Në ungjillin që do të dëgjojmë nesër në Kishë, i cili mund të lexohet në fund, I paralizuari duket se nuk ishte i sëmurë vetëm fizikisht, por dhe shpirtërisht, i rënduar në ndërgjegje nga mëkate të mëdha. Madje këtu shohim diçka ndryshe, në krahasim me mrekullitë e tjera: I sëmuri nuk i përqaset Zotit me vetëdashje dhe vetëdije, sepse sëmundja kronike e ka çuar në mosbesim dhe mohim.

Krishti, pra, nuk veproi sipas besimit të të sëmurit, i cili ky e kishte humbur atë, por në besimin e katër miqve që e mbanin në vig: “Jezui duke parë besimin e tyre”, bëri çudinë! Besimi i katër shokëve, bëri që të shërohej edhe i pesti.

Këtu ka vend për t’u ndalur dhe për të sfiduar diçka që e pandehim si të paradhënë. Kur flasim për besim, kemi mësuar ta lidhim këtë me besimin e një njeriu konkret. E vërteta është se i ndajmë njerëzit individualisht, duke thënë se ai/ajo beson, ndërsa ai/ajo s’beson. Madje besimtarin “e madh” e shquajmë tek dikush që është më i fortë a më i famshëm se ne.

Kurrë nuk flasim për besimin e një bashkësie, besimin e një komuniteti të krishterë, besimin e Kishës ku përket dhe jeton dikush. Nuk na shqetëson, pra, përmasa komunitare dhe ekliziologjike e besimit, një parametër thelbësor teologjik.

Kriza e besimit të një Kishe, është kriza e besimit të një bashkësie, gjë që zbret në grupime, familje dhe hedh rrënjë në zemrën e individit, i cili pandeh se është besimtar i mirë, jo “si të tjerët”.

Si rrjedhojë, mungesa e mrekullisë, dhe këtu nuk flasim për mrekulli materiale, nuk ka të bëjë me mungesën e besimit të individit, por me cilësinë spirituale të Kishës si institucion i kapur, me thelbin tokësor dhe përparësitë e projekteve të saj jashtë Ungjillit.

Nuk duhet të besojmë se jemi më të mirë se të tjerët në Shqipëri, prandaj jemi anëtarë të Kishës Ortodokse, apo se duhet të kthehemi dhe të afrohemi me një shtet ortodoks, për arsye kulturore dhe politike, për të ruajtur përfitimet e sotme lëndore, prandaj duhet të jemi ortodoksë. Jo!

Jemi të krishterë ortodoksë sepse ndjekim Krishtin dhe Ungjillin e Tij, se brenda Kishës përjetojmë besimin me pjesëmarrje në jetën e mistereve dhe shoqërinë e shenjtorëve.

Vetëm kështu do të kthehet besimi i shëndoshë tek bashkësia e krishterë, te Kisha e Zotit, ai besim që ushqen, ruan dhe shëron çdo njeri, të afruar apo të mërguar nga shpresa e shpëtimit.

At Foti Cici, 23 mars 2019

——————-
Marku 2: 1-12

Kur Jezui kur hyri përsëri në Kapernaum, u dëgjuan fjalë që Ai ishte në shtëpi. Kaq shumë u mblodhën, saqë nuk kishte më vend, madje as para derës; Ai u predikonte fjalën. Disa erdhën, duke i sjellë një të paralizuar, që e mbanin katër veta. Por pasi nuk mundeshin t’ia sillnin për shkak të turmës, zbuluan pullazin në vendin ku ishte Ai, dhe si hapën një të çarë, e ulën poshtë hasrën ku dergjej i paralizuari. Jezui, duke parë besimin e tyre, i tha të paralizuarit: “Bir, mëkatet e tua të janë falur.” Por aty ishin ulur edhe disa nga skribët, që mendonin në zemrat e tyre, “Përse flet kështu ky? Ai po thotë blasfemi; kush, veç Perëndisë së vetëm, mund të falë mëkate?” Jezui, me ta marrë vesh prej frymës së Tij se ç’po mendonin ata në mes tyre, u tha: “Përse i mendoni këto gjëra në zemrat tuaja? Cila është më e lehtë, t’i thuash të paralizuarit: ‘Mëkatet e tua të janë falur’, apo t’i thuash: ‘Ngrihu, merr hasrën tënde dhe ec’? Por, që ta dini se Biri i Njeriut ka pushtet mbi tokë për të falur mëkate” i tha të paralizuarit, “Po të them: Ngrihu, merr hasrën tënde dhe shko në shtëpi.” Ai u ngrit, mori menjëherë hasrën e doli jashtë para të gjithëve, saqë të gjithë u mrekulluan dhe lëvduan Perëndinë, duke thënë: “Kështu nuk kemi parë kurrë ndonjëherë”.

(Versioni CHC – Dr. Vladimir Dervishi)