemërftohtë, por jeni ju vetë të ftohtë në zemrat tuaja.

13 Po ju flas si bijve të mi; më jepni diçka si shkëmbim: hapeni edhe ju zemrën tuaj.

14 Mos hyni nën një zgjedhë me ata që nuk besojnë; sepse ç’lidhje ka drejtësia me paudhësinë, ose ç’gjë të përbashkët ka drita me errësirën?

15 Çfarë ka Krishti që të përputhet me Beliarin, ose ç’lidhje ka besimtari me atë që nuk beson?

16 Çfarë ka të përbashkët tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ne jemi tempulli i Perëndisë së gjallë. Siç e ka thënë Perëndia: “Do të banoj në mes tyre dhe do të eci midis tyre, do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli Im.

17 Prandaj dilni nga gjiri i tyre dhe veçohuni”, tha Zoti. “Mos prekni asgjë të papastër dhe Unë do t’ju mirëpres.

18 Do të jem Atë për ju dhe ju do të jeni bij e bija për Mua”, thotë Zoti i Gjithëfuqishëm.

Kapitulli 7

1 Pra, meqë i kemi këto premtime, o të dashur, le të pastrojmë veten tonë nga çdo ndotje e mishit dhe e shpirtit, duke përsosur shenjtërimin në frikën e Perëndisë.

2 Hapni vend për ne në zemrën tuaj; askujt nuk i kemi bërë padrejtësi, askënd nuk kemi prishur, askënd nuk kemi shfrytëzuar.

3 Nuk po e them këtë për t’ju dënuar; sepse e kam thënë më parë që ju jeni në zemrat tona, që bashkë të vdesim e bashkë të jetojmë.

4 I madh është besimi im te ju; e madhe është mburrja ime për ju; jam i mbushur me ngushëllim, gëzimi im nuk njeh kufi në të gjitha mundimet tona.

5 Sepse, edhe kur arritëm në Maqedoni, mishi ynë nuk pati prehje, por gjithkund u munduam: jashtë luftëra, përbrenda frikë.

6 Por Perëndia, që ngushëllon të përvuajturit, na ngushëlloi me ardhjen e Titit,

7 dhe jo vetëm me ardhjen e tij, por edhe me ngushëllimin që i kishit dhënë ju. Na tregoi për mallin tuaj, hidhërimin tuaj, dashurinë tuaj të zjarrtë për mua, saqë më gëzoi edhe më shumë.

8 Megjithëse ju kam trishtuar me letrën time, nuk më vjen keq. Dhe, nëse më ka ardhur keq – sepse e shoh që ajo letër, qoftë dhe për pak kohë, ju ka trishtuar – tani po gëzohem për të.

9 Megjithatë tani gëzohem jo pse u trishtuat, por sepse trishtimi juaj ju bëri të pendoheshit; sepse ju u trishtuat ashtu siç e do Perëndia, kështu që nuk pësuat asnjë dëm prej nesh.

10 Sepse trishtimi që është sipas Perëndisë, sjell një pendim të pakthyeshëm, që çon në shpëtim; ndërsa trishtimi i botës sjell vdekjen.

11 Ja çfarë përkujdesjeje solli mbi ju vetë fakti që ju u trishtuat sipas Perëndisë, ja çfarë serioziteti për të mbrojtur veten, çfarë zemërate, çfarë frike, çfarë dëshire, çfarë zelli, çfarë gatishmërie për të vënë në vend drejtësinë! Në çdo gjë ju e treguat veten se jeni të pastër në këtë çështje.

12 Pra, megjithëse ju shkrova, këtë nuk e bëra për atë që ushtron padrejtësi, ose për atë që pëson padrejtësinë, por që kujdesi juaj për ne të dilte i qartë përpara Perëndisë.

13 Ja pra, përse jemi ngushëlluar. Dhe këtij ngushëllimit tonë iu shtua edhe një kënaqësi më e madhe për gëzimin e Titit, sepse atij iu ripërtëri shpirti nga ju të gjithë.

14 Mund t’i jem mburrur atij në ndonjë gjë për ju dhe ju nuk më turpëruat. Por, siç ishin të vërteta të gjitha ato që ju thamë, po ashtu doli e vërtetë edhe mburrja jonë para Titit.

15 Dashuria e tij ndaj jush është shtuar, sa herë që kujton sa të bindur ishit ju të gjithë, se si e pritët me frikë dhe të dridhura.

