Kapitulli:  1  2  3  4  5  6  7  8  9  10  11  12  13  14  15  16  17  18  19  20  21  22  23  24  25  26  27  28  29  30  31  32  33  34  35  36  37  38  39  40  41  42  43  44  45  46  47  48  49  50  51  52  53  54  55 56  57  58  59  60  61  62  63  64  65  66

Isaia – Kapitulli 1

1 Vegimi i Isaias, birit të Amotsit, që ai pa për Judën dhe Jeruzalemin në ditët e Uziahut, të Jothamit, të Ashazit dhe të Ezekias; mbretër të Judës;

2 Dëgjoni; o qiej; dhe dëgjo, o tokë, sepse Zoti ka folur: “Kam edukuar fëmijë dhe i rrita, ata u rebeluan kundër meje.

3 Kau e njeh të zotin e tij dhe gomari grazhdin e zotërisë së tij, por Izraeli nuk ka dije dhe populli im nuk ka mend”.

4 Mjerë, komb mëkatar, popull i ngarkuar me paudhësi, racë keqbërësish, bij që veprojnë në mënyrë të çoroditur! Kanë braktisur Zotin, kanë përçmuar të Shenjtin e Izraelit, kanë devijuar dhe janë kthyer prapa.

5 Pse doni që të goditeni edhe më? Do të ngrinit krye edhe më tepër. Gjithë koka është e sëmurë, gjithë zemra lëngon.

6 Nga tabani i këmbës deri te koka nuk ka asgjë të shëndoshë; vetëm plagë, vurrata dhe plagë të hapura, që nuk janë as pastruar, as lidhur as qetësuar me vaj.

7 Vendi juaj është shkretuar, qytetet tuaja janë djegur nga zjarri, tokën tuaj e përpijnë të huajtë para syve tuaj; është si një shkretim sikur ta kishin shkatërruar të huajtë.

8 Kështu bija e Sionit ka mbetur si një karakollë në një vresht, si një kasolle në një arë me shalqi, si një qytet i ngujuar.

9 Në qoftë se Zoti i ushtrive nuk do të na kishte lënë një mbetje të vogël, do të ishim si Sodoma, do t’i ngjisnim Gomorrës.

10 Dëgjoni fjalën e Zotit, o krerë të Sodomës, verini veshin ligjit të Perëndisë tonë, o popull i Gomorrës!

11 “Ç’më duhet shumica e flijimeve tuaja, thotë Zoti. Jam ngopur nga olokaustet e deshve dhe nga dhjami i kafshëve të majme; gjakun e demave, të qengjave dhe të cjepve nuk e pëlqej.

12 Kur vini të paraqiteni përpara meje, kush ua ka kërkuar këtë, që të shkelni oborret e mia?

13 Mos sillni më blatime të kota; temjani është neveri për mua; nuk mund t’i duroj hënat e reja dhe të shtunat, thirrjen e asambleve dhe paudhësinë bashkë me mbledhjet e shenjta.

14 Unë i urrej hënat e reja tuaja dhe festat tuaja solemne; janë një barrë për mua, jam lodhur duke i duruar.

15 Kur i shtrini duart tuaja, unë i fsheh sytë e mi nga ju; edhe kur i shumoni lutjet tuaja, unë nuk dëgjoj; duart tuaja janë tërë gjak.

16 Lahuni, pastrohuni, largoni nga prania ime ligësinë e veprimeve tuaja, mos bëni më keq.

17 Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë, ndihmoni të shtypurin, sigurojini drejtësi jetimit, mbroni çështjen e gruas së ve.

18 Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi.

19 Në rast se jeni të gatshëm të bindeni, do të hani gjërat më të mira të vendit;

20 por në rast se refuzoni dhe rebeloheni, do t’ju përpijë shpata”, sepse goja e Zotit ka folur.

21 Si bëhet që qyteti besnik është shndërruar në një prostitutë? Ishte plot ndershmëri, drejtësia qëndronte në të, por tani aty banojnë vrasësit.

22 Argjendi yt është bërë zgjyrë, vera jote është holluar me ujë.

23 Princat e tu janë rebelë dhe shokë me hajdutët; të gjithëve u pëlqejnë dhuratat dhe turren pas shpërblimeve. Nuk i sigurojnë drejtësi jetimit dhe çështja e gruas së ve nuk arrin para tyre.

24 Prandaj Perëndia, Zoti i ushtrive, i Fuqishmi i Izraelit thotë: “Po, do të hakmerrem me kundërshtarët e mi, do të marr hak me armiqtë e mi.

25 Do ta vë përsëri dorën time mbi ty, do të të pastroj nga zgjyrat e tua si me sodën dhe do të heq tërë plumbin tënd.

26 Do të rivendos gjyqtarët e tu siç ishin në krye dhe këshilltarët e tu siç ishin në fillim. Mbas kësaj do të quhesh “qyteti i drejtësisë”, “qyteti besnik”.

27 Sioni do të çlirohet me anë të drejtës dhe ata që do të pendohen me anë të drejtësisë.

28 Por rebelët dhe mëkatarët do të shkatërrohen së bashku, dhe ata që braktisin Zotin do të shfarosen.

29 Atëherë do t’ju vijë turp për lisat që keni dashur dhe do të skuqeni për kopshtet që keni zgjedhur.

30 Sepse do të jeni si një lis me gjethe të fishkura dhe si një kopësht pa ujë.

31 Njeriu i fortë do të jetë si kallamishtet dhe vepra e tij si një shkëndijë; do të digjen të dy bashkë dhe askush nuk do t’i shuajë”.

Isaia – Kapitulli 2

1 Fjala që Isaia, bir i Amotsit, pati si vegim lidhur me Judën dhe Jeruzalemin.

2 Në ditët e fundit do të vij që mali ku ndodhet shtëpia e Zotit do të vendoset në majën e maleve dhe do të ngrihet mbi disa kodra, dhe këtu do të vershojnë tërë kombet.

3 Shumë popuj do të vijnë duke thënë: “Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij”. Sepse nga Sioni do të dalë ligji dhe nga Jeruzalemi fjala e Zotit.

4 Ai do të sigurojë drejtësi midis kombeve dhe do të qortojë shumë popuj. Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.

5 O shtëpi e Jakobit, ejani dhe të ecim në dritën e Zotit!

6 Sepse ti, o Zot, ke braktisur popullin tënd, shtëpinë e Jakobit, sepse janë plot me praktika lindore, ushtrojnë magjinë si Filistejtë, lidhin aleanca me bijtë e të huajve.

7 Vendi i tyre është plot me argjend dhe me ar dhe thesaret e tyre nuk kanë fund; vendi i tyre është plot me kuaj dhe qerret e tyre s’kanë të sosur.

8 Vendi i tyre është plot me idhuj; bien përmbys përpara veprës së vetë duarve të tyre, përpara atyre gjërave që kanë bërë gishtat e tyre.

9 Prandaj njeriu i zakonshëm përulet dhe njeriu i shquar ulet, por ti nuk i fal.

10 Hyr në shkëmb dhe fshihu në pluhurin përpara tmerrit të Zotit dhe përpara shkëlqimit të madhërisë së tij.

11 Vështrimi krenar i njeriut do të ulet dhe krenaria e vdekatarëve do të përulet; vetëm Zoti do të lartësohet atë ditë.

12 Sepse dita e Zotit të ushtrive do të vijë kundër çdo gjëje krenare dhe kryelartë dhe kundër çdo gjëje që ngrihet, për ta ulur,

13 kundër gjithë kedrave të Libanit, të lartë dhe të ngritur, dhe kundër të gjitha lisave të Bashanit,

14 kundër të gjitha maleve të larta dhe kodrave të larta;

15 kundër çdo kulle shumë të lartë dhe kundër çdo muri të fortifikuar,

16 kundër gjithë anijeve të Tarshishit dhe kundër të gjitha gjërave të këndshme.

17 Kryelartësia e njeriut do të ulet dhe krenaria e njerëzve të shquar do të përulet; vetëm Zoti do të lartësohet atë ditë.

18 Idhujt do të hiqen plotësisht.

19 Njerëzit do të hyjnë në shpellat e shkëmbinjve dhe në guvat e tokës përpara tmerrit të Zotit dhe shkëlqimit të madhërisë së tij, kur do të ngrihet për ta bërë tokën të dridhet.

20 Në këtë ditë njerëzit do t’ua hedhin minjve dhe lakuriqve të natës idhujt e tyre prej argjendi dhe idhujt e tyre prej ari, që i kanë prodhuar për t’i adhuruar,

21 për t’u futur në të çarat e shkëmbinjve dhe në greminat e krepave para tmerrit të Zotit dhe shkëlqimit të madhërisë së tij, kur do të ngrihet për ta bërë tokën të dridhet.

22 Mos kini më besim te njeri, në flegrat e të cilit nuk ka veç se një frymë; si mund të mbështetesh te ai?

Isaia – Kapitulli 3

1 Ja, Perëndia, Zoti i ushtrive, është duke i hequr Jeruzalemit dhe Judës çdo mbështetje dhe përkrahje, çdo mbështjetje me bukë dhe çdo mbështetje me ujë;

2 trimin dhe luftëtarin, gjyqtarin dhe profetin, falltarin dhe plakun,

3 komandantin e një pesëdhjetësheje dhe parinë, këshilltarin, ekspertin në artet magjike dhe yshtësin e shkathët.

4 Do t’u jap atyre djem si princa dhe fëmijë do t’i sundojnë.

5 Populli do të jetë i shtypur, njeri nga tjetri, dhe secili nga i afërmi i tij; fëmija do të jetë i pasjellshëm me plakun, njeriu i keq me njeriun e nderuar.

6 Dikush do të kapë vëllanë e vet në shtëpinë e atit të tij dhe do t’i thotë: “Ti ke një mantel, bëhu i pari ynë dhe kujdesu për këtë shkatërrim”.

7 Por atë ditë ai do të deklarojë solemnisht duke thënë: “Unë nuk do t’i lidh plagët tuaja, sepse në shtëpinë time nuk ka as bukë as mantel; mos më vini të parë të popullit”.

8 Në fakt Jeruzalemi dridhet dhe Juda po bie, sepse gjuha e tyre dhe veprat e tyre janë kundër Zotit, për të provokuar zemërimin e vështrimit të madhërisë së tij.

9 Anësia e tyre me personat dëshmon kundër tyre, ata vënë në dukje mëkatin e tyre si Sodoma dhe nuk e fshehin. Mjerë ata, sepse i bëjnë keq vetes së tyre.

10 I thoni të drejtit se do t’i dalë mirë, sepse do të hajë frytin e veprave të tij.

11 Mjerë i pabesi! Do t’i bjerë mbi kokë fatkeqësia, sepse do t’i jepet ajo që duart e tij kanë përgatitur.

12 Shtypësit e popullit tim janë fëmijë, dhe gratë sundojnë mbi të. O populli im, ata që të udhëheqin të çojnë jashtë rruge dhe shkatërrojnë shtegun që ti përshkon.

13 Zoti paraqitet për të paditur dhe zë vend për të gjykuar popujt.

14 Zoti hyn në gjyq me pleqtë e popullit të tij dhe me princat e tij: “Jeni ju që e keni përpirë vreshtin; trupat pa jetë të të varfërve ndodhen në shtëpitë tuaja.

15 Çfarë të drejte keni të merrni nëpër këmbë popullin tim dhe të shtypni fytyrën e të varfërve?”, thotë Perëndia, Zoti i ushtrive.

16 Zoti thotë akoma: “Me qenë se vajzat e Sionit janë fodulle dhe ecin qafëpërpjetë dhe me vështrime provokuese, duke ecur me hapa të vogla dhe duke bërë të tringëllojnë unazat që mbajnë te këmbët e tyre,

17 Zoti do të godasë me zgjebe majën e kokës së vajzave të Sionit dhe Zoti do të nxjerrë në shesh turpet e tyre”.

18 Atë ditë Zoti do të heqë stolinë e unazave të kyçeve të këmbës, diejtë e vegjël dhe hënëzat,

19 vathët, byzylykët dhe velot,

20 çallmat, zinxhirët e vegjël te këmbët, rrypat e brezit, enët e parfumeve dhe hajmalitë,

21 unazat, xhevahiret për hundë,

22 rrobat për festë, mantelet e vogla, shallët dhe çantat e vogla,

23 pasqyrat, këmishëzat, kapuçët dhe robëdëshambrët.

24 Dhe do të ndodhë që në vend të parfumit të ketë kalbësira, në vend të brezit një litar, në vend të kaçurelave shogësi, në vend të një veshjeje të kushtueshme një thes i ngushtë, një damkë zjarri në vend të bukurisë.

25 Njerëzit e tu do të bien nga shpata, dhe trimat e tu në betejë.

26 Portat e saj do të vajtojnë dhe do të mbajnë zi; e dëshpëruar ajo do të ulet për tokë.

Isaia – Kapitulli 4

1 Po atë ditë shtatë gra do të kapin një burrë dhe do t’i thonë: “Ne do të hamë bukën tonë dhe do të vishemi me rrobat tona; vetëm na lër të mbajmë emrin tënd, për të hequr turpin tonë”.

2 Po atë ditë filizi i Zotit do të jetë gjithë shkëlqim dhe lavdi, dhe fryti i tokës do të jetë krenaria dhe zbukurimi i të shpëtuarve të Izraelit.

3 Dhe ka për të ndodhur që ata që do të kenë mbetur në Sion dhe ai që do të mbijetojë në Jeruzalem do të quhet i shenjtë, domethënë kushdo që në Jeruzalem figuron i shkruar ndër të gjallët.

4 Kur Zoti të ketë larë shëmtirat e bijave të Sionit dhe të ketë zhdukur gjakun nga mesi i Jeruzalemit me frymën e drejtësisë dhe me frymën e shfarosjes,

5 atëherë Zoti do të krijojë mbi çdo banesë të malit Sion dhe në kuvendet e tij një re tymi gjatë ditës dhe një shkëlqim zjarri flakërues gjatë natës, sepse mbi tërë lavdinë do të ketë një mbrojtje.

6 Dhe do të ketë një çadër që do të shërbejë për të bërë hije kundër të nxehtit të ditës, si dhe për të shërbyer si strehë dhe mbrojtje kundër furtunës dhe shiut.

Isaia – Kapitulli 5

1 Dua të këndoj për të dashurin tim një kantik të mikut tim lidhur me vreshtin e tij. I dashuri im kishte një vresht mbi një kodrinë shumë pjellore.

2 E rrethoi me një gardh, hoqi gurët, mbolli hardhi të cilësisë më të mirë, ndërtoi në mes një kullë dhe bëri një trokull. Ai priste që të prodhonte rrush të mirë, kurse prodhoi rrush të egër.

3 Kështu, pra, o banorë të Jeruzalemit dhe njerëz të Judës, gjykoni midis meje dhe vreshtit tim.

4 Çfarë mund t’i kisha bërë vreshtit tim që nuk ia kam bërë? Pse, ndërsa unë prisja të më jepte rrush të mirë, ajo më dha rrush të egër?

5 Por tani do t’ju njoftoj atë që gatitem të bëj me vreshtin tim: do ta heq gardhin dhe do ta përpihet krejt, do të shemb murin e tij dhe atë do ta shkelin.

6 Do ta katandis në një shkretëtirë: as nuk do ta krasit as nuk do ta punoj me shatë, por do të mbijnë ferra dhe gjemba; dhe do të urdhëroj retë që të mos bjerë shi, fare.

7 Vreshti i Zotit të ushtrive është shtëpia e Izraelit, dhe njerëzit e Judës janë mbëltesa e kënaqësisë së tij. Ai priste ndershmëri, dhe ja, gjakderdhje, priste drejtësi dhe ja, britma ankthi.

8 Mjerë ata që i shtojnë shtëpisë një shtëpi tjetër, që bashkojnë një arë me një arë tjetër, deri sa të mos ketë më vend, dhe kështu të mbeten të vetmuar për të banuar në mes të vendit.

9 Në veshët e mi Zoti i ushtrive është betuar: “Në të vërtetë shumë shtëpi do të shkretohen, shtëpi të bukura dhe të mëdha do të mbeten pa banorë”.

10 Sepse dhjetë jugerë vresht do të prodhojnë vetëm një bato dhe një homer fare do të prodhojë vetëm një efa.

11 Mjerë ata që ngrihen herët në mëngjes për t’u turrur pas pijeve dehëse dhe vonohen deri në mbrëmje sa të flakërohen nga vera!

12 Në banketet e tyre ka qeste, harpa, dajre, fyell dhe verë, por ata nuk i kushtojnë kujdes veprës së Zotit dhe nuk marrin parasysh atë që ai ka bërë me duart e tij.

13 Prandaj populli im shkon në robëri për mungesë njohurie, fisnikëria e tij vdes nga uria dhe turma e tij do të digjet nga etja.

14 Prandaj Sheoli ka zmadhuar gojën e tij dhe e ka hapur gojën e tij jashtë mase, dhe në të do të zbresin lavdia e tij, turma e tij, zhurma e tij dhe ai që feston në të.

15 Njeriu i zakonshëm do të përulet, njeriu i rëndësishëm do të ulet dhe sytë e krenarëve do të përulen.

16 Por Zoti i ushtrive do të jetë lartësuar në gjyq, dhe Perëndia i shenjtë do të tregohet i shenjtë në drejtësi.

17 Atëherë qengjat do të kullosin si në kullotat e tyre dhe të huajtë do të përpijnë arat e shkretuara të të pasurve.

18 Mjerë ata që tërheqin padrejtësinë me litarët e falsitetit dhe mëkatin si me litarët e qerres,

19 dhe thonë: “Le ta bëjë shpejt, le ta kryejë veprën e tij, që të mund ta shohim. Le të afrohet dhe të kryhet plani i të Shenjtit të Izraelit që të mund ta shohim”.

20 Mjerë ata që e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën, që ndërrojnë terrin në dritë dhe dritën në terr, që ndërrojnë hidhësirën në ëmbëlsi dhe ëmbëlsinë në hidhësi!

21 Mjerë ata që janë të urtë në sytë e tyre dhe të zgjuar para vetvetes!

22 Mjerë kampionëve në pirjen e verës dhe të shkathtëve në përzierjen e pijeve dehëse,

23 që e nxjerrin të pafajshëm njeriun e keq për një dhuratë dhe ia mohojnë të drejtit të drejtën e tij!

24 Prandaj, ashtu si një gjuhë zjarri përpin kallamishtet dhe flaka konsumon kashtën, kështu rrënja e tyre do të hiqet si një kalbësirë dhe lulja e tyre do të hiqet si të ishte pluhur, sepse kanë hedhur poshtë ligjin e Zotit të ushtrive dhe kanë përçmuar fjalën e të Shenjtit të Izraelit.

25 Për këtë zemërimi i Zotit është ndezur kundër popullit të tij; ai ka shtrirë dorën e vet kundër tij dhe e ka goditur; kështu malet u drodhën dhe kufomat e tyre rrinë si mbeturina në mes të rrugëve; megjithëkëtë zemërimi i tij nuk është qetësuar dhe dora e tij rri e shtrirë.

26 Ai do të ngrerë një flamur për kombet e largëta dhe do t’u fërshëllejë nga skajet e tokës; dhe ja, ato do të vijnë shpejt dhe menjëherë.

27 Asnjë prej tyre nuk do të jetë i lodhur ose do të lëkundet, asnjë nuk ka për të dremitur ose për të fjetur; brezi i ijëve të tyre nuk do të zgjidhet, nuk do të këputet gjalma e këpucëve të tyre.

28 Shigjetat e tyre janë me majë dhe tërë harqet e tyre janë të nderura; thundrat e kuajve të tyre do të duken si gurë dhe rrotat e qerreve të tyre si një shakullimë.

29 Vrumbullima e tyre do të jetë si ajo e një luani: do të vrumbullojnë si luanë të vegjël, po, do të vrumbullojnë, do ta zënë gjahun dhe do ta çojnë në një vend të sigurt dhe askush nuk do t’ua heqë.

30 Atë ditë do të ulërijnë kundër Judës ashtu si ulërin deti; po të shikosh vendin, ja errësira dhe ankthi, dhe drita do të errësohet nga retë.

Isaia – Kapitulli 6

1 Në vitin e vdekjes së mbretit Uziah, unë pashë Zotin të ulur mbi një fron të ngritur dhe të lartë, dhe cepat e mantelit të tij mbushnin tempullin.

2 Mbi të ishin serafinët; secili prej tyre kishte gjashtë krahë: me dy mbulonte fytyrën, me dy të tjerë këmbët dhe me dy fluturonte.

3 Njeri i bërtiste tjetrit dhe i thoshte: “I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij”.

4 Shtalkat e portës u tronditën nga zëri i atij që bërtiste, ndërsa tempulli po mbushej me tym.

5 Atëherë unë thashë: “I mjeri unë! Unë jam i humbur, sepse jam një njeri me buzë të papastra dhe banoj në mes të një populli me buzë të papastra; megjithatë sytë e mi kanë parë Mbretin, Zotin e ushtrive”.

6 Atëherë një nga serafinët fluturoi drejt meje, duke mbajtur në dorë një urë zjarri, që kishte marrë me mashë nga altari.

7 Me të ai preku gojën time dhe tha: “Ja, kjo preku buzët e tua, paudhësia jote hiqet dhe mëkati yt shlyhet”.

8 Pastaj dëgjova zërin e Zotit që thoshte: “Kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?”. Unë u përgjigja: “Ja ku jam, dërgomë mua!”.

9 Atëherë ai tha: “Shko dhe i thuaj këtij populli: Dëgjoni, pra, por pa kuptuar, shikoni, pra, por pa dalluar.

10 Bëje të pandieshme zemrën e këtij populli, ngurtëso veshët e tij dhe mbyll sytë e tij që të mos shikojë me sytë e tij, të mos dëgjojë me veshët e tij dhe të mos kuptojë me zemrën e tij, dhe kështudo të kthehet dhe të jet shëruar”.

11 Unë thashë: “Deri kur, o Zot?”. Ai u përgjigj: “Deri sa qytetet të shkatërrohen dhe të jenë pa banorë, shtëpitë të mos kenë njeri dhe vendi të jetë i shkretuar dhe i pikëlluar,

12 dhe deri sa Zoti të ketë larguar njerëzinë dhe të jetë një braktisje e madhe në mes të vendit.

13 Do të mbetet akoma një e dhjeta e popullsisë, por edhe kjo do të shkatërrohet; por ashtu si bafrës dhe lisit, kur priten u mbetet cungu, kështu një brez i shenjtë do të jetë trungu i tij”.

Isaia – Kapitulli 7

1 Ndodhi në ditët e Ashazit, birit të Jothamit, birit të Uziahut, mbret i Judës, që Retsini, mbret i Sirisë dhe Pekahu, bir i Remaliahut, mbret i Izraelit, dolën për luftë kundër Jeruzalemit, por nuk arritën ta shtien në dorë.

2 Prandaj ia referuan shtëpisë së Davidit duke thënë: “Sirët kanë ngritur kampin e tyre në Efraim”. Kështu zemra e Ashazit dhe zemra e popullit të tij u drodhën, ashtu si dridhen drurët e pyllit nga era.

3 Atëherë Zoti i tha Isaias: “Dil përpara Ashazit, ti dhe biri yt Shear-Jashubi, në skajin e kanalit të hauzit të sipërm në rrugën e arës së larësit,

4 dhe thuaji: Shiko të rrish i qetë, mos ki frikë dhe zemra jote të mos ligështohet për shkak të këtyre dy mbeturinave të urës së zjarrit që nxjerr tym, për zemërimin e zjarrtë të Retsinit dhe të Sirisë, dhe të birit të Remaliahut.

5 Sepse Siria, Efraimi dhe i biri i Remaliahut kanë menduar të këqija kundër teje, duke thënë:

6 “Të dalim kundër Judës, ta temerrojmë, të hapim një të çarë në muret e saj dhe të vendosim si mbret në mesin e saj të birin e Tabeelit””.

7 Kështu thotë Zoti, Zoti: “Kjo nuk ka për të ardhur, nuk ka për të ndodhur,

8 sepse kryeqyteti i Sirisë është Damasku dhe i pari i Damaskut është Retsini. Brënda gjashtëdhjetë e pesë vjetve Efraimi do të bëhet copë-copë dhe nuk do të jetë më popull.

9 Kryeqyteti i Efraimit është Samaria dhe i pari i Samarisë është i biri i Remaliahut. Po të mos besoni, me siguri nuk do të bëhemi të qëndrueshëm”.

10 Zoti i foli përsëri Ashazit dhe i tha:

11 “Kërkoji një shenjë për vete Zotit, Perëndisë tënd; kërkoja ose në thellësitë ose në lartësitë”.

12 Por Ashazi u përgjigj: “Unë nuk do të kërkoj asgjë, nuk dua të tundoj Zotin”.

13 Atëherë Isaia tha: “Dëgjoni tani, o shtëpi e Davidit! Mos është, vallë, një gjë e vogël për ju të lodhësh njerëzit, që doni të lodhni edhe Perëndinë tim?

14 Prandaj vet Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel.

15 Ai do të hajë ajkë dhe mjaltë deri sa të mësojë të hedhë poshtë të keqen dhe të zgjedhë të mirën.

16 Por para se fëmija të mësojë të hedhë poshtë të keqen dhe të zgjedhë të mirën, vendi të cilin ti e druan për shkak të dy mbretërve të tij do të braktiset.

17 Zoti do të sjellë mbretin e Asirisë mbi ty, mbi popullin tënd dhe mbi shtëpinë e atit tënd ditë që nuk kanë ardhur që kur Efraimi u nda nga Juda.

18 Atë ditë do të ndodhë që Zoti do t’u fërshëllejë mizave që ndodhen në skajet e lumenjve të Egjiptit dhe bletëve që ndodhen në vendin e Asirisë.

19 Ato do të vijnë dhe të vendosen në luginat e shkretuara, në të çarat e krepave, mbi të gjitha gëmushët me gjemba dhe mbi të gjitha kullotat.

20 Atë ditë Zoti me një brisk të marrë hua përtej Lumit, domethënë me mbretin e Asirisë, do të rruajë kokën dhe qimet e këmbëve, si edhe mjekrën.

21 Atë ditë do të ndodhë që dikush do të mbajë një lopë të re dhe dy dele,

22 dhe për shkak të bollëkut të qumështit që do t’i japin, ai do të hajë ajkë, sepse ajkë dhe mjaltë kanë për të ngrënë të gjithë ata që kanë mbijetuar dhe janë lënë në mes të vendit.

23 Atë ditë çdo vend ku mund të kishte një mijë hardhi me një vlerë prej një mijë siklash argjendi do të bëhet pre e ferrave dhe e gjembave.

24 Do të hyhet në to me shigjeta dhe me hark, sepse tërë vendi do të jetë i mbuluar nga ferra dhe gjemba.

25 Dhe mbi të gjitha kodrat që u çelën me shatë nuk do të kalohet më nga frika e ferrave dhe gjembave; do të jenë një vend ku do të dërgohen qetë dhe që do të shkelet nga dhentë”.

Isaia – Kapitulli 8

1 Zoti më tha: “Merr një rrasë të madhe dhe shkruaj mbi të me shkronja të zakonshme: “Maher-Shalal-Hash-Baz””.

2 Atëherë mora me vete për të dëshmuar si dëshmitarë të besuar, priftin Uria dhe Zakarian, birin e Jaberekiahut.

3 U bashkova gjithashtu me profeteshën dhe kjo mbeti shtatzënë dhe lindi një djalë. Atëherë Zoti më tha: “Quaje Maher-Shalal-Hash-Baz;

4 sepse para se fëmija të dijë të thotë: “Ati im”, o “Nëna ime”, pasuritë e Damaskut dhe plaçka e Samarias do të çohen para mbretit të Asirisë”.

5 Zoti më foli akoma dhe më tha:

6 “Me qenë se ky popull ka përçmuar ujërat e Siloeut që rrjedhin ëmbël dhe kënaqet për shkak të Retsinit dhe të birit të Remaliahut,

7 prandaj ja, Zoti do të bëjë që mbi ta të vërshojnë ujërat e Lumit, të fuqishme dhe të bollshme, domethënë mbreti i Asirisë dhe tërë lavdia e tij; do të ngrihet mbi të gjitha kanalet e tij dhe do të vërshojë nga të gjitha brigjet e tij.

8 Do të kalojë nëpërmes Judës, do të vërshojë dhe do të kalojë përtej deri sa të arrijë te qafa dhe krahët e tij të shpalosur do të mbulojnë tërë hapësirën e vendit tënd, o Emanuel.

9 Bashkohuni, pra, madje me vrull, o popuj, por do të bëheni copë-copë, dëgjoni, o ju mbarë vënde të largëta. Ngjeshuni, pra, por do të bëheni copë-copë; ngjeshuni, pra, por do të bëheni copë-copë.

10 Bëni, pra, plane, por do të dalin bosh. Thoni një fjalë, por ajo nuk do të realizohet, sepse Perëndia është me ne”.

11 Sepse kështu më ka folur Zoti me dorë të fuqishme dhe më ka lajmëruar të mos eci nëpër rrugën e këtij populli, duke thënë:

12 “Mos quani përbetim të gjitha ato që ky popull i quan përbetim, mos kini frikë nga ajo që ai druan dhe mos u trembni.

13 Zotin e ushtrive, atë duhet të shenjtëroni. Ai të jetë frika juaj, tmerri juaj”.

14 Ai do të jetë një shenjtërore, por edhe një gur pengese, një shkëmb pengimi për të dy shtëpitë e Izraelit, një lak dhe një kurth për banorët e Jeruzalemit.

15 Midis tyre shumë persona do të pengohen, do të bien, do të bëhen copë, do të mbeten në lak dhe do të kapen.

16 “Mbylle këtë dëshmi, vulose këtë ligj midis dishepujve të mi”.

17 Unë pres Zotin, që fsheh fytyrën e tij në shtëpinë e Jakobit, dhe kam shpresë tek ai.

18 Ja, unë dhe bijtë që Zoti më ka dhënë jemi shenja dhe një parashikues në Izrael nga ana e Zotit të ushtrive, që banon në malin Sion.

19 Në rast se ju thuhet: “Këshillohuni me mediumet dhe me magjistarët, që murmuritin dhe përshpëritin, përgjigjuni: “A nuk duhet një popull të konsultojë Perëndinë e tij? A duhet, vallë, t’u drejtohet të vdekurve për llogari të të gjallëve?”.

20 Përmbahuni ligjit dhe dëshmisë! Në rast se një popull nuk flet në këtë mënyrë, kjo do të thotë se ai nuk ka dritë.

21 Ai do të sillet nëpër vendin e tij i raskapitur dhe i uritur; dhe kur të jetë i uritur do të pezmatohet dhe do të mallkojë mbretin e tij dhe Perëndinë e tij. Do ta kthejë shikimin lart,

22 pastaj do ta kthejë drejt tokës, dhe ja fatkeqësi, errësirë, terr plot me ankth, dhe do të shtyhet në terrin më të dëndur.

