Midis shqiptarësisë dhe grekësisë

Historia e ortodoksisë shqiptare, e tejzbukuruar nga mendimtaria jonë dhe e shëmtuar nga ajo greke, vijon në brishtësi sepse në botën ballkanase e tillë është gjithçka që përfton integritet. Nëse shquajmë se sa e vështirë është sot të mëtohet integritet në jetën shqiptare – ndoshta më e vështira e të gjithave – para një qindvjeçari, kur nuk ekzistonin as doktrinat e sotme nxitëse e drejtpeshuese, palët përfshirëse iu dhanë intuitës. Si rrjedhojë, beteja për kombëtarizimin e shqipfolësve ortodoksë vijoi herë në dritë e herë në terr, herë në frymë e herë në gjak, derisa shqiptaria u bë më në fund tipar i shqipfolësve ortodoksë, sidomos i atyre nga Shqipëria, por jo i të gjithëve.

Për herë të parë në histori shqipfolësit ortodoksë u quajtën shpenguar si shqiptarë, për të mos thënë se më të shumtët prej tyre për herë të parë ndiheshin si të tillë. Pavarësisht nga përrallat kombëtariste të këtij brezi, pengesa më e madhe për ndërgjegjësim nuk vinte nga grekët apo nga turqit, sesa nga vetë mendja e manipuluar e shqiptarëve, prandaj dhe Noli u shtrëngua të thotë për ortodoksët: “I bëmë shqiptarë me pahir”. Ka shumë hir ky pohim i madh i Nolit, sepse nyjëtohet nga dikush që vetëm kur u pa me shqiptarët u ndje i atillë, dhe vetëm kur u ndesh për ortodoksët u fejua me historinë. Sepse reforma ortodokse – autoqefalia – ishte një ëndërr për integritet në botën ballkanase.

Rrethanat gjeopolitike, sidomos vetëveçimi ndërgjegjësor i Shqipërisë mbas viteve 1960, krijuan kushte ideale për të rrëfyer dikush për vetveten, përderisa në lëmin e bindjeve, brenda kulturës dhe nënkulturave vetëngujuese, kishte folës por jo debatues. Mbas ndryshimeve të viteve 90, zona shqiptaro-greke befasoi duke ringjallur luftën kulturore mbi vetëdijen kombëtare. Për ta bërë këtë luftë të besueshme, u mohuan përpjestimet në dukje mbretëruese në botën shqiptare, u përqeshën vetëkënaqjet tona grupore, u shpërnjohën dritat shqipe, duke përsjellë në vend të tyre idenë e moçme përndriçuese të jugës. Njëkohësisht, u sendërgjuan fët e fët mjediset që mund të pillnin rreziqe për këtë luftë të re të pagjakshme; tej e ndanë shpirtërore. Sendet e tjera u lanë siç ishin, duke pulsuar gjestet dhe britmat e vetmuara të skajorëve, grekë e shqiptarë, për të pështjelluar kështu mendtë e të shumtëve.

Në një kulturë ku feja dhe fetarët ishin njësuar me të keqen, mbas vitit 1990, pati një tërheqje të skajshme në gjykimin shekullar shqiptar, ndoshta për të qenë dashamirës në vetvete, ose ndoshta për të besuar çdo gjë që urrehej më parë, për të sfiduar vetveten. Me këtë naivitet të ushqyer për breza me radhë nga diktatura, i cili naivitet është tashmë gjymtyrë e trashëgimisë sonë kulturore, Greqia abuzoi më shumë se të gjithë, duke shtuar te kriza e përgjithshme identitare në shoqërinë e sotme shqiptare. Shqiptarët ortodoksë janë kaq të çoroditur e të pambrojtur nga shteti dhe kultura e tyre kombëtare, saqë loja shqiptaro-greke vazhdon të kryhet në të bardhë: Tabula rasa.

Nëse kthehemi 15 vjet mbrapa, në fillim të vitit 1991, do të kujtojmë se policia greke kërkonte brenda turmave të refugjatëve shqiptarë, atje ku përkisja dhe vetë, ndonjë greqishtfolës, i cili të përkthente të dhënat themeltare të të sapoardhurve. Në shumicën e rasteve, atëherë nuk ishte e mundur të gjeje greqisht ndër refugjatë, ndërsa sot më shumë se gjysma e shqiptarëve të Shqipërisë, le të themi, nuk ka nevojë për përkthyes. Një numër i madh shqiptarësh, duke përfshirë dhe gjysmën e ortodoksëve si tërësi, jetojnë tashmë në Greqi, duke dhënë e marrë më shumë në greqishte dhe pak e më pak në shqipe. Ndërsa në mesvitet 80 ne përpiqeshim fshehtas të mësonim pak greqisht, sot vetë KOASH-i ka nisur një program për përhapjen e gjuhës greke në Shqipëri, dëftesa e të cilit është e barasnjohur me atë të Universitetit të Selanikut, andej dhe nga afiliohet programi në fjalë, pa përmendur pastaj institucionet dhe organizmat e tjerë zyrtarë e parazyrtarë që lërojnë kryq e tërthor Shqipërinë.

Si rrjedhojë e këtij parashtrimi gjer këtu, mjaft bashkëkohës jetojnë sot midis shqiptarësisë dhe grekësisë, pa i folur këto me izma. Sidoqoftë, këta shqiptarë ndodhen shpesh në një pozitë “para zgrip, e mbrapa rrymë”, që të huazojmë nga e folmja greke. Duke shquar nga jashtë, harron e pyet: Nga do t’ia mbajnë shqiptarët? Ndoshta të tjerë shqiptarë do t’i shtohen në të ardhmen kësaj pozite të brishtë, në një kohë kur të tjerë janë mërguar, për të shpëtuar pikërisht nga të qenit midis dy mendësive të përkundërta, a për të shpirtëruar këtë pozitë të ndërmjetme, në pamundësi për ta shkërthizuar atë.

Problemi shqiptaro-grek po vendvendoset sot si mëtues kryeneç për të ardhmen e çështjes shqiptare. Të tjerë janë më guximtarë e prandaj thonë dhe më shumë. Sidoqoftë, pjesa dërrmuese e mendimtarisë së sotme shqiptare nuk merret me lëmin shqiptaro-grek, prandaj dhe ky lërohet pothuaj krejt nga amatorët dhe skajorët. Pjesa që mbetet iu përket interesaxhinjve. Është kaq e imponuar kjo, saqë është krijuar përshtypja se ata që mungojnë janë të çuditshmit. Jo vetëm kaq, por në zonën shqiptaro-greke rrallë shfaqen sot përshkrime të shpenguara prej pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë. Madje sugjerohet publikisht që të dhuntishmit ta përdorin gjetkë talentin. Përse vallë?