16 Gëzohem sepse në çdo gjë mund të mbështetem tërësisht te ju.

Kapitulli 8

1 Tani, o vëllezër, duam t’ju bëjmë të ditur hirin që Perëndi që u është dhënë kishave të Maqedonisë.

2 Pa marrë parasysh provën e gjatë të mundimit, gëzimi i tyre i madh dhe varfëria e tyre në kulm, janë shndërruar në pasurinë e bujarisë së tyre.

3 Sepse dëshmoj që ata kanë dhënë sipas mundësisë së tyre, madje më tepër sesa kishin mundësi. Këtë e bënë me dëshirën e tyre,

4 duke na u lutur me gjithë shpirt që t’u bëhej një nder duke i lejuar të merrnin pjesë në këtë shërbim në dobi të shenjtërve.

5 Madje, duke tejkaluar shpresat tona, ata iu dhanë më parë Zotit dhe pastaj neve sipas vullnetit të Perëndisë.

6 Kështu që ne iu lutëm Titit, që meqë e kishte filluar, ta përfundonte midis jush këtë vepër hiri.

7 Por siç dalloheni në gjithçka, në besim, në fjalë, në dije, në çdo përkujdesje dhe në dashurinë tuaj për ne, ashtu dallohuni edhe në këtë vepër bujarie.

8 Nuk po e them këtë si urdhër, por vetëm për të vënë në provë çiltërsinë e dashurisë suaj nëpërmjet kujdesit për të tjerët.

9 Sepse ju e dini hirin e Zotit tonë Jezus Krisht, që megjithëse ishte i pasur, u bë i varfër për ju, që ju të bëheshit të pasur nëpërmjet varfërisë së Tij.

10 Lidhur me këtë po jap mendimin tim, sepse kjo është për dobinë tuaj; një vit si sot ju ishit të parët që jo vetëm filluat të jepnit por edhe shprehët dëshirën për ta bërë këtë.

11 Por tani përfundojeni atë që nisët, që siç ishit të gatshëm për të shprehur dëshirën, po ashtu të jeni të gatshëm për ta realizuar brenda mundësive tuaja.

12 Sepse kur njeriu tregohet i gatshëm, kjo gjë është e mirëpritur sipas asaj që dikush ka, jo sipas asaj që nuk ka.

13 Nuk duam që disa të shtrëngohen për të lehtësuar të tjerët, por që të ketë barazi.

14 Tani për tani bollëku juaj të plotësojë nevojën e tyre, që edhe bollëku i tyre të plotësojë nevojën tuaj, në mënyrë që të ketë barazi,

15 siç është shkruar: “Ai që mblodhi shumë nuk kishte me tepri dhe ai që mblodhi pak nuk kishte mangësi.”

16 Por i qofshim falë Perëndisë, që i shtiu në zemër Titit po atë përkujdesje për ju.

17 Sepse Titi jo vetëm që e pranoi lutjen tonë, por meqë ishte shumë i zellshëm, me dëshirën e vet doli për të ardhur te ju.

18 Bashkë me të dërguam vëllanë, i cili është lëvduar në të gjitha kishat për shërbimin e tij ndaj ungjillit;

19 dhe për më tepër, ai është zgjedhur prej kishave që të na shoqërojë në këtë vepër hiri, që ne po kryejmë për lavdinë e Vetë Zotit dhe për të treguar vullnetin tonë të mirë.

20 Po marrim masa që askush të mos na qortojë për punën tonë në qeverisjen e kësaj dhurate të bollshme,

21 sepse ne kujdesemi që të bëjmë ç’është e mirë, jo vetëm para Zotit, por edhe para njerëzve.

22 Bashkë me ta kemi dërguar vëllanë tonë, zellin e të cilit e kemi provuar shpeshherë në shumë punë, por tani ai është më i zellshëm se asnjëherë, për shkak të besimit të madh që ka në ju.

23 Sa për Titin, ai është bashkëpjesëtar me mua dhe bashkëpunëtor në shërbimin tuaj; sa për vëllezërit tanë, ata janë përfaqësues të kishave dhe lavdi e Krishtit.