Isaia – Kapitulli 9

1 Por errësira nuk do të zgjasë gjithnjë mbi atë që tani është në ankth. Ashtu si në të kaluarën ai mbuloi me turp vendin e Zabulonit dhe vendin e Neftalit, kështu në të ardhmen do ta mbulojë

2 Populli që ecte në terr pa një dritë të madhe; mbi ata që banonin në vendin e hijes së vdekjes doli një dritë.

3 Ti e ke rritur kombin, ke shtuar gëzimin e tyre; ata gëzohen para teje ashtu si gëzohet dikush në korrje dhe ashtu si gëzohet kur ndahet plaçka e luftës.

4 Sepse ti ke thyer zgjedhën që rëndonte mbi të, shkopin mbi kurrizin e tij dhe shufrën e atij që e shtypte, si në ditën e Madianit.

5 Sepse çdo këpucë luftëtari në përleshje dhe çdo mantel i rrëkëllyer në gjak, do të caktohet të digjet dhe do të jetë eshkë zjarri.

6 Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes.

7 Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij, për ta vendosur pa u tundur dhe për ta përforcuar me anë të mënçurisë dhe të drejtësisë, tani dhe përjetë. Këtë ka për të bërë zelli i Zotit të ushtrive.

8 Zoti ka dërguar një fjalë kundër Jakobit dhe ajo ka rënë mbi Izraelin.

9 Tërë populli do ta njohë, Efraimi dhe banorët e Samarias, që në kryelartësinë e tyre dhe arrogancën e zemrës së tyre thonë:

10 “Tullat kanë rënë, por do ta rindërtojmë me gurë të latuar; fiqtë e Egjiptit janë prerë, por ne do t’i zëvendësojmë me kedra”.

11 Për këtë Zoti do të nxisë kundër tij kundërshtarët e Retsinit dhe do të nxisë armiqtë e tij:

12 Sirët nga lindja, Filistejtë nga perëndimi, që do ta hanë Izraelin gojëhapur. Megjithëkëtë zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë.

13 Megjithatë populli nuk kthehet tek ai që e godet dhe nuk kërkon Zotin e ushtrive.

14 Prandaj Zoti do t’i presë Izraelit kokë dhe bisht, degë palme dhe xunkth brenda një dite të vetme.

15 Plaku dhe njeriu nga parësia janë koka; dhe profeti që u mëson të tjerëve gënjeshtra është bishti.

16 Ata që udhëheqin këtë popull e bëjnë të shkojë në rrugë të gabuar, dhe ata që udhëhiqen prej tyre i përpijnë.

17 Prandaj Zoti nuk do të kënaqet me të rinjtë e tij dhe as do t’i vijë keq për jetimët e tij dhe gratë e veja të tij, sepse të gjithë janë hipokritë dhe të çoroditur, dhe çdo gojë thotë marrëzira. Megjithë tërë këto gjëra zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë.

18 Sepse ligësia djeg si një zjarr, që përpin ferra dhe gjemba dhe flakëron në pjesën e dendur të pyllit, që ngrihet lart si një shtyllë tymi.

19 Për shkak të zemërimit të Zotit të ushtrive vendi digjet dhe populli është si eshkë për zjarrin; askujt nuk i vjen keq për vëllanë e vet.

20 Këputet nga e djathta, por uria vazhdon; gëlltitet nga e majta, por pa u ngopur; secili përpin mishin e krahut të vet.

21 Manasi përpin Efraimin, dhe Efraimi Manasin; dhe tok janë kundër Judës. Megjithëkëtë zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë.

Isaia – Kapitulli 10

1 Mjerë ata që nxjerrin dekrete të padrejta dhe ata që vazhdojnë të hartojnë vendime të padrejta,

2 për t’u mohuar drejtësinë të mjerëve, për t’u mohuar të drejtën të varfërve të popullit tim, dhe për t’i bërë gratë e veja pre të tyre dhe jetimët plaçkë të tyre.

3 Çfarë do të bëni ditën e ndëshkimit dhe të shkatërrimit që do të vijë nga larg? Te kush do të ikni për të kërkuar ndihmë dhe kujt do t’ia lini pasurinë tuaj?

4 Atyre nuk do t’u mbetet tjetër veç se të përkulen midis robërve ose të bien midis të vrarëve. Megjithëkëtë zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë.

5 Mjerë Asiria, shufra e zemërimit tim, në duart e së cilës ndodhet shkopi i indinjatës sime!

6 Unë do ta dërgoj kundër një kombi të pabesë dhe kundër popullit të zemërimit tim. Do ta urdhëroj që ta plaçkitë, ta zhveshë dhe ta shkelë si baltën e rrugëve.

7 Por ajo mendon ndryshe dhe në zemër të vet ka plane të tjera, por dëshiron të shkatërrojë dhe të shfarosë një numër të madh kombesh.

8 Në fakt thotë: “Princat e mi nuk janë të gjithë mbretër?

9 A nuk është Kalno si Karkemishi? A nuk është Hamathi si Arpadi? A nuk është Samaria si Damasku?

10 Ashtu siç ka arritur dora ime mbretëritë e idhujve, shëmbëlltyrat e gdhendura të të cilëve ishin më të shumta se ato të Jeruzalemit dhe të Samarias,

11 ashtu si bëra me Samarian dhe me idhujt e saj, a nuk do të veproj edhe në Jeruzalem dhe me idhujt e tij?”.

12 Por do të ndodhë që, kur Zoti të ketë mbaruar tërë veprën e tij në malin Sion dhe në Jeruzalem, ai do të thotë: “Unë do të dënoj frytin e mëndjemadhësisë së zemrës së mbretit të Asirisë dhe lavdinë e syve të tij krenarë”.

13 Në fakt ai thotë: “E bëra me forcën e dorës sime dhe me diturinë time, sepse jam i zgjuar; lëviza kufijtë e popujve, plaçkita thesaret e tyre dhe si një njeri i fuqishëm shfuqizova ata që rrinin mbi fron.

14 Dora ime ka gjetur si një fole pasuritë e popujve; ashtu si dikush mbledh vezët e braktisura, kështu unë grumbullova tërë dheun dhe nuk pati asnjeri që të lëvizë krahët, apo të hapë sqepin dhe të pingërojë”.

15 Mos vallë sëpata lëvdohet me atë që pret me të ose mburret sharra me atë që e përdor? Ashtu si shufra të duhej të drejtonte atë që e ngre, apo shkopi të mund të ngrihej a thua se nuk është prej druri!

16 Prandaj Perëndia, Zoti i ushtrive, do të dërgojë ligështimin midis radhëve të tyre më të fuqishme, dhe në vend të lavdisë së tij ai do të ndezë një zjarr, si flakët e një zjarri.

17 Kështu drita e Izraelit do të bëhet një zjarr dhe i Shenjti i tij një flakë, që do të flakërojë dhe do të përpijë ferrat dhe gjembat brenda një dite të vetme.

18 Ai do të konsumojë lavdinë e pyllit të tij dhe të fushës pjellore të tij nga shpirti deri te trupi; do të jetë si një i sëmurë që ligështohet.

19 Pjesa tjetër e drurëve të pyllit të tij do të katandiset në një numër aq të vogël që edhe një fëmijë mund t’i numërojë.

20 Atë ditë do të ndodhë që pjesa që mbetet e Izraelit dhe ata që kanë shpëtuar nga shtëpia e Jakobit nuk do të mbështeten më mbi atë që i godiste, por do të mbështeten në të vërtetë mbi Zotin, të Shenjtin e Izraelit.

21 Një mbetje, mbetja e Jakobit, do t’i kthehet Zotit të fuqishëm.

22 Sepse, edhe sikur populli yt, o Izrael, të ishte si rëra e detit, vetëm një mbetje e tij do të kthehet; shfarosja e dekretuar do ta bëjë drejtësinë të vërshojë.

23 Në fakt Zoti, Zoti i ushtrive, do të kryejë shfarosjen e dekretuar në mes të të gjithë dheut.

24 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti i ushtrive: “O populli im, që banon në Sion, mos ki frikë nga Asiri, që të rreh me shufër dhe ngre kundër teje shkopin e tij, ashtu si bëri Egjipti.

25 Sepse edhe pak kohë dhe indinjata do të marrë fund, ndërsa zemërimi im do të drejtohet për shkatërrimin e tyre.

26 Zoti i ushtrive do të ngrejë kundër tij kamxhikun, ashtu siç e goditi Madianin te shkëmbi i Horebit; dhe ashtu si shtriu shkopin e tij mbi det, kështu do ta ngrerë akoma ashtu si bëri në Egjipt.

27 Atë ditë do të ndodhë që barra e tij do të hiqet nga kurrizi dhe zgjedha e tij nga qafa jote; zgjedha do të shkatërrohet nga vajosj e vajit”.

28 Ai arrin në Ajath, e kapërcen Migronin dhe i lë ngarkesën e tij në Mikmash.

29 Kapërcejnë vendkalimin, fushojnë në Geba; Ramahu dridhet, Gibeahu i Saulit ka ikur.

30 Ço zërin tënd, o bija e Galimit! Kij kujdes, o Laish! E mjera Anathoth!

31 Madmenahu ka ikur, banorët e Gebimit kërkojnë një strehë.

32 Megjithatë do të qëndrojë sot në Nob, duke tundur grushtin kundër malit të bijës së Sionit, kodrës së Jeruzalemit.

33 Ja, Zoti, Zoti i ushtrive, do t’i këpusë degët me dhunë të tmerrshme; më të lartat do të priten; më krenarët do të ulen.

34 Ai do të rrëzojë me sëpatë pjesën më të dendur të pyllit dhe Libani do të bjerë nën goditjet e të Fuqishmit.

Isaia – Kapitulli 11

1 Pastaj një degëz do të dalë nga trungu i Isaias dhe një filiz do të mbijë nga rrënjët e tij.

2 Fryma e Zotit do të pushojë mbi të; fryma e diturisë dhe e zgjuarësisë, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohurisë dhe e frikës të Zotit.

3 I dashuri i tij do të qëndrojë në frikën nga Zoti, nuk do të gjykojë nga pamja, nuk do të japë vendime sipas fjalëve që thuhen,

4 por do t’i gjykojë të varfërit me drejtësi dhe do të marrë vendime të drejta për njerëzit e përulur të vendit. Do ta godasë vendin me shufrën e gojës së tij dhe me frymën e buzëve të tij do ta bëjë të vdesë të pabesin.

5 Drejtësia do të jetë brezi i ijëve të tij dhe besnikëria brezi i anëve të tij.

6 Ujku do të banojë bashkë me qengjin dhe leopardi do të rrijë me kecin; viçi, luani i vogël dhe bagëtia e majmur do të rrinë bashkë dhe do të udhëhiqen nga një fëmijë.

7 Lopa do të kullosë bashkë me arushen, të vegjëlit e tyre do të rrinë bashkë, dhe luani do të ushqehet me kashtë si kau.

8 Foshnja e gjirit do të lozë mbi vrimën e gjarpërit dhe fëmija e zvjerdhur do të vërë dorën e tij në çerdhen e nëpërkës.

9 Nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë, sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.

10 Atë ditë do të ndodhë që rrënja e Isaias do të ngrihet si një flamur për popujt; kombet do ta kërkojnë dhe vendi i prehjes së tij do të jetë i lavdishëm.

11 Po atë ditë do të ndodhë që Zoti do të shtrijë dorën e tij për herë të dytë për të shpenguar mbetjen e popullit të tij që shpëtoi nga Asiria dhe nga Egjipti, nga Pathrosi dhe Etiopia, nga Elami, nga Shinari, nga Hamathi dhe nga ishujt e detit.

12 Ai do të ngrerë flamurin për kombet, do të mbledhë të dëbuarit e Izraelit dhe do të grumbullojë ata që u shpërndanë nga Juda në të katër anët e dheut.

13 Smira e Efraimit do të zhduket dhe kundërshtarët e Judës do të asgjesohen; Efraimi nuk do ta ketë më zili Judën dhe Juda nuk do të ketë më armiqësi me Efraimin.

14 Ata do t’u sulen me turr Filistejve nga pas, në drejtim të perëndimit, bashkë do të plaçkitin bijtë e lindjes; do të vënë dorën e tyre mbi Edomin dhe mbi Moabin, dhe bijtë e Amonit do të jenë nënshtetas të tyre.

15 Zoti do të shkatërrojë plotësisht gjuhën e detit të Egjiptit dhe me fuqinë e frymës së tij do të lëvizë dorën e tij mbi lumin dhe do të godasë duke e ndarë në shtatë kanale, kështu që të ketë mundësi të kapërcehet me sandale.

16 Do të ketë një rrugë për mbetjen e popullit të tij që ka mbetur në Asiri, ashtu si pati një rrugë për Izraelin ditën që doli nga vendi i Egjiptit.

Isaia – Kapitulli 12

1 Atë ditë do të thuash: “Unë të kremtoj, o Zot. Edhe pse ishe i zemëruar me mua, zemërimi yt me mua u qetësua dhe më ka ngushëlluar.

2 Ja, Perëndia është shpëtimi im; unë do të kem besim dhe nuk do të kem frikë, sepse Zoti, po, Zoti është forca ime dhe kantiku im, dhe ka qenë shpëtimi im”.

3 Ju do të merrni me gëzim ujin nga burimet e shpëtimit.

4 Atë ditë do të thoni: “Kremtoni Zotin, thërrisni emrin e tij, i bëni të njohura veprat e tij midis popujve, shpallni që emri i tij është i lartësuar.

5 Këndojini lavde Zotit, sepse ka bërë gjëra të madhërishme; kjo të dihet mbi gjithë tokën.

6 Bërtit dhe ngazëllohu nga gëzimi, o banore e Sionit, sepse i madh është i Shenjti i Izraelit në mes tuaj”.

Isaia – Kapitulli 13

1 Profecia mbi Babiloninë, që ju paraqit në vegim Isaias, birit të Amotsit.

2 “Ngrini një flamur mbi një mal të lartë, ngrini zërin ndaj tyre, lëvizni dorën që të hyjnë në portat e princave.

3 Unë u dhashë urdhër atyre që më janë shenjtëruar mua, thirra trimat e mi për të zbatuar zemërimin tim, ata që ngazëllohen në madhërinë time.

4 Dëgjohet zhurma e një turme të madhe ndër malet, e ngjashme me atë të një populli të pamasë; zhurma plot rrëmet e mbretërive, e kombeve të mbledhura. Zoti i ushtrive kalon në revistë ushtrinë gati për betejë.

5 Vijnë nga një vend i largët, nga skaji i qiejve, Zoti dhe mjetet e zemërimit të tij, për të shkatërruar mbarë dheun.

6 Bërtisni, sepse dita e Zotit është e afërt; ajo po vjen si një shkatërrim nga ana e të Plotfuqishmit.

7 Prandaj të gjitha duart e njerëzve do të jenë të dobëta dhe çdo zemër e tyre do të ligështohet.

8 Do t’i zërë tmerri, do të kenë spazma dhe dhembje, do të përpëliten si një grua që po lind, do të shikojnë njëri tjetrin në fytyrë si të hutuar, fytyrat e tyre do të jenë fytyra të zjarrta.

9 Ja, dita e Zotit po vjen: një ditë mizore, indinjate dhe zemërimi të fortë, për ta bërë tokën shkretëtirë dhe për të shfarosur mëkatarët prej saj.

10 Sepse yjet e qiellit dhe yllësitë nuk do të shkëlqejnë më me dritën e tyre; dielli do të errësohet në lindjen e tij dhe hëna nuk do të përhapë më dritën e saj.

11 Unë do të dënoj botën për ligësinë e saj dhe të pabesët për paudhësinë e tyre; do t’i jap fund krenarisë së kryelartëve dhe do të hedh poshtë arrogancën e tiranëve.

12 Do ta bëjë njeriun e vdekshëm më të rrallë se ari i kulluar, njerëzinë më të rrallë se arin e Ofirit.

13 Prandaj do të bëj që të dridhen qiejtë, dhe toka do të tundet nga vendi i saj për shkak të indinjatës së Zotit të ushtrive ditën e zemërimit të zjarrtë të tij.

14 Atëherë si një gazelë e ndjekur apo si një kope që askush nuk e mbledh, gjithkush do të kthehet drejt popullit të tij, gjithkush do të ikë në vend të vet.

15 Kushdo që do të gjendet do të shpohet dhe kushdo që do të kapet do të vritet me shpatë.

16 Fëmijët e tyre do të bëhen copë-copë para syve të tyre, shtëpitë e tyre do të plaçkiten dhe gratë e tyre do të dhunohen.

17 Ja, unë po nxis kundër tyre Medët që nuk do ta kenë mendjen te argjendi dhe nuk gjejnë kënaqësi te ari.

18 Harqet e tyre do t’i rrëzojnë për tokë të rinjtë; nuk do të kenë mëshirë për foshnjat në bark të nënës; syri i tyre nuk do t’i kursejë fëmijët.

19 Kështu Babilonia, shkëlqimi i mbretërive, lavdia e krenarisë së Kaldeasve, do të jetë si Sodoma dhe Gomora kur Perëndia i përmbysi.

20 Ajo nuk do të banohet më as nuk do të popullohet brez pas brezi; Arabi nuk do të ngrerë më aty çadrën e tij, as barinjtë nuk do t’i ndalin aty kopetë e tyre.

21 Por aty do të pushojnë bishat e shkretëtirës, shtëpitë e tyre do të mbushen me huta, do të banojnë aty strucat, do të hedhin valle satirët.

22 Hienat do të ulërijnë në shtëpitë e tij të shkretuara, çakajtë në pallatet e tij luksoze. Koha e tij po afrohet, ditët e tij nuk do të zgjaten më”.

Isaia – Kapitulli 14

1 Me qenë se Zotit do t’i vijë keq për Jakobin, ai do të zgjedhë përsëri Izraelin dhe do t’i rivendosë në tokën e tyre; të huajtë do të bashkohen me ta dhe do të lidhen me shtëpinë e Jakobit.

2 Popujt do t’i marrin dhe do t’i çojnë përsëri në vendin e tyre dhe shtëpia e Izraelit do t’i zotërojë në vendin e Zotit si robër dhe robinja; do të zënë robër ata që i kishin zënë robër dhe do të mbretërojnë mbi shtypësit e tyre.

3 Kështu që ditën në të cilën Zoti do t’i japë prehje lodhjes sate, shqetësimit tënd nga skllavëria e rëndë së cilës i ishe nënshtruar,

4 ti do të shqiptosh këtë sentencë mbi mbretin e Babilonisë dhe do të thuash: “Ashtu si mbaroi shtypësi, tagrambledhja e arit ka mbaruar.

5 Zoti e ka thyer shkopin e të pabesëve, skeptrin e tiranëve.

6 Ai që në tërbim e sipër godiste popujt me goditje të pandërprera, ai që sundonte me zemërim mbi kombet tani përndiqet pa mëshirë.

7 Mbarë dheu pushon i qetë, njerëzit shpërthejnë në britma gëzimi.

8 Madje edhe selvitë e kedrat e Libanit gëzohen për ty dhe thonë: “Që kur ke rënë, asnjë druvar s’ka dalë kundër nesh”.

9 Sheoli poshtë është në lëvizje për ty, me qëllim që të të dalë përpara kur të vish; ai zgjon frymët e të vdekurve, tërë princat e dheut; ka ngritur nga fronet e tyre gjithë mbretërit e kombeve.

10 Të gjithë e marrin fjalën për të të thënë: “Edhe ti je bërë i dobët si ne dhe je bërë i ngjashëm me ne.

11 Salltaneti yt ka rënë në Sheol tok me tingujt e harpave të tua; poshtë teje shtrihet një shtrat me krimba dhe krimbat janë mbulesa jote”.

12 Vallë, si ke rënë nga qielli, o Lucifer, bir i agimit? Vallë si të hodhën për tokë ty që i hidhje poshtë kombet?

13 Ti thoshnje në zemrën tënde: “Unë do të ngjitem në qiell, do të ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë; do të ulem mbi malin e asamblesë në pjesën skajore të veriut;

14 do të ngjitem mbi pjesët më të larta të reve, do të jem i ngjashëm me Shumë të Lartin”.

15 Po përkundrazi do të hidhesh në Sheol, në thellësitë e gropës.

16 Ata që të shikojnë të ngulin sytë, të vërejnë me kujdes dhe thonë: “Ky është njeriu që e bënte tokën të dridhej, që i trondiste mbretëritë,

17 që e katandisi botën në shkretëtirë, që shkatërron qytetet e saj dhe nuk i la kurrë të shkojnë të lirë robërit e tij?”.

18 Të gjithë mbretërit e kombeve, tërë ata prehen në lavdi, secili në varrin e tij;

19 ty përkundrazi të hodhën larg varrit tënd si një farë e neveritshme, si një rrobe të të vrarëve nga shpata, që i zbresin mbi gurët e gropës, si një kufomë e shkelur.

20 Ti nuk do të bashkohesh me ta në varr, sepse ke shkatërruar vendin tënd dhe ke vrarë popullin tënd; pasardhësit e keqbërësve nuk do të përmenden më.

21 Përgatitni masakrën e bijve të tij për shkak të paudhësisë së etërve të tyre, që të mos ngrihen më për të zotëruar tokën dhe për të mbushur faqen e dheut me qytete.

22 “Unë do të ngrihem kundër tyre”, thotë Zoti i ushtrive, “dhe do të shfaros nga Babilonia emrin dhe ata që kishin shpëtuar, fëmijët dhe pasardhësit”, thotë Zoti.

23 “Do të bëj që atje të sundojë iriqi dhe moçali; do ta fshij me fshesën e shkatërrimit”, thotë Zoti i ushtrive”.

24 Zoti i ushtrive është betuar duke thënë: “Në të vërtetë ashtu siç e kam menduar ashtu do të jetë, dhe ashtu si kam vendosur, kështu ka për të ndodhur.

25 Do ta dërrmoj Asirin në vendin tim, do ta shkel në malet e mia; atëherë zgjedha e tij do t’u hiqet atyre dhe barra tij do të hiqet nga kurrizi i tyre.

26 Ky është plani i vendosur kundër të gjithë dheut dhe kjo është dora e shtrirë kundër të gjithë kombeve.

27 Me qenë se Zoti i ushtrive e ka vendosur këtë, kush mund t’ia anullojë? Dora e tij është shtrirë dhe kush mund ta detyrojë ta tërheqë?”.

28 Në vitin e vdekjes së mbretit Ashaz u shqiptua kjo profeci:

29 “Mos u gëzo, o Filisti e tërë, sepse shufra që të godiste është thyer! Sepse nga rrënja e gjarpërit ka për të dalë një nëpërkë, dhe fryti i saj do të jetë një gjarpër i zjarrtë dhe fluturues.

30 Të parëlindurit e të varfërve do të kenë ç’të hanë dhe nevojtarët do të pushojnë të sigurt; por do të bëj që të vdesin urie rrënjët e tua dhe kjo do të shkatërrojë mbetjen tënde.

31 Bërtit, o portë, thirr, o qytet! Shkrihu, o Filisti e tërë, sepse nga veriu vjen një tym, dhe askush nuk lë vendin e tij në radhët e veta”.

32 Çfarë përgjigje do t’u jepet lajmëtarëve të këtij kombi? “Që Zoti ka themeluar Sionin dhe që në të gjejnë strehë të mjerët e popullit të tij”.

Isaia – Kapitulli 15

1 Profecia mbi Moabin. Ar-Moabi është shkretuar natën dhe është shkatërruar. Po, Kir-Moabi është shkretuar natën dhe është shkatërruar.

2 Éshtë ngjitur në tempull dhe në Didon, në vendet e larta, për të qarë; Moabi ngre një vajtim për Nebin dhe Medebën; të gjitha kokat janë rruar, të gjitha mjekrat janë prerë.

3 Në rrugët e tij ata vishen me thasë, mbi çatitë dhe në sheshet gjithkush ankohet dhe qan me të madhe.

4 Heshboni dhe Elealehu këlthasin, klithma e tyre dëgjohet deri në Jahats; prandaj luftëtarët e Moabit nxjerrin klithma dhembjeje; shpirti i tij drithërohet.

5 Zemra ime vajton për Moabin, të ikurit e të cilit arrijnë deri në Tsoar, si një mëshqerrë trevjeçare. Po, ata e marrin duke qarë të përpjetën e Luhithit dhe nxjerrin britma shkatërrimi në rrugën e Horonaimit;

6 sepse ujërat e Nimrimit janë një shkretim, bari është tharë, bari i njomë është zhdukur; nuk gjelbëron më asgjë.

7 Prandaj pasuritë që i kanë grumbulluar dhe gjërat që kanë mbledhur i çojnë matanë përroit të shelgjeve.

8 Britmat jehojnë nëpër gjithë territorin e Moabit, klithma e tij arrin deri në Eglaim, klithma e tij arrin deri në Beer-Elim.

9 Ujërat e Dimonit janë plot me gjak, sepse do t’i shkaktoj Dimonit të këqija të tjera: një luan për ata që shpëtuan nga Moabi dhe për ata që kanë mbetur në vend.

Isaia – Kapitulli 16

1 “Dërgojini një qengj sunduesit të vendit, nga Sela në drejtim të shkretëtirës, në malin e bijës së Sionit.

2 Sepse do të ndodhë që në vaun e Arnonit vajzat e Moabit do të jenë si një zog i dëbuar nga foleja.

3 Na jep një këshillë, bëj drejtësi! Bëje hijen tënde si nata, në mes të ditës; fshih ata që janë shpërndarë, mos i tradhëto ikanakët.

4 O Moab, lejo që të banojnë pranë teje njerëzit e mi që janë shpërndarë, ji për ta një strehë përballë shkatërruesit. Sepse tirani nuk është më, shkatërrimi ka marrë fund, shtypësit janë zhdukur nga vendi.

5 Atëherë një fron do të jetë i qëndrueshëm në dhembshuri dhe mbi të do të ulet në besnikëri, në çadrën e Davidit, një që do të gjykojë, do ta ushtrojë gjykimin dhe do të jetë i gatshëm të sigurojë drejtësinë”.

6 “Kemi dëgjuar të flitet për krenarinë e Moabit, jashtëzakonisht krenar, për fodullëkun e tij, për kryelartësinë e tij, për arrogancën e tij, për mburrjen e tij pa baza”.

7 Për këtë Moabi do të bëjë një vajtim për Moabin, të gjithë do të vajtojnë. Ju do të qani të dëshpëruar për pitet me rrush të Kir-Haresethit.

8 Sepse fushat e Heshbonit po meken, po kështu edhe vreshtat e Sibmahut; sunduesit e kombeve kanë shkatërruar bimët e saj më të mira që arrinin deri në Jazer dhe endeshin nëpër shkretëtirë; degët e saj shtriheshin dhe tejkalonin detin.

9 Prandaj me qarjen e Jazerit do të qaj vreshtat e Sibmahut; do të të vadis me lotët e mi, o Heshbon, o Elealeh, sepse mbi frytet e tua të verës dhe mbi të korrat e tua ka rënë një britmë lufte.

10 Gëzimi dhe hareja janë zhdukur nga fusha pjellore; ndër vreshta nuk ka më as këngë, as britma gëzimi; shtrydhësi i rrushit nuk shtrydh më verën ndër voza; unë nuk nxjerr më britma gëzimi.

11 Prandaj të përbrendshmet e mia dridhen për Moabin si një harpë; dhe zemra ime për Kir-Heresin.

12 Dhe do të ndodhë që kur të paraqitet Moabi, dhe të lodhet në vendin e lartë; ai do të hyjë në shenjtëroren e tij për t’u lutur, por nuk do të fitojë asgjë.

13 Kjo është fjala që Zoti i drejtoi dikur Moabit.

14 Por tani Zoti ka folur, duke thënë: “Brenda tre vjetëve, si vitet e një argati me mëditje, lavdia e Moabit do të bjerë e do të përçmohet bashkë me tërë atë turmë të madhe; dhe do të mbetet vetëm një numër shumë i vogël dhe i pafuqishëm”.

Isaia – Kapitulli 17

1 Profecia kundër Damaskut. “Ja, Damasku do të pushojë së qëni një qytet dhe do të bëhet një grumbull gërmadhash.

2 Qytetet e Aroerit do të braktisen; do të bëhen kullota për kopetë që do të pushojnë aty pa i trembur askush.

3 Efraimit do t’i hiqet fortesa, Damaskut mbretëria; dhe pjesa tjetër e Sirisë do të jetë si lavdia e bijve të Izraelit”, thotë Zoti i ushtrive.

4 “Atë ditë do të ndodhë që lavdia e Jakobit do të zhduket dhe shëndoshja e tepërt e trupit e tij do të konsumohet.

5 Do të ndodhë ashtu si kur korrësi mbledh grurin dhe me krahun e tij pret kallinjtë; do të ndodhë ashtu si kur mblidhen kallinjtë në luginën e Refaimit;

6 Do të mbeten disa vile për të mbledhur, ashtu si kur shkunden ullinjtë: dy apo tre ullinj në majë të degëve më të larta, katër ose pesë mbi degët më të ngarkuara”, thotë Zoti, Perëndia i Izraelit.

7 Atë ditë njeriu do ta kthejë shikimin e tij në drejtim të Krijuesit të tij dhe sytë e tij do të shikojnë të Shenjtin e Izraelit.

8 Nuk do të drejtohet më te altarët, vepër e duarve të tij dhe nuk do të shikojë më atë që kanë bërë gishtërinjtë e tij as te Asherimët dhe te altarët për temjan.

9 Atë ditë qytetet e fortifikuara të tij do të jenë si një vend i braktisur në pyll ose si një degë e braktisur përpara bijve të Izraelit, dhe kjo do të jetë një shkretim.

10 Sepse ke harruar Perëndinë e shpëtimit tënd dhe nuk je kujtuar për Shkëmbin e forcës sate, prandaj mbolle plantacione dhe i ke shartuar me shartesa të huaja.

11 Ditën që i mbolle i rrethove me një gardh; në mëngjes mbijnë farat e tua, por vjelja do të jetë një tog rrënojash ditën e sëmundjes dhe të dhembjes së pashërueshme.

12 Ah, zhurma e një numri të madh popujsh, që zhurmojnë si gjëmimi i detit dhe si buçima e kombeve, zhurmojnë si buçima e ujërave të fuqishme!

13 Kombet zhurmojnë si buçima e shumë ujërave, por Perëndia i kërcënon, dhe ata ikin larg, të shtyrë si byku i maleve përpara erës, si një dredhë pluhuri përpara shakullimës.

14 Në mbrëmje, ja tmerri, dhe para mëngjesit nuk ka më asgjë. Kjo është pjesa e atyre që na plaçkitin, që na bëjnë pre.

Isaia – Kapitulli 18

1 Mjerë ai vend me krahë të zhurmshëm që ndodhet matanë lumenjve të Etiopisë,

2 që dërgon lajmëtarë me anë të detit në anijeza prej papirusi mbi ujërat, duke thënë: “Shkoni, o lajmëtarë të shpejtë, në drejtim të një kombi shtatlartë dhe lëkurëndritur, në drejtim të një populli të cilin e kanë frikë që nga fillimi i tij e më pas, komb i fuqishëm që shkel çdo gjë, vendi i të cilit ndahet nga lumenjtë”.