Përderisa çështja greke pranohet nga shumica e politikanëve se është kaq vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë, dhe përderisa komuniteti ortodoks vazhdon i mbërthyer peng midis shqiptarësisë dhe grekësisë, ashtu si para një qindvjeçari, cila është arsyeja që na kërkojnë të heshtim?

Dy skajet e Sarandës

Gjatë dy vjetëve të fundit, 2003-2005, u përpoqa të paraqes në shtypin shqiptar dhe në Internet çështjet më djegëse të ortodoksisë shqiptare, duke u nisur nga gjuha e simbolet, për të dalë tek diaspora dhe manipulimi i mendjes, tek mashtrimi i shqiptarit, i cili ky i ka të gjitha përgjigjet për krizën e ortodoksisë shqiptare në Shqipëri dhe në Amerikë. Si çdo gjë e re që shfaqet në botën shqiptare pa bekimin e pleqërisë, edhe shkrimet e mia shkaktuan reagime histerike grupe-grupe, fillimisht nga klane myslimane, në verën e 2003-it, menjëherë mbas shfaqjes sime në shtypin e Tiranës, dhe më vonë nga mëditësit e misionit grek në Shqipëri. Të dy skajet, pavarësisht nga këndvështrimet e përkundërta ideologjike, rrokën çastin për aleanca, duke përdorur të njëjtën gjuhë përbaltëse, mjerisht të vetëpërshkruar brenda modeleve të traditës vendore: Mobilizimi i të leshtëve në fletërrufe bukurshkrimi, firma elegante shkrimtarësh e artistësh myslimanë nën shpifje të ulëta, agresivitet i lartë ish-komunistësh e ushtarakësh për kanalizim pasionesh gjysmë të pranuara, e të tjera sëmundje.

Në vend të heshtjes që na urdhëruan myslimanët dhe grekët, unë, në të kundërt, vazhdova të shkruaj e të botoj për dy vjet, duke u përkujdesur nga njëra anë të mos pështjelloj edhe më skajshëm ekstremin shqiptar, dhe nga ana tjetër të jem sa më i kthjellët në komunikimin shpirtëror me botën intelektuale; mbi përmasat kulturore të komunitetit ortodoks dhe jo vetëm. Nevoja e Internetit për këtë komunitet lindi e u bë shumë kërkuese, aq sa faqja jonë funksionon sot si “tempull kulturor” për shqiptarët. Në një kohë kur debati ortodoks ishte në duar myslimane e greke, përdëllyer përkatësisht, ishte e domosdoshme të dëgjohej fjala e shqiptarëve ortodoksë, të cilët nuk munden të kumtojnë sot. Pavarësisht se shumica e komunitetit ortodoks e ka pranuar të sotmen, kjo nuk do të thotë se të gjithë janë të lumtur nga regjimi i shumëfishtë ortodoks i Tiranës. Në fakt, më të shumtët presin një shenjë e një ndryshim, prandaj dhe është këtu ku ata tkurren dhe ndalin qëndresën, duke mbyllur veshët e zemrën nga kushtrimet e ekstremit shqiptar, për të kundërshtuar ndërhyrjet, për t’u mbrojtur, pra, në dhimbje e në ankth për të panjohurën.

Shqiptarët ortodoksë përballen sot me një regjim kishtar që praktikisht ka të njëjtën fuqi që kishte juridiksioni i “miletit rum” në të kaluarën e përbashkët, si shtet brenda shtetit otoman: Perandoria në miniaturë! Le të ndalemi pak për të ndijuar lojën shpërfytyruese midis nënshtruesve dhe të nënshtruarve, midis ngurtësimit të pozitës, nga njëra anë, dhe të përsjelljes së saj, nga ana tjetër, ku rrethanat bëjnë që rolet të ndërsillen shpesh, që personazhet të çngjyrohen, të shkryqëzohen, të zhvendosen e të befasojnë, sidomos kur shtrëngohen të lëshojnë pe kulturorisht. Është atje ku shfajësohen epshet e ndrydhura, të cilat marrin domethënie në vegimet e komunitetit imagjinar; atje ku personifikohen të gjithë e të gjitha…

Ky pushtet helen hegjemonizon sot në Shqipëri brenda e jashtë komunitetit ortodoks, duke spekulluar me disa doktrina njëherësh, ku shkelja e integritetit të shqiptarëve ortodoksë mbytet nga hijet e shumëfishta të ngrehinave të rëna për ta si prej qielli – kaq mrekullisht, pra – të cilat këto bamirësi përkojnë me të drejtat e kërcënuara të minoritetit grek në Shqipëri. Nga ana tjetër, kryepeshkopi ynë milioner, i cili u bë i tillë vetëm gjatë shërbesës në Shqipëri, u ekspozua vitet e fundit me konfliktin ndëretnik në Sarandë, atje ku shqiptarët ortodoksë kërkojnë një kishë shqip, sepse nuk e gjejnë vetveten në kishën greke të Shën Harallambit; në të vetmen kishë ortodokse në qytet.

Në fakt, shqipfolësit e Sarandës – ata që janë kundër regjimit mbizotërues në qytet – kërcënohen vazhdimisht nga greqishtfolësit, për të mos folur publikisht mbi këtë temë. Po kështu edhe familja e të afërmit e mi në Sarandë dhe në Greqi, edhe pse këta, që të gjithë ortodoksë, nuk pajtohen me përfshirjen time publike në lëmin shqiptaro-grek. Sidoqoftë, minoritarët kanë shumë të drejtë kur iu thonë bashkëqytetarëve të tyre sarandjotë: “Kisha u ndërtua nga grekët dhe për grekët. Është e jona! Nëse e duani meshën shqip, ndërtoni kishën tuaj!” Shumë bukur e thonë! Faji i shqiptarëve ortodoksë të Sarandës, pra, nuk ndodhet në thelbin e indinjatës së drejtë, por në adresimin e zhdrejtë të shkaktarëve.

Në kulmin e këtij konflikti, në vend të zbatimit të traditës ortodokse mbi barazinë e gjuhëve, Fortlumturia e Tij doli nga vetvetja dhe njoftoi investimin për ndërtimin e një xhamie në Kosovë! Jo vetëm që tundoi dhe atje ku s’pritej, por na e mbylli gojën të gjithëve. Nga ana tjetër, edhe ne tundohemi e pyesim: A nuk do të ishte rrëfimtare për diskursin e tolerancës sonë ndërfetare, nëse komuniteti mysliman ia kthente tashmë këtë dhuratë komunitetit ortodoks, duke ndërtuar një kishëz për shqiptarët e qytetit të Sarandës? Le të jetë kjo dhe një dhomë/sallë modeste, qoftë dhe në përmasa disa herë më e vogël sesa tempulli madhështor i komunitetit grek atje. Mund t’i vënë dhe një emër shenjtori nga tradita e lashtë e Kosovës, si shenjë përkujtimi për takimin e imponuar të veriorëve me jugorët, gjatë Luftës më të fundit në trojet shqiptare.