24 Prandaj tregojuni atyre hapur përpara kishave provën e dashurisë suaj dhe të mburrjes sonë për ju.

Kapitulli 9

1 Sa për shërbimin në dobi të shenjtërve është e tepërt për mua t’ju shkruaj,

2 sepse e di mirë gatishmërinë tuaj dhe mburrem për të para maqedonasve, duke thënë që ju në Akai keni qenë gati për të dhënë që vjet dhe zelli juaj i ka nxitur shumë prej tyre.

3 Por vëllezërit i kam dërguar, që mburrja jonë për ju të mos dalë e kotë në këtë pikë, që, siç e kam thënë, ju të jeni të përgatitur;

4 se mos vijnë maqedonasit me mua dhe ju gjejnë të papërgatitur; dhe neve të na skuqet fytyra, për të mos thënë edhe juve, për këtë besimin tonë te ju.

5 Prandaj e pashë të domosdoshme t’u lutem vëllezërve që të vijnë para meje te ju dhe të përgatisin përpara dhuratën bujare të premtuar që më parë, që kjo të jetë gati si dhuratë bujare dhe jo si kërkesë prej nesh.

6 Këtë dua të them, ai që mbjell me koprraci, me koprraci do të korrë dhe ai që mbjell me bujari, me bujari do të korrë.

7 Secili të japë si ta ketë vendosur në zemrën e vet; jo me zemër të thyer ose me pahir, sepse Perëndia do atë që jep me gëzim.

8 Perëndia mund të bëjë që hiri të mbushullojë në ju, sepse duke pasur gjithmonë gjërat e nevojshme për gjithçka, të mund t’i kryeni me bujari veprat e mira.

9 Siç është shkruar: “Ai shpërndau, u dha të varfërve; drejtësia e Tij mbetet për jetë.”

10 Ai që i jep farën atij që mbjell dhe bukën për ushqim, do të sigurojë dhe do të shumojë edhe farën tuaj dhe do të rritë frytin e drejtësisë suaj.

11 Kështu do të jeni të pasur për çdo bujari, e cila pastaj do të bëjë që t’i ngrihet një himn falënderimi Perëndisë nëpërmjet nesh.

12 Sepse kryerja e kësaj shërbese jo vetëm që i përmbush nevojat e shenjtërve, por gjithashtu ka vlerë më të madhe nëpërmjet falënderimeve të shumta Perëndisë.

13 Për shkak të provës që ka dhënë ky shërbim, ata i japin lavdi Perëndisë për bindjen që tregoni ndaj ungjillit të Krishtit dhe për bujarinë e ndihmesës suaj ndaj tyre dhe ndaj gjithë të tjerëve,

14 në një kohë kur edhe atyre, në lutjen që bënin për ju, u digjet zemra për ju për shkak të hirit tepër të madh që ju ka dhënë Perëndia.

15 I qofshim falë Perëndisë për dhuratën e Tij të parrëfyeshme!

Kapitulli 10

1 Unë vetë, Pali, ju bëj thirrje nëpërmjet zemërbutësisë dhe mirësisë së Krishtit, unë, që përballë jush jam kaq i ndrojtur, por që bëhem trim me ju, kur jam larg jush.

2 Ju përgjërohem që kur të jem aty të mos më duhet të tregohem edhe aq i guximshëm sa mendoj të jem ndaj disa njerëzve, të cilët mendojnë se ne ecim sipas mishit.

3 Sepse megjithëse jetojmë në mish, ne nuk luftojmë sipas mishit.

4 Sepse armët e luftës sonë nuk janë armë të kësaj bote, por kanë fuqi prej Perëndisë për të rrënuar fortesat, duke hedhur poshtë argumentat

5 dhe çdo pretendim që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë dhe çdo mendje e bëjmë rob që t’i bindet Krishtit.

6 Jemi gati të ndëshkojmë çdo mosbindje, sapo bindja juaj të jetë e plotë.

7 Ju i shikoni gjërat sipas pamjes së jashtme. Nëse dikush është i bindur në vetvete se i përket Krishtit, le ta mendojë edhe një herë me veten e vet, se siç i përket ai Krishtit, po ashtu i përkasim edhe ne.

8 Sepse, edhe po të mburresha disi më tepër për autoritetin që na ka dhënë Zoti për t’ju ngritur dhe jo për t’ju shkatërruar, nuk do ta quaja për turp.

9 Nuk dua të dukem sikur përpiqem t’ju frikësoj me letrat e mia.

10 Sepse dikush thotë: “Letrat e tij vërtet janë me peshë dhe të fuqishme, por prania e tij me trup është e dobët dhe fjala e tij pa asnjë vlerë.”