3 Ju të gjithë, banorë të botës dhe ata që banojnë mbi tokë shikoni flamurin kur ky do të ngrihet mbi malet dhe dëgjoni borinë kur ajo do të bjerë!

4 Sepse kështu më ka thënë Zoti: “Do të rri i qetë dhe do të shikoj nga banesa ime si një nxehtësi e kthjellet dhe e ndritshme në dritën e diellit, si një re vesë në vapën e korrjes”.

5 Sepse para korrjes, kur lulëzimi ka marrë fund dhe lulja është bërë një vile në fazën e pjekurisë, ai do t’i presë degëzat me kmesë dhe do të shkulë e do t’i presë shermendët.

6 Ata të gjithë tok do të mbeten të braktisur shpendëve grabitqarë të maleve dhe kafshëve të tokës; zogjtë grabitqarë do të kalojnë mbi ta gjatë verës dhe kafshët e tokës do të kalojnë mbi ta gjatë dimrit.

7 Në këtë kohë do t’i sjellë oferta Zotit të ushtrive një komb shtatlartë dhe lëkurëndritur, një popull që e kanë frikë që nga fillimet e tij e më pas, një komb i fuqishëm që shkel çdo gjë, vendi i të cilit përshkohet nga lumenj; do të çohen në vendin ku ndodhet emri i Zotit të ushtrive, në malin Sion.

Isaia – Kapitulli 19

1 Profecia mbi Egjiptin. Ja Zoti që kalëron mbi një re të lehtë dhe hyn në Egjipt. Idhujt e Egjiptit lëkunden para tij, dhe zemra e Egjiptasve po mpaket brenda tyre.

2 “Do t’i nxis Egjiptasit njëri kundër tjetrit, secili do të luftojë kundër vëllait të vet, dhe secili kundër të afërmit të tij, qyteti kundër qytetit, mbretëria kundër mbretërisë.

3 Fryma e Egjiptit do të ligështohet në mes të tij dhe unë do të shkatërroj planet e tij; kështu ata do të konsultojnë idhujt dhe yshtësit, mediumet dhe magjistarët.

4 Do ta dorëzoj Egjiptin në duart e një padroni të ashpër dhe një mbret mizor do të sundojë mbi të, thotë Zoti, Zoti i ushtrive.

5 Ujërat e detit do të thahen, lumi do të shterojë dhe do të thahet.

6 Lumenjtë do të bëhen të neveritshëm, kanalet e Egjiptit do të zbrazen dhe do të thahen, po kështu do të thahen edhe kallamishtet e xunkthat.

7 Luadhët pranë Nilit, në grykëderdhjen e tij dhe të gjitha arat e mbjella gjatë lumit do të thahen, do të fshihen dhe do të zhduken.

8 Peshkatarët do të rënkojnë, tërë ata që hedhin grepin në Nil do të ankohen dhe ata që hedhin rrjetat e tyre në ujë do të ligështohen.

9 Ata që punojnë lirin e krehur dhe endësit e pambukut do të çoroditen.

10 Themelet e tyre do të prishen dhe gjithë punëtorët me mëditje do të trishtohen.

11 Me siguri princat e Tsoanit janë budallenj; këshilltarët më të urtë të Faraonit japin këshilla të paarsyeshme. Si mund t’i thoni Faraonit: “Unë jam bir i njerëzve të urtë, bir i mbretërve të lashtë”?

12 Ku janë tani njerëzit e tu të urtë? Le të ta deklarojnë tani dhe të pranojnë atë që Zoti i ushtrive ka vendosur kundër Egjiptit.

13 Princat e Tsoanit janë bërë budallenj, princat e Nofit gabohen; ata që janë guri i qoshes në fiset e tij që e kanë bërë Egjiptin të marrë rrugë të gabuar.

14 Zoti ka përzier në mes të tij një frymë degjenerimi, dhe ata e kanë futur Egjiptin në rrugë të gabuar për çdo gjë, ashtu si dridhet i dehuri kur vjell.

15 Dhe asgjë nuk do të mund të bëjë Egjiptin: koka ose bishti, palma ose xunkthi.

16 Atë ditë Egjipti do të jetë si gratë, dhe do të dridhet dhe do të trembet përballë dorës që Zoti i ushtrive do të lëvizë kundër tij.

17 Vendi i Judës do të jetë tmerri i Egjiptit; sa herë që do të përmendet, ka për të qenë një tmerr i vërtetë për shkak të vendimit të marrë nga Zoti i ushtrive kundër tij.

18 Atë ditë do të ketë në vendin e Egjiptit pesë qytete që do të flasin gjuhën e Kanaanit dhe do të betohen për Zotin e ushtrive; njeri nga këto do të quhet “qyteti i shkatërrimit”.

19 Atë ditë do të ketë në mes të vendit të Egjiptit një altar kushtuar Zotit, dhe një shtyllë të ngritur për Zotin pranë kufirit të tij.

20 Do të jetë një shenjë dhe një dëshmi për Zotin e ushtrive në vendin e Egjiptit; kur ata do t’i këlthasin Zotit për shkak të shtypësve të tyre, ai do t’u dërgojë atyre një shpëtimtar dhe një të fuqishëm që do t’i çlirojë.

21 Zoti do t’i shfaqet Egjiptit dhe Egjiptasit do ta njohin Zotin atë ditë; do t’i ofrojnë flijime dhe blatime ushqimore, do të bëjnë premtime solemne para Zotit dhe do t’i mbajnë ato.

22 Zoti do t’i godasë Egjiptasit, do t’i godasë dhe do t’i shërojë; ata do t’i kthehen Zotit që do t’i dëgjojë lutjet e tyre dhe do t’i shërojë.

23 Atë ditë do të ketë një rrugë nga Egjipti në Asiri; Asirët do të shkojnë në Egjipt, dhe Egjiptasit në Asiri, dhe Egjiptasit do të shërbejnë bashkë me Asirët.

24 Atë ditë Izraeli, i treti me Egjiptin dhe me Asirinë, do të jetë një bekim në mes të rruzullit.

25 Zoti i ushtrive do t’i bekojë, duke thënë: “I bekuar qoftë Egjipti populli im, Asiria vepër e duarve të mia dhe Izraeli trashëgimia ime!”.

Isaia – Kapitulli 20

1 Në vitin që Tartani erdhi në Ashdod, i dërguar nga Sargoni, mbret i Asirisë, ai luftoi kundër Ashdodit dhe e pushtoi.

2 Në atë kohë Zoti foli me anë të Isaias, birit të Amotsit, dhe i tha: “Shko dhe hiqe thesin nga ijët e tua dhe hiqi këpucët nga këmbët e tua”. Ai veproi kështu, duke shkuar lakuriq dhe zbathur.

3 Pastaj Zoti tha: “Ashtu si shërbëtori im Isaia shkoi lakuriq dhe zbathur gjatë tre vjetve si shenjë dhe paralajmërim kundër Egjiptit dhe Etiopisë,

4 kështu mbreti i Asirisë do t’i çojë robërit e Egjiptit dhe të internuarit e Etiopisë, të rinj dhe pleq, lakuriq dhe të zbathur, vithezhveshur për turp të Egjiptit.

5 Atëherë ata do të tremben dhe do të shushaten për shkak të Etiopisë, shpresës së tyre, dhe për shkak të Egjiptit, lavdisë së tyre.

6 Atë ditë banorët e kësaj krahine bregdetare do të thonë: “Ja, çfarë u ndodhi atyre te të cilët kishim mbështetur shpresën tonë dhe pranë të cilëve ishim strehuar për të kërkuar ndihmë, për t’u çliruar nga mbreti i Asirisë. Si do të shpëtojmë ne?”.

Isaia – Kapitulli 21

1 Profecia kundër shkretëtirës së detit. Ashtu si shakullimat kalojnë me të shpejtë nëpër Negev, kështu një pushtues vjen nga shkretëtira, nga një vend i tmerrshëm.

2 Një vegim i tmerrshëm m’u shfaq: i pabesi vepron me pabesi dhe shkatërruesi shkatërron. Dil, o Elam. Rrethoje, o Medi! Bëra që të pushojë çdo rënkim të tij.

3 Për këtë arsye ijët e mia më dhëmbin shumë, më zunë dhembjet si të prerat e një gruaje që lind; jam i tronditur nga sa dëgjova, jam i tmerruar nga sa pashë.

4 Zemra ime e ka humbur, tmerri më ka zënë; nata që aq shumë e dëshiroja është bërë llahtarë për mua.

5 Ndërsa po shtrohet tryeza, bëhet rojë mbi kullën vëzhgimit hahet dhe pihet. “Çohuni, o krerë, dhe vajosni mburojat”.

6 Sepse kështu më ka thënë Zoti: “Shko, vër një roje që të njoftojë atë që shikon”.

7 Ajo pa qerre dhe çifte kalorësish, disa prej të cilëve kishin hipur mbi gomarë dhe të tjerë mbi deve, dhe i vëzhgoi me kujdes, me shumë kujdes.

8 Pastaj bërtiti si një luan: “O Zot, ditën unë rri gjithnjë mbi kullën e vëzhgimit, dhe çdo natë rri më këmbë te vendroja ime.

9 Dhe ja po vijnë disa qerre dhe çifte kalorësish”. Atëherë ajo nisi të flasë përsëri: “Ra, ra Babilonia”! Të gjitha shëmbëlltyrat e gdhendura të perëndive të saj janë për tokë të copëtuara.

10 O populli im, atë që kam shirë dhe shkelur në lëmin tim, atë që kam dëgjuar nga Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, unë ta kam njoftuar!”.

11 Profecia kundër Dumahut. Më bërtasin nga Seiri: “Roje, në ç’pikë ka arritur nata? Roje, në ç’pikë ka arritur nata?”.

12 Roja përgjigjet: “Vjen mëngjesi, pastaj edhe nata. Në rast se doni të pyesni, pyesni, pra; kthehuni, ejani”.

13 Profecia kundër Arabisë. Do ta kaloni natën në pyjet e Arabisë, o karvanë të Dedamitëve.

14 I dilni para të eturit duke i sjellë ujë, o banorë të vendit të Temas; i kanë dalë përpara ikanakut me bukën e tyre.

15 Sepse ata ikin para shpatave, para shpatës së zhveshur, para harkut të nderur, para tërbimit të betejës.

16 Sepse kështu më ka thënë Zoti: “Për një vit, ashtu si viti i një argati me mëditje, tërë lavdia e Kedarit do të zhduket;

17 dhe ajo që do të mbetet nga numri i harkëtarëve, njerëzit trima të bijve të Kedarit, do të jetë një gjë e vogël, sepse ka folur Zoti, Perëndia i Izraelit”.

Isaia – Kapitulli 22

1 Profecia kundër Luginës së Vegimit. Çfarë ke ti tani që ke hipur e tëra mbi çatitë,

2 ti që je plot me britma, qytet zhurmëmadh, qytet dëfrimesh? Të vrarët e tu nuk janë vrarë nga shpata as kanë vdekur në betejë.

3 Tërë krerët e tu kanë ikur bashkë, janë zënë robër pa hark; tërë ata që u gjetën te ti u zunë robër, megjithëse kishin ikur larg.

4 Prandaj them: “Largoni shikimin nga unë; unë do të qaj me hidhërim. Mos kërkoni të më ngushëlloni për dëshpërimin e bijës së popullit tim”.

5 Sepse është një ditë lemerie, shkatërrimi dhe ngurimi nga ana e ZOTIT, të Zotit të ushtrive; në Luginën e Vegimeve muret janë shembur dhe britma për ndihmë arrin deri në mal.

6 Elami ka marrë kukurën me qerre njerëzish dhe kalorësish. Kiri ka zbuluar mburojën.

7 Do të ndodhë që luginat e tua më të mira do të jenë plot me qerre dhe kalorësit do të zënë pozicion para portave të tua.

8 Pastaj ai hoqi mbrojtjen e Judës dhe po atë ditë ti e hodhe shikimin mbi arsenalin e pallatit të Pyllit.

9 Keni parë gjithashtu sa të shumta ishin të çarat në muret e qytetit të Davidit, dhe keni mbledhur ujërat e hauzit të poshtëm.

10 Keni numëruar shtëpitë e Jeruzalemit dhe keni shembur shtëpi për të fortifikuar muret.

11 Përveç kësaj keni ndërtuar një rezervuar midis dy mureve për ujërat e hauzit të vjetër, por nuk keni parë se kush e ka bërë këtë, as nuk keni marrë parasysh kush e ka menduar këtë prej një kohe të gjatë.

12 Atë ditë Zoti, Zoti i ushtrive, ju thirri që të qani, të mbani zi, të rruani kokën dhe të mbështilleni me thasë.

13 Po përkundrazi ja, gëzim dhe hare, priten qe dhe theren dele, hahet mish dhe pihet verë. “Të hamë dhe të pimë, se nesër do të vdesim!”.

14 Por Zoti i ushtrive u ka thënë veshëve të mi: “Ky mëkati juaj nuk do të shlyhet deri sa ju të vdisni”, thotë Zoti, Zoti i ushtrive.

15 Kështu thotë Zoti, Zoti i ushtrive: “Shko pra te ky administrator, te Shebna, kryekujdestar, dhe i thuaj:

16 “Çfarë zotëron ti këtu dhe cilin ke këtu, që ke bërë të të gërmojnë këtu një varr, ashtu si ai që gërmon për vete një vendvarrim lart dhe pret në shkëmb një varr?”.

17 Ja, Zoti po të flak me dhunë, o njeri i fuqishëm, dhe do të të kapë mirë.

18 Do të të rrukullisë mirë e mirë dhe do të të hedhë si një top në një vend të gjerë. Aty do të vdesësh dhe do të mbarojnë qerret e tua krenare, o turp i shtëpisë së zotit tënd.

19 Do të të dëbojë nga zyra jote dhe do të tërhiqesh poshtë nga posti yt!

20 Atë ditë do të ndodhë që të thëras shërbëtorin tim Eliakim, birin e Hilkiahut;

21 do ta vesh me tunikën tënde, do t’i vë brezin tënd dhe do ta kaloj pushtetin tënd në duart e tij, dhe ai do të jetë një atë për banorët e Jeruzalemit dhe për shtëpinë e Judës.

22 Do të vë mbi supin e tij çelësin e shtëpisë së Davidit; kështu ai do të hapë dhe askush nuk do të mund ta mbyllë, do ta mbyllë dhe askush nuk do ta mund ta hapë.

23 Do ta ngul si një gozhdë në një vend të sigurt, dhe ai do të bëhet një fron lavdie për shtëpinë e atit të tij.

24 Nga ai do të varet tërë lavdia e shtëpisë së atit të tij, trashëgimtarët dhe degët anësorë, të gjitha enët edhe ato më të vogla, që nga kupat e e deri te shtambët e çdo lloji.

25 “Atë ditë, thotë Zoti i ushtrive, gozhda e ngulur në vend të sigurt do të hiqet, do të shkulet poshtë dhe do të bjerë; dhe gjithë pesha që mbante do të shkatërrohet, sepse Zoti ka folur”.

Isaia – Kapitulli 23

1 Profecia kundër Tiros. Rënkoni, o anije të Tarshishit, sepse Tiro është shkatërruar, dhe nuk kanë mbetur as shtëpitë as porti. Ky lajm iu erdhi nga vendi i Kitimit.

2 Mos hapni gojën, o banorë të bregut të detit, o tregtarë të Sidonit; ata që çajnë detet ju kanë mbushur me pasuri.

3 Nëpërmjet ujërave të mëdha gruri i Shihorit, prodhimi i lumit, ishte e ardhura e tij; dhe ai ishte tregu i kombeve.

4 Ki turp, o Sidon, sepse ka folur deti, kalaja e detit, duke thënë: “Unë nuk kam pasur dhembje, as kam lindur fëmijë; nuk kam ushqyer të rinj as kam rritur virgjëresha”.

5 Kur lajmi do të arrijë në Egjipt, do të hidhërohen për lajmin e Tiros.

6 Kaloni në Tarshish, vajtoni o banorë të bregut të detit!

7 Ky qënka qyteti juaj i qejfeve, prejardhja e të cilit është e lashtë? Këmbët e tij e çonin të banonte në toka të largëta.

8 Kush, pra, e ka vendosur këtë kundër Tiros, dhurues kurorash, tregëtarët e të cilit ishin princa dhe dyqanxhinjtë e të cilit ishin njerëzit e nderuar të dheut?

9 E ka vendosur Zoti i ushtrive, për të errur krenarinë nga çfarëdo shkëlqimi, për të ulur gjithë njerëzit e nderuar të dheut.

10 Kalo nëpër vendin tënd si Nili, o bijë e Tarshishit, nuk ka më forcë.

11 Zoti ka shtrirë dorën e tij mbi detin, i ka bërë mbretëritë të dridhen, për Kanaanin ka urdhëruar t’i shkatërrohen kalatë e tij.

12 Ai ka thënë: “Ti nuk do të vazhdosh të gëzohesh, o bijë e Sidonit, virgjëreshë që ke humbur nderin”. Çohu, kalo në vendin e Kitimit; as aty nuk do të gjesh prehje.

13 Ja vendi i Kaldeasve: ky popull nuk ekzistonte fare; Asiri e themeloi për kafshët e shkretëtirës. Ata kanë ngritur kalatë e tyre, kanë rrënuar pallatet e Tiros dhe e kanë katandisur në një grumbull gërmadhash.

14 Rënkoni, o anije të Tarshishit, sepse kalaja juaj është shkatërruar.

15 Atë ditë do të ndodhë që Tiro të harrohet për shtatëdhjetë vjet, aq sa janë vitet e një mbreti. Pas shtatëdhjetë vjetve do të ndodhë në Tiro ashtu siç thotë kënga e prostitutës:

16 “Merr qesten, sillu nëpër qytet, o prostitutë e harruar; bjeri me zotësi veglës, shumo këngët që të mund të të kujtojnë”.

17 Pas shtatëdhjetë vjetve do të ndodhë që Zoti do të vizitojë Tiron, që do të kthehet në pagën e vet dhe do të kurvërohet me të gjitha mbretëritë e botës mbi faqen e dheut.

18 Por fitimi nga tregtia e tij dhe paga e tij do t’i shenjtërohen Zotit; nuk do të mblidhet as nuk do të vihet mënjanë, sepse fitimi nga tregtia e tij do t’u shkojë atyre që banojnë përpara Zotit, me qëllim që të hanë sa të ngopen dhe të vishen në mënyrë të shkëlqyeshme.

Isaia – Kapitulli 24

1 Ja, Zoti zbras tokën dhe e bën të shkretë, prish faqen e saj dhe shpërndan banorët e saj.

2 Do t’i ndodhë e njëjta gjë popullit ashtu si priftit, shërbëtorit ashtu si padronit të tij, shërbëtores ashtu si padrones së saj, blerësit ashtu si shitësit, ai që jep borxh ashtu si ai që merr borxh, huadhënësit ashtu si huamarrësit.

3 Toka do të zbrazet plotësisht dhe do të plaçkitet plotësisht, sepse Zoti ka thënë këtë fjalë.

4 Toka është në zi dhe vuan, bota po ligështohet dhe po meket, njerëzit me poste nga populli i dheut ligështohen.

5 Toka është përdhosur nga banorët e saj, sepse këta kanë shkelur ligjet, kanë ndryshuar statutin, kanë marrë nëpër këmbë besëlidhjen e përjetshme.

6 Prandaj një mallkim e ka përpirë tokën dhe banorët e saj janë të dëshpëruar; prandaj banorët e tokës po digjen dhe të pakët janë burrat që kanë mbetur.

7 Mushti është në zi, vreshti po prishet dhe gjithë zemërgëzuarit psherëtijnë.

8 Gëzimi i dajreve ka marrë fund, zhurma e dëfrimtarëve ka mbaruar, gëzimi i harpës pushoi.

9 Nuk pihet më verë me këngë, pija dehëse është e hidhur për ata që e pijnë.

10 Qyteti i rrëmujës është shkatërruar; çdo shtëpi është e mbyllur që të mos hyjë njeri në të.

11 Nëpër rrugë ka ankime, sepse nuk ka verë; çdo gëzim është zhdukur, hareja është zhdukur nga toka.

12 Në qytet nuk mbetet gjë tjetër veç dëshpërimit, dhe porta është bërë copë-copë dhe është shkatërruar.

13 Sepse në mes të dheut, midis popujve, do të ndodhë ashtu si kur shkunden ullinjtë, ashtu si kur mblidhen vilet e pavjela pas vjeljes.

14 Ata do të ngrenë zërin, do të lëshojnë klithma gëzimi, për madhështinë e Zotit do të brohorasin nga deti:

15 “Lëvdoni, pra, Zotin në krahinat e agimit, emrin e Zotit, Perëndinë e Izraelit në ishujt e detit!”.

16 Nga skaji i tokës dëgjojmë këngë: “Lavdi të drejtit!”. Por unë them: “Mjerë unë! Mjerë unë! Vaj medet! Të pabesët veprojnë me pabesi, po, të pabesët veprojnë me pabesi të madhe.

17 Tmerri, gropa dhe laku të kërcënojnë, o banor i dheut.

18 Dhe ka për të ndodhur që ai që do të ikë përballë britmës së tmerrit do të bjerë në gropë, dhe kush do të dalë nga gropa do të kapet nga laku. Sepse nga lart do të hapen ujëvara dhe themelet e dheut do të tronditen.

19 Toka do të çahet e tëra; toka do të kriset tërësisht, toka do të dridhet me forcë.

20 Toka do të lëkundet si një i dehur, do të tronditet si një kasolle. Mëkati i saj rëndon mbi të, do të rrëzohet dhe nuk do të ngrihet më.

21 Atë ditë do të ndodhë që Zoti do të dënojë ushtrinë që është atje lart, dhe poshtë mbi tokë mbretërit e dheut;

22 do të mblidhen bashkë si të burgosur në një burg të nëndheshëm; do të mbyllen në një burg dhe pas shumë ditësh do të ndëshkohen.

23 Hënën do ta mbulojë rrëmuja dhe diellin turpi, sepse Zoti i ushtrive do të mbretërojë mbi malin e Sionit dhe në Jeruzalem, dhe lavdia e tij përpara pleqve.

Isaia – Kapitulli 25

1 O Zot, ti je Perëndia im, unë do të të përlëvdoj dhe do të kremtoj emrin tënd, sepse ke bërë gjëra të mrekullueshme, projekte të konceptuara shumë kohë më parë, dhe të realizuara me besnikëri dhe vërtetësi.

2 Sepse e ke katandisur qytetin në një grumbull gurësh, qytetin e fortifikuar në një grumbull gërmadhash; kështjella e të huajve nuk është më një qytet, nuk do të rindërtohet kurrë më.

3 Prandaj populli i fuqishëm të lëvdon, qyteti i kombeve të fuqishëm ka frikë nga ti,

4 sepse ti ke qenë një kështjellë për të varfërin, një kështjellë për të mjerin në fatkeqësinë e tij, një strehë kundër stuhisë, një hije kundër të nxehtit, sepse fryma e tiranëve është si një furtunë kundër murit.

5 Ti do të pakësosh zhurmën e të huajve si të nxehtit në një vend të thatë; ashtu si të nxehtit nën hijen e një reje, kështu kënga e tiranëve do të detyrohet të heshtë.

6 Zoti i ushtrive do t’u përgatisë tërë popujve mbi këtë mal një banket me gjellë të shijshme, me verëra të vjetra, me gjellë të shijshme me shumë palcë dhe me verëra të vjetra dhe të zgjedhura.

7 Do të shkatërrojë mbi këtë mal mbulesën që mbulonte tërë popujt, po kështu edhe mbulesën e shtrirë mbi të gjitha kombet.

8 Do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen; Zoti, Zoti, do t’i thajë lotët nga çdo fytyrë, do të heqë nga tërë dheu turpin e popullit të tij, sepse Zoti ka folur.

9 Atë ditë do të thuhet: “Ja, ky është Perëndia ynë: tek ai kemi shpresuar dhe ai do të na shpëtojë. Ky është Zoti tek i cili kemi shpresuar; të ngazëllojmë dhe të gëzohemi në shpëtimin e tij!”.

10 Me qenë se dora e Zotit do të shtrihet mbi këtë mal, ndërsa Moabi do të shkelet nën të ashtu si shkelet kashta mbi plehun.

11 Ai do të zgjasë duart e tij në mes teje, ashtu si i shtrin notari për të notuar, dhe do të ulë krenarinë e tij bashkë me trillimet e kurdisura nga duart e tij.

12 Fortesën e mureve të tua të larta, ai do ta shkatërrojë, do ta shembë, do ta hedhë për tokë deri poshtë në pluhur.

Isaia – Kapitulli 26

1 Atë ditë do të këndohet kjo këngë në vendin e Judës: “Ne kemi një qytet të fortë; Perëndia ka vënë shpëtimin për mure dhe për bastione.

2 Hapni portat dhe le të hyjë kombi i drejtë, që ruan besnikërinë”.

3 Mëndjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti.

4 Kini besim te Zoti përjetë, sepse Zoti, po, Zoti është shkëmbi i përjetshëm.

5 Ai ka përulur ata që rrinin lart, ka ulur qytetin e lartë, e ka ulur deri në tokë, e ka hedhur në pluhur;

6 këmbët e shkelin, pikërisht këmbët e të varfërit dhe hapat e mjeranëve.

7 Rruga e të drejtit është e drejtë; o Perëndi i drejtë, ti sheshon shtegun e të drejtit.

8 Po, në rrugën e gjykimeve të tua, o Zot, ne të kemi pritur. Dëshira e shpirtit tonë i drejtohet emrit tënd dhe kujtimit tënd.

9 Me shpirtin tim të dëshiroj natën, po, me frymën që është brenda meje të kërkoj në mëngjes herët; sepse kur shfaqen gjykimet e tua mbi tokë, banorët e botës mësojnë drejtësinë.

10 Në rast se falet i pabesi, ai nuk do ta mësojë drejtësinë; ai do të veprojë në mënyrë të çoroditur në vendin e ndershmërisë dhe nuk do të mund të shikojë madhështinë e Zotit.

11 O Zot, dora jote është ngritur, por ata nuk e shohin. Por ata do ta shohin zellin tënd për popullin tënd dhe do të mbeten të hutuar; po, zjarri i armiqve të tu do t’i përpijë.

12 O Zot, ti do të vendosësh paqen për ne, sepse ti kryen për ne çdo vepër tonën.

13 O Zot, Perëndia ynë, zotër të tjerë, veç teje, na kanë sunduar; por vetëm për ty të mbajmë mend emrin.

14 Të vdekurit nuk do të rijetojnë më, ata që shkuan nuk do të vijnë më; prandaj ti i ke ndëshkuar, ke shkatërruar dhe ke zhdukur çdo kujtim të tyre.

15 Ti e ke rritur kombin, o Zot, e ke rritur kombin, je përlëvduar; i ke zgjeruar tërë kufijtë e vendit.

16 O Zot, në çastet e fatkeqësisë të kanë kujtuar, kanë bërë një lutje kur ndëshkimi yt po i godiste.

17 Ashtu si një grua me barrë që është gati për të lindur dhe përpëlitet dhe ulërin nga të prerat që ka, kështu kemi qenë ne para teje, o Zot.

18 Jemi ngjizur, kemi ndjerë dhembjet, ashtu sikur të kishim për të lindur, por ishte vetëm erë; nuk i kemi dhënë asnjë shpëtim vendit dhe banorët e botës nuk kanë rënë.

19 Të vdekurit e tu do të rijetojnë, bashkë me kufomën time, do të ringjallen. Zgjohuni dhe gëzohuni, o ju që banoni në pluhur! Sepse vesa jote është si vesa e një drite që shkëlqen dhe toka do të nxjerrë në dritë të vdekurit.

20 Shko, o populli im, hyr në dhomat e tua, mbylli portat e tua prapa teje; fshihu për një çast, deri sa të kalojë zemërimi.

21 Sepse ja, Zoti del nga banesa e tij për të ndëshkuar paudhësinë e banorëve të tokës; toka do të nxjerrë në shesh gjakun e derdhur dhe nuk do të t’i fshehë më të vrarët e saj.

Isaia – Kapitulli 27

1 Atë ditë Zoti do të ndëshkojë me shpatën e tij të ashpër, të madhe dhe të fortë Leviathanin, gjarpërin e shkathët, gjarpërin Leviathani dredha-dredha, dhe do të vrasë përbindëshin që është në det.

2 Atë ditë do të thuhet: “Vreshti që jep verë të kuqërremtë, këndoni për të.

3 Unë, Zoti, e ruaj, e vadis çdo çast, e ruaj natën e ditën me qëllim që askush të mos e dëmtojë.

4 Nuk ka zemërim tek unë. Kush do t’i vinte në luftë kundër meje ferrat dhe gjembat? Unë do të shkoja kundër tyre dhe do t’i digjja të gjitha tok.

5 Do të ishte më mirë që dikush të mbështetej te forca ime për të bërë paqe me mua, po, për të bërë paqe me mua”.

6 Në ditët që do të vijnë Jakobi do të lëshojë rrënjë, Izraeli do të lulëzojë dhe do të lëshojë lastarë dhe do të mbushë faqen e dheut me fryte.

7 A ka goditur Perëndia Izraelin ashtu si ka goditur ata që e qëllonin atë? A e ka vrarë atë ashtu si ka vrarë ata që e vrisnin atë?

8 Ti je grindur me të me masë, duke e përzënë dhe duke e çuar larg. Ai e çoi në një vend të largët me frymën e tij të furishme, një ditë me erë lindore.

9 Në këtë mënyrë do të shpagohet padrejtësia e Jakobit, dhe ky do të jetë gjithë fryti i heqjes së mëkatit të tij, kur do t’i kthejë tërë gurët e altarit si gurë gëlqereje të thërmuar; kështu Asherimët dhe altarët e temjanit nuk do të ngrihen më.

10 Qyteti i fortifikuar do të jetë i shkretuar, një vend i pabanuar dhe i braktisur si një shkretëtirë; aty do të kullosë viçi, i cili do të shtrihet dhe do të hajë degët.

11 Kur degët e tij do të thahen, do të thyhen dhe do të vijnë gra për t’i djegur. Me qenë se është një popull pa zgjuaësi, prandaj Ai që e ka bërë nuk do t’i vijë keq për të, Ai që e ka formuar nuk do t’i japë hir.

12 Po atë ditë do të ndodhë që Zoti do të shijë grurin nga rrjedha e lumit deri te përroi i Egjiptit, dhe ju do të mblidheni një nga një, o bij të Izraelit.

13 Atë ditë do të ndodhë që të bjerë buria e madhe, dhe ata që kanë humbur në vendin e Asirisë dhe ata që janë shpërndarë në vendin e Egjiptit do të vijnë dhe do të adhurojnë Zotin mbi malin e shenjtë, në Jeruzalem.

Isaia – Kapitulli 28

1 Mjerë kurorës së kryelartësisë të të dehurve, të Efraimit dhe lules së fishkur të bukurisë së tij të lavdishme që ri mbi krye të luginës pjellore të atyre që i ka mposhtur vera!

2 Ja, Zoti ka një njeri të fortë dhe të fuqishëm, si një stuhi breshëri, si një tufan shkatërrues; si një aluvion ujërash të fuqishëm përmbytëse; ai do t’i hedhë për tokë me dorën e tij.