Flasim për ndihmë nga myslimanët, sepse sa për komunitetin ortodoks në SHBA, fisi i Liolinëve sapo e mbylli një kishë shqiptaro-amerikane në shtetin e Nju Jorkut, si të parën në listën e re të mbylljes, për të shitur e për të shtuar rrogat e tyre në kishat shqiptare. Saranda nuk përbën vetëm skajin gjeografik të Shqipërisë, por dhe ekspozimin më të skajshëm të misionit grek në Tiranë dhe të profilit “patriotik” të A. Liolinit, i cili ky i fundit keqinformon rrethet shqiptaro-amerikane, se komuniteti ortodoks i Sarandës nuk kërkoka kishë shqip. Ku e di at A. Liolini se shqiptarët ortodoksë të Sarandës nuk kanë dëshirë të falen shqip?

Mëkati  i integritetit

Duke sjellë në të qenë ditës me diell një opinion të tillë në botën shqiptare, siç u përshkrova gjer këtu, në këtë betejë të pabarabartë me disa fuqi shqiptare e greke, pra, unë humba pozitën priftërore në Kishën Ortodokse. Ruajta, mrekullisht, pacënueshmërinë në jetë dhe integritetin tim në Kanada. Nga ana tjetër, është e pabesueshme se si munda të bie jashtë klerit me dinjitet, në një kohë kur historia ortodokse dëshmon se zhbërja e gjegjësit përshoqërohet, në shumicën e rasteve, me një njollosje të përjetshme, edhe pse dihet nga të gjithë që vuajtësi është i pafajshëm dhe se damka është sajesë. Përderisa në kontaktin me ortodoksinë greke unë e humba pafajësinë, zhgënjimi erdhi si pjesë e debatit që çela e do të thelloj, sesa si pasojë e tij.

Humbja është e pashmangshme, përderisa kundërvihen e bashkërendohen në ndërluftime e aleanca të përkohshme fuqi të errëta greke e myslimane, siç ka ndodhur rëndom në historinë e ortodoksisë greqishtfolëse, por dhe në historinë e ortodoksisë shqiptare. Ka shumë të dhëna për një temë të tillë, por le të kujtojmë këtu vetëm një fakt, se si vetë shqiptarët i kërkuan dikur kishës greke të hiqte qafe Fan Nolin dhe t’iu sillte një peshkop tjetër, qoftë dhe jo shqiptar. Le të përmendim se kë propozuan fillimisht shqiptarët për të zëvendësuar Nolin: Vetë peshkop Kotokon, i cili ishte larguar nga Shqipëria në një ditë me ushtrinë greke! Ato vite, kur e kërkonin shqiptarët kryebari në SHBA, hierarku i dënuar me vdekje nga regjimi i pasluftës, i gjithmonëkujtuari Pandelejmon i Gjirokastrës, merrej me publikimin e çështjes së Vorio Epirit në Perëndim. Ishte kaq a paskrupullt kjo kërkesë e shqiptarëve për të zhdukur Fan Nolin “e kuq”, saqë vetë Kotoko gjeti rastin për të shpotitur pafytyrësinë e klaneve nacionaliste shqiptare: “Pandelimon Kotoku iu përgjiq se vjen n’Amerikë po ta ftonjë Noli.”[1]

Mbasi shqiptarët e arritën emërimin e një peshkopi të tillë në vitet 50 (Marko Lipe, shqipfolës, por nën kishën greke), nisën pastaj, nga njëra anë të demonizojnë kishën greke, se ajo qenkësh shkaktare për këtë përçarje, dhe nga ana tjetër u shqyen të na bëjnë kultin e Fanolit, për ta bërë më të lehtë riciklimin e urrejtjes ndaj grekëve. Përderisa Noli ishte kaq i madh, pyesim, përse shqiptarët nuk e nderonin për së gjalli?

Është e nevojshme të rrëmojmë e të sjellim ngjarje nga historia jonë e mitizuar, sidomos kur faktet befasojnë e turpërojnë, për të shpjeguar kështu dhe psetë e rrëshqitjes sonë nga kanoni i mitologjisë shqiptare, endur e qëndisur ky me nocionet e tejshquara të mikpritjes, nderit e besës. Me përqasjen kulturore të vetë Nolit, përmes poezisë së tij politike, mërgimi është i trefishtë: “Lark or lark, lark…”

Gjithsesi, synimi i projektit tonë këto vite nuk kishte trillin të shkaktonte ndryshime përmbysëse në komunitetin ortodoks, sepse diçka e tillë nuk ndodhi sot as në botën shqiptare në përgjithësi, edhe pse ndriçimtarët atje, përkundrazi, nuk janë të paktë. Në qoftë se nuk është kështu, ndërkombëtarët nuk do të mundnin të na impononin Janullatosin në Shqipëri si të përjetshëm, duke na tallur madje përmes dialektikës mbi të përkohshmen. Për pasojë, dhimbja jonë është pjesë e dhimbjes së këtij brezi; për më tutje, dështimi ynë është pjesë e dështimit të këtij brezi; për rrjedhojë, këmbëngulja jonë për sukses është pjesë e ngulmit të këtij brezi bashkëvuajtësish.

Nëse ngrihet pikëpyetja e motivimit, dua të rrëfehem, për ata që duan të besojnë, se shkrimet e mia nuk synojnë as për ndryshime e madje as për opinion. Përse atëherë? Është ëndrra e trishtë e integritetit, e drejta jonë si pakicë e përdorur në botën shqiptare – si nga grekët ashtu dhe nga shqiptarët myslimanë – me gjithë plasaritjet që shkakton kjo në shestinën e mendimit të sotëm shqiptar. Një frymë e tillë, antihipokrite, është e qenshme dhe e mirëpritur vetëm prej atyre që vuajnë të njëjtën dhimbje në jetën shqiptare, secili në plagën e tij: Shkeljen e integritetit. Ky është filli i këtij debati dhe që këtej del gjithë pasioni im për përfshirjen në këtë përqasje kulturologjike: Hulumtim, përsiatje, diskurs.