11 Njerëz të tillë duhet të mendojnë këtë, që siç jemi me fjalë në letrat tona kur nuk jemi aty, të këtillë do të jemi edhe me vepra, kur do të jemi të pranishëm.

12 Sepse nuk guxojmë ta rendisim ose ta krahasojmë veten me disa që rekomandojnë vetveten; por kur ata e masin veten me veten e tyre dhe krahasojnë veten me veten e tyre, ata janë pa mend.

13 Megjithatë, ne nuk do të mburremi përtej masës, por do të kufizohemi brenda fushës që na ka caktuar Perëndia, që të mund të arrijmë deri tek ju.

14 Sepse nuk po e kalojmë cakun me mburrjen tonë, siç mund të ndodhte po të mos kishim arritur te ju, sepse deri te ju kemi ardhur me ungjillin e Krishtit;

15 as nuk e kalojmë cakun duke u mburrur me mundin e të tjerëve, por shpresojmë se me rritjen e besimit tuaj, fusha jonë e veprimit ndër ju do të zgjerohet edhe më shumë,

16 që të predikojmë ungjillin në zonat përtej jush, sepse nuk duam të mburremi për ato që janë kryer në fushën e një tjetri.

17 Por ai që mburret, le të mburret në Zotin.

18 Sepse nuk miratohet ai që rekomandon vetveten, por ai të cilin e rekomandon Zoti.

Kapitulli 11

1 Sa do të doja që të duronit pak marrëzi nga ana ime dhe vërtet ju po më duroni.

2 Ushqej për ju një xhelozi Perëndie; sepse ju fejova me një burrë të vetëm për t’ju paraqitur te Krishti si një virgjëreshë të dëlirë.

3 Por kam frikë se ashtu siç mashtroi gjarpëri Evën me dinakërinë e vet, po ashtu edhe mendimet tuaja do të prishen duke u larguar nga thjeshtësia dhe pastërtia ndaj Krishtit.

4 Sepse, nëse vjen dikush që predikon një Jezus tjetër nga Ai që kemi predikuar ne, ose po të merrnit një frymë tjetër nga ç’keni marrë, ose një ungjill tjetër nga ai që keni pranuar, do ta duronit fort bukur.

5 Mendoj se kurrë nuk kam qenë më i pakët se apostujt më të lartë.

6 Mund të jem i pastërvitur në fjalë, por megjithatë njohuri kam; në fakt, jua kemi bërë të qartë me të gjitha mënyrat dhe në gjithçka.

7 Apo kam bërë ndonjë mëkat që e ula veten për t’ju lartësuar ju, duke jua predikuar falas ungjillin e Perëndisë?

8 Kam zhveshur kisha të tjera, duke u marrë pagë për jetesë, me qëllim që t’ju shërbeja juve.

9 Kur isha me ju dhe, kur kisha nevojë, nuk iu bëra barrë askujt, sepse kur erdhën vëllezërit nga Maqedonia, m’i plotësuan të gjitha nevojat që kisha. Në çdo gjë u ruajta dhe vazhdoj të ruhem që mos ju bëhem barrë.

10 Meqë e vërteta e Krishtit është në mua, askush nuk do ta pengojë këtë mburrje timen në krahinat e Akaisë.

11 Pse? Se nuk ju dua? Perëndia e di!

12 Por atë që po bëj, do të vazhdoj ta bëj, që të mos u jap shkas atyre që presin rastin të dalin njësoj me ne për atë që ata mburren.

13 Sepse njerëz të këtillë janë apostuj të rremë, punëtorë hileqarë, që hiqen si apostuj të Krishtit.

14 Dhe nuk është çudi, se edhe vetë Satani hiqet si engjëll drite.

15 Prandaj nuk është për t’u habitur, nëse edhe shërbyesit e tij e heqin veten si shërbyes të drejtësisë, por fundi i tyre do të jetë sipas veprave të tyre.

16 Përsëri po e them, askush të mos më quajë si të marrë; por në e bëfshi këtë, edhe si të marrë më pranoni, që edhe unë të mburrem pakëz.

17 Atë që flas, nuk e them siç do të fliste Zoti, por siç do të vepronte një i marrë, me këtë bindje që kam se mund të mburrem.

18 Meqenëse shumë veta mburren sipas mishit, atëherë do të mburrem edhe unë.

19 Sepse me kënaqësi i duroni të marrët, ju që jeni të mençur.

20 Në të vërtetë ju duroni ata që ju bëjnë skllevër, që ju përpijnë, që ju shfrytëzojnë, që janë arrogantë, që ju godasin në fytyrë

21 Me turp e them se kemi qenë të dobët. Por për atë që mund të guxojë të mburret dikush, po flas si i marrë, për atë edhe mua nuk do të më mungojë guximi të mburrem.

22 Janë hebrenj? Edhe unë hebre jam. Janë izraelitë? Edhe unë izraelit jam. Janë pasardhës të Abrahamit. Edhe unë i tillë jam.

23 Janë shërbëtorë të Krishtit? (Po flas si i marrë) Unë ca më tepër; jam munduar më shumë, kam qenë më shpesh në burgje, jam i rrahur më ashpër, shpeshherë në rrezik vdekjeje.

24 Pesë herë kam marrë nga judenjtë dyzet kamxhikë pa një.

25 Tri herë më rrahën me shkopinj, një herë me qëlluan me gurë, tri herë m’u mbyt anija, një natë e një ditë e kam kaluar në det të hapur,

26 shpeshherë në udhëtime, në rreziqe nga lumenjtë, në rreziqe nga kusarët, në rreziqe prej njerëzve të mi, në rreziqe nga kombet, në rreziqe në qytet, në rreziqe në shkretëtirë, në rreziqe në det, në rreziqe mes vëllezërve të rremë,

27 në lodhje e në mundim, shpeshherë pa gjumë, me uri dhe etje, shpeshherë pa bukë, në të ftohtë e në lakuriqësi.

28 Përveç gjërave të tjera, shqetësimi im i përditshëm është kujdesi për të gjitha kishat.

29 Kush është i dobët, që të mos jem edhe unë i tillë? Kush ka shkandulluar dhe unë nuk jam djegur përbrenda?

30 Nëse duhet të mburrem, do të mburrem për ato që lidhen me dobësinë time.

31 Perëndia dhe Ati i Zotit Jezus, Ai që është përjetë i bekuar, e di që nuk po gënjej.

32 Në Damask qeveritari i mbretit Areta ruante qytetin e damaskasve që të më kapnin.

33 Por më zbritën nga një dritare nëpërmjet murit, në një kosh, dhe shpëtova nga duart e tij.

Kapitulli 12

1 Mburrja duhet; megjithëse nuk e vlen, do të vazhdoj me vegimet dhe zbulesat e Zotit.

2 Njoh një njeri në Krishtin, i cili katërmbëdhjetë vjet më parë (a ishte në trup, a ishte jashtë trupit, këtë nuk e di, por Perëndia e di) u rrëmbye deri në të tretin qiell.

3 Dhe e di se ky njeri (a në trup a veç trupit nuk e di, por Perëndia e di)

4 u rrëmbye në parajsë dhe dëgjoi fjalë që nuk shprehen dhe që nuk lejohet të thuhen nga njeriu.

5 Për një njeri të këtillë do të mburrem; por nuk do të mburrem për veten time, me përjashtim të dobësive.

6 Sigurisht po të doja të mburresha, nuk do të isha pa mend, sepse do të thosha të vërtetën; por po përmbahem, që askush të mos më vlerësojë më shumë se ajo që sheh apo dëgjon prej meje.

7 Që të mos më rritej mendja së tepërmi për shkak të numrit shumë të madh të zbulesave, m’u vu një gjemb në mish, një i dërguar i Satanit, që të më bjerë me grushte se mos më rritej mendja.

8 Për këtë tri herë iu përgjërova Zotit që të ma largonte prej meje.

9 Ai më tha: “Të mjafton hiri Im, sepse fuqia përsoset në dobësi.” Prandaj, me gëzim edhe më të madh do të mburrem për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të qëndrojë tek unë.

10 Prandaj, kënaqem për dobësitë e mia, në fyerjet, në nevojat, në përndjekjet, në ankthet, për hir të Krishtit, sepse kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.

11 Jam bërë i marrë, por ju më detyruat. Duhej të rekomandohesha prej jush, sepse nuk jam aspak më poshtë se apostujt e lartë, edhe pse jam një hiç.