3 Kurora e kryelartësisë të të dehurve të Efraimit do të shkelet;

4 dhe lulja e fishkur e bukurisë së tij të lavdishme që rri mbi krye të luginës pjellore do të jetë si një fik i hershëm para verës që dikush e shikon; ai e gëlltit sapo e ka në dorë.

5 Atë ditë Zoti i ushtrive do të jetë një kurorë lavdie, një diadem i shkëlqyer për pjesën tjetër të popullit të tij,

6 një frymë drejtësie për atë që ulet për të gjykuar dhe forca e atyre që në betejë e sprapsin armikun deri te portat e tij.

7 Por edhe këta shkojnë sa djathtas aq edhe majtas për shkak të verës dhe u merren këmbët nga pijet dehëse; prifti dhe profeti lëkunden për shkak të pijeve dehëse, lëkunden sikur të kishin vegime, ngurrojnë në dhënien e vendimeve.

8 Tërë tryezat janë plot me të vjellura dhe me ndyrësira, nuk ka më një vend të pastër.

9 “Kujt dëshiron t’i mësojë diturinë? Kujt dëshiron t’ia bëjë të kuptueshëm mesazhin? Atyre që sapo janë zvjerdhur, atyre që sapo janë shkëputur nga sisa?

10 Sepse ka një urdhër mbi urdhër, urdhër mbi urdhër, regull mbi regull, regull mbi regull, pak këtu dhe pak atje”.

11 Në fakt do të ndodhë që me buzë që bëlbëzojnë dhe me një gjuhë tjetër Zoti do t’i flasë këtij populli.

12 Ai u kishte thënë: “Ja pushimi: vëreni të lodhurin të pushojë; këtu është fresk!”. Por ata nuk deshën ta dëgjojnë.

13 Kështu fjala e Zotit u bë për ta urdhër mbi urdhër, urdhër mbi urdhër, rregull mbi rregull, rregull mbi rregull, pak këtu, pak atje, me qëllim që ata të binin mbrapsht, të bëheshin copë-copë, t’i zinte laku dhe të kapeshin.

14 Prandaj dëgjoni fjalën e Zotit, o tallës, që sundoni mbi këtë popull, që rri në Jeruzalem!

15 Ju thoni: “Kemi përfunduar një besëlidhje me vdekjen, kemi bërë një aleancë me Sheolin; kur rebeshi përmbytës do të kalojë, nuk do të arrijë deri te ne, sepse gënjeshtrën e kemi bërë strehën tonë dhe jemi fshehur prapa falsitetit”.

16 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: “Ja, unë vendos si themel në Sion një gur, një gur të provuar, një kokë qosheje të çmuar, një themel të sigurt; ai që i beson atij nuk do të ngutet.

17 Unë do të vendos të drejtën si masë dhe drejtësinë si plumbçe; breshëri do të pastrojë strehën e gënjeshtrës dhe ujërat do të përmbytin strehën tuaj.

18 Besëlidhja juaj me vdekjen do të anulohet dhe aleanca juaj me Sheolin nuk do të qëndrojë; kur rrebeshi përmbytës do të kalojë, ju do të shkeleni prej tij.

19 Sa herë që do të kalojë, do t’ju kapë, sepse do të kalojë çdo mëngjes, ditën dhe natën, do të jetë një tmerr i vërtetë të dëgjosh vetëm të ta rrëfejnë.

20 Në fakt shtrati do të jetë i shkurtër për t’u shtrirë dhe mbulesa tepër e ngushtë për t’u mbuluar me të.

21 Sepse Zoti do të ngrihet si në malin e Peratsimit, do të zemërohet si në luginën e Gabaonit, për të plotësuar veprën e tij, veprën e tij të padëgjuar, për të plotësuar punën e tij, punën e tij të pazakontë.

22 Mos u bëni, pra, tallës që lidhjet tuaja të mos përforcohen. Sepse unë kam dëgjuar nga ana e Zotit, e Zotit të ushtrive, se është vendosur shfarosja e plotë e gjithë vendit.

23 Vini vesh dhe dëgjoni zërin tim, tregohuni të kujdesshëm dhe dëgjoni fjalën time!

24 A nuk lëron tërë ditën bujku për të mbjellë? A vazhdon vallë, ta çajë dhe ta prashitë tokën e tij?

25 Mbasi ka sheshuar sipërfaqen e saj, a nuk mbjell koprën dhe nuk përhap barin e gjumit, nuk vë grurin në brazda, elbin në vendin e caktuar dhe grurin e fortë gjatë kufijve?

26 Perëndia i tij i tregon rregullin që duhet të ndjekë dhe e mëson.

27 Kopra nuk shihet me shirësen dhe nuk kalohet rrota e qerres mbi barin e gjumit; por koprën e rrahin me shkop dhe barin e gjumit me shufër.

28 Gruri për bukë duhet të shtypet; prandaj nuk shtypet për gjithnjë, por kalohen mbi të rrota të qerres dhe kuajt, por pa e shtypur.

29 Edhe kjo vjen nga Zoti i ushtrive, që është i mrekullueshëm në këshillat e tij dhe i madh për nga dituria”.

Isaia – Kapitulli 29

1 Mjerë Arieli, Arieli, qytet ku fushoi Davidi! I shtoni vit vitit, festat le të plotësojnë ciklin e tyre.

2 Pastaj do ta hedh Arielin në ankth; do të ketë ankim dhe rënkime dhe për mua do të jetë si një Ariel.

3 Unë do të fushoj kundër teje rreth e qark, do të të rrethoj me një ledh dhe do të ngre bastione kundër teje.

4 Do të ulesh, do të flasësh nga toka dhe fjala jote do të dalë e mbytur nga pluhuri; zëri yt do të ngjitet nga toka si ai i një mediumi dhe fjala jote do të pëshpëritë nga pluhuri.

5 Turma e armiqve të tu do të jetë si pluhur i hollë dhe turma e të fuqishmëve si byk i shpërndarë; dhe kjo ka për të ndodhur papritmas, në një çast.

6 Ti do të vizitohesh nga Zoti i ushtrive me gjëmime, tërmete dhe zhurma të mëdha, me shakullima dhe flakë zjarri përvëlues.

7 Moria e të gjitha kombeve që luftojnë kundër Arielit, e të gjitha atyre që e luftojnë atë dhe fortesën e tij dhe e shtrëngojnë rreth e qark do të jetë si një ëndërr, si një vegim nate.

8 Ka për të ndodhur ashtu si kur një i uritur që ëndërron të hajë, por kur zgjohet e ka stomakun bosh, apo si kur një i etur ëndërron të pijë, por kur zgjohet është i lodhur dhe e ka grykën të tharë; kështu ka për të ndodhur me morinë e të gjitha kombeve që luftojnë kundër malit të Sionit.

9 Ndaluni dhe habituni. Braktisjuni qejfeve dhe pastaj shikoni rreth e rrotull të trembur. Këta janë të dehur, por jo nga vera; u merren këmbët, por jo për pasojë të pijeve dehëse.

10 Në fakt Zoti ka shpërndarë mbi ju një frymë topitjeje; ka mbyllur sytë tuaja, profetët, ka mbuluar me vel krerët tuaj, shikuesit.

11 Çdo vegim profetik është bërë për ju si fjalët e një libri të vulosur që i jepet dikujt që di të lexojë; duke i thënë: “Të lutem, lexoje, këtë!”, por ai përgjigjet: “Nuk mundem, sepse është i vulosur!”.

12 Ose si një libër që i jepet dikujt që nuk di të lexojë, duke i thënë: “Të lutem, lexoje këtë!”, por ai përgjigjet: “Nuk di të lexoj”.

13 Prandaj Zoti thotë: “Me qenë se ky popull më afrohet mua vetëm me gojën dhe më nderon me buzët e tij, ndërsa zemra e tij më rri larg dhe frika e tij ndaj meje është vetëm një urdhërim i mësuar nga njerëzit,

14 prandaj, ja, unë do të vazhdoj të bëj mrekulli në mes të këtij populli, po, mrekulli dhe çudi: dituria e njerëzve të tij të urtë do të shuhet dhe zgjuarësia e të mënçurve të tij do të zhduket”.

15 Mjerë ata që shkojnë në vende të thella për t’ia fshehur Zotit planet e tyre, që i bëjnë veprat e tyre në terr dhe thonë: “Kush na sheh? Kush na njeh?”

16 I keni përmbysur plotësisht gjërat. A mund të konsiderohet poçari i barabartë me argjilën? A mundet vepra t’i thotë atij që e ka bërë: “Nuk më ka bërë ai”?, ose gjëja e formuar t’i thotë atij që e ka formuar: “Nuk ka zgjuarësi”?

17 Brenda një kohe shumë të shkurtër dhe Libani do të shndërrohet në një pemishte, dhe pemishtja do të konsiderohet si një pyll.

18 Të shurdhët do të kuptojnë atë ditë fjalët e librit dhe, të çliruar nga errësira dhe terri, sytë e të verbërve kanë për të parë.

19 Të përulurit do të mund të gëzojnë akoma te Zoti dhe të varfërit e njerëzimit do të ngazëllohen tek i Shenjti i Izraelit.

20 Sepse tirani do të jetë zhdukur, tallësi do të jetë shkatërruar, dhe do të jenë shfarosur tërë ata që kurdisin paudhësi,

21 që dënojnë një njeri për një fjalë, që i kurdisin kurthe atij që gjykon te porta, që prishin të drejtën e të drejtit për asgjë.

22 Prandaj kështu i thotë shtëpisë së Jakobit Zoti që shpengoi Abrahamin: “Tani e tutje Jakobi nuk do të turpërohet më dhe fytyra e tij nuk do të zverdhet më;

23 por kur do të shohë bijtë e tij, veprën e duarve të mia në mes të tij, ata do të shenjtërojnë emrin tim, do të shenjtërojnë të Shenjtin e Jakobit dhe do të kenë frikë nga Perëndia i Izraelit.

24 Ata që kanë frymë të përdalë do të arrijnë të kenë gjykim dhe murmuruesit do të mësojnë doktrinën e shëndoshë”.

Isaia – Kapitulli 30

1 “Mjerë bijtë rebelë, thotë Zoti, që bëjnë projekte që nuk vijnë nga unë, që lidhin aleanca, por pa Frymën time, për të grumbulluar mëkate mbi mëkate;

2 që shkojnë poshtë në Egjipt pa konsultuar më parë gojën time, për t’u përforcuar në forcën e Faraonit dhe për të kërkuar strehë në hijen e Egjiptit!

3 Por forca e Faraonit do të jetë turpi juaj dhe streha në hije të Egjiptit fatkeqësia juaj.

4 Sepse princat e tij kanë shkuar në Tsoan dhe ambasadorët e tij kanë arritur në Hanes.

5 Por do të turpërohen të gjithë nga një popull që nuk do t’u hyjë fare në punë, që nuk do t’iu japë asnjë ndihmë o përfitim, por vetëm turp dhe poshtërim.

6 Një profeci kundër kafshëve të Neghevit: nëpërmjet një vendi të mjeruar dhe plot ankthe, prej të cilit vijnë luanesha dhe luani, nepërka dhe gjarpëri i zjarrtë që fluturon, ata mbartin pasuritë e tyre mbi kurrizin e gomarëve dhe thesaret e tyre mbi kurrizin e deveve një populli prej të cilit nuk kanë për të përfituar asgjë.

7 Sepse ndihma e Egjiptit është e kotë dhe e padobishme, prandaj unë e quaj: “Rahab-Hem-Shebeth”.

8 Tani eja, shkruaje këtë mbi një rrasë të vogël dhe shkruaje në një libër, që të mbetet për ditët e ardhshme, për gjithnjë, përjetë.

9 Sepse ky është një popull rebel, janë bij gënjeshtarë, bij që nuk duan të dëgjojnë ligjin e Zotit,

10 që u thonë shikuesve: “Mos kini vegime”, dhe profetëve: “Mos na profetizoni gjëra të vërteta, na tregoni gjëra të këndshme, na profetizoni gjëra mashtruese.

11 Dilni jashtë rruge, braktisni shtegun e drejtë, largoni nga sytë tona të Shenjtin e Izraelit!””.

12 Prandaj kështu thotë i Shenjti i Izraelit: “Me qenë se ju e përçmoni këtë fjalë dhe keni besim te shtypja dhe te ligësia, dhe mbështeteni mbi to,

13 kjo paudhësi do të jetë për ju si e çarë që rrezikon të rrëzohet, një dalje te një mur i lartë, rrëzimi i të cilit ndodh papritmas, në një çast,

14 dhe thyhet si një enë prej balte të pjekur, që dikush copëton pa mëshirë duke mos mundur të gjejë në copat e tij qoftë edhe një copë për të marrë zjarr në vatër ose për të marrë ujë nga sterna”.

15 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti, i Shenjti i Izraelit: “Duke u kthyer tek unë dhe duke pushuar tek unë, do të shpëtoni; forca juaj qëndron në qetësinë dhe në besimin tuaj. Por ju nuk keni dashur,

16 madje keni thënë: “Jo, ne do të ikim me kuajt tanë!”. Prandaj ju do të ikni. Dhe: “Do të shkojmë me kuaj të shpejtë!”. Prandaj ata që do t’ju ndjekin do të jenë edhe më të shpejtë.

17 Një mijë prej jush do të ikin nën kërcënimin e një të vetmi; nën kërcënimin e pesë vetave do të ikni me vrap, deri sa të rrini si një hu mbi majën e një mali, si një flamur mbi një kodër”.

18 Prandaj Zoti do të presë për t’ju dhënë hir, pastaj ai do të lartësohet, sepse i erdhi keq për ju, sepse Zoti është një Perëndi i drejtësisë. Lum të gjithë ata që kanë shpresë tek ai!

19 O popull i Sionit që banon në Jeruzalem, ti nuk do të qash më. Ai do të të bëj nder me siguri; duke dëgjuar zërin e britmës sate; sapo të të dëgjojë, do të përgjigjet.

20 Edhe sikur Zoti t’ju japë bukën e ankthit dhe ujin e shtypjes, megjithatë ata që të mësojnë nuk do të duhet të fshihen, dhe sytë e ty do të shohin mësuesit e tu.

21 Kur do të shkoni djathtas ose kur do të shkoni majtas, veshët e tu do të dëgjojnë prapa teje një fjalë që do të thotë: “Kjo është rruga, ecni në të!”.

22 Konsiderojini si të papastra shëmbëlltyrat tuaja të gdhendura të veshura me argjend dhe shëmbëlltyrat tuaja prej metali të derdhur të veshura me ar; do t’i flakni tutje si një gjë e papastër, “Jashtë!”, do t’u thoni atyre.

23 Atëherë ai do t’i japë shiun për farën tënde që do të kesh mbjellë në tokë; dhe buka që toka do të prodhojë do të jetë e shijshme dhe e bollshme; atë ditë bagëtia jote do të kullosë në kullota të gjera.

24 Qetë dhe gomarët që punojnë tokën do të hanë forazhin me kripë, të ajrosur me lopatën e drithit.

25 Mbi çdo mal të lartë dhe mbi çdo kodër të lartë do të ketë rrëke dhe rrjedha uji ditën e masakrës së madhe, kur do të rrëzohen kullat.

26 Drita e hënës do të jetë si drita e diellit, dhe drita e diellit do të jetë shtatë herë më e fortë, si drita e shtatë ditëve, ditën kur Zoti do të lidhë plagën e popullit të tij dhe do të shërojë plagën e shkaktuar nga goditjet e tij.

27 Ja, emri i Zotit vjen nga larg; zemërimi i tij është i zjarrtë dhe barra e tij e rëndë; buzët e tij janë plot indinjatë dhe gjuha e tij si një zjarr që të përpin;

28 fryma e tij është si një përrua që vërshon dhe që arrin deri në qafë për të shoshitur kombet me shoshën e shkatërrimit dhe për të vënë në nofullat e popujve një fre që t’i bëjë të përdalin.

29 Atëherë do t’ia merrni një këngë si natën kur kremtoni një festë; dhe do të keni gëzim në zemër, ashtu si ai që shkon me zërin e fyellit në malin e Zotit, në kështjellën e Izraelit.

30 Pastaj Zoti do të bëjë të dëgjohet zëri i tij madhështor dhe do të tregojë si godet me krahun e tij kur tërbohet zemërimi i tij, në flakën e një zjarri gllabërues, në mes shpërthimesh të furishme, uraganësh dhe breshëri gurësh.

31 Me qenë se Asiria do të goditet nga frika e zërit të Zotit, që do ta rrahë me shufër;

32 dhe çdo goditje që do të jepet me shkopin të cilin Zoti do të bëjë t’i bjerë mbi të, do të shoqërohet nga tingujt e dajreve dhe të qesteve. Ai do të luftojë kundër asaj duke tundur dorën në mënyrë kërcënuese.

33 Tofeti është përgatitur prej shumë kohe, ai është gati edhe për mbretin; ky e ka bërë të thellë dhe të gjerë; mbi turrën e druve për ta djegur ka zjarr dhe dru me shumicë; fryma e Zotit, si një rrymë squfuri, do ta ndezë.

Isaia – Kapitulli 31

1 Mjerë ata që zbresin në Egjipt në kërkim të ndihmës dhe u besojnë kuajve, kanë besim te qerret, sepse janë të shumta dhe te kalorësit, sepse janë shumë të fuqishëm, por nuk shikojnë të Shenjtin e Izraelit dhe nuk kërkojnë Zotin.

2 Megjithatë edhe ai është i urtë dhe do të sjellë gjëmën; ai nuk do t’i tërheqë fjalët e tij, por do të ngrihet kundër shtëpisë së njerëzve të këqij dhe kundër ndihmës së atyre që bëjnë paudhësi.

3 Por Egjiptasit janë njerëz dhe jo Perëndi, kuajt e tyre janë mish dhe jo frymë. Kur Zoti do të shtrijë dorën e vet, mbrojtësit do t’i merren këmbët dhe i mbrojturi do të rrëzohet, do të vdesin të gjithë bashkë.

4 Sepse kështu më ka thënë Zoti: “Ashtu si luani apo luanesha vrumbullin mbi prenë e vet (kur kundër tij është mbledhur një numër i madh barinjsh dhe ai nuk ka frikë nga britmat e tyre dhe as trëmbet nga zhurma e tyre), kështu do të zbresë Zoti i ushtrive për të luftuar në malin e Sionit dhe në kodrën e tij.

5 Ashtu si zogjtë fluturojnë mbi të vegjëlit e tyre, kështu Zoti i ushtrive do të mbrojë Jeruzalemin, do ta mbrojë dhe do ta çlirojë, do ta kursejë dhe do ta shpëtojë”.

6 Kthehuni tek ai nga i cili jeni larguar shumë, o bij të Izraelit!

7 Atë ditë secili do të flakë idhujt e tij prej argjendi dhe idhujt e tij prej ari, që duart tuaja kanë bërë duke mëkatuar për ju.

8 “Atëherë Asiria do të bjerë nga një shpatë jo prej njeriu, dhe një shpatë jo prej njeriu do ta përpijë; do t’ia mbathë para shpatës dhe të rinjtë e tij do t’i nënshtrohen punës së detyruar.

9 Nga frika do të kalojë përtej kështjellës dhe princat e saj do të tmerrohen për shkak të flamurit”, thotë Zoti, që ka zjarrin e tij në Sion dhe furrën e tij në Jeruzalem.

Isaia – Kapitulli 32

1 Ja, një mbret do të mbretërojë me drejtësi dhe princat do të qeverisin me paanësi.

2 Secili prej tyre do të jetë si një mbrojtje nga era dhe një strehë kundër uraganit, si rrëke uji në një vend të thatë, si hija e një shkëmbi të madh në një tokë të zhuritur.

3 Sytë e atyre që shohin nuk do t’u erren më dhe veshët e atyre që dëgjojnë do të jenë të vëmendshëm.

4 Zemra e njerëzve të pamend do të fitojë njohuri dhe gjuha e atyre që belbëzojnë do të flasë shpejt dhe qartë.

5 Njeriu i përçmuar nuk do të thirret më fisnik, as i pandershmi nuk do të thirret i pavlerë.

6 Sepse njeriu i përçmuar thotë gjëra të neveritshme dhe zemra e tij jepet pas paudhësisë, për të kryer pabesi dhe për të thënë gjëra pa respekt kundër Zotit, për ta lënë bosh stomakun e të uriturit dhe për ta lënë thatë atë që vuan nga etja.

7 Armët e të pandershmit janë të poshtra; ai kurdis plane të këqija për të shkatërruar të mjerin me fjalë gënjeshtare, edhe kuri mjeri pohon të drejtën.

8 Por njeriu fisnik mendon plane fisnike dhe i vë vetes qëllime fisnike.

9 Çohuni, o gra që jetoni në bollëk, dhe dëgjoni zërin tim; o bija pa mend, ia vini veshin fjalës sime!

10 Brenda një viti dhe disa ditëve ju do të dridheni, o gra pa mend, sepse vjelja e rrushit do të shkojë keq dhe korrje nuk do të ketë.

11 Fërgëlloni, o gra që jetoni në bollëk, dridhuni o ju gra pa mend. Hiqni veshjet tuaja, zhvishuni dhe vini një grethore në ijët,

12 duke i rënë gjoksit nëpër arat e mira dhe nëpër vreshtat prodhimtare.

13 Mbi tokën e popullit tim do të rriten gjemba dhe ferra; po, mbi të gjitha shtëpitë e gëzimit të qytetit të qejfeve.

14 Sepse pallati do të braktiset, qyteti i zhurmshëm do të shkretohet, Ofeli dhe kulla do të bëhen për gjithnjë shpella gëzimi për gomarët e egër dhe kullotë për kopetë.

15 deri sa mbi ne të përhapet Fryma nga lart, shkretëtira të bëhet pemishte dhe pemishtja të konsiderohet si një pyll.

16 Atëherë i drejti do të banojë në shkretëtirë dhe drejtësia do të banojë në pemishte.

17 Pasojë e drejtësisë do të jetë paqja, rezultat i drejtësisë qetësia dhe siguria përjetë.

18 Populli im do të banojë në një vend paqeje, në banesa të sigurta dhe në vende të qeta pushimi,

19 edhe sikur të binte breshër mbi pyllin dhe qyteti të ulej shumë.

20 Lum ju që mbillni në breg të të gjithë ujërave dhe që lini të shkojë e lirë këmba e kaut dhe e gomarit.

Isaia – Kapitulli 33

1 Mjerë ti që shkreton edhe sikur të mos kesh qenë i shkretuar, që vepron me pabesi edhe sikur të mos jetë vepruar me pabesi kundër teje! Kur të kesh mbaruar së shkatërruari do të shkatërrohesh edhe

2 O Zot, ki mëshirë për ne, që kemi shpresë te ti. Bëhu krahu ynë çdo mëngjes dhe shpëtimi ynë në kohë fatkeqësie.

3 Nga zhurma e një turme, popujt ikin, kur ti çohesh kombet shpërndahen.

4 Plaçka juaj e luftës do të mblidhet ashtu siç mblidhen vemjet; ashtu si turren karkalecat kështu do të turren mbi të.

5 Zoti është lartësuar sepse banon lart; ai e mbush Sionin me barazi dhe drejtësi,

6 dhe do të jetë siguria e ditëve të tua, forca e shpëtimit, dituria dhe njohja; frika e Zotit do të jetë thesari i tij.

7 Ja, heronjtë e tyre bërtasin nga jashtë, lajmëtarët e paqes qajnë me hidhërim.

8 Rrugët janë të shkreta, nuk ka as edhe një kalimtar nëpër to. Ai e ka prishur besëlidhjen me ta, i përbuz qytetet, nuk kujdeset për njeri.

9 Vendi është në zi dhe vuan; Libani është plot me turp dhe i dobësuar; Sharoni është si një shkretëtirë, Bashani dhe Karmeli tronditen me të madhe.

10 “Tani do të çohem”, thotë Zoti, “tani do të lartësohem, tani do të ngrihem.

11 Ju keni mbarsur bykun, por do të pillni kashtë; fryma juaj do të jetë një zjarr që do t’ju gllabërojë.

12 Popujt do të jenë si furra të gëlqeres, ata do të digjen në zjarr si ferrishte të prera.

13 O ju që jeni larg, dëgjoni atë që kam bërë; dhe ju që jeni afër, njihni fuqinë time”.

14 Në Sion mëkatarët i ka kapur frika, një drithërimë ka pushtuar të pabesët: “Kush prej nesh do të mund të banojë me zjarrin gllabërrues? Kush prej nesh do të mund të banojë me flakët e përjetshme?”.

15 Ai që ecën me drejtësi dhe flet drejt, ai që i përçmon fitimet e shtrëmbëra, që lëviz duart për të mos pranuar dhurata, që i mbyll veshët për të mos dëgjuar të flitet për gjak dhe sytë për të mos parë të keqen,

16 ai do të banojë në vënde të larta, shkëmbenjtë e fortifikuar do të jenë streha e tij, buka e tij do t’i jepet, uji i tij do t’i sigurohet.

17 Sytë e tu do të sodisin bukurinë e mbretit tënd, do të shohin një vend që ndodhet shumë larg.

18 Zemra jote do të bjerë në mendime të thella mbi tmerret e kaluara: “Ku është shkruesi? Ku është ai që peshon? Ku është ai që numëron kullat?”.

19 Ti nuk do ta shikosh më atë popull mizor, atë popull me një të folur të errët dhe të pakuptueshme, që belbëzon një gjuhë që askush nuk e kupton.

20 Sodit Sionin, qytetin e madhështive tona! Sytë e tu do të shohin Jeruzalemin, vendbanim i qetë, çadër që nuk do të lëvizet më nga vendi, hunjtë e së cilës nuk do të shkulen dhe asnjë nga litarët e saj nuk do të hiqet.

21 Por aty Zoti në madhështinë e tij do të jetë për ne një vend lumenjsh dhe rrjedhash të gjera uji, ku nuk arrin asnjë anije me lopata dhe nuk kalon asnjë anije e fuqishme.

22 Me qenë se Zoti është gjykatësi ynë, Zoti është ligjvënësi ynë, Zoti është mbreti ynë; ai do të na shpëtojë.

23 Litarët e tu janë liruar, nuk e mbajnë mirë dyrekun dhe nuk vënë në veprim velat. Atëherë do të ndahet preja e një plaçke të pasur; edhe çalamanët do të marrin pjesë në plaçkitje.

24 Asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: “Unë jam i sëmurë”. Populli që banon aty do të përfitojë faljen për paudhësinë e tij.

Isaia – Kapitulli 34

1 Afrohuni, o kombe, për të dëgjuar; o popuj, kini kujdes. Le të dëgjojë toka dhe gjithçka që është në të, bota dhe gjithçka që ajo prodhon.

2 Sepse Zoti është zemëruar me të gjitha kombet, është indinjuar me të gjitha ushtritë e tyre; ai ka vendosur shkatërrimin e tyre, i braktis në masakër.

3 Të vrarët e tyre do të hidhen tutje, kufomat e tyre do të qelben dhe malet do të shkrihen me gjakun e tyre.

4 Tërë ushtria e qiellit do të zhduket, qiejtë do të mblidhen rrotull si një libër, por tërë ushtria e tyre do të bjerë, ashtu si bie gjethi nga hardhia, si bie një fryt i fishkur nga fiku.

5 Me qenë se shpata ime është dehur në qiell, ja ajo po gatitet të bjerë mbi Edomin, mbi popullin që kam vendosur të shfaroset, për të vënë në vend drejtësinë.

6 Shpata e Zotit është plot me gjak, është ngopur me dhjamë, me gjakun e qengjave dhe të cjepve, me dhjamin e veshkave të deshve; sepse Zoti bën një flijim në Botsrah dhe një kërdi të madhe në vendin e Edomit.

7 Bashkë me ta bien buaj, mëzetër tok me dema; toka e tyre është vaditur me gjak, pluhuri i tyre është ngopur me dhjamë.

8 Sepse është dita e hakmarrjes të Zotit, viti i shpërblimit për çështjen e Sionit.

9 Përrenjtë do të kthehen në katran, pluhuri i vet në squfur, toka e vet do të bëhet rrëshirë e zjarrtë.

10 Nuk do të shuhet as ditën as natën, tymi i tij do të ngjitet përjetë; do të mbetet e shkretë brez pas brezi, askush nuk do të kalojë mbi të.

11 Zotër të tij do të bëhen pelikani dhe iriqi dhe do të banojnë aty kukuvajka dhe korbi. Zoti do të shtrijë mbi të litarin e dëshpërimit, plumbçen e boshllëkut.

12 Do t’i thërrasin fisnikët në mbretëri, por nuk do ketë asnjë prej tyre, dhe tërë princat janë katandisur në hiç.

13 Në pallatet e tij do të rriten gjemba, në fortesat e tij hithra dhe carangtha; do të bëhet banesë për çakejtë, një vend i rrethuar për strucat.

14 Kafshët e shkretëtirës do të takohen me kafshët që ulërijnë, cjeptë do të thërrasin njeri tjetrin; do të vendosen aty edhe kukuvajkat dhe do të gjejnë një vend pushimi.

15 Do të bëjë folenë e vet gjarpëri-shigjetë, do të lëshojë aty vezët, do t’i çelë dhe do t’i mbledhë në hijen e tij të vegjëlit e vet, aty do të mblidhen edhe hutat, secili me shokun e vet.

16 Kërkoni në librin e Zotit dhe lexoni: asnjë prej tyre nuk do të mungojë, askujt nuk do t’i mungojë shoku i vet, sepse e ka urdhëruar goja e tij dhe e ka mbledhur Fryma e tij.

17 Ai vetë e ka hedhur shortin për ta, dhe dora e tij e ka ndarë midis tyre me vijën e matjes; do ta zotërojnë për gjithnjë; do të banojnë aty brez pas brezi.

Isaia – Kapitulli 35

1 Shkretëtira dhe toka e thatë do të gëzohen, vetmia do të gëzohet dhe do të lulëzojë si trëndafili;

2 do të lulëzojë shumë dhe do të ngazëllojë me hare dhe britma gëzimi. Do t’u jepet lavdia e Libanit, madhështia e Karmelit dhe e Sharonit. Ata do të shohin lavdinë e Zotit, madhështinë e Perëndisë tonë.

3 Forconi duart e dobësuara, bëjini të qëndrueshëm gjunjët e pasigurt!

4 U thoni atyre që e kanë humbur zemrën: “Bëhuni të fortë, mos kini frikë!”. Ja, Perëndia juaj do të vijë me hakmarrjen dhe me shpërblimin e Perëndisë; do të vijë ai vetë për t’ju shpëtuar.

5 Atëherë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhëve;

6 atëherë çalamani do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi, sepse do të dalin ujëra në shkretëtirë dhe përrenj në vendin e vetmuar.

7 Vendi i thatë do të bëhet pellg dhe toka e etur për ujë burim ujërash; në vendet ku shtriheshin çakejtë do të ketë bar me kallamishte dhe xunkth.

8 Aty do të jetë rruga kryesore, një rrugë që do të quhet “rruga e shenjtë”; asnjë i papastër nuk do të kalojë nëpër të; ajo do të jetë vetëm për ata që e ndjekin; edhe mendjeshkurtërit nuk do të mund të humbasin.