Vetë mjegulla në interpretimin e integritetit në shqipen publike të pasdiktaturës, përdorimi metalik i këtij termi në të folmen tonë, i imponuar edhe ky nga ndërkombëtarët, tok me Janullatosin, tradhton tundimet grupore në kulturën shqiptare. Në këtë rast droja është gjithëballkanase, siç duket dhe në greqishten e re, ku do të gjejmë një përkthim të qelqtë të këtij termi (ακεραιότητα), një prurje nga fondi helenistik, por gjithsesi një orvatje krejt të bardhë, ndryshe nga tingëllima e çeliktë në shqipe. Vetëm intelektualët e të dy vendeve do të shquanin në këto përdorime ballkanase plotërinë e nocionit kulturor, në një kohë kur integriteti është një nga konceptet më të përditshme në të folmet e Perëndimit. Ja dhe një tjetër pikë përbashkësie midis dy popujve miq…

Skema e diskriminimit të shqiptarëve ortodoksë është vështirë të pranohet nga ata që ndodhen jashtë botës së vetëqerthulluar shqiptare, kur në të njëjtën kohë, si për ogur, klane myslimane i kujtojnë shpesh botës perëndimore se, për shqiptarët, atdhedashuria e racizmi janë motër e vëlla. Kur ky racizëm ndaj minoritarëve dënohet nga shqiptarët ortodoksë, aq më tepër kur ekstremistët myslimanë përdhosin njëkohësisht edhe të shenjtat ortodokse, është mu këtu ku e vetmja mbrojtje për besimtarët ortodoksë mbetet dërgata greke. Mbas kësaj fshihet dhe ringritja e prestigjit të komunitetit ortodoks si bashkësi autoktone në Shqipëri, mohuar e përulur ky prestigj nga vetë bashkëgjakësit, por i zëshëm e i kumtuar sot jashtë Ballkanit, për herë të parë në historinë e ortodoksisë shqiptare; nga Janullatosi.

Shqiptaroidët e Amerikës 

Dy misionet ortodokse shqiptare në Toronto e Montreal u mbyllën me kërkesat këmbëngulëse të kryepeshkopit Anastasios Janullatos, dhe me ndërhyrjet e drejtpërdrejta të peshkopëve shqiptaro-amerikanë Nikon Liolin e Ilia Katre. Ky plan tinëzar nuk mund të sendërtohej pa mjeshtërinë e një prifti mafioz në Boston, i cili është bërë njësh me atë realitet që e aftëson të kyçë djallin në shishe, të sjellë vërdallë primatë e presidentë, sepse, duke zbatuar planet e tyre politike në kurriz të shqiptarëve, me këto shkëmbime, pra, at Artur Liolini siguron vetveten dhe fisin e tij me rroga skandaloze për kishat modeste shqiptare. Absurdi është se si at Arturi, ashtu dhe vëllai i tij peshkop, Nikon Liolini, nuk kanë studiuar as priftëri e as teologji, por u shuguruan klerikë nga një tjetër peshkop vejan – emigrant fare i pashkollë, kasap në profesion – në situata emergjente të kishave shqiptare në vitet 70, gjë që shpjegon se pse kritikat ndaj shërbesës së tyre korruptive merren sot si kërcënime personale. Për të kuptuar këtë situatë të sëmurë, më mirë le të pranojmë pyetjen pa përgjigje: Sa breza iu duhen shqiptarëve ortodoksë për të dalë nga emergjencat?

Ato shuma marramendëse që vjel fisi i Liolinëve nga shqiptarët, veç, dalin nga gjaku i emigrantëve që e duan kishën shqiptare të lulëzojë, por të cilët janë të painformuar mbi politikën kishtare, prandaj dhe të manipuluar përmes kultit të Nolit. Ja se pse lundrojnë kaq lehtë shqiptaroidët…

Po kështu, e madje emocionalisht më të vetëpërshkruar, rrëfehen intelektualët fjalërëndë të shqiptarizmës, të cilët nuk e shohin të plotëruar një vizitë në SHBA, pa u shushatur më parë para hajmalive të Nolit në Boston. Një mahnitje e tillë është ekspozuese, edhe pse praktikisht shërben për t’i shpërqendruar ata nga nepotizmi dhe korrupsioni në peshkopatë, duke i ftuar në heshtje të përdorin aftësinë e të shquarit për të depërtuar në shtresat e përdredhjes së nyjëtimit shqiptaroid, si pjesë e shqiptarizmës, tek djallëzia grupore si virtyt vendor, sesa tek thelbi i sendeve shqiptare; tek gjuha dhe kultura jonë kombëtare. Si mund të ndihen të realizuar këta intelektualë të Realizmit Socialist me relikat e një gjeniu të shkuar, kur shqipja, e cila ekzistonte e shkruar shekuj para Nolit, të zhduket nga kishat shqiptare të Amerikës?

Nëse Noli u përpoq, brenda vetëveçimit kishtar, ta zëvendësojë krejt shqipen me anglishten, cila mendje jo e manipuluar mund të pranojë sot se shqipja dhe shqiptarët meritojnë të flijohen për të shtuar në kultin e Nolit? Përse nuk ndodh e njëjta gjë në kishat e tjera ortodokse – greke, sllave, rumune, arabe, etj. – të cilat ato ruajnë, për të drejtë e për meritë, gjuhën dhe identitetin e tyre të vyer? Apo komunitetet e tjera ortodokse nuk paskan personalitete të kalibrit të Nolit tonë? Çfarë mjerimi!

Si është e mundur që në qytetin më të madh të Amerikës, në Nju Jork, ku po përqendrohen gjithnjë e më shumë shqiptarë të rinj, prifti ortodoks zgjidhet gjithmonë jo vetëm jashtë komunitetit shqiptaro-amerikan, por kundërshtues i shqipes në meshë? Si mund të justifikohet që në Detroit, një qytet me tempuj të organizuar mirë të besimeve të tjera shqiptare, kisha ortodokse të mos përdorë asnjë fjalë shqip, madje as natën e Pashkëve? Është ajo kishë ku shërbeu për shumë vjet si prift Nikon Liolini, deri në ditën që u bë peshkop.

Përse kishat shqiptare nuk hapin kurse në shqipe për fëmijtë, në një kohë kur në disa kisha shqiptaro-amerikane janë hapur kurse për të mbështetur komunitete të tjera etnike? Përse kisha e Shën Pjetrit dhe e Shën Pavlit në Filadelfia nuk hap një kurs shqip, përbri atij që ka nisur në gjeorgjisht? Si ka mundësi që po në Filadelfia, ku ka dy kisha ortodokse shqiptare, ortodoksët ta gjejnë vetveten më shpesh e më lirshëm në kishën protestante shqipfolëse që është hapur atje? Nëse Liolini është kaq patriot, pyesim të leshtët, përse e ndalon gjuhën shqipe në kishat shqiptare? Përse u përkujdes që shumica dërrmuese e klerit të mos dinë shqip? Përse u refuzuan ata intelektualë 40-vjeçarë nga Shqipëria, të cilët kërkuan të bëhen priftërinj në kishat shqiptare, me pretekstin e moshës, në një kohë kur po bëhen priftërinj pensionistë jo shqiptarë të matufjepsur, të cilët plus rrogave të majme në kishat shqiptare, nuk gjejnë dot një zbavitje tjetër në jetën amerikane?