12 Ato që e dallojnë apostullin, shenjat, çudirat dhe mrekullitë, u kryen vërtet midis jush me këmbëngulje të madhe.

13 Sepse në ç’gjë mbetët ju më prapa se pjesa tjetër e kishave, veç faktit që unë vetë nuk u bëra kurrë barrë për ju? Ma falni këtë fyerje.

14 Ja, kjo është e treta herë që bëhem gati të vij te ju dhe nuk do t’i rëndohem kujt; sepse nuk kërkoj të mirat tuaja, por ju; sepse fëmijët nuk janë të detyruar të kursejnë për prindërit, por prindërit për fëmijët.

15 Me kënaqësi do të shpenzoj dhe do të shpenzohem për shpirtrat tuaja. Po t’ju dua më shumë, a do të më doni më pak?

16 Por ashtu qoftë, unë nuk kam qenë barrë për ju; megjithatë si i shkathët që jam, ju zura me dredhi.

17 Mos vallë ju kam shfrytëzuar me anë të ndonjërit prej atyre që ju kam dërguar?

18 Iu luta Titit dhe bashkë me të dërgova edhe vëllanë tonë. Mos vallë ju ka shfrytëzuar Titi? A nuk kemi ecur në të njëjtën frymë? A nuk ecëm në po ato gjurmë?

19 Gjithë këtë kohë keni menduar se po mbrohemi para jush? Por ne kemi folur para Perëndisë si ata në Krishtin; të gjitha që bëjmë, o të dashur, janë për ndërtimin tuaj.

20 Sepse kam frikë se mos, kur të vij, nuk ju gjej ashtu si dëshiroj dhe ju të mos më gjeni ashtu si dëshironi; se mos ka grindje, zili, mërira, sherr, përgojime, thashetheme, mburrje, trazira;

21 se mos, kur të vij përsëri, Perëndia im më përul përpara jush dhe më duhet të vajtoj për shumë nga ata që kanë mëkatuar më parë dhe nuk janë penduar për fëlliqësinë, përdaljen dhe shthurjen që kanë kryer.

Kapitulli 13

1 Kjo është e treta herë që vij te ju. Çdo çështje duhet të vendoset me gojën e dy ose tre dëshmitarëve.

2 E kam thënë më parë, kur isha herën e dytë, dhe tani, që nuk jam, po ua them paraprakisht atyre që kanë mëkatuar më parë si dhe të gjithë të tjerëve, se po të vij përsëri, nuk do të kursej njeri,

3 meqenëse kërkoni provë që Krishti flet nëpërmjet meje. Ai nuk është i dobët ndaj jush, por është i fuqishëm në mes jush.

4 Sepse, vërtet Ai u kryqëzua prej dobësisë, por jeton prej fuqisë së Perëndisë. Po ashtu, edhe ne jemi të dobët në Atë, por do të jetojmë bashkë me Të prej fuqisë së Perëndisë për t’ju shërbyer juve.

5 Shqyrtoni veten tuaj për të parë nëse jeni në besim, vëreni në provë veten tuaj! Apo nuk e kuptoni se Jezus Krishti është në ju? Veç po të jeni rrëzuar në provë.

6 Shpresoj se do ta merrni vesh se ne nuk jemi rrëzuar në provë.

7 I lutemi Perëndisë që ju të mos bëni asnjë të keqe, jo që të dukemi se e kaluam provën, por që ju të bëni të mirën edhe sikur ne të dukemi të pamiratuar.

8 Sepse nuk mund të bëjmë ndonjë gjë kundër së vërtetës, por vetëm për të vërtetën.

9 Prandaj gëzohemi kur ne jemi të dobët, ndërsa ju jeni të fortë; edhe për këtë lutemi, që ju të jeni të përkryer.

10 Prandaj i shkruaj këto duke qenë larg jush, që kur të jem aty, të mos sillem në mënyrë të ashpër, sipas pushtetit që më ka dhënë Zoti për ndërtimin dhe jo për shkatërrimin tuaj.

11 Më në fund, o vëllezër, gëzohuni, bëhuni të përkryer, ngushëllohuni, jini në një mendje, jetoni në paqe. Dhe Perëndia i dashurisë dhe i paqes do të jetë me ju.

12 Përshëndeteni njëri-tjetrin me një puthje të shenjtë.

13 Të gjithë shenjtërit ju përshëndesin.

14 Hiri i Zotit Jezus Krisht, dashuria e Perëndisë dhe shoqërimi i Frymës së Shenjtë qofshin me ju të gjithë.