9 Luani nuk do të jetë më, as edhe ndonjë bishë e egër nuk do të dalë aty ose nuk do të duket, por do të ecin të çliruarit.

10 Të shpëtuarit nga Zoti do të kthehen, do të vijnë në Sion me britma gëzimi dhe një hare e përjetshme do të kurorëzojë kokën e tyre; do të kenë gëzim dhe lumturi, dhe dhembja e rënkimi do të ikin.

Isaia – Kapitulli 36

1 Në vitin e katërmbëdhjetë të mbretit Ezekia ndodhi që Senakeribi, mbret i Asirisë, doli kundër qyteteve të fortifikuara të Judës dhe i pushtoi.

2 Mbreti i Asirisë dërgoi Rabshakehun nga Lakishi në Jeruzalem, te mbreti Ezekia, me një ushtri të madhe; ai u ndal pranë ujësjellësit të hauzit të sipërm, në rrugën e arës së larësit.

3 Atëherë Eliakimi, bir i Hilkiahut, prefekt i pallatit, Shebna, sekretari, dhe Joahu, bir i Asafit, arkivisti, shkuan tek ai.

4 Rabshakehu u tha atyre: “I thoni Ezekias: Kështu thotë mbreti i madh, mbreti i Asirisë: ku mbështetet besimi që ke?

5 Unë them se këshillë dhe forcë për të bërë luftën nuk janë vetëm fjalë goje; tani që je rebeluar kundër meje te kush ke besim ti?

6 Ja, ti ke besim në përkrahjen e këtij kallami të thyer, që është Egjipti, që pret dorën e atij që mbështetet mbi të dhe e shpon. I tillë është pikërisht Faraoni, mbreti i Egjiptit, për tërë ata që kanë besim tek ai.

7 Në rast se pastaj më thuaj: “Ne kemi besim tek Zoti, Perëndia ynë”, a nuk është vallë po ai që Ezekia ka hequr nga vendet e larta dhe nga altarët, duke u thënë Judës dhe Jeruzalemit: “Ju do të adhuroni vetëm para këtij altari”?

8 Tani, pra, vër një bast me zotin tim, mbretin e Asirisë; unë do të të jap dy mijë kuaj, në qoftë se ti je në gjendje të sigurosh kalorësit që i hipin.

9 Si do të mundje të sprapsësh një kapiten të vetëm midis shërbëtorëve më të vegjël të zotit tim? Por ti ke besim se Egjipti do të të japë qerre dhe kalorës.

10 Dhe tani a kam ardhur vallë kundër këtij vendi pa vullnetin e Zotit për ta shkatërruar? Zoti më ka thënë: “Dil kundër këtij vendi dhe shkatërroje””.

11 Atëherë Eliakimi, Shebna dhe Joahu i thanë Rabshakehut: “Foli, pra, shërbëtorëve të tu në gjuhën aramaike, sepse ne e kuptojmë, por mos na fol në gjuhën hebraike, në mënyrë që ta dëgjojë populli që është mbi muret”.

12 Por Rabshakehu u përgjigj: “Zoti im, vallë, më ka dërguar t’i them këto fjalë zotit tënd dhe ty, dhe jo pikërisht njerëzve që ndodhen mbi muret, të katandisur të hanë jashtëqitjet e tyre dhe të pinë urinën e tyre bashkë me ju?”.

13 Atëherë Rabshakehu u ngrit më këmbë dhe bërtiti me zë të lartë në gjuhën hebraike, duke thënë: “Dëgjoni fjalët e mbretit të madh, të mbretit të Asirisë!

14 Kështu thotë mbreti: “Të mos ju mashtrojë Ezekia, sepse ai nuk mund t’ju çlirojë nga duart e mia;

15 as tij bëjë Ezekia që të vendosni besimin tuaj te Zoti, duke thënë: “Me siguri Zoti do të na çlirojë; ky qytet nuk do të jepet në duart e mbretit të Asirisë”.

16 Mos dëgjoni Ezekian, sepse kështu thotë mbreti i Asirisë: bëni paqe me mua dhe dorëzohuni, dhe secili prej jush do të mund të hajë frytet e vreshtit të tij dhe të fikut të tij, dhe secili do të mund të pijë ujin e sternës së tij,

17 deri sa të vijë unë për t’ju çuar në një vend të ngjashëm me tuajin, në një vend gruri dhe mushti, në një vend buke dhe vreshtash.

18 Të mos ju mashtroj Ezekia duke thënë: “Zoti do të na çlirojë”. A ka mundur ndonjë prej perëndive të kombeve të çlirojë vendin e tij nga duart e mbretit të Asirisë?

19 Ku janë perënditë e Hamathit dhe të Arpadit? Ku janë perënditë e Sefarvaimit? A e kanë çliruar vallë Samarinë nga duart e mia?

20 Kush prej tërë perëndive të këtyre vendeve ka çliruar vendin e vet nga duart e mia, që Zoti të mund të çlirojë Jeruzalemin nga duart e mia?”.

21 Por ata heshtën dhe nuk u përgjigjën me asnjë fjalë, sepse urdhëri i mbretit ishte: “Mos iu përgjigjni”.

22 Atëherë Eliakimi, bir i Hilkiahut, prefekt i pallatit, Shebna sekretari, dhe Joahu, bir i Asafit, arkivisti, erdhën tek Ezekia me rroba të grisura dhe i njoftuan fjalët e Rabshakehut.

Isaia – Kapitulli 37

1 Kur mbreti Ezekia dëgjoi këtë, grisi rrobat, u mbulua me një thes dhe hyri në shtëpinë e Zotit.

2 Pastaj dërgoi Eliakimin, prefektin e pallatit, Shebnaun, sekretarin, dhe priftërinjtë më të vjetër të mbuluar me thasë te profeti Isaia, bir i Amotsit,

3 të cilët i thanë: “Kështu thotë Ezekia: Kjo ditë është një ditë ankthi, ndëshkimi dhe turpi, sepse fëmijët janë duke lindur, por nuk ka forcë për t’i pjellë.

4 Ndofta Zoti, Perëndia yt, ka dëgjuar fjalët e Rabshakehut, që mbreti i Asirisë, zoti i tij, ka dërguar për të fyer Perëndinë e gjallë, dhe do ta ndëshkojë për shkak të fjalëve që Zoti, Perëndia yt, ka dëgjuar. Larto, pra, një lutje për kusurin që mbetet akoma”.

5 Kështu shërbëtorët e mbretit Ezekia shkuan te Isaia.

6 Dhe Isaia u tha atyre: “Këtë do t’i thoni zotit tuaj: Kështu thotë Zoti: Mos ki frikë për shkak të fjalëve që dëgjove, me të cilat shërbëtorët e mbretit të Asirisë më kanë fyer.

7 Ja, unë do të dërgoj përmbi të një frymë dhe, sa të dëgjojë një lajm, do të kthehet në vendin e tij dhe në vendin e tij do ta rrëzoj me shpatë”.

8 Kështu Rabshakehu u kthye dhe e gjeti mbretin e Asirisë që po rrethonte Libnahun, sepse kishte mësuar që mbreti ishte nisur nga Lakishi.

9 Atëherë mbreti i Asirisë dëgjoi të thuhet për Tirhakahun, mbretin e Etiopisë: “Ka dalë për të luftuar kundër teje”. Sa dëgjoi këtë, ai i dërgoi lajmëtarët Ezekias, duke i thënë:

10 “Do t’i thoni kështu Ezekias, mbretit të Judës: Mos lër që Perëndia yt të cilit i beson të të mashtrojë duke të thënë: “Jeruzalemi nuk do jepet në duart e mbretit të Asirisë”.

11 Ja, ti dëgjove ato që mbreti i Asirisë u ka bërë gjithë vendeve të tjera, duke vendosur shkatërrimin e tyre. A do të mund të shpëtoje vetëm ti?

12 A kanë çliruar vallë mbretërit e kombeve ato që etërit e mi kanë shkatërruar: Gozanin, Haranin, Retsefin dhe bijtë e Edenit që ishin në Telasar?

13 Ku janë mbreti i Hamathit, mbreti i Arpadit dhe mbreti i qytetit të Sefarvaimit, të Henas dhe të Ivahut?”.

14 Ezekia e mori letrën nga duart e lajmëtarëve dhe e lexoi; pastaj u ngjit në shtëpinë e Zotit dhe e shpalosi para Zotit.

15 Pastaj Ezekia iu lut Zotit, duke thënë:

16 “O Zot i ushtrive, Perëndi i Izraelit që ulesh midis kerubinëve, ti je Perëndia, ti vetëm, i të gjitha mbretërive të tokës; ti ke bërë qiejtë dhe tokën.

17 Vër veshin, o Zot, dhe dëgjo; hap sytë, o Zot, dhe shiko. Dëgjo tërë fjalët që Senakeribi ka dërguar të thotë për të fyer Perëndinë e gjallë.

18 Në të vërtetë, o Zot, mbretërit e Asirisë kanë shkatërruar të gjitha kombet dhe vendet e tyre,

19 dhe kanë hedhur në zjarr perënditë e tyre, sepse këto nuk ishin perëndi, por vepër e duarve të njeriut, dru e gur; për këtë arsye i kanë shkatërruar.

20 Por tani, o Zot, Perëndia ynë, na çliro nga duart e tij, me qëllim që të gjitha mbretëritë e tokës të njohin që ti vetëm je Zoti”.

21 Atëherë Isaia, bir i Amotsit, i çoi fjalë Ezekias: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Me qenë se ti më je lutur përsa i përket Senakeribit, mbretit të Asirisë,

22 kjo është fjala që Zoti ka shqiptuar kundër tij: Virgjëresha, bijë e Sionit, të përçmon dhe tallet me ty; e bija e Jeruzalemit tund kokën prapa teje.

23 Cilin ke poshtëruar dhe fyer? Kundër kujt ke ngritur zërin dhe në mënyrë arrogante sytë e tu? Kundër të Shenjtit të Izraelit.

24 Me anë të shërbëtorëve të tu ke poshtëruar Zotin dhe ke thënë: “Me morinë e qerreve të mia u ngjita në majë të maleve, në skajet e Libanit. Do të rrëzoj kedrat e tij më të lartë dhe qiparisat e tij më të bukur; do të arrij lartësinë e tij më të largët, pyllin e tij më të harlisur.

25 Kam gërmuar dhe kam pirë ujë; me tabanin e këmbëve të mia kam tharë të gjitha lumenjtë e Egjiptit”.

26 A nuk ke dëgjuar vallë se prej shumë kohe e kam përgatitur këtë gjë, planin e kam përgatitur qysh nga kohët e vjetra? Tani kam bërë që të ndodhë kjo: që ti t’i kthesh në një grumbull gërmadhash qytetet e fortifikuara.

27 Prandaj banorët e tyre, të cilët s’kanë forca, ishin të trembur dhe të hutuar; ishin si bari i fushave, si bari i vogël jeshil, si bari i çative, i cili digjet para se të rritet.

28 Por unë e njoh banesën tënde, hyrjen dhe daljen tënde, madje edhe zemërimin tënd të madh kundër meje.

29 Duke qenë se je zemëruar shumë kundër meje dhe paturpësia jote ka arritur te veshët e mi, do të vë unazën time në flegrat e hundëve, frerin tim në gojë dhe do të të kthej në rrugën nga ke ardhur.

30 Dhe kjo do të jetë shenja për ty; sivjet do të hani atë që rritet vetvetiu, vitin e dytë atë që rritet po nga ky burim; por vitin e tretë do të mbillni dhe do të korrni, do të mbillni vreshta dhe do të hani frytin e tyre.

31 Dhe pjesa që mbetet e shtëpisë së Judës që do të shpëtojë do të vazhdojë të vërë rrënjë poshtë dhe të bëjë fryte lart.

32 Sepse nga Jeruzalemi do të dalë mbetje dhe nga mali i Sionit ata që kanë shpëtuar. Zelli i Zotit të ushtrive do ta bëjë këtë”.

33 Prandaj kështu thotë Zoti kundër mbretit të Asirisë: “Ai nuk do të hyjë në këtë qytet as ka për të hedhur ndonjë shigjetë, nuk do t’i dalë përpara me mburoja as ka për të ndërtuar ndonjë ledh kundër tij.

34 Ai do të kthehet nëpër atë rrugë nga ka ardhur dhe nuk do të hyjë në këtë qytet”, thotë Zoti.

35 “Sepse unë do ta mbroj këtë qytet për ta shpëtuar, për hirin tim dhe për hir të Davidit, shërbëtorit tim”.

36 Pastaj engjëlli i Zotit doli dhe goditi në kampin e Asirëve njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë njerëz; dhe kur njerëzit u çuan në mëngjes, ja, të gjithë ishin kufoma.

37 Atëherë Senakeribi, mbret i Asirisë, ngriti çadrat, u nis dhe u kthye në shtëpi dhe mbeti në Niniv.

38 Dhe ndodhi që, ndërsa ai po adhuronte në tempullin e perëndisë së tij Nisrok, bijtë e tij Adramalek dhe Sharetser e vranë me shpatë; pastaj u strehuan në vendin e Araratit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Esarhadoni.

Isaia – Kapitulli 38

1 Në atë kohë Ezekia u sëmur nga një sëmundje vdekjeprurëse. Profeti Isaia, bir i Amotsit, shkoi tek ai dhe i tha: “Kështu flet Zoti. Rregullo shtëpinë tënde, sepse ke për të vdekur dhe jo për t’u shëruar”.

2 Atëherë Ezekia e ktheu fytyrën nga muri dhe iu lut Zotit:

3 “Të lutem shumë, o Zot, kujto si kam ecur para teje me besnikëri, me zemër të pastër, dhe kam bërë atë që është mirë në sytë e tu”. Pastaj Ezekia qau me të madhe.

4 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Isaias, duke thënë:

5 “Shko dhe i thuaj Ezekias: Kështu thotë Zoti, Perëndia i Davidit, ati yt: E dëgjova lutjen tënde, i pashë lotët e tua; ja, do t’u shtoj pesëmbëdhjetë vjet ditëve të tua;

6 do të të çliroj ty dhe këtë qytet nga duart e mbretit të Asirisë dhe do ta mbroj këtë qytet.

7 Kjo është për ty shenja nga ana e Zotit, Zoti do ta çojë në vend fjalën që ka thënë:

8 ja, unë do të bëj që të sprapset dhjetë shkallare hija që për efekt të diellit është zgjatur mbi shkallarët e Ashazit. Dhe dielli u spraps dhjetë shkallare prej shkallareve nga kishte zbritur”.

9 I shkruar nga Ezekia, mbret i Judës, kur ra i sëmurë dhe u shërua nga sëmundja e tij.

10 Unë thoja: “Në kulmin e ditëve të mia do të shkoj në portat e Sheolit; jam privuar nga mbetja e viteve të mia”.

11 Thoja: “Nuk do ta shoh më Zotin, po, Zotin, mbi dheun e të gjallëve, midis banorëve të botës të të vdekurve nuk do të shoh më asnjë njeri.

12 Banesa ime tokësore është shkulur dhe u çua larg meje, si një çadër barinjsh. E kam mbështjellur jetën time si një endës. Ai më këputi nga vegja; nga dita në natë do t’i japësh fund jetës sime.

13 E qetësova veten deri në mëngjes; si një luan, ai i thyen tërë kockat e mia; me kalimin nga dita në natë do t’i japësh fund jetës sime.

14 Krakëllija si një lejlek apo një dallëndyshe, rënkoja si një pëllumbeshë; sytë e mi ishin të lodhur, duke shikuar lart. O Zot, jam i shtypur; bëhu ti garanti im.

15 Çfarë të them? Ai më ka folur dhe ai vetë e ka bërë këtë gjë. Unë do të eci ngadalë gjatë tërë viteve të mia, në hidhërimin e shpirtit tim.

16 O Zot, me këto gjëra ne jetojmë, dhe në të gjitha këto gjëra qëndron jeta e frymës sime; prandaj më shëro dhe më kthe jetën!

17 Ja, është për paqen time që kam provuar hidhërim të madh; por në dashurinë tënde ke çliruar shpirtin tim nga gropa e korruptimit, sepse i ke hedhur prapa krahëve të tua të tëra mëkatet e mia.

18 Sepse Sheoli nuk mund të të lëvdojë, vdekja nuk mund të të kremtojë; ata që zbresin në gropë nuk mund të shpresojnë më në besnikërinë tënde.

19 I gjalli, i gjalli është ai që të lëvdon, siç po bëj unë sot; ati do t’u njoftojë bijve besnikërinë tënde.

20 Zoti do të më shpëtojë; dhe ne do të këndojmë kantikët e mi me vegla me tela tërë ditët e jetës sonë në shtëpinë e Zotit”.

21 Por Isaia kishte thënë: “Merrni një jaki prej fiqsh, vendoseni mbi ulçer dhe i sëmuri do të shërohet”.

22 Ezekia kishte thënë: “Cila është shenja me të cilën do të ngjitem në shtëpinë e Zotit”?

Isaia – Kapitulli 39

1 Në atë kohë Merodak-Baladani, bir i Baladanit, mbre ti Babilonisë, i dërgoi letra dhe një dhuratë Ezekias, sepse kishte dëgjuar që ai kishte qenë i sëmurë dhe ishte shëruar.

2 Ezekia u gëzua dhe u tregoi të dërguarve shtëpinë e thesaret të tij, argjendin, arin, aromat, melhemin e çmuar, tërë arsenalin e tij dhe të gjitha ato që ndodheshin në thesaret e tij; nuk mbeti asgjë nga pallati i tij dhe nga e gjithë mbretëria që Ezekia nuk ua tregoi atyre.

3 Atëherë profeti Isaia erdhi te mbreti Ezekia dhe i tha: “Çfarë thanë ata njerëz dhe nga kanë ardhur te ti?”. Ezekia u përgjigj: “Kanë ardhur tek unë nga një vend i largët, nga Babilonia”.

4 Isaia pyeti akoma: “Çfarë panë në pallatin tënd?”. Ezekia u përgjigj: “Panë gjithçka që ndodhet në pallatin tim; nuk mbeti asgjë nga thesaret e mia që nuk ua tregova atyre.

5 Atëherë Isaia i tha Ezekias: “Dëgjo fjalën e Zotit të ushtrive:

6 Ja, do të vijnë ditë në të cilat gjithçka që ndodhet në pallatin tënd dhe ato që etërit e tu kanë grumbulluar deri më sot do të mbarten në Babiloni; nuk do të mbetet asgjë, thotë Zoti.

7 Do të marrin gjithashtu bijtë që kanë dalë prej teje dhe që janë lindur nga ti, do t’i bëjnë eunukë në pallatin e mbretit të Babilonisë”.

8 Ezekia i tha pastaj Isaias: “Fjala e Zotit që ti shqiptove është e mirë”. Pastaj shtoi: “Do të ketë të paktën paqe dhe siguri gjatë jetës sime”.

Isaia – Kapitulli 40

1 “Ngushëlloni, ngushëlloni popullin tim, thotë Perëndia juaj.

2 I flisni zemrës së Jeruzalemit dhe i shpallni që koha e tij e luftës ka mbaruar, që paudhësia e tij është shlyer, sepse ka marrë nga duart e Zotit dyfishin për të gjitha mëkatet e tij”.

3 Zëri i dikujt që bërtet në shkretëtirë: “Shtroni udhën e Zotit, hapni në shkretëtirë një rrugë për Perëndinë tonë.

4 Çdo luginë të jetë e mbushur, çdo mal dhe kodër të jenë sheshuar; vendet dredha-dredha të drejtuar dhe vëndet e vështira të sheshuar.

5 Atëherë lavdia e Zotit do të zbulohet dhe çdo qenie do ta shohë, sepse goja e Zotit ka folur”.

6 Një zë thotë: “Bërtit!”, dhe përgjigja që merr është: “Çfarë të bërtas?”. “Bërtit që çdo qenie është si bari, dhe që tërë hiri i tij është si lulja e fushës

7 Bari thahet, lulja fishket, kur Fryma e Zotit fryn mbi të; me siguri populli nuk është veçse bar.

8 Bari thahet, lulja fishket, por fjala e Perëndisë tonë mbetet përjetë”.

9 O Sion, ti që sjell lajmin e mirë, ngjitu mbi një mal të lartë! O Jeruzalem, ti që sjell lajmin e mirë, ngrije zërin me forcë! Ngrije zërin, mos ki frikë! Thuaju qyteteve të Judës: “Ky është Perëndia juaj!”.

10 Ja, Perëndia, Zoti, vjen i fuqishëm dhe krahu i tij sundon për të. Ja, e ka shpërblimin me vete, dhe shpërblimi i tij e pararend.

11 Ai do të kullosë kopenë e tij si një bari, do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij dhe do t’i mbajë në gji të tij, dhe do të udhëheqë me ëmbëlsi dhe kujdes delet që kanë të vegjëlit e tyre.

12 Kush i ka matur ujëat me gropën e dorës, kush ka marrë përmasat e qiellit me pëllëmbë, kush ka mbledhur pluhurin e tokës në një masë apo ka peshuar malet me një peshore dhe kodrat e tyre me një kandar?

13 Kush i ka marrë përmasat e Frymës së Zotit, ose si këshilltari i tij i ka dhënë mësime?

14 Me kë është konsultuar, që t’i jepte mend, t’i mësonte shtegun e drejtësisë, t’i jepte dituri dhe t’i tregonte rrugën e arsyes?

15 Ja, kombet janë si një pikë ujë në një kovë, konsiderohen si pluhuri i një peshoreje; ja, ai i ngre ishujt si të ishin një send shumë i vogël.

16 Libani nuk do të mjaftonte për të siguruar lëndën djegëse që i duhet zjarrit, as kafshët e tij nuk do të mjaftonin për olokaustin.

17 Të gjitha kombet janë si një hiç para tij dhe konsiderohen prej tij si një hiç dhe një kotësi.

18 Kujt dëshironi t’i përngjajë Perëndia dhe çfarë figure do t’i vinit përballë?

19 Një artist shkrin një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe argjendari e vesh me ar dhe shkrin zinxhirë të vegjël prej argjendi.

20 Ai që është tepër i varfër për një ofertë të tillë zgjedh një dru që nuk kalbet dhe gjen një artizan të shkathët, që i përgatit një shëmbëlltyrë të gdhendur që nuk lëviz.

21 Por nuk e dini, nuk e keni dëgjuar? A nuk ju është njoftuar që në fillim? Nuk e keni kuptuar nga themelet e tokës?

22 Ai është ai që rri ulur mbi rruzullin e tokës, banorët e së cilës janë si karkaleca; ai i shpalos qiejtë si një velo dhe i hap si një çadër ku mund të banosh.

23 Ai i katandis princat në një hiç dhe i bën të panevojshëm gjykatësit e tokës.

24 Sapo janë mbjellë, sapo janë hedhur në tokë sapo kërcelli i tyre ka lëshuar rrënjë, ai fryn mbi ta dhe ata thahen; uragani i merr me vete si kashtë.

25 “Me kë kërkoni, pra, të më ngjasoni, që të jem baras me të?”, thotë i Shenjti.

26 Ngrini sytë tuaja përpjetë dhe shikoni: Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e tyre me shumicë dhe thërret gjithçka me emër; për madhështinë e fuqisë së tij dhe forcën e tij, asnjë nuk mungon.

27 Pse thua, o Jakob, dhe ti, Izrael, shpall: “Rruga ime i është fshehur Zotit dhe për të drejtën time nuk kujdeset Perëndia im?

28 Nuk e di ti, vallë, nuk e ke dëgjuar? Perëndia i përjetësisë, Zoti, krijuesi i kufijve të tokës, nuk mundohet dhe nuk lodhet, zgjuarësia e tij është e panjohshme.

29 Ai i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të këputurit.

30 Të rinjtë mundohen dhe lodhen, të rinjtë e zgjedhur me siguri pengohen dhe rrëzohen,

31 por ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur.

Isaia – Kapitulli 41

1 Ishuj, mbani heshtje! Le të marrin forca të reja popujt; le të afrohen dhe pastaj të flasin. Të mblidhemi bashkë për të gjykuar!

2 “Kush e ka nxitur një nga lindja, duke e thirrur në këmbët e tij në drejtësi? Kush i dorëzoi kombet dhe i nënshtroi mbretërit? Ai ia jep si pluhur shpatës së tij dhe si kashtë e shpërndarë harkut të tij.

3 Ai i përndjek dhe ecën i sigurtë nëpër një rrugë mbi të cilën këmbët e tij nuk kanë shkelur kurrë.

4 Kush ka vepruar dhe ka kryer këtë, duke thirrur brezat që nga fillimi? Unë Zoti, jam i pari dhe, me ata të fundit, do të jem po ai”.

5 Ishujt e shohin dhe i ka zënë frika, skajet e tokës dridhen; po afrohen, po arrijnë.

6 Secili ndihmon shokun e tij dhe i thotë vëllait të tij: “Kurajo”.

7 Farkëtari i jep zemër argjendarit dhe ai që i jep dorën e fundit punës me çekiç i jep zemër atij që i bie kudhrës dhe thotë për saldaturën: “Mirë është” dhe e përforcon me gozhda që të mos lëvizë.

8 “Por ti, Izrael, shërbëtori im, Jakob që kam zgjedhur, pasardhës i Abrahamit, mikut tim,

9 ty që të mora nga skajet e tokës, që kam thirrur nga cepat më të largëta të saj dhe të kam thënë: “Ti je shërbëtori im, të kam zgjedhur dhe nuk të kam hedhur poshtë”.

10 Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.

11 Ja, tërë ata që janë zemëruar kundër teje do të turpërohen dhe do të shushaten; ata që luftojnë kundër teje do të katandisen në hiç dhe do të zhduken.

12 Ti do t’i kërkosh, por nuk do t’i gjesh më ata që të kundërshtonin; ata që të bënin luftë do të jenë asgjë, si një gjë që nuk ekziston më.

13 Sepse unë, Zoti, Perëndia yt, të zë nga dora e djathtë dhe të them: “Mos u frikëso, unë të ndihmoj”.

14 “Mos u frikëso, o krimb i Jakobit, o njerëz të Izraelit! Unë të ndihmoj”, thotë Zoti; “Shpëtimtari yt është i Shenjti i Izraelit.

15 Ja, unë të bëj një shirëse të re me dhëmbë të mprehura; ti do të shish malet dhe do t’i katandisësh në pluhur, dhe do t’i bësh kodrat si byk.

16 Ti do t’i frysh, era do t’i çojë larg dhe shakullima do t’i shpërndajë; por ti do të gëzohesh te Zoti dhe do të përlëvdohesh tek i Shenjti i Izraelit.

17 Të mjerët dhe të varfërit kërkojnë ujë, por mungon; gjuha e tyre u është tharë nga etja; unë, Zoti do t’ua plotësoj dëshirën; unë, Perëndia i Izraelit, nuk do t’i braktis.

18 Do të bëj që të dalin lumenj mbi kodrat e zhveshura dhe burime në mes të luginave; do ta bëjë shkretëtirën një liqen uji dhe tokën e thatë burim ujërash.

19 Do të mbjell në shkretëtirë kedrin, akacien, mërsinën dhe ullirin, do të mbjellë në Arabah qiparisin, vidhin dhe bredhin,

20 me qëllim që ta shohin, ta dinë, ta konsiderojnë dhe ta kuptojnë të gjithë tok se dora e Zotit e ka bërë këtë gjë dhe i Shenjti i Izraelit e ka krijuar.

21 Paraqitni çështjen tuaj, thotë Zoti, parashtroni arsyetimet tuaja, thotë Mbreti i Jakobit.

22 Le t’i parashtrojnë dhe të na njoftojnë ç’ka për të ndodhur. Le të deklarojnë cilat ishin gjërat e kaluara, në mënyrë që të mund t’i shqyrtojmë dhe të njohim kryerjen e tyre; ose na njoftoni ç’ka për të ndodhur.

23 Na njoftoni ç’ka për të ndodhur në të ardhmen, dhe kështu do të mësojmë se jeni perëndi; po, na bëni të mirë apo të keqe në mënyrë që të mbetemi të habitur duke i parë bashkë.

24 Ja, ju jeni një hiç dhe vepra juaj nuk vlen asgjë; ai që ju zgjedh kryen një gjë të neveritshme.

25 Unë thirra dikë nga veriu, dhe ai ka për të ardhur, nga lindja ai do të përmëndë emrin tim; do t’i shkelë princat sikur të ishin prej argjile, ashtu siç vepron poçari që e ngjesh baltën.

26 Kush e shpalli këtë që në krye me qëllim që ta dinim, shumë më parë që të mund të thonim: “A është e drejtë”? Por nuk ka njeri që ta ketë njoftuar këtë gjë, njeri që ta ketë shpallur, njeri që të ketë dëgjuar fjalët tuaja.

27 E shpalla i pari në Sion: “Shikoni, ja ku janë!”, dhe në Jeruzalem dërgova një lajmëtar me lajme të mira.

28 Shikova, por nuk kishte asnjë, vërtetë asnjë midis tyre që të dinte të jepte një këshillë, apo, i pyetur, mund të më jepte një përgjigje.

29 Ja, të gjithë këta janë kot; veprat e tyre janë një hiç dhe shtatoret e tyre janë erë dhe gjëra pa kurrfarë vlere”.

Isaia – Kapitulli 42

1 “Ja shërbëtori im, që unë përkrah, i zgjedhuri im që më kënaq shpirtin. Kam vënë Frymën time mbi të; ai do t’ju sjellë drejtësinë kombeve.

2 Nuk do të bërtasë, nuk do ta ngrerë zërin, nuk do të bëjë të dëgjohet zëri i tij nëpër rrugë.

3 Nuk do ta copëtojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym; do ta paraqesë drejtësinë sipas së vërtetës.

4 Ai nuk do të ligështohet dhe nuk do të dekurajohet; deri sa të vendosë drejtësinë mbi tokë; dhe ishujt do të presin ligjin e tij”.

5 Kështu thotë Perëndia, Zoti, që ka krijuar qiejtë dhe i ka shpalosur, që ka shtruar tokën dhe gjërat që ajo prodhon, që i jep frymëmarrje popullit dhe jetë atyre që ecin në të:

6 “Unë, Zoti, të kam thirrur sipas drejtësisë dhe do të të zë për dore, do të të ruaj dhe do të bëj aleancën e popullit dhe dritën e kombeve,

7 për t’u hapur sytë të verbërve, për të nxjerrë nga burgu të burgosurit dhe ata që dergjen në terr.

8 Unë jam Zoti, ky është emri im; nuk do t’i jap lavdinë time asnjë tjetri, as lavdërimet e mia shëmbëlltyrave të gdhendura.

9 Ja, gjërat e mëparshme kanë ndodhur, dhe tani po ju njoftoj gjëra të reja; unë jua bëj të njohura para se të mbijnë”.

10 I këndoni Zotit një kantik të ri, lëvdimin e tij nga skajet e tokës, o ju që zbrisni në det, dhe atë që ai përmban, ishujt dhe banorët e tyre.