Përse fisi i Liolinëve e pranoi ofertën që peshkopata shqiptare të bashkohet me atë të New England-it, e cila është dhjetë herë më e fuqishme dhe përdor vetëm anglisht e rusisht? Apo ky ishte çmimi për të bërë një peshkop pa studime kishtare e pa njohuri të gjuhës shqipe? Cili tru i shëndoshë mund të besojë se kombëtarizmi dhe folklori kanë fuqi të justifikojnë zhdukjen e gjuhës së një bashkësie etnike, pa të cilën bashkësi ne nuk guxojmë ta përfytyrojmë kombin shqiptar në histori? Është pikërisht kjo pasuri e përbashkët kulturore e spirituale e shqiptarëve, e cila administrohet sot në mënyrë fare private.

Në vijim të këtij pyetësori, i cili nuk ka fund për nga bëmat e shqiptaroidëve, pyesim: Përse shqiptarët ndihen të vetëkënaqur kur i poshtërojnë, kur ua përdhosin tiparet e mirëfillta kombëtare, siç është shqipja? Nëse nuk është kështu, çfarë quhet çnderim për shqiptarët e sotëm?

Situata e sotme në dhjetë kishat që kanë mbetur gjallë në SHBA është kaq e endur, saqë nuk është e lehtë të shqepet me shkrime të tilla, por ku e gjejnë arsyen intelektualët e kulturës sonë nacionalkomuniste të mbështesin një mjedis provincialist, i cili pengon organizimin e emigrantëve të arsimuar sot, një regjim bizantin që abuzon shumëfishtas shqiptarët e pasdiktaturës?

Ky organizim i emigrantëve në shqipe mund të arrihet pa iu rënë që qafë klerikëve amerikanë që janë punësuar në kishat shqiptare. Për shembull, duke krijuar famulli të reja, kisha për emigrantët, me priftërinj emigrantë, brenda së njëjtës peshkopatë shqiptaro-amerikane. Derisa të përforcohen ekonomikisht këta emigrantë ndryshe, të cilët mund të mos dinë shumë nga feja, por janë më të arsimuar sesa mesatarja e besimtarëve shqiptaro-amerikanë (më të ditur se ata që përpiqen t’i shurdhojnë me nolizma), le ta nisin me shërbesa shqip një herë në muaj, të dielën, brenda të njëjtave godina shqiptare, mbasi të mbarojë mesha anglisht. Apo një mision i tillë shqiptar prish planet amerikane mbi kishat shqiptare, dhe kërcënon të ardhurat e fisit të Liolinëve, dy gjëra që shkojnë puq e tok?

Le të kujtojmë se ata tempuj të shqipes janë ndërtuar me privime e flijime nga mërgimtarët e ardhur dikur nga Shqipëria, për të cilët përdorimi dhe trashëgimi i gjuhës shqipe ishte kushti i parë dhe i fundit për të investuar. Sepse ishte ëndrra e tyre e mrekullueshme për integritet, brenda e jashtë botës shqiptare! Ishin ata që “flenë 15 vetë në një konak”, ata që “pështyjnë gjak”, ata që “punojnë tërë ditën në fabrikë gjer sa kapiten dhe nuk i prishin kreshmët, po hanë bukë me qepë dhe me ullinj”, [2] siç i shkruante Noli i varfër dhe i papunë një mikut të tij, duke qenë më se i sigurt për rrogën që do të siguronte në shërbesën priftërore.

Por nëse shqiptarët e pranuan nxitimin e Nolit, ndoshta sepse e shihnin çfarë blatimesh kishte ai për t’i ofruar kishës dhe kombit, për atë rrogë që iu kërkonte shqiptarëve prej Shqipërie, a duhet të vazhdojë sot e njëjta frymë shfrytëzimi ndaj mërgatës sonë në SHBA, e madje shfrytëzim nga klerikë përtacë e dritëshkurtër, pa vizion për të ardhmen e gjuhës shqipe në Amerikën e Veriut? Abuzimi është i shumëfishtë, përderisa rreth një e dhjeta e të ardhurave të kishave shqiptare i kalon çdo vit kryepeshkopatës së Kishës Ortodokse në Amerikë (OCA) në Syosset, NY, nga ku vitet e fundit u vodhën prej administratës së saj miliona dollarë. Sipas denoncimeve të ish-kryefinancierit të OCA, At Eric Wheeler, këto shuma u depozituan fillimisht në dy llogari “diskrete” të ish-primatit, Theodosius dhe të kancelarit, At Robert Kondratick, dhe u përdorën prej tyre për të paguar e shlyer kërcënime mbi padi seksuale, e të tjera xhevahire.

Denoncimet e vetë klerikëve të OCA kundër këtyre abuzimeve, me në krye kreypeshkop Jobin e Çikagos, i cili madje u kërcënua nga primati me shfronëzim, bënë që shumë gazetarë të shkruajnë në shtypin amerikan gjatë muajve shkurt-mars 2006, derisa rreth 200 klerikë të OCA u ngritën dhe ushtruan presion publik në një letër drejtuar primatit të OCA, Hermanit, për të lejuar kontroll financiar nga ekonomistë jo kishtarë, gjë që ai fillimisht e mohoi. Në këtë ngjarje, peshkop Nikoni dhe at Arturi i dhanë urdhër klerit të tyre që asnjë prift të mos marrë pjesë në këto kritika publike në shtypin amerikan, duke i kërcënuar përndryshe me masa disiplinore. Përse vallë Peshkopata Shqiptare të ishte kaq mbrojtëse në një skandal të madh financiar? Çfarë pasojash negative do të kishte fisi i tyre nëse kontrolli i paanashëm financiar depërtonte edhe në zyrat e Bostonit? A janë marrë të gjitha masat që donacionet dhënë nga burime jo të krishtera të mos figurojnë si të tilla?

Në të kundërt të “kulturës së frikës”, siç e quajtën frymën kishtare të OCA besimtarët kryengritës, një grup juristësh ortodoksë, anëtarë të kishave të OCA në SHBA, i shkruan Hermanit dhe e kërcënuan me shfronëzim, nëse nuk pranonte të bashkëpunojë me ta, prandaj dhe primati u shtrëngua të shkarkojë kancelarin, për të lejuar kështu hyrjen e një firme financiare në zyrat e OCA, për të bërë kontroll të paanshëm, gjë që pritet të përfundojë brenda këtij viti. Kritikët ortodoksë, kryesisht laikë, kanë nxjerrë në dritë dhjetra dokumenta që dëshmojnë lidhjet mafioze të administratës së Kishës Ortodokse në Amerikë, pjesë e së cilës është dhe Peshkopata Shqiptare, me qarqe parakishtare në SHBA dhe në Rusi: www.ocanews.org. Për besimtarët amerikanë është e çuditshme se përse kancelari i pushuar për këto skandale gjeti strehë dhe meshon jo në peshkopatën ku përket, por në atë të New England-it, nën hijen e peshkop Nikonit. Sepse, që të huazojmë nga e folmja greke, “njëri ia di gjirizin tjetrit…”

Nëse në vitet 1910 do të ishte parashikuar se ku do t’i katandisnin institucionet tona kombëtare në Amerikë shqiptaroidët e sotëm, këta abuzues që fshihen duke përdorur herë shqiptarizmin e herë nolizmin, a do të kishin sakrifikuar kaq shumë shqiptarët e vjetër për t’i ndërtuar ato kisha? Kishat shqiptare i ndërtuan besimtarët, anonimët, jo eponimët, as gjenitë e letrave shqipe, e aq më pak shushunjat e sotme. A mund të përfytyrohen këta klerikë pa studime kishtare, jashtë konfiguracionit shqiptar ortodoks dhe njëkohësisht të vlefshëm e të nderuar në SHBA? Si nuk gjejnë urtësi e fuqi emigrantët energjikë e të arsimuar, të kundërshtojnë botërisht zhdukjen e shqipes nga kishat shqiptaro-amerikane dhe të përfshihen në lëvizjen për transparencë në Kishën Ortodokse në Amerikë? Le ta bëjmë këtë për kujtim të atyre që dhanë jetën për përdorimin e shqipes në Kishë. Çfarë tjetër presin shqiptarët e Amerikës që të përmenden?

Psallmi i mjellmës

Duke u kthyer në Toronto, tek ngjarjet e fundit shqiptaro-kanadeze, le të njoftojmë se u mbyllën të vetmet kisha shqipfolëse në gjithë mërgatën ortodokse shqiptare. Ishte kryepeshkopi Anastasios ai që në vitin 2000 bëri të njëjtën gjë në Athinë, kur na zhbëri Lidhjen e Shqiptarëve Ortodoksë në Greqi “Shën Asti”, e cila në nëntor 1999 kishte siguruar lejën nga Gjykata e Athinës dhe nga kryepeshkopi Kristódhulos për të nisur shërbesat shqip në Athinë. Edhe at Artur Liolini atëherë veproi kundër Lidhjes së shqiptarëve të Greqisë, duke na akuzuar se nuk kishim marrë lejën nga kryepeshkopi i Shqipërisë. Po kush e pengoi imzot Janullatosin ta na e jepte bekimin, të cilin ia kërkuam disa herë? Përse kryepeshkopi i Athinës, në të kundërt, u përgjigj menjëherë dhe na ftoi për takim? Mbas disa muajsh, kur ne u ankuam tek imzot Kristódhulos për premtimet e shkelura, ai u përgjigj përsëri me sinqeritet: “Kur nuk ju do kisha juaj shqiptare, çfarë mund të bëj unë për ju?”

Nëse fajin e kishte cilësia e themeluesit dhe drejtuesit të Lidhjes – ky shkrues, domethënë – çfarë bëri KOASH-i për shqiptarët e Greqisë këta gjashtë vjet, mbas përzënies sime nga Greqia, kur atje komunitetet e tjera etnike janë organizuar me priftërinjtë e tyre, në gjuhët e tyre? Kishat e tjera ortodokse jo vetëm që nuk i pengojnë bijtë e bijat e tyre të organizohen në Greqi, por ndërmjetësojnë vazhdimisht për ta te kisha greke. Apo ndoshta kjo justifikohet se primatët e atyre kishave nuk janë grekë dhe nuk janë kaq aktivë jashtë shtetit dhe besimit të tyre fetar? Nëse unë qeshë i keq, a nuk ekspozohet tanimë vetë kryepeshkopi Janullatos për mungesa të tilla në njerëz, mbas 15 vjetësh shërbese të paftuar ndër shqiptarë?

Problemi i ndalimit të gjuhës shqipe në diasporën ortodokse nuk është tek natyra njerëzore, e cila ua paska bërë me hile shqipove, sepse për 15 vjet do të ishin përgatitur dy-tre priftërinj për diasporën; të paktën dy-tre të atillë. A nuk është idiotësi të besosh se Zoti qenka kaq i zhdrejtë sa të ketë hedhur më shumë hir tek jo shqiptarët? Apo është zgjuarsi të manipulohesh e të besosh se Janullatosi na qenka i shenjtë? Si mundet pastaj ky “shenjtor” të ndërsejë mëditësit e tij të përdorin një gjuhë lehëse në shtyp, antikristiane, në një popull shumëfetar? A humbi gjuha paqësore e mësimdhënëse e spiritualitetit ortodoks? Po diplomacia e të thirrurit helen, përse nuk përdoret? Si lejon Kryepeshkopi që gazeta dhe klerikët e KOASH-it të përdorin një gjuhë të egër në publik, kaq materialiste, shpifëse, me kaq urrejtje për ata që mendojnë e jetojnë ndryshe, kur në të njëjtën kohë përdoret një gjuhë adhurimi, kultiste, për personin e primatit? Nëse Zoti vendoste të ulej në Shqipëri – pyesim të mashtruarit – a ka vend për Të në fronin e Tiranës?

E, nga Shqipëria, le të shquajmë prapë në SHBA, ku në komunitetin shqiptaro-amerikan sendet nuk janë aq ndryshe, nëse nuk na lëbyren sytë nga shëmbëlltyra e Nolit dhe nga sibilizmi i një prifti me kaq fytyra. Plani politik i OCA është që peshkopi mbas Nikonit të mos jetë nga peshkopata shqiptare, e cila është shumë herë më e vogël se ajo e New England-it. Por edhe për etiketë, a nuk do të jetë e imponuar, nga ky realitet i sotëm, që në të ardhmen froni i Bostonit të jetë alternativ midis dy peshkopatave? Tani për tani, padituria e peshkopit të sotëm në shqipe, mungesa e arsimit teologjik – Nikon Liolini është i vetmi peshkop ortodoks në Amerikën e Veriut që nuk posedon diplomë teologjie – dhe ethet për pará, janë situata më e përkryer për të çshqiptarizuar plotësisht kishat e pakta shqiptare, por duke iu hedhur pluhur syve emigrantëve dhe vizitorëve të shastisur, me referenca vend e pa vend kombëtariste.[3]

Sidoqoftë, nëse heqim disa nuanca protokollare në kryekishën e Shën Gjergjit, nuk shquajmë ndonjë ndryshim midis kishave shqiptare dhe atyre të New England-it: Të gjitha përdorin të njëjtën gjuhë, anglishten, të gjitha përdorin të njëjtën praktikë liturgjike, atë sllave, dhe të gjitha kanë priftërinj amerikanë, madje të shkolluar në të njëjtin seminar, në atë rus-amerikan të Shën Vladimirit në Nju Jork. Nëse ka një ndryshim, ky është tek pagesat e klerit, sepse në kishat shqiptaro-amerikane priftërinjtë kanë rroga më të mëdha sesa mesatarja e atyre të peshkopatës së New England-it. Shqiptarët e kanë për nder e zakon t’i japin të gjitha për ata që i tejkalojnë.

Mbas aktit përbashkues të peshkopizimit njësh të dy peshkopatave, si asgjëkundi në praktikën ortodokse, i cili akt në thelb njofton zhbërjen e peshkopatës shqiptare për një periudhë jo të largët kohore, nuk u komentua asgjë në botën shqiptare. Është kaq i famshëm inferioriteti ynë, saqë thjesht fakti që një klerik me origjinë shqiptare u zgjodh peshkop me titullin “i Bostonit, i New England-it dhe i kryedioqezës Shqiptare”, vetëm kjo tingëllima fundore, “Albanian”, dëgjohet kaq kremtore, aq terapeutike. I shëron të gjitha. Nuk prish punë që titulli shqiptar kaloi në fund, për hir të rrogave të shumëfishta që duhet të ketë fisi i Liolinëve. Nuk ka rëndësi se çfarë do të bëhet nesër. Rëndësi ka që sot ne, largpamësit e poshtëruar, ndihemi kokëlartë, të realizuar! Për hir të dashurisë së sëmurë ndaj të huajve, le ta lemë fisin e Liolinëve të shesë gjuhën dhe identitetin tonë.

Arsyet për të penguar gjuhën shqipe në Amerikën e Veriut nuk kanë të bëjnë me cilësinë e nismëtarëve të shqipes në diasporë, sepse diçka e tillë mund të ndreqet shumë lehtë nga vetë faktorët e përfolur sot, duke përzgjedhur shqiptarë të tjerë, më të përshtatshëm, madje më afër bindjeve politike të Janullatosit dhe të Liolinëve. Emigrantët e pasviteve 90 nuk mund të mos kuptojnë tashmë se këta 15 vjet, të cilët shkuan me ëndrra e mashtrime për të lejuar shërbesa shqip për ta dhe për fëmijtë e tyre, do të bëhen 20 e përgjithmonë, përderisa pengesa kryesore për të ruajtur gjuhën shqipe në diasporë është vetë kisha shqiptare dhe drejtuesit e saj të përdorur nga interesa tejshqiptare.

Pengesa kryesore për përdorimin e gjuhës shqipe në Amerikë nuk është Janullatosi dhe grekët, por at Artur Liolini dhe ata me të cilët shkëmbehet ai. Ndaluni e shihni! Këtë fakt e beson shumica dërrmuese e shqiptarëve ortodoksë të Kanadasë, të cilët janë të privuar sot nga meshimi në gjuhën shqipe.

Kthimi i shqiptarëve në helenizëm

E vetmja shpresë për nevojat spirituale të shqiptarëve ortodoksë në diasporë, mbetet ai institucion që është më afër botës së tyre emocionale: Kisha greke. Muzika e njëjtë, riti i përbashkët liturgjik, ritmet e kujtesës së pëgërë, tingëllima e njohur, zakonet njësoj, përzierja e pashmangshme, përvoja e përbashkët dikur dhe sot, e të tjera, i sjellin shqiptarët ortodoksë atje ku kanë qenë. Te kisha greke po kthehen urtë e butë, të nusëruar, shqiptarët. Në kishat greke po i çojnë fëmijtë t’i pagëzojnë e t’i edukojnë, ku do të molepsen me mitet e superioritetit të racës helene, qysh në belbëzimet e para, përderisa kjo bindje është pjesë e katekizmës së ortodoksisë greke (Ka mjaft shqiptarë në Kanada, ortodoksë e myslimanë, të cilët nuk e shohin të mbarë t’i çojnë fëmijtë në shkollat shqipe, por e shohin prestigjioze, shërimore, domethënë, t’i regjistrojnë ata në shkollat greke).

Për më tej, në kishat greke ku figurojnë të regjistruar, jo vetëm që do të ushqehen me mesazhet që i dërgon shpesh çdo kishë listës së saj postare, por kur të rriten këta prejardhës shqiptarësh, të dinë ku të kthehen për dokumentacion e për çdo gjë që lidhet me përkatësinë e tyre fetare. Është pak e vështirë të manipulohet dikush, por është shumë herë më e vështirë të bindet e të gjejë fuqi i gënjyeri të çlirohet nga manipulimi. A nuk tingëllon qesharake tani parrulla “Rron, or rron, nuk vdes shqiptari”?

Kjo nuk vlen vetëm për Evropën dhe Kanadanë, por gjithnjë e më tepër dhe për vetë SHBA-në, ku, siç u shtrua me nerv më sipër, amerikanizimi dhe sllavizimi i tempujve të kulturës  sonë kombëtare është tashmë fakt që pranohet me krenari nga vetë shqiptarët. Absurdi i kapardisjes shpjegohet tek inferiorieti nga buron kjo mburrje, tek përulja e rrethanave, sesa në një ndjenjë e shëndoshë atdhedashurie. Kishat emërshqiptare, me priftërinj jo shqipfolës, garantojnë jo vetëm përjashtimin e shqipes nga shërbesat, por dhe lundrimin e fisit të Liolinëve, me retorikën që vetëm shqiptarët besojnë si të vërtetë në Amerikën e Veriut: “Mbaso mjafton të mos jetë Gërqisht, pa Shqipja jonë nuku humbet hiq fare, se na e ka thënë Noli që na vinte në shtëpi!”

Gjithë kjo bëhet me mbështjetjen e shtetit shqiptar dhe me bekimet e klaneve myslimane në Amerikë. Sepse “nuk ka rëndësi nëse i kemi shërbesat arabisht a anglisht. Mbi të gjitha jemi shqiptarë dhe të tillë do të mbetemi!” Çfarë novele! A është ky çmimi i gjakut shqiptar ortodoks për integritet? A mund të jetë një maskaradë e tillë fragment i fotos së montuar të tolerancës ndërfetare ndër shqiptarë? Ku është mprehtësia e shqiptarëve sot?

Për sa i përket diskursit të ortodoksisë shqiptare, me mbylljen e të vetmit mision shqiptar ortodoks mbas viteve 90, këtu në Kanada, humbi ajo pjesë cilësore e komunitetit që e sheh realizimin në dritën jetëdhënëse hyjnore, e jo nën verbimet kulturore të jugës. Humbën ata shqiptarë ortodoksë që thërrasin dhuntitë dhe prandaj nuk bien pré e mendjemanipulimit. Ata që i duan grekët si vëllezër e jo si etër, sepse Zoti nuk ka nipër e mbesa, por vetëm bij e bija të barabartë sipas të gjithave.

U mbush një vit qyshkur u ndaluan shërbesat shqip në Toronto. Kryepeshkopi Anastasios me at Artur Liolinin e pengojnë ardhjen e një prifti tjetër nga Shqipëria, pikërisht se fajin nuk e kishte prifti i këtushëm, i cili madje shërbente falas, bënte punë të rëndomta për të mbijetuar – u bëra teatër për gjuhën shqipe në diasporë – por kundërshtimi im për t’u punësuar përgjithmonë në kishën greke të Kanadasë, me një rrogë dyfish nga mesatarja e emigrantëve shqiptarë. Fajin, pra, e kishte dhe na e ka shqipja!

Si rrjedhojë, imzot Anastasios nuk ka asgjë personale kundër meje. Përkundrazi! Ai vajton ditën kur nuk mundi të më bindë të shkëmbehem e t’i shërbej misionit të tij politik ndër shqiptarë. Ai është në një pozitë kaq epërsore, saqë nuk do të besojë se presionet nuk kanë të njëjtën pasojë tek të gjithë shqiptarët. Sepse Janullatosi e ka kyçur veten në një strofkë që nxen vetëm një luan dhe shumë miza. Ai ende nuk mund ta kuptojë psenë, sepse është mësuar t’i vlerësojë shqiptarët sipas shkëmbimeve të njëtrajtshme në Shqipëri. Cili është ai shqiptar që ka dalë publikisht të mbrojë misionin e Janullatosit në Shqipëri, dhe në të njëjtën kohë nuk ekziston i dokumentuar si mëditës a jargavel i Janullatosit?

Zoti Janullatos bëhet mjerisht shumë personal me këdo që guxon të shkodizojë lojën mendjemanipuluese të misionit helenizues në Shqipëri dhe në diasporën shqiptare. Sa për qëndrimin e at Artur Liolinit, herë pro e herë kundër grekëve, por tani e përherë në kurriz të shqiptarit, ai është rob i simonisë dhe jo i rrethanave. Është atje ku nuk ka më mister.

Me këtë ndalesë tonën, humbën edhe ata të krishterë që i duan dhe i konsiderojnë myslimanët të barabartë në çdo send me ta, pa asnjë nuancë dallimi në ndjenja, pa asnjë paragjykim në ndërgjegje për përmbajtjen e tyre shpirtërore, por ama që nuk pranojnë t’iu nënshtrohen myslimanëve, pavarësisht nga premtimet lëndore të bashkëgjakësve (Jo duke u fotografuar me ta nëpër gosti, e duke i sharë pastaj mbrapa krahëve).

Me mbylljen e Kishës së Shën Astit të Durrësit në Toronto, humbi edhe një alternativë premtuese për gjuhën e kulturën shqiptare në Kanada, përderisa kisha jonë, për tre vjet, përjetoi pajtimin e trashëgimisë spirituale lindore me përvojën kulturore perëndimore; për një identitet tonin më të fisnikëruar. A do të vazhdojnë shqiptarët të manipulohen e të shkëmbejnë ëndrrën e tyre të hershme për integritet?

At Foti Cici 
Shekulli, 31 mars 2006 dhe ShqiptarOrtodoks.com, 15 prill 2006
—————————————————————————

[1] Qerim Panariti, “Noli: Princ i pakurorëzuar i Rilindjes Shqiptare”, Fan S. Noli, Albumi II, f. 106-107.
[2] Letër Thanas Tashkos, Fan S. Noli, Vepra 6, f. 342. Madje Noli pohon këtu, ashtu si dhe në disa letra të tjera, se i druhet ardhjes së priftërinjve të tjerë shqiptarë në Amerikë, nga frika se mos humbet rastin për t’u stabilizuar vetë ekonomikisht: “Si munt t’ju bint unë që munt të mbahem? Thuamëni ju. Një prift këtu mbahet në dorë të parë dhe 4 priftrinj na shkruan gjer tani të vijnë dhe mezi i binda të këtushmit të mos u apin kurajo, se do bëhem unë. Dhe u shkruam priftërinjve, të mos vijnë, se s’ka sërë.” (Po aty). Është e dokumentuar se Noli e pengoi ardhjen e priftërinjve të tjerë, ashtu siç pengoi të bëhej prift dhe vetë Petro Luarasin.
[3] Një tjetër aktivitet folklorik i Peshkopatës Shqiptare në SHBA ishte ai i qershorit 2006, për të kremtuar “Njëqindvjetorin e ardhjes së Fan Nolit në Amerikë” (Sikur ishte Noli ai që e zbuloi Amerikën…) Kjo është qesharake, por jo vetëm kaq. Kancelari i peshkopatës, at A. Liolin, njoftoi se “ardhja e Nolit u dha shqiptarëve sensin e komunitetit.” Kjo nuk është e vërtetë! Një komb që paska vetëm një gjeni, a qoftë dhe katër a pesë të tillë, ndërsa të tjerët i ka plehra, nuk meriton as tempuj e as autoqefali. Nuk plotëson kushtet për të qenë as komunitet. Sensin e komunitetit shqiptarëve ortodoksë ua dha përvoja e tyre shpirtërore, sakrificat për të ruajtur pikërisht trashëgiminë e tyre kulturore, përmes shqipes e shqiptarisë, duke e pasuruar këtë identitet me doktrinat kulturore mbi kombin e kombësinë. Siç e ka dëshmuar vetë Noli, ashtu siç u citua më sipër, por dhe gjetkë, ai e gjeti të organizuar komunitetin shqiptar në Amerikë, i cili ishte gati të mbante disa priftërinj, të cilët Noli fillimisht i pengoi të vinin në SHBA, me manipulime, për t’u stabilizuar vetë ekonomikisht e politikisht. At Liolini, i cili i di këto detaje shumë mirë, e përdor emrin e Nolit si hajmali për të çoroditur emigrantët e për të përfituar ekonomikisht, sepse dihet që Noli ka efekt magjik tek shqiptarët e sotëm, përderisa mitologjia nacionalkomuniste kështu na mëkoi (Le të përfytyrohet Liolini pa përmendur Nolin, qoftë dhe në një bisedë të shpejtë me një emigrant; është e pamundur). Është përgjegjësi e intelektualëve ta ndriçojnë zonën e kulteve, në mënyrë që të ndalet dhe abuzimi ndaj shqiptarëve të Shqipërisë.