11 Shkretëtira dhe qytetet e tij të lartojnë zërin e tyre, bashkë me fshatrat në të cilat banojnë ata të Kedarit. Le të ngazëllojnë banorët e Selas, le të lëshojnë britma nga maja e maleve.

12 Le t’i japin lavdi Zotit, le ta shpallin lëvdimin e tij në ishuj.

13 Zoti do të shkojë përpara si një hero, do të nxisë dëshirën e tij të zjarrtë si një luftëtar, do të lëshojë një klithmë, po një klithmë therëse; do të triumfojë mbi armiqtë e tij.

14 “Për një kohë të gjatë kam qëndruar në heshtje, nuk kam folur, e kam përmbajtur veten; por tani do të bërtas si një grua që heq të prerat e lindjes, do të marr frymë me vështirësi dhe njëkohësisht do të shfryj.

15 Do të shkretoj malet dhe kodrat dhe do të t’i thaj tërë bimët e blerta; do t’i katandis lumenjtë në ishuj dhe do të thaj pellgjet.

16 Do t’i bëj të verbërit të ecin nëpër një rrugë që ata nuk e njihnin dhe do t’i çoj nëpër shtigje të panjohura; do të ndryshoj para tyre terrin në dritë dhe vendet dredha-dredha në fushë. Këto gjëra do të bëj për ta dhe nuk do t’i braktis.

17 Do të kthejnë kurrizin plot me turp ata që kanë besim në shëmbëlltyrat e gdhendua dhe u thonë shëmbëlltyrave të derdhura: “Ju jeni perënditë tona!”.

18 O të shurdhër, dëgjoni; o të verbër, shikoni dhe keni për të parë!

19 Kush është i verbër, në mos shërbëtori im, o i shurdhër si lajmëtari im që po dërgoj? Kush është i verbër si ai që është në paqe me mua, i verbër si shërbëtori i Zotit?

20 Ke parë shumë gjëra, por pa u kushtuar kujdesin e duhur; veshët e tu ishin të hapur, por nuk dëgjove asgjë”.

21 Zoti u gëzua për hir të drejtësisë së tij; do ta bëjë ligjin e tij të madh dhe të mrekullueshëm.

22 Por ky është një popull që e kanë vjedhur dhe zhveshur; janë zënë të gjithë nga leqe në burgjet e nëndheshme dhe janë mbyllur në burgje. Janë bërë objekt plaçkitjeje, por askush nuk i ka çliruar; të zhveshur, por askush nuk ka thënë: “Ktheji!”.

23 Kush prej jush do t’i kushtojë vemendje kësaj gjëje? Kush prej jush do t’i kushtojë vemendje dhe do të dëgjojë në të ardhmen?

24 Kush e ka braktisur Jakobin në duart e plaçkitësve dhe Izraelin në ato të grabitësve? A nuk ka qenë vallë Zoti kundër të cilit kemi mëkatuar? Ata në fakt nuk kanë dashur të ecin në rrugët e tij dhe nuk i janë bindur ligjit të tij.

25 Prandaj ai hodhi mbi të afshin e zemërimit të tij dhe dhunën e luftës, që e mbështolli rreth e qark në flakë pa e vënë re ai; e shkriu atë, por ai nuk pati gajle.

Isaia – Kapitulli 43

1 Por tani kështu thotë Zoti, që të ka krijuar, o Jakob, që të ka formuar, o Izrael: “Mos ki frikë, sepse unë të kam çliruar, të kam thirrur me emër; ti më përket mua.

2 Kur do të kalosh përmes ujërave unë do të jem me ty, ose do të kalosh lumenjtë, nuk do të të mbytin; kur do të ecësh nëpër zjarr, nuk do të digjesh dhe flaka nuk do të të konsumojë.

3 Sepse unë jam Zoti, Perëndia yt, i Shenjti i Izraelit, Shpëtimtari yt. Kam dhënë Egjiptin si çmim për shpengimin tënd, Etiopinë dhe Seban për ty.

4 Sepse ti je i çmuar në sytë e mi dhe i nderuar, dhe unë të dua, unë jap njerëz për ty dhe popuj në këmbim të jetës sate.

5 Mos ki frikë, sepse unë jam me ty; do të t’i sjell pasardhësit e tu nga lindja dhe do të grumbulloj nga perëndimi.

6 Do t’i them veriut: “Ktheji”, dhe jugut: “Mos i mbaj. Bëj që të vijnë bijtë e mi nga larg dhe bijat e mia nga skajet e tokës,

7 tërë ata që quhen me emrin tim, që kam krijuar për lavdinë time, që kam formuar dhe bërë gjithashtu”.

8 Nxirr popullin e verbër që megjithatë ka sy, dhe të shurdhër që megjithatë kanë vesh.

9 Le të mblidhen bashkë tërë kombet, të grumbullohen popujt! Kush prej tyre mund të njoftojë këtë gjë dhe të na bëjë të dëgjojmë gjërat e kaluara? Le të paraqesin dëshmitarët e tyre për t’u justifikuar; ose le të dëgjojnë dhe të thonë: “Éshtë e vërtetë!”.

10 Dëshmitarët e mi jeni ju, thotë Zoti, bashkë me shërbëtorin që kam zgjedhur, me qëllim që ju të më njihni dhe të keni besim tek unë, si dhe të merrni vesh që unë jam. Para meje asnjë Perëndi nuk u formua dhe pas meje nuk do të ketë asnjë tjetër.

11 Unë, unë jam Zoti dhe përveç meje nuk ka Shpëtimtar tjetër.

12 Unë kam shpallur, kam shpëtuar dhe kam njoftuar; dhe nuk kishte asnjë perëndi të huaj midis jush; prandaj ju jeni dëshmitarët e mi, thotë Zoti, dhe unë jam Perëndi.

13 Para fillimit të kohës unë jam gjithnjë po ai dhe askush nuk mund të çlirojë njeri nga dora ime; kur unë veproj, kush mund të më pengojë?”.

14 Kështu thotë Zoti, Çliruesi juaj, i Shenjti i Izraelit: “Për hirin tuaj unë po dërgoj dikë kundër Babilonisë, dhe do të bëj që të ikin të gjithë; kështu Kaldeasit do të ikin me anije duke bërtitur nga dhembja.

15 Unë jam Zoti, i Shenjti juaj, krijuesi i Izraelit, mbreti juaj”.

16 Kështu thotë Zoti që hapi një rrugë në det dhe një shteg midis ujërave të fuqishme,

17 që nxorri qerre, kuaj dhe një ushtri të fuqishme; ata dergjen të gjithë së bashku dhe nuk do të ngrihen më; janë asgjësuar dhe janë shuar si një kandil.

18 “Mos kujtoni më gjërat e kaluara, mos shqyrtoni më gjërat e lashta.

19 Ja, unë po bëj një gjë të re; ajo do të lëshojë degë; nuk do ta njihni ju? Po, do të hap një rrugë nëpër shkretëtirë, do të bëj që lumenjtë të rrjedhin në vendet e vetmuara.

20 Kafshët e fushave, çakajtë dhe strucat do të më përlëvdojnë, sepse do t’i jap ujë shkretëtirës dhe lumenj vendit të vetmuar për t’i dhënë të pijë popullit tim, të zgjedhurit tim.

21 Populli që kam formuar për vetë do të shpallë lëvdimet e mia.

22 Por ti nuk më ke kërkuar, o Jakob, përkundrazi je lodhur me mua, o Izrael!

23 Nuk më ke sjellë qengjin e olokausteve të tua dhe nuk më ke nderuar me flijimet e tua; nuk të kam detyruar të më shërbesh me oferta ushqimesh, as nuk të kam lodhur duke kërkuar temjan.

24 Nuk më ke blerë me para kanellën dhe nuk më ke ngopur me dhjamin e flijimeve të tua. Përkundrazi më ke rënduar me mëkatet e tua, më ke lodhur me paudhësitë e tua.

25 Unë, pikërisht unë, jam ai që për hir të vetuetes fshij shkeljet e tua dhe nuk do t’i mbaj mend mëkatet e tua.

26 Bëj që të kujtohem, ta diskutojmë bashkë këtë rast, folë, ti vetë për t’u justifikuar.

27 Ati yt i parë ka mëkatuar dhe mësuesit e tu kanë ngritur krye kundër meje.

28 Prandaj kam ndotur krerët e shenjtërores, kam vendosur shfarosjen e Jakobit dhe turpërimin Izraelit”.

Isaia – Kapitulli 44

1 “Tani dëgjo, o Jakob, shërbëtori im, o Izrael, që unë kam zgjedhur!

2 Kështu thotë Zoti që të ka bërë dhe të ka formuar që në barkun e nënës, ai që të ndihmon: Mos ki frikë, o Jakob, shërbëtori im, o Jeshurun që unë kam zgjedhur!

3 Sepse unë do të derdh ujë mbi atë që ka etje dhe rrëke mbi tokën e thatë; do të derdh Frymën time mbi pasardhësit e tu dhe bekimin tim mbi trashëgimtarët e tu.

4 Ata do të rriten në mes të barit, si shelgje gjatë rrjedhave ujore.

5 Njeri do të thotë: “Unë jam i Zotit”; tjetri do të quhet me emrin e Jakobit, dhe një tjetër do të shkruajë mbi dorën e tij: “I Zotit”, dhe do ta ketë për nder të mbajë emrin e Izraelit”.

6 Kështu thotë Zoti, mbreti i Izraelit dhe Çliruesi i tij, Zoti i ushtrive: “Unë jam i pari dhe jam i fundit, dhe përveç meje nuk ka Perëndi.

7 Kush është si unë? Le ta shpallë, pra, ta deklarojë dhe të japë prova para meje që kur kam vendosur këtë popull të lashtë. Le t’u njoftojnë gjërat që do të ndodhin dhe ngjarjet që do të kryhen.

8 Mos u trembni, mos kini frikë! A nuk ta kam shpallur, vallë, dhe nuk ta kam deklaruar prej kohe? Ju jeni dëshmitarë të mi. A ka vallë një Perëndi përveç meje? Nuk ka Shkëmb tjetër, nuk njoh tjetër të tillë.

9 Ata që prodhojnë shëmbëlltyra të gdhendura janë krejt kotësi; gjërat e tyre më të çmuara nuk hyjnë fare në punë; dëshmitarët e tyre nuk shohin dhe as nuk kuptojnë gjë, prandaj do të mbulohen me turp.

10 Kush prodhon një zot apo shkrin një shëmbëlltyrë të gdhendur pa patur fare dobi?

11 Ja, të gjithë shokët e këtij personi do të shushaten; vetë artizanët nuk janë veçse njerëz. Le të mblidhen të gjithë dhe le të paraqiten. Do të tremben dhe do të turpërohen njëkohësisht.

12 Kovaçi me darë punon hekurin mbi prush, i jep formë me çekiç dhe e përpunon me krahun e tij të fuqishëm; vuan nga uria dhe forca e tij pakësohet; nuk pi ujë dhe lodhet.

13 Zdrukthëtari shtrin vizorin, vizaton idhullin me laps, e punon me sqepar, e mat me kompas dhe e bën një fytyrë njerëzore, një formë të bukur njeriu, në mënyrë që të mbetet në një shtëpi.

14 Ai pret për vete disa kedra, merr një selvi apo një lis që i lë të rriten të fuqishëm midis drurëve të pyllit; ai mbjell një frashër që shiu e bën të rritet.

15 Ky i shërben njeriut për të djegur; ai merr një pjesë të tij për t’u ngrohur dhe ndez zjarrin për të pjekur bukën; bën gjithashtu një perëndi dhe e adhuron, bën një shëmbëlltyrë të gdhendur para së cilës bie përmbys.

16 Djeg gjysmën e tij në zjarr, me gjysmën tjetër përgatit mishin, pjek mishin dhe ngopet. Ngrohet gjithashtu dhe thotë: “Ah, po ngrohem, kënaqem me zjarrin”.

17 Me atë që mbetet prej tij sajon një perëndi, shëmbëlltyrën e saj të gdhendur, bie përmbys përpara saj, e adhuron, e lut dhe i thotë: “Shpëtomë, sepse ti je perëndia im”.

18 Nuk dinë dhe nuk kuptojnë asgjë, sepse i kanë zënë sytë e tyre që të mos shohin dhe zemrat e tyre që të mos kuptojnë.

19 Askush nuk vjen në vete dhe as ka dituri dhe mend për të thënë: “Dogja një pjesë në zjarr, po, mbi prushin e tij poqa bukën, poqa mishin dhe e hëngra. Me atë që mbetet do të bëj një gjë të neveritshme dhe do të bie përmbys përpara një cope druri?”.

20 Një person i tillë ushqehet me hi, zemra e tij e mashtruar e çon në rrugë të keqe. Ai nuk mund të çlirojë shpirtin e tij dhe të thotë: “A nuk është vallë një gënjeshtër ajo që mbaj në dorën time të djathtë?”.

21 “Mbaji mend këto gjëra, o Jakob, o Izrael, sepse ti je shërbëtori im; unë të kam formuar, ti je shërbëtori im; o Izrael, nuk do të të harroj.

22 I fshiva shkeljet e tua si një re e dendur, dhe mëkatet e tua si një mjegullinë; kthehu tek unë, sepse unë të kam çliruar”.

23 Ngazëlloni, o qiej, sepse Zoti ka vepruar. Gëzohuni, o thellësi të tokës. Shpërtheni në britma gëzimi, o male, o pyje, me gjithë drurët tuaj! Sepse Zoti ka çliruar Jakobin dhe ka shfaqur lavdinë e tij në Izrael.

24 Kështu thotë Zoti, Çliruesi yt, ai që të ka formuar që në bark të nënës: “Unë jam Zoti që kam bërë tërë gjërat, që i vetëm, kam shpalosur qiejtë dhe kam shtrirë tokën; kush ishte me mua?

25 Unë i bëj të kota parashikimet e gënjeshtarëve dhe i bëj shortarët pa mend; unë bëj që të sprapsen njerëzit e urtë dhe e kthej dijen e tyre në marrëzi.

26 Vërtetoj fjalën e shërbëtorit tim dhe i jap sukses këshillës së lajmëtarëve të mi; unë i them Jeruzalemit: “Do të kesh banorë”, dhe qyteteve të Judës: “Do t’ju rindërtojnë”, dhe unë do të rindërtoj gërmadhat e tyre.

27 Unë i them humnerës: “Thahu!”; dhe unë do të thaj lumenjtë e tu.

28 Them për Kirin: “Ai është bariu im!” dhe do të çojë në vend tërë dëshirat e mia, duke i thënë Jeruzalemit: “Do të rindërtohesh!”, dhe tempullit: “Do të jesh i qëndrueshëm!””.

Isaia – Kapitulli 45

1 “Kështu i thotë Zoti të vajosurit të tij, Kirit, që unë e mora me dorën e djathtë, që të hedh poshtë para tij kombet: Po, unë do të zgjidh brezat që mbretërit mbajnë në ijë, për të hapur para tij

2 Unë do të ec para teje dhe do të sheshoj vendet e ngritura, do të bëj copë-copë portat prej bronzi dhe do të thyej shufrat prej hekuri.

3 Do të të jap thesaret e territ dhe pasuritë e fshehura në vende të fshehta, me qëllim që ti të njohësh që unë jam Zoti, Perëndia i Izraelit, që të thërret me emër.

4 Për hir të Jakobit, shërbëtorit im, dhe për hir të Izraelit, të zgjedhurit tim, unë të thirra me emër dhe të dhashë një titull nderi megjithëse ti nuk më njihje.

5 Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër; jashtë meje nuk ka Perëndi. Të kam rrethuar, ndonëse ti nuk më njihje,

6 me qëllim që nga lindja në perëndim të pranohet që nuk ka asnjë Perëndi përveç meje. Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër.

7 Unë formoj dritën dhe krijoj terrin, sjell mirëqënien dhe krijoj fatkeqësinë. Unë, Zoti, i bëj të gjitha këto gjëra”.

8 Pikëloni, o qiej, nga lart dhe retë le të bëjnë të bjerë si shi drejtësia. Le të hapet toka, të prodhojë shpëtimin dhe të bëjë të mbijë njëkohësisht drejtësia. Unë, Zoti, e kam krijuar këtë.

9 Mjerë ai që i kundërvihet atij që e ka formuar, një fragment enësh balte me fragmente të tjera të enëve prej balte. A do t’i thotë argjila atij që i jep formë: “Ç’po bën?”, a do të thotë vepra jote: “Nuk ka duar?”.

10 Mjerë ai që i thotë të atit: “Çfarë po lind?”. dhe nënës së tij: “Çfarë po pjell?”.

11 Kështu thotë Zoti, i Shenjti i Izraelit dhe ai që e ka formuar: “Përsa u përket gjërave të së ardhmes më bëni pyetje rreth bijve të mi dhe më jepni urdhëra rreth veprës së duarve të mia?

12 Por unë kam bërë tokën dhe kam krijuar njeriun mbi të; me duart e mia kam shpalosur qiejtë dhe komandoj tërë ushtrinë e tyre.

13 Unë e ngjalla atë në drejtësinë time dhe do të sheshoj tërë rrugët e tij; ai do të rindërtojë qytetin tim dhe do t’i kthejë të lirë të mërguarit e mi pa paguar shpengim dhe pa bërë dhurata”, thotë Zoti i ushtrive.

14 Kështu thotë Zoti: “Fryti i mundimeve të Egjiptit dhe mallrat e Etiopisë dhe të Sabejve, njerëz me shtat të lartë, do të të kalojnë ty dhe do të të përkasin ty; ata do të ecin pas teje, të lidhur me zinxhirë; do të bien përmbys para teje dhe do të të luten fort, duke thënë: “Me siguri Perëndia është te ti dhe nuk ka asnjë tjetër; nuk ka Perëndi tjetër””.

15 Në të vërtetë ti je një Perëndi që fshihesh, o Perëndi i Izraelit, o Shpëtimtar.

16 Do të mbeten të gjithë të turpëruar dhe të hutuar, po, do të ikin të gjithë bashkë, të mbuluar me turp, sajuesit e idhujve.

17 Por Izraeli do të shpëtohet nga Zoti me një shpëtim të përjetshëm; ju nuk do të turpëroheni ose të hutoheni kurrë më përjetë.

18 Sepse kështu thotë Zoti që ka krijuar qiejtë, ai, Perëndia që ka formuar tokën dhe e ka bërë; ai e ka vendosur, nuk e ka krijuar pa trajtë, por e ka formuar që të banohej: “Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër.

19 Unë nuk kam folur fshehtas në një cep të errët të dheut; nuk u kam thënë pasardhësve të Jakobit: “Më kërkoni kot”. Unë, Zoti, them atë që është e drejtë dhe deklaroj gjërat që janë të vërteta.

20 Mblidhuni dhe ejani, afrohuni bashkë, ju që keni shpëtuar nga kombet! Nuk kanë mend ata që mbajnë një shëmbëlltyrë prej drurit të gdhendur prej tyre dhe i luten një perëndi që nuk mund të shpëtojë.

21 Shpalleni dhe paraqitni arsyetimet tuaja, po, le të këshillohen edhe bashkë. Kush e ka shpallur këtë që në kohët e lashta dhe e ka parashikuar prej një kohe të gjatë? Vallë, nuk jam unë, Zoti? Nuk ka Perëndi tjetër veç meje, një Perëndi i drejtë, një Shpëtimtar; nuk ka asnjë veç meje.

22 Kthehuni nga unë dhe do të shpëtoni, ju mbarë skaje të tokës. Sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër.

23 Jam betuar në veten time, nga goja ime ka dalë një fjalë drejtësie dhe nuk do ta tërheq; çdo gju do të përkulet para meje dhe çdo gjuhë do të betohet për mua.

24 Do të thuhet për mua: “Vetëm tek Zoti kam drejtësi dhe forcë””. Tek ai do të vijnë tërë ata që ishin të ndezur me zemërim kundër tij dhe do të turpërohen.

25 Në Zoti do të shfajesohen dhe do të përlëvdohen gjithë pasardhësit e Izraelit.

Isaia – Kapitulli 46

1 Beli ka rënë, Nebo është rrëzuar; idhujt e tyre i kanë çuar tutje me kafshë barre dhe me pela; gjërat që ju transportonit janë ngarkuar si pesha të rënda për kafshët e lodhura.

2 Janë shembur, kanë rënë bashkë; nuk kanë mundur të shpëtojnë ngarkesën, por ata vetë kanë shkuar në robëri.

3 “Dëgjomëni, o shtëpi e Jakobit, dhe tërë mbetja e shtëpisë së Izraelit, që ju kam përkrahur që kur keni lindur, që jeni mbajtur nga unë qysh në bark të nënës;

4 “Deri në pleqërinë tuaj unë do të mbetem po ai, unë do t’ju mbaj deri sa të thinjeni. Unë ju kam bërë dhe unë do t’ju përkrah; po, do t’ju mbaj dhe do t’ju shpëtoj”.

5 Me cilin doni të më barazoni, me cilin doni të më krahasoni që mund të jemi të njëllojtë?

6 Këta harxhojnë arin e çantës dhe peshojnë argjendin me peshore, paguajnë një argjendar që me to të sajojë një perëndi; pastaj bien përmbys para tij dhe e adhurojnë.

7 E ngarkojnë mbi kurriz dhe e mbartin, e vënë në vendin e tij dhe mbetet atje; nga vendi i tij nuk lëvizet më. Edhe sikur dikush t’i thërrasë atij, ai nuk i përgjigjet as e shpëton nga fatkeqësia e tij.

8 Kujtoni këtë dhe tregohuni burra! Silleni atë ndërmend, o shkelës.

9 Kujtoni gjërat e kaluara të kohëve shumë të vjetra, sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër; jam Perëndia dhe askush nuk më ngjet mua,

10 që shpall fundin që në fillim, dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë, duke thënë: “Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen”,

11 duke thirrur nga lindja një zog grabitqar dhe nga një tokë e largët njeriun që do të zbatojë planin tim. Po, kam folur dhe do të bëj që të ndodhë; kam bërë planin dhe do ta realizoj.

12 Dëgjomëni, e zemërkryeneçë, që i jeni larguar drejtësisë.

13 Po e afroj drejtësinë time, ajo nuk është larg; shpëtimi im nuk do të vonojë. Do ta vë shpëtimin te Sioni dhe do t’i tregoj lavdinë time Izraelit”.

Isaia – Kapitulli 47

1 “Zbrit dhe ulu në pluhur, o e virgjër bijë e Babilonisë. Ulu në tokë, pa fron, o bijë e Kaldeasve, sepse nuk do të quajnë më të brishtë dhe të njomë.

2 Vër dorën mbi mokrën dhe bluaj miellin; lëvize velin tënd, ngrije bishtin e fustanit, zbulo këmbën dhe kalo lumenjtë.

3 Lakuriqësia jote do të zbulohet dhe do të shihet gjithashtu turpi yt; do të hakmerrem dhe asnjeri nuk do të ndërhyjë”.

4 Shpëtimtari ynë, emri i të cilit është Zoti i ushtrive, është i Shenjti i Izraelit.

5 “Ulu në heshtje dhe shko në terr, o bijë e Kaldeasve, sepse nuk do të të quajnë më zonjë të mbretërive.

6 Jam zemëruar me popullin tim, kam përdhosur trashëgiminë time dhe i kam dhënë në pushtetin tënd, por ti nuk ke perdorur për ta kurrfarë mëshire; zgjedhën tënde e ushtrove sidomos mbi të moshuarit,

7 dhe the: “Unë do të jem zonjë përjetë”, dhe kështu nuk i vure këto gjëra në zemër dhe nuk more parasysh fundin e gjithë kësaj ngjarjeje.

8 Por tani dëgjo, o epshndjellëse, që banon në një vend të sigurt dhe thua në zemrën tënde: “Unë, dhe asnjë tjetër! Nuk do të mbetem kurrë e ve dhe s’kam për të njohur humbjen e fëmijëve”.

9 Por këto dy gjëra do të të ndodhin në një çast, në po atë ditë: humbja e fëmijëve dhe vejëria; do të të bien plotësisht mbi kurriz, për shkak të numrit të madh të magjive të tua dhe për morinë e yshtjeve të tua.

10 Ti kishe besim në djallëzinë tënde dhe thoje: “Askush nuk më sheh”. Dituria jote dhe njohuritë e tua të kanë mashtruar, dhe ti thoje në zemrën tënde:

11 “Unë dhe askush tjetër”. Prandaj do të të vijë një fatkeqësi dhe nuk do të dish se nga të vjen; do të bjerë një fatkeqësi, që nuk do të jesh në gjendje ta shmangësh me asnjë lloj shlyerje; do të bjerë papritmas në trup një shkatërrim, që nuk e ke parashikuar.

12 Rri tani me yshtjet e tua dhe me morinë e magjive të tua me të cilat je lodhur që në rininë tënde. Ndofta do të nxjerrësh prej tyre ndonjë përfitim, ndofta do të arrish të ndjellësh frikë.

13 Je lodhur me turmën e këshilltarëve të tu; le të ngrihen, pra, astrologët, ata që studiojnë yjet dhe bëjnë parashikime çdo muaj dhe le të të shpëtojnë nga gjërat që do të bien në kurriz.

14 Ja, ato do të jenë si kashta; zjarri do t’i harrxhojë. Nuk do të shpëtojnë veten e tyre nga fuqia e flakës; nuk do të ketë prush për t’u ngrohur, as zjarr para të cilit të ulesh.

15 Kështu do të jenë ata me të cilët je munduar dhe ke dhënë e ke marrë që në rininë tënde. Secili do të rravgojë për llogari të vet, dhe askush nuk do të të shpëtojë”.

Isaia – Kapitulli 48

1 Dëgjoni këtë, o shtëpi e Jakobit, ju që ju thërrasin me emrin e Izraelit dhe që keni dalë nga burimet e Judës, ju që betoheni për emrin e Zotit dhe që përmendni Perëndinë e Izraelit, por jo me të vërtetë dhe me drejtësi.

2 Duke qenë se quhen me emrin e qytetit të shenjtë dhe mbështeten mbi Perëndinë e Izraelit, emri i të cilit është Zoti i ushtrive;

3 “Unë i shpalla gjërat e kaluara që në fillim; kishin dalë nga goja ime dhe kisha bërë që t’i dëgjonin; pastaj veprova papritmas dhe ato ndodhën.

4 Sepse e dija që ishe kokëfortë, që qafa jote ishte një brez i hekurt dhe balli yt prej bronzi,

5 t’i kam njoftuar që në fillim, bëra që t’i dëgjosh para se të ndodhnin, që të mos kishe për të thënë: “I ka bërë idhulli im, i ka urdhëruar shëmbëlltyra ime e gdhendur dhe shëmbëlltyra ime e shkrirë”.

6 Ti e ke dëgjuar dhe e ke parë tërë këtë gjë. A nuk do ta shpallni? Që tani bëj që të dëgjosh gjëra të reja, gjëra të fshehta që ti nuk i njihje.

7 Ato janë krijuar tashti dhe jo që në fillim; para ditës së sotme nuk i kishe dëgjuar dhe kështu nuk mund të thuash: “Ja, unë i dija”.

8 Jo, ti as nuk i ke dëgjuar as nuk i ke ditur, as veshi yt nuk ishte i hapur atëherë, sepse e dija që ti do të veproje me pabesi dhe që do të quheshe “rebel” që në bark të nënës.

9 Për hir të emrit tim do ta shtyj për më vonë zemërimin tim, dhe për hir të lavdisë sime do ta frenoj që të mos të të shfaros.

10 Ja, unë të kam rafinuar, por jo si argjendi; të kam provuar në poçen e pikëllimit.

11 Për hir të vetvetes, për hir të vetvetes e bëj këtë; si mund të lë, pra, që të përdhoset emri im? Nuk do t’ia jap lavdinë time asnjë tjetri”.

12 “Dëgjomë, o Jakob, dhe Izrael, që unë kam thirrur. Unë jam ai që është; unë jam i pari dhe jam i fundit gjithashtu.

13 Dora ime ka themeluar tokën dhe dora ime e djathtë ka shpalosur qiejtë; kur unë i thërras, paraqiten bashkë.

14 Mblidhuni, ju të gjithë, dhe dëgjoni! Kush prej tyre ka shpallur këto gjëra? Ai që Zoti dashuron do të kryejë vullnetin e tij kundër Babilonisë dhe do të ngrerë krahun e tij kundër Kaldeasve.

15 Unë, unë i fola, po, unë e thirra, e bëra të vijë dhe do të bëj që veprimi i tij të shkojë mbarë.

16 Afrohuni tek unë, dëgjoni këtë: “Qysh në fillim nuk fola në fshehtësi; kur këto fakte ndodhnin, unë isha atje. Dhe tani Zoti, Zoti, dhe Fryma e tij më kanë dërguar””.

17 Kështu thotë Zoti, Çliruesi yt, i Shenjti i Izraelit: “Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të mëson për të mirën tënde, që të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh.

18 Ah, sikur t’u kishe kushtuar kujdes urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si një lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.

19 Trashëgimia jote do të ishte si rëra dhe ata që kanë lindur nga të përbrëndëshmet e tua do të ishin të pallogaritshëm si kokrrizat e saj; emri i tij nuk do të fshihej as do të shkatërrohej para meje”.

20 Dilni nga Babilonia, ikni nga Kaldeasit! Me një zë të gëzuar kumtojeni, shpalleni këtë gjë, përhapeni deri në skajet e tokës. Thoni: “Zoti ka çliruar shërbëtorin e tij Jakob”.

21 Ata nuk patën etje kur i çoi nëpër shkretëtirë. Ai bëri që të burojë për ta ujë nga shkëmbi; e çau shkëmbin dhe dolën ujërat.

22 “Nuk ka paqe për të pabesët”, thotë Zoti.

Isaia – Kapitulli 49

1 Ishuj, dëgjomëni, dhe kushtojini kujdes, o popuj të largët. Zoti më ka thirrur që kur isha në bark të nënës, ka përmendur emrin tim që kur isha në të përbrëndëshmet e nënës sime.

2 Ma bëri gojën si një shpatë të mprehtë, më ka fshehur në hijen e dorës së tij, më ka dhënë një shigjetë me majë, më ka futur në kukurën e tij.

3 Më ka thënë: “Ti je shërbëtori im, Izrael, në të cilin do të përlëvdohem”.

4 Por unë thoja: “Më kot jam lodhur; për hiç gjë dhe pa dobi kam harxhuar forcën time; por me siguri e drejta ime është pranë Zotit dhe shpërblimi im pranë Perëndisë tim”.

5 Dhe tani thotë Zoti që më ka formuar që në bark të nënës që të jem shërbëtori i tij, që t’i sjell atij përsëri Jakobin dhe që të mbledh rreth tij Izraelin (unë jam i nderuar në sytë e Zotit dhe Perëndia im është forca ime).

6 Ai thotë: “Éshtë tepër pak që ti të jesh shërbëtori im për të lartuar përsëri fiset e Jakobit dhe për të kthyer ata që kanë shpëtuar nga Izraeli. Të kam vendosur si dritën e kombeve, me qëllim që të jesh Shpëtimi im deri në skajet e tokës”.

7 Kështu i thotë Zoti, Çliruesi i Izraelit, i Shenjti i tij, atij që përbuzet nga njerëzit, që urrehet nga kombi, shërbëtorit të sundimtarëve: “Mbretërit do të shohin dhe do të ngrihen, princat do të

8 Kështu thotë Zoti: “Në kohën e hirit unë ta kam plotësuar dëshirën dhe në ditën e shpëtimit të kam ndihmuar; do të të ruaj dhe do të të bëj aleancën e popullit, për ta ringjallur vendin, për të të shtënë në dorë trashëgimitë e shkatërruara,

9 për t’u thënë robërve: “Dilni”, dhe atyre që janë në terr: “Shfaquni”. Ata do të kullosin gjatë rrugëve dhe në të gjitha lartësitë e braktisura do të kenë kullotat e tyre.

10 Nuk do të kenë as uri as etje, nuk do të goditen më as nga vapa as nga dielli, sepse ai që ka mëshirë për ta do t’i udhëheqë dhe do t’i çojë te burimet e ujit.

11 Do t’i ndryshoj tërë malet e mia në rrugë, dhe rrugët e mia kryesore do të ngrihen.

12 Ja, këta vijnë nga larg; ja, ata nga veriu dhe nga lindja, dhe ata nga vendi i Sinimit”.

13 Ngazëlloni, o qiej, gëzohu, o tokë, dhe lëshoni britma gëzimi, o male, sepse Zoti ngushëllon popullin e tij dhe i vjen keq për të pikëlluarit e tij.

14 Por Sioni ka thënë: “Zoti më ka braktisur, Zoti më ka harruar”.

15 “A mundet një grua të harrojë foshnjen e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut të saj? Edhe sikur ato të të harrojnë, unë nuk do të harroj.

16 Ja, unë të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia; muret e tua më rrinë gjithnjë para syve.

17 Bijtë e tu do të shpejtojnë, shkatërruesit e tu dhe rrënuesit e tu do të largohen prej teje.

18 Ngrej sytë e tu rreth e qark dhe shiko. Të tërë ata po mblidhen dhe po të vijnë. Ashtu siç është e vërtetë që unë jetoj, thotë Zoti, do të vishesh me tërë ata si me një ornament dhe do t’i lidhësh mbi veten tënde, ashtu si bën nusja.

19 Prandaj vendet e tua të shkreta dhe të pikëlluara dhe vendi yt i goditur një herë nga shkatërrimi do të jenë tani tepër të ngushtë për banorët, ndërsa ata që të gllabëronin do të jenë mjaft larg.

20 Fëmijët që do të kesh pas atyre që ke humbur, do të të thonë në vesh: “Ky vend është tepër i ngushtë për mua; bëmë më tepër vend që të mund të vendosem”.

21 Atëherë ti do të thuash në zemrën tënde: “Kush i ka pjellë këta? Unë në fakt isha i privuar nga fëmijët e mi, isha shterpë e mërguar dhe e dëbuar sa këtej dhe andej. Këta kush i rriti? Ja, unë kisha mbetur vetëm, dhe këta ku ishin?””.

22 Kështu thotë Zoti, Zoti: “Ja, unë do të ngre dorën time mbi kombet, do të ngre flamurin tim mbi popujt; atëherë do t’i sjellin bijtë e tu në krahë dhe vajzat e tua do t’i sjellin mbi supe.

23 Mbretërit do të jenë baballarët tuaj birësues dhe mbretëreshat e tyre do të jenë tajat tuaja; ata do të bien përmbys para teje me fytyrën përtokë dhe do të lëpijnë pluhurin e këmbëve të tua; kështu do të mësosh që unë jam Zoti dhe ata që shpresojnë tek unë nuk do të turpërohen.

24 A do të mund t’i shkëputet vallë preja të fuqishmit apo të çlirohet i burgosuri që është i drejtë?”.

25 Po, kështu thotë Zoti: “Edhe i burgosuri do të çohet tutje dhe preja e tiranit do të shpëtohet. Unë vetë do të luftoj me atë që lufton me ty dhe do të shpëtoj bijtë e tu.

26 Do të bëj që shtypësit e tu të hanë mishin e vet, dhe do të dehen me gjakun e vet si të ishte musht. Atëherë çdo mish do të pranojë që unë, Zoti, jam Shpëtimtari yt, Çliruesi yt, i Fuqishmi i Jakobit”.

Isaia – Kapitulli 50

1 Kështu thotë Zoti: “Ku është letra e shkurorëzimit e nënës tuaj me të cilën unë e ndava? Ose te cili nga huadhënësit e mi ju shita? Ja, ju jeni shitur për shkak të paudhësive tuaja dhe nënën tuaj është ndarë për shkak të shkeljeve tuaja.

2 Kur erdha, pse s’kishte njeri? Pse, kur thirra, askush nuk u përgjigj? Éshtë me të vërtetë dora ime tepër e shkurtër për të shpëtuar apo nuk paskam forcën për të çliruar? Ja, me kërcënimin tim po thaj detin dhe i kthej lumenjtë në shkretëtirë; peshku i tyre po qelbet për mungesë uji dhe po ngordh nga etja.

3 Unë i vesh qiejtë me të zeza dhe u jap atyre një grathore për mbulesë”.

4 Zoti, Zoti, më ka dhënë gjuhën e dishepujve që të mund ta mbaj me fjalë të lodhurin; ai më zgjon çdo mëngjes; zgjon veshin tim, që unë të dëgjoj si veprojnë dishepujt.

5 Zoti, Zoti, më ka hapur veshin dhe unë nuk kam qenë rebel, as jam tërhequr prapa.

6 I paraqita kurrizin tim atij që më rrihte dhe faqet e mia atij që më shkulte mjekrën; nuk ia fsheha fytyrën time poshtërimit dhe të pështyrave.

7 Por Zoti, Zoti, më ka ndihmuar, prandaj nuk qeshë hutuar; për këtë arsye e bëra fytyrën time si një strall dhe e di që nuk do të turpërohem.

8 Éshtë afër ai që më justifikon; kush do të më kundërshtojë mua? Le të paraqitemi bashkë. Kush është kundërshtari im? Le të më afrohet mua.

9 Ja, Zoti, Zoti, do të më ndihmojë; kush është ai që do të më dënojë? Ja, të gjithë ata do të konsumohen si një palë rroba, tenja do t’i brejë”.

10 Kush prej jush ka frikë nga Zoti dhe dëgjon zërin e shërbëtorit të tij? Kush ecën në terr pa asnjë dritë, le të ketë besim në emrin e Zotit dhe të mbështehet te Perëndia i tij!

11 Ja, ju të gjithë që ndizni një zjarr, që rrethoheni me ura zjarri, shkoni në flakët e zjarrit tuaj dhe midis urave që keni ndezur! Nga dora ime do të keni këtë: ju do të lëngoni në vuajtje.

Isaia – Kapitulli 51

1 Dëgjomëni, ju që ndiqni drejtësinë dhe kërkoni Zotin! Shikoni shkëmbin nga i cili jeni prerë dhe zgafellën e minierës prej së cilës keni dalë.

2 Shikoni Abrahamin, atin tuaj, dhe Sarën që ju ka lindur, sepse e thirra kur ishte vetëm. E bekova dhe e shumova.

3 Në fakt Zoti do të ngushëllojë Sionin, do ta ngushëllojë për të gjitha shkatërrimet e tij, do ta bëjë shkretëtirën e tij si Edenin dhe vetminë e tij si kopshtin e Zotit. Do të gjejnë në të gëzim dhe hare, falenderim dhe tinguj këngësh.

4 Kushtomë kujdes, o populli im, dëgjomë, o kombi im, sepse nga unë do të vijë ligji dhe unë do të vendos të drejtën time si dritë e popujve.

5 Drejtësia ime është e afërt, shpëtimi im do të shfaqet dhe krahët e mi do të gjykojnë popujt; ishujt do të kenë shpresë tek unë dhe do të kenë besim në krahun tim.

6 Çoni sytë tuaj drejt qiellit dhe shikoni tokën që ndodhet poshtë, sepse qiejtë do të davariten si tym, toka do të konsumohet si një rrobe dhe po kështu banorët e saj do të vdesin; por shpëtimi im do të vazhdojë përjetë dhe drejtësia ime nuk do të mungojë kurrë.

7 Dëgjomëni, o ju që e njihni drejtësinë, o popull, që ka në zemër ligjin tim. Mos kini frikë turpërimin nga njerëzit, as mos u trembni nga fyerjet e tyre të rënda.

8 Sepse tenja do t’i hajë si një rrobe dhe mola do t’i brejë si leshin, por drejtësia ime do të jetë përjetë dhe shpëtimi im brez pas brezi.

9 Zgjohu, zgjohu, vishu me forcë, o krah i Zotit, zgjohu si në ditët e lashta, ashtu si në brezat që shkuan! A nuk je ti ai që e ke bërë copë-copë Rahabin, që ke prerë kuçedrën?

10 A nuk je ti ai që ke tharë detin, ujërat e humnerës së madhe, që i ke bërë rrugë thellësitë e detit, me qëllim që të çliruarit të kalonin?

11 Kështu të shpenguarit nga Zoti do të kthehen, do të vijnë në Sion me klithma gëzimi dhe një hare e përjetshme do të kurorëzojë kokën e tyre; do të marrin gëzim dhe hare, e dhembja dhe rënkimi do të zhduken.

12 Unë, unë vetë, jam ai që ju ngushëllon; kush je ti që i trembesh njeriut që po vdes dhe birit të njeriut të caktuar të jetë si bari?

13 Ti ke harruar Zotin që të ka bërë, që ka shpalosur qiejt dhe ka hedhur themelet e tokës. Ti kishe gjithnjë frikë, tërë ditën përpara tërbimit të shtypësit; kur ai përgatitej të të shkatërronte. Por ku është tani tërbimi i shtypësit?

14 I mërguari në robëri do të çlirohet së shpejti, nuk do të vdesë në gropë as nuk do t’i mungojë buka.

15 Sepse unë jam Zoti, Perëndia yt, që tund detin dhe bën të gjëmojnë valët; emri i tij është Zoti i ushtrive.

16 Unë i vura fjalët e mia në gojën tënde dhe të mbulova me hijen e dorës sime për të vendosur qiejtë dhe për të hedhur themelet e tokës, dhe për t’i thënë Sionit: “Ti je populli im”.

17 Rizgjohu, rizgjohu, çohu, o Jeruzalem, që ke pirë nga dora e Zotit kupën e zemërimit të tij, që ke pirë llumin e kupës së hutimit deri sa e kullove krejt.

18 Midis gjithë bijve që ka pjellë nuk ka asnjë që ta udhëheqë; midis gjithë bijve që ka rritur nuk ka asnjë që ta marrë prej dore.

19 Këto dy gjëra të kanë ndodhur, kujt do t’i vijë keq për ty? Pikëllim dhe shkatërrim, uri dhe shpatë, kush do të ngushëllojë?

20 Djemtë e tu ligështoheshin, qëndronin në krye të të gjitha rrugëve si një antilopë e zënë në rrjetë, plot me zemërimin e Zotit, me kërcënimin e Perëndisë tënd.

21 Prandaj tani dëgjo këtë, o e pikëlluar dhe e dehur, por jo nga vera.

22 Kështu thotë Zoti yt, Zoti, Perëndia yt, që mbron çështjen e popullit të tij: “Ja, unë po të heq nga dora kupën e hutimit, llumin e kupës së zemërimit tim; ti nuk do ta pish më.

23 Do ta vë përkundrazi në duart e atyre që të hidhëronin dhe të thonin: “Shtrihu për tokë, që të kalojmë mbi ty”, dhe ti e bëje kurrizin tënd një vend, një rrugë për kalimtarët”.

Isaia – Kapitulli 52

1 Rizgjohu, rizgjohu, rivishu me forcën tënde, o Sion; vish rrobat e tua të mrekullueshme, o Jeruzalem, qytet i shenjtë! Sepse nuk do të hyjnë më te ti i parrethpreri dhe i papastri.

2 Shkunde pluhurin që ke në kurriz, çohu dhe ulu ndenjur, o Jeruzalem; zgjidhi zinxhirët që ke në qafë, o bijë e Sionit, që je në robëri!

3 Sepse kështu thotë Zoti: “Ju kanë shitur për asgjë dhe do të shpengoheni pa para”.

4 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: “Populli im zbriti së lashti në Egjipt për të banuar; pastaj Asiri e shtypi pa shkak.

5 Dhe tani çfarë po bëj unë këtu?”, thotë Zoti, “ndërsa popullin tim e kanë hequr larg për asgjë? Ata që e sundojnë, bëjnë që ai të rënkojë”, thotë Zoti, “dhe emri im shahet vazhdimisht tërë ditën.

6 Prandaj populli im do të njohë emrin tim, prandaj do të kuptojë atë ditë që jam unë që kam folur: “Ja ku jam!””.

7 Sa të bukura janë mbi malet këmbët e lajmëtarit që sjell lajme të mira që njofton paqen, që sjell lajme të bukura mbi gjëra të mira, që shpall shpëtimin, që i thotë Sionit: “Perëndia yt mbretëron!”.

8 Dëgjo! Rojet e tua ngrenë zërin dhe lëshojnë bashkë britma gëzimi, sepse shohin me sytë e tyre Zotin që kthehet në Sion.

9 Shpërtheni bashkë në britma gëzimi, o rrënoja të Jeruzalemit, sepse Zoti ngushëllon popullin e tij dhe çliron Jeruzalemin.

10 Zoti ka zhveshur krahun e tij të shenjtë para syve të të gjitha kombeve; të gjitha skajet e tokës do të shohin shpëtimin e Perëndisë tonë.

11 Ikni, ikni, dilni andej, mos prekni asgjë të papastër! Dilni nga ambienti i saj, pastrohuni, ju që mbani vazot e Zotit!

12 Sepse ju nuk do të niseni me nxitim dhe nuk do të shkoni me turr, sepse Zoti do të ecë para jush, Perëndia i Izraelit do të jetë praparoja juaj.

13 Ja, shërbëtori im do të begatohet, do të ngrihet dhe do të lartësohet shumë.

14 Duke qenë se shumë veta u çuditën me ty, sepse pamja e tij ishte e shfytyruar më tepër se e çdo njeriu tjetër dhe fytyra e tij ishte ndryshe nga ajo e bijve të njeriut,

15 kështu ai do të spërkasë shumë kombe; mbretërit do të mbyllin gojën para tij, sepse do të shohin çfarë nuk u ishte treguar kurrë atyre dhe do të kuptojnë ato që nuk kishin dëgjuar.

Isaia – Kapitulli 53

1 Kush i ka besuar predikimit tonë dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit?

2 Ai erdhi lart para tij si një degëz, si një rrënjë nga një tokë e thatë. Nuk kishte figurë as bukuri për të tërhequr shikimin tonë, as paraqitje që ne ta dëshironim.

3 I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja, ishte përçmuar, dhe ne nuk e çmuam aspak.

4 Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur.

5 Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar.

6 Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.

7 I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën.

8 U çua larg nga shtypja dhe nga gjykimi; dhe nga brezi i tij kush mendoi se ai ishte larguar nga toka e të gjallëve dhe ishte goditur për shkak të shkeljeve të popullit tim?

9 Kishin caktuar ta varrosnin bashkë me të pabesët, po kur vdiq e vunë me të pasurin, sepse nuk kishte kryer asnjë dhunë dhe nuk kishte pasur asnjë mashtrim në gojën e tij.

10 Por i pëlqeu Zotit ta rrihte dhe ta bënte të vuante. Duke ofruar jetën e tij si flijim për mëkatin, ai do të shikojë pasardhës, do të zgjasë ditët e tij, dhe vullneti i Zotit do të ketë mbarësi në duart e tij.

11 Ai do të shikojë frytin e mundimit të shpirtit të tij dhe do të jetë i kënaqur; me anë të diturisë së tij, i drejti, shërbëtori im, do të bëjë të drejtë shumë veta, sepse do të marrë përsipër paudhësitë e tyre.

12 Prandaj do t’i jap pjesën e tij midis të mëdhenjve, dhe ai do ta ndajë plaçkën me të fuqishmit, sepse e ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve; ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve.

Isaia – Kapitulli 54

1 Ngazëllo, o shterpë, që nuk lindje; shpërthe në britma të larta gëzimi, ti që nuk provoje dhembjet e lindjes! Sepse fëmijët e së shkretës do të jenë më të shumtë se fëmijët e gruas së martuar, thotë Zoti.

2 Zgjero vendin e çadrës sate dhe fletët e banesave të tua le të shtrihen pa kursim; zgjati litarët e tu dhe përforco kunjat e tu,

3 sepse do të shtrihesh në të djathtë dhe në të majtë; pasardhësit e tu do të zotërojnë kombet dhe do të popullojnë qytetet e shkretuara.

4 Mos u frikëso, sepse nuk do të ngatërrohesh; mos ki turp, sepse nuk do të skuqesh; do të harrosh madje turpin e rinisë sate dhe nuk do ta kujtosh më çnderimin e vejërisë sate.

5 Sepse krijuesi yt është dhëndri yt; emri i tij është Zoti i ushtrive; Çliruesi yt është i Shenjti i Izraelit, i quajtur Perëndi i tërë tokës.

6 Sepse Zoti të ka thirrur si një grua të braktisur dhe të pikëlluar në frymën e saj, si nusja e rinisë që është përzënë, thotë Perëndia yt.

7 Të kam braktisur për një çast të shkurtër, por me dhembshuri të pamasë do të të mbledh.

8 Në një shpërthim zemërimi të kam fshehur për një çast fytyrën time, por me një dashuri të përjetshme do të kem dhembshuri për ty, thotë Zoti, Çliruesi yt.

9 Për mua ky do të jetë një fakt si ujërat e Noeut; ashtu siç u betova që ujërat e Noeut nuk do të mbulonin më tokën, kështu betohem që nuk do të zëmërohem më me ty dhe nuk do të të kërcënoj më.

10 Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria ime nuk do të largohet prej teje as besëlidhja e paqes nuk do të hiqet, thotë Zoti, që ka dhëmbshuri për ty.

11 O e pikëlluar, e rrahur nga stuhia, e pangushëlluar, unë do të ngallmoj gurët e tu të çmuar në antimon dhe do të të themeloj mbi safirët.

12 Do t’i bëjë bedenat e tu prej rubinësh, portat e tua prej xhevairi dhe tërë rrethimin tënd prej gurësh të çmuar.

13 Tërë bijtë e tu do të mësohen nga Zoti dhe e madhe ka për të qenë paqja e bijve të tu.

14 Ti do të vendosesh ngultas në drejtësi; do të jesh larg nga shtypja, sepse nuk duhet të trëmbesh më edhe nga tmerri, sepse nuk do të të afrohet më ty.

15 Ja, edhe mund të mblidhen kundër teje, por kjo nuk do të jetë nga ana ime. Cilido që do të mblidhet kundër teje, do të rrëzohet para teje.

16 Ja, unë kam krijuar kovaçin që i fryn prushit të zjarrit dhe nxjerr prej tij një vegël për punën e tij, dhe kam krijuar shkatërruesin për të prishur.

17 Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses, dhe çdo gjuhë që do të ngrihet të gjykojë kundër teje, ti do ta dënosh. Kjo është trashëgimia e shërbëtorëve të Zotit dhe drejtësia e tyre vjen nga unë”, thotë Zoti.

Isaia – Kapitulli 55

1 “O ju të gjithë që keni etje, ejani tek ujërat, dhe ju që nuk keni para ejani, blini dhe hani! Ejani, blini pa para dhe pa paguar verë dhe qumësht!

2 Pse shpenzoni para për atë që nuk është bukë dhe fryt i mundit tuaj, për atë që nuk të ngop? Dëgjomëni me kujdes dhe do të hani atë që është e mirë, dhe shpirti juaj do të shijojë ushqime të shijshme.

3 Vini veshin dhe ejani tek unë, dëgjoni dhe shpirti juaj do të jetojë; dhe unë do të bëj me ju një besëlidhje të përjetshme, sipas hirit të qëndrueshëm që i premtova Davidit.

4 Ja, unë ia dhashë si dëshmitar popujve, si princ dhe komandant të popujve.

5 Ja, ti do të thërrasësh një komb që nuk e njeh, dhe një komb që nuk të njeh do të vrapojë te ti, për shkak të Zotit, Perëndisë tënd, dhe të Shenjtit të Izraelit, sepse ai të ka përlëvduar”.

6 Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet, e thirrni ndërsa është afër.

7 I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, tek Perëndia ynë që fal bujarisht.

8 “Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia”, thotë Zoti.

9 “Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja.

10 Ashtu si shiu dhe bora zbresin nga qielli dhe nuk kthehen prapa pa vaditur tokën, pa e bërë pjellore, pa bërë që të mbij në mënyrë që ai që do të mbjellëtë marrë farën dhe të sigurojë bukën për të ngrënë,

11 Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.

12 Sepse ju do të niseni me gëzim dhe do t’ju kthejnë në paqe. Malet dhe kodrat do të shpërthejnë në britma gëzimi përpara jush dhe tërë drurët e fushave do të duartrokasin.

13 Në vend të ferrave do të rritet selvia, në vend të hithrave do të rritet mersina; kjo do të jetë për Zotin një titull lavdie, një shenjë e përjetshme që nuk do të shkatërrohet”.

Isaia – Kapitulli 56

1 Kështu thotë Zoti: “Respektoni të drejtën dhe zbatoni drejtësinë, sepse shpëtimi im është duke ardhur dhe drejtësia ime do të shfaqet.

2 Lum njeriu që vepron kështu dhe biri i njeriut që i përmbahet kësaj, që respekton të shtunën pa e përdhosur dhe që e përmban dorën e tij nga kryerja e çfarëdo veprimi të keq”.

3 Të mos thotë biri i të huajit që është bashkuar me Zotin: “Zoti me siguri më ka përjashtuar nga populli i tij”. Dhe të mos thotë eunuku: “Ja, unë jam një dru i thatë”.

4 Sepse kështu thotë Zoti: “Eunukët që respektojnë të shtunat e mia, që zgjedhin atë që më pëlqen mua dhe që i përmbahen me vendosmëri besëlidhjes sime,

5 do t’u jap atyre në shtëpinë time dhe brenda mureve të mia një vend dhe një emër, që do të vlejë më tepër nga ai i bijve dhe i bijave; do t’u jap atyre një emër të përjetshëm që nuk do të fshihet kurrë.

6 Bijtë e të huajve që janë bashkuar me Zotin për t’i shërbyer, për të dashur emrin e Zotit dhe për të qenë shërbëtorë të tij, tërë ata që respektojnë të shtunën pa e përdhosur dhe që i përmbahen me vendosmëri besëlidhjes sime,

7 do t’i çoj në malin tim të shenjtë dhe do t’i mbush me gëzim në shtëpinë time të lutjes; olokaustet e tyre dhe flijimet e tyre do të pëlqehen mbi altarin tim, sepse shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje për të gjithë popujt”.

8 Zoti, Zoti, që i mbledh të shpërndarit e Izraelit, thotë: “Unë do të mbledh rreth tij edhe të tjerë, përveç atyre që kam mbledhur”.

9 O ju mbarë, kafshë të fushave, ejani për të ngrënë; ejani, ju mbarë kafshë të pyllit!

10 Rojtarët e tyre janë të verbër, janë të gjithë të paditur, janë të gjithë qen memecë, të paaftë të lehin; shohin ëndrra, rrinë shtrirë, u pëlqen të dremitin.

11 Janë qen llupës, që nuk ngopen kurrë, janë barinj që nuk kuptojnë asgjë; ndjekin të gjithë rrugën e tyre, secili shikon interesin e vet, për llogari të vet.

12 “Ejani”, thonë, “do të marr verë dhe do të dehemi me pije dehëse; nesër do të jetë si sot, madje shumë më mirë.

Isaia – Kapitulli 57

1 I drejti vdes, por askush nuk kujdeset për të; njerëzit e devotshëm çohen tutje, dhe askush nuk mendon që i drejti është çuar larg përpara së keqes.

2 Ai hyn në paqe; ata që kanë ecur në ndershmëri pushojnë në shtretërit e tyre.

3 Por afrohuni këtu, ju bij të magjistares, pasardhës të shkelësit të kurorës dhe të prostitutes.

4 Me kë po talleni? Kundër kujt e hapni gojën dhe nxirrni jashtë gjuhën? A nuk jeni ju bij të rebelimit, pasardhës të gënjeshtrës,

5 ju, që ndizeni midis lisave poshtë çdo druri të blertë, therni bijtë në luginat, në të çarat e shkëmbinjve?

6 Pjesa jote është midis gurëve të lëmuar të përroit; ata, pikërisht ata janë pjesa jote; mbi ta ke derdhur libacione dhe ke sjellë blatime ushqimesh. A do të mund të gjeja përdëllim në këto gjëra?

7 Ti e ke vënë shtratin tënd mbi një mal të lartë dhe të ngritur, edhe aty ke hipur për të ofruar flijime.

8 I ke vënë simbolet e tu idhujtarë prapa portave dhe pas shtalkave. Larg meje je zbuluar dhe je ngjitur tek ata; ke zgjeruar shtratin tënd dhe ke bërë një besëlidhje me ta, ke pëlqyer shtratin e tyre, duke synuar pushtetin e tyre.

9 Ke shkuar te mbreti me vaj, duke i shumuar parfumet e tua; i dërgove larg lajmëtarët e tu dhe u ule deri në Sheol.

10 Nga shkaku i udhëtimeve të tua të shumta je lodhur, por nuk ke thënë: “Éshtë e kotë”. Ke gjetur akoma fuqi në dorën tënde, prandaj nuk e ndjen veten të kapitur.

11 Nga kush ke pasur frikë, nga kush je trembur për të gënjyer, për të mos më kujtuar mua dhe për të mos menduar më për mua? A nuk kam qëndruar në heshtje për një kohë të gjatë? Prandaj nuk ke më frikë nga unë.

12 Unë do të shpall drejtësinë tënde dhe veprat e tua, që nuk do të hyjnë aspak në punë.

13 Kur do të bërtasësh, le të vijë të të shpëtojë turma e idhujve të tu. Era do t’i përlajë të tërë, një frymë do t’i çojë tutje. Por ai që gjen strehë tek unë do të zotërojë vendin dhe do të trashëgojë malin tim të shenjtë.

14 Dhe do të thuhet: “Sheshoni, sheshoni, shtroni rrugën, hiqni pengesat nga rruga e popullit tim!”.

15 Sepse kështu thotë i Larti dhe i Madhërishmi që banon përjetësinë dhe emri i të cilit është i “Shenjti”: “Unë banoj në vendin e lartë dhe të shenjtë dhe bashkë me atë që është i penduar dhe i përulur nga fryma, për të ngjallur frymën e të përulurve, për të ngjallur frymën e të penduarve.

16 Sepse unë nuk dua të kundërshtoj gjithnjë dhe as të jem i zemëruar përjetë, përndryshe para meje do të ligështoheshin fryma dhe shpirtërat që kam bërë.

17 Për shkak të paudhësisë së lakmisë së tij u zemërova dhe e godita; u fsheha, u indinjova, por ai u largua duke ndjekur rrugën e zemrës së tij.

18 I pashë rrugët e tij, por unë do ta shëroj, do ta udhëheq dhe do t’i jap përsëri ngushëllimet e mia atij dhe të tijve që janë të pikëlluar.

19 Unë krijoj frytin e buzëve. Paqe, paqe atij që është larg dhe atij që është afër”, thotë Zoti. “Unë do ta shëroj”.

20 Por të pabesët janë si deti i trazuar, që nuk mund të qetësohet dhe ujërat e të cilit vjellin llucë dhe baltë.

21 “Nuk ka paqe për të pabesët”, thotë Perëndia im.

Isaia – Kapitulli 58

1 “Bërtit sa të mundësh, mos u kurse; ngrije zërin tënd si një bori dhe shpalli popullit tim shkeljet e tij dhe shtëpisë së Jakobit mëkatet e tij.

2 Më kërkojnë çdo ditë dhe dëshirojnë të njohin rrugët e mia, si një komb që zbaton drejtësinë dhe nuk braktis ligjin e Perëndisë të tij; më kërkojnë gjykime të drejta dhe dëshirojnë t’i afrohen Perëndisë.

3 Ata thonë: “Pse kemi agjëruar, dhe ti nuk e ke parë? Pse kemi hidhëruar shpirtërat tona dhe ti nuk e ke vënë re?”. Ja, ditën e agjërimit tuaj ju bëni atë që ju pëlqen dhe i detyroni punëtorët tuaj të kryejnë një punë të rëndë.

4 Ja, ju agjëroni për grindje dhe mosmarrëveshje dhe për të goditur pabesisht me grusht. Duke agjëruar ashtu si bëni sot, nuk bëni që zëri juaj të dëgjohet lart.

5 A është ky agjërimi të cilin e pëlqej, dita në të cilën njeriu pikëllon shpirtin e tij? Të përkulësh kokën si xunkthi dhe të shtrihesh mbi një shtrat prej thesi dhe hiri? A e quan këtë vallë agjërim dhe ditë që i pëlqen Zotit?

6 Agjërimi që më pëlqen a nuk është vallë ky: të thyesh zinxhirët e ligësisë, të zgjidhësh verigat e zgjedhës, t’i lësh të lirë të shtypurit, të dërmosh çdo zgjedhë?

7 A nuk konsiston vallë në ndarjen e bukës sate me atë që ka uri, në sjelljen në shtëpinë tënde të të varfërit pa strehë, në të veshurit e atij që është lakuriq, pa lënë pas dore ata që janë nga gjaku yt?

8 Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi dhe shërimi yt do të mbijë menjëherë, drejtësia jote do të të pararendë dhe lavdia e Zotit do të jetë praparoja jote.

9 Atëherë do të thërrasësh dhe Zoti do të të përgjigjet, do të bërtasësh dhe ai do të thotë: “Ja ku jam!”. Në rast se ti heq dorë nga zgjedha, tregimi me gisht dhe të folurit mbrapsht,

10 në rast se plotëson nevojat e të uriturit dhe ngop shpirtin e pikëlluar, atëherë drita jote do të lindë nga terri dhe terri yt do të jetë si mesdita.

11 Zoti do të të udhëheqë vazhdimisht, do të ngopë shpirtin tënd në vendet e thata dhe do t’u japë forcë kockave të tua; ti do të jesh si një kopsht i vaditur dhe si një burim uji, ujërat e të cilit nuk shterojnë.

12 Njerëzit e tu do të rindërtojnë rrënojat e lashta, dhe ti do të ngresh përsëri themelet e shumë brezave të shkuara; kështu do të quhesh riparuesi i të çarave, restauruesi i shtigjeve për të banuar në vend.

13 Në rast se e përmban këmbën që të mos dhunosh të shtunën, në rast se nuk kryen punët e tua gjatë ditës sime të shenjtë, në rast se e quan të shtunën kënaqësi, ditën e shenjtë të Zotit, që meriton

14 do të gjesh kënaqësinë tënde tek Zoti, dhe unë do të të bëjë që të kalërosh mbi lartësitë e tokës dhe do të të jap të hash trashëgiminë e Jakobit, atit tënd, sepse goja e Zotit ka folur”.

Isaia – Kapitulli 59

1 Ja, dora e Zotit nuk është tepër e shkurtër për të shpëtuar, as veshi i tij nuk është tepër i rënduar për të dëgjuar.

2 Por paudhësitë tuaja kanë shkaktuar një ndarje midis jush dhe Perëndisë tuaj, dhe mëkatet tuaja kanë bërë të fshihet fytyra e tij prej jush, që të mos ju dëgjojë më.

3 Sepse duart tuaja janë ndotur me gjak dhe gishtërinjtë tuaj me paudhësi; buzët tuaja thonë gënjeshtra, gjuha juaj pëshpërit çoroditje.

4 Askush nuk çel padi me drejtësi, askush nuk e mbron me të vërtetën; kanë besim te fjalët boshe dhe thonë gënjeshtrën, mendojnë të keqen dhe pjellin paudhësinë.

5 Bëjnë që të çelin vezët e nepërkës dhe tjerrin rrjeta merimangash; ai që ha nga vezët e tyre vdes, dhe nga veza e shtypur del jashtë një nepërkë.

6 Rrjetat e tyre nuk do të bëhen rroba, as nuk do të mbulohen me atë që kanë bërë. Veprat e tyre janë vepra paudhësie dhe në duart e tyre ka veprime dhune.

7 Këmbët e tyre vrapojnë drejt së keqes dhe shpejtojnë të derdhin gjak të pafaj; mendimet e tyre janë mendime paudhësie; në shtigjet e tyre ka pikëllim dhe shkatërrim.

8 Rrugën e paqes nuk e njohin dhe nuk ka ndershmëri në rrugët e tyre; i bëjnë dredharake shtigjet e tyre dhe secili që ecën nëpër to nuk njeh paqe.

9 Prandaj ndershmëria është larg nesh dhe drejtësia nuk arrin deri te ne; prisnim dritën, por ja që erdhi errësira, prisnim shkëlqimin, por ja që ecim në errësirë.

10 Prekim murin si të verbërit, ecim verbazi sikur të ishim pa sy; pengohemi në mesditë sikur të ishte mugëtirë; në vende të shkretuara jemi si të vdekur.

11 Ne të gjithë ulërijmë si arinj dhe vazhdojmë të rënkojmë si pëllumbesha, presim të vijë ndershmëria, por ajo nuk vjen; shpëtimin, por ai është larg nesh.

12 Sepse shkeljet tona janë shumuar para teje dhe mëkatet tona dëshmojnë kundër nesh, sepse shkeljet tona na rrinë përpara dhe fajet tona i njohim:

13 duke u rebeluar dhe duke mohuar Zotin, duke mos e ndjekur më Perëndinë tonë, duke folur për shtypje dhe kryengritje, duke i dhënë dhe duke murmuritur në zemër fjalë të rreme.

14 Ndershmëria është larguar dhe drejtësia ka mbetur larg, sepse e vërteta nuk ndodhet më në shesh dhe paanësia nuk mund të hyjë në të.

15 Kështu e vërteta është zhdukur, dhe ai që tërhiqet nga e keqja bëhet një pre e lehtë. Zoti e pa këtë dhe i erdhi keq që nuk ka më ndershmëri.

16 Ai e pa që nuk kishte më asnjë dhe u habit që askush nuk ndërhynte; atëherë i erdhi në ndihmë krahu i tij dhe drejtësia e tij e ka mbajtur,

17 ai u veshi me drejtësinë si me një parzmore dhe vuri mbi kryet e tij përkrenaren e shpëtimit, veshi rrobat e hakmarrjes dhe u mbulua me xhelozi si me një mantel.

18 Ai do t’i japë secilit sipas veprave të tij; tërbimin kundërshtarëve të tij, shpagimin armiqve të tij; ishujve do t’u japë shpërblim të plotë.

19 Kështu do të kenë frikë nga emri i Zotit ata nga perëndimi prej lavdisë së tij ata nga lindja; kur kundërshtari do të vijë si një lum i furishëm, Fryma e Zotit do të lartojë kundër tij një flamur.

20 “Një çlirues do të vijë në Sion dhe për ata të kthyerit nga rebelimi i tyre te Jakobi”, thotë Zoti.

21 “Sa për mua, kjo është besëlidhja ime me ata”, thotë Zoti: “Fryma ime është mbi ty dhe fjalët e mia që vura në gojën tënde nuk do të largohen kurrë nga goja jote as nga goja e pasardhësve të tu, as nga goja e pasardhësve të pasardhësve të tu”, thotë Zoti, “tani e përgjithmonë”.

Isaia – Kapitulli 60

1 “Çohu, shkëlqe, sepse drita jote ka ardhur, dhe lavdia e Zotit u ngrit mbi ty.

2 Sepse ja, terri mbulon tokën dhe një errësirë e dëndur mbulon popujt; por mbi ty ngrihet Zoti dhe lavdia e tij duket mbi ty.

3 Kombet do të ecin në dritën tënde dhe mbretërit në shkëlqimin e daljes sate.

4 Ngrej sytë e tu rreth e qark dhe shiko; mblidhen të gjithë dhe vijnë te ti; bijtë e tu do të vijnë nga larg dhe bijat e tua do t’i sjellin në krahë.

5 Atëherë do të shikosh dhe do të jesh i kënaqur, zemra jote do të rrahë fort dhe do të hapet sepse bollëku i detit do të vijë te ti, pasuria e kombeve do të vije tek ti.

6 Një mori devesh do të të mbulojë, dromedarë të Madianit dhe të Efahut, ato të Shebas do të vijnë të gjitha, duke sjellë ar dhe temjan dhe do të shpallin lëvdimet e Zotit.

7 Të tëra kopetë e Kedarit do të mblidhen pranë teje, deshtë e Nebajothit do të jenë në shërbimin tënd, do të ngjiten mbi altarin tim si një ofertë e pëlqyer, dhe unë do ta bëj të lavdishëm tempullin e lavdisë sime.

8 Kush janë këta që fluturojnë si një re dhe si pëllumba në drejtim të foleve të tyre?

9 Po, ishujt do të kenë shpresa tek unë, me anijet e Tarshishit në radhë të parë, për të sjellë nga larg bijtë e tu me argjendin e tyre dhe arin e tyre, për emrin e Zotit, Perëndisë tënd, dhe të Shenjtit

10 Bijtë e të huajit do të rindërtojnë muret e tua dhe mbretërit e tyre do të vihen në shërbimin tënd, sepse në zemërimin tim të godita, por në dashamirësinë time kisha dhembshuri për ty.

11 Portat e tua do të jenë gjithnjë të hapura, nuk do të mbyllen as ditën as natën, që të mund të futin te ti pasurinë e kombeve me mbretërit e tyre në krye.

12 Sepse kombi dhe mbretëria që nuk do të të shërbejnë do të zhduken, dhe ato kombe do të shkatërrohen plotësisht.

13 Lavdia e Libanit do të vijë te ti, bashkë me selvinë, larshin dhe bredhin, për të zbukuruar vendin e shenjtërores sime, dhe unë do të bëj të lavdishëm vendin ku shkelin këmbët e mia.

14 Edhe bijtë e shtypësve të tu do të vijnë duke u përkulur para teje, dhe të gjithë ata që të kanë përçmuar do të bien përmbys në këmbët e tua dhe do të thërrasin: “qyteti i Zotit”, “Sioni i të Shenjtit të Izraelit”.

15 Në vend që ty të të braktisin dhe të të urrejnë, aq sa askush nuk kalonte më nga ti, unë do të të bëj një shkëlqim të përjetshëm, gëzimin e shumë brezave.

16 Ti do të thithësh qumështin e kombeve, do të thithësh gjitë e mbretërve dhe do të pranosh që unë, Zoti, jam Shpëtimtari yt dhe Çliruesi yt, i Fuqishmi i Jakobit.

17 Në vend të bronzit do të sjell ar, në vend të hekurit do të sjell argjend, në vend të drurit bronz, në vend të gurëve hekur; do të vendos si gjukatësin tënd paqen dhe si kujdestarin tënd drejtësinë.

18 Nuk do të dëgjohet të flitet më për dhunë në vendin tënd, as për shkatërrime dhe rrënoja brenda kufijve të tu; por do t’i quash muret e tua “Shpëtim” dhe portat e tua “Lavdërim”.

19 Dielli nuk do të jetë më drita jote gjatë ditës, as hëna nuk do të të ndriçojë më me vezullimin e saj; por Zoti do të jetë drita jote e përjetshme dhe Perëndia yt lavdia jote.

20 Dielli yt nuk do të perëndojë më dhe hëna jote nuk do të tërhiqet më, sepse Zoti do të jetë drita jote e përjetshme dhe ditët e tua të zisë do të marrin fund.

21 Tërë ata të popullit tënd do të jenë të drejtë; ata do të zotërojnë vendin përjetë, farën që unë mbolla, veprën e duarve të mia, për të shfaqur lavdinë time.

22 Më i vogli do të bëhet një mijëshe, minimumi një komb i fuqishëm. Unë, Zoti, do t’i shpejtoj gjërat në kohën e tyre.

Isaia – Kapitulli 61

1 Fryma e Zotit, Zoti është mbi mua, sepse Zoti më ka vajosur për t’u dhënë një lajm të mirë të përulurve; më ka dërguar të lidh plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer, të shpall çlirimin e atyre

2 të shpall vitin e hirit të Zotit dhe ditën e hakmarrjes të Perëndisë tonë, për të ngushëlluar tërë ata që pikëllohen,

3 për t’u dhënë gëzim atyre që pikëllohen në Sion, për t’u dhënë atyre një diademë në vend të hirit, vajin e gëzimit në vend të zisë, mantelin e lavdërimit në vend të një fryme të ligështuar, me qëllim që të quhen lisa të drejtësisë mbjellja e Zotit, për të paraqitur lavdinë e tij.

4 Ata do të rindërtojnë rrënojat e vjetra, do të rimëkëmbin vendet që janë shkretuar në të kaluarën, do të restaurojnë qytetet e shkretuara dhe të shkatërruara prej shumë brezash.

5 Të huajtë do të vijnë të kullosin kopetë tuaja, bijtë e të huajit do të jenë bujq tuaj dhe vreshtarë tuaj.

6 Por ju do të quheni “priftërinj të Zotit” dhe do të quheni “ministra të Perëndisë tonë”. Ju do të gëzoni pasuritë e kombeve, dhe lavdia e tyre do të kalojë te ju.

7 Në vend të turpit tuaj do të keni një nderim të dyfishtë; në vend të hutimit do të ngazëllojnë në trashëgiminë e tyre. Prandaj në vendin e tyre do të zotërojnë dyfishin dhe do të kenë një ngazëllim të përjetshëm.

8 Sepse unë, Zoti, e dua drejtësinë, urrej vjedhjennë olokaust: unë do t’u jap atyre me besnikmëri shpërblimin dhe do të bëj me ta një besëlidhje të përjetshme.

9 Pasardhësit e tyre do të jenë të njohur ndër kombet dhe brezi i tyre ndër popuj; tërë ata që do t’i shohin do t’i njohin, sepse ata janë një fis i bekuar nga Zoti.

10 Unë do të gëzohem shumë tek Zoti, shpirti im do të kremtojë Perëndinë tim, sepse më ka veshur me rrobat e shpëtimit, më ka mbuluar me mantelin e drejtësisë, ashtu si një dhëndër që vë një diademë, si një nuse që zbukurohet me xhevahiret e saj.

11 Prandaj, ashtu si toka bën që të rritet bimësia e saj dhe kopshti bën që të mbijë atë që është mbjellë, po kështu Zoti, Zoti, do të bëjë që të mbijë drejtësia dhe lëvdimi përpara tërë kombeve.

Isaia – Kapitulli 62

1 Për hir të Sionit unë nuk do të hesht dhe për hir të Jeruzalemit nuk do të gjej prehje deri sa drejtësia e saj të mos dalë si agimi dhe shpëtimi i saj si një pishtar flakërues.

2 Atëherë kombet do të shohin drejtësinë tënde dhe tërë mbretërit lavdinë tënde; do të thirresh me një emër të ri, që do ta tregojë goja e Zotit.

3 Do të jesh një kurorë e shkëlqyer në dorën e Zotit, një diademë mbretërore në dorë të Perëndisë tënd.

4 Nuk do të quhesh më “E braktisur”, as toka jote nuk do të quhet më “E shkretë”, por do të të quajnë “Kënaqësia ime është tek ajo” dhe toka jote “E Martuar”, sepse Zoti gjen kënaqësi te ti, dhe toka jote do të ketë një dhëndër.

5 Prandaj, ashtu si një i ri martohet me një të virgjër, bijtë e tu do të martohen me ty; dhe ashtu si i martuari gëzohet me nusen, kështu Perëndia do të gëzohet për ty.

6 Mbi muret e tua, o Jeruzalem, kam vënë roje që nuk do të heshtin kurrë, as ditën as natën. Ju që i kujtoni Zotit premtimet e tij, mos rrini në heshtje,

7 dhe mos e lini të pushojë, deri sa ta ketë rivendosur Jeruzalemin dhe ta bëjë atë lëvdimin e të gjithë tokës.

8 Zoti është betuar për krahun e tij të djathtë dhe për krahun e tij të fuqishëm: “Nuk do t’u jap më grurin tënd si ushqim armiqve të tu dhe bijtë e të huajit nuk do të pinë më mushtin tënd për të cilin je munduar.

9 Por ata që do ta kenë mbledhur grurin do të hanë dhe do të lëvdojnë Zotin, dhe ata që do të kenë vjelur, do të pinë mushtin në oborret e shenjtërores sime”.

10 Kaloni, kaloni nëpër porta! Përgatitni rrugën për popullin! Shtroni, shtroni udhën, hiqni gurët, ngrini një flamur para popujve!

11 Ja, Zoti shpalli deri në skajin e tokës: “I thoni bijës së Sionit: Ja, shpëtimi yt po vjen; ja, ka me vete shpërblimin e saj dhe shpërblimi i saj e pararend.

12 Do t’i quajnë “Populli i shenjtë”, “Të çliruarit e Zotit”, dhe ti do të quhesh “E kërkuara”, “Qyteti i pabraktisur””.

Isaia – Kapitulli 63

1 Kush është ai që vjen nga Edomi, nga Botsrahu, me rrobat e ngjyrosura me bojë të kuqe flakë? Ky, i veshur shkëlqyeshëm, që ecën në madhështinë e forcës së tij? “Jam unë që flas me drejtësi dhe jam i fuqishëm për të shpëtuar”.

2 Pse veshja jote është e kuqe dhe rrobat e tua si ata që shtrydhin rrushin në gaviç?

3 “Gaviçin e shtypa vetëm dhe asnjë nga popujt nuk ishte me mua. I shtypa në zemërimin tim dhe i shkela në tërbimin tim. Gjaku i tyre spërkati rrobat e mia dhe njollosa tërë veshjet e mia.

4 Sepse dita e hakmarrjes ishte në zemrën time dhe viti i çlirimit tim ka ardhur.

5 Shikova, por nuk kishte asnjeri që të më ndihmonte; shtanga që askush nuk po më ndihmonte. Atëherë vetë krahu im më ka shpëtuar dhe tërbimi im më ka ndihmuar.

6 I shkela me këmbë popujt në zemërimin tim, i deha në tërbimin tim dhe bëra që të derdhet gjaku i tyre mbi tokë”.

7 Unë do të kujtoj mirësitë e Zotit, lavdimet e Zotit për gjithçka që na ka dhënë si dhe mirësinë e madhe që i ka siguruar shtëpisë së Izraelit sipas dhembshurive të tij dhe sipas dashamirësisë së tij të madhe.

8 Ai në fakt kishte thënë: “Ata me të vërtetë janë populli im, bij që nuk do të veprojnë në mënyrë të rreme”. Kështu ai u bë Shpëtimtari i tyre.

9 Në çdo hidhërim të tyre ai u hidhërua, dhe Engjëlli i pranisë së tij i shpëtoi; me dashurinë dhe dhembshurinë e tij i çliroi, i lartoi dhe u solli tërë ditët e së kaluarës.

10 Por ata u rebeluan dhe e trishtuan Frymën e tij të shenjtë; prandaj ai u bë armiku i tyre dhe luftoi kundër tyre.

11 Atëherë populli i tij kujtoi ditët e lashta të Moisiut. Ku është ai që i nxori nga deti me bariun e kopesë së tij? Ku është ai që vinte në mes tyre Frymën e tij të shenjtë,

12 që i drejtonte nëpërmjet të djathtës së Moisiut me krahun e tij të lavdishëm, që i ndau ujërat para tyre për të bërë një emër të përjetshëm,

13 që i çoi nëpër humnera, si një kalë në shkretëtirë, që të mos pengoheshin?

14 Ashtu si zbret bagëtia në luginë, Fryma e Zotit i bëri të pushojnë. Kështu ti e udhëhoqe popullin tënd për të bërë një emër të lavdishëm.

15 Shiko nga qielli dhe shiko nga banesa jote e shenjtë dhe e lavdishme. Ku është zelli yt dhe fuqia jote? Drithërima e të përbrendëshmeve të tua dhe dhembshuritë e tua të thella ndaj meje mos vallë janë shtypur?

16 Sepse ti je ati ynë, megjithëse Abrahami nuk na njihte dhe Izraeli nuk e di se ekzistojmë. Ti, o Zot, je ati ynë, Çliruesi ynë, emri yt vazhdon ngaherë.

17 O Zot, pse na bën që të endemi larg rrugëve të tua dhe pse fortëson zemrën tonë që të mos ketë frikë nga ti? Për hir të shërbëtorëve të tu, kthehu në fiset e trashëgimisë sate.

18 Brenda një kohe të shkurtër populli yt i shenjtë ka shtënë në dorë vendin; armiqtë tanë kanë shkelur shenjtëroren tënde.

19 Ne u bëmë si ata mbi të cilët nuk ke qeverisur kurrë, mbi të cilët emri yt nuk ishte thirrur kurrë.

Isaia – Kapitulli 64

1 Oh, sikur t’i shqyeje qiejtë dhe të zbrisje! Para teje do të tundeshin malet.

2 Ashtu si zjarri djeg degët e thata, ashtu si zjarri e bën ujin të valojë, zbrit për t’ua bërë të njohur emrin tënd kundërshtarëve të tu dhe t’i bësh kombet të dridhen para teje.

3 Kur bëre gjëra të tmerrshme që nuk i prisnim, ti zbrite dhe malet u tundën në praninë tënde.

4 Nga kohët e lashta askush nuk kishte dëgjuar kurrë, asnjë vesh nuk kishte dëgjuar dhe asnjë sy nuk kishte parë ndonjë Perëndi tjetër veç teje, që vepron për atë që ka shpresë tek ai.

5 Ti i del para atij që kënaqet në zbatimin e drejtësisë dhe kujtohet për ty në rrugët e tua. Ja, ti je zemëruar sepse ne kemi mëkatuar; në këtë kemi vazhduar gjatë dhe kemi nevojë të shpëtohemi.

6 Jemi të gjithë si një gjë e papastër, dhe të gjitha veprat tona të drejtësisë janë si një rrobe e ndotur; po fishkemi të gjithë si një gjethe dhe paudhësitë tona na çojnë larg si era.

7 Nuk ka më njeri që të thërrasë emrin tënd, që lëviz për t’u kapur pas teje, sepse ti na e ke fshehur fytyrën tënde dhe na lë të tretemi në pushtetin e paudhësive tona.

8 Megjithatë, o Zot, ti je ati ynë; ne jemi argjila dhe ti je ai që na formon; ne të gjithë jemi vepra e duarve të tua.

9 Mos u zemëro tepër, o Zot, dhe mos e kujto paudhësinë përjetë. Ja, shiko, të lutemi; ne të gjithë jemi populli yt.

10 Qytetet e tua të shenjta janë bërë një shkretëtirë. Sioni është bërë një shkretëtirë, Jeruzalemi një shkretim.

11 I shenjti dhe i madherishmi tempulli ynë, ku etërit tanë të kremtuan, është bërë pre e zjarrit dhe të gjitha gjërat tona më të dashura janë shkatërruar.

12 Para këtyre gjërave do ta përmbash veten akoma, o Zot, do të heshtësh dhe do të na pikëllosh akoma shumë?

Isaia – Kapitulli 65

1 Më kanë kërkuar ata që nuk pyesnin për mua, më gjetën ata që nuk më kërkonin. Dhe thashë: “Ja ku jam, ja ku jam” një kombi që nuk thërriste emrin tim.

2 I shtriva tërë ditën duart e mia në drejtim të një populli rebel, që ecën nëpër një rrugë jo të mirë, duke ndjekur mendimet e tij;

3 një popull që vazhdimisht provokon zemërimin tim me pafytyrësi, që ofron flijime në kopshte dhe djeg temjan mbi altarë prej tullash,

4 që rri midis varreve dhe kalon netët në vende sekrete, që ha mish derri dhe ka në enët e tij supa gjërash të neveritshme,

5 që thotë: “Rri për llogari tënde, mos u afro, sepse jam më i shenjtë se ti”. Këto gjëra janë për mua një tym në hundë, një zjarr që digjet tërë ditën.

6 “Ja, e tërë kjo është shkruar para meje; unë nuk do të hesht, por do të shpaguaj, po, do të shpaguaj në gji të tyre

7 paudhësitë tuaja dhe paudhësitë e etërve tuaj të gjitha së bashku”, thotë Zoti. “Ata kanë djegur temjan mbi male dhe më kanë fyer mbi kodra; prandaj shpërblimin e sjelljes së tyre të kaluar do ta llogaris në gji të tyre”.

8 Kështu thotë Zoti: “Ashtu si thuhet kur gjendet lëng në vilën e rrushit: “Mos e prishni, sepse në të ka një bekim”, kështu do të bëj unë për hir të shërbëtorëve të mi dhe nuk do të shkatërroj çdo gjë.

9 Unë do të nxjerr nga Jakobi pasardhës dhe nga Juda një trashëgimtar të maleve të mia; të zgjedhurit e mi do të zotërojnë vendin dhe shërbëtorët e mi do të banojnë aty.

10 Sharoni do të bëhet një vathë kopesh dhe lugina e Akorit një vend për çlodhjen e bagëtisë së trashë, për popullin tim që do të më kërkojë.

11 Por ju që braktisni Zotin, që harroni malin tim të shenjtë, që përgatitni një sofër për Gadin dhe mbushni kupën e verës së droguar për Menin,

12 ju caktoj shpatës; do të rrëzoheni të gjithë nga masakra, sepse kur ju thirra nuk dhatë përgjigje, kur ju fola nuk dëgjuat, por keni bërë atë që është e keqe në sytë e mi dhe keni zgjedhur atë që nuk më pëlqen”.

13 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: “Ja, shërbëtorët e mi do të hanë, por ju do të keni uri; ja, shërbëtorët e mi do të pinë, por ju do të keni etje; ja, shërbëtorët e mi do të gëzohen, por ju do të jeni të shushatur;

14 ja, shërbëtorët e mi do të këndojnë për gëzimin e zemrës së tyre, por ju do të bërtisni për ankthin e zemrës dhe do të ulërini për vuajtjen e frymës.

15 Ju do ta lini emrin tuaj si mallkim të zgjedhurve të mi. Zoti, Zoti, do të bëjë që ti të vdesësh, por do t’u japë shërbëtorëve të tij një emër tjetër.

16 Kështu që ai që do të kërkojë për vete një bekim në vend, do ta bëjë për Perëndinë e së vërtetës, dhe ai që do të betohet në vend do të betohet për Perëndinë e së vërtetës, sepse fatkeqësitë e kaluara do të harrohen dhe do t’u fshihen syve të mi”.

17 “Sepse ja, unë krijoj qiej të rinj dhe një tokë të re, dhe gjërat e mëparshme nuk do të kujtohen më dhe nuk do të vijnë më në mëndje.

18 Por ju gëzohuni dhe ngazëllohuni përjetë për atë që krijoj; sepse, ja, unë krijoj Jeruzalemin për kënaqësinë dhe popullin e tij për gëzimin.

19 Do të kënaqem me Jeruzalemin dhe do të gëzohem me popullin tim; në të nuk do të dëgjohet më asnjë zë vaji ose zë klithme.

20 Nuk do të ketë më në të asnjë fëmijë që të jetojë vetëm pak ditë, as plak që nuk plotëson ditët e tij; sepse i riu do të vdesë njëqind vjeç dhe mëkatari që nuk arrin të njëqind vjetët, do të quhet i mallkuar.

21 Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin.

22 Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër, nuk do të mbjellin më që të hajë një tjetër; sepse ditët e popullit tim do të jenë si ditët e drurëve; dhe të zgjedhurit e mi do të gëzojnë për një kohë të gjatë veprën e duarve të tyre.

23 Nuk do të lodhen më kot dhe nuk do të lindin fëmijë për të përballuar një shkatërrim të papritur, sepse do të jenë pasardhësit e të bekuarve të Zotit dhe trashëgimarët e tyre bashkë me ata.

24 Dhe do të ndodhë që, para se të më kërkojnë, unë do të përgjigjem; do të jenë akoma duke folur, dhe unë do t’ua plotësoj.

25 Ujku dhe qengji do të kullosin bashkë, luani do të hajë kashtën porsi kau dhe gjarpëri do të ushqehet me pluhur. Nuk do të bëjnë më asnjë dëm apo shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë”, thotë Zoti.

Isaia – Kapitulli 66

1 Kështu thotë Zoti: “Qielli është froni im dhe toka është mbështetësja e këmbëve të mia. Ku është, pra, shtëpia që mund të më ndërtoni dhe ku është vendi i çlodhjes sime?

2 Tërë këto gjëra i ka bërë dora ime dhe të gjitha kanë ardhur në ekzistencë, thotë Zoti. Mbi kë, pra, do të kthej shikimin tim? Mbi atë që është i përulur, ka frymë të penduar dhe dridhet nga fjala ime.

3 Kush flijon një ka është si të vriste një njeri, kush flijon një qengj është si t’i thyente qafën një qeni, kush paraqet një blatim ushqimor është si të ofronte gjak derri, kush djeg temjan është si të bekonte një idhull. Ashtu si këta kanë zgjedhur rrugët e tyre dhe shpirti i tyre kënaqet në veprimet e tyre të neveritshme,

4 kështu edhe unë do të zgjedh fatkeqësinë e tyre dhe do të bëj që të bjerë mbi ta ajo të cilën ata druajnë; sepse, kur thirra, askush nuk u përgjigj, kur fola, ata nuk më dëgjuan; përkundrazi bënë atë që është e keqe në sytë e mi dhe parapëlqyen atë që nuk më pëlqen mua.

5 Dëgjoni fjalën e Zotit, ju që dridheni nga fjala e tij. Vëllezërit tuaj, që ju urrejnë dhe ju dëbojnë për shkak të emrit tim, kanë thënë: “Le të tregojë Zoti lavdinë e tij me qëllim që ne të mund

6 Një zë, një zhurmë del nga qyteti, një zë vjen nga tempulli; është zëri i Zotit që u jep hakun armiqve të tij.

7 Para se të provojë dhembjet e pjelljes, ajo ka pjellë; para se t’i vinin dhembjet, ajo lindi një mashkull.

8 Kush vallë ka dëgjuar një gjë të tillë, kush vallë ka parë gjëra si këto? A lind vallë një vend brenda një dite të vetme apo një komb vjen vallë në dritë brenda një çasti? Por Sioni, me të ndjerë dhembjet, lindi fëmijët e saj.

9 “Do të çoj vallë në çastin e lindjes pa e bërë të pjellë?”, thotë Zoti. “Unë që bëj të lindin a do ta mbyllja vallë barkun e nënës?”, thotë Perëndia yt.

10 Gëzohuni me Jeruzalemin dhe ngazëlloni me të, ju të gjithë që e doni. Gëzohuni me të madhe me të, ju të gjithë që mbani zi për të,

11 me qëllim që të pini qumësht dhe të ngopeni në gjirin e përdëllimeve të tij, me qëllim që të pini me bollëk dhe të kënaqeni me mbushullimin e lavdisë së tij.

12 Sepse kështu thotë Zoti: “Ja, unë do të bëj që paqja t’i arrijë si një lumë dhe pasuria e kombeve si një përrua që vërshon, dhe ju do të pini qumësht, do t’ju mbajnë në ijët e tij dhe do t’ju përkëdhelin mbi gjunjët e tij.

13 Ashtu si një nënë e gëzon fëmijën e saj, kështu unë do t’ju gëzoj dhe do të ngushëlloheni në Jeruzalem.

14 Ju do ta shihni këtë, dhe zemra juaj do të gëzohet, kockat tuaja do të marrin përsëri fuqi si bari i njomë. Dora e Zotit do t’u bëhet e njohur shërbëtorëve të tij dhe do të zemërohet me të madhe kundër armiqve të tij.

15 Sepse ja, Zoti do të vijë me zjarrin dhe qerret e tij do të jenë si një uragan për të hedhur zemërimin e tij me tërbim dhe kërcënimin e tij me flakë zjarri.

16 Sepse Zoti do të ushtrojë drejtësinë me zjarrin dhe shpatën e tij kundër çdo mishi; dhe të vrarët nga Zoti do të jenë të shumtë.

17 “Ata që shenjtërohen dhe pastrohen për të vajtur në kopshtet, prapa një idhulli që gjendet në mes, ata që hanë mish derri, gjëra të neveritshme dhe minj, do të konsumohen të gjithë”, thotë Zoti.

18 Unë i njoh veprat e tyre dhe mendimet e tyre; është duke ardhur koha në të cilën do të mbledh tërë kombet dhe tërë gjuhët; ato do të vijnë dhe do të shikojnë lavdinë time.

19 Unë do të vë në një shenjë në mes tyre dhe do të dërgoj disa nga ata që mbijetuan prej tyre te kombet; në Tarshish, në Pul dhe në Lud që përdorin harkun, në Tubal dhe në Javan, në ishujt e largët që nuk kanë dëgjuar famën time dhe nuk kanë parë lavdinë time; këta do të shpallin lavdinë time ndër kombet,

20 dhe do t’i kthejnë tërë vëllezërit tuaj nga të gjitha kombet si një ofertë Zotit, mbi kuaj, mbi qerre, mbi bartina, mbi mushkë dhe mbi dromidarë te mali im i shenjtë i Jeruzalemit”, thotë Zoti, “ashtu si bijtë e Izraelit çojnë një ofertë në një enë të pastër në shtëpinë e Zotit.

21 Do të marrë gjithashtu disa prej tyre si priftërinj dhe si Levitë”, tha Zoti.

22 “Sepse ashtu si qiejtë e rinj dhe toka e re që unë do të bëj do të jenë të qëndrueshëm para meje”, thotë Zoti, “kështu do të jenë pasardhësit tuaj dhe emri juaj.

23 Dhe do të ndodhë që nga një hënë e re në tjetrën dhe nga një e shtunë në tjetrën çdo mish do të vijë të bjerë në gjunë para meje, thotë Zoti.

24 “Kur ata do të dalin, do të shikojnë kufomat e njerëzve që rebeluan kundër meje; sepse krimbi i tyre nuk do të vdesë dhe zjarri i tyre nuk do të shuhet, dhe do të neveriten nga çdo mish